Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/08/19

Letër nga Tirana








Skënderbeut,po i zënë pluhur tirqet
dhe mbi shpatë nuk i ulet më asnjë pëllumb
një re pluhuri ka pushtuar qendrën
duke shpërndarë një ngjyrë të plumbtë

Ca re që  nuk sjellin shi, gjëmojnë diku larg
Pallati i kulturës ngjan si  sarkofag
i rrjepur nga pllakat,nga të gjitha anët
por si një e përgjumur zhgabë

Një sahat që pret shumë pak vizitorë
s’mund të masë dot kohën që vrapon
në libraritë  shiten histori me diktatorë,
“Kurban” dhe “Shqipëria” që po ndryshon.

Sheshi i madh ,tashmë është zhdukur
është fshehur mes pemëve tinës
për të na u shfaqur nga lart në ajër
si reklamë gjigante e firmës “Lines”

Si shitës ambulantë vërvitet njerëzia
për të shitur “ ide”  si plaçka të vjetra
të përunjur, pëllumba i gjen dita
preh e lehtë për skifterët me kthetra

Për t’i mbledhur  të gjithë tok
për të brohoritur me rrofsh dhe aman
 me zërat e ngjirur nga ekstaza
për politikën veten  ta bëjnë kurban.


Tiranë 20.11.2011









Letër nga Londra



Nen mjegullen e ngrire, 
ne terr te pabuje, silueta navigojne,
drejt udhes se hekurt, krahet shtrire,
te djelen, akoma pa drite, sklleverit marshojne.

Te prere, te lodhur e te pagjume,
perzjere me pijanec e qen ne nje turme,
te mbeshtjelle, kokeulur shkojne ne pune,
sikur shpresen jua ka marre dikush me dhune.

Dhe shtyhen, peshtyhen e shahen nen buze,
te lidhur nga fati me te hekurtin "terkuze",
nje rruge, nje linje, nje klase poliglote,
nje shoqerie shfrytezuese, te njeten enderr idiote!!





Letër (e vjetër) nga Napoli

I ulur buze detit,rri i menduar,
pranë detit qe na ka ndarè.
i mbushur me mall,si i hutuar,
mendoj,sa kohe u bene pa parè

Ne dore kam një shishe,
ne gjoks një zemër thyer,
dua te jem,pranë jush njerëz qe ju kam dashur,
madje,dhe pranë atyre qe dikur kam urryer

Ne çdo gllënjke kërkoj lehtësimin,
(lehtësi që s’më dhanë as lotët,qe tashme janë tharè)
ulëras si i çmendur për te shfryre hidhërimin,
mendoj,sa kohe u bene .......pa parè??

---------------------edi---------napoli.....korrik '93

Nga Eduard Rustemi



Letër nga Tirana tjetër

Përse të flas?
E ç’mund t’i shtoj më tepër
Letrës tënde bardhë e zi.
Tirana ime është e njëjta,
Siç the një javë më parë dhe ti.

Asgjë nuk ka ndryshuar,
Madje hiç!
Sahati prapë pa vizitorë mbet,
Dhe Skënderbeu është tretur,
Në shpatë nuk i qëndron më asnjë shpend.

Unë jam i njëjti, ç’të të them më tepër?
Ti po i njëjti, dhe kjo s’do shumë mend,
Monotonia nuk po gjen dikë tjetër,
Ka kapur seriozisht këtë bythë vend

Nga Ardit Rada


Letër nga Berati



Qyteti, ngjyrat e tij, rrugët, kalldrëmet treten dhe ndiej se turma,

ajo pjesë e rrezikshmërisë sonë të përditshme,

shuhet në misterin e kohës, këtij gjykatësi të rreptë,

që garanton humbjen tonë (njerëzore),
duke përjashtuar ata që besojnë,
veprojnë mirë dhe e porosisin njëri-tjetrin
në vërtetësi dhe në durueshmëri.
Unë dhe qyteti jemi antipod të njëri-tjetrit:
ai ndëshkimi im dhe unë molepsja e tij.
Rrugët dhe trotuaret më bëjnë të ndihem një mjeran i nëmur. 
Agu i agimit, me diellin që shndërrin përmbi re
e madhështinë e tij që shtrin krahët përmbi qytet, më tmerron.
Bulevardi së bashku me ata vdekatarët e rëndomtë (njerëzit?!)
që parakalojnë përmbi të, si të ishte një karantinë,
si ajo e “Verbërisë”, më bën të ndihem një kufomë e gjallë,
një ndyrësirë e çrregullt dhe e dështuar e qytetit.
Mu shpif ajo pjesë e qytetarisë (sikur qytetaria të mos kishte asfare lidhjeje me qytetërimin!!!),
që jeton si sekt i molepsur dhe i mbyllur brenda vetvetes,
ku mund të depërtosh, aq sa mund të futet deveja në vrimën e gjilpërës,
sa më bën t’ia mbath një sahat e më parë prej qytetit.
Të gjithë ata profesorë, doktorë, avokatë,
 gazetarë, poetë, shkrimtarë, bankierë, e lloj-lloj dështakësh,
më bën të mendoj se qyteti është i mjerë si unë,
duke më ftilluar se ai, Odin Monvalseni i shkretë,
 e kishte bajagi mirë, kur pretendonte se ishte danez.
Ideja se shkaku i trishtimit tim është qyteti,
 për një çast rrokapjekthi më hedh tej një ëndrre naive.
I mvesh qytetit atë petk
kur ai ishte “vetvetja” (nëse ka qenë ndonjëherë i tillë!),
 fundshekulli XVIII dhe fillimshekulli XIX,
garat e poezisë buzë lumit, Nezimi, Naibi, Kurt Pasha,
Vrionasit, e deri tek Buharaja, mbiemri i të cilit,
sipas një gojëdhëne, vjen prej persishtes që flitej aq bukur në fisin e tij,
porsi në Buharanë e dikurshme,
dëshira për njohje të të cilit edhe sot e kësaj dite
më shpërfaqet si një dëshirë subkoshiente.
Në këtë qytet kurrë nuk mund të jesh vetja,
 ngase përherë e sheh veten të vetmuar,
 të mbushur përplot me mendime, sa ndonjëherë ajo të duket
 si “rasti Shreber” i Cannetit,
një donkishot modern, i pafuqishëm dhe i përjetshëm,
duke e kuptuar se ky qytet ka dobësi për njerëz si ty.

Nga Namir Lapardhaja


Letër nga Forlì


Ja dhe unë po ju shkruaj
si te tjerë nga vend i huaj
te me ndjeni, me "te dashur" s'kam filluar
po shpejt jam nxituar
e para se te harroj 
nga Forlì, një dite te mire ju uroj
Mu këtu afër ne një fshat
lindi dikur një Duce i zi
e për kontrast politikisht
ne zemër te se kuqes Romanje 
siç njihet zakonisht
zi e kuq , kuq e zi 
here me zë , here pa te 
bëjnë dhe këtu histori

e ç’t’u them ne këtë dite te ftohte
nga ky vend kuq e zi
thonë gazetat neper rruge
vjedhjet shtohen për çdo dite
e i pari i qytetit, ndihme 
i ka kërkuar deri ministrisë
thonë një tharje po kanoset
Krishtlindjet pa ujë , do djallosen
po për mua s’është e re...
atje ne token e kastrioteve
qe nga bollëku i krojeve emrin ka
me pagure ne krahë dikur
lëvizjen e "legenit" e kam provu

hej dreq si për habi 
dhe Kastrioti është kuq e zi
por e kuqja po vegohet
nga tym-gëlqerja vetëm zi projektohet
nejse se kjo është gjë me vete
e ky "rrjeti" sot m'kujton
veç një , një Mëvetesim
qe dikur shpalli një popull trim
trim ne trup e trim ne mendje
trima t'tillë sot kërkojmë me endje.

