Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/05/20

Terrorizmi, rrezik mesatar për Kosovën dhe Shqipërinë


Terrorizmi, rrezik mesatar për Kosovën dhe Shqipërinë
Kompania e sigurimeve “Aon” dhe ndërmarrja për këshillime “The Risk Advisory Group” kanë hetuar 200 vende të botës lidhur me shkallën e rrezikut terrorist që ekziston në to.
Vlerësohet se në afërsisht 90 vende, përfshi vendin tonë dhe Kosovë, rreziku që firmat ose personat të bëhen viktima të sulmeve është mesatar.
“Harta botërore e terrorit”, e realizuar në bazë të këtyre hetimeve ka marrë për bazë tri kritere: 1. Terrorizmi dhe sabotazhi; 2. Grevat, kryengritjet, trazirat dhe dëmtimi i qëllimshëm i pasurive si dhe 3. Trazirat, revolucioni, rebelimi, anarkia, lufta dhe lufta civile.
Vendet më të rrezikshme sipas kësaj “Rangliste” rezultojnë Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
Terrorizmi dhe sabotazhi paraqesin kërcënimet më të mëdha në 85 për qind të vendeve të këtij rajoni.
Egjipti ka hyrë sërish në rrethin e ngushtë të shteteve më të rrezikshme. Pas tij vinë Siria dhe Libia si vende “me rrezik serioz”.
Edhe vendet si Pakistani, Afganistani, Irani, Iraku, Libani dhe Jemeni bëjnë pjesë në grupin e vendeve me rrezik më të madh të sulmeve terroriste.
Rreziku nga terrorizmi sipas raportit të “Aon” është sfidë e madhe sidomos për ndërmarrjet që punojnë në nivele ndërkombëtare. Por, nuk është vetëm Afrika vend me rreziqe.
Edhe vendet e Europës Juglindore përballen me një rrezikshmëri e ngritur, bazuar në trazirat qytetare. Si shembuj merren Turqia dhe Greqia me shkallën e rrezikut të vlerësuar si “të lartë”, ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnja ndodhen në zonën e rrezikshmërisë së mesme.
Edhe Franca dhe Spanja konsiderohen në bazë të këtij raporti si shtete me rrezikshmëri mesatare. Ndërsa SHBA. Gjermania dhe Austria hynë në mesin e vendeve “me rrezikshmëri të ulët".
Por, jeta më e sigurt është ajo në Finlandë, Danimarkë, Norvegji, Zvicër, Japoni, Australi, Zelandë e Re, Botsvana dhe Uruguai.
Megjithatë, ai që dëshiron t`i shpëtojë me të vërtetë rrezikut nga terrori, duhet “të strehohet” ne Groenlandë. Sipas ekspertëve të “Aon”-it, ky vend praktikisht është i vetmi jashtë zonës totale të rrezikut terrorist.

Murat Jashari: Liderët politikë janë shndërruar në mbretër


Murat Jashari: Liderët politikë janë shndërruar në mbretër
Liderët politikë dhe institucionalë të vendit, janë dashuruar me pushtetin, dhe për asnjë çmim nuk pranojnë të ikin nga aty, duke u shndërruar në mbretër, vlerëson Murat Jashari.
“Kosova nuk ndodhet në situatë të mirë, dhe kjo nuk është pa fajin e lidershipit politik të vendit, të cilët janë dashuruar me pushtetin dhe nuk e kanë ndjesinë e halleve të popullit”, ka thënë Murat Jashari.


Ai thotë se liderët duhet të ndërrohen, pasi të qenit në pushtet për një kohë të gjatë i ka shndërruar ata në mbretër. Kosova ka nevojë për liderë të rinj dhe të pastër në ndërgjegje, vlerëson Jashari.
Kur flet për evidentimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, dhe vrapin e marrjes së meritave të paqena, Jashari thotë se “me disa kategori duhet pasur kujdes, sepse përveç që është e padrejtë, është edhe ofendim për ata që kanë luftuar dhe kanë lënë gjymtyrët e tyre të trupit për lirinë e vendit”.


Familja Jashari, thotë ai, do të vazhdojë të kritikojë ata që nuk punojnë si duhet për këtë vend dhe jo t’i duartrokasë dhe se nuk u intereson nëse kjo u pëlqen apo jo liderëve politikë të vendit, sikur kryeministrit Hashim Thaçi, i cili për mbetje hatri, ka dy vjet që nuk ka shkelur në kullën e kësaj familjeje.


Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku nuk hyjnë dot në Kullën e Jasharëve në Prekaz, për shkak të qëndrimeve kritike të familjes Jashari për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Jashari ka thënë Kosova është larg prej asaj që është pritur dhe është koha e fundit që të ketë ndryshime politikanësh. Ai e ka krahasuar gjendjen aktuale me atë të viteve ’90, duke thënë se njerëzit po kërkojnë të dëshpëruar që të dalin jashtë për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike.

Përfaqësuesi i  Jashari ka thënë se Kosova është larg prej asaj për të cilën kanë sakrifikuar breza të tërë, dhe se duhet më shumë punë për të pasur atë që kemi dëshiruar.

Ai ka kritikuar gjendjen në të cilën gjendet sidomos shëndetësia e Kosovës, duke thënë se njerëzit e duhur të në të gjithë sektorët nuk janë vendosur aty ku duhet.

