Prof.Dr.Eshref Ymeri
Pas botimit në gazetën internetike “Tribuna Shqiptare” (23 maj 2013) të shënimit
tim me titull “Në gjurmët e një deklarate
të Presidentit rus Vladimir Putin”, në rubrikën “Komente” të gazetës në fjalë, janë botuar reagime të dy
zotërinjve, të cilat po i citoj më poshtë fjalë për fjalë, me të gjitha mangësitë
gjuhësore, për shkak të formimit të tyre të cunguar intelektual:
Je
i një anshëm edhe ti o eshref profesori, që vetëm profesor nuk mund të jesh ker
shkruan kështu.
Ehhh profesor ... nuk ke se me qka te merresh
!!!!!!!!!!!! ne fakt the ti nuk ke aspak te drejte dhe nuk thua te verteten....
trupat aleate sidimos ato amerikane asjehere nuk u futen ne lufte te mirefillte
kunder nazisteve.. perkundrazi ata ishin ma shume te interesuar te shkonin ne
femra euripiane duke i mashtruar me qokolada pasi ushtaret amerikane kishin
pare me shumice... mashtronin duke thene se do ju marrim me vete ne amerike pas
luftes gje te cilen asjehere nuk e bene ,,, po kete pse perendimi asnjehere nuk
e mohon ?????
Mendoj se shënimi im i paska lënduar keq
këta dy zotërinj, zemra e të cilëve, me sa duket, pulsoka me ritmin e zemrës së
zotit Putin. Zotërinjtë në fjalë paskan pasur dëshirë që mbarë Evropa të përfundonte
nën këmbët e Rusisë. Ndoshta, për mungesë të formimit të tyre intelektual, këta
zotërinj nuk e dinë që Stalini po përgatitej të sulmonte
dhe të pushtonte mbarë Evropën, duke dashur që të vinte në jetë Testamentin e
Pjetrit të Parë, sipas të cilit Rusia cariste, fillimisht, vendet evropiane
duhej t’i futte në sherr me njëri-tjetrin dhe mandej t’i sulmonte dhe t’i vinte
nën çizmen e vet. Prandaj që në vitin 1918 Stalini pati deklaruar:
“…Perëndimi,
me kanibalët e vet imperialistë, është shndërruar në një vatër errësire dhe
skllavërie. Ne kemi për detyrë që ta shkatërrojmë këtë vatër, për të gëzuar dhe
ngushëlluar punonjësit e të gjitha vendeve” (Citohet sipas: Viktor Suvorov.
“Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Bristol. Dhjetor 1987. Marrë nga faqja
e internetit në gjuhën ruse).
E përmendja në shënimin tim, dhe po e përmend
edhe një herë faktin që Stalini, 21 vjet më vonë, po në të njëjtën linjë
arsyetimi, në mbledhjen e Byrosë Politike të PKP(b), të mbajtur më 19 gusht
1939, disa ditë para nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop, pati deklaruar:
“Le
të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le t’i hanë kokat
njëri-tjetrit dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e
revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të shtrihet para këmbëve të tij” (po aty).
Nuk besoj se fjalët e Stalinit kanë
ndonjë ndryshim nga porositë që Pjetri i Parë ka pas lënë në Testamentin e
vet:
“Rusia duhet të merret vesh për pjesëtimin e
botës me Francën dhe me Austrinë. Nëse këto të fundit refuzojnë, duhet t’i
përplasim njërën me tjetrën, pastaj t’i shkatërrojmë. Të gjitha këto janë të
mundshme. Evropa duhet shkatërruar”. (Teksti
i plotë i Testamentit të Pjetrit të Parë është botuar në gazetën “Bashkimi”, 8
prill 1994).
Për vërtetësinë e faktit që Bashkimi
Sovjetik do ta sulmonte Gjermaninë, që pastaj të pushtonte krej Evropën
Perëndimore, dëshmohet edhe në burimin e poshtëcituar:
“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se
afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik
të vitit 1941…Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta
të dielave në mëngjes. 06 korriku i
vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave
sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.).
Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane
arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Viktor
Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Shtëpia Botuese
“Novoje vremja”. Moskë 1993, f. 333).
Për sa i përket
deklaratës së zotit Wcc Simon, sipas të
cilit trupat aleate, sidomos ato
amerikane, nuk u futën në luftë kundër nazistëve, por paskeshin sjellë me vete
çokollata për të shkuar me femra evropiane, dëshiroj të theksoj se për sigurimin
e desantimit në Normandi më 06 qershor 1944, aleatët perëndimorë patën
angazhuar 10 852 aeroplanë luftarakë dhe 2 350 aeroplanë transporti, si edhe 2
591 planerë. Trupat ushtarakodetare numëronin 1213 anije dhe katera, 4 128
anije dhe mjete desantimi, 736 anije ndihmëse dhe 364 anije tregtare. Numri i përgjithshëm
i efektivit të aleatëve gjatë desantimit që vazhdoi deri në fundin e muajit
korrik 1944, arriti në 2 876 439 ushtarë dhe oficerë, nga të cilët, më shumë se
gjysmën ( 1 533 000 veta), e përbënin trupat amerikane.
Këtë fakt
Presidenti Putin a anashkalonte qëllimisht në fjalimin e vet në paradën
ushtarake të 09 majit 2013 në Sheshin e Kuq, duke injoruar edhe rolin e aleatëve
perëndimorë në arritjen e fitores mbi nazizmin gjerman.
Pra, sipas
mendjelliut Wcc Simon, gjithë kjo teknikë luftarake dhe gati 3 milionë
ushtarë dhe oficerë aleatë, “qenë ngarkuar me çokollata” gjatë zbarkimit në
Normandi, “për të përgatitur terrenin që të shkonin me femra evropiane”. Edhe
mashtrimi, edhe gënjeshtra, edhe paturpësia duhet të kënë njëfarë karari. E
kuptoj dëshpërimin e këtyre dy zotërinjve për faktin që Bashkimi Sovjetik nuk
arriti dot ta vinte në jetë ëndrrën e Pjetrit I për pushtimin e Evropës Perëndimore.
Servilizmi dhe zvarritja e tyre para Moskës është me të vërtetë proverbiale.
Prandaj kishte shumë të drejtë ambasadori amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, i
cili para do kohësh pati deklaruar për ekzistencën e ca celulave antiamerikane
në Shqipëri, çka të bën të dyshosh se anëtarë të tyre duhet të jenë edhe të dy
zotërinjtë në fjalë që më sulmojnë mua sa padrejtësisht, aq edhe paturpësisht
nga faqet e gazetës internetike “Tribuna
Shqiptare”.
Sarandë, 05 qershor 2012