Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në bazë të kalendarit të paraparë. Pas takimit që pati me drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haradinaj u shpreh optimist për, siç tha ai, krijimin e një qeverie të re në Kosovë.
Edhe nëse arrihet marrëveshje për një qeverisje të re në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, megjithatë, kalendari i zgjedhjeve nuk do të ndryshojë, kështu tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit me përfaqësuesit e BSPK-së.
“Unë besoj se do të ketë qeverisje të re së shpejti në Kosovë. Por, kalendari zgjedhor vlen. Ne kemi thënë edhe më herët se këto dy procese nuk ndërhyjnë njëra në tjetrën. Pra, mund të ndodhë një marrëveshje për qeverisje tash por nuk e ndryshon kalendarin zgjedhor. Zgjedhjet do të mbahen në bazë të kalendarit”, theksoi Ramush Haradinaj.
Rreth procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike, proces ky i kundërshtuar nga BSPK-ja, Haradinaj tha se privatizimi duhet të ndodhë në të mirën e qytetarëve të vendit.
“Ne jemi parti që jemi përcaktuar për privatizim, pra për transformim të pronës por me privatizim nënkupton mbrojtje të interesave të vendit, qytetarëve të vendit dhe krijimit të vlerave ekonomike të vendit”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, tha se duhet punuar më shumë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Ne gjithmonë kemi kërkuar edhe tani kërkojmë bashkëpunim të ndërsjellë mes veti nga pozicionet ku jemi dhe të punojmë në drejtim të forcimit të Kosovës, të punësimit hapjeve të vendeve të reja të punës”, tha ai.
Me këtë rast u tha se ende ka ligje të cilat nuk zbatohen në praktikë, duke e përfshirë edhe zbatimin e kontratës kolektive. Kjo është hera e parë që një lider i një subjekti politik në vend viziton Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës.