Analizë
Idetë
e ndërtimit të romanit "Kojrillat"
Romanin më të ri, me titull
"Kojrillat" të shkrimtarit të mirënjohur, Dr. Fatmir Terziu, (krijimtaria e të cilit është vlerësuar me
disa çmime prestigjioze brenda dhe jashtë atdheut), si shumë lexues të
tjerë, fillimisht nisa ta lexoj me kapituj botuar te,"Fjala e Lirë".
Më emocionoi aq shumë narracioni i autorit, sa bashkë me cicërimën e krillës
sonë të vogël, mysafirit më të ri të familjes, e gjithë shtëpia m'u mbush me
gëzimin e krillave gjatë kthimit nga shtegtimi. Ndoshta do t'ju duket e
pabesueshme, por Perëndia e mori mesazhin e lumturisë që ndjeva , njëlloj sikur
të ishte romani im.
Urime Fatmir! Një urim i dalë nga shpirti, i
cili bashkë me krillat, uroj ta
shpërndajnë jehonën e këtij libri të mrekullueshëm në mbarë botën, sepse
e meriton!
Theksoj se jam trefish e lumturuar për botimin e këtij romani për vlerat që ai sjell në letërsinë e sotme, si një kujtesë memorjeje, për ne që jetojmë si dhe për brezat që do të vijnë sepse:
Theksoj se jam trefish e lumturuar për botimin e këtij romani për vlerat që ai sjell në letërsinë e sotme, si një kujtesë memorjeje, për ne që jetojmë si dhe për brezat që do të vijnë sepse:
a) Së pari : Fatmiri botoi dhe i dhuroi lexuesit një roman të ri modern, që ngjason
me një peticion që bënë thirrje: "O shqiptar vrisni frikën!"
b) së dyti: Autori me këtë
vepër shfillon mjaft bukur lëmshin e ngatërruar keqas të dilemës që kërkon
spjegim, duke shpalosur të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai njeh
lexuesin me një të vërtetë të mohuar historike 100 vjeçare për mos të thënë mohimin shumëshekullor të vendit tonë.
c)së treti:Në kolanën e letërsisë shqipe Fatmir
Terziu tashmë po hyn si romancier, madje me një vepër që tregon më së miri
pjekurinë letrare të këtij autori potent dhe bashkëkohor.
Dr. Fatmir Terziu
Duke ditur se sa vullnet, punë, mund dhe kohë i duhet shkrimtarit për të nxjerrë në dritë një vepër letrare dhe në veçanti një roman, për kënaqësi, autori pati mirësinë të ma dërgonte dorëshkrimin të plotë, gjë që më dha mundësinë për ta shijuar si duhet këtë vepër të arrirë. Pasi mbaron së lexuari edhe rreshtin e fundit, mbyll sytë dhe brenda qenies sate njëkohësisht ndjen mall e dhembje për kohën që shkoi, për gjithë ato ngjarje apo ndodhi të cilat i ka mbuluar pluhuri i harresës, ose më saktë janë mohuar me dashje nga të fuqishmit e kohërave, që historinë e vlerësojnë me fuqinë mposhtëse dhe përbuzëse të më të fortit. Dhe ti pyet ndërgjegjen:"Përse na kanë dashur inekzistentë? Përse na kanë mohuar si komb, si gjuhë dhe si racë,e cila qysh më 1913 është quajtur 'Dekania e racave' për nga lashtësia, gjuha dhe etnogjeneza?! "Shqipria, Dekania e Racave dhe më e vogla mes shteteve"Victor Frobin, Artikull i ilustruar, botuar në revistën franceze“
Je saistout”, 15 qershor 1913.
Ja ç'thotë Terziu: "...Dhe e gjitha një këngë e vjetër. Asgjë për
të humbur
karriget që
ngjeshen mirë për të tjerë...ndoshta janë bërë memecë historie...
