Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/29

Seks dhe shantazh/ Historia e spiuneve femra të KBG-së që futën në kurth edhe Ajnshtajnin

KGB-ja njihet si shërbimi sekret që krijoi një linjë tipike me një rrjet agjentesh, të cilat me bukurinë e tyre zbërthenin çdo sekret. KGB-ja rekrutonte vajza të bukura në radhët e saj, për të zënë në kurth diplomatët e huaj dhe faktet tregonin që s’e kishin gabim.
Russian Army












Kërcimtare, aktore këngëtare, të cilat stërviteshin për të joshur cilindo person që do të duhej t’i nxirrnin informata.
Maria Konnenkovës nuk i rezistoi dot as Ajnshtajni me gjenialitetin e tij. Në vitet ‘40 agjentja sekrete sovjetike e takonte dhe mblidhte të dhëna për bombën që do ndërtohej. Maria Knuth, një tjetër vajzë me emrin e shenjtëreshës, por që veç e tillë nuk ishte. Kërcente në kabare dhe magjepste me bukurinë e saj oficerët britanikë dhe amerikanë.
Elizabeth Bentley, një amerikane gjithë sharm, ra në dashuri me kontrollorin e saj rus, pasi u rekrutua nga KGB-ja. Të gjitha vajza të bukura dhe inteligjente, të cilat fituan famë në shërbimet ku punonin. Misioni i tyre ishte të bënin për vete çdokënd që i duhej KGB-së dhe për këtë stërviteshin. Pas kësaj, fillonte shantazhi. Agjentet instalonin në dhomat e gjumit kamera ku regjistronin gjithçka ndodhte dhe i kërcënonin “viktimat” e tyre se do i bënin publike.
Dashuri dhe shantazh
Në këtë mënyrë KGB-ja kompromentoi ambasadorin britanik në Moskë, sër Xhefri Harison në vitin 1968. Ambasadori u dashurua pas një gruaje të bukur ruse, e cila punonte si shërbëtore në ambasadën britanike e quajtur Galja. Ajo ishte e futur me mision aty nga KGB-ja. Pasi çifti doli nga dhoma e gjumit në një apartament të Leningradit, Harrisonit iu treguan foto të tij me Galjan gjatë kohës që bënin dashuri. Harrisonit iu komunikua se në qoftë se nuk i jepte KGB-së informacionet që ajo kërkonte, fotot dhe lidhja e tij me Galjan do të bëheshin publike. Në vend që të bashkëpunonte, Harrisoni u kthye në Londër ku pohoi lidhjen me Galian te oficeret e MI5, (Kundërzbulimi britanik). Ai u nxor në pension menjëherë. Megjithëse ky lloj kurthi kësaj radhe dështoi, shumë kurthe përpara Harrisonit ishin të suksesshëm. Koloneli Lui Gibo, atasheu ajror francez, në vend që të jepte informacion dhe të fshihte lidhjen, vrau veten.
Elizabeth Bentley
Ishte një grua shumë e bukur amerikane, e cila u aktivizua si agjente sekrete për KGB-në në vitin 1940. Ajo u rekrutua nga sovjetikët dhe ra në dashuri me kontrollorin e saj, Jacob Golos. Ajo joshi të paktën 8 zyrtarë amerikanë dhe në biseda intime u nxirrte të dhëna në llogari të sovjetikëve
Lona Cohen
Ishte anëtare e Partisë Komuniste në SHBA. Ajo u rekrutua në spiunazhin sovjetik nga bashkëshorti i saj Morris Cohen. “Lesley”, ky ishte kodi i saj, dërgonte materiale nga projektet e armëve atomike amerikane në konsullatën sovjetike në Nju-Jork.
Maria Konnenkova
Albert Ajnshtajn mund të ketë qenë gjeni, por jo aq i zgjuar sa për të shmangur magjepsjen me agjenten sekrete Maria Konnenkova. Ajo e takonte Ajnshtajnin në vitin 1940, për të mbledhur informacione për përpjekjen e amerikanëve për të shpikur bombën e parë bërthamore
Melita Noruood
Është ende gjallë dhe e thërrasin “gjyshe Hola”. Në vitet ‘30 ajo mbështeti rusët nën udhëheqjen e Stalinit për planet e bombës bërthamore. Agjentja 0087 punonte në një institut të kërkimeve shkencore dhe çonte dokumente sekrete rusëve, pa rënë në sy nga MI5.
Ethel Rosenberg
Aspironte të bëhej këngëtare dhe aktore, por kryesisht punoi si sekretare në një kompani anijesh. U akuzua dhe u dënua me vdekje për dhënien e sekreteve të ushtarakëve amerikanë rusëve. Sipas gjykatësve, Rosenberg kishin sjellë vdekjen e 50 mijë ushtarëve në Kore e gjithashtu kishin shitur edhe sekretet bërthamore te sovjetikët
Maria Knuth
Ishte një gjermane e rekrutuar nga KGB-ja, për shkak të bukurisë së saj dhe për aftësinë e saj për të tërhequr oficerët britanikë dhe amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo kërcente në kabare. Edhe më parë Knuth ishte përdorur për qëllime spiunazhi
Judith Coplon
Punonte në Departamentin e Drejtësisë, në sektorin e agjentëve të huaj. Ajo mblidhte informacione dhe bashkëpunonte me rusin Valentin Gubitchev, një ish-oficer i shërbimeve sekrete. FBI-ja e nuhati situatën dhe i arrestoi të dy në vitin 1949.
Julia Child
Para se të bëhej një kryekuzhiniere e famshme, ajo punonte për OSS-në, që është paraardhësja e CIA-s. Asaj i qe ngarkuar detyra që bashkë me kolegë të saj duhet të vriste peshkaqenët që mund të shkaktonin plasjen e dinamitit poshtë ujit të vënë për gjermanë, dhe mund t’i paralajmëronin ata për eksplozivin.
Virginia Hall
E njohur si “zonja e çalë e OSS”, për shkak të këmbës së saj të drunjtë, luajti një rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo punoi për të shkëputur ndërlidhjen gjermane, duke prerë linjat elektrike dhe telegrafike. Mori medalje për zotësinë.
Betty McIntosh
Ka shkruar një libër kujtimesh për pjesëmarrjen e saj në Shërbimet Sekrete Amerikane. Është vlerësuar si një nga spiunet më të afta në OSS. “Nëse njerëzit na pyesin se çfarë po bëni këtu, thojini që jeni një sekretare dhe s’do ju pyesin më” thotë ajo në librin e saj.
Melissa Mahle
Prej 5 vjetësh ka lënë CIA-n. Mbante detyrën e një eksperte spiunazhi kundra terrorizmit dhe ka punuar si klandestine në Lindjen e Mesme deri në vitin 2002. Që kur la punën, ajo ka punuar si këshilltare në Lindjen e Mesme për çështjet e sigurisë.
Lindsay Kegley
Edhe Kegley ka pak kohë që është shkëputur nga CIA. Ishte një nga oficeret më të mira të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nga viti 1998 deri në vitin 2003. “Të gjithë njerëzit që më njihnin më thoshin të mos e merrja këtë hap, por është vërtet bukur të ndihmosh vendin tënd”, ka thënë ajo.
Irene Nelson
Një vajzë e njomë, por shumë e gjallë, ishte një nga spiunet paraardhëse të CIA-s gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte 23 vjeçe dhe e sapomartuar kur u fut në shërbimet sekrete. “Edhe ajo mësoi të gatuante vonë, si Julia Child”, shkruhet në librin “Motrat e spiunazhit
Virginia Baynes
Është një nga spiunet amerikane gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Ajo u rekrutua nga i dashuri i saj, i cili punonte me shërbimet sekrete. Virginia u largua nga CIA, por jo shumë kohë më pas shiti informacione.

