2013-04-29

Amerikanët janë egoist!




Nëse doni që një amerikan të ju kryej ndonjë punë, mos i përmendni punën në grup, të mirën e bashkësisë apo kujdesin ndaj të tjerëve.
Një studim i ri në Psychological Science tregon se përpjekja për t’i bërë amerikanët të mendojnë për të tjerët është e dështuar dhe mund të zbres motivacionin e tyre.

Një grup i studentëve të universitetit të Stanford kanë qenë pjesë e këtij eksperimenti shkencor. Atyre u janë dhënë disa aktivitete logjike dhe fizike për t’i kryer.

Amerikanët evropian kanë treguar rezultate shumë më të dobëta kur atyre u është thënë që gjatë detyrës të mendojnë për ndërvarësinë. Ndërsa, amerikanët aziatik janë treguar të barabartë ndaj pavarësisë dhe ndërvarësisë. Në një test tjetër, studentët kanë shikuar ueb faqen e një lënde që promovonte vlerat e ambientit.

Amerikanët e bardhë kanë treguar më pak interes kur përshkrimi i lëndës nënvizonte fjalët si puna e përbashkët dhe marrja parasysh e pikëpamjeve të të tjerëve dhe më shumë interes kur në tekst nënvizoheshin vlerat ai ajo e të qenit i veçantë.

“Për t’i shtyer amerikanët të mendojnë dhe të veprojnë në ndërvarësi ne do të duhet t’i inkurajojmë ata për pavarësinë e tyre në mënyrë që t’i motivojmë sa më shumë” sugjeron MarYam Hamedani, njëra nga bashkë-autoret e këtij studimi.

“Thuani: ‘Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë’ në vend të ‘të gjithë marrim pjesë në këtë punë.’”

Teoria e re thotë se vdekja nuk ekziston




Shumë nga ne i frikësohemi vdekjes. Besojmë në të sepse na është thënë se do të vdesim. Njerëzit lidhen për trupin, kurse, siç e dimë, trupat vdesin. Mirëpo teoria e re shkencore thotë se vdekja nuk është akti final, shkruan në blogun e tij Robert Lanca, ekspert për teknologjinë e avancuar të qelizave.
Njëri nga aspektet e njohura të fizikës kuantike është se disa aspekte nuk mund të parashikohen në mënyrë absolute. Në vend të kësaj, ekziston një sërë observimesh të mundshme, secila me probabilitet të ndryshëm.

Një shpjegim i shpeshtë, interpretimi i “shumë botëve”, thotë se çdonjëra nga këto observime të mundshme korrespondon me një universum tjetër fare (multiuniversum).

Teoria e re shkencore e quajtur biocentrizmi shumë pak ka spastruar këto ide. Ekziston numër i pakufishëm i universumeve dhe gjithçka që do të mund të ndodhte, ndodhë brenda tyre. Vdekja nuk ekziston në kuptimin e plotë në këta skenarë. Të gjitha universumet e mundshme ekzistojnë në të njëjtën kohë, pa marrë parasysh se çka ndodhë brenda tyre.

Edhe pse trupat tonë janë të përcaktuar që të asgjësohen, ndjenja e jetës – “Kush jam unë?”, është në të vërtetë një fontanë me energji prej 20 vatësh e cila e kontrollon trurin. Mirëpo kjo energji nuk zhduket pas vdekjes. Njëra nga aksiomat më te besueshme të shkencës është ajo se energjia kurrë nuk vdes, ajo nuk mund as të krijohet as të asgjësohet.

A bartet kjo energji nga një botë në tjetrën?

Nëse gjykohet sipas biocentrizmit, hapësira dhe koha nuk janë objekte të forta çfarë ne i konsiderojmë. Në qoftë se lëvizni dorën në ajër – në qoftë se i largoni të gjitha gjërat, çfarë mbetet? Asgjë.

E njëjta gjë mund të aplikohet edhe në kohë. Ne nuk mund të shohim asgjë përmes ashtit që e mbulon trurin tonë. Gjithçka që shohim dhe ndjejmë aktualisht është një vorbull informacionesh që ndodh në kokën tonë. Hapësira dhe koha janë vetëm mjete që i shfrytëzojmë në mënyrë që të gjitha t’i lidhim.

Vdekja nuk ekziston në botën pa hapësirë dhe jashtëkohore.

Madje edhe Albert Ajnshtajn, në fund kishte pranuar: “Miku im i vjetër e braktisi këtë botë të çuditshme para meje. Kjo nuk do të thotë asgjë. Njerëzit, siç jemi ne, e dinë se dallimi në mes të kaluarës, të sotmes dhe të ardhmes është vetëm një iluzion këmbëngulës dhe kokëfortë”.

