Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/17

Blerina Rogova Gaxha:GORGONË

Blerina Rogova Gaxha

Lindi në Gjakovë me 1982, që me librin e saj të parë «Gorgonë» (2009) Blerina Rogova Gaxha u rreshtua në vijën e parë të poetëve të suksesshëm shqiptarë.

Blerina Rogova Gaxha: "Gorgonë"

ISBN: 978-9951-641-53-1

Për «Gorgonë-n» mori çmimin e Mitingut të Poezisë si për librin e vitit. Lexime në qendra dhe panaire të ndryshme sidomos perëndimit të Evropës. Poezitë i ka të përkthyera në gjuhë të ndryshme dhe fituese e bursës për shkrimtarë në Split të Kroacisë për vitin 2013. Është redaktore e kulturës së gazetës «Zëri».

GANI MEHMETAJ: QYTETI NË ANKTH

Gani Mehmetaj lindi më 1955 në Dubovë të Pejës. Gjimnazin e kreu në Pejë, Fakultetin e Shkencave Politike, Dega e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, studimet pasuniversitare-Marrëdhënie Ndërkombëtar në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

Ka punuar në të përditshmen “Rilindja” nga viti 1979 deri më 1999, ku shkroi ese e recensione për filmin, reportazhe e komente për kulturën, intervista me personalitete të kulturës e artit. Pas vitit 1990, kryesisht u mor me analiza politike, por edhe me ese kinematografike.

Ishte redaktor dhe kryeredaktor i “Rilindjes”-botimi për Perëndim, me seli në Cyrih të Zvicrës, botues i së përditshmes “Dardania Press” në Prishtinë, drejtor ekzekutiv dhe analist i gazetës “Bota sot”, kryeredaktor i revistës “Anza”.

Gani Mehmetaj: "Qyteti në ankth"
ISBN:978-9951-641-41-8


Botoi shkrime në shtypin shqiptar të Prishtinës, të Tiranës dhe të Shkupit. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Është autor i veprave: “Magjia e ekranit”- Kritikë filmi (2005),

“Për shtetin e Dardanisë”, intervista me personalitetet politike, (2006), “Dardani a Shqipëri etnike“, analiza, ese (2007), “Udhëkryqet pas Rugovës”, komente, ese (2007), “Shqiptarët në vlimet ballkanike-1990-1999” (2008), shqyrtime, “Sfidat e pavarësisë “ (2009) analiza, “Sharmi i filmit”, (2010) historia e kinematografisë në Kosovë dhe Shqipëri, “Kujtime të trishta”, tregime, (2010), “Kosova: Sfidat e pavarësisë” (2010) dhe romanin “Qyteti në ankth” (2011).

Është drejtor e producent i “Kosovafilmit” dhe pedagog në Fakultetin e Arteve mediale “Evolution”, në Prishtinë, ku ligjëron lëndët Analizë e filmit dhe Adaptim skenari.

Romani “Aventurat e Lulisë” (Kalorësja e arratisur e bashkimit kombëtar) është romani më i ri i këtij autori (2012).

Entela Binjaku: Elvi Sidheri - ''Emigrantja''





Dy fjalë për Elvin...



Ai pëlqen Pablo Nerudën, njeh mirë  7 gjuhë të ndryshme, ekipi i tij i zemrës është  Milani,  i pëlqen  shumë Roma është njohës shumë i mirë i historisë, mendon se “dashuria bën mirë gjithmonë”.
Kështu e njoh unë Elvi Sidherin, një ndër miqtë më të mirë të “Zemrës Shqiptare” dhe nga redaktorët më aktivë. Shkrimet e tij janë një dëshmi e informacionit të gjerë, aftësisë përpunuese të tij, reflektimeve  të guximshme, humorit simpatik dhe të vërtetave shpotitëse.
Por romani i tij me titullin “Emigrantja” ishte një befasi e vërtetë! Dhe një emocion i bukur që të dhuron surpriza.. Një  punim voluminoz, mbi 400 faqe, shkruar me kohë në mendjen e tij, por që prej disa ditësh kemi mundësinë të prezantohemi me të.
Sot jam e kënaqur që  lajmin për botimin e romanit të Elvi Sidherit ta përcjell edhe  për mijra lexuesit e zemrës shqiptare.
Me dëshirën e madhe për të ftuar të gjithë lexuesit t´i bashkohen leximit të këtij romani, dhe më urimin për një rrugë të gjatë dhe të mbarë Elvit në krijimtarinë e tij, i përcjell urimet më të mira edhe nga ana e redaksisë së revistës.
Më poshtë do të gjeni edhe një prezantim të  shkurtër që Elvi ka përgatitur për lexuesit e tij të “Zemrës Shqiptare”.
Nuk mund të shkruaja më mirë se ai vetë.
“Është një libër që siç ndodh me çdokënd që merr përsipër të shkruajë diçka, posedon vetë shpirtin e autorit (timin) përbrenda dhe do dëshiroja që kjo gjë të përçohej edhe tek lexuesi eventualisht. Flet nëpërmjet personazheve, vendeve, situatave, njerëzve dhe ngjarjeve për përvoja unike sa edhe të kujtdo që ka provuar emigrimin pas viteve 90-të, një fenomen i cili ka shenjuar zhvillimin psiko-social-ekonomik të Shqipërisë gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve, por që për "habi" të veçantë nuk përmendet nga askush, sikur fare të mos kishte ndodhur realisht, sikur 1 milion e gjysëm shqiptarë mos të kishin emigruar nëpër Europë e botë, 800 mijë prej tyre në jug të vendit tonë,pra në Greqi. ...Dhe sikur jeta dhe kontributi i tyre t'ia vlente të përmendej vetëm për kontrabandistë, krim të organizuar apo për votat e zgjedhjeve, për lekët që çojnë rregullisht pranë familjeve të tyre dhe ekonomisë së vendit dhe për festa, Pashkë, Vit i Ri e Krishtlindje kur vijnë dhe i vonojnë kufinjve. Të tjerat po ua lë juve t'i zbuloni".

Lexoni ose shkarkoni falas librin e Elvi Sidherit ''Emigrantja'' duke klikuar në këtë lidhje:



Elvi Sidheri nga Tirana, 33 vjeç.

Me profesion përkthyes, flet rrjedhshëm Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Spanjisht, Portugalisht, Kroatisht, Maqedonisht, Bullgarisht dhe punon edhe me Gjermanishten dhe Rumanishten.
Ka studiuar për Fizioterapi dhe ky është romani i tij i parë.

INTERVISTË ME FRITZ RADOVANIN


Intervistoi ELVI SIDHERI

Ideja për këtë intervistë, këtë rrahje idesh me zotin Fritz, pati lindur prej disa kohësh, por fillimi i këtij Viti të Ri 2015-ë, u shpërfaq si rastësia më fatlume, për ta sjellë atë në dritën e publikimit, si një dhuratë për të gjithë lexuesit.



ES Çfarë është komunizmi për ju ?

FR. Komunizmi asht një shkarravinë që je i detyruem me e quejtë bukurshkrim!



ES Si e keni ndjerë ju personalisht, impaktin dhe pasojat e kësaj ideologjie dhe të zbatimit të saj në praktikë në Shqipëri ?


Fritz Radovani

 FRITZ RADOVANI


FR: Ne ishim brezi që lindëm në “yllin e kuq” ose siç quhej në “yllin e keq” të vendosjes së robnisë komuniste në Shqipni, nga Jugosllavia titiste. Shqipnia asnjëherë nuk ka pasë një ideolog komunist në drejtimin e PKSh, tue fillue nga 8 nandori 1941. Ata u larguen nga Mugosha e Popoviq, tue fillue nga Zef Mala, Qemal Stafa, Zai Fundo, Vasil Shanto etj., se nuk do të zbatonin kurrë në Shqipni ate që zbatoi E. Hoxha, per interesat e kolltukut të vet, dhe qejfin e tyne shkombtarizues shekullor.

Të gjithë ata që u përfshinë në “luftën e kllasave” ishin objekte persekucioni. Shkalla e këtij persekucioni ndryshonte, disa i kthente në skllavë, ndersa, disa të tjerë i zhdukte.

Nga Fisi i Nanës sime Prennushi, komunistët zhdukën tre Klerikë, ku perfshihej edhe daja im Don Kolec Prennushi, ndërsa të tjerët vuejtën shumë vite burg, flas për vllaun Alfonsin, 14 vjetë, si dhe dajat tjerë, të cilët i ndiqte Nana ime në kampet e shfarosjes.

Për 46 vjetë, nga 1944 – 1990, përveç vitit 1962 – 65, kam pasë një t’afërm në burg.

Pasojat merren me mend në të gjitha drejtimet!


ES. A jeni i mendimit që metoda shqiptare e praktikimit të ideologjisë komuniste, dallonte dukshëm nga vendet e tjera që e jetuan këtë sistem (Në Europë, Azi, Afrikë e Amerikën Latine) ?

FR: Komunizmi në Spanjë dhe Meksikë, ishte në ma pak vite. Shumë vrastarë! Rusia nga 1917 e deri në 1953, u ba “laboratori i masakrave terroriste komuniste”. Luftat e mëdha Botnore ia mbuluen terrorin Leninit dhe Stalinit. Jalta 1945 i privilegjoi! “Demokracitë” e Europës Lindore, mbas vdekjes së Stalinit, filluen njëfarë zgjimi, mbasi guxuen me ngritë kokën kundër skllavnisë së Bashkimit Sovjetik. Lëvizjet në Gjermani Lindore, Poloni, Hungari e Çekosllovaki…ishin një heroizëm i panjohun nga historia Botnore! Të kundershtosh komunizmin me armë, sot prap per né, asht e pabesueshme!

Thundra komuniste në Shqipni ishte e ngjeshun ma thellë, mbasi komshijtë tanë e donin prej sa shekujsh shkombtarizimin tonë, po, edhe zhdukjen fizike të Atyne Maleve që e ruejtën, siç thotë Fan Noli: “per dymijë vjetë, mbetën katolikë me armë në dorë”.

Pra, ishte klika drejtuese e PKSh, me E. Hoxhën në krye, ajo që i ishte besue misjoni i zhdukjes Formylës “Atdhé e Fé”, Formylë e cila, Ringjallej atëherë, kur ishim ma keq se kurrë. Gjaku i Atyne Martirëve Atdhetarë, edhe sot vazhdon me vlue ndër Bjeshkë!

“Revolucioni Kultural i 1967”, në Shqipni bani groposjen e Saj… Per Kinën dijmë pak!

Kur kam lexue citatet e Mao Ce Dunit, kam gjetë aty edhe portretin e Ramiz Alisë.



ES Si mund t’a definojmë periudhën 45 vjeçare komuniste në Shqipëri? …Në çfarë mënyre do të zerë vend në historinë e popullit shqiptar, ky gjysëmshekulli i errët?

FR: Periudha 47 vjeçare në Shqipni ishte: “Kunorzimi homoseksual i mbeturinave otomane të pabesa vrastare, me hajdutët e stepave të Kaukazit, lé e rritë nën kujdesin atnor të boshnjakëve turko sllavë.” Historia e tyne nuk i perket Popullit Shqiptar!

Ata pohojnë botnisht: “Né jemi vëllezër gjaku me turqë!”. Historia e tyne do të shkruhet vetem nder ranishtat e brigjeve të Azisë së Vogël dhe shkretinat e Arabisë…



ES Çfarë e dallonte sistemin monist shqiptar nga pjesa tjetër e Bllokut Lindor dhe përse efektet e këtij sistemi në Shqipëri rezultuan të ishin aq shkatërrimtare për vendin tonë ?

FR: Ishte urrejtja dhe interresat sllave që nuk e linin Europën me Rilindë Shtetin e Gjergj Kastriotit, “Mbrojtësit të qytetnimit të vet Europës!” Kur Dedë Gjo’ Luli ngriti në Deqiç Flamurin e Kastriotit, në vitin 1911, Europa bani sikur nuk “dëgjoi as, nuk pau”…

Në vitin 1912, Shqipnia ka lé me operacion! Për me ua lehtësue daljen në dritë të vetë Shqiptarëve “Shqipës i cunguen kokën, krahët e deri tek bishti, pjesët ma të mira!”

