Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/30

VIOLETA ALLMUÇA :RRËFIMI JETËSOR

image


Vështrim mbi romanin «Gjurmë dhe Ishuj», (Sheria ) të shkrimtares Puntorie Ziba


Romani « Gjurmë dhe Ishuj » ( Sheria ) është një dallim i sukseshëm i kësaj autoreje, e cila përpos ka një numër veprash në poezi dhe prozë që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit, bën një hop cilësor, duke sjellë para nesh këtë vepër me lëndë të vërtetë jetike njerëzore, sa universale aq edhe spirituale. Lënda e romanit përbëhet nga një materie e endur brenda një fenomeni shqetësues, i cili njihet në mbarë botën si drama e dhunës, në veçanti ndaj gruas. Kjo parantezë për një vepër të konceptuar me ide thelbësore e paraqitur si një dëshmi e vërtetë e realitetit vjen kështu edhe si një roman publiçistik. Pas leximit të librit, përveç ndjenjës mbizotëruese të dashurisë për jetën që ka çdo grua në shoqërinë njerëzore, na vjen edhe si dëshmi një dokument i shkruar në terrenin letrar për publikun e gjerë. Një lloj i tillë romani koncepton idenë se ka të ngjarë të na japë mesazhin e jetës në koherencë dhe të përbëjë të vërtetën e vetë qënieve njerëzore të shpalosur në audiencën artistike. Refleksionet i shohim qysh në faqet e para të romanit, përmes konfliktit ekzistencial mes personazheve brenda romanit, Sheries, një grua (brenda kohës) me ndjenja të bukura për jetën të paraprirë nga dashuria, dhe Hashimit, një burrë (jashtë kohës), bashkshorti i Sheries, i cili paraqitet si sundues i jetës së të tjerëve, një njeri me pasione të dhunshme. Shkrimtarja Puntorie Ziba e vendos lexuesin përballë këtij realiteti tipik shqiptar, në një rreth jetësimi, por edhe gjithëpërfshirës. Tipizimi i personazheve në veçanti bën që të lëvizin filozofi të kundërta, kontradiktat e kohës, paradokse dhe sjellje që i kundërvihen një morali tjetër, ku mbizotërues duket se shfaqen koncepte të kultivuara në subkoishiencën e personazheve që dalin hapur në roman. Duke iu kundërvënë një morali të ndryshëm nga morali i asaj shoqërie që e rrethonte, Sheria personazhi më i veçantë i romanit, përshkruar me një gjuhë sa humane aq edhe artistike, na zbulon figurën e gruas që kërkon përpos jetës edhe lirinë e vetes e të shoqërisë përreth saj. Duke krijuar këtë figurë të vërtetë autorja ndjek jetën njerëzore deri në atë pikë, ku bota e personazheve bëhet e prekshme, vijësohet e përqaset me vetitë më të mira të asaj që quhet vizioni i ardhmërisë, duke shkruar rreth një tematike jo të lehtë me penën e një krijueseje kurajoze. Ajo e quan plagën e dhunës një dhimbje që përçon fatin e gruas së re, si një fenomen i cili thyen shpirtin e të gjitha grave. Në një këndvështrim të tillë ku shpërbëhet dinjiteti njerëzor dhe robërohet qenia njerëzore që lind jetën, autorja përcjell mesazhin e zbulimit të kohës dhe të botës së brendshme të Sherias, në dritëhije, ku duket në sfond e paarritshmja barazi gjinore.
Sheria ishte e prirur të jetonte një botë me ideale, qysh kur e lidhi jetën e saj me jetën e një burri që sipas mendimit të të gjithëve i kishte rënë për hise. Brenda vetes i thyhej ndjesia dhe shpirti kur Hashimi i shfaqej me mendime krejt të kundërta për dinjitetin njerëzor. Ai e quante atë një skllave të tij deri në vdekje duke ia mbyllur jetën brenda katër mureve që ajo e perceptonte si një burg të përhershëm. Vetë Sheria e ndjente se liria pa kufi e të shoqit po i vriste ëndrrat e jetës dhe të së ardhmes.
Duke vënë në qendër të romanit portretin e Sheries që ngjan me shumë gra të botës, por në një realitet ku reflektohet psikologjia dhe filozofia kombëtare e vendit të saj, vepra letrare merr një zhvillim të gjerë konceptual, ku zhvillohet edhe vetë figura e Sheries. Ajo e di se duhet të luftojë për lirinë dhe dinjitetin e vetvetes. Kjo ndodh atëhere kur në brendinë njerëzore të gruas së re ndodhin ngjarje nga më të papriturat. Atdheu i saj gjendet në prag lufte, ikja drejt atdheut mëmë, lindja e një fëmije pa dashuri nga përdhunimi i të shoqit, përbuzja e dhimbja. Ky eksod i madh njerëzor e shpirtëror jepet me dhimbjen e saj prej nëne. Në sfond shfaqet edhe një dashuri e re që ajo kërkon ta quajë jetë, kujtesë, zhgënjim! Lindja e foshnjës në një tempull gjatë rrugëtimit drejt tokës së ndarë, e shtyn atë të mendojë se ai tempull me histori imangjinare ishte djepi i foshnjës së saj, jo djepi i një caku të ndarë, nga padrejtësia e një atdheu të ndarë ashtu si jeta e tyre. Ajo e ndjek jetën si një paradoks për ata që kërkonin vdekjen dhe shuarjen e një populli që ka përjetuar njësoj si ajo dramën e fundit të ndarjes.
Duke i vendosur personazhet në një vend të njohur që është atdheu i shqiptarëve, autorja e librit na rrëfen se pikërisht Sheria, kjo grua si të gjitha gratë e botës besonte se do të kishte të ardhme. Ky personazh si një hetim i sukseshëm në roman përmban në vetvete veçoritë tipike dhe të rralla që e dallojnë nga të gjitha personazhet e tjerë të kësaj vepre letrare që gjithsesi përbëjnë strukturën romanore, si dado, Dritani, murgjërit e manastirit, refugjatët etj. Duke e pranuar kohën dhe jetën ashtu siç ishte, ajo e dinte se bota dhe jeta e gruas duhej të ishin ndryshe. Dilema e saj për një botë më të mirë edhe kur të tjerët i shkaktonin dhimbje e bënin atë një grua që pëfillte mirësinë. Largimi nga vendlindja, lufta dhe ai eksod i tmerrshëm me foshnjën në bark, janë motivuar në roman me një gjetje të vërtetë, se jeta vazhdon. Ajo foshnje duhet të jetojë edhe për fajin e të tjerëve. Koha dhe hapësira e këtij personazhi janë edhe një zhgënjim, pas ëndrrave të thyera që e ndjekin pas. Duke jetuar « imazhin e hijes së të shoqit » Hashimit, si një e keqe, si njeri i pashpirt, kur sheh kërthizën e vajzës, ajo mendon se fëmija do të jetë e ardhmja. Kur i shfaqet një e shkuar e vështirë për të mos harruar, Sheria kërkon t’i bëjë sfidë të ardhmes. Tablo e humbjes edhe pse e ndiqte jetën e tyre mund të kapërcente kohën e ikur dhe të shfaqej në sytë e foshnjës që ëndërronte një kohë tjetër.
Figura e Sheries në roman edhe kur ajo ndihet e ligështuar dhe e prekur nga një sëmundje e rëndë psikike e shtyn qënien e amësisë dhe vetëdijen njerëzore brenda një tendence, për të ndryshuar veten. Këto sekuenca, rrëfimi të këtij personazhi në lëvizje qysh nga filli i lidhjes së gruas me realitetin e pazakonshëm të virgjërisë, bëjnë që teksti romanor të bëhet më aktiv dhe i dallueshëm nga personazhet e tjera që sillen në libër. Duke parë haptazi lirinë që kishte ardhur në vendin e saj ajo do të imagjinonte se ishte më e lirë aty në adhteun mëmë. Ndoshta ndonjë ditë do të prekte lirinë e vërtetë në vendlindje! Do ta gjente aty edhe atë çka e kërkonte prej një shekulli. Ajo ende po vuante këtë kapërcim kohor. Nuk ndjehej e lirë. Madje i dukej se nuk kishte ardhur liria që kishte dashur! Ky paradoks mes dhimbjes dhe hidhërimit po kthehej në një kronikë të përjetshme ndarjesh. Lidhjet shpirtërore ishin prerë në mes dhe ekzistonin të trishta brenda kornizës së errësirës, të një jete të vrarë nga mëkati i dhunës.
Sheria, ky personazh i dashur nuk mundi ta harrojë të kaluarën as edhe atë ditë kur e kuptoi se po i vinte vdekja aty në detin e thellë përballë ishullit.
Duke mos rënë në një zbukurim të realitetit autorja e mbyll faqen e fundit të romanit « Gjurmë dhe Ishuj », ( Sheria ), me një ngjyrim tragjik duke na dhënë mesazhin e një gruaje : Po ia thyet shpirtin njeriut një herë, s’e ngrini më kurrë më këmbë! Shkrimtarja P. Ziba na sjell me një gjuhë narrative, këtë vepër realiste, në stilin romantik, me vlera estetike të veçanta, ku sfondi bardhë e zi apo « hapy end » nuk përcjell fillim - fundin e veprës letrare. Ky është arti i vërtetë i rrëfimit të jetës.

Albert ZHOLI : Lamtumirë Halil Qendro, poeti i heshtur i Labërisë dhe Progonatit të lavdishëm!

image
                      Halil Qendro

E kam njohur në vitin 2000. Sapo isha kthyer nga Greqia. U takuam në kafen, ku takohen lebërit, aty në kafenenë pas ish-ekspozitës “Shqipëria sot”. Kur më takoi më shtrëngoi fort dorën dhe më vështroi në sy sikur donte të më përpinte mendimin. I sertë, i ashpër, por tepër korrekt dhe zemërgjerë. Kush nuk e njihte nga afër mendonte se ishte nursëz dhe kapadai. Brenda sertësisë së tij, ai kishte mbledhur përbrenda një botë shpirtërore aq të madhe sa as ai vetë s’e dinte se e zotëronte. Ishte krenar, por dhe sedërli. Atdheun e donte mbi gjithçka. Nuk ishte patriot lodërtar dhe anakronik, por intelektual me botë që vlerësonte dashurinë atdhetare me përmasat e një njeriu të drejtë. Kur u ula dhe bisedova ndjeva peshën e fajit përse kam qenë larg pa dashur këtyre njerëzve me kaq shumë ndjenjë patriotike, por dhe poetëve që me fjalë zemre gdhendnin shpirtrat njerëzor. Mos u largo nga ne të vjetërit, mos u largo nga Progonati, mos u largo nga Labëria dhe pse ke qenë larg saj. Ishin fjalë shpirti, fjalë zemre, fjalë poeti, fjalë që peshojnë flori. Nuk kishte aspak dhembshuri në thënien e këtyre fjalëve, por seriozitet. Ndaj ai dukej paksa si “nopran” se, të vërtetën ta thoshte në sy. Edhe fjalët i kishte poetike, edhe buzëqeshjen të tillë, edhe kritikën edhe lavdërimin, ky ishte poeti Hali Qendro. Sa herë e takoja, kurrë s’e thoshte fjalën e mirë në sy, por kurdoherë të ngrinte në piedestal larg tavolinës, ku ai bisedonte. Kjo është fuqia e fjalës së poetit, kjo është magjia e fjalës së poetit, “Atë që do kritikoje në sy, por lëvdoje për së largu”.



Vendlindja e tij Progonati



Progonati është një fshat me emër magjik që perceptohet trimërimshëm në memorien e çdo shqiptari për mbresat e të kaluarës dhe për emrin e mirë të bijve të kësaj krahine. Progonati për qytetin e Tepelenës, për atë rrethinë Labërie të mbushur me traditë dhe kulturë, përbën një kryeqytet të mendimit, trimërisë, bujarisë dhe intelektualëve të njohur, që sot janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe me valixhen e traditës së vendlindjes themi krenarisht se kanë pushtuar botën. Progonati shtrihet në një rrafshnaltë 900m mbi nivelin e detit. Është rrethuar nga një kurorë malesh si valltarët në dasmë dhe rrihet vazhdimisht nga erërat e perëndimit. Karakteristikë ndryshe nga shumë fshatra të Labërisë, shtëpitë janë pranë njëra tjetrës të rrethuara nga pemë (arrë e gështenja e qershi-kryesisht). Në dimër bie dëborë që u rrinë kurorave të maleve si qeleshe, ndërsa vera vjen e freskët. Klima dhe uji i ftohtë të shëndetshëm kanë qenë dhe mbeten dy pasuri të pandryshueshme dhe të pazëvendësueshme për vendasit. Sipas shumë historianëve, Progonati është vendbanim shumë i hershëm me toponime interesante para kristiane e kristiane të hershme. Fshati interesant është rritur deri 350-400 shtëpi, e pastaj si për çudi, për shkak të migrimit dhe emigrimit, sfumohet në 70-199 shtëpi. Migrimet më masive që mbahen mend kanë qenë në Himarë, Progër-Korçë, Lazarat, Mallakastër, etj..
Në Progonat te Rrapi(!)
Labëria progresin dhe historinë e ka lidhur me rrapin në sheshin e fshatit. Kanë qenë këto pemë shekullore që kanë qenë mikpritësit e parë të të huajve, ku janë zhvilluar ngjarjet nga më historiket, takimet, betimet, luftërat, vrasjet. Në rrapin në Mashkullorë Çeçua bëri histori, në rrapin e Janinës u varën Bilbilenjtë 13-të. Në rrapet e Vlorës Selami nisi luftërat e pashoqe. Edhe në Progonat ka një rrap madhështor, me ato krahët që shtrihen në ajër sikur përqafojnë mysafirët dhe mbrojnë fshatin nga rrufetë e armiqtë. Rrapi dhe Progonati janë një trup. Ata duket se kanë lindur në një ditë. Ata duket se janë një duet magjik që janë binjakëzuar përjetësisht që nuk mund ta kuptojnë jetën pa njëri tjetrin si vëllezërit siamezë.
“Bilbilenjtë, 13 vanë në litarë vetë”…
E kush më shumë se progonatas të rritur në ato male mund ta ngrinte vdekjen me atë akt në pavdekës?! Kush mund të dredhë i qetë cigare para vdekjes?! Kush mund të qeshë me vdekjen si në dasmë?! Vetëm Bilbil Shakua me shokë. Janina e ruan nga gojëdhënat si të gjallë këtë moment. Te rrapi i Janinës ata shkuan në litarë në atë mënyrë që nuk ka moment kur flitet për trimërinë anekënd Shqipërisë, Greqisë apo Turqisë të mos përmendet ky fakt unik që është përjetësuar në vargjet nga më brilantet të poetit popull. Në Janinë thonë se në atë rrap çdo vit në ditën e varjes bien rrufe. Kjo nuk është gojëdhënë shqiptare por greke. Bien rrufe në kujtim të trimave që jetën e tyre ja falën përparimit, lirisë, sepse si rrufe ishte lufta e tyre, shkreptimë, që kërkonte ndriçim në atë errësirë osmane.
Bilbilenjtë në këngë…

Ismail Lesko Progonati


Rilindësi i shquar Ismail Lesko Progonati, me veprën e tij të zjarrtë patriotike në shërbim të kombit, ka hyrë në këngë dhe të zgjedhurit që hyjnë në panteonin e këngës së popullit, brezat ua përcjellin historinë në testamentin e pavdekësisë. "Ismail Lesko Progonati,/ç'i pret palla e shkel ati", i këndon populli me krenari dhe e qan po me aq dhimbje rënien e tij: "Janina te rrapi i falë/e zeza Janinë/flaka moj Janinë/vjen muzika duke qarë/bien një zabit të vrarë/Ismail Lesko Progonanë/E zeza Janinë/Flaka moj Janinë/Dhe të ëmës kur i thanë/Lidhi duart dhe vu vajnë/mos ma thoni këtë fjalë/se Ismailë e kam të gjallë"... Te rrapi i falë i Janinës, atje ku gjyshërit e Ismail Leskos, Birbilenjtë e famshëm kishin shkruar historinë, atje e filloi dhe e mbaroi veprimtarinë e tij patriotike dhe pinjolli i tyre i denjë, Ismail Lesko Progonati. Ai lindi dhe u rrit në truallin epik të Kurveleshit, çatia e Labërisë që në kohëra e ka gdhendur profilin e tij epik në duele të mëdha me hordhi pushtonjëse, që nga pre-historia e gjer në kohët moderne, me figura të shquara të penës e të pushkës, të mendjes e të zemrës, të tillë si Belul Toto e Çelo Picari, me Gjon Lekën, Hodo Aliun e Çobo Golemin, me Ismet Toton e Bilal Golemin etj., që s’janë vetëm të Kurveleshit e të Labërisë, por frymë e shpirtit të të gjithë kombit.

Fshati i poetëve dhe intelektualëve të shquar
Askush më shumë se ky fshat nuk ka nxjerrë nga gjiri i vetë shkrimtarë, poetë, shkencëtarë, ushtarakë, gazetarë, studiues, biznesmenë, mësues, me tituj nga më të ndryshmit. Ata janë shumë dhe do të duhet një faqe gazete për t’i shkruar, por mund të them se për nga numri, ata mund të krahasohen me intelektualët e tre qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Dhe kjo sepse ajri dhe dashuria e madhe për dijen kanë krijuar breza të tërë njerëzish përfaqësuesish të këtij fshati. Përpos intelektualëve sa më lart në periudha të ndryshme historike mund të përmendim Enver Gugën, Pëllumb Xhufin, Hito Çakon, Cobo Skënderin, Halil Qendron, Ibrahim Ganin, Agim Shehun, Martin Cukallën, Izet Çullin, etj…



Lamtumirë poeti ëndërrimtar!

Ti ishte poeti i yjeve, i qiellit të kaltër, i dashurisë njerëzore, i detit dhe tokës së pastër. Ishe poet i dijes dhe përparimit ndaj nuk u bëre kurrë palë as në regjimet, as në sistemet për interesa vetjake. Ëndrra jote ishte Shqipëria e përparuar, e zhvilluar, pjesë e Europës së bashkuar. Ishe një lab 24 karatësh, që krenarinë s’e këmbeje me floririn. I sertë, por i dhembshur, i ftohtë, por me gjoksin zjarr, i zgjua, por i thjeshtë, poet i madh, por shumë modest, atdhetar, por real...Halili iku në përjetësi. Iku duke lënë pas mijëra vargje pa qëndisur në letër. Iku, por është tek ne me fjalën, vargjet, patriotizmin. Iku duke qenë më afër, pasi e tillë ishte vepra e tij, vepër e bukur e qëndisur me fjalë zemre. Ti ike por ne të kujtojmë. Të kujtojmë me fjalën e mençur me vargun e ndjenjës shqiptare që pak poet e zotërojnë. Ti ike, por të kemi më afër, se e tillë është pena jote. Penë labi, që e din më mirë se kushdo se çdo të thotë atdhe. Lamtumirë Halil Qendro, bir i Progonatit të ashpër dhe i Labërisë heroike. Vetë mbiemri yt është një thirrje qëndrese në emër të përparimit të Shqipërisë. Ti ike duke qenë në çdo hap mes nesh. Poeti Halil, mos më qorto n.q.s të kam lënë diçka mangët...




LAMTUMIRE HALIL QENDRO, MIKU I SHTRENJTE I LIBRIT DHE I LABERISE

Është ndarë nga jeta më 23 shtator 2013, pas një sëmundjeje të rëndë Halil Qendro, autor i shumë botimeve në poezi dhe prozë, publicist i njohur, veprimtar i shquar shoqëror, për shumë vite kryetari i Shoqatës Kombëtare Atdhetare - Kulturore "Labëria". Homazhet u organizuan dje në mjediset e Teatrit Kombëtar në orën 13:00 – 14:00 dhe prej aty u përcoll në banesën e fundit.

Lamtumirë, Halil Qendro, miku i shtrenjtë i librit dhe bir i denjë i Labërisë!
Halil Qendro - Poet, autor librash. Lindi në Progonat, më 1936. Mbaroi të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”. U diplomua pranë Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Ka punuar gazetar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Për qëndrimet e tij kritike ndaj skemës së Realizmit Socialist u internua për 22 vjet, duke iu hequr edhe e drejta e botimit. Ka botuar në poezi e prozë. Botime në poezi: “Dashuri e shqetësuar”, “Këngët e Progonatit”, “Loti i diellit”, “Hemorragji”, “Endacaku i shpresës”, “Jam tepër i lodhur”, “Ezopi në gjyq”;
Botimet në prozë: “Si në balada” (tregime e novela), “Rrëfimet e pasmesnatës” (tregime e novela), “Pasqyrë pas shpine” (roman), “Dimra të Shqipërisë në dy kohë” (roman).
Veprimtar shoqëror, kryetar i parë i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” zgjedhur nga Kuvendi i Parë i saj, në qershor 1998.



Fatmir Toçi-deputet



RA DHE NJË RRAP PROGONATI, U KËPUT NJË SHKËMB KURVELESHI


Ej, po ç’po bëhet kështu...Po na ikin një nga një burrat e Labërisë, poetët e gojëtarët e shquar të viseve labe.
U këput dhe një rrap apo shkëmb Progonati, që bënte hije dhe kur hijen ja zinin...që këndonte e ligjëronte dhe kur grykën donin t’ja prisnin.
Na miqësoi puna e përbashkët në shoqatën “Labëria” kur e patëm në krye, por më parë na kishte miqësuar vargu i këngëve të tij botuar në disa vëllime.
Për mua një humbje e madhe e letrave shqipe, e Progonatit me “ vulë” , por edhe e Kurveleshit e Labërisë të tërë...
Lamtumirë i dashur Poet, i shtrenjti njeri, i palodhuri veprimtar i Labërisë, i miri Halil Qendro!
Të ndriftë kujtimi si pena e vargu yt i përflakur !

Sejmen Gjokoli

Këngët për UÇK-në vazhdimësi e këngëve historike të trimërisë

image

Nga Dr. Myzafere Mustafa, Instituti Albanologjik


Në stuhinë e shekujve, që nga antikiteti, në mesjetën e hershme dhe të vonshme e deri në ditët e sotme, populli shqiptar është përballur me pushtues të egër të ardhur nga Karpatet, nga Azia dhe nga viset tjera apo dhe me fqinjët që kanë synuar ta nënshtrojnë dhe asimilojnë. Në përballje me armikun ka pasur humbje, por edhe fitore, të cilat janë arritur me sakrifica dhe flijime. Krijuesi gojor nëpërmjet këngës ka krijuar një mjet të përshtatshëm për të fiksuar përballjet, luftërat, sakrificat, fitoret, jehonën e ngjarjeve të rëndësishme historike si dhe për të shprehur ndjenjat liridashëse, patriotizmin, forcën e karakterit etj. Kënga e trimërisë është reflektim i ngjarjeve dhe i rrethanave historike dhe sociale përkatëse në periudha kohore të ndryshme. Nëpërmjet shprehjes artistike krijuesi i këngës synonte që të projektojë dhe të reflektojë dëshirat, synimet, arritjet për një jetë të lirë, pa robëri. Ideja qendrore e këngës së trimërisë është fuqizimi i ndjenjës morale dhe kultivimi i ndjenjës patriotike për çlirimin nga zgjedha e pushtuesit. Ky fuqizim stimulonte ndjenjën se liria është pasuria më e shtrenjtë njerëzore. Intenca e këngës ishte të mobilizojë moralisht të gjitha shtresat e popullatës për mbrojtjen e atdheut dhe ruajtjen e qenies kombëtare. Krijuesit dhe bartësit e këngëve popullore në vazhdimësi e kanë stimuluar ndjenjën e mbrojtjes së familjes, të pragut të shtëpisë dhe të trojeve etnike nga pushtuesi. ”Heronj të këngës historike janë luftëtarët që dalin nga skena e jetës, që udhëheqin popullin në ngjarjet vendimtare historike. Kënga historike kështu bëhet zëdhënëse e kohës...në këto këngë shfrytëzohen mjete artistike, formula e shprehje, elemente të morfologjisë e të sintaksit poetik që vihen në funksion të ideve të reja.[1]Në to ruhen një tog procesesh dhe dukurish themelore, siç janë: skemat e të treguarit emocional, kuadrot e gjalla të aksioneve luftarake, portretet entuziaste të heronjve, përshkrimet karakteristike të kundërshtarit etj.[2] Këngët historike janë shprehje e traditës krijuese dhe e talentit të individit kreativ, nëpërmjet tyre krijohet një relacion me historinë, me aspiratat, me temperamentin dhe kërkesat estetike të folklorit letrar gojor. Megjithatë vlen të theksohet se përveç funksionit estetik këto këngë kishin edhe mision dhe porosi të veçanta, si të tilla:”Këngët për mbrojtjen e atdheut nuk kanë figuracion të paqartë. Mënyra e komunikimit është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, porosia është kuptimplote, e prerë dhe nuk lë kurrfarë dyshimesh apo mundësish për pavendosmëri, luhatje. Ato paraqesin qëndresën dhe flijimin e individit dhe të kolektivitetit”[3] “ruajnë kujtime të shtrenjta përkitazi me gjakderdhjen e sakrificat e mëdha të popullit tonë, të shumë e shumë luftëtarëve që u hodhën në fushat e betejave, ranë në zjarret e përleshjeve...u bënë fli në altarin e atdheut.”[4] Krijuesi aktual gojor, pra këngëtari popullor kishte para vetes një krijimtari të pasur të këngëve historike të trashëguara nga brezat e kaluar e me të cilën janë ushqyer gjenerata të tëra. Lindja e këngëve të UÇK-së është vazhdimësi e kësaj krijimtarie, lufta e fundit e iniciuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka frymëzuar krijuesit, këngëtarët popullorë për krijimin e këngëve të reja të trimërisë me tematikën e luftës. Në këto këngë trajtohen shumë çështje lidhur me rolin dhe rëndësinë historike të formimit UÇK-së dhe të përpjekjeve të pareshtura të luftëtarëve të lirisë për t'u ballafaquar me një pushtues jo të barabartë për nga forcat por edhe të pabarabartë nga qëllimet dhe synimet. Kjo luftë e bën krenar krijuesin tonë gojor prandaj dhe këngët i përshkon ndjenja e krenarisë. Krijuesi gojor, pra këngëtari popullor këndon nga këndi afirmativ gatishmërinë e luftëtarëve të lirisë, të cilët në çastet më të ndjeshme dhe më të vështira të qenies sonë kombëtare i janë përgjigjur thirrjes dhe detyrës patriotike kombëtare për t'iu kundërvënë një pushtuesi agresiv dhe të pamëshirshëm. Lufta e vështirë dhe e pabarabartë solli rezultatet e saj, por arritja e qëllimit, çlirimi i trojeve nga okupatori pati pasojë humbjen e luftëtarëve të lirisë por edhe të popullatës civile. Pas përfundimit të luftës mbetëm pa shumë trima dhe trimëresha, që sakrifikuan jetën. Vepra e tyre po përjetësohet në krijimtarinë letrare gojore në veprat e shkrimtarëve dhe të piktorëve dhe në historinë tonë kombëtare. Është e natyrshme që kjo kohë i krijoi heronjtë, të cilët u përjetësuan edhe në traditën rrëfimtare dhe në atë muzikore. Sakrifica e luftëtarëve ndikoi lindjen e shumë këngëve që tani janë bërë jo vetëm pronë e mjedisit ku lindin dhe barten, por edhe pronë e të gjithë shqiptarëve në trojet e veta dhe në të gjitha anët e botës ku jetojnë. Tani këtë e mundëson mënyra e komunikimit dhe e bartjes nëpërmjet mediumeve të ndryshme elektronike.
Motivin e sakrificës së heroit të ditëve tona krijuesi i këngës popullore e thur sipas modelit të këngëve tona historike të krijuara gjatë shekujve lidhur me sakrificën e trimave që njeh historia. Në rrethana të reja është e natyrshme të lindin këngë me përmbajtje të reja, me figura e shprehje të reja stilistike e gjuhësore. Motivi patriotik në këto këngë merr një kahe të re, në kuadër të kësaj krijimtarie formohet një fond i ri me një gamë të pasur temash e motivesh .
Tematika e këtyre këngëve është lufta e pa kompromis për çlirim nga okupatori i egër dhe arritja e lirisë. Brenda kësaj tematike zgjerohen motivet si: sakrifica, heroizmi, trimëria, arritja e unitetit, krenaria kombëtare, kontinuiteti historik i ekzistimit të shqiptarëve në trojet e veta, lufta për pavarësi etj. Ide qendrore e shumë këngëve është ruajtja e qenies kombëtare, krijuesi këtë ide e shpreh me shumë emocione: Jo nuk shuhet kurrë Kosova! Ose Nuk durojmë me na u fikë zjarri! Zjarri simbol ky mitiko biblik i ekzistencës së njeriut.
Edhe pse këngët e tilla korrespondojnë me ngjarje historike konkrete “krijuesi gojor i njëmendet, krijimit të vet nuk i ngarkon vetëm dimensionin tematik dhe vetëm cilësinë e informacionit të zakonshëm, përherë i kushton kujdes dimensionit artistik, shprehjes gjuhësore poetike, nëpërmjet të së cilës përjetësohen artistikisht ato ngjarje dhe bën të mundur funksionimin më intensiv dhe më jetëgjatë” [5] ky mendim i shprehur për këngët me tematikë historike përkon edhe me natyrën e këngëve të mirëfillta për UÇK-në.
Brenda kësaj tematike zhvillohen subjekte konkrete përkatëse si: lufta e familjes Jashari në Prekaz, betejat e lavdishme të Koshares, Jezercit, Llapushnikut etj., rënia e heroit në betejë, përballjet e familjeve me armikun. Është e natyrshme që në një sërë këngësh figurë qendrore të jetë komandanti Adem Jashari ndërsa personazhe, vëllai i tij Hamzë Jashari, babai Shabani, nëna Zahide si dhe familja e tërë Jashari, komandanti Mujë Krasniqi Kapuçi, figurë kjo madhështore e trevës së Dukagjinit, bashkëluftëtari i tij Rexhë Sefë Gashi – Mleqani, komandanti Zahir Pajaziti, komandanti Luan Haradinaj, komandanti Agim Ramadani, luftëtarët dhe trimat e tjerë, që kanë rënë gjatë Luftës Çlirimtare dhe trima që krijuan lëvizjen për çlirim kombëtar në rrethana të rënda të një sundimi të egër. Në një sërë këngësh, kur këndohet komandant Mujë Krasniqi, këngëtari veprimtarinë e tij heroike e trajton të ndërlidhur me veprimtarinë e komandantëve, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij, ai gjithashtu trajtohet si bashkëluftëtar i Komandant Adem Jasharit.
Në këngët për komandant Mujë Krasniqin këndohet edhe bashkëluftëtari i tij Beqir Sefë Mleqani, të cilin Muja e kishte pasur bashkëluftëtar dhe shok kënge, me të kishte thurë dhe kishte kënduar këngë trimërie që nga fëmijëria. Këto këngë i kishin frymëzuar për veprat e tyre heroike të ardhshme. Por këngëtari popullor po ashtu thur këngë edhe për Xhevë e Fehmi Lladrovcin, për Shpend e Bekim Bajraktarin, për komandant Kumanovën, Adrian Krasniqin, Shkëlzen Haradinajn, për Islam Zeqir Rexhën, Ramadan Bytyqin e Mentor Gashin. Në popull thuhet: “Kënga del nga gryka e pushkës”, pra kënga lind pas një trimërie, apo pas ndonjë ngjarjeje të rëndësishme. Kështu, lindi edhe kënga e bukur që e këndojnë të bijtë e dëshmorit dhe rapsodit Beqir Sefë Gashi-Mleqani, pastaj kënga për vëllezërit Palucaj, Leonardin luftëtar dhe për vëllain e tij Agronin që u vranë nga dora serbe. Kënga lindi në kohën kur atyre ua varrosën eshtrat.
Krijuesi i këngës është krenar që i takon një kombi trim dhe kryeneç, që asnjëherë nuk është pajtuar të jetë nën thundrën e sunduesit prandaj edhe historikisht e ka kundërshtuar atë qysh në kohën e luftërave të Skënderbeut, pastaj në kohën e lidhjes së Prizrenit, kur ishin bërë përpjekjet më serioze në planin politik dhe luftarak për fitimin e pavarësisë, si dhe në kohën e Serbisë e Jugosllavisë.
Në këtë plan ngjarjet e luftës së sotme dhe figurat e kësaj lufte ndërlidhen me ngjarjet historike dhe me personalitetet e shquara historike si Skënderbeu, Jakup Ferri, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Çerqiz Topulli, Hasan Prishtina, Mic Sokoli, Isa Boletni, Shote dhe Azem Galica, që konsiderohen simbol i qëndresës dhe heroizmit, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi si simbole të pavarësisë etj. Kjo ndërlidhje bëhet për t'ua dhënë peshën ngjarjeve dhe personaliteteve të luftës së sotme çlirimtare, ashtu siç e kanë peshën dhe rëndësinë personalitetet dhe ngjarjet historike si dhe për ta vërë në kontinuitet historik veprimtarinë patriotike. Krahas luftëtarëve të sotëm këndohen edhe veprimtarët dhe dëshmorët e lirisë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Enver Hadri, Fazli Grajqevci, Fahri Fazlia, Afrim Zhitia, Hyzri Talla, Nezir Gashi e shumë e shumë trima e luftëtarë të rënë.
Sikurse Tomori që nga rilindësit shqiptarë konsiderohej vend i shenjtë ku qëndrojnë hyjnitë shqiptare, në këngët e UÇK-ë Prekazi trajtohet si simbol i shenjëtërisë atdhetare, i rezistencës kombëtare.
Këngët e UÇK-së kanë ruajtur strukturën e këngës sonë historike apo të trimërisë e cila kultivohet me shekuj nga krijuesit e këngës popullore, por edhe janë pasuruar me elemente të reja të kohës aktuale. Shumë motive dhe tema përsëriten në vazhdimësi, gjithnjë duke i shprehur specifikat e ngjarjeve përkatëse.
Vërehet një përpjekje e krijuesve të këngëve që mos të dalin nga rrjedhat e shtratit të krijimtarisë së traditës, si në planin e strukturës kompozicionale, në planin tematik dhe motivor të këngëve ashtu edhe në planin muzikor, të sajimit të melodisë dhe të përcjelljes me instrumente muzikore. Në këngë dominon kryesisht fryma e tipit heroik që madhëron trimërinë, sakrificën etj. Herë-herë dëgjohen këngë të tipit të elegjisë, por këngët e tilla janë më të rralla. E tillë është bie fjala kënga: Priste me ditë e priste me orë/ nana të birin n'derë të shtëpisë; ku vërehet një mpleksje e elementeve tradicionale me elemente të këngëve të reja.
Këngët kryesisht fillojnë me fraza dhe me formula të njohura të këngëve të trimërisë. Si bie fjala: Kush e nisi luftën ma i pari; Ose Ushton Gryka e Llapushnikut; N'ballë t’ushtrisë kush prin i pari/ komandant Adem Jashari, që njihen si formula hyrëse të këngëve të trimërisë. Tani krijohen fraza të reja që marrin karakterin e formulave të këngëve të trimërisë si bie fjala: Ushton mali ushton kodra/ flakë po digjet krejt Kosova; Kush me dhe e mbuloi ftyrën/ për Kosovë e lau detyrën; Mu në prill nantdhetë e tetë/ i hap shqipja krahtë e vet; Ra kushtrimi në malësi/ çonu n’ kambë o bijtë e mi/ me marrë rrugën për liri; Nisi luftën Dukagjini/ para u printe Mujë Krasniqi; Diell e hanë more lot lëshun/ po nanë loket s'u dorzun. Oj Drenicë bija Shqipnisë / brez mas brezi luften ke nisë; Rreth flamurit që na prin / S’ duron shqipja robërinë;Në Prekaz e kem konakun /Për vatan e derdhim gjakun.
Me kalimin e kohës këngët lirohen nga elemente të tepërta dhe pasurohen me figura dhe mjete artistike, ku zënë vend simboli, krahasimi, metafora. Këngëtari që në vargjet e para të këngës kërkon dhe gjen metafora të bukura që ushqejnë jo vetëm ndjenjën patriotike, por edhe ndjenjën artistike për të bukurën e artit popullor. Derisa vargjet e këngëve të cekura më lart si: Kush me dhe e mbuloi ftyrën /për Kosovë e lau detyrën, apo Ra kushtrimi në malësi/çonu n’kambë o bijtë e mi/ me marrë rrugën për liri, kanë për qëllim të madhërojnë veprën patriotike të dëshmorëve të rënë për liri si dhe kanë karakter programatik për Luftën Çlirimtare, vargjet: Diell e hanë more lot lëshun/ po nanë loket s’u dorzunë, janë një metaforë e zgjedhur për të shprehur dhembjen e nënave për humbjen e të bijve, dielli dhe hëna dy simbole të dritës, përkatësisht lirisë reagojnë për humbjen e trimave të rënë në mision të lirisë, ndërsa nënëloket nuk i dorëzohen dhembjes, ato lirinë e kanë më të shtrenjtë se jetën e bijve të vet.
Në planin leksikor dhe mitologjik vërehet përdorimi i mjeteve shprehëse nga aktualiteti dhe riaktualizimi e rifunksionalizimi i figurave të mitologjisë sonë, të cilat funksionojnë sidomos në këngët epike për kreshnikët. Heronjtë e lirisë krahasohen me dragoin, figurë mitike e cila simbolizon heroin kulturor, ndërsa armiku cilësohet si kuçedër që në mitologjinë popullore është simbol i të keqes, i ndaljes së ujit, burimit të jetës.
Simbolet kombëtare si: shqipja dykrenore, flamuri kombëtar dhe Skënderbeu, që tani më kanë karakter të simbolit të krenarisë dhe të unitetit kombëtar rifunksionalizohen natyrshëm në këto këngë. Vargu i këngëve është zakonisht monokolor, sikurse ai këngëve të vjetra të trimërisë, por hetohet edhe ndarja e këngës në strofa dhe bëhet ndërkallja e refrenit, që është veçori e krijimtarisë muzikore të shkruar artistike. Këngët zakonisht këndohen nga një, dy apo më shumë këngëtarë të përcjellë me instrumente muzikore popullore si çifteli, sharki, e herë - herë çifteli, sharki dhe def apo tupan (daulle), ose çifteli, sharki dhe fyell pastaj hetohet përdorimi i shpeshtë i zurlave dhe daulleve. Kur këndohen në grup, grupi funksionon si një tërësi mjaft homogjene. Ndonjëherë vërehen përpjekjet që grupi të marrë karakterin e korit.
Këngët për UÇK-në kanë një rëndësi të shumëfishtë, meqë ruajnë përtërijnë dhe pasurojnë këngët popullore të trimërisë. Këngët e lirisë, ato më cilësoret, përjetësohen në kujtesën popullore si përmendore artistike që u ngrihet luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore do të jetojë dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë të lavdishme për t’u kultivuar brez pas brezi në krijimtarinë tonë artistike.
[1] Qemal Haxhihasani, Epika popullore historike shqiptare,në Kultura popullore, Tiranë,2,1982, f.13.
[2] Po aty. f.13.
[3] Rrustem Berisha, Kënga art dhe histori, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1998.f.35.
[4] Demush Shala, Mbi epikëntonë popullore historike, Rilindja, Prishtinë, 1982, f.9.
[5] Anton Nikë Berisha, Qasje poetikës së letërsisë gojore, Rilindja, Prishtinë, 1998, f.355.

Dr.sci. Myzafere Mustafa:MBI STRUKTURËN NARRATIVE TË TRI TREGIMEVE GOJORE TË BOTUARA NGA ALBANOLOGU GUSTAV MAJER

image

Ndër materialet e shumta të krijimtarisë letrare gojore të botuara nga albanologu i njohur edhe i shquar austriak Gustav Majer, i cili kontributin e tij kryesor e ka dhënë në lëmin e studimeve gjuhësore, gjenden edhe tri njësi folklorike në prozë, të cilat janë shënuar ndër arbëreshët e Greqisë. Tregimi i parë titullohet Vajza cmirzezë e mbretit, i dyti Kusari dhe çupa dhe i treti Çupa në dollap, që të tria janë botuar në veprën Albanesische Studien, VI, Wien 1897.

Për materialet folklorike, të cilave u përkasin edhe këto tri njësi folklorike , Gustav Majer vë një shënim në parathënien e vëllimit të V në Albanesische Studien, Wien, 1886, në të cilën thuhet: «Pjesa më e madhe e këtyre teksteve është nxjerrë nga trashëgimi i abanologut të njohur, Teodor C. Rajnhold… tekstet në prozë dhe në poezi janë në pjesën më të madhe të tyre, si tentativë e dialektit shqiptar që flitet në ishujt Poro, Hidra dhe Specia». Në veprat e veta Majeri kishte botuar materiale folklorike edhe nga Mjaltë nga bleta (Dorëshkrimi i Pragës) e Thimi Mitkos, si dhe materiale letrare gojore të shënuara në Mirditë dhe në Shkodër.

Tri njësitë e cekura të prozës gojore Majeri i kishte klasifikuar në pjesën e II me titull Märchen, që në gjermanisht ka kuptimin përrallë, por nocioni Märchen nënkupton edhe tregimin gojor në kuptimin e gjerë, brenda të cilit mund të hyjnë disa lloje (zhanre). Vlen të theksohet se studiuesit e letërsisë gojore me nocionin Märchen e kuptojnë vetëm përrallën e mirëfilltë mitike, e njëri ndër ta është edhe studiuesi i përrallës, Max Lüthi.

Në vëllimin Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635 – 1912) vëll. I [1], këto tri njësi janë klasifikuar si përralla. Qëllimi ynë është që nëpërmjet shqyrtimit të strukturës narrative të shihet se a mund të konsiderohen ato përralla të mirëfillta mitike. Tregimi i parë, Vajza cmirzezë, në fillim lë përshtypjen e një përralle të mirëfilltë mitike. Ajo fillon: «Një kish tre dielm, e njëri ish me një si, jatri me një këmbë e i tretëti me një si të vetëmë në ballë. E kur u rinë tuti e u bënë trima, ndonjë vajzë nëk i doji për burra. Ashtu u prishnë edhe këta e vane ndë dhe të huaj. E ai ç’u le me si i verbëre vate prej notisë; e ai ç’u le me si ndë ballë vate anatolisë; e i shklepëri vate ndë Pol».

Në këtë krijim shfaqet babai dhe tre djem të tij, që të tre të lindur me nga një të metë fizike, njëri me një sy të verbër, tjetri i çalë dhe i treti me një sy në ballë.

Në situatën fillestare kur dalin në skenë personazhet, mbizotëron harmonia familjare. Por kur ata rriten, thotë përralla, asnjë vajzë nuk donte të martohej me asnjërin nga ata. Harmoninë familjare e prish pakënaqësia e djemve për pamjen e jashtme dhe për konstruktin fizik të tyre, meqë asnjë vajzë nuk pranon të martohet me asnjërin prej tyre. Që të tre vendosin të largohen nga shtëpia për ta kërkuar secili fatin e vet. Kjo situatë fillestare është tipike për përrallën, sepse për të filluar veprimi dhe aventurat për vënien në sprova të personazheve duhet të lindë pakënaqësia për gjendjen ekzistuese, ose duhet të lindë dëshira për ta parë botën, për ta gjetur ndonjë mjet të rrallë mitik, për ta kërkuar të Bukurën e Dheut, për ta takuar vajzën e bukur ose për ta kthyer vajzën e bukur të rrëmbyer. Siç ndodh, zakonisht, në përrallë, edhe këtë rrëfim shohin se të tri personazhet marrin rrugë të ndryshme dhe arrijnë në vende të ndryshme. Narratori rrëfen vetëm për njërin vëlla, kurse për dy të tjerët nuk rrëfen fare, pra, ata lihen jashtë rrëfimit, nuk mësojmë asgjë për veprimet e tyre, por vetëm thuhet se: ai që kishte lindur me sy të verbër vajti në Noti, ai që kishte lindur me një sy në ballë vajti në Anadolli, ndërsa vëllai i çalë për të cilin vazhdon rrëfimi, ndalet në Pol (Konstantinopol) për ta mësuar zejen e përpunimit dhe të qepjes së pëlhurave. Pas tri vjetësh, mëson zejen dhe vendoset pranë shtëpisë së mbretit. Një ditë vishet me rroba të mëndafshta që i kishte qepur vetë dhe del në udhëkryq ku e sheh e bija e vezirit. Ajo i tregon vajzës së mbretit për rrobat e bukura që ia kishte parë djalit të çalë. Të dy vajzat kërkojnë nga ai t’ua bëjë nga një palë rroba të mëndafshta, mirëpo ai u përgjigjet se rrobat e mëndafshta do t’ia punojë vetëm asaj vajze që do të martohet me të. Është ky reagim tipik i heroit të përrallës. Mirëpo, në vazhdim sikur fillon të rrënohet struktura e modelit të përrallës. Kjo vërehet gjatë bisedës së vajzave se cila duhet ta marrë për burrë djalin e çalë:



- E marrmë njëra nga nevet?

Ashtu vajza e mbretit i thotë asaj të vezirit:

- U z’munt t’e marr atë burrë edhe maletë t’kish mallam; pse nomet e mbretërisë nëk e duanë të marrë burrë të shenjuam. Po ti mboreto t’e marrësh, e do të shkosh jetë të mirë.



Ky dialog, në të cilin arsyetohet vajza e mbretit pse nuk mund të martohet me djalin e çalë, nuk është i natyrshëm për përrallën. Në raste të tilla, kur djali e kërkon vajzën e mbretit, prej tij mbreti do të kërkonte t’i kryejë tri detyra të rënda, ose vajza do të vendoste vetë për t’u martuar me djalin e çalë, duke e çmuar punën dhe mençurinë e tij, e jo të arsyetohet se vajza e mbretit nuk mund të martohet me një djalë me shenjë, pra me të meta fizike.

Djali martohet me vajzën e vezirit, por atëherë vajzës së mbretit i lind smira. Ajo kërkon nga djali i çalë që edhe asaj t’ia bëjë një palë rroba të mëndafshta sikurse të bijës së vezirit. Djali refuzon t’ia punojë rrobat, kurse mbreti, i cili në strukturën sintagmatike shfaqet në funksion të dëmtarit, urdhëron ta mbysin djalin. Djali e pëson me vdekje, meqë refuzon t’i punojë rrobat.

Ky përfundim nuk është tipik për përrallën, nuk është i preferuar dhe nuk është i zakonshëm. Përralla e mirëfilltë mitike gati asnjëherë nuk ka përfundim tragjik. Përfundimi i tillë i rrënon kërkesat e horizontit të pritjes së dëgjuesit, përkatësisht marrësit. Vdekja e personazhit do të duhej të bëhej shkas për vazhdimin e veprimit dhe për fillimin e rrjedhës së dytë të veprimit të përrallës, në të cilën do të dilnin në skenë dy vëllezërit, të cilët me mjete mitike, ose me ndihmës mitikë do ta ngjallnin vëllanë, kurse dëmtari, mbreti, do ta merrte dënimin e merituar. Mirëpo, të dy vëllezërit kishin veti mitike, këtë veti e shohim pas largimit të tyre ”ai me një si ndë ballë shkruan ndë print të ti pse ai ishtë dielli e jep dritën ndë tuti dhe; e ai me një si shkruan ndë print pse ish hënëza çë feks natën”, prandaj ata nuk rikthehen për të vepruar, ata kalojnë në botën e legjendës, njëri ishte diell që jep dritë e tjetri ishte hënëza që feks natën.

Duke mos e trajtuar veprimin e këtyre dy personazheve, narratori këtë e krijim përfundon si gojëdhënë, ku heroi përfundon tragjikisht, por jo duke u ballafaquar me forca antagoniste natyrore, por në ballafaqim me kundërshtarin njeri, ndërsa vëllezërit përfundojnë njëri si diell e tjetri si hënë.

Ky krijim me tipare të përrallës përfundon si gojëdhënë etiologjike.







Në krijimin Kusari e çupa, rrëfimi fillon në mënyrë të drejtpërdrejtë:



“Një kusari i veshurë shpatën e pishtollatë duall në kusari; e dhromit që vei prëpoq një lumë të gjerë e nëkë munt të shkon. Po tei ndera pa një vashëzë e mire bënë. I thotë:

- Vashëzo! Ndë më shkofshe nga lumi të mos mbyt – hem, do të të marrë grua; e ndë mos shkofshe e shkova vetë, ku të vesh, edhe ndë brij të kaut të hish, do të çonj të të pres. E sillojisu mirë e bën atë që të thom, e do mos baresh; pse jam plot florinj, e do shkosh jetën tënde mirë”.



Është ky një fillim i rrëfimit të drejtpërdrejtë, që zhvillohet nëpërmjet një dialogu në mes të vajzës dhe kusarit, i cili me kërcënim e urdhëron vajzën, të cilën e takon rastësisht, që t’i ndihmojë ta kalojë lumin, e pastaj të martohen. Nëse nuk i ndihmon, ai do ta zërë me dhunë edhe në hyftë në brirë të kaut, do ta presë. Rrëfimi më tutje vazhdon me dialogun ndërmjet djalit dhe vajzës, të cilët vendosin të dalin në dyluftim. Përshkrimi i gjendjes para se të dalin në dyluftim ka një ngjyrim të thellë emocional. Nga përshkrimi krijohet imazh i ngjashëm sikurse në baladat arbëreshe kur trimi para se të vdesë lë porosinë për vashën dhe prindërit. Këtu vajza lë porosinë që në rast se vdes ta bartin dymbëdhjetë vasha prej gjaku të kulluar e ta varrosin pranë varrit të babait. Është kjo një porosi sugjestive, në të cilën dymbëdhjetë vashat prej gjaku të kulluar mund të simbolizojnë muajt e vitit. Mirëpo, vajza triumfon në dyluftim duke e mbytur kusarin. Me paratë që ia gjejnë atij në rroba i marton katër motrat e çala, të cilat, gjithashtu, supozojmë se simbolizojnë katër stinët e vitit.

Krijimi do të mund të përfundonte këtu. Mirëpo rrëfimi vazhdon me rrjedhën e dytë, që ka këtë përmbajtje: Vajzën e kërkon për grua një mbret. Ajo nuk pranon të martohet me të, por i mbledh trimat e vendit dhe e sulmon një mbret tjetër që i kërcënohej vendit të saj. Edhe këtë herë arrin fitore, kurse pasurinë e fituar në formë haraçi ia lë vendit të vet.

Nga formula hyrëse, nga përshkrimet dhe nga dialogu, shihet se ky krijim ka frymën e kallëzimit gojor (novelë). Ndodhia dhe veprimi i personazheve zhvillohen në frymë realiste, kurse gjatë rrëfimit hetohet dukshëm toni moralizues, që është veçori e kallëzimit e jo e përrallës. Në rrafshin kuptimor theksi është vënë në ruajtjen e integritetit të individit dhe kolektivit. Megjithatë, duhet të theksohet se ky ka strukturën kompozicionale të përrallës me dy rrjedha, me ç’rast rrjedha e dytë e veprimit fillon me shfaqjen e dëmtarit.



Krijimi i tretë, Çupa në dollap, ka strukturë kompozicionale të përrallës, kurse veprimi i personazheve zhvillohet pa mjete mitike dhe pa ndihmës fantastikë (mitikë). Mënyra e zhvillimit të veprimit, kalimi nga një episod në tjetrin dhe atmosfera që dominon me rastin e zhvillimit të ndodhisë, këtë krijim e vendosin në përrallë.

Në situatën iniciale të përrallës paraqiten dy personazhe, nëna dhe djali i saj. Largimin nga shtëpia, pra, prishjen e harmonisë familjare në situatën fillestare, e nxit nëna. Ajo kërkon që djali të shkojë të gjejë punë. Djali shkon te nuni i vet në Izmir. Këtu rrëfimtari e emërton vendin ku vendoset djali, derisa në përrallë nuk është e zakonshme që vendet të emërtohen me emra konkretë. Kjo, si duket, bëhet më shumë për të treguar se djali shkon në një vend mjaft të largët. Emërtimi i vendit, edhe pse nuk është i preferuar, nuk e lëndon strukturën e rrëfimit të kësaj përralle, në të cilën veprimi zhvillohet me mjete dhe me veprime racionale, e jo me mjete dhe me ndihmës mitikë. Edhe pse me elemente realiste, kjo përrallë përmban në vete motive të njohura të përrallës. Kështu një ditë, derisa djali po punonte në dyqan, andej pari kalon një njeri që thërriste:

- Shes këtë sënduqnë; i cili t’e marrë, do metanoisnjë; i cili të mos e marrë, meta metanoisnjë.(Ai që e merr do të pendohet, ai që nuk e merr do të pendohe t- MM.)

Ky motiv është i njohur në suaza të motiveve ndërkombëtare të indeksit të Aarne -Thomsonit, por edhe në suaza të motiveve të përrallës shqiptare, në të cilën, ofrohet një objekt dhe ai që e merr pendohet, por edhe ai që nuk e merr, po ashtu pendohet.

Në tekstin e përrallës shohim se djali e blen sandëkun (arkën) dhe e dërgon në shtëpi. Në arkë kishte qenë e mbyllur vajza. Ajo për çdo ditë fshehurazi del nga arka, ia pastron dhomën djalit dhe ia përgatit ushqimin. Ky veprim ka ngjashmëri me motivin e vajzës breshkë, ose bretkosë, e cila shndërrohet në vajzë të bukur që ia pastron shtëpinë djalit dhe ia përgatit ushqimin. Ky motiv në këtë përrallë shfaqet në frymë më realiste, meqë në arkë është vajza që rri e fshehur. Këtu, pra, nuk e kemi motivin e antropomorfizmit, kur breshka apo bretkosa shndërrohen në vajzë të bukur apo në të Bukurën e Dheut, kurse motivi i fshehjes së vajzës pason për shkak se babai i saj ia imponon të martohet me një njëri të cilin ajo nuk e donte. Motivimi i fshehjes së vajzës në këtë përrallë është i natyrës reale njerëzore.

Pastaj, ajo çfarë është e natyrshme në raste të tilla, djali martohet me vajzën dhe e dërgon atë me arkë tek e ëma, kurse ai mbetet në kurbet derisa të fitojë edhe pak para që pastaj të kthehet në shtëpi. Gruaja arrin në shtëpinë e burrit dhe jeton me nënën e tij.

Që veprimi të mos përfundojë, por të vazhdojë në mënyrë dramatike me rrjedhën tjetër të veprimit, duhet të ndodhë ndonjë fatkeqësi. Shkas për rrjedhën tjetër të veprimit është paraqitja e dëmtarit, me ç’rast pason përzënia e vajzës. Shkak i përzënies është xhelozia. Gjatë rrugëtimeve të saj, vajza arrin në mbretërinë e babait. Në ndërkohë edhe burri i saj vihet pas për ta kërkuar, edhe ai gjatë rrugëtimit duhet të ballafaqohet me sprova dhe pengesa, të cilat duhet t’ i tejkalojë. Tejkalimi i sprovave dëshmon edhe arritjen e pjekurisë se personalitetit të tij dhe formimin e integritetit. Pas shumë sprovave e shtegtimeve ai arrin në mbretërinë e gruas së vet.

Djali dhe vajza përsëri martohen dhe pas martesës gruaja ia lë burrit fronin. Në fund kundërshtarët dënohen. Përfundim tipik i përrallës.

I tërë veprimi në këtë përrallë realizohet pa kurrfarë mjetesh apo ndihmësish mitikë, por që nga fillimi e deri në fund atmosfera e dhe fryma veprimit është vetvetiu magjike, sepse çdo veprim zhvillohet në kohën e duhur, sipas kërkesave dhe natyrës së përrallës, me ç’rast izolimi dhe lidhshmëria janë veçori të saj.

Ky krijim dëshmon se fantastikja (mitikja) nuk është faktor vendimtar për përcaktimin zhanror të përrallës. Përcaktimi zhanror i krijimit letrar gojor varet, ndër të tjera, nga krijuesi gojor, nga aftësitë e tij narrative – krijuese, si dhe nga njohja e sistemit modelativ dhe formulativ të krijimtarisë traditës kulturore dhe letrare gojore të cilës i përket ai.

Këto tri tregime të prozës sonë gojore, të shënuara ndër arbëreshë, kanë rëndësinë e tyre për kohën kur janë shënuar, për ambientin nga janë vjelë, për gjuhën e tyre të pasur dhe arkaike të arbëreshëve, si dhe për vlerën e tyre letrare artistike. Vlen të theksohet se sidomos tregimi Vajza dhe kusari, edhe pse i thurur me motive të njohura ndërkombëtare, në vete përmban veçori dhe elemente të botës dhe të mentalitetit arbëresh, përkatësisht shqiptar.




[1] Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, (1635 – 1912), I, Instituti i Folklorit Tiranë, 1961, f. 465 – 472.



DASHURO NJE MINUTE…

NGA LULZIM LOGU


image


- Ose udhëtim në vargjet e këputura të Sejdi Berishës –



           Sejdi Berisha

“Vargje të këputura” është libri I 26-të I Sejdi Berishës, botuar nga “ Club kultura” Pejë në vitin 2012, tashmë dhe I ribotuar.


Ndërkohë që më kishte mbetur në mëndje si imazh I pashlyeshëm I pejsazhit tim jetësor, poezia e librit të tij të 18-të me titull: “ Dashuro një minutë!”


Një përmendore e dashurisë, e artit poetik sesi jetohet intensivisht jeta dhe sesi shkohet në mënyrë metaforike kah sfidat e saj, duke mos e përbuzur atë, por gjithnjë duke e lakmuar dhe duke u ndjerë triumfator.



Siç thotë poeti Buzhala: “ Ai shpreh madhështinë e qënies poetike, tek e ngre mesazhin dhe forcën e mendimit, në gërshet me dhëmbjen, melankolinë dhe dashurinë…”


Ngarkohesha çdo çast shpirtërisht, të shkruaja rreth këtij libri të ri të Berishës, me ndjesinë e çuditshme, nëse do të arrija të formuloja vertet atë që ndjeja unë, por edhe shumë lexues të poezisë dinjitoze të këtij autori të spikatur , sidomos këto njëzet vitet e fundit, korpusi letrar I të cilit, përmbi 30 vepra, përmban përveç poezisë edhe esenë, tregimin, dramën dhe publicistikën e permasave kombëtare.


Sejdi Berishën e kanë konsideruar “si krijues I pandalur, si vullkan që zien nga brenda, si një enciklopedi, krijues I përmasave kombëtare, një pelegrin I vendlindjes së vet, Pejës, njeriu që gjithmonë prin nga atdheu!” Jo më kot, vargu prijës I librit “ Vargjet e këputura” është:


… Duke të kërkuar


Ty Atdhe në jetën time


Kam ngelur vetëm duke kënduar…


E në fakt, në përmallimin e tij për nënëloken dhe Pejën,në pritjen e gjethimit të ri të stinës, në rrugët që përditë diçka vjedhin nga jeta e tij, mbi lapsin e ftohtë që nënshkruan veç vargje dashurie, tej qiriut që çmendet, që gjakun e trupit nuk mund t’ja shkrijnë,mbështetur mbi tokën që merr frymë me krenarinë e qëndresës, Sejdi Berisha shplon shpirtin e tij të veçantë poetik, zgjat metaforat poetike të ekzistencës së vet dinjitoze dhe ja afron publikut, të gjitha strukturave dhe moshave të tij, bashkëbisedimin, modest, të kuptueshëm, thellësisht njerëzor, I cili pambarim shëron plagë, zgjon ëndrra dhe frymëzon shtigjeve bukur të vështira të jetës, tash tre dekada me rradhë.


Natyrisht që nuk është asnjëherë lehtë të jesh I pranueshëm, pjesë e leximit gjithnjë e më të rrallë të publikut, I cili veçse zgjedh, ka ndjesinë e pashmangshme të kohëhumbjes, perms kaosit ditor I intereson gjithmon aja ç’ka është e qënësishme, e vertete, adekuate me kohën dhe që I afron patjetër ngrohtësi, support shpirtëror, mesazh pozitiv dhe shpresë.


Të gjithë këta element, të vendosur në mënyrë funksionale në krijimtarinë poetike të Berishës, sigurisht që ja kanë ruajtur atij kujtimin dhe përmëndjen, por edhe reagimin e lexuesit, sa herë që ai ju ka drejtuar atij, në momente kohore, që duhet thënë kanë që të shpeshta, me dialog të shëndoshë, me motive pjellore dhe të qëndrueshme, brenda një ritmi kronologjik dhe një freskie për tu pasur lakmi të figuracionit dhe gjuhës metaforike.


Ajo ç’ka veret vazhdimisht tek ky poet, ajo ç’ka më së shpeshti konstatohet dhe përbën thelbin e unit të tij poetik, mbetet fakti jetësor I ngritur në artin e fjalës së kuptueshme, e cila menjëherë mbërrin në zemër, pa makinacione fictive, trallisje artificial të figures apo stisjes së motivit për të cilin shkruan dhe komunikon poeti.


Berisha ndjen çastin poetik së brëndshmi dhe e përcjell lehtësisht tek lexuesi, sepse di ta jetojë pikërisht momentin jetësor, ka aftësi ta përafrojë me momentin shpirtëror të ithtarëve të vet poetic, pra të lexuesve të vet të shumtë, të qytetit dhe vendit të vet, por me të njëjtin perceptim edhe tej arealit të vet krijues:


…bëhem kryeneç


Në të gjitha kohrat për tu flijuar


Për ta peshuar dritën…


Kot


Si në litar, luhatet mendja…


Antiteza të forta, epitete të mrekullueshme, krahasime ndjellëse, portrete dhe nostalgji,apele patritike në vendin dhe masën e duhur, përmbi të gjitha atdhedashuri, kaq e sinqertë, sa të duket se pikon direkt nga krejt qënia e tij, zëmërgjerësia dhe fryma origjinale e kontaktit me njerëzit që ja duan dhe ja perdorin poezitë si bar’ qetësimi të ditënetve të tyre të zakonshme, ndonjëherë krenaria autoritare dhe vetëdijësimi për vlerat që mbart dhe transmeton, e bëjnë qasjen ndaj krijimtarisë së tij, sa të dashur, aq edhe të përgjegjshme, jo thjesht për t’ja përcaktuar vendin e tij në rradhët e plejadës së vet dhe masën e kontributit si intelektual dhe krijues, se tashmë ato njihen apriori.


Por për të spikatur veçori të aktit të tij krijues, të cilat e mbajnë përherë të ri, të kerkueshëm dhe krijimtarinë e tij, në shumicën e rasteve një risi dhe botimet e librave të tij një pritje e këndshme dhe festë dhe qasjen ndaj tij si shumësi emrash, mbështetësish dhe aprovues në udhëtimin e tij bukur të gjatë poetic dhe jo vetëm.


…në mua bora e zë borën


Në mua lulet I presin lulet


Në mua gjethi e zë gjethin


Në mua stina e puth stinën


Gjithnjë duke ecur, duke kenduar


Kush I kupton lutjet e mia të pakuptimta?!...


Ky është identikiti poetik I Sejdi Berishës, shpresoj ti jem afruar sadopak, duke qënë lexuesi I tij I hershëm, bashkëshoqëruesi I tij në kohë të ndryshme e tash së fundmi edhe bashkëbiseduesi fatlum, I cili mundet të ndjejë dhe kuptojë edhe madhështinë e thjeshtësisë së tij si njeri, shok, mik apo koleg I letrave.


… mos u tallni me lodhjen time


Ajo është dritë e mbyllur


Në hieroglifet e fjalës!


… ndoshta rrudhat e ballit tim


Pikturë do ti bëni…


Gjithmonë në fund të takimeve me Sejdi Berishën, pas orëve letrare, takimeve ose mitingjeve kulturore, ai të thotë me fjalë, por më shumë me shikimin e tij të ngrohtë një fjali:


“ Ndoshta sërish takohemi nesër, kësaj rradhe vetëm pak vargje…shpresoj se mjaftojnë për ta ushqyer shpirtin…”


E pas kësaj, përcjellja, ndarja, por kurrësesi lamtumira, është profili I ballit të tij të rrudhur, ku edhe sumbullat e djersës të ngjajnë se pikin si varg, si fjalë, e krejt qënia e tij jeton , frymëzohet, vdes dhe ringjallet përmes poezisë:


…Ik poeti im duke kënduar


Shkruaj vargje dhe kënaqe njeriun


Sepse lumturia e tij


Është më larg sesa ti e mendon…


Kohë të hershme, atëbotë siç e cilëson ai rininë e tij, ai shkruante gjatë, vargjet renditeshin si lulet në një obelisk kujtimi, asnjëherë nuk kenaqej me atë që do të thoshte, ishte I dashuruar me poemën dhe vargun e bardhë, ndonjëherë kjo I ka krijuar lodhje dhe lexuesit ndonjë moment shperqëndrimi, sidomos lexuesit të perciptë, natyrshëm më pas në peridhën vijuese të krijimtarisë së tij “ I ka këputur” pak vargjet, ju ka shtuar intensitetin emocional, por dhe I ka bërë ato më të drejtëpërdrejta, më stoike, më të qënësishme, figurativisht trenat e vjetër, an ipse të bukur në sojin dhe misionin e tyre, më rrallë dhe më ngadalë kalojnë në stacionet e jetës, ndërkohë që trena të shpejt feksin dhe lënë mirazhin e tyre modern në sytë dhe përjetimet tona…


Tashmë poeti kredon e tij poetike mund ta thotë dhe beson në kuptimin e drejtë të saj edhe me pak vargje:


Jeta ime është rrënjë, trung, kurorë


Shkrumbi im është tokë, nënë, këngë


Malli im është lindje, liri, dashuri


Gëzimi im është dhëmbje , mall, dashuri


Rrugëtimi im është atëri, madhështi, histori…


Pjekuria poetike dhe maturia njëhkohësisht, për një moment duket se vargjet I ka bërë më të forta, më pak delikate, por përtej lëvozhgës së tyre të “fortë” lexuesi I vëmëndshëm mundet të hetojë tisin nostalgjik, dhembjen prej burri dhe lazdrinë prej poeti të rrallë, që jeton dhe krijon krahas histories dhe zhvillimit të vet dhe të vendit që I përket.


…mos më gjykoni për këngën


Sepse token e shqiponjave


E kam në damarët e gjakut


Kosovën tik takun e zemrës…


…aty ku rrëzohen lisat


aty rriten fshesat


aty ku përdhoset lashtësia


aty dergjet drita…


Sejdi Berisha ka ndërtuar lisin e poezisë së vet, ka “djegur” fshesat, ka nderuar lashtësinë dhe krenarinë e popullit të tij, mbi errësirën e vuajtjeve ka ndezur llampën e shpirtit dhe fenerët dritëshumë të fjalës së mënçur, herë me vargje të gjata, herë me “vargje të këputura”me zjarrmi dashurie dhe nostalgji prej kronikani besnik të kombit të vet.Kështu përcëllon kenga e tij, ndërsa vazhdimisht poeti ka etje, etje…


…dukeecur


Sa vështirë është për të kënduar


Për shiun e shpresës…

Ryzhdi Baloku:NË DHEUN E HUAJ DO TË JESH SI NJË LIS PA RRËNJË...!


Fragment nga romani në dorëshkrim




Gjatë luftës së dytë botërore, diku kah fundi i asaj periudhe flitej odave e kuluareve sesi shërbimi inteligjent kontra-informativ i ushtrisë gjermane ishte vënë në kërkim të disa konfidentëve komunistë të cilët punonin për llogari të shërbimit informativ serbo-malazez, në territorin e kësaj ane. Në mesin e këtyre emrave flitej se lakohej emri i Maleckit, për të cilën gjë edhe ai vetë kishte marrë vesh.

Kur i ngushtohet rrethi që të zihet, ia mësyn konakut e i bie në besë një bariu shqiptar, i njohur me nofkën Xuq, me familjen e tij kishin pasur kumbari. Për ta shpëtuar Maleckin, ai e merr dhe e strehon në tëbanën e bjeshkës ku veronte bagëtinë.

Me përfundimin e luftës, kur forcat gjermane u tërhoqën dhe pushtetin e morën komunistët, Maleckit iu rrit nami, madje arriti të pozicionohet në një funksion të lartë krahinor.

Pas një kohe, ky pushtetar malazez vendos ta vizitojë shpëtimtarin e tij shqiptar. Ngaqë kishte një funksion bukur të lartë në strukturën e shtetit, këtë vizitë kumbarës ia bëri nën përcjelljen e suitës personale. Me t’u shfaqur te dera e kasolles, Xuqi trazohet për një çast, por kur në mesin e tyre e sheh Maleckin, frika i hiqet si me dorë. Menjëherë del jashtë e i fton të hyjnë brenda për t’i gostitur me atë që i kishte qëlluar, edhe pse kushtet ekonomike nuk i kishte aq të mira, sepse tatimet ishin të larta dhe profesioni prej çobani nuk krijonte të ardhura të mjaftueshme për një jetë normale.

Derisa pinin kafetë, Malecki nis t’i flasë Xuqit për qëllimin e vizitës, duke e artikuluar njëkohësisht prepotencën me lavdërim, i thotë:

- Kam ardhur me ta kthye borxhin si shpërblim për të mirat që m’i ke bërë gjatë luftës.

Me të dëgjuar fjalën shpërblim, menjëherë i shkon mendja te zgjidhja e enigmës për dhuratën që do ta marrë.

Mendon: Nëse e ka sjellë ndonjë orë xhepi me qostek apo orë të dorës, atëherë do të më vërë në siklet. Do të turpërohem kur dikush më pyet: Xhaxhi Xuq, sa është sahati ?, e unë nuk do të di t’i përgjigjem ! Jo-jo nuk mund të ndodhë kjo, sepse ky e di mirë që jam i pashkollë. Me siguri ma paska sjellë ndonjë çibuk qelibari, sepse gjithmonë e kam pasur merak. Duke e imagjinuar dukjen e tij, nis ta paramendojë veten sesi do të krenohej para të tjerëve kur ta ndezë cigaren. Kjo dëshire i zgjati për aq kohë derisa ia dëgjoi fjalët Maleckit që i tha:

- Këtë punë çobani që po e bën duhesh ta lësh, unë do të punësoj ty në qeverinë popullore, madje dua që të pozicionoj në njërin prej resorëve më të rëndësishëm që i ka shteti jonë. Pas këtij propozimi urdhërdhënës, Xuqi i përgjigjet:

- Me gjithë respektin që kam për ty, më duhet të ta them se jam i padije për ato punë, nuk mund ta pranoj, jo pse nuk dua, por unë nuk di shkrim-lexim, këtë e di ti.

Pas këtij refuzimi, Malecki nga sëkëlldia ia nis të qeshë me tërë fuqinë që kishte duke u çjerrë me një zë të lartë. Pasi qetësohet dhe e merr veten, i thotë:

- Tamam, mu për këtë na duhesh, se të shkolluarit dinë të bishtnojnë, ty të njoh si njeri të sinqertë e besnik, si i tillë na duhesh. Do të ta caktojmë një detyrë të lehtë, me një pagë mujore sa të fitimit vjetor që e ke nga blegtoria. Ti vetëm do të merresh me firmosje shkresash të përgatitura nga të tjerët, do të mësojmë t’i nënshkruash ato, që punën ta kryesh si duhet. Pos kësaj, po ta tregoj edhe një fshehtësi, këtë nuk duhet ta dijë askush. Kemi në plan ta bëjmë kolektivizimin e pronave, e tërë pasuria do të grumbullohet nëpër kooperativa, prandaj po të udhëzoj që bagëtinë ta shesësh sa më shpejt që mundesh. Duhet ta dish se këtë punë që po e bëj për ty, nuk do ta bënte as vëllai yt, të cilin ta ka lindur nëna, por ne malazezët jemi si ju shqiptarët, nuk i harrojmë aq lehtë të mirat nga e kaluara e po ashtu unë nuk e harroj kumbarinë tonë.

Derisa Malecki i shpjegonte për të ardhmen e tij, Xuqi filloi t’i llogarisë fitimet. I doli aq sasi e madhe parash, saqë u mahnit prej asaj shume. Paramendon: Me parat e grumbulluara nga shitja e bagëtisë do ta filloj ndërtimin e një godinë të re banimi, ndërsa me kursimet nga rroga do t’i përfundoj të gjitha punët, pastaj dhomat e kësaj godine do t’i shtroj me qilima sirianë, si nëpër saraje.

Derisa Xuqi po e paramendonte dukjen e shtëpisë së re në të cilën do të jetonte me familje, vegimin e kësaj imagjinate ia ndërpreu Malecki kur i tha:

- Për fillim do të vendosim të banosh në gjysmën e shtëpisë së një mikroborgjezi që është krejt afër institucioneve krahinore, por me përfundimin e punëve të njërës prej godinave të para shumëkatëshe që po ndërtohen, qeveria popullore do të ta japë një banesë komfore në shfrytëzim të përhershëm.

Pas këtij premtimi, Xuqi nisi të nxehej edhe më shumë. E paramendonte veten si një personalitet të rëndësishëm, i cili s’do të mendojë më për kafshatën e gojës, por gjithnjë e më tepër do ta rriste pasurinë.

Nuk shkoi gjatë, Xuqin e ftuan për të punuar në seksionin krahinor për punë të brendshme. Gjatë asaj kohe, ia nisi ta vijojë kursin në “shkollën e natës” për ta mësuar shkrim-leximin dhe elementaren nga aritmetika, pa shkëputje nga puna.

Pas këtij shkollimi të cilin e kreu me procedurë të shkurtuar, një ditë ishte mallëngjyer për vendlindjen dhe të afërmit e tij me të cilët ishte rritur, prandaj vendos që pushimin javor ta kalonte atje.

Ditën e parë të vikendit i vizitoi shtëpi për shtëpi pothuajse tërë farefisin që jetonin në fshatin e tij të lindjes. Të nesërmen që ishte ditë tregu në qytet, e kishte planifikuar t’i shihte shokët e fëmijërisë, të cilët konsideronte se do t’i gjejë në pazar të bulmetit, ku ata zakonisht dalin për t’i shitur produktet e qumështit. I veshur me sqimë e gazetë në dorë do t’u afrohej ngadalë që ta shohin se Xuqi s’është më analfabet.

Kur deshi të nisej për në qytet, ndjehej plot elan. Me nxitim doli në rrugë, dhe me një frymëzim të harlisur vazhdoi të ecë lagjes përpjetë, por si arriti në kodër larg shtëpive të fshatit e ngadalësoi hapin, pastaj në qetësinë e asaj vetmie e pyeti vetveten: Kush po të nxiton o burri botës, ndale turrin se ende është herët, atje mund të arrish për më pak se dy orë këmbë ? ! U ndal për një çast e ia lëshoi sytë hapësirës përreth. Natyra me pamjen e saj dukej si një vend pikniku me bukuri të veçantë. Frynte një fllad me ajër të pastër e aromë të këndshme, që e sillte puhiza e mëngjesit, e cila dukej sikur po e ledhaton peizazhin.

Nuk vonoi shumë me këtë kundrim, e u lëshua rrugës të poshtë. Konfiguracioni i vendit e detyronte t’i hidhte hapat më shpjet se sa që dëshironte, si arriti në xhade përsëri e ngadalësoi ecjen.

Derisa në këtë ecejake po e sodiste panoramën përball, prapa vetes e dëgjoi trokëllimën e patkonjve dhe rrotave të qeres. U skajua pak dhe vazhdoi t’i qesë hapat ngadalë cepit të rrugës pa e kthyer shikimin andej. Malli për këtë anë e bënte që këtë rrugëtim ta përjetonte si një shëtitje në natyrë. Nga kjo kënaqësi nuk dëshironte të shkëputej për asnjë çast.

Kur iu afruan kuajt përbri, karrocieri e ngadalësoi shpejtësinë, sepse pos tij edhe të tjerët që ishin në qerre menjëherë e njohën. Që të gjithë përnjëherë si një kor polifonik iu drejtuan me përshëndetje:

- Mirëmëngjesi shoku Xuq.

Ky, me një lëvizje të shpejtë ua lëshoi sytë pothuajse të gjithëve rend. I njohu, ishin bashkëfshatarët e tij dhe ua ktheu:

- Tungjatjeta burra.

Njëri e pyeti:

- Shoku Xuq, kah ia ke mësyrë kaq herët ?

- Po shkoj në shehër për ta blerë gazetën, - iu përgjigj me krenari.

Tjetri që ishte më anash ulur në qerre, ia priti:

- Çfarë të duhet ajo kur ti nuk di të lexosh ? !

- Po e shoh se nuk qenkeni në dijeni, atëherë po ju tregoj, – ia drodhi Xuqi me gjakftohtësi dhe vazhdoi - Atje në shehrin e madh, krahas punës në organet krahinore e kam vijuar edhe shkollimin, madje e kam përfunduar me sukses të lakmueshëm.

Pas këtij dialogu të shkurtër, karrocieri ndërhyri:

- O Xuq, mos të ardhtë mërzi, hajde hip në qerre sepse edhe ne po shkojmë andej kah shiten gazetat.

Ndonëse shkuarjen në qytet e kishte paraparë që ta bënte këmbë, megjithatë i erdhi keq ta refuzojë ofertën e tij. Pa hezituar hipi në qerre e u ul në mesin e tyre.

Sa për t’ia filluar muhabetit i pyeti.

- Si po ia kaloni o burra ?

Njëri iu përgjigj:

- Besa qysh kush ? !

Mirëpo, tjetri që ishte më i riu prej tyre, e plotësoi:

- Dikush diqysh, e dikush kurrqysh !

Meqë Xuqi e njihte mentalitetin dhe filozofinë e gjuhës së kësaj ane, këtë e kuptoi si një denoncim kundër regjimit, kështu që menjëherë ndërhyri:

- Ç’të keqe ka ky pushtet që juve po ju mungon, kur dihet se në këtë sistem shtetëror të gjithë jemi të barabartë.

Kësaj radhe, më i vjetri prej të pranishmëve iu përgjigj:

- More shoku Xuq, a nuk të ka treguar baba se sa hunin e kemi “hëngër” prej xhandarëve të krajlit ? ! Tash edhe këta po na japin dajak, njëjtë si ata dikur.

Para do kohësh isha për t’u përshëndetur me Malon, sepse mora vesh se i kishin përgatitë e bërë gati plaçkat për t’u shpërngulur në Turqi. Njerëzit shkonin e dilnin nga shtëpia e tyre si në ndonjë pamje mortore. Atë ditë, kur shkova te ta, i gjeta si qyqet në oborr të shtëpisë. M’u duk se edhe fushat e malet përreth tyre rënkonin përvajshëm. Më besoni burra, edhe qeni i tyre kuiste me dënesë. Dikur ai i ngjante një ujku të tërbuar, ndërsa atë ditë dukej si një manar, sillej herë te njëri e herë te tjetri anëtar i familjes e ua lëpinte këmbët, si t’i luste të mos e lëshonin shtëpinë.

Aty në fund të oborrit, Maloja rinte galiç mbështetur me shpinë për koshin e misrit. Nga çehrja e ngrysur vërehej se ishte zhytur në mendime, Zoti e di se çfarë bluante në kokë ? !

Kur arrita diku kah mesi i oborrit, tek atëherë m’i lëshoi sytë, megjithatë nuk e çeli gojën, ngase si duket prej mërzie s’i dilte as zëri, por me atë rast e çoi dorën përpjetë që ta shihja, pastaj ngadalë u çua në këmbë dhe përsëri u ul. Kur ai e ngriti dorën kah qielli, mua në atë çast më vajti mendja te Krijuesi. M’u duk si me më thënë: Ai lart atje që është në gjithësi e paska shkruar kështu !

Jo, jo, këtu poshtë në këtë botë, ky pushtet u çua lugat e po i kurdisë këto punë, - iu përgjigja më vete.

Meqë e kisha pa hile dhe e doja si vëllanë, me t’iu afruar me zë të ngritur i thash:

- Pse bre Malo po e lëshoni vatanin, e po shkon për mos t’u kthyer kurrë më këndej ? ! Këtu të kanë lindur babë e nënë, gjysh e stërgjysh. Varret e tyre do të mbesin të shkreta pa ju. Ti e di mirë se rrënjët tua i ke këtu. Atje, ku ia ke mësyrë, s’do t’ju thonë as “puna mbarë”. Në dheun e huaj do të jesh si një lis pa rrënjë. Era e parë që do të fryjë, do të ju rrëzojë përdhe.

Pas këtyre fjalëve ai brofi në këmbë sikur ta kishte thumbuar grerëza. Më këqyri për një çast si me habi, ngase s’i kishte pritur këto fjalë prej meje. Pasi mori frymë thellë, m’u përgjigj:

- Mos qofsh në lëkuren time o miku im !

- Pse, a mos e kam unë lehtë ? – ia ktheva prerazi, me qëllim që mos ta lija ta gjente ndonjë shkak për arsyetim.

E pashë se u trazua nga fjalët e mia. Me një ton të ngritur nisi të flasë:

- Dëgjo burri i botës, këta bijtë e kudrës, lëre që ma fikën konakun, kërkonin prej meje të bëhem edhe hafije ! A mund të durohet ky poshtërim ? ! Iu thashë: more xhahilë, më pushkatoni edhe mua, se më lehtë do ta kem. Atëherë ata më lidhën “duar e këmbë bashkë”, pastaj më “zdruhatën” dajak për qejfi.

Ai e zhveshi këmishën e ma ktheu shpinën. Çfarë me pa ! Trupi iu kishte bërë çivit, i tëri i ishte nxirë. Vende-vende kishte vragë të rënda që i kishin mbetur prej rrahjes me kërbaç.

Pasi e përthekoi këmishën, u kthye nga unë e më tha:

- Nuk po mundem më të rezistoj.

Fjalët e tij si rrebesh me plumba më goditën në zemër. Nuk gjeja shprehje t’i përgjigjem, buza më dridhej, nisa të përlotem. Të mos më shihte në këtë gjendje trazimi, u detyrova t’ia kthej shpinën. Në atë çast, matanë oborrit e pashë plakën e tij duke hyrë në hajat të shtëpisë. Iu afrua magjes së miellit, e ia vuri duart sipër. Nisi të flasë më vete. Megjithëse isha larg saj, në qetësinë që mbretëronte e dëgjova regëtimën e fjalëve:

- Oh e mjera unë e mjera, sa shumë bukë i gatova këtu, o magjja ime. Të gjithë fëmijët e nipat i rrita me ty. O i madhi Perëndi, me të gjitha këto po pajtohem që të hallallosem, por si me e lënë dritën e syve të mi, birin tim, loçkën e zemrës sime. Oh e mjera unë e mjera, si nuk vdiqa deri tash për të qenë pranë varrit të tij që mos ta lë vetëm.

Pakëz më anash, para shtëpisë rinte ulur e reja e tyre si në kujtesë mbi cungun e druve duke e mbajtur kokën me duar.

Njëri prej dy kalamajve të saj, diku në mes të oborrit e kishte marrë qenin e i fliste, me njërën dorë e përqafonte e me tjetrën ia përkëdhelte trupin, duke i thënë:

- Larosh, o i miri Larosh, të dua shumë Laroshi im, lamtumirë Larosh, do të më marrë malli për ty o i miri im ...

Xuqi kishte hapur veshët duke e përgjuar me një qëndrim të shkalafitur prej qyqari.

Kur plaku përfundoi rrëfimin, vazhdoi me pyetje:

- A e dini përse nuk iu pata kundërvënë më tutje Malos ?

Meqë asnjëri prej të pranishmëve nuk foli, atëherë ai vetë u përgjigj:

- Sepse e dija që ishte në hall të madh. Nuk e kishte lehtë ta lërë varrin e të birit të vetëm që ia kishin ekzekutuar partizanët, e tash në pleqëri t’ia mësynte shkretëtirave të Anadollit.

Me të dëgjuar për këtë pushkatim, Xuqi ndërhyri në bisedë, por toni i zërit e tradhtoi kur nisi të flasë:

- E kam njohur të ndjerin. Ishte njeri i dijshëm, s’ishte sherri i kurrkujt ! Po s’e di sesi ndodhi e rrodhi puna që e pushkatuan ? !

Rrëfimtari i kësaj ngjarjeje vazhdoi:

- Biri i tij ishte një intelektual i rrallë i shkolluar në Vjenë të Austrisë. Flitej se në një bisedë private e paska barazuar fashizmin me komunizmin bolshevik. Mirëpo, ti shoku Xuq sigurisht që më së miri e di pse e pushkatuan ?

Me nënshkrimin tënd është dërguar në atë dynja, madje kolegët tu të partisë nuk e lanë familjen e tij as që ta hapnin derën për ngushëllime.

Xuqi u mbërdhez nga denoncimet që i bëheshin. Ra në hall si të përgjigjej. Mendoi pak e tha:

- Si kam mundur ta dijë asokohe, kur pos parafit që më mësuan ta shkruaja, unë s’kam ditur fare të lexoj, e lëre më ta di se çfarë shkruante në ato dokumente të komplikuara ? !

- Lakmia shoku Xuq lakmia, - iu përgjigj plaku. Paraja ta ka verbuar mendjen. Po mos të ishte lakmia ti nuk do ta nënshkruaje asnjë dokument.

Xuqi e hetoi se kishin arritur në qytet, dhe si arritën te kioska e parë, zbriti nga qerrja. Kur ata u larguan, Xuqi u mendua pak dhe vendosi të mos shkojë në pazar për t’i takuar shokët, e parandiente se edhe ata do t’ia thoshin po ato fjalë që i dëgjoi gjatë rrugës. E bleu gazetën menjëherë dhe mori rrugën këmbë për t’u kthyer në fshat.

Ryzhdi Baloku:E VRANË NË PIKË DITE TE URA E ZALLIT...!


image


Në pasditen e vonë, frynte një erë me rribë e riga shiu me intensitet të dobët, që dukej si të ishte në të sosur. Kur era pushoi, retë filluan të zhdavariten e të lundrojnë në qiellin e kaltër si fregatat në detin e qetë, të cilat mandej njëra pas tjetrës zhdukeshin në horizontin e pafund.

Pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, dielli filloi të rrezatojë mbi hapësirën e qytetit dhe malet përreth. Me atë rast u shfaq koloriti i ngjyrave të shumta në grykë. Ylberi e kishte shtrirë shokën e gjatë në hark si të ishte një portë parajse, në sfondin e të cilës dukej panorama me bukuritë e vargmaleve të Alpeve shqiptare.

Nuk zgjati shumë kohë, dielli nisi të zhytej pas bjeshkëve ngadalë, si një paralajmërim se muzgu i mbrëmjes po afrohej.

Me të rënë të errësirës Sokol Malësorit iu kujtua se ishte koha e lajmeve. Pa vonuar shumë e kyçi radion dhe e shtypi tastin e valëve të shkurta, për ta dëgjuar “Radio Tiranën”. Pas përfundimit të emisionit informativ, redaksia e saj dha komentin e paralajmëruar të “ATSH”-ës rreth ngjarjeve në Kosovë, ngase milicia dhe UDB-a jugosllave kishte ndërmarrë një fushatë të gjerë arrestimesh, për të cilën agjencia e lajmeve “TANJUG” kishte informuar opinionin se të arrestuarit shqiptarë kishin formuar grupe ilegale me qëllim që Kosovën dhe viset tjera të banuara me shumicë shqiptare t’i shkëpusin nga Jugosllavia, për t’ia bashkëngjitur Shqipërisë.

Më përfundimin e këtij radioemisioni, Sokolit iu duk vetja si të ishte në zgrip. Sipas asaj që dëgjoi, konstatoi se përmbajtja e këtij komenti dukej si një reagim i ashpër verbal, mirëpo në thelb s’ishte asgjë tjetër pos një përgjigje për t’i treguar Jugosllavisë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj saj. Nga dëshpërimi i doli një psherëtimë e fortë nga gjoksi. E shkyçi radioaparatin e u mbështet për qoshe të divanit. Mendtë i shkuan te të arrestuarit dhe birucat e burgut që dikur i kishte përjetuar edhe vetë. Kur iu kujtuan metodat e torturave të cilat i zbaton UDB-a gjatë procedurave hetimore, iu drejtua Zotit me lutje që t’i shpëtojë ata nga dora serbe prej xhelati dhe udbashëve shqiptarë, të cilët në ato momente shndërroheshin në bisha, me qëllim që ta dëshmonin lojalitetin ndaj pushtetit jugosllav.

S’i hiqeshin nga mendja skenat e dhimbshme të ndodhive nëpër burgjet e Serbisë, derisa dikur vonë pas mesnate e zuri gjumi ulur në divan, ku edhe e kaloi atë natë të mundimshme deri në mëngjes.

Me të gdhirë, koha mori me diell. Asnjë re nuk shihej në horizont. Moti filloi të ngrohej shpejt, saqë në mesditë nëpër rrugët e boshatisura dukej se edhe toka po digjej flakë. Por, menjëherë pas muzgut të parë natyra filloi të freskohej prej flladit që frynte nga gryka, ndërsa në qytet nisi të gjallërojë jeta.

Kur lëvizjet e njerëzve në orët e para të mbrëmjes kishin filluar të shpeshtohen, u dëgjua trokitja në derën e oborrit. Sokoli u ngrit ngadalë nga divani, por Trimi ia priti:

- Babë, po shkoj unë të shoh se kush është jashtë që po troket.

- Jo biri im, ti ri brenda se po dua pakëz të eci që t’i çlirojë këmbët, ia ktheu me një ton të mekur.

Kur doli në oborr e dëgjoi thirrjen:

- O Sokol Malësori, a je në shtëpi ?

Iu duk një zë i njohshëm, prandaj prej së largu u përgjigj:

- Po-po hajde byren, dera s’është e mbyllur, ende s’ia kemi vënë rezen.

Në atë çast dera u hap dhe burri u fut brenda.

Prej së largu e vërejti se kush ishte. Pa e ndalë ecjen në drejtim të tij, iu drejtua:

- Mirë se të ka pruar Zoti, o shoku im i vjetër.

Pas disa hapash, kur Sokoli iu afrua dhe e përshëndeti me shtrëngim të dorës, e pyeti:

- Po si të kam bre Mic daiu ?

- O Sokol Malësori, po duhet më thënë “mirë” edhe atëherë kur nuk po është ashtu.

Sokoli nuk e vazhdoi më tutje me dialog, por njëherë ia këqyri çehren, pastaj ia vuri dorën përmbi supe dhe e drejtoi kah shtëpia që të hynte brenda.

Para shtëpisë në oborr kishte dalë Trimi për ta nderuar ardhjen e tij. E dinte se Mici ishte njëri nga shokët me të cilët dikur babai kishte qëndruar më shumë se një vit kaçak në male, prandaj ndjente një konsideratë të veçantë për të.

Kur asokohe situata politike në vend ishte qetësuar pakëz, këta ishin dorëzuar pas një ndërmjetësimi me premtim se do t’u mundësohet një gjykim korrekt e pa kurrfarë trillimesh. Përkundër kësaj, pas dorëzimit, të gjithë u torturuan dhe u dënuan me nga rreth një decenie burg të rëndë secili nga ta.

Me të arritur para shtëpisë, Trimi e priti Micin me një përshëndetje të ngrohtë, duke e drejtuar me dorë që të hynte brenda.

Që të tre u ngjitën shkallëve përpjetë në drejtim të odës së burrave. Posa hynë aty dhe u ulën nëpër divane, Sokoli i tha:

- Çlirohu Mic, rehatohu mirë.

Derisa Mici përpiqej për të zënë vend të përshtatësh në divan, Sokoli e futi dorën në xhep, e nxori ngadalë çakmakun të cilit iu ndie era e benzinës, dhe së bashku me qesen e duhanit ia drejtoi të birit me dorë.

Trimi e kuptoi domethënien këtij gjesti, u ngrit në këmbë, e i mori ato për ta shërbyer mysafirin duke ia vënë përmbi tryezë, të cilën e kishte para vetes.

Sokoli e ktheu shikimin kah ai e i tha:

- Mic, mbështille një për qejfin tënd.

Pasi e mbaroi cigaren pa i shkoqur sytë nga letra, Mici e mori qesen me duhan së bashku me çakmakun që e mbante në dorë e iu drejtua Trimit:

- Ktheja Sokolit që edhe ai ta mbështjellë ndonjë.

Trimi nuk ia mori qesen, por e nxori pakëz duhan sa për nja tri a katër cigare së bashku me disa letra, e ia dha babait.

Kur Sokoli filloi ta mbështjellë duhanin me letër, Mici nisi të flasë:

- Pa ardhur këtu, isha për t’iu dhënë kurajë në familjen e Zekës që ua arrestuan djalin e madh-Gjinin. Dëgjova se po i akuzonin për vepra të ngjashme me tonat që asokohe na akuzonin ne, prandaj po supozoj se edhe dënimet do t’iu shqiptojnë si neve dikur, ngase kemi të bëjmë me të njëjtin regjim.

Në një takim të rastit që pata me një mik, më tha se shërbimet sekrete ende po gjurmojnë. Sot herët në mëngjes, milicia dhe UDB-a i kishte bastisur disa shtëpi të lagjes, afër rrugës ku banon ai.

Sokoli ia ktheu:

- Mic, a po të kujtohet “Koha e Shqipnisë”. Me para të majme paria e jonë mezi pati arritur ta rekrutonte një informator serb për t’u shërbyer tanëve. Mirëpo, ai nuk iu shërbeu gjatë, dolën të vetët dhe e vranë në pikë të ditës te ura e Zallit. Pas këtij rasti, “me pishë e me qiri” s’mund të gjendej serb a malazez që do ta kryente atë detyrë, po t’u jepje para edhe me thes, derisa prej tanëve që punonin për ta kishte me bollëk.

Shpeshherë i kam bërë pyetje vetes: Si i zbuloi UDB-a këto organizata ? Pastaj, kush i tradhtoi e spiunoi ?

Konsideroj se akti i tradhtisë së zbulimit realizohet më me kollaj kur veprën e spiunazhit e bën i yti e jo i huaji, prandaj mendoj se pos tanëve, tjetërkush nuk ka mundur ta kryejë këtë punë ? !

Është interesant se si këta bastardë dinë t’i arsyetojnë punët e veta të liga. Si duket, shërbimi sekret ka angazhuar specialistë nga fushat e caktuara të psikologjisë, për tua shpërlarë trurin, prandaj të tillët kanë bindjen se të gjitha punët që po i bëjnë për këtë shtet janë vepra fisnike në shërbim të mirëqenies shoqërore.

Për këtë bindje të ndyrë kam mësuar nga një bisedë rasti e bërë kohë më parë.

Një ditë e kishim lënë që të takoheshim me Zekën në restorantin e hotelit që është në bulevard. Meqë kisha arritur para tij, u futa brenda. Derisa aty po rrija ulur pranë një tavoline, nga hija që më shtrihej përpara e diktova se dikush më ishte afruar te shpina e po qëndronte në këmbë. Kur e ktheva kokën mbrapa, e njoha një udbash shqiptar, që dikur para se të punësohej aty kishte qenë konfident i Vuja Vojvodiçit, i cili asokohe ishte kryeudbash i këtij regjioni. Derisa e kundroja në heshtje ai nisi e po zgërdhihej me dinakëri. Pozita e tillë bëri që mos të ndjehesha mirë dhe menjëherë e ktheva kokën. Ai pa u vonuar shumë doli para meje. U kërrus pakëz e i mbështeti të dy duart përmbi tavolinë, pranë të cilës po qëndroja. Pasi m’i nguli sytë me shikim si dhelpra, më tha:

- Tungjatjeta shoku Sokol, a mund të ulem e të bëj një bisedë të shkurtër me ty ?

U mendova: Pisi, po do që të pranishmit të më shohin në shoqëri me të për të më komprometuar. Ia ktheva:

- Së pari nuk të kam shok, ndërsa nëse mendon të më përfitosh, kot e ke, sepse bindjet e mia janë formuar me kohë.

- Me ata që dua t’i përfitoj nuk bisedoj në vende publike si këtu ku mund të na shohin botërisht, - m’u përgjigj me një ton të ngritur.

Pa ia dhënë lejen u ul në karrige që ishte përballë meje. U detyrova t’i them:

- Me njerëz të profesionit tënd nuk kam dëshirë të rri.

- Ty të njoh si njeri bamirës, - ma ktheu me një timbër të zërit prej lajkatari, pastaj vazhdoi: - Edhe profesioni im është i tillë, për këtë arsye kemi për çfarë të bisedojmë.

- Tani po e marr vesh se edhe dajaku na qenka mjet bamirësie, - ia drodha fjalëve të tija.

Pas këtij dialogu, ai nisi të qeshej me zor, por si e ndaloi atë krrokamë prej idioti, përnjëherë u mrrol në shenjë nervozizmi duke shprehur seriozitetin kërcënues. Më tha:

- Dëgjo Sokol, po desha, tamam me dajak mund të të sjell në zyrën time, por ti nuk po kupton pse profesioni im me të vërtetë është human. Ne të sigurimit shtetëror jemi si mësuesi apo hoxha e prifti. I mësojmë e i këshillojmë të tjerët, që mos të ecin në rrugë të gabuar. Pa ne, vendi do të mbushej me hajna, vagabondë e kriminelë. Merre me mend çfarë kishte me ndodhë në një rast të tillë ! Do të mbretëronte një anarki, e cila qytetarëve do t’ua bënte të pamundur një jetë normale.

- Derisa ai po fliste, mendohesha se si t’i përgjigjem. Rashë në hall se çka t’i them, ngase vetë ata ishin të tillë, deri në bërryla i kishin të ngjyera duart me gjak. Po t’ia thosha ato fjalë, mund ta ftonte milicinë të më arrestonin e rrahin me pretekst se e kam fyer shtetin. T’i përgjigjesha me alegori, përsëri do të më priste e njëjta gjë, shkas i të cilës do të ishin shpifjet e fjalëve që do të m’i montonin. Dikur pa bërë zë kalova në tavolinën tjetër më larg. Të pranishmit e vunë re reagimin tim. Tërë kohën më shikonin, derisa unë rrija larg tij i revoltuar.

Kur erdh Zeka, e hetoi se isha i shqetësuar, prandaj pa tentuar që të ulej me pyeti:

- Çfarë ka ndodhur Sokol. U ngrita në këmbë, e iu përgjigja:

- Ta ndërrojmë lokalin pastaj të tregoj. E ftova kamerierin që t’ia paguaja kafen. Si dolëm jashtë ia tregova rastin “pikë e për pe”.

Mici ngrysi pamjen, dhe pas një kujtese të shkurtër tha:

- O Sokol Malësori, “uji fle e hasmi s’fle”. Ti si veteran lufte fort mirë e di se kolona e tretë mund të shkakton humbje të paparashikueshme. Si duket, dikush nga spiunët e UDB-ës me përkatësi shqiptare i ka zbuluar konspiratorët.

- Mic, kjo që po e thua është e vërtetë, por higjiena është një kusht i domosdoshëm për mbarëvajtjen e pastërtisë, - ia ktheu Sokoli për të vazhduar me metaforë: Kur frynë lega, dyert dhe dritaret e shtëpisë s’lihen hapekrah, sepse i tërë bërlloku dhe pluhuri i rrugëve futet brenda. Nëse rastësisht ndodh kjo dukuri, atëherë së pari pastrohet ambienti përbrenda, e tek mandej përjashta.

Në ndërkohë u dëgjuan hapat e të ecurit nëpër dyshemenë e korridorit. S’vonoi shumë kur në derë të odës hyri Tringa e ua solli kafe. Sokoli e ndërpreu meselenë.

Posa ajo u largua, këta filluan t’i pinin kafet pa folur. Sokoli po kujtohej sesi ta thyente këtë heshtje. Mendoi: Më se miri është që ai të flasë. Pas pak, iu drejtua:

- Mic, po si po mbahej plaka e Zekës.

- Po çka të them more Sokol, as kur i vdiq Zeka shoku saj i jetës s’rrinte më mërzitshëm se tash. S’ka faj e shkreta, ka mbetur me të renë dhe nipat e vegjël. Njëri djalë tashmë në burg, ndërsa i vogli në Prishtinë po e vijon shkollimin e lartë, por si duket po iu duhet t’ia ndërpresin studimet që të punojë, sepse nuk po kanë asnjë burim jetese. Më thanë se janë në hall të madh derisa të gjejë punë ai djalë.

- Dëgjo Mic, asnjëra prej familjeve tona nuk e ka gjendjen ekonomike aq të mirë sa duhet, mirëpo derisa ata të bëjnë çare, ne shokët duhet, madje, e kemi për obligim të kujdesemi për ta, së paku t’ua sigurojmë ushqimin.

Mic, ti je më i riu prej shokëve, merre iniciativën dhe fol me të tjerët, që sipas mundësive t’u ndihmojmë bashkërisht të gjithë nga pak, ky pushtet mezi pret që familjeve të të burgosurve politikë t’u thyhet morali për kafshatën e gojës.

- O Sokol Malësori, për këtë punë mos ki kasavet, nëse jam gjallë e shëndosh, që nga dita e nesërme do të angazhohem.

Biseda vazhdoi me evokime kujtimesh e ngjarjesh nga koha e vuajtjes së dënimeve, kur Sokolin me Zekën e disa shokë i transferojnë në burgun “Zabella” të Pozharevcit, ndërsa Mici me të tjerë mbesin në “Bella Kuqa” të Nishit.

Bisedë pas bisede, koha iu kaloi me shpejtësi, derisa Mici e vërejti se akrepat e orës e kishin kaluar mesnatën, kërkoi falje për këtë vonesë, u ngrit ngadalë për të shkuar. Kur u përshëndeten jashtë derës së oborrit, Mici nxitoi sokakut teposhtë. Edhe pse ai u largua bukur larg, Sokoli ende s’lëvizte nga vendi duke e vështruar me vëmendje derisa hyri në errësirën e natës e s’shihej më.

Kur u kthyen brenda dhe shkuan për të fjetur, Trimit filluan t’i sillen në kokë vërdallë ngjarjet e dëgjuara në këtë mbrëmje, për të cilat babai nuk i kishte folur asnjëherë më herët.

Duke e imagjinuar atë kohë, filloi t’i parafytyrohet pamja e babait dhe shokëve të tij, sikurse në skenat e filmave nga periudha e mesjetës, të gjithë të lidhur me pranga zinxhirësh për duar e këmbë.

Përkundër tentimit që të flinte, assesi nuk arrinte të rehatohej. Përpëlitej në shtrat duke u rrotulluar herë në shpinë e herë në krah, sepse mundimi shpirtëror nuk po e linte rehat, derisa dikur vonë para mëngjesit kur kënga e gjelave kishte nisur të dëgjohej dhe lodhja e kishte bërë të veten, atëherë Trimin mezi e zuri gjumi.



Fragment nga romani në dorëshkrim ..., i përgatitur për botim.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...