4 vjet më pas – Doktrina e paqartë e Obamës

Nga Bledar KOMINI
Në fakt, ky është i disati shkrim që unë bëj duke iu referuar politikës amerikane dhe sidomos asaj të jashtme. Kuptohet që politika e jashtme amerikane nuk është vetëm e saj, por ajo është një politikë e jashtme globale. Për këtë arsye, ndonjëherë paqartësia e kësaj politike ndikon drejtpërdrejt edhe në politikat e brendshme dhe të jashtme të faktorëve të tjerë botërore si dhe shteteve të fuqishme në arenën ndërkombëtare. Më kujtohet të kem lexuar diku, se Taleirani thoshte me të qeshur se, ajo që ndodh në Versajë do të ndikoj në të dy skajet e botës. Kjo është e vërtetë për faktin se shtetet e fuqishme, kanë aftësinë dhe mundësinë që të ndikojnë në ngjarjet dhe zhvillimet e ndryshme politike, sociale dhe ekonomike kudo.
Vartësia ndaj politikës së shteteve më të fuqishme, i bën shtetet e tjera, të ndjejnë ndikimin e lavjersit politik të të parit si çekan mbi kokën e tyre. Për këtë arsye teksa shkruaj për politikën amerikane, i referohem këtij lavjersi që lëkundet, duke i nxitur shtetet poshtë tij të orientojnë politikat e tyre andej nga shkon dhe lëkundja. Për dekada me radhë politika e jashtme amerikane ka qenë shumë e qartë, në mos, ajo është orientuar nga interesa të përcaktuara prej kohësh dhe prej specialistësh në politikën e jashtme. Kur Obama erdhi në krye të SHBA, ai premtoi dy gjëra të rëndësishme në politikën e jashtme, së pari ai premtoi tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe së dyti premtoi kapjen e Osama Bin Ladenit. Të dy këto objektiva u arritën dhe sigurisht vrasja e Bin Ladenit, udhëheqësit të Al-Kaedas ishte një arritje e madhe për paqen botërore. Por a mund të themi se politika e jashtme amerikane ishte vetëm kaq?
Para së gjithash, politika amerikane është produkt i zhvillimeve ekonomike brenda vendit si dhe asaj jashtë tij, lidhur ngushtë me tregjet që shtrihen nga njëra hemisferë e globit në tjetrën. Megjithatë, që kur ka filluar kriza ekonomike në vitin 2008 dhe deri më sot biznesmenët dhe ekonomistët amerikanë e kanë të vështirë të kuptojnë politikën fiskale të presidentit Obama. Sektori privat është ai që e vuan më shumë këtë paqartësi, në të njëjtën kohë ende nuk janë parë efektet dhe nuk mund të themi se kemi një matshmëri të tyre mbi atë se çfarë ndikimi do të ketë Ligji për Sigurimet Shëndetësore mbi ekonominë amerikane. Ky ankth thonë ekonomistët dhe kjo paqartësi ka shkaktuar një ngrirje ekonomike në të gjithë vendin.
Më gjerësisht, duke kaluar në planin e politikës jashtë SHBA, Obama në fillim deklaroi një rritje të trupave amerikane në Afganistan dhe më pas një tërheqje të tyre. Po ashtu një qëndrim i ashpër përvijues është mbajtur ndaj Iranit dhe frikës për krijimin e ndonjë arme bërthamore nga ai. Ndërkohë që fqinji tjetër në Lindjen e Mesme, Izraeli jo vetëm që zotëron një armë të tillë, por dhe kërcënon se do ta përdorë atë në rast të ndonjë agresioni iranian ndaj këtij të fundit. Të gjendur përball kësaj situate SHBA kanë preferuar të mbështesin aleatin tradicional izraelit dhe të ruajnë Status Quon në rajon. Po kush siguron që shtete të tilla si Pakistani, India e Izraeli, me probleme të brendshme si dhe politika të paqëndrueshme, nuk do të përdorin ndonjë ditë armët e shkatërrimit në masë, të cilat i zotërojnë prej vitesh? Këshilli i Sigurimit i OKB ka treguar se në raste të tilla, dy nga pesë anëtarët ose kanë abstenuar ose kanë votuar kundër, sa herë që SHBA kanë dashur të ndërmarrin ndonjë iniciativë brenda këtij institucioni, për të ndëshkuar prirjet egoiste të këtyre shteteve problematikë. Kjo e bën situatën edhe më të paqëndrueshme dhe në këtë aspekt mund të themi se kontributi i Obamës ishte i pandjeshëm ose inekzistent.
Marrëdhëniet me dy prej fuqive më të mëdha të Azisë, Kinën dhe Rusinë këto vite kanë qenë të qëndrueshme. Ato me disa luhatje kanë qenë të qeta dhe në disa raste të tjera të frytshme. Pikëvështrimi i Obamës ndaj këtyre fuqive politike dhe ekonomike ka qenë i qartë; mbështetje e Kinës dhe ruajtje e marrëdhënieve të mira me Rusinë. Kur flasim për mbështetjen ndaj Kinës, i referohemi gjithnjë aspekteve të tregut të lirë dhe rolit frenues që Kina ka ndaj Indisë e Rusisë, si një fuqi balancuese në këtë rajon. Por SHBA ndjehen të pafuqishme kur bëhet fjalë për ndikimin që ka Kina në borxhin publik amerikan, aq më tepër kur ditët e fundit Kina deklaroi se do ta zgjeronte blerjen e borxhit edhe më tej.
Një vit më parë Obama mbështeti lëvizjet demokratike në Afrikën Veriore. Në fjalimin e tij të mbajtur në Kajro ai deklaroi se SHBA do të mbështesnin gjithnjë frymën e lirë të popujve kundër tiranive dhe diktatorëve, por në anën tjetër presidenti Obama nuk po bën asgjë për ndalimin e dhunës qeveritare ndaj civilëve në Siri. E ndërkohë që SHBA mbeten spektatorë të kësaj masakre civile, Asadi e zhvendosi luftën e tij nga hapësira fizike në atë virtuale. Prej muajsh hakersat e qeverisë kanë bllokuar të gjitha faqet kryesore në internet, si Facebook, blogspot, dhe youtube për të penguar komunikimin me jashtë dhe për të mbajtur në heshtje atë se çfarë po ndodh në realitet. Gjithashtu ata kanë “klonuar” një certifikatë të rrjetit Facebook, në mënyrë që të vjedhin të dhëna nga forcat opozitare të cilat shpeshherë e kanë parë këtë media sociale si një alternativë komunikimi. Gjithashtu prej muajsh regjimi i Asadit ka ndërprerë edhe komunikimin telefonik mobil me synimin e vetëm, pengimin e informacionit.
SHBA kanë luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe frenimit të shteteve problematike për të pasur armë të shkatërrimit në masë. Ajo që është më problematikja sot, nuk ka të bëjë më me armët e shkatërrimit në masë, por me luftën kibernetike. Edhe pse OKB në fillim të këtij viti hodhi idenë e një policie kibernetike të udhëhequr prej saj, planet për të kaluar në praktikë mbetën të parealizuara. Sulmet kibernetike ndaj Iranit dhe ato që qeveria e Asadit po bën ndaj popullsisë siriane, duke shkëputur çdo lloj lidhjeje me botën jashtë, janë një tregues se lufta kibernetike do të kthehet në vitet e ardhshme në mjet që mund të përdoret edhe prej terroristëve për të goditur objektiva strategjike. Obama në fillim nuk pranoi të reagonte ndaj kësaj risie, e cila për hir të së vërtetës është diçka e njohur prej vitesh. Disa ditë më parë ai u prononcua se “përdorimi malinj i teknologjisë” ishte diçka e patolerueshme, dhe se duheshin ndërmarrë sanksione ndaj vendeve që e shfrytëzonin këtë gjë në kurriz të qytetarëve të tyre apo atyre të ndonjë shteti tjetër. Të vetmen gjë që ai nuk tha, ishte se si do arrinin SHBA ta ndalonin këtë gjë?! Cilët do të ishin instrumentet apo institucionet parandaluese ose kontrolluese? Dhe në çfarë mënyre do të ndërmerreshin sanksionet.
Një tjetër problem që është shfaqur në politikën e jashtme amerikane, ka qenë dhe ai se si duhet të sillet Uashngtonit me qeveritë e reja arabe të dala prej revolucioneve të para një viti. Pjesa më e madhe këtyre qeverive përfaqësohen nga parti islamike, të cilat kanë ardhur në këtë fazë nëpërmjet votës së lirë. A do ta pranojnë SHBA këtë situatë dhe a do të pranojnë të krijojnë marrëdhënie me këto qeveri, të cilat edhe pse jo anti-amerikane, janë kundër politikës që SHBA ndjekin në Lindjen e Mesme në lidhje me çështjen e Palestinës. Kjo pyetje merr rëndësi çdo ditë që kalon dhe sigurisht ajo ka qëndruar përballë presidentit Obama që kur ai vendosi të përkrahte revolucionet në Afrikën Veriore. Ajo bëhet edhe më e prekshme nëse do ta përkufizonim në këtë mënyrë: A do të pranojnë SHBA demokracinë dhe lirinë në këto vende (edhe pse me ngjyra islamike) apo do të vazhdojnë të mbështesin aleatin e tyre tradicional në rajon, Izraelin? Mesa duket kësaj pyetje do t’i jap përgjigje presidenti i ardhshëm i SHBA, pasi ai do të ketë tagrin dhe kohën për të gjetur përgjigjen e duhur, se cilin krah duhet të mbajë politika e jashtme amerikane në këtë rajon. Koha për Obamën po mbaron, mbetën zgjedhjet që do të mbahen, për të na treguar nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në krye të Shtëpisë së Bardhë, apo do të jetë kandidati republikan që do ta ketë këtë mundësi.

