Prof.Dr.sc.Eshref Ymeri
Pak ditë më parë u bë e njohur se zoti Kreshnik Spahiu, Kryetar i Aleancës Kuq e Zi, pas dorëzimit të listave përkatëse, ka kërkuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve zhvillimin e një referendumi për krijimin e një Federate mes Kosovës dhe shtetit amë.
Një kërkesë e tillë tingëllon mjaft e çuditshme. Që në zanafillën e vet e deri para do kohësh, Aleanca Kuq e Zi, në dhjetë pikat kryesore të programit të vet, kishte shtruar si pikë kryesore ribashkimin e trojeve etnike shqiptare. Mendoj se kjo pikë kishte shumë rëndësi në programin e saj, prandaj edhe kishte ngritur peshë zemrat e mijëra të rinjve, të cilët iu bashkuan kësaj Aleance me shumë kënaqësi. Madje nëpër tubimet e saj, qoftë në salla të mbyllura, qoftë në mjedise të hapura në mbarë Shqipërinë, gjithandej ushtonte thirrja “Shqipëri Etnike!”. Edhe në një intervistë që i pati dhënë gazetarit të mirënjohur të TV News 24, zotit Bashkim Hoxha, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë, zoti Kreshnik Spahiu foli vetëm për bashkimin e Kosovës me atdheun amë, i cili, - siç u shpreh ai, - do të realizohej brenda vitit 2014. Pra, fjala Federatë s’ishte dëgjuar kund. Por, një ditë të bukur, si me magji, harrohet termi Bashkim dhe na del në skenë termi Federatë.
Pra, kërkesa për krijimin e një Federate nuk mund të mos tingëllojë e çuditshme për faktin se federatat krijohen mes etnive të ndryshme dhe kurrsesi brenda një etnie. Kosova ka qenë pjesë e trungut të shtetit amë para vitit 1913, kur u bë copëtimi i trojeve tona etnike. Si pjesë e trungut të shtetit amë, Kosova, në kuadrin e Perandorisë Otomane, përbënte njërin nga katër vilajetet shqiptare me kryeqytet Shkupin. Pra, të katër vilajetet shqiptare në Ballkan përfaqësonin etninë shqiptare, të vendosur në troje etnike shqiptare me shtrirje kompakte. Prandaj me Ismail Qemalin u bashkuan në Vlorë përfaqësues nga të katër vilajetet. Nga Kosova pati shkuar në Vlorë Isa Boletini me trimat e vet, për t’u rreshtuar përkrah Ismail Qemalit në aktin e shpalljes së Pavarësisë.
Sipas zotit Kreshnik Spahiu, Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një Federatë me dy njësi shtetërore. Ore lum miku, po si mund të krijuakan një Federatë Kosova me Shqipërinë kur ato i përkasin një etnie të vetme, etnisë shqiptare! Për Federatë mund të flitet në rastin e Maqedonisë që përbëhet nga dy etni krejtësisht të ndryshme, asaj sllavomaqedonase dhe asaj shqiptare. Ideja e Federatës i shkon shumë për zemër si Beogradit, ashtu edhe Athinës, si edhe Moskës që fshihet pas tyre. Sepse në kushtet e Federatës, Serbia do të vazhdojë të tallet me Kosovën si t'i dojë qejfi. Çka të njëjtën gjë do të vazhdojë ta bëjë, si deri tani, Greqia me Shqipërinë. Dhe rezultati cili do të jetë? As Kosova nuk do të konsolidohet dot kurrë si shtet, dhe Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një shtet i nëpërkëmbur nga Greqia. Fakti që Serbia dhe Greqia janë shumë të shqetësuara për ribashkimin e Kosovës me shtetin amë, duhej ta vinte në mendime të thella zotin Kreshnik Spahiu dhe të shtronte pyetjen: ç'kanë Serbia dhe Greqia që i tremben kaq shumë ribashkimit të Kosovës me atdheun amë? Sepse nuk e kanë dashur dhe nuk e duan kurrë krijimin e një shteti të fuqishëm shqiptar prej 10 milionë banorësh në gadishullin tonë. Unë mendoj se zoti Kreshnik Spahiu duhej të shprehte qëndrimin e vet edhe kundër shovinizmit rusomadh për qëndrimin ndaj etnisë shqiptare në gadishullin tonë. Dhe ja sepse:
Në “Gazetën Shqiptare” të datës 04 korrik 2011 qe botuar një njoftim për një notë proteste që Rusia i paskej dërguar Tiranës zyrtare, në të cilën shprehej revolta e saj ndaj deklaratave për “Shqipërinë e Madhe”,të bëra nga ish-deputeti Azgan Haklaj. Me këtë rast, në notëprotestën ruse, të përcjellë prej zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Ruse, Aleksandër Lukasheviç, theksohej se“idetë nacionaliste të krijimit të një “Shqipërie të Madhe”, bien ndesh me përpjekjet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, që synojnë forcimin e sigurisë në rajon ndaj dhe duhet të marrin një reagim të përshtatshëm nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Pohime të tilla, që mbështeten në logjikën mesjetare, mund të çojnë në pasoja jashtëzakonisht negative”.
