Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/20

Të heqen edhe lapidarët serb që gjenden në Republikën e Kosovës...


NGA FLORI   BRUQI


“Pjesëtarët e xhandarmerisë serbe kanë larguar vendosjen ilegale të përmendores në Preshevë, aksioni është kryer pa asnjë incident dhe pa përdorim të forcës”. Kështu ka deklaruar kryeministri serb, Ivica Daçiç në një proncim për mediat pas largimit të lapidarit nga qendra e Preshevës.
Kryeministri dhe ministri i punëve të brendshme ka deklaruar se pas skadimit të afateve ligjore, me urdhër të ministrisë së drejtësisë, pjestarët e xhandarmerisë serbe kanë larguar përmendoren ilegale të vendosur në Preshevë.




Ambasadori shqiptar, në Preshevë
Në Preshevë sot ka mbërritur ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Shpëtim Çaushi, i cili është duke biseduar me përfaqësuesit e partive shqiptare të Luginës. Para Komunës ende qëndrojnë të tubuar disa dhjetëra qytetarë, kryesisht të rinj. Vendi prej nga është hequr lapidari i luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së është ende i rrethuar me shirita të kuq dhe qytetarët aty gjatë ditës kanë ndezur qirinj. Në vendin ku ka qenë lapidari gjenden edhe buqeta me lule.
“Serbia ka treguar mjaft durim, mirëpo i ka dërguar edhe mesazh të qartë se ligji duhet të respektohet dhe askush nuk është më i fuqishëm se shteti” ka thënë Daçiç.




Serbia me qindra forca po e largonte lapidarin kushtuar dëshmorëve të UÇPMB-së, pas paralajmërimeve të vazhdueshme, por qeveritë shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, Presidenca e Kosovës dhe Shqipërisë, po bënin gjumë, edhe më të përgjumura u treguan shumë parti, si LDK-ja, e cila ka reaguar rreth orës 14.00, dhe AAK-ja, që ende nuk ka reaguar apo Vetëvendosja, që ka reaguar me aq vonesë, e që aq shumë u mundua ti dal në mbrojtje shqiptarëve atje dhe lapidarit. Madje edhe Aleanca Kuq e Zi, që po e mban në shënjestër Qeverinë e Shqipërisë dhe Sali Berishën për mos veprim në mbrojtje të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, ka reaguar gati një orë pas saj.

description

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, e cila ka reaguar me pesë orë vonesë, vetëm pas orës 12.00, më shumë se sa i ka dhënë mbështetje shqiptarëve në Luginë, u ka bërë thirrje për mosveprim dhe mos rënie në provokime të Serbisë, duke nxitur edhe më shumë reagime pakënaqësish me përmbajtjen e reagimit, duke ofruar thjeshtë për ta vazhdimin e nënshtrimit.

Daçiqi shkul lapidarin, qeveritë dhe partitë shqiptare flenë gjumë
Qeveria e Kosovës as që ka kërcënuar me dialog Serbinë, dhe as që ka dhënë premtime për respektim reciprok të pakicave, madje as që po kërkon status reciprok për shqiptarët atje.
Ndërsa, Qeveria e Shqipërisë, e cila ka reaguar pas orës 13.00, përveç se e ka dënuar aktin e largimit me forcë të lapidarit, dhe veç vlerësimit për si dëshmi të albanofobisë së Serbisë dhe cilësimit si trashëgimi raciste milosheviqiane, nuk ka shfaqur as edhe një ide premtuese për shqiptarët.


Presidenca e Kosovës ka reaguar po ashtu rreth orës 13.00, pa ndonjë nxitje shprese apo motivimi për shqiptarët atje.

Po ashtu edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk kanë bërë as reagimin më të vogël, por shqiptarët nuk janë duruar dhe i kanë vënë zjarrin një flamuri të Serbisë në Shkup.
Serbia e hoqi lapidarin, dhe ndoshta një ditë tjetër do të dojë të nxjerrë edhe nga varrezat eshtrat e dëshmorëve të UÇPMB-së, të cilët as nuk kanë një varrezë të përbashkët.

Ashtu siç edhe përfolej klasa politike e Kosovës Lindore u tregua e pazonjë të mbronte edhe një pllakat të vetme përkujtimore. Ajo së bashkue me politikën e Kosovës dhe të Shqipërisë, lejoi poshtërimin e shqiptarëve nga Serbia, thyerjen edhe të asaj pak krenarie të krijuar së fundi.

Lapidari la pas vetëm kujtimin dhe zhgënjimin e qindra e mijëra shqiptarëve, të cilët veçse bërjes së homazheve nuk kishin mundësi tjetër, ndezjen e qirinjve si të rikujtonin vrasjen e papritur të një heroi, të më të dashurve apo të një lideri.
Por, shpirtrat e të gjithë atyre dëshmorëve të fundit dhe të mijëra të tjerëve në kohë, nuk do të lënë të qetë gjakun e shqiptarëve!






Në vendin ku deri para pak orësh ku qëndronte lapidari i dëshmorëve në Preshevë, janë mbledh një numër i konsiderueshëm i qytetarëve duke shprehur pakënaqësi me heqjen e lapidarit në mënyrë të dhunshme nga Xhandarmëria serbe.


Korrospodentja e ORAinfo në Preshevë njofton se, familjarët e dëshmorëve kanë rrethuar me shirit vendin ku ka qenë i vendosur lapidari, duke ruajtur hapësirë për vendosjen sërish të lapidarit në atë hapësirë.


Qytetarët e mbledhur në qendër të Preshevës janë duke pritur takimin që është duke u mbajtur nga liderët lokal, në mënyrë që më pas të marrin vendim për hapat e mëtejmë.



Xhandarmeria serbe heq pllakën përkujtimore nga qendra e Preshevës (Video)


Zyra e Presidentes së Kosovës vlerëson se heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.


“Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale”, thuhet në një reagim të Presidencës.



Kjo, sipas Presidencës, tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik.

Zyra e Presidentes së Kosovës bën thirrje për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një deklarate, ka dënuar ashpër heqjen e lapidarit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), nga ana e policisë dhe xhandarmërisë serbe sot në Preshevë.




Krasniqi vlerëson se ky veprim qyqar i Beogradit, dëshmon edhe njëherë se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika, mentaliteti dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Millosheviqit.

“Veprimet e tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e as procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo është edhe një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit, nxitës i konflikteve dhe urrejtjeve ndërmjet kombeve”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit.


Rrënimi i përmendoreve dhe ndalimi i shpalosjes së vlerave kulturore dhe i kujtesës historike të popujve, shton më tej Krasniqi, nuk përkon me vlerat universale të kohëve moderne, si: liria, paqja, demokracia dhe bashkëpunimi.


Pas situatës së krijuar, kryetari Krasniqi bën thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët e kësaj treve të mos bien pre e provokimeve të Beogradit, sado të dhimbshme qofshin ato.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur indinjatën e saj të thellë për veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.






"Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit. Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët", thuhet ne reagimin e Qeverise se Kosovës.

"Ky veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë", thuhet në fund të njoftimit.





Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barabar të Millosheviçit.


Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milloshevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit.


Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t``i zbatojë.


Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut.


Qeveria shqiptare u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.


description

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme sjelljen e sotme të shtetit serb, i cili në mënyrë të vrazhdë e hoqi nga sheshi i Preshevës Lapidarin e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

 “Ky akt është në vazhdën e veprimeve të njohura të regjimeve të Beogradit, kundër të cilave kanë luftuar dëshmorët shqiptarë të Kosovës Lindore, emrat e të cilëve janë skalitur në atë lapidar, të cilin Beogradi zyrtar sot e vodhi brutalisht”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton RTK.

LDK-ja e vlerëson këtë akt si një mjet presioni ndaj shqiptarëve të mbetur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndaj i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta shtojë kujdesin për qytetarët e atjeshëm shqiptarë, të cilët janë më të shtypurit dhe më të diskriminuarit në Evropë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ka reaguar sot edhe Lëvizja për Bashkim (LB).  “Ky veprim i pushtetit serb është vazhdimësi e sjelljeve shoviniste të Serbisë jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore, por edhe kundër shqiptarëve në përgjithësi. Ky akt e shpërfaqi edhe njëherë realitetin e hidhur: shqiptarët të cilët jetojnë të trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë të privuar nga të drejtat elementare dhe se madje as ato nuk mund t’i realizojnë në kuadër të Serbisë”, thuhet në reagimin e LB-së.


description

Në emër të komunave të Republikës së Kosovës, Asociacioni i Komunave të Kosovës reagon kundër heqjes së lapidarit të dëshmorëve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke vlerësuar se me këtë akt është cenuar e drejta më themelore e qytetarëve të kësaj ane, e përkujtimit të të rënëve të tyre. Poashtu Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson se vendosja e lapidarëve dhe e përmendorëve është e drejtë ekskluzive e pushtetit lokal dhe me këtë rast veprimi i Beorgradit cenon edhe parimet bazë të kompetencave dhe të drejtave të autoriteteve lokale në komunën e Preshevës.




description

Edhe Lëvizja për Bashkim si shumë parti tjera kanë reaguar pas heqjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë në orët e hershme të mëngjesit nga forca të shumta të xhandarmërisë serbe. LB thotë se ky veprim i pushtetit serb është vazhdimësi e sjelljeve shoviniste të Serbisë jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore, por edhe kundër shqiptarëve në përgjithësi. "Ky akt e shpërfaqi edhe njëherë realitetin e hidhur: shqiptarët të cilët jetojnë të trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë të privuar nga të drejtat elementare dhe se madje as ato nuk mund t’i realizojnë në kuadër të Serbisë", vlerëson LB. Sipas kësaj partie ky akt tregon qartazi se politika e ndjekur ndaj Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë ka qenë e gabuar dhe e ka dëmtuar e po e dëmton interesin kombëtar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. "Në njërën anë kemi politikën agresive shoviniste të Serbisë, e cila po i shtyp, vret, burgos e shpërngulë shqiptarët, e, në anën tjetër, kemi politikën qyqare e Tiranës e Prishtinës, e cila shqiptarët e Kosovës Lindore i quan dhe i trajton si pakicë kombëtare (!) dhe kërkon nga ata që të drejtat e tyre t’i realizojnë në institucionet serbe!", vlerëson kjo lëvizje, duke shtuar se qëndrimi i institucioneve tona ndaj çështjes së Kosovës Lindore duhet të ndryshojë. "Lëvizja për Bashkim deklaron edhe njëherë se populli shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jeton në trojet e veta i ka të gjitha karakteristikat e kombit dhe se atij i takon e drejta e kombeve për vetëvendosjes deri në shkëputje. Andaj, të gjithë shqiptarët, subjektet politike e institucionete e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të punojnë për jetësimin e kësaj të drejte, pra të bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën-Shqipërinë", thotë LB./