2013/05/19

Qytetet pa qytetërim





Babai i nobelistit hebre Isacc B. Singer thoshte se është çmenduri të lexosh gazetat në mëngjes, të sapozgjuar. Në atë moment shpirti dhe trupi, të sapodalë nga pushimi i natës, janë të hapur, pra, janë të zbuluar përpara çdo rreziku. Është fiks një akt mazohizmi të humbësh kohën me kronika të zeza varresh. Është më mirë, këshillonte, të lexosh të përditshmet një ditë më pas, kur pjesa më e madhe e lajme të këqija ishin, në pjesën më të madhe të tyre, të metabolizuara. Reflektime të këtij tipi bëheshin në fillimet e viteve 1900, kur lajmet, në ndryshim nga ato të sotmet, ishin për pak veta, e sidomos të elitës së një kombi. Çfarë do të thoshte, plaku Singer, po të merrte një gazetë shqiptare sot për shembull?
Do të mësonte se në disa qytete shqiptare ndodhin gjëra të pabesueshme. Sepse disa qytete kanë një llokmë qytetarësh që arsyeja u është bërë një funksion i parëndësishëm. Arsyeja për ta është fajtore e kapur në flagrancë, dhe për këtë arsye është në kërkim të paditur. Për shembull në një qytet shqiptar vetëm në një ditë ndodh:
Tiranë- Gjashtë vjedhje pa autor brenda një nate në Tiranë. Grupet e hajdutëve në kryeqytet duket se janë aktivizuar në mënyrë "të rrezikshme" gjatë 24 orëve të kaluara. Pothuajse të gjitha komisariatet e Tiranës kanë marrë dje kallëzime për vjedhje dyqanesh, makinash, motorësh dhe çantash. Pak koment: këto gjashtë autorë janë të rrezikshëm sepse janë pjesë e grupit famëkeq ndërkombëtar të Luigi Pirandello-s, ku policia italiane njofton se janë gjashtë personazhe në kërkimi të një autori. Dhe jo gjashtë hajdutë.
Vlorë– I dehur masakron të shoqen, nënën e 3 fëmijëve të mitur. Krimi në familje u regjistrua këtë herë në fshatin Armën të Vlorës, kur Maksim Hodaj, 36 vjeç rrahu e më pas i përplasi kokën për vdekje gruas 33-vjeçare, Luljeta. Pak koment: Luljeta që kishte 33-vjeç po aq sa kishte dhe Jezu Krishti-t kur i vunë në krye kurorën me gjemba. Jeta e saj nuk ishte me lule, por plot gjemba armënie dhe Maksimi, terrorist infantil, gllabërohej dëng nga pija jetëshkurtër, e cila pastaj afërmendsh të bën të presësh rrënjët e një trëndafili. Maksim-umi i kriminelit.
Berat - Vodhi burrin, hetohet 34-vjeçarja. Ndiqet penalisht 34-vjeçarja, e akuzuar për vjedhjen e 1 milion lekëve burrit të saj. Nëna e 4 fëmijëve, banore e fshatit Goriçan në Berat, sipas policisë u gjet në Sarandë, bashkë me të dashurin e saj të ri. Pak koment: jemi të mendimit se në këtë rast më shumë se gorja duhesh hetuar Burri dhe jo gruaja, sepse ky beratasi na ka treguar edhe njëhere tjetër, kësaj here në mënyre eklatante, dobësinë që ka kategoria jonë mashkullore përkundrejt femrës. Dënimi duhet të jetë në proporcionalish me 1 milion lajka që i ka dhënë i dashuri fringo.
Tiranë - Zhduket italiani me makinën e marrë me qira: Një i moshuar italian është zhdukur në mes të Tiranës bashkë me makinën e marrë me qira. Denoncimi është bërë nga kompania që kishte lëshuar makinën, por policia nuk po gjen jo vetëm makinën, por edhe italianin. Pak koment: edhe italianët vjedhin do thoshte dikush? Nuk ka asgjë për t’u befasuar. Sepse do të duhej të dinim se ky nuk është italian, por është napoletan; dhe çdo napoletan i mirë, e di artin e zhdukjes pa lënë gjurmë.
Shkodër - Janë plot 112 familje të ngujuara vetëm në Qarkun e Shkodrës. Në përfundim të projektit të inicuar nga Forumi i Mendimit të Lirë ka rezultuar se në Qarkun e Shkodrës janë 323 persona të ngujuar dhe mes tyre janë identifikuar 77 të mitur që janë në moshën e arsimimit të detyruar. Probleme me arsimin, me zhvillimin dhe me varfërinë. Pak Koment: ky është sezoni i fushatës elektorale, ku më shumë flitet për Kodin Zgjedhor sesa për kodin e Lekë Dukagjinit. Si gjithmonë, ne shqiptarët shtrijmë këmbët më larg se jorgani. Dhe jorgani nuk është prej atlasi. Është i bërë nga rrecka mburrjesh. Politikë e re, probleme shekullore.
Tiranë - Kuzhe: Shqipëria ime i ka shanset t’i shokojë portugezët. Trajneri i ri i Kombëtares: Kjo skuadër më kënaq, mund të bëjë surprizën. Koha e përgatitjes së ndeshjes në letër përfundoi. Sot në mbrëmje do të zbresin në fushën e “Qemal Stafës” Shqipëria e Portugalia. Janë në pozita diametralisht të kundërta. Për kuqezinjtë e dalë jashtë objektivave do të jetë një ndeshje prestigji, ku trajneri i ri, Josip Kuzhe, duhet të kalojë me suksese debutimin në pankinë. Pak koment: nuk kishte si të mos na shokonte trajneri Kuzhe. Skuadra e tij luajti mirë, me pasime të shkurtra e të gjata. Ishte e mrekullueshme. Përgatitja nuk ishte vetëm në letër. Ndeshja konfirmoi edhe njëherë tjetër prestigjin tonë: si humbës. Shqipëri-Portugali: 1-2. Debutim me sukses.
Dibër: Mediu: Luftë ndaj krimit dhe korrupsionit. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi dje në Dibër një miting me simpatizant e republikanëve në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij, ai tha se për koalicionin e djathtë, vendosja e shtetit ligjor do të mbetet një prioritet edhe për mandatin e dytë qeverisës. Pak koment: ja kjo është sikur Ponc Pilati të ishte një prej apostujve të krishtërimit. Sikur presidenti i Iranit Ahmadinejad të konvertohej si hebre sionist, sikur Ahmet Zogu të ishte sot president i republikës. Sikur Gramor Ruçi të bëhej kryetar i shoqatës së lëvizjes së dhjetorit. Sikur Aranit Çela të kërkonte dëmshpërblim si ish-i përndjekur. Sikur Skënder Gjinushi të ishte pa vetulla. Sikur Gebëlsi të shkruante libra për fëmijë. Sikur Mero Baze të ishte gazetar sportiv. Sikur Mustafa Nano të ishte intelektual. Të kuptohemi, djalli është optimist nëse mendon të përkeqësojë edhe më jetën e shqiptarve.
Ndoka në Durrës: PS-PD po tallen, ne zgjidhim hallet. Përfaqësuesit e koalicionit parazgjedhor “Poli i Lirisë”, çelën ditën e djeshme fushatën e tyre zgjedhore në qytetin e Durrësit. Gjatë fjalës që mbajti kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka deklaroi se dy forcat e mëdha politike ishin tallur me kandidaturat e vendosura për këtë qytet. “Të tallesh me Durrësin, siç kanë bërë edhe deputetët e zgjedhur deri tani në këtë qytet, është jo vetëm e turpshme por politikisht edhe e dënueshme”, deklaroi Ndoka gjatë fjalës së mbajtur. Pak koment: Jam për shpërndarjen e budallallëkut. Për shumë kohë është përqendruar në një pikë të vetme. Pika është te laguna e Nardit. Nardi do të zgjidhë hallet. Ku do të shkojnë këto hallat e Nardit. Po sikur Nardi të kishte shumë teze, kur do t’i zgjidhte? Dhe pse? Apo po tallet? Si gjithmonë fjala u është dhënë njerëzve për të fshehur mendimet e tyre.
Fund: Në qoftë se lajmet sjellin frikë, fjalët që i rrëfejnë ato sjellin më shumë frikë. Në fund të fundit, fjala hyn si pykë në memorie e ndihmon të kujtosh atë apo këtë fakt, duke i rikthyer si një fishkëllimë akute që thërret qenin e kufirit të një demokracie.