SINONIMET E NJË SHPIRTI TË TRAZUAR

Shënime rreth vëllimit poetik “Ekstremume”, të Hamdi Skejës
Pëllumb Gorica
Të shkruash për librin e parë të një autori, do të thotë ta rivendosësh atë në një kontekst vlerësues me të tjerët. Jemi të ngopur me qindra libra dhe letrarë, por risitë që sjellin ata janë të pakta. Në labirinthet e pafundme të shprehjes së ndjenjave poetike, mendimi kritik duhet ta thotë fjalën e tij. Po botohen vepra letrare mediokre, e pa asnjë vlerë artistike, por edhe me tematikë të përsëritur, pra një nivel i ulët i artit, sepse nuk mund të vlerësosh një libër nga ana e jashtme: kopertina, cilësia, titulli, emri. Ajo është si fasada e një ndërtese, por pa kushte komode jete. Impakti i parë, dashuria për të fillon kur e shfleton. Dhe është kënaqësi kur lexon një libër të mrekullueshëm si ky i Hamdi Skejës, duke zbuluar pak nga pak vlerat e tij shpirtërore dhe poetike.
Janë disa fakte që e bëjnë më të këndshme leximin e vëllimit poetik “Ekstremume”, të Hamdi Skejës.
EKSTREMUME
-Përputhja midis ndjenjës dhe arsyes,për të krijuar një realitet të besueshëm poetik. Arsyeja dhe ndjenja që e kompensojnë njëra tjetrën, ku shpesh atë që le mangët apo nuk e rrok arsyeja si koncept logjik e kompenson, ndjenja, emocioni, pasioni e vrulli shpirtëror. Shpesh herë thotë Xhefersoni “Zemra ka arsye që arsyeja nuk i njeh“. Kjo nuk ndodh me vëllimin në fjalë.
-Vëzhgimi zhbirues, intim i një realiteti jetësor, që çdo sy i zakonshëm mund të rrokë. Zhbirimi poetik i mjedisit vjen natyrshëm nëpërmjet një njohje, një detaji të elementeve të natyrës, dhe kthehen në vargje frymëzuese përmes një sinqeriteti krijues intim.
-Peisazhi i dashurisë, që është mbizotërues në vëllimin poetik “Ekstremume” mbeshtetet në një peisazh të koklavitur përpjekjesh e pasionesh, ku i pari shërben si ndriçim i të dytit, e i dyti shërben si ushqim për të parën.
Por, të tre këto motive realizohen jo vetëm nëpërmjet një gjetje të qelibartë poetike, edhe në konceptin real, intim e simbolik të mjedisit jetësor. Ajo që e dallon poetin Hamdi Skeja është edhe një tjetër veçori, guximi për të rrokur tema, problematika e fenomene të vogla në dukje, por që në fakt janë oksigjen që ushqejnë jetën. Duke shfletuar në detaje vëllimin poetik “Ekstremume”, të Hamdi Skejës takohemi artistikisht në një mozaik shpirtëror, i cili është rrethuar nga mistere ndjenjash që kërkojnë një çelës për t’i zbërthyer ato. Çdo krijim i tij flet për një emocion, për një enigmë ndjenjash, por, edhe një mbështjellje shpirtërore. Autori zbulon përmes figurës, idesë, mendimit, e muzikalitetit të vargut, shpirtin dhe botën e vet. Detajet jetësohen e herë abstragohen nëpërmjet një figuracioni dhe lartësohen të konkretizuara ndjenjërisht, duke lidhur reciprokisht arsyen e shëndoshë. Por ato herë kanë një masë të caktuar mendimi dhe herë një limit të tillë të kapërcyer gjithashtu. Edhe kur poeti duket sikur bën lojë fjalësh, ai prapë nuk i largohet ndjesisë dhe rregullit poetik.
Nga pesë ciklet e ndara të vëllimit poetik, “Ekstremume” të Hamdi Skejës, ai për dashurinë është më i ndjeshmi, më i arriri artistikisht, me një sensibilitet njerëzor që të bën ta duash jetën në çdo qelizë të saj. Për autorin ndjenja e dashurisë është zbukurimi i shpirtit. Jo me kot poeti një cikël të bukur poezish ia dedikon kësaj ndjenje, që në shekuj ka “mposhtur” njerëzimin. Përmes një aliteracioni të fuqishëm, ku gjithmonë urëlidhëse është ndjenja dhe arsyeja poetike, autori mundohet të përputhë ekstremitetet e të lartësojë portretin e dashurisë së vërtetë:
 “Dashuroj Dashurinë e dashurisë
Përjetoj përjetimin e përjetësisë”.
Është kjo dashuri jetike, e domosdoshme për vazhdimësi e arritje fitoresh, se ndryshe “Vdes vdekjes së vdeksisë” e nuk mund të “Ringjallesh prej ringjalljes së dashurisë!” Burimi i ngadhënjimit e i mposhtjes së gjithçkaje të keqe në jetë, është vetëm një, dashuria, sepse siç thotë dhe poeti kur ai është “Plakur prej dhimbjes” së plagëve të jetës, përsëri është rinuar dhjetëfish nga puthja dashurore. Poeti abandonon çdo pengesë, çdo vështirësi e përshtirosje për të shijuar deri në fund bukurinë e jetës, dhe “Prangat e dashurisë” i duron “sepse ato nuk e lwnë të jetë rob i vetmisë”.
