Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/10

Elvin Luku: Izraelitët dhe fisnikët - Intervistë me gazetarin e njohur, Arshin Xhezo






IZRAELITËT DHE FISNIKËT
(Pjesa e parë)
-“Shqipëria dhe shqiptarët sakrifikuan dhe u shpëtuan jetën të gjithë hebrenjve që ishin apo erdhën në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kohë, kur të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të Europës, sidomos pas urdhërit-doktrinës së Hitlerit “FINAL SOLUTION” (“Shfarosja përfundimtare”), me iluzionin “për të shpëtuar kokën e vet”, ose ua nxorën hebrenjtë para syve nazistëve, ose i vranë edhe vetë, duke u bërë kështu, bashkëpunëtorë në krimin më të madh të shekullit, Holokaustin ndaj hebrenjve, vdekjen e gjashtë milionëve prej tyre, kryesisht, fëmijë, gra e pleq”.
-Intervistë me gazetarin e njohur, Arshin Xhezo-
NGA ELVIN LUKU
Në këtë intervistë, zotit Arshin Xhezo nuk i kërkuam të fliste për probleme të gazetarisë dhe përvojës së tij të gjatë si gazetar.
Kemi lexuar, se edhe familja e tij në qytetin e Beratit, ku ka kaluar  fëmijërinë, ka strehuar dhe shpëtuar jetën e dy familjeve hebrenje gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, kemi mësuar se po punon për një libër rreth kontributit të qytetarëve të Beratit dhe të Shqipërisë për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve.
Ndërkaq, kemi lexuar, që Arshin Xhezo, ka qenë i pari, i cili, qysh në vitet ’80, pra, në vitet e diktaturës,-atëherë kryeredaktor i të përditshmes “Zëri i Popullit”, ka guxuar të botojë një shkrim për këtë problem, atëherë “tabu”, sepse, sipas politikës absurde të asaj kohe, “Izraeli është kobure në duart e Amerikës”...
-Zoti Arshin, do të donim të na tregonit për kontributin e familjes tuaj, e cila, gjatë pushtimit nazist ka strehuar dhe shpëtuar nga vdekja dy familje hebrenje. Dhe, meqë, siç jemi të informuar, po përgatitni edhe një libër rreth këtij argumenti, a mund të na flisni diçka më gjerë për gjestin e bukur, por dhe sakrificën e shqiptarëve që nuk lejuan të binte asnjë hebre në duart e nazistëve? Ndërkaq, vetëm pas pak ditësh, më 27 janar, gjithë bota do të përkujtojë Ditën e Holokaustit(Shoah).
-Faleminderit! Siç e thatë edhe ju, ky akt i madh human nuk është vepër e një apo pesë familjeve. Gjithashtu, nuk duhet harruar se është vepër e etërve, e prindërve tanë, dhe jo e ne bijve. Pra, është “pronë e patrashëgueshme” dhe “tapia” ka emrin e tyre. Ne, që vijmë pas (dhe që unë nuk jam i sigurt, nëse mund ta bënim atë që bënë ata), na takon tanimë të bëjmë diçka “tonën”. Dhe, meqë më pyetët, edhe libri që po përpiqem të shkruaj është, thjesht, një homazh për prindërit, bashkëqytetarët e mi kurajozë e fisnikë, por dhe për gjithë shqiptarët.
Eshtë një e vërtetë historike, tanimë, se Shqipëria dhe shqiptarët sakrifikuan veten dhe familjet e tyre për të shpëtuar jetën e të gjithë hebrenjve që ishin rezidentë ose erdhën në Shqipëri në vitet e Luftës sëDytë Botërore. Për këtë flasin të gjithë: shqiptarë e të huaj, ish-partizanë e ish-kuislingë, por edhe politikanë, kryeministra e presidentë, brenda e jashtë Shqipërisë. Por, po theksoj, ajo që nuk kuptohet dhe nuk evidentohet mirë, është se ky akt unikal kurajoje qytetare, sakrifice, humanizmi e fisnikërie, ndodhte, në të njëjtën kohë, kur me ndonjë përjashtim të rrallë, të gjitha shtetet e Ballkanit dhe Europës, bënë të kundërtën.
Sidomos, pas urdhrit të Hitlerit “FINAL SOLUTION” (“Shfarosja përfundimtare”), këto shtete të Ballkanit dhe të Europës, edhe me iluzionin “për të shpëtuar kokën”, i dëbuan hebrenjtë “e tyre”, dhe, ose ua nxorën nazistëve “prenë” në rrugë, para syve, ose i vranë edhe vetë. Në të dyja rastet u bënë bashkëpunëtorë të hitlerianëve në krimin më të madh të shekullit “Holokaustin”, ku gjetën vdekjen gjashtë milionë hebrenj: fëmijë, pleq, gra e burra.
Heshtja nuk është pendesë. Por, gjithsesi, ka një logjikë se, “në shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari”.
Puna bëhet lëmsh, kur vrasësi dhe tradhtari shpallet shpëtimtar dhe hero...
-Të gjitha shtetet e Ballkanit janë të implikuara në këtë krim?
-Të Ballkanit dhe të Europës, me ndonjë përjashtim krejt të veçantë, dhe kjo e bën më të dallueshëm “fenomenin shqiptar”. Pra, nëse ka ndonjë rast, ku Shqipëria mund të ndihet vërtet mirë, madje, krenare dhe model në raport me Europën dhe botën, ky është gjesti i shpëtimit të hebrenjve nga Holokausti nazist, që përkujtohet në çdo 27 janar, apo bashkëjetesa fetare, dhe jo “modelet ekonomike” apo “modelet patriotike”, dhe të tjera përralla...
Po të përfytyrojmë një “hartë memece”, siç e thërrasin fëmijët e shkollës, dhe të plotësojmë në të me ngjyrë të zezë “hartën e Holokaustit”, qoftë edhe vetëm të Ballkanit, do të shohim në të njollat e turpit. Le ta fillojmë nga Greqia plotësimin me ngjyrë të zezë të “Hartës së Holokaustit”.
Në Greqi u shfarosën 65 mijë hebrenj. Vetëm nga Selaniku u vranë 54.050 vetë; 1700 nga Rodosi dhe 260 nga Kreta.
“Kur gjermanët pushtuan Selanikun, në prill të vitit 1941, hebrenjtë përbënin komunitetin e dytë, më të madh, pas grekëve... U deshën 15 trena të mbushur plot e përplot, për 5 muaj me rradhë par ta boshatisur Selanikun nga hebrenjtë e tij. I gjithë qyteti u dërgua në kampet e përqendrimit. U shkatërruan të 500 mijë varret e varrezave, ndoshta, më e madhja varrezë hebrenje në botë... Sikur të mos kishte qenë nxitja e agjentëve vendës, gjermanëve as që do t’u kishte shkuar ndonjëherë në mend ideja sakrilegj e shkatërrimit të nekropolit të lashtë hebre të Selanikut” (Robert Kapllan: “Greqia, gruaja e Lindjes, dashnorja e Perëndimit”, SH.B. “Dituria”, fq.25-26; Tiranë, 2002).
Por, tanimë dihet, se grekët e kanë traditë “fshesën”. “Njëqind vjet më parë, një numër i madh hebrenjsh në Korfuz dhe në krahina të tjera, u masakruan prej grekëve në revolucionin e vitit 1821, edhe pse nuk luajtën ndonjë rol nën sundimin turk. Madje, edhe pse nuk ishin palë, dhe as që donin të përziheshin në konfliktin midis myslimanëve e të krishterëve. Masakrat që ata përjetuan në atë kohë nga grekët ngjanin me ato të Holokaustit të shekullit XX: 5000 të vrarë në More, qindra të tjerë në Vllahi, 1200 në Tripolza. Hebrenjtë që jetonin në ishullin e Spartës, Patras, Korinthos, Mistras dhe Argos u fshinë nga faqja e dheut. Të njëjtin fat patën edhe ata të Tebës, Vrachonit, Atikës dhe Epirit” (Harvey Sarner: “Shpëtimi në Shqipëri”. 1998).
Në Jugosllavi. Numri i hebrenjve të zhdukur është 60 mijë, në Maqedoni: 7.142; në Itali: 8000.