"Sindromi i Lolitës"



Marre nga libri "Pedofilia. Krime seksuale ndaj te miturve", i autores Aranita Brahaj

“Fëmijët, gjithnjë e më shpesh po bëhen viktima të veprimeve dhe mosveprimeve që cenojnë jo vetëm moralin dhe dinjitetin e tyre, por edhe shëndetin fizik dhe psikologjik”. Me këtë fjali sensibilizuese, prof. asoc. Vasilika Hysi, na shtyn drejt një leximi dhe reflektimi për librin e Aranita Brahajt, “Pedofilia, krimet seksuale ndaj të miturve”, si një punim në shkencat juridike penale. Ky libër trajton disa nga format më të rënda të veprave penale të drejtuar ndaj të miturve. Tërheqja nga adoleshentët (pubertet) përkufizohet me termat efebofilia dhe ninfofilia ndryshe edhe “Sindromi i Lolitës”. Tekstet shkencore të Mjekësisë Ligjore për studentë të së Drejtës nuk japin asnjë definicion për fenomenin pedofili dhe subjektin pedofil. Për fat të keq, megjithëse Organizata Botërore e Mjekësisë (OMS/WHO) e ka klasifikuar pedofilinë si sëmundje që në botimin e “Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders” – “Manuali Diagnostifikues dhe Statistikor i Shqetësimeve Nervore DSM” botuar në 1952, në tekstet shkencore të mjekësisë ligjore për studentë të Juridikut apo Mjekësisë nuk kemi asnjë përkufizim apo kategorizim të fenomenit (diagnozës). Nga ana tjetër, në botimin e Mjekësisë Ligjore me autorë prof. dr. Sokrat Meksi dhe prof. dr. Bardhyl Çipi (2003) jepet kategorizimi i perversioneve seksuale ku përfshihen: homoseksualizmi; fetishizmi; zoofilia; sadizmi ose mazohizmi; nekrofilia; ekzibicionizmi. Shpesh termi pedofili përdoret për të përcaktuar një tipologji të tërë krimesh, që do të thotë veprime të jashtëligjshme që janë pasoja të dëshirës seksuale pedofile. Këto akte të paligjshme mund të përfshijnë akte të rënda dhune në kryerjen e veprimeve me të miturit apo veprime të pakarakterizuara nga asnjë lloj dhune apo kërcënimi, në të dyja rastet kemi të bëjmë me krim, pra me vepër penale të konsumuar. Abuzimi seksual përbën gjithmonë një akt konfuz që cenon, shkatërron personalitetin e të miturit. Diagnoza në psikiatri Tërheqja seksuale nga fëmijët në çfarëdolloj niveli nuk është e mjaftueshme për diagnozën pedofili. Psikiatria i përkufizon pedofilët si persona mbi moshën 16 vjeç, për të cilët fëmijët femra apo meshkuj, përbëjnë objekt seksual të preferuar ose është objekti i vetëm seksual që identifikohet nga ata. Duhet gjithashtu që kjo simptomë të zgjasë në mënyrë të vazhdueshme pa ndërprerje për të paktën 6 muaj. Nuk konsiderohet pedofili rasti i personave madhorë kur diferenca në minorenin është më pak se 7 vjet. Nuk konsiderohen pedofilë personat që tërhiqen seksualisht nga fëmijë të cilët janë rreth 12 vjeç apo më të rritur, por që kanë arritur zhvillimin pubertal. Tërheqja nga adoleshentët (pubertet) përkufizohet me termat efebofilia dhe ninfofilia ndryshe edhe “Sindromi i Lolitës”. Kriteri psikiatrik parashikon specifika të ndryshme, pedofilia mund të jetë: e tipit ekskluziv (tërheqje vetëm nga fëmijët) ose e tipit jo ekskluziv tërheqje edhe nga persona të rritur. E tipit e diferencuar që do të thotë tërheqje vetëm nga njëri seks dhe jo e diferencuar tërheqje nga persona të të dy sekseve. Tërheqja ndaj fëmijëve meshkuj rezulton më e fortë më rezistente dhe e pandryshueshme tek rastet e pedofilisë dhe rasti i pedofilit që ka karakteristikë të tërhiqet seksualisht vetëm nga fëmijët meshkuj ka më shumë prirje për të qenë përsëritës. Tipi i padiferencuar nga ana mjekësore është më i rëndë se tipi i diferencuar. Është edhe një tip tjetër pedofili që është i kufizuar tek incesti (interes i treguar vetëm ndaj fëmijëve (bijve) të tij ose motrat apo vëllezërit e subjektit pedofil). Sipas kësaj metode, ka disa kushte nëpërmjet të cilave mund të diagnostikohet një individ si pedofil. Nga ana tjetër, kategorizimi mjekësor nuk konsideron aspekte dimensionale të shqetësimit, pra shkallën e shqetësimit seksual si çështje e psikiatrisë. Vlen të thuhet se në përgjithshmin e së njëjtës diagnozë ekzistojnë manifestime të të qenit rëndë. Dhe vetëm një rast i trajtuar nga psikopatologjia seksuale është e mundur të përshkruhet, përkufizohet me përpikmëri. Duke parë disa kritere dhe kushte të përshkruara më lart mund të themi se procedimet për vepra penale krime seksuale apo vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit të të miturve, duhet të realizohen domosdoshmërisht nëpërmjet edhe një ekspertimi të psikanalistit apo psikopatologut. Ekspertit të fushës i duhet kërkuar nga organi procedues të vlerësojë nëse autori i një vepre penale si më lart mund të konsiderohet pedofil në kuptimin mjekësorë të fjalës, karakteristikat e tij (i diferencuar ose jo, ekskluziv ose jo, me prirje incesti të mundshme), përshkrimi i gjendjes dhe tendenca të mundshme të të qenit recidivist. Të gjitha karakteristikat dhe përshkrimet e ekspertit duhen vlerësuar në përfundim të procedimit me qëllim pasjen e një informacioni të qartë mbi mënyrën e kryerjes së veprës penale për të cilën procedohet, por edhe mbi vlerësimin e rrezikshmërisë së autorit të veprës. Në proporcion me këtë rrezikshmëri edhe dhënien e dënimit kryesor dhe dënimeve plotësuese për subjektin aktiv të veprës penale. Po në lidhje me procedurën, është me vend të themi se për çështje gjyqësore mbi gjykimin e veprave penale të sipërshënuara nuk mund të aplikohet gjykimi i shkurtuar dhe as gjykimi i drejtpërdrejtë, kjo pasi jemi duke vlerësuar veprime apo mosveprime të një subjekti pasiv që kërkon ekspertim psikiatrik (normalisht edhe kohe për ekspertim). Po me vend është të përmendim që ekspertimi psikiatrik si ekspertim mjeko-ligjorë me qëllim diagnostikimin e shqetësimit mendorë dhe diagnostikimin e pedofilisë nuk na përkon me përjashtimin nga përgjegjësia penale si pasojë e turbullimit psikik ose prishjes së ekuilibrit mendorë. Organizata Botërore e Shëndetit dhe Shoqata e Mjekëve Psikiatër Amerikan nëpërmjet metodës DSM kanë vlerësuar se shqetësime të orientimit të libidit nuk sjellin përjashtim të subjektit nga përgjegjësia penale. Shpesh në praktikë persona me prirje sadiste apo perverse kanë përfituar nga kategorizimi si persona me probleme të ekuilibrit psikik duke u favorizuar nga mungesa e eksperiencës dhe mosnjohja e metodologjisë nga ekspertët në gjykata të disa vendeve. Mbetet në detyrat e Mjekësisë Ligjore Shqiptare të azhurnohet me kujdesin e duhur me akte të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe të bëjë të mundur kualifikimin e ekspertëve të fushës për tu përgjigjur kërkesave të drejtësisë shqiptare në procedimin e rasteve të tilla. Domosdoshmëria e ekspertimit mjeko-ligjorë për subjekte të dyshuar si pedofil (në kuptimin psikiatrik) duhet të shërbeje jo për përjashtim nga përgjegjësia penale por për vlerësim të karakteristikave të subjektit dhe rrezikshmërisë për të aplikuar më pas një Polikë Penale sa më efikase si për rastin individual dhe për fenomenin kriminal në tërësi. Praktika të ndryshme Psikologët dallojnë tri tipologji të pedofilisë: lattente, attiva dhe killer. Lattente - E fshehtë e heshtur Është e kategorizuar nga një pasion për fëmijët që qëndron në nivel fantazie erotike. Mund të konkretizohet nga veprim ose mosveprim, por pa sulm dhe cenim fizik. Në Ligjin penal Shqiptar përkon më veprime që konsistojnë në konsumin e figurës së veprës penale sipas nenit 108 “Vepra të turpshme”. Attiva Konsiderohet një hap më tej pedofilisë lattente. Në këtë tipologji kemi të bëjmë me raste të dhunimeve psikike e fizike ose dëmtimi i fëmijës mund të shoqërohet edhe me drogimin e tij apo dhënien e substancave toksike me qëllim lehtësimin e abuzimit seksual. Në Ligjin penal Shqiptar përkon më veprime që konsistojnë në konsumin e figurës së veprës penale sipas nenit 108 “Vepra të turpshme”. Ose sipas nenit 100 “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Së bashku me një nga veprat e mësipërme mund të konsumohet