Në 1945, Aleatët ishin marrakotë, aqsa nuk u kujtohej Emni “Shqipni” fare në Jalta. Sllavët që në 1941, kishin gjetë tiranin Enver Hoxha, që plotsonte nevojat e dëshirat e tyne, po që për hirin e kolltukut të vet, ishte gati me zbatue edhe porositë e sulltan Mehmetit të II: “Mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë!”. Ky zbatoi në Shqipninë e cungueme “rrenimin fshataresk” të Leninit, dhe barbarinë antikombtare, kundër të gjithë intelektualëve e deri tek shfarosjet masive ndër kolkozet sovjetike të Stalinit. Prandej, nga gjithë Europa Lindore, Stalini e “dashuroi” Enverin, dhe e merrte edhe ndër parada.



ES Cila fazë e 45 vjeçarit monist, miqësia me jugosllavët, sovjetikët, kinezët apo ajo “me forcat tona” e viteve 80-ë, ishte në këndvështrimin tuaj, më e vështira për Shqipërinë komuniste ?

FR: Shqipnia e 1945 me “firmat” e Jaltës, kje “Shteti i vetëm i dënuem me vdekje në Europë!” Drejtuesi formal i shtetit E. Hoxha, ishte “Hero i Popujve të Jugosllavisë”. Ma vonë mik i Stalinit, Mao Ce Dunit, dhe per 41 vjetë tiran i Popullit Shqiptar. Ai krijoi kampet e shfarosjes në gjithë Shqipninë. Kishte mbas vitëve 1950 ma shumë skllavë se çdo udhëheqës tjeter në krahasim me popullsinë e tyne. Mbi 500.000 Shqiptarë, kanë kontribue ndër kampët e punës dhe të shfarosjes deri në vitin 1974… per me pasunue E. Hoxhën, emni i të cilit në vitin 1989, ishte ndër miljarderët ma të mëdhej të bankave të Europës. Kjo vjedhje e pasunisë kombtare mbas vitit 1975 solli varfni të pashembullt.

Përveç, terroristëve që mbanin nën shtypje Popullin, të gjithë mendonin: “Çka kemi me ngranë në drekë?” Fëmijët i gëzoheshin një gotës qumësht me ujë! Koha ma e vështirë për Shqiptarët, kjé kur humbëm shpresat për liri, mbas vrasjes së Xhon Kennedit 1963.



ES. A mendoni se shqiptarët janë të prirur për të qenë më tepër të majtë ?

FR: Jo, asnjëherë! Shqiptarët janë i vetmi Popull që ka mbijetue! Kam njohë Shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipnisë, dhe të gjitha besimet! Shqiptarët nuk janë kenë dhe as nuk janë Vllavrasës apo tradhëtarë kurrë, kur të konsiderojnë Vlla, Mik, Bashkatdhetarë e Bashkvuejtës. Kam njoh Gjinokastrit e Permetarë, Beratas e Firakë, Vlonjat e Krutanë, po asnjë prej Tyne tue fillue nga Fadil Kaja, Hodo Kopliku, Pavli Gushi apo Bedri Seferi, Sami Hoxha e Zeqir Dani në Pazarin e Shkodres, nuk me ka tradhëtue as provokue asnjëherë, tue dijtë mirë mendimin tim të pandryshueshëm!

Shqiptari kur të don me zemer, jep edhe jetën për ty, e nuk të prêt në besë! Ndersa, “të majtët” apo “Interncionalistët” në sherbim të krimit, nuk kanë as bésë, as Atdhé…



ES. A mendoni se ka pasur efektivisht një “dekomunistizim” të mirëfilltë të shoqërisë shqiptare ?

FR: Ka pasë vetem përpjekje dhe dëshirë por, arritje per dekomunistizim jo!

Mbas Rumanisë, ishte Shkodra në Janarin e 1990, që kerkoi heqjen e bustit Stalinit, po e mbylli diten e 14 Janarit 1990 me 300 të arrestuem e të torturuem, madje dhe vajza, ku i shkatrruen jeten një Martiri fatkeq të Rinisë Shkodrane, Heroit Rin Monajka.

Ishte funerali i djalit të vramë në piramidat e kufinit Pllumb Pllumbaj, ku mbas funeralit u arrestuen dhjetra vetë që thirrën gjatë bulevardit Shkodres: “Poshtë Nexhmije kurva!”

Ishte në Tiranë hapja e ambasadave, që u pasue me vrasje tek Mali me Gropa…

Ishte Mesha e Parë mbas vitit 1967, në Rrëmaji të Shkodres, me 4 dhe 11 Nandor 1990 ku, Don Simon Jubani shpalli Lirinë e Fesë…dhe, bani thirrje për Pluralizëm Demokratik!

Ishte shpallja e Partisë Bashkimeve Fetare, që u formue nga Nush Radovani e Ruzhdi Çoba, në 13 nandor 1990, që detyroi Ramiz Alinë me lejue formalisht “pluralizmin”, tue mos aprovue me ligj asnjë Parti tjeter përveç atyne, që “polli” PPSh e sigurimi i shtetit.

Ishte rrëzimi i bustit E. Hoxhës në Shkoder, me 13 Dhjetor 1990, që mbylli ditën me disa arrestime të rijësh, të cilët u torturuen dhe disa edhe u tredhën nga hetuesit kriminel.

Në Tiranë plasi edhe greva e studentëve… U hoq emni i E. Hoxhës, nga Universiteti i Tiranës, po mbas pak ditësh greva u shfrytzue per qellime politike nga PD.

Ishin grevat e organizueme të BSPSH në Shkoder, Kavajë dhe që, u kunorzuen me rrëzumjen e monumentit E. Hoxhës, me 20 shkurt 1991, nga minatorët e Valiasit…

Data 2 Prill 1991, në Shkoder, hoq masken e terroristëve dhe kriminelëve pasues të tiranëve Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, që deklaroi: “Edhe gjak do bëjmë, dhe pushteti do mbetet përgjithënjë yni…” Presidentët dhe kryeministrat pasues i qendruen besnikë.

Kudo u manipuluen zgjedhjet për me vazhdue mbajtjen e pushtetit “socialist”, që në Shkoder BSPSH, ua sabotoi… Në shtator 1991, në Shkoder u formue edhe “Shoqata e të Persekutuemëve Politik”… Kjo u arrijt se Shkodra, ishte me të vertetë antikomuniste!



ES. Çfarë do të thotë në realitet “dekomunistizim” sipas jush dhe a do të kishte mundur të ndodhte (në çfarë rrethanash specifike nëse “Po”) me të vërtetë një proçes i tillë në Shqipëri pas vitit 1990 ?

FR: Në datën 3 Maji 1991, kam deklarue në BSPSh e Shkodres, për radio “Zëri i Amerikës”, se “Shqiptarët, duhet të mendojnë dhe punojnë për me formue Qeveri në Shqipni, pa asnjë komunist. Një prej tyne shkatrron demokracinë! Ndërsa President që shpeton Shqipninë duhet të zgjidhet Prof. Arshi Pipa ose Sami Rrepishti, nga ShBA ”. Mbrenda tri ditësh doli ligji “Presidenti duhet të ketë jetuar 20 vitët e fundit në Shqipëri”.

Diasporat nga frika e “hapjes së dosjeve” të veta, luejtën lojën e mbas vitëve 1944… si atëherë, kur Stalini “thonte”: “Sa të jetë Rusvelti e Amerika, komunistët nuk dorzohen!”

Zhdukja masive e inteligjencës Shqiptare, solli pushtetarë të shkolluem “bastardhë”!



ES. A jemi ne shqiptarët, një popull me kujtesë të shkurtër dhe a ndikon ky tipar, në “harrimin” apo “relativizimin” e vuajtjeve dhe privimeve të përjetuara gjatë sistemit diktatorial ?

FR: Na akuzojnë si popull me “kujtesë të shkurtë”! Jo, kjo nuk qendron kurrë!

Né nuk kemi pasë asnjë shtet mik nga komshijtë, dhe as nuk kemi tentue me vra një nga qeveritarët apo shtetasit e tyne. Madje, kjo ka ba që shumë nga ata shtete kanë nxjerrë dijetarë dhe shkencëtarë, që kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombtare si: Mis Durham, At Z. Valentini, Prof. Shufflay, Prof. dr. Jokli, M. Lambertz,etj Ndërsa, shteti i vetëm që na ka vlersue e ndihmue në Europë, ishte Austro – Hungaria. Atdhetarizmi i Shqiptarit ndër shekuj perjetsohet me Monumentin e Gjergj Kastriotit, në aq shumë vende të Botës sa asnjë tjetër, ndërsa, koha moderne ka simbol të Virtytit, të bamirsisë dhe dashunisë Njerzore, praninë e Shqiptares Madhe Nanë Tereza tek ata.

Asnjë Figurë tjeter në Botë, nuk njihet ndër aq shumë shtete sa Këta Dy Shqiptarë!



ES A vlen ndopak në rastin tonë shprehja italiane: “Si stava meglio quando si stava peggio” … “Ishim më mirë kur ishim keq”, që përtej Adriatikut përdoret për të kujtuar me njëfarë nostalgjie kohën e Mussolinit, ndërsa që tek ne do të kishte të bënte me “enverizmin” në përgjithësi ?

FR: Ma shumë asht rastësi, që diktaturat fashiste dhe naziste sollën “bashkimin e Trojeve Shqiptare”, rast i vetem në historine e Shqipnisë! Ndonse, Gjermania ka ruejtë një ndjenjë të mbrendshme per Shqiptarët, gja që e manifestoi fare vonë Shtrausi.

Kohës së shkueme as të largët, as të afërt, nuk kanë se shka me i lakmue Shqiptarët!

Koha e diktaturës, mbas vitëve 1970 solli në “gjiun tonë” edhe shumë prej atyne, që kur i sherbenin E. Hoxhës, nuk dinin me e kuptue fjalën “përsekucion”…E provuen edhe ata!

Do të më pelqente një “rikthim” në vitin 1991, pa vrasjet e 2 Prillit dhe “plumbat qorr”!



ES. Si mund të bëjë vërtetë përpara Shqipëria, kur akoma nuk është bërë një pastrim i ndërgjegjes, lidhur me të kaluarën dhe vetë barren e rëndë të trashëgimisë komuniste në shoqërinë tonë ?

FR: Pastrimi i ndergjegjës asht i lidhun me “pendimin” e fajtorëve të krimeve.

Kjo u duhej imponue me hapjen e dosjeve të tyne, atëherë, kur terroristët Shyqyri Qoku me shokë hoqën etiketat e emnave të tyne nga dyertë e apartamenteve në Shkoder. Kriminelët e papenduem, persërisin prap të kaluemen e idhtë. Unë nuk mund ti besoj “përgjumjes së tyne”, kështu, vjen edhe “mosbesimi” që ka pasojë logjike “mospajtimin kombtar”, e për rrjedhim përçamjen, pabesinë, dhe mbyllet me tradhëtinë e tyne, tue sjellë ripersëritjen e periudhës shkatrrimtare komuniste, porsa atyne ti paraqitët rasa.

Qetsia e tyne asht korrupsioni, ndërsa zgjimi i tyne; asht vllavrasja për rikthim mbrapa.

Mosdënimi i tiranëve “heronjë”, bredhja e lirë nëpër Botë e terroristëve trashigimtarë, të veshun me poste qeveritare dhe diploma korrupsioni e karta prrallore bankare, janë një parathanje vdekjepruese e demokracisë dhe e prospektivës së Shtetit Shqiptar.



ES. A janë shqiptarët më të prirur për të duruar jetën nën sisteme diktatoriale ose zgjedha të ndryshme, sesa për të krijuar një demokraci të vërtetë funksionale ?

FR: Nuk mund ta pranoj një mendim të kundërt me historinë e Popullit tonë. Kur gjithë Bota ishte në Luftën e Dytë Botnore, dhe në mësheftësi Enver Hoxha shpalli në vitin 1945, zgjedhjet e Para për Kuvendin Popullor me 2 Dhjetor, i porositun nga “druzhe” Tito, Demokrati i Madh Mark Çuni, fare i rij 24 vjeçar, nuk u pajtue me sistemin diktatorial të fqinjëve jugosllav, që kerkonin me vendosë në Tiranë qeverinë kukull të Enver Hoxhës. Ai kerkoi Pluralizem dhe një Demokraci të vërtetë ku të respektohen Liritë dhe të Drejtat e Njeriut për Vetvendosje në Shqipni. Pra, zgjedhje të Lira. Marku, formoi Organizatën Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me pjesmarrje të Rinisë së dy besimeve në Shkoder, katolikë dhe muslimanë. Pranoi Burrnisht formimin e saj, dhe u pushkatue me 4 Mars 1946, atëherë kur në Europë, as nuk bahej fjalë për Demokraci.