PS: Beogradi nuk po shkëputet dot nga e kaluara

Lideri i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama vlerëson se me heqjen e lapidarit të dëshmorëve në Luginën e Preshevës, Serbia ka treguar se nuk po shkëputet dot nga e kaluara. Ai i ftoi qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës që të mos e linin bosh vendin ku deri para pak orësh qëndronte lapidari i UÇPMB-së, por secili të vendoste lule në kujtim të të rënëve. “Vendi i zbrazur forcërisht nuk mund të lihet bosh, dhe thirrja ime do të ishte që çdo qytetar, çdo familje në Preshevë ta mbushte atë vend me lulet në kujtim të të rënëve. Ata janë të rënët e gjithë kombit shqiptar, jo vetëm të Luginës, dhe në respekt të tyre në të gjithë përulemi”, tha Rama.
Aleanca Kuq e Zi: Akt i bazuar mbi politikat provokuese dhe raciste të Millosheviçit
Aleanca Kuq e Zi e ka dënuar aktin e xhandarmerisë serbe, se ajo e ka hequr nën trysninë e forcave të shumta policore lapidarin e dëshmoreve të UÇPMB-së në Preshevë. “Aleanca Kuq e Zi e dënon ashpër këtë akt aspak normal dhe të bazuar mbi politikat provokuese dhe raciste të Millosheviçit që mesa duket është ende i gjallë tek drejtuesit aktualë të Serbisë. Serbia me këtë akt tregoi sërish që mbetet shteti që provokon vetëm konflikte në rajonin e Ballkanit”, shprehet AK-ja në një deklaratë për mediat. Në deklaratë thuhet se, Serbia sot shkeli me dhjetëra konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pakicave dhe marrëveshjet e nënshkruar nga vete qeveria serbe. “Aleanca Kuq e Zi e dënon ashpër aktin e policisë serbe dhe i bën apel institucioneve ndërkombëtare të reagojnë ndaj Serbisë”. Aleanca Kuq e Zi i bëri thirrje qeverise shqiptare dhe asaj të Kosoves të mos qëndrojnë të heshtur por të reagojnë me forcën e diplomacisë kundër aktit të Serbisë. “Të flasësh për Shqipërinë etnike nga Presheva në Prevezë si beri shtetasi Berisha duhet të ketë një plan veprimi. Tani hesht Sali Berisha ose behu burrë dhe reago si duhet për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, thuhet ne deklaratën e AK-së.
PDIU: Serbia,s'ka hequr dorë nga "doktrina millosheviçiane"

Partia Drejtësi, Integrim dhe Untetet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj dënojnë ashpër heqjen e memorialit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës. Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja thekson se me këtë veprim Serbia tregoi dhe një herë që nuk ka hequr dorë nga “doktrina millosheviçiane”, e cila në themel të saj ka dhunimin e shqiptarëve. “Të friksuar nga reagimi i paralajmëruar i shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe më gjerë, Beogradi dërgoi me qindra forca xhandarmërie, vetëm e vetëm për të hequr një memorial” thuhet në deklaratë. Gjithashtu PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të reagojnë dhe t’i kërkojnë llogari ambasadorit të Serbisë në Tiranë lidhur me këtë veprimi fyes ndaj atyre ushtarëve që dhanë jetën për liri. “Është e detyrim kushtetues i Shqipërisë për t’u kujdesur për shqiptarët kudo që ndodhen. Edhe një herë PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje Serbisë të shkëputet nga fantazma e Millosheviçit dhe të heqin dorë nga sulmet dhe provokimet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës” thuhet më tej në deklaratë.
BDI: Ky akt 'Millosheviçian' nuk njeh dialogun
Edhe partia shqiptare nga Maqedonia, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dënon sot aktin e Qeverisë së Serbisë për të hequr lapidarin e dëshmorëve nga sheshi i Preshevës. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani u shpreh se ky akt ‘Millosheviçian’ që nuk njef dialogun si vlerë evropiane, vetëm dëshmon se Serbia nuk e kupton apo nuk do ta kupton realitetin e ri në rajon. “Ky akt ‘Millosheviçian’ që nuk njef dialogun si vlerë evropiane, vetëm dëshmon se Serbia nuk e kupton apo nuk donë ta kupton realitetin e ri në rajon dhe po bëhet pengesa kryesore e Europianizimit të rajonit. Ftojmë qytetarët shqiptarë në Luginë që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos të bien pre e provokimeve qëllimkëqija. Vlerat e dëshmorëve të kombit janë të përjetshme dhe çdo herë që dikush tenton të shkel mbi to, ato bëhen edhe më të mëdha dhe më të rëndësishme”, tha zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.







Sipas, LB, gjithashtu, ky akt tregon qartazi se politika e ndjekur ndaj Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë ka qenë e gabuar dhe e ka dëmtuar e po e dëmton interesin kombëtar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Në njërën anë kemi politikën agresive shoviniste të Serbisë, e cila po i shtyp, vret, burgos e shpërngulë shqiptarët, e, në anën tjetër, kemi politikën qyqare të Tiranës e Prishtinës, e cila shqiptarët e Kosovës Lindore i quan dhe i trajton si pakicë kombëtare (!) dhe kërkon nga ata që të drejtat e tyre t’i realizojnë në institucionet serbe!

Qëndrimi i institucioneve tona ndaj çështjes së Kosovës Lindore duhet të ndryshojë. Lëvizja për Bashkim deklaron edhe njëherë se populli shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jeton në trojet e veta i ka të gjitha karakteristikat e kombit dhe se atij i takon e drejta e kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje. Andaj, të gjithë shqiptarët, subjektet politike e institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të punojnë për jetësimin e kësaj të drejte, pra të bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën-Shqipërinë”.









Njëri prej ish-komandantëve të UÇK-së, Xhezair Shaqiri , i njohur si Komandant Hoxha, i ka akuzuar politikanët në Prishtinë dhe në Tiranë se i kanë braktisur aspiratat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shaqiri, i cili ishte akuzuar vitin e kaluar nga zyrtarët e Beogradit për një sulm ndaj xhandarmërisë serbe në Bujanoc, ka deklaruar për Telegrafin se shqiptarët e Luginës së Preshevës e ngritën lapidarin e UÇPMB-së për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve të shteteve shqiptare, po u zhgënjyen keq.

Shaqiri ka ironizuar edhe deklaratat e organizatës AKSH, e cila pati paralajmëruar se do te luftonin për të mbrojtur lapidarin. Sipas tij, ky ishte edhe një rast që e tregoi fytyrën e vërtetë të personave me maska të quajtur AKSH.

“E patën mundësinë të bëjnë ‘baam’,por jo. Të presim se ndoshta Gafur Adili do ta sulmojë Beogradin, siç deklaroj para disa ditësh. Kur unë para disa viteve u mbështeta në mur dhe nuk kisha përkrahje dhe nuk pata zgjidhje përveç me vetëmbrojtje dhe me ndihmën e Allahut dhe disa shokëve në Tanushë, Gafurri me quante njeri i Serbisë, edhe pse luftoja me serbin”, ka thënë Shaqiri.

Ai më tek ka thënë se “këto paaftësi të politikanëve tanë patriotë me rroga, po na dëmtojnë shumë ne shqiptarëve,dhe si po duket nuk po na lejon tjetër alternativë në ish-UÇK,që të reagojmë në mbrojtje të vlerave tona kombëtare”.

“Politikanët e Kosovës nuk duhet të bien në atë nivel të ulët me palën serbe që të bisedohet vetëm për të drejtat e serbëve të Kosovës, por reciprokisht të bisedohet edhe për drejtat e Luginës”.

“Paaftësia e tyre çon deri te reagime radikale në këtë moment të nxemjes së gjakrave me situatën e lapidarit të UÇPMB-së. Çka do të ndodhë nëse dikush prej shqiptarëve në mënyrë individuale merr guximin dhe e rrënon lapidarin e Gazimestanit, apo përmendore tjera serbe në Kosovë. Situata kuptohet do të përshkallëzohet dhe serbët do të frikësojnë popullatën e Luginës”, ka thënë Shaqiri për Telegrafin.

Edhe vetë Shaqiri është i zhgënjyer nga mënyra se si është trajtuar pas akuzave që i kishte bërë ish-sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic. Ky i fundit kishte deklaruar se Shaqiri dhe Eljesa Sherifi patën sulmuar xhandarët serbë në Dobrosin të Bujanocit, në maj të vitit të kaluar.

Më pas, policia serbe kishte lëshuar një fletë-arrest për Shaqirin, e ndërkohë edhe fletë-arresti ishte shpërndarë nga Policia e Kosovës, në të gjitha pikëkalimet kufitare të Kosovës.

“Këtë ma kanë thënë disa të njohur që punojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës”, pati deklaruar kohë më parë Shaqiri, por lajmi nuk ishte konfirmuar zyrtarisht nga zyrtarët e MPB-së në Kosovë.







Njëri nga ish-komandantët e UÇPMB-së, Lulzim Ibishi, i ka ftuar edhe njëherë Prishtinën dhe Tiranën zyrtare që të ngrenë zërin për situatën e krijuar në Luginën e Preshevës, pas rrëzimit të lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së nga xhandarmeria serbe sot në orët e hershme të mëngjesit.


Një ditë më parë ai kishte thënë se nuk do të rrinë duarkryq, nëse Serbia tenton ta heq me forcë lapidarin e UÇPMB-së, por sot Ibishi thotë se duhet të presim veprimet e faktorit politik.


“Mbetet prej faktorit politik se çfarë vendimi do të marrin, pastaj shohim edhe ne. A do të reagojmë apo jo. Unë momentalisht jam në Prishtinë dhe jetoj që pesë vite këtu dhe nuk mund të shkoj atje individualisht”, ka thënë Ibishi për ORAinfo.


