Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/07/24

Adolf Hitler - Mein Kampf (Lufta ime)

Adolf Hitler

Mein Kampf

(Lufta ime)

E përktheu: Kushtrim Gjosti

Nr. i faqeve 528

ISBN 978-9928-40-71-7-7

Çmimi 1500 lekë
Botimet Belina H      






Ky libër, i konsideruar si traktati politik i Hitlerit i ndërthurur me elementë autobiografikë, është i domosdoshëm për të kuptuar më mirë Holokaustin dhe totalitarizmin e çdo ngjyre. Ky libër është një paralajmërim për të nesërmen, për brezat e rinj, në mënyrë që çmenduria e messhekullit të XX të mos përsëritet më kurrë. Botimi i këtij libri është një kambanë për të gjithë ata që e shohin si një objekt në lëvizje që magjeps, tmerron dhe shpesh nxit projektime absurde.

Botimi i këtij libri - ku Adolf Hitleri farkëtoi si një bombë me sahat, tërësinë e ideve mbi nacionalizmin, pangjermanizmin, eugjenizmin, racizmin etj. - është i rëndësishëm pasi ky libër përcaktoi historinë e Europës.

Autori i këtij libri pasi shkatërroi, dogji me dhjetëra kombe dhe vrau dhjetëra milionë njerëz, çoi në shkatërrim total dhe vetë kombin e tij. Adolf Hitleri ishte demagogu më i madh që ka parë bota deri më sot, sundues tiran, një figurë e tmerrshme, një monstër që urdhëroi krimet më makabre. Mendja e tij e sëmurë, në emër të pastërtisë së racës, projektoi dhe urdhëroi eliminimin e 6 milionë hebrenjve të pafajshëm.

Në fund të jetës së tij, Adolf Hitleri ishte i vetmi nacional-socialist që me të drejtë mund të thoshte se nuk kishte qenë kurrë, as një pasues, as një nxënës dhe as një dishepull. Ai, më shumë se çdo despot tjetër, mundi t’i bindte pasuesit e tij se ishte mishërimi i një ideali, të cilit tani i kishte ardhur koha. Kjo ishte dhe origjina e vërtetë e hirit të Hitlerit. 

Rruga mëse e jashtëzakonshme e jetës së tij ka treguar se si idetë e mbrapshta, të përhapura si ide misionarësh, mund të çojnë në programe politike plotësisht të çmendura dhe në tragjedi me përmasa botërore.

Ky libër duhet lexuar që t’i hiqet velloja e misterit që e rrethon, për të parandaluar ekstremizmin dhe urrejtjen e çdo lloji. Mein Kampf duhet të shihet si objekt historik.

 

 

 

RRETH LIBRIT “MEIN KAMPF” DHE BOTIMIT NË GJUHËN SHQIPE
 

Mein Kampf - Beteja ime, është një nga librat më të debatuar, kundërshtuar, kritikuar, por edhe më të njohur të shekullit të 20-të. Ndoshta ka qenë libri më i rëndësishëm gjatë Rajhut të Tretë, një lloj bible e nacional-socializmit. Miliona shtëpi e kishin në rafte e biblioteka asaj kohe, madje libri jepej si dhuratë nëpër martesa, ditëlindje e diplomime. Libri vazhdon të ngjallë ende dhe sot kureshtje e debat,e për vetë faktin se paraqet vizionin e Adolf Hitlerit, elementet bazë të ideologjisë e planeve, si dhe karakterin e tij.

Hitleri nisi ta shkruante librin në verën e vitit 1924, ndërsa kryente një dënim me burg për përpjekjen e dështuar të rrëzimit të qeverisë. Fillimisht, kishte planifikuar të shkruante një autobiografi, por ambicia iu rrit dhe vendosi të shkruajë një libër të ashpër e tendencioz, duke i ndryshuar edhe titullin e stërgjatë “Katër vjet e gjysmë luftë kundër gënjeshtrave, marrëzisë dhe poshtërisë” në “Beteja ime”.

Hitleri kryesisht kishte interes në kultivimin e mitit të tij si shpëtimtar i popullit gjerman. Gjatë gjithë librit, ka shkruar për rolin e gjeniut të destinuar për të udhëhequr një popull të madh, edhe pse ky popull nuk mund ta vlerësonte qysh më herët. “Nga miliona njerëz ... një njeri duhet të bëjë një hap përpara”, thoshte. Dukej qartë se e konsideronte veten si të tillë, si të përzgjedhur nga perëndia për të ringjallur popullin gjerman pas disfatës në Luftën e Parë Botërore.

Mein Kampf është më pak zbulim i historisë personale të Adolf Hitlerit dhe më tepër zbulim i karakterit të tij të pamëshirshëm. Në fillim të librit, duke përshkruar shërimin nga plagët e marra në luftë, pranonte se, gjatë netëve të gjata në spital, “iu shtua urrejtja”. Hakmarrja është tema qendrore e gjithë librit. Autori e shpreh urrejtjen ndaj kundërshtarëve, përbuzet gati të gjitha klasat sociale, racat, besimet, shtetet e tjera. Qe një njeri i mbushur me urrejtje, i vendosur për të ndëshkuar ata që besonte se ishin përgjegjës për humbjen shkatërrimtare ushtarake të Gjermanisë.

Me kalimin e kohës, Hitleri pranonte se kishte rezerva rreth stilit, por jo rreth përmbajtjes së këtij libri. Shpesh kritikët thoshin se ai i druhej faktit që shkrimi mund të zbulonte diçka të ndryshme nga ajo që donte të bënte të ditur. Ka mundësi që Hitleri ta ketë kuptuar se e kishte tradhtuar veten në këtë libër, duke lënë pa dashje t’i binte maska me të cilën shpresonte të paraqitej para lexuesit. Kishte për qëllim të përcillte portretin e vet si njeri gjenial, udhëheqës i madh heroik, i gatshëm të shpëtonte popullin e tij, por, në vend të këtyre, mund të dilte si i vogël, brutal, hakmarrës, që është gati të zhdukë këdo që i del në rrugën e realizimit të ambicieve të veta.

Hitleri në libër kalon sa nga një temë në tjetrën. Shpreh mendimet e tij për teatrin, arsimin, teknikat e propagandës, ekonominë, sindikatat, artin e leximit, historinë, letërsinë, martesën, sifilizin, marksizmin, nevojën e një udhëheqësi të fortë për Gjermaninë, dhe përgjegjësinë për humbjen e Luftës së Parë Botërore. Mein Kampf duket si përpjekja e një vizionari, që kërkon të japë botëkuptimin e tij, jo e një politikani që flet për programin e partisë. Dy janë elementet themelore të vizionit të tij që diskutohen gjerësisht në libër dhe që përbëjnë thelbin e ideologjisë nacional-socialiste.

Njëra është doktrina e luftës racore, që është edhe themeli i filozofisë së tij, sepse e konsideronte si “ligj të hekurt të Natyrës”. Besonte në mbijetesën e më të fortit, duke ngulmuar që raca ose duhet të luftojë, ose është e destinuar të zhduket. Njerëzimi ka përparuar përmes luftës, kurse paqja do ta bëjë të vdesë, shkruante. Thoshte se raca më e lartë është ajo ariane, e cila duhet të jetë edhe raca sunduese mbi qeniet e tjera njerëzore. Shprehte shqetësim në lidhje me kërcënimin e racave të tjera që përpiqeshin ta ngrinin veten duke iu afruar nivelit të zotërinjve të tyre. Porosiste për kujdes ndaj rrezikut të përzierjes me racat e tjera. Shpëtimi i Gjermanisë, besonte, do të vijë vetëm kur të rivendoste integritetin e saj racor.