Në ciklin tjetër me një titull mjaft të gjetur “Rrugë kotësie”, poeti thekson se në labirintet e jetës gjen edhe trishtim, pakënaqësi, urrejtje, mosrealizime, që nuk është e lehtë për tu përballuar. Me mendje dhe zemër, me këmbë dhe me shpirt, poeti ecën në “Rrugë kotësie” pushon pak “Në lëndinën e fatit të zi” përballet me “Zhgënjime të rënda të jetës” dhe trishtohet përsëri kur nuk arrin të shoh dritë në shpirt. Poeti shtjellon praninë e mendimit, se është kotësia një element i kësaj bote që herë të çmend me mendësitë e kulluara, herë të mbyt me prapësi budallallëqesh kotësie. Ndaj dyshues poeti pyet “Ç’dreq bote është krijuar me kështjella padrejtësie” retorike kjo që të kujton dyshimin hamletian “Që të rrosh apo të mos rrosh, kjo është çështja”, në “Këtë botë të shthurur pa moral”. Edhe kur ndonjëherë atë e mbulon pesimizmi, ai shpejt ngrihet mbi ndjenjat dhe nostalgjitë, mbledh forcat për ta shijuar jetën gjer në fund në çdo grimcë të saj. Jeta shpeshherë nuk është ashtu siç shkruhet,por ashtu si merr frymë, ashtu si bie ose lartësohesh, ashtu si qan ose si qesh. Janë pikërisht, të pashkruarat e jetës që të bëjnë të meditosh, të vuaj apo si gëzohesh. Sepse ndodh që gjatë përplasjes me dallgët e realitetit i “Shembet çatia e ëndrrave” humbet disi fillin e udhëtimit për ku je nisur,dhe bie në një plogështi, por ai as vet nuk do ta pranojë kur deklaron “Si eca kështu, pa zbuluar kush jam, çfarë kam në shpirt”. Poeti endet në rrugët bardhë e zi të jetës, të kuqe e të gjelbër, dhe kërkon të kap të bardhën e të braktisë të zezën, megjithatë fati e katandis në honin gri “E kuqja e shpirti e gjakosur dhe gri dhimbja e prarosur” – shkruan ai…
Mbas ciklit të dytë “Rrugë kotësie” poeti dikur e mbledh veten, mposht dhimbjen dhe trishtimin, hallet e paudhësitë, e pasi është rrëzuar “Kalldrëmeve të dhembjes” del në një horizont plot dritë e thërret i ngazëllyer “Mbijetova” duke gdhendur si një diçiturë të një ardhmërie plot shpresë vargjet:
“Kur u ktheva në fillin e shpresës
për jetën u shërova …
Mbijetova!”
Natyrisht kjo poezi dhe të tjera i ngrenë himne shpresës. Ato janë edhe refleksionet e mozaikut të ndjenjave. Thërrmijat e tyre janë mbështjellë edhe me mllef ndaj padrejtësive të kohës. Tek poeti ndjehet ky zhgënjimi për kohën që po jetojmë, e cila shmang vazhdimisht humanizmin, dhe është e papranueshme si bota e “baltëzimit” siç e quan ai. Sipas poetit, baltëzimin se duron as gëzimi as mjerimi, as vdekja, as mashtrimi. Thirrja e poetit është e thjeshtë dhe e sinqertë; “Mos baltëzo!” Ndaj ai përherë ngre një piedestal shqetësimi kujdestar : “I baltëzuari baltëzon, gëzimin dhe mjerimin përballë njerëzimit.”
Poeti e mbyll vëllimin poetik me ciklin “Rrënjët e mija” ku bën jo vetëm një sintetizimin të një jete që iku, por dhe jep idenë e vazhdimësisë së traditave e ripërtëritjen e brezave. Diku gjen vargje të dobëta, prozaizëm pa figuracion, por ka dhe vargje që të frymëzojnë, të ngjallin nostalgji e njerizëllëk, kur shkruan;
“Tek molla s’vijnë më burrat e vjetër
të ulen këmbëkryq si dikur,
trishtueshëm erdhi një kohë tjetër
e vend të mollës është vënë një gur.”
Autori, duke u shkrirë në rrëfimet poetike, që i ka bërë pjesë të vetvetes, tregon lidhjen me vendlindjen, hyn dhe bisedon me të, e “Shtëpinë, më se gjej si atëherë”, por shton idenë se familja është gjëja më e shtrenjtë në jetë dhe çel lulet e rëndësishme të shoqërisë.
 “Ti ëndrra, qenia, shpirti im,
falë teje jetës i vura emrin gëzim.”
Më mirë se kaq nuk mund të përshkruhet lidhja midis brezave e traditave, përkushtimi familjar, lufta e vazhdueshme për të mbajur ndezur prushin e tyre.
Para se ta mbyllim këtë analizë ta shkurtër për vëllimin poetik “Ekstremume”, mund të përmendim disa të meta, që nuk ja zbehin vlerat poezisë të Hamdi Skejës. Së pari, poeti mund t’i shmangej deri diku rënies në një pesimizëm e fatalizëm të pajustifikuar, në disa raste deri në ekstrem si: “eca me ç’fat …”, “fati im është pa fat…”, etj. Së dyti, në mjaft raste ka përsëritje mendimi, ndjenjash e ide në të njëjtat poezi ku fare mirë mund të vendosej në libër vetëm njëra nga ato. P.sh mendimi i të shprehurit tek “Pesha e natës” është përsëritur edhe tek poezia “Zhgënjimi” ashtu siç ndodh në antologjinë midis poezive të tjera. “Rrugë e trishtuar” dhe “Ma thoni”. Ka ndonjë poezi të varfër artistikisht si “Mall mërgimtari” ku poeti ndoshta, duke mos e njohur në intimitet kalvarin e kurbetit, që nuk po i ndahet edhe sot shqiptarëve, bie në prozaizëm e folklorizëm, kur shkruan vargjet si : “Mërgimi më ka drobitur as gjumi i natës s’më zë”. Por në përgjithësi poezitë kanë një figuracion origjinal të mbushur me metafora e krahasime djaloshare, që të mbeten në mendje. Mbisundon vargu koçiz, me idenë kryesore që përshkon, se kjo jetë ka nisur e do vazhdojë midis ekstremiteteve dhe vazhdimësisë së brezave, gërshetimit të madh të arkaikes me modernen, dhe se të jetosh nuk është thjeshtë luftë, por dhe fat.
Një moment tjetër në këtë vëllim poetik, janë vlerësimet modeste të miqve për figurshmërinë e kësaj poezie befasuese, që është një përpjekje për të ndërtuar ndërmjet tyre sinonime, e për të vështruar të vërtetat e padukshme dhe të prekshmen njerëzore. Rruga e zbërthimit të tyre natyrisht është një qëllim në vetvete, i dimensioneve të shpirtit, dhe një kredo për autorin.
Ne i urojmë autorit libra të tjerë po kaq të bukur, dhe vëllimit poetik “Ekstremume” rrugë të mbarë në duart e lexuesve.