Ky Shqiptar, që u vra për Liri të Drejtave të Njeriut në Shkoder, a ka Monument sot?

– Jo, se “demokracia” në Shqipni, nuk i perket Demokratëve të Vërtetë!

Në Shqipni vazhdon parimi “tradicional”: “Vrasësit…pushtetarë, hajdutët vrap në thesar!”



ES. Përqasja e komunizmit shqiptar ndaj fesë në përshtypjen tuaj ?

FR: Kupola e naltë e PPSh ishte sektare, fanatike dhe përçararëse, me pikpamje te theksueme terroriste: Vret e zhdukë në Shkodër 64 Klerikë Katolikë, dhe asnjë hoxhë apo Pop Ortodoks. Mbas vitit 1967 arreston, pushkaton e mbytë 13 Klerikë Katolik, 1 Pop dhe asnjë Hoxhë Musliman! Ateistët vrasin ke u vjen përdore, ata nuk dallojnë fe!

Lejohet mjedis Tiranës xhamia turke e Et’hem Beut, ndertue në vitin 1831, gati 500 vjetë mbas Kishës së Vaut të Dejës, që e hjellë në erë Fadil Ymeri me porosi të Ramiz Alisë, edhe pse ajo Kishë ishte e Shek. XIII, e vitit 1361, vetëm se aty, ishte kunorzue Gjergj Kastrioti! Ndërsa, sot, po rindertohen xhamija në Shqipni, me emna sulltanësh.

Deri këtu asht politika ynë që i sherben anmiqëve të Atdheut dhe të Popullit Shqiptar.

Edukata që mora nga daja im Don Koleci deri në vitin 1950, kur Ai vdiq, me formoi me ndjenjen e dashunisë vllaznore dhe antifanatike për të gjithë vllaznit Shqiptarë. Jeta ime ishte provë e sigurisë se në Shqipni, Miku i vertetë duhet dashtë me zemer si vllau!

Kur mora maturen për mësues, më shpëtoi nga arrestimi Elbasanasi Prof. Gani Daiu, nga shpifjet e shkodranit agjent sigurimi Bep Jubani, se: “Fritzi ka hjellë trakte…”.

Kur në 1967 mu shpif agjenti i sigurimit Shkodres Angjelin Kumrija, se: “Fritzi, asht i lidhun me agjenturat e Klerit Katolik dhe pikrisht, me Don Mark Hasin dhe At Pjeter Meshkallën, më shpetoi nga arrestimi i sigurt Himarjoti Mantho Bala.

Kur u kerkue pushimi im nga arsimi prej Xhemal Dinit, në vitin 1968, se: “Fritzi asht i deklasuar dhe me pikpamje revizioniste, siç e verteton edhe piktori Franc Ashiku, që grafikat e Fritzit kanë pikpamje të artit revizionist polak….” Ishte Bilal Parruca, që më çoi piktor tekstili, në fabriken e Pelhurave, dhe më bani njoftimin pikrisht nder sytë e shpifsit Franc Ashiku, në vendin e të cilit, Bilali po më çonte mue…

Kur më pushoi nga puna drejtoresha e Fabrikës shkodranja Liri Ymeri, “si i deklasuar”, me riemnoi mbrenda ditët sekretari i parë i PPSh së Shkodres, Kolonjari Petro Dode…

E si mundem unë, me shikue njerzit me synin e fanatikut, kur shpifsit e mij ishin të gjithë katolikë, ndërsa shpetimtarët e jetës sime, të gjithë ishin nga besime dhe qytete tjera?

I jam mirnjohës përjetë atyne Burrave, që jo vetem më shpetuen jetën, po asnjëni, nuk kerkoi nga unë, me i sherbye organeve të sigurimit të shtetit. Këte e verteton Dosja ime.



ES. Sa vlera arriti sistemi totalitar që t’ia fshijë, përçudnojë apo rrënojë njëherë e përgjithmonë shoqërisë shqiptare ?

FR: Sistemi totalitar kriminal i Enver Hoxhës, asht pasqyra ma e sakta e teorisë komuniste që verteton se “shtetet komuniste në zbatim”, janë e kunderta e Parimeve të programeve dhe manifesteve të publikueme si teori marksiste – leniniste, që filtrojnë në shtete terroriste dhe antinjerzore. Deri këtu, ky mendim duhet të na japin një mësim.

Vlerat ma të mëdha që ka shkatrrue janë dy: E para, tek Rinia Shqiptare ka shue një dëshirë të madhe që mbasi shkollohet jashtë, nuk i bije ma në mend per Shqipni.

E dyta, asht ringjallja e vllavrasjes ndër male, dhe mungesa e kulturës Atdhetare ndër shkollat e sotme, tue perfshi edhe ato fetare, ku janë perjashtue Shkrimtarët ma të Mëdhej të Shqipnisë, me “urdhnin” e Enver Hoxhës, në 1972, në “kongresin e porosive marksiste të Stalinit, për çeshtjet e gjuhësisë”…Gegnishtja u pagëzue “Gjuha e Krishtit”.

Né do t’ ikim, Rinia asht gjithshkafja se Ajo, asht e ardhmja e Atdheut! Vetëm një Rini e formueme dhe e kulturueme risjellë Vlerat Atdhetare ndër Shqiptarë!



ES. A jemi ende në kohë si popull, për të bërë realisht përpara, me një të kaluar 450 vjeçare osmane dhe 50 vjeçare moniste prapa krahëve ?

FR: Kohen e bajnë Popujt e shteteve të ndryshme, pavarsisht, nga shpejtësia ose ngadalësia e veprimit. Gjergj Kastrioti ka drejtue trimnisht per 25 vjetë vetem lufta, kundër perbindshit botnor turk. Mbrenda një kohe rekord me mjete minimale lufte, përveç, vendosmënisë me ruejtë Lirinë e Atdheut dhe Paprekshmeninë e Fesë së Krishtenë, me një grup Atdhetarësh të betuem e besnikë, ka arrijtë me kenë një Figurë Botnore e mbrojtjes së qytetnimit Europjan. Figurë e nderueme Botnore tue luftue, por edhe e papersëritëshme asnjëherë në histori. Dimensionet e Figurave të Kastriotit dhe Nanë Terezës, janë vlera unike të Popullit Shqiptar. Trimnia e Kastriotit dhe Bamirsia e Nanë Terezës, janë Virtyte frymzuese dhe shtytëse për të gjithë né Shqiptarët!



ES. A jemi ne një popull që mëson nga e kaluara e tij ?

FR: Në vitin 1992, Ramiz Alia dhe Sali Berisha, për me sabotue vizitën e Papës

Gjon Pali II në Shqipni, me 2 Dhjetor “nënshkruen’ hymjen në ‘Konferencë Islamike”…

Me 25 Prill 1993, u realizue vizita e Papes Gjon Pali II, në Shqipni. Ballë për ballë atë natë Papa me Gjergj Kastriotin, ka thanë: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen.

Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë…

Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…

Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vepruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithёshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…

Vizita e dytë e bame nga Papa Françesku me 21 Shtator 2014, më perforcon Besimin tek e ardhmja e Atdheut tim të vuejtun dhe të dashtun, se “nuk asht e largët valvitja e Flamurit Gjergj Kastriotit perpara Selisë Madhshtore të Bashkimit Europjan!”

Vrojtoni me kujdes Brukselin…! Unë e kam pa me sy aty…Dhe, jam ndij krenar…

Gjergj Kastrioti vrapon mbi “kalin e vet” drejtë vendit bosh… në Europën e Bashkueme!



Ju falemnderës Mik i shtrejtë Elvi!

Nga Fritz RADOVANI: HAPNI DOSJET !

47 VJET TIRANI…


■Që me datën 9 Nandor 1989, kur ra Muri i Berlinit jeni tue djegë “Dosje”… Janë ba plot 25 vjetë që tymi i djegëjes së “Dosjeve” në Tiranën e tiranëve ka mërrijtë në qiell !

■E endè ka nga ata budallejë që presin “pendimin” e trashigimtarëve të kriminelëve të djeshëm, ose ma keq të vetë atyne që sot vazhdojnë me vra n’ emen të “drejtësisë”!

■Në vitin 1944 Shqipnia kishte 1 miljon e 200 mijë banorë…

■Vrasjet dhe pushkatimet në Shqipni kanë fillue njëheri me Luften Civile Antishqiptare!

■Atdhetari Rexh Meta, “shetiste” i burgosun me brigadat terroriste partizane…

■Me 15 Maji 1945, fillojnë interrnimet në Shkoder me familjet e grumbullueme në një shtëpi të qytetarit Guljelm Luka… Përballë kullës Markagjonëve.

■Dhunohen dhe rrahen vajzat Shkodrane nder rruga, se mbajnë Kryqa në qafë!

■Fillojnë në Malësi vrasjet pa gjyq! Pse nuk botohen Emnat e 118 Malësorëve të vramë në Kelmend në Janar 1945, nga Mehmet Shehu, Koçi Xoxe e Sheuqet Peçi me shokë?
■Në vitin 1946 Shkodra (pa rrethe) kishte 26 hetuesi, burgje dhe shtëpi izolimi…

■70 vjetë që një Shqipni asht përmbytë në gjak si asnjë vend tjeter i Europës nga një grup terroristësh gjaksorë e kriminelë, e pasuesit e tyne sot tallen me Viktimat e veta!

■Fillohet tek modelet “gjermane” e perfundohet tek debatet e pafund, si e si me shtye kohë, tue pritë a po bje shi…për me u përmbytë ndonjë “arkiv” ndër tunelet e majeve të maleve ku, mendonte “Enveri ynë”, me kalue orët e fundit të “fundosjes” së Shqipnisë!

■Hapja e Dosjeve nuk ka perjashtime. Krimet ndaj Njerzimit nuk parashkruehen!

■Të gjitha zvarrisjet per Hapje Dosjesh kanë një emnues të përbashkët “Pjesmarrjen në krime dhe vazhdimsinë e tyne prap sot, nga trashigimtarët e djeshëm vrasës!”

■Të gjitha vrasjet e komunizmit në Shqipni, fillojnë me Luften Civile në Jug, vazhdojnë me vrasjet nder zonat ku shkeleshin nga brigadat partizane, dhe me daten 29 nandor 1944, vrasjet e terrori vazhdojnë në Veri, me një program të parashikuem në bashkpunim të tradhëtarëve tanë me forcat okupuese jugosllave të shovenistit bolshevik Tito.

■Kush i jepte urdhnat dhe direktivat per vrasje, shpronsime dhe plaçkitje, dhe mbasi të zbatohej urdhni, “komandanti” dëshronte me dijtë edhe “vullnetin e tyre të fundit!” ?
■HAPNI DOSJET !

■Hapja e Tyne duhet të fillojë nga Urdhnuesit nr. 1 të PKSh. Enver e Nexhmije Hoxha!

■Nga Antarët e Byrove Politike, Antarët e Komitetit Qendror të PKSh e PPSh, mbas tyne me kandidatët e K.Q dhe Kryeministra, qeveritarë dhe Kuvendin Popullor e Gjykatat, nga ma të naltat e deri tek policët e degave të mbrendshme, ku nuk duhet perjashtue asnjë person nga Komitetet e Partisë së Rretheve, Komitetet Ekzekutive, kryetarë dhe sekretarë partije të institucioneve dhe kooperativave bujqësore. Një kujdes i madh duhet tregue në hapjen e Dosjeve të Fermave ku ishin të interrnuemit, drejtorave e operativave të kampeve të shfarosjes dhe burgjeve, deri tek agjentat e sigurimit që kontrollonin këta qendra persekucioni e masakrash, ku perfshihen edhe informatorët e mbrendshëm.

■Një rol të randsishëm në rekrutimin e agjentave të sigurimit kanë luejtë komisarët e reparteve ushtarake dhe shefat e kuadrit nder të gjitha institucionet, prandej Dosjet e tyne nuk duhen lane mbas dore! Kujdes duhet edhe me oficerët e kufinit, e deri tek rojet e piramidave, ose vrasësit e Rinisë me urdhnin e R. Alisë mbas 1990. Kryetarët e lagjeve dhe operativët, që plotsonin fletët e fillimit punës ose dokumentat per ndjekje shkollash.

■Dhe, mbasi të hapen Dosjet e tyne të punës, shkollës, ushtrisë dhe të qendrimit atij personi, duhet shikue si u veprue per angazhimin e tyne me sigurimin.