Objekt kryesor i urrejtjes racore të tij ishin sllavët, dhe mbi të gjitha hebrejtë, të cilët i fajësonte për gjithë vuajtjet e kombit gjerman. Anti-semitizmi që e përqafoi kur ishte ende i ri në Vjenë, u bë kaq i egër saqë kur shkroi librin Mein Kampf, arriti sa t’i quajë hebrejtë “parazitë”, hapi i parë i masakrës së mëvonshme masive e çnjerëzore mbi këtë popull.

Element tjetër qendror i vizionit Hitlerit ishte koncepti gjeopolitik “lebensraum”, apo hapësirë jetese e popullit gjerman. Vetëm një hapësirë e madhe në këtë tokë i siguron një kombi lirinë e ekzistencës, mendonte. Sa më i madh një komb në aspektin gjeografik, thoshte Hitleri, aq më i madh do të jetë ndikimi i tij në çështjet ndërkombëtare. Ishte i bindur se madhështia e një kombi ishte e lidhur me zgjerimin territorial, duke pohuar se ajo që nuk pranohet me metoda miqësore, duhet rrëmbyer me forcë. Këtë nevojë për hapësirë e shihte të lidhur me zgjerimin drejt lindjes, në territorin rus.

Hitleri, ndryshe nga shumë burra shteti gjermanë në vitet 1920, nuk kënaqej vetëm me anulimin e Traktatit të Versajës dhe rikthimin në kufijtë e 1914-ës. Ai i konsiderohet këta kufij si absurditet politik të përmasave dhe pasojave të mëdha saqë i konsideronte krim. I shfaqte hapur qëllimet politike ekspansioniste. Deklaronte se Gjermania duhet ta mposhtë Francën, pastaj të kthente vështrimin drejt Lindjes. Besonte se Gjermania duhet të ishte fuqia dominuese në të gjithë kontinentin.

Adolf Hitleri nuk ishte mendimtar inovativ. Idetë e propozuara në Mein Kampf nuk i ka të gjitha të vetat, por ato rrjedhin nga një varg teorish dhe argumentesh të pranishme në atë kohë në Europë.  Megjithatë, i përqafoi si t’i kishte të vetat dhe nxori plot zell prej tyre propozimet e frikshme e perverse.

Një aksiomë e politikës së asaj kohe thoshte se qytetarët nuk duhet t’i kushtojë vëmendje asaj që thonë politikanët, por asaj që bëjnë. Ndoshta për këtë arsye, lexuesit e asaj kohe nuk i morën seriozisht deklaratat e Hitlerit, duke i quajtur thjesht si gjuhë acaruese e një politikani të inatosur. Mirëpo më vonë doli se Hitleri i vuri në jetë në mënyrën më brutale këto ide, kur mori pushtetin në Gjermani. Fjalët, edhe në politikë, nganjëherë kanë pasoja të rënda, dhe kjo është një nga arsyet përse Mein Kampf vazhdon të rëndësi edhe sot e kësaj dite, duke na kujtuar se sa të tmerrshme ishin pasojat për njerëzit të cilët nuk i morën seriozisht fjalët e këtij njeriu.

Ky botim në shqip, së fundi, ka për qëllim, ashtu si edhe botime në gjuhë e vende të tjera, të “çmistifikojë” këtë libër. Botuesit bashkohen në një pikë kur vjen fjala për librin Mein Kampf, që ky libër ka një fuqi të errët, por kjo më tepër vjen nga fakti që askush nuk e ka lexuar. Miti i këtij libri është shtuar vetëm nga aureola e gjësë së ndaluar që e ka mbështjellë. Në një farë mënyre, një libër i tillë nuk e meriton kaq shumë zhurmë e vëmendje, dhe një mënyrë për t’ia hequr është bërja publike e tij. Botues të ndryshëm njëherësh mendojnë se lexuesit sot është aq i kulturuar e i pjekur sa ka aftësi ta gjykojë këtë libër.

Gjatë kohës së regjimit të Hitlerit, libri u botua disa herë. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, kurrkush nuk donte të dëgjonte më për bestseller-in e Hitlerit. Miliona kopje u zhdukën nga shtëpitë gjermane ku kishin mbetur si një trashëgimi e turpshme. Por me sa duket jo të gjitha kopjet. Në Angli për shembull janë gjetur në vitin 2005 dhe 2009 ekzemplarë të nënshkruar me dorë, të cilat janë nxjerrë në shitje kundrejt shumave të mëdha. 

Që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, libri në Gjermani ka qenë tabu, dhe është ndaluar të shtypet dhe të shpërndahet. “Kur thuhet se libri nuk duhet të publikohet, atëherë mendohet nga njëra anë për ndjenjat e viktimave dhe, nga ana tjetër, pyetet nëse libri është ende i rrezikshëm, a mund të përdoret ai ende për revista programatike të neonazistëve. Kësaj pyetje kritikët i përgjigjen me “jo”.

Një institut në Gjermani ka filluar të përgatisë një version shkencor të librit, një version të pajisur me shënime kritike historike, që tregon qartë për burimet e ideologjisë hitleriane dhe që komenton dhe tregon historinë e ndikimit prej tij, çka ka vlera shkencore dhe mundëson imunizimin. Ai që lexon një libër kritik nuk frymëzohet nga neonazizmi, përkundrazi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, disa vende të botës e kanë botuar e ribotuar librin, si Shtetet e Bashkuara, Franca, India, Britania e Madhe, Suedia (pesë ribotime, i fundit më 2010), Turqia, Kanadaja, Australia, Italia, Holanda, Japonia, disa vende amerikano latine, vendet e botës arabe, vendet e Ballkanit, Polonia, Çekia, Rusia (te paktën tri ribotime pas 1992-shit, ndërkohë që në Bashkimin Sovjetik ishte botuar një variant i përzgjedhur dhe shkurtuar). Në disa prej këtyre vendeve është i detyrueshëm shoqërimi i librit me parathënie sqaruese ndërsa në disa të tjera lejohet botimi dhe shpërndarja, por jo përdorimi i tij për qëllime politike dhe propagande.

Ndalesat për botimin e librit duke e vlerësuar atë si propagandë me parulla armiqësore dhe mjet për nxitjen e urrejtjes në popull nuk qëndrojnë më. Me ndalimin kërkohet të pengohet shpërdorimi dhe ndikimi politik mbi lexuesit, një argument që shumë vetë e shohin si të pakuptimtë, duke pasur parasysh raportet demokratike të forcuara prej kohësh. Historiani britanik Ian Kershou, thotë se përpjekja për të censuruar lexuesit, është një ushtrim i pakuptimtë në kohën e internetit. Në fakt libri gjendet edhe pjesërisht, edhe i plotë, në internet.

Edhe Diter Graumani, presidenti i Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani, e sheh botimin e këtij libri me qetësi, duke shpresuar që me leximin e tij “të vijë edhe zhgënjimi”.