Historia e Petrit Kozelit që i dhuroi Papa Françeskut këpucët me ngjyrat e flamurit shqiptar

Artizani shqiptar në Mantova, Petrit Kozeli i dhuron Papa Françeskut një palë këpucë me ngjyrat e flamurit shqiptar
Petrit Kozeli me Ndue Lazrin dhe kepucet qe iu dhuruan Papes
Petrit Kozeli me Ndue Lazrin dhe kepucet qe iu dhuruan Papes

Nga Ndue Lazri
Ai dikur ka qenë një fotograf i talentuar, që punonte në Tiranë. Me shpirtin e artistit gjurmonte pejsazhe të bukura, karaktere të veçantë njerëzish, detaje shprehëse nga dukuritë jetësore dhe i fiksonte në fokusin e tij. Quhet Petrit Kozeli.
Shpirtin e artistit dhe aparatin fotografik i mori me vete edhe kur emigroi në Itali si qindra e mijëra shqiptare të tjerë. Dhe u vendos në qytetin e bukur të Mantovas. Qyteti i dukëve Gonzaga, i vendosur si një ishull magjik mbi tre liqene të formuar nga lumi Mincio, qyteti ku internuan Romeon për të penguar dashurinë e tij me Zhuljetën, që ishte 30 km më tej, në Verona, qytet romantik me një qendër të ngrohtë, karakteristike e mikpritëse e të vizituar në çdo stinë nga shume turistë.
Por, një emigrant i ardhur nga Shqipëria, nuk mund të jetonte këtu me profesionin e fotografit. Aq me tepër të mbante edhe familjen, të shkollonte fëmijët. Duke shëtitur rrugëve të qytetit, atij i erdhi në mendje të behej artizan, të hapte një dyqan për riparimin e këpucëve. Faktikisht qyteteve italianë pika të tilla artizanale janë të rralla, ndaj dyqani i tij filloi të kishte shumë shpejt klientë. E puna e Petritit pëlqehej nga klientët, se ai vinte në atë punë të thjeshtë diçka nga bota e tij artistike, e bënte atë me pasion e dashuri, duke u shquar për cilësinë e lartë në riparime, i priste e i përcillte klientët me buzëqeshje e mirësjellje. Duke qenë në qendrën historike të qytetit, dyqani i tij binte në sy edhe për rregullin e pastërtinë. E u bë shpejt i njohur për mantovanët.
Shpirti i artistit mbetet tek njeriu edhe kur ai merret me punët më të thjeshta e me zanatet që mbase në dukje nuk kanë të bëjnë me artin. Ai vlon brenda krijuesit dhe e nxit e frymëzon atë për ide të reja, për ta kthyer në art gjithçka që zë me dorë. E një ditë Petritit i vjen ideja të prodhojë vetë një palë këpucë. Jo këpucë të zakonshme, por unikale, të personalizuara. Prodhon një palë këpucë me ngjyrat e flamurit italian, të cilat ia dhuron ish-presidentit italian, Giorgio Napolitano. Presidenti befasohet nga kjo dhuratë, e çmon, interesohet në Mantova për artizanin shqiptar dhe autoritetet lokale i flasin me simpati për emigrantin shqiptar të integruar plotësisht në qytetin e tyre. Presidenti italian i jep atij titullin “Cavaliere del Ordine”, që u jepet vetëm njerëzve me merita të shquara në fushën ku ata veprojnë. Një nder i veçantë edhe për komunitetin shqiptar në Itali.
Për Petritin me kishte folur mikja ime, Anila Kaja, presidente e shoqatës “Le aquile” e qytetit të Mantovas, shoqatë që bën pjesë në federatën tonë FNAI. Edhe Anila është integruar mirë me familjen e saj në ketë qytet. Natyrë e gjallë, dinamike e karizmatike, ajo ka ndërtuar raporte shumë të mira me autoritetet lokale dhe punon si përgjegjëse e personelit në Pallatin Te, një nga pallatet më prestigjioze të qytetit, rezidencë e prehjeve e zbavitjeve private të dukëve Gonzaga. Me poetin dhe ambasadorin shqiptar në Vatikan, Visar Zhiti, patëm kënaqësinë ta vizitonim ketë pallat, duke patur si guidë dhe ciceronë pikërisht Anilen, e cila njeh me detaje çdo sallë, afresk e basoreliev të tij dhe flet për to me kompetencën e një historianeje e kritikeje arti.
12183697_952665978138883_8365714283511912070_o
Ishte Anila që na ftoi këto ditë, edhe Visarin, edhe konsullen shqiptare në Milano, Luljeta Çobanaj, edhe mua në një veprimtari tematike të organizuar nga shoqata “Le aquile” në bashkëpunim me komunën e qytetit të Mantovas.
E në qendër të kësaj veprimtarie ishte përsëri artizani shqiptar, Petrit Kozeli. Pas vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, ai ishte frymëzuar nga kjo vizitë, nga mesazhet e qarta që dërgoi Papa mbi vëllazërimin midis besimeve fetare në Shqipëri, mbi udhëtimin e përbashkët në udhën e paqes. E ai vendosi të krijoje një palë këpucë me ngjyrat e flamurit shqiptar, për t’ia dhuruar Papa Françeskut me rastin e njëvjetorit të vizitës se tij në Shqipëri. I ka quajtur ato këpucët e shtegtimit të paqes edhe në letrën përcjellëse që i dërgon Papës bashkë me këpucët.
905798_10206599755666874_6380307926680894798_o
Bashkë me Visarin dhe Luljeta Çobanajn, me Anilën e shqiptarë të tjerë që mblidhen pranë dyqanit, e vizitojmë atë njësi të vogël artizanale, marrim në dore ato këpucë të punuara mjeshtërisht me cilësi të lartë, ku spikat shqiponja në qendër, të cilat poeti Visar në përshëndetjen e tij do t’i quante një metaforë e bukur, që simbolizon ëndrrën e njeriut për të shtegtuar drejt viseve të largëta e drejt paqes. Madje ai i sugjeroi Petritit që edhe dyqanin e tij ta quante: “Shtegtojmë sëbashku”.
Nga dyqani kalojmë në komunën e Mantovas, për të marrë pjesë në veprimtarinë tematike të organizuar pikërisht për ketë eveniment, për nisjen e këpucëve nga Mantova drejt Vatikanit, nëpërmjet ambasadorit shqiptar. Marrin pjesë të gjitha autoritetet lokale të Mantovas, që nga kryetari i bashkisë se qytetit, Mattia Palazzi, këshilltari rajonal, Marco Carra, prefekti Carla Cinciarelli, peshkopi, kuestori, komandanti i karabinierëve, përfaqësues të policisë lokale, të urdhrit të kavalierëve, të UNICEF-it, drejtori i Pallatit Te, presidenti i këshillit komunal Massimo Allegretti, asesori i komunës, Jacopo Rebeçhi, përfaqësues të shoqatave shqiptare dhe të artizanatit mantovan etj.
Mantova_AmbasciatoreAlbania2
Një ceremoni e bukur, me përshëndetje prej kryetarit të bashkisë e të ambasadorit Visar Zhiti, të konsulles Luljeta Çobanaj e të presidentes së shoqatës, Anila Kaja, përshëndetje në emër të Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) etj. Ceremonia, dreka e shtruar për nder të të ftuarve në një nga restorantet e Mantovas dhe koktejli pas ceremonisë krijuan një atmosferë, ku evidentohej qartë ajo dashuri e ai respekt i ndersjelltë që është krijuar në ketë qytet midis qytetarëve e autoriteteve lokale italiane dhe emigrantëve shqiptarë që tashmë shikohen si një realitet pozitiv e një faktor ndërlidhës miqësor midis Italisë e Shqipërisë. Me ambasadorin Visar Zhiti dhe konsullen e përgjithshme në Milano, Luljeta Çobanaj pata kënaqësinë të bisedonim edhe për veprimtaritë e Federatës FNAI e ata shprehën dëshirën të jenë të pranishëm në veprimtaritë që do të organizojmë në të ardhmen.