Bosnje-Hercegovina. “Më 16 prill, një ditë pasi gjermanët hynë në Sarajevë, me ta u bashkuan bandat vendëse, të cilat ngrinin dorën e djathtë dhe tregonin katër gishtërinjtë, bashkë me të madhin, për të thënë se ishin të “Kolonës së Pestë”. Objektivat e para ishin sinagogat hebrenje. Ushtarët e Werhmahtit hynin brenda në këta tempuj, duke qëlluar e rrëzuar me automatikë shandanët e duke hedhur granata në altarë. Oficerët gjermanë u gajasën, kur panë se si bandat vendëse i plaçkitën dhe i shkatërruan dy ditë me rradhë, duke rrëmbyer qilimat, shandanët, fronat, bankat, dritaret, dyert. Ata, madje, shqyen edhe fletët prej bakri të sinagogës dhe linoleumin nga dyshemetë. Biblioteka hebrenje u shkatërrua plotësisht; shkrimet e shenjta u dogjën rrugëve të Sarajevës”. (Po aty. Fq.498)
Kroacia. “Nga të 40.000 hebrenjtë që jetonin në Kroaci, Slloveni, Strem (Kroacia Lindore), Bosnjë dhe Hercegovinë, 20.000-31.000 u vranë. Kampi më famëkeq ishte ai i Jasenovacit. Rreth 1500 gra hebrenje u mbajtën në Labograd, në Veriperëndim të Zagrebit, ku komandantët dhe personeli i kampit u morën rregullisht me përdhunime (Misha Glen:”Histori e Ballkanit”.IDK, Tiranë, 2007, Fq.500-501).
Serbia: “Bashkësitë më të mëdhaja hebrenje janë në BeogradBanat dhe Shabac... Brenda pak kohësh, gjenerali Bahme zuri të pushkatojë edhe hebrenjtë e Beogradit e të Banatit... Autoritetet ushtarake ishin pranë të vërtetës, kur i raportuan me krenari Berlinit, se Serbia tani ishte “Juden frei” (“Pa asnjë hebre”).
“Në mëngjesin e bartjes së parë, një kampion i rëndë dhe një makinë e madhe ngjyrë hiri hynë në kamp. Personeli i makinës i ngarkoi plaçkat në kamion; pastaj ndihmoi njëqind gra e fëmijë të hipnin në një kamion të dytë. Dhjetë minuta më vonë, pasi makina kishte kaluar nga Zemuni në drejtim të Beogradit, makinat ndaluan vetëm për një çast. Njeri nga dy shoferët zbriti poshtë kamionit dhe e mbylli tubin e shkarkimit të makinës, në mënyrë që gazrat të shkonin në pjesën e mbushur me fëmijët, të cilët përtypnin ëmbëlsirat, që ata vetë ua kishin “dhuruar” pak çaste më parë...” (Misha Glen: “Histori e Ballkanit”, fq.505).
Sidomos, për jo pak të huaj, duket e çuditshme dhe “mrekulli hyjnore”, që ngjyra e zezë e vdekjes nuk e vizatoi dot edhe Shqipërinë në “Hartën e Holokaustit”.
“Pjesa e bardhë” e “hartës së Ballkanit” nuk e pranoi vdekjen e njeriut.
Sipas etnologut dhe historianit Shaban Sinani,  gjatë dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve në Shqipëri u dyfishua. Pra, u shpëtuan jo vetëm hebrenjtë rezidentë, por edhe ata që mundën të hyjnë në vendin tonë në prag dhe gjatë Luftës, nga Gjermania, Franca, Austria, Hungaria, Polonia, Jugosllavia etj.
Vetëm qyteti i Beratit, nga viti 1941 e në vijim, në vitin 1942 dhe më vonë, priti rreth 600 hebrenj të ardhur nga Kosova; 94 familje dhe 87 individë. Berati shpëtoi, jo vetëm hebrenjtë “e vet” pra, rezidentë, por, edhe ata të ardhur nga Europa Qendrore, Ballkani e, sidomos, Kosova.
-Nderim për bashkatdhetarët tanë që ruajtën dinjitetin dhe jetën njerëzore!
Nderim për Beratin, i cili, si ndër qytetet më të vjetër e më të bukur të Europës Juglindore, u bë edhe kryeqytet i humanizmit!
Gjithsesi, ndryshe, për shembull, nga vitet 1990-1991, tanimë, pas 20 vitesh, kemi një bibliografi relativisht të gjerë për lidhjet mes shqiptarëve dhe hebrenjve, dhe posaçërisht në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Pa përmendur autorët e huaj, po kujtoj vetëm disa nga autorët tanë, si Ferit Duka, Pëllumb Xhufi, Artan Puto, Edmond Malaj, Monika Stafa, Simon Vrusho, duke veçuar prof. dr. Shaban Sinanin dhe librin e tij “Hebrenjtë në Shqipëri. Prania dhe shpëtimi” për të cilin, me të drejtë është thënë se, me kërkimet dhe zbulimet për fatin e hebrenjve në Ballkan e Shqipëri “e ka ngritur argumentin e “Holokaustit” nga dëshmitë, tregimet, folklori apo deklaratat propagandistike, në nivelin e kërkimit shkencor, shoqëruar me fakte, dokumente, ekspertizë dhe analizë, si askush tjetër”.
Në datat 26-28 janar të vitit 2000, në Stokholm të Suedisë u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare për “Holokaustin”, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta nga 40 kombe të botës, mbi bazën e së cilës, katër vjet më vonë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do ta shpallte 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ato ditë, gazetari i njohur Naim Zoto, i pranishëm në Konferencë edhe si anëtar i delegacionit shqiptar që kryesohej nga zëvendëskryeministre Makbule Çeço, raportonte: “Nga të gjithë delegacionet e ftuara në Konferencë, delegacioni shqiptar përcolli mesazhin më të veçantë dhe që meritoi përgëzimet e gjithë pjesëmarrësve dhe medias. Nga lista e vendeve dhe popujve ku hebrenjtë pësuan fatin më të keq, duke nisur me Gjermaninë dhe Italinë ku lindi fashizmi, për të vazhduar me Poloninë ku u vranë mbi 3 milionë hebrenj, Shqipëria renditej e fundit: asnjë (0 me shifra) hebre i vrarë apo i dorëzuar tek autoritetet pushtuese naziste, ndërkohë që Shqipëria rezultonte, edhe si vendi i vetëm në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ku komuniteti hebre ishte shumëfishuar në numër, në krahasim me paraluftën”.
Pastaj, gazetari jep edhe shifrat e hebrenjve të zhdukur nga nazistët në dhjetëra vende të Europës dhe botës: “Gjermania -160.000; Holanda-106.000; Çekosllovakia-217.000; Polonia-3.000.000; Hungaria-200.000; Jugosllavia-60.000; Greqia-65.000; Franca-83.000; Maqedonia-7.122; Belgjika-24.387;...Shqipëria-0”.
Nëse, tanimë, do të merrnim një “hartë memece”, edhe të Europës dhe botës, dhe mbi të, bashkë me shifrat përkatëse të çdo shteti, do të hidhnim edhe ngjyrën e zezë, mund të përfytyrohet lehtë si do të shfaqej para syve “Harta e Holokaustit të botës”, “Njolla e Botës”, harta “Turpi i Botës”.
Ndërkaq, atje, në një kënd të Ballkanit, do të evidentohej, e bardhë, me shifrën 0 (zero) “Harta e Dinjitetit të Njeriut”, harta e Shqipërisë.
Me sakrificën e tyre, shkruan gazetari, “shqiptarët treguan, se si mund të mos bëhej holokausti”. Por, “ngjarjet në ish-Jugosllavi, urrejtja ndëretnike, vrasjet masive të civilëve myslimanë në Bosnjë, spastrimi etnik në Kosovë, bënë që Konferenca e Stokholmit ta kthejë Holokaustin, nga një problem i së shkuarës, në një problem të kohës”.
- Me sa dimë, Serbia ishte i vetmi vend evropian e ballkanik që nuk ishte ftuar në atë Konferencë...
Ç’mund të thoshte një përfaqësues serb, veç pendesës?
Mbi serbët dhe ndërgjegjen serbe rëndon jo vetëm zhdukja e dhjetra mijra hebrenjve, por edhe vrasjet masive në Bosnjë, e gjenocidi në Kosovë, që nuk është vetëm ai i viteve nëntëdhjetë. Janë rreth 800.000 fëmijë, gra e burra të Kosovës që janë vrarë, torturuar, përdhunuar e dëbuar nga vatrat e tyre prej Serbisë.