Nga Ardiana Vogli

Letër nga Mirdita






Kto malet qe po me rrethojnë

Nga Emiljan Tokrri



Letër bukurisë nga nata e "bardhë” e Tiranës







Bukuri, kjo natë s’është e denjë,

e bardha gënjen, s’janë ato ngjyra,
por ca manekyra, prerë si nën shi,
që rrugët e Tiranës i veshin me gri.

Gjithë nata e natës, duket shkretëtirë,
këmbët sa u lodhën, hapa kundërshtuar,
nuk kthehen dot, kur s’kishin për të shkuar.
mendje e shkalluar, bardhësi e pashtruar.

Bukuri, kish vetëm re të hirta, ca gjoja petrita,
që thonë e përsërisin fraza delikate,
dhe fundosen hidhur në detin e zhgënjimit,
duke pirë në mjegull gotën e bardhë të mashtrimit.

Nga Isidor Koti




Letër nga Tirana



Turma te shkujdesura si milingonat para shiut
si pëllumbat qe presin thërrime
te hallakatura e zgjidhur si tespihet
njerëz mbathur me çizme te pluhurosura ne vere ne dimër çizme balte
ajër pa oksigjen thithin mushkëritë e bukosura
asfalti si rërë shkretëtire qe shpirtin kall
dëgjohet një këngë diku ne mëhallë
një zë këndon te mbaje lumturinë gjalle

Nga Bilbil Beqiri

Paragjykimet antishqiptare



Një anekdotë historike e viteve 20’ rrëfen se kur imzot Noli ndodhej në Gjenevë në krye të delegacionit shqiptar për të mbrojtur hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në bashkëbisedimet që kishte me një delegat francez, vazhdimisht shikonte mbrapa. Një moment diplomati francez e ndërpret bisedën dhe e pyet nëse e shqetësonte diçka. Im zot Noli iu përgjigj “ jam duke parë se mos më bie bishti që ju thoni se kanë shqiptarët” Diplomati francez i cili kish rënë preh e propagandës serbe të viteve 20’ u skuq dhe nuk foli.
Nuk e di sesa e vërtetë mund të jetë kjo anekdotë apo ndoshta ajo mund të jetë dhe shprehje e komplekseve që ka çdo komb në Ballkan për të mburrur udhëheqësit e tyre, por është e vërtetë se në fundin e shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX ka pasur një literaturë propaganduese negative ndaj shqiptarëve.
Shprehja “literaturë propaganduese negative” në fakt është e butë për ta emërtuar pasi ajo në fakt ka qenë një literaturë raciste e cila përpiqej ti nxirrte shqiptarët si njerëz të paqytetëruar, preh të zakoneve ataviste të gjakmarrjes dhe akoma më tepër të pazhvilluar si racë njerëzore deri dhe me bisht. Edhe pse Shqipëria ishte vizituar nga një sërë udhëtarësh evropianë qysh në fillimet e shekullit të XIX, të cilët nuk kishin ngurruar të shkruanin mirë për mikpritjen dhe karakteristikat e shqiptarëve, prapëseprapë literatura propaganduese shoviniste vendeve fqinje fitoi një terren të fortë dhe pak a shumë ndikoi në lënien jashtë trojeve etnike shqiptare si në Konferencën e Londrës më 1913 ashtu dhe në atë të paqes në Paris më 1920. Perceptimi negativ i tjetrit që Edward W. Said analizon në sprovën e vet “Orientalizmi” për mendimin politiko-shoqëror të Perëndimit ndaj Lindjes, ka simotrën e vet në Ballkan ku qysh nga dalja publike e platformave nacionaliste shoviniste të popujve fqinjë, Nacertania dhe Megali Idea është ndërtuar një mal i tërë paragjykues ndaj shqiptarëve.
Dy janë shtyllat në të cilat është ndërtuar i gjithë ky tomos anti-shqiptar. Së pari duke iu referuar besimit fetar të shqiptarëve, që në shumicë i përket atij mysliman, fqinjët janë përpjekur t’i pasqyrojnë shqiptarët si jo evropianë, por si popull i ardhur në Ballkan në shekullin XVII dhe aq më tepër me origjinë turke. Së dyti duke iu referuar mos ndërtimit të një formacioni të madh shtetëror në mesjetë ashtu si serbët me perandorinë e tyre të Stefan Dushanit apo grekët me ndërtimin e pretenduar të Bizantit, shqiptarët janë paragjykuar si popull me elementë të dobët vetëqeverisës. Për pasojë shqiptarët më tepër sesa elementë të së drejtës shtetërore kanë ushtruar të drejtat kanunore arkaike të gjakmarrjes dhe të rregullimit të gjërave brenda bashkësisë me kodin e fjalës së dhënë-besës. Shkencat sociale dhe antropologjia iu ka dhënë përgjigje me kohë këtyre argumenteve paradoksalë duke nënvizuar faktin se shqiptarët janë autoktonë dhe jo të ardhur në Ballkan, se para se të jenë në shumicë myslimanë, shqiptarët kanë qenë të krishterë dhe se formimi i shteteve të tyre nacionalë më parë sesa shqiptarët nuk i atribuohet ndonjë vetie të “jashtëzakonshme” shtetformuese të grekëve dhe serbëve por lëvizjes evropiane të Filo-Helenizmit dhe qenia në kufi të konfliktit austro-turk që krijuan shanset për mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, mbështetje të cilën shqiptarët nuk e kishin pasur kur ishin në qendër të ciklonit të fuqisë turke me ‘Motin e Madh” të tyre në shekullin e XV.
Influencat negative të këtyre paragjykimeve nuk mënojnë të reflektojnë dhe në vepra serioze të albanologëve siç është vepra e fundit e Oliver Shmid për Skënderbeun, ku gjithë aksionin e heroit tonë kombëtar e mbështet në motivin e gjakmarrjes apo vepra tjetër “ Gjysmëhëna dhe Shqiponja” e autorit George Gawrych i cili gjithë zgjimin kombëtar shqiptar të shekullit XIX e mbështet në motivin e besës dhe simbolit të saj. Mesa duket Shqipëria si sekreti i fundit në Evropë nuk është ekzotik vetëm për turistët e thjeshtë evropianë por dhe për albanologë të rinj që e zbulojnë rishtazi Shqipërinë.Nga mesi i shekullit të kaluar një shtyllë e tretë i është bashkëngjitur ndërtimit të perceptimit paragjykues ndaj shqiptarëve, ndërsa dy të tjerat po zhvlerësohen gjithmonë e më tepër nga koha. Të gjitha lëvizjet kombëtare të shqiptarëve përpiqen të njollosen si lëvizje terroriste apo mafioze për krijimin e territoreve fitimprurëse për grupe kriminale sesa lëvizje për liri ndaj shtypjes dhe represionit të pashembullt të popujve fqinjë ndaj popullatës shqiptare që padrejtësisht u është dhënë brenda shteteve të tyre. Në këtë sens deklaratat e ish-prokurores së përgjithshme Karla Del Ponte për trafikun e hamendësuar të organeve nga ana e UÇK-së nuk duhet të çudisin njeri, pasi para se ato të pasqyrojnë një realitet mbartin një paragjykim të dëgjuar shpesh herë nga kuzhina milloshiveçiane gjatë bombardimeve në Kosovë. Ato dashje pa dashje bëhen pjesë e një strategjie të njohur që zënë fill qysh në mesin e shekullit XX në historiografinë e vendeve fqinjë. Kështu p.sh. pjesëmarrja në koalicionin antifashist gjatë luftës së dytë botërore gjithmonë vihet në dyshim nga fqinjët duke u fabrikuar dhe historia të dyshimta rreth rolit të shqiptarëve në të. Megjithëse territoret e pushtuara italiane në Ish-Jugosllavi ishin nga zonat më liberale të pushtimit ku nuk pati dhe spastrime në masë madje as të hebrenjve, historiografia jugosllave për më tepër se gjysmëshekulli i mëshonte faktit se shpërngulja e disa familjeve të kolonëve serbë gjatë viteve 41-44 të cilët ishin ngulur në Kosovë në vitet 30’ si pasojë e planit famëkeq të Vasa Çubrilloviqit, ishte një spastrim etnik i ndërmarrë nga shqiptarët dhe që ka ndikuar në balancën e etnive në Kosovë. Po kështu së bashku me historiografinë greke vazhdojnë akoma përpjekjet që veprimet e shtetit kuisling shqiptar të periudhës së Luftës së Dytë Botërore të pasqyrohen si veprime konsekuente të nacionalizmit ekstrem shqiptar , ndërkohë që Shqipëria legjitime politike kish pushuar së ekzistuari që në 7 Prill 1939.
Gjithsesi në këtë çorbë ballkanike të nacionalizmave që e kanë çuar Ballkanin tre herë në luftë të bën përshtypje situata letargjike e shtetit e shoqërisë shqiptare. Këmbëngulja e vazhdueshme e disa ndërkombëtarëve për të hetuar rreth të ashtuquajturit trafik të organeve ngjan më tepër si një “fiction” i huazuar nga literatura antishqiptare serbe e shekullit XIX-XX sesa i përgjigjet një realiteti të vërtetë. Por as shteti shqiptar as shoqëria shqiptare nuk ka kurajën ta thotë këtë gjë dhe për më tepër të shtrojë për zgjidhje gjetjen e varrezave masive të shqiptarëve, vrasjet , përdhunimet dënimin moral të xhelatëve dhe mospërbaltjen e kauzave të lirisë së tyre siç ka qenë lufta në Kosovë e U.Ç.K-së. “I fjeturi me të vdekurin janë njëlloj” thotë një fjalë e urtë shqiptare dhe përderisa jemi zgjuar diku aty rreth viteve 70’ të shekullit të XIX nuk na lejohet më as të dremisim as një çast pasi shumë kohë kemi humbur nga gjumi i gjatë 500 vjeçar.

Rënia e Konstandinopojës dhe triumfi i pashallarëve arb

Dorian Koçi

Në 29 maj të kalendarit Julian 1453, Kostandinopoja ra ne duart e otomaneve, një ngjarje qe pati një ndikim absolutisht te madh në ekulibrin e forcave në Mesjetë e qe influencoi ne historinë e Mesdheut. Për herë të parë Mesdheu, që pas daljes së arabëve aty në shekullin e VII që e kishin ndarë atë më dysh në Mesdheun verior dhe atë jugor, ndarje që përfaqësonin dhe dy qytetërime të ndryshme të ndërtuara mbi bërthama fetare të Krishtërimit dhe Islamit, si vëren me të drejtë Anri Piren, ndryshon sërish balanca politike, ekomomike dhe kulturore ku dalë nga dalë me pushtimin e arkipelagut grek dhe inkursioneve barbareske nga ana e Algjerit e Marokut drejt brigjeve evropiane, ai kthehet në një liqen otoman, burim pasigurie për tregtinë dhe jetën e banorëve të brigjeve evropiane. Në vitin 1453, një pjesë e madhe e territorit shqiptar administrohej nga Skënderbeu dhe princa të pavarur shqiptarë që po shijonin frytet e një aleance e traktati miqësie me Alfonsin e Aragonës që pas fitores së tyre të madhe mbrojtjen e Krujës më 1450, një prej kështjellave më të rëndësishme të qendresës evropiane. Rënia e Konstandinopojës , një nga qendrave më të rëndësishme të pushtetit botëror me perandorët e të cilës shpesh herë kishin lidhur dhe gjenalogjitë e tyre si Muzakajt dhe Aranitët, i tronditi jo pak, pasi tashmë rruga e osmanëve drejt Evropës ishte e hapur dhe asgjë nuk mund ti ndalte.
Por jo të gjithë shqiptarët mendonin kështu. Një pjesë e tyre që qenë rekrutuar ashtu si dhe vet Skënderbeu në sistemin e devshirmesë të jenicërëve të famshëm dhe që shërbenin ende në trupat e Sulltan Mehmetit II, ne mënyre te pandërgjegjshme po kryenin detyrën ushtarake dhe në bazë të së drejtës islamike prisnin të merrnin shpërblimin nga pushtimi i tokave të reja. Një njëriu te thjeshte nga korpusi i jenicerëve, nga Badera e Matit, i buzëqeshi fati sepse ishte nga të parët qe u ngjit ne mure e nguli aty, flamurin osman. Për këtë arsye ai u gradua pasha dhe hyri ne historinë e otomaneve dhe te Shqipërisë me emrin Ballaban Pashe Badera. Historia e mëvonshme e tij është e njohur se çfarë përfaqëson, ç’përpjekje bën dhe sesi përfundon por ajo që na intereson më tepër në historinë e tij është mënyra e gradimit nga jeniçer i thjeshtë në pasha. Ky sistem gradimi, për një popullsi vitale e luftarake si shqiptarët, rezultoi te ishte fatale për historinë politike te tyre, pasi nisi të shërbente si pol i mirë tërheqje për të bërë karrierë të shpejtë qoftë dhe mbi gjak, vuajtje dhe kufoma të të tjerëve. Edhe më parë këtë cilësi të shquar të tyre e kishin shfrytëzuar latinët duke i tërhequr në perandorinë e pamasë të tyre por për shkak se dy brigjet e Adriatikut kishin provuar shpesh herë emigrime dhe migrime të ndryshme mdis popullsive nga të dy anët e Adriatikut, qytetërimet që ishin krijuar në të dy brigjet e këtij deti kishin qenë të ngjashëm. Marrëdhëniet reciproke kishin vazhduar dhe tashmë , qytetërimet e gjuhëve vernakulare që po dilnn si bija të latineshtes nga pikëpamja kulturore kishin marrë udhë. Kjo ishte dhe një nga arsyet që ky pushtim i ri, i huaj , krejt i ndryshëm nga bota kulturore e shpirtërore i krijuar deri më tash po përjetohej si një tragjedi. Mbi të gjitha me të drejtën kanunore të tij të bazuar në Sherihat, kulturën dhe dominancën e më të fortit po krijonte një kulturë të re, krejt të kundërt nga më e mëparshmja. Ndoshta qe atëherë u rrënjos shprehja se këtë post/grade e kam marre me gjak dhe konsiderata qe postet e larta arrihen vetëm me meritokracinë e dhunës i largoi shqiptarët nga loget e burrave që i përngjanin agorave dhe forumeve të vjetra antike ku diskutoheshin e debatoheshin idetë para se të merrnin vendime të rëndësishme dhe i shtyu të bënin famë e pasuri përmes plaçkitjes e dhunës së territoreve të reja, që pushtonin në betejat e pafund në emër të Perandorisë Otomane. Kjo kulturë politike na kushtoi shumë sepse në shekuj nuk arritëm ndonjëherë të mendojmë për qenësinë tonë dhe prosperitetin përtej një beteje plaçkitëse dhe rezultati ishte fatal, sepse kur të tjerët krijuan identetet e tyre kombëtare dhe mbi bazën e tyre shtetet kombëtare, ne akoma përpëliteshim në beteja identitare për zgjedhur mes Lindjes e Perëndimit. Sot pas gjashtë shekujsh e gjysëm nga kjo ngjarje , Shqipëria e ka zgjidhur këtë dilemë por sërish vendi mbete një territor ku frynë shumë erëra dhe korrente nga Lindja e Perëndimi, dhe shqiptarët duhet vazhdimisht të kujtojnë vargjet e Poetit të tyre kombëtar, Naim Frashërit që këndonte në fund të shekullit të XIX “O dritë e bekuar që lind andej nga perëndon....

Prapaskenat e një vrasje politike

Në datën 13 gusht 1933 agjencitë telegrafike të Ballkanit përcollën lajmin se në Selanik ishte qëlluar për vdekje ish Kryeministri i Shqipërisë dhe politikani kosovar, Hasan Prishtina. Lajmi ashtu si pritej shkaktoi pështjellim në gjithë kancelaritë e Ballkanit, por reagimi më i madh natyrisht ishte nga opinioni publik shqiptar këndej e andej kufirit. Vrasja e patriotit Hasan Bej Prishtinës në Selanik të Greqisë nga një emigrant pothuajse i panjohur Ibrahim Çelo jo vetëm që tronditi gjithë opinionin mbarëshqiptar por dhe hodhi hije të forta dyshimi mbi autorësinë e vërtetë apo urdhëruesin e kësaj vrasje, vetë Naltëmadhëninë e tij Ahmet Zogu. Ky dyshim vinte jo sepse autori Ibrahim Çelo deklaroi një gjë të tillë në organet e policisë greke por sepse mënyra dhe ekzekutimi i vrasjes ishte pothuajse i njëjtë si vrasja e Gurakuqit. Atentatori ashtu si dhe në rastin e Gurakuqit ishte një i njohur i vjetër i viktimës dhe të dy martirët e lirisë shqiptare kanë rënë viktima të pabesisë së vrasësve. Gazeta greke “Të reja nga Maqedonia” përshkruan momentet e vrasjes së patriotit Hasan Prishtina si më poshtë: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markes ’’SMITH’’ dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Si kuptohet dhe nga përshkrimi i gazetës ajo duket që ishte një vrasje e porositur, pasi vrasësi në mënyrë makabre nuk ndalet as kur viktima ishte i rënë përdhe por e qëllon për tu siguruar në kokë. Mirëpo ajo që i përforcon më shumë bindjet se Hasan Prishtina ka rënë viktimë e ambicieve të Mbretit Zog për të përforcuar pozitat e tij sunduese janë rrethanat ndërkombëtare dhe koha kur u realizua vrasja.
Hasan Prishtina, një nga krijuesit e Pavarësisë së Shqipërisë, udhëheqësit të kryengritjes së viseve shqiptare në vitin 1913 kundër pushtimit të tyre nga ushtria serbe, restauruesit të pavarësisë shqiptare në 1920 dhe kryeministrit të një qeverie shqiptare në 1922 ishte një nga përkrahësit më të flaktë të përfshirjes së Shqipërisë në problemin kosovar dhe realizimit të një politike më aktive të Shqipërisë për të realizuar bashkimin kombëtar. Mirëpo këto dëshira dhe plane të tij binin ndesh me dëshirat dhe synimet e një grupi më të vogël deputetësh dhe politikanësh që kryesisht vinin nga radha e ish nëpunësve të Perandorisë Otomane ku ndjenja nacionale nuk kish zënë vend njëlloj si te grupi i nacionalistëve ku Prishtina ishte një nga themeluesit e kësaj rryme që në vitin 1910. Mes këtij grupi politikanësh me vizion të ngushtë kombëtar dhe të interesuar vetëm për të përforcuar pushtetin e vet lokal që e shikonin të ushtruar vetëm brenda kufijve të Shqipërisë shquante Ahmet Bej Zogolli, përfaqësuesi i një familje lokale fisnike shqiptare që nuk kish shkëlqyer shumë në karrierën perandorake si familjet e tjera të mëdha shqiptare si Vlorajt, Vrionasit, Bushatllinjtë, Libohovajt etj. Ahmet Zogolli i zgjedhur për herë të parë kryeministër në vitin 1922 do të deklaronte nga tribuna e parlamentit shqiptar se “shteti shqiptar është i vogël dhe politika jonë duhet të jetë e qartë, e sinqertë dhe pa iluzione të cilat mund të na dëmtojnë shumë”(me fjalën iluzione nënkupto përkrahjen e kauzës për tu bashkuar me Shqipërinë të territoreve shqiptare të mbetura jashtë kufijve.)
Problemi i përkrahjes së popullsive shqiptare të lëna jashtë kufijve apo lënies së tyre në fatin e vet ishte një problem që ndante shumë politikanë kosovarë aktivë në jetën politike të Shqipërisë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kadri Hoxha etj nga pjesë e politikanëve shqiptarë që dëshironin të konsolidonin në radhë të parë pushtetin e tyre në Shqipëri, qoftë dhe përmes aleancave me fqinjët. Kjo mospërputhje e madhe për idenë kombëtare dhe mënyrën e ndërtimit të kufijve të shtetit shqiptar i kish detyruar që më herët, në vitin 1918, politikanët kosovarë të themelonin “Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës”. Në komitet përveçse politikanëve kosovarë merrnin pjesë dhe shumë patriotë të tjerë shqiptarë, kryesisht politikanë të opozitës shqiptare që si përfaqësues të shtresës së mesme dhe intelektuale kishin një vizion më të qartë të idesë kombëtare. Një pjesë e madhe e tyre u larguan jashtë atdheut pas rikthimit të Zogut më dhjetor 1924 dhe përbënë për një kohë të gjatë emigracionin aktiv antizogist dhe alternativën tjetër qeverisëse në rast të ndërrimit të pushtetit në Shqipëri. Të organizuar në organizata të ndryshme politike sipas bindjeve të tyre, ata nuk përbënin ndonjë rrezik të madh për Zogun, por në momentet kur për shkak të konjukturave politike në Ballkan ata fitonin përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe ktheheshin në një rrezik potencial për regjimin zogist. Kjo ishte dhe një nga arsyet që Zogu herë pas here mundohej të godiste politikisht cilindo nga këto grupe emigracioni,për të siguruar pozitat e veta në Shqipëri por dhe për të dhënë mesazhin e duhur Italisë, si të vetmes fuqi të madhe që i ishte dhënë përparësi në Shqipëri se ai ishte i vetmi partner që duhej të merrej në konsideratë. Mirëpo gjërat filluan të ndryshojnë aty rreth viteve 1931-1932 kur u kuptua se shteti shqiptar nuk kishte aftësitë e duhura financiare për të paguar kreditë e marra nga italianët që me nënshkrimin e paktit të vitit 1926. Në këto kushte italianët filluan të bënin presion ndaj Zogut duke i avancuar kërkesat rreth prezencës së tyre në Shqipëri. Kështu, në këmbim të shtyrjes së kthimit të interesave të kredisë ata kërkuan që në krye të xhandarmërisë shqiptare të vendoseshin oficerë italianë, dhe ti jepesh mbretërisë italiane monopoli i sheqerit, telegrafit dhe elektrikut . Si mund të kuptohet lehtë nga këto kërkesa politika italiane kërkonte që të vinte nën një diktat akoma më të rëndë mbretërinë shqiptare dhe të shtronte rrugën për pushtimin e mëvonshëm të Shqipërisë. Këto kërkesa që çonin në pakësimin e sovranitetit të Shqipërisë, natyrshëm e shtynë mbretin Zog që t’iu kundërvihet dhe të përpiqej të hartonte një politikë të re të jashtme.
Vitet 1931-1935 sipas Prof Paskal Milos janë vitet kur Zogu përpiqet të luajë një politikë të pavarur të jashtme dhe për këtë gjë tenton afrimin politik dhe me fuqi të tjera të mëdha dhe me shtetet e tjera në Ballkan. Si zakonisht, në raste të tilla kthesash politike trokitet tek miqtë e vjetër që në rastin e Zogut, ishte mbretëria serbo-kroate-sllovene. Në këto kohë po bëheshin përgatitje për Paktin Ballkanik dhe Zogu dëshironte ti bashkëngjitej kësaj iniciative. Në themel të këtij pakti ishte rregullimi i marrëdhënieve diplomatike dhe shuarja e kontradiktave për kufijtë midis shteteve ballkanike, gjë që në fakt shkonte në kundërshtim me politikën italiane që dëshironte të mbante ndezur vatra konflikti për ta pasur më të lehtë ndërhyrjen në Ballkan. Për ketë arsye ata sponsorizonin dhe përkrahnin çdo lëvizje që nga ta konsiderohej si irredentiste por në thelb ishin lëvizje-protesta ndaj padrejtësive që u ishin bërë popullsive në Ballkan, për të krijuar Serbinë e Madhe, Greqinë e Madhe dhe Bullgarinë e Madhe. Mes këtyre lëvizjeve që nga viti 1925,të patriotëve kroatë, sllovenë dhe maqedonas ,të gjithë përfaqësues të popullsive që vuanin nga shovinizmi serb, diplomacia italiane ishte në kontakt dhe me eksponentë të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe Hasan Prishtinën si një nga udhëheqësit e këtij komiteti. Hasan Prishtina kishte zgjedhur për të jetuar në Selanik si një qytet ku ai kish mbaruar studimet e shkollës së mesme por dhe sepse ishte afër Shqipërisë dhe Kosovës nga ku mund të vazhdonte të influenconte në jetën politike të vendit. Duke qenë se ai vinte nga një familje e pasur , kishte blerë një shtëpi në një nga lagjet e pasura të Selanikut dhe një pjesë të pasurisë së tij e përdorte për të sponsorizuar të rinj kosovarë që dëshironin të shkolloheshin. Në fakt në momentet e vrasjes së tij, ish kryeministri i Shqipërisë. nuk paraqiste ndonjë rrezik të madh për Zogun që e kish konsoliduar pushtetin e tij tashmë në Tiranë, por si mbështetës i idesë për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë përbënte rrezik për mbretërinë jugosllave. Në këto vite në bisedimet që Zogu filloi me jugosllavët për të fituar mbështetje diplomatike ndaj Italisë, u fol dhe për një kredi jugosllave që do i lëvrohej për të mos qenë më i varur financiarisht nga italianët. Zogu, si një feudal tipik intrigant edhe pse e dinte se lëvizja e vitit 1932 kundër tij kish qenë e organizuar nga legata jugosllave në Vlorë, nuk e kishte për gjë të hynte në marrëdhënie me ta, me kusht që ti shtynte ditët mbretërimit të tij që nga lakmia që kish pasur për para dhe pushtet e kish dënuar me vdekje me paktet e Tiranës të nënshkruar me italianët në mesin e viteve 20. Koha dhe mënyra sesi u procedua të shtyn të mendosh se vrasja dhe eliminimi fizik i patriotit Hasan Prishtina i datës 13 gusht 1933 ka qenë një pjesë e marrëveshjes dhe besnikërisë që Zogu po u tregonte jugosllavëve për ta pasur dhe më të lehtë aderimin në Paktin Ballkanik. Pakti Ballkanik po ndërtohej me insistimin diplomatik të Francës, e cila kishte si shtet të përkëledhur të saj në Ballkan , mbretërinë jugosllave dhe Zogu e kuptonte se për të fituar simpatinë e fuqive të tjera evropiane rruga i kalonte nga Beogradi. Si një bashkëpunëtor i vjetër i tyre Zogu i njihte mirë dëshirat dhe kushtet e afrimit me ta, ndaj dhe Zogizmi si rrymë mendimi që mbizotëroi në Shqipëri pavarësisht një shashke propagandistike të vitit 1928 kur Zogu u shpall mbret i shqiptarëve dhe ky përcaktim solli një notë proteste nga ana e Beogradit, në përgjithësi insistoi që kombi shqiptar shtrihej vetëm brenda mbretërisë shqiptare dhe nuk shkaktoi ndonjë rrezik diplomatik për mbretërinë jugosllave.
Kështu ish kryeministri i Shqipërisë dhe burri i shtetit shqiptar Hasan Prishtina u zgjodh për tu bërë kurban një kombinacioni politik të dështuar që në fillim, pasi loja që dëshironte të luante Zogu nuk mund të kishte sukses pas nënshtrimit total prej gati 8 vjetësh që ai kish bërë ndaj Italisë fashiste. Për më tepër ky kombinacion politik nuk u shkonte për shtat shqiptarëve në atë kohë pasi çimentonte ndryshimet territoriale që ishin bërë me pa të drejtë mbi kurrizin e popullsisë shqiptar në rajon dhe e varroste për së gjalli ëndrrën e bashkimit të tyre kombëtar. Qëllimet e vërteta të vrasjes së Hasan Prishtinës kuptohen tërthorazi dhe nga deponimet e vrasësit Ibrahim Çelo në policinë greke ku sipas gazetës “Të reja nga Maqedonia” ai deklaroi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaromaqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë antetatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjet ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogun. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajne tradhëtar. Pra si mund të kuptohet lehtë Hasan Prishtina prishte gjumin e monarkisë jugosllave prandaj u përzgjodh për tu vrarë në afrimin politik të radhës të Zogut me serbët, por si zakonisht për ti dhënë më tepër besueshmëri aktit u deklarua se ai planifikonte dhe vrasjen e mbretit Zog nëpërmjet një tregtari frutash që banonte në Nicë të Francës! Ironi më të madhe nuk mund të kishte dhe regjimi zogist sado që mundohej të justifikohej se s’kishte gisht në këtë punë, për gjithë opinionin publik ishte e qartë se po shënonte vrasjen politike të radhës.
Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë nuk mund të shmangin nderimet dhe homazhet që meriton figura e Hasan Prishtinës si hartuesit të planit të kryengritësve shqiptarë prej 14 pikash në gusht të vitit 1912 për pavarësinë e Shqipërisë, ish kryeministër dhe burrë shteti shqiptar por në të njëjtën kohë këtyre homazheve dhe nderimeve nuk mund ti bëhen në të njëjtën kohë një figure të errët si Ahmed Zogolli pasi historigrafia akoma vazhdon të jetë e ngarkuar emocionalisht dhe nuk e ka thënë përfundimisht fjalën e vet. Deri atëherë shteti shqiptar mund të bëjë diçka më të mirë, të ndërtojë një monument të Hasan Prishtinës në Tiranë dhe përpiqet që ti kthehet prona nga shteti grek pasardhësve të Hasan Prishtinës pasi kështu të paktën i kthejmë një borxh moral sado të vogël, këtij burri të madh shteti.