Ibishi, theksoi po ashtu se do të takohen edhe me politikanët e Kosovës dhe Preshevës, që të shikojnë mundësitë e sensibilizimit të situatës në Luginë.


Ai nuk e ka mohuar se në Luginën e Preshevës edhe mund të ndodh ndonjë skandal, por që sipas tij nuk do të ishte zgjidhje e duhur.


Ibishi ka kërkuar që edhe me praninë e ndërkombëtarëve që Presheva të jetë sistem paralel.


“Është mirë që në mënyrë të organizuar me kërkuar një prezencë të faktorit ndërkombëtarë e ndoshta me inicu edhe sistemin paralel. Që 12 vjet pas lufte Serbia, nuk ka qenë e qetë dhe e ka provokuar atë pjesë, gati se thuajse çdo gjashtë muaj”, ka thënë Ibishi.




Sot është ditë historike për Luginë e Preshevës. Për këtë duhet ta falënderoj shtetin e Serbisë. Lugina e Preshevës nga sot do të jetë pjesë përbërëse e Kosovës, respektivisht e Shqipërisë.


Me këto fjalë e ka komentuar heqjen e lapidarin të UÇPMB-së, Orhan Rexhepi, ish komandant i UÇPMB-së, i cili kishte arritur te vendi ku ishte lapidari disa minuta pasi që pjesëtarët e xhandarmerisë serbe u larguan.


Ai ka thënë se do të vinte më herët sepse jeton 200 metra larg lapidarit, por nuk ishte lejuar.


“Poshtë çdo kund kishte kësi, si të them, makineri”, ka thënë ai për të përditshmen serbe “Kurir”.


“Kjo është xhandarmeria. Po, xhandarmeria. E kam ditur do të rrënojnë. Në fakt, mbrëmë kur u publikua lajmi i rrejshëm që kemi pranuar ta zhvendosim. Atëherë e kuptova se do të rrënohet”, ka thënë Rexhepi.


Ai ka thënë se tashmë dihet hapat që do t’i ndërmarrin shqiptarët. “Ekzistojnë kuvendet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Të gjithë delegatët e kanë dorën e djathtë të cilën mund të ngritin dhe të votojnë”, ka thënë ai.



Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për Rrafshin e Dukagjinit, Avdyl Mushkolaj, është shprehur i gatshëm për çfarëdo veprimi pas heqjes me forcë të Lapidarit të ushtarëve të rënë të UÇPMB-së, në Preshevë.

Ai tha për Orainfo se veteranët e UÇK-së janë duke pritur vetëm vendimin e udhëheqësve të Preshevës.


“Vetëm qyqaret si Serbia dinë të bëjnë kësi gjërash. Ne do të presim se cilën rrugë do të ndërmarrin vëllezërit tanë atje. Ne kemi biseduar me ata atje, jemi në kontakt, të gjithë janë të shqetësuar dhe ne do të presim se si do të vendoset”, ka thënë Mushkolaj.




Armata Kombëtare Shqiptare është shfaqur sërish, tani në Vushtrri. Ajo ka shpallur mobilizim të anëtarëve të vet, të nxitur, siç kanë thënë anëtarët e Shtabit të AKSH-së për Kosovë, “nga kërcënimet serbe se do ta ndajnë një pjesë të territorit të Kosovës dhe kërcënimeve për ta larguar me forcë lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë”.

Në një takim që është mbajtur më 9 janar 2013, në Vushtrri, Shtabi i AKSH-së, zona nr. 2, Kosovë, ka marrë vendim për mobilizimin e të gjithë eprorëve dhe pjesëtarëve të vet. Në vendim, thuhet ndër të tjera, “se AKSH, Njësia Speciale “Kobra”, duke parë gjendjen e tensionuar në Luginën e Preshevës dhe në veriun e Republikës së Kosovës, të shkaktuar nga Serbia fashizoide, mori vendim të prerë, që nga data 10 janar 2013, të shpallë mobilizimin e të gjithë pjesëtarëve të Armatës Kombëtare Shqiptare.

Pjesëtarët e AKSH-së duhet të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për t’i mbrojtur shqiptarët në trojet e tyre etnike, në mënyrë që çizmja e zezë e shkaut të mos shkelë kurrë në trojet shqiptare”. Vendimin e ka nënshkruar shefi i shtabit, kolonel “Kaçaku” si dhe komandanti i Njësisë Speciale “Kobra”, me gradën gjeneral.

Ndërkaq, në një deklaratë, e cila gazetës i ka arritur nëpërmes postës elektronike, kolenel Kaçaku ka thënë se AKSH-ja do t’i mbrojë shqiptarët kudo që kërcënohen nga politika fashizoide serbe dhe se në asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare nuk do të shkelë më çizmja serbe. “Serbia fashiste, është mësuar me represionin e vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Ajo i ka dëbuar shqiptarët nga trojet e veta, në Toplicë, ka vrarë burra, gra e fëmijë, e ka spastruar atë pjesë të tokës shqiptare, nga shqiptarët autoktonë, të cilët të pambrojtur dhe të pafuqishëm nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë spastrimit etnik serb.


description


Gjithashtu, Serbia është përpjekur që ta shfarosë popullin shqiptar në Kosovë, duke vrarë e masakruar, duke i përdhunuar femrat shqiptare dhe duke i dëbuar nga trojet e veta, gati 1 milion shqiptarë. Kjo politikë serbe e shfarosjes së një populli, ka vazhduar edhe pas lufte në veri të Mitrovicës, kur në sy të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, u vranë shumë shqiptarë, u plagosën shumë të tjerë, ndërsa 12 mijë u dëbuan nga shtëpitë e tyre”, thuhet në deklaratën e komandant Kaçakut.

Sipas këtij të fundit, një gjë e tillë po ndodh edhe tani, kur Serbia po tenton ta ndajë një pjesë të Kosovës, ndërsa ka shtuar masa represive ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Me Serbinë patjetër do të hyjmë në luftë. Ajo akoma nuk dëshiron ta ketë të qartë se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë toka shqiptare, të cilat nuk guxon t’i prekë askush. Shqiptarët atje nuk janë jetimë, ata ka kush t’i mbrojë. Janë edhe ata vetë të përgatitur që ta mbrojnë truallin e vet, por jemi edhe ne që do të na kenë pranë përherë. Politika gjenocidiale e Millosheviqit akoma dominon në Serbi, atë e zbatojnë pasardhësit e tij, por nuk do të arrijnë kurrë ta realizojnë atë që synojnë, e kjo është spastrimi etnik”, ka vijuar kolonel Kaçaku.

Për fund, ai i ka ftuar të gjithë shqiptarët që të jenë të kujdesshëm, ndërsa institucionet e Kosovës që të mos negociojnë dhe të mos bëjnë pazar me tokat e shqiptarëve.






Edhe Fronti Bashkimi Kombëtar Shqiptar ka reaguar pas heqjes së lapidarit të të rënëve të UÇMPB-se të vendosur përpara Kuvendit Komunal të Prehsevës, kushtuar luftëtarëve të lirisë të rënë ne luften e fundit. FBKSH e quan vrasje të sërishme të dëshmorëve tanë, e më të dashurve tonë. "Ramja e tyre në alltarin e lirisë në kujtesën mbarkombëtare asnjëherë në asnjë kohë nuk do të harrohen edhe pse aparati shtetërorë me heqjen e lapidarit është përpjekur që të provokojë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe jo vetëm ata por të gjithë shqiptarët. Madje mënyra se si e ka hequr lapidarian tregon se ajo nuk përfillë rrugët institucionale kur janë në pyetje shqiptarët", thuhet në një reagim të FBKSH-së dërguar medieve në emër të Ibush R. Hetemit. FBKSH thotë se ky akt barabar antinjerzor dhe anticivilizues është dëshmia e gjallë se Serbia, shqiptarët nuk i do aty edhe pse janë në tokat e tyre denbabaden. "Me akte të tilla, Serbia dëshiron që shqiptarët ti vrasë edhe shpirtërisht. Me këtë dhe jo vetëm me këtë akt antihuman, antinjerëzor Serbia edhe një herë ka treguar fytyrën e vërtetë të saj, dhe se asaj si lapidari si edhe çdo symbol tjetër shqiptar i pengon". "Mjerisht pala shqiptare e Kosovës ende nuk është në gjendje për të kuptur se serbi mënyrat e veprimit i ndërron, por jo edhe bindjet ndaj shqiptarëve. Kjo është dështim i politikës shqiptare dhe veprimi strategjik i tyre", thuhet në reagimin e FBKSH-së.


Sipas asaj që mediet serbe raportojnë në minutat e fundit, thuhet që situata është tensionuar në Preshevë, forca të mëdha të xhandarmërisë serbe kanë hyrë Preshevë, dhe janë vendosur afër lapidarit të UÇPMB-së. 5 autobusë kanë arritur në Preshevë dhe janë stacionuar në bazën e saj.

Siç shkruajnë gazetarët serbë, aty kanë arritur pesë autobusë të mbushur me policë, ndërsa një natë më herët në bazë janë stacionuar një kontigjent i xhandarëve serbë. E gjithë kjo është organizuar për ta larguar përmendoren.

"Gjithçka është absolut gati që të aprovohet vendimi i shtetit. Mirëpo, skenari i vet aksionit mbahet në fshehtësi, andaj vetëm drejtuesit më të lartë të shtetit e dinë se në çfarë mënyre do të vij deri tek operacion", ka thënë një burim nga shërbimi i sigurisë për portalin serb.

Zyrtarisht, ditën e enjte ka skaduar ultimatumi të cilin e kishte vendosur kryeministri dhe ministri i punëve të brendshme Ivica Daçiq, që shqiptarët ta largojnë vet lapidarin.





Mijëra forca speciale të xhandarmerisë sot në ora 07 të mëngjesit kanë larguar përmendoren e vendosur në qendër të Preshevës.

Nga ish tregu i vjetër e deri tek rruga që shpie deri tek qendra, në rrugën Ramiz Sadiku nga rruga e fshatit Rahovicë deri tek qendra dhe ajo që shpie rrugës për Gjilan kanë qenë të bllokuara nga mijëra forca speciale, raporton Presheva.com

Xhandarmëria e largoi dhe mori me vete edhe përmendoren duke e dërguar në lokacion të panjohur dhe pastaj u largua nga qendra e Preshevës.



