RIZA LAHI
Një vështrim i veçantë…Një lule …Një e skuqur…Një tufë e madhe bankënotash… Oh, le të mos e përjashtojmë edhe këtë tufë të qelbur me të cilën janë blerë dhe rrënuar kaq dashuri– paratë; edhe aroma e tyre ka lënë gjurmët e veta te kushedi se sa foshnjë që lindin përditë në “Spitalin Universitar Obstetrik - Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Le t’i kemi pra parasyshë, edhe paratë, që kanë bërë të ngjizen e të lindin kaq qënie të bukura, nëpër caste të bukura – që të gjithë në një krevat të përbashkët dashurie, me klithma dhe ofshama, ardhura nga një vështrimi veçantë, një lule, një e skuqur, një ballo apo, siç e thamë, paratë. “Unë mund të jem i shëmtuar, por paratë që kam unë nuk janë aspak të shëmtuara dhe, efektivisht, nuk ka se si të jetë i shëmtuar i zoti i tyre”, ka shkruar analisti i shkëlqyer i sistemit që jemi future tërësisht, njeriu i mijëvjeçarit të dytë, Karl Marksi.
Është 31 dhjetor. Paradreke. Diell. Tirana gumëzhin. Dikujt ajo I duket e gëzuar, dikujt I duket e trishtuar; dikujt e pasur, dikujt e mbytur në mjerim. Sipas gjëndjes shpirtërore.
Presidenti i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve të Shqipërisë, Ilir Çumani ka organizuar sjelljen në maternitet ndihma për 6 bebe të lindur jetimë, me nënë dhe baba gjallë.
Këta qënie të dashurisë janë braktisur nga nënat që kanë ardhur e kanë lindur këtu.
“Vitin që kaloi ne kemi patur afërsisht sa sivjet, rreth 35 fëmijë që nënat firmosin braktisjen e tyre” - më tregon punonjësja sociale e këtij institucioni që feks nga pastërtia dhe rregulli, Mira Asllani.
O Zot! Një grua ( “ Franklin, your name is ëoman!”…boooo!!!!) , firmos me dorën e saj që të ndahet përjetë nga ajo qënie që i lëvrinte me këmbëza në bark dhe sikur e thërriste që andej, me ca valë të fshehta, “nënë… nënë…edhe pak do të pi cicën tënde plot me qumësht …Edhe pak…edhe pak…dhe ti do të lozësh me mua, do të më mbështjellësh me pelena, siç mbështillje kukullat kur ishe vajzë e vogël…Do të më pudrosësh e do të më ngrësh hopa të më tregosh te shoqkat e tuaja…Nënë…nëna ime…Unë do të dal në këtë botë me një të qarë…e vetmja e qarë e kësaj bote që gëzon njerëz, nëna ime…”
Unë pata rast të shikoj dy kaligrafi nënash që deklaronin braktisjen e bebes së sapodalë nga qënia e tyre. Bebes që e kanë ushqyer me gjakun dhe rrahjet e zemrës së tyre nëntë muaj.
Zonja Mira desh të më tregonte dhomën ku ishin këta foshnjë, por iu luta të mos e shihja; i thashë, aman, nuk kam zemër! dhe ajo më ftoi në dhomën e saj, ndërsa drejtori I këtij materniteti model në tër spitalet shqiptare, Halim Kosova, më dha dorën – nuk kishte më asnjë çast kohë - do të hynte në operacion. Kosova ka raste që bën edhe 5 operacione brënda një dite, duke qënë vetë drejtor i këtij gjiganti kaq sensibël, siç është ky maternitet. Njerëzit e shkencës , me pak përpjekje të trurit të tyre, i përballojnë lehtë punët e administratës, ndrysh nga një takëm tjetër që ndryhen në zyrë dhe punët i shkojnë çalë – çalë.
Kush janë këto nëna që marrin kësi plagësh të rënda prej çasteve të ëmbla të dashurisë?