-Memecë
historie? Vërtet po sikur të jetë kështu? Ajo dosje që mbeti gjetkë në zyrat e
Hamersmithit vërtet mund të jetë memece? A është e mundur që ajo të mos flasë
me gjuhën e vërtetë të saj? E vërteta?... "-pyet autori me mosbesim.
Dhe unë si lexuese, them: "E vërteta
gjendet dhe vendoset vetëm nga i virtytshmi."
Si çdo shqiptar i ndjeshëm ndaj çështjes sonë
kombëtare, edhe Fatmirin e ka shqetësuar fati i atdheut, dilemat që ende ngelen
në udhëkryqet e jetës ,që vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje, që si të tilla janë
bërë objekt studimi, hulumtimi dhe kërkimi rigoroz për 6 vite me radhë për
autorin. Këto shqetësime i ndesh në çdo paragraf, në çdo kapitull e faqe pas
faqeje në të gjithë romanin dhe ti, si lexues, rend si maratonomak për të
gjetur të vërtetën, atë të vërtetë të dhimbshme të mohuar të një kombi vital.
Kombi, balta që e lindi dhe familja janë të
pandashëm për atdhetarin. Nëqoftëse do familjen, jam e bindur se po aq do edhe
atdheun. Kur jemi larg ndiejmë mungesën e familjes, po kështu ndiejmë edhe
nevojën e atdheut kur na mungon. "Është
e pabesueshme se si një gjë në jetë ndryshon perceptimin tënd. Mjafton një gjë.
Mjafton aq sa të të fiksohet në kornizën tënde të urdhërimeve të brendshme. Në
urdhërimin e gjërave që të vijnë të gjesh rendin e tyre. Rendin e gjërave?
Gjërave, që në fakt janë jashtë një lëmshi që zakonisht sfumojnë edhe arsyen e
brendshme. Dhe bashkë me arsyen e brendshme, e fshehta kapërcen çdo ndikim. E
fshehta bëhet parzm i vetë arsyes së gjërave,"-thekson me të drejtë
Dr. Terziu, tek krijimtaria e të cilit, ky libër solli ndryshime rrënjësore.
Sa e re dhe po aq e vjetër historikisht, sa e
njohur dhe po aq misterioze, sa e vogël si problematikë e prapaskenave të
paskrupullta të "botës së qytetëruar" dhe po aq e madhe si çështje
morali, nderi dhe legjitimiteti për një komb të vogël të cilit iu mohua e
drejta legjitime, duke e nëpërkëmbur të Mëdhenjtë e kohërave. Në lidhje me
këtë, i madhi Ismail Qemali është shprehur:" Tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të
mëdha" . Pikërisht këtë
tragjikomedi të Fuqive të Mëdha , e ka zhbiruar me syrin e hollë të kritikut të
mirfilltë ndaj çdo padrejtësie kombëtare, të cilën na e paraqet autori Terziu
në romanin Kojrillat.
Vështrim strukturor i romanit
Nëse do ta shohim dhe analizojmë nga
pikëpamja e ndërtimit strukturor, romani shpalos historinë e 100 viteve
pavarësi shqiptare. Poqese do të kanalizohej në gjininë e romanit historik, duhet t'u përmbahej me përpikmëri
kronikave të kohës , kohëndodhjes, vendndodhjes dhe zhvillimit të ngjarjeve.
Natyrisht duke paraqitur shkaqet dhe pasojat. Por Z.Fatmir me narracionin e
jashtëzakonshëm, ndërthurur me ngjarje sociale, kulturore, e politike që vijnë
përmes kujtimeve të personazhit kryesor Granit Jetoni , të sjella në
retrospektivë, e bëjnë të veçantë dhe sfidante këtë vepër. Zbulimi i shkrimeve
të medias së kohës para Luftës së Dytë Botërore kur ndodhi kjo tragjedi nga një
fëmijë, kureshtja e të cilit, është me shumë vlerë, apo pjesmarrja e hetuesit
anglez Dr.Eduin Smith, i vetmi që nuk beson tek versioni i pabazë i vdekjes
natyrale si rezultat i një depresioni të rëndë të madam Vlorës, si dhe hetimet
e tij sa në Londër, sa në Paris apo në Itali e gjetkë, koha e tejzgjatur e
tyre, bazuar në dyshimet e dhëna nga media, flasin për një roman policesk. Kurse dalja në skenë e një personazhi sureal,
"E Ujta", si dëshmitare
reale dhe njëkohësisht viktima, e cila mbart të vërtetën, të bëjnë të mendosh
se kemi të bëjmë me një tip romani
fantastik si "Kodi i Da Vinçit"
i Dan Braun, ose "20 000 lega nën det", të shkrimtarit Zhyl Vern,i cili shkruajti fantashkencë në shekullin e XIX-të.