■PKSh (PPSh) ma vonë, asht tregue shumë “bujare” me disa fshatarë që kanë sherbye me kohë në sigurimin e shtetit, kryesisht, në zbulimin e personave në “arratisje”, dhe për këte, i shpërblente me bursa ose shkolla partije dhe i sillte “kuadro drejtues” në qytet. Vinin nder qytete dhe vazhdonin agjenturen në sigurim, me kujdesin ma të madh.

■Nga komunistët e vjeter disa u dënuen per “gabime ose vjedhje”, po PKSh, i mbajti prap afer dhe ata vazhdonin lidhjen me sigurimin. Fëmijët e tyne vazhduen shkollat e nalta dhe kryesisht ata që ishin “privilegj”, ndersa lidhjen me sigurim nuk e nderprenë.

■Në vitin 1944 – 45 ka pasë disa komisjone hetuesish, që ma vonë një pjesë për nevoja të PKSh dhe të sigurimit të shtetit, kanë krye disa kurse specializimi edhe jashta shtetit, dhe kanë kalue në “detyra” tjera, prej të cilëve kam njohë dy persona korçarë: Drejtorin e Gjimnazit Shkodres, Skender Villa, dhe ingj. Robert Ballauri tek ekspozita “Shqipëria Sot”, të cilët e vazhdonin profesionin e parë të vitit 1945 me shumë përkushtim.

■Në vitet 1950 – 60 në dukje pat zbutje, mbas vdekjes së Stalinit. Mundësia me shkue jashta shteti per studime ju dha edhe disa elementave jo agjentë. Të gjthë kur u këthyen në Shqipni, mbas viteve 1967 ose u larguen nga Tirana, ose u quejtën “revizionistë” dhe u arrestuen dhe u dënuen me burg e interrnime, ose kaluen në punë të rendomta.

■Një pjesë e tyne që u martuen jashtë, i detyruen me u nda ose i burgosën shumë vite.

■Ata që nuk ishin antarë të PPSh, dhe nuk i sherbyen sigurimit të shtetit, edhe pse kishin mbarue universitetet ndër shtetet komuniste, u konsideruen “jo besnikë të PPSh”.

■Hapja e Dosjeve për ata që “nuk kanë pranue me u angazhue me PPSh, ose as me i sherbye sigurimit të shtetit” dhe, nuk kanë sjellë dame në shoqni, pavarsisht nga detyra ase profesioni që kanë pasë, duhen publikue dhe nderue per qendrimin e tyne.

■Po e njajta gja duhet ba me ish të burgosunit dhe të perndjekunit politik ase të afermit e tyne, që jo vetem nuk kanë pasë lidhje me sigurimin, po edhe janë persekutue per këte qendresë të nderueme nga ana e Tyne, përballë shtetit diktatorial e terrorist.

■Per njerëzit e arrestuem, duhet fillue hapja nga personi që vendosi arrestimin e tij, dhe mbasi të hapen Dosjet e arrestimit, pra konsultimi i ministrisë së mbrendshme me kryetarin e degës së mbrendshme të rrethit, hapet Dosja hetuesisë, dhe mandej, hapen ato të spijunëve të birucave… Vazhdohet me të burgosunit e torturuem per vdekje per me nënshkrue “bashkpunimin” e tij me sigurimin e shtetit, dhe pasojat e atij arrestimi, tek familja dhe far’e fisi. Dosjet e këtyne personave vazhdojnë nder burgje e kampe… Nuk duhet harrue kurrë vezhgimi i familjes së të arrestuemit nga agjentat e lagjeve, operativët e sigurimit dhe masat e marruna ndaj të afërmëve, kur i “dënuemi” ishte i pafaj.

■Për mënyren e hapjes së këtyne Dosjeve SOT, komisjoni i hapjes së Dosjeve, duhet të marrin si model disa Dosje të njerëzve të PAFAJSHËM, të cilët PAFAJSINË e Tyne, e kanë pague me JETEN E VET, tue u pushkatue ose tue vdekë në hetuesi, në tortura.

■Nga të PAFAJSHMIT e tillë, ju sugjeroj dy persona, të cilët, me proceset e tyne do të Ju flasin ma shumë se të gjitha modelet e hueja. Dosja e shkodranit Injac Baqli, nëpunës i bankës së shtetit, në Shkoder…Dhe, Dosja e Don Ejëll Kovaçit, Klerik i pushkatuem.

■Ndersa, Dosjet ndër grupe kanë tjeter procedurë, mbasi edhe arrestimi i tyne asht ba ndoshta mbi një “fakt” të njenit prej personave të grupit, mandej me tortura dhe mjete antinjerzore, janë detyrue të arrestuemit tjerë me pranue “bashkpunimin” në grup.

■Vite ma perpara u arrestuen dy vllazen në krahinen e Shllakut, në Shkoder, per vrasje të kryetarit të keshillit popullor të fshatit atje. Në fund u pushkatue vllau i “pafajshëm”, dhe shpetoi “Vrasësi”… A nuk ka vend këtu per një studim sesi u veprue nga hetuesi?

■Shembujt janë të shumllojshëm dhe vërtetë të pabesueshëm nga të Rijtë, dhe sidomos, nga ata që kanë studjue jashta Shqipnisë tashti mbas vitit 1991…

■Hapni Dosjet, se vetem atëherë, do të mësoni të Vërtetën e fjalës GJENOCID!


■Në vitin 1944 Shqipnia kishte 1.200.000 banorë! Vrasjet e krimet e Enver Hoxhës me bashkpunëtorët e tij terroristë ndaj të gjithë Atdhetarëve Shqiptarë në 47 vjetë robni të panjohun në Shek. XX, nuk mund të krahasohen me ASNJË tjetër, as me Stalinin!

■Specialistët jugosllavë dhe sovjetikë kishin mërrijtë që në ditët para të robnisë...
■Urdhni per pushkatime dhe arrestime përgatitej nga qendra, pra, direkt nga E. Hoxha.

Veprimet kriminale në Jug ishin realizue me sukses. Po e njajta rrugë shfarosje për të gjithë antikomunistët asht ndjekë edhe në Veriun e vendit, ku siguria nder veprime ka kenë edhe ma e madhe, mbasi rretherrotull Shqipnisë ishin forcat jugosllave të gatëshme per me nderhy po kje se, “njerëzit e malit” sillnin probleme per forcat e ndjekjes.

■PKSh që fshihej nën rrobat e ushtrisë, dhe sigurimi nen forcat e ndjekjes, të jepnin idenë se komunistët janë “dorëjashtë” në terrorin që filloi njëheri me robninë e forcave të bolshevikëve të Titos, me pseudonimin “specialistët” jugosllavë. Metodë që ma vonë u zbatue nga “këshilltarët” sovjetikë, dhe u vazhdue nga terroristët shqiptarë me sukses.

■Tirani Enver Hoxha, fitoi shumë shpejtë besimin e të gjithë antishqiptarëve, me dorën e tij gjakatare dhe vrasëse, tue iu krijue të gjitha privilegjet e një udhëheqësi të PPSh, dhe tue u ndihmue nga sovjetikët, jugosllavët, anglezët, amerikanët, francezët, italianët, kinezët... dhe cilido terrorist që do ta ndihmonte ate me mbajtë pushtetin me të gjitha mjetet materiale dhe ushtarake, për shfarosjen e Atdhetarëve të shquem Shqiptar.

■Per të gjitha arrestimet, pushkatimet e burgosjet, dhe mbas 15 Majit 1945 interrnimet, të gjitha krimet e kryeme në territotin e Shqipnisë, duheshin ba të dijtuna Enver Hoxhës, madje, edhe “vullneti i fundit i të pushkatuemëve” para gropës së varrosjes pa emen...

■Kur PKSh doli haptas me emnin PPSh, dhe drejtohej zyrtarisht nga E. Hoxha, ajo ka fillue planifikimin e terrorit në Shqipninë e robnueme haptas dhe me dokumenta, që e faktojnë këte që me 17 Nandor 1944, kur forcat partizane hyne zyrtarisht në Tiranë.

■Byroja politike e Komitetit Qendror të PPSh, merrte vendimet e saja per arrestimet që do të baheshin nder rrethe, sa vetë do të pushkatohen (ku vendin e parë e zinte Shkodra), sa do të dergohen nder kampe pune e shfarosje, sa do të interrnohen, sa shtëpi, dyqane e tokë do të konfiskohen...dhe kjo shifer e detajueme i kalonte per zbatim direkt ministrit të mbrendshem, mbasi aprovimi i kryeministrit ishte marrë në Byronë politike të K.Q.

■Ministri i Mbrendshëm shperndante planifikimin nder rrethe tue ngarkue kryetarët e degave të mbrendshme me dergue listat emnore në ministri, per personat që mendohej me u burgosë dhe masat e dënimit që do të jepeshin në perputhje me shifren e qendres.

■Mbas aprovimit nga ministri i mbrendshëm, ngarkohej dega e mbrendshme me ba arrestimin, fillonte hetimet, mbyllej dosja hetimore, dhe personi i kalonte gjykatës per dënim. Jepej dënimi dhe çeshtja shkonte në Gjykatën e Naltë, shoqnue me mendimin e kryetarit të degës së mbrendshme, i cili theksonte masen tue zbatue vendimin e parë që kishte dergue me dosjen konsultative ministri i mbrendshem (nenkuptohej planifikimi).

■Vendimet me pushkatim i kalonin Presidiumit Kuvendit Popullor. Mbas ekzekutimit të viktimës njoftohej tirani Enver Hoxha per suksesin, dhe “vullnetin e tij të fundit”...

■Personat që dënoheshin me “heqje lirije”, shperndaheshin nder kampe ose burgje.

■Kur perfundonte dënimin dhe lirohej, viktima porsa fillonte punen do të plotsonte një dosje “pune”, e cila mbyllej vetem kur vdiste personi... Motivacioni i lirimit nga burgu i ndiqte të gjithë familjarët e viktimës dhe trashigimtarët e tij, tue i etiketue “të deklasuar” per gjithë jeten e tyne dhe fëmijët e tyne që do të lindshin edhe 20 apo 30 vjetë mbas...

■Per trashigimtarët e të pandehurit dhe familjarët e tij, porsa jepej dënimi nga gjykata, kryetari i lagjes bante rregjistrimet në degen ushtarake per mashkujt, ndersa nder vendet e punës së familjarëve të tjerë bahej menjëherë rregjistrimi nga shefat e kuadrit.

■Pra, si konkluzion arrijmë me vertetue se një i “persekutuem ase i pushkatuem” ka këto Dosje, të cilat fillojnë me persekucionin e tij dhe vazhdojnë me trashigimtarët:

■Dosja konsultative: Ministri jep motivacinin e arrestimit, Dega e mbrendshme e rrethit percakton personin kriminel per zbatim, hetuesin dhe akuzen...si dhe afatin e veprimit.

■Dosja operative: Kryetari i degës ose shefi i hetuesisë, ngarkonin hetuesin X me ba arrëstimin, me fillue hetimet me té në pistën e planifikueme, tue parashikue torturat, dishmitarët, dhe dënimin. Per të gjitha veprimet ose ndryshimet njoftohej ministri.

■Hapet Dosja e hetimeve me të arrestuemin: Mbyllej kur i arrestuemi dënohej.

■Hapet Dosja e Gjykatës në rrethin ku dënohet i arrestuemi. Per ushtar ku asht arrestue.

■Hapet Dosja e Gjykatës së Naltë, që vendosë vendimin e parashikuem nga ministri.

■Hapet Dosja e Kuvendit Popullor, me vendimin perfundimtarë per të dënuemit me vdekje, dhe vendimi i percillet gjykatave të rrethit, ministrisë së mbrendshme per zbatim.

■Zbatimi i vendimit perfundimtar me vdekje, zbatohet nga degat e mbrendshme nder rrethe, tue kenë i pranishem prokurori i rrethit ase kryetari i gjyqit të çeshtjes.

■Hapet dosja e burgut: Per të dënuemit me burg, punë të detyrueshme etj...

■Dega e mbrendshme e rrethit njofton degen ushtarake, komitetet ekzekutive dhe të gjitha këshillat e lagjeve per vendimin e marrun nga gjykata e naltë, dhe menjëherë do të bahen rregjistrimet nder vendpunimet e familjarëve të tjerë, kurse komiteti ekzekutiv në zyren e kuadrit të veten, merr vendimet per punësime, largime, bursa studimi etj...

