Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/23

…Brenda syrit poetik të Flori Bruqit



Prishtina Press – Prishtinë – New York – London


NJË SYTH SHPIRTI NË AKUARELIN E NJË KOSOVARI

Nga Zef Pergega
NJË SYTH SHPIRTI NË AKUARELIN E NJË KOSOVARI
…brenda syrit poetik të Flori Bruqit


http://prishtinapress.info/nje-syth-shpirti-ne-akuarelin-e-nje-kosovari/


Flori Bruqi

Nanat janë krijesa e krijesave njerëzore. Asnjë hije muzgu me fluturim korbash nuk zë vend në shpirtin e tyre. Stoicizmi human dhe krenar është sfida e natës. Ata linden prej dhimbjës dhe dhimbjës së rritjës i kënduan gjithë jetën. Me këngë e thurin djepin e dashurisë dhe me shallin e ylberit i shërojnë ethet e forta. Asnjë art nuk mund ta shëmbë tempullin e shënjtë të tyre. Nanat janë bota e qiellit dhe e tokës dhe krah u japin foshnjave të bëhen ëngjëjt e jetës.
Sa herë ngjitësha shkallëve të drunjta të kullës së vjetër, nana ime që thurte bukur çorape me luledele apo me degë ulliri, pa më parë me therriste me emër. Me njihte nga hapat e ngjitjës…Ndërkohë që arti i sotëm e ka shpërfillur fytyrën dhe visarët e shpirtit të nanës dhe është mbërthyer si rriqën ne kërthizën e vibrimeve nudo, ngrihet një bir kosovari i lindur në vatren e lisit të tamlit dhe lisit të zjarrit, një flori-florë poetike mbi kurorë të gurrës së parë me emrin njerëzor Flori që me pathosin e tij të vlugut e ngre simbolikën e nanës mbi rrezët e dritës asaj drite që ajo i përket.
Rastësisht e me saktë në mënyrë periodike e lëxoi krijimtarinë e këtij poeti dhe si anija që e hedh spirancen nëmolon e ankorimit ma mbajti vështrimin një cikel poetik e këtij fisniku të fjalës së lirë. Duke lëxuar poezinë “Rreze drite”njeriu dhe në mënyrë të veçantë emigranti s’ka sesi të mos ngrohet nga këto rreze dhe të na kujtojë që sado që jemi larg shpinë kthyer, nana kurrë s’e harron birin apo bijen e saj. Qëajo të mos rrijë duke pritur mbas dere nga këto mbrapështi, Flori Bruqi si një thurës vargjesh me mbjellje zambaku e tredofilesh në ballkonin dhe kopështit të mevehtësisë sëKosovës, shkëput nga trungu i shpirtit një petale meraku prej vazos së kujdesit të nanës drejt adresës tonë, si pëllumbi qëkëkon bregun…
“…Natën e mirë bir
Çelësin mos ia vë derës
Se do të vijë nana
Gjumin e paprishur
Me hapat e pranverës
Mos je shpluar
Kur ike…!”
Poeti Flori Bruqi e ka thënë me një ndjenjë të thellë atë që shumëkush e ka harruar madje e ka mbraktisur nga shpirti këtë kumt njerëzor. Këtë thesar që rrjedh në lumin e turbulluar të jetës, Flori e nxjerr nga fundi si varken e mbytur. Shumë i kanëkënduar nanës që ngjajnë me tinguj nostalgjie, por motivi i autorit në fjalë ka atë rreze drite që nuk shterr në shpirtin e nanës pavarësisht se koha po i josh brezat me harresën dhe përzierjen e gjakut. Bash kur hollohet e ndryshohet gjaku aty nana loton me sytë nga qielli për pak shpresë dhe respekt për prinderit.
Lajmotivi i poetit Flori Bruqi ka eren e theut tëparmëndës dhe e lëron vargun në ngohtësinë e qiellit pa patur nevojë të marrë miell hua, por gruri i arës së tij piqet me afsh trualli. Shpirti poetik me të cilin ka rrethuar tokën e mushtit të vargjeve bashkë me fantazinë dhe dhuntinë rri nëdritaret e një kalaje, si zogu që sjell lajmin e begatisë, lidhur guret me metafora dhe ushqyer me qumështin e zanave tëkthyera përseri pas shumë motësh ikjesh ndër valë. Poeti kosovar u këndon atyre që nënçmohet, atyre që shkelen me të padrejtë, atyre që u flet puna dhe dikush ua mohon me guna, I këndon urtisë, mençurisë së popullit të tij, bekimit tëballit dhe nderit të nëpërkëmbur. Ai i thërret nanat, vashat të vijnë në këngë se me këngë janë rritur djepat e trimërisë se pa ata djepa Kosova do të ishte përseri e shtypur ndaj dhe poezia e tij “Lajtmotiv i sinqertë” është një zgjim dhe njëkurajo, nje hov dhe një tingull i ri në piskamë se prej tyre ne morëm këmbë…
“…Ejani në këngë
Nana dhe motra
Ne lindëm nga këngët tuaja
Nga zëri juaj
Morëm këmbë…!”
Para vargut të Flori Bruqit të ndizet një qerpik ngadhnjimi. Ai të fton qetësiht pa tamburante në vargun e rrëzeve të perëndimit për ta përjetuar poezinë nga vitrina e pastër e dritës që ndizet në pishtar. Edhe pse politikisht ka ardhur liria ne Kosovë, shpirti i vashës e përjeton atë me trishtim. Të lehurat e natës nëpër zgavrra përgojimesh tëparagjykuara me kurtha e gracka dashurie dhe poeti i vemëndshëm e shkoqit këtë ndjesi, mbasi ai nuk i duron njollat e zeza në bluzën e bardhë të transparences së virtytit njerëzor dhe pyet në poezinë “Liri fjale”
“…Mos vallë në qytetin tënd ilirik
të ndjekin qentë e tërbuar
Ndonjë hije nate…?!”
Flori Bruqi, si në jetë dhe në krijimtari nuk thyhet nga pushteti i prangave të pritjës dhe as nuk e kapin ethet e padurimit edhe kur e ndjen vetvlimin në damarë. Me krah dallendyshe ngjit muret e heshtura, ku jeta merr serume tëhidhura e ai ulet në karriken e sallonit të pallatit të ëndërrave rinore pasi shiu e ka bërë qull fletoren e vargjeve pa e ndjerështerrjen kur shkruan poezinë “Qyteti ku të prita”
“…Unë jam aty ku me ke lënë
Vallëzoi me hijet
E nuk di cilën të përkedhel
Pres dashurinë tënde
Mbi buzët e tua të zë një ëndërr…!”
Një poezi e veçantë me një gurrë me metafora dhe me një kopësht me krahasime është ajo me titullin “Akuareli i diellit”
Ajo iku në moshë të njomë, pa pasaportë e pa adresë. Ndoshta pa mësuar mirë emrat e malit, lendinës, lumit e bregorës që jetës i japin blegerime. Nxori në rrugë në atështeg të ngushtë nga gjoksi i paprekur fletoren me vjersha dhe shkroi për mëngjesin e Prishtinës, të vetmin kujtim mori më vete nga majat e ikjës dhe ai ngushtim shpirti e tokë i kujtoi nanen. Në xhamat e retinës vizatoi portretin e baces plak dhe pastaj e fshiu me dorë dhe dorën e puthi me bekimin e vetvetës. Eshtë gjaku që ndjen gjakun, e kush me bukur se Flori Bruqi e përcjellë këtë penelatë, si visari me içmuar i shqiptarit e i kosovarit. Dikur ajo vashë u kthye ne vendlindje. Autori nuk u bën thirrje dallendysheve të kthehen, por ai nga një kënd i syrit të tij vëzhgon fluturimin e tyre nga qielli që u laguan dhe e stolis tablonë kur vasha e ngjeu penelin në akuarelin e hënës në mbrëmjen e majit dhe pikturoi rrugen. Kishte çelur pranvera e kthimit. Ky motivështë thënë nga Flori Bruqi në mënyren me mjeshtrore. Nëfshat vasha që kishte ikur, por atdheu i ishte mbledhur galuc si një gur në zemër e në shpirt, me të cilin ajo kuvendoi gjithëkohën e largimit duke gjetur në ato themele hijet e vetmisëdhe të heshtjës dhe me tej melodinë e draperit në duat e fahtarëve të tokës së saj. Flori është i dashuruar pas së bukurës, ai e ushqen atë që të mos vyshkët dhe të mos shkilet. Madje ai është një triumf rrënjësh që larton trungun e inditetit njerëzor. S’ka gjë më të bukur kur femra e ruan feminitetin e saj, sa edhe pemët kërkojnë t’i ngjajnë.
“…Shpirti i saj
Një lëndinë qërshori
Selvitë ndanë rrugës
Trupin e saj imitojnë…!”
Ndesha një krahasim që e vellon se tepërmi stofen e vargun dhe e llamburit mesazhin tek poesia “Mendim e kredhur” Nuk e di nëse ky poet me një fizionomi të konturuar në brumin e farës kombëtare ta këtë provuar mërgimin. Ai me nota trishtimi e vizaton portretin e shekullit që ndau familjen duke u çirrur nëpër tribuna e konferenca për liri e lëvizje të lirë. Sa nana e motra mbetën pa burra, pa fëmijë e autori thotë senuk paten një gur ku të qajnë!
Vejusha pa fat me prehera të thatë. Djepa që nuk lidhën dhe as nuk zgjidhen. Kënga Nina-nana e ngrirë nëmure të akullta dhe siç thotë Flori, në shpresat e djegura vret e qan trishtimi. Tonelata vujtjesh që mbytën mbi dallgët e mërgimt mekatar dhe poeti i dhimbshur thotë:
“…Shikimi i nënëmadhës si shqiponjë/ Pas e ndjek/ Klithma djemsh/ Mbetur ikona nëpër pragje…!”
Në akuarelin e dritës së shpirtit të tij që rri në pëllëmbë tëvargjeve, një ditë në Amerikë dallova ylberizimin e figurave letrare dhe artistike të këtij poeti që e shikoj si kurore magjike mbi ballë të tokës kosovare për t’ia zbukuruar fytyren lirisëdhe gjithçka që është shqiptare.

