Shkruan: Rexhep ELEZAJ
Edhe pse hiç më larg se para 15 viteve ishim popull i robëruar, tani më gjendemi në një fazë të re të vetë jetës dhe organizimit tonë shoqëroro-politik, e si rrjedhojë edhe në rrethana krejt tjera të angazhimit tonë politik dhe nacional si shoqëri dhe si shtet. Rrethana për të cilat nuk mund të thuhet se ishin krejt në favor të shtet ndërtimit të Kosovës në masën që e duan shqiptarët, sepse shkaqet për ngecjen tonë kolektive, mbase janë të shumta, por kryesisht fajin për këtë e kanë subjektet dhe liderët e gjertanishëm politik.
LANI
Prandaj, duke ia hedhur një shikim retrospektiv ngjarjeve tragjike të fundshekullit 20-të, çdo patriot dhe atdhetar shqiptar i cili e donë Kosovën, duhet ta përshëndes dhe ta mbështes pa rezervë koalicionin dhe marrëveshjen e arritur midis katër subjekteve politike (LDK-AAK-NISMA-VV) e nënshkruar ditë më parë..!
Ngase, është hera e parë në historinë e re të Kosovës, madje edhe në të vjetrën, që katër parti të mëdha politike të merren vesh si dhe të pajtohen politikisht për ta udhëhequr dhe qeverisur vendin bashkërisht, duke i koordinuar paraprakisht veprimet për mënyrën e qeverisjes, e që në zhargonin politik njihet si koalicion ndërpartiak. Këtë hap shumë pozitiv për Kosovën të cilin e kanë ndërmarrë këto katër subjekte partiake, në thelbin e politikës shqiptare ka një vlerë të madhe (ndoshta edhe historike), sidomos kur është në pyetje çuarja përpara e kauzës sonë ende të pa zgjidhur kombëtare, meqë vetëm të unifikuar në qëndrime dhe të bashkuar në synime mundemi ta realizojmë ëndrrën shekullore për një shtet etnik dhe të bashkuar shqiptar në Ballkan dhe Evropë.
Nisur pra nga parimet dhe rregullat e demokracive të avancuara perëndimore, ne si shoqëri më sistem politik parlamentar dhe shumë partiak, asimetrik më rendet dhe sistemet shoqërore të vendeve euro-perëndimore, unifikimi i pikëpamjeve dhe qëndrimeve politike midis katër subjekteve partiake në fjalë, është pa dyshim, akti më sublim që është bërë në 15 vitet e fundit në skenën politike kosovare, duke marrë parasysh faktin se ende nuk janë realizuar të gjitha objektivat tona politike dhe kombëtare, siç është sovraniteti i plotë në gjithë territorin e Kosovës si dhe çështja e hapur e bashkimit kombëtar.
Andaj, qoftë si koalicion në kuptimin e tij klasik, qoftë si bashkërenditje e forcave politike për ta çuar një popull, deri dje të robëruar, drejt jetësimit të objektivave të tij nacionale, gjithnjë në harmoni më proceset politike dhe demokratike në Evropë, dhe meqenëse procesi i integrimit të popujve në Bashkimin Evropian (BE) nuk i përjashton aspiratat tona të pareshtura për t’u bashkuar si komb në një shtet etnik dhe natyral, duhet të ndjehemi tejet të lumtur kur i shohim faktorët politik shqiptar të bashkuar. Kështu që, i gjithë ngërçi politik tejet i dëmshëm për Kosovën të cilin për qëllime ogurzeza po e mbanë peng PDK-ja më kryetarin e saj z. H. Thaçin në krye më shumë se tre muaj rresht, flet qartë se Kosova ka pasur nevojë imediate për bashkimin e forcave kryesore politike, siç është tani koalicioni LAN+VV, i cili përveç që si synim primarë duhet ta ketë shtet ndërtimin e mirëfilltë të vendit, ai e ka për obligim kombëtar zhveshjen sa më para të H. Thaçit dhe partiakëve të tij nga pushteti dhe keqqeverisja, dhe kjo si një detyrë e shenjtë kombëtare, më qëllim për t’ia ndalur hovin rrënimit të më tejmë të shtetit dhe të shoqërisë sonë, duke e konstituuar qysh nesër Parlamentin dhe më pas edhe formimin e qeverisë së re. Sepse, duke pranuar në vazhdimësi diktatet dhe manipulimet politike dhe kushtetuese të pushtetarëve të deritanishëm, pashmangshëm Kosova do hynë në vorbullën shumë të rrezikshme politike më pasoja të rënda për të ardhmen e shtetit dhe kauzës tonë kombëtare. Kjo detyrë në rënd të parë bie mbi deputet e zgjedhur nga populli më 8 qershor 2014, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojnë që një katandisje e këtillë të ndodhë në seancën e nesërme konstitutive të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Sepse, njëherë e përgjithmonë duhet të lirohemi si shoqëri dhe si shtet për t’i dhënë fund logjikës gllabëruese dhe shkatërruese e cila po i degradon çdo ditë e më shumë vlerat dhe sakrificat kolektive për liri dhe pavarësi të popullit shqiptarë në Kosovë, siç ishte mentaliteti politik i deritanishëm..!?