Njihuni me vrasësin Cosa Notra-s që ekzekutoi 80 persona dhe që do të lirohet pas 5 vjetësh

Avola: Pse u bëra mafioz dhe pse e theva kodin e heshtjes kundër mafias. “Rregullat e betimit të Cosa Notra-s, vrasjet që bëra dhe arrestimi”

Maurizio Avola ne 1990
Maurizio Avola ne 1990
Nga Lorenzo Tondo/Palermo
Maurizio Avola u bashkua me mafien siçiliane në vitin 1983, pas kryerjes së vrasjes së parë. Në 11 vitet që pasuan, ai vrau edhe 79 persona të tjerë përpara se të arrestohej dhe të kthehej kundër ish-bashkëpunëtorëve të tij në vitin 1994.
Avola vendosi të thyente kodin e heshtjes së mafias kur ish-bashkëpunëtorët e tij planifikuan ta vrisnin dhe ai zbuloi se ishte policia ajo që po e mbante gjallë atë. Ai aktualisht po vuan një dënim të përjetshëm për 43 vrasje dhe 40 grabitje me armë në një burg të veçantë për informuesit e policisë në veri të Italisë, por do të lirohet brenda 5 vjetësh për shkak të zgjerimit të bashkëpunimit të tij me autoritetet. Bashkëshortja, djali dhe vajza e tij kanë marrë identitete të tjera dhe Avola shpreson t’u bashkohet atyre për të filluar një jetë larg nga jeta e vrasjeve, vjedhjeve dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij që do ta vrisnin atë dhe familjen e tij pot a gjenin. Avokati i Avola-s, Ugo Colonna, thotë se bashkëpunimi i tij e ka ndihmuar policinë të kapë më shumë se 100 persona.
Në intervistën e tij të parë me median ndërkombëtare, Avola, 54 vjeç, i thotë revistës TIME nëpërmjet mesazheve të dërguara nga avokati i tij se çfarë e shtyu atë të bëhej një vrasës dhe më vonë të spiunonte kundër mafies.
Si u përfshitë tek mafia?
Që në moshë të re, punoja tek restoranti i babait tim në Katania. E dija që në fillim që ajo lloj pune nuk ishte për mua. Çdo natë mendoja për paratë dhe pushtetin, ndërsa pastroja gotat. Doja të bëhesha dikush, por jo nëpërmjet studimeve. Bëra disa vjedhje me armë në moshën 21-vjeçare dhe tërhoqa vëmendjen e Marcello D’Agata-s, një mafiozi që jetonte 100 metra larg shtëpisë sime. Ai e dinte se isha i mirë me armën, që isha i shkathët e i shpejtë. Kështu që më tha se mund të më ndihmonte. Dhe pak javë më vonë, më tha se kishte nevojë që të bëja diçka për të. Fillova të bëja vjedhje për mafian. Një ditë D’Agata më tha se duhet të isha i lumtur që “Familja” e Benedetto Santapaola në Katania kishte vendosur që isha i vlefshëm për të bërë një hap më të madh. Nëse do të vrisja një person, do të bëhesha anëtarë i organizatës. Objektivi ishte Andrea Finoçhiaro, një avokat, që kishte folur keq për bosin Benedetto Santapaola. Finoçhiaro thoshte se bosi ynë ishte shumë pranë disa politikanëve dhe ne donim të jepnim një paralajmërim për ata që fusnin hundët tek mafia. Nëse mafia kryente një vrasje e bënte gjithnjë për të dërguar një mesazh përtej rrethit të viktimës. Ishte ora 10 e mëngjesit. Ne mbërritëm tek vendi i takimit në një bar në qendër të Katanias. Unë porosita një kafe dhe lëng frutash. Vrasja duhet të ndodhte pranë shtëpisë së tij dhe nuk duhet të kishte dëshmitarë. Fatkeqësisht, Finoçhiaro doli nga dera e shtëpisë me disa fëmijë, ndoshta të vetët. Ai po i çonte ata në shkollë. Vendosa mos t’i qëlloj. Mbrëmjen tjetër, unë dhe shoferi im pritëm jashtë firmës ku Finoçhiaro punonte. Ai u fut në Fiatin e tij të bardhë, unë i dola para dhe e urdhërova që të dilte nga makina. E qëllova dy herë. Ngaqë isha i tensionuar e qëllova anash trupit dhe në krah. Ai ra në gjunjë dhe m’u lut mos ta vrisja. Hezitova. Arma ime e dytë më ra nga xhepi i pantallonave në tokë. Në një fraksion sekondash mbylla sytë dhe qëllova përsëri drejt tij tre herë. Qëndrova dhe e pashë për një moment. Më pas hipa në motoçikletë, pothuajse i shokuar. Më dukej vetja sikur isha i dehur. Atë natë shkuam në një bar për të festuar. Shtiresha si i qeshur. Më pas shkova në tualet dhe volla. Një mik i mafias më tha se ndërgjegjja e vrasësit ishte një përbindësh i errët të cilin duhet të mësohesha ta mbaja nën kontroll.
Si ishte jeta juaj si një anëtar i mafies?