■Komiteti i PPSh hapë Dosjen per kadrot e nalta të të dënuemit, dhe percakton “luften e klasave”, masat ndaj personave të asaj familje që u asht dënue pjestari i saj.

■Komiteti i PPSh Hapë Dosjet e perjashtimit nga Partia të familjarëve të dënuemit, dhe jep udhzimet në Degen e Mbrendshme per ata dhe rrethin shoqnor të tyne.

■Per të gjithë personat që kanë perfundue shkollat e nalta ka Dosje Personale, ku asht e shenueme sjellja, qendrimi politik, aktivizimi me aksionet e rinisë (ku nenkuptohet me sigurimin e shtetit) dhe sa asht i vlefshem per të ardhmën...në sherbim të PPSh.

■Për disa persona të “veçantë” Komiteti Qendror i PPSh, ban trasferime nga burgjet, dhe me urdhën sekret të komiteteve të PPSh rretheve, terroristët bajnë zhdukjen e tyne kryesisht, kur mungojnë faktet publike per pushkatim, si rasti i Ndrekë Kodhelit, Don Zef Maksen etj., që gjoja dergohen nga Tirana per burg të Burrelit e vriten gjatë rrugës.

■Per të gjithë agjentët e sigurimit të shtetit kishte privilegje, shperblime, dekorata dhe gradime të dhanuna per vrasje, burgime, hetime në tortura dhe rekrutime agjentash.

■Të gjitha veprimet terroriste të këtyne agjentave udhzoheshin dhe kontrolloheshin nga metastazat e komitetit qendror të PKSh (PPSh) nder rrethe, me qender Komiteti i PPSh.

■Besueshmenia e një komunisti matej me sherbimin e tij si agjent i sigurimit të shtetit.

■Pra, asht e kjartë se nga të gjitha këta dokumentacione dhe Dosje, sot ne vertetojmë të
gjitha krimet e Gjenocidit komunist, kriminelët dhe vrasësit me veprat terroriste të tyne,
per të cilat Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu, dhe të gjithë pasuesit tjerë, vazhdojnë me kenë “Heronjë të Popullit” JO Shqiptar!..

■Shqipnia asht kenë dhe vazhdon me kenë një shtet i errësuem me dashje dhe pa asnjë prospektivë “drite” nga e mira, përderisa nuk nxjerrë në pah faktët historike, Krimet e pashembullta në një Shqipni, e cila nuk mund të krahasohet me ASNJË shtet tjetër, per krimet e kryeme ndaj një Populli Shqiptar, me atë sasi popullsije që kishte Shqipnia!


■Në këte 70 vjetor të përmbytjes së Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, nga terrori e krimet barbare të tiranisë komuniste të viteve 1944 – 1991, Përulem me dhimbje dhe respekt para të gjithë Atyne Viktimave të Pafaj, që jo vetem, u torturuen, u vranë, vuejtën, u zhdukën dhe shpesh me Heroizëm të pashoq, arrijtën me u vetvra nder torturat ma mizore vetëm, mos me nënshkrue me firmat e veta proceset fallco apo shpifjet vrastare të shokut…

E këta Burra Shqiptarë, pjesa ma e madhe e Tyne nuk kanë as “Dosje”, e edhe nëse i kanë, nuk asht asgja e vërtetë e shkrueme mbrenda tyne…Vetëm shpifje vrastarësh!

■Ata e dinin mirë se çka asht e shkrueme në “Derën e Ferrit Komunist”!

■Ata porsa u ndodhën ndër prangat e robnisë sllavokomuniste, vetëm mendonin se si duhet me vdekë me faqe të bardhë, mos me turpnue Veten, Familjen dhe Atdheun, për të cilët “vdiqën si me lé!”… E nuk janë aq pak sa kujtojnë ata, që kërkojnë me i “harrue”!

■Shkodra duhet të shkruejnë me shkronja të arta Emnat e Martirëve të Pavdekshëm: Kolec Deda, Av. Muzafer Pipa, Simon Darragjati, Prof. Simon Deda (Durrës), Prof. Kolë Prela, Av. Paulin Pali, Prof. Prenkë Kaçinari (Tiranë), Palë Thani, Pjetër e Marije Deda, etj., tue mos harrue kurrë 118 Burrat e Kelmendit, vra në Kryengritjen e Prekë Calit, që as Emnat e Tyne nuk tregohen nga vrasësit terroristë të Janarit 1945.

■HAPNI DOSJET! Hiqni dorë nga mashtrimet dhe rrenat! Nuk ju beson ma askush!

■Ndër 26 hetuesitë e burgjet e Shkodres, vetëm në hetuesinë e Burgut mënershëm të Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit, kishte 700 viktima që torturoheshin ditë e natë…

■E pse?! – Me akuzue të pafajshmit, me shpifë per shokun e me pranue “bashkpunim” me sigurimin komunist, per me çue në plumb inteligjencën Atdhetare Shkodrane!

■Si thoni ju, a duhet të dijnë shkodranët se si e mbytën av. Muzafer Pipën në hetuesi kur po e torturonin Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci, kur Ai nuk po pranonte me shpifë dhe këta, i futen nder muskujt e krahëve hekurin e skuqun, që takoi per shtyllen kurrizore dhe i shkreti Muzafer, mbeti i vdekun në çast… Madje, blene dhe pula e i ngranën të pjekuna, se gjoja Muzaferi deshti me ikë, u vra në dalje të hetuesisë e këte e vertetonte “heroi” Zoi Thëmeli, me gjakun e pulave që kishte hapë në çimenton rreth ndertesës!

■Më tregonte i tmerruem gati mbas 50 vjetësh i Nderuemi Loro Vata, sesi e kishin lidhë per karrigë, dhe hetuesi kriminel Fadil Kapisyzi po torturonte Simon Darragjatin… Po i kerkonte me nënshkrue procesin ku akuzoheshin edhe dy shokë të Simonit, i cili po kundershtonte se janë shpifje ato që janë të shkrueme aty. Hetuesi Fadil Kapisyzi, ishte një kokërr sarahoshi e fanatiku i pashoq. Mbrendë në zyrë të tij ishte edhe Dul Rrjolli, ndërsa, Simon Darragjati ishte i shtrimë për tokë e i lamë me gjak. Duli i hodhi Simonit një kovë me ujë për me e prue në vete. Porsa u duk se po e merrte veten, Duli i ra shpinës me një hu të trashë dhe i tha se, asgja nuk të ka ba Fadili ty, se shka kam ndër mend me të ba unë, a po flet, a po jo? – Simoni u përgjegj: Jo e jo, po të tham!! Fadili e humbi durimin mbasi kushedi sa kohë kishin që po e torturonin. E çoi nga toka, e afroi tek një dritare, të cilën e hapi dhe i tha: Sot ose do të firmosësh proçesin ose po deshte, hidhu nga dritaria e ta mbyllim historinë tande! Pa e mbarue fjalën mirë, Simoni zgjodhi rrugën e vdekjës nga dritaria…As unë nuk e kuptoj ku e mori forcën, veç, kur nuk e pashë ma në dhomë…Torturat e banë me vra veten. Mbas tij Fadili u sjell nga unë, po ti shka po ban? – Unë iu përgjegja se, nuk kam asnjë arsye me vra veten, ju, po deshët më hidhni vetë nga dritaria, por unë nuk bij! Duli më ra dy a tri herë me hunin që kishte në dorë, po, me thanë të drejtën pata frikë se po vdes pa muejtë me i lypë Zotit të falun për aktin e vetvrasjës, mbasi Simoni kur po dilte nga dritaria u ndigjue se tha vetëm fjalen “O Zot…”, ndërsa, unë, pata frikë se nuk po mundëm me e thanë as atë. Mandej, edhe po mendojshe me vedi ndër ata pak sekonda kohë, këta qej, kështu mendojnë me na vra të gjithëve… po, të provoj me durue torturat edhe pak si herët tjera…

Nxori një letër dhe ma vuni përpara, shkruej, më tha: “Unë, i pandehuri Loro Vata, nuk pranoj me nënshkrue proçes-verbal në hetuesinë që më ban kapiten Fadil Kapisyzi, në pezencën e Dul Rrjollit. Tuj mos pasë se çka me thanë as, me shkrue ma tepër se këto sa thashë, i vërtetoj me nënshkrimin tem pa as ma të voglin shtërngim… dhe, vuna firmë.
Mirë, tha Fadili, këtë deklaratë e kemi këtu, tashti, shko e mendoju në birucë, që kur të thërrasim, po nuk t’u mbush mendja me firmue do të gjejë ndera e Simonit e mos mendo, se del gjallë prej duerve të mija!

Persëriste Loro : Në torturë, një fije floku të ndanë nga vdekja ose vetvrasja!”
E, sa e sa Burra si këta, kanë zgjedhë “vetvrasjen”…si rrugë shpetimi? (1946 – 47).
***
■DOSJET E BASHKPUNTORËVE TË MASKUEM DUHEN HAPË TË GJITHA!

Agjentët e njohun per bashkpunim me vullnetin e vet, duhen dallue nga të dhunuemit!

■Ky bashkpunim me sigurimin e shtetit me vullnet, që duket sikur asht i njohun po, në fakt, ai ka kenë i mësheftë dhe vazhdon me kenë edhe sot. Në vitin 1945 Mark Çuni formoi në Shkoder Organizatën “Bashkimi Shqiptar”. Mbas pak muejsh, nga Nandori, pra në pragun e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, grupi u zbulue… As sot nuk zihen me gojë agjentët që shkuen tek Tuk Jakova dhe i dhane një poezi… Që zbuloi krejtë Organizatën dhe çoi në plumb shtatë vetë, nder të cilët edhe tre klerikë katolik të pafajshëm…

■Po në vitin 1945 lexojmë në dy Dosje, n’atë të Don Lazer Shantojës dhe Ndue Palit, se kur po pritshin nga Riza Dani, kryetar i komitetit Shkodres njoftimin kur me u “dorzue”, forcat e ndjekjes, i zbulojnë ku janë dhe mbasi i kapin të tradhëtuem i pushkatojnë…

■Po kështu, kur forcat partizane kerkojnë me sulmue nga Selca Atdhetarin Prekë Cali, ata u thyen dhe i ranë mbas shpine, bashkë me forcat komuniste jugosllave… Pra, jo vetëm ua treguene rrugën e pabesisë, po edhe u lidhën me pushtuesit jugosllavë…

■Vjen në Shkoder Sejfullah Maleshova, me takue At Gjon Shllakun dhe gjoja, me i thanë se “duhet formue Partia Demokristjane Shqiptare, në Shkoder”, ashtu si kishte mashtrue në Tiranë disa vetë per “Partinë Social Demokrate” etj… Ai nuk mërrijti me u takue me At Gjonin, se ajo ide u kundershtue nga At Mati Prennushi dhe Imz. Gasper Thaçi, dhe megjithate, nuk munguen agjentët e sigurimit, me çue në plumb At Gjonin me shokë, simbas porosisë jugosllave, po gjithmonë me agjentat e sigurimit tonë të PKSh…

■Këta pak fakte mbrenda vitit 1945, i zuna në gojë jo vetëm me tregue se “shqiptarët” u treguen të zellshem me u vue në sherbim të sigurimit të shtetit, që instruktohej dhe në të gjitha veprimet antishqiptare bashkpunonte me okupatorët jugosllavë, po edhe mbasi këta tradhëtarë zbatonin “detyren”, punonin me shtue forcat e bashkpuntorëve të tyne, me agjenta sigurimi që dhunonin nder burgje dhe hetuesi me “plumbin ballit”.

■Nëse, Malet ishin të mbushuna me antikomunistë, lozhet e kinema Republikës në Shkoder ishin plotë me gra që thërrisnin “plumbin ballit” ose “në litar!”…

■Këta ishin “nënat e atyne djelmëve” që vdiqën tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”

■Ata që nuk u vranë në luftë njenimetjetrin, u angazhuen me PKSh, dhe sigurimin e shtetit që formoi kjo parti tradhëtare, per me nenshtrue Popullin Shqiptar me dhunë ndaj të gjithë pushtuesëve jugosllavë, sovjetikë, kinezë, e madje edhe të pa atdhe …

■Dosjet e agjentave që u vune në sherbim të PKSh, e i sherbyen sigurimit me vullnetin e tyne ma të madh, tue arrijtë deri aty sa “me kerkue pushkatimin e Atdhetarëve tanë”, se nuk donin robninë sllavokomuniste… Duhen njohë nga Populli Shqiptar!