Jo vetëm nga ngjashmëria e mënyrat primitive të torturave e vdekjeve, por edhe për nga numri i njerëzve, në raport me popullsinë e Shqipërisë, holokausti ndaj hebrenjve, nuk është më i madh se gjenocidi dhe holokausti i serbëve ndaj shqiptarëve. Eshtë fjala për një holokaust “kronik”, tradicional dhe me projekte konkrete genocidale, që nga “Naçertania” i vitit 1844  e Ilia Garashaninit, në atë të Çubrilloviçit të vitit 1937, tek projekti “SANU” i Akademisë serbe të shkencave në vitin 1986. Për fat të keq, sidoqë me emërtimin “Momerandum i ri”, ishte në thelb po “SANU” i vitit 1986, ai që u kërkua këtë vit nga kryetari i Serbisë.
Por, edhe fqinjët grekë nuk qëndrojnë më pas. Mjaft të kujtojmë vetëm 27 qershorin e vitit 1944, që në Çamëri njihet si “Nata e Shën Bartolomeut”. Brenda 24 orëve, bandat e Zervës vranë dhe masakruan 600 shqiptarë, më së shumti, fëmijë, gra e pleq.
-A mund të na tregoni, si ju lindi ideja dhe thyet një tabu, duke botuar në gazetën “Zëri i Popullit” një shkrim për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri? Si reaguat, kur, siç kemi lexuar, zonja Nexhmije Hoxha, ju akuzoi se me këtë shkrim ju kishit bërë politikën amerikane, dhe kundër Enver Hoxhës, i cili thoshte se, “Izraeli është kobure në duart e imperializmit amerikan”?
-Ju kërkoj ndjesë, paraprakisht, dhe dua të mos më keqkuptoni, ngaqë kjo pyetje, më bën të qesh. Kjo, sepse më kujton intervistat dhe shkrimet e jo pak trimave pas beteje, aq shumë në modë në ditët tona.
Me një paturpësi shembullore, ata, të dalluar në atë kohë, vetëm për servilizëm e lajka, sot e gjithë dita nuk pushojnë të mbushin faqet e gazetave, ekranet e TV-ve, por  të botojnë edhe libra, ku tregojnë si “ia përplasën në fytyrë Enverit”, si ua “thyen dhëmbët Mehmetit e Ramizit”, dhe plot broçkulla e përralla të kësaj natyre.
Mendoni vetëm për një çast, si mund të ndihen e fyhen, duke dëgjuar këta “trima” ata, që vërtetë iu kundërvunë atij sistemi dhe e shkuan jetën burgjeve. “More, po ç’po bëhet kështu?!-mund të thonë: Si nuk i paskan varur për gjuhe për gjithë këto trimëri që paskan bërë, por që nuk i ka marrë vesh njeri në atë kohë? Po burgun, ku e kanë bërë? Në majë të Tomorit?! Se, në Spaç e në Burrel, ku kemi qenë ne, nja 15 a 20 vjet, nuk na i kanë zënë sytë?!”...
Në thelb, ngjarja që përmendët ju, është e vërtetë dhe shkrimi u botua në prill të vitit 1988. Eshtë, gjithashtu, e vërtetë një akuzë politike që u bë. Por, nuk është aspak e vërtetë se mua më shkoi ndonjë çast nëpër mend të bëja ndonjë “akt të guximshëm” kundër sistemit. Kjo, edhe për faktin se ajo që u vërsul e nervozuar nuk ishte “Zonja Makbeth”, as “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, si e thërrasin sot, por “shoqja Nexhmije Hoxha”, domethënë, gruaja e Enver Hoxhës...
Sidoqë, sigurisht, isha i nervozuar nga absurditeti që dëgjova, i thashë, se shkrimi nuk është për hebrenjtë por për shqiptarët, për sakrificën dhe humanizmin e tyre krejt unikal në botë,- asnjë hebre në duart e nazistëve, -pra, një humanizëm i ngjashëm me atë  ndaj 20 mijë ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë fashiste, të cilët, edhe pse i kishin vrarë e djegur shqiptarët, nuk provuan kurrëfarë hakmarrjeje, përkundrazi, shqiptarët i morën në shtëpitë e tyre, u dhanë bukë e strehë, dhe në mbarim të Luftës, i përcollën shëndoshë e mirë në Itali.
Ajo që nuk i thashë, por që e mendova më pas, kur u qetësova dhe zura të qeshja me vete për absurditetin, ishte një frazë njerëzore: “Vërtet nuk iu duket një gjë kaq e mrekullueshme”?!
Në të vërtetë, ishte edhe një gjë tjetër që mendova më pas. Para se ta firmosja atë shkrim për botim kisha një ndjesi të turbullt dhe pa logjikë, siç janë gjithnjë parandjenjat. E kam thënë, edhe një herë. I bëra atij shkrimi një redaktim të lehtë. I vura vizë vetëm emrit të një qytetari që kishte strehuar e shpëtuar në shtëpinë e tij dy familje hebrenje. Ky ishte emri i tim ati...Ngjarjen në shtëpi e lashë të plotë, sa ishte, por viza e hequr mbi emrin e tim ati, m’u duk, jo mbi letër, por mbi pllakën e varrit të tij, dhe, - e vërteta – u trondita. Unë nuk kisha asnjë të drejtë t’ia mohoja këtë nderim të merituar tim ati, aq më pak, pas vdekjes. Ky peng do të më ndjekë gjithë jetën...
-Atëherë, a mund të na tregoni motivet e vërteta që ju shtynë të botoni këtë shkrim?
-Motivet? Vetëm me politikën, më saktë, me politikën normale, nuk kanë lidhje motivi dhe ideja e botimit të atij shkrimi. Eshtë një gjë krejt e ndryshme nga politika, aq më pak, nga politika e ditës. Ishte, thjesht, ngjarja e bukur dhe krejt e veçantë që më tërhiqte. Pra, një temë, një ide “ndryshe”, e patrajtuar asnjëherë më parë në shtyp,- tundimi dhe dëshira e përhershme e çdo gazetari e botuesi.
Më vonë,- ndoshta, edhe reagimi absurd i politikës bëri punën e vet,-fillova të mendoja, se vërtetë, nga ç’rrugë e burime kishte hyrë kjo ide në subkoshiencën time?
Thuhet, se njeriu është fëminia e tij, dhe unë e besoj këtë, siç besoj, edhe faktin, se ngjarjet dhe imazhet që regjistrohen të parat në kujtesën dhe retinën e syrit të fëmijës lënë gjurmë për tërë jetën.
Keni menduar ndonjëherë, se cila është ngjarja e parë, që mbani mend, dhe në cilën moshë keni filluar të mbani mend?
Këto fenomene, sigurisht, studiohen dhe, kurioz pas një ideje të tillë, kam lexuar, se, për ne, njerëzit e zakonshëm është mosha pesë apo gjashtë vjeçare e më vonë, ndryshe, nga,- dhe duket e habitshme,-që, Tolstoi, për shembull, ka filluar të mbajë mend që në moshën dy-vjeçare, si “rrinte ulur në govatën e lëmuar, të errët, dhe “shihte fytyrën dhe llërët e përveshura të dados”. (Cvajg)
Tri-katër ngjarjet që janë rregjistruar të parat në kujtesën time, sigurisht, rreth moshës 5-6 vjeçare, lidhen, padyshim, me familjen dhe shtëpinë e fëmijërisë sime në qytetin e Beratit, në lagjen “Murat Çelebia”; një shtëpi e madhe, 150 vjeçare, me një bahçe të madhe, të bukur, që vazhdon të jetë e tillë, edhe sot e kësaj dite.
Ndër këto tri-katër ngjarje, njëra (hajde gjeje, e para apo e katërta) është ajo lidhur me hebrenjtë.
Asgjë për t’u çuditur për një qytet apo lagje, ku hebrenjtë kanë jetuar prej qindra vjetësh, dhe ku, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti u bë simbol i shpëtimit të hebrenjve nga nazistët, sikurse lagjia jonë-simbol i qytetit për nga numri i familjeve që sakrifikuan, dhe hebrenjve të shpëtuar.