Fajin për heqjen e Lapidarit në Preshevë sipas Vetëvendosjes e ka Serbia, ndërsa përgjegjësinë sipas tyre e mban qeveria e Kosovës, raporton KTV. Albin Kurti, kryetar i kësaj Lëvizjeje, ka thënë se shumë masakra që janë bërë nga Serbia kanë ndodhur në fund të javës që do të thotë se Serbia nuk ka ndryshuar politikën me veprimin. Sipas tij,  çështja e Preshevës u kufizua vetëm me mbrojtjen e këtij lapidari më 17 janar dhe me një mobilizim të entuziazmuar gjithëshqiptarë, çka që, sipas Kurtit, nuk është e drejtë. Kurti ka thënë se duke dialoguar me Serbinë, kryeministri i Kosovës ka ngjallur iluzione se Serbia ka ndryshuar, mirëpo sipas tij, ky dialog e ka inkurajuar dhe trimëruar edhe më shumë Serbinë e Daçiqit për të vepruar në këtë mënyrë. Sipas kreut të Vetëvendosjes, sot shënohet një vjetori i rezolutës së PDK-së kundër reciprocitetit me Serbinë, duhen të mendojnë të gjithë se rruga e negociatave është, sipas Kurtit,  rrugë e Serbisë dhe jo e Kosovës. Këto komente Kurti i ka dhënë gjatë mbajtjes së kuvendit të 7 të përgjithshëm të kësaj partie.


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka shprehur indinjatën e thellë dhe dënon aktin qyqar të Qeverisë së Serbisë për të suspenduar vullnetin e autoriteteve legjitime në Preshevë dhe të qytetarëve shqiptar atje duke shkelur mbi te drejtat themelore të njeriut.
“Ky akt Millosheviqian që nuk njeh dialogun si vlerë evropiane vetëm dëshmon se Serbia nuk e kupton apo nuk donë ta kupton realitetin e ri në rajon dhe po bëhet pengesa kryesore e evropianizimit të rajonit.

55
Ftojmë qytetarët shqiptar në Luginë, që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos të bien pre e provokimeve qëllimkëqija.
Vlerat e dëshmorëve të kombit janë të përjetshme dhe çdo herë që dikush tenton të shkel mbi to, ato bëhen edhe më të mëdha dhe më të rëndësishme” thuhet në reagimin me shkrim të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Lidhur me zhvillimet e sotme në Preshevë, ka reaguar edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka dënuar veprimin e autoriteteve serbe për heqjen e lapidarit, ndërsa ka kritikuar gjithashtu edhe sjelljen e lidershipit shqiptar.
“Që Qeveria serbe vazhdon me politikat e vjetra kjo nuk është lajm, lajm do të ishte sikur pjesa dërmuese e lidershipit politik shqiptarë të ishte i vetëdijshëm për këtë fakt dhe konform këtij realiteti të sillet politikisht. Është e parëndësishme që tani të flitet për fitues apo humbës pasi që kjo qasje edhe më shumë do të na zhyt në patriotizmin romantik, të dëgjuar me shumicë ditëve të fundit lidhur me këtë rast, dhe aq të dëshiruar nga pjesa dërrmuese e lidershipit shqiptar”, ka reaguar me shkrim partia e Menduh Thaçit , duke shquar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit kanë më shumë se kurrë nevojë për përkrahje nga të gjithë shqiptarët e në veçanti nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.




KMDL UÇK: Do t’i rrënojmë lapidarët e kriminelëve serbë në Kosovë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, dënon ashpër Heqjen e Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së, nga ana e policisë dhe xhandarmërisë serbe.
“Ky veprim i Beogradit e tregon qartë se politika atje nuk ka ndryshuar, vazhdon të punoj me politiken gjenocidiale të kryekriminelit Millosheviq. Këtë e vërteton se sot në pushtet është zëdhënësi i tij Daçiq. Me politikën e vazhdueshme antishqiptare dhe me aktin e sotëm Serbia me çdo kusht po mundohet të bëjë spastrimin e trojeve Shqiptare në Preshevë Medvegjë dhe Bujanovc”, thuhet në një kumtesë të Këshillit.
Kumtesa e nënshkruar nga Xhevdet Qeriqi, tutje thotë se “Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, kërkon nga Institucionet e Republikës së Kosovës që këtij akti t’i kundërpërgjigjen me largimin e lapidareve të kriminelëve serbë të cilët janë të vendosura në territorin e Republikës së Kosovës. Nëse Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk veprojnë në këtë drejtim, ne si Këshill do të reagojmë së bashku me qytetarët e Republikës së Kosovës për rrënimin e lapidarëve të kriminelëve serbë në Kosovë”.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së kërkon nga Institucionet e Republikës që menjëherë t’i ndërpresin bisedimet me Beogradin, sepse “më nuk ka as një arsye dhe logjikë të bisedohet me ta”.
“Veriu i Mitrovicës është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe ky problem duhet ta zgjedh Prishtina vetë. Krejt në fund jemi, në çdo moment dhe në çdo kohë jemi pranë vëllezërve tanë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe jemi të gatshëm në çfarëdo forme t’u përgjigjemi”.



Grupi i hakerave shqiptarë “Kosova Warriors Group” ka sulmuar një bankë ruse e quajtur “SKA BANK”. Sipas njoftimit të këtij grupi, sulmi u bë për shkak të heqjes së lapidarit të luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së në Preshevë. “Kosova Warriors Group” thotë se ka ndërmarrë sulme edhe ndaj faqeve serbe e greke.

2013/01/19

Rreth vëllimit poetik “Një tjetër diell” të poetit Vaso Papaj Fjalë e mbajtur nga poeti dhe kritiku Agim Bajramaj në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës


Një ndër autorët të cilët tërë jetën e kanë dashuruar lirinë dhe i është afruar asaj gjithmonë me një degë ulliri në dorë si një dhuratë shpirtërore, por që kohërat me emra mjegullash nuk e lanë ta takojë dhe ta shijojë atë, është edhe miku ynë , poeti dhe shkrimtari i pasviteve nëntëdhjetë Vaso Papaj, njeriu që dielli që deshi aq shumë iu kthye në një monstër me gjemba që jo vetëm nuk e ngrohu por e bëri të dridhej më keq, që doli nga një dimër i acartë për të hyrë në një dimër tjetër, që shumëkush e do dhe e vlerëson për vlerat e tij të larta artistike, por dhe për guximin dhe vizionin e tij intelektual, penën që  çdo ditë krijoi statuja drite dhe ëndrra drithëruese, por për çdo pushtet dhe pushtetar mediokër mbeti dhe do të mbetet gjithmonë një kundërshtarë i papajtueshëm, sepse në fund të fundit lindi dhe do të mbetet nga soji i poetëve.
       Nuk e them me hipokrizi, por sa herë që shfletoj ose dëgjoj vargjet poetike të Vaso Papajt, më duket vetja se nuk  jam vetëm, sepse qenka dhe një mik dhe një njeri tjetër në radhët e atyre që s’dinë dhe s’duan të ngrohen me rrezet gënjeshtare të një dielli të rremë. Dhe atëhere krejt instiktivisht sytë e mi drejtohen nga qielli, jo në kërkim të një zoti tjetër, sepse zotërat nuk rrijnë mbi qytetin tonë (vendin e tyre e kanë zënë demonët), të një dielli tjetër, të thjeshtë dhe njerëzor, pa erë plehrash, pa  pantallona të zhubravitura, pa krisma mafjozësh e rrufjanësh politikë që e ndërrojnë detin e vendit të tyre me një kolltuk parlamentari.
         Dielli që kërkon Vaso Papaj të fton të shëtisësh në Bulevardin Iliria, ndërkohë që pasqyra e detit thith agun gjithandej. Është ai diell që do t’i çgjyros hënat gënjeshtare e të pabesa të këtij realiteti konfuz dhe vrastar. Sinonimi i poetit është porta e shtëpisë së ëndrrave që mund të hapet vetëm me duart e mëngjesit, është varka që shket krejt si pandjerë mbi përditëshmërinë tonë të mërzitshme, është simbolika e ditës, të cilën ne shpesh e mbajmë në duar dhe kurrë s'dimë të puthemi me të. Peisazhi poetik nëpër të cilën lëviz figura e menduar  e poetit shpesh herë është  i ndërtuar me gurë të mprehtë dhe shkëmbinjë të ngrysur, me pallate të betontë e njerëz pataban. Mbi të shpeshherë del e bën sikur ndriçon një diell jeshil, i cili ndonëse per shume kënd mund të konsiderohet si një metaforë poetike, në fakt është i tillë. Ai është aty, sepse në ketë vend, ku frymon poeti dhe ne të tjerët, diejt jeshil dhe perënditë e rreme fabrikohen dhe janë të aftë të sundojnë edhe ajrin tonë që thithim përditë. Kjo është një nga arsyet që brenda kësaj heshtjeje që i ngjan një vdekje të pashpallur, poeti ngutet të japi alarmin: Njerëz, mos u besoni më syve tuaj. Truri juaj po kthehet në klorofil.
         Duke iu rikthyer herë pas here librit të Vaso Papajt, të bie në sy se shumica e poezive kanë dalë dhe janë krijuar vetvetiu jo si impresione kalimtare dhe të pavullnetshme, por si një lëndë dhe materje ngasëse, e cila nuk të lejon të kalosh para saj pa e prekur dhe u ndikuar. Shumë poetë i kanë kënduar dhe e kanë trajtuar artistikisht realitetin absurd dhe cinizmin e tij të pashembullt. Shpesh prej tij kanë dalë subjekte dhe tema shumë interesante, që të drithërojnë dhe të venë në mendime të trishta, por tek Vasua gjurmët dhe ndikimet e këtij realiteti janë të prekëshme dhe shumë të veçanta. Shpesh herë lexuesi ndihet si i kapluar e i ngërthyer keq nga kurthet e ndyra që të ngre ai.      Shumë here imazhi i ferrit dhe i pafundësisë së tunelit të errët është një bashkëshoqërues që s’të ndahet hap hapi duke ta verbuar vështrimin dhe vrarë këngën.
         Idea e kaosit dhe e rrumpallhanës shqiptare është ajo që   dominon frymën e këngëve të këtij libri. Ndonëse autori bën përpjekje për t’i bashkangjitur këtij realiteti edhe ndonjë rreze guximtare drite, fillimi dhe fundi është e pamundur të ndahen nga njeri tjetri. Udhëtimi mbi vargjet e Vaso Papajt është shpesh herë një udhëtim mbi kocka dhe kafka të thyera kundërshtarësh politikë, udhëtim mbi shpresa të venitura dhe dashuri të vrara. Ndonjëherë poeti dhe lexuesi ndihen si të rrethuar keq prej falangave të së keqes. Asgjë nuk lëviz për veç ritmeve të zemrës së tij.
         Janë të paktë ata poetë të cilët kanë arritur t’i pasqyrojnë me kaq guxim dhe besnikëri këto gjëra që sapo i thamë pak më lartë. Tek poeziaShkule trenin tend poeti krahas shpalljes së unit të tij njerëzor, bën thirrje  për të ndryshuar ngjyrat e ëndrrave dhe për të dalë nga stacionet e ndaluar të së tashmes gënjeshtare.
    
