Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/12

PARATHËNIA E LIBRIT GËTJA DHE “FAUSTI”





Në mes të një rruge të gjerë të një qyteti modern çapitet i vetmuar një burrë. I veshur me një redingotë të dy shekujve më parë, mbi të cilën ngrihen jakat e bardha të këmishës, dhe me flokët e ngatërruar e të valëvitur në erë, që zbulojnë ballin e madh e të kërcyer, ai ngjan aq i çuditshëm, aq i pazakonshëm, aq i huaj mes lumit të makinave luksoze dhe pamjes madhështore të qytetit. Kush është ky njeri, nga vjen, ç’kërkon mes trafikut dhe përse askush nuk i kushton vëmendje?

Është Betoveni në kuadrot e fundit të një filmi artistik qarkulluar në vendin tonë afërsisht këtu e dy dekada më parë. Ai nuk kërkon asgjë nga qytetërimi ynë. Ndërkohë ky qytetërim ka trashëguar pa kurrfarë merite, sado të vogël, ndaj Betovenit dhe pa kurrfarë përfitimi të dukshëm kulturor, jo më shoqëror, muzikën e tij, mesazhet e së cilës shpesh kumbojnë jo pak të huaja në klimën e përgjithshme morale të kohës sonë.

Përtej natyrës disi ekstravagante të skenës së mësipërme dhe ndoshta pikërisht falë thelbit të saj plot kontrast ndërgjegja mbetet e goditur nga kumti i këtij fundfilmi. Në kundërthënien artistike “qytetërim modern – Betoven” shpirti ynë rrok ashtu në mënyrë të vetvetishme gjithë dramën e historisë sonë njerëzore: Për ku shkojmë ne? Ç’e ka bërë koha jonë, bota jonë, qytetërimi ynë kontributin e njerëzve gjenialë të së shkuarës, posaçërisht të njerëzve të mëdhenj të artit?

Simbolika e mësipërme duket e përshtatshme për të hapur këtë përkthim në shqip të “Faustit”, të veprës më të njohur të Johan Volfgang Gëtes dhe njëherazi njërës prej veprave më të qëndrueshme në historinë e letërsisë botërore.
Në këtë kohë të një prodhimtarie marramendëse, në të vërtetë të çoroditur, të librit, që ka bërë të flitet jo më për një kulturë, por për një biznes, në këtë kohë të triumfit të internetit dhe të vënies në pikëpyetje të së ardhmes së librit, në këtë kohë të përhapjes masive të irracionalizmit dhe nihilizmit, kur nuk është e lehtë të thuhet se ç’gjë u duhet njerëzve e ç’gjë nuk u duhet, nuk do të ishte aspak çudi që sjellja para vëmendjes së lexuesit tonë e një vepre të para dy shekujve të pritet me pyetjen: Përse na duhet “Fausti”?

Lexuesi mund të befasohet, kur të shohë se me një pyetje të ngjashme hapet edhe vetë, si të thuash, sipari i “Faustit” (le të mbajmë parasysh që “Fausti” është një tragjedi, nga forma dhe nga brendia): Çfarë kërkojnë njerëzit nga teatri, çfarë presin në përgjithësi ata nga arti?

Rreth kësaj pikëpyetjeje diskutojnë në “Prologun në teatër” tri figurat kryesore të një trupe teatrore: drejtori i saj, poeti, aktori. Me përjashtim të poetit, dy të tjerët ngulmojnë në mendimin se publiku kërkon nga arti vetëm dëfrimin. Dhe për këtë qëllim ia vlen, sipas tyre, të sjellësh në vepër mbarë gjithësinë, ia vlen ta shpiesh publikun “në qjell e dhe e në skëterrë”.
Nëse dëfrimi do të ishte me të vërtetë synimi i artit, atëherë mund të thuhet që në fillim se “Fausti” nuk i përgjigjet këtij parimi. Kush e merr në dorë këtë vepër, nuk ka për të gjetur tek ajo as edhe një detaj të vetëm, që të jetë krijuar thjesht për dëfrimin.
E po kështu në tërë historinë e letërsisë nuk gjenden vepra të vërteta artistike, që të jenë thjesht e vetëm dëfryese. Nuk është e tillë “Iliada”, nuk është “Komedia hyjnore”, nuk është as “Hamleti”, “Don Kishoti” apo “Lufta e paqja”. Madje sa më pak kanë qenë të tilla veprat e vërteta artistike, aq më shumë i kanë qëndruar kohës, aq më fort kanë tërhequr vëmendjen e njerëzve të kohërave të mëvonshme.

Ndërkohë kushti tjetër i një arti për masat, ai i të paraqiturit të mbarë gjithësisë, ai i të shpënit të publikut nga qielli në dhe e nga dheu në skëterrë, pra nga lumturia e kulluar te jeta e përditshme dhe nga jeta e përditshme te vuajtjet e amshuara, te “Fausti” është përmbushur në një mënyrë fare origjinale. Dhe ky është pikërisht një ndër ato elemente themelore, që e kanë bërë këtë vepër nga njëra anë aspak të thjeshtë në të kuptuar, nga ana tjetër aq të nevojshme për të kuptuar historinë e njerëzimit.
Po, “Fausti” në thelb nuk i flet shijes së njeriut, por mendjes së tij. Dhe historia jonë mijëravjeçare njerëzore na mëson se pa mendjen nuk mund të hedhim as edhe një hap të vetëm përpara, as individualisht, as, aq më pak, shoqërisht.
E megjithatë “Fausti” i drejtohet me atë mënyrën e vet, në të vërtetë gjeniale, edhe shijes së njeriut. Së pari, sepse nuk ka bukuri njerëzore, që të mos jetë e krijuar nga mendja e njeriut. Së dyti, sepse një krijesë e vërtetë e mendjes njerëzore është patjetër e bukur, pavarësisht nëse ajo është një produkt material apo një krijim shpirtëror, nëse është një shfaqje e talentit të saktësisë shkencore apo një krijesë e fantazisë artistike.

Pyetja “Përse na duhet ‘Fausti’?” nuk barazohet megjithatë vetëm me pyetjen e përgjithshme: “Çfarë kërkojnë njerëzit nga arti?” Ajo ka edhe të veçantën e saj, konkretësinë e vet: Përse na duhet sot një vepër e shkruar para dy shekujsh, e cila ka për personazhe kryesore njeriun e ditur dhe djallin? Aq më tepër që ekziston një mendim gjithnjë e më gjerësisht i përhapur se njerëzit e ditur janë të paktë, ndërsa djalli sidoqoftë është një sajesë ose, e thënë me figurë letrare, një metaforë.
Në “Prologun në qiell” ne gjejmë momentin e lidhjes së nyjës së tragjedisë. Kjo nyjë është e mishëruar në pyetjen: A është në gjendje njeriu të gjejë “gëzimet më sublime” mbi dhe? Dhe nëse po, si mund t’ia arrijë kësaj?
Në të vërtetë i tërë “Fausti” përsillet rreth disa pyetjeve-bosht: Ç’është jeta njerëzore? A është ajo një gëzim? Nëse po, a qëndron gëzimi i jetës te dëfrimi, madje vetëm te dëfrimi?

Pikërisht këtu dhe për këtë çështje, për fatin e njeriut-Faust, për atë se si do të bëhet e gëzueshme jeta e tij, lidhin një bast perëndia dhe djalli. I pari beson se njeriu do të përparojë e do ta gjejë gëzimin, lumturinë falë parimit hyjnor. Dhe beson se në këtë synim jetik njeriut do të jetë i shtrënguar t’i bëhet mbështetje edhe vetë djalli. I dyti është i bindur se njeriu nuk mund t’i shpëtojë grackës së konceptimit djallëzor të gëzimit dhe do të kthehet kështu në një dëshmi të plotfuqisë të së keqes.
Vlen të ndalemi këtu paraprakisht te një hollësi me rëndësi, e cila mund të dallohet pa vështirësi gjatë leximit të veprës: në jetën dhe përjetimet e njeriut-Faust hyjnorja nuk ka aspak lidhje vetëm me fetarinë, vetëm me besën te perëndia, ashtu sikurse djallëzorja nuk ka lidhje vetëm me djallin teologjik të parë si antitezë e perëndisë. Dhe kjo është diçka logjike: jeta nuk ka treguar se njeriu, që ka besuar te perëndia, e ka pasur të siguruar automatikisht lumturinë. Për më tepër jo pak besimtarë, madje edhe shërbyes të fesë, kanë kryer veprime djallëzore, me pasoja deri katastrofike.

Dhe vlen të saktësohet si fillim që te “Fausti” me hyjnoren kuptohet para së gjithash dhe kryesisht e mira, ndërsa me djallëzoren e keqja. Ajo që mbetet të bëhet më tej është të shihet se si përcaktohen në mënyrë konkrete në vepër edhe njëra edhe tjetra, pra, ç’kuptohet te “Fausti” me të mirën dhe ç’mbetet të kuptohet me të keqen.

Nga çështja nëse arti është dëfrim, madje thjesht e vetëm dëfrim, u arrit kështu te çështja nëse mjafton që jeta e njeriut të jetë një dëfrim, madje vetëm dëfrim, që të quhet e gëzueshme, e lumtur.

Pra, mjafton të lexohet “Prologu në teatër” dhe “Prologu në qiell” për t’u bindur që “Fausti” është një vepër me karakter të spikatur përgjithësues. Dhe në këtë mënyrë do të kemi zbuluar arsyen e thjeshtë e njëkohësisht të thellë se përse një vepër e tillë ka arritur ta kapërcejë kohën e vet duke ardhur deri te ne.

“Fausti” gjithsesi buron nga një kontekst i caktuar historik, çka do të thotë se ai nuk mund të kuptohet ashtu si duhet pa njohjen e këtij konteksti.
Dhe konteksti historik i “Faustit” të Gëtes është i dyfishtë.
Gjermania e kohës së doktor Faustit, ajo e fillimit të shek. XVI, njohu dy ngjarje me rëndësi të madhe për zhvillimin e saj madje edhe të gjithë Evropës Perëndimore:

a) reformën protestante të filluar e të udhëhequr më 1517 nga filozofi dhe teologu Martin Luteri. Duke marrë shkas nga kriza e thellë e sistemit të kishës katolike, nga zvetënimi i rëndë i praktikës fetare dhe i jetës së klerikëve më të lartë, të cilët Luteri i quante “mësues të dëmshëm të korruptimit”, por edhe nga shkaqe të tjera të mëdha me karakter politik dhe ekonomik kjo lëvizje synonte ndryshimin e bazave të besimit fetar në Gjermani dhe shkëputjen e plotë të klerit gjerman nga tutela e kishës katolike të Romës. Në këtë mënyrë reforma ndikonte drejtpërsëdrejti edhe në pavarësimin e plotë politik të trevave gjermane;
b) kryengritjen fshatare të udhëhequr nga murgu Tomas Myncer dhe që arriti kulmin në vitin 1525. Ajo pati në zanafillë po ato shkaqe të shumta e të thella që shkaktuan lëvizjen reformatore në fushën e fesë: gjendjen e mjeruar ekonomike të shumicës së popullsisë; ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në radhët e të gjitha klasave dhe shtresave shoqërore dhe që sollën kristalizimin e ndarjes së tyre në dy kampe kundërshtare; copëzimin e skajshëm politik të vendit; së fundi, rënien e vazhdueshme të autoritetit të klerit dhe të fesë, që ishte shenjë e një krize morale të përgjithshme. Por ndryshe nga reforma kishtare kryengritja fshatare ishte një përpjekje për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen e shtresave më të shtypura të shoqërisë gjermane, të plebejve të qyteteve dhe bujkrobërve të fshatit, në emër të parimeve të barazisë së përgjithshme të njerëzve dhe të përbashkësisë së pronës. Ajo u bë kështu përpjekja e parë dhe më e madhe masive në gjithë Evropën Perëndimore, që udhëhiqej nga të tilla ide shoqërore.

Pikërisht në këto kohëra jetoi njeriu real, mbi të cilin ngrihet figura e personazhit kryesor të tragjedisë “Faust”. Ai quhej Faust, ndërsa njerëzia e thërrisnin doktor Johani. Gojëdhëna e ka paraqitur atë si një astrolog e mjek popullor, i cili endej nëpër Gjermani duke dhënë mësime, duke parashikuar fatin e njerëzve, duke shëruar të sëmurët. Diku recitonte përmendësh, njëlloj si lutjet e shenjta, tekstet e Platonit dhe të Aristotelit, diku thoshte se mund të ribënte të gjitha çuditë që kishte kryer vetë Jezu Krishti dhe diku merrej me thirrjen në jetë të shpirtrave të të vdekurve. Njerëzit e thjeshtë mahniteshin nga dhuntitë e këtij njeriu, ndërsa paria qytetare filloi ta dëbonte nga qytete të ndryshme. Fundi i doktor Faustit, gjithnjë sipas gojëdhënës, ishte i tmerrshëm: djalli – apo, ku ta dish, të tjerë nën emrin të tij – i vajti në dhomë dhe ia mori shpirtin duke ia përplasur kokën pas murit, ndërsa klithmat e doktorit dëgjoheshin anembanë.

Pas vdekjes Fausti u kthye në mit nga populli dhe në objekt kritike nga klerikët dhe teologët.
Në skenat e teatrove të kukullave, të ngritura në tregjet e qyteteve, ai paraqitej si një figurë popullore, e cila bënte thirrje për të luftuar kundër princave, priftërinjve të lartë dhe kalorësve duke u kthyer kështu në një mbështetje shpirtërore të kryengritjes fshatare.

Në anën tjetër në kishat aty pranë priftërinjtë predikonin se si Faustit iu rrit mendja, u largua nga rruga e perëndisë dhe ia shiti shpirtin djallit, për çka mori një ndëshkim të tmerrshëm e të merituar. Në vitin 1587 doli edhe një vepër me titull të spikatur propagandistik “Libri për popullin” i një farë Johan Shpisi, teolog i panjohur, ku Fausti bëhej shembulli i fundit të keq të njeriut kryelartë e të pafe, i cili i paskësh arritur të gjitha sukseset e tij falë ndihmës së djallit. Vepra brenda një viti u botua njëzet e dy herë. Por pasojat e saj ishin fare të kundërta nga ato që priste kleri: fama e doktor Faustit, si njeri që dinte të mposhtte forcat e pabindura të natyrës dhe që nuk kishte frikë as nga vetë djalli ose, në daçim, nga djajtë e shumtë petkëzinj, u përhap edhe më.
Pas Johan Shpisit tema e Faustit u trajtua për afro dy shekuj, deri në kohën e Gëtes, edhe nga mjaft autorë të tjerë të mëdhenj gjermanë e të huaj. Në mënyrë të veçantë u dalluan dy trajtime: ai i dramaturgut anglez K. Marlou, i cili, ndryshe nga ç’kishin bërë teologët protestantë, i shpjegoi veprimet e doktor Faustit jo me dëshirën për ta kaluar jetën mes qejfesh dhe për t’u pasuruar me mashtrime, por me etjen për dije; dhe ai i shkrimtarit të shquar gjerman G.E. Lesing, që ndër të tjera kishte parashikuar ta përfundonte veprën e tij (ajo megjithatë mbeti e papërfunduar) jo me përmbysjen e heroit në skëterrë, por me himnizimin e tij nga çetat e engjëjve.

Përveç kontekstit historik të kohës kur u krijua figura historiko-mitike e doktor Johanit “Fausti” i Gëtes ka edhe kontekstin historik të kohës kur vepra u shkrua.
Gjermania e Gëtes, kur ai filloi të shkruante “Faustin”, ajo e gjysmës së dytë të shek. XVIII, vazhdonte, si edhe dy shekuj më parë, të mbetej një hapësirë tejet e copëzuar politike, e ndarë në një numër shumë të madh principatash, dukatash, markash dhe qytetesh të lira, të gjithë subjekte politikë ku më pak e ku më shumë autonomë e pothuaj të pavarur nga njëri-tjetri, të përfshirë e të mbështjellë formalisht brenda cipës së dobët e jofunksionale të Perandorisë së Shenjtë Romake të Kombit Gjerman. Ky shtet i stërmadh me kufij të luhatshëm, që dikur kishte arritur të shtrihej nga Deti i Veriut deri në Detin Mesdhe duke përfshirë në gjirin e tij të gjithë Zvicrën, Austrinë dhe Italinë e sotme, kishte mbetur një entitet më fort gjuhësor sesa politik. Mungesa e zhvillimit material të shoqërisë gjermane pengonte bashkimin dhe kompaktësimin politik të vendit në po atë masë që uniteti i dobët politik pengonte vetë këtë zhvillim material. Ishte një gjendje amullie, shkaqet e së cilës më fort i rrokte intuitivisht masa e madhe e njerëzve të thjeshtë, sesa i kuptonte inteligjenca e vendit. E ashtuquajtura elitë politike dhe sociale në Gjermani nxirrte përfitime të gjithanshme nga kjo gjendje, ndaj dhe ishte e interesuar thellësisht për ruajtjen e saj. Ndërkaq gjermanët e thjeshtë ndiheshin tepër të përçarë e të vetmuar për të ndërmarrë çfarëdo përpjekjeje për ndryshim. Mund të thuhet se njerëzit ndiheshin më tepër anëtarë të një kombi sesa të një shteti, pra, qytetarë.

Gjermania ishte një botë ende tejet e ngurtë moralo-fetare pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra në kuadrin e Reformës. Reformimi i botëkuptimit fetar nuk kishte ndikuar pothuajse fare për çlirimin e energjive intelektuale e morale, për pasojë nuk ishte shndërruar në premisën e nevojshme të përmirësimit të jetës shoqërore të kombit, me gjithë shfaqjen e mjaft figurave të spikatura të shkencës, mendimit dhe artit, veprimtaria e të cilëve kishte jehonë ndërkombëtare.
Përballë zhvillimeve të mëdha në Evropën moderne, të cilat kulmuan me revolucionin borgjez francez dhe më pas me fushatat mbarëkontinentale të Napoleonit, në vend ndihej gjithnjë e më tepër nevoja për bashkim real politik, si kushti kryesor për zhvillimin ekonomiko-shoqëror. Dhe gjithnjë e më tepër ndihej pafuqia e përgjithshme e organizimit ekzistues politik për të përmbushur të tilla kërkesa parësore.

Nevojave mbarëkombëtare u përpoq t’u bënte jehonë një shtresë intelektualësh të kulturës dhe artit si G.E. Lesingu, J.G. Herderi, J.K.F.Shileri dhe pasuesit e lëvizjes letraro-kulturore “Stuhi e vrull”, figura më e spikatur e së cilës ishte pikërisht J.V.Gëtja.
Përpjekjet për t’u dhënë një platformë kulturore gjendjes së vendit dhe prirjeve të zhvillimit patën dy karakteristika themelore: e para, ato ndoqën drejtimin romantik, i cili në thelb ishte një afirmim i idealit të nacionalizmit dhe trashëgimisë shpirtërore popullore, i vlerave historike, i kultit të ndjenjës, natyrës dhe forcave jetësore si kundërvënie ndaj kozmopolitizmit, racionalizmit iluminist dhe klasicizmit letrar, që paraprinë revolucionin francez; e dyta, në ballë të formave artistike të shpalosjes së kësaj prirjeje u vu dramaturgjia, teatri, i cili, sipas përcaktimit të Shilerit, mori përsipër të gjykonte të metat shoqërore dhe të ngushëllonte shpirtrat.
Në mënyrë të figurshme do të mund të thuhej se arti gjerman i kundërvuri realitetit teatrin, ndërsa veprimtarëve realë personazhet artistike. Në botën gjermanike në veçanti, atë anglo-saksone në përgjithësi, u zhvillua në shekuj një botë e tërë fantastike, një galeri “fantazmash”. Jo më kot në pjesën e fundit të tragjedisë Fausti thotë:
Sot ajri me fantazma është plot

dhe asnjeri t’u shmanget s’mundet dot. 11410
E gjithë kjo dukuri pati një karakter të dyfishtë: nga njëra anë pozitiv, si shfaqje e dëshirave të shoqërisë për të trajtuar me anë të këtyre figurave problemet konkrete dhe për të triumfuar në art mbi ato forca që nuk mposhteshin në realitet; nga ana tjetër negativ – kur fantazmat morën më shumë se u takonte. Këtu mund të përmenden mite të tillë të kobshëm si ai i mbinjeriut, i hitlerianizmit, i katastrofës bërthamore, i jashtëtokësorëve, i luftës së yjeve etj. etj.

Që në gjallje të Gëtes ishte bërë e qartë që “Fausti” ishte vepra e tij e jetës. Në të vërtetë në të gjitha veprat e tij, veçanërisht në ato në prozë, Gëtja synoi të bënte një bilanc artistik të jetës së vet dhe përmes këtij bilanci të arrinte në kuptimin e kohës që jetoi. Por tek “Fausti” këtë synim për të kuptuar kohën e vet ai e ktheu në përpjekje për kuptimin dhe interpretimin e vetë misionit të njerëzimit të mishëruar në figurën e dijetarit të paqetë e të palodhshëm Faust. Te kjo figurë më tepër mitike se reale, më tepër e kulturës sesa e historisë gjermane, Gëtja arriti të bashkonte thelbin e personazhit të gojëdhënave popullore me thelbin e përsiatjeve dhe synimeve të veta si intelektual i spikatur.
Lidhja e brendshme që Gëtja bëri mes Faustit dhe vetes, mes një legjende dhe një njeriu të gjallë, mund të duket si një mëtim i pazakonshëm e disi kryelartë. Por leximi i “Faustit” do ta bindë lexuesin se këtu gjithçka është reale, sado e pazakonshme dhe kryelartë të tingëllojë: reale, domethënë aspak të pamundura, ishin synimet e Faustit të gojëdhënave për të shijuar jetën në tokë dhe për t’i dhënë asaj një kuptim që shkonte përtej rëndomtësisë, përtej kënaqësisë soditëse, dëfrimit pa krijimtari; reale e jo të pamundura ishin edhe synimet e Gëtes për të rrokur domethënien e jetës së tij, gjë që e shtynte të rrokte domethënien e jetës që bënte kombi i tij, domethënien e kohës së tij, në fund të fundit domethënien e ekzistencës së mbarë njerëzimit.
Ciceroni thoshte se historia është mësuesja e jetës. Njerëzore është të mësosh nga gjithçka, nga çdo ngjarje e jetës sënde dhe e jetës së bashkëkohësve, nga çdo ngjarje shoqërore. Njerëzore është të mësosh edhe nga pararendësit, aq më tepër nga ata që i qëndruan kohës. Dhe këtu nuk është fjala për mendjendriçimin e një grupi të vogël: “pranvera” shoqërore nuk mund të vijë vetëm me disa “dallëndyshe” elitare. Mësimet e historisë vlejnë vetëm atëherë, kur ata i nxjerr, i spikat dhe i përvetëson e tërë shoqëria, të tërë brezat e saj. Botimi i veprave përparimtare të së kaluarës është pjesë pikërisht e këtij misioni shoqëror të të spikaturit dhe të të përvetësuarit të gjithëmbarshëm të mësimeve të historisë.
“Fausti” është në një farë kuptimi dhiata e Gëtes, testamenti i gjithë jetës së këtij poeti e mendimtari të shquar. Dhe lexuesi i sotëm patjetër që ka se ç’të mësojë nga kjo dhiatë në vargje.
Po ndalemi këtu në disa prej ideve të tragjedisë.
Në qendër të veprës ndodhen dy personazhe, Faust-njeriu dhe Mefistofel-djalli, të cilët janë aq të pandarë nga njëri-tjetri, sa kjo nuk mund të mos na tërheqë vëmendjen dhe të mos na nxisë t’i nxjerrim domethënien. Nga biseda e zotit me Mefistofelin në “Prolog në qiell” del se zoti i jep leje djallit ta tundojë Faustin me kënaqësitë tokësore. Ndërkohë ai shpreh bindjen se Fausti do t’i mbetet besnik rrugës së mbarësisë. Pra, zoti pranon që djalli të jetë shoqëruesi i njeriut në jetë.
Vetiu lind pyetja: Përse zoti ka lejuar që përkrah njeriut gjithë jetën të ecë djalli, e keqja?
Njerëzit e fesë kanë predikuar në shekuj se kjo është bërë me qëllim që njeriu të pastrohet nga e keqja dhe të përgatitet për jetën e përtejvarrit. Sikur të ishte vërtet kështu, atëherë do të dilte se e keqja qenkësh e mirë, përderisa përbën kushtin që njeriu të shkojë drejt përsosjes. Dhe atëherë e keqja, domethënë tërësia e vetive të këqija, jo që nuk do të duhej luftuar, por do të duhej bekuar e mbase edhe kultivuar, me qëllim që pastrimi i njeriut të ishte sa më i plotë dhe rrënjësor.
E vërteta është se historia e zhvillimit të njerëzimit ka qenë dhe vazhdon të jetë një luftë tejet e zymtë, shpesh në dukje e pashpresë, por gjithsesi e pandalshme, e paepur e forcave përparimtare për të mposhtur pengesat e krijuara nga forcat reaksionare ose, thënë ndryshe, djallëzore, që janë të pranishme dhe egërsisht aktive në shoqërinë njerëzore, dhe për të ecur në rrugën drejt përparimit, domethënë drejt përmirësimit të jetës këtu, mbi dhe. Kjo do të thotë se në historinë e njerëzimit ka pasur jo vetëm forca që donin ta konsideronin të keqen si diçka me burim hyjnor dhe me karakter të amshuar, pra të paluftueshme e të pandreqshme, por edhe forca që e kanë konsideruar atë thjesht një dukuri shoqërore e si të tillë plotësisht të ndreqshme.
Nga ana tjetër vetë Fausti as që do t’ia dijë për botën e përtejme. Në dialogun, i cili kulmon me lidhjen e marrëveshjes mes tij dhe Mefistofelit, ai thotë:
Për ç’ka përtej s’më bëhet vonë. 1660
Në u rropostë bota jonë,
nuk pyes ç’botë vjen pas saj.
Pavarësisht se për Faustin vënë bast dy qenie të amshuara, zoti dhe djalli, vetë Fausti nuk mendon për një të ardhme diku pas vdekjes, por vetëm për jetën mbi dhe. Dhe këtu befas mund të merret me mend se përse jeta e tij i duket në fund të fundit Gëtes një tragjedi: ajo është jeta e një njeriu që nuk beson në jetë tjetër, nuk ka jetë të përtejme. Për këtë arsye, nëse Fausti nuk do të arrijë ta gëzojë këtë jetë, ai nuk mund të mos jetë një njeri tragjik.
Le të mos kemi paragjykim dhe frikë shoqërore nga jeta tragjike. Ajo është jeta e njerëzve që nuk përpiqen thjesht për veten, por për diçka që del përtej interesit të tyre vetjak dhe që merr përmasa mbarëshoqërore. Në këtë kuptim jo të shumtë janë njerëzit që e kanë fatin e veçantë të kenë jetë tragjike. Një pjesë besojnë në jetën e përtejme dhe, duke gjetur kësisoj ngushëllim për vuajtjet në jetë, ndahen prej kësaj me zemër të lehtë. Një pjesë tjetër e shohin kënaqësinë e jetës tek shijimi i të mirave materiale dhe, kur ia arrijnë kësaj, gjejnë në një farë mënyre ngushëllim.
Fausti, domethënë Gëtja, nuk e ka “fatin” as të njërës palë, as të tjetrës. Në dallim nga të parët ai beson vetëm te kjo jetë dhe lufton ta arrijë kënaqësinë e saj duke hyrë për këtë qëllim në marrëveshje edhe me djallin, përderisa vetë zoti e ka lënë shumicën e njerëzve, edhe atë vetë, në mëshirë të këtij. Në dallim nga të dytët ai është i bindur se kënaqësia e jetës nuk mund të qëndrojë në shijimin pasiv e të pafre të të mirave materiale. Madje ai nuk beson se mund të kënaqet ndonjëherë në jetë në atë kuptim që i japin njerëzit e tjerë shijes së jetës:
Në më shikofsh në shtrat të prehem, të rri shtrirë,
ai më qoft’ i fundmi çast!
Në ma verbofsh me lajka mëndjen,
aq sa vetvetes t’i pëlqej, 1695
në më gënjefsh me qejfin, ëndjen,
të fundmen ditë le të gjej!
Fausti, ndryshe nga shumica e njerëzve mendon se jeta nuk ka kënaqësi, por ka vetëm kuptim dhe në prag të vdekjes është i vetëdijshëm se ka arritur ta rrokë më në fund këtë kuptim të jetës dhe të shijojë kënaqësinë – një kënaqësi të pakrahasueshme me asgjë tjetër – që të sjell diçka e tillë. Pikërisht te ky dallim midis kënaqësive të ndryshme e të veçanta në jetë dhe kënaqësisë së vetme e të madhe që të sjell të rrokurit e kuptimit të jetës qëndron dallimi midis të zakonshmes dhe tragjikes te njerëzit. Për kushtet themelore shoqërore, që kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë në shoqërinë njerëzore, jeta e atyre njerëzve që nuk mendojnë vetëm për vete, por i përkushtohen të përgjithshmes, është tragjike. Ndonëse kjo nuk është diçka për të ardhur keq, së paku jo për ta.

Fausti, pra, i dëshpëruar nga kotësia e jetës së tij prej dijetari alkimist, që e bën të arrijë deri aty sa të orvatet për vetëvrasje, dhe i shtyrë nga dëshira e madhe për ta shijuar thellë atë jetë, të cilën e di që është e vetme, pranon të lidhet me Mefistofelin, domethënë me të vetmen fuqi, që i ka dhënë për shok zoti.
Figura e djallit ishte mjaft e pranishme në shoqërinë e kohës kur jetoi Fausti historik. Madje asokohe qarkullonin edhe shkrime, ku thuhej se njerëzit ishin vetë të poshtër e të ligj dhe se më kot, më saktë për të përligjur veten, ia hidhnin fajin djallit për prapësitë e tyre, në një kohë që pikërisht ata nuk mbanin asnjë zotim të marrë. Kurse djalli nga ana e tij, shkruhej, i përmbushte kurdoherë me përpikmëri zotimet e veta përpara njerëzve.
Po kështu në çaste të caktuara njerëz të ndryshëm kanë arritur deri atje sa të ëndërrojnë lidhjen me një fuqi të mbinatyrshme, e cila t’i ndihmonte të realizonin synimet e jetës. Le të sjellim këtu një pasazh nga akti III i dramës “Zonja Ingra e Ostrotit” të Ibsenit, ku personazhi Nils Lyke thotë: “Ah, jam gati t’ia shes shpirtin tim djallit, sikur të më ndihmonte ta kapja kont Sturin”. Jo rastësisht sot po marrin gjithnjë e më shumë përhapje sektet, që kanë për kult pikërisht figurën e Satanës.
Duke kapërcyer klishenë kanonike, sipas së cilës lidhja me djallin është gjithsesi e dënueshme, sepse është e dëmshme, nuk mund të mos konstatohet që njerëzit gjithnjë e më shumë po i shohin të lidhura me këtë jetë synimet e tyre dhe përpara këtyre synimeve lumturia qiellore sa vjen e bëhet më abstrakte, irreale. Dhe, së dyti, nuk mund të mos konstatohet që njerëzit për këto synime të tyre janë të prirur gjithnjë e më shumë të flijojnë gjithçka, madje edhe vetë jetën e tyre, pa llogaritur atë të të tjerëve. Kriminaliteti i të gjitha kalibreve ka marrë përmasa botërore, sado që s’pushohet së foluri për nevojën e luftës kundër tij. Gjithnjë e më shumë fjalët dhe veprimet shkojnë në kahe të kundërta.
Në këto kushte mospërfillja e Faustit për jetën e përtejvarrit, këmbimi i të ardhmes jashtëtokësore me jetën tokësore, marrja në sy e “flakëve të ferrit” për hir të një jete sa më kuptimplotë në tokë, nuk mund të mos na kujtojë fjalët e Didroit, i cili shkruante: “Hiqini besimtarit frikën e ferrit dhe do t’i keni hequr besimin në perëndinë”. Njerëzit si puna e Faustit, e Nils Lykes e të tjerë, e kanë hedhur me kohë këtë hap: ata nuk ia kanë më frikën ferrit. Në të vërtetë ata e kanë humbur prej kohësh shpresën dhe besën te zoti, së paku atë shpresë dhe besë që ekziston në opinionin e përgjithshëm.
Kur Margarita e pyet Faustin në beson në zot, ai i thotë: “Pyet prift a dijetar me emër dhe si shpoti do ndjehet, nuk dyshoj, përgjigj’ e tyre”.
Ndaj nuk është vendi të merret me skepticizëm dogmatik kontrata e Faustit me Mefistofelin (në fakt me zotin nuk ekziston as në parim mundësia të bësh kontratë), por të shikohet se si i shkojnë punët Faustit pas lidhjes së saj.

Mefistofeli dëshiron ta kënaqë Faustin me qejfet e jetës. Ai është i bindur që doktor Faustit ajo që i ka munguar në jetë kanë qenë pikërisht qejfet. Dhe në radhë të parë dy prej tyre: qejfet e pijes dhe qejfet e marrëdhënieve me femrën. Ndaj e shpie në pijetoren e Auerbahut, e lidh me Margaritën, e shpie në qejfet e natës (natën e Valpurgës).
A ka ndonjë gjë të re këtu për lexuesin e sotëm? Në thelb duket se jo. A nuk ofron edhe sot shoqëria njerëzore, madje me shumicë – pas disa përpjekjesh jo edhe aq të sinqerta për të vënë ndalim ligjor – pije alkoolike, përfshirë drogat, dhe qejfe sensuale? Mos vallë ende duhet të themi se këto lloj “shërbimesh” i paska në dorë Mefistofeli dhe ai e mëkëmbësit e tij i vjelin të ardhurat e këtyre “sektorëve”? Apo, për të qenë më të qetë me ndërgjegjen tonë, duhet të themi se këto të këqija janë në fund të fundit të pashmangshme?
Ajo që këtu ka rëndësi të vihet në dukje është se Faustin nuk mund ta joshte as pijetorja e as nata e shtrigave dhe shtriganëve. Gëtja me të tilla skena duket se ka dashur vetëm të na e përforcojë neve këtë mendim (në rast se e kemi menduar vërtet një gjë të tillë) mbi pamundësinë e qejfeve të tilla të çakërdisura për të bërë për vete njerëzit që e marrin seriozisht jetën e tyre.
Dhe në gjithë pjesën e parë të tragjedisë që nga shoqërimi i Faustit me Mefistofelin ajo që mbetet në mendje është lidhja e Faustit me Margaritën.

Edhe pse Margarita nuk është e pranishme veçse në një pjesë relativisht të vogël të tragjedisë, roli i saj është ai i një personazhi themelor. Në figurën e saj Gëtja ka mishëruar pikëpamjet e tij lidhur me marrëdhëniet burrë-grua, lidhur me rolin e gruas në fatin e burrit.
Margarita përveç bukurisë ka një shpirt të thjeshtë dhe të pastër. Dhe përveç dhurëtive vetjake ka edhe “dhuratat” e edukatës shoqërore: vetëdijen shoqërore të një vajze të varfër, bindjen te morali patriarkal dhe besimin fanatik fetar. Shkurt, ka një botë shpirtërore në dukje si një dërrasë të pashkruar, ku mund të shënosh ç’të duash, por ku në të vërtetë janë gdhendur në mënyrë të pashlyeshme normat e një shoqërie tejet antinjerëzore. Margarita, ashtu si Ofelia, është simboli i vajzës engjëllore. Dhe në të njëjtën kohë është shoqërisht po aq fatkeqe sa edhe ajo.
E megjithatë Faustit, këtij dijetari me botë të ndërlikuar, që nuk gjente kënaqësi me asgjë në jetë, Margarita e thjeshtë e naive iu bë si një ëndërr e papërballueshme dashurie. Dhe në rast se jeta e Faustit u thur tragjike, atëherë lidhja e tij me Margaritën nuk mund të ishte, sipas logjikës artistike por edhe shoqërore të kohës, madje të të gjitha kohërave, veçse pjesë thelbësore e kësaj tragjedie.
Shkalla e zhvillimit të çdo etape njerëzore mund të matet edhe vetëm nga shkalla e pranimit të dashurisë si kusht i vetëm i ndërtimit të marrëdhënieve burrë-grua. E vërteta është që dashuria ka qenë kurdoherë e nënshtruar nga marrëdhëniet e pronës, të interesit, në atë masë që gruaja ka qenë e nënshtruar nga burri në një shoqëri në thelb mashkulloriste. Pra, dashuria dhe gruaja kanë qenë kurdoherë të shtypura. Shitja e ligjëruar e trupit nga ana e gruas edhe sot në të ashtuquajturat shoqëri moderne perëndimore është dëshmia më e qartë e shkallës së skllavërimit të ndjenjave. Në këto rrethana të gjitha deklamimet e bujshme për respektim të të drejtave të njeriut tingëllojnë jo vetëm të gënjeshtërta, por edhe si një tallje cinike.
Pikërisht lidhja e Faustit me Margaritën i vë në fund të fundit vulën anës vetjake të jetës së Faustit. Fausti, ky simbol i njeriut të vërtetë, natyrisht nuk mund të rronte vetëm për dashurinë, por në të njëjtën kohë ai nuk mundej as të ishte i lumtur pa dashurinë. Në të vërtetë e tërë jeta e tij e gjatë mbeti një brengë e humbjes së dashurisë me Margaritën. Fakti që kjo dashuri e tij nuk arriti, për mjaft arsye, të përmbushej lumturisht në jetë, ishte kështu një tjetër dëshmi, shumë e madhe, e asaj që jeta shoqërore për njerëzit e vërtetë nuk mund të mos ishte tragjike. Në një shoqëri, ku njerëzit e kanë të vështirë të realizojnë kuptimin e vërtetë të jetës, dashuria, edhe atëherë kur është e mundshme, duket e pafuqishme për t’i bërë ata plotësisht të lumtur. Kjo është njëra nga pikëpamjet kryesore të Gëtes për marrëdhëniet burrë-grua.
Por nëse Margarita humbi jetën nga dashuria për Faustin, ndërsa ky u shenjua në mënyrë të pashlyeshme nga fati i saj tragjik, fundi i tragjedisë përmban megjithatë thelbin e pikëpamjes tjetër kryesore të Gëtes për rolin e gruas në jetën e burrit. Kur Fausti në pleqëri të thellë arrin të përfytyrojë se cili është kuptimi i jetës dhe mjafton ky përfytyrim lumturues që ai sipas kontratës me djallin të humbë jetën, shfaqet Margarita, e vdekur prej kohësh, e cila i lutet shën Mërisë ta falë dhe ta pranojë në parajsë shpirtin e të dashurit duke mos ia lënë Mefistofelit, i cili pandeh se tanimë shpirti i këtij njeriu (ne do të thoshim “kujtimi” i tij) i takon botës së të keqes. Dhe tragjedia mbyllet në mënyrë kuptimplotë me vargjet:
femëramshuara
na lartëson!
Për rolin lartësues të gruas në jetën e shoqërisë Gëtja nuk ka qenë i pari që ka shkruar, as i fundit. Shembujt nga bota e letërsisë nuk kanë të numëruar. Madje, po të duam megjithatë të sjellim disa të tillë, mjafton të kujtojmë vendin qendror që i jep Dantja në “Komedinë hyjnore” të dashurës së tij, Beatriçes; ose cilësimin si engjëll që Hamleti i bën Ofelisë, pastërtia e së cilës është e tillë, saqë mjafton prania e saj që ai të sjellë ndër mend të gjitha mëkatet që ka kryer; ose faktin që të gjithë personazhet kryesorë dhe pozitivë në shumicën e dramave të Ibsenit janë gra.
Këto vepra jo vetëm mbeten dëshmi artistike e vendit poshtërues, që shoqëritë e epokave të ndryshme i kanë ruajtur për turpin e tyre gruas, por edhe janë ndër gjykimet më të rrepta dhe shuplakat më përvëluese që i janë bërë një turpi të tillë.

Mbarimi i pjesës së parë të tragjedisë, që mbyllet me çastet e fundit të jetës së Margaritës është edhe më i zymtë e më i rëndë se vetë përfundimi i veprës me vdekjen e Faustit. Një vajzë në thelb e pafajshme dënohet me vdekje. Shoqëria feudale e krishterë gjermane e kohës triumfonte mbi të drejtën më intime të njeriut, atë të dashurisë. Dhe të tilla ekzekutime kryheshin në zemër të Evropës edhe në rini të Gëtes.
Pra, në mbarim të pjesës së parë të tragjedisë Fausti kishte kuptuar se nuk mund të ishte i lumtur si dijetar i mbyllur në atë “bimsë” e “burg”, siç e quan ai studion e tij. Natyrisht nuk kishte gjetur kurrfarë kënaqësie as në pijetore e as në “netët e bardha” të shpirtrave gjermanikë (“Nata e Valpurgës”). Për fat të keq në shoqërinë e kohës dhe me ndihmën e Mefistofelit, gjeniut të qejfeve por jo të ndjenjave, ai nuk arriti të lumturohej as në dashuri, ashtu sikurse nuk ishin lumturuar as shumë paraardhës të tij të shquar letrarë.
Në larminë e skenave dhe të ngjarjeve jo vetëm të pjesës së parë por edhe të gjithë tragjedisë fati i Margaritës lë një mbresë krejt të veçantë. Mund të merret me mend se ç’gjë e rëndë është pesha në ndërgjegje e vdekjes së njeriut të dashur. Njerëzit mund t’i përjetojnë në mënyra dhe intensitete të ndryshme dukuritë shoqërore, por fatin vetjak ata, në përgjithësi e në përputhje me ligjet e natyrës, e përjetojnë mjaft më afër e më fort. Vlen të kujtohet këtu një kronologji: skenat, ku merr pjesë Margarita, janë shkruar më se gjysmë shekulli përpara se Gëtja të fillonte, në pleqëri të vonë, madje në vitet e fundit të jetës, të shkruante pjesën e dytë të tragjedisë. Pra, për më se gjysmë shekulli e gjithë tragjedia e Faustit mbeti në thelb një tragjedi dashurie. Dhe nuk do të ishte aspak çudi të mendohej që pas atij fundi vërtet tragjik të Margaritës Gëtes iu deshën dhjetëvjeçarë të tërë derisa të krijonte një përfytyrim të qartë se si mund të vazhdohej më tej fati i heroit të tij pa rënë në banalizim të këtij fati, pra edhe të vetë veprës.

Në strukturën e madhe të pjesës së dytë të “Faustit” dallohen dy tema kryesore. E para ka të bëjë me marrëdhëniet e Faustit me Helenën. E dyta, dhe prej saj rrjedh edhe vetë fundi i tragjedisë, ka të bëjë me gjendjen në perandori dhe marrëdhëniet e Faustit me perandorin.
Lexuesit të sotëm mund t’i duket e pazakonshme lidhja midis dy personazhesh që u përkasin kohërave të ndryshme, pavarësisht se letërsia, aq më tepër e sotmja, nuk ka lënë më shtigje për habi me fantazitë më të papërfytyrueshme e më të çakërdisura, që ajo ka shpalosur. Por simbolika e Faustit si njeriu që synon absoluten përbën një përligjje ideo-artistike të mjaftueshme. Ndikuan në konceptimin e kësaj ideje edhe parimet estetike, mbi të cilat ngrihej kultura gjermane në kohën e Gëtes dhe të cilat përmbanin si një ndër elementet e tyre themelore vlerësimin e lartë për qytetërimin e Greqisë së Lashtë, në përgjithësi, artin grek në veçanti. Në këtë vlerësim vendi i së bukurës ishte parësor. Madje e bukura konsiderohej si vetë thelbi i gjithë qytetërimit grek, i cili merrej si materializim i harmonisë së paarritshme. Dhe, së fundi, në gojëdhënat për doktor Faustin flitej edhe për lidhjen e dashurisë së tij me Helenën.
Helena, gruaja më e bukur e lashtësisë së idealizuar greke, simboli i bukurisë, nuk mund të mos bëhej një pikësynim i Faustit, i cili në çdo gjë përpiqej të arrinte maksimumin. Kjo nga ana tjetër përputhet edhe me traditën e krijimtarisë gojore të popujve, ku trimi i përrallave synon të marrë për grua të bukurën e dheut. Dhe pikërisht sepse Helena ishte më tepër simbol sesa njeri i gjallë, lidhja e Faustit me të merr më tepër vlera simbolike sesa vlera konkrete dashurie.
Shtrohet pyetja: a mundet njeriu me kërkesa të larta në jetë t’i kushtohet tërësisht së bukurës dhe ta gjejë në të kuptimin e jetës? Nuk kemi të bëjmë aspak me një pyetje teorike. Në jetën e përditshme të çdo njeriu e bukura është ndër shtysat kryesore: ajo synohet si në jetën materiale – mjafton të kujtojmë këtu vendin e veçantë që i kushton industria e prodhimit të të mirave të konsumit paraqitjes së produkteve – ashtu edhe në atë shpirtërore. Veçse këtu me të bukurën nuk kuptohet arti në shumëllojshmërinë e shfaqjeve të tij, por dashuria për gruan e bukur të parë si ideal.
Fausti martohet me Helenën, ndjehet plotësisht i realizuar në këtë lidhje thellësisht estetike, ka nga kjo lidhje një fëmijë-gjeni, Euforionin, e megjithatë gjithçka përfundon shumë shpejt: Euforioni, simboli i poezisë, i këtij fryti të lidhjes së njeriut me të bukurën, ka jetë të shkurtër. Bashkë me vdekjen e tij edhe Helena largohet nga Fausti.
Pra, për Gëten përgjigjja ndaj pyetjes së shtruar më lart është vetëm negative: njeriu nuk jeton dot vetëm për të bukurën, ai nuk mund të realizohet vetëm përmes saj. Ndoshta do të ishte e tepërt të hetohej dhe shtjellohej këtu arsyeja se përse Gëtja arrin në një përfundim të tillë. Tek e fundit edhe shkrimtarë e mendimtarë të tjerë nuk kanë vënë në kulmin e piramidës së vlerave njerëzore të bukurën. Vetë jeta jonë ka treguar se bukuria natyrore njerëzore është diçka kalimtare, ndërsa bukuria shpirtërore e njeriut, ose, thënë më thjesht, mirësia e tij është e vetmja cilësi që vjen duke u rritur e plotësuar me kalimin e viteve. Njeriu nuk mund ta shijojë bukurinë dhe poezinë jashtë të mirës. Në fund të fundit, njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukurinë dhe poezinë. Ato janë pjesë e jetës sonë, jo vetë ajo.
Mbyllja e episodit të lidhjes së Faustit me Helenën përbën, në këtë mënyrë, një shkallë të mëtejshme në ngjitjen drejt përfundimit të tragjedisë, drejt shpalosjes së kuptimit të jetës për Faustin. Duke e parë të bukurën si pjesë të jetës, si një shkallë kalimtare të saj, duke nënkuptuar kësisoj lidhjen dhe kushtëzimin e vlerës së të bukurës me të mirën, pra kushtëzimin e estetikës me etikën, mund të shohim edhe më qartë domethënien e pjesëve të tragjedisë kushtuar lidhjeve të Faustit me perandorin.

Skenat e Faustit në oborrin e perandorit dhe në praninë e këtij janë të vetmet tablo të gjera shoqërore në tërë veprën. Kjo patjetër që është kuptimplotë.
Në pjesën e parë të tragjedisë, në skenën “Jashtë portës së qytetit”, Fausti, teksa është duke shëtitur me Vagnerin, pritet me nderim e mirënjohje të thellë nga ana e të pranishmëve. Por me gjithë vlerat e mëdha njohëse të asaj skene plot kolorit e freski, në të nuk ka veçse miniatura të jetës qytetare në kohë të lirë, ndërsa detajet e perceptimit të Faustit në popull shërbejnë për të realizuar një fragment të portretit të heroit kryesor të tragjedisë. Për dinamikë reale të veprimtarisë shoqërore në të vërtetë aty nuk bëhet fjalë.
Ndërkohë skenat me perandorin kanë të tjera përmasa, tjetër dramatizëm dhe tjetër funksion ideo-artistik.
Kështu në skenën “Pallat perandorak. Salla e fronit” (vv. 4728-5064) kancelari, komandanti i ushtrisë, thesareruajtësi, ekonomi i pallatit shpalosin një të tillë tablo të gjendjes në perandori, sa sot mund t’ua kishte zilinë çdo kronist e publicist i ndershëm. Kemi të drejtë të mendojmë se fjalët për një shtet të tërë që dergjet i sëmurë, për sundimin e ligjëruar të padrejtësisë, për gjyqtarët që fryhen nëpër kolltukë duke u bërë ortakë të zuzarëve, për kriminelët, që rrojnë e gëzojnë të rrethuar nga miqtë e shokët, për të ndershmit që përkulen para ryshfetarit, për partitë që nuk ngjallin më besim, për faktin që “s’mendon njeriu për njerinë, veç halln’e tij shikon gjithkush”, nuk janë aq një përfytyrim i Gëtes i nxjerrë nga kronikat e kohës së reformës dhe të kryengritjes fshatare, kur jetoi Fausti historik, sa një realitet që ai e shihte përditë. Dhe si për t’i paraprirë ndokujt, që prapë mund të tregohet skeptik për të tilla përshkrime, i bindur që në Gjermani punët nuk duhet të kenë qenë kurrë ashtu (ndonjëri me optimizëm mund të mendojë se një gjendje e tillë nuk thuhet dot as për vendin tonë plot probleme), kancelari shton:
E nxiva ca, këtë e di,
po punët janë dhe më zi.
Krejt ndryshe na del ky realitet në përshkrimin që bën Mefistofeli dhe ku ka veç dritë të shkëlqyer, veç një ushtri trime e fitimtare e ku gjithkush shfaq një shkallë të admirueshme vetveprimtarie për të realizuar synimet e tij, të cilat në një të folur me stil të lartë mund të cilësohen si projekte.
Ne jemi të lirë gjatë leximit të zgjedhim midis dy këndvështrimeve: atij të ofiqarëve, që përballen përditë me problemet e jetës, dhe atij të Mefistofelit, i cili të kujton lajkatarët, që kurrë nuk mungojnë pranë drejtuesve të shtetit.
Populli i thjeshtë (“mërmëritjet e turmës”) shprehet negativisht për Mefistofelin, që është dinak e dhelparak dhe që gënjen serbes, por Gëtja duket se ka qenë i bindur që pikërisht të tillë njerëz arrijnë në fund të fundit të bëhen këshilltarët më të besuar të pushtetarëve.
Le të përmendim këtu shkarazi se zgjidhja që Mefistofeli i sugjeron perandorit për të kapërcyer problemet është të nxjerrët e parasë (kartëmonedhës). Duke mbajtur parasysh rëndësinë praktike të kalimit të shoqërisë njerëzore nga forma monedhë e parasë, ku përdorej edhe ari, edhe argjendi, edhe bakri, te forma kartëmonedhë (e sot te karta e kreditit), duke mos harruar gjithashtu vlerësimet, përgjithësisht negative, të popullit për paranë, është mirë nga ana tjetër të mos harrohet se vlera e këmbimit të formës konkrete të parasë ka shkuar duke iu përgjigjur gjithnjë e më pak vlerës së mallrave, ekuivalent i të cilave ajo paraqitet. Në këtë pikë njerëzit kanë përdorur në një masë të pabesueshme dyzimin e ndërgjegjes së tyre, kur për një copë letër kanë pranuar të japin vlera të tëra materiale, të cilat kanë kushtuar mund e dije jo të vogël. Dhe sot gjendja e shkëmbimit të të mirave materiale në botë paraqitet e tillë, që kush ka pushtetin mbi paranë nga njëra anë përbën numerikisht një përqindje gjithnjë e më të vogël të popullsisë së përgjithshme, ndërsa nga ana tjetër ka pushtet gjithnjë e më të madh në krahasim me atë që zotëron të mirat materiale.
Por gjendja e perandorisë nuk shkon duke u përmirësuar thjesht me hedhjen në qarkullim të kartmonedhës (a nuk u këshillohet sot vendeve të varfra të frenojnë sa më shumë inflacionin e kartmonedhës?). Kur Fausti e Mefistofeli kthehen nga antikiteti grek, e gjejnë perandorin në vështirësi të mëdha dhe vendin në pështjellim të plotë. Problemet ekonomike, të nënvlerësuara për një kohë të gjatë, janë rënduar duke ngjallur pakënaqësi të përgjithshme e duke u dhënë shkas trazirave dhe orvatjeve për rrëzimin e perandorit.
Mefistofeli, me kërkesën e Faustit, bën të mundur që perandori të fitojë mbi kundërshtarët. Përpara Faustit shfaqet rasti i jetës: për herë të parë ai ka mundësinë të ndërmarrë një veprimtari praktike që nuk i vlen vetëm atij dhe as vetëm kohës së tij. Për ndihmën e dhënë në arritjen e fitores ai i kërkon perandorit tokë në breg të detit. Dëshira përmbushet, projekti i madh mund të fillojë nga realizimi.

Në shekullin XVIII në Vendet e Ulëta hartoheshin planet e para për pengimin e përmbytjes së tokave bregdetare nga ujët e detit. Në vitin 1932 në Holandë përfundoi së ngrituri diga e Zuiderzees, e cila siguroi kthimin në truall të kultivueshëm të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke.
Pikërisht i tillë ishte edhe projekti i Faustit:
Kësaj ideje krejt i jam kushtuar,
m’e larta dije është kjo:
liri e jetë ka për t’i fituar
veç kush çdo dit’ punon për to! 11575
Duke përfytyruar punën e bashkuar të njerëzve për ngritjen e digës dhe tharjen e moçalit, kthimin e tokave në fusha të kultivueshme për miliona veta, të cilët do të ishin “të lirë të punojn’, jo thjesht të qetë”, duke marrë me mend ndarjen në dysh të natyrës, ku nga njëra anë e digës do të ishte parajsa, ndërsa nga ana tjetër tallazet e detit, Fausti më në fund shpërthen në një dëshirë fare të pastër:
Ta shihja, ah, këtë mori,
të rroja mes të lirësh në liri!
Aher’ do thosh kjo zemra ime: 11580
“Pa ndalu, çast, të të shijoj!
S’do humbë kurrë gjurm’ e veprës sime,
në jet’ të jetëve do rroj”.
E parandjen kaq lumturi ky shpirti im
dhe përjeton gëzimin më sublim. 11585
Është çasti i fundit i jetës së tij: nuk ka lumturi më të madhe se të parandjesh e të përfytyrosh me siguri të plotë vetë lumturinë të kuptuar si lumturi të të gjithë njerëzve dhe për të gjitha brezat, si vepër të njeriut për njerëzit. Bien poshtë të gjitha shpresat në forcat e mbinatyrshme, të gjitha ëndrrat për jetën e përtejme, dhe mbetet vetëm besimi te vetvetja, te përpjekjet vetjake, të cilat nuk mund të reshtin kurrë, të cilat nuk mund të sigurojnë një lumturi të vështruar si prehje dhe dëfrim të amshuar, por si punë dhe kënaqësi pune të amshuar.

Natyrisht vlen të thuhen dy fjalë edhe për mënyrën se si vihet në jetë projekti i Faustit, aq më tepër kur dihet që mjetet në përgjithësi kanë lidhje me natyrën e qëllimit që dikush a një shoqëri synon të arrijë. Dihet gjithashtu që qëllimi në të vërtetë nuk mund t’i përligjë mjetet. Përkundrazi, mjetet e ulëta e dëmtojnë rëndë një qëllim të lartë.
Fausti i kërkon Mefistofelit të punësojë njerëz duke përdorur edhe qejfet edhe dhunën (Premtoju qejfe, vëru dorë,/ paguaji, joshi, i shtrëngo!), pra, dy mjete me shkallë qytetërimi tejet të vjetëruar e moralitet të dyshimtë. Të përmendim shkarazi faktin që puna për realizimin e projektit të Faustit kryhet kryesisht natën nga forca mefistofelike.
Edhe më kuptimplotë është këtu episodi me pleqtë Filemon e Baukidë, të cilët Fausti vendos t’i shpronësojë i shtyrë thjesht nga dëshira për të pasur një pikë, nga të sodisë sa më mirë frytet e projektit të tij. Është një Faust, i cili atë që ka arritur në ndaljen e detit e ka falë ndihmës së Mefistofelit dhe të cilit tanimë i duket e bezdisshme – dhe kjo nuk është çudi - kambana mbrëmësore e kishëzës, ku kanë vajtur të luten Filemoni e Baukida. Faustin nuk e lidh asgjë me perëndinë, por e lidh jo pak me Mefistofelin. Madje lutja e pleqve e vret në shpirt, pasi i kujton së paku dy gjëra, që kanë lidhje mes tyre: lidhjen me Mefistofelin dhe marrjen në qafë të Margaritës. Ndaj dërgon Mefistofelin ta shpronësojë çiftin plak, që thjesht me praninë e vet i sjell bezdi. Dhe ky e zgjidh problemin me metodat e veta të njohura: pleqtë digjen në gjumë së bashku me kasollen e tyre.
Më tej. Është mjaft domethënës karakterizimi që Mefistofeli i bën veprimtarisë detare të flotës së vënë në shërbim të Faustit:
I liri det liri na dha.
Atje mendimi ç’vlerë ka?
Një gjë veç vlen: plaçkit, rrëmbe,
peshko këtu, grabit atje,
me radhë barkat nis sulmo, 11180
se tre, se katër mos mendo.
Pa dhe të pestën zër pas pak:
kush forcën ka, ka edhe hak.
Të pyesin ç’zë e jo se si!
Lundrimi ç’duhet e për çfarë? 11185
Luftim, tregti, pirateri,
kjo është treshe e pandarë!
A thua Gëtja të ketë qenë një njeri i indoktrinuar tej mase kundër asaj që sot quhet me eufemizëm ekonomi tregu, kur i ka vënë në një plan e në harmoni të plotë mes tyre luftën, tregtinë dhe piraterinë dhe ia ka besuar shpalljen e kësaj teze vetë Mefistofelit?

Fausti vdes. Nuk është kjo një vdekje tronditëse, por më tepër një fund jete që na shtyn të mendohemi. Tragjedia në të vërtetë ende nuk ka përfunduar. Ka mbetur të qartësohet se kujt do t’i përkasë shpirti i tij (ose, thënë në mënyrë më të kuptueshme, kujtimi i tij): Mefistofelit, domethënë së keqes, forcës shkatërrimtare, apo parajsës, domethënë botës të së mirës, të forcave ndërtuese.
Fundi i tragjedisë rikthehet kështu në një farë kuptimi te zanafilla e saj historike, te figura e doktor Faustit dhe te mënyra si kujtohej kjo figurë në gojëdhënat popullore e në propagandën e klerit. Për popullin Fausti ishte njeriu i ditur që sfidonte të keqen, për klerin ai ishte njeriu i pafe që i shiti shpirtin djallit.
Pas leximit të “Faustit” të Gëtes ne mund të krijojmë mendimin tonë rreth përgjigjes që i duhet dhënë pyetjes për fatin e kujtimit të Faustit, përgjigje që në thelb duhet të përmbajë domethënien e kësaj vepre të madhe.
Pra, gjëja e parë që të sjell në mendje vdekja e Faustit, ashtu siç ndodh në vdekjen dhe varrimin e çdo njeriu, është ideja e kujtimit: për çfarë kujtohet njeriut që ndahet nga jeta, për të mirë a për të keq. Del se kjo pyetje nuk qenkësh edhe aq rutinore, edhe aq e rëndomtë, aq – në fund të fundit – e tepërt, e papërfillshme, e pavlerë. Dhe kur flasim për kujtimin e mirë, nuk nënkuptojmë aspak të kryerit e gjërave të mëdha, të bëmave me përmasa të jashtëzakonshme. E mira nuk kushtëzohet nga përmasat, ajo nuk ka lidhje të domosdoshme me madhështoren.
Së dyti, lexuesi do të shohë se fill pas vdekjes së Faustit Mefistofeli nxiton ta përvetësojë shpirt-kujtimin e tij. Po a ka ai të drejtë ta bëjë këtë? Ëndrra e Faustit për t’u kënaqur në jetë a vallë u përmbush duke ndjekur këshillat e Mefistofelit? Ideja lumturuese e një pune që t’u shërbente njerëzve, si ajo e ngritjes së digës dhe e përfitimit të tokave të kultivueshme, ide, që pati një forcë të tillë ngazëllyese sa e kënaqi plotësisht shpirtin e pakënaqshëm të Faustit, a ishte vallë një gjetje e Mefistofelit?
Në rast se do të nisemi nga këto pyetje, në rast se do të mbajmë parasysh se ku e gjeti Fausti çastin e prehjes shpirtërore, diku në ndonjë dëfrim apo tek mendonte se si mund të realizohej një projekt, që do të përmirësonte jetën e njerëzve, atëherë kemi mundësinë të kuptojmë se me çfarë ka lidhje kujtimi i tij, me prirjen egoiste apo atë altruiste, me forcën që na i bjerr energjitë apo forcën që na i shumëfishon ato, me parimin që na lë në vend apo me atë që na shtyn kurdoherë përpara, me idenë se jeta duhet shijuar apo me pikëpamjen se jeta duhet të marrë një kuptim, një domethënie, një vlerë morale.
Këtu ne nuk mund të harrojmë dy episode, që lidhen me dy dëshira të Faustit: e para – për të shijuar dashurinë e Margaritës dhe e dyta – për të shijuar panoramën që hapej nga kasollja e dy pleqve të varfër. Dhe nuk mund të mos vëmë re që si për çudi, por në të vërtetë aspak për çudi, të dyja këto dëshira vetjake, egoiste, të Faustit u kthyen në tragjedi për të tjerët. Asnjë lexues i ndjeshëm nuk mund të mos preket nga fati i viktimave të Faustit, pavarësisht se deri në ç’masë do të arrijë të kuptojë që fillesa e këtyre vdekjeve tragjike është pikërisht egoizmi i Faustit. Dhe vështirë të ketë lexues që mund t’ia falin Faustit këto dy ngjarjeje të rënda. Madje nuk do të ishte e tepruar të thuhej që mjaftojnë këto dy episode për të mos na e bërë aspak simpatike figurën e Faustit.
E megjithatë ideja e Gëtes që Fausti e gjen kuptimin dhe shijen e jetës te puna me vlerë shoqërore për brezat e sotëm e për ata të ardhshëm nuk mund të mos na tërheqë e të mos na duket thellësisht bindëse. Vërtet jeta nuk është vetëm punë, por jeta pa punë nuk ka kuptim. Marksi në rininë e tij, afërsisht trembëdhjetë vjet pasi Gëtja kishte përfunduar “Faustin”, shkruante se puna përbën tiparin themelor që e dallon njeriun nga të gjitha gjallesat e tjera.
Mund të thuhet se ideja e punës si burim i të mirave materiale përbën një prej elementeve kryesore të kulturës tradicionale jetësore të kombit tonë, çka dëshmohet qoftë edhe nga pasuria e fjalëve të urta popullore rreth kësaj teme. Vlera themelore e punës ka një vend mbizotërues edhe në krijimtarinë letrare të shkrimtarëve më të spikatur të letërsisë sonë.
“Fausti” i Gëtes vjen kështu si një përforcim i vlerës parësore që ka puna e frymëzuar nga vlerat shoqërore në përparimin e çdo kombi dhe të të gjithë njerëzimit. Pikërisht për këtë arsye edhe kujtimi i Faustit nuk mund të jetë pronë e forcave reaksionare. Dhe një botim e ribotim i tij nuk mund të mos jetë një ndihmë e madhe për të gjithë ne në rrugën e vështirë drejt përparimit.

“Fausti” nuk është vetëm një univers botëkuptimor për nga gjerësia dhe larmia e ideve, që trajtohen, përmenden apo thjesht vegojnë në të dhe që zbulohen apo shpalosen vazhdimisht në një dritë të re para nesh, sa herë që marrim të lexojmë a rilexojmë tërë veprën apo pjesë të caktuara të saj. “Fausti” nuk është as vetëm një vepër e tillë – sikurse në përgjithësi nuk ka shumë në letërsinë botërore – që në çdo skenë, madje në çdo episod e në çdo faqe na ndihmon të kuptojmë jo thjesht të kaluarën por edhe kohën që jetojmë. Shkurt, “Fausti” nuk është vetëm një lloj akademie e dijes, e parë kjo si dije jo vetëm enciklopedike por edhe sistemore.
“Fausti” është edhe një vepër e rrallë arti, nga e cila ne mësojmë si të ndjejmë moralisht ç’është e mira dhe ç’është e keqja e si të dallojmë estetikisht të bukurën nga e shëmtuara. Shkurt, “Fausti” na paraqitet edhe si një shkollë e vërtetë edukate dhe një akademi artesh të bukura.
Në këtë akademi dijeje dhe artesh të bukura, në këtë shkollë edukate, gjithkush është i lirë të marrë e të lërë ç’të dojë, por është e pamundur të mos gjejë diçka që ta tërheqë me dritën e mendimit, ngrohtësinë e ndjenjës dhe gjallërinë e përjetimit.
Ngrehina dramatike e veprës dhe arsenali metrik i saj, që do të meritonin një trajtim të veçantë për t’u bërë të qartë në tërë kompleksitetin dhe madhështinë e tyre, i përgjigjen plotësisht universit të ideve, që parashtrohen, dhe kërkesës për një shtjellim të tyre sa më të mirë.
Duke nisur nga “Prologu në teatër” e “Prologu në qiell” të gjitha skenat kanë një domethënie e një kadencim të veçantë dhe pavarësisht se sa arrijmë ne të rrokim domos-doshmërinë logjike të vijueshmërisë së tyre, ato na përcjellin në mënyrë të pakuptuar te njëra-tjetra, ashtu si na presin e na dorëzojnë në një farë kuptimi te njëra-tjetra sallat e veçanta të një muzeu madhështor duke na mbushur secila me ngarkesën e vet të veçantë ideo-emocionale. Ne mund edhe të humbasim për një çast fillin e asaj që lexojmë e përfytyrojmë, mund të mos jemi të vetëdijshëm se ku ndodhemi dhe përse, ashtu të mbartur, sikurse ndjehemi, nga valët e mendimeve dhe përjetimeve të ngjallura prej skenave që shtjellohen e shtjellohen para syve tanë. Por përmes “pyllit” të ideve, mbresave dhe pamjeve që duket sikur nuk kanë të reshtur, “shtegu” i veprës na afron gjithnjë e më shumë te pika kulmore, ajo e zgjidhjes së fatit të Faustit.
E gjithë kjo skenografi është “pikturuar” me një kolorit teknikash poetike e metrike, të rrokurit dhe të shijuarit e të cilëve gjithashtu nuk na vijnë aq të lehtë në perceptim. Teknika poetike dhe metrike e Gëtes është në një ndryshim të vazhdueshëm duke kaluar nga pjesë të buta me ritme e rima tingëlluese, siç është kënga e mbretit të Tules, në vargjeve të përthyera e të rrëmbyera, tipike për poetikën gjermane (skena “Natë”, pjesa e fundit e monologut të famshëm të Faustit ose vv.501-509), në pjesë proze (skena “Ditë e zymtë – fushë”) dhe deri në skena të tëra me vargjet e gjata të metrikës greke (pjesa “Skena ndryshon tërësisht”), të cilat i kemi aq të njohura përmes gjashtëmbëdhjetërrokëshit naimian.

“Fausti” në përfundim të leximit na lë jo thjesht mbresën e një tragjedie, ndonëse fryma tragjike na shoqëron gjithë kohës, e as thjesht mbresën e një vepre artistike, sado madhështore kjo qoftë. Por si të gjitha veprat e mëdha dhe madhështore të artit, ai na fal një begati mendimesh, përshtypjesh e përjetimesh, që nuk mund të përmblidhen në një kategori të vetme të krijimtarisë shkrimore e artistike të njeriut.
Në mbarim të “Faustit” ne ndjehemi njëlloj si të kishim përpirë një vepër të mirë, të thellë e vërtetthënëse ku janë gërshetuar filozofia, historia, muzika, piktura, arkitektura.
Në mbarim të “Faustit” ne mbetemi të përthithur në mendime mbi jetën tonë dhe mbi kuptimin e jetës njerëzore. Dhe arrijmë të kuptojmë që për Gëten hyjnorja është puna, ndërsa djallëzorja është antipuna.
Në mbarim të “Faustit” ne nuk jemi më ata që kemi qenë përpara leximit të tij.
Mjaftojnë këto që ne të ndjehemi krenarë dhe përgjegjës për fatin e madh që jemi njerëz dhe që mund të frymëzohemi në jetën tonë nga veprat e mëdha të njeriut.
Shpëtim Çuçka











E vërteta tragjike që kulmoi me ngjarjen e Përmetit




Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri



Prof Dr Eshref Ymeri
Para pak kohësh dhe pikërisht në mesin e muajit gusht, Kryetari i Bashkisë së qytetit të Përmetit, zotëria i nderuar Gilbert Jaçe, në zbatim të vendimeve të të trija shkallëve të gjyqësorit dhe madje edhe të Gjykatës Kushtetuese, më në fund, vendosi t’u rikthejë qytetarëve të vetë Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”, të cilën kisha ortodokse janullatiste e kishte pushtuar që në vitin 1997. Këto vendime ishin të vitit 2002 dhe të vitit 2006, me sa jam në dijeni. Por, çuditërisht, ato kishin vite të tëra që nuk zbatoheshin prej Përmbarimit. Dhe arsyet e moszbatimit të këtyre vendimeve dihen: shtetin shqiptar, që prej dhjetorit të vitit 1990, e ka marrë peng shovinizmi i telendisur grekoleckaman, me kishën shoviniste greke në krye. Them që prej dhjetorit të vitit 1990, sepse pikërisht asokohe Greqia i shqeu dhe i përshqeu kufijtë e vet me Shqipërinë, sikur të mos kishin qenë kufij mes dy shtetesh fqinje, por sikur të kishin qenë porta të shqyera të shtëpive publike. Me shqyerjen e kufijve me Shqipërinë, kisha shoviniste greke dhe klasa politike greke që zvarritet nëpër këmbët e saj, mori peng mbarë emigrantët shqiptarë, për t’i përdorur ata si një letër të fortë në duart e Athinës zyrtare në fushatat që ajo do të organizonte kohë pas kohe kundër Shqipërisë, për të shtruar kërkesa pas kërkesash në dëm të interesave tona kombëtare. Dhe mbarë kombi shqiptar, gjatë këtyre 23 viteve të pluralizmit në vendin tonë, është dëshmitar i presioneve të vazhdueshme të Athinës zyrtare ndaj klasës politike të Tiranës, për t’i zhvatur kësaj lëshime pas lëshimesh të pafundme për interesat e kishës shoviniste greke dhe të shovinizmit të telendisur grekokaragjoz. Dhe kur qëllonte ndonjëherë që klasa politike e Tiranës të vonohej në përmbushjen e kërkesave shoviniste të Athinës, hakmarrja binte e pamëshirshme mbi emigrantët e pafajshëm shqiptarë, kundër të cilëve autoritetet greke, në mënyrë fashiste, organizonin operacionet e turpshme “fshesa”.

Historia e marrëdhënieve grekoshqiptare, në rrafshin e politikës zyrtare greke, në vazhdimësi është karakterizuar nga hipokrizia, pabesia, egërsia dhe shovinizmi agresiv.

Qëndrimi armiqësor grek ndaj etnisë shqiptare në tërësi dhe sidomos ndaj Shqipërisë Londineze në veçanti, përbën një vijë të pandryshueshme të politikës zyrtare greke. Ky qëndrim ka dalë më shumë në spikamë sidomos pas copëtimit të trojeve tona etnike prej ujqve evropianë në Konferencën e Londrës të vitit 1913. Kështu, udhëheqësi grek Elefterios Venizellos, më 3 shkurt të vitit 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, kërkoi me forcë që Epiri i Veriut t’i aneksohet Greqisë. Georges Papandreu, kryeministër grek, më 12 qershor 1960, deklaronte në parlamentin grek se pretendimet greke për Epirin e Veriu na qenkeshin të shenjta dhe të patundura!!! Kryeministri Micotaqis, më 14 korrik 1993, deklaronte se atë që kërkonte Shqipëria për Kosovën, do të kërkonte edhe Greqia për Epirin e Veriut.

Me kalimin e viteve, shovinizmi grekokaragjoz u bind përfundimisht se me forcën e armëve e kishte të pamundur ta aneksonte Epirin e Veriut. Dhëmbët e ujkut Greqia i provoi në kurrizin e vet gjatë provokacioneve të gushtit të vitit 1949 dhe u bind keq se sa i vlen lëkura në përballjen e armatosur me shqiptarët. Prandaj e ktheu pllakën, sipas orientimeve që i dha kisha shoviniste greke, komisari politik i shtetit grek.

Me ardhjen në Shqipëri të kreut të shovinizmit grek, Anastas Janullatosit, synimet e Athinës për aneksimin e Epirit të Veriut, erdhën e morën trajtat e një agresioni “më të butë”, duke u shfaqur në formën e greqizimit të kadifejtë hap pas hapi, të konkretizuar me ngritje varrezash për ushtarë agresorë grekë deri në Vjosë, me ngritje memorialesh dhe manastiresh në nderim të tyre, me ndërtime kishash me simbolikë tërësisht greke, me hapje shkollash greke edhe atje ku s’ka këmbë minoritari dhe me kërkesa për vendosjen e greqishtes si gjuhë të dytë zyrtare në Shqipëri dhe si gjuhë të parë zyrtare në zonën e minoritetit.

Gjatë gjithë kohës që Janullatosi është ngulur e nuk shkulet nga kreu i kishës ortodokse në Shqipëri, të cilën e ka kthyer përfundimisht në një filial të pastër të kishës shoviniste greke, askush nga sfera e klasës politike shqiptare apo nga mjetet e informimit masiv që u bëjnë fresk të dy krahëve të politikës, nuk ka mundur të dalë e të deklarojë burrërisht se ne nuk kemi më kishë ortodokse shqiptare, se atë, tashmë, Janullatosi e ka shndërruar një herë e mirë në pjesë përbërëse të kishës shoviniste greke.

Por ngjarja e Përmetit vërtetoi katërcipërisht dhe zbuloi përfundimisht të vërtetën tragjike (që klasa politike e Tiranës dhe mjetet e saj të informimit masiv i kanë hedhur një plaf përsipër), se kisha ortodokse, e ashtuquajtur shqiptare, për fatkeqësinë tonë të madhe kombëtare, është pjesë e pandarë e kishës shoviniste greke. Kjo e vërtetë tragjike u duk fare shkoqur se doli në dritë të diellit në sytë e mbarë kombit shqiptar, kur priftërinjtë janullatistë u sollën me aq agresivitet ndaj zbatuesve të ligjit për kthimin në funksionin e saj të patjetërsueshëm të Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”.

Ngjarja e Përmetit, gjithashtu, zbuloi edhe një herë fytyrën e vërtetë të Janullatosit, si armik i betuar i kombit shqiptar, me shumicë dërrmuese të besimit mysliman. Dikur ai pati shpifur kundër tyre, duke i deklaruar gazetarit amerikan Fred Reed se “në Shqipëri duan të krijojnë një shtet fundamentalist islamik për të shtypur ortodoksinë” (Citohet sipas: Gazeta “Shqip”, 06 dhjetor 2006, f. 6). Kurse tani ai deklaroi se sikur policët e Përmbarimit të silleshin kështu me Kuranin, atëherë në Shqipëri do të shpërthente revolucioni!!! Me këtë deklaratë, Janullatosi shpifte paturpësisht kundër besimtarëve myslimanë, të cilët në vendin tonë janë dalluar për shpirtgjerësi, për thjeshtësi dhe për tolerancë të jashtëzakonshme. Harron ky shovinist me veladon që besimtarët myslimanë të Tiranës, me rastin e festave fetare, falen në trotuarin e xhamisë së Et-hem Beut dhe mu në mes të bulevardit kryesor të Tiranës, pa organizuar kurrfarë protestash për padrejtësinë e madhe që u është bërë prej klasës politike të Tiranës, e cila përparësi të dorës së parë u ka dhënë besimtarëve katolikë të kenë kishën e tyre pranë qendrës së Tiranës, si edhe besimtarëve ortodoksë, të cilëve Janullatosi u ka ndërtuar një katedrale gjigante mu në zemër të Tiranës, duke iu marrë frymën institucioneve qëndrore të shtetit shqiptar?!

Qëndrimi i atyre priftërinjve në Përmet, të cilët bërtisnin si rrugaçë se “neve na mbron Janullatosi”, dëshmon se deklaratën e historianit grek Nikolas Stavros, sipas të cilit “hedhja në dorë e kishës ortodokse shqiptare është fitorja jonë më e madhe e shek. XX”, klasa politike e Tiranës e ka aprovuar tërësisht në heshtje, përderisa nuk ka pasur kurrfarë reagimi nga ana e saj. Pra, sipas historianit grek, rezulton se kisha ortodokse në Shqipëri është tërësisht pjesë e kishës shoviniste greke. Por halli është se kisha greke është bashkëpunëtore e djallit dhe madje “mban poste të larta në hierarkinë e pushtetit të djallit”, çka u bë e njohur publikisht nga një njoftim i paradokohshëm, në të cilin thuhej se“Arkipeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Hristodhulos, mbështeti masakrën e Peshkëpisë” (Citohet sipas faqes së internetit “Sot News”. 30 janar 2013).

Pra, kisha greke është frymëzuesja, organizatorja dhe mbështetësja e organizatave fashiste në Greqi, të cilat jo vetëm mbjellin farën e urrejtjes kundër kombit shqiptar, por organizojnë edhe akte terroriste, siç ishte masakra e Peshkëpisë e vitit 1994. Tani le të dalë ndokush dhe le t’i mbushë mendjen mbarë opinionit publik shqiptar se kisha greke “merret me punët e Zotit”.

Sjellja rrugaçërore e priftërinjve në Përmet, të cilët nuk njohin autoritetin e organeve gjyqësore shqiptare dhe madje ndërmorën edhe sulme fizike kundër policisë private që ishte në mbrojtje të Përmbarimit, tregon se Janullatosi ngrihet kundër ligjit në vendin tonë dhe kishën fanoliane, dikur shqiptare, e ka kthyer në çiflig të kishës shoviniste greke dhe priftërinjtë shqiptarë që i shkojnë pas, i ka kthyer në sahanlëpirës dhe në skllevër të bindur kokë e këmbë. Pra, nga skenat që pamë në Përmet, bëhet fare e qartë se kisha ortodokse greke është një kishë e dhunshme dhe dhunën ia ka futur në gjak edhe masës së priftërinjve shqiptarë të grigjës janullatiste. Kjo u duk fare qartë në aktet vandaliste që priftërinjtë ndërmorën për ripushtimin e Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”, mes të cilëve kishte edhe njerëz të importuar nga jashtë Përmetit, madje, sipas fjalëve që kanë qarkulluar në Përmet, në Gjirokastër dhe në Sarandë, kishte edhe agjentë të shërbimit sekret grek, të thirrur me urgjencë prej Janullatosit, të cilit Athina zyrtare nxitoi t’i vinte në ndihmë menjëherë.

Faktin që kisha dikur shqiptare sot është pjesë e kishës shoviniste greke, e vërteton ndërhyrja arrogante e shtetit grek që u radhit në anën e rrugaçërisë së priftërinjve janullatistë kundër zbatimit të ligjit shqiptar në mbrojtje të së drejtës së popullit të Përmetit për ta kthyer në funksionin e vet Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”, e vërteton ndërhyrja e paturpshme e konsullit grek në Gjirokastër, i cili shkon dhe i bën presion Kryetarit të Bashkisë së Përmetit për interesat e kishës shoviniste greke, të shovinizmit grekokaragjoz dhe të emisarit të tyre në Tiranë me emrin Janullatos. Kryetari i Bashkisë së Përmetit bëri gabim që priti në zyrën e vet konsullin grek në Gjirokastër. Ai duhej t’i tregonte vendin dhe t’i thoshte të vinte majat nga kishte vënë thembrat

Në këto kushte, të bëjnë përshtypje të keqe ca individë dhe ca mjete të informimit masiv në Tiranë që kanë shprehur “habinë” se pse duhet të ndërhyjë shteti grek në punët e brendshme të shtetit shqiptar! Këta “të habitur” ose kërkojnë të bëjnë të paditurin, ose kërkojnë të maskojnë servilizmin e tyre të pështirë në qëndrimin ndaj kishës shoviniste greke dhe ndaj Athinës zyrtare. Shteti grek ndërhyri për faktin se kishën ortodokse shqiptare e konsideron pjesë të kishës shoviniste greke. Madje jo vetëm ndërhyri, por edhe kërcënoi me faktin që Athina, duke filluar nga 1 janari i vitit 2014, na marrka kryesinë e Bashkimit Evropian dhe se varet prej saj marrja ose jo e statusit të Shqipërisë për vend kandidat në Bashkimin Evropian.

Presionin kundër vendit tonë për ngjarjen e Përmetit, shteti i pamoralshëm grek, si gjithmonë, e manifestoi në qëndrimin e ulët që mbajti ndaj emigrantëve shqiptarë në kufi, gjatë kthimit të tyre drejt Greqisë, pas pushimeve që bënë në atdheun e vet. Policët grekë në kufi i kthenin mbrapsht emigrantët e shkretë, absolutisht të pafajshëm, duke ju thënë: “Këtë e keni për Përmetin”. Po ç’faj kishin emigrantët e gjorë për ngjarjen e Përmetit? Po si ishte e mundur që të ndëshkoheshin emigrantët e pafajshëm, kur “fajin”, në rastin e ngjarjes së Përmetit, “e kishte” Kryetari i Bashkisë së qytetit, zoti Gilbert Jaçe, për urdhrin shumë të drejtë që kishte dhënë për lirimin e shtëpisë së kulturës prej pushtimit janullatist? Por shteti grek, duke pasur si yll karvani një moral rrugaçëror në qëndrimin ndaj Shqipërisë, i përmbahet moralit të një fjale të urtë që ne në Labëri e përdorim shumë shpesh për të stigmatizuar një njeri pa kurrfarë karakteri: kur s’ka ç’i bën gomarit, i bie samarit.

Ky ishte një qëndrin fort rrugaçëror i Athinës zyrtare, i kësaj ngrehine të kalbur me mendësi mesjetare, e cila me gënjeshtrat dhe me pabesitë e saj, arriti t’i zhvatë Bashkimit Evropian një shumë kolosale prej 600 miliardë dollarësh.

Po a e di vallë Bashkimi Evropian dhe a ka kërkuar llogari ndonjëherë se ku i ka shpenzuar këto shuma kolosale ky shtet hajdut me emrin Greqi?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje duhej ta kërkonte me forcë shteti gjerman, ministria e financave të Gjermanisë, vetë kancelarja gjermane, zonja Merkel. Sepse shteti gjerman është pikërisht ai që po mundohet ta nxjerrë nga kriza me domosdo hajduten e taksapaguesve të Bashkimit Evropianë që quhet Greqi. Mirë do të ishte që ambasadori gjerman në Tiranë, zoti Helmut Hoffman, të dalë nëpër Shqipërinë e Jugut dhe të shikojë varrezat, memorialet dhe manastiret e ngritura në nderim të ushtarëve agresorë grek, të shikojë shkollat greke edhe atje nuk ka asnjë minoritar për be, të kundrojë kishat e shumta, deri te katedralja gjigante në Tiranë, dhe t’i shtrojë vetes pyetjen: me ç’mjete financiare i ka ngritur Janullatosi gjithë këto objekte që kushtojnë miliarda dollarë? Mos vallë i ka ngritur me lëmoshat që qytetarët grekë derdhin nëpër kishat greke? Do të ishte absurditet po të shtrohej një pyetje e tillë. Këto para Janullatosit ia ka dhënë shteti grek, para këto që janë zhvatur me dredhi, me gënjeshtra, me hipokrizi, me mashtrime dhe me pabesi nga Bashkimi Evropian. Për këto shuma kolosale parash që shteti grek ka derdhur në Shqipëri për greqizimin e Epirit të Veriut, dëshmojnë vetë figurat e larta të politikës greke.

Ish-presidenti Stefanopulos, në Kongresin Botëror për Epirin, që u mbajt në Selanik para disa vjetësh, deklaroi haptas fare:

“A mund të lejojmë që në Himarën greke… dhe në Korçën vllaho-greke të mos ketë shkolla greke..?” (Citohet sipas: Gazeta “Republika”, 25 shtator 2005, f. 8-9).

Më 30 maj të vitit 2005, në Selanik, zhvilloi punimet e veta “Forumi për bashkëpunim në Ballkan”. Në atë mbledhje mori pjesë dhe diskutoi edhe deputeti i parlamentit grek, Antonis Fushas. Ai, ndër të tjera, tha:

“Ne, për të ruajtur dhe përkrahur helenizimin në Vorio Epir, do të investojmë atje për hapjen e shkollave dhe kishave” (po aty).

Pra, miliardat e dollarëve për ngritjen e të gjitha objekteve të lartpërmendura, Janullatosit i kanë ardhur nga shteti grek. Prandaj do të ishte me shumë vend që zoti ambasador i Gjermanisë, këto fakte t’ia bëjë të njohura kancelares, zonjës Merkel, në mënyrë që të dalin në dritën e diellit dy të vërteta:

Së pari, miliardat e dollarëve të grabitura me djallëzi nga Bashkimi Evropian, të cilat shteti grek i ka derdhur në vendin tonë për greqizimin e Epirit të Veriut, kanë bërë që shtetit shovinist grek t’i nxiten orekset ekspansioniste në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë. Pra, me ato male me para që Bashkimi Evropian, dhe sidomos Gjermania, i ka dhënë padrejtësisht Greqisë, tërthorazi, është ushqyer shovinizmi grekokaragjoz për aneksime territoresh të huaja. Këtë fakt, Gjermania, veçanërisht kancelarja e saj, zonja e nderuar Merkel, është mirë ta kenë parasysh, para se të vendosin t’i japin para të tjera shtetit të degjeneruar grek.

Së dyti, objektet në fjalë që Janullatosi ka ngritur në Shqipëri, kanë bërë që valët e urrejtjes kundër Greqisë të njohin kuota të larta në Shqipëri, urrejtje kjo që është bërë më e thekshme edhe për shkak të qëndrimit shovinistoracist të shtetit grek kundër emigrantëve shqiptarë. Dhe urrejtja e shqiptarëve kundër grekëve ka traditë të kahershme. Prandaj kishte shumë të drejtë Faik Konica, i cili dikur pati deklaruar se “…urrejtja për grekët është rrënjosur aq shumë në zemrat e shqiptarëve…”, sepse “…ajo që i ka bërë Greqia Shqipërisë, më shumë se politike, ka qenë agresion ndaj shtëpive dhe nderit të familjeve” (Citohet sipas: Faik Konica. Vepra, vëll. 4, f. 277).

***

Programi elektoral i Partisë Socialiste, i hartuar me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, iu prezantua publikut shqiptar me shenjën dalluese (me logon) Rilindje. Gjatë kësaj kohe kam përsiatur gjatë për këtë shenjë dalluese. Mendoj se Rilindja e Shqipërisë zë fill në gjysmën e dytë të shek. XIX, kur figurat e shquara të kombit shqiptar iu kthyen periudhës zulmëmadhe të Skënderbeut. Ishin pikërisht ato figura të nderuara, me aktivitetin e shquar atdhetar të të cilëve zë fillë ajo që quhet Rilindje Kombëtare, pas një periudhe mbikatërshekullore nën sundimin e Perandorisë Otomane.

Në qoftë se bëhet fjalë për një Rilindje të vendit tonë në periudhën e tanishme, unë mendoj se ne, mbarë shqiptarët e Shqipërisë Londineze, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush është në opozitë, kemi nevojë për një Rilindje të tillë, por për një Rilindje të një natyre krejtësisht tjetër. Me këtë kam parasysh një Rilindje të vërtetë në aspektin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por, që të bëhet i mundur realizimi në praktikë i kësaj Rilindjeje, duhet që klasa politike e Tiranës të synojë arritjen e disa objektivave që kanë një rëndësi kombëtare të jashtëzakonshme.

Së pari, Tirana zyrtare dhe mbarë klasa politike shqiptare duhet të largojë Janullatosin nga kreu i kishës ortodokse, në mënyrë që të vihet në jetë rilindja e kishës ortodokse shqiptare, të themeluar prej Fan Nolit dhe Mbretit Ahmet Zogu, së bashku me figura të tjera të shquara të ortodoksisë shqiptare. Ky objektiv mund të arrihet lehtë fare: nuk është fare e nevojshme që të thirret Janullatosi dhe t’i propozohet të largohet nga Shqipëria; nuk është e nevojshme të kërkohet thirrja e Sinodit të Shenjtë se është e kotë, se atje raporti është 3:2 në favor të Janullatosit, meqenëse Janullatosi e ka menduar me kohë që pas vetes të lërë në krye të kishës ortodokse përsëri një tjetër grek. Largimi i Janullatosit mund të bëhet fakt i kryer nëpërmjet një shtojce (amendamenti) në Kushtetutë, ku të thuhet se krerët e komuniteteve fetare duhet të jenë me gjak dhe me prejardhje shqiptare. Dhe të nesërmen Janullatosi ngarkon baulet dhe na lë shëndetin në kufirin shqiptaro-grek. Para pak ditësh, lexova një ndërhyrje në shtyp të deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zotit Ylli Manjani. M’u duk një ndërhyrje me shumë vend.

Në atë ndërhyrje, zoti Manjani deklaron:

“Rasti i Përmetit është për të qeshur dhe për të qarë. E kam thënë më parë që kjo çështje mund të ishte bërë qëllimisht për të tërhequr vëmendjen. Raporti i shtetit me klerin duhet rregulluar. Ka ardhur rasti që të dëshmojmë një lloj serioziteti në këtë marrëdhënie” (Citohet sipas: Gazeta “Koha jonë”. 05 shtator 2013, f. 3).

Mendoj se zoti Manjani i ka rënë pikës. Shteti shqiptar duhet të jetë serioz në marrëdhëniet me klerin. Dhe ky seriozitet pasqyrohet në faktin që në krye të të gjitha institucioneve fetare duhet të jenë vetëm shqiptarë, me gjak dhe me prejardhje. Kur një të huaji i lihet në dorë drejtimi i një institucioni fetar, kjo do të thotë se shteti shqiptar nuk është serioz në procesin e marrëdhënieve me institucionin në fjalë. Kjo aq më tepër kur është fjala për kishën ortodokse, e cila vazhdimisht ka qenë në shënjestrën e kishës shoviniste greke dhe të shovinizmit grekokaragjoz, të cilët asnjëherë nuk kanë hequr dorë, deri në ditët e sotme, nga synimet ekspansioniste për greqizimin e tokave shqiptare në kuadrin e Epirit të Veriut.

Largimin e Janullatosit nga Shqipëria duhet ta bëjë alternativa e majtë, që tani ka në dorë pushtetin, sepse është ajo fajtorja kryesore për uzurpimin prej tij të kishës ortodokse fanoliane. Presidenti Berisha organizoi referendumin për Kushtetutën e vitit 1994, ku figuronte neni për komunitetet fetare, të cilët duhej të kishin në krye klerikë me gjak dhe me prejardhje shqiptare. Por socialistët shqiptarë bën njërën që ajo Kushtetutë të mos fitonte në votim, me pretekstin se, demek, zoti Berisha, sipas tyre, do të na bëhej “mbret”. Por a nuk do të qe më mirë të kishim pasur zotin Berisha “mbret”, sesa përfaqësuesin e kishës shoviniste greke dhe të shovinizmit grek, Janullatosin, në krye të kishës sonë fanoliane? Po në Kushtetutën e vitit 1998, që socialistët e hodhën në referendum, pa pjesëmarrjen e demokratëve në votim, nenin për drejtimin e komuniteteve fetare nga njerëz me gjak dhe me prejardhje shqiptare, pse nuk e përfshin në të? Pra, uzurpimin e kishës ortodokse fanoliane prej Janullatosit, e kemi peshqesh nga Partia Socialiste.

Largimi i Janullatosit nuk duhet vonuar. Sepse ai, si “Shën” Kozmai i fundit të shek XX dhe i fillimit të shek. XXI, kërkon ta “balsamos” veten për së gjalli në Shqipëri. Kjo vërtetohet nga një e dhënë shumë interesante.

Në një artikull të saj, të botuar në “Ngjallja”, zonja Donika Omari ka deklaruar shkoqur fare:

“Tregojnë, në Shënavlash, se besimtarët, me zë jo fort të lartë, thonë: Janullatosi ka dashur që kishës së Shën Harallambit (një nga dy kishat e Shënavlashit) t’i ndërrojnë emrin, nga Kisha e Shënavlashit, në Kisha e Shën Anastasit, gjë që nuk është pranuar prej tyre. Por Janullatosi ka lënë amanet që, kur të vdesë, të varroset në Shënavlash. E kështu, në vend të Manastirit të Shënavlashit do të kemi manastirin grek të Shën Anastasit” (Citohet sipas: Nuri Dragoj. “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “Weso”, Tiranë 2009, f. 403).

Por, që brenda katedrales gjigante janullatiste në qendër të Tiranës, kanë qarkulluar ca të tjerë zëra, sipas të cilëve Janullatosi, me nxitjen e Athinës, paska blerë truall në Bishtin e Pallës dhe paska dhënë porosi që pas vdekjes, ta varrosin pikërisht atje. Me këtë udhëzim të Athinës që lidhet me pasjetën e Janullatosit, kuptohet qartë që kisha shoviniste greke dhe shovinizmi leckaman grek, na e paskan ngritur “stekën” e pretendimeve territoriale ndaj Shqipërisë deri në Bishtin e Pallës.

Së dyti, meqenëse Enver Hoxha, për forcë të servilizmit të tij të shpifur, pranoi të lidhte marrëdhënie diplomatike me Athinën, me ligjin e luftës në fuqi, duke ua lënë litarin nëpër këmbë breznive pasardhëse në çështjen e marrëdhënieve me Greqinë, është e domosdoshme që mbarë klasa politike e Tiranës dhe sidomos Tirana zyrtare, të marrin një vendim të prerë: Presidenti i vendit, Kryeministri, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, me Ministrin e Mbrojtjes dhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, duhet të zbresin në Shtabin e NATO-s, në Këshillin e Evropës, në strukturat e larta të Bashkimit Evropian dhe në Departamentin e Shtetit dhe të shtrojnë pyetjet e mëposhtme:

“Dhe sa kohë shteti i çmendur grek do të vazhdojë ta mbajë ende në fuqi ligjin paradoksal të luftës me Shqipërinë, ndërkohë që kjo e fundit ka vite që është anëtare e NATOS, bashkë me Greqinë?”. Po si është e mundur që Greqia të jetë në gjendje lufte me Shqipërinë brenda së njëjtës aleancë ushtarake?”.

Pas përgjigjeve që do të marrin, përfaqësuesit e klasës politike të Shqipërisë duhet të kërkojnë të caktohet një afat i prerë për shfuqizimin e ligjit grek të luftës, i cili vazhdon të jetë në fuqi që prej vitit 1940.

Në qoftë se Këshilli i Evropës, strukturat e Bashkimit Evropian, Shtabi i NATO-s dhe Departamenti i Shtetit nuk ndërhyjnë që Greqia ta shfuqizojë ligjin në fjalë, atëherë Tirana zyrtare duhet të ngrijë të gjitha marrëdhëniet me Greqinë dhe të ndalojë hyrjen e shtetasve grek brenda territorit shqiptar, derisa të bëhet fakt i kryer abrogimi i atij ligji famëkeq.

Së treti, mbarë klasa politike shqiptare dhe posaçërisht Tirana zyrtare, duhet të marrin në dorë Çështjen Çame, si një problem me një rëndësi kombëtare të jashtëzakonshme. Kjo çështje nuk mund të jetë problem i një partie të vetme. Ajo duhet të vihet në rendin e ditës të Tiranës zyrtare, e cila duhet ta çojë deri në fund zgjidhjen e saj, çka nënkupton kthimin e popullsisë çame në trojet e veta stërgjyshore, kompensimin e dëmeve të rënda, të shkaktuara prej shovinizmit grek, i cili gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore u radhit përkrah nazifashizmit me maskrat shtazarake që kreu kundër popullsisë së pafajshme çame, dhe kërkimin e ndjesës publike prej shtetit grek për gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë në fjalë.

Unë mendoj se këto janë tri çështje parësore dhe me rëndësi të jashtëzakonshme, pa zgjidhjen e të cilave nuk mund të ketë Rilindje të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Vetëm zgjidhja e këtyre tri çështjeve do t’ia kthjellojë mendjen Greqisë, do ta sjellë në vete, do ta detyrojë të mos i thotë më këmbës dorë në ndërtimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe do ta shkundë përfundimisht nga myku mesjetar ku noton që prej kohës së themelimit si shtet i pavarur. Vetëm zgjidhja e këtyre tri çështjeve do të krijojë truallin e përshtatshëm për rivendosjen e marrëdhënieve korrekte të shtetit grek me Shqipërinë, për respektimin e të drejtave të njëri-tjetrit, për harmonizimin e interesave të ndërsjella dhe për nxitjen e zhvillimit dypalësh, çka unë, ashtu si edhe çdo shqiptar i ndershëm dhe me vetëdije kombëtare, e dëshiroj me gjithë zemër.

Gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans”(Korrieri i Ballkanit), zoti Rama ka deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013).

Unë mendoj se është pikërisht momenti që zoti Rama, si Kryeministër i vendit, gjatë qeverisjes së tij, të bëhet nismëtari për marrjen përsipër të zgjidhjes së tri çështjeve të sipërparashtruara, çka do të bëjë që ai të lërë me të vërtetë emër në histori. Kam bindjen se kjo nismë për zgjidhjen e këtyre tri çështjeve dhe zgjidhja e tyre konkrete, me ndihmën e padiskutueshme edhe të faktorit ndërkombëtar, do t’i shërbejë emancipimit të kishës ortodokse greke, për ta çliruar atë një herë e mirë nga vargonjtë e mendësive mesjetare dhe për t’i dhënë asaj një mësim me vlera, duke ia kujtuar që të fillojë të merret me punët e Zotit, do t’i shërbejë kthjellimit të trurit të klasës politike greke, e cila duhet ta kuptojë dhe të bindet një herë e mirë se etnia shqiptare nuk është “kafshatë që kapërdihet lehtë”, se shqiptarët janë kockë e fortë për dhëmbët e kalbur të shovinizmit të telendisur grek. Prandaj, si kisha greke, ashtu edhe klasa politike greke, duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se pa zgjidhjen e Çështjes Çame, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë marrëdhënie normale mes dy vendeve tona. Madje kokëfortësia absurde e kishës greke dhe e klasës politike greke, sipas të cilave nuk na ekzistuaka ndonjë Çështje Çame, do të vijë duke e trashur hesapin dhe një ditë të bukur, ato “fantazmat”, për të cilat bëhet fjalë në një njoftim të kanalit TV Top Channel dhe të përcjellë më 10 shtator në faqen e internetit të zotit Feliks Taho, me titull “Greqia, “luftë” me fantazmat”, një ditë të bukur , mund të kthehen në pamje konkrete.

Eshref Ymeri

Sarandë, 11 shtator 2013

- See more at: http://tribunashqiptare.net/?p=17722#sthash.4ZjWkGPD.dpuf

2013/09/11

Demush Zefi:I bukur pëllumb hiq valle atje në malësi(Cikël poetik)




Demush Zefi u lind në fshatin Dunav të Gjilanit 17/06/1952.Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen (Normale) në Gjilan , Fakultetin Juridik – Dega Gazetari-Diplomaci e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Prishtinë. Peadagog,  gazetar ne Gazetën “Rilindja” , TV Shkup , “Bota-Sot” , Agjensinë e lajmeve “Kosova”, Drejtor i Drejtorisë Komunale Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi, Drejtor i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport në KK të Ferizajt.

Librat e botuar “Kumti i dheut”, “Loti i Gdhendur”, “Orët e Bardha”.

Ka botuar shumë poezi në revista dhe gazeta shqiptare, ndërsa shumë poezi janë përkthyer edhe në gjuhë angleze, gjermane dhe italiane. Është prezantuar në antologjinë Lule Për Nënën , e cila është përkthyer në disa gjuhë botërore .Jeton dhe vepron në Prishtinë(gazetar në Bota sot).




RRËNJË FISI


Lëshoi rrënjë gjerë e gjatë rrënjë lisi
Shpejt shumoi rriti në ritëm fije-fisi

Lis i vjetër Të thërrasin edhe sot o lis
Dukesh fort i thellë ne tëndin fis

Lis ke një fshehtësi të artë , të gjallë
Mos ngushto , hap rrënjët në shkallë

Trungun plotë rrënjë në gur që ke
Pamja jote tregon se kush je

Lis i vjetër ndër më të vjetër
Edhe një si ti s’rritet më tjetër

Degët e njoma nuk të thahen rriten
Zot asnjëherë ato mos të priten

Ke gjethet që ti shumojnë rrezet e diellit
Dhuratë më e bukur një thesar prej qiellit

Mjegullat degët nuk mund t’i shkurtojnë
I rrit me ëndje ato plot zemër shumojnë

Lis o lis që ke gjithherë tëndin fis
Më fto në ëndërr edhe unë me uratë të rris

Në tokë e qiell dukesh plot mundim
Thonë trungu yt fitoi dje shartim

Ato trazira i hedh jashtë me shtat
Është dhembja ime nuk bëj mëkat

Me ato rrënjë edhe lisat e tjerë rriten
Rrënjët i shton mos e ndal kurrë dritën


NJË PJESË LUMI

Zalli i përvëluar
Thith ujë nga lumi

Një pjesë lumi
Prehet në gji të zallit

Që të mos bëhet
Valë e furishme


VAJ VETMIE

Në heshtjen e natës
Hijet shtiren

Malli e kravata
Larg janë pas bregut
Ka vetëm shpresa

Lotët burojnë

Sa vështirë
Lum miku
Kur nuk i ke pranë
Së paku
Dy gurra lot


NDJEKJE

Njëri-tjetrin vajtojnë
Për peshqit e humbur

I qetë uji nuk rri
Ndjek peshqit e zhdukur



KUMTI I LAHUTËS

Në kumtin burrëror
Të lahutës jetike
Si zhumhuri i gurrës
Kushtrim burrash
Britma kreshnikësh
Tingëllimë tiganësh
Vezullues verbues
Nën qiellin dhe diellin
Në fushë te betejave


PËLLUMBI

A këndon ti pëllumb porosi
A fluturon ti pëllumb në malësi

O pëllumb ç’të rëndon ty sot
Ëndrra jote e lagur me lot

Atje ngrit lapidar me rreze
Natën vonë dritë ndeze

Lum miku edhe ti ëndërron dritën
Lules së vyshkur kush ja ndal rriten

Ajo nënë mban lapidar me rreze
Një natë qetëson të pushoj në mrize

O pëllumb ligjëro pa pushuar porosi
I bukur pëllumb hiq valle atje në malësi



KRYQI I BARDHË

Vazhdon rrugën lirisë
Kryqi plak

Merr për dore mijëvjeçarët
Ushtarët, komandarët
E kërkon, e tregon
Dhembjen e shpirtit tonë
Pik e pesë na shikon
E gjen fillin , na bashkon
E gjen gjuhën, na këndon
Në Lezhë e Krujë ai na fton
Na bekon
Me dorën e bardhë
Mbi tokën e Gjergjit tonë

FISHTA

Ndërtohesh piramidë fjale
Takohesh me qiell e tokë
Zbulon tisin e oreolëve
Të shpërthen gurra e shpirtit

Ngri shpatën e fjalës
Heshtjen pret , robërinë e dhembjen
Krenarinë s’e lë të shkelet e rrënohet
As kullat të marrin rrokullimën

Marash Uci vije përkujtime
Malësor më i lashtë se guri
Oso Kuka shungullon shekujt
Në tel lahute merr hapin Evropës

Bota e njeh bardhin e pavdekësisë.


GJERGJI

Varrin me njomësi të përhershme
Pesë shekuj ta sulmuan
Pesë shekuj sulmove
Të kemi përmendore

Pesë shekuj i blerove stinët
Sa rrugë e gjatë o Zot
Sa rrugë e gjatë
Asnjëherë s’na le të etur

Gjergji po na vjen
Është në rrugë Gjergji

Njomësin e ke në shesh
Plak erdhe i ri je
Dhe do të mbetesh pranë nesh


VELA E LIRISË

Struga që qepi sot shëndetin,
strugejanët flasin shqip,
kanë edhe të parin e tyre,
kanë edhe një etje të re,
të ndritë me ylber liqenin,
të mbushë kupën me ndjenja Kosovë,
Livadhia pranë dëshmisë së zjarrët,
Livadhi e Velesht tash pa ëndërra,
po bie kushtrimi edhe diku tjetër,
po lavrohet edhe një arë me farë lirie.

Ngadal pa ethe zbret nga miti
Struga në valle më nuk ëndërron
tash thur buzëqeshje për vete
për të gjitha qytetët shqiptare
për Kalanë e qetësuar në Krujë
sot po shpërthen një këngë e re.

Ohrit afër në krah po i shndëritë një yll
një abetare e re lirie e dalldisur si engjull
mbrojtës tash Struga ka vetëm shqiptarët
ata dinë të prekin zemrën dhe dashurinë
pranë Drinit që më shekuj bartë mallin.

Qyteti i shkronjave shqipe përshëndet
ka një porosi shprese që më të flasim
të bashkojmë dy tri apo katër duar të djathëta
me lapsin e hyjnor të shkruajmë rishkruajmë
fitore të reja në dheun që foli vetëm shqip
Manastiri që përkujton evropën në faj.



LIRI POETIT 

( Në ditën e Poezisë]


Aty ku shkëmbijët flasin
gjëma e tyre shtrengon
vargjet presin fjalët
misterin e tyre të njomë
dritën t’u sherbej njeriu
vargun tua lë peng
etjen tua shuaj me re
shpresen në emblemë
poeti vuajtja dhe titulli
qielli dashuri e nënë
toka mbetët e zbrazët
prët vargun e dlirë
një lahutë mbite e mbirë

Të mbetëmi hyjni poeti
nxitje librave në trotuare
frymon koha e rreshtave
nen afshin e vreshtave
në Marsin me traditë
pamjen që kujton fillimin
e poezisë se stinëve
bardhësinë që ka fjala
mundësinë e bimëve
që dallojnë përtrirjen
shtigjeve rrugve drumeve
ahishatve te reja që flasin
një ditë poezie që buzëqeshë.

Pikon rreshta e shtrydhë fjalë
poeti që nuk kafshon dritën
që lidhë botën me litarë
trazon dashurinë e engjujve
të vargu mbështetë paqen
me dy duar dhe lapsin e vigan
ofron një mbulesë të ylbert
këngën që vet se këndon.

Si ujdhesë e dëshirave të mbara
sa herë që ka kujtime të mira
po e lagë letrën shpalosë me ujë
së bashku ta bëjën një Bibël
ta shkruajnë n’rreshta një libër
të hedhur prore n’ hambarë rinij
pranë tempullit që ndriton gjithësinë
të lëshoj lutjet, vargjet me gjallëri
aty ky dora shkruan e ferkon malle
poet mbaj në mend përkujo e hedh valle
në këtë ditë të falë edhe perendia
shpalos më afsh atë që ke nga mbrendia.

(Prisahtinë, 21 Mars 2013]

QËNDRO AFËR MEJE 

Ndiej ketë aromë
që ka dritën
dashurinë që buzëqeshë
jetën e re si diell
kaltërsinë si qiell.

Nen rreze e mbëshjell
aromën shqipëtare
e buzëqeshi dritën
lashtësinë bujare.

Qëndro afër meje

Larg në valë deti
që filtrojnë lotët
dhe heshjen.
Qendro afër meje

Pranë meje
Kohë dyndje
Plage plisi
Qendro

Vajë kënga
E drini sodisë
Pse mungoj

Natën vonë.
në heshtje
puhia ndryshkë
fshinë lotët
preki trupin
atdhe afër më kë
afrohu pranë meje
pa lutje e dhuratë.

Era më soditë
brendinë orakull
me mbanë etje
zërin e ri të vjetër
e shpalosë ndritë
në ditën tjetër
ka shprendarë
copëza në letër.

Qëndro afër meje
unë jamë afër teje
flasim gjuhen që dimë
kendojmë njomë
thjesht nuk ngopemi
ës më dashuri
atdhe endërr s’jam
por krijesë që kam lotë.




(Poezi kushtuar Njeriut apo djallit}

Pyrgu i djallit

Kah lëshon hapa shpirti
Mbetet i zi nën therra
Dhe aty bluan ngadal
Kafshimet nen verra

Ti që dikur të shikova
Me një sy të bardhë
Ishe ti ai qe shtrydhe
Fjalë në shtratin e larë

Nëpër qepura të zi do të biesh
Do të kafshohesh me gjumin
Dita natë e zezë do të vishet
Hijenë kohe do të ndytë lumin

Mendje mykësirë deponi e gjallë
Kafshon ata që rritë të ofruan hije
Nuk të dualen buk duart e këmbët
Po ngopesh i mjerë po pa shije.

Kur ece trotuarëve me ëndërra
Të duket hija e zezë dinosaur
Kafshon majtas djathtas kalbesira
Të behet jeta nëpër dhëmbë gurë.

Sa herë ke kafushar
ata qe te leshuan dritë
Do te kafshosh vehten
E prerë hapur me thikë

I mjerë mbete ishe gjithmonë
Pa vlerë shpirtëzi e dangall
Qepurët të ndalen e vërbuan
Përbirës rrethi të shpallë.

Shtegu ndalon përherë kalimin
Hapat me zile zhurmojnë dritën
Pjellë e shlyer erë e shëmtuar
Nata me etje do tua ndale rritën.

Do te biesh përbindësh kohe
Në lumin që bartë kalbesira
Zhveshur nga mëkatet që i ke
Do të mbetësh kufome mbi dhe.

Ka varr që nuk flet po pret
Ka ditë të zezë që nuk ndritet
Ecjet pushojnë e vetvriten
Ata që kafshojnë e lëndojne.

Mbi një murë plehu këngë
Jo gjel që rrahë krahët e rinj
Gjeli me këngë lumturon
E ti kafshon e bene dhun hi.

PËRGATITI:FLORI BRUQI



2013/09/06

Cikël poetik nga Nuri Plaku




Nuri PLAKU

BRINJA E MBJELLË

Kërkoj një adresë të kaltër ikjesh
Fshehur nën krahët e zogjve,
Të më çojë
Në një shtrat të zjarrtë vetëtimash.
Do të shqyej brinjën time nga trupi
Ta mbjell atje,
Të mbijë prej saj
Një bisk i bukur gruaje.
E do të pres,
I përgjëruar mbi të,
Deri sa të çeli
Trëndafili i kuq
I vdekjes sime.




IKONA E SAJ

Vdeksh o marrëzia ime!
Që gdhende mbi gurët e kujtesës
Ikonën e saj të mermertë.
Unë e theva atë!
Brenda meje u derdh
Prushi i kujtimeve
E ma dogji
Ankthin e pathënë.
U bëra i tëri
Natë prilli
Pa hënë.

NATA ËSHTË NJË KRYQ I BARDHË DASHURIE

Nata është një kryq i bardhë dashurie,
Me emër gruaje gdhendur në skaj,
Gozhdët e argjendëta që ngulen mbi të
Kan dhimbjen therëse të trupit të saj.
Pesha e kryqit na bëhet mundim
Sa herë që ngjisim e zbresim Golgothanë,
Gjaku i shenjtë që rrjedh nëpër shpirt
Një trup të vetëm, i bën trupat tanë.

ROZAFA IME

Lulkuqe harrimi po çelin
Vështrimit tënd të hutuar.
Ç’ura mendimi po ndërton
Rozafa ime e trishtuar?
Burrat për gratë s’kan moshë
E mosha për to s’të bën burrë,
Në brigjet e tua të virgjërisë
S’do të lë të murosesh ti kurrë.
Për ty kur më të mos ndiej,
E të dukem si rrasë guri,
Atëhere do ulem të vajtojë
Vdekjen e vërtetë të një burri.

FRIKA E MAGJISË

Ne mbetëm si drerë të plagosur,
Në korijen e pyllëzuar të fjalëve.
Përpara na u shfaq
Një kryq i pagdhendur ere
Që vetulla jote
Si shkopi i Circes
E bëri
Ndëshkimin tim të vonuar.
Ikja e ikja para teje,
Duke ngulur atë kryq
Anëve të udhës.
Ti luteshe
Mos na bënin magji
Me asprat e dikurshme
Të Judës.

FJALË TË DEHURA

Një gotë verë në tavolinë
Më kujton gjithmonë ty
Ty dhe Omar Kahjamin e Orientit.
Ju vështroj të dyve dhe pi,
Pi dhe gjuhën e trashur e trash
Me shije vere dhe pak tradhëti.
Eh, verërat janë të fshehta si vreshtat
Dhe vreshtat janë të fshehta si femrat
Dhe femrat janë mallkime të fshehta
Për burra të dehur si unë.
Për burra si unë
Që ikin e ikin deri në mesjetë,
Për të gjetur
Një grua të vërtetë.

TI JE RRUDHA IME

Kur shirat bëhen re të penduara
E vijnë të trokasin në portën e dherave
Më shfaqesh ti.
Pas teje vjen një babagjysh prej ylberi
Duke gjuajtur me topa bore
Një fëmijë të mitur
Që s’deshi të rritej kurrë…
At’herë qielli bëhet i tëri qeshje
E shirat bëhen pasqyrë
Që ne të shikojmë
Gjurmët tona të shkuara.
Fëmija bëhet ti
E ti bëhesh fëmijëri.
Babagjyshi ikën e ikën nëpër qiell
E bëhet Zot.
Fëmija ikën e ikën nëpër re
E fshihet në një guvë.
Ti vjen tek unë e më pushton të tërin
E kthyer
Në rrudhë.

DASMA E THYER

(Mallkimi i një gruaje)
Ti ma grise vellon e parë të nusërisë
Në një gjëmb të fshehur psherëtime,
Dhe e hodhe të digjej mbi zjarrin e mërisë
O të vraftë orizi i dasmës time!
BRAKTISJE
Një dritë e largët, u vesh me perëndim,
Emri yt papritur…m’u bë psherëtimë.

KUR ISHIM FËMIJË

Kur ishim fëmijë,
Donim të ndërtonim një shtëpi të madhe kukulle
Me tulla prej ajri.
Vraponim përditë mbi qeshjet tona
Të gjenim tulla të bukura,
Tulla të forta,
Por tullat ishin të gjitha të padukshme
Si rrobat e mbretit të përrallave.
Dhe ne lodheshim
Duke vrapuar nëpër ëndërra,
Derisa lodhja na u bë djersë,
E djersa na u bë kollë,
E nga kolla
Pështynim varfëri.
Një ditë,
E pam veten se ishim
Kukulla të rritura
Pa fëmini.

LIDHËSAT E KËPUCËVE

Unë i thurë lidhësat e këpucëve,
Me këngën e gjelave të parë.
Hëna më pret tek kumbulla e oborrit,
Të jemi të dy
Bashkudhëtarë.

PYLLI S’ËSHTË MË BABAPYLL

Plepi i bardhë fërshëllen,
Buzë pyllit të veshur me dimër.
Lepurushët vrapojnë nëpër borë
Të shuajnë urinë,
Me fletën e ashpër të muzgut.
Janë fshehur gjethet e thara të barit,
Udhërrëfyeset e heshtura të stinëve.
Vetëm dhelprat përgatisin me ngut
Darkën e shijshme të pusive
Me klithma lepurushësh në fyt.
Pylli sonte s’është më babapyll,
Me borën e ngrirë kthyer në mermer,
Ku ngrihen pusi për lepurushët e gjorë
Nën plepin e bardhë që fërshëllen.

ULLINJTË E VRARË

Sot do të bëhem kishë!
Në vend të qirinjve
Do të djeg brenda vetes
Degët e vrara të ullinjve.
E diela do të bëhet kukuvajkë
E do të këndojë
Mbi trungjet e mbetur në korie.

HAKMARRJE

Dikush
Ma hodhi portretin
Mbi zjarrin e rrufeve.
Të tretej
Pikë - pikë
Si pika e lotit.
Por zjarri u shua
E unë u bëra
Puthje
Në buzët e Zotit.

NË APOLLONI

E mora një monedhë antike
Nga rrënojat e argjenda të Apollonisë
Dhe e bëra unazë
Në gishtin e ëndrrës sime.
Nga faqja e saj
Buluriti Lopa e Diellit
Qumështi i gjirit rrodhi nëpër shekuj
E u bë
Dritë dashurish.
Zëri u bë aromë gurësh!
E gurët u bënë
Alfabete perëndish.

IKJET E BUKURA

Më ikin përditë pjesë nga vetja,
Vijnë e m’i marrin dy engjëj të bardhë,
Vijnë të heshtur e ikin të heshtur
Sikur mbartin mbi vete
Një Krisht të vrarë.

SELVIA PLAK E VARREZAVE

Ajo është një shatërvan i blertë shpirtrash!
Trungu i fshehur mes degëve
Është udha e vetme e parajsës
Shtruar
Me gjurmët e të ikurve.
Maja e ngritur
Përkulet
Në heshtjen e motmotit.
Guguftutë
Vijnë e ikin
Duke sjellë
Porositë e Zotit.

GURËT E ATDHEUT TIM

Burrat e vendit tim po rrisin dafina në epruveta!
Gurët e maleve po i shkulin nga rrënjët,
Të gdhendin fytyrat e veta.
Statujat e heronjve,
Po thërmohen pak nga pak
Nga mëritë e lavdive.
Erdhi koha kur statujat
Të vriten nga të gjallët.
Erdhi koha kur të gjallët
Të vriten për statuja.

http://floart-press.blogspot.com/2008/09/cikl-poetik-nga-nuri-plaku.html
http://www.ezadar.hr/clanak/bilosnic-u-albaniji-medu-pjesnickim-velikanima

Revista "Besa" pasuron diasporën në Suedi



Shqiptarët në Suedi kanë mundësinë për të pasur në duart e tyre për të lexuar revistën “Besa”, një organ i themeluar nga Lidhjes së Shoqatave “Iliria” në Suedi.

Kjo revistë rikthehet në botim pas shumë viteve dhe do të jetë e pasur për të qenë pranë lexuesit në diasporë, gjegjësisht në Skandinavi.
Revista "Besa" pasuron diasporën në Suedi
Stafi i revistës përbëhet nga Shuquri Sejdiu, udhëheqës i seksionit në gjuhën shqipe në Radio Suedia, Muhamet Krasniqi- ish kryeredaktor i Zërit, Astrit Gashi, Murat Koci, i cili është dhe kryeredaktor i revistës.

“Revista “Besa” do jetë sofër e shtruar me bukë, krip e zemër për çdo krijues, gazetar , intelektual, politikan, ëndërrimtar a filozof që për bazë të lakimeve, thurjeve, tundimeve të tij/saj ka mbarëvajtjen e kombit shqiptar, interesin dhe ruajtjen e të qenit shqiptar, të individit dhe komunitetit shqiptar në diasporë edhe pse i shkëputur fizikisht nga trungu”, theksojnë nga stafi i gazetës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...