E çuditshmja, apo “paradoksi” i ngjarjes së ngulitur në kujtesën time, nuk ishte e natyrshmja, pra, që në fillim të dëgjoja histori për hebrenjtë e ndonjë familjeje në lagje, qytet, sidomos për ata që kishin banuar në shtëpinë tonë. Përkundrazi, është historia e një shqiptari të mbijetuar në një kamp përqendrimi nazist në Gjermani.
Ky ishte Halit Totua, daja i sime mëje, nga Plashniku,-një fshat malor i Beratit, që herë pas here, zbriste në qytet, e vinte në shtëpinë tonë, për të pirë një kafe a thjesht “për muhabet”.
“Unë nuk e di si është xhehnemi, se nuk është kthyer të na tregojë ndonjë nga ata që kanë vdekur, por kampi i përqendrimit është xhehnem e kaluar xhehnemit, them unë. Natë-ditë, i thua shpirtit “Dil!” nga puna e rëndë. Punën, bjere këtu, po ishte edhe druri. Kot fare, se kështu i shkrepej gjermanit.
Po, ç’u ka punuar hebrenjve, thuaj! Ne ishim lule, para torturave që u bënin atyre. Si nuk ka plasur syri nga ato që ka parë! Mori gjermani një ditë nga kapanoni, babë e bir, hebrenj. Ishin hebrenj të Polonisë. Mirë që i griu me kamxhik të dy, po poshtërsia erdhi më pas, kur i çoi të dy tek trekëmbëshi, dhe katili, vari të birin para të atit, që ta shihte me sy. Nuk u ngop me kaq, por edhe pasi djali dha shpirt, gjermani zuri ta tundte e ta shkundte në litar. Plaku u përplas në tokë nga vilania (të fikët). Kafshë,- o; kafshë, thuaj!
Ç’u kanë punuar hebrenjve të shkretë, një Zot e di! I fortë qenka njeriu!
Po, edhe ne të tjerëve, nuk po them, s’na mbajtën me kimet, jo.
Ishim nja 30 a 40 vetë në kampet e përqendrimit, ne, nga Berati. Të tjerët, nuk e mbaj mend, ku e si i zunë gjermanët, po ne na rrethuan në pyll. Morën rradhë ç’kapën aty, jo vetëm ne, disa partizanë. Na hipën në makinat e tyre, dhe, drejt e në Selanik. Në Selanik, ku kishin mbledhur edhe qindra të tjerë, nga Greqia, Jugosllavia e ku di unë, na futën në vagonat e trenave të mallrave, dhe, drejt e në Gjermani, në kamp të përqendrimit.
Një fjalë goje, “drejt e në kamp”, se tortura e rrugës, e vagonit ishte më e keqe se ajo e kampit. Në vagonat ku na plasën kishin vënë nga një a dy fuçi të mëdhaja, të mbushura me benzinë a ujë ,-kush e mori vesh. Puna është se një javë a dhjetë ditë, sa sosëm në Gjermani, natë-ditë ne luftonim të ruheshim nga fuçitë. Treni ikte, ato rrotulloheshin e përplaseshin nëpër faqet e vagonit, dhe ne, me vrap nga një cep në tjetrin, se, po të zinte fuçia, të bluante. Merre me mend vetë tashti si ishim bërë ne, dhjetë ditë rresht, me atë torturë, pa gjumë e pa bukë, të dërmuar fare, kur na plasën në kamp të përqendrimit. Në kamp,- punë, natë e ditë, sa të merrej fryma. Bukë, na jepnin, sa një kalamani. Bënin karshillëk gjermanët, por, po hëngre sa një fëmijë, takatin e fëmijës do të kesh”. Kur na prunë në Tiranë, më 1945-ën, as 30 kile njeri nuk ishim. Na mbajti tre muaj në Tiranë, Komandanti, sa morëm hije njeriu dhe na shpërndau nëpër shtëpitë tona.
As hasmin mos e pafsh në kampin e përqendrimit!”
Unë, nuk mundja t’i dëgjoja të gjitha “historitë” e pafund, që tregonte daja, se nuk ndodhesha sa herë vinte ai. Aq më tepër, u largova herët nga familja, dhe nga qyteti. Dhe, më vinte keq që nuk mund ta takoja dot shpesh. Më pëlqente: njeri i sinqertë, dhe burrë “me hije” e dinjitoz. Por, një gjë tjetër, që, gjithashtu, më është ngulitur në kujtesë. Në fund të tregimit a të historisë së tij, për kampin e përqendrimit dhe për torturat e veçanta për hebrenjtë, im atë dhe ime më, nuk harronin asnjëherë, dhe gati me një zë, të thoshin “Me një paqe, o Zot! Amin!”
Dukej krejt e çuditshme, kjo lloj lutjeje apo urimi, i cili, megjithëse lufta kishte gati dhjetë vjet që kishte përfunduar dhe ishte paqe, vazhdonte të mbetej si ritual, jo vetëm kur tregoheshin ngjarje të tilla, por, edhe gjatë vizitave tek fqinjët a kushërinjtë. Para, apo pasi pinin kafen, vinte menjëherë lutja dhe urimi: “Me një paqe, o Zot! Amin!”
“Me një paqe”, në paqe?! Pse?
Ndoshta, tmerri i vdekjeve dhe shkatërrimit nuk ishte larguar ende nga sytë e tyre. Por, ndoshta imazhin e luftës, e mbanin akoma “të ngrohtë” e të afërt dhe varret e freskët, ndërtesat ende të parindërtuara dhe, sidomos, më dukej mua, numri jo i paktë i “sakatëve”, i të gjymtuarve nga bombat që plasnin vazhdimisht, kur, padashur shkeleshin nga kalimtarët, të cilat nazistët dukej se i kishin lënë qëllimisht e si për të thënë, se do të vazhdonin të vrisnin shqiptarë, edhe pas ikjes, edhe pas humbjes. (Siç bënë edhe serbët, pas ikjes në malet e Kukësit e Tropojës, zona kufitare me Kosovën).
Në të vërtetë, kjo lloj lufte pas përfundimit të luftës, e gjermanëve nazistë nuk dukej hiç burrërore, përkundrazi, e pabesë dhe tinëzare, sidomos, po të kishe parasysh ato që thoshin disa nga të rriturit, se vërtetë armiku armik, por, sidoqoftë, ndryshe nga italianët, gjermanët ishin “seriozë e të ndershëm në luftë; të vrisnin, por vetëm ballë për ballë”. Profka!
Kjo “luftë në paqe” që vazhdonte edhe vite të tëra më pas, nuk kursente asnjeri, të mëdhenjtë, por sidomos të vegjlit e qytetit që luanin ku të mundnin; në faqet e Kalasë, tek “Gropa e Zhurrit”, lart mbi kodrën tjetër, tek “Lëmi i Shamatasë”, nga Bifta, deri edhe në Bilçë etj, që kishin qenë edhe zonat më të forta të luftimeve me gjermanët.
Më vonë, kuptova, se “lufta pas luftës”, “në paqe”, nuk ishte dokudo. Ashtu, si gjarpëri kur largohet, lë pas vezët e veta, lufta linte pas gjymtimet, hakmarrjen dhe urrejtjen.
Nga ky “infeksion” nuk prekeshin vetëm të mundurit, por edhe fitimtarët. Madje, më dukej, se fitimtarët prekeshin më shumë pas përmbysjes së të mundurve.
Edhe daja ynë, trim, për shembull, e quajti të pamjaftueshme “luftën në luftë” kundër fashizmit. Vite më pas, pengu i një sherri të mbetur (të pambyllur) nga lufta, bashkë me ndonjë fyerje a diçka të tillë, bëri që t’ia zbrazë pushkën në mes të fshatit një bashkëfshatari që në luftë e kishte patur në anën e kundërt, dhe, pas luftës, “të prekur” e në anën e “të mundurve”:
-“Edepzës! Mirë që dje u bëre me “Ballin”, po me gjermanin ç’deshe që u përzjeve? Nuk të vrava dot dje, të vrasë sot...”
“Atë të “Ballit” e shpëtoi fati dhe nuk e zuri plumbi, kurse dajën, Partia. E përjashtuan nga Partia, por edhe, nga ligji. Gjemb në këmbë nuk i hyri.
Ishte “i yni”, i “Luftës”, “i kampit të përqendrimit”. (Por, e vërteta është, vetëm për këtë rast, sepse jetoi e vdiq në fshat, si gjithë të tjerët).
Pak a shumë, siç vazhdon sot. Kur, pas “luftës”, domethënë zgjedhjeve elektorale, je me fitimtarët e PD-së apo PS-së, je “i yni”, domethënë, ke edhe punë, edhe karrige të madhe, dhe “benefice” të tjera në formë tenderash, etj., etj. Madje, edhe nga burgu shpëton sot “i imi”, apo “i yti”, kur je në pushtet, sikurse daja ynë “i kampit të përqendrimit”...
(vijon...)