2013/01/22

Ju faleminderit, Schmitt!

Vlerësime interesante për Kosovën që nga viti 1912 deri në ditët e sotme
(Pas leximit të librit të Oliver Jens Schmitt “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”

Shkruan: Ismail SYLA

Ndoshta ky është titulli më i shpëlarë i një shkrimi të natyrës recensuese, eseistike dhe mbresëlënëse që kam përdorur ndonjëherë në shkrimet e botuara deri më tani. Por, nuk ka si të mos shprehet mirënjohje publike me germa të mëdha për këtë autor, i cili nëse është nisur ndërmjet dy koncepteve për Kosovën, konceptimit serb dhe atij shqiptar, arrin në konkludime të poshtëshënuara. Tërë librin e kam lexuar më kujdesin maksimal, aq sa lejon fuqia intelektuale dhe përgatitja ime, siç thotë Umberto Eko për “barrën e leximit” që bart njeriu në jetë, dhe kam mbetur i stërkënaqur me konstatimet e Oliver Schmitit në 90 për qind të dukurive që analizon, dhe pajtohem me vlerësimet e tij, si shkalla më e lartë e cilësisë krijuese të intelektualit. Dhjetë-përqindëshi i mospajtimit ka të bëjë me ndonjë vlerësim të historisë së tri dekadave të fundit, kohë për të cilën brezi ynë që kemi jetuar mund të kemi qasje dhe shije të ndryshme. Nga kjo qasje as nuk mund ta ndalojmë as ta mësojmë historianin Schmitt. Përfundimet vlerësuese, të mbështetura pas një përgatitjeje të lartë profesionale dhe dokumenteve të shqyrtuara, konsideroj që i bëjnë nder mendimit historiografik shqiptar, duke siguruar një referencë të rëndësishme si në këto raste, që për mendimin tim janë thesar antologjik.

Lashtësia

“E sigurt është se paraardhësit e lashtë ballkanikë të shqiptarëve të sotëm jetonin në Kosovë, para pushtimit sllav.” (f. 104). “Jo në Kosovë, por në territorin e Sanxhakut të Novi-Pazarit gjenden zanafillat e bashkësisë gjuhësore të serbëve.” (102). “Në shekullin e gjashtë, Dardania kishte traditë kishtare latinisht folëse. Krishterimi i dytë, fundi i shekulli të 9-të (jo latine as greko bizantine) gjuha e liturgjisë ishte sllavishte kishtare.” (88)
“Shqiptarët autoktonë, të cilët në mesjetë jetonin në Kosovë, i takonin më tepër besimit ortodoks.” (95)

Kosova dhe Serbia

Raportin historik të ngatërruar midis logjikës së pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe të përpjekjes për ta bërë të veten Kosovën, Schmitt e nxjerr me përfundime të qëndrueshme: “Rreth vitit 1900 “shumë sllavishtfolës në Kosovë në aspektin kulturor dhe fetar orientoheshin nga Bullgaria dhe jo nga Serbia. Prandaj, para vitit 1900 popullata sllavishtfolëse nuk mund të quhet pa përjashtim si “serbe”.”(101) “Tek me pushtimin e Kosovës nga Serbia në vjeshtë të 1912 dhe me administratën pasuese serbe mes dy luftërave botërore u arrit serbizimi përfundimtar i të gjithë ortodoksëve sllavë në Kosovë. Sikur në përpjekjet për sundimin e Ballkanit të kishte fituar Bullgaria, popullsia ortodokse sllave e Kosovës sot mbase do ta quante veten bullgare.”(126)

Epërsinë e Serbisë në aspektin diplomatik, arsimor dhe ushtarak e vlerëson drejt duke u bazuar në të vërtetën se, p.sh. më 1878, nëse në Kosovë kishte 87 shkolla serbe, më 1912 ato arrijnë deri në më 200. (126)

Por edhe më tragjike është e vërteta tjetër:

“Para vitit 1912 pothuaj nuk ishte ngritur asnjë zë i shqiptarëve të Kosovës kundër pretendimit serb për interpretimin e rajonit, historisë dhe shoqërisë shqiptare në Evropën Juglindore. Në një periudhë kur mendimi publik dukshëm ndikonte në politikën e fuqive të mëdha, kjo u dëshmua si disfavor tepër i madh.” (133)
Me një saktësi interpretimi dhe vlerësimi jepet metodologjia serbe e aneksimit të Kosovës, dhe gjoja karakterit serb të Kosovës, që në opinionin publik ndërkombëtar dhe atë diplomatik kishte arritur ta plasonte si “misioni civilizues serb kundër shqiptarëve myslimanë barbarë.” (128)

Dobësia shqiptare

Nuk ka si të mos pajtohet njeriu me vlerësimet Schmittit të pikave të dobëta të shqiptarëve, pavarësisht se për një mentalitet mediokër albanologjik ato janë pickime të dhimbshme. P.sh. rreth viteve të Lidhjes së Prizrenit (1878) autori vlerëson se “veçori dalluese e elitave myslimane të Kosovës (shqiptarëve, vër. ime) ishin ngatërresat me motive personale dhe aftësia e mangët për veprim afatgjatë koherent politik.” (79)
“Në Kongresin e Berlinit ... aq më pak ishin marrë parasysh dëshirat e bashkësive pa struktura shtetërore siç ishin myslimanët shqiptarë, të cilët më kot iu kishin drejtuar diplomatëve kryesorë evropianë. Njëjtë veproi edhe Konferenca e Londrës.” (139) Ndërkaq, çështja e përmbylljes së identitetit nacional të shqiptarëve të Kosovës, mendoj se është dhënë në mënyrë të drejtë dhe të plotë në paragrafin e mëposhtëm: “Krijimi i identitetit etnonacional te popullsia ortodokse sllave nuk ishte përmbyllur ende plotësisht as në vitin 1912, derisa te shumica e popullsisë shqipfolëse kalimi nga identiteti mysliman në identitetin kombëtar shqiptar filloi tek pas vitit 1945 dhe u konsolidua në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit 20-të, ndërsa arriti të përmbyllet në fazën e krizës së viteve të -90”.(122) Ky mendim nuk është fyes në radhë të parë për faktin që në territorin e Kosovës, pa asnjë shkollë shqipe, nuk veproi dhe nuk u zhvillua Rilindja Kombëtare. Këtu nuk duhet keqkuptuar sintagma ”identiteti mysliman”, që në fakt është vetëm përkatësia e fetare e shqiptarëve të besimit islam, e një popullate të sunduar, pa mundësi të zhvillimit të vetvetes. Ky mendim, për arritjen e nivelit të vetëdijes kombëtare, pra të identitetit kulturor, gjuhësor, kombëtar të ngritur në nivel të përmbylljes institucionale (që në përkthim thuhet nacionalizim) shtetërore është i qëndrueshëm pikërisht për faktin se përgjatë shekullit njëzet shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur program nacional gjithëpërfshirës, para shfaqjes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, për shkak të mungesës së një programi politik nacional serioz të shqiptarëve në shekullin njëzet, për dallim nga kombet e tjera të Ballkanit, studiuesi tjetër Bernd Fischer, shqiptarët i quan popull ende në fazën parakombëtare (libri “Mbreti Zog dhe përpjekja...”).

Qëndresa e Kosovës

Vlerësimet e Schmittit për Kosovën që nga viti 1912 deri në ditët e sotme janë shumë interesante. Ato meritojnë të hapin debat të gjerë dhe gjithëpërfshirës politik, sociologjik, kulturor, psikologjik etj. Autori konkludon se “Kufiri i sotëm mes Shqipërisë dhe Kosovës në përgjithësi është rezultat i diplomacisë ruse, e cila u mbështet nga Franca dhe pjesërisht nga Britania e Madhe”. (140) Por, është interesant pikërisht mendimi i tij, po qe se nga Serbia më 1912 do të pushtohej “...së paku Rrafshi i Dukagjinit, i cili ishte dukshëm i banuar nga shqiptarët, t’iu kishte bashkuar shtetit të ri shqiptar, konflikti i Kosovës nuk do të ishte ashpërsuar ashtu siç ndodhi në shekullin e 20-të. “(141), që nënkupton se Rrafshi i sotëm i Kosovës, do të shndërrohej në margjinë, ashtu siç është sot Medvegja etj. Autori jep të dhëna rrëqethëse për brutalitetin e administratës serbe mbi shqiptarët e Kosovës ndërmjet dy luftërave botërore. Konstatimet e tij dinë të jenë të sa të vërteta aq edhe të pamëshirshme: “Niveli i ulët arsimor stimuloi natalitetin e shqiptarëve – arsimimi i dobët dhe nataliteti i lartë ecnin dorë më dorë. Diskriminimi po ashtu përshpejtoi procesin e ndryshimit të identitetit nga ai fetar në etnik...”. (160)

“Popullsia shqiptare u tërhoq në strukturat e saj të familjeve të mëdha dhe kështu në nivel të ulët ekonomik dhe kulturor e mbijetoi represionin shtetëror”. (164)

Por, edhe në dekadën e fundit të shekullit njëzet ishte bërthama e fortë familjare që luajti prapë një rol (largimi masiv prej grevës se shtatorit 1990 e tutje):

“Sidomos strukturat tradicionale të familjes së madhe ua mundësuan shqiptarëve t’i përballonin valët e largimit nga puna, të cilat mbase do t’i kishin shpartalluar edhe shoqëritë më të zhvilluara”. (248)
Krijimi i inteligjencies shqiptare të Kosovës në vitet shtatëdhjetë e tutje të shekullit njëzet paraqet një vlerësim interesant nga autori Schmitt. Por, ky mendim është edhe më interesante po të krahasohet me konceptin e Adem Demaçit dhe të Ukshin Hotit për këtë lloj të inteligjencies: “Jugosllavia e dytë u kishte mundësuar shqiptarëve qasjen në sistemin arsimor, por nuk kishte arritur t’i bënte për vete ata” (186), konstaton me të drejtë Schmitt. Ndërkaq, në rrafshin e brendshëm, sipas Demaçit, kjo inteligjencie, e krijuar nga shpirtmadhësia jugosllave për nevoja jugosllave, nuk ka qenë aq miqësore ( të mos themi krejt armiqësore) ndaj elementit të orientuar sipas “vijës gjermane”, “vijës së Tiranës” (Ukshin Hoti) dashurisë ndaj Shqipërisë joideologjike. Kjo frymë e inteligjencies së krijuar nga nevojat "jugosllave" më së miri u pasqyrua në faqet e gazetës, siç thotë Schmitt, “e përditshmja raciste “Bota Sot”. (224) Historiani Schmitt vlerëson me të drejtë një segment të rezistencës paqësore të Kosovës së fillim viteve të 90 të shekullit të njëzet, refuzimin për të marrë pjesë në zgjedhjet serbe për “demokratizimin” e Serbisë: “...Diplomacia perëndimore shpeshherë politikën e saj ndaj Kosovës e orientonte sipas interesave të Serbisë” (253), ashtu siç jep edhe kufizimin e kësaj rezistence: “Në kryeqytetet perëndimore mbretëronte interesim për atë çfarë po ndodhte në fushëbeteja dhe jo në demonstratat përherë paqësore të shqiptarëve të Kosovës (vitet 90, lufta në BeH dhe Kroaci, vër. ime). (252) Autori e përmbyll konstatimin historik të humbjes serbe të Kosovës: ”Serbët e Kosovës, të cilët e kishin sjellë në pushtet Milloseviqin , paguan një çmim shumë të lartë për radikalizmin e qëllimshëm të situatës politike në Kosovë dhe në mbarë Serbinë, (largimi i administratës serbe nga Kosova pas 1999, dhe 90 përqindëshi i shqiptarëve). (264)
Kurorëzimi i qëndresës së Kosovës është shpallja e pavarësisë që sipas autorit Kosova shtet i dytë shqiptar. “Politikanët shqiptarë të Kosovës e shohin Kosovën si shtet shqiptar, njohja e të cilit varet nga pranimi i multietnicitetit. Nëse i shikojmë raportet e tanishme etnike, Kosova mund të quhet shtet i dytë shqiptar”. (294)

Tema të tjera për debat

Në librin “Kosova....” të O. Schmitt, po ashtu ofrohen edhe mundësi debati për demonstratat e vitit 1981, për vlerësimin e sakrificës së Familjes Jashari, për elitën e re politike me prejardhja nga UÇK-ja, për ndikimin e qarqeve të caktuara të Prishtinës për vlerësimin e kësaj elite. Madje, ky libër më shërben edhe për zbërthimin spirituoz të psikologjisë së atyre që edhe sot përtojnë të paguajnë p.sh. harxhimin e rrymës elektrike, me fenomenin se tek shqiptarët e Kosovës që në lashtësi e këndej ka ekzistuar bota paralele, ku banorët në viset kodrinore dhe malore nuk paguanin taksat. (67). Nga libri dalin shumë tema interesante prej metaforës së ndërtesës Institutit Albanologjik që është pak e kërrusur, e deri tek grilat e dritareve të Bibliotekës Kombëtare. Dhe më e mira është “heqja e bishtit” të shqiptarëve, që tregon se sa jo seriozë janë historianët shqiptarë, që kurrë nuk e kishin shikuar prejardhjen e fusnotës së keqpërdorur të Vladan Gjorgjeviqit, të marrë nga studiuesi austriak J.G. von Hahn, ( f.130) kur flet se popujt e Ballkanit, në ritet dhe besimet popullore thonë se besojnë që ka njerëz me bisht, pa specifikuar asnjë popull). Nxitje për debat ka shumë, por mbi të gjitha, edhe një herë: Ju faleminderit, historian Schmitt!

Thëngjilli nuk bëhet ar, zotëri Oliver Jens Shmit!



Serbët vuajnë shumë nga ajo që janë të paorigjinë

Unë nuk do të hyj në detale të zbërthimit të “veprës alkimike” të fundit mbi Kosovën, por kësaj radhe do ta jap një fragment të një analize të thukët nga ata të vërtetës historike: Kishat ortodokse, përpjekje për riinterpretim. Duke komentuar përpjekjet e disa studiuesve shqiptarë, të cilët thonë se kishat ortodokse janë ndërtuar nga shqiptarët katolikë gjatë shekullit XIV, Shmit pa menduar dy herë i bie ‘mohit’, duke thënë se “ky riinterpretim… nuk ka bazë shkencore”. (fq. 283)

Shkruan: Fahri Xharra

Alkimia është aftësia e arritjes së tej-jetesës apo pavdekshmërisë me ndihmën e eliksirëve të sajuar nga metalet jofisnike në ari apo në substanca të ngjashme me arin! Në historinë e shkencave, alkimia kuptohej si formë e hershme e një dëshire të njerëzimit në hulumtimin e natyrës, si dhe në filozofi dhe shkencat shpirtërore. Që të dyja variantet e përmendura të alkimisë i kombinojnë elementet kimike, metalurgjike, fizike, ato të mjekësisë, astrologjisë, mistikes dhe spritualizmit, si dhe ato të artit. Alkiminë e praktikonin të mençurit në Mesopotaminë e lashtë, Egjipt, Indi dhe Kinë. Mënyra të njëjta të alkimisë janë njohur edhe në Greqinë e vjetër dhe në Romën e lashtë, si dhe në vendet islamike - arabe. Njeriu që e praktikonte alkiminë quhej alkimist.

Alkimistët e vjetër ishin edhe propagandues shpirtëror

Sa është e njohur dhe sa është e pranishme alkimia si shkencë ose si hulumtim filozofik në kërkim të “gurit të mençurisë” në literaturën bashkëkohore? Alkimia e dikurshme, nga e cila më vonë janë zhvilluar kimia, farmacia dhe mjekësia, e në anën tjetër është zhvilluar filozofia si kërkim për “gurin e mençurisë”, pastaj edhe degët e posaçme të psikologjisë moderne. “Studimet alkimike” (K.G. Jung) nuk janë marrë vetëm me hulumtimin e arit. Në studimin e tij tridhjetëvjeçar K.G . Jungu konstaton që alkimistët e vjetër ishin edhe propagandues shpirtëror, të cilët i kryenin proceset e transmutacionit si në rrafshin e materies fizike, ashtu edhe në rrafshin e shpirtit (transmutacioneve mentale) për të hulumtuar metale me një strukturë të ngjashme apo të njëjtë me arin. Alkimia (lat . alchimia,arab. خيمياء) është degë e filozofisë së natyrës, nga e cila në shek. XVII dhe XVIII u zhvilluan kimia dhe prodhimi i barërave. Në kohët e lashta alkimia quhej si aftësi mbretërore, kurse sot pseudoshkencëtarët quhen «alkimistë». Pra, alkimistët mundoheshin ta gjejnë «gurin e mençurisë», i cili përshkruhej si «Vepër e madhe» (lat. Magnum opus). Guri i mençurisë do të mundësonte që metalet e zakonshme të shndërrohen në ar dhe në argjend. Por, ç’na hyn në punë alkimia në analizën e sotme? Më bëhet merak se si alkimia nuk ka zënë vend edhe në histori, apo shtrembëruesit e historisë nuk janë quajtur edhe ata alkimistë. Mënyra më e dukshme e dëshirës me apo pa dhunë që historia të shtrembërohet në mënyrë alkimike e kemi hasur në shkrimet e shumta mbi ne dhe për ne. Sa është e njohur dhe sa është e pranishme alkimia si shkencë, ose si hulumtim filozofik në kërkim të “Gurit të mençurisë” në literaturën historike? Shumë, bile.

Krijimi për vete i historisë

Serbia dhe Greqia në mënyrën më të paskrupullt janë munduar dhe mundohen edhe sot e kësaj dite që historinë e tyre, e cila nuk ka histori, në mënyrën alkimike ta krijojnë për vete. Nga asgjëja mundohen të sajojnë ar. Por, u është e pamundur. Ari është ar, e thëngjilli thëngjill. Dhe, kështu në mënyrë alkimike e në rastin tonë me vjedhje të krijojnë historinë e tyre kombëtare. Nëse bëhet një krahasim me alkimikët kimistë, ata që nga shekulli XVIII e panë që është e kotë të mendohet dhe të mundohet që nga thëngjilli të krijojnë ar dhe me një evoluim shkencor lindi kimia e vërtetë që pa njohuritë e saj sot do të ishte e pamundur jeta moderne; ashtu edhe nga alkimia farmaceutike lindi farmacia moderne që me barërat e sotme bëhet mrekulli në shërimin e sëmundjeve njerëzore, shtazore dhe bimore. Po ç’ndodh me alkimistët serbë të historisë? Ata ende jetojnë në aftësitë e tyre të kohërave babilonase dhe mesopotamike të shndërrimit të një të vërtete në rrenë, apo mund të themi të kundërtën - shndërrimin e një e më shumë rrenave në të vërtetë të tyre.

Serbët nuk janë autoktonë në Ballkan

Serbët vuajnë shumë nga ajo që janë të paorigjinë, prandaj edhe me instinktin e tyre prej mashtruesi i kanë veset e tyre shumë të këqija që e çorodisin historinë dhe origjinën e tyre, e me këtë e njollosin atë të të tjerëve, e me këtë rast tonën. Është për çudi që Perëndimi i “ha” rrenat e tyre; se ku e kanë qëllimin nuk e di. Në mënyrën më fëmijërore dhe aspak shkencore, por qesharake, ata dalin me “zbulimet” të tyre. “Po serbët kush janë?”, pyetej dr. Skender Rizaj dhe përgjigjja e tij ishte kjo: “Gjykuar sipas burimeve historike të njohura deri tani, mund të thuhet se serbët me prejardhje nuk janë sllavë, siç nuk janë autoktonë në Ballkan, aq më pak në Kosovë. Ani pse për këtë flet me të madhe thuajse bota, sidomos shkenca nuk i njeh”. Për origjinën e një populli, qofshin ata edhe sllavët, rol të veçantë kanë shkencat ndihmëse të historisë, sidomos arkeologjia dhe poçaria e filigranologjia, armët dhe mënyra e varrosjes te ilirët, paleografia cirilike, te sllavët, diplomatika (sidomos dokumentet në latinisht dhe greqisht, kronologjia, seragjistika, heraldika, gjenealogjia, bibliografia, arkivistika, toponimia, fitonomia etj., në përgjithësi te popujt etj.) “Serbët në të vërtetë kanë origjinë turke. Kanë prejardhje nga fisi turko-avar”. Por, dëshira alkimike e tyre që nga tunxhi, bakri, thëngjilli të bëjnë ar nuk ndalet, e për këtë m’u desh që personalisht të “bindem “ me dy libra të botuar në Beograd: Vesna Peshiq “Prećutana Istorija Albanca - lažni Iliri 2008” (Historia e heshtur, shqiptarët - ilirë të rrejshëm), si dhe Grupa autora “Kavkaski Albanci - Lazhni Iliri” (Shqiptarët e Kaukazit – ilirë të rrejshëm”, 2007). “Qëllimi i hulumtimit të prejardhjes së shqiptarëve qëndron në atë që përfundimisht të hidhet poshtë një falsifikim historik, një mit ideologjik, me të cilin ishte arsyetuar dhe legjitimuar rrëmbimi i tokave të huaja, e në këtë rast tokave tona (serbe f.xh.), toka të cilat e kanë një vlerë që nuk maten me asgjë për historinë kulturën dhe gjeostrategjinë e popullit serb; toka nga të cilat populli serb kurrë nuk do të heqë dorë” (akademik Mihajlo Markoviq). Pastaj vazhdohet: “Çfarë faktesh e arsyetojnë lidhshmërinë historike ndërmjet shqiptarëve dhe ilirëve, a ekziston ndonjë lidhje gjenetike ndërmjet tyre? Asnjë“. “Nuk gjendet asnjë dokument historik, i cili e vërteton qëndrimin e shqiptarëve në Ballkan deri në shek. XI. Nuk ka indikacione arkeologjike për praninë e tyre në këto anë. Të gjitha toponimet shqiptare vërehen pas shekullit të mesëm; ndërsa sipas formave të saja strukturore gjuha shqipe nuk ka asnjë gjë të përbashkët me ilirishten”. (Shqiptarët e Kaukazit…)

Mendimi i meksikanit Salinas

Për përshkrimin e ndërgjegjshëm të pandërgjegjshmërisë serbe, për alkimizmin e tyre në trillimet e tyre në historinë e saj i mora për analizë (zbërthim) tri libra, të cilat ta japin një ide të vërtetë se deri ku shkon imagjinata e tyre për gjetjen e vetvetes (sllavizmit - serbizmit) në të kaluarën historike në këto toka: “Homer’s Blind Audience, An Essay on the Geographical Prerequisites for the Site of Ilios. San Antonio: Scylax, 1984 të Roberto Salinas Price-it; “O trojansko-slovenskoj Misteriji “2003 (Misteri trojano-sllav) të Branko Vukosiqit (ish-ambasador i Jugosllavisë në Meksikë) dhe “Montenegro-Cradle of Homer” (Mali i Zi, djepi i Homerit) «Troyan language is Slavic) ‘Gjuha trojane është sllave) të Novak Andesilić-it; Branko Vukosiq, Mbi misterin Trojano-sllav, 2003. Autori i lartpërmendur e mbron qëndrimin se Troja dhe tokat e Trojës janë në Ballkan, por se Troja është në lidhje me civilizimin sllav, duke e theksuar mendimin e meksikanit Robert Salinas Prajs, i cili gjithashtu thotë se Troja është në Luginën e Neretvës, vendi i quajtur Gabela, por duke shkuar edhe më larg: Iliada dhe Odiseja u përkthyen nga sllavishtja në greqishten e vjetër(?). Lokaliteti i Trojës përmendet edhe në vitin 1872, kur historiani serb Milosh S. Milojeviq, në faqen 173 të librit të tij “Fragmente nga jeta e serbeve” (1872), thotë se trojanët ishin serbë. E bukur kjo? Po, por vetëm si alkimi historike. Por, kur nuk duam të bindemi që i ka kaluar koha e alkimisë si asaj kimike, farmaceutike, por edhe asaj historike, atëherë “fabrikat” alkimike prodhojnë alkimistë të rinj të historisë, të cilët mundohen që me metoda kundër ligjeve të natyrës të bëjnë mrekulli. Tash së fundi doli në shqip libri i Oliver Jens Shmitit “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”. E unë, duke e ditur që alkimisti i përmendur e di gjuhën shqipe, e kisha këshilluar që ta lexojë Hanko Hallën e Ali Asllanit, e cila që moti e kishte kuptuar se me alkimi nuk vazhdohet jeta: “Fët e fët e nxora nji gjerdan prej ari, por edhe e mora nji thëngjill nga zjarri. Thashë, trazohu, nuk trazohen kurrë, njëra për në gush`, e tjetra për në furrë.” Thëngjilli nuk bëhet ar, Oliver Jens Shmit! Nuk i ka mbetur Kosovës që të na krijoni paçavure nga ajo.

Një gjykim i cekët

Unë nuk do të hyj në detale të zbërthimit të “veprës alkimike” të fundit mbi Kosovën, por kësaj radhe do ta jap një fragment të një analize të thukët nga ata të vërtetës historike: Kishat ortodokse, përpjekje për ri-interpretim. Duke i komentuar përpjekjet e disa studiuesve shqiptarë, të cilët thonë se kishat ortodokse janë ndërtuar nga shqiptarët katolikë gjatë shekullit XIV, Shmit pa menduar dy herë i bie ‘mohit’, duke thënë se “ky ri-interpretim… nuk ka bazë shkencore” (fq. 283). Një gjykim kaq i cekët nuk i jep përgjigje faktit që në disa prej manastireve kryesore ortodokse në vendin tonë, enterieri shquhet për një ikonografi të begatë, e cila ka përjetësuar elemente të botës shqiptare, të cilat më tepër duhen parë si një reflektim i përbërjes etnike të ortodoksëve që i vizitonin këta tempuj. (Shmit, një rrëfim për një post-modernist - Salih Mehmeti).
Kot e ke Shmit, thëngjilli nuk trazohet me ar!

Serbia dhunon kujtesën kolektive…

Dhuna, terrori, gjenocidi ishin dhe mbetën bashkudhëtarë të përjetshëm të Serbisë
Shqiptarët e Kosovës Lindore edhe kësaj here u gjendën të vetëm përballë atyre që duan ta shkulin me rrënjë kujtesën kolektive

Shkruan: Xhevat BISLIMI

Dhuna, terrori, gjenocidi dhe holokausti ishin dhe mbetën

bashkudhëtarë të përjetshëm të Serbisë. Nishi, Leskoci, Vraja, Toplica, Medvegja, Prokupla, Kurshumlia…, bashkë me fshatrat e tyre (rreth 700 vendbanime) janë vendbanime shqiptare që u spastruan dhe u serbizuan me dhunë, terror, gjenocid dhe holokaust të organizuar shtetëror serb. Popullsia e atyre vendbanimeve u vra, u masakrua dhe u dogj e shkrumbua nga forcat shoviniste serbe, kurse pasuria e tyre u plaçkit, u grabit dhe përvetësua nga kolonët serbë që u sollën në ato vendbanime për t’i serbizuar. Ata pak shqiptarë që shpëtuan nga gjenocidi dhe holokausti serb u vendosën në thellësi të tokave të Shqipërisë dhe në Turqi. Edhe sot në Kosovë (atëherë ishte pjesë e pandarë e Shqipërisë, prandaj duhet të ribashkohet) jetojnë familje dhe vendbanime të tëra, të cilat u krijuan nga shqiptarët që shpëtuan nga gjenocidi serb gjatë atyre viteve (1878-1881). Këto familje dhe vendbanime, kjo pjesë e popullatës shqiptare prej atëherë vazhdon të quhet “muhaxhire”. Të drejtat e tyre për t’u kthyer në tokat dhe pronat e veta nuk janë realizuar deri më sot. Dhe, ajo që është më e çuditshme, Tirana zyrtare dhe tash edhe Prishtina, vazhdojnë të heshtin për këtë çështje! Në vend se kjo të ishte çështje (bashkë me Kosovën Lindore) e pazgjidhur dhe çështje për bisedime midis shqiptarëve dhe serbëve, është bërë çështje bisedimesh Veriu i Kosovës, super të drejtat e pakicës serbe dhe trashëgimia “serbe” në Kosovë.

Të pezullohen bisedimet

Shqiptarët e Kosovës Lindore edhe kësaj here u gjendën të vetëm përballë fazhizmit serb, përballë atyre që duan ta shkulin me rrënjë kujtesën kolektive dhe çdo shenjë e gjurmë shqiptare edhe në ato pak vendbanime që kanë mbetur pas spastrimeve të organizuara dhe të kryera nga shteti serb vetëm gjatë këtij një shekulli e gjysmë. Heqja vandaliste e monumentit të UÇPMB-së dhe dëshmorëve të kombit shqiptar, që kishin rënë për mbrojtjen dhe çlirimin e tokës së tyre shqiptare dëshmoi për të 1000 herë se Serbia është ajo që kanë njohur shqiptarët dhe Evropa gjatë shekujve: Serbi shoviniste dhe fashiste. Ky karakter i Serbisë nuk ka ndryshuar në asnjë kohë, në asnjë sistem politik e shoqëror dhe me asnjë nga ata që kanë drejtuar deri më sot Serbinë. E vërteta është se Milloshevici dhe içët e tjerë ishin dhe janë trashëgimi dhe pjellë e shovinizmit dhe fashizmit serb. Tirana dhe Prishtina zyrtare u mjaftuan me nga një deklaratë “patriotike”, por nuk ndërmorën asnjë hap konkret. Madje, Sali Berisha nuk bëri as atë që do të bënte çdo shtet për mbrojtjen e një pjese të popullit të vet, nuk kërkoi një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për Kosovën Lindore dhe kërcënimin që po i bënte asaj Serbia. Edhe Brukseli e inkurajoi fashizmin serb, duke deklaruar se Kosova Lindore është çështje e brendshme e Serbisë. Pse jo? Përderisa Tirana dhe Prishtina jepnin mesazhe se nuk ishin të interesuara t’i acaronin marrëdhëniet me Serbinë dhe miqtë tanë (më shumë të Serbisë) për një MONUMENT dhe për një grusht shqiptarësh. Këtë poshtërim që Serbia ua bëri shqiptarëve (jo vetëm atyre të Kosovës Lindore) është mirë (se mos është i pari) që Prishtina ta shfrytëzonte si pretekst për pezullimin e bisedimeve me Serbinë dhe të niste rishikimin e extra të drejtave që i ka garantuar pakicës serbe. Madje, do të duhej të rishikohej edhe statusi i Kishës Ortodokse, që padrejtësisht quhet “serbe” dhe trashëgimia “serbe” në Kosovë. Rol të rëndësishëm duhet të marrë (e ka detyrim) Tirana zyrtare. Shtetet fqinje, që mbajnë të pushtuar një pjesë të mirë të popullit shqiptar dhe të Shqipërisë po mohojnë dhe nëpërkëmbin çdo të drejtë dhe liri demokratike, kombëtare, kulturore e politike. Këto shtete po lejojnë (pa asnjë kufizim) dhe po inkurajojnë, nxisin e stimulojnë vetëm një të drejtë për shqiptarët e pushtuar: Të drejtën e fesë, xhamisë, ferexhesë dhe thirrjes së ezanit pesë herë në ditë me altoparlantë. Kjo e drejtë po lejohet dhe stimulohet në formën e një të drejte dhe besimi që ushtrohet në gjuhën arabe dhe sipas mënyrës arabe. Ndryshe, edhe besimi, po të ushtrohej në gjuhën dhe kulturën shqiptare do të ndalohej dhe persekutohej. Për këtë fajin më të madh e ka Tirana zyrtare dhe tash edhe Prishtina dhe vetë Bashkësia (Shqiptare) Islame.

Segmentimi i shoqërisë shqiptare

Ndërkohë, segmentimi i shoqërisë shqiptare thellohet e thellohet… Armiqtë tanë dhe miqtë e armiqve tanë fërkojnë duart nga kënaqësia se investimet e tyre nuk po u shkojnë huq. Kurse shqiptarët e “udhëhequr” nga shefat e tyre (inteligjencia është dorëzuar kaherë…) rrisin inatin deri në urrejtje për njëri-tjetrin, deri në përpjekje për ta eliminuar njëri-tjetrin… A duhet të vazhdojmë kështu? Njeriu i thjeshtë shqiptar dhe shqiptarët që e duan këtë tokë dhe këtë popull më shumë se privilegjet e pushtetit (shpeshherë të dhuruara nga të huajt), më shumë se pasurinë dhe paranë që japin të huajt (armiqtë tanë) për të na përçarë dhe për të na mbajtur të copëtuar në shumë shtete nuk janë pajtuar dhe nuk do të pajtohen kurrë me këtë gjendje poshtëruese, por nuk e kishin dhe nuk e kanë të lehtë luftën në shumë fronte (sidomos me tanët) dhe me armiqtë e “padukshëm”, që dinë të vishen me rroba të partive, ideologjive, feve dhe ndonjëherë edhe me rroba kombëtare…

Krimet serbe janë vazhdimësi



Ne do të falim, por kurrë nuk do të harrojmë

“Këto krime të pafalshme nuk janë vepra të individëve nga urrejtja e tyre vetjake, por pjesë përbërëse e politikës nacionale të Serbisë, me një bindje kriminale që nëse e zhbëjmë këtë botë të pafajshne (shqiptarët pra, f.xh.) do ta heqim qafesh armikun me të cilin në të ardhmen do të kemi problem”, (Dimitrije Tucoviq, 1913)

Shkruan: Fahri XHARRA

Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë sillni dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe» (Strategu për shfarosje). Pas botimit të një fotoje shumë të tmerrshme nga krimet serbe në Kosovë në luftën e fundit, nga lexuesit e mi e mora këtë përgjigje: “....po ky skizofreni nuk mund të identifikohet me Serbinë....ai e meriton plumbin ndoshta dhe pa gjyq se duket si killer serial...po ai nuk është Serbia.....Serbia po i fut kriminelët në burg....Shqipëria ende jo......” Shumë e çuditshme! Kurse një “gazetare” na shkruan: ”Jemi një tokë që vazhdon të prodhojë mite. Në një kohë që fatkeqësisht përdor e shikon me lente që kanë më se një mijë vjet të prodhuar. Lente që në vend t’i linim në muze, ia lëmë trashëgim brezave pasardhës.” Edhe më e çuditshme, ajo vazhdon:” Si jemi sjellë ndaj serbëve në kohën që të dy palët ishim nën sundimin otoman, dhe serbët ortodoksë ishin, nga pikëpamja hierarkike, poshtë shqiptarëve?

Çka shkruhej 100 vjet përpara

Nuk besoj se kemi qenë dorëlehtë në trajtimin e tyre. Si jemi sjellë ndaj pakicave serbe në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore? Nuk ka ende një histori të shkruar paanësisht, por mendoj se do ta kemi pasur dorën e rëndë në trajtimin e tyre, duke kthyer me interesa trajtimin që na bënë gjatë periudhës mes dy luftërave botërore.” Dhembshuri, nga mosdija apo nga.....? Por më e çuditshmja është kjo: ”A kemi qenë tolerantë me serbët që mbetën në Kosovë pas luftës së fundit të 1999-s? Sado të ekzagjeruar apo grindavecë të kenë qenë në kërkesat e tyre, ne që ishim më të mëdhenj në numër dhe fitimtarë, duhet të ishim treguar mirëkuptues dhe tolerantë ndaj tyre. “Ky është fundi i hipokrizisë, ky është fundi i marrëzisë i (ndo)një shqiptari!

Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij “ ....porosiste një strateg. Po ne pse duam t’ia fshijmë vetë kujtesën kombit tonë? Kush po na shtyn. Shkojmë më tutje, larg e jo fort larg, ndoshta e pa ndoshta vetëm 100 vjet përpara: ”Atëherë të vëmë dikë të na shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re” , dhe të jemi “larg nga mitet dhe shkrimet muzeale”. Nuk po flas me fjalë të mia, por me ato të Dimitrije Tucoviqit (1913) : ”Mu këto ditë po bëhet një vit që kur kombi shqiptar po e çon kryqin e vet në Golgotë. U bë një vit i zhbërjes sistematike të popullsisë arnaute (shqiptare f.xh.) në të gjitha anët që e ka ndërmarrë ushtria serbe. Gjatë këtij viti u derdh shumë gjak njeriu nëpër fushat, fshatrat dhe qytetet shqiptare. Por, këto krime që i vulos është lufta më barbare e më e përgjakur që i ngjason luftërave të Mesjetës ,,këto nuk janë vetëm përroskat e gjakut në një anë, por edhe trupat e shprishur të të vrarëve, fëmijëve të pafajshëm, grave dhe të pafuqishmëve të popullit të Serbisë së vjetër (Kosovës, Maqedonisë, Sanxhakut e deri në Nish, f.xh.) faji i vetëm i tyre që është se i luten një Zoti tjetër, e flasin një gjuhë tjetër e mbajnë një emër tjetër dhe jetojnë në vatrat e veta shekullore. ... Këto krime të pafalshme nuk janë vepra të individëve nga urrejtja e tyre vetjake, por pjesë përbërëse e politikës nacionale të Serbisë, me një bindje kriminale që nëse e zhbëjmë këtë botë të pafajshne (shqiptarët pra, f.xh.) do ta heqim qafesh armikun me të cilin në të ardhmen do të kemi problem” (Krvna osveta soldateske, Iz arbanskih pisama, Dimitrije Tucoviq).

Pra, atëherë sillni dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe» ....” ...po ai nuk është Serbia.....Serbia po i fut kriminelët në burg....” ? ”Ishin, janë dhe mbesin bisha të rrezikshme për njerëzimin e kohës e sidomos ndaj nesh, andaj si ky kriminel ashtu janë vërtet të gjithë serbët, jo jo nuk dallojnë kur jemi në pyetje ne shqiptarët, ngase nëse ju vjen dita përsëri do ta bëjnë të njëjtën. Mos të harrojmë për asnjë moment se derisa të ketë njerëzi në këtë botë, këta të njëjtë mbesin” ( Xhevat Rexhaj).

"Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij"

"Pastaj thoshin dëshmitarët tanë (serbët, f.xh.) e krijuan shkretërimin më të madh të mundur në mesin e tyre (shqiptarëve, f.xh.). Shqiptarët binin në grumbuj, si duajt e tallës. Më shumë ndiheshin britmat e viktimave sesa krismat e topave. Nëpër ajër fluturonin duar, këmbë, koka dhe pjesë të mishit të trupit të shqiptarëve. Dhe kur zbrazja e topave artilerikë ndalej, vendet e sulmuara dukeshin të shkreta dhe të lyera me ngjyrë të kuqe) (po aty). Jo ore! çfarë ngjyre e kuqe? Gjaku ore gjaku:...”kombi që të mos harrojë se çfarë është dhe çfarë që "Gazetarja" e porositur na këshillon: ”Ka ardhur koha që të njohim më mirë edhe njëri-tjetrin, për të kuptuar sa të ngjashëm jemi”. Shumë gabim e keni. Aspak nuk jemi të ngjashëm, por kumtesa e saj është në vazhdën e idesë së strategut: «Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij”. Presidenti i madh, Klintoni, pas luftës së 1999-s na thoshte: "Falni, por mos harroni!". "Por edhe kur mendonim se u krye, ajo nuk po përfundon as sot e kësaj dite. E pabesueshme është se çfarë ka ky sistem (sistemi serb i viteve 1912-13 , f.xh.) ka mundur të bënte mbi popullin shqiptar. Si të dëgjohet ndonjë lëvizje përreth kufirit, menjëherë fillojnë prerjet shtazarake në fyt. Mbi popullatën e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit ndihet vetëm ndjenja e vdekjes. Nëse të zë gjumi të gjallë, nuk dihet se çfarë të pret në agim. Sepse mu natën, ishte koha e përzgjedhur që të kryhen krimet më të tmerrshme njerëzore; mbledhja e njerëzve nga burgjet dhe shtëpitë për t’i dërguar në fushat e vdekjes. Natën nuk ndihet asgjë, por çdo natë shqiptarët zhduken mu sikur çakejtë dhe hienat që dalin nga birucat e tyre dhe futen në shtëpitë e tyre që të marrin njerëz, të bartin dhe t’i mbysin. Këta gjakpirës, edhe hienat i kishin vrarë në mënyrën e tyre të njeriut (serb, .fxh.) (Radničke novine nr.. 223, 22. Tetor 1913. Dimitrije Tucoviq, Sabrana dela, Beograd 1980). Shqiptarët nuk e kanë një histori me triumfe të mposhtjes së popujve, por e kemi historinë më të lashtë në Evropë. Gjurmët tona gjinden kudo, edhe aty ku deshën të na i zhbëjnë.

Krimet mbi shqiptarët

Raporti i Komisionit ndërkombëtar, 1914, Uashington thotë: Krimet mbi shqiptarët të kryera nga serbët dhe malaziasit ndërthuren me vrasje masive, masakrime të popullatës civile, spastrim etnik, ndërrim të detyruar të fesë dhe shpërngulje. Numri i viktimave në Vilajetin e Kosovës nën kontrollin serb vlerësohet në 25 000 njerëz”. Kosta Novakoviqi e vlerësonte në 120 000 numrin e të vrarëve të të dy gjinive, me qëllim që të kryhet spastrimi etnik dhe të manipulimit me statistika para konferencave të Fuqive të mëdha, të cilat do t`i caktonin kufijtë e rinj në Ballkan”. ”Për krimet e ushtrisë serbe dha malazeze, si dhe forcave paraushtarake (paramilitare) mbi popullatën shqiptare kryesisht ka folur shtypi opozitar evropian dhe ai amerikan. Lajmëtarët e shumtë flasin për vrasjet masive të popullatës shqiptare, shkatërrimeve të vendbanimeve shqiptare, djegien e fshatrave shqiptare, plaçkitjen e shtëpive, vrasjen e njerëzve me mjete të ftohta, dhunimin e femrave dhe sjelljeve shtazarake mbi popullsinë (‘The New York Times’, 31 dhjetor 1912.). ‘L`Humanite’ i Parisit shkruan në raportin zyrtar të Konsullatës franceze në Selanik duke i përshkruar krimet serbe si plaçkitje, shkatërrim dhe vrasje. Kurse gazeta daneze ‘Riget’ gjendjen në Maqedoni e përshkruan si zhbërje të popullit shqiptar. Kryeipeshkvi i Shkupit, Lazër Mjeda, lajmëronte se pas hyrjes së ushtrisë serbe në fshatrat e Kumanovës, shumë banorë fshiheshin në tavanet e shtëpive të tyre. Ushtria serbe i ndizte ato shtëpi dhe njerëzit digjeshin të gjallë. Ai tregonte se pas Kalasë së Shkupit gjendej një gropë e madhe e mbushur më trupat e pajetë të shqiptarëve. Meqenëse toka ishte e ngrirë, të vrarët nuk varroseshin, por gjuheshin në bunarë. Me qëllim janë numëruar mbi 68 puse në rrethin e Shkupit të mbushur me trupa të vdekurish.” Si thoni ju zotërinj kozmolitë? T`i harrojmë këto?, E pse mos t`i përmendim? Sikur serbët të kërkonin falje atëherë, ndoshta.

Ushtria serbe kishte hyrë në vend të huaj...

"Nuk dua të bëj llogari dhe as, nën pretekstin e analizës së historisë, të qëmtoj fakte që më favorizojnë si shqiptare. Por, është e vërtetë se fajtorët asnjëherë nuk gjenden vetëm në njërën anë” na thotë ”gazetarja”, por duhet ta ketë lexuar së pari ‘Reichpostin’ e vitit 1912, ku jepet gjendja në spitalin e Shkupit me pacientët shqiptarë. Në fillim i numërova 132 fatkëqij, të nesërmen i gjeta vetë 80 dhe të pasnesërmen vetëm 30. Pacientëve shqiptarë nuk u jepej ushqim, prandaj vdisnin. Por, edhe të gjallë hidheshin në Vardar. Kemi hyrë në vend të huaj shkruante Dimitrije Tucoviqi, por ushtria serbe e dinte që kishte hyrë në vend të huaj e nuk tregoheshin aspak ”kozmopolitë” dhe nuk kishte ”ardhur koha që të njohim më mirë edhe njëri-tjetrin, për të kuptuar sa të ngjashëm jemi” e as që do të vijë ajo kohë. ”Ishin, janë dhe mbesin bisha të rrezikshme për njerëzimin e kohës e sidomos ndaj nesh, andaj si ky kriminel ashtu janë vërtet të gjithë serbët, jo jo nuk dallojnë kur jemi në pyetje ne shqiptarët, ngase nëse u vjen dita, përsëri do ta bëjnë të njëjtën. Mos të harrojmë për asnjë moment se derisa të ketë njerëzi në këtë botë, këta të njëjtë mbesin” ( Xhevat Rexhaj). ”Falni por mos harroni” thoshte autori i shpëtimit të shqiptarëve nga zhbërja serbe. Ne do të falim, por kurrë nuk do ta harrojmë. Do ta shkruajmë dhe do ta theksojmë kudo që jemi në secilën kohë që do të jemi.

Muzgu i agimit fashist


Shkruan: Fehmi Ajvazi

Një parti greke me një emër simbolik nga pikëpamja politike dhe artistik nga pikëpamja letrare - poetike “Agimi i Artë” sipas programit partiak që ka, do të duhej ta kishte emrin “Agimi i muzgët”! Kjo parti ka në parlamentin aktual grek, 18 deputetë. Është parti me ide të hapura nacionaliste dhe ultra-shoviniste, është edhe parti me program tipik fashist. Evoluimi i brishtë i kësaj partie, megjithatë ka rënë në sy: më shumë me vulgarizma dhe provokime idioteske majtas e djathtas, se sa me ndonjë vizion të përparuar. Pse ky subjekt ringjallet me këso ide, sot? “Agimi i Artë”, është produkt i krizës së përgjithshme të thellë politike dhe ekonomike që e ka përfshirë Greqinë e sotshme moderne. Në prag të dyshimeve të bazuara për falimentimin e Greqisë, ky shtet ka kohë që është përfshirë nga trazirat dhe ethet e rrënimit të brendshëm dhe nuk po gjen shërim pavarësisht miliardave që po i merr në Bruksel.

Njerëz të stërvitur në Qipro

Trendët paradoksalë, dukuritë negative, sjelljet dhe konfliktet destruktive po përhapen me shpejtësi në shoqërinë dhe në skenën politike greke. “Agimi i Artë”, është shenjë e dukshme e humnerës buzë së cilës, gjendet Greqia. Ky subjekt politik ka dalë hapur me flamurin e fashizmit: kopje e degjeneruar e tij. Objektiv sulmues, si dikur hebrenjtë në Gjermani janë emigrantët e të gjitha ngjyrave. Por subjekti politik fashist “Agimi i Artë” (Hrsisi Avgi, i themeluar më 1985), shquhet edhe për reagimet dhe veprimet antishqiptare. Themeluesi i kësaj partie, Nikolaos Mihaliolakos, gjatë një debati televiziv të zhvilluar në televizionin grek “Ant 1” në vitin 1993, në lidhje me të ashtuquajturën çështje të “Vorio Epirit” kishte thënë se, nëse do të kishte një kryengritje të armatosur në “Vorio Epir”, ai do ta mbështeste atë. Një vit më vonë në natën e 10 prill 1994, një komando greke prej 8 pjesëtarësh në uniforma të ushtrisë greke kishte hyrë në territorin shqiptar, dhe në afërsi të fshatit Peshkopi pranë një reparti ushtarak kishin vrarë ushtarin Arsen Gjinin, kapitenin Fatmir Shehun dhe kishin plagosur edhe tre persona të tjerë. Sipas gazetës së njohur “Elefterotipia”, vrasja ishte marrë përsipër nga grupi terrorist “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Epirit). Kjo komando, përbëhej nga njerëz të stërvitur në Qipro, dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe lideri i sotshëm nacionalist dhe nazist Mihaliolakos, të kishte qenë në një apo tjetër mënyrë, i ngatërruar në sulmin e vitit 1994.

Kërkesat e pabaza

Uebfaqja zyrtare e nazifashistëve të ‘Agimit të Artë’ ka gdhirë më 1 janar 2013 me një shkrim fyes dhe kërcënues antishqiptar, si një paralajmërim për një rast tjetër si ai i vitit 1994, apo edhe më shumë. Shkrimi zyrtar i këtij subjekti me prirje nacional-fashiste siç ka raportuar televizioni Top Chanell (Tiranë), i cilëson shqiptarët si një komb kaçakësh të trembur e të leckosur që, po kërcënojnë kryepeshkopin Anastas Jonullatosin, duke përfituar nga dobësitë dhe disfatizmi i qeverise së dordolecëve të Athinës, me kërkesa të pabaza dhe të egra për Çamërinë shqiptare. “Kombi shqiptar është krijuar nga italianët dhe mbështetet sot nga faktori sionist amerikan. Shqipëria është një mbeturinë e Perandorisë Osmane në tokën e lashtë greke të Ilirisë, ndërsa pohohet se Lëvizja e Nacionalistëve Grekë do të vendosë rendin për sa u përket fqinjëve, që mburren me 100 vjet të historisë së tyre. Mjafton të teshtijë Greqia, që të heshtë dhe goja e shqiptarit të fundit në botë”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim fyes, përçmues dhe denigrues. Nazistët e rinj grek, një kopje e fëlliqur e fashizmit të harruar dhe shkatërrues Hitlerianë e Musolinianë, po e synojnë një ambient kërcënues dhe përçmues jo vetëm duke e fyer popullin tonë, por edhe duke ndërhyrë në gjendjen e tij. Subjekti politik “Agimi i Artë” propagandon edhe kështu: “Do të vijë koha që, me emocion dhe gëzim të veçantë, do të inaugurohet krijimi i degëve të kësaj partie në Korçë, Himarë, Delvinë dhe Tepelenë, duke kënaqur kërkesën e helenizmit luftarak për Vorioepirin”.

Dokumenti sekret në mediet greke

Pinjollët nacional-fashistë grekë e konsiderojnë Shqipërinë e Jugut si tokë greke, kurse ky pretendim i tyre lidhet me ilirët dhe Ilirinë çka do të thotë se ata po përpiqen ta mohojnë përkatësinë e lashtë etnike shqiptare të Shqipërisë së jugut me përrallat helenike për “Greqinë e lashtë – antike” që i tejkalon madje edhe kufijtë e Greqisë së sotme. Por, si është forcuar dhe ngjitur në skenën politika greke e “Agimit të Artë” ? Pse nuk po korrektohet nga Athina zyrtare programi i këtij subjekti ? Greqia qysh nga Lufta Botërore nuk e ka hequr edhe më tutje formalisht gjendjen e luftës me Shqipërinë. Subjekti politik “Agimi i Artë” ka në radhët e veta edhe ish oficerë të lartë ushtarakë dhe policorë. “Agimi i Artë” s’ka dyshim që gëzon pak a shumë edhe një lloj mbrojtjeje institucionale. Sipas disa të dhënave, kryetari aktual i “Agimit të Artë” ka qenë (ende mund të jetë) bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete greke. Në mediet greke qarkullon një dokument tepër sekret i Shërbimit Qendror Informativ grek “KYP”, sipas të cilit dokument rezulton se Nikolaos Mihaliolakos, është bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete greke (Dokumenti “tepër sekret” mban datën: 29. 12.1981, nr. prot. 1009). Mihaliolakos, kishte emrin e shifruar “Astiagaks 2649 K”, dhe i cili merrte një shpërblim mujor prej 120.000 dhrahmi nga shërbimi sekret grek për angazhimin e tij lidhur me nacionalizmin grek dhe me çështjen qipriote si njësi komando, dhe se ka qenë edhe veprimtar i organizatës ultranacionaliste greke “Eoka”.

Provokimet e reja

Subjekti politik nazifashist “Agimi i Artë” vazhdoi me provokime të reja. Më 4 janar (2013), në paralinjë të vazhdimit të denigrimit historik dhe kombëtar të popullit tonë, “Agimi i Artë” u kujtua të pretendojë se një ndër figurat kryesore shqiptare Gjergj Kastrioti Skënderbeu, na qenkësh me prejardhje greke. “Shqiptarët e nderojnë si hero kombëtar një grek, Jorgo Kastriotin, lufta e të cilit ishte luftë e ortodoksisë kundër turqve. Në mënyrë të padrejtë, shqiptarët përdorin flamurin e Perandorisë Bizantine si flamur kombëtar. Epiri ishte grek dhe paraardhësit tanë janë nga Epiri”, ka transmetuar agjencia “Balkan Web”.

Tendencat për retushimin grek të historisë, janë shenjë e harxhimit të kësaj historie, meqë dokumentet e shumta që dolën në dritë gjatë vitit 2012 dhe që po vazhdojnë të dalin, tregojnë për falsifikimin e madh gjatë shekujve XIX dhe XX të identitetit dhe të historisë së kohës së Antikitetit: gjoja si autentike greke. Sipas dokumenteve të ndryshme, “lashtësia antike greke” dhe jo vetëm greke, pasqyrohet shumë më ndryshe: kushtimisht, me prejardhje pellazgo-ilire. Sa për kohën e Skënderbeut, ka me mijëra fakte dhe dëshmi që e tregojnë kohën e tij. Dhe dihet se cila ka qenë koha e tij, jeta dhe vepra e tij. Dihet pastaj se kush ishte Skënderbeu, i kujt ishte, nga vinte...? Në çdo aspekt, asgjë s’i ndihmon “Agimit të Artë”, madje as shkenca vagabonde që e pretendon Skënderbeun me prejardhje joshqiptare. S’i ndihmon pastaj as shakaja e shkencërore e pseudo-historianit Shmid, pavarësisht që Akademia e Shkencave dhe e Arteve në Kosovë ia bëri këtij profiteri një vend në gjirin e saj të fjetur dhe të pluhurosur. Politikës së subjektit të fëlliqur nacist dhe shovinist “Agimi i Artë” duhet treguar se nuk ka punë vetëm me shqiptarët e Shqipërisë dhe me Shqipërinë, por ka punë me të gjithë shqiptarët kudo që janë: në Kosovë, në Maqedoni etj. Kreut të kësaj tufe korbash, z. Mihaliolakos duhet gjetur mënyrën për t’ia shpjeguar kuptimin e përrallave të La Fonetenit, ose syzheunë e ditarit të Ana Frankut. S’ka fjalë: gërryesve dhe plaçkitësve të shtetit të tyre (Greqisë) dhe gërryesve dhe plaçkitësve të parave të Bashkimit Evropian (nacionalistëve të Zervas, apo të kalibrit si Mihaliolakos), duhet treguar po ashtu se trekëndëshi monstruoz i kohës së viteve 1912-13 “Athinë-Shkup-Beograd”, i cili trekëndësh këto ditë po riaktivizohet në forma të ndryshe të rafinuara dhe padyshim të rrezikshme, është tashmë i pa perspektivë. Ky trekëndësh s’ka tjetër shtrat, veçse në varrezat e muzgëta të historisë.

Shpërngulja e madhe "serbe" dhe mashtrimi historik serb


Serbia e tashme u bë në një territor, ku serbët nuk ishin as 1/4 e popullsisë
“Vërtet historia ka nevojë për dokumente, por në raste të caktuara ka nevojë edhe për logjikë të thjeshtë” (Arben Llalla)


Shkruan: Fahri XHARRA

Kur hispanikët në shek. XV e pushtuan Amerikën e sotme Jugore shkatërruan çdo gjë që hasen para vetes. Kultura të popujve Maja, të actekëve dhe ato të inkasve, të krijuara me mijëra vjet humbën sikur të mos kishin qenë kurrë. Popullata vendase në mënyrë të pamëshirshme u mbyt dhe ata pak shembuj njerëzor që mbetën u asimiluan pa guxuar të dinë se kush ishin dhe çka ishin. Por, shkatërrimi nuk mundi ta përfshijë çdo gjë, nuk mundi ta fshijë atë punë mijëravjeçare të vendësve. Mbetën gjëra me të cilat sot bota i admiron ato kultura që nuk vdesin kurrë. Çka më shtyu që ta përmendi Amerikën Latine, kur tema edhe nga titulli nuk ka të bëjë me ta? Është për t’u habitur që kurrë hispanikët nuk u munduan të gjejnë rrënjët e veta në këto toka dhe të krenohen që janë trashëgimtarë të një kulture që nuk i takonin.

Me serbët nuk ndodh e njëjta gjë, edhe ata të ardhur në kohët e vona dhe falë rrethanave historike u ngulën në këto anë, por në vazhdimësi mundohen ta bindin botën se ishin këndejpari para se të lindte edhe vetë natyra. Rrethanat historike ua mundësuan serbëve që edhe ata të shkatërrojnë çka mundën dhe çka gjetën. Kryesorja që ne nuk mundën të na zhbëjnë, e që ishte qëllimi i tyre. Se për kulturën tonë të kaluar të rrahur në valët e historisë po mundohen edhe sot e kësaj dite ta përvetësojnë dhe ta paraqesin si të tyre. Edhe pse për ne historia ishte njerkë, gjeografia ishte dhe mbeti nënë.

Panoja “historike”

Serbia, si mozaik i formuar nga gurët shumëngjyrësh të kombeve përreth saj duket shumë e bukur, por kur i analizon ato copëza që e kanë formuar e kupton se çdo gjë është e huaj. Në mozaikun e formimit si tokësor, ashtu edhe historik të Serbisë, shqiptarët janë “zbukuruesit” më të mëdhenj të asaj panoje “historike”. Si shtrirja gjeografike e Serbisë, ashtu edhe historia e saj janë margaritarë të vjedhur mu nga shqiptarët.

Është për t’u përmendur një mashtrim historik i serbëve në lidhje me shpërnguljen e tyre të madhe nga Kosova në vitin 1690. Sipas burimeve serbe qëndron kjo: “Shpërngulja e parë e madhe ‘serbe’ ndodhi në vitin 1690 nën udhëheqjen e Patriarkut Arsenije III Çarnojeviqit dhe erdhi si rezultat i tërheqjes së habsburgëve nga tokat ‘otomane’ në Ballkan. Kurse shpërngulja e dytë serbe gjithashtu nga Kosova ndodhi gjatë viteve 1737-1739, nën ndikimin e Patriarkut të Pejës Arsenije IV Jovanoviqit. Në vitin 1690, Imperatori Lepoldi I ua lejoi refugjatëve që të vendosen në rripin e Savës dhe Danubit dhe e pranoi Arsenije III Çarnojeviqin si udhëheqës shpirtëror të tyre” (Stefan Pavloviq: Serbia dhe Historia e saj).

Burimet na japin shifra të ndryshme të të shpërngulurve: 37 000 familje sipas manuskriptit të Manastirit të Shishtavecit të shkruar nga murgu Stefani i Ravanicës (të shkruara 28 vjet pas shpërnguljes), 37 000 familje sipas Pavle Julinacit (1765), 37 000 familje sipas Jovan Rajiqit (1801), kurse Emile Picot vjen në përfundim se ishin 35 000 deri 40 000 familje, pra ndërmjet 400 000 deri 500 000 njerëz.


Ai thotë se “ishte traditë e vazhdueshme që numërimi të bëhej me familje, e jo me numër njerëzish”. Akademia e Shkencave Serbe e pranon shifrën prej 37 000 familjesh të shpërngulura, kurse sipas Milosh Nestoroviqit, “problemet etnodemografike të Kosovës dhe Metohisë” mbetën të shkreta në Kosovë mbi 360 fshatra”. “Serbët” e shpërngulur u vendosën në Hungarinë e sotme, Vojvodinën e sotme dhe në Kroaci.

Në luftën e koalicionit katolik kundër turqve më 1737 kanë marrë pjesë dhe kelmendasit dhe fise të tjera të Malësisë së Madhe. Mbas humbjes së koalicionit kelmendasit kishin bërë marrëveshje që në rast të humbjes të strehoheshin në territoret e Austrisë. Kështu nga Kelmendi kanë ikur 273 familje dhe nga gjithë Malësia e Madhe rreth 3 000 persona në Borgo Erizo, Nikinci, në Zara, Hertovski, Zemunik të Kroacisë (Gjon Vuksani). Kjo është nga shpërngulja e dytë “serbe”.

Domethënia e emrit "serb"

A kishte serbë në atë kohë në Kosovë dhe në numër aq të madh? A mos ishte kjo bartje dhe largim i madh i shqiptarëve ortodoksë dhe katolikë nga Kosova? Duke i analizuar marrëveshjet historike ndërmjet Kishës Ortodokse Bizantine dhe Otomanëve për shfarosjen e shqiptarëve, atëherë na del një rezultat i kësaj shpërnguljeje si mashtrim serb për shpërnguljen serbe. Dokument i gjallë janë trashëgimtarët e atyre të shpërngulurve që gjenden edhe sot e kësaj dite në tokat e përmendura më lart dhe që flasin ende shqip.

Por, të nisemi edhe nga një fakt tjetër; domethënia e emrit “serb”. Historiani çek Josef Holeček (1853 Stožice - 1929 Praha) thotë: Emri “serb” u mor pas shekullit të mesëm dhe s’ka lidhje me etninë serbe, që pas shekullit XX grupi religjioz i fesë ortodokse të Ballkanit e formoi emrin serb për etninë që sot quhen “serbë”.


Emri “serb” ishte emër kyç vetëm për ortodoksët, e jo për përcaktim të një etnie, kemi mijëra të dhëna historike për këtë, shkruan Josef Holeçek. Shkojmë më tutje, Stojan Novakoviq (1842-1915): Nuk ka dyshim që ortodoksët janë quajtur serbë dhe nuk kishte etni serbe dhe as që ekzistonte- ("Prvi osnovi slovenske književnosti među balkanskim Slovenima", Beograd 1893, Stojan Novakoviq).

Diplomati Rus Giljferding: Deri në mesin e shekullit XIX, ke vënë re se të gjitha kombet që e kishin fenë ortodokse quheshin serbë.

http://montenegrina.net/pages/pages1/is ... o_u_cg.htm. Vuk Karaxhiq në vitin 1834 ishte ai i cili e detyroi Njegoshin që ta sajojë një etni serbe: Autori Lubomir Nenadoviq, profesori i Shkollës së madhe të Beogradit Vladimir Kariç më 1887 shkruan: “Serbit i është e rëndësishme të quhet i krishterë dhe i krishterë ortodoks dhe shkon aq larg sa nuk e dallon fenë me kombësinë kështu që ai i quan serbë çdonjërin vetëm pse është ortodoks (Serbija, 1887).

Kishat e ndërtuara në kohën e sundimit bizantin

Simo Matavulj në librin e tij "Bilješke jednog pisca", Beograd 1939, shkruan: “Serbë janë quajtur vetëm ortodoksët dhe i ishte vetëm vendi i përkatësisë fetare ortodokse”. Mark Milani shkruan: “Fisi Kuqi u shkapërderdh sepse morën ryshfet nga turqit për vetëtradhëtim si për shembull Lul Palpllumbi, turk i fshatit Ledinë; Pal Leka, latin i fshatit Bankani; si dhe Punan Deda (Dedin) serb i fshatit Berovë, Beqo Saviqev serb nga fshati Leva Reka. Që të katërtit kanë marrë para me kapuç nga turqit” (Atdhetari Shkup).

Bëhet zbërthimi, latini pra katolik, turku-mysliman dhe serbi - ortodoks, pra që të katërtit të fisit Kuqi. Kurse Kuqët nuk ishin as latinë, as turq, e as serbë. Pra, emri “serb” ishte emër kyç vetëm për ortodoksët, e jo për përcaktim të një etnie, kemi mijëra të dhëna historike për këtë, shkruante Josef Holeçek.
Të shkojmë më tutje, "serv" në gjuhën bizantine është një fjalë që do të thotë "rob", "tzerboulianous", do të thotë ata që veshin veshje të varfra. Serbët kanë qenë të quajtur kështu për shkak se ata kanë qenë skllevër të Perandorisë Bizantine. Serb d.m.th. rob, thotë edhe Ismail Kadare.

Dhe, kjo është një tezë tjetër për vërtetësinë e së cilës unë nuk kam dyshim. Serb do të thotë rob serve, shërbëtor, skllav, servant. Vetë emri i tyre tregon që nuk janë etni natyrore, por besimtarë të grumbulluar rreth një besimi të caktuar (Atdhetari Shkup).
“Vërtet historia ka nevojë për dokumente thotë publicisti Arben Llalla, por në raste të caktuara ka nevojë edhe për logjikë të thjeshtë”. Duke i analizuar edhe pikturat e kohërave të ndryshme të shpërnguljes së madhe “serbe”, pra ortodokse, shohim që Kosova u zbraz nga rreth 400 mijë shqiptarë ortodoksë. Paramendoni rritjen natyrale dhe llogaritni. E gjithë kjo falë turkut, pardon otomanëve. Më duhet të shtoj se manipulimet historike - vjedhje e paskrupullta të serbëve e ilustron edhe kjo: Libri ‘Kosovo nekad i danas’ (Kosova dikur e sot) grup aut. serb e shqiptarë, bot. Beograd 1973, f. 416, e shkruar serbokroatisht e shqip, shkruan: Graçanica tashmë gjendet në themelet e një kishe më të vjetër, në të cilën ka qenë selia e Ipeshkvisë së Lipjanit. Kisha e Graçanicës, objekti më i vjetër i konstatuar është themeli i bazilikës tripjesësh të Bizantit të hershëm. Siç shkruan edhe akademiku M. Krasniqi në librin Rrënjët tona etnike, Prishtinë, 2002, f. 219-220, Graçanica, Patrikana e Pejës, Levishka në Prizren etj. janë ndërtuar në kohën e sundimit bizantin para ardhjes së serbëve. …(Serbia i ka borxh Kosovës territor rreth dy Kosova (1804 - 1878).
Vazhdojnë manipulimet

Manipulimet e tyre kanë qenë aq të mëdha sa edhe në ditët e sotme e kemi vështirë t’u kundërvihemi. Aq më tepër kur edhe pseudohistorianët që punojnë me udhëzime na e turbullojnë edhe më shumë mundësinë e sqarimit të plotë të një historie të vjedhur pa fije fytyre, “Fatbardhësisht libri i Buxhovit ‘Kosova’ e dekonstrukton një falsifikim serb rreth historisë së tyre nacionale, e bashkë me të edhe të historisë sonë. I kam lexuar të gjitha librat më të rëndësishme nga historiografia serbe, që nga haxhiografitë, si "Letopis popa Duklanina", "Istoria Slavena" të Mario Orbinit (1601), "Istoria slovena Ilirika Gornje Donje Mizije" te Gj. Brankoviqit, edhe librat e historianëve të tyre të parë Jovan Rajiqit, edhe S. Novakoviqit. S. Mijatoviqit, V. Gjorgjeviqit, J. Radonjiqit, K. Novakoviqit, A. Bogosavljeviqit, T. Stankoviqit, pastaj Fanulla Papazogllun, M. Budimirin, D. Bogdanoviqin e të tjerë dhe nuk ka asgjë tjetër, pos një falsifikimi të madh dhe përpjekjeve për ta përvetësuar një falsifikim të huaj. As ka shtet mesjetar serb (në të gjitha librat shkojnë paralel Rashka dhe Serbia - nuk dihet se ku është realisht kjo e dyta), e Rashka gjithnjë gjendet te shtetet tribale, e as nuk ka kishë serbe. Aq më keq, Serbia e tashme u bë një territor ku serbët nuk ishin as 1/4 e popullsisë ( Ramadan Musliu)”. Eh, hajni se jo mahi!


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...