FLORI BRUQI “Ëndrrat e ujqve” të Yasmina Khadras




Deri në vitin 2001, askush nuk e dinte se shkrimtarja që po bënte bujë me romanet e saj, në fakt nuk ishte një grua. Për vite me radhë, Mohammed Moulessehoul u fsheh pas emrit të një gruaje, për t’i shpëtuar censurës ushtarake. U quajt Yasmina Khadra, i cili nuk është një emër i panjohur edhe në Shqipëri. Pas suksesit në gjuhën shqipe të katër romaneve “Dallëndyshet e Kabulit”, “Sirenat e Bagdadit”, “Atentatorja”, “Kushërira K”, të botuara nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, vjen sërish me një tjetër roman “Ëndrrat e ujqve”, prurë në shqip me mjeshtëri të lartë nga Nonda Varfi. Yasmina Khadra, i lindur më 1955-n në Saharanë algjeriane, është shkrimtar algjerian frankofon me zë në letërsinë algjeriane dhe franceze, i njohur dhe i përkthyer në më tepër se 40 gjuhë. Dy nga romanet e tij janë vënë tashmë në ekran. Oficer në ushtrinë algjeriane, Moulessehoul, për një kohë të gjatë përdori pseudonimin femëror për t’i shpëtuar censurës ushtarake. Pavarësisht suksesit të shumë botimeve në Algjeri, Moulessehoul identitetin e tij e zbuloi më 2001-n, pas largimit nga ushtria dhe pas marrjes së azilit në Francë. Sot banon në Aix-en-Provence. “Yasmina Khadra është një nga shkrimtarët madhorë të sotëm”, është shprehur afrikanojugori J.M Coetzee, fitues i çmimit “Nobel” 2003. Për Khadrën, shkrimi, qysh në fëmijëri, është perceptuar si një dhunti e dhënë nga qielli, që, në këmbim të hijeshisë, kërkon përmbushjen e një misioni. Grishjet e para për të rrëfyer dhe shkruar, Khadra ia dedikon fisit të tij saharian, nënës së vet, që e mëkoi dhe i la trashëgimi mjeshtërinë rrëfyese të përrallave, ngjarjeve, historive dhe legjendave, mjeshtëri që Khadra e shpalosi në të shkruar dhe që spikat edhe në stilin e tij. Veç kësaj, ashtu si te shumë shkrimtarë të kësaj treve, në formimin e Khadrës kanë ndikuar shumë shkrimtarë e letërsi të mëdha. Në romanin “Shkrimtari” dhe “Mashtrimi i fjalëve”, si dhe në intervistat e tij në shumë media të shkruara dhe vizive, Yasmina Khadra përmend emrat e mjeshtërve të tij, si Kamy, Kateb Yacine, Nazim Hikmet, Niçe dhe autorë të tjerë, të shquar si Dostojevski, Steinbeck, Gorki etj. Por lidhja me këta autorë, “kjo miqësi në yje” (sipas Niçes) nuk mjafton, nuk e ka penguar Khadrën të shpalosë gjeninë krijuese dhe individualitetin e tij. Këta shkrimtarë madhorë janë udhërrëfyesit, faret ndriçues, frymëzuesit, që mes harmonive prestigjioze nuk e kanë penguar të luajë edhe ai muzikën e vet. Khadra ka stilin e tij. Disa flasin për lirizëm, metafora të papritura e të mrekullueshme, lidhje mes prozës dhe poezisë, gjuhë dhe sintaksë të ndërlikuar, imazhe të forta, të papërballueshme, por të bukura, për dhunë dhe harmoni, për muzikë dhe harmoni të fjalëve. Ai është mjeshtër i thurjes së intrigës. Intriga, vrasës, viktima, hetime, komisar atipik, stil policesk, diku, si te James-Hadley, Raymond Chandler, Lawrence Block, Jean-Claude Izzo, e pastaj romani “Shkrimtari” si libër kujtimesh, “Mashtrimi i fjalëve” si pamflet; “Kushërira K”, që i shmanget gjinisë së romanit, edhe pse cilësohet si i tillë dhe, së fundi, romanet “Delet e Perëndisë”, “Ëndrrat e ujqve”, “Dallëndyshet e Kabulit”, ku lexuesi sheh një lloj reportazhi dihatës mbi jo njerëzoren, mizoren, të padurueshmen, të para këto nga brenda, në gjykimin e një udhërrëfyesi të dokumentuar mirë mbi çështjen. LIBRI “Ëndrrat e ujqve” rrëfen Algjerinë e viteve ’80, edhe pse koha nuk ka ndryshuar shumë gjëra qysh atëherë. Nafa Ualid, një djalosh algjerian nga shtresa e varfër e shoqërisë, ëndërron të bëhet aktor kinematografie me famë botërore. Përpjekjet e tij për të trokitur në dyert e filmit, fillimisht premtuese, mbeten iluzion i një bote të paarritshme. Ky roman zbulon universin e korruptuar të shoqërisë ku jeton, ku ligji për të pasurit nuk funksionon e njeriu i thjeshtë është viktimë e sistemit. Një jetë e trazuar, një rendje pa kthim drejt ferrit, këtë na rrëfen, përmbledhtazi Yasmina Khadra. Po përse, për ç’shkak, për ç’arsye? Cili është ai ingranazh që e merr me vete Nafan drejt rrokullimës së pafund? Yasmina Khadra ka shkuar një libër të guximshëm, që nxjerr lakuriq situatën dramatike të Algjerisë pas shpalljes së pavarësisë kur nis tragjedia islamike. Nafa, i indoktrinuar, me lavazh truri, kthehet në makinë vrastare. Romani i Yasmina Khadrës është një fotografi, një dëshmi e llahtarit të një dekade të përgjakur, një tragjedi në kuptimin më antik dhe më absolut të fjalës. Ky roman vjen në shqip në mënyrë mjeshtërore nga njohësi i thellë i gjuhës frënge, profesor Nonda Varfi. Gjuha e vështirë e plot nuanca vjen në shqip me shprehje të zgjedhura, strukturë sintaksore të përsosur e një gjuhë plot kolorit. Përkthyesi ka qëmtuar plot durim e këmbëngulje çdo fjali e fjalë për të sjellë sa me vërtetësi, aq dhe artistikisht mjeshtërinë dhe stilin e autorit. Herë-herë të ngjan sikur Khadra flet shqip. Lexuesi gjen në përkthimin e Nonda Varfit gjuhën e bukur dhe të pasur shqipe plot figuracion dhe metafora që materializon madhështinë dhe universalitetin e Yasmina Khadrës.


Yasmina Khadra - "
Ëndrrat e ujqve"
(roman)

E përktheu: Nonda Varfi

Nr. i faqeve 316

ISBN 978-9928-00-78-1

Çmimi 1000 lekë

Shtëpia botuese BOTA SHQIPTARE



Yasmina Khadra, me emrin e vërtetë, Mohammed Moulessehoul, pas suksesit në gjuhën shqipe të katër romaneve: Dallëndyshet e Kabulit, Sirenat e Bagdadit, Atentatorja, Kushërira K, të botuar nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, vjen sërish me një roman tronditës, Ëndrrat e ujqve, prurë në shqip me mjeshtëri të lartë nga Nonda Varfi.

Yasmina Khadra, i lindur më 1955 në Saharanë algjeriane, është shkrimtar algjerian frankofon me zë në letërsinë algjeriane dhe franceze, i njohur dhe i përkthyer në më tepër se 40 gjuhë. Dy nga romanet e tij janë vënë tashmë në ekran.

Oficer në ushtrinë algjeriane, Moulessehoul, për një kohë të gjatë përdori pseudonimin femëror për t’i shpëtuar censurës ushtarake. Pavarësisht suksesit të shumë botimeve në Algjeri, Moulessehoul, identitetin e tij e zbuloi më 2001, pas largimit nga ushtria dhe pas marrjes së azilit në Francë. Sot banon në Aix-en-Provence.

« Yasmina Khadra, siç shprehet edhe afrikano-jugori J.M Coetzee, fitues i çmimit Nobel, 2003, është një nga shkrimtarët madhorë të sotëm ».

Sigurisht, madhështia e një shkrimtari lidhet dhe shpjegohet me shumë faktorë, që kanë ndikuar në ngjizjen dhe zhvillimin e prirjeve të tij estetiko-letrare.

Për Khadrën, shkrimi, qysh në fëmijëri, është perceptuar si një dhunti e dhënë nga Qielli, që, në këmbim të hijeshisë, kërkon përmbushjen e një misioni.

Grishjet e para për të rrëfyer dhe shkruar, Khadra ia dedikon fisit të tij saharian, nënës së vet, që e mëkoi dhe i la trashëgimi mjeshtërinë rrëfyese të përrallave, ngjarjeve, historive dhe legjendave, mjeshtëri që Khadra e shpalosi në të shkruar dhe që spikat edhe në stilin e tij.