Nëse Kojrillat do ta krahasojmë me Sherlock Holmes apo do
ta ballafaqojmë me romanin e juristit Giancarlo De
Cataldo, i cili përvojën në fushën e drejtësisë e
shndërroi në letërsi dhe art kinematografik mjaft të suksesshëm, ky roman do të
hynte në historinë e letërsisë shqiptare si
roman policesk. Por këtu ka ndërthurje të fantazisë, me historinë ,me
fushën e drejtësisë dhe me psiko- sociologjinë. Pa
lënë pas dore dipolmacinë.
Kush ka lexuar romanin tim të fundit "Rikthim i
Ismail Qemalit" dhe më pas të lexojë "Kojrillat",
pavarësisht se kemi të bëjmë me dy autorë , me dy vepra të ndryshme, gjithsesi
lexuesi do të mendojë përsa i përket tematikës duket sikur janë vazhdim i një
trilogjie. Pse? -do të pyes ndokush.
Te "Rikthim i Ismail Qemalit",
ngrihet nga varri dhe vjen i gjallë në Vlorë, në Kaninë e në gjithë Shqipërinë,
arkitekti i Pavarësisë dhe themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, Ismail
Qemali, ku përballet e djeshmja me të sotmen. Në gojën e atij burri të shquar
dhe diplomati vihen në peshore arritjet dhe mosarritjet, fitoret e merituara
dhe çka nuk është bërë mirë. Kurse te Kojrillat kemi të bëjmë me kërkimin e së
vërtetës shqiptare përmes dokumenteve, që i ka marrë rrjedha e ujit(e kohës) me
vete. Këtë të vërtetë autori e shtrinë në hapësirë si:( në Evropë, ku
përfshihen shtetet ballkanike, natyrisht në Shqipëri dhe më tej përfshihen
Anglia, Italia, Austria, Franca, Rusia, madje edhe Kina, si dhe në kohë. Aty,
në shekullin që sapo lamë pas, i gjen të gjitha ngjarjet dhe bëmat, ku marrin
pjesë të gjitha shtetet që kanë vendosur fatin e Shqipërisë, e cila për faj të
sundimeve shekullore, u bë arenë cirku e atyre ujqërve që veshën lëkurën e
qengjit dhe u treguan si miq të besës. Fatin e Shqipërisë, autori e rrëfen
mjeshtërisht përmes një tragjedie të zakonshme, që më vonë do të bëhej busullë
orientuese e mistereve të varrosura nën ujë. Herë-herë më duket se me fatin
tragjik të asaj gruaje, autori aludon me fatin tragjik të Shqipërisë.
Kjo histori e hidhur, një tragjedi
tronditëse, që në dukje nis si një incident i zakonshëm, mëse i rëndomtë, me
mbytjen e një gruaje të huaj dhe të bukur në ujërat e lumit Tamiz, të bënë të
jetosh çaste ankthi deri sa përfundon romanin. Nuk dua të flas për brendinë e
romanit, pasi nuk më pëlqen të humbas kureshtjen e lexuesit. Dua të përmend se
si e ka shfrytëzuar shkrimtari Terziu pangopësinë
e diplomacisë Evropiane, duke shfrytëzuar natyrën e dobët dhe joshëse të
femrës. Këtë e mësojmë përmes një lloj
narracioni filozofik të rafinuar dhe indirekt, që përshkon faqet e librit.