■Duhen njoh edhe ata që u bane agjentë dhe vrastarë të shokëve të vet…

■Duhen njoh edhe ata që me tradhëti, jo vetem vranë Rininë Shqiptare, po edhe u bane “dr. prof. e akademikë”… e deputet të Kuvendit Popullor, ase “Heronjë të Popullit” tue nenshkrue akte e dokumenta pushkatimi, me procese fallco e shpifje…

■Dosjet ma të rendësishme per agjentët e sigurimit që ishin të burgosun janë ata që duhen ba të njohuna, për agjentët informatorë ma keqdashës që kanë sherbye padhunë, me vullnet të plotë, per vrasjen e tjetrit që i rrezikohej jeta si Bardhosh Danit me shokë.

■Nuk duhen perjashtue nga Hapja e Dosjeve, agjentët që ishin të burgosun dhe kanë krye detyren e “zberthyesit” nder birucat e sigurimit, vetem per dy lugë çorbë…

■Të gjithë agjentët dhe antarët e sekretarët e PKSh ose PPSh, hetuesit dhe kriminelët që kanë ndikue në “pushkatimin” e një personi të vetem, edhe në kjoftë se Enver Hoxha i ka burgosë ata, per vepren kriminale të vrasjes ai duhet njoh nga Populli Shqiptar.

■Nder burgjet dhe kampet e punës, vuejtja shpesh ishte e pafund. Shumë të burgosun mbasi plotsonin vitet e dënimit, dhunoheshin me u lirue me kusht: “Me nënshkrue para lirimit, deklaratë bashkpunimi me sigurimin!” Kush nuk pranonte dënohej përsëri. Ka nga Ata Martirë që pranuen me ba mbi 30 vjetë burg, e nuk janë pak Ata Burra si Dedë Markagjoni, Osman Kazazi, Don Nikoll Mazrreku, Don Mikel Koliqi…E, qinda të tjerë!

■Do të mbylli këte pjesë me Martirin e Shkodres Dulo Kali: “Kishte disa muej që nuk e pranonte akuzen (Shtator 1946)… Besoj, i kujtohet terroristit Aranit Çela. Nga korrenti elektrik Duli kishte humbë gati krejtësisht ndigjimin. Afer zyres ku torturohej kishin sjellë disa vajza që po qesheshin, dhe hetuesi i thotë Dulit: I ndigjon zanet e vajzave tua? Duli shokohet! Kujton se vertetë janë vajzat e Tij. Atëherë, hetuesi kur sheh Dulin e tronditun i thotë: Ndigjo Dulo Kali, po nuk firmove procesin, sot ke me pa me sytë tuej vajzat tua këtu mbi këte tavolinë, tue ti përdhunue me rradhë të gjithë hetuesit e policët e degës së mbrendshme! Duli pranon…akuzat dhe nenshkruen procesin!

■Me një proces të tillë Dulo Kali u pushkatue me 11 Mars 1948…mbas dy vjetesh hetuesi!

■Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër e Atdhetarë, lyp drejtësi dhe paqë!
Sot metastazat e tyne po vazhdojnë me qëndrue në parimin komunist të baballarëve:

“Çkado që kemi bërë ose mund të bëjmë, né kemi të drejtë ta bëjmë prap!”.


Melbourne, Shkurt 2015.

2015/02/16

QËNDRIMI I SHTYPIT ARAB NDAJ LIDHJES SË PRIZRENIT



Gazeta „EI ahram" nr. 120, e 3 nëntorit 1878 nën titullin „Shqipëria" shkruante se: „një popull i cili kërkon pavarësinë dhe është ...

Qemajl Morina

...në gjendje për te të sakrifikojë çdo gjë, është e pamundur të lihet anash para se të ngopë tokën me gjak; shqiptarët nuk janë më ata të djeshmit, ata janë zgjuar dhe janë më të pjekur".

Jehona e Lidhjes së Prizrenit apo Lidhjes Shqiptare nuk u ndie vetëm brenda kufijve të Evropës, por ajo kishte habitur mbarë botën. Trimëritë e popullit shqiptar dhe flijimet e tij për tokën e të parëve kishin zenë faqe të tëra dhe vendet e para në lajmet e shtypit botëror, e unë do të mundohem të përshkruaj shkurtimisht qëndrimin e shtypit arab ndaj ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit.

Dua të cek në fillim se dëshira ime është t'i jap një kontribut sado të vogël trajtimit të Lidhjes së Prizrenit, pishtarët e së cilës, dhe jo vetëm ata, flijuan gjënë më të shtrenjtë për të mirën e brezave të rinj. Në të njëjtën kohë i bëj me dije të interesuarit se ekziston mundësia e një studimi të Rilindjes sonë kombëtare nëpërmjet shtypit arab, pasi që asokohe kishte lidhje të shumëfishta ndërmjet popullit shqiptar dhe arabëve, e vlen të përmendim se dinastia shqiptare në krye me Mehmet Ali pashën sundonte qendrën e botës arabe — Egjiptin qysh prej vitit 1805.
Kumtesa ime është bazuar në dy gazetat kryesore dhe me të njohura të asaj kohe në botën arabe. Ato janë „El vokaië el misrijje"1 dhe „El ahram",2 të cilat i kishin ndjekur rregullisht ngjarjet e Lidhjes Shqiptare.

Me traktatin e Shën Stefanit krahina të tera shqiptare u ishin lënë shteteve borgjeze fqinje. Shqiptarët kishin protestuar kundër kësaj padrejtësie. Në gazetën „Elvokaie"3 hasim pesë protesta të tilla dërguar konsujve të shteteve të mëdha nga krahinat e ndryshme shqiptare. Populli i Dibrës proteston te ambasadorët e Austro-Hungarisë dhe të Anglisë kur merr vesh se do të mbesin nën sundimin bullgar, duke vënë në pah ndër të tjera: „se nuk gjendet në atë anë asnjë bullgar. I gjithë populli janë myslimanë dhe të krishterë të kombësisë shqiptare".4 Protesta të tilla ishin dërguar edhe nga Shkodra, Gucia, Plava, Malet e Shqipërisë Veriore, Prizreni, Prishtina, Manastiri etj.s Në të njëjtën gazetë hasim në protestë'n e dërguar nga Shqipëria Perëndimore Kongresit të Berlinit ku, përveç tjerash, thuhet: „Afër një milion shqiptarë, gjysma prej tyre myslimanë dhe gjysma të krishterë të Shqipërisë Perëndimore kërkojnë më shumë të drejta se traktati i Shën Stefanit, pasi që populli shqiptar është popull shumë i vjetër dhe meriton t'i gëzojë të njëjtat të drejta sikurse bullgarët".6

Çështja e Lidhjes Shqiptare

Nën këtë titull gazetat arabe shkruanin artikuj të tërë mbi çështjen shqiptare. Gazeta „EI ahram" nr. 120, e 3 nëntorit 1878 nën titullin „Shqipëria" shkruante për Lidhjen e Prizrenit, anëtarët e saj dhe komisionet e ndryshme per çështjet administrative e ush-tarake, pastaj shpjegon se qëllimet e Lidhjes ishin dy:
1. Mos t'i dorëzohej askujt asnjë pëllëmbë e tokës shqiptare
2. Shqipëria të fitonte autonominë e plotë.
Lidhja Shqiptare mundohej që çështja e popullit shqiptar të njihej sa më mirë nga opinioni ndërkombë'tar. Për këtë qëllim, krahas përgatitjeve pë'r mbrojtjen e Atdheut, vepronte edhe në terrenin diplomatik. Një gjë të tillë hasim në „EI ahram" nr. 144, të 24 prillit 1879, ku botohej protesta shqiptare drejtuar shteteve të mëdha e ku thuhej: „Shqiptarë't kanë vendosur të sakrifikojnë gjënë më të shtrenjtë për hir të kombit dhe vendit të vet. Ata refuzojnë kategorikisht që Greqia të ketë të drejtë në tokat e tyre".
Gazeta në fjalë vazhdon se ngjarjet e fundit kishin zgjuar te populli shqiptar ndjenjat e diturisë dhe të përparimit. Ata kërkojnë nga Evropa që të mos lejojnë humbjen e popullit shqiptar, i cili s'ia ka besën drejtësisë së shteteve të mëdha, dhe mendon se Shqipë'ria nuk do të bëhet fli për Greqinë.

Lidhja Shqiptare në pranverën e vitit 1879 kishte ndërmarrë një aksion diplomatik për t'ua bërë të njohur qeverive evropiane çështjen shqiptare dhe të protestonte kundër padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar. Kjo detyrë u qe ngarkuar Abdyl Frashërit dhe Ali bej Vrionit, turnenë e të cilëve e kishte ndjekur me vëmendje shtypi arab.
Sulltani i Turqisë duke parë se Lëvizja Shqiptare kishte marrë një hov të madh „u premton shqiptarëve autonominë si shpërblim për tokat që do t'i jepeshin Greqisë".7
Përleshjet e forcave shqiptare me ushtrinë serbe në kufi zinin një vend të dukshëm në shtypin arab.8


Aktivitetet e Lidhjes Shqiptare

Lidhja Shqiptare dita më ditë vinte duke u forcuar, mbante në dorë plotësisht gjendjen e brendshme, merrte masat e duhura për mbrojtjen e kufijve. Gazeta „El Ahram",9 sipas lajmeve të gazetave të Vjenës shkruante: „se e gjithë Shqipëria është ngritur kundër Turqisë, flamujt e kryengritjes janë ngritur në fushat dhe malet e saj. Gazeta zyrtare „Revolucioni shqiptar" ka shpallur thirrjen për pavarësi në të dy gjuhët, shqipe dhe turke, të nënshkruar nga udhëheqësit e Lidhjes prej myslimanësh dhe të krishterësh, ndër të cilët ishin edhe Prenk Bibë Doda dhe prifti Barto".

Çështja shqiptare kishte arritur kulminacionin në fillim të vitit 1880. Lidhja Shqiptare me organizimin e forcave të saja kishte arritur të pengonte zbatimin e traktatit të Berlinit. Kjo gjë kishte bërë që „El Ahrami"10 të shkruante se „Traktati i Berlinit ishte fillimi i problemit të Orientit, e jo mbarimi i tij".

Qëndresa heroike e popullit shqiptar kundër lakmive të qeverive borgjeze të fqinjve për mbrojtjen e njësisë tokësore kishte ngjallur simpati kudo në botë. „El Ahrami"11 përmendte se: „një popull i cili kërkon pavarësinë dhe është në gjendje për te të sakrifikojë çdo gjë, është e pamundur të lihet anash para se të ngopë tokën me gjak; shqiptarët nuk janë më ata të djeshmit, ata janë zgjuar dhe janë më të pjekur".
Kjo gjë kishte nxitur Lidhjen Shqiptare që të dërgonte një delegacion pranë shteteve të mëdha „të kërkojë ndryshimin e neneve të traktatit të Berlinit lidhur me Shqipërinë".12
Lidhja Shqiptare ishte gjithnjë në lëvizje dhe ndiqte me vemendje çdo manevrim të shteteve të mëdha në dëm të viseve shqiptare. „El Ahrami" nr. 212, i 26 gushtit 1880 botonte një shpallje të Lidhjes Shqiptare drejtuar popullit shqiptar ku përveç të tjerash thuhej: „Ne shqiptarët, bijtë e kësaj toke e jo të ardhur në të, që kemi fituar pavarësinë para sa shekujsh, duhet të kërkojmë të kemi shtetin tonë të pamvarur...".
Kah mbarimi i vitit 1880 Lidhja Shqiptare hynte ne fazën përfundimtare, duke u ballafaquar nga njëra anë me diplomacinë e Evropës dhe me Portën e Lartë në anën tjetër, që kërkonin dorëzimin e Ulqinit me rrethe.

Dervish pasha kishte përdorur metodat më barbare për arrestimin e udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare; tradhtisht, në fillim, kishte arrestuar Preng Bibë Dodën dhe Hodo Pashën.

Qeveritë evropiane, edhe pse dinin për krimet e Dervish pashës kundër udhëheqësve shqiptarë, heshtnin, duke mos marrë kurrfarë masash. Në gazetën „El Vakaie"13 hasim në një artikull ku është botuar f jalimi i Çarls Dilke, mbajtur në Parlamentin anglez, i cili përveç tjerash thotë: „Qeveria angleze nuk e sheh të arsyeshme të marrë masa ndërmjetësuese përsa u përket veprave të pashës lidhur me arrestimin e prijësve të Lidhjes Shqiptare me gënjeshtra e tradhti".