edhe figura e veprës penale parashikuar në nenin 286 “Nxitje për përdorimin e drogës”. Killer - Vrasës Pedofili manifeston një aspekt sadist në të cilën kënaqësia maksimale arrihet me vrasjen e viktimës. Jemi në rastin e konsumimit të dy veprave penale, sipas Kodit Penal të RSH, neni 79 pika a) “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara”, ndaj të miturit dhe një nen tjetër që ka të bëjë me konsumimin e një figure vepre penale krim seksual. Për fat të keq edhe në vendin tonë kemi të shfaqura raste të abuzimit seksual të një të mituri që shoqërohen me vdekjen apo vrasjen e tij. Për organin procedues duhet të theksohet rëndësia e dallimit esencial ndërmjet situatës të parashikuar në nenin 100 paragrafi i tretë, “Kur vepra sjell si pasoje vdekjen... e fëmijës së mitur”, me nenin 79, pika a “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” vrasja e të miturit kur kryhet me motiv përmbushjen e kënaqësisë maksimale nëpërmjet manifestimit të aspektit sadist. Në një rast të tillë kemi konsumimin e dy veprave penale Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur dhe më pas vrasjen e të miturit (pra vrasje e cilësuar). Autori i një krimi të tillë të dyfishtë duhet konsideruar si një autor me rrezikshmëri të lartë dhe duhet gjykuar për të dy krimet e sipërshënuara. Organi procedues dhe ekspertiza (ekspert kriminalistik, mjekoligjorë, ekspert psikiatër) duhet të hetojnë/vlerësojnë me kujdes për të verifikuar nëse vdekja e viktimës është pasojë e krimit seksual (neni 100) apo bashkërisht me marrëdhënien seksuale apo homoseksuale është konsumuar me dashje direkte ose indirekte me qëllim përmbushjen e kënaqësisë me prirje sadiste edhe vrasja e viktimës. Vlerësimi i lidhjes shkakore veprim-pasojë dhe qëndrimit voluntiv të subjektit aktiv janë detyra primare në hetimin e një rasti të tillë. Në rastin e konsumimit të veprës penale sipas nenit 79, pika a nga një subjekt i diagnostikueshëm nga manuali DSM si subjekt pedofil e tipit Killer kemi të bëjmë me një nga subjektet aktive me rrezikshmërinë më të lartë sa u takon krimeve ndaj personit. Nuk do të ishte e tolerueshme për gjyqësorin shqiptar që në mungesë të vlerësimit të qartë të lidhjes shkakore një subjekt aktiv i përshkruar më lart të gjykohej në bazë të nenit 100, paragrafi i tretë duke u favorizuar edhe në dhënien e dënimit jo më pak se njëzet vjet. Ndërkohë që “Vrasja në rrethana rënduese” sipas nenit 79, pika a, përmban dënim jo më pak se njëzet vjet deri burgim të përjetshëm. Përshkallëzimi i pedofilisë sipas tri tipologjive të sipërshënuara na bën të qartë edhe me tej domosdoshmërinë e një portretizimi skedimit klinik të autorit të krimeve seksuale me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të veprimeve të tij në veprime me rrezikshmëri dhe pasoja më të rënda. Në koordinim me ekspertin psikiatër organi procedues e më tej struktura të sigurisë publike duhet të njohin subjekte me prirje të këtij lloji. Tek praktika të ndryshme gjendet edhe ajo e filmimit të abuzimit për ta fiksuar në memorie, për ta parë aktin e filmuar me pedofil të tjerë ose për ta përcjellë nëpërmjet internetit, praktikë kjo e përdorur vitet e fundit. Tregu i pedopornografisë në internet paraqet një fenomen në rritje . Interneti dhe pedopornografia Që nga viti 2001 Interpoli ka grumbulluar mese 250,000 imazhe pedopornografike të gjetura në internet. Sipas të dhënave të fundit të forcave të rendit, më shume se 70% të tyre vijnë nga sitet dhe hapësirat e Web-it dhe vetëm një pjesë e vogël nga spam-et , newsgroup-et dhe rrjetet peer-to-peer. Sidoqoftë, me gjithë përpjekjet e bëra nga shumë vende që bashkëpunojnë për hetimet, vetëm një numër shumë i vogël i të miturve që pësojnë dhunë identifikohet aktualisht (rreth 300 në 19 vende). Nga analiza që i është bërë materialit të mbledhur, ka rezultuar se viktimat ndahen në të mitur dhe të mitura. Më shume se gjysma janë të mitura të përfshira në aktivitete ose që pësojnë dhunë seksuale. Gjithashtu, 40% e të miturave dhe më shume se 50% e të miturve janë nga mosha 9 deri në 12 vjeç, 10% e numrit të përgjithshëm ka një moshë edhe më të vogël. Pjesa më e madhe e viktimave është me tipare indoevropiane dhe vetën një pjesë është me tipare orientale. Sidoqoftë, rreziqet kryesore duket të shfaqen në ambientet jashtë motorëve (serverëve)të kërkimit, atje ku materiali rezulton të prodhohet shpeshherë me mjete shtëpiake dhe mbi viktima brenda familjeve ose shoqërisë së “xhelatit” të tyre. Në ambiente të tilla, në fakt, jo vetëm që mbajtja e materialit të paligjshëm është shkelje ligjore, por një material i tillë rezulton të jetë një provë evidente e dhunës së kryer realisht. Është ndezur polemika se sa Web-i ka nxitur apo lehtësuar pedopornografinë apo sa e ka bërë të dukshëm një fenomen dikur të fshehur. Në veçanti ngjallin vëmendje dhe shqetësim të miturit që kanë akses në rrjet pa asnjë lloj përballjeje apo kontrolli nga të rriturit që janë përgjegjës për ta. Të shumta janë shoqatat që kanë në kontroll të miturit në këtë drejtim, që bashkëpunojnë ngushtë me organet e policisë. Shumë motorë kërkimi ose furnizues shërbimesh në rrjet, gjithashtu, zhvillojnë aktivitet censurues për materialet pedopornografike. Duhet theksuar se pas pedopornografisë, ashtu si shumë aktivitete të tjera kriminale, qëndron një lojë e madhe parash. Të shpeshta janë kritikat që u drejtohen furnizuesve të hapësirave Web, shërbimeve të aksesit dhe të përcaktimit të përmbajtjes për të mos zhvilluar politika kontrolli dhe censure vërtet serioze, duke nënvlerësuar disi me dëshirë problemin. Box gri Realiteti i reflektuar “Fëmijët, gjithnjë e më shpesh po bëhen viktima të veprimeve dhe mosveprimeve që cenojnë jo vetëm moralin dhe dinjitetin e tyre, por edhe shëndetin fizik dhe psikologjik”. Me këtë fjali sensibilizuese, prof. asoc. Vasilika Hysi na shtyn drejt një leximi dhe reflektimi mbi librin e Aranita Brahajt “Pedofilia, krimet seksuale ndaj të miturve”, si një punim në shkencat juridike penale. Ky libër trajton disa nga format më të rënda të veprave penale të drejtuar ndaj të miturve. Sipas profesores së Fakultetit të Drejtësisë, përgatitja e këtij botimi nga Brahaj nuk ka qenë i lehtë për arsye se dispozitat e Kodit Penal Shqiptar përmbajnë rregullime të thjeshta të disa prej krimeve që drejtohen ndaj moralit dhe dinjitetit të të miturve, ndërkohë që në jetën e përditshme në Shqipëri dhe në vende të tjera, fëmijët janë viktima të formave të reja të skllavërisë moderne. Në këtë libër, Brahaj merr përsipër të japë një vështrim të shkurtër historik të trajtimit të veprave penale kundër moralit dhe dinjitetit të të miturve, të pasuar nga një vështrim kriminologjik të këtyre veprave penale, duke analizuar në mënyrë të veçantë legjislacionin shqiptar dhe e krahasuar atë me legjislacionin e disa vendeve të tjera. Ky botim është zotërim i një pune katërvjeçare, të studimit të ligjit penal deri diku dhe praktikës në Shqipëri dhe në dy shtete fqinje (Itali dhe Kosovë). Po ashtu është hulumtuar në dhjetë vite (1998-2008) çdo rast i publikuar në media për abuzimin dhe ngacmimin seksual të të miturve. Botimi studimor jep një pasqyrë të saktë të vëllimit të krimeve seksuale ndaj të miturve, tendenca të viktimizimit dhe inkriminimit të të miturit, prirje diakronike të Ligjit tonë Penal mbi këto fenomene nisur nga e drejta zakonore. “Nga statistikat zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë rezulton se nga viti 2002-2007 në vendin tonë kemi 222 autorë krimesh seksuale me viktimë të mitur. 10% e krimeve seksuale janë kryer nga autorë në moshë nën 18 vjeç dhe vetëm në kronikat mediatike të 2009-s është folur për të paktën 30 fëmijë të mitur të dhunuar seksualisht. Karakteristikë e dukshme e këtyre autorëve-pedofilë është fakti se kanë prirje për abuzime të rënda fizike ndaj viktimës që shoqërohen me lëndime, plagosje deri në humbje jete”.