Veç kësaj, ashtu si te shumë shkrimtarë të kësaj treve, në formimin e Khadrës kanë ndikuar shumë shkrimtarë e letërsi të mëdha. Në romanin Shkrimtari dhe Mashtrimi i fjalëve, si dhe në intervistat e tij në shumë media të shkruara dhe vizive, Yasmina Khadra përmend emrat e mjeshtërve të tij, si Kamy, Kateb Yacine, Nazim Hikmet, Niçe dhe autorë të tjerë, të shquar, si Dostojevki, Steinbeck, Gorki, etj. Por lidhja me këta autorë “kjo miqësi në yje” (sipas Niçes), nuk mjafton, nuk e ka penguar Khadrën të shpalosë gjeninë krijuese dhe individualitetin e tij. Këta shkrimtarë madhorë janë udhërrëfyesit, faret ndriçues, frymëzuesit, që mes harmonive prestigjioze nuk e kanë penguar të luajë edhe ai muzikën e vet.

Letërsia e Khadrës është një letërsi me forcë të madhe impresionuese, që askush sot nuk mendon t’ia kundërshtojë vlerën dhe rëndësinë. Rëndësia dhe vlerat e saj qëndrojnë si në formë, stil, ashtu edhe në mesazhet e forta që përcjell.

Khadra ka stilin e tij. Disa flasin për lirizëm, metafora të papritura e të mrekullueshme, lidhje mes prozës dhe poezisë, gjuhë dhe sintaksë të ndërlikuar, imazhe të forta, të papërballueshme por të bukura, për dhunë dhe harmoni, për muzikë dhe harmoni të fjalëve. Ai është mjeshtër i thurjes së intrigës. Intriga, vrasës, viktima, hetime, komisar atipik, stil policesk, diku, si te James-Hadley, Raymond Chandler, Lawrence Block, Jean-Claude Izzo, e pastaj romani Shkrimtari si libër kujtimesh, Mashtrimi i fjalëve si pamflet; Kushërira K, që i shmanget gjinisë së romanit edhe pse cilësohet si i tillë dhe, së fundi, romanet Delet e Perëndisë, Ëndrrat e ujqve, Dallëndyshet e Kabulit, ku lexuesi sheh një lloj reportazhi dihatës mbi jo njerëzoren, mizoren, të padurueshmen, të para këto nga brenda, në gjykimin e një udhërrëfyesi të dokumentuar mirë mbi çështjen.

Khadra, mjeshtër i rrëfimit, me një frëngjishte të bukur, ku ngërthehen harmonishëm nivelet dhe stilet e gjuhës, dialogët, përshkrimi me narracionin, ku trazohen dhe shkrihen pa u vënë re zërat narrativë, ku fjalët përdoren me kuptimet dhe ngjyrimet më të skajshme dhe më imta, me një pasuri leksikore dhe frazeologjike të madhe, krahas bukurisë së stilit, veprën e tij e vë në shërbim edhe të përçimit të mesazheve të forta, sepse, siç e përmendëm më sipër, kërkon t’ia shpërblejë Qiellit dhuntinë që i ka dhënë duke përmbushur një mision. Dhe ky mision i shenjtë përmblidhet në luftën e përhershme të së mirës ndaj së keqes. Në një intervistë të dhënë, Khadra nënvizon: “E Mira nuk ka triumfuar kurrë ndaj të Keqes. E keqja është dorëzuar, e lodhur nga abuzimet e saj. Llobët (komisar policie, personazh në një roman të Khadrës) dhe Khadrat janë këtu, pikërisht për të mos e fshehur”. E gjithë vepra e Khadrës përshkohet nga ky ideal dhe përçon këtë mision. Sigurisht, një detyrë e tillë nuk është pa kosto. Por Khadra nuk tutet për të na dhënë nëpërmjet trillit realitetin e rëndë në Algjeri, Afganistan, Irak, Izrael apo Palestinë e gjetiu, vende ku fundamentalizmi ngre krye për të tronditur botën e qytetëruar, nuk tutet ta kritikojë atë dhe ta përshkruajë me nota herë të zymta, herë tragjike. Para realitetit askush nuk mund t’i mbyllë sytë. Është një realitet i brishtë, problematik, ku ndërthuren e gërshetohen shumë probleme sociale, etnike, fetare, zakonore, politike, që kërkon shumë zgjidhje për vendosjen e normalitetit. Lexuesi ka çfarë të njohë dhe të kuptojë nga romanet e Khadrës, të nxjerrë mësime për të bërë Luftën e Drejtë, sepse ndodhitë përsëriten në kohë dhe hapësirë, shpeshherë biem viktima jo të fatit por të ideologjive.



"Ëndrrat e ujqve" rrëfen një itinerar të pakuptimtë e megjithatë të zakontë, në Algjerinë e viteve 80. (por gjërat përsëriten ende sot, atje dhe gjetiu). Nafa Ualid, një djalosh algjerian nga shtresa e varfër e shoqërisë, ëndërron të bëhet aktor kinematografie me famë botërore. Përpjekjet e tij për të trokitur në dyert e filmit, fillimisht premtuese, mbeten iluzion i një bote të paarritshme. Ky roman tejet tronditës, njëherësh, zbulon universin kryekëput të korruptuar të shoqërisë, ku jeton, ku ligji për të pasurit nuk funksionon e njeriu i thjeshtë është viktimë e sistemit.

Një roman rrëqethës, një jetë e trazuar, një rendje pa kthim drejt ferrit, këtë na rrëfen, përmbledhtazi Yasmina Khadra. Po përse, për ç’shkak, për ç’arsye? Cili është ai ingranazh që e merr me vete Nafan drejt rrokullimës së pafund? Yasmina Khadra ka shkuar një libër të guximshëm. Një cikël infernal, i përshkruar bukur, që nxjerr lakuriq situatën dramatike të Algjerisë pas shpalljes së pavarësisë kur nis tragjedia islamike. Nafa, i indoktrinuar, me lavazh truri, kthehet në makinë vrastare.

Yasmina Khadra, para se të përshkruajë kasaphanën integriste, përshkruan tablonë e zymtë të situatës politike mbretëruese dhe nëpërkëmbëse, pabarazitë flagrante, që shtyjnë një numër jo të pakët të rinjsh drejt humnerës integraliste për të bërë një vetëflijim qorr.

Romani i Yasmina Khadrës është një fotografi, një dëshmi e llahtarit të një dekade të përgjakur. Është një bjerrje drejt ferrit të një njeriu të frustruar. Por, në fund të fundit, “Ëndrrat e ujqve” është një tragjedi në kuptimin më antik dhe më absolut të fjalës. Gjithsesi, theksojmë se, në ndryshim nga shfaqja, islamizmi nuk është subjekti real i romanit, por këtu është një shembull i cakut aq të brishtë të kufirit mes qytetërimit dhe barbarisë, mes njerëzimit dhe monstruozitetit.

Romani i Khadrës na nxjerr jo pa mjeshtëri, e jo pa talent, as me mizori, pjesën kafshërore që fle brenda sekujt, sado i ndjeshëm dhe inteligjent qoftë. Dhe kjo shpjegohet me kontekstin politik, social, familjar dhe historik. Mjafton që diçka e vogël të krisë që fati të marrë udhën e rrëpirës, të shkojë nga drita në errësirë, nga ëndrra në kllapi.



Ky roman i prurë në shqip në mënyrë mjeshtërore nga njohësi i thellë i gjuhës frënge profesor Nonda Varfi të emocionon e të ngërthen të tërin që në leximin e parë. Gjuha e vështirë e plot nuanca, nga më të spikaturat e Khadrës vjen në shqip me shprehje të zgjedhura, strukturë sintaksore të përsosur e një gjuhë plot kolorit. Përkthyesi ka qëmtuar plot durim e këmbëngulje çdo fjali e fjalë për të sjellë sa me vërtetësi aq dhe artistikisht mjeshtërinë dhe stilin brilant të autorit. Herë-herë të ngjan sikur Khadra flet shqip. Lexuesi gjen në përkthimin e Nonda Varfit, gjuhën e bukur dhe të pasur shqipe plot figuracion dhe metafora që materializon madhështinë dhe universalitetin e Yasmina Khadrës. Përfundimisht mund të themi se romani 'Ëndrrat e ujqve', së bashku me veprën e Khadrës, është bërë për t’i qëndruar kohës dhe, mendoj se ia vlen, do të lexohet edhe nesër. Kështu e ka letërsia, peshën dhe çmimin ia lë në dorë lexuesit për t’i vlerësuar.


