Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/03/23

CIKËL POEZISH NGA KOZETA NUSHI


TEK TY, TË BASHKUAR, ATDHEUN TONË SHOH

Bukuria ime, bukuri!
Tek ty,
Të bashkuar,
atdheun tonë
shoh.
Bukuria ime, bukuri!
Të kam në zemrën time.
Në shpirtin tim të kam
Në çdo çast, në çdo sekondë.
Jam dritë për ty.
Dritë jam për vendin tim.
Pa më thuaj shpirti im:-
Ç’bën pranvera me qershinë?!

OH, SA XHAN QË TË KAM!

Diku, e humbur
S’di se ku,
Pres nga ty dy fjalë.
S’besoja se do të ishte kështu
Ky i uruari mall.
Gëzimi dhe mërzitja
Vijnë si uragan.
Fjalët që më kënaqin janë:-
“Oh, sa xhan që të kam!”

KOHA BUZËVE, VËRTET U KA ARDHUR

Dielli i mëngjesit
Ka dalë.
Retë
Ka shpërndarë.
Mjegulla
Pret të afrohet,
Me magjinë e saj.
Le të vijë,
Mirë se të vijë
Pranë dhe më pranë.
Koha buzëve
Vërtet u ka ardhur.
S’do të djeg e pjek në flakë.
Eja! Të zhytemi të dy
Në lagështinë e saj.
Me zjarrin
Që kemi në gji
Të ngrohemi.
Dhe mjegulla
Le të na
Mbulojë
Pak.

RIZGJOHEN ËNDËRRIMET


Në dhomën time
Rrinë zgjuar kujtimet.
Shtrati im
Të pret me mall.
Tek unë
Rizgjohen ëndërrimet
Duke të pritur
Si një kalorës të rrallë.

VETËM JAM DHE S’NDJEJ VETMI

Vetëm jam
Dhe s’ndjej vetmi
Si në një ditë me diell
Si në një ditë me shi.
Se të kujtoj ty.
Në pafundësi
Ndjej afshin tënd,
Buzët e tua.
Dëgjoj pa rreshtur
Fjalën : Të dua!
Shpirti im!
Ti më fal qetësinë.
Dhe unë për ty
Thur melodinë
E vargut tim.


NË KRAHËT E TU JAM

Kur dita lind
Me diell,
Unë
Bashkë me diellin jam.
Kur dita
Nis me shi,
Unë
Në mes të ylberit jam.
Kur dita nis
Me borë,
Unë
Në majë të malit jam.
Kur dita nis
Me pritje,
Unë në pritje jam.
Kur pritja
Përfundon,
Në krahët e tu jam.
Dhe ndjej se të dua.
Se të kam shumë xhan.

PORTËN E POEZISË SËRISH ÇELA


Ti,
Në pritje
Të një agimi,
Largove shiun,
Solle diellin.
Ti,
Me një mesazh
Të ngrohtë urimi,
Largove retë,
Pastrove qiellin.
Unë,
Në pritje
Të një agimi,
Portën e poezisë sërish çela.
Margaritarë dhe ar,
Për ty,
Në të derdha.
Të dua
Dhe më do.
A ka gjë
Më të shtrenjtë
Se kjo?

BUZËN TËNDE NDUK!

Një erë e mbarë,
Nga deti i valëzuar,
Vinte.
Oh,ç’mesazhe që më sillte.
Qeshej buza,
Qeshej faqja,
Mbinte lule
Manushaqja.
Përditë
Ngrihej një gosti.
Përnatë
Ngrihej një dolli.
Një kaltërsi,
Një ëmbëlsi,
Një dashuri,
Vinte nga unë.
Vinte tek ty.
Një jetë e re,
Një frymë e re.
Oh, ç’lumturi
Solli për ne.
Dimri tulatet.
Pranvera qesh.
Buqeta lulesh
Ka mes nesh.
I kundroj unë.
I kundron ti.
Oh, ç’kënaqësi
Për ne të dy.
Pranvera
Vjen vërtet
Lehtë
Në dritare.
Vjen
Bashkë me ty.
Oh, ç’lozanjare!
Unë
I mbyll syçkat.
Buzën tënde nduk.
Ti më kap belin,
Dhe në gushë
Më puth.

I GËZOHEMI JETËS!

Ditët ikin.
Ne zhytemi
Në thellësinë
E kohës.
Hamendësojmë.
I gëzohemi jetës!
Presim zërat tanë.
Ëmbëlsohemi me
tingujt e tyre.
Lutemi
T’i kemi pranë.
Zërat tanë
vijnë.
Me tinguj më të zjarrtë.
Mesazhe
Dashurie
Përcjellin.
Ne zhytemi
Në thellësinë
E kohës.
Kudo
Njëri – tjetrin
Gjejmë.
Japim e
Marrim
Ide.
Dhe koha
Bëhet

E bukur
Për ne.

DASHURIA IME, TË FAL DASHURINË!

Kur bora shkrin.
Kur lulja çel.
Kur deti zhurmërin,
Dashuria ime
Të fal dashurinë.
Kur dita lind.
Kur dielli ndrin.
Kur çdo gjë
Vetëtin,
Tungjatjeta!
Bukuri hyjnore!
Më thua ti,
Shpirti im.
Kur orët ikin,
Ikin fluturim,
Kënga e një këndezi,
Na shoqëron deri në agim.
Kur dita vjen.
Vjen me padurim.
Unë nis dhe të shkruaj.
Të shkruaj pa përtim.
Dhe pres e pres,
Pres me padurim,
Të të dëgjoj ty
Dhe të ndjej gëzim...

SHQIPËRI! NË MENDJE TË KAM!

Shqipëri!
Në mendje të kam.
Dhe gjumi i natës
Nuk më zë.
Jam strukur
Në vetminë time.
Filëm pa zë.
Në heshtje
Takohem
Me dhembjen.
Nxitimi,
Hutimi
Pengimi
Fajtorë pa faj.
Shqetësoj melankolinë.
Hyj në një tjetër botë pastaj.
Flas me ty.
Shpirtin tim,
Më s’e ndrydh.
Kërkoj të pajtohesh
Me ëndrrën për
Bashkim me Kosovën.
Të kemi një shtet të
Fortë,
Një flamur të përbashkët.
Të mos kemi frikë nga frika
Më në fund.
Shqipëria ime!
Unë bija jote të them
Se vështirësitë
Duhen kaluar,
Siç i kalojmë ne
Të gjithë.
Kurrë s’duhen shmangur
Se të rrëndojnë
Gjithmonë në kurriz.

EH, MALLI Ç’ËSHTË?

Eh, malli
Me çfarë ngjan?
Ç’gjurmë
Të lë në shpirt?
Mos ndoshta
Është një gëzim i zbrazur,
Që sërish
Kërkon të futet
Në një kupë të brishtë?
Malli ç’tjetër emër ka?
Me ç’gjë tjetër ngjan?
Mos është një
Pjesëz e shkëputur shpirti
Që duket si një meteor
Që nga qielli bie, dhe rrugë kthimi
S’gjen dot?
Ç’është malli?
Malli ç’është?
Mos është një brengë,
Një shqetësim,
Për të kaluarën e largët,
Që pranë s’të rri më dot?
Sikur...
Sikur çdo gjë e dashur
Të ishte afër nesh,
Fjala mall,
A do të kishte peshë?
Kështu i dashur
Ndodh mes nesh.
Të qenit tonë larg
Mallin rrit.
Të qenit tonë afër
Ndrojtjen e brishtë lind.
Kur pranë të të kem sërish
Mallit,
do t’ia shuaj etjen.
Ndrojtjen
Do ta largoj.
Ik nga unë
Do t’i them.
OK JOHN?!!!!

INTIMITET


E di mirë
Se ç’do të thuash.
Po s’di pse më pëlqeka
Të mendoj ndryshe.
Dikur skisha ndonjë ide fikse.
Tani e kam.
Dua që shekulli XXI
Të korrigjojë gabimet e shekullit XX
Do të doja martesën e ligjshme
Të priftërinjve katolikë.
Me fëmijë dua t’i shoh
E të ndjej lumturi.
Dua që shqiptarët
Të mos shajnë më
Nga nënat dhe nga motrat,
Se si i thonë një fjale
Ç’të mbjellësh
Do të korrësh.
Mund të të bjerë
Pështyma jote në fytyrë
Dhe ka shumë të ngjarë
të dëgjosh
Ndonjë fjalë tjetër të ndyrë.
Dhe maratona e fjalëve të ndyra
S’do të ketë fund.
Kjo gjë
Nuk është në interes
Të asnjërës palë.
Vlen edhe për politikan e deputet,
Që me fjalë vrasin e presin
Edhe pse nuk janë as zot të vetes së vet
Se shpirtin e kanë shitur për atë pushtet.
Unë rri e vras mendjen.
Më duket sikur koha
S’është në favorin tim.
Duhet të kem shumë vjet në dispozicion.
Ndal! Ndal! Ndal!
Një ultimatum ky
I pashprehur
Dhe i shfaqur në gjithfarë mënyrash.
Kujtime të ëmbla
Kërkojnë të më vijnë në ndihmë.
Po s’bëjnë gjë tjetër
Veçse më rrisin melankolinë.
Shqetësimi rritet nga padurimi.
Unë për një gjë
Jam e sigurt.
s’dua të bezdis as veten,
as të tjerët.
Mirëpo duke ngulmuar më shumë
Nga ç’duhet, ndoshta,
rrit tensionin brenda vetes.
Kujtoj shumë momente
Kur s’e kam parë botën
Bardh e zi.
Sytë pakëz më rëndohen.
Kujtime! Kujtime! Kujtime!
Në sytë e mi përqëndrohet lodhja.
Jeta s’duhet të ketë
Humor të keq për mua.
Bie në gjumë.
S’dua të torturohem më shumë.
Jetën zbukuroj.
E kush mund të më ndalojë
Ta bëj një gjë të tillë?
Tashmë nuancat e saj shumëngjyrëshe,
më vënë në gjumë.
Një përkëdhelje e lehtë,
E ëmbël, e butë,
Shpirtin ma qetëson.
Zgjohem,
Duke e ndjerë ende
Këtë butësi magjepsëse.
Hutohem.
Kërkoj të zhytem përsëri
Brenda këtij ledhatimi.
Mbuloj supet lehtë,
Me shpresë se s’do të zgjohem.
Ndjej njëfarë rehatie.
Po dielli shkëlqen fort.
Rrezet e tij bien drejt
Mbi fytyrën time.
Me sa duket
S’kanë ndërmend
Ta ndryshojnë drejtimin.
Tentoj të rri edhe ca
Shtrirë.
Dielli tregohet
Më kokëfortë se unë.
Të djeg si saç.
Ngrihem.
Ndjej se jetoj dy jetë.
Një jetë brenda ëndrrës
Dhe një jetë brenda realitetit.
Ndryshe nga më parë,
Preferoj jetën brenda ëndrrës.
Është e vetmja jetë që
Nëse dua, më përket vetëm mua
Dhe askujt tjetër.
Askush s’e ka idenë
Se ç’mund të shoh unë
Në një ëndërr.
Ndërsa në realitet mundet edhe
Të më njohin.
Mundet edhe të tentojnë
Të më japin ide
Nga më absurdet,
Nga më të papranueshmet
Dhe në të njëjtën kohë
Mund ta marrin vesh direkt
Reagimin tim.
Jeta ime varet nga unë.
Askush s’ka të drejtë
Të më krijojë
Një katrahurë mendimi.
Diku patjetër do të hapet një dritare.
Unë do të nxjerr kokën.
Do të thith ajër lirshëm.
Do të mbushem me frymë.
Jetën dhe ëndrrat e mia
Do t’i mbërthej fort
Në duart e mia
Dhe jetën do ta jetoj,
Do ta jetoj siç dua unë,
Pa hequr dorë nga kërkesat e mia
Ndaj shekullit xxI

NËNËS

Mos vallë
Gëzimi nuk ekziston?
Pse s’lindim duke qeshur,
Po lindim duke qarë?
Qajmë për dhembjen tonë,
Apo për dhembjen e nënës?
Më pas rritemi.
Kërkojmë shumë gjëra.
Dhe kur s’i arrijmë
Bëhemi prapë qaramanë.
Mendoj se ndoshta
Kjo ndodh me ju të gjithë.
Ndodh edhe me mua,
Pasi s’jam njeri i veçantë.
Po unë njoh dikë që as
kur ka lindur
S’ka qarë.
Vetëm ka teshtitur.
Mos jeta
S’e ka lënduar aspak?
S’e besoj.
Megjithatë rrallë
E kam dëgjuar
Të qeshë me zë të lartë.
E para
Kam qenë unë
Që më duket
Se e kam lënduar,
ndonëse
jam penduar në çast.
Po përse?
Përse gjithë ky shpërthim mërzitjeje?
Dhe para kujt?
Para një njeriu që di vetëm
Të të falë.
S’jam vetëm unë
Që e mendoj si një njeri vigan.
Unë e shoh përditë.
E dua pa masë.
Dhe gjithmonë mendoj
Se ku i buron forca?
Ndonjëherë e pyes
Se ç’ka në trup,
kockë, apo hekur?
Ajo s’di të lodhet.
S’di të ankohet.
Duket si shqiponja
Para të vegjëlve të saj.
O Zot! Të mendosh
Se ke një nënë të tillë
Dhe të trembesh
Para vështirësive
Të para
Që të dalin në jetë,
S’ia vlen aspak.
Ndoshta edhe ajo ka
Dobësitë e veta
Po kurrë s’ka ditur t’i shfaqë.
Tani, pleqëria
Duket sikur ka ardhur
Ta zbukurojë me thinja të bardha,
Pa vënë dorë
Në forcën e rinisë së saj.
Sëmundja,
Nganjëherë
Edhe pse i lexohet në sy,
S’bind askënd se do të rezistojë tek ajo
Për një kohë të gjatë.
Ajo tallet me sëmundjen, e mer në lojë
Sëmundja asnjëherë
S’ka mundur që ta mposhtë.
Sa herë ka tentuar,
Është penduar
Që s’ka gjetur vend tjetër
Për të shkuar.
Dhe me bisht ndër shalë
Është larguar
Çalë – çalë
Duke mos patur mundësi
Të zhdukë
Buzëqeshjen
E njeriut vigan.

PRANVERË MES KRISMASH

Pranvera erdhi mes krismash.
Qetësia të shtinte ankth.
Tanket zvarriteshin si breshka gjigande.
Tek i shihje të rrënqethej mishi.
Sa hije të rëndë që kishin.
Dola me shpresë se mos dehesha
Me erën e tokës, me aromën e luleve.
Po më kot.
Lulet m’u dukën sikur kishin ulur kokat.
Sikur ishin vyshkur.
Si duket edhe ato ishin trembur
Prej hijes së tankeve.
O Zot! Sa herë na kishte luajtur zemra prej vendit.
Ç’nuk dëgjonim.
Vrasje, rrëmbime, përdhunime.
Trafik fëmijësh, trafik organesh, trafik femrash.
Tani edhe shpërngulje plot llahtar.
Dritare të hapura.
Njerëz të sëmurë së bashku me shtretërit e tyre,
Mbushnin fushat bashkë me njerëzit normalë,
Sa herë që thuhej se ura e Fitores
Do të hidhej në erë.
Po kur do merrnin fund
Shpërnguljet plot llahtar?
Dielli s’të ngrohte, po të ftohte.
Qetësia në vend që të të qetësonte,
Të fuste krupën.
Në kryeqytet flitej për kulturë, për botime librash.
Këtej luftohej midis jetës e vdekjes.
- “Do të gdhihemi, a s’do të gdhihemi nesër?” –
Ishte pyetja që gjithsecili i bënte vetes.
Luftën e kishim parë vetëm nëpër filma.
Po kurrë s’na kishte shkuar në mendje
Se do ta kishim aq pranë.
Tamam si nëpër filma.
Atë ditë pranvere ishte shpallur ditë paqeje.
Dola për të mbledhur lule.
Në vend të luleve mblodha gëzhoja plumbash.
Babai i një nxënëses sime mbeti i vrarë
Duke lënë një grua të ve
Dhe fëmijët e tij jetim.
Plumbat më shoqëruan derisa arrita në shtëpi.
Isha dyll e verdhë. Pikë gjaku
s’më kishte ngelur në fytyrë.
Po isha gjallë.
U shtrita barkas në dysheme.
Dyshemeja dridhej.
Plumbat linin gjurmë nëpër mure.
Vdekjen s’e kisha parë kurrë aq pranë.
Ç’tmerr pa fund.
S’doja të qaja,
Po lotët rrëshqisnin nëpër faqe.
S’kishe guxim të flisje.
Qetësia dukej si një ëndërr e largët.
Psherëtima, psherëtima.
Jetë të bëra shkrumb.
Jetë të tjera
Të varuara në një fije peri.
Askush s’e donte një fund të tmerrshëm.
Askush s’donte një tmerr pa fund.
Fjalët: rend, shtet, siç duket
Kishin shkuar në një tjetër planet,
Duke e lënë këtë popull të mjerë
Pa kokë,pa identitet kombëtar.
Për një popull të tërë,
S’ka mallkim më të madh nga ky,
Jo, nuk ka!
S’e kush do të ishte i zoti
Ta çlironte prej këtij mallkimi,
Duke i kthyer sërish këto fjalë,
Askush s’e dinte.
Mbetej vetëm të shpresoje,
Që dikush nga larg
T’ju tërhiqte sërish veshin
Dhe t’i kthente në udhë të Zotit.

VËSHTRIMI I THELLË I JETËS, FATKEQËSISHT MË BËN TË VUAJ


Tani s’kam ç’të bëj.
Vështrimi i thellë i jetës
Fatkeqësisht më bën të vuaj.
Mirësjellja, për mua s’është anjëherë,
As gafë e vogël, as gafë e madhe.
Përpiqem të shpëtoj veten
Prej gjykimit të vetvetes,
Po përherë mbetem gjykatësi
Më i rreptë i saj.
Vetëgjyqësimi qenka i lemerishëm.
Ta bën kokën plagë.
Të fshikullon më fortë se një thupër.
Unë shpreh me forcë mendimin tim
Edhe pse diku gjej e diku s’gjej përkrahje.
As që e kam ndër mend të mbyllem në vetvete.
Edhe pse në shumë raste, has ndonjë reagim
Të dikujt,
Që më duket krejt absurd.
Ç’është e drejta, mua kurrë
S’më ka pëlqyer absurditeti.
Gjithmonë i jam shmangur
Për mos t’u infektuar nga mikrobi i tij.
Më vjen keq për një gjë,
Që njerëzit merren me çikërima
Dhe nuk janë largpamës.
Unë kur ngas makinën,
S’duhet të shoh afër,
Po duhet të shoh larg.
Ky shembull kaq i thjeshtë
Shumë më ka ndihmuar në jetë.
Edhe kur dua që sytë t’i mbyll
Dhe mos ta shoh të vërtetën në sy,
Sytë më hapen, duke më nxitur
Të respektoj mirësinë që kam në shpirt.
Shpirti im edhe pse i lënduar
S’më lejon të gremis në fund të botës
Fisnikërinë.
Rrjetat e ngritura me shumë kujdes
Ngelen bosh.
Shpirti i lënduar nuk mbetet në rrjetë,
Nuk përbaltet.
Mes dhembjes, përpiqet të nxjerrë
Prej gojës, fjalët më të ëmbla.
Plaga një ditë do të shërohet,
Duke marrë me vete edhe dhembjen.
Unë preferoj të rroj me kujtimet më të ëmbla
Që me lidhin me çdo person.
Kam lindur të sjell bardhësinë,
E të largoj errësirën,
pa e lënë kurrë
Të pllakosë
e të mundë
shpirtin tim të lirë.



Salman Rushdie prezanton autobiografinë

Shkrimtarit i duhej të jetonte për shumë vite në ilegalitet, pasi atë e kërcënuan me vrasje në Iran. Megjithatë ai ia del që të shkruajë pa mllef për jetën e tij.

Der britisch-indische Autor Salman Rushdie stellt seine Autobiografie in Berlin vor.
Copyright: DW/H. Kiesel
Salman Rushdie
Salman Rushdie rri ulur dhe bën shaka, teksa flet për kërcënime tndaj tij. Kërcënimi me vrasje, gjë me të cilën lidhet tani emri i tij. Kërcënimi me vrasje kundër një autori, ndaj të cilit u akulumua zemërata e muslimanëve të zellshëm. Asnjë shenjë emocioni nuk vërehet teksa ai kujton ditën e Shën Valentinit të vitit 1989. Këtë ditë ai mësoi, që udhëheqësi shpirtëror i Iranit, Ayatollah Khomeini, miratoi vrasjen e Rushdies, sepse libri i tij „Vargjet satanike“ ironizon fenë islame. Një jetë në rrezik. Deri më sot. Përpara pak kohësh për kokën e tij shuma e anoncuar kishte arritur deri në Iran 3,3 milionë dollarë, vëren, "por kjo mund të jetë zhgënjyese për vrasësin, sepse me gjasë ata nuk kanë kaq shumë para“.
Iran's Ayatollah Khomeini during an audience with high-ranking Iranian officials and members of the Foreign Diplomatic Corps, in Tehran, June 1985. (AP Photo)
Ayatollah Khomeini, 1985
Ikonë? Jo, faleminderit!
Autori indiano-britanik ka ardhur në Berlin, për të prezantuar autobiografinë e tij "Joseph Anton". Titulli u referohet emrave të dy shkrimtarëve të preferuar të Rushdies: Joseph Conrad dhe Anton Çehov. Ky ka qenë pseudonimi i tij, kur u detyrua të jetonte në ilegalitet për t’u mbrojtur. Rushdie shkruan për një "Unë" me një emër tjetër në vetën e tretë. Fillimish kjo të irriton, por më pas ky rezulton si mjet i rafinuar artisitik, për t’i paraqitur përjetimet me distancë duke reflektuar ndaj tyre. "Kjo është një histori jetësore, për të cilën duhet të shkruash të vërtetën“, sqaron Rushdie, "dhe këtu bëhet fjalë për një qenie të vërtetë njerëzore, jo për një figurë heroi hollivudian." Ai në të shkuarën shumë shpesh është stilizuar si një ikonë e lirisë, së shtypit, por ai kurrësesi nuk e ndjen veten si të tillë.
Edhe tani shumë e konsiderojnë atë si njeriun që jeton në rrezik akut për jetën. Por në Berlin ai prezantohet në përfaqësinë e shtëpisë botuese Bertelsmann pa bodigardë të dukshëm. „Unë që prej dhjetë vjetësh nuk ndiej më rrezik të drejtpërdrejtë“, konstaton Rushdie.
Der britisch-indische Autor Salman Rushdie stellt seine Autobiografie in Berlin vor.
Copyright: DW/H. Kiesel
Salman Rushdie prezanton autobiografinë e tij në Berlin
Joseph Anton: Die Autobiographie von Salman Rushdie
Rushdie përshkruan një jetë jashtë asaj, çfarë si e njihte si „normale“. 13 vjet zgjati kjo gjendje. Ai jetonte me humbjen radikale të lirisë, kur u strehua i fshehur nën mbrojtjen e personelit të sigurisë, që dëgjonte emrat Wilson dhe Wilton. Ai përpiqej t’i ruante lidhjet me fëmijët: "Babi, pyet Zafar në telefon, a kemi ne sërish një shtëpi, ku të mund të qëndrojmë?" Kur ai flet para publikut për familjen dhe vitet në rrezik, zëri i tingëllon më i ngysur dhe më i ulët.
Qesëndia dhe ironia rikthehen kur ai flet për aspektet politike të përndjekjes së tij.
Kushdo mund të kritikohet
Në radhë të parë "Joseph Anton" Rushdie e konsideron një vepër për lirinë e mendimit dhe ai e shtjellon këtë parim. "Nëse ndiheni i fyer nga një die, atëherë ky është problemi juaj." Ndaj ai do nuk do të lejojë të instrumentalizohet për fushata reklame, si psh. Kundër filmit të diskutueshëm për Muhametin ”Pafajësia e myslimanëve”. Ai është kundër shumë prej këtyre lëvizjeve, të cilat drejtohen kundër bashkësive myslimane, por kjo nuk duhet të bëjë që feja të izolohet prej kritikës. Mund të mbrohesh, por me fjalë: „Përfytyrimi, të jetosh në një botë, në të cilën njeriu nuk ofendohet, është absurd!”

Kërcënimet në Twitter: Rreziqet e rrjeteve sociale


Për shkak se gazetarja Criado-Perez luftoi për fytyrën e shkrimtares Jane Austen në një bankënotë britanike 10 paund, mori qindra kërcënime përmes Twitterit. Janë rrjetet sociale rrezik për lirinë e mendimit?
Aktivistja dhe gazetarja britanike, Caroline Criado-Perez luftoi për muaj me radhë për fytyrën e një femre në bankënotat britanike. Gazetarja kërkonte stampimin e fytyrës së shkrimtares Jane Austen në një bankënotë 10 paund. Në fund të korrikut dihej: Caroline Criado-Perez ia kishte dalë: Banka e Anglisë do t'i nxjerrë bankënotat e reja në vitin 2017 me fytyrën e Jane Austen. Por me fundin e kësaj lufte, filloi një tjetër:
Kundërshtarë dhe urrejtës të femrave e shanin gazetaren përmes profilit të saj në Twitter, madje në adresë të saj erdhën kërcënime për përdhunime dhe vrasje. Caroline Criado-Perez i tha BBC-s se ajo ka marrë 50 lajme kërcënuese brenda një ore. Madje ato në një interval kohor 12 orësh. "Këto kërcënime kanë qenë kaq të detajuara dhe të qarta, saqë nuk mund t'i fshija dot nga mendja, kam pasur vërtet frikë."
Bankënota e re me fytyrën e Jane Austen
Bankënota e re me fytyrën e Jane Austen
Por kërcënime nuk iu bënë vetëm gazetares. Edhe politikanja e partisë laburiste britanike, Stella Creasy u kërcënua. Ajo e përkrahte gazetaren në fushatën për shkrimtaren Jane Austen. Një valë urrejtjeje dhe dhune ka përshkuar shërbimin e lajmeve Twitter: Në fillim të gushtit disa gazetare britanike kanë marrë kërcënime për vrasje: "Një bombë e ke para derës", shkruan një përdorues anonim. Madje edhe orën e saktë të shpërthimit. Caroline Criado-Perez informoi policinë. Dy vetë u arrestuan, procesi fillon në shtator. Kërcënimet kanë një qëllim - pengimin e shprehjes së lirë të mendimit.
Kërcënimet janë pjesë e së përditshmes
Për Hendrik Zörner nga Shoqata e Gazetarëve Gjermanë kjo është një situatë pa rrugëdalje. "Ky nuk është madje as rasti i parë që gazetarët kërcënohen për postimet në Twitter. Ky është një fenomen negativ i mediave sociale - por mendoj se gazetarët nuk kanë asnjë rrugë tjetër, ata duhet të jetojnë me këtë fenomen."
Reagimet nga Twitter: Nga njëra anë drejtoresha për "Sigurinë dhe Mirëbesimin", Del Harvey pranon se në të shkuarën postimet kërcënuese nuk i janë bërë automatikisht të ditura policisë, nga ana tjetër ajo pohon se Twitter nuk ka informata të mjaftueshme për të lajmëruar policinë. Shpesh nuk dihet nga është dërguar një mesazh.
Caroline Criado-Perez mori 50 kërcënime në orë
Caroline Criado-Perez mori 50 kërcënime në orë
Twitter e ka një kod sjelljeje, i cili nuk lejon kërcënimet dhe thirrjet për dhunë. Por kush do t'i denoncojë ato, duhet të klikojë disa faqe web. Një peticion online kërkon që të krijohet një buton alarmi për keqpërdorimin. 120.000 vetë e kanë përkrahur ndërkohë peticionin. Por për të ndaluar dhunën përmes kësaj medie sociale duhet që mesazhet të kontrollohen. Twitter njofton se nëpër kanalet e tij kalojnë 65 milionë mesazhe në ditë.
Kontrolli personal i pamundur
Gazetari dhe blogeri Martin Giesler shprehet se kjo është e pamundur. "Tek Twitter nuk injoh shifrat, por tek Facebook kemi 1 miliardë përdorues për 5000 punonjës. Kuptohet që kur sinjalizohet një postim, nuk ka kohë në redaksi për ta parë dhe klasifikuar. Pas tyre fshihen algoritme, po qe se 1000 vetë postojnë se ky lloj mesazhi nuk shkon, vetëm atëherë sistemi ndërhyn dhe e fshin atë."
Sistemet automatikë të filtrimit ekzistojnë ndërkohe edhe tek Twitter, sqaron koncerni. Kontrollime të redaktorëve, por edhe formula elektronike Për Martin Giesler një çështje problematike.
Simboli Twitter
Simboli Twitter
"Po qe se lejohet kjo mundësi duhet shtruar njëkohësisht edhe pyetja: Ku janë kufijtë? Është kërcënim apo ndoshta? Një kërcënim i vërtetë? Përçmim? Një fyerje? Dhe po qe se shtron këto pyetje atëherë Facebook dhe Twitter kanë në dorë mundësinë të ushtrojnë censurë - e papranueshme për përdoruesit." Dëshira për të ushtruar shprehjen e lirisë së mendimit dhe pengimin e dhunës mund të rezultonte në një dhunë të re: Censurën e përmbajtjejeve të përdoruesve të rrjeteve sociale.
Mbrojtja e përdoruesit të zakonshëm
Në këtë debat Martin Giesler nuk sheh vetëm mbrojtjen e gazetarëve dhe kërcënimet që iu bëhen atyre. "Gazetarët dhe politikanët janë pa dyshim në fokus të opinonit publik. Vështrimi duhet drejtuar tek përdoruesit e zakonshëm. Një nxënës, një shtëpiake, një baba, persona që po ashtu duhet të durojnë fyerjet nëpër rrjete sociale." Vetëm 2% e gjermanëve e përdorin Twitterin një herë në ditë. Nuk dihet se sa kërcënime kalojnë përmes tij brend 24 orëve.

Tribunal Ndërkombëtar për Kosovën?


Tribunali për Kosovën do të hetojë krimet e luftës 1998-99 dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve e vrasjeve të dëshmitarëve në periudhën 2000-2001.
Prishtina
Në Kosovë ndër qarqet vendore dhe ndërkombëtare ka kohë që po diskutohet ideja për formimin e një tribunali ndërkombëtar për Kosovën, që do të funksionalizohej pas datës 14 qershor të këtij viti, kur pritet edhe transformimi i misionit të Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi EULEX. Tashmë mediat në Prishtinë kanë publikuar edhe pjesë të një drafti, ku thuhet se Tribunali do të ketë prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë dhe selia e tij do të jetë diku jashtë Kosovës. Ky Tribunal do të merrte përsipër siç thuhet, hetimin e krimeve të luftës në periudhën 1998-1999, si dhe hetimin e krimeve të supozuara politike, kërcënimeve dhe vrasjeve të dëshmitarëve gjatë periudhës 2000-2001.
Shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt, pranon se, “tribunali i paralajmëruar për Krime të luftës për Kosovën do të jetë një proces i ndërlikuar”.
Bernd Borchardt
Shefi i misionit EULEX, Bernd Borchardt
“Ka pretendime për akuza të ashpra dhe nëse ka fajtorë për këto pretendime, atëherë duhet të gjinden kush i ka bërë këto dhe natyrisht duhet të dënohen. Sepse këto janë shumë të këqija për Kosovën dhe si të tilla duhet të pastrohen”, ka theksuar Bernd Borchardt.
Kosova ka kapacitete për të ndërtuar rend dhe ligj
Qeveria e Kosovës është në dijeni për idenë e krijimit të Tribunalit, por ajo vazhdon të këmbëngulë që Kosova ka kapacitete për të ndërtuar rend dhe ligj, duke mos anashkaluar edhe ndihmën e prokurorëve dhe gjykatësve të misionit EULEX për të zbardhur çdo krim të mundshëm. Kështu ka deklaruar zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe ministër i drejtësisë.
"Vazhdimisht kam thënë dhe po e përsëris se Kosova i ka kapacitetet e veta. Ka ndërtuar kapacitete për rend dhe ligj, njëkohësisht kemi gjyqtarë dhe prokurorë të Eulexit dhe në këtë drejtim jemi të gatshëm të sfidohemi me cilëndo të vërtetë në drejtësi. Nuk ka nevojë që asnjë drejtësi të sfidohet, apo të trajtohet jashtë vendit", ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Tribunali për Kosovën, dështim i misionit EULEX
Ndërkohë, njohësit e çështjeve juridike, nga ana e tyre, thonë se krijimi i një Tribunali ndërkombëtar për Kosovën me seli jashtë saj, do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar sistemi i drejtësisë. Ky Tribunal, sipas tyre, do të nënkuptonte edhe dështimin e misionit të EULEX-it, pasi që gjykatës e prokurorë ndërkombëtar kanë qenë dhe janë pjesë e këtij sistemi.
Dastid Pallaska, avokat njohës i çështjeve juridike, i tha DW-së se ai “nuk arrin ta kuptojë qëllimin e zhvendosjes së funksionit shtetëror të gjykimit të krimeve të luftës jashtë Kosovës”.
Dastid Pallaska
Dastid Pallaska, avokat, njohës i çështjeve juridike
“Nëse Kosova bart një pjesë të sovranitetit të saj te ndonjë organizatë ndërkombëtare për një funksion kaq të rëndësishëm shtetëror, atëherë vihet në pikëpyetje edhe vetë kapaciteti i Kosovës për të qenë shtet”, thotë Dastid Pallaska.
Sipas tij, ideja e themelimit të Tribunalit për Kosovën me seli jashtë Kosovës, “paraqet një shkallë të lartë të mosbesimit jo vetëm ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë në Kosovë, por edhe për vetë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare me mekanizmat e saj që kishte në Kosovë për të vendosur drejtësi”.
“Idenë e themelimit të Tribunalit do ta kuptoja, nëse do të paraqitej në vitin 1999, kur tensionet kanë qenë tejet të larta dhe ku kanë ekzistuar arsye të forta për të mosbesuar që kjo shoqëri është e gatshme për të gjykuar krimet e luftës, duke marrë parasysh që plagët e luftës kanë qenë shumë të freskëta. Mirëpo pas 15 vjetëve të krijohet një Tribunal i tillë, kjo ide nuk ka kurrfarë kuptimi dhe nuk besoj se do të jep ndonjë vlerë të shtuar”, thotë Dastid Pallaska.
Sidoqoftë debatet jashtë Kosovës për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën filluan qysh pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty dhe hetimet e inicuara nga Këshilli i Evropës nën dyshimet për trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hetimet për këto raste të supozuara, po kryhen nga prokurori i ekipit hetues të EULEX-it, John Clint Williamson. Një javë më parë ëilliamson ishte në Prishtinë, ku takoi zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe ministrin e Rendit, Bajram Rexhepi. Zëdhënësi i prokurorit Williamsonit, Joao Sousa, tha për mediat lokale në Prishtinë se “puna hetimore ende vazhdon dhe se është herët të paragjykohet rezultati."

„Kujdes, mos më bëhesh pre e marrëzisë në Shqipëri!“ – Porosia, që i dha perandori Wilhelm II nipit të vet, princ Vidit, kur në 1914 u nis drejt Shqipërisë


Fisniku gjerman Wilhelm zu Wied (princ Vidi) u bë monarku i parë i Shqipërisë, ndonëse regjenca e tij zgjati vetëm gjashtë muaj. Deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore Shqipëria ishte si një plaçkë në duart e politikës europiane.
Në shkurtin e ftohtë të vitit 1914 qyteti i vogël gjerman Neuwied priti vizitorë të pazakontë. Me nderime të mëdha qyteti u uroi mirëseardhjen të deleguarve nga Shqipëria e largët. Përfaqësues të të gjitha fiseve shqiptare udhëtuan në qytetin anës Rinit, për të takuar të kështjellën e rezidencës të riun Wilhelm zu Wied. Ky gjerman 37 vjeçar, një pinjoll i një fisi të vjetër e të nderuar do të ishte princi i ri i Shqipërisë. Me përulësi kryetari i delegacionit iu lut atij të pranojë fronin. „Unë pranoj!“, duhet të jetë përgjigjur plot mirësjellje Wilhelmi. Shqipëria kësisoj kishte një princ gjerman. Megjithatë Wilhelm Friedrich Heinrich Princ i Wied-it, siç quhej ai, nuk pati ndonjë kënaqësi me principatën e tij të re. Shqipëria ishte e varfër, e përçarë mjerueshëm dhe e kthyer thuajse si në një plaçkë loje në duart e vendeve fqinje.
Një pazar diplomatik
Princi Vilhelm zu Vid, 1914
Princi Vilhelm zu Vid, 1914
Nëntorin e vitit 1912 shqiptarët shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ballkani në këtë kohë ishte si një fuçi baruti. Pothuajse të gjitha shtetet ngrinin pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Kryesisht pretendimet ndaj Shqipërisë së sapo krijuar ndezën konflikte. Serbia synonte daljen në det, nga këndvështrimi i saj Shqipëria bëhej pengesë për këtë. Rusia mbështeste Serbinë, Austro-Hungaria nga ana e saj donte ta pengonte depërtimin e Serbisë. Në veri të Shqipërisë qëndronin trupat malazeze dhe në jug ushtarët grekë. Gjashtë fuqitë e mëdha europiane Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia e morën shtetin e ri nën mbrojtjen e tyre, por pa qenë vetë në unanimitet, se cilët do të ishin kufijtë e këtij shteti.
Ndaj duhej një princ shqiptar për të vendosur rendin, për këtë ranë shumë shpejt dakord fuqitë e mëdha. Por përzgjedhja e kandidatëve rezultoi e vështirë. Në asnjë mënyrë nuk duhej të ishte një shqiptar, sepse asnjë prej fiseve nuk do ta pranonte princin nga radhët e një fisi tjetër. Po ashtu përjashtohej që princi të ishte një mysliman, një katolik, apo një ortodoks, sepse secili nga grupet fetare do të ndihej i anashkaluar. Një kandidat nga një shtet, që kishte pretendimet e veta ndaj Shqipërisë, ishte gjithashtu i pamundur, pra princi s'mund të ishte p.sh. as rus, as serb, as austriak dhe as grek.
Propozimi i hallës
Wilhelm zu Wied me Isa Boletinin në Shqipëri
Princ Vidi me Isa Boletinin në Shqipëri
Propozimi me zgjidhjen, që i çliroi të tërë erdhi nga Rumania. Mbretëresha e atjeshme propozoi nipin e saj: Wilhelm zu Wied. Një përzgjedhje perfekte kjo nga jashtë: Wilhelm ishte protestant dhe Gjermania nuk kishte interesa ndaj Shqipërisë. Në mars të 1914-ës princi i ri mbërriti më në fund në mbretërinë e vet, i shoqëruar nga anijet luftarake austriake, britanike, italiane dhe franceze. Kushdo duhej ta kishte të qartë, se pas Wied-it qëndronte pushteti i fuqive të mëdha europiane. Wiedi zbarkoi në portin e Durrësit, ku u prit plot entuziazëm. Ndoshta në këto momente princit të ri të Shqipërisë i kishin mbetur vath në vesh fjalët paralajmëruse të xhaxhait të tij të madh. Perandori Wilhelm II duhet t'i ketë thënë atij: „Kujdes, mos më bëhesh pre e marrëzisë në Shqipëri!“
E megjithatë Wilhelmi u zhyt në këtë vorbull. Në Durrës monarku e kishte rezidencën në një ish-kazermë osmane, ku banonte me gruan dhe fëmijët. Pushteti i tij nuk i kalonte kufijtë e qytetit. Në mbarë Shqipërinë marshonin trupa të huaja, që i bënin pjesë të tëra të vendit të pasigurta. Përveç kësaj s'kishte asgjë, me çfarë Wilhelmi mund të qeveriste: as administratë e pothuajse asnjë mundësi komunikacioni rrugor. "Gjithçka i duhej një shteti, duhej krijuar nga zeroja“, do të ankohej më vonë princi. Kësaj i shtohej edhe fakti se Wilhelmi ishte oficer dhe nuk kish mësuar asnjëherë, se si qeveriset një vend. Shoqëria shqiptare ishte e përçarë thellë mes të krishterëve dhe myslimanëve, mes veriut e jugut, si dhe mes fiseve.
Mbreti pa vend
Luftëtar shqiptar nga Shkreli, 1910.
Luftëtar shqiptar nga Shkreli, 1910.
Kryengritjet shumë shpejt e tronditën vendin dhe fuqitë e mëdha nuk iu përmbajtën premtimit për një mbështetje të fuqishme, që i kishin dhënë princit. Kur në qershor të vitit 1914 në Sarajevë u vranë trashëgimtari austro-hungarez i fronit dhe gruaja e tij, nisi fillimi i fundit, jo vetëm për Wiedin dhe jo vetëm për Ballkanin. Në gusht shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Fuqitë e mëdha filluan të ushtronin presion ndaj princit shqiptar. Austriakët donin, që ai të sulmonte serbët në armiqësi me Austro-Hungarinë, italianët donin të aneksonin bregdetin shqiptar. E kjo në një kohë që fuqitë europiane kishin rënë dakord për neutralitetin shqiptar. Wied për muaj të tërë mbeti i rrethuar në Durrës nga kryengritësit shqiptarë.
Nën breshërinë e lamtumirës më 3 shtator 1914 Wilhelm zu Wied u largua nga Shqipëria, me një anije luftarake italiane i veshur me uniformë parade. „Po largohem që të mpreh shpatën për Gjermaninë“, deklaroi ai. Shqipëria u zhyt në kaos dhe ushtritë greke, italiane, bullgare, austriake, serbe, malazeze dhe franceze pushtuan vendin. Mijëra shqiptarë humbën jetën. Wilhelm zu Wied luftoi në Luftën e Parë Botërore dhe më pas vajtoi për fronin e tij. Ai nuk arriti ta qeverisë Shqipërinë as për 200 ditë.

Lufta e fjalëve në Britaninë e Madhe

Nostalgjia ka rëndësi të madh për britanikët. Por tani vendi polemizon se si duhet ta përkujtojë Luftën e Parë Botërore. Sa më shumë afron data e ceremonive përkujtimore, aq më i nxehtë bëhet debati.

Mbretëresha Elisabeth
Britania e Madhe e pëlqen nostalgjinë. Madje mund të thuhet se ky vend me historinë e vet të "madhe" mbështetet tek nostalgjia. Por deri para pak kohësh nuk kishte mbetur shumë nostalgji për Luftën e Parë Botërore, masakrat masive të saj dhe thyerjen me sistemin e vjetër (shumë britanikë besojnë se lufta shthuri sistemin e klasave, në të cilin njerëzit kishin gjetur vendin e tyre). Që prej fillimit të këtij viti studiues dhe politikanë britanikë polemizojnë mbi mënyrën si duhet përkujtuar 100-vjetori i luftës. Ka shpërthyer një "luftë fjalësh". Ministri i Arsimit Michael Gove ishte i pari që nisi debatin. Në javët e para të vitit të ri, Gove akuzoi "studiues me orientim të majtë" se përhapin "mite" jopatriotike për rolin e Britanisë së Madhe në Luftën e Parë Botërore. Sipas Gove ata e portretizojnë luftën si "kasaphanë të shëmtuar" duke injoruar kështu "patriotizmin, nderin dhe guximin" e atyre njerëzve që kanë shërbyer në luftë dhe që kanë dhënë jetën për "një kauzë të drejtë", pikërisht për të zmbrapsur sulmin gjerman.
Tristan Hand, studiues liberal i majtë dhe zëdhënës për arsimin në partinë opozitare Labour, i ktheu përgjigje ministrit Gove me një artikull gazete ku e akuzonte atë se bën komente "të shëmtuara" dhe të ashpra ndërkohë që do të ishte më mirë të ndodhte një reflektim kombëtar për rolin e Britanisë së Madhe. Hunt e akuzoi ministrin e Arsimit për triumfalizëm barbar, pasi nxit nacionalizmin dhe krijon një atmosferë antievropiane para zgjedhjeve vendimtare për Parlamentin Evropian në muajin maj. "Të paktë janë ata që mund të përfytyronin se konservatorët do të tregoheshin kaq vulgarë, dhe që nuk do të gjenin një përgjigje dinjitoze për ngjarjet e viteve 1914-1918", shkruante Hand.
Një përkujtim "dinjitoz"
Qeveria e drejtuar nga konservatorët ngul këmbë se përgjigja e saj është dinjitoze: ajo organizon aktivitete përkujtimore festive dhe të karakterizuara nga respekti për viktimat e luftës. Është planifikuar një program me shpenzime milionëshe me shumë aktivitete, ndër të tjera vizita në skenat e luftës për nxënësit e shkollave, koncerte përkujtimore dhe inagurimin e një pllake dhe figurave të reja përkujtimore për të nderuar miliona njerëz që humbën jetën në luftën e cila "duhej t'u jepte fund të gjitha luftrave". Muzeu i luftës "Imperial War Museum" në jug të Anglisë do të rinovohet nga themelet dhe do të zgjerojë ekspozitën e tij për Luftën e Parë Botërore. Shumë ekspozita merren para së gjithash me ndryshimet në gjirin e shoqërisë britanike dhe evropiane, që u bënë shkaktare të shpërthimit të luftës.
Për ministrin e Arsimit Michael Gove këtu ka një problem: injorohet çështja e fajit dhe harrohet të festohet fitorja e Britanisë së Madhe dhe e aleatëve të saj. Është poshtëruese për viktimat nëse kujtimi devijon në "një perceptim të çfarëdoshëm me orientim të majtë" të Luftës së Parë Botërore.
"Ishte e pakuptimtë!"
Max Hastings, autor i njërit prej librave të shumtë mbi luftën, me titull "Catastrophe 1914", shkon edhe një hap më tutje. Sipas tij ka qenë po aq e rëndësishme të mundej Perandori sa edhe Hitleri në Luftën e Dytë Botërore. "Synimi i luftës së Perandorisë gjermane nuk është shumë larg atij të Gjermanisë së Hitlerit të vitit 1939. Perandori kërkonte hegjemoninë mbi Evropën", thotë Hastings. "Nëse gjermanët do të kishin fituar, do të kishte qenë një ditë shumë e keqe për demokracinë dhe lirinë në Evropë".
Hastings, një ish gazetar i gazetës konservatore britanike "Daily Telegraph" pretendon se historia është rikshkruar dhe shtrembëruar për të mos ofenduar Gjermaninë e sotme. Për Hastings kjo është një fyerje për Britaninë e Madhe, një komb i cili është përballur pa rezerva me të kaluarën e tij ushtarake.
"Duhet të përpiqemi të themi të vërtetën!"
"Gjermania moderne është një vend i mrekullueshëm me një demokraci të shkëlqyer, për të cilën ka respektin tonë më të madh", thotë Hastings. "Por nëse për ne ka sado pak rëndësi përcjellja e njohurive tek brezat e ardhshëm, duhet të përpiqemi të tregojmë të vërtetën".
E "vërteta" për "Luftën e madhe" është më e vështirë për t'u kuptuar se sa mendojnë Hastings dhe Gove. Kështu në diskutim janë përfshirë edhe shumë historianë. Nga njëra anë një historian i rëndësishëm britanik, i cili asnjëherë nuk është cilësuar me orientim të majtë. Ai mendon se ka qenë e drejta e Britanisë së madhe të ndërhyjë në një konflikt që zhvillohej në Kontinentin Evropian. Nga ana tjetër profesori i historisë në Universitetin e Harvardit Niall Ferguson është i mendimit: "Britania e Madhe nuk duhej të ishte përfshirë në konflikt. Nuk ekzistonte asnjë kërcënim direkt për vendin. Ka qenë gabimi më i madh në historinë e saj moderne" shprehet Ferguson në librin e tij "The Pity of War".
"Gabimi më i madh i historisë moderne?"
Të barazosh Perandorin me Hitlerin është e gabuar, thotë Ferguson. Objektivat e Perandorit Wilhelm nuk kanë qenë aspak aq të marra sa ato të Hitlerit. Britania e Madhe duhej të ishte përmbajtur dhe të ndërhynte më vonë në një moment më të favorshëm. Duke u përfshirë në luftë që nga fillimi, thotë Ferguson, Britania e Madhe mbeti e bllokuar në një luftë të gjatë, të ashpër dhe shkatërrimtare, e cila nuk shteroi vetëm burimet e Britanisë së Madhe. Lufta rrënoi Evropën dhe çoi në lindjen e dy tiranive më të mëdha të shekullit të 20-të: Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik stalinist.
Veç kësaj, argumenton Ferguson, Britania e Madhe dështoi në përmbushjen e synimeve themelore të luftës, pikërisht të ndalonte Gjermaninë të sundonte Evropën. "100 vjet më vonë kush sundon në Evropë? Pyesni grekët", thotë historiani.
Lufta e fjalëve mbi "Luftën e madhe" vazhdon. E sigurt është që edhe pas festimeve të mëdha përkujtimore në verë, polemikat rreth pyetjes se cila është mënyra më e mirë për ta kujtuar atë luftë, nuk do të marrin fund.

Letërsia shqipe në Panairin e Librit në Lajpcig


Aktivitetet me autorë nga Evropa Juglindore në Lajpcig nuk ishin të ndara sipas vendeve apo gjuhëve, por panele me autorë nga vende të ndryshme.
Më shumë se 50 autorë nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Sllovenia, Rumania dhe Hungaria prezantuan gjatë ditëve të Panairit të Librit në Lajpcig pjesë nga krijimtaria e tyre duke u përcjellë lexuesve një panoramë të letërsive të Ballkanit dhe të tendencave letrare dhe temave që trajtohen në letërsinë e këtyre vendeve.
Poetë, tregimtarë, kritikë letrare dhe ekspertë diskutuan për ndryshimet dinamike dhe ndonjëherë madje dramatike të hapësirës kulturore të Evropës Juglindore duke sjellë në Lajpcig një larmi zërash, tekstesh, mendimesh dhe imazhesh. Të përbashkëtat mes vendeve të Ballkanit dhe përvojat me regjimet diktatoriale duke se janë tema të pashtershme për shkrimtarët dhe shkrimtaret e vendeve të Ballkanit.
Lufta dhe letërsia
Meqë viti 2014 shënon edhe 100 vjetorin e Luftës I Botërore, reflektimeve letrare rreth kësaj ngjarjeje, e cila e pati zanafillën e saj në Ballkan dhe në atentatin e Sarajevës, iu kushtua vëmendje e posaçme në këtë Panairin e Librit në Lajpcig. Ndër autorët nga Ballkani që folën për këtë temë qe edhe publicisti Fatos Baxhaku, i cili ka botuar librin "Çadra e Kuqe - Histori fatesh austriako-shqiptare në shekujt XIX-XXI.
Në vijim të një tradite tashmë disavjeçare aktivitetet e organizuara me autorët nga Evropa Juglindore në kuadrin e një projekti të përbashkët të Rrjetit Traduki, Panairit të Lajpcigut dhe shumë partnerësh të tjerë, nuk ishin të ndara sipas vendeve apo gjuhëve, por të organizuara në formën e paneleve me autorë nga vende të ndryshme.
Stereotipet kulturore të Ballkanit
"Kafe turke apo greke? Shqiptar apo evropian? Slloven apo jugosllav? Kështu quhej paneli në të cilën diskutuan autori shqiptar Besnik Mustafaj dhe ai slloven Goran Vojnović. Ata prezantuan përmes përvojave të jetuara të cilat i kanë trajtuar edhe në shkrimet e tyre, qëndrimin dhe perspektivat e ndryshme ndaj stereotipeve kulturore, paragjykimeve dhe ideologjive që ndikojnë prej shekujsh përfytyrimin për tjetrin në vendin e Ballkanit, pavarësisht fqinjësisë dhe historisë dhe traditave të përbashkëta që reflektohen edhe në lidhjet kulturore dhe gjuhësore.
Leipziger Buchmesse 2014 Arian Leka
Absurditetet e diktaturave
Paneli hungarezo shqiptar në të cilin diskutuan tregimtari i shquar hungarez Gyorgy Spiro dhe poeti, eseisti dhe prozatori i mirënjohur shqiptar Arian Leka i kushtohej temës "Absurdja në jetën e njërzve në diktaturë". Gyorgy Spiro trajton në romanin e tij "Diskretitimi" tragjedinë e një hebreu që edhe pse ishte i komunist i bindur u shpall papritur në mënyrë arbitrare si kriminel i popullit dhe armik i komunizimit. Përmes kësaj figure autori trajton terrorin masiv në periudhën e diktaturës në Rumani. Kurse Arian Leka duke folur për Portin e Durrësit shkruan se një kohë që Shqipëria qe izoluar nga e gjithë bota ky port u kthye në një lloj Ministrie të Jashtme përmes të cilit banorët e qytetit komunikonin me botën që e kishin të ndaluar ta shihinin dhe ta vizitonin.
Multikulturore dhe multietnike
Matteo Mandala
Matteo Mandala
Nën kujdesin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë prof. Matteo Mandalá, vetë arbëresh, foli për arbëreshët në Itali, gjuhën dhe kulturën e tyre dhe marrëdhëniet me popujt e tjerë të Italisë dhe të Mesdheut, si pjesë e shoqërive multikulturore dhe multietnike.
Përvoja e emigrantëve që jetojnë mes dy a më shumë gjuhësh dhe botësh ishte pjesë e panelit "Evropa Juglindore shumëzërashe, Zvicra shumëzërashe." Në të diskutuan dy autorë me prejardhje nga Ballkani, por që jetojnë dhe krijojnë në Zvicër: liriku nga Kosova Shqip Beqiri dhe tregimtari dhe dramaturgu nga Rumania Eugene Meiltz. Beqiri shkruan në shqip, kurse Meiltz shkruan në frëngjisht.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...