SHPËTIMI I HEBRENJVE NË SHQIPËRI ËSHTË VEPËR E TË GJITHË SHQIPTARËVE.

arshin xhezo1


ARSHIN XHEZO                                                                                               -OPINION-

Në pranverën e vitit 2005 erdhi në Shqipëri,- e pas pak muajsh, shkoi edhe në Kosovë, - fotografi amerikano-hebre, Norman H.Gershman, drejtor i Fondacionit Islamik, të quajtur “Besa”.

Fillimisht, në Tiranë, pastaj, edhe në qytete të tjera të Shqipërisë,-Berat, Krujë, Shkodër, etj.,-sipas një liste që kishte me vete,- zoti Gershman kërkonte dhe fotografonte qytetarë, dëshmitarë nga familje që kishin strehuar e shpëtuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose pasardhës të tyre; por vetëm myslimanë, për nga besimi fetar, dhe me ta të krijonte një ekspozitë fotografike dhe një album të veçantë, më vonë.

  “Arsyeja, pse jam fokusuar tek myslimanët në Shqipëri, - tha zoti Gershman,- është se bota, jashtë kësaj dhome, as nuk e di që shqiptarët janë një vend mysliman”, se “Besa” e tyre, Zoti, Miku, për ta janë të shenjtë, dhe kjo është arsyeja që kanë shpëtuar nga vdekja e sigurt qindra e mijëra hebrenj; të gjithë.

Ndoshta, pikërisht për këtë arsye, pra, që ekspozita dhe albumi duhej vetëm me foto mysimanësh, pothuaj, të gjithë ata që janë fiksuar nga aparati fotografik apo kamera e tij, kanë në duar nga një Kuran, ose nderojnë sipas ritit Islam. (Me sa duket, është zakon i vjetër fotografësh, që neve na kujtojnë ata të Komunales së dikurshme, të cilët, “të rregullonin” vetë, dhe,- para se të shkrepnin aparatin, nuk harronin kurrë të të këshillonin: “Qesh pak?!”
Albumi-libër, ose libri-album, me titull “Besa” nga “Shqipëria myslimane” doli, dhe me akoma më shumë shpëtimtarë “myslimanë shqiptarë”, dhe fillimisht u reklamua në një turne në Mbretërinë e Bashkuar.

Pak më vonë, për librin “Besa” dhe për “Shqipërinë myslimane” u shkrua në gazetën e madhe gjermane “Die Ëelt” (“Gjatë pushtimit gjerman, myslimanët shqiptarë shpëtuan gati 2000 hebrenj”. (“Die Ëelt, 2011). Pastaj, mbi bazën e librit u përgatit një film, “Besa”. Premtimi”, kuadrot e të cilit, me shpëtimtarët e hebrenjve,-pothuajse të gjithë, po ata qytetarë myslimanë shqiptarë me Kuranin në duar apo duke nderuar në ritin Islam, u shfaqën edhe në rrjetin e njohur CNN, emision, të cilin, më pas e mori dhe e transmetoi edhe Top-Channel-i ynë.

Askush nuk e vë në dyshim qëllimin e mirë të zotit Gershman, dhe për këtë duhet falenderuar. Por, ndërsa është krejt në të drejtën e tij të punonte për Fondacionin Islamik britanik, i cili, për motivet e veta kërkon t’i tregojë botës “një model islami”, kjo gjë nuk ka arsye të bëhet duke deformuar historinë me të pavërteta apo gjysmë të vërteta, të cilat janë edhe më të dëmshme se gënjeshtrat.
Vitin e kaluar, një fotoreporter, i njohur në botë për fotot dhe ekspozitat e tij me ngjarje dhe njerëz të veçantë, u befasua në Korçë, nga fakti se në këtë qytet, të “Shqipërisë myslimane”, sipas tij, myslimanët pinin birrë, por pinin edhe së bashku me të krishterët dhe në të njëtin vend, në “Festën e Birrës”.
Gazetari që e intervistoi mund t’i tregonte një gjë që e dinë të gjthë, se myslimanët e Shqipërisë , janë po aq, e ndoshta, edhe më “ustallarë” si pijetarë, se të krishterët e këtij vendi; pinë birrë, verë, raki e ç‘tu zerë dora.  Pastaj, në Shqipëri është kaq e madhe përzierja e martesave mes besimtarëve të feve të ndryshme, saqë  myslimanë, ortodoksë, katolikë, ungjillorë, madje, edhe jahudinj, i  gjen bashkë edhe brenda një familje dhe jo vetëm në “Festën e Birrës”.

Eshtë më se e vërtetë, se në Shqipëri ka  pasur dhe ka një Islam normal, madje, edhe model, dhe se nga familjet myslimane janë strehuar e shpëtuar qindra e mijëra hebrenj gjatë Luftës; është e vërtetë, gjithashtu, se institucione të tilla tradicionale, si “Besa”, “Mikpritja” etj., kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm, edhe në strehimin e shpëtimin e hebrenjve gjatë pushtimit nazist. 

Por, ka një dokumentacion të bollshëm në arkiva, shtyp e libra, dhe ka ende gjallë dëshimitarë, që konfirmojnë të vërtetën e madhe e të bukur, se edhe strehimi e shpëtimi i hebrenjve është vepër, as vetëm e banorëve me besim mysliman, as vetëm e atyre me besim të krishterë apo bektashinj: është vepër e të gjithë shqiptarëve. Dhe, e një Shqipërie, as vetëm “myslimane”, as vetëm “e krishterë”, por e një Shqipërie, e cila, në të gjitha periudhat e shtetit shqiptar, që nga 1912-ta, me kushtetutë, shteti gjithmonë është shpallur e ka qenë laik, nuk ka pasur asnjëherë fe zyrtare, por një bashkëjetesë fetare dhe etnike, vërtetë në harmoni dhe model për shumëkënd.

Ndërkaq edhe strehimi dhe shpëtimi i hebrenjve, siç nuk është meritë e qytetarëve të vetëm njerit apo tjetrit besim fetar, nuk është as ekskluziv i institucionit të “Besës”, “Nderit”,  “Mikut” apo “Mikpritjes”.