Libri që përshkruan më mirë si krijohet fondamentalizmi islamik. - "New York Times"
Një shkrimtar që e kupton njeriun në çdo rrethanë. 
- "New York Times"
Yasmina Kadra është një nga shkrimtarët e rrallë që na japin një kuptim mbi dhunën në Algjerinë e sotme.
 - "Newsweek"


Gramoz Pashko në 1991: Ismail Kadare është një “refugjat”


AZEM HAJDARI, SALI BERISHA DHE GRAMOZ PASHKO


Spartak Ngjela kthehet në vitet e para të demokracisë.

Ndërhyrja pranë Isuf Vrionit për të kthyer në Shqipëri shkrimtarin nga Parisi.

Sistemit të vjetër i kishte ardhur fundi, por ende mbahej në grahmat e fundit. Pasardhësit e diktatorit Enver Hoxha vazhdonin të ishin në krye të shtetit. Avokat Spartak Ngjela, në vëllimin e tretë të librit të tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, tregon përpjekjet në fillim të viteve ’90 për shkëputjen e Shqipërisë nga e shkuara e vet komuniste. Çka dukej se ishte një mision tepër i vështirë. Çfarë po ndodhte me kastën e vjetër, me Nexhmije Hoxhën e Ramiz Alinë, dhe cilat ishin figurat e reja që po ngriheshin në politikë. Për Ngjelën, Shqipëria do të mund të shkëputej nga e shkuara e vet nëse në krye kishte njerëz me formim perëndimor, që për të ishin Isuf Vrioni dhe Ismail Kadare. Bisedat me Vrionin dhe Gramoz Pashkon në lidhje me Kadarenë… 
 
Spartak Ngjela
Ndërkohë u takova edhe me Isuf Vrionin, të cilin e kisha njohur që gjatë viteve ‘70, ishim miq me njëri – tjetrin, dhe unë e dija që kishte një kulturë të madhe dhe të gjithën në funksion të qytetërimit perëndimor. E takova në Hotel Dajti dhe i fola hapur. I thashë që, po të kishte mundësi, të kontaktonte edhe me Ismail Kadarenë dhe t’i thoshte që të kthehej, sepse Shqipëria do të gjendej përballë një krize, të cilën mund ta shpëtonin bashkimi i disa figurave përfaqësuese në një tragë historike që duhej të vinte që nga vitet tridhjetë e deri në ditët e sotme. “Diaspora aktuale është pa vlerë”, më tha Isufi, por skema jote kam frikë që nuk do të funksionojë, sepse Ramiz Alia dhe Partia e Punës nuk do të pranojë të tërhiqet edhe për katër vjet”. Arsyetimi i tij ishte i logjikshëm, sepse e shfrytëzonte saktësisht faktin e mospranimit të Ramiz Alisë që ta dorëzonte pushtetin me vota në zgjedhjet e 31 marsit. “Fakti që e mbajti, dhe e mori ligjërisht me vota, nuk do ta lëshojë”, më tha Isufi, duke mos më dhënë një “Jo!”, kategorike për propozimin që i bëja. Për sa i përket Ismail Kadaresë, më tha se “ai nuk do të kthehet pa u sqaruar mirë situata”.
Kjo dukej se ishte gjendja nga jashtë, por nga brenda askush nuk mund ta dinte sesi rreshtoheshin faktet dhe njerëzit. Kur ngjarjet janë të tensionuara midis njerëzish, që as nuk e dinë pse duhet të ikin dhe as pse duhet të vinë në pushtet, gjithçka ndodh e bëhet papritur. Por krejt më spontan më dukej lidershipi i Partisë Demokratike, sepse kishte mbetur në mes të katër rrugëve, nuk kishte pasur mundësi që të fitonte, por nuk dinte as të përfitonte nga koha që e kishte në favor. Brenda tyre s’kishte asnjë mendim politik. Dhe gjithçka vinte e bëhej me anë të gazetës së tyre, e cila vetëm ekspozonte fakte dhe ngjarje kundër Partisë së Punës, por nuk krijonte dot një mendim solid opozitar dhe europian.
***
…Një gjë duhej se ishte e sigurt: asgjë nuk mund të ndodhte nëse nuk largohej nga drejtimi i opozitës dominanca e tipit Hoxha që tani po spikaste rregullisht e po shihej nga të gjithë. Megjithatë, ndërkohë që Pashkoja ishte involvuar me Qeverinë e Stabilitetit, Berisha po punonte undergraund për sfumimin e figurës së tij, sepse e kishte pikasur që, pozicionin e tij të afërt me Partinë e Punës në një qeveri, i gjithë populli opozitar nuk e kishte pranuar. Faktikisht, këtu filloi e gjithë rënia e figurës së Gramoz Pashkos. Ai ishte treguar i paduruar, dhe prandaj mendoi se me marrjen e qeverisë, do ta dominonte përfundimisht skakierën e të dyja krahëve të politikës. Zgjedhjet e 31 marsit e kishin trembur, dhe jo vetëm atë, por të gjithë fluksin e tij, sepse e kishin parë që Partia e Punës ishte ende e fortë. Prandaj Pashkoja në gabim, mendoi se me një qeveri të përbashkët dhe të suksesshme nëpërmjet tij, do ta dominonte të gjithë elitën politike shqiptare, dhe do ta detyronte Alinë që t’i nënshtrohej. Madje ndërkohë vetë konstatova shenja të një deliri jo të mirë, sepse arriti deri aty sa të mundohej që të nënvlerësonte dhe Ismail Kadarenë. Mbajti në një rast një qëndrim jo të mirë kundrejt tij, duke e quajtur gati-gati “një refugjat’, por unë duke e njohur mirë që në vogëli e ndërpreva, për vete më shumë sesa për Ismail Kadarenë, dhe i thashë: “Lere Grami, se as ti me dy gishta, dhe askush tjetër për tridhjetë vjet, nuk e arrin dot famën e tij në oksident”.
Pashkoja, nën peshën e rëndë psikologjike të karrierës së shpejtë politike, po harronte ndërkohë që, kundërshtari i tij po e luftonte me të njëjtën monedhë, por në sensin e kundërt: ai donte që të grumbullonte afër vetes radikalët e partisë dhe sidomos elementë që po futeshin në Partinë Demokratike dhe që kishin qenë të persekutuar ose ish të burgosur politikë. Në të vërtetë kjo rezultoi një lëvizje shumë e suksesshme nga ana e Berishës, sepse këtë ndërmarrje të atyre muajve ai e çoi deri në fund në politikën e tij si lider i opozitës, por edhe kur ishte më pas President i Republikës. Berisha kishte nisur një politikë të re që nuk kishte lidhje aspak me konstitucionin e tij psikik dhe moral, as me backgraund-in e tij, por njëlloj si Milosheviçi po përgatitej të luante kartën e të tjerëve, për të shpëtuar veten nga dy presione që mund ta likuidonin: nga presioni si ish-komunist, që rregullisht do t’i vinte nga fryma e djathtë, dhe nga presioni i Ramiz Alisë, që i vinte nga fryma e majtë që ishte atëherë ende në pushtet.