Pra, Rusia shoviniste, që ndodhet mijëra kilometra larg vendit tonë, u del në krahë aleatëve të vet grekosllavë, për të ruajtur të paprekur veprën kriminale që ajo kreu një shekull më parë, me presionin e fuqishëm që ushtroi ndaj fuqive kryesore të Evropës Perëndimore për copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe majmjen me to të Serbisë dhe të Greqisë.
Sipas zotit Spahiu, nesër-pasnesër, kur të shpërbëhet Maqedonia (se shpërbërja e saj është e pashmangshme), populli shqiptar i Maqedonisë u dashka që të krijojë një shtet të tretë shqiptar, të federuar me Kosovën dhe me shtetin amë, dhe jo të ribashkohet me shtetin amë! Kjo është një ide e rrezikshme. Sepse me të synohet për t'i mbajtuar shqiptarët përjetësisht të copëtuar.
Me krijimin e Federatës, shqiptarët nuk do të arrijnë kurrë të ngrihen më këmbë. Sepse duke qenë të shpërndarë kashtë e koqe nëpër disa shtete, Serbia dhe Greqia e kanë shumë të lehtë për t’i mbajtur pas qerres së tyre. Ndërsa një shtet i bashkuar shqiptar ato i tmerron për faktin se kanë parasysh vitalitetin e jashtëzakonshëm të etnisë shqiptare.
Veç kësaj, ideja e krijimit të Federatës, u vjen shumë për shtat argatëve të Serbisë në Kosovë, si Nexhmedin Spahiu, Halil Matoshi, Migjen Kelmendi e ca të tjerëve, të cilët kanë kohë që rreken për të shpikur një komb kosovar dhe një gjuhë kosovarishte.
Unë mendoj se kthesa e papritur e zotit Kreshnik Spahiu për federalizimin e Kosovës me atdheun amë, të bën të dyshosh se gravitacioni majtist në Aleancën Kuq e Zi, me sa duket, paska marrë sipërinë dhe duhet të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm. Shqipëria, në aspektin mbarëkombëtar, ia ka parë hairin majtizmit që prej 8 nëntorit të vitit 1941, kur çështjes kombëtare shqiptare iu vu përsipër një gur mjaft i rëndë.
Veç të tjerash, ideja e Federatës i vjen fort në osh edhe Janullatosit, sepse me Shqipërinë, kështu siç është, e paribashkuar me Kosovën, ai mund të bëjë si i do qejfi, ashtu siç ka bërë deri tani, duke e mbjellë krejt Shqipërinë e Jugut me kisha me simbolikë greke dhe me varre, memoriale e manastire në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Pra, Shqipëria e Jugut, faktikisht, është e pushtuar krejtësisht prej kishës shoviniste greke.
Në këto kushte, unë e përkrah fuqimisht deklaratën e Republikanëve të Kosovës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Prof. Hazir Shalës, të titulluar “Na duhet Ribërja e Shqipërisë Etnike”, të përpunuar dhe të përgatitur për shtyp nga zoti Cenë Pushkolli dhe të botuar në internet ditën e djeshme, më 11 janar 2013, deklaratë kjo, në të cilën kërkohet ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë dhe vlerësohet krejtësisht e papranueshme nisma e zotit Kreshnik Spahiu për federalizim. Aq më tepër kur edhe partia kosovare Vetëvendosja është për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe kur, faktikisht, siç deklaroi po dje zoti Albin Kurti për emisionin e Zërit të Amerikës, 81% e popullit shqiptar të Kosovës është për ribashkim me atdheun amë.
Unë dëshiroj t’u bëj thirrje gjithë atyre mijëra të rinjve shqiptarë që janë anëtarësuar në radhët e Aleancës Kuq e Zi dhe që dallohen për atdhetarizmin e tyre të shkëlqyer, që të mos e braktisin thirrjen e tyre “Shqipëri Etnike” dhe të ushtrojnë presionin e tyre të fuqishëm mbi drejtuesit e tyre dhe posaçërisht mbi zotin Kreshnik Spahiu për të hequr dorë nga ideja e Federatës, e cila është mjaft e dëmshme dhe madje fort e rrezikshme për fatet e etnisë shqiptare në gadishullin tonë. Kjo ide me siguri që ka për ta dëmtuar Aleancën Kuq e Zi në zgjedhjet e 23 qershorit. Ftoj, gjithashtu, edhe mbarë lexuesit e nderuar të shprehin pikëpamjet e tyre për këtë kthesë të papritur të Aleancës Kuq e Zi në qëndrimin ndaj çështjes së ribashkimit të Kosovës me atdheun amë.
Dua të shpreh keqardhjen time të thellë, që zoti Kreshnik Spahiu, sipas një shprehje të artë të gjuhës shqipe, e filloi mbarë, por e vazhdoi shtarë.
Santa Barbara, Kaliforni
12 janar 2013