Por, me gjithë masat e egra që mirrte Dervish pasha për shtypjen e Lidhjes Shqiptare, populli shqiptar, në çdo rast, sipas mundësisë shfaqte urrejtjen kundër sunduesit otoman duke u ngritur në kryengritje, njoftimet lidhur me të cilat i ndeshim në muajt e fundit të vitit 1881.


Lidhja mbron tokat shqiptare të Veriut

Lidhja e Prizrenit, përveç autonomisë, kishte marrë përsipër si detyre edhe mbrojtjen e unitetit tokësor të Shqipërisë nga lakmitë e qeverive borgjeze të fqinjëve ballkanikë.
Shtypi arab i kishte ndjekur me interesim të plotë trimëritë e popullit shqiptar: „Ata lidhin besën sipas zakonit të tyre që ta luftojnë kushdo që sulmon dhe kërkon vendin e tyre".14
Lord Bikënsfild (kryetar i Qeverisë Angleze) flet për një „sukses" të politikës së tij duke bërë fjalë për çështjen e Orientit në kuvendin e princëve, ku përveç tjerash cek: „Pjesa me e vështirë e traktatit të Berlinit ishte rregullimi i kufijve të Malit të Zi, të cilit tash i janë dorëzuar Podgorica dhe Shpuzi pa derdhur gjak".15
Dorëzimi i qyteteve të përmendura pa gjakderdhje i kishte dhënë kurajë Qeverisë Malazeze të ndërmerrte një aksion tjetër për pushtimin e Plavës dhe të Gucisë, duke u dërguar memorandume Portës së Lartë dhe shfeteve të mëdha, por qëndresa e Lidhjes së Prizrenit kishte bërë që kjo pikë e traktatit të mos zbatohej.
Çështja e Plavës dhe e Gucisë ishte bërë objekt shqyrtimi në shtypin e mbarë botës, e gazeta „El Ahram"16 e çmonte si „çështje politike të dorës së parë".
Plava dhe Gucia, sipas gazetes „El Vakaie",17 ishin bërë objekt diskutimi në parlamentet e Evropës, e dëshmi për këto kemi për shembull diskutimin në parlamentin hungarez ku kishte folur lidhur me këtë Baroni Haymerli, i cili kishte mbajtur anën e Portës.

Shtetet e mëdha pas dështimit të përpjekjeve të tyre që t'ia dorëzonin Plavën dhe Gucinë Malit të Zi, kishin vendosur t'i këmbenin këto me Hotin dhe Grudën, sipas propozimit të kontit Korti (ministër i jashtëm italian) me pretekst se banorët e këtyre krahinave ishin katolikë dhe nuk do te bënin rezistencë. Por, në të njëjtën kohe këtu fshefej edhe dëshira e Italisë që të zvogëlohej ndikimi i Austrisë ndër shqiptarët katolikë në bregun lindor të Adriatikut.18 Lidhja Shqiptare kishte karakter kombëtar, mbronte tërësinë e të gjitha tokave shqiptare e nuk kishte të bënte me ndarjet fetare, prandaj të gjithë shqiptarët u bashkuan dhe e penguan zbatimin e këtij plani të shteteve të mëdha.

Prijësit e Lidhjes Shqiptare kishin fituar një simpati të madhe në shtypin arab, vendosmëria e tyre per mbrojtjen e tokave shqiptare i kishte bërë objekt shqyrtimi në botën arabe. Kështu gazeta „El Vakaie"19 përshkruan një dialog në mes Ali pashë Gucisë dhe princ Nikollës, ku princi malazez e quan Ali pashën si kryengritës dhe njeri qe s'u bindet urdhërave te sulltanit, pasi që ai nuk iu lëshonte Plavën dhe Gucinë Malit të Zi sipas Traktatit të Berlinit. Por, Ali pasha i përgjigjet duke ia kujtuar se edhe malazeztë e kishin çuar jetën ne kryengritje kundër sulltanit e në këte menyrë e kishin arritur pavaresinë. Për këtë „shqiptarët sot i binden vetëm Qeverisë së re (LidhjesShqiptare), e çohennë kryengritje deri sa të arrijne pavarësinë".

Shqiptarët me rezistencën e tyre heroike kishin bindur botën se nuk ishin një grup fisesh që mund të shpartalloheshin lehtë, siç pretendonin armiqtë e tyre.20 Shtypi i huaj i përcillte me kujdes ngjarjet në Shqipëri. Dëshmi për këtë gjejmë edhe në „El Va-kaie",21 sipas gazetës „Nol Pres Liber", e cila shihte se interesi i Orientit kërkonte që t'u lihej shqiptarëve dhe malazezëve çështja e tyre, duke mos ndërhyrë asnjë nga shtetet e mëdha. Gazeta arabe e konsideronte plotësisht të arsyeshëm këtë mendim.22

Gazeta në f jalë përfundonte artikullin e saj sikur të dinte planet e shteteve të mëdha kundër popullit shqiptar, me këto fjalë: „Nëse ato kanë ndërmend të dërgojnë ushtarë, ose e detyrojnë Turqinë të dërgojë ushtrine për të marrë tokat shqiptare nga te zotët e tyre... atëherë parimi i kombësisë për të cilën shtetet e mëdha krenohen se luftojnë t'ia arrijnë qëllimit të tij, nuk ka dyshim se Evropa e ka lëshuar rrugën e drejtë. Nëse ajo nuk do t'ju ndihmojë shqiptarëve është më e arsyeshme tek e fundit t'i lërë të lirë në zgjidhjen e çështjes së tyre".
Lidhja Shqiptare vendosi si më parë të mos dorëzojë Ulqinin, por shtetet e mëdha iu përgjegjën duke dërguar flotën e tyre të përbashkët në ujërat e Ulqinit më 20 shtator 1880, kurse në anën tjetër ushtronin presion mbi Portën e Lartë që t'i bindte shqiptarët me forcë ta lëshonin Ulqinin.23
Shtypi arab i kishte kushtuar kujdes të posaçëm çështjes së Ulqinit. Gazeta „El vakaie"24 përshkruan një artikull nga gazeta austriake „Korenspondans" ku përveç të tjerash thuhet: „Lidhja Shqiptare fare nuk është trembur nga lajmi i bashkimit të flotës dhe arritjes së saj të shpejtë në ujërat e Ulqinit. Ajo s'donte të dinte fare per këtë lajm, por i dërgonte ushtarët e vet në Shkodër".
E njëjta gazete, më 18 tetor e përshkruante gjendjen në këtë mënyrë: „Të gjitha gazetat pa dallim ideologjie dhe kombësie pajtohen se shqiptarët janë të revoltuar.. ,".25

Popujt e shikonin me admirim të madh luftën e popullit shqiptar. Gazeta „El vakaie"26 përshkruan një artikull nga gazeta franceze „Korie Dorian" në te cilin thuhet: „Është gjë e pamundur që një popull luftëtar, i vjetër e fisnik, sikurse është populli shqiptar, të lëshojë një pjesë të vogël të Atdheut të tij..."Gazeta franceze i krahasonte shqiptarët me borganesët, të cilët refuzuan t'i nënshtroheshin sundimit të mbretit spanjoll. „El ahrami" nuk besonte se ushtria turke mund t'i sulmonte forcat e Lidhjes, pasi që „ato mbrojnë të drejtat e perandorisë, e në anën tjetër nuk është sekret se udhëheqësit dhe komandantët më të mirë janë shqiptarë".27

Gazeta në f jale transmetonte thëniet e disave të cilët thoshin se Dervish pasha ishte ai i cili ua kishte dorëzuar Batomin rusëve pa gjakderdhje, e është në gjendje të bëjë një gjë të tillë edhe me Ulqinin.Me gjithë rezistencën e popullit shqiptar, Dervish pasha hyri në Ulqin më 24 nëntor pas një lufte të rreptë me shqiptarët dhe më 26 nëntor ia dorëzoi Ulqinin Malit të Zi.


Lidhja mbron kufijt e Jugut

Kongresi i Berlinit nuk kishte cënuar vetëm kufijt në Veri të Shqipërisë, ai e kishte bërë këtë edhe në Jug, ku Greqia merrte Thesalinë dhe Epirin, sipas nenit 24 të Protokollit të Trembëdhjetë. Protestat shqiptare nuk kishin sjellë kurrfarë rezultati. Greqia gëzonte përkrahjen e plotë të Francës, gjoja për t'i bërë ballë dominimit sllav në Ballkan. Çështja e kufijve të jugut kishte zgjuar interesim të madh në shtypin arab, ishin botuar artikuj të gjatë rreth kësaj çështjeje. Gazeta „El ahram"28 botonte një artikull të marrë nga gazeta „Tajm" ku thoshte: „Evropa duhet ta bindë Greqinë të heqë dorë" nga Janina, sepse hyrja e saj nën Greqinë i përngjan hyrjes së një therre në sy, pasi që shqiptarët do ta mbrojnë atë".

Lidhja Shqiptare e Jugut ishte shkaktare që të mbaheshin tri konferenca ndërkombëtare lidhur me kufijt. E fundit ishte ajo e 7 marsit 1881 ku mori fund çështja e këtyre kufijve që konsiderohej ndër problemet më të vështira të Orientit. Ambasadori gjerman insistoi te përfaqësuesi turk që Greqisë t'i jepej edhe Epiri, por ai iu pergjegj se shqiptarët ishin armatosur dhe Porta nuk ishte në gjendje të hynte në luftë me ta.

Lidhja Shqiptare pati sukses të mbronte Janinën dhe Çamërinë nga synimet greke.
Porta e Lartë tash ishte liruar nga problemet e kufijve dhe shtypte me sa fuqi kishte Lidhjen Shqiptare, por shpirti revolucionar i saj mbeti në zemrat shqiptare dhe u trashëgua brez pas brezi deri kur u ngrit flamuri kuq e zi më 28 nëntor 1912, për të kumtuar lindjen e Shqipërisë.

----------------------
1 El vakië el misrij-je është gazeta më e vjetër e botës arabe. Numri i parë i saj ka dalë më 20 korrik 1828, themelues i së cilës është M e h m e t Ali pasha nga Kavalla, vaM i Egjiptit gjatë viteve 1805—1849. Në fillim dilte vetëm turqisht, pastaj edhe në gjuhën arabe.
2 „El ahrami" (Piramidet) është themeluar më 1875 nga I e 1 i m dhe Bushare Tikla, botohej në Aleksandri. fishtë e njëjta gazetë e për-ditshme autoritative që sot del në Kairo. Numrat lidhur me ngjarjet e Iidhjes së Prizrenit janë nxjerrë nga mikrofilmi i redaksisë. Por më duhet të cek se shumë numra të dy gazetave nuk kam mundur t'i gjej në Arkivin Kombëtar të Egjiptit e posaçërisht të gjashtëmujorit të fundit të vitilt 1878, kohës së formimit të Lidhjes, gjë që kanë bërë të duket një lloj jbrazëtire në zhvillimin e ngjarjeve.
3 Nr. 763, 764, 767.
4 Nr. 764, 9 qershor 1878.
5 Nr. 766, 23 qershor 1878.
6 Nr. 767, 30 qershor 1878.
7 „El ahram" nr. 145, 15 maj 1879, f. 4
8 „El Vakaie" nr. 810, 11 maj 1879.
9 Nr. 165, 1 tetor 1879, viti i katërt.
150 Nr. 197, 13 maj 1880.
11 « Po aty.
12 „El Vakaie" nr. 885, 1 qershor 1880.
13 Nr. 1170, 21 korrik 1881.
14 „El Vakaie" Nr. 796, 2 shkurt 1879.
15 „El Vakaie" Nr. 804, 30 mars 1879.
16 Nr. 180, 15 janar 1880.
17 Nr. 853, 12 shkurt 1880.
18 M. F r a s h ë r i, Liga e Prizrenit, f. 31.
19 Nr. 864, 14 mars 1880.
20 X h. B e 1 e g u, Lidhja e Prterenit, f. 87.
21 Nr. 904, 7 korrik 1880.
22 „El vakaie" Nr. 904, 7 korrik 1880.
23 „Al ahram" Nr. 217, 20 shtator 1880.
24 Nr. 938, 13 tetor 1880.
25Nr. 914, 18 tetor 1880.
26 Nr. 964, 2 nëntor 1880.
27 „El ahrarai'' Nr. 225, 25 nëntor 1880.
28 Nr. 156, 21 korrik 1879.