Pavdekësia nuk do të thotë ekzistim i përhershëm në kohën pa fund, ajo është e vendosur jashtë kohës.

Shkencëtarët danez afër gjetjes së ilaçit kundër virusit HIV


Shkencëtarët danezë besojnë se brenda disa muajsh ata do të prezantojnë një hap revolucionar drejt gjetjes së një kure kundër virusit HIV, i cili e shkakton AIDS-in.
Ata aktualisht po kryejnë teste klinike për të shqyrtuar një "strategji" të re rreth një aktiviteti i cili do ta shkëpuste virusin HIV nga ADN-ja e njeriut.

Gjithashtu, shkencëtarët danez presin që rezultatet do të tregojnë se ilaçi i ri është i mirë edhe për shpërndarje masive tek njerëzit e prekur nga virusi, dhe çmimi i saj të jetë i përballueshëm për çdo xhep, nëse një gjë e tillë është e mundur.
Shkencëtarët danezë janë duke kryer teste të shumta me pacientët, ndërsa me zbulimin e ri ata kanë arsye të shpresojnë se se metoda e re e shërbimit do të dëshmohet si e efektshme.

Sipas mjekut Ole Sogard, i cili është udhëheqës i ekipit hulumtues, rezultatet e para janë premtuese. "Unë jam pothuajse plotësisht i sigurt se ne do të jemi të suksesshëm në shkarkimin e HIV-it. Sfida është që të përcaktojmë sistemin imunitar të pacientit, për ta njohur dhe shkatërruar virusin. Kjo do të varet nga forca dhe ndjeshmëria e sistemit imunitar, të secilit person" tha ai

Miliona përdorues e “braktisin” Facebook-un





Dominimi i Facebook në botën e rrjeteve sociale është duke u vënë në kërcënim nga shërbimet e reja rivale si Instagram dhe Path.
Facebook ka humbur miliona përdorues brenda muajit në tregjet e saj më të mëdha, thuhet sipas të dhënave të agjencive të pavarura, ndërsa rrjetet sociale alternative janë duke tërhequr vëmendjen e atyre që kërkojnë shërbime të freskëta dhe argëtim të ri online.

Ndërsa Facebook po përgatitet për t’i informuar investitorët mbi ecurinë e biznesit të saj në tre muajt e parë të vitit, dhe kur analistët parashikojnë rritjen e të hyrave të rrjetit social deri në masën prej 36 për qind në krahasim me vitin e kaluar, studimet e reja sugjerojnë se zgjerimi i Facebook në SHBA, Britani të Madhe dhe vendet tjera të mëdha evropiane ka arritur kulmin.
Në muajin e fundit, rrjeti më i madh social në botë ka humbur 6 milionë përdorues amerikanë, shifër e cila ka shënuar një rënie kjo prej 4 për qind, thuhet sipas kompanisë së analizave për rrjetet sociale - SocialBakers.

Në Mbretërinë e Bashkuar, 1.4 milionë përdorues më pak e kanë kontrolluar profiling e tyre në rrjetin social në muajin e kaluar, për të shënuar një rënie prej 4.5 për qind. Rënia e shkallës së përdorimit të Facebook tani është qëndrueshme. Në gjashtë muajt e fundit, Facebook ka humbur gati 9 milionë përdorues aktivë mujor në SHBA dhe 2 milionë në Britani të Madhe.

Edhe disa nga përdoruesit të cilët vijnë nga Kanadaja, Gjermania, Spanja, Franca dhe Japonia e kanë braktisur Facebook-un gjatë kësaj kohe, ndërsa këto shtete kanë numrin më të madh të përdoruesve në rrjetin social. Një zëdhënëse e Facebook nuk pranoi të komentojë lidhur me këto zhvillime, kur u pyet nga disa nga mediat më të mëdha në botë

Egin Neritan Ceka hyri ilegalisht në takimin e Edi Ramës?




Fatmir Velaj, një nga organizatorët e eventit të Akademisë Diplomatike të Vjenës, forumi “Dialog me z. Edi Rama”, ka kontaktuar me drejtuesin e “Renner- Institut”, Gerhard Marchl, të cilit i ka kërkuar, nëpërmjet një emaili që të vërtetojë se ka pasë ftesë apo jo djali i Neritan Cekës, Egin Ceka.
Në emailin me përgjigjen e Gerhardit bëhet me dije se “janë regjistruar dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen 92 persona në forumin ‘Dialog me z. Edi Rama’ në bashkëpunim me Akademinë Diplomatike të Vjenës, si dhe ambasadori Heidemaria Gurer e ambasadori i Kosovës në Austri, z. Sabri Kiqmari. Egin Ceka nuk është regjistruar në këtë forum”, thuhet në emailin dërguar nga Gerhard Marchl.

Pretendimet e Egin Cekës se kishte ftesë, gjatë një interviste të dhënë në median vizive, bien poshtë nga organizatorët dhe protagonistët e shumtë të këtij forumi. Sipas organizatorëve, emri i Cekës nuk ka qenë ne listë. Pjesëmarrësit në forum kanë qenë të gjithë austriak dhe vetëm tre presona shqiptarë, shkruan Shekulli.

Ceka e ka marrë ftesën, por nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen. Sa i përket pretendimeve të Cekës se kishte ftesë, Velaj deklaron se “Ceka do ketë marrë ftesë sepse unë vetë e shpërndava në pesëmijë adresa”.

“Por, diplomatët që kanë pasur interes të vijnë kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe ne ju rezervuam vendet”.

SaliBerisha: Rexhe Qosja, me mendime të mykura



Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka quajtur akademikun kosovar Rexhep Qosja "fosile e botës së vjetër sa i takon anës parimore dhe me mendime të mykura" ndërsa koalicionin e majtë si grumbullim të bijve të etërve të bllokut, të grupuar si strukturë në një betejë të përhershme kundër realitetit të sotëm shqiptar.
"Në prani të një grupi pak a shumë liberal hapet çështja: Sali Berisha e Enver Hoxha, dhe ky bashkë me avokatin mahnitën të pranishmit se Enver Hoxha bëri shtet, në këtë pikëpamje. Këtë tezë e përhap dhe Qosja që është një fosile e botës së vjetër sa i takon anës parimore”, ka thënë Berisha në Durrës, transmetojnë mediat.

Megjithatë Berisha e vlerëson veprën e Qosjes “Vdekja me vjen prej syve të tillë”, të cilën e konsideron kryevepër.

“Por mendimet e tjera i ka nga më të mykurat. Ai hapi tezën se Enveri bëri shtet dhe në darkë, kur e pyetën avokatin i thonë po mirë ti i bëre kaq vite burg, më tha më futi por me ligj. Pse i them këtu: bijtë e etërve të bllokut janë grupuar, strukturuar në një betejë të përhershme kundër realitetit të sotëm shqiptar”, ka thënë Berisha.

Ndryshe Berisha ka vazhduar me të njëjtin replikë.

“Shkonte dje në Vlorë, çfarë u thoshte , u bëtë si në kohën e Selam Musait, Berisha ju ka izoluar ju. Nëse ka ndonjë një rreth që ka qenë në krye, Vlora ishte, se e meriton dhe ky njeriu u thotë se jeni bërë si në kohën e Selam Musait”, tha Berisha nga Durrësi, ku ndodhet për të zhvilluar një bashkëbisedim me punonjëse dhe menaxhere të angazhuara në biznes.

Historia e tre luftëtarëve shqiptarë, të vrarë në Siri





Vlora ishte qyteti i lindjes, ndërsa Damasku, shtëpia e tij. Jeta e Ermal Xhelos, 35-vjeçarit të pasionuar pas kulturës siriane ishte e ndarë për 9 vjet mes dy botëve, deri në zgjedhjen fatale: luftë deri në vdekje kundër regjimit të Bashar al-Assad.
Në shtëpinë e tij në Vlorë, derën e hap një grua rreth të 60-ave, e veshur krejt në të zeza. Dyshuese për të panjohurin që sheh përballë, Vahide Xhelo na pret me një pyetje. “Mos jeni gjë të SHIK-ut?” , thotë ajo, e pasi bindet për të kundërtën, na fton në apartamentin modest, që ndodhet në katin e gjashtë të një pallati në lagjen “Pavarësia”, shkruan gazeta “MAPO”.

Tregon se Ermali iku për herë të fundit drejt Sirisë në gusht të vitit të kaluar. Prindërve u tha se do të ikte në Turqi për të takuar baxhanakun, që ishte zhvendosur atje nga rreziku i luftimeve në Siri.

“Iku pa më thënë gjysmë fjale, pa më thënë se ku do të shkonte. Tani rri qaj këtu. Vuaj si nëna për birin e vdekur”, shprehet me lot në sy ajo, pa mundur të kuptojë luftën e të birit.

Ermal Xhelo është një nga tre shqiptarët që luftuan përkrah forcave antiqeveritare dhe u vranë në Siri. Lajmi për vrasjen e tij mbërriti si bombë në Vlorë, në dhjetor 2012, ndërsa trupi i pajetë, pak ditë më vonë. Nëna e tij tregon se ai kishte shkuar atje për të mësuar gjuhën arabe e më pas ishte njohur me Kitamin, një vajzë nga Damasku, me të cilën ishte martuar.

Djalë i një ish-të përndjekuri politik, Ermali kishte nisur një jetë të re në Siri, derisa trazirat e vitit 2011 kthyen gjithçka përmbys. Ndërsa nëna e tij tregon, në dhomë hyn nusja e Ermalit, e veshur me hixhab, e cila ndodhet në Vlorë bashkë me tre fëmijët që prej dhjetorit të vitit 2011.

Kitami tregon me një shqipe të çalë se Ermali nuk kishte asnjë interes të bëhej teolog. Thotë se jetesën e fitonte përmes menaxhimit të një picerie, ndërsa me nisjen e luftës, shpresa e të dyve ishte që gjithçka të përfundonte shpejt. Kur ishte shtatzënë me djalin e tretë, Ahmedin, vendosën të vinin përkohësisht në Shqipëri. Gjithmonë duke menduar se lufta do merrte fund shpejt.

“Aeroporti ende punonte i qetë dhe nuk kishte probleme. Edhe bileta gjendeshin pa shumë problem”, thotë Kitam, e cila tregon më pas se mbërrin në Vlorë pas një nate qëndrimi në Stamboll. Por çfarë e shtyu Ermalin të rikthehej në Damask, për t’u bërë pjesë një lufte, fundi i së cilës duket ende i largët?

“Iku, sepse Siria ishte vendi i tij. Nuk e shtyu asnjë njeri”, thotë e veja e Ermal Xhelos, e cila mohon dyshimet se i shoqi kishte lidhje me grupet ekstremiste.

Raportet nga vendet perëndimore tregojnë se qindra evropianë kanë udhëtuar drejt Sirisë, për të luftuar kundër regjimit të Al Assadit. Gazeta “Indipendent” vlerëson se më shumë se 100 britanikë luftojnë në Siri; “Le Figaro” raporton për 50-80 francezë, “Der Spiegel” flet për duzina me gjermanë, ndërsa gjithë sa dihet në Shqipëri, është lajmi për tre të vdekur.

Shqiptarët dhe kosovarët që luftojnë përkrah forcave rebele përmenden edhe në një vëzhgim të Qendrës Ndërkombëtare për Studime mbi Radikalizimin të King’s College në Britani.

“Mobilizimi në konfliktin sirian është më domethënësi se në çdo konflikt tjetër i armatosur në kohët të fundit”, thotë drejtori i Qendrës, Peter Neuman, i cili shpjegon se shumicën e njoftimeve për martirët e luftës në Siri i kanë gjurmuar në sitet online të xhihadistëve.

“Siria është historia e vërtetë. Nëse e fut veten në mendjen e një xhihadisti, do të doje të luftoje në zemrën e botës Arabe”, thotë profesori i Kings College.

Në Shqipëri, njerëzit e Islamit kanë të dhëna për rreth 50 besimtarë, të përfshirë në luftimet e përgjakshme kundër regjimit të Al Assad. Megjithatë, askush nuk mund të thotë me siguri se sa dhe kush janë luftëtarët shqiptarë të forcave rebele. Bashkë me Ermal Xhelon, numërohen tre shqiptarë dhe dy kosovarë të vrarë gjatë vitit të fundit.

Anri Maliqi është shqiptari i dytë që gjeti luftën dhe vdekjen në këtë vend të botës Arabe. Familja e tij, e shoqja dhe tre fëmijët jetimë banojnë në fshatin Prush të Tiranës. Trokitjes në portën e shtëpisë 2-katëshe i përgjigjet gruaja e veshur në të zeza.

“Nuk dua t’i bini më derës. Nuk dua të më shqetësoni më për këtë punë”-thotë ajo, duke tërhequr pas vetes portën e zezë të shtëpisë. Një burrë tek të 50-at, që e sheh gjithë skenën thotë se e ka kushërirë, gruan e Anri Maliqit. “Ka mbetur me tre fëmijë jetimë. Nga ana ekonomike e ndihmon i ati. Përpara se të shkonte në luftë, Anri bënte ndonjë punë, por tani e kanë të vështirë”, tregon ai, duke shtuar se askush nga familja e të vrarit në Siri nuk dëshiron të flasë me median.

Në një bisedë telefonike me “Shqiptarja.com”, nëna e Anri Maliqit ka pohuar kohë më parë se lajmi për vdekjen e të birit i mbërriti në celular nga një numër i panjohur. Njësoj si Vahide Xhelo, edhe ajo ishte “gënjyer” prej të birit, i cili para nisjes në luftë, i kishte thënë se po udhëtonte drejt Turqisë. Raportime për lajmërime vdekjesh nga numra të panjohur ka edhe në Kosovë, në rastin e Naman Demollit.

Mediat kosovare raportojnë të njëjtën skemë: u kishte thënë familjarëve se do të shkonte në Turqi, por një mesazh u bënte me dije se ishte vrarë gjatë luftimeve në Alepo. Në fshatin Prush, ku banonte Anri Maliqi, ende nuk i kuptojnë arsyet e luftës së tij. Në xhaminë e këtij fshati, falja e së premtes udhëhiqet nga imami Idriz Zeneli.

“Lutjuni Allahut për mëshirë dhe paqe”, është një nga fjalitë që i rrjedhin lirshëm hoxhës me flokë të thinjura, ndërsa zëri i tij kapërcen muret e xhamisë së vogël të fshatit.

Imami tregon se nuk e ka njohur Anri Maliqin, i vrarë në nëntor të 2012, por di se ai është falur disa herë në xhaminë e fshatit.

“Nuk e mbaj mend. Ajo që di është se ai falej tek një xhami që ndodhet në Unazë të Re”,thotë Imami. Idrizi i përket linjës tradicionale të besimit Islam dhe nuk i kupton arsyet apo dëshirën për t’u bërë hero në vend të huaj.

“Vajtja në luftë në një vend të huaj mund të ketë shumë arsye, por ata mendojnë se bëhen heronj. Nuk mund të bëhesh hero duke luftuar për një vend të huaj, kur ke lënë fëmijët e tu jetimë, gruan e ve dhe prindërit me zemër të ngrirë”, thotë Imami, ndërsa shpreh dyshime se këta njerëz janë të keqdrejtuar nga ndonjë person i dalë nga rruga e drejtë e Islamit.
Imami i xhamisë së Prushit është gjithashtu i shqetësuar për ndasitë mes myslimanëve apo për disa objekte kulti, që nuk kontrollohen prej Komunitetit Musliman apo autoriteteve shtetërore.

“Këta njerëz mund të na dëmtojnë, mund të nxisin dhunë fetare pas kthimit në Shqipëri, mund të sjellin një këndvështrim ekstremist”, thotë Zeneli, i cili bën thirrje që njerëzit të kontribojnë më së pari në përmirësimin e shoqërisë ku jetojnë.

Në Unazën e Re, xhamia 4-katërshe dallon së largu prej të tjerave. E veshur e tëra me material hidroizolues, objekti i kultit ngjan me një kompleks të mirëinvestuar.

Është xhamia kur predikon Abdurrahim Balla, ish- ligjërues në xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës. Imamin nuk e gjejmë në xhaminë ku falej Anri Maliqi, por besimtarët na thonë se pritet të mbërrijë shpejt. Pak minuta më vonë zbret nga një makinë rrëzë xhamisë: dallon nga mjekra dhe pantallonat mbi kërcinjtë e këmbës. Pranon hapur se nuk ka asnjë lidhje me Komunitetin Mysliman, e madje është i revoltuar me këtë institucion.

“Ky komunitet nuk përfaqëson myslimanët e po vjedh pronat e tyre”, akuzon Abdurrahimi, duke thënë se qëndrimet e tij i dinë tashmë të gjithë. Kur e pyesim për Anri Maliqin dhe vrasjen e tij gjatë luftës në Siri, imami e cilëson vendimin e tij si diçka personale.

“Vajtja e një personi në luftë është diçka shpirtërore e njeriut. Ai vetëm mund të vendosë nëse duhet të shkojë apo jo”,- përgjigjet ai. Nuk pranon të ketë nxitur besimtarët për t’iu bashkuar forcave antiqeveritare në Siri, por nuk e mohon se predikimi i tij përmend hera-herës edhe Xhihadin. Ndërsa nxiton të futet në xhami, imami pyet: “Nëse Kurani përmend Xhihad, pse unë nuk duhet ta përmend!”.

Shqiptarët e vrarë në Siri:
Ermal Xhelo, 35 vjeç, nga Vlora
Anri Maliqi, 33 vjeç nga Prushi i Tiranës
Denis Jangulli, 30 vjeç nga Dibra, me banim në Tiranë ( i pakonfirmuar).
Naman Demolli, nga Kosova, rreth 30 vjeç
Muhamed Kopriva, 22-vjeçar, nga qyteti i Mitrovicës

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...