                 Ëndërro një herë, dy. Ëndërro pafund djalosh
                 E mos ndrysho një varg nga ç’ke kënduar
                 Nuk ta kam frikën, e keqja ty s’të josh,
                 Ndaj shkule trenin tënd stacioneve ndaluar.

         Qoftë dhe duke bërë grafinë e këtyre vargjeve por edhe shumë të tjerëve nga librat e tij , vemë re , natyrshëm, se kemi të bëjmë me një botë ndjesore të veçantë, me një ushtar të lirisë dhe të dritës, që s’mund ta konceptoj dashurinë e tij të mbyllur në kornizat famëkeqe të pushtetit. Për të, poeti dhe pushteti janë dy gjëra krejt të ndryshme. Poeti është planet që rrotullohet vetëm rreth diellit dhe i bindet vetëm atij, ndërsa pushteti është ana e kundërt e ëndrrës.
          Kemi kështu një ndarje si me thikë të dy botëve krejt të kundërta, dy drejtëza paralele që ecin krahë njëra tjetrës dhe nuk bashkohen kurrë. Tek vëllimi i tij poetik dhe tek poezitë e mëpastajme, ajo çka bie më tepër në sy është thirrja e rizgjimit, krijimi i një lënde të re dhe të një bote në të cilën askush nuk duhet të ketë frikë, por të ndihet zot i fateve të veta. Vizioni i ëndrrës në këtë libër është dhe do të mbetet një motiv shumë herë i trajtuar, por megjithatë, duket se brenda këtij motivi autori fut vetveten dhe ndihet i lire për të krijuar botëra të reja, realitete që s’duhet të kenë asgjë të përbashkët me këtë që po prekim tani. Kjo shpjegon edhe një lloj fryme patetizmi dhe trajtash thirrore që vihet re në disa nga poezitë e tij.
           Duke u njehsuar dhe duke  i bërë njësh me llavën e tij poetike, poetit i ngjan vetja si një Diogjen i kohëve moderne, i cili me fener në duar tenton të verë përpara syve të verbuar të kohës pak dritë.
      
                     Ëndërro djalosh, ëndërro si një i ri
                     E di? Mbi skrivani kam lënë një letër
                     Mungon vetëm një varg në atë poezi
                     Mbi të ver zemrën tënde, mos pyet as për mbretër.
        
        Si në këto poezi dhe në shumë të tjera si këto emocioni poetik dhe detaji shumë i spikatur janë bashkëshoqërues të njeri tjetrit. Duket se ata lindin njëherësh të dy dhe s’mund të bëjnë asnjë hap larg njeri tjetrit.
Të tilla janë poezitë Tek stoli në park kushtuar John Lennonit,Thirrmëni komunistKu po shkon MartinI njejti qiellZot, je akoma mbi qytetBiri i harresës,Më kot në mesnatë, etj etj.
         Përmes këtyre poezive kredua poetike e poetit dhe shtigjet që hap ai krijojnë përpara lexuesit mendimin dhe imazhin e një të nesërme më të bukur nga kjo. Natyrisht edhe të shtyn të rebelohesh disi me këtë situate ku ndodhemi. Pak ditë më parë, duke lexuar Umberto Ekon, studiuesin dhe eseistin më të madh të Europës Perëndimore, më mbeti mendja tek një postulat i tij rreth stilit. Ndër të tjera ai thotë se stili përcaktohet nga ndërtimi i botës në të cilën lëviz krijuesi.
          Edhe Vaso Papaj stilin dhe strukturën mbi të cilën ndërton veprat e tij e përcakton në bazë të vendit dhe ajrit që është i detyruar të thith për ditë. Larg vargjeve bombastike dhe figurave të kërkuara Vasua arrin të ndërtojë kodet e tij të mirbesimit me poezinë dhe lexuesin. Ai nuk di të ndërtojë botëra virtuale dhe të ngrejë në piedestal gjëra që nuk i ka njohur dhe s‘mund t’i njohë asnjëherë. Në poezitë e Vasos , krahas njerëzve të bukur dhe dashurive platonike lëviz përditëshmëria. Ai shitësi i vogël i cigareve,që natën mëson anglisht dhe që një ditë mund të bëhet Xhek London, Bedria, pastruesja varfanjake e spitalit , e cila vjen posa varrosi të birin, Olsi, kamerieri i motelit në autostradë, që punon tërë ditë për të mbajtur familjen.  Lëvizin Gavroshët e rinjë të Shqipërisë dhe mbledhësit e kanoceve. Ata për të cilët poeti nxjerr shpesh nga thellësitë e shpirtit një varg dhe ua hedh krahëve si kostum për t’i mbrojtur nga të ftohtit dhe nga varfëria e tejskajshme. Ndonëse e thjeshtë në dukje, është një poesi që të nxit një mënyrë të re të menduari dhe të shikuari të gjërave, një poezi sa sendore aq edhe frymore, sa e prekshme aq edhe ajrore. Brenda saj shkrihet më së miri poeti dhe koha, dashuria dhe intriga, mëngjesi dhe  mbrëmja.
          Një tjetër dimension me të cilin mund të shihet vlera e poezisë së këtij autori janë dhe lirikat e tij shoqërore dhe erotike. Figura e femrës në këto poezi gjithmonë vjen e veshur me një aureole kozmogonike. Kjo jo për t’i veshur asaj ndjenjën e paharritshmërisë, po për ta ngritur atë në një piedestal erotizmi, për ta bërë më të prekshme por edhe më enigmatike. Yjet, deti, vala, puthja, fryma e ngrohtë janë elementë që përdoren rëndom  në poezi, por tek Vasua
këto element sikur burojnë së mbrëndëshmi ose sikur autori i nxjerr nga një kënd i harruar i kujtesës, për t’i thënë vetvetes, ja ku i ke patur, si si ke parë pak më parë.
“Dashuria ime „, thotë autori në një nga poezitë e tij më të bukura.

                    Je si deti.
                    Në ujërat e tua udhëtoj
                    Bëj të mbytem
                    Më merr
                    S’më le të zhytem
                    Dërrasë shpëtimi je
                    Tjetër s’kam nevojë.
Ose
                    Sonte puthmë që të ngopesh
                    Nesër iki s’do t’më kesh
                    Nuk të le që të dremitesh
                    S’di ç‘do mbetet midis nesh.

        Tek këto poezi, stili i ngrohtë narrativ dhe kthesat e menjëherëshme dhe të befasishme shoqërohen me një frymë të ngrohtë njerëzore sa nuk mund t’i harrosh kollaj. Nga ana tjetër figuracioni i gjetur dhe konkret ka bërë që momentet jetësore të vishen vetvetiu me ngjyresa të ndjera poetike. Diapazoni tematik i autorit, nga libri në liber është fakt që është zgjeruar, por ajo çka të bije në sy , është prirja e autorit për tu thelluar më tej, për t’i veshur pohimit të tij poetik elementë më jetësor dhe më konkretë.
         Vaso Papaj është një poet i cili çdo ditë del e puthet me agimet. Është një poet  që di të flas edhe me zotërit, sado larg në qiell të jenë ata, për padrejtësitë që po i bëhen qytetit të tij të lindjes nga betonimet e përbindëshme , në emër të rrugëve që s’shohin më dritë, në emër të lirisë që po e mbyt pasuria dhe të smogut që po na vret, në emër të zogjve që s’kanë pemë ku të qëndrojnë, në emër  të fëmijëve që s’kanë më qiej syshë, të grave të dhunuara nga duart e bastardëve, në emër të dritës që po merr emrin natë.
         Por mbi të gjitha ai është njeri i dashur dhe i thjeshtë si e vërteta, i rreptë dhe i papajtueshëm me ata të cilët përfituan nga liria dhe tashmë dëshërojnë ta vrasin atë. E shikoj çdo ditë në shetitoren Taulantia tek bisedon me valët e detit dhe shokët e tij më të ngushtë dhe nuk habitem kur ai ndonjëherë  ndalet paksa dhe duke nxjerr një stilolaps dhe letër nga xhepi hedh në të një varg a një këngë të së nesërmes. Pastaj duke pirë një kafe me shokët nis e bisedon me ta për të rejat e ditës, sepse i tillë është portreti i tij. Zëdhënës i detit dhe i qiellit.

2013/01/18

PEDAGOGIA QË ZOTËRON PROFESIONIN, POR DHE ARTIN E KOMUNIKIMIT ME STUDENTËT



-          Enkeleda Olldashi: “Sa më  shumë  ta ushtrosh profesionin tënd, aq më  shumë  e më  mirë  e kupton dimensionin tënd social”

-          Intervistë me Doktoren e Shkencave  Enkeleda Olldashi, pedagoge në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës –



Intervistoi: FIONA KOPALI


Fiona Kopali <fiona.kopali@yahoo.com 

Doktorja e Shkencave Enkeleda Olldashi ka në CV-në e saj profesionale një korpus të gjerë librash e studimesh shkencore: “E drejta romake”, “Hyrje mbi teoritë e grupeve të interesit”, “Grupet e interesit dhe partitë politike”, “Lidhja mes së drejtës dhe moralit, parë nën dritën e përkufizimeve romake ex ante ex post”, “Eleminimi i diskriminimit ndaj gruas”, “Roli i grupeve të interesit në skemën e sistemit politik europian dhe në kontekstin shqiptar”. Por, siç shprehet vetë pedagogia e lëndës “E drejta romake”, “sa më shumë ta ushtrosh profesionin tënd, aq më shumë e më mirë e kupton dimensionin tënd social”. Ndoshta ky është një nga motivet që e shtyjnë profesoreshën e Juridikut ta zotërojë edhe artin e komunikimit me studentët e saj. Është një opinion, studentë, ish-studentë dhe kolegë të saj, që e rrethon me dashuri, respekt e mirënjohje.
Kjo intervistë synon pikërisht ta përçojë edhe tek lexuesi këtë nderim e mirënjohje. Ky “grup interesi” - studentët, e kërkojnë këtë gjë, sepse ajo i përfaqëson në auditore.