Pas vrasjes unë u bëra anëtar në vitin 1983. Kumbari im ishte Aldo Ercolano, nipi i Benedetto Santapaola. Rituali i mafies vazhdoi në një fermë në fshat. Gjatë ceremonisë më shpuan gishtin me një gjilpërë në prani të kumbarit tim. Pikat e gjakut tim u dogjën mbi foton e një shenjtori, ndërsa unë bëja betimin. Unë u trondita nga rregullat e Familjes. Nuk duhet ta prezantoja kurrë veten si anëtar i mafies tek një tjetër bashkëpunëtor, nuk duhet kurrë të dëshiroja gruan e një bashkëpunëtori tjetër, nuk duhet të vrisja kurrë një anëtar tjetër pa marrë autorizimin nga kreu i Familjes, kurrë nuk duhet të ngatërrohesha me prostituta apo të flisja me policinë. Shumë shpejt mësova rregulla të tjera. Nuk duhet të kishim të afërm në polici apo të kishim kontakt me ta. Drejtësia duhet të vinte nga vetë mafia. Duhet të mbanim gjithnjë gojët e mbyllura. Nuk duhet të diskutonim kurrë detajet e një vrasjeje me anëtarët e tjetër, por vetëm me shefin tonë. Ne duhet t’i shërbenim familjes sonë të mafies, gjithnjë, edhe nëse gruaja jote ishte gati duke lindur. Çështjet personale dhe emocionet duhet t’i mbanin jashtë punës. Isha një nga anëtarët më të rinj të mafias siçiliane, pavarësisht se vija nga një familje që nuk kishte lidhje fare me mafian. Isha një nga vrasësit e saj më besnikë dhe paguhesha shumë mirë. Zotëroja makina sportive dhe bleva dy shtëpi të mëdha. Mund të preknim makina të cilat nuk kishin dalë akoma në shitje në tregun italian. Nuk na duhej të prisnim me muaj për të blerë një shtëpi. Nëse na duhej kujdes shëndetësor, ne nuk prisnim në radhë. Avantazhi më i madh ishte respekti. Kurrë nuk paguaja në bare, klube, dyqane apo restorante nëse nuk doja. Ne mbroheshim nga Familja që paguante dëshmitarët dhe gazetarët që të mos flisnin apo shkruanin.
A kishte ndonjë aspekt negativ të qenit mafioz?
Sigurisht, veçanërisht gjatë luftës së mafias, më duhej t’i thoja lamtumirë fëmijëve të mi, pasi mund të ishte hera e fundit që i takoja. Madje as nuk e dija në do të kthehesha për drekë. Por frika se mos më vrisnin apo që të përfundoja në burg mposhtej nga ndjenja e besnikërisë kundrejt bosit tim. Kjo më jepte forcë të tejkaloja të gjitha tipet e frikërave. Isha një ushtar. Gjenerali më dërgonte për të vrarë njerëz. Këtë duhet të bëja, refuzimi nuk ishte përgjigje. Mafiozi ekzekuton urdhrat e dhëna nga lart, ashtu si ushtarët në luftë. Unë kam vrarë njerëz me të cilët kam ngrënë darkë dhe njerëz që kishin besim tek unë. Dhe ndërsa trupat e tyre laheshin në gjak, unë shijoja jetën. Do t’ju jap një shembull. Pinuçio di Leo. Ai ishte një nga miqtë e mi më të mirë. Ata më urdhëruan t’i jepja fund jetë së tij. Ai dinte shumë dhe kishte dyshime se kishte tradhëtuar Familjen. Isha i detyruar ta qëlloja atë. Akoma shoh makthe për të pothuajse çdo natë, po ashtu edhe për njerëzit e tjerë që kam vrarë. Ata më ndjekin natën.
Si u bëtë bashkëpunëtor i drejtësisë?
Unë u arrestova natën e 26 shkurtit 1993, një ditë pasi vrava Pinuçio di Leo-n. Policia ishte informuar nga një telefonues anonim që i kishte thënë atyre se unë isha vrasësi dhe i treguan vendin ku gjendesha. Kur policia erdhi e më arrestoi në shtëpinë time, u ndjeva i lehtësuar. Pak minuta më parë pashë një makinë të zbuluar jashtë shtëpisë sime. Ishte një “Peugeot 205” dhe brenda saj, pashë dy burra. Nuk i njoha ata, por kishin armë me vete. Në moment ndjeva se do të vuaja të njëjtin fund si Pinuçio Di Leo. Policia më shpëtoi jetën. Ja pse, një vit më vonë, në vitin 1994, unë vendosa të bëhem bashkëpunëtor i drejtësisë. Kuptova që bosi im më kishte tradhëtuar. Kjo ndodhi në kohën kur hierarkia e mafiozëve ishte gati të rinovohej. Në vitin 1992, mafia kishte kryer shumë vrasje përfshi dhe atë të Xhovani Falkones. Ekzistonte një presion i madh dhe të gjithë mafiozët filluan të flisnin. Kumbarët ishin të vendosur që të vrisnin këdo që dinte sekrete të familjes, siç isha dhe unë.
***
Avola mund të ndiqet natën nga njerëzit që ai vrau, por gjatë ditës ai luan letra me shokët e tij, shikon televizor dhe lexon revista makinash. Dita e lirimit të tij është afër, dhe ai parashikon një jetë normale me familjen e tij, ndryshe nga shumë të afërm të viktimave të tij. 