Bëhet fjalë për një zonjë nga derë e madhe e Vlorajve. Madam Zejnep Vlorës,
Zoti i kishte falur bukurinë dhe rangun e lartë shoqëror, që çdo bukuroshe
tjetër do të dëshironte të ishte në vendin e saj. Duke qenë gruaja e Xhemil
Vlorës (që ndoshta kishte pozitën e Prefektit të Vlorës) u përzgjodh si Zonja e
Parë shqiptare, në pritjen e Mbretit të Shqipërisë, Princ Vilhelm Vidit.
Atëherë kjo e ëmbëlsuar nga jeta e oborrit, kërkon të avancojë më tej, duke
kërkuar më shumë nga vetja dhe nga jeta. Por gjithçka që merr në këtë botë, ka
shpërblimin e vet. Njohja e saj me rrethet diplomatike të kohës bëri që ajo ta
shndërrojë veten në një ikonë bukurie, e admirueshme për të huajt. Ndërkohë që
bashkëshorti i saj, Xhemili kryente detyrën e vet shtetërore, ajo vizitonte
oborret e Evropës, si Itali, Austri, Francë, Angli, Stamboll etje...
Frekuentimi i salloneve të diplomacisë evropiane prej kësaj zonje mondane, ku
admiruesit e joshnin atë vetëm për interesat e tyre lakmiqare apo grabitqare
ndaj Shqipërisë së saposhpallur e Pavarur. Mos të harrojmë se autori na e
sqaron me shumë finesë se kjo indipendencë e shlpallur, ishte e cunguar, pasi
toka amtare dhe vetë shqiptarët u ndanë e u përçanë mes shteteve fqinjë të
Ballkanit.
Por le të ndalemi tek zonja Zejnep, ku
përmes një stili narrativ
ngjyrash, përmes figuracioneve të gjetura e tejet të spikatura, Terziu na shuan kureshtjen:
"...E Ujta krijesë qëndroi para
meje. Kristalizohej e gjitha. Shkëlqente ambienti. Një Princeshë e vërtetë.
Trupujtë e tëra. E përkryer në bukurinë e saj. Flokëargjendi, tërë xixëllima si
një ujëvarë nën goditje rrezesh të forta dielli. Manteli i saj i tejdukshëm,
tejzgjatej nga pas trupit deri në një kufi ku sytë dukeshin të paaftë të kapnin
fundin e tij. Vokale dhe ritmike në lëvizjen e saj dhe të mimikës së fytyrës
këndore. Lëkura e tejdukshme, ku binin në sy venat e saj blu në të gjelbërta. E
gjitha dukej si një e tërë. Një sipërfaqe venash që dukej sikur merrnin e
jepnin me ambientin me disa lidhje të tejdukshme arteriesh. Vena të gjata që
ridimensiononin tërë atë pamje bukurie në sytë e mi. E gjitha një lëvizje
ritmike. Një komandë. Një ritëm. Një ndjesi..."
