Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/12/31

FANTASTIKA SI ARRATISJE NGA ANTIVLERAT TE TREBESHINA

Belfjore Qose
Periudhat e rëndësishme historike lënë gjurmët e tyre jo vetëm në historinë e një kombi apo shteti, por mbi të gjitha në prodhimin e tij shpirtëror.

Historia mund të dokumentojë, interpretojë apo analizojë ngjarjet apo periudhat historike, por asgjë nuk e zëvendëson dot rëndësinë që ka letërsia në ndërtimin e kujtesës shpirtërore, që sjell katarsimin dhe vetëdijësimin e shoqërisë së brendshmi. Asnjë mesazh nuk vjen dot tek njeriu si diçka e mësuar dhe jo e përjetuar, pasi përjetimi i thellë është i vetmi që bën te mundur shërimin e individit dhe shoqërisë. Ashtu sikurse po të shohim të shkuarën jo të largët të Evropës, shkencat e ndryshme shoqërore, nuk mund ta jepnin kurrsesi me atë forcë dhe përjetim mesazhin kundër luftës, ashtu siç e dhanë shkrimtarët e brezit të humbur, Hemniguej, Remarku dhe të tjerë. Pasojat shpirtërore dhe morale të luftës u bënë qendra e veprave të tyre, pasojat shpirtërore të luftës; nga këto njerëzimi kuptoi se e keqja më e madhe që vinte prej luftës qëndronte jo tek të vdekurit, aq sesa tek të gjallët. Vërtetësia e thellë e shprehur nëpërmjet personazheve në letërsi, ka vlerën e veçantë të përjetimit, lexuesi jeton me pesonazhet, dashurohet me to, vuan me to; dhe kësisoj ai përjeton tmerrin e luftës, si të keqen më të madhe që njeriu i bën vetes. Letërsia moderne nuk e vë fokusin te epizmi i luftës, por tek kotësia e saj, tmerri i panevojshëm i saj kthehet në absurdin e ekzistencës.
Ashtu sikurse letërsia botërore njeh dokumentuesit e saj shpirtërorë edhe letërsia shqipe ka të vetët. Vepra e Trebeshinës dëshmon së brendshmi tmerrin e luftës, prej një pjesëmarrësi dhe protagonisti të saj, siç është vetë autori. Sublimimi i këtyre përjetimeve në art, në romanet apo tregimet e Trebeshinës, e bën edhe më të fortë përjetimin mbi luftën, duke e kthyer kësisoj në diçka që na takon të gjithëve, duke tejkaluar përmasën e kujtimeve personale të autorit. Do ndalemi në estetikën me të cilën ndërtohet problematika dhe jepet mesazhi kundër luftës, duke treguar dëshirën e personazheve për t’u arratisur në botën e fantastikes, në kushtet kur realiteti (tashmë letrar-artistik) bëhet i tmerrshëm dhe i padurueshëm. Tregimet e Trebeshinës kanë zakonisht një ndërtim tipik të rrëfimit, ku personazhi apo rrëfimtari i pafuqishëm për të ndryshuar realitetin, në pikën kulmore të tregimit përfshihet në botën e fantastikes. Si bëhet ky kalim nga pikëpamja e procedimeve letrare dhe çfare mesazhi jep për lexuesin?

Kaosi i vlerave të një shoqërie që vjen nga periudha tradicionale e organizimit shtetëror dhe njëherësh shoqëror, drejt shoqërisë urbane moderne me organizimin e ri shoqëror dhe atë shtetëror (të pas sistemit otoman), në Shqipëri ndodhi në kushte krejt jo të favorshme, pikërisht gjatë luftës, shtresat filluan të lëviznin dhe njëherësh po instalohej dhe sistemi i ri komunist. Në tregimet e Trebeshinës, shohim po ashtu se ndryshimet shoqërore, nënkuptojnë dhe një sistem të ri vlerash, i cili në proceset e ndryshimit është krejt kaotik; shohim tragjizmin e një shoqërie të pavetëdijshme për ngjarjet e mëdha shpirtërore që i ndodhin etnisë, gjë që u bë shkaku kryesor i vendosjes së komunizmit si sistemi i ardhshëm politik dhe shoqëror. Njeriu i Trebeshinës është i vendosur midis këtyre dilemave, zakonisht personazhet e tij duke qenë dëshmitarë të luftës, kuptojnë dallimin mes propagandës së udhëheqësve në rritje dhe veprimeve të tyre reale; duke pëson zhgënjimin. Ky kaos i papërballueshëm i vlerave, bëhet shkak që personazhet njëherësh dhe rrëfimtarë të kalojnë në botën e imagjinatës dhe fantastikes, si mjeti i vetëm i shpëtimit. Në fantazi njeriu mund të jetë i vërtetë dhe t’i përmbahet parimeve të tij etike dhe shpirtërore.