Duke qenë e pamundur ta shpjegojnë shpëtimin e hebrenjve me tërë faktorët e vet; pra, duke e shpjeguar vetëm me “Besën”, kjo fjalë shndërrohet në magjike, të mistershme, vë në dyshim edhe të vërtetën, por edhe atë rol që vërtet kanë luajtur “Besa”, apo Mikpritja shqiptare. Por, gjithësesi, pa e tepruar, sepse, mikpritja për shembull, “nuk është cilësi përjashtimore e shqiptarit”. Ka edhe plot popuj të tjerë, madje, mjaft mikpritës.
E keqja është se, veç të huajve, këto fjalë përsëriten si slogane, më shumë, për fat të keq,edhe nga ne që, herë nga padija, herë nga kompleksi i inferioritetit ndaj të huajve, duartrokasim pa u menduar dy herë kur shohim ekspozita apo filma, me “Shqipëri myslimane”, “shpëtimtarët myslimanë” e të tjera të pavërteta, mjaft që i përgatisin e shfaqin të huajt sepse “propagandojnë imazhin tone”…

Ruajtja dhe përcjellja e kujtesës historike brezave, sidomos, per ngjarje të tilla si Fashizmi, Komunizmi apo Holokausti ndaj hebrenjve, që i sollën trauma të mëdha njerëzimit, nuk është çështje erudicioni apo thjesht grumbullimi i fakteve.

“Ata që harrojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin”,-shkruan Franc Kafka.

Por “si ta ruajmë?”- Kjo, duket,është çështja.

Trajtimi i cekët, i njëanshëm, parcial, me gjysëm të vërteta dhe pa analiza të shkaqeve e pasojave siç po ndodh shpesh edhe me shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, që ua atribuon atë vetëm besimtarëve myslimanë apo e bën eskluziv të institucionit tradicional të “Besës”, “Nderit”, apo “Mikut”, pra kur nuk bëhet bindës, e shndrron historinë në mit,- shansi dhe dhurata e mezipritur për antisemitët dhe neonazistët e sotëm.

Këtu nuk është rasti për t’u zgjatur, sepse, me këto çështje janë marrë e duhet të merren më mirë, besoj, specialistë të fushës, por për rastin që flasim, ta monoplizosh shpëtimin e hebrenjve tek besimtarët myslimanë, veç injorimit të së vërtetës historike, është edhe aspekti etik, moral. (Sa keq do të ndiheshin, në rradhë të parë, vetë ato familje myslimane që sakrifikuan për hebrenjtë, para fqinjit, shokut e mikut të tyre të krishter, që bëri të njëjtën sakrificë).

Dhe, mbi të gjitha, kjo mungesë përgjegjësie, dashur pa dashur, provokon përçarje tek qytetarët, besimtarë të feve të ndryshme.
“Ideja se feja jonë është më e mira, është më e pastra, nga këndvështrimi antropologjik është një mit,- shkruan Akbar Ahmed, shkencëtar islamik në Universitetin amerikan në Uashington. – Krijimi i urave ndërmjet religjioneve është një imperativ, nëse dëshirojmë të mbijetojmë në shekullin XXI”.
Myslimanët e të krishterët, në Shqipëri janë “vëllezër Siamezë”, historikisht, në shekuj. Edhe punët e bukura, edhe punët e shëmtuara, i kanë bërë bashkë. 

Edhe Shqipëria vet, megjithëse nuk është as “Shqipëri myslimane”, as “Shqipëri e krishterë, dhe, sidoqë gjeografikisht është në Europë dhe me identitet europian, nuk po arrin ende të bëhet europiane me standardet e sotme, për përgjegjësinë e të gjithëve, e jo qytetarëve të njërit besim apo tjetrit.
Në këtë udhë të fatit të përbashkët, edhe shpjegimi i shpëtimit të hebrenjve është një shpjegim, besoj, realist vetëm po të analizohen të gjithë faktorët, të cilët janë komplementarë dhe kanë në themel mbijetesën dhe interesa, së pari, kombëtare, jetësore dhe ekonomike të të gjitha komuniteteve.

Disa prej tyre, mendoj se janë:

1-Fqinjësia e hershme dhe e gjatë. Hebrenjtë, sikurse grekët, janë fqinjët më të vjetër të shqiptarëve. Ata kanë ardhur që nga shekujt II-I, para Krishtit, dhe fqinjërimi mëse dymijëvjeçar është në bazat e kësaj miqësie, që reflektohet edhe në solidaritetin e mëvonshëm.

2-Hebrenjtë kanë ardhur jo si pushtues, por si emigrantë, hallexhinj, dhe për këtë arsye shqiptarët u kanë bërë vend e u kanë ardhur në ndihmë, sikurse me vonë, edhe emigrantëve grekë, serbë, maqedonas, vllehë, etj.
3-Në vitet kur hebrenjtë emigruan në viset shqiptare, ka pasur ende toka të lira e pjellore në faunë e florë; po ashtu, edhe nevoja të vendësve për krahë pune, sidomos, në ato zanate që ishin specifike për ardhësit.
Ky, besoj, është edhe një nga shkaqet kryesore nga i cili “përfituan” e “përfitojnë” kudo në botë emigrantët më të hershëm, sepse, siç dihet dhe shihet më qartë aktualisht, për shkak të komunikimit intensiv e globalizimit në tërësi, “pritësit”, sa vjen e “ngushtohen” edhe vet në territore e në pasuritë e tyre kombëtare.

4-Hebrenjtë gjetën në vendin tonë një traditë të konsoliduar të bashkëjetesës etnike dhe fetare, dhe pa gjurmë të antisemitizmit.
5-Vendësit mikpritës nuk ishin fanatikë në fenë dhe ritualet e tyre, dhe e pranonin “të ndryshmin” të ndryshëm, edhe në besimin fetar, së bashku me ritualet dhe objektet e tyre të kultit, që i mbronin dhe i respektonin, njëlloj si të vetat. Perandori i famshëm Kostandini i Madh që njihet si Kostandini nga Iliria, shkruan:”Ne dëshirojmë me gjithë shpirt, që, të gjithë njerëzit të adhurojnë dhe të besojnë atë fe që duan”.(Michael Grant:”Kostandini i Madh nga Iliria”, Sh.B.”Bakus”, Tiranë, 2004,Fq.180)
6-Shqiptarët kishin doke e zakone të tilla, si institucioni i “Besës”, “Nderit”, “Mikut” etj., të cilat inkurajonin tek ardhësit hebrenj, sikurse edhe tek ata të komuniteteve të tjera, sigurinë e jetës, nderimin, respektin për ta, për kulturën dhe fenë e tyre. Kjo është një cilësi e vyer dhe e njohur e etnotipit shqiptar.

7-Hebrenjtë e shpëtuar nga nazistët në vitet 1943-1944,për shqiptarët, nuk ishin “përvoja” apo “prova e pare” e solidaritetit njerëzor dhe e sakrificës për tjetrin në hall e në fatkeqësi. Vetëm pak muaj më parë (pas 8 shtatorit të vitit 1943, kur kapitulloi Italia fashiste), shqiptarët e “harruan” armikun që i pushtoi e i vrau, dhe strehuan e shpëtuan rreth 20 mijë ushtarë dezertorë italianë që mbetën  rrugëve e në pikë të hallit.

8-Antifashizmi shqiptar dhe lufta Nacional Çlirimtare, jo vetëm e inkurajoi mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve, por edhe vetë shpëtimi i hebrenjve u bë një nga shfaqjet, aspektet e bukura të antifashizmit shqiptar.

Në Shqipëri, bashkë me shqiptarët, kanë banuar e banojnë edhe komunitetet e grekëve, maqedonasve, vllehëve, romëve, etj., dhe, natyrisht, solidariteti e sakrifica edhe për ta do të ishte krejt e njëjtë si ajo ndaj hebrenjve, nëse ata do të ndodheshin në kushtet e tyre, pavarësisht etnisë e besimit fetar.
Sikurse individët, edhe shtetet e kombet vlerësohen, sidomos, nga kultura e konsensusit.