“Unë kam kaq vite që punoj këtu. Vetëm dy raste kujtoj që të kenë qënë edhe baballarët për të deklaruar se heqin dorë nga fëmija e tyre. Gjithmonë vetëm nënat; nëna të pashoqëruara nga askush!” – thotë punonjësja sociale.
Zakonisht baballarët nuk dalin në skenë, zhduken, bëjnë alibi…bëjnë gjithëçka që mund të prodhojë ligësia e shpirtit njerëzor ndërsa partnerja e tyre e krevatit të dashurisë, qanë dhe bebi klith.
Fëmijët I braktisin vajzat e tradhëtuara në dashuriën e tyre, nënat që bëjnë përpjekjen e fundit t’i shpëtuar divorcit të kërkuar nga bashkëshorti; fëmijët i braktisin nga varfëria, nga turpi i ambjentit përqark. Pse nuk i abortojnë? Oh, një pjesë se iu dhimbset kriejsa e tyre, një pjesë se u druhet pasojave për jetën, ca se kushton shumë për kushtet tona të mjera ekonomike…
Dakord. Nëna shkruajti një faqe letër dhe e firmosi. Largohet nga materniteti me barkun bosh dhe pa qënien e saj . Por asaj i jepen edhe 6 muaj afat, se mos i mbushet mëndja dhe merr foshnjën; ajo tanimë ndodhet në befotrof. Edhe 6 netë pa gjumë, lotë, dilemma, tmerre makbethiane jot ë një maceje që ia kanë marrë këlyshin e sapo lindur, por të një gruaje; 6 muaj që dokumentat e bebit, tok me atë letër të firmosur ndër lotë, të kalojnë në prokurori dhe, më pas, në Institutin Kombëtar të Birësimit. Pastaj foshnja vazhdon të rritet – të marrë atë edukatë që do ta shoqërojë pak a shumë tër jetën e cila merret nga 6 muaj deri në tre vjeç – në befotrof. Që nga befotrofi, në shtëpinë e fëmijës. Qënga mosha tetëmbëdhjetë vjeçare – mandej – shteti heq dorë nga ata dhe… Luftë me jetën….Po luftë pa ndihmën e babait dhe nënës; të mungesë s së tyre dhe një përçmimi të lehtë që shoqëria ende patriarkale shqiptare e ruan ende.
Sa 18 vjeçarë si ndahen nga personeli I shtëpisë së fëmijës, vijnë natën e futen fshehur për të fjetur sërish te krevati I tyre – nës nuk ua ka zënë dikush tjetër – apo shkojnë te guzhinjerja që I ka ushqyer gjithmonë derisa u bënë aq, dhe I luten që, t’I japë një çapë bukë, ja , de, të ngjyrë në lëng fasulesh, se, e griu uria.
Kaluan dhe 6 muaj.
Nëna nuk ndjehet më. Ajo është plotësisht e vendosur. Pra, plotësisht e mposhtur. Si një skllav që e kanë mbërthyer paq ndër pranga nga ku nuk lëviz dot. Nuk lëviz më.
A e merr vesh ndonjë herë në jetë fëmia emrin e nënës së tij? Oh, këtë mirësi e ka në dorë vetëm dikush. Prindërit që kanë bërë adaptimin. Ata e dijnë se cila është nëna që ka braktisur fëmijën që ata kanë birësuar, kurse mëma biologjike, nuk din asgjë. Sado të martohet ajo me një plak epshelli dhe paralli dhe të kërkojë foshnjën e dashurisë së dikurëshme, e ka të kotë. E vetmja mënyrë që të gjejë bebin që braktisi, është – çifti që e ka birësuar. E nga ta dijë nëna e shkretë se cili është ky çift?Është një glob me 5 miliard njerëz dhe mes tyre janë dy që, vetëm ata, e dijnë sekretin e saj. Po ata të dy e dijnë fare mirë se cila është kjo grua e bukur në krah të këtij xhentëllmeni plak me portofolin plot që jargavitet . Apo kjo nënë që ka dalë të lypë për të ushqyer fëmijët e tjerë ndërsa babai I tyre nuk kthehet nga emigracioni. Se është martuar sërish apo ka vdekur a është në ndonjë hapsanë…
Sa drama…pafund…
Sa fëmijë të tjerë lindin e rriten me nënë e babë. Por ngado ka pllakosur varfëri.