Studiuesi Anton Berisha është një nga të parët që ka analizuar dhe kuptuar sesi vepron procesi i ndërgjegjësimit në krijimtarinë e Trebeshinës. Për novelën “Mekami”, ai pohon se “Brerja e ndërgjegjes për veprimin e bërë, për aktin barbar të rrënimit të Mekamit të Shenjtë, e trondit vepruesin në atë shkallë sa e vetëdijëson dhe e detyron t’i kthehet e të mirret më thellësisht me vetveten dhe me identifikimin e qenies së vet. Me fjalë të tjera, Mekami i Shenjtë i rrënuar, e vë atë përballë gjithë asaj që e ngërthen në shpirt ose përballë natës shqiptarë, e cila ia zgjon e ia nxit zërin e brendshëm – zërin më dramatik të ndërgjegjes së tij.”
Theksi i studiuesit nuk është ndërtimi i subjektit të veprës si aksion, por si ndërgjegjësim mbi qenien njerëzore në një periudhë të shkatërrimit te vlerave, për të krijuar një model të ri në një mënyrë krejt artificiale dhe larg etnicitetit tonë. Në rastin e novelës “Mekami” rrëfimtari në mënyrë simbolike, e trajton këtë prishjen e Mekamit si shkatërrimin e së vjetrës, trashëgimisë dhe mbi të gjitha të shpirtërores. Kriza e thellë e shoqërisë dhe e vlerave, është shqetësimi i vazhdueshëm i tërë krijimtarisë së Trebeshinës. Shkrimtari si ndërgjegje e gjallë e kombit, përputhet me konceptin romantik për shkrimtarin, që letërsia gjermane e quan dichter, shkrimtari në rolin e udhëheqësit shpirtëror të popullit të tij. Natyrisht frika që Trebeshina kishte në lidhje me të ardhmen shpirtërore dhe sistemin e vlerave në vendin tonë, dëshmoi se ishte me vend.
Fantastikja në tregimin “Kohë pa fund” bota fantastike është një mënyrë për t’i shpëtuar realitetit që e ka tronditur deri në thelb besimin te njeriu. Personazhi, njëherësh dhe rrëfimtar bëhet dëshmitar i një pushkatimi të urdhëruar nga instanca të Partisë, ku ndër të pushkatuarit, gjendet dhe një i mitur. Gjendjen mizore e rëndon shumë më tepër e ëma e fëmijës, e cila edhe pse e vetëdijshme për dënimin që e pret të birin, e nis atë me fjalët “Mos u tremb, bir, se po shkon në kuvend me burra!” Rrefimtari largohet i shqetësuar deri në trazim fizik dhe në pamundësi për t’u orientuar qartazi në hapësirë dhe kohë dhe pikërisht gjatë kësaj kohë ai futet në një pyll, ku hyn në kontakt me fantastiken. Kriza e përsonazhit është motivuar nga një ngjarje e vërtetë, pra nuk kemi të bëjmë me fantastiken e krijuar për kënaqësi leximi argëtues, siç ndodh së shumti në një sërë autorësh. Nëse rrëfimtari nuk është njëherësh edhe personazh, është pothuaj krejt e pamundur që fantastikja të mund të konceptohet dhe ndërtohet në tregim. Siç vëren Todorovi në “Fantastikja”, ky hezitim mund edhe të përjetohet prej personazhit, kështu që roli i lexuesit është që të bësojë rrëfimin e personazhit.