Institucioni i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare dhe etnike në Shqipëri është një konsensus i madh dhe i vyer historik, i arritur gjatë shekujve dhe, sigurisht, me kostot përkatëse. Ky konsensus nuk është, thjesht, një besë, një betim individësh, aq më pak, një bashkim e shtrëngim duarsh i krerëve të institucioneve fetare, siç i shohim në qëndrime protagonistësh, në foto e ekrane televizionesh. 

Nuk është një marrëveshje ceremoniale “titullarësh” e politikanësh, pasuar nga firmat e vulat përkatëse.
Konsensusi i madh i bashkëjetesës, apo harmonisë etnike dhe fetare në Shqipëri, i shqiptarëve mes vedi, së pari, por edhe me “të ndryshmit” që bashkuan fatin me ta, si çdo konsensus i vërtetë e jetëgjatë, është themeluar e ngritur mbi bazë interesash jetike, ekonomike, të mbijetesës, ekzistenciale, ku dallojnë, sigurisht, ato kombëtare, e bashkë me to, edhe interesat kulturore, fetare, morale, etike, etj.

Meritë e shqiptarëve është, se kanë  ditur, jo vetëm të ndërtojnë e ruajnë konsensusin mes tyre, por edhe t’ua mësojnë këtë kulturë konsensusi edhe ardhësve, “jabanxhinjve” me kultura e besime të ndryshme. Por, edhe ardhësit, “të ndryshmit” kanë pasur meritën ta përvetësojnë këtë kulturë.
Platforma e Rilindjes sonë Kombëtare, që frymëzoi edhe dashurinë e “shkuarjen” edhe “me serbë, grekë e bullgarë”, siç shkruan Naim Frashëri, gjen, besoj, mishërimin më të bukur tek një nga poezitë më të bukura “Himni i Flamurit”, të Fan Nolit,  poet, historian, përkthyes, muzikolog, ish-kryeministër, por edhe themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare:

“Flamur që linde Shën Konstandinin,
Pajton Islamin me Krishtërimin,
Shpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi”

Eshtë me shumë interes njohja e teksteve të himneve kombëtarë të popujve të botës. “Himni i Flamurit”, i botuar në vitin 1926 nga Noli, më ka nxitur të shoh disa prej këtyre teksteve. Jo pak prej tyre janë tepër agresivë dhe me një fjalor morboz: “kocka”,”gjak”,”varre”. Nuk besoj, se teprohet, po të them se “Himni i Flamurit” i Nolit është më i bukuri dhe më i emancipuari, që njoh, i denjë për Europën e sotme të Bashkuar.

“Nacionalizmi shqiptar është sekular”, -vëren me të drejtë analisti dhe njohësi i mirë i Ballkanit, Janush Bugajski.

Në Europën e sotme, “pa viza”, bashkëjetesa në diversitetin etnik, fetar, gjuhësor, kulturor është kriter civilizimi dhe kulture, kusht ekzistence.

“Shtetet unifetarë janë të vjetëruar për Europën moderne”,-shkruan Karl Poper.

Shqipëria nuk ka nivelin e Greqisë, madje, as të Serbisë, megjithë krizën në këto shtete. Por, nuk të duket aspak normale që, megjithë ardhjet e mijëra emigrantëve çdo vit, sidomos nga vendet e Lindjes, ku shumica janë të besimit mysliman, statusi unifetar, thuajse, nuk preket. Vetëm shifra prej rreth 800 mijë emigrantësh shqiptarë që kanë emigruar në Greqi, e ku shumica janë të besimit mysliman, do ta ndryshonte këtë përqindje. Për dekada të tëra në Athinë, në kryeqytetin e vendit nuk lejohej të ndërtohej, të paktën, një xhami e vetme.

Shqipërisë dhe shqiptarëve u mungojnë shumë gjëra, por këtë pasuri, këtë “prioritet” e ka, sidoqë nuk është në listën e “12 prioriteteve” të Bashkimit Europian. Eshtë ndoshta, nga rastet tepër të rralla, kur, me bindje e jo pa krenari, të thuhet e të shkruhet fjala “model”.
Në Shqipërinë, me, së paku katër besime fetare, dhe që nuk ka njohur kurrë luftra me motive fetare, janë dukur e duken absurde luftra të tilla, si ajo gjysmëshekullore në Irlandën e Veriut, midis protestanëve e katolikëve, ku u vranë, më së paku 4000 njerës. Po kështu, sherri e lufta në Irak, mes sunitëve e shitëve; Qiproja e ndarë në “greke’ e “turke”, etj.

Shqipëria, megjithë sëmundjet që ka, nuk vuan nga sëmundja e Daltonizmit. Syrit të një shqiptari do t’i dukej monokron e monoton një qytet “bardhezi”; me vetëm xhamija, apo me vetëm kisha; vetëm me veshjet e zeza të klerikëve  të krishterë, apo me vetëm ato bardhezi apo vetëm jeshil të klerikëve myslimanë apo bektashinj.

Bashkëjetesa dhe harmonia fetare dhe etnike ka bërë që qytetet tona, sidoqë, ende, jo si qytetet më të pasura të Europës, t’u ngjajnë galerive të artit, ku, bashkë me ngjyrat kombëtare, të rrinë bukur e në harmoni të plotë edhe ngjyrat e “të tjerëve”; vepra arti e monumente kulture. Bashkë me kishat, xhamijat e teqet, edhe sinagogat hebreje, aq sa ka lënë pa shkatërruar barbaria e pushtuesve, sidomos, pushtuesi i fundit, nazistët gjermanë, të cilët, vetëm hebrenj vranë rreth gjashtë milionë në botë, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në Shqipëri, siç dihet, u shpëtuan të gjithë hebrenjtë, ndërkohë që, në fund të luftës së Dytë Botërore, rezultonte që, komuniteti hebre ishte shumëfishuar, në krahasim me paraluftën.

Ndërkaq, dokumentet tregojnë,  se Berati është qendra që priti dhe shpëtoi më shumë hebrenj. Që nga viti 1941 e në vijim, qyteti i Beratit priti rreth 600 hebrenj të ardhur nga Kosova; 94 familje dhe 87 individë, të cilët gjetën strehë e shpëtim në popull. Berati shpëtoi, jo vetëm “hebrenjtë e vet”, rezidentë, por edhe ata të ardhur nga Europa Qendrore e Ballkani, duke u bërë kështu, një rast tepër i veçantë edhe në botë.

Kjo shpjegohet me të gjithë ata faktorë që u përmendën, por do të veçoja bashkëjetesën shembullore fetare dhe etnike, të cilën e sheh cilido  fare lehtë në vetë qytetin, që është i tëri “galeri arti” :kisha të mrekullueshme, me themele në Mesjetën e hershme, me arkitekturë befasuese, brenda të cilave mund të shohësh piktura murale dhe ikona mahnitëse; xhami, e teqe bektashinjsh po aq të bukura.

Një toponimi e tërë dëshmon jetën dhe jetesën e hebrenjve:”Lagja e çifutëve”, “Varri i Çifutit”, “Qafa e Çifutit”. Këto, bashkë me dokumentet në arkiva, libra e dëshmitarët që ende  jetojnë, në banesat e të cilëve janë strehuar e shpëtuar gjatë luftës së fundit, i bëjnë hebrenjtë, të afërt e të përditshëm. Dhe, nuk janë ‘vetëm myslimanë” këta shpëtimtarë. 

Nga 38 familje e individë që u nderuan nga Bashkia e qytetit, 18 janë të besimit të krishterë, përveç shumë familjeve të tjera, nga të gjitha besimet fetare. Këta “Fisnikë”, nuk janë as në listat e Bashkisë, ndoshta, as në Muzeun e Holokaustit në Izrael, por ata janë në Berat e në Shqipëri.