Burime

Akademia e Shkencave të Shqipërisë:Historia e Shqipërisë,Vëllimi 2, grup autorësh.Toena, Tiranë:2002
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit: Hasan Prishtina (Përmbledhje dokumentesh 1908- 1934), Tiranë, 1983.
Ferraj , Hysamedin: Skicë e mendimit politik politik shqiptar.Tiranë,2006
Fisher, Bernd : Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri,Tiranë 2006
Haxhiu, Ajet: Hasan Prishtina dhe Lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë, 1964.
Llalla, Arben. Si u vra Hasan Prishtina http://noa.al/ks/artikull.php?id=217895
Rothschild, Joseph. Europa Lindore dhe Qendrore midis dy luftërave botërore, Tiranë 2002
Skëndi, Stavro: Zgjimi kombëtar i shqiptarëve, Tiranë,2002

Çfarë ishte diktatura në Shqipëri? Dorian Koçi, Koço Danaj dhe Pëllumb Xhufi





Dorian Koçi

Historian

Proklamohet se Shqipëria ka pasur diktaturën më të ashpër në të gjithë Bllokun Lindor. Mbi çfarë kriteresh është dalë në këtë konkluzion?

Përsa i përket diktaturës në Shqipëri, ky është një përcaktim që është ndier që herët si perceptim, fillimisht nga përshtypjet dhe mbresat e atyre që mundeshin të arratiseshin gjatë sistemit monist dhe pastaj menjëherë pas ndryshimeve demokratike kur filluan të zbulohen një nga një shkallët e arkitekturës të së keqes. Disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë perceptim është lufta shumë e ashpër e klasave e zhvilluar si në asnjë vend tjetër të ish Lindjes Komuniste, luftë që shkonte në mohimin e disa të drejtave elementare të njeriut si e drejta për të votuar, arsimuar, liria fetare etj. Mbi të gjitha rasti shqiptar në këtë drejtim është i veçantë pasi përgjegjësia kërkohej kolektive, pra në të gjithë rrethin shoqëror të atij që dënohej si kundërshtar i regjimit dhe jo mbi baza personale. Ndalimi dhe nxjerrja jashtë ligjit e fesë është një faktor tjetër që ndikon në këtë drejtim pasi Shqipëria përherë të parë në botë e shkruar në kushtetutë u bë vendi i parë ateist në botë. Së fundi, shkalla e izolimit të Shqipërisë ishte nga më të lartat në botë, ku Shqipëria u bë më pak e njohur për të huajt në botë pasi kish shumë vështirësi për ta vizituar por dhe liria e lëvizjes për shqiptarët ishte minimalisht zero, çka çoi në perceptime dhe vështirësi të mëdha të qytetarëve shqiptarë kur u ballafaquan për herë të parë me Perëndimin.
Çfarë do të veçonit si veprimin me pozitiv dhe më absurd të diktaturës?

Një nga veprimet më pozitive të regjimit të kaluar ishte nxitja për t’u arsimuar dhe shtrirja e një rrjeti arsimor të konsiderueshëm në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që arsimimi ofrohej brenda të ashtuquajturit trekëndësh revolucionar “Mësim-Punë-Kalitje” por kur mendon se në vitin 1945 Shqipëria ishte në masën 90% analfabet dhe brenda një 20-vjeçari kjo shkallë analfabetizmi u ul shumë ndjeshëm, mund ta klasifikosh si një veprim pozitiv. Arsimimi i popullsisë dhe nxitja për të pasur një jetë sa më sociale krijoi premisa të mjaftueshme për të krijuar elita intelektuale që bënë të mundur tranzicionin politik në Shqipëri. Për sa i përket veprimeve më absurde besoj se është izolimi i vendit, ku qysh prej kohëve shumë më të vjetra shqiptarët s’kishin parë një ndërprerje kaq drastike me Evropën, por dhe me zhvillimet kulturore të kohës. Shqipëria në fillimet e viteve 90’ ishte po aq e panjohur sa dy shekuj më parë kur studiuesi Eduard Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807), shkruante “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës”.


A mund të themi sot se Shqipëria ka kaluar nga diktatura në një demokraci bolshevike?

Nuk besoj se kemi të bëjmë me një demokraci bolshevike pasi mendoj se janë dy terma që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Bolshevizmi, varianti i komunizmit rus e pranon hapur diktaturën e proletariatit si armë në duar të masave për të vendosur drejtësi e në këtë kontekst s’mund të ketë demokraci që mbijeton me diktaturën. Ajo që mund të vërejmë është një përshkallëzim drejt variantit Putin të demokracisë ku situata politike post komuniste është më tepër një parodi e demokracisë liberale sesa një shoqëri e hapur që aspiron për prosperitet. Promovimi i koncepteve demokratike si zgjedhjet, liritë dhe të drejtat e njeriut krijojnë premisat e një shoqërie në dukje demokratike por deformimi i tyre në një farsa elektorale i japin tonet e një shoqërie autoritariste. Askush nuk është i sigurtë nëse në Kremlinin e sotëm ka më tepër liri, duke venë në dyshim se liria dhe demokracia mund të korruptohen duke u paraqitur si fasadë e një regjimi autoritar. Këtë lloj modeli të financuar dhe nga burimet e gazit dhe energjisë si dhe nga oligarkitë e shumta që kontrollojnë tregjet financiare të Rusisë dhe Azisë Qendrore, për fat të keq ngjan shpesh herë se përpiqet të implementohet në Shqipëri nëpërmjet të njëjtave tipareve, ndaj është shumë e nevojshme që 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian që përbëjnë në thelb dhe një paketë të tipareve themelore të demokracisë liberale të bëhen pjesë e diskursit dhe vullnetit politik të politikës shqiptare për të realizuar integrimin e plotë në BE ku rreziku i shkarjes së vendit drejt autoritarizmit është shumë herë më i vogël.