Pas tronditjes së thellë personazhi largohet për të gjetur qetësinë e nevojshme që i duhet për të reflektuar mbi gjithçka ndodhi dhe e cila është kaq tronditëse sa nuk i duket se mund të ketë ndodhur. Për të kaluar në botën fantastike, në të cilën personazhi rrëfimtar mendon se mund të gjejë qetësinë, kemi pasazhe tranzitore në tekst të cilat bëjnë të mundur ambiguitetin dhe hezitimin që duhet për të ndërtuar fantastiken. “Në atë kohë e flaka automatikun, duket ngaqë po më bezdiste dhe vrapova nëpër pyll sa më hanin këmbët!… Nuk e di sa kohë kishte kaluar dhe po mundohesha të kujtoja ku kisha qenë, ç’kisha bërë… Nuk mund të kujtoja gjë! Atje ishin… Po!… Krushq pa nuse dhe pastaj e gjithë bota ishte shurdhuar, kurse ata kishin ikur diku!… Aty duhej kaluar ai lumë i vogël dhe atje përtej, në errësirën e degëve të rrepeve mund të gjeja se në ç’anë do të lindte përsëri dielli!…”
Koha dhe vendi fillojnë dhe turbullohen për shkak të tronditjes së thellë të psikës së tij, fantastikja bëhet mënyrë shpëtimi, domosdoshmëri për të mbijetuar humanen brenda njeriut në një botë ku ajo vjen duke humbur fizilogjinë e saj. Tjetërsimi i koncepteve të zakonshme të realitetit tonë, si koha dhe vendi, bëjnë të mundur që të kalohet në fantastiken, si një realitet i ri, ku perceptimi ynë është krejtësisht i ndryshuar. Kërkimi i fantastikes, si domosdoshmëri për të reflektuar mbi realitetin dhe tronditjen e sistemit të vlerave që ka ndodhur në të, bëhet mënyrë katarsimi, pastrimi shpirtëror. Mund ta vemë re më së miri në metaforën “aty mund të gjeja në ç’anë do të lindte përsëri dielli”, si një mënyrë për të thënë se drita nuk do ishte më e njëjta, bota dhe natyrisht njeriu, vlerat dhe humanizmi i tij, do të ndryshonin katërcipisht. Në botën fantastike, rrëfimtari i brendshëm do të përjetojë disa takime me “pleqtë e pyllit”, të cilët tregojnë histori të largëta, të kohës së Ali Pashë Tepelenës apo të Skëndërbeut. Largësia kohore e bën botën të vështrohet në një pamje universale. Rrëfimet e futura brenda rrëfimit, të treguara në një mënyrë pothuaj magjike nga pleqtë e pyllit, dalin përkundër pritshmërive të personazhit, fillojnë e bëhen të përngjashme me ngjarjen që e ka bërë atë të kërkojë arratinë në fantastike. Rrëfimet tregojnë ngjarje të ngjashme nga e shkuara, kur këto qenie që tashmë i takojnë një bote tjetër, ishin pjesë e botës sonë. Në këto ngjarje, rrëfehet po ashtu, për një të mitur, i cili vritet prej një Silahdari të Pashait, për shkakun absurd se e pa duke u rrëzuar nga kali. Pasi kjo histori rrëfehet, gjendja psikike e personazhit përkeqësohet, por duke u shtyrë drejt katarsisit shpirtëror.

Çfarë është duke përjetuar personazhi në këtë tregim, gjatë tre situatave, njëra e jetuar dhe dy të tjerat të dëgjuara, por jo më pak të përjetuara; është një krizë etike vlerash, e cila bëhet burim tronditjeje çka nënkupton mospranim të padiskutueshëm të këtij moraliteti të ri, ku dhuna dhe kundërnjerëzorja zenë vend. Atë çka në teoritë e etikës dhe moralitetit mund ta gjejmë të shprehur nëpërmjet pohimeve abstrakte, personazhi këtu e ndjen në një mënyrë brendësore, kaq e pakonceptueshëm si i drejtë dhe human i duket ky rend i ri vlerash.
Çfarë e bën personazhin të ndjejë dhe kuptojë se ky rend i ri nuk është i duhuri dhe të mos i duket i moralshëm? Është keqardhja, mëshira për djalin e pushkatuar, një episod ky i së tashmes, përforcuar edhe nga rrëfimet që vijnë në botën fantastike, për të treguar se ai nuk ka hyrë në fantastikë, për të shpëtuar, për të krijuar një realitet të bukur, por për të reflektuar dhe kuptuar, pse jo dhe për t’u spastruar nga e keqja. Zimermani, autori i “Epistemologjisë së moralit”, shprehet se “Në veçanti, ndoshta duhet kjo keqardhje që njeriu të dijë detyrimet e tij morale dhe njëherësh që të vlerësojë përse duhet t’i zbatojë këto detyrime morale. Ose mundet që humanizmi ose ndjeshmëria për tjetrin është e nevojshme, në momentin që duam të lëvizim nga vlerësimi abstrakt i këtyre detyrimeve dhe shkaqeve, drejt një perspektive në të cilën ato mund të luajnë një rol aktiv në shqyrtimet dhe vendimet tona.”