Lexuesi sa njihet me aparencën e saj paraqitur
artistikisht bukur nga autori, mendon se, një bukuri e tillë, e lindur për ta
fituar këtë jetë që kushtonte shtrenjtë, i duhej ndoshta edhe të abuzonte me
hiret e saj femërore. Nënkuptohet se për të siguruar luksin në paraqitjen e një
gruaje aristokrate, që edhe pse ishte nga një vend i vogël dhe i panjohur, nuk
dallonte nga zonjat e salloneve luksoze të Parisit apo Vjenës, të lë të kuptosh
se i bën shantazh bashkëshortit, Xhemilit, ku këmbëngulja e saj fliste mjaft
qartë:"ose paratë për një jetë
sallonesh, përmes së cilës madam Zejnepi kishte fituar pavarësinë, ose nxora në
ankand diplomatik sekretet politike të kohës, ku në lojë ishte vënë fati i
Shqipërisë. (Vivra)"
Kurse shkrimtari i talentuar
Z. Terziu, paraqet Granit Jetonin, jo atë djalin e vogël, të cilit nuk i hiqet
mendja nga ditëlindja e tij e gjashtë, tashmë pas 40 vjetësh ndërsa dëgjonte
transmetimin e lajmeve, kapi: "...dhe
dokumenteve që mbante me vete Madam Zeinep Vlora, ndoshta me..." -Gati
isha i përhumbur në lajmin e radhës teksa spikerja më tej vazhdoi … “Koleksioni i artefakteve të rralla, të
cilat do të ekspozohen, përbëhet nga artikuj të rëndësishëm të gazetave,
dokumente të rralla dhe nota diplomatike të legatave të ndryshme, të cilat janë
gjetur nga studiuesit në arkivat e Londrës. Artefaktet në fjalë janë dokumente
të paekspozuara më parë për publikun shqiptar dhe pritet të zgjojnë interesimin
e studiuesve dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.”-gjë që e bëri të pëshpërinte
me vete: “Ky koleksion i veçantë i
dokumenteve të rralla…”, “ky koleksion i veçantë i dokumenteve të rralla… të
paekspozuara më parë”, - ripërsëriti duke pasur në mendje njoftimin
mediatik Londinez bërë në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, gjë që ngjalli
dyshim, por më tepër shpresë për personazhin tonë.
Nëse do të marrim shkakun dhe pasojën, si
gjymtyrë të ngjarjeve historike, që romani të quhet historik, janë dy: Si shkak
që nxiti kureshtjen e një fëmije të padjallëzuar me materiale mediatike të
botuara kohë më parë, ishte Lutfi Çela, një njeri i arsimuar në perëndim.
Pasoja : kemi në dorë një roman i shkruar 40 vite më vonë, po nga ai fëmijë i
cili e shoi kureshtjen përmes kërkimeve për të zbardhur një të vërtetë. Kjo
nxori shkaqet dhe pasojat e vërteta, që të mëdhenjtë kishin shkaktuar
tragjedinë e një kombi.
Estetika gjuhësore dhe letrare në roman
E përkufizova kështu "estetikë gjuhësore
dhe letrare" për faktin se romanin e përshkon fund e krye një gjeografi konceptesh të shpërndara
përmes një ekuacioni narrativ, në një terren ku gjen zbatim shtrirja e mendimit linear.
Në faqet e tij gjen kryqëzim kohërash,që përcaktojnë
shtrirjen e ngjarjeve në kohë. Nga pikëpamja
estetike, përmes një gjuhe të pasur,
aty has një mori ndjenjash dhe traditash nga më elegantet deri tek mëvulgaret.
Kurse e vërteta e stisur estetikisht, gjendet e varrosur në ujë,në tokë apo në
shkëmb. Përmes një paralelizmi të
goditur"Mosqenia",shndërruar në një Kojrillë, e cila shtegton në
stinë, kurse "E Ujta" paraqitur si qenie frymore, del nga labirintet
që koha i mbuloi me ujëdhe me baltë. Këtu kemi të bëjmë me një roman filozofiko-social, ose hasim me filozofinë e Prof. Dr. Isuf Luzit
("Ekzistenca dhe Boshësia",i cili thotë:"E vërteta, e qenësishmja, nëse e kërkojmë gjendet
brenda boshësisë pra në inekzistencë." Sipas autorit e vërteta qëndron
tek e brishta. Nga ana tjetër brishtësia është virtyt i asaj pjese të shoqërisë
apo në atë këndshpirt të individit që mendon se drejtësia duhet të vendoset në
botën e të gjallëve, ku mjegulla ka mbuluar të vërtetën, të bukurën që të ofron jeta.
Nga mënyra e të parit të
dritës, si simbolikë e së vërtetës, për individ të ndryshëm përceptimi është i
ndryshëm. Po kështu ndodh me shtetet. Dikë e zhysin në ferr dhe errësirë, për
ta pasur dritën të gjithë për vete, paçka se ajo është e rreme. Pasi dritën e
vërtetë e kanë zhytur nën ujë, nën tokë, nën gërmadhë.