“Nexhmija e kishte frikë Enverin, mund ta shpallte armike”
Biseda me të atin, Kiçon, mbi mundësinë që diktatori të drejtohej nga e shoqja
Ishte koha atëherë kur në të gjithë Tiranën dëgjoja të flitej me një mllef të paparë, që shkonte drejt urrejtjes, kundër Nexhmije Hoxhës, duke e pozicionuar atë si sjellësen e madhe të fatkeqësisë të shqiptarëve. Hamendjet dhe akuzat kundër saj shkonin deri aty sa, edhe vetë Enver Hoxhën e shfajësonin për një sërë krimesh, duke e trajtuar si një të humbur nga mendja që ishte drejtuar nga gruaja e vet. Më dukej një nonsens i qartë e gjithë kjo psikozë anti-Nexhmije, që e gjeta befas në Tiranë, sepse nuk e besoja. E kisha njohur nga afër të gjithë jetën politike të atij regjimi, dhe e dija se kjo nuk mund të ishte e vërtetë. Madje fjalë të tilla na kishin ardhur edhe në Burgun e Kosovës, dhe tek i dëgjoja përditë, pyeta edhe Kiçon nëse ai e shihte si të vërtetë që Nexhmija të kishte drejtuar Enver Hoxhën. “Spartak, -me tha Kiçoja, -pse bëhesh naiv? Ajo është një grua që nuk ka asnjë lloj kapaciteti politik, dhe Hoxha e ka ditur që ditën e parë që është lidhur me të.” Ishte një ditë e ftohtë janari kjo, e vitit 1991, një muaj para se unë të lirohesha nga burgu, dhe më kujtohet sesi Kiçoja ndenji për një copë herë, e mandej shtoi: “Jo vetëm që nuk ka mundësi që ta këtë drejtuar, por, mbaje mend nga unë që, ajo grua, ka pasur frikë nga Enver Hoxha më shumë se të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Sosia nuk e kishte për gjë aspak që ta shpallte atë armike e ta ekzekutonte për “tradhti të lartë”, sa herë që do ta mendonte se do t’i duhej për pushtetin e tij”. Megjithatë, në psikozat shoqërore nuk ka aspak rëndësi se cila është e vërteta: shqiptarët kishin filluar një urrejtje të re; dhe e gjithë kjo ishte ngritur kundër së vesë së Enver Hoxhës. Ishte në fakt një kohë e ashpër, dhe analiza e saj sigurisht që nuk është shumë e lehtë për t’u bërë. Pse ishte ngritur gjithë ky mllef dhe gjithë kjo urrejtje e behtë nga njerëzit e thjeshtë? E kishin kuptuar të vërtetën, apo kjo revoltë ishte një shprehje e varfërisë së tyre. A kishin besim shqiptarët e asaj kohe që do të fillonin të bënin një jetë me mirëqenie dhe të lirë? A mendohej realisht nga intelektualët e atëhershëm se do të krijohej një shtet shqiptar i lirë që do të mbështetej tek intelektualizmi? A do të vendosej moraliteti duke u ndëshkuar të gjithë ata që kishin bërë krime? A do të tërhiqej butë Ramiz Alia nga pushteti? A do ta lëshonte veten për të shkuar drejt burgut i gjithë ekipi makabër i Sigurimit të Shtetit? Cili ishte raporti i Sigurimit të Shtetit me partinë e re opozitare që ishte krijuar?

SPARTAK NGJELA

Kadare: Shpifje makabër që turqit na mbrojtën nga sllavët

 

Ismail Kadare i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe shkrimtarja e njohur Helena Kadare. Kadare foli ndër të tjera për raportin Shqipëri – Europë – Perandori Osmane.
Bashkëbisedimi me shkrimtarin u fokusua më shumë në librat më të fundit të Kadaresë dhe veçanërisht në temat më aktuale që preokupojnë shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Duke u nisur nga jehona që ka bërë libri më i fundit i tij “Mosmarrëveshja”, pjesë e të cilit u lexuan në sallë shqip dhe gjermanisht, interesimi i publikut u ndal më së shumti në temën mjaft delikate të raportit mes Shqipërisë dhe Europës, apo të raportit të Shqipërisë me kohën e pushtimit turk, për të cilën kohët e fundit ka pasur shumë diskutime.
Sipas Kadaresë, problemi thelbësor mbetet raporti i Shqipërisë me Europën. “Nuk ka problem të Ballkanit, ballkanas – ballkanas ose problem të Shqipërisë, shqiptar – shqiptar. Nuk ka asnjë problem të asnjë populli të Gadishullit pa qenë i lidhur me Europën”. Për Kadarenë, shqiptarët janë një ndër tre popujt më të rëndësishëm në Ballkan. Pra këta janë: shqiptarët, grekët dhe serbët. Por, sipas tij, ka mbi një shekull që ka lindur një teori që vetëm dy nga këta popuj duhet të qëndrojnë në Europë, ndërsa një duhet zhdukur.
S’mund të ketë Shqipëri jashtë qytetërimit europian
“Populli i dëbuar që është populli shqiptar, duhej të dëbohej me forcë, me ndarje, me shpërngulje, me denatyrim, duke provuar të gjitha mënyrat. Madje, për parantezë: gjuha shqipe në Europë është e vetmja e ndaluar me ligj për shekuj të tërë. Nuk ka një gjuhë tjetër indoeuropiane që është e ndaluar si shqipja dhe kjo ende nuk është shpjeguar nga historiografia shqiptare”. Duke u nisur nga këto fakte, sipas Kadaresë, shqiptarët megjithatë kanë një lloj përkushtimi disi të habitshëm për Europën, për qytetërimin europian. “Ata e kanë kuptuar se s’mund të ketë Shqipëri jashtë komunitetit europian, jashtë qytetërimit europian”.
Në librin “Mosmarrëveshja”, Kadare heq një paralele mes shqiptarëve dhe Europës, duke theksuar se ngjajnë për nga ashpërsia. Këtë Kadare e konkretizon me faktin se ky kontinent (Europa) ka lindur dy përbindëshat më të rrezikshëm të shekullit të 20-të e këtej: Fashizmin dhe bolshevizmin. Por, po vetë kjo Europë i ka mbytur ata. “Nuk e mbytën fashizmin dhe komunizmin as popujt e Afrikës, as Kina dhe as India apo ndonjë kontinent tjetër. Dhe këtu është forca e qytetërimit europian, që ai edhe kur pjell të keqen, di ta mbysë atë. Besoj se tashmë të gjithë e kujtojnë parullën tonë pas rënies së komunizmit: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa!’”.
Një tjetër temë me të cilën u përball shkrimtari Kadare në mbrëmjen letrare në Këln ishte edhe periudha e sundimit osman në Shqipëri, për të cilën pati një sërë pyetjesh nga të pranishmit. Dihet tashmë se në Kosovë, por edhe në Shqipëri, është vënë në diskutim raporti i Shqipërisë së atëhershme dhe pushtimit osman. Shumë debate kanë nisur edhe mbi ndryshimin e teksteve të historisë për periudhën osmane. Ka shumë teza që vënë në diskutim këtë periudhë historike. Kadare, me një gjuhë të ashpër, u shpreh mjaft kritik ndaj kësaj teme. “Thelbi dhe baza e historisë nuk mund të ndryshohet, ajo mund të interpretohet sipas interesave të ditës, por kurrsesi nuk mund të ndryshojë. Këtë “teori” që ka dalë tashmë në skenën shqiptare, Kadare e quajti “filozofi e robërisë”.
Pushtimi osman nuk i ka mbrojtur shqiptarët nga sllavët
Sipas kësaj teorie, “pushtimi osman ka pasur diçka pozitive për kombin shqiptar, sepse e ka mbrojtur kombin shqiptar nga një rrezik më i madh, që ishte rreziku sllav”. Por kjo, sipas Kadaresë është e gjitha krejtësisht e pavërtetë. Kjo është një fantazi makabër, shpifje, një doktrinë e sajuar. “Të gjithë popujt e Ballkanit pësuan një dramë të përbashkët dhe në këtë dramë nuk ka pse populli shqiptar të bëjë befas një përjashtim, sepse nuk ka pasur kurrfarë përjashtimi në fatin e tij. Populli shqiptar ka qenë më i ashpri kundër Perandorisë Osmane, për vetë faktin se shqiptarët u bënë pengesë kryesore për depërtimin e Perandorisë Osmane deri në Itali. Sllavët vetë ishin për faqe të zezë, gjendja e tyre ishte më e defavorizuar se e shqiptarëve. Atëherë: nga cilët sllavë na mbrojti Perandoria Osmane? Si na mbrojtën ne turqit nga sllavët? Kjo është e pabesueshme, nga ana logjike, nga ana psikologjike. Për mua e gjitha është groteske, e paimagjinueshme, nga fillimi deri në fund”, shtoi Kadare.
Në fund të takimit u diskutua me shkrimtarin edhe pozicioni i Shqipërisë lidhur me hapjen e arkivave, me zbardhjen e së kaluarës duke iu referuar shembullit të Gjermanisë, e cila e kapërceu këtë akt në mënyrë të shkëlqyer. Për Kadarenë ky problem nuk mund të anashkalohet se paska probleme të tjera në Shqipëri më të rëndësishme se sa ky. Ai i quajti të pajustifikueshme të gjitha zvarritjet që bëhen në këtë drejtim. Sipas tij, kjo detyrë morale për hapjen e arkivave të fshehta, të ndërgjegjes së një populli, është numër një dhe për sa i përket profecisë se po u hapën arkivat e fshehta do të ndodhë katastrofë, kjo sipas tij nuk është e vërtetë. “Përkundrazi, asnjë katastrofë nuk i erdhi as Gjermanisë, madje një nga arsyet që eci përpara ishte edhe kjo: pastrimi i ndërgjegjes”, theksoi Ismail Kadare.

Dëshmi për vrasjen e artistit dhe të lirisë krijuese

SADIK BEJKO

  Mbi librin “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”, botuar nga “Onufri”


Libri i Migal Luarasit “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”, “Onufri”, Tiranë 2013, është libri i një prej personaliteteve të artit skenik shqiptar me një kontribut që e kalon gjysmëshekullin. I lindur në 1929-n në qytetin e Korçës, pjesëmarrës në LNÇL, i arsimuar si regjisor në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit në Hungari në 1958, M. Luarasi punoi si regjisor në Teatrin Popullor, në Teatrin e Estradës, regjisor i jashtëm në Teatrin e Operës dhe të Baletit, regjisor në teatrin “Çajupi” të Korçës dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.  
Në vitet ’70 të shekullit që shkoi Luarasi, krahas dy figurave të tjera të spikatura të artit skenik shqiptar, Piro Manit dhe K. Spahivoglit, kishte krijuar profilin e tij qartësisht të identifikueshëm. Ai, siç thuhej atëherë, vinte nga fluksi ideoestetik i Europës Qendrore, nga Hungaria, nga ndikimet estetike të teatrit të Brehtit dhe të estetit tjetër të njohur botërisht, G. Lukaçit. Dy rivalët dhe kolegët e M.Luarasit, regjisorët Piro Mani dhe Kujtim Spahivogli, të shquar secili më vete, të ravijëzuar qartë, ishin ndjekës të shkollës ruse, të teatrit të Stanislavckit.
Edhe dramaturgët e Tiranës së atyre viteve ishin tre: Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Fadil Paçrami. Fadil Kraja e Dionis Bubani vinin disi më mbrapa… Më i riu, më tragjiku, yll i shuar ende pa dalë në qiell, ishte Shpëtim Gina. Ky shkroi drama të tipit të teatrit absurd, shkollë teatri e afishuar në Francën e asaj kohe,  drama që iu ndaluan si spektakle, ndaj mbase Sh. Gina vdiq e shkoi fare i njomë dhe krejt misteriozisht.
Plenumi IV i Partisë, në 1973-n, Spahivoglin e çoi në prodhim, M. Luarasin dhe M. Jeron i rrasën në burg, u përjashtuan përfundimisht nga jeta artistike. I.Uruçi u degdis fshesaxhi rrugësh në Memaliaj, F. Paçrami… në burg, pra, u fshinë edhe këta nga jeta artistike.
Nga gjithë të mësipërmit, vetëm M. Luarasi mbijetoi deri më sot. Pas ‘90 ai iu kthye jetës skenike si regjisor dhe autor dramash e librash. “Përjetësisht dashuria”, autor dhe regjisor, Tiranë 2013, është suksesi i tij më i fundit në skenën e Teatrit, një spektakël i ngjyrosur nga nostalgjia dhe poezia e tekstit, e regjisë. 
Shqipëria, kur disa nga emrat që përmenda më lart ishin ikona të artit, prej disa dekadash nuk është më. Dhe teatri i sotëm nuk është më aq masiv, me aq peshë në jetën artistike, nuk është aq i magjishëm sa në vitet ‘70. 
Libri “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë” është shkruar nga një artist që dikur, në vitet ’70, ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, në pikun kur vlerat kishin prekur majat, dhe mu në këtë vrull vetjak ende në ngjitje e sipër, atë e skualifikojnë, e burgosin, e poshtërojnë. Libri që sot kemi në duar, u shkrua fillimisht në 1994-n, në rreth 80 faqe, si reagim ndaj librit të T. Lubonjës “Nën peshën e dhunës” dhe që atëherë është shpërndarë si dorëshkrim. Me kaq Luarasi është tërhequr. Pas disa vjetësh, për arsye të tjera, dorëshkrimi është rimarrë dhe na vjen tani në këtë botim përfundimtar.
Libri, nëpërmjet analizës, ballafaqimit, reflektimeve, retrospektivës rivlerëson kohë, njerëz, rrethana, fakte… dhe ca gjëra fare të brishta, siç janë miqësitë e mëritë midis njerëzve…, lidhje shpirtërore që në elegancën e luksin e tyre lehtësisht mund të anojnë dhe nga prishja, nga kalbja përfundimtare. 
Siç e thamë, shkaku nistor për të shkruar këtë libër prej M. Luarasit ka qenë reagimi ndaj një libri tjetër. Në disa nga faqet e librit “Nën peshën e dhunës”, veç të tjerash, autori Lubonja shfren me urrejtje e përçmim ndaj disa prej artistëve si M. Jero, M. Luarasi etj. Mohon e relativizon dhe arritjet, vlerat e tyre si artistë.
Todi Lubonja, komunist i orëve të para, ka qenë aparatçik i lartë i diktaturës, komisar politik, sekretar partie në disa rrethe, kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, anëtar i Komitetit Qendror etj… Në 1974-n atë e burgosën si liberal. Cila është arsyeja që në librin e tij “Nën peshën e dhunës” (1993) disa nga artistët që dikur para viteve ’70 kanë qenë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, tani në liri urrehen e përçmohen? Ja ç’ka ndodhur. Këta artistë me hekura në duar, të burgosur përpara tij, janë pyetur në Hetuesi dhe kanë pohuar se paskëshin bashkëpunuar me Todi Lubonjën për të realizuar disa prej spektakleve më të suksesshme për kohën. Këto spektakle atëherë u quajtën armiqësore, spektakle që kërkonin përmbysjen e regjimit. U quajtën kështu veç të tjerëve edhe nga vetë diktatori Hoxha. Në fakt, ato shfaqje ishin vetëm të bukura, të magjishme. Të pëlqyeshme, sa për historinë e artit kanë mbetur si mite, legjenda ende të pazbërthyeshme edhe sot.
Kushdo do ta kishte për nder që ishte burgosur ngaqë kishte ndihmuar në arritje artistike që kishin tronditur diktaturën. Por, si duket, jo të gjithë mendojnë kështu. Todi Lubonja, i dalë nga burgu, mbase i kishte harruar gjërat a mbase i leverdiste që në klimën politike të vitit 1993 ta mohojë kontributin e tij si liberal, si komunist jodogmatik siç kishte qenë para se të burgosej. Ish-aparatçikët, ish-anëtarët e Komitetit Qendror, eksponentët e lartë komunistë që atij i kthyen krahët dhe e quajtën armik e “rufjan politik” publikisht, deri dhe vetë ish-kryemiku i tij, Ramiz Alia, tashmë në kohën e pluralizmit bëhen streha shpirtërore e T. Lubonjës. Vetëm artistët, miqtë e tij të dikurshëm artistë, Todi Lubonja nuk i fal. E pra, ai dikur nën diktaturë kishte qenë një korb i bardhë, tani në liri bën mbrapsht e kthehet në kopenë e tij. Kjo metamorfozë është ende e dhimbshme për mikun e dikurshëm, për tetëdhjetëvjeçarin e sotëm, për M. Luarasin. Në librin e tij pohohet se kështu, me këtë transformim, Todi Lubonja hedh poshtë pjesën më të mirë të jetës së tij.
Në shtjellim të kësaj ideje M. Luarasi sjell fakte deri dhe hollësi se dikur në rrethe miqësore T. Lubonja fliste kundër E. Hoxhës, se ai ka mbrojtur artistë, si V. Furxhi, kur gabonin rëndë, se me ndihmën direkte të T. Lubonjës janë ngritur në skenë dy nga spektaklet më të famshme të atyre viteve, të shfaqjes së dramës “Njollat e murrme” (1969) nga Teatri i Korçës dhe të Festivalit të Njëmbëdhjetë në RTVSH, 1972. Në këtë vazhdë, diskursi polemist i librit këmbehet me shfletime të kujtesës së Luarasit, me digresione të cilat të çojnë në thelb të ngjarjeve, te ngjizja e atyre shfaqjeve teatrore dhe e spektakleve që në vitet e diktaturës ishin shprehje e lirisë, e forcës krijuese, e guximit të artistëve që ndiznin pishtarin e dritës në terrin e diktaturës. Shumë ujë ka rrjedhur që prej atëherë dhe shumë baltë hodhi diktatura mbi artistët e atyre viteve. E vërteta është që edhe më pas mendimi kritik nuk u ndal në vlerësimin profesional të atyre ngjarjeve të  bujshme si spektakli i dramës “Njollat e murrme”, spektakli i Festivalit të Njëmbëdhjetë në Radio Televizionin Shqiptar etj.
Në këtë libër jepet një prerje e hollë e klimës krijuese të kohës dhe e profilit artistik e human të njerëzve që guxuan dhe sfiduan dogmën e realizmit socialist. Dhe kjo qe një vazhdë krijuese. Dhe kjo ndodhi se në vitet ’70 prurjet në talente dhe në pjekuri profesionale krijuese në Tiranë qenë të afta për të ndërmarrë jo akte sfiduese formale, por se artistët e ndienin veten në nivelin më të mirë botëror të artit. Jo më kot, rreth 25 vjet më pas, drama “Njollat e murrme” u inskenua nga një teatër francez.Janë të dhimbshme faktet se si diktatura i poshtëronte dhe i shpërfytyronte këto talente, i detyronte të pohonin publikisht në mbledhje linçuese të kundërtën e asaj që kishin shprehur pak ditë më parë, pra të mohonin dhe të kërkonin ndjesë për atë që realisht ndienin e mendonin. Pas gjithë këtij kursi të dhunës psikologjike, ku artistët viheshin kundra vetes e kundra njëri-tjetrit, do të vinin dhe prangat e burgut. Eliminimi nga jeta artistike i më të mirëve. Libri “Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë” në këtë mënyrë bëhet një dëshmi për dhunën, për vrasjen e artistit dhe të lirisë krijuese. Dëshmi e sjellë nga njëri prej atyre artistëve që në vitet ’70 ishte në apogjeun e arritjeve historike të artit skenik shqiptar.