Ndjeshmëria e lartë për tjetrin, nuk vjen si rezultat vetëm i urdhëresave të religjioneve të ndryshme, ajo është e nevojshme për ndërtimin e çdo shoqërie njerëzore. Kanti do ta mbronte me imperativin e dytë kategorik këtë qëndrim, duke pohuar se në shoqëri çdo veprim duhet parë në një plan universal, pra nëse ne nuk do bënim një veprim të caktuar, do duhet të njeherësh të përfytyrojmë një shoqëri ku të gjithë individët veprojnë si ne. Nëse një botë plot me veprime të tilla do na pëlqente, atëherë sipas këtij imperativi, do veprimi do ishte i moralshëm. Personazhi i Trebeshinës natyrisht që nuk mendon sipas ‘arsyes së kulluar’ kantiane, por ai ndjen se nuk do të jetojë, siç e thotë edhe në tekst “në një vend ku djemtë i çojnë në kuvend me burrat”, duke e bërë atë të kërkojë shpëtim në botën e fantastikës. Refuzimi i një realiteti të tillë, nënkupton se për personazhin, i cili është njëherësh dhe optikë e vetë autorit, se edhe në totalitet, pra në konceptin univeral një botë e tillë është e pamoralshme.
Duke vijuar me tregime të tjera të Trebeshinës, elementi fantastik bëhet një mundësi reflektimi për çështjet e besimit, duke u ndalur në marrëdhëniet komplekse midis të shenjtës dhe profanes, në kushtet e një shoqërie ateiste, si ajo e sistemit komunist. Nëse do ndaleshim në tregimin “Koka e Artemidës”, në të fantastikja realizohet nëpërmjet një rrëfimi që na vjen prej një qenieje fantastike të përfshirë brenda rrëfimit kryesor. Siç shohim, kemi po të njëjtin model me tregimin e parë, për sa i takon rrëfimit dhe procedimit estetik letrar, por që ndryshon nga mënyra sesi paraqitet kriza e vlerave. Personazhi, ndryshe nga modeli tjetër i tregimeve të Trebeshinës, përfaqësuar nga tregimi që shqyrtuam më sipër, nuk është i vetëdijshëm për shprishjen shpirtërore që po ndodh dhe vetëm gjatë rrëfimit të personazhit fantastik, ai kupton ferrin në të cilin po shkon shoqëria. Tregimi zhvillohet në dy linja rrëfimi, njëri është rrëfimi mbi botën e njëmendtë dhe tjetri është rrëfimi i Murgut të Zi, i cili vjen nga e kaluara. Kriza e vlerave vihet në dukje përmes prishjes simbolike të kokës së një skulpture, e cila vjen që nga periudha antike. Prishja e saj bëhet simbol i profanes që sundon mbi të shenjtën, i të shëmtuarës që del mbi të bukurën dhe i mosrespektimit të vdekjes si gjëja më e shenjtë; në momentin kur realizohet paralelizmi mes kësaj skulpture dhe një vajze, e cila është pjesë e rrëfimit në realitetin e së tashmes dhe të njëmendësisë. Në kapitullin e tretë të rrëfimit, tregohet për prishjen e varrit të një vajze, e cila për shkak të bukurisë quhej edhe ajo, si skulptura “Koka e Artemidës”. Përdhosja e varrit të saj është një akt që reflekton krizën e vlerave në një shoqëri, ku konceptet mbi të shenjtën apo qoftë edhe të bukurën, janë duke u zhdukur. “Dhe duhej patjetër që ajo njerëzi të gjendej ballë për ballë me shëmtimin më të tmerrshëm që jeta dhe vdekja na shtyjnë ta fshehim sa më mirë?!… Përse të mos e ruanin kujtimin e asaj bukurie që ishte zhdukur pa lënë asnjë shenjë?!…”, thuhet në tregim.