Koço Danaj

Z. Danaj, si do ta përcaktonit regjimin e para viteve `90?

Në Shqipëri nuk ka pasur diktaturë. Ata që flasin për diktaturë duket se nuk e dinë kuptimin ose nuk e njohin gjendjen e Shqipërisë të asaj kohe. Pse? Sepse në diktaturë gjithmonë ka rezistencë ndaj regjimit. Në Shqipëri nuk ka pasur rezistencë. Atëherë, çfarë ka pasur? Regjimi që ka qenë në Shqipëri deri në vitin 1990 ishte totalitarizëm. Pra më shumë se diktaturë. Thelbi i totalitarizmit është frika, jo forca. Kur krishterimi u shndërrua në doktrinë politike, lindi inkuizicioni. Kur komunizmi i shndërrua në doktrinë politike, lindi totalitarizmi. Pra kemi të bëjmë me dy fe që shndërrohen në doktrina politike. E para zgjati 300 vjet, e dyta 100 vjet.
Mendoni se ka qenë udhëheqja e asaj kohe e rrezikuar në atë moment? Çfarë mendoni se janë kontributet dhe të metat e atij sistemi?

Si rregull diktaturat kanë frikë nga populli, ndërsa në kaluarën, populli jonë u armatos dhe armët i mbajti në shtëpi në kuadër të konceptit të popullit ushtar.Pra diktatura dhe diktatori siç thoni ju, ia dha popullit armët në shtëpi dhe ai nuk i përdori kundër. Është një problem që duhet analizuar. Tjetër, dekorata më e lartë në atë kohë ishte dekorata "Hero i Popullit". Në Shqipëri me këtë dekoratë, u dekoruan 134 të rënë në luftë që nga Lidhja e Prizrenit deri në vitin 1960. Nga këta, vetëm 47 ishin komunistë, të tjerët ishin komitë, bejlerë, agallarë etj. Për shembull: Abdyl Bej Frashëri, Ismail Bej Qemali, Dedë Gjo Luli, Bajram beg Curri, Luigj Gurakuqi, Sulë agë Vokshi, Sado Koshena, Selam Musai, Qerime Shote Galica. Një pjesë e atyre që u dekoruan me këtë dekoratë ishin nga Kosova, duke filluar nga Isa Beg Boletini, Hasan bej Prishtina, Hajdar beg Dushi, Xhevdet Doda, Shote Galica, Ymer bej Prizreni, etj. Ju e dini se kriteret për monumentet ishin shumë të rrepta. Lartësia e monumentit varej nga rëndësia e individit. Kthejuni pas me kujtesën tuaj. 100 metra larg monumentit të Skënderbeut ishte monumenti i Leninit dhe përballë tij ishte i Stalinit. Nëse do të hipnit Leninin mbi Stalinin dhe do t’i çonit tek monumenti i Skënderbeut, do të shikoni se koka e Leninit mbi Stalinin arrin vetëm tek bishti i kalit të Skënderbeut. Me ndryshimin e sistemit, flamurit kombëtar të regjimit totalitar të asaj kohe iu ndryshua vetëm 5 për qind të sipërfaqes, thjesht iu hoq një yll, ndërsa flamujt e të gjitha vendeve të tjera të lindjes ndryshuan nga 100 për qind deri në 70 për qind. Udhëheqja komuniste e Shqipërisë është e vetmja udhëheqje që mbajti dy pleniume për dashurinë. Këtë nuk e hasim në asnjë vend të lindjes. Regjimi i kohës së Enver Hoxhës, ishte nacional-komunist.
Mendoni se sot jetojmë në një diktaturë demokratike...

Shqipëria aktuale në thelb nuk është shtet, por një vilajet neo-otoman. Ajo më shumë se gjysmën e saj e ka jashtë kufijve të saj shtetërorë. Thelbi i vilajetit është ose totalitarizmi ose autoritarizmi. E duke qenë kështu, pas viteve 90 kemi pasur dhe kemi të bëjmë me autoritarizëm, herë brutal e herë të maskuar. Parakushti i demokracisë është shteti-komb. Sa kohë që shqiptarët nuk do të kenë atë, do të kenë ose totalitarizëm ose autoritarizëm.

Pëllumb Xhufi

Pse diktatura komuniste në Shqipëri njihet si më e forta ndër vendet e Lindjes?

Me siguri që Shqipëria ka patur diktaturën më të egër mes vendeve të Lindjes. Këtu nuk përjashtohet aspak faktori individual, pra karakteri dhe personaliteti i E. Hoxhës, i cili ishte më i ashpër se çdo diktator i Lindjes, edhe pse ishte ndër udhëheqësit komunistë më të mësuar e të edukuar të Lindjes.Vetë pasardhësi i tij, R. Alia, nuk e pati ashpërsinë e tij. Por konsideroj po aq të rëndësishëm disa faktorë objektivë, që përcaktuan komunizmin e ashpër shqiptar. Shqipëria ishte një vend homogjen nga pikëpamja etnike, por i ndarë nga pikëpamja krahinore, fetare, kulturore. Për rrjedhojë, logjika e “homogjenizimit” shoqëror e ndjekur nga regjimi komunist materializohej nëpërmjet shtypjes e sheshimit me dhunë të veçorive të tilla specifike. Gjithashtu, nuk mund të le pa përmendur edhe një lloj kulture varësie, që ishte krijuar në Shqipëri para dhe pas shpalljes së shtetit shqiptar, në 1912: historia na ofron shembuj të shumtë që provojnë se politikanë shqiptarë shpesh herë kishin lidhje të natyrave të ndryshme: materiale, kulturore, afektive apo edhe agjenturore me shtetet e huaja. Dihet tashmë, se E. Hoxha e kishte obsesion këtë “varësi të dyfishtë” të bashkëpunëtorëve të tij, shumë prej të cilëve i eliminoi pikërisht si “agjentë” e “poliagjentë” të të huajve. Më në fund mos harrojmë, që në xhepa të caktuara të shoqërisë shqiptare ishin krijuar celula historikisht të lidhura e të paguara nga shërbimet e huaja. Ky është rasti i krerëve të ndryshëm në Dibër e në Malësi, i familjeve të ndryshme në Korçë apo në Himarë, të cilat gjatë regjimit komunist u goditën edhe për këtë arsye.
A mund të veçoni arritjet dhe të metat e regjimit?