Bashkëjetesa dhe harmonia fetare i ka bërë bashkë edhe në sakrifica të kësaj natyre, siç janë bashkë, madje, edhe të përzjera në lagje edhe kishat e xhamijat.

Në lagjen “Mangalem”, përshembull, ku kanë banuar, kryesisht, familje të krishtera, është një xhami që quhet “Xhamia e Beqarëve”.

Rruajtja nga të gjithë e objekteve të kultit është një kulturë e hershme. Duket “çudi”, se si, gjatë pesë shekujve të sundimit osman, kishat dhe veprat e artit brenda tyre janë ruajtur të paprekura.

Arti ekumenik në Berat, sikurse dhe në gjithë Shqitparinë e që, shfaqet në veprat e artit mesjetar, dëshmon edhe për artistë të mëdhenj, por njëherësh, dëshmon edhe bashkëjetesën qytetare.

Për të përmendur vetëm një, afreska e piktorit të madh të Mesjetës, Onufrit në Katedralen e Shën Mërisë, në lagjen “Kala” ka në qendër një klerik të krishter dhe një klerik mysliman, duke biseduar.
Asnjë proces penal apo civil për çështje fetare nuk gjen në Berat; në asnjë periudhë, në asnjë rregjim.
Në Berat, festat e besimtarëve të njerës fe, ishin e janë edhe të të tjerëve; për drekën e Pashkës përshembull, miq të ftuar të besimit mysliman, dhe anasjelltas, në festën e Bajramit të myslimanëve apo ato të Novruzit apo të “Hashures”, të bektashinjëve.

I lindur në këtë qytet, mua, atëherë fëmijë, më dukej gjëja më normale që ne kishim aq shumë festa. Gati çdo javë kishim festa, sepse shkonim te shtëpitë e shokëve të lagjes e të klasës me fe të tjera, sikurse vinin edhe ata tek tonat. Vonë e mora vesh, se bota nuk e kishte kështu.

Ka edhe plot fakte, detaje e dokumenta që, vërtetë, befasojnë gjithkënd, por, në fund do të doja të citoja një dokument, më saktë, një Ferman. Eshtë Fermani i Sulltan Abdyl Azizit, i cili e dërgon në Berat, në fund të shekullit XVIII, ose në vitin 1225, sipas Kalendarit arab:

“Me kërkesë të popullsisë myslimane dhe ortodokse të qytetit Beligrad Arnaut (Beratit shqiptar), urdhëroj ngritjen e Kishës së Shën Mitrit në qendër të këtij qyteti” (Sami Starova, Gazeta “Shekulli”, 21.08.2012).

Por, ndoshta, ende më i bukur  është lajmi që morëm këto kohët e fundit nga gazetari Marin Mema, në kanalin televiziv Top Channel, në rubrikën e tij, “Shqipëria tjetër”:

“Në fshatin Malibardhë të Kurbinit, banorët në shumicë myslimane kanë ndërtuar me kontributin e tyre një kishë për ata  pak bashkëfshatarë të tyre me besim katolik. Pas kësaj, këta të fundit, kanë vendosur të ndërtojnë një xhami, në shenjë mirënjohjeje për kishën që ua ndërtuan bashkëfshatarët e tyre myslimanë”.

  “Malibardha duhet shpallur vend pelegrinazhi, për politikanët…”,-shkruante e vetmja gazetë “Dita” që e publikoi.

   Besoj, se  është mirë të shkojmë të gjithë!...




(Falenderojmë shkrimtrin z.Rexhep Shahu ,nga Tirana për dërgimin e materjalit për botim në Agjencionin Floripress)

2015/10/09

Ismail Kadare, kandidati i 7-të për çmimin “Nobel” në letërsi për 2015

07-10-2015 09-34-40

VOAL:20 FOTOT MË DOMETHËNËSE TË ARTIT BOTËROR

05-10-2015 09-46-37

Siç ndryshojnë qytetet botërore, po ashtu ndryshon edhe arti me to. Ashtu siç arti mund të frymëzon veprimin politik dhe rezistencën, poashtu bëri që edhe muret e objekteve në qytet të transformohen në mesazhe përçuese për të ngritur vetëdijen e popullit për ngrohjen globale dhe ndotjen e ambientin jetësor.
Ju ftojmë me i ndjekë këto 20 fotografi të cilat përçojnë mesazhe të fuqishme rreth ngrohjes globale të cilat u bënë temë e bisedimeve në rrjetet sociale dhe nxitën aktivistët të marrin aksione për të mbrojtur planetin tokë.

#1 Nuk besoj në ngohjen globale
I Don't Believe In Global Warming
#2 Bota drejt zhdukjes
World Is Going Down The Drain
#3 Të mbajmë në jetë gjelbërimin
Lets Keep The Plants Alive
#4 Urbanizimi na vret edhe neve
Urbanization Is Killing Us
#5 Park(ing)
Park(ing)
#6 Duke vrarë njëri-tjetrin
Killing Ourselves
#7 Ora nuk ndalet
The Clock Is Ticking
#8 Më kujtohet kur këto ishin drunjë
I Remember When This Was All Trees
#9 Kafshët në kopshtin zoologjik
Animals In Zoos
#10 I lindur për të qenë i egër
Born To Be Wild
#11 Ne po e konsumojmë tokën
We're Eating The Earth
#12 Toka po vdes
The Earth Is Being Killed
#13 Ha veten
Eat Yourself
#14 Duke ngënë tokën
Eating The Earth
#15 E vërteta
The Truth
#16 Kafshët në kafaz
Locked Up Animals
#17 Bota digjet
The World Is Burning
#18 Keqtrajtimi i kafshëve gjithkund
Animal Cruelty Is Everywhere
#19 Ice ice baby
Ice Ice Baby
#20 Ëmbëlsirë mbeturinash
The Earth Pie Of Trash

JUSUF GËRVALLA : Qenie, varr as frymë



jusuf gervalla1


 Një shishe hermetike
grykëngushtë
lëfytgjatë
në murin prej argjile
në detin e ëmbël
në lëkurën me pore drite
në ballsam të largët egjipti
një një të miliontin yll
në çdo kristal
në çdo gur të çmuar.

Bima mugullon në terrin e tokës
në qullin e baltës
qenie, varr as frymë
sy i zbrazët
nga gjithë bukuria mbeti vetëm kjo
e prekshme e flakët dhe e pakuptueshme.

Seç po lebetitem po më dridhet buza
zëri im i djeshëm se ku u bë
amshim i zbrazët
si syri që më sodit me plotëninë e trilluar
i ndritshëm e i thatë si mermer i zi
dashuria e të çmendurit nga frika
mes të gjithëfuqishëmve
një gogol druri mbuluar me të tharat e vjeshtës
një leckë e një enë e ndryshkur
ca pulla sedefi.

Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës
e syri i zbrazët në roje sodiste
dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme.

Shqipëria humbi 0 me 2 me Serbinë – tash Shqipëria ka vetëm një shans për kualifikim

Shqipëria ka pësuar humbjen e dytë rresht në kualifikimet për Euro 2016, duke u mposhtur në “Elbasan Arena” nga Serbia me rezultat 2 me 0. Megjithatë, gjasat për Euro 2016 janë akoma të mëdha në taborin kuqezi.
08-10-2015 22-59-03
Kjo sepse Portugalia ka mposhtur Danimarkën, rivalin e drejtpërdrejtë për pozitën e dytë në Grupin I. Falë këtyre dy rezultateve Portugalia ka 18 pikë, gjashtë më shumë se Danimarka që është e dyta. Një më pak se danezët ka kombëtarja shqiptare.
Në xhiron e fundit, Shqipëria luan si mysafire e Armenisë dhe i duhet gjithsesi një fitore për të siguruar plasmanin historik. Danimarka nuk ka më ndeshje të mbetura. Barazimi nuk i kryen punë pasi që Danimarka ka favor në ndeshjet e ndërmjetme me Shqipërinë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...