Varfëri e tejskajëshme ënde – vënde.
Por dashuria nuk don të dijë. Madje të varfërit bëjnë më shumë nga dy, sa bëjnë të tjerët sot.
Oh, po si I bëhet, që ka plasur korrupsioni ngado, deri edhe nëpër qelizat e shoqërisë? Sa duhen paguar për rojën e maternitetit? Për pastruesen e dhomës? Për infermieren? Mamijën? Oooohhhh, doktorin? Po qe se do të bëhet operacion, sa është “kafja”?
Të gjithëve na ka hyrë tmerri. Por ky tmerr shkon drejt zeros në maternitetin te stacioni I trenit në Tiranë.
Cilado nënë që del nga materniteti, merr në duar edhe një pyetsor. Është vetëm pyetësor pa vulë e firmë. Nëna e merr dhe e plotëson dhe, në mënyrë anonime, ajo e kthen pa emrin , pa asnjë detal nga qënia e saj, që të mos ketë frikë për ndonjë hakmarrje të ardhëme.
Ky testim kaq demokratik, shikohet nga një komision strict.
Jo vetëm kaq.
Në secilën nga dhomat e maternitetit ne pamë një gjetje spektakolare kundër korrupsionit. Ja, ta lexjmë së bashku një kopje të afishes së madhe , që varet në të gjitha dhomat:
“ Të nderuar paciente.! Ja numuri im personal i telefonit:0692020378.Ju lutem, më telefononi ose dërgoni mesazh direct në çdo orë për çdo ankesë , padrejtësi, kërkesë shpërblimi, shërbim jo korrekt apo edhe vlerësimin pozitiv lidhur me personalin….Drejtori i Maternitetit Dr. Halim Kosova”.
Mbase ka ardhur koha që Shqipëria të miratojë të njëjtin ligj që egziston në shumë vënde të zhvilluara. Një nënë për disa shkaqe , nuk e deklaron emrin e babait të fëmijës. Shteti I lidh asaj një pension të përshtatëshëm që ajo ta bëjë bebin e saj 18 vjeç pa I dhimsur koka ekonomikisht. Ne nuk duhet të kemi frikë nga abuzimet , për më tepër, se jemi një popull konservator dhe ku ende egzistojnë mentalitetet e rrepta të familjes…
31 dhjetor.
Dal i turbulluar nga materniteti ku ndodhen 6 bebi të braktisur nga nënat e tyre. Ilir Çumani u ka sjellëe atyre pampersa, qumësht…Oh, por nënat e tyre kushedi se ku ndodhen këta çaste ndërsa njerëzit gëzojnë, shkëmbejnë mesazhe dashurie apo chattojnë me piksynimin e shtratit të dashurisë dhe në darkë qielli do të jetë përplot me fishekzjarre!
Nënat…Mbase janë duke derdhur lotët që u kanë mbetur , mbi një fletë të bardhë. Mbi një fletë që I fton të ndryshojnë mëndjen. Të venë ta marrin foshnjën, se nuk kanë për ta parë kurrë dhe kanë për ta ëndërruar tër jetën. Se kanë për ta ndjekur si hije ngado duke I hyrë kjo hije, nga dritarja, nga shtjella e erërave, nga nata por , për t’u takuar me njëritjetrin, kurrë më.
Fleta e bardhë pret në tavolinë dhe lotë…
Kushedi se ku ndodhen të strukur këta çaste baballarët e këtyre gjashtë foshnjave!
31 dhjetor 2012 – duke gdhirë 2 janar 2013