Desha t’u bëja një pyetje standarde, por që, megjithatë, vazhdon të bëhet, sepse asnjëherë nuk merr të njëjtën një përgjigje, ngaqë, dihet, jepet nga njerez të ndryshëm. Si, dhe kur ju lindi ëndrra për t’u bërë juriste?

Meqenëse do të jetë një pyetje pa përgjigje, po ju them se mua nuk më është drejtuar ndonjëherë pyetja se çfarë do të bëhem kur të rritem... Kjo do të thotë që nuk i kam thënë dikujt që do të bëhesha juriste apo diçka tjetër. Por, nëse do të nisemi nga fakti që, kur një gjimnazist, për shembull, mbaron shkollën e mesme është deri diku në gjendje të kuptojë aftësitë e tij, ose çfarë do të ishte për të më mirë të bënte, dhe jurisprudenca, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë dëshira ime prioritare. Fakti që kam qenë mirë në shkencat ekzakte, më ka bërë të mendoja se do të studioja në një nga fushat e saj. Për mua, jurisprudenca është një shkencë, me rregullat e saj standarde, dhe mënyra e aplikimit të saj në praktikë tregon, nga njëra anë, se sa ligji, rregulli ka qenë i drejtë, por, njëherësh, tregon edhe se sa aplikuesi i tij ka dashur ta respektojë atë. Kërkesa ime ka qenë për ekonomik, për juridik, dhe për gjuhë-letërsi; pra tri degë të ndryshme! Më doli juridik. Besoj se vendimi im ka qenë i mirë dhe vendosa ta respektoja. Besoj, se është një fushë dhe një “kostum” që mua më rri shumë mirë. E penduar? Absolutisht. Ndoshta zgjedhja dhe vendimi i të tjerëve për ty ndonjëherë është më i mirë se ajo që do të marrësh për veten...



Në ç’raport e mendoni ju shkencën me pedagogun e Juridikut? Shkenca dhe kërkimi shkencor me pedagogjinë janë komplementuese të njëra-tjetrës. Por jo gjithmonë janë “veshja” e të njëjtit njeri. Dikush mund të jetë një shkencëtar shumë i mirë, por mund të mos jetë një pedagog shumë i mirë. Mendoj se pedagogjia është një mision më social sesa të studiuarit e shkencës juridike. Është në vetë natyrën e shkencëtarit të jetë më individual: sigurisht, e imponuar nga specifika e punës së tij. Pedagogët kanë mision t’ua përcjellin të tjerëve dijet e tyre, prandaj duhet të jenë edhe më altruistë, po të përdorja këtë fjalë. Por, nëse tek shkencëtari kultivohet më shumë egoizmi, edhe tek unë si pedagoge, për shembull, duhet të kultivohet një “egoizëm shkencor”, po e quaj. Pra, të jetë i tillë, që të më shtyjë, nxisë në njohjen dhe përvehtësimin sa më shkencor të lëndës që jap, me kushtin që këtë lëndë, këtë shkencë t’ua transmetoj sa më mirë studentëve të mi.
Mendoni se dashuria për letërsinë, për librin dhe kulturën në përgjithësi, ka ndikuar në profesionin tuaj, në marrëdhëniet me studentët, por dhe në tekstet dhe librat që keni botuar?
Këtë, sigurisht, e gjykojnë më mirë studentët e mi dhe lexuesi. Unë përpiqem që mënyra si ta shpreh atë që di, të mos jetë thjesht një formë shablloni i “ftohtë”, por të përdor një stil jopedant, jostrikt, të ketë “ngjyra” dhe të “tretet” sa më mirë nga studentët. Por, mendoj se kultura në përgjithësi, kultura letrare dhe dashuria për letërsinë, unë besoj se duhet të “shkrihet” brenda profesionit tim, të jetë “e padukshme”, dhe e them me bindje, që më ka ndihmuar në ushtrimin e këtij profesioni.
Ndërkaq, po e lë në fund për ta theksuar më tepër, se pa njohjen me themel të lëndës, të shkencës që jep, dhe pa dashurinë dhe pasionin për të, nuk të shpëton asnjë lloj letërsie... Prandaj, dhe unë përpiqem ta ndjek e të thellohem vazhdimisht në profesionin tim.
Disa nga librat tuaj, të botuar, u kushtohen grupeve të interesit. Është pasioni juaj, hobi juaj, apo ka shkaqe të tjera, që jeni marrë aq intensivisht më ato?
Togfjalëshi “grupet e interesit” gjendet sot në gojën, më së shumti, të politikëbërësve. Ata gjithmonë pyesin për iniciativën ligjore, për paketë ligjore, dhe janë konsultuar dhe duhet të konsultohen gjithmonë e më shumë me grupet e interesit. Është një togfjalësh që unë e kam hasur, e kam përdorur, e kam studiuar diku rreth viteve 2000-2001, kohë në të cilën m’u desh të përfundoja një master për studimet europiane. Ishte një master i nivelit shkencor pasuniversitar, i cili u mundësua në atë periudhë nga disa universitete të huaja dhe u ngrit pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Sot është një nga masterat që funksionon, dhe besoj se sot është ndër më të vlerësuarit. Gjatë masterit të studimeve europiane, një nga lëndët që ne zhvillonim, kishte të bënte edhe me sistemet politike. Një nga autorët që mua më impresionoi në atë moment ishte edhe David Easton, i cili është një nga studiuesit, ose deri diku themeluesit, teoricienët, formuluesit e konceptit të grupeve të interesit dhe të grupeve të presionit, të cilat, sipas teorisë së tij, janë instrumente, mekanizma, nëpërmjet të cilave kanalizohen kërkesat e qytetarëve për të shkuar në veshët e politikëbërësve, dhe kështu të mund të shndërrohen, nga input në output, pra të kemi një produkt. Kërkesat e qytetarëve duhet të jenë baza, nëpërmjet të cilave të mund të realizohet krijimi i burimeve të së drejtës, i normës juridike dhe ligjeve. Kjo do të thotë që, ligjet të burojnë, të vijnë dhe të krijohen për shkak të nevojave të qytetarëve. Qytetarët kanë nevoja dhe të drejta sociale, politike, ekonomike, arsimore, dhe formulimi i tyre në një mënyrë të caktuar, kërkon që politikëbërësit këto nevoja e të dreja t’i “përkthejnë” dhe të krijojnë ligje, standarde që të realizojnë konkretisht plotësimin e nevojave të qytetarëve. Pra, vetëm në këtë mënyrë këto nevoja dhe kërkesa të qytetarëve, këto inpute, po t’i quajmë, siç i quan David Easton, mund të shndërrohen në outpute, d.m.th. në një produkt. Kjo ide mundësohet nëpërmjet këtyre kanaleve të komunikimit, që janë grupet e interesit. Grupet e interesit janë individë, apo grupe individësh, të cilët përfaqësojnë interesa të caktuara të anëtarëve të shoqërisë. Këto grupe interesi shërbejnë si kanale komunikimi, që interesat e qytetarëve, zëri i qytetarëve, të mund të formulohet, dhe të prezantohet në tryezat e duhura dhe te shkojë në dyert e duhura, që këto nevoja e të drejta të tyre të mund të shndërrohen në akte ligjore dhe të gjejnë zbatim konkrete, etj. etj. kjo është arsyeja pse mua më bëri shumë përshtypje në atë moment. Pavarësisht formimit tim të deriatëhershëm, tema e zgjedhur, “roli i grupeve të interesit në sistemet politike”, më tërhoqi dhe më pëlqeu shumë. Grupe interesi ka në të gjitha sistemet politike, dhe jo vetëm në sistemin e demokracisë liberale. Grupe interesi ka patur dhe ka edhe në sistemet totalitare, pavarësisht se në to, me to manipulohet. Vetëm ekzistenca e grupeve të interesit nuk tregon që një sistem është apo jo demokratik. Është mënyra se si bashkëpunohet me grupet e interesit ajo që tregon se sa sistemi është demokratik. Nëqoftëse këto instrumentë, mekanizma, apo kanale nuk manipulohen dhe nuk bien pre e manipulimit, do të thotë që këta janë përfaqësues të denjë të qytetarëve. Tema e grupeve të interesit ka qenë e diskutuar nga dy ish-profesorët e mi, njëri prej të cilëve, Llambro Filo, ka qenë udhëheqësi i doktoraturës sime. Ai është historian, por edhe një studiues shumë i mirë i sistemeve politike, sikurse edhe profesori tjetër, Hysamedin Ferraj, i cili është filozof. Pra, nga dy profesorë me mendime akademike të ndryshme, m’u mundësua, dhe u përkraha që të kem temën time të masterit për rolet e grupeve të interesit. Ishte një kohë, flasim për 2001-shin, kur ende në Shqipëri nuk diskutohej për grupet e interesit. Në vendin tonë ka jo më shumë se tri-katër vjet që diskutohet për rolin e grupeve të interesit, dhe në atë moment u duk si një temë interesante, si një temë e re, që ia vlente të thellohesha në studime. Më pas, siç ju thashë, vendosa që edhe doktoraturën time ta kisha sërish në këtë temë. Nuk e kisha menduar se do të bëja doktoraturë në një temë që i përket më shumë shkencave politiko-juridike. Më saktë: është një temë që u përket të dyja fushave. A tregon kjo që unë kam dashur të studioj edhe për shkenca politike? Po. Por, në kohën që unë kam mbaruar gjimnazin, nuk ka pasur një degë të mirëfilltë për shkenca politike.