10 agjente femra më të mira të historisë

Ka një tendencë që profesioni i spiunazhit gjithmonë t’i atribuohet meshkujve, por historia e hedh poshtë këtë pikëpamje. Në fakt, për shekuj me radhë femrat e kanë bërë këtë profesion me të njëjtën trimëri e frymëzim ashtu si dhe homologët e tyre meshkuj. I vetmi dallim është tek metodologjitë e përdorura. Për ta provuar këtë ju paraqesim 10 spiunet femra më të mira të historisë:
10- Melita Norwood
Vendi i lindjes: Angli
Vendi me të cilin punoi: Bashkimi Sovjetik
Melita Norwood
Melita Norwood ishte një nëpunëse civile britanike me prirje komuniste, së cilës puna në strukturat e fshehta kërkimore bërthamore i dha qasjen asaj në dokumenta me rëndësi. Duke qenë se aftësitë e saj nuk i ranë në sy inteligjencës britanike, ajo tërhoqi vëmendjen e sovjetëve, të cilët e rekrutuan si spiune në vitin 1940.
Për 4 dekadat e ardhshme të Luftës së Ftohtë, Melita i kalonte vëllime sekretesh shtetërore sovjetikëve. Ajo u zbulua në vitin 1960.
9- Brita Tott
Vendi i lindjes: Danimarka
Vendi me të cilin punoi: Danimarka
9. Brita Tott
Në vitin 1442, vajzë e një fisniku danez, Brita Tott, u bë nuse në familjen mbretërore suedeze. Një dekadë më vonë, suedezët hynë në luftë me danezët, duke e pozicionuar Tott si një spiune perfekte për tokën e saj amë. Përvese bashkëpunëtore në një komplot për vrasjen e Mbretit të Suedisë Çarlin VIII, ajo shërbente dhe si korriere informacionesh ushtarake  tek danezët, duke tradhëtuar ushtrinë suedeze. Çarlsi VIII e zbuloi atë dhe e dënoi me djegie në turrën e druve. Por më pas e ndryshoi vendimin dhe e la atë të jetonte ditët e fundit të jetës së saj në Danimarkë.
8- Princeshë Stephanie Julianna von Hohenlohe
Vendi i lindjes : Austria
Vendi me të cilin punoi: Gjermania & Amerika
8. Princeshë Stephanie Julianna von Hohenlohe
Si një anëtare e bukur, e pasur dhe me shumë njohje në aristokracinë e vjetër gjermane në vitet ’30. Princeshë Stephanie u zhvendos në radhët elitare në Londër, ku u shoqërua dhe nganjëherë joshte ministrat e kabinetit apo persona të familjes mbretërore. Ajo e ktheu joshjen në armë për punët e spiunimit për Hitlerin dhe Gjermaninë. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, përfundoi dhe misioni e saj si spiune gjermane.
Nga frika për të qëndruar në Londër, ajo u zhvendos në SHBA me të dashurin e saj Fritz Wiedemann. Në Amerikë iu kërkua që të krijonte një profil dhe analizë të personalitetit të Adolf Hitlerit në vitin 1943.
 7- Elizabeth Bentley
Vendi i lindjes : Amerika
Vendi me të cilin punoi: Bashkimi Sovjetik, Amerika
7. Elizabeth Bentley
Bentley e nisi karrierën e saj të spiunazhit duke menduar se ajo po spiunonte për Partinë Komuniste të SHBA-së, por në të vërtetë po punonte për policinë sekrete sovjetike. Megjithatë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u bë një nga spiunet më të suksesshme sovjetike në SHBA, duke kaluar informacione ushtarake sekrete për nazistët.
Por pas vdekjes të së shoqit, një ditë ajo thjesht dezertoi duke i dhënë FBI-së emrat e 150 spiunëve sovjetikë, përfshi dhe dhjetëra punonjës të qeverisë amerikane.
6. Lona Cohen
Vendi i lindjes: Amerika
Vendi me të cilin punoi: Bashkimi Sovjetik
6. Lona Cohen
Anëtarja e Partisë Komuniste, Lona Cohen, në fillim shërbeu si korrier për Theodore Hall, një fizikan i Manhattan Project, që i tregonte sekretet atomike sovjetikëve. Pas luftës, ajo dhe bashkëshorti i saj shkuan në Londër dhe informonin sovjetikët për sekretet detare britanike.
Britanikët e zbuluan dhe e dënuan atë për spiunazh, por kreu 8 vjet nga dënimi i saj 20 vjeçar me burg. Ajo u dërgua më pas në Bashkim Sovjetik, ku dhe u nderua me Medalje Nderi.

5. Violette Szabo
Vendi i lindjes: Francë
Vendi me të cilin punoi: Angli, Francë
Violette Szabo
Trimëria, bukuria dhe tragjikisht jeta e shkurtër e Violette Szabo-s kanë kontribuar në legjendën e saj (madje janë krijuar dhe video lojëra). Si një agjente sekrete për Operacionet Sekrete në Angli, misionet e saj në Francën e pushtuar varionin nga mbledhja e informacioneve deri tek sabotimi.
Por ajo u kap nga trupat gjermane gjatë një beteje intensive me armë dhe u ekzekutua në vitin 1945, vetëm 23 vjeçe.

4. Virginia Hall
Vendi i lindjes: Amerikë
Vendi me të cilin punoi: Amerikë, Angli, Francë
4. Virginia Hall
Si agjente e Operacioneve Speciale Britanike, Virginia Hall kreu misione të panumërta në mbështetje të Rezistencës Franceze duke fituar një reputacion të mirë. Në vitin 1944, ajo shkoi në këmbë në Spanjë dhe u bashkua me Shërbimet Strategjike të Amerikës përpara se të kthehej në Francë për të trajnuar forcat e Rezistencës, dhe krijoi shtëpi të sigurta për grumbullimin e të dhënave të paçmueshme për ushtrinë gjermane.
Ajo që është më impresionuese, është fakti që Hall nuk e kishte njërën këmbë që nga vitit 1930 dhe ecte mbi një protezë druri.

3- Krystyna Skarbek
Vendi i lindjes: Poloni
Vendi me të cilin punoi: Angli
3- Krystyna Skarbek
Shkathtësia e pazakontë e Krystyna Skarbek gjatë 6 viteve të saj si agjente për Operacionet Speciale Britanike e bëri atë një nga spiunet më të suksesshme të Luftës së Dytë Botërore, duke kryer misione në Poloni, Hungari, Francë e Egjipt. Ajo fitoi famë të madhe, kur shpëtoi jetën e dy agjentëve të tjerë që do të ekzekutoheshin nga Gestapo.
Pas luftës, Skarbek u braktis si nga vend i saj i lindjes edhe nga vendi ku punoi. Ajo u vra në vitin 1952 nga i dashuri i saj.

2- Nancy Wake
Vendi i lindjes: Zelanda e Re
Vendi me të cilin punoi: Zelandë e Re, Angli, Amerikë, Francë, Australi
2- Nancy Wake
Nancy Wake punonte si gazetare në Francë kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore. Ajo doli vullnetare për të qenë korriere informacionesh për Rezistencën Franceze dhe themelua një rrjet aq të madh spiunësh sa që Gestapo ofroi miliona për kokën e saj. Aftësitë e saj në spiunazh krahasoheshin më shkathtësinë e saj fizike.
Ajo është akuzuar se ka vrarë një ushtar gjerman me duart e saj. Pas luftës, u nderua me çmime civile në 5 vende. Ajo ishte femra më e dekoruar spiune.
1- Mata Hari
Vendi i lindjes: Hollandë
Vendi me të cilin punoi: Francë, Gjermani
1- Mata Hari
Kur bëhet fjalë për në krye të listës, padyshim qëndron Mata Hari. E lindur në një familje të pasur hollandeze, Margaretha Geertruida Zelle arriti në Paris si një e divorcuar. Ajo atje mori emrin Mata Hari. Veprimet e saj popullore shëtitën qytetet e tjera europiane dhe filloi të kishte lidhje me persona të fuqishëm në qeveri dhe ushtri. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, francezët dyshonin se ajo spiunonte për gjermanët, edhe pse ajo një gjë të tillë e bënte edhe për francezët.
Pavarësisht mbrojtjes së saj, ajo punoi si agjente e dyfishtë dhe ishte besnike ndaj Francës. E arrestuan në vitin 1917 dhe e ekzekutuan 8 muaj më vonë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...