Ngjashmëria e kokës së skulpturës me vajzën e vdekur dhe njëherësh shprishja e varrit të së parës dhe e skulpturës të së dytës, reflektojnë mizorinë në të cilin ka përfunduar kjo shoqëri. Rimarrja e mitit të Pigmalionit nëpërmjet figurës së Murgut të Zi, i cili njëmijë e gjashtëqind vjet më parë ka bërë një skulpturë aq të bukur sa më pas ka rënë në dashuri me të, e bën edhe më të prekshme dhe konkrete figurën e femrës, duke e përshkallëzuar të keqen dhe të shëmtuarën. Zakonisht në letërsinë fantastike, bota irreale bëhet burim absurdi dhe përthyerje e koncepteve morale dhe religjioze, duke qenë se në të kemi të bëjmë me një realitet krejt të ri dhe të padëmshëm, njëherësh edhe formë sublimimi e pjesës së errët të njeriut, e cila nuk mund të vihet në jetë për shumë arsye. Fantastikja mund të mbushet me imagjinatën më devijante, dhunën që nuk e shkarkojmë dot në jetën tonë; pra konceptet etike nuk kanë kuptim brenda saj, përkundrazi prirja është për të rrëfyer krejt çfarë ndalohet.
Zhorzh Bataj shkruan, “Ata artistë që mbajnë të gjallë ankthin dhe shërimin prej tij brenda nesh, janë trashëgimtarët e religjionit., ndërsa R. Jackson ndërsa studjon funksionet e fantastikes pohon se “Fantastikja tradhëton moskënaqësinë e asaj që është, por që frustrimi prej përpjekjeve të realizimit të një ideali, e shndërron në variantin negativ të mitit fetar. Fantastikja është sovrane vetëm sa i takon dëshirës për objektin, jo për posedimin e tij. Pa një kozmologji të parajsës dhe ferrit, mendja përballet me teprinë: kozmosi bëhet një hapësirë plot kërcënime, kuptimi i së cilës rritet dhe brendësohet, si zona e mos-kuptimit.”
Ndërsa në këtë tregim të Trebeshinës, ashtu sikundërse edhe në të tjera tregime të tij, duke qenë se realiteti është krejt i përmbysur në vlerat e tij, është bota fantastike ajo që katarson personazhin, duke sjellë një rend të qëndrueshëm dhe human të vlerave dhe shpirtërores. Në rastin e Trebeshinës, kemi të bëjmë me të njëjtin absurd që e shohim aq shkoqur te “Odin Mondvalsen”, ku realiteti është i çmendur dhe vetë çmendina dhe personazhet duke qenë të lirë brenda justifikimit të marrëzisë, mund të jenë e shendetshëm mendërisht. Është historia e botës së përmbysur shqiptare, të vlerave të përmbysura dhe njeriut që e ka humbur vetëdijen për të dalluar të mirën nga e keqja. Në rastin e tregimit, duhet ndërfutja e fantastikes, për të ndërgjegjësuar personazhin dhe nëpërmjet tij lexuesin, për çfarë po ndodh. Përdhosja e heshtjes së vdekjes, shëmtimi i zbulimit të trupit gjysmë të dekompozuar, pa lënë natyrën të bëjë punën e saj; janë disa nga kulmet e veprës së Trebeshinës, si përpjekje për të pasqyruar si po transformohej në përbinshmëri bota shpirtërore shqiptare. Në tregim thuhet: “Çfarë vlere do t’i mbetej jetës, kur edhe vdekjen nuk donin ta respektonin në heshtjen e saj?”
Rrëfimi është ndërtuar nëpërmjet linjës kryesore, ku ngjarjet zhvillohen në bashkëkohësi dhe nga rrëfimi brenda rrëfimit të parë, ku ngjarjet zhvillohen në periudhën e fundit të antikitetit. Të dyja kohët i bashkon të qenit në kapërcyell të një sistemi vlerash dhe ardhja e një sistemi të ri, bazuar kryesisht në ndërrimin e religjionit. Në rrëfimin mbi antikitetin, periudha e ardhjes së krishtërimit, pas epokës pagane, shënon dhe luftën mbi besimin pararendës, që solli dhe shkatërrimin e shumë prej veprave të artit dhe të trashëgimisë që do i takonte sot tërë njerëzimit, pikërisht në këtë rrëfim të tregimit të Trebeshinës, tregohet sesi u shkatërrua shtatorja e Artemidës si simbol idhujtarie, që kërcënonte besimin e ri monoteist. Në realitetin bashkëkohës, po kështu kemi të bëjmë me një periudhë tranzicioni të vlerave drejt një