Ju keni fituar gradën “Doktore e Shkencave”. Ç’vështirësi dolën, përshembull, në rastin tuaj, dhe ç’të re ka sjellë realizimi i temës suaj?
Tema ime e doktoraturës, në lëndën bazë të së cilës unë jam titullare (siç jam titullare edhe në disa lëndë të tjera), nuk ka pasur asnjë ndikim. Por lënda bazë e imja, ju e dini, është “E drejta romake”, një lëndë e mirëfilltë jurisprudenciale, më dha mundësinë mua, por sigurisht, edhe departamentit publik në të cilin unë jam, ta gjykojë të arsyeshme që të ofrohet për studentët (në nivelin e masterit profesional) një lëndë me zgjedhje që quhet “Grupet e interesit”. Pra, nëqoftëse para tri vitesh, tema ime e doktoraturës ishte deri diku në sirtar, dhe unë mendova se thjesht ishte një kënaqësi për mua, tashmë është një temë që po e aplikojmë. Dhe, ndërkohë, është shndërruar në një lëndë të fakultetit. Në 2001-shin, kur e përgatita për master, dhe në 2008-ën kur mbrojta doktoraturën, nuk e kisha menduar se do të më jepej mundësia që kjo temë të mund të shndërrohej, apo të ishte objekt i një lënde të posaçme, siç është grupet e interesit. Isha shumë skeptike kur departamenti ma ofroi këtë gjë, dhe kur më thanë nëse isha në gjendje të bëja një planprogram për lëndën “grupet e interesit”. Por sot jam e kënaqur dhe besoj, se edhe studentët. Aktualisht është brezi i tretë i studentëve që kanë apo do të zgjedhin lëndën “grupet e interesit”. Është një lëndë që jep informacione ekstra, më të thelluara, për një nga instrumentat, apo një nga aktorët dhe faktorët e shoqërisë sot, që janë grupet e interesit, pjesë e shoqërisë civile, siç janë mediat, sindikatat, grupe të tjera profesioniste, organizatat joqeveritare. Kjo lëndë është pjesë e formimit të juristit, është pjesë e plotësimit të “pikturës”, apo të “hartës” së funksionimit të ligjit  në një shoqëri.



“E drejta romake” është lënda që na keni dhënë në vitin e parë (të nivelit bachelor), dhe që është pëlqyer. Mendimi i përgjithshëm, është se ju e bëni të bukur.
Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse ka “konflikt interesi”... I bie të flas për veten... Nuk po ua them për humor, por siç ua theksova edhe më parë, gjykimin e vërtetë, objektiv, e bëjnë studentët e mi. Gjithësesi, nëse është ashtu siç thoni ju, dhe, në rastet kur është ashtu, siç thoni ju, sigurisht, më bëhet qejfi dhe inkurajohem në punën time. Por, një gjë mund ta them, krejt pa modesti: unë jam dhe ndihem e privilegjuar që studioj dhe jap lëndën “E drejta romake”, e cila është një lëndë, vetë e bukur... Bëhet vetë e bukur për studentët... Është një lëndë... Madje, nuk do ta quaja thjeshtë, një lëndë... “E drejta romake” është një oqean, një themel, një tërësi rregullash bazë mbi të cilën është ngritur një sistem i tërë rregullash e ligjesh, gjithë ngrehina e bukur e sistemit të së drejtës që funksionon sot.
Është një lendë... Jo thjesht një lendë... Unë e kam tepër të vështirë të gjej një term që t’i shkojë kësaj ndërtese kaq bazale e kaq të bukur në formimin juridik të studentëve, të secilit prej nesh, do të thosha.
“E drejta romake” të bën vetë ta duash. Unë e dua “Të drejtën romake” dhe përpiqem ta përçoj të tillë, me dashuri tek studentët e mi. Dhe, nëse ka të verteta në ato që thoni ju, që thonë studentët, unë besoj se ka të bëjë me vlerën, bukurinë e vetë “Të drejtës romake” dhe dashurinë time për të. Merita ime, besoj të qëndrojë në faktin e moscenimit të tërësisë së rregullave mbi të cilat është ndërtuar “E drejta romake” në tërësi dhe sistemi ynë i së drejtës.

Ju jeni pedagoge. Kënaqësinë më të madhe e ndieni tek juristi, apo tek pedagogu?
Fakti që kam vite që e ushtroj këtë profesion, dhe që nuk jam shkëputur gjatë këtyre viteve në ushtrimin e këtij profesioni, në njëfarë mënyre tregon që mua kënaqësi më të madhe më jep auditori. E ndiej që japë maksimumin tim, vetëm atëherë kur informacionin dhe njohuritë e mija i ve në funksion të të gjithë atyre që do ta vendosin vetë nëse do të jenë aplikues të ligjit, apo do të të bëjnë atë profesion që po bëj unë. Unë kam zgjedhur profesionin e mësimdhënies, por kjo nuk do të thotë që në karrierën time profesionale, nuk kam provuar kënaqësinë, apo nuk kam tentuar të provoj kënaqësinë e ushtrimit në praktikë të këtij profesioni. Në fillimet e karrierës sime profesionale, për pesë vite, kam qenë juriste e Universtetit të Tiranës, që do të thotë, në këtë rast, aplikimi i të gjithë informacionit dhe njohurive të mija në funksion të administratës publike, administratës shtetërore, dhe sigurisht, në mbrojtje të interesave të individëve, që, në rastin konkret kanë qenë studentët dhe pedagogët, apo edhe stafi administrativ, sa herë që ato shkeleshin. Pra: mbrojtja e tyre para gjykatës. Ushtrimi apo aplikimi në praktikë dhe mbrojtja apo, le të themi, misioni i përfaqësuesit, siç është avokati, që është përfaqësuesi i palëve, ka qenë një kënaqësi, të cilën e kam marrë për rreth pesë vite rresht; ka qenë një kënaqësi e cila, me sa duket, nuk paska qenë aq e madhe sa të më bënte të largohesha nga auditori dhe ta ushtroja atë në funksion të administratës publike apo si avokate e pavarur, pra si përfaqësuese ligjore e pavarur. Fakti që jam pedagoge, do të thotë se kënaqësinë më të madhe vazhdon të ma japë auditori. Kam shumë vite që nuk e ushtrojë rolin apo misionin e përfaqësuesit ligjor të palëve në seancat gjyqësore. Nëse do të më bëni pyetjen, a më mungojnë seancat gjyqësore dhe a më mungon gjykata? Jo.