Në këtë roman Terziu, përmes
metaforave, alegorive, dualizmeve, paralelizmave dhe krahasimeve, përballë të
tejngopurit që fsheh të vërtetën vendos të eturit për dritë( për të vërtetë).
Mesazhi që jep autori në roman, është i madh, është solemn: "Jo me kryneçësi, drita duhet parë në
një këndvështrim të ri, pasi koha do dritën e duhur. Kombet pa identitet, të
dalë nga errësira e shekujve, jetojnë me antikitetin dhe shpërndajnë vetëm
errësirë. Edhe pse shekujt na ndërruan emrin disa herë trashëgimtarët e fronit
shqiptar, atdhetarët shqiptarë e mbajtën ndezur dritën e së vërtetës, Dritën e
Lirisë, herë me pishtarë, herë me kandil, herë me qirinj dhe dheu ende s'i ka
tretur. "Dëshmitar të këtij vitaliteti, spjegon Fatmir Terziu, janë
Kojrillat shqiptare, shtegtarët stinor, që në të gjitha hapësirat e globit
mbajnë simbolin e kombit, të cilin të tjerët duhet të dinë ta shikojnë...Pa e
prekur kohën e diktaturës, me problemet e saj të tejskajshme që autori i
shtjellon mjeshtërisht, sa edhe varfërinë e shpreh me një detaj të rëndomtë, me
mungesën e perit për të qepur, theksoj se romani "Kojriliat" vjen me
një dimension të ri, me lirikë të qashtër, me konfiguracion metaforik, sjellë
një risi emancipuese gjuhësore në letërsinë shqiptare të pas viteve 90.
Terziu me letërsinë e tij ,
përmes shprehive të reja apo fjalëve të përngjitura, sjellë një pasuri të vyer
gjuhësore në letërsi. Ka ardhur koha dhe jam e bindur se kritika shqiptare,
nëse zhvishet nga hermetizimi i cili ka veshur me aureolë një numër të kufizuar
shkrimtarësh, duke i dhënë prioritet letërsisë politike, duhet t'u japë vendin
e merituar :romanit unikal"Kojrillat" si dhe disa romaneve të
tjerë, që japin mesazhe për sot dhe të ardhmen.
Si përfundim:
Më vjen mirë që po vazhdon
rrugën e romanit. Jo pak, por është romani i tretë në një hapësirë kohore
relativisht të shkurtër dhe tejet të ngjeshur brenda 2-3 vjetësh. Them
prodhimtari letrare e ngjeshur pasi kam parasysh se shkrimtari Terziu, nuk
merret vetëm me krijimtarinë letrare apo vetëm me këtë gjini. Ndërkohë ai ka
botuar dy vëllime poetike, Kritika ndryshe N-2, pa harruar punën si
domosdoshmëri jetike, botimin e revistës "Fjala e Lirë" , gazetës
"Albania News", si dhe realizimin e filmave (i vlerësuar në këtë
gjini arti me çmimin ndërkombëtar "Green")duke shtuar me dhjetëra
analiza dhe kritika letrare. Deri sot nuk njoh ndonjë kritikë tjetër që në
punën e vet të ketë përfshirë kaq shumë autor, sa Fatmir Terziu. Kam pasur
fatin të punoj me kritikë dhe estet të tjerë me emër, por theksoj se kritikat e
veprave letrare apo të autorëve të marrë në konsideratë prej tyre, numërohen me
gishtat e dorës. Kurse Fatmir Terziu ndryshe nga ata, ka sjellë një kritikë
ndryshe për një letërsi ndryshe e palëvruar më parë. Dhe më e çuditshmja është
se kritiku ynë, ka marrë në analizë mbi 250 autorë, duke bërë të njohur edhe
ata që koha i kishte harruar.
E përgëzoj autorin e mirënjohur për temën tejet
intriguese. Mbi të gjitha më pëlqen stili i rrjedhshëm, i pasur në metafor, që
lexohet me një ankth fluturak si shtegtimet e shqiptarëve në kohëra që
ngjasojnë me shtegtimin e krillave ose kojrillave të autorit të cilat sot janë
ambasadorët e kulturës edhe çështjees shqiptare në botë!