Në planin e brendshëm ishin vërtet mbresëlënëse hapat për zhdukjen e analfabetizmit, për zhvillimin e arsimit e të shkencës, për zhvillimin e shëndetësisë, emancipimin e femrës shqiptare, për sheshimin e dallimeve ekonomik, sociale e kulturore mes krahinave të ndryshme të vendit, masat për elektrifikimin e për zhvillimin e industrisë e në veçanti të asaj ushqimore e të minierave, masat për modernizimin e bujqësisë. Natyrisht, hapat pozitive në këto drejtime kombinohen edhe me fenomene negative, siç ishin ai i kolektivizimit ekstrem të bujqësisë (kujtoni tufëzimin katastrofik të bagëtisë në 1980), ngritja e disa degëve të industrisë së rëndë, që rezultoi jo ekonomike dhe e dëmshme për mjedisin, etj. Në planin e jashtëm, gjithnjë duke qëndruar brenda logjikës së regjimit komunist, mund të konsideroj pozitive politikat që kishin në themel mbrojtjen e pavarësisë, integritetit territorial e dinjitetit të shtetit shqiptar, siç ishte rasti i largimit të bazave sovjetike nga Vlora, i qëndrimit të fortë ndaj kërcënimeve për luftë të regjimit të kolonelëve të Athinës, në vitet 1967-1969, i daljes nga Traktati i Varshavës në 1968, i dënimit të agresionit sovjetik kundër Çekosllovakisë po në 1968. Vlerësoj gjithashtu si një akt politik pozitiv luftën e bërë në kuadrin e OKB për pranimin e Kinës në atë organizatë, në vitin 1971. Por mbetet një mister arsyeja ose arsyet që e shtynë në vitin 1977 E. Hoxhën të prishë marrëdhëniet e ngushta që kishte deri në atë kohë me Kinën. Dihet që ky hap ndikoi për të përkeqësuar shumë gjendjen ekonomike të sociale të vendit dhe për ta ashpërsuar edhe më tej regjimin diktatorial.
A kemi të bëjmë sot me një demokraci bolshevike në vend?

Ose më mirë, në një paradiktaturë me simptoma bolshevike. Në fakt, jeta politike zhvillohet nën parullën bolshevike “gjithë pushteti PD-së”, gjë që kujton arketipin leninist “gjithë pushteti sovjetëve”. Është imponua një model demokracie, që nuk ka në themel meritokracinë, konkurrencën, barazinë e shanseve dhe të të drejtave, por që kuptohet si sundim i një pjese mbi një pjesë tjetër. Në këtë kuptim, është ndërtuar një administratë mbi baza të pastra partiake, e madje krahinore, gjë që ka rritur konfliktualitetin e brendshëm. Interesi i personit, i klanit dhe i partisë është vënë mbi interesat e vendit e të qytetarëve: mjafton të shihet se si po zhbëhen pasuritë e mëdha kombëtare të vëna me gjak e djersë nga gjithë shqiptarët, në emër të parullës antishqiptare “Shqipëria një euro”!

"Agimi i Artë" i greqisë , nuk bën gjë tjetër veç shkel në rrugë të perënduara.



Skënderbeu mund të jetë grek, aq sa ç'mund të jetë shqiptar Eleuther Venizellosi. Kështu u përgjigjet deklaratave të partisë ultranacionaliste greke "Agimi i Artë", historiani i njohur Pëllumb Xhufi.

Historiani prof.dr.Pëllumb Xhufi, thotë se deklaratat e drunjta të "Agimit të Artë" nuk do të meritonin asnjë vëmendje, nëse nuk do të shprehnin një shqetësim real të nacionalizmit grek dhe të historiografisë nacionaliste greke. Kjo forcë politike ultra-nacionaliste, përmes një shkrimi në faqen zyrtare, shprehej se shqiptarët nderojnë si hero kombëtar një grek, Jorgo Kastriotin, i cili zhvilloi një luftë të ortodoksisë kundër turqve, për të mbajtur të lirë rajonin. Në shkrim shtohej gjithashtu se shqiptarët përdorin në mënyrë të padrejtë flamurin e Perandorisë Bizantine si flamur kombëtar dhe nënvizonin se Epiri ishte grek.

Por, cilësimi si grek i Skënderbeut, për Xhufin ka tjetër domethënie. "Fakti është se historia e ka lënë Greqinë pa heronj e pa vepra heroike. Në 500 vjetët e sundimit osman, në Greqi nuk arrin të shquash një lëvizje, një kryengritje çlirimtare, si përkundrazi ndodhi me shqiptarët gjatë shekujve XIV-XIX", vëreni ai.

Nga ana tjetër, profesori vëren se "fakti që aktorët kryesorë të kryengritjes së vitit 1821 dhe të çlirimit të Greqisë ishin shqiptarët, Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, Miauli, Ali Farmaqi, Kollokotroni, Odise Andruco, Bubulina, etj., nuk mundej të përtypej lehtë". Sipas Xhufit, është pikërisht për këtë arsye që historiografia dhe politika greke bënë gjithçka për t'i 'adaptuar' e për t'i paraqitur ata si grekë.

"Madje qysh në shekullin XIX, ndonjë ideolog i 'megali-idesë' shkoi më tutje: duke ndjerë si frustrim kombëtar boshllëkun në histori, e në heronj për Mesjetën greke, mendoi të 'rrëmbejë' edhe Skënderbeun", shton ai, duke theksuar se cilësimet mbi heroin janë krejt të hershme. Për Pëllumb Xhufin, njohës i mirë dhe autor i disa librave për këtë periudhë historike, "Agimi i Artë" nuk bën gjë tjetër veç shkel në rrugë të perënduara.

"Askush në Evropë e Amerikë nuk ua ka vënë veshin kllapive të tilla. Madje edhe në vetë Greqinë, brenda dhe jashtë botës akademike po shtohen gjithnjë e më shumë zërat, që denoncojnë nervin nacionalist e shovinist të historiografisë e të vetë politikës greke", nënvizon ai. Në fund, ai këshillon që "ndaj këtyre duhet të tregohemi (dhe duhet të tregoheni edhe ju gazetarët) të vëmendshëm dhe jo ndaj kakarisjeve të sorrave të 'Agimit të perënduar'".

(Pëllumb Xhufi lindi në vitin 1951, në Durrës, Shqipëri. Përfundoi studimet në vitin 1977 në fushën e gjuhëve klasike, të historisë e arkeologjisë, në Universitetin e Romës. Në vitet 1991-1992, zhvilloi studime të thelluara në Universitetin e Këlnit (Gjermani) si bursist i Fondacionit "Humboldt". Pasi punoi në Institutin e Historisë për 15 vjet, në vitin 1997, u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si Drejtor i Departamentit të Ballkanit, më pas zëvendësministër i Punëve të Jashtme, dhe më në fund Ambasador i Shqipërisë në Romë. Ka botuar shume vepra brenda dhe jashtë vendit në fushën e historisë së Shqipërisë dhe asaj ballkanike.

Botime
Dilemat e Arbërit - 2006
Ikje nga Bizanti - 2009
Nga Paleologët te Muzakajt - 2009
Shekulli i Voskopojës : (1669-1769) - 2010)


Flori Bruqi

Reuters: Filmi kosovar,pretendent i çmimit kryesor në Sarajevë



Festivali i filmit që mbahet në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, i themeluar në kohën kur ky qytet ishte i rrethuar gjatë luftës nga viti 1992 deri më 1995, e ka shënuar 20 vjetorin e tij.

Reuters raporton se sivjet, festivali në fjalë ka numrin më të madh të filmave që janë paraqitur.

Nëntë filma janë pretendentë për çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës”, në mesin e të cilëve agjencia e lajmeve Reuters, veçanërisht e përmend filmin nga Kosova, “Tri Ditare dhe një Varje”.

Filmi kosovar, gjithmonë sipas Reutersit, flet për një mësuese e cila flet për dhunimin e saj gjatë luftës së Kosovës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...