Mos ndoshta i jeni shmangur praktikës gjyqësore për të mos u përballur me drejtësinë dhe padrejtësinë e vërtetë?
Nëse do t’i përgjigjesha me diplomaci kësaj pyetje, do të thosha jo. Sepse nuk dua që të  them se në vendin tonë nuk ka drejtësi. Nuk dua të pohoj që gjykatat tona nuk japin drejtësi. Sepse, nëse do ta pohonte një juriste këtë gjë, dhe aq më keq një pedagoge, pikërisht ajo që ka misionin që të përgatisë juristë të ardhshëm, është më keq për një pedagoge. Nëqoftëse unë do të thosha, se gjykatat tona nuk japin drejtësi, unë jam duke gjykuar ish-studentët e mi, që sot janë gjyqtarë, jam duke gjykuar ish-studentët e mi që sot ushtrojnë profesionin e avokatit, prokurorit. Dhe, nëse do të thosha që gjykatat tona nuk japin drejtësi, do të thotë që unë nuk kam besim tek ish-studentët e mi, që puna ime si pedagoge është e dobët, do të thotë që misioni im është i parealizuar. Por, unë nuk mund ta them këtë gjë.
Gjatë kohës që na jepnit leksione, na thoshit se besonit që studentët tuaj mund të bëhen juristë shumë të mirë. Si e argumentoni këtë besim?
E shikoni, pra? Kjo lidhet me atë që sapo pohova. Meqenëse unë kam pasur dhe kam besim, që studentët e mi do të bëhen juristë të mirë, do të vazhdoj, jam e sigurtë që do të vazhdoj ta ushtrojë profesionin e pedagogut. Nëse një ditë do të më humbë besimi në këtë fakt, pra që studenët e mi do të bëhen juristë të mirë, të jeni të sigurtë se ajo do të jetë edhe dita që unë nuk do ta ushtroj më profesionin tim.
Në Fakultetin e Drejtësisë vijnë gjithmonë studentë me një mesatare dhe një numër të lartë pikësh nga matura. A është kjo një garanci për t’u bërë juristë shumë të mirë? Sepse dihet që vijnë edhe për motive pragmatiste, sidoqë, po nga të gjithë, thuhet se Shqipëria po mbushet me juristë.
Pyetja juaj ka tri komponentë brenda. Komponenti i parë, nëse nxënës me rezultate shumë të mira nga shkollat e mesme, a premtojnë që do të bëhen juristë shumë të mirë? Një nxënës me rezultate shumë të mira nga shkolla e mesme mendoj se premton të bëhet, jo vetëm një jurist shumë i mirë. Ai premton të bëhet arkitekt i mirë, inxhinier i mirë, mjek i mirë, historian i mirë, dhe gjithçka. Kjo do të thotë që një formim i mirë në shkollën e mesme, që nënkupton arritjen e rezultateve të larta, është një premisë shumë e mirë për t’u bërë një profesionist i mirë në çfarëdolloj fushe. A është edhe premisë për t’u bërë jurist shumë i mirë, sikundër të tjerat? Sigurisht, po. A është e vetmja premisë që të çon në...? Jo. Komponenti i dytë i pyetjes suaj ishte që mos ndoshta kjo zgjedhje apo kjo preferencë e nxënësve për të ndjekur jurisprudencë vjen nga fakti që ky është një profesion në të cilin fitimi, apo përfitimet ekonomike janë më të larta? Kjo është një pyetje, që nëse do të ma bënit mua para 21 vitesh, në 1991, kur kam filluar fakultetin; pra, që, a zgjodha, a e kisha kërkuar jurisprudencën për çështje pragmatike, unë do të  thosha, jo. Unë nuk e kam menduar asnjëherë profesionin tim si një profesion fitimprurës në kuptimin ekonomik të fjalës fitim. E kam menduar si një profesion fitimprurës në kuptimin e fitimit shpirtëror dhe njëherësh, të rritjes apo të të ndjerit mirë në aspektin profesional, që e rrit dinjitetin e njeriut, respektin e tij për veten dhe të të tjerëve për të. Pra, e kam menduar si një profesion që do të më jepte aq fitime sa do të më duheshin në jetën time. Çfarëdolloj profesioni që do të zgjidhja, unë do të doja të fitoja, aq sa të më nevojiteshin si qenie njerëzore për të bërë një jetë normale dhe komode. Në këtë aspekt, nuk di të ta them, nëse ata që zgjedhin sot jurisprudencën, e zgjedhin atë për arsye pragmatiste, pra për të marrë fitime të mëdha ekonomike apo për arsye profesionale, dhe për ta rritur veten si njeri që e kërkon respektin ndaj vetes. Pra, unë nuk dua të paragjykoj zgjedhjen e nxënësve të shkollave të mesme të cilët një nga kërkesat apo zgjedhjet e tyre parësore kanë jurisprudencën. Nuk mund t’i paragjykoj, sepse, po t’i paragjykoja, do të paragjykoja veten time në zgjedhjen time apo në të drejtën që mua m’u dha para 21 vitesh.
Tendenca e viteve të fundit është shtimi i numrit të nxënësve që kërkojnë të studiojnë drejtësi. Çdo vit ka rreth 500 studentë të rinj në vitin e parë.
A ka ndonjë të keqe shoqëria në fakt nga diplomimi masiv në jurisprudencë? A i vjen ndonjë e keqe? Kjo është një pyetje që unë ia bëj shpesh vetes. A na duhen vërtetë kaq shumë juristë? Çfarë e mirë dhe jo e mirë i vjen shoqërisë nga ky fakt? Mua, ndoshta, “më tërheq kë rraba” nga profesioni im dhe, sa më shumë individë, apo sa më shumë njohës të mirë të ligjit të ketë një shoqëri, aq më civile dhe aq më demokratike është ajo. Gjithësesi, nëse ligjbërësit tanë e kanë masivizuar këtë degë, apo kanë shtuar dhe shtojnë kuota çdo vit, nëse ju i pyesni ata, dhe nëse prioriteti i tyre është kjo që unë arrita, pra që qëllimi i tyre është që ne të kemi një shoqëri ku zbatimi i ligjit të jetë primar, dhe ata ta kenë bërë për këtë arsye, ne duhet t’u jemi mirënjohës... Nëse arsyeja nuk është  kjo, pastaj është gjë tjetër...
Vazhdon prej vitesh, tanimë, debati: univeristet publik apo privat. Ç’mendim keni ju për cilësinë e këtyre universiteteve?
Universitetet private janë iniciativa të lira ekonomike. Në një vend që, pas viteve 1991-1992 u lejua me ligj, me paketë kushtetuese, iniciativa e lirë private, në çdo sektor, automatikisht edhe në arsim, iniciativa e lirë private është më se e pranueshme, është brenda logjikës së një tregu të lirë. Nuk ka pse në një shtet demokratik të mundet që disa veprimtari të jenë vetëm në duart e shtetit. Ideja e një tregu të lirë, në kuptimin e një tregu ku iniciativa private duhet të lejohet, të mbështetet nga ana e shtetit në të gjithë sektorët. Nuk ka pse arsimi duhet të konsiderohet si monopol i shtetit. Pse në arsim të mos ketë iniciativa private? Ne kemi vuajtur për disa vite për shkak të mentalitetit të gabuar të disa ligjbërësve tanë apo jo tanët, për të mbajtur sektorin e shëndetësisë vetëm si një sektor publik; dhe u privuam për disa vite të kishim iniciativë të lirë private në sektorin e shëndetsisë. Aktualisht, duhet të kemi, në mos gabofsha, jo më shumë se gjashtë vite që në shëndetsi kemi futur iniciativa private. Nëqoftëse do të ishte lejuar që, edhe në shëndetësi të kishim iniciativa private, d.m.th. sektori privat të ekzistonte, të ishtë kompetitiv, konkurues ndaj sektorit publik, ndoshta sot nuk do të kishim në shëndetësi këto probleme që kemi sot. Sepse qytetari është i lirë t’i shpenzojë paratë e veta pranë atij shërbimi ku ai ndihet komod, ku ai ka besim. Arsimi, shëndetësia, dhe sektorë të tjerë, janë sektorë shërbimesh, jo mall i gatshëm. Gjëja e parë që ka shërbimi është komponenti i besimit. Duke mos qenë mall i gatshëm, për mua është e parëndësishme se ku e ble domaten, tek dyqani A apo tek dyqani B. Shërbimi, e theksoj, nuk është mall i gatshëm, dhe është shumë e rëndësishme kush ta ofron. Dhe, nëqoftëse unë nuk kam besim tek ti që ma ofron diçka që po e krijon për mua, unë nuk vij ta marr shërbimin. Në këtë aspekt, unë dua që zgjedhjen time si qytetar për marrjen e shërbimit ta bëj vetë. Shërbimet nuk mund dhe nuk duhet të ofrohen vetëm nga shteti. Duhet të ofrohen edhe nga privati, në mënyrë që unë si qytetar, të di se ku t’i marr shërbimet. Unë jam pro iniciativës private në të gjithë sektorët e shërbimeve, përfshi arsimin, shëndetësinë, dhe çdo sektor tjetër shërbimesh.
A janë këto sektorë të shërbimeve, siç janë universitetet private, që, gjithashtu, janë sektorë shërbimesh, pra që nuk shesin mall të gatshëm, nuk shesin diploma? Universitetet private nuk duhen menduar si vende ku shiten diploma, por si vende ku ofrohen shërbime. Kjo është tjetër gjë, nëse do të ma bënit pyetjen nëse këto universitete ofrojnë shërbime cilësore apo jo. Kjo është një gjë tjetër. Por, meqenëse unë i shikoj si sektorë shërbimesh, automatikisht, në çdo sektor shërbimi, qytetari e di, në momentin që nuk e merr shërbimin ashtu siç duhet, atëherë, sigurisht, edhe zgjedhja, i ka ngelur atij. Por, shteti, d.m.th. ligji duhet t’u japë mundësi aktorëve konkurues në sektorin e shërbimeve. Qytetari është i lirë të zgjedhë në cilin nga këto sektorë të shërbimeve ai të shkojë ta marrë shërbimin.
A duhet, shteti, të minimizojë zhgënjimin e qytetarëve dhe ta mbrojë atë nga një shërbim i padrejtë, nga një shërbim i paligjshëm, nga një shërbim jo i mirë? Po. A duhet të gjenden mekanizma dhe instrumente që shteti të kontrollojë ofrimin e shërbimeve nga ana e privatit që qytetari të mos cenohet në ofrimin e shërbimeve? Po.
A ofrojnë cilësi këto universitete?
Unë nuk jam personi të cilit duhet t’i bëhet kjo pyetje Por, kam eksperiencën time akademike. Unë jap mësim në Universitetin publik të Tiranës, dhe në universitete privatë, të cilët sërish janë publikë, sepse ofrojnë një shërbim për publikun; pra nuk më pëlqen ndarja “universitet publik dhe privat”. Fjala “privat” do të thotë iniciativë private, por shërbimi është publik. Unë jap mësim në universitetet më iniciativë private, dhe në Universitetin publik të Tiranës, dhe, nga eksperienca ime akademike, unë si pedagoge e ofroj shërbimin tim të mësimdhënies njësoj. Pra, unë si mësimdhënëse, shërbimin tim, që është mësimdhënia, e ofroj në të njëjtën cilësi. Mua, që e ofroj shërbimin më takon ta shohë nga ky këndvështrim. Të tjerët, le ta shohin nga këndvështrimi i tyre.
Ish-studentët tuaj  ju janë mirënjohës sot?
Mirënjohja, siç dihet, është paksa relative, dhe koncept paksa subjektiv, sepse varet si dhe ç’kupton me fjalën mirënjohje secili prej nesh. Por, fakti që ata sot janë juristë shumë të mirë, do të thotë që janë mirënjohës. Ky është këndvështrimi im. Përshembull, fakti që unë sot ushtroj një profesion besoj, në një mënyrë korrekte, do të thotë që u jam mirënjohëse pedagogëve të mi. Sepse shpërblimi më i madh, mirënjohja më e madhe nga një student për pedagogun e tij është që ai ta ushtrojë profesionin me korrektësi, dhe jo thjesht nga deklaratat e komplimentet. Po e konkretizoj më tej idenë time. Kur mua m’u desh të bëja tekstin e së drejtës romake, teksti me të cilin do të punonin studentët, dhe, sigurisht, punojnë edhe sot, është teksti i ish-pedagoges sime, Arta Mandro. Ngurrimi im për të përgatitur një tekst (të cilin e unë e nxora pas 13-14 vitesh mësimdhënieje) ka qenë, e para, se, a do të mundesha ta bëja në nivelin akademik të profesores sime. Në njëfarë mënyrë isha e dyzuar mes besimit dhe mosbesimit në të njëjtën kohë tek eksperienca ime, dhe tek përvoja ime. Më dukej sikur, duke nxjerë një tekst tjetër, do të mund të cenoja tekstin që ekzistonte. Dhe vendosa të përgatis një tekst për të njëjtën lëndë, por në një këndvështrim krejt tjetër. Tekstin tim “E drejta romake” e konceptova dhe e përgatita si një tekst krahasues, sigurisht, mes së drejtës romake me traditën dhe shkencën tonë të së drejtës. Pra, duke marrë si referencë “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, Kodin Civil të Zogut, legjislacionin aktual, dhe, si referencë bazë tekstin e profesores sime. Pra, unë i jam mirënjohëse asaj, sepse ajo më përgatiti që, edhe pse pas 12-13 vitesh, të nxirrja një tekst. Mirënjohja ime ishte dhe është, edhe në dashurinë e pasionin që ajo, por edhe të tjerë pedagogë, më futën për profesion e bukur të juristit. Dhe, gjithashtu e di, besoj, se pa dashuri e pasion për profesionin tënd, nuk mund të këtë tekste seriozë dhe as mësimdhënie të përkushtuar.
Cila do të ishte këshilla që do t’i jepnit studentëve dhe juristëve?
Nuk do ta prefereroja fjalën “këshillë”, por mund t’u thosha, se sa më shumë dhe në nivel të lartë shkencor ta ushtrosh profesionin, aq më shumë ti kupton dimensionin tënd social. Sa më shumë kupton dimensionin tënd social, aq më mirë do të dish ta ushtrosh profesionin tënd.

Intervistoi: FIONA KOPALI

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...