2013-01-06

VRASJA E PARAMENDUAR E NJË ZOGU



( Skicë - Si duket, njeriu vetë nga natyra është kontradiktor me vetveten, në raport me natyrën e tij, në raport me "filozofitë" e veta, me pretendimet e veta. Uroj të jem gabim, aq sa jam i rëndë, qoftë kjo një marrëzi më tepër e imja, d.m.th. në emër të njeriut! )

S. Guraziu



 4 janar 2013

Para disa viteve, ndoshta para gjashtë-shtatë viteve por s'jam i sigurt për saktësinë tani, ne mediat holandeze qe bërë aq shumë bujë, me ditë të tëra rresht, lidhur me vrasjen e "paramenduar" të një zogu.

Gjatë një gare shtetërore për Domino (merreni me mend këtë lojë fëmijësh kur ta "komercializojnë dhe zyrtarizojnë" për vete të rriturit, dhe po ashtu imagjinoni po t'na ishte fjala për ndonjë Olimpiadë) në sallën e pa fund ku garuesit i paskan renditur dominot, në pritje për ta mahnitur botën me spektaklin në ditën vendimtare, sa për sherr na paska hyrë një zog. I ngrati zog, e paska humbur rrugën. Dhe ja fundi i botës!

Një rrahje krahësh e gabuar mbi një hektar me mozaikë e xingla-mingla, nga më të ndryshmet figura, nga më të laryshuarat, një "fluturim ulët" paturpësisht i zogut, një "teshtimë" e tij... dhe do ta çonte dëm mundin e një muaji, të kushedi sa ekipeve garuese. Dihet, domino-efekti vetvetiu është i pashmangshëm, përndryshe s'do quhej ashtu, do merrte "yrysh" dhe ndoshta s'do ndalej derisa të jetë rrëzuar dhe pllakëza e fundit.
Karamba-karambita! Çfarë duhet bërë tani, si ta mbronin "integritetin hapësinor dhe ajror" nga sulmet e një zogu "airborne"? Cilat forca kundërajrore duhet angazhuar, cila do duhej të jetë strategjia për luftën ajrore? Një kohë të gjatë qenkan munduar njerezia ta trembnin, per të ikur zogu jashtë nga dritaret lart, por pa sukses.

E vetmja zgjidhje, siç u muar vesh, na paska mbetur ta gjuajnë me pushkë ajrore. Dhe sipas ekspertëve, gjithçka çfarë duhej të kujdeseshin ishte: patjetër duhej vetëm një e shtënë e vetme, vetëm një shenjëtar-kampion i pagabueshëm... përndryshe punët mund të niseshin rrugës së pakthim, rrugës së dështimit të kampionatit. Nga ana shkencore, duhej llogaritur madje dhe vetë hujet e gravitacionit, rrymat e ajrit, trajektorja e rënies pasi ta vrisnin, saktësisht dhe me milimetra. Riskun për dështime s'mund ta merrnin me mend, s'mund t'ia lejonin vetes luksin për më shumë marrjesh në shenjë.

Dhe sikur kjo fatkeqësi domino-ajrore t'mos ishte e mjaftueshme, sa hap e mbyll sytë t'na shkëlqyen shpatat verbale. As pa e kuptuar si dhe përse t'na plasi sherri e lufta mediatike. Me qindra njerëz e dhjetra organizatash sakaq u gjenden në luftë verbale e germatike lidhur me "etikat" rreth vrasjes së një zogu. Debate, argumente, predikime, ide "shkencore", replikime deri në marramendje...

Unë si "outsider" gojëhapur, si spektatorë "neutral" i kuptoja shumë mirë mbrojtësit e zogjve, të shtazëve dhe të natyrës, sikur secili në rrafshin personal ta shprehnin kundërshtinë dhe solidarizimin me zogun, por ama t'i përthekonin të gjitha me dy-tri fjalë - për lirinë e natyrshme të tij, per të drejtën e tij të fluturimit, të frymimit, për cicërimat etj. Me dy-tri fjalë si keqardhje, dhe kaq. Sipas meje atëbotë, do duhej të merrte fund lufta sa më parë, dhe madje duhej të turpëroheshim të gjithë ne, varg e varg, edhe unë si spektator, edhe gazetarët me kureshtarët, që të gjithë. Thjesht duhej ta mbyllnim një debat përmasash të turpit.

Është qesharake për njeriun e shekullit XXI të moralizojë dhe të komercializojë aty për aty artificialitete "eter-ike" dhe spektakle moderne për të drejtat e një zogu, derisa brenda 1 dite të vetme në Holandë 1 milion e 200.000 kafshë nga më të ndryshmet nisen për në therrtoret industriale. Mos ta përmendim Gjermaninë 80-milionëshe dhe shtetet tjera të mëdha, Francën, Italinë, Rusinë, ose më thjeshtë gjithë Evropen, Ameriken... ose akoma më shkurt të gjitha kontinentet dhe akullnentet e planetit.
Kur i kujtoja këto, një debat i tillë "etik", moralizimet për jetën e një zogu dhe gjithë ajo bujë mediatike më dukeshin absurditet! Nuk di nëse kisha të drejtë, por s'dua të vetëgjykohem tani, le të gjykojë dhe lexuesi vetë.

***
Sot, në një kampanjë reklamatike të një fondacioni holandez për mbrojtjen e shtazëve me emrin "Wakker Dier", lexova si vijon, pasi që më lusnin për ndihmë me 3 ose 5 Euro modeste, sipas dëshirës.

(Një derr i pikëlluar ishte ilustruar në nje faqe reklame, i zënë ngusht në diçka prej hekurash, si kafaz i shtallës, poshtë fotos shkruante):

Kjo nënë siç e shihni rri e ngujuar mes shufrash hekuri. Ajo mund të lëvizë vetëm një hap përpara dhe një hap anash. Ndërkohë duhet të bëjë gjithçka që të jetë sa më "produktive". Por a mundet si nënë ajo të ofrojë kujdesin e një nëne me dashurinë e natyrshme për të vegjlit e vet?! Kjo pra që shihni është e përditshmja e jetës së një nëne, e njërës nga kafshët më inteligjente të planetit! 

Në Holandë 12 milionë derra jetojnë mes hekurash, ngjeshur dhe hedhur mbi njëri-tjetrin, pa e parë kurrë dritën e diellit...

Një diçka që më ngushëllon sadopak është fakti se kafshët nuk e dinë se çfarë i pret, ato as përafërsisht nuk e njohin njeriun, natyrën e tij. Jo vetëm derrat që therren brenda një dite në planetin e uritur, por as miliona kafshë të tjera të njeriut moralizues, me grykësinë e paturpshme "industriale" në xhep e në stomak. Sipas kampanjës së "Wakker Dier" nuk është në pyetje vetëm konsumimi dhe kushtet që imponohen nga tregtarët, por dhe kushtet, jeta dhe trajtimi i vetë kafshëve sa janë gjallë, pastaj eksperimentet laboratorike në emër të rritjes së produktivitetit dhe parasë (të cilat kurrë nuk dalin në sipërfaqe). Dhe kanë të drejtë. Kur investohen shumë para, për mbrojtjen e investimeve dhe te projekteve shpesh investohet dhe në "blerjen e tabu-ve", në krijimin artificial të tyre - mendoj se dhe "heshtja" mund të blihet në botën moderne industriale, gjithçka.

Nëse sot, në zemrën e shoqërive më të avancuara të botës, mund të "prodhojmë" industrialisht me shifra milionëshe për t'i pasur filozofitë më të "mprehta", dhe të gjitha sepse dhuratë nga Zoti+Natyra+Shkenca, atëherë do lutem të hyjë një zog në dhomën time gabimisht dhe dua ta vras. Me paramendim, për inat të njeriut dhe të filozofive të tij. Uroj vetëm t'ia dal, t'mos më dridhet as zemra as dora, uroj t'mos më përzihet në punët e brendshme ndërgjegjia, Zoti apo ndokush tjetër... nga "Mbrojtësit e Natyrës". Dua të jem kontradiktor dhe unë!

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...