“Poezinë e kam ruajtur të paprekur nga politika”




Një poezi me temperaturën e jetës, të njeriut. Kështu e ka quajtur poezinë e Preç Zogajt ministri në detyrë i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, poeti Visar Zhiti. Edhe pse e kishte parashikuar në shtator, duket se Zogaj mendoi se kësaj periudhe postzgjedhore, transitore, i duhet pak poezi, i duhet një promovim libri. Në ambientet e MTKRS-së, promovimi i librit “Fundi, një fëmijëri tjetër” kishte mbledhur më shumë njerëz nga ç’ishte llogaritur numri i karrigeve. Ministra, kolegë debatesh nëpër ekrane televizive, shkrimtarë, gazetarë… Siç do të shprehej Zhiti, atë shumësi njerëzish “është poezia që na bashkon të gjithëve”. Sipas tij, ky libër që Preç Zogaj i jep lexuesit, vetes dhe letërsisë shqipe, është “një poemë ku vërshojnë ndjenjat”, “një përpjekje për të qenë njeri”, një dëshmi që “poezia jeton, poezia është dhe poezia na duhet”. Për poetin dhe piktorin Parid Teferiçi, Preç Zogaj është një poet metafizik. Ndjeshmëria njerëzore, dashuria për prindërit, partneren, ndjesia e vdekjes… e bëjnë atë një poet të veçantë. Për të, libri i Zogajt është në vazhdën e atyre veprave të mira, që kanë thyer çdo lloj pritshmërie apo paragjykimi mbi poezinë, kohëve të fundit. I shoqëruar gjithnjë nga një ndjenjë “borxhi” ndaj të gjithë atyre që nuk mungojnë në promovimet e librave të tij, Preç Zogaj do të ndante dje me të pranishmit mendimin e tij personal se “Fundi, një fëmijëri tjetër” është libri i tij më i mirë. Madje-madje, duke iu referuar një thënieje të Borgesit, ky është pjesë e atij librit të “vetëm” që poeti shkruan gjatë gjithë jetës së tij. Preç Zogaj, një nga figurat politike më aktive, ishte i bindur se te të gjithë të pranishmit do të lindte natyrshëm pyetja se ku mbaron poeti e fillon politikani e anasjelltas, se ç’e lidh poezinë me politikën… “Duke lexuar datat poshtë poezive, lexuesi e sheh se ndërkohë unë kam qenë i angazhuar në aktivitete të tjera, por unë asnjëherë nuk e kam komprometuar poezinë me aktivitete të tjera të domosdoshme në jetën e njeriut. Nuk besoj se këtu ka ndonjë poet që jeton vetëm me librat e tij, por unë jam përpjekur që me fanatizëm ta ruaj poezinë të paprekur nga angazhimet e tjera”, tha Preç Zogaj. Megjithëqë ai ka lëvruar edhe gjini të tjera, si romanin, memuaristikën e publicistikën, mbetet një poet dhe shprehet i lumtur që vazhdon të flasë këtë gjuhë. “Ne vazhdojmë të flasim dhe të shkruajmë gjuhën universale të poezisë, e cila është gjuha e gjuhës. Pavarësisht se poezia ka probleme komunikimi, ne e vazhdojmë këtë aventurë dhe unë jam i lumtur që e flas, e lexoj dhe e shkruaj këtë gjuhë”, tha dje poeti.

PËRMBLEDHJA“Fundi, një fëmijëri tjetër”, është përmbledhje e poezive të shkruara gjatë 2-3 viteve të fundit. Një botim i shtëpisë botuese “Tirana Times”, me kopertinë nga Parid Teferiçi. Edhe në këtë përmbledhje poetike, Preç Zogaj u kthehet temave të tij të preferuara, si dashuria, që siç do të shprehej edhe në vëllimet e mëparshme është lajmi më i mirë që mund të ndodhë mbi tokë. Është dashuria për gruan, për prindërit, që janë vazhdimisht të pranishëm edhe me mungesën e tyre, për jetën. E bashkë me këtë të fundit vjen dhe vdekja, ajo e pashmangshmja, e vetmja gjë e sigurt sipas poetit, mungesa e së cilës ndoshta nuk do t’i jepte jetës atë kuptim që ka.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...