Mithat Frashëri: "Ja e vërteta e Lidhjes së Prizrenit"




Dashnor Kaloçi

Pas pak ditësh mbushen plot 125 vjet nga dita kur më 10 qershor të vitit 1878 u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizërenit, e cila në historinë e Shqipërisë është konsideruar si një nga ngjarjet më madhore të kombit tonë. Gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, përkujtimi i kësaj ngjarje bëhej si një ngjarje e zakontë historike dhe vetëm në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të kësaj Lidhje, ajo ngjarje u përkujtua me një bujë të madhe duke vënë në funksionim të gjithë propagandën shtetërore. Pas viteve '90, kur shumë nga ngjarjet e historisë së Shqipërisë filluan të shikoheshin jo vetëm bardhë e zi, por me të gjitha anët pozitive dhe negative të tyre, edhe për Lidhjen Shqiptare të Prizërenit pati mjaft debate dhe kontestime të ndryshme si për rrethanat historike në të cilat u mbajt ajo, roli i Turqisë, zbatimi i vendimeve të Lidhjes, pjesëmarrja a po jo në atë mbledje të Abdyl Frashërit dhe shumë e shumë faktorë të tjerë. Lidhur me këtë ngjarje historike, ne vendosëm të botojmë kujtimet e djalit të Abdyl Frashërit, Mithat Frashërit, njërit prej personaliteteve të letrave shqipe, të cilën ai e pati botuar në vitin 1928 në revistën "Dituria", me rastin e 50vjetorit të asaj Lidhje.

Rrethanat historike para Lidhjes

"Moti 1928 përfaqëson për ne një pesëdhjetëvjetor historik me rëndësi të madhe, fillimin e lëvizjeve që do të linin përshtypjen e thellë të tyre me emrin Lidhja e Prizrenit, një lëvizje që zgjoi dhe shkaktoi krijimin e Shoqërisë Shqiptare të Stambollit. Mungesa e botimeve në gjuhën shqipe, si edhe të mospasurit sot në dorën tonë të kujtimeve dhe shënimeve të shkruara nga ajo kohë, si dhe akoma fakti që Shqipëria atëhere ishte e vizituar dhe e vizituarshme prej të huajve, na bëjnë të mos kemi sot në duart tona lëndën e plotë për rikonstituimin e atyre ngjarjeve. Për çdo studim historik mbi këtë pikë jemi pra të shtrënguar të bazohemi mbi kujtimet personale dhe mbi të pakta ndihma që na japin do botime fort të kufizuara. Lidhja e Prizrenit lindi nga Lufta Ruso-Tyrke e motit 1877-78. Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin e Turqisë, i impononte konditat e saj, i shkëpuste copë toke, disa drejtpërdrejt në favor të saj (në jugë të Kaukasit), të tjerat për shtetet e vegjël të Ballkanit, klientë dhe agjentë të saj. Dhe, në qoftë se për veten e saj merrte thela nga trupi i Turqisë tyrke, prej Ballkanit cënonte edhe tokën shqiptare për një shtet të krijuar rishtazi dhe vetëm truallin arbënor për të tre shtetet drejtpërdrejt fqinjë. Ky **** i çelur befas nën këmbët e shqiptarëve po zgjuante një reaksion si me thanë fiziologjik, hidhte kushtrimin dhe qiste poteren sipas zakonit jetik të popullit, një praktikë kurdoherë e përsëritur, në çdo rast: Lidhja e Prizrenit ndoshta në krye ishte edhe ajo një manifestim lokal kundër shkëputjes së tokës për fitimin e Serbisë dhe Bullgarisë. Këtu është koha të përmendim se me fjalën që figuron si titull i këtij artikulli, nuk duam të dëftejmë vetëm përpjekjet që u bënë rrëzë Sharit: po edhe shfaqjet patriotike të Janinës dhe Shkodrës. S'ka dyshim se ay ndryshim që projektohesh në statutin tokësor të Shqypnisë, zgjonte një reaksion identik, një mbrojtje instiktive edhe në ato dy qendra të tjera: Rusia me një anë po sillte Bullgarinë e Re gjer në Devoll dhe në Drin, në anë tjatër i falte Serbisë Nishin, Vranjën, Kurshunlinë, Leskovcin si dhe Malit të Zi, Podgoricën, Shpuzën, Gucinë, Plavën, tërë duke paraparë për Greqinë një dhuratë nga ana e Epirit. Të tre ballët e rrezikut krijonin tri vatra kundërqëndrimi, prej të cilave, kuptohet vetiu, dy të veriut do të kishin sipërsinë (epërsinë-red) materiale, me shumëcinë e popullsisë, forcën strategjike të pozitës dhe një farë indipendence relative përkundrejt Tyrqisë. Po edhe nga ana tjetër, fuqia morale dhe intelektuale do t'i binte në pjesë të asaj qendre që ishte në jugë. Dhe me të vërtetë kur veriu injoronte gjermë një pikë manevrat e shqehëve, duke qenë larg qendrave të tyre, pra duke mos i parë me sy (se në atë kohë propaganda dhe politika luhej në Petërbugr dhe jo në Belgrad), Janina ishte një vend i lirë i veprimeve greke dhe aspiratat e helenizmës s'shihnin nevojë të fshiheshin ose të maskoheshin. Vetëm Shkodra ndjente drejtpërdret shtypjen e Cernagorës, prej luftrave të pareshtura ndërmjet dy racave. Lufta Ruso-Tyrke po ngjante mbas luftimeve të Alemanjës dhe të Italisë për njësinë kombiare të tyre, pas parimeve të kombësisë që kishin filluar të këqyren si një element preponderant në jetën e popujve dhe të shteteve. Kështu që, edhe Rusia që bënte një politikë thjesht egoiste për rritjen e saj, edhe ajo Rusi që ngrinte armët më tepër për parime fetare si një zihje ndërmjet Kryqit dhe Kuranit, në fund të luftës ishte shtrënguar të dëftejë ide kombiare, të kërkojë copëtimin e Tyrqisë për fitimin e kombeve të ndryshme të Rumelisë në emër të njerëzisë, të racave, të së drejtës dhe jo vetëm të fuqisë. Idetë e ra s'ishin fare të panjohura në Shqipërinë e Poshtme: atje kishte gjetur një hej, një shesh diskutimi epopeja patriotike e Garibaldit, idetë humanitare të Mazzinit.

Kërcënimi i Shqipërisë

Në Janinë prapë lufta e motit 1870 kishte zgjuar një interes të madh dhe ishte e natyrshme që çdo lëvizje, çdo parim i ri, do të ndiqesh me një kuriozitet praktik në atë qendër në të cilën nuk mungonte intelektualizmi. E nesërmja e luftës, vajtja e rusëve në portat e Stambollit dhe imponimi i vullnetit të tyre me traktatin e Shën Stefanit, po vinte në evidencë rrezikun që i kanosesh Tyrqisë, rrotja e së cilës në Rumeli po bëhesh fort e dyshimtë. Ky kërcënim ishte edhe më i posaçëm për Shqipërinë: në qoftë se imperatorial otomane po menasohesh (kërcënohej - red) si shtet, trualli arbënor po shtihesh në rrezik si racë, si komb dhe bash në një kohë kur bëhesh fjalë për të drejtat e popujve dhe për parime të njerëzisë. Duhej, pra, që edhe shqiptarët në kundërqëndrimin dhe ankimet e tyre të mbështeteshin mbi argumenta prej një mentaliteti modern. Edhe këtu shfaqet për neve influenca e degës jugore: në Prizren populli, kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë materiale të tij, si dhe për supremacinë mbi elementin shka, bazonte shpresat mbi forcën e numurit dhe mbi të drejtën e pronës. Juga me pak e fortë, po më konshiente për të drejtat e saj si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Kjo influencë e delegatit të jugës u manifestua edhe në një mënyrë më definitive duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, gjeneral, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e revendikimeve lokalë, për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mejtimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për juigën dhe verinë, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe çdo individ që flet gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe, kuptohet vetiu se, bima e re do të zhvillohesh me gjithë ngjryat e saj: nga e sotmja te pritmi ishte një i vetëm çap për të bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokupojë lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhesh siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut duke i bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t'u njihen të drejtat e tyre, të respektohesh në një mënyrë baraz me të drejtat e atyre popujve në favor të të cilëve kërkohesh të shquhet trualli shqiptar. Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transferohesh në një anksion diplomatic; brenga simple dhe instiktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombiare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët.

Çfarë kërkonte Lidhja

Këndonjësi do të shohë në kaptinën e bibliografisë nomenklaturën e një sërë artikujve të mi në të cilët janë përpjekur të eksponoj punimin e Lidhjes, fazat e ndryshme të veprimit të saj dhe vështirësitë me të cilat kishte të bënte. Mjerisht, gjermë sot, studimet e bëra mbi këtë lëvizje ose botimet relative për të, janë fort të pakë, më të pakë akoma kur e krahasojmë me imponencën e saj fare kryesore. Në shumë njerëz Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijë të tij, sidomos në shekull të nëntëmbëdhjetë me Ali Tepelenën dhe Bushatllinë si edhe më pas tyre. Po ndryshimi qëndron mbi pikën që, kur çdo lëvizje e parë kishte për shtytkë iniciale aktivitetin e një njeriu të vetëm duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojuara prej cirkonstancave të ditës, këtë radhë inisiativa merresh prej popullit dhe qëllimi ndehesh mbi të tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit si edhe mbi kohën e ardhshme. Lidhja donte moscopëtimin e Shqipërisë; por edhe kërkonte që toka arbënore të njihet si Shqipëri, të caktohen të drejtat e saj, t'i respektohet jeta; me një fjalë një vend autonom, me administratë dhe sundim të përshtatun. Ishte një interprizë kolosale, me vështirësi të panumërta, së brendshmi dhe së jashtmi, në trup të popullit dhe, më tepër akoma, nga ana e sunduesit të Stambollit. Tyrqia në fillim të lëvizjes dëfteu një kënaqësi duke parë te shqiptarët një mprojtës të integritetit tokësor të imperatorisë otomane; por aspiratat nacionaliste dhe autonomiste të shqiptarëve, mbase edhe më tepër se nga çdo send, kolaborimi i gjithë Shqipërisë dhe i gjithë elementeve fetarë, e bënë Tyrqinë që të shohë te zgjimi i maleve tanë një armik më të madh se nga ushtëritë ruse ose lakmitë e shteteve të Ballkanit. Edhe fuqia brutale tyrke s'mënoi të manifestohet në Ulqin si edhe në Kaçanik. Mentaliteti tyrk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të bashkët dhe me bashkim; politika e sulltanit që bazuar mbi ndarje dhe çarje; shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmën ndërmjet toskëve dhe gegëve të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftojnë për shtëpinë dhe kullotat e tyre, por jo për një entitet moral që i thonë mëmëdhe.

Lidhja ishte shqiptare

Padyshim s'do të mungojnë njerëz që nuk njohin rrjedhjen e punëve ose janë lëshuar në rrëketë e thënieve prej fqinjëve të interesuar dhe besojnë ose kanë besuar që Lidhja është një krijim i qeverisë tyrke. Sa thamë më sipër, janë një përgjigje për të tillët. A mund të thuhet se veprimi i Lidhjes mbeti shterpë? Një veprim, një përpjekje është kurdoherë pëllore: është lidhja dhe nisja e një ekzistence të re, edhe në qoftë se rrëfehet sijsh një rezultat imediat. Në këtë botë sforcimi për të arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë. Një luftim i sotëm është kapital i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Edhe kështu Lidhja, tërë duke pasur si pemë vonimin e caktimit të kufisë në Epir për favorin e Greqisë dhe pastaj shpëtimin e asaj cope të madhe të Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatitë jetën kombiare tonë, t'u japë një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet, fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më se të luftur në formë të caktuar; që atëhere merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar prej fjalës Shqipëri; mbruhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar. Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendecat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pikë të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj me njëri-tjetri nisin të njësohen, të ndjehen solidare. Me një fjalë, fiset të bëhen komb. Kjo mbrujtje e shpirtit dhe e dëshirave, krijimi I këtij karakteri të ri nuk bëhesh dot pa një edukatë perseverente dhe të gjatë të bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për neve krijimi i "Shoqërisë e të shtypuri shkronja shqip". E harruar, e përbuzur si një patois (fr. Dialect - red), e shikuar, jo si një vegël qytetërimi por mbase, si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç'shohim sot, ç'presim nga e ardhmja, ç'kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga shoqëria letrare, lindur nga lëvizja e Lidhjes së Prizrenit.



Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...