Teknika e hipokrizisë dhe teknologjia e konformizmit...

Gëzim TUSHI


(Përshtatje, konformizëm apo hipokrizi e maskuar?) Kur erdhi demokracia në Shqipëri, përveç shumë gjërave menduam se erdhi më në fund edhe koha duhur, e shumëpritur nga shqiptarët, si epokë e të jetuarit me të vërtetën dhe e shpëtimit përfundimtar nga larmia shumëformëshe e mënyrave barbare të tjetërsimit, që njerëzit pësuan për gjysmë shekulli nga pushteti i plotfuqishëm i shtetit totalitarist. Njerëzit nën peshën e dhunës pësuan deformime humane, që kanë lënë pasoja dhe që po na pengojnë për të fituar drejtpeshimin demokratik edhe sot. Sepse ende pushteti është shumë më i fuqishëm sesa duhet përballë njeriut të thjeshtë, sepse ende nuk është larguar nga njerëzit “hija” dhe reminishenca e frikës nga forca leviatanike e pushtetit, që e bëri njeriun pa bosht human, plastelinë, qenie pa personalitet, i mësuar të sillet me dy faqe dhe me disa fytyra, një njeri i depersonalizuar, një qenie “pa gjoks”. Por demokracia shqiptare ka shfaqur defektet e veta, sepse mesa duket, edhe ajo ka format e veta të tjetërsimit të njeriut, në dukje janë më të buta, më të sfungjerta dhe më elokuente, por në shumë raste në thelb janë të ashpra dhe diabolike. Nuk ka si të mos jetë shqetësues fakti, që në diapazonin e gjerë të lirisë kanë filluar të agravohen dhe të shtohet diapazoni i formave të larmishme të “tjetërsimit demokratik”, që edhe tani në kushtet e demokracisë kanë filluar të lulëzojnë në format e njohura të konformizmit me pushtetin, të hipokrizisë në sjelljen e njeriut me shoqërinë. Kaq shumë janë zgjeruar këto dukuri, saqë ka sociologë, të cilët me të drejtë i kanë konsideruar dy dukuri sociale, që në jetën e shoqërisë shqiptare po shfaqen si “çimento” e modernitetit. Me ndryshimin e formave të vartësisë së vjetër të njeriut nga pushteti dhe në nevojën e përdorimit të taktikave të larmishme për të qenë i suksesshëm në komportimin me shoqërinë, përsëri në mënyrë fatale ka disa forca që veprojnë jashtë dëshirës së njeriut, që nuk varen prej tij, apo që në mënyrë të rafinuar dhe shpesh të padukshme qëndrojnë mbi të. Koha po tregon se pesha e tyre deformuese është shumë e madhe. Kjo peshë e thellë deformuese dhe tjetërsuese, ndryshe nga forca e dhëmbëve të pushtetit totalitarist dhe determinimit social super-kolektivist, fshihet pas formave të alambikuara të burokracisë së shtetit ligjor, buzëqeshjeve ironike të përfaqësuesve omnipotentë të pushtetit demokratik dhe të lulëzimit nga ana tjetër në kushtet e konkurrencës së egër individuale, që ka bërë që baza e shumicës së marrëdhënieve sociale të mbështeten mbi platformën e hipokrizisë. Kjo forcë ka bërë që esenca e marrëdhënieve të qytetarit me pushtetin (jo në kuptimin politik të termit) dhe marrëdhëniet midis njerëzve me njëri-tjetrin në shoqëri të kenë ndryshuar pak nga tabani, thelbi dhe ambalazhet e së kaluarës. Kjo ka bërë që të zgjerohet procesi i tjetërsimit të marrëdhënieve të njeriut me “veten”, pushtetin, të “tjerët” dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Mesa duket, më shumë ka ndryshuar forma dhe mënyra e re moderne e shfaqjes së tjerësimit, tashmë jo si frikë patologjike në përmasa totalitare, por si kërkesë për të adoptuar si mjet përshtatjeje dhe mbijetese dy “mjete perfekte” të adoptimit etatist dhe social të njeriut, duke perfeksionuar hipokrizinë dhe konformizmin, ndaj atyre që kanë pushtetin politik apo ekonomik, që kanë “çelësat” e administratës publike apo në ingranazhet financiare të sektorit privat. Konformizmi dhe hipokrizia kanë zëvendësuar në mënyrë perfekte raportet e vjetra të marrëdhënieve ideologjike të njeriut me pushtetin dhe shoqërinë. Hipokrizia dhe konformizmi janë bërë jo vetëm “çimento e shoqërisë moderne”, por ca më shumë edhe ideologjia e domosdoshme e përshtatjes së qytetarit me realitetet e ndryshuara të kohës moderne. Natyrisht, dialektika e shoqërisë moderne kërkon që njeriu të përshtatet me kërkesat e shtetit ligjor dhe normat konsensuale të shoqërisë. Por kjo nuk do të thotë se, në çdo rast dhe në mënyrë fatale duhet të konformohet me to Koha natyrisht që ka sjellë edhe në shoqërinë shqiptare një “dialektikë të re”, në raportin jetësor midis synimeve pragmatiste, aftësisë përshtatëse dhe vënies në funksionim të “shpirtit konformist”. Kjo dialektikë është shumë delikate dhe dilematike, sidomos kur është fjala për të ruajtur ekuilibrin personal midis personalitetit dhe suksesit, synimit pragmatist dhe shpirtit autonom, midis dinjitetit personal dhe koniunkturës konformiste, të dëshiruar apo të imponuar. Ajo që duket shqetësuese, është fakti se në shoqërinë tonë ka tregues të shumtë që tregojnë shqetësimin qytetar se në shoqërinë tonë po ngushtohet hapësira për të garantuar dinjitetin personal dhe shpirtin e kundërshtimit konstruktiv të njeriut të thjeshtë. Loja me idenë se njeriu është i suksesshëm vetëm në qoftë se mëson vetëm artin e përshtatjes, nuk është tërësisht e vërtetë. Sepse procesi i aftësisë përshtëse të njeriut me pushtetin politik, shtetin ligjor dhe kërkesat e shoqërisë nuk është tërësisht ekuivalent me konformizmin pasiv dhe hipokrizinë sociale, sepse gjatë procesit të përshtatjes është e nevojshme që njeriu të ruajë integritetin moral dhe dinjitetin personal. Kjo do të thotë që njeriu mund të përshtatet me “veten”, “të tjerët”, shtetin dhe shoqërinë, por pa i lejuar ato që “ta shtypin” atë me super-peshën e tepërt të tyre. Njerëzit që nuk kanë dinjitet, nuk kanë si rregull as aftësi përshtatjeje sociale qytetare. Konformizmi dhe hipokrizia nuk i çon ata në çdo rast drejt suksesit të gjatë e të sigurt personal, por më shumë i bën ata që duke mos pasur besim te vetja, në forcat dhe integritetin e tyre, të kenë prirje veçimi, izolimi, mazohizmi dhe margjinalizimi. Më vjen keq që duhet ta pohoj, por ka aq shumë fakte në jetën e shoqërisë shqiptare, saqë të detyron të pohosh se, mesa duket, njeriu edhe në demokraci nuk i shpëton dot të gjithë peshës së tjetërsimeve që i vijnë nga jashtë dhe që e deformojnë dhe e depersonalizojnë atë. Me fjalë të tjera, edhe në shoqërinë demokratike nuk është e lehtë që të sigurohet te njerëzit tanë veprimi sinkron dhe i harmonizuar i dy mekanizmave, që filozofi më modern i liberalizmit, Izaiah Berlin, i konsideron sintetikisht me fjalët “liri pozitive” dhe “liri negative”, që kanë të bëjnë me raportet e reja të vartësisë dhe pavarësisë së njeriut nga faktorët e jashtëm që kanë peshë sociale, ekonomike apo ndikim shpirtërisht deformativ. Po sigurisht ne nuk jemi në kohën kur shteti kishte gjithçka në dorë, kur çdo gjë ishte politike dhe asgjë pothuaj meritokratike, kur vlera e njeriut transformohej dhe tjetërsohej radikalisht nga fondamenti politik. Por përsëri jashtë nesh qenkan përsëri disa forca pushtetesh, të vështira për t’u kontrolluar, që na sundojnë përsëri dhe ndaj të cilave në shumë raste nuk ka terapi për t’i përballuar përveç konformizmit dhe hipokrizisë. Madje ato në disa raste në shoqërinë tonë kanë marrë një zhvillim kaq të madh, saqë e tërë jeta të duket si një “teatër”, në të cilin nuk mund ta luash “rolin”, pa përdorur mjeshtërisht këto dy maska sociale: hipokrizinë dhe konformizmin. Kjo temë e “artit të përshtatjes” apo përmes hipokrizisë sociale dhe konformizmit me pushtetin, është nga gjërat që ndeshim rëndom në jetën e përditshme. Nga njëherë të duket se njerëzit më shumë se të krijojnë aftësi personale për të sjellë produkt social, vlera meritokratike, ata janë në luftë për të përshtatur, duke perfeksionuar këto dy armë (konformizmin dhe hipokrizinë), pa të cilat, mesa duket, qenka bërë e vështirë që të jesh i suksesshëm në këtë jetë. Sa më mirë të zotërosh “teknikën e hipokrizisë” apo “teknologjinë e konformizmit”, aq më shumë duket se ka shanse që njeriu të jetë i suksesshëm në jetë. Pa to, sado vlera, merita dhe punë të bëjë, është vështirë t’i shmanget peshës shtypëse të autoritarizmit të politikës, determinimit të pushtetit dhe fuqisë së parasë. Padyshim është e domosdoshme që njeriu qytetarisht, moralisht dhe kulturalisht të përshtatet me kërkesat e shtetit, politikës, realitetit social të shoqërisë. Por të përshtatesh është tjetër gjë dhe të konformohesh apo ca më keq, të bëhesh hipokrit është gjë krejt tjetër. Padyshim lufta konformiste dhe hipokrite e “përshtatjes”, i duhet njeriut ngaqë, mesa duket, janë ngushtuar “rrugët legale” të suksesit me dinjitet, ngaqë njeriu ndjen nevojën që i duhet të mbrohet nga “shtypjet sociale” që vijnë nga jashtë dhe që i deformojnë dinjitetin, autoritetin dhe prestigjin social, që e fosilizojnë, e shpërfillin dhe “i ngrinë” mendimin personal. Sepse, megjithëse jemi shoqëri e lirë, përsëri pranë kemi shumë pushtete të ekzagjeruara paternaliste, kemi shumë hallka të determinimit social, kërkesa dhe imperativë moralë me natyrë imponuese, që shpesh e privojnë njeriun nga liria e ligjshme e tij. Kjo është dialektika e jetës moderne, njeriu është dhe duhet të kalojë me kujdes midis “skillës” dhe “karibdës”. Kjo do të thotë se njëherësh duhet të jetë i përshtatur, sepse nuk mund të jetë asnjëherë i suksesshëm duke qenë i pavarur nga forca e jashtme e pushteteve të shumta që qëndrojnë jashtë tij, që shpesh kanë forcë të deformuar, të ekzagjeruar, përtej standardeve të shtetit demokratik, që forcën e tyre shpesh e tregojnë në mënyrë brutale, duke ndëshkuar dhe favorizuar, duke përdoruar dhe shpërdoruar mekanizmat e tij, në emër të politikës, militantizmit, ligjit, trajtimit parcial të favoreve të pushtetit etj. Në kushtet e shoqërisë sonë nuk mund të ecet kuturu, nuk mund të ecet pa përfillur këto forca, të cilat nëse njeriu i shpërfill, nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë i fituar. Domethënë se, përveç meritës si vlerë konsistente, për të qenë i suksesshëm në jetë, mesa duket, duhet të duhet të zotërosh edhe “dy armët” e tjera, që në pamje duken si aftësi përshtatëse, por që në të vërtetë janë aftësi për të bërë konformizëm dhe hipokrizi. Padyshim, në këtë kohë të ngatërruar, njeriu ka vështirësi së pari, që të ketë aftësitë e duhura që të zotërojë veten, por në të njëjtën kohë edhe ambientin rrethues, në të cilin duhet të jetojë dhe me të cilin duhet të përshtatet. Shikoni sa vështirësi ka njeriu i kohës sonë, që për të qenë i suksesshëm duhet të përshtatet me shoqërinë dhe që të ruajë dinjitetin dhe lirinë duhet t’i shmanget konformizmit, që është gjëja më e vështirë që të realizohet në kohën tonë, të cilën jo të gjithë munden ta realizojnë. Gjërat janë zhvilluar deri në atë masë, saqë njeriu e ka të vështirë t’i zotërojë ato me dinjitet, sepse shumë gjëra në kohën moderne zhvillohen pavarësisht dhe kundër dëshirave të tij. është e vështirë të garantosh dinjitetin deri në fund dhe të mos biesh preh e konformizmit dhe hipokrizisë. Sepse njeriu duhet të gjejë dhe të mbrojë veten, të garantojë suksesin pragmatist dhe njëherësh të ruajë dinjitetin e vet, në kushtet kur është përballë presionit social, përballë turmave, pushtetit të politikës militanteske, nepotizmit, krahinarizmit, përballë alambikimeve të një makine të stërmadhe e të sofistikuar të burokracisë, përballë fuqisë së të cilave dinjiteti është i diskutueshëm për t’u garantuar. është zgjeruar paranoja sociale dhe frika e mospërshtatjes sociale të njeriut, ndaj të duket se konformizmi dhe hipokrizia nuk janë më vetëm epidemi sociale për shoqërinë shqiptare. Ato në njëfarë mënyre, po bëhen ideologjia e saj. 

Sado-mazohizmi shqiptar

image
Dr. Vlera EJUPI

Kaloi edhe një ndërrim motmotesh, kush me halle e kush pa halle, por të gjithë së bashku me një hall identik, edhe atë të natyrës kombëtare, ekzistencialiste, pra -a thua do të fillojnë shqiptarët në mënyrë më agresive të ripërtërijnë kërkesat e tyre civilizuese, të cilat ashtu siç e dimë ne janë shuar viteve të fundit. Përderisa ne po shkojmë mbrapa, popujt të cilët po krijohen shumë më vonë, duke glorifikuar me famë të kaluarën tonë, pra me përvetësimin e zbrazëtirës që po e krijon garnitura momentale qeverisëse, këta përvetësuesit së paku po e lënë përshtypjen se po arrijnë zenitin e civilizimit, kurse ne e privuam veten nga të ushqyerit të kërkesave të civilizimit. E dimë të gjithë pse dhe nëqoftëse nuk e bëjmë atë çka duhet bërë, jo vetëm që po e dëmtojnë kombin por do të na dërmohen edhe gjenerata e gjenerata nga gabimet që po i lejojmë të bëhen. Harruam vallë kuptimin e fjalës civilizim, në fillim të vitit 2012? A nuk do të thotë fjala civilizim kombëtar, ruajte me xhelozinë më të madhe gjuhën, historinë dhe elementin kryesor i cili na bëri të mbijetojmë nëpër shekuj, flamurin? E po të gjitha i humbëm, sa herë po mundohemi këtë gjë ta potencojmë edhe te potencojmë, por nëqoftëse përsëritja është nënë e mësimit te ne përsëritja është njerkë, shkatërruese e mësimit. Ne nuk po duam të mësojmë për momentin, respektivisht tu këpusim këmbë këtyre tipave që e kanë shndërruar Shkupin, natyrisht aty ku është koncentrimi i shqiptarëve më i madh, në vende të arnuara, arna këto të cilat aq lehtë janë përforcuar për tokën shqiptare sa që gati janë duke u shkëputur fare. Mirë, mirë se mirë e kemi, atë që mbjell do ta korrësh.
Çka na nevojitet për t’u kthyer në rrjedhën normale të civilizimit, asgjë e rëndë, asgjë e parealizueshme...Vetëm një luftë e ashpër me analfabetët të cilën janë bërë një përditshmëri me plot monotoni të rrezikshme, gati se një dekadë, prej tipave dhe tipeve të tharët, të cilët gënjeshtrën po e shndërrojnë në të vërtetë, në mënyrë shumë lezhere dhe suksesive duke lënë pas vetes pasardhës të pafatshëm, të dënuar nga thatësira e tyre shpirtërore dhe mentale. Dhe kështu lënë pas vetes krijesa me disproporcione anormale, ata po i kap vullneti degjenerik i këtyre kanibalëve, me një epilog të njohur sa njerëzimi- shqiptarët- viktima të tyre. Sa më i madh degjenerimi i përvetësuesve por dhe aspiratat e kanibalëve, aq më i madh numri i viktimave i cili po shkrihet në masë asimetrike, që po lejon tiranizimin e vetes, meqenëse po i shuhet dituria rreth proceseve dhe funksioneve.
Unë kurrë nuk mbaj mend dozë kaq të madhe të sado-mazohizmit tek dhe mes shqiptarëve. Kurë nuk kemi pas kaq vetë-promovime, vetë-koncentrime në imazhe personale pra lloje nga më nënçmueset të vetëfetishizimit, dhe në fund nuk do të mundem ti shmangem të së vërtetës e pa e thënë, vetëmaçoizmit. E kjo e fundit, besa duhet mbajtur me dinjitet se për ndryshe ashtu siç jeni ju shembull i përkryer, ju shpien kah ekstremi tjetër. Prandaj, në bardhësinë e kokës së juaj mund të ngjyrosni tufa , tufa flokësh për të treguar kameleonizmin e mendjes dhe shpirtit tuaj, prej nga buron kërkesa e mirënjohur për famë te “miqtë e juaj ndërkombëtarë”. Ky maçoizëm i juaj ju bëri të harroni se miqtë e vet njeriu i urtë dhe i ditur e bën duke i mundësuar kombit të vet cilësi në identitetin kombëtar, gjë e cila minimalisht do të kishte shlyer josinqeritetin e juaj.
Promotor i këtyre dy proceseve kombëtare, pra tek ne në shuarje e sipër, është pa dyshim dashuria dhe urtësia për të dëshmuar se jemi pjesë e esencës së njerëzimit, edhe pse çdo herë përvetësuesit mundojnë ta thonë dhe po e bëjnë të kundërtën të ndihmuar nga mprehtësia e dhëmbëve dhe kthetrave të kanibalëve, duke harruar se e vërteta ekziston, dhe nevoja për të e animon njeriun ta krijojë botën e tij të prosperitetshme. Në vend të kësaj kjo nomenklaturë qeveritare, promovon në mënyrë të paparë dhelparake agoni, makth, sfidë për vdekje. Shqiptarizmi në Maqedoni, është i stërmbushur me probleme nga më të ndryshmet, duke iluminuar tepër qartë kontroversën e konfliktit 2001, por edhe më shumë të marrëveshje së Ohrit, realizimi i të cilës kaloi në 2004. Sa bajate dhe të pakuptimta këto gjëra shikuar nga perspektiva e sotme, por jo edhe për familjet të cilat nuk kanë bukë për të ngrënë. Mjaft më me justifikime për suksese të arritura, kur ju as nuk keni guxim për të arritur ndonjë sukses. Keni futur në lëvizje format e forcës së zgjatur, me amplitude dhe operacione të molisura, duke shtuar edhe më tepër përvojat e materializimit të juaj. Shenja e vetme virtuale e juaja është mënyra për shpreh mossukseset, zbrazëtirat të cilat për fat të keq kanë implikime të rënda kombëtare. Kështu keni rrethuar shqiptarizmin me vistrin lemeritës të “definicioneve të juaja”, as që keni haber se çka do të thotë kjo, por ju i doni dhe i përqafoni përzemërsisht gjërat të cilat nuk i dini duke i aranzhuar në pseudo-kategori. Shqiptarë, po e harrojmë historinë e vërtetë, po e mësojmë atë të vjedhurën nga ne për ti shërbyer okupatorit tonë, e gjithë kjo po ndikon në rrjedhat normale të popullit. Janë shndërruar në ishuj shkretëtire të paparë kërkesat tona elementare civilizuese. Po harrojmë folklorin tonë, i cili është kushti kryesor për mbijetesë. Akceptimi i këtyre kërkesave tona elementare civilizuese është skajshmërisht subordinues dhe i pamoralshëshm nga ana e përvetësuesve e sidomos kanibalëve. Nëse doni që të gjithë të shkelni krenarinë dhe bërthamën kombëtare, ushqeni këta me flirtet, mirëqenien e juaj dhe të gjeneratave të ardhshme. Kujtoj që një shumicë e mirë e shqiptarëve të Maqedonisë më nuk duan të nënshtrohen. Tregoni me vepër këtë duke ju lutur që mos të jeni më viktima kujdestare. Duhet t’i vije fundi sado-mazohizmit shqiptar.

Studim psikiatrik: Çfarë ndodh në mendjen e një pedofili?




Pedofilia është një argument delikat, i dhimbshëm, i vështirë për tu trajtuar edhe pse për fat të keq shumë shpesh është lajmi kryesor i hapjes së medieve. Por çfarë dimë për pedofilët? Kush janë mekanizmat me të cilat ata mbrojnë dhe justifikojnë krimet e tyre? Çfarë ndodh në mendjen e një pedofili?

Psikiatër dhe shkencëtarë të ndryshëm kanë arritur të zbulojnë detaje të reja të asaj që ata e konsiderojnë sëmundje mendore, pedofilisë. Nga ana mjekësore, konsiderohet si një sëmundje mendore e cila kthehet në krim në momentin që i sëmuri hyn në aksion. Sipas studimeve më të fundit amerikane, çelësi për të ndaluar dhe kuruar këtë problem mendor është në detajet klinike. Edhe midis psikiatërve, në nivel botëror ka përçarje për pedofilinë: disa e përcaktojnë atë si një varësi, të tjerë si një orientim seksual dhe të tjerë akoma e kërkojnë përgjigjen tek skanimet e trurit të pedofilëve.
D626B6E0D430F3285A8A882E00BD99E4
Edhe pse me hipoteza të ndryshme, të gjithë psikiatrit kanë rënë në ujdi për një përkufizim të përbashkët se ç’është pedofilia. Sipas tyre, pedofilia është një kriter që përcakton dëshira erotike për fëmijët prepubertet, zakonisht nën 13 vjeç. Arsyeja është akoma për tu stabilizuar, por sipas studimeve të ndryshme të bëra në këtë fushë, numri më i madh i pedofilëve është i gjinisë mashkullore, 94%. Studimi i sëmundjes është shumë i komplikuar për vetë faktin se shumica e personave me tendenca të tilla nuk kërkojnë ndihmë dhe zbulohen vetëm (jo gjithmonë), në momentin kur hyjnë në aksion.
Pedofilët shpesh kalojnë muaj të tërë në kontakt me “viktimat”, luajnë me ta, ju dhurojnë lodra dhe dhurata të tjera për tu bërë pjesë e universit të fëmijës.


Pedofilët nuk kërkojnë tek fëmija vetëm kënaqësinë seksuale, ata shumë shpesh identifikohen fuqishëm tek viktimat e tyre. Terapitë e ndryshme që bëhet kërkojnë që të afrojnë pedofilët me botën e të rriturve, pra shkëputjen nga bota e të miturve, rikrijimin e aftësive normale sociale të cilat shpesh ju mungojnë.

Shumë pedofilë nuk operojnë me qartësi në lidhje me moralin e asaj që bëjnë, por ata krijojnë “shtrembërime konjitive”, shfajësojnë veten nga faji dhe përgjegjësia. Për shembull, shpesh justifikojnë këtë duke thënë se “fëmija nuk ka thënë jo kur kam filluar”, apo “dikush e bëri për mua një veprim të tillë kur unë isha fëmijë dhe kam menduar se ishte normale”, ose “Unë me të vërtetë i duan fëmijët“.

Në shumicën e rasteve, miq apo fqinjë të pedofilëve kanë treguar “dukej një person normal”, dhe se nuk do të kishin dyshuar kurrë për një gjë të tillë. Pra, një person normal por që në mendjen e tij formulon lloj–lloj skenarësh që më mbas mundohet ti vërë në jetë sapo të gjejë prenë e radhës.
nina-en-pedofilia
Fiksimi erotik për fëmijët pre-pubertet është një zonë e tmerrshme për pedofilët të cilët pa këtë “fiksim” do të bënin një jetë normale.



Dëshirat seksuale të këtyre personave janë si “copëza pellgjesh”. Por këto ide bien ndesh me rezultatet e kërkimeve më të fundit të bëra nga James Cantor, prof. në Departamentin e psikiatrisë në Universitetin e Torontos. Cantor është i vetmi mjek në botë që studion pedofilinë nga pikëpamja biologjike, diferencat fizike dhe cerebrale që dallojnë pedofilët nga pjesa tjetër e popullsisë.

 Cantor ka zbuluar se, përgjithësisht pedofilët kanë një kofiçent intelekti 10 pikë më të ulët se e mesmja e përgjithshme e popullsisë. Ata janë 2.5 centimetra më të ulët dhe pjesa më ë madhe e tyre janë mëngjarash dhe gënjeshtarë. Mëngjarashët janë më të shumtë në numër edhe në rastet e autizmit dhe skizofrenisë, dy kushte psikiatrike me “bazë të qartë biologjike”.

Nga skanime të ndryshme të trurit janë zbuluar dallime të shumta të lëndës së bardhë midis pedofilëve dhe jo pedofilëve, ose më saktë në substancën që lidh njërin rajon të trurit nga tjetri. Në grupin e pedofilëve të analizuar, është vënë re një deficit i theksuar i lidhjes së lëndës së bardhë në këto rajone.

Kur nuk ka mjaftueshëm lëndë të bardhë, rrjeti cerebral identifikon se potencialet seksuale nuk funksionojnë mirë. Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm për ndalimin dhe më pas kurimin e këtij fenomeni që ende sot ngelet destinacion i kërkimeve të ndryshme mjekësore dhe shkencore.


 Personalisht e shikoj në një këndvështrim më të gjerë, besoj që nuk mund të mbyllet gjithçka vetëm në kuadrin klinik, por të studiohet dhe të nxirren përfundime shkencore me baza të forta,shkruan në mes tjerash
 Aurora Allushaj.

Floripress

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...