Një vlerë e veçantë është prurja e re
gjuhësore, ku mes syresh, përmend: trupujtë, E Ujta, zëzerrime, zëgrishës,
shkrafanjit, flikërron, bluritmi, trupnjeri... Ose togë fjalësh si:
..."pështyn kohën në thatësirën e grykës së tij; rrufellimë e tërbuar;
vena të qelqerizuara; trungje gjysëm të tharë në ecjetën e tyre; kam pikëtakuar
100 vite që lanë të tjerët; koleksion i artefakteve të rralla; I merr vitet nën
sqetull si të ishin gjethe vjeshte... etje.
Veç vlerave të nxjerra më sipër, përmes këtij
romani autori jep shumë mesazhe për lexuesin e gjerë, mes dialogjesh dhe
monologësh të mrekullueshëm, rrëfen rrugën që duhet të ndjekin shqiptarët e në
veçanti politika shqiptare që është bërë shembull negativ për teleshikuesit dhe
votuesit.
“Kush jeni
ju?” Pyeta prerë.
“Unë jam
Ujnaja e zezë e Botës”, proklamoi vetveten duke ngritur prapë zërin çjerrës e
të akulltë. “Unë jam portieri i Ujërave të Pista, i vetmi që ndaj në këtë
fëlliqësirë përzierjesh shpirtin nga trupat e ikur. Jam i vetmi që trazoj në
ujërra dhe dalloj gjakun e tretur.”
-Dhe ju erdhët këtu në këtë errësirrë vetëm që
të masni forcën me një të pafuqishëm, me një ..., apo vetëm të më tregoni
forcën tuaj duke më përshëndetur çjerrësisht? Kjo është një konsideratë e
pazgjedhur mirë nga ju.”
Zezërrima e tij u afrua më afër dhe gati më
grishi veshin. “Mos kujton se je i veçantë, o trupnjeri? Ne kurrë s’kemi arsye
të konsiderojmë se ju do të mund të jeni në një rrugë drejt Fundit të Botës.
Bëhu i sjellshëm në këtë ballësi që sheh, dhe ndoshta do të rigjeni shpirtin.”
“Por në fillim
që të kaloni andej nga ku vetëm dora ime zgjedh dhe bën dallesat, të provoni se
vërtet e meritoni, ju duhet të bëni respektin, të doni vëllai-vëllain,
motra-motrën, nëna-djalin dhe të bijën e kështu me radhë. Ju duhet të doni e të
mbroni tokë e male, ujë e dete. Ju duhet të keni respekt për gjakun...Ju duhet
të vraponi kur të tjerët janë duke ecur. Se vetë keni ngecur në këto bataqe
kohërash, ku edhe unë e kam shumë të vështirë të dalloj gjakun dhe shpirtin
tuaj..."
Urime i nderuar shkrimtar, që po ulesh
këmbëkryq në gjininë e romanit që shtrihet si në hapësirë dhe në kohë, që është
sa jetik dhe po qa filozofik. Mendoj se Filozofia dhe psikanaliza e jetës
gjenden si askund tjetër, në një roman të tillë, pasi ai ka shtrirje si në
hapësirë edhe në kohë.
Urime, rrugë të gjatë dhe mbarësi në këtë gjini sa të vështirë dhe po aq fisnike. Këshilloj që këtë roman duhet ta lexojnë të gjithë, në mënyrë të veçantë studiuesit, të cilët ta kenë si një udhërrëfyes të asaj që duhej ta kishin bërë me kohë.
Urime, rrugë të gjatë dhe mbarësi në këtë gjini sa të vështirë dhe po aq fisnike. Këshilloj që këtë roman duhet ta lexojnë të gjithë, në mënyrë të veçantë studiuesit, të cilët ta kenë si një udhërrëfyes të asaj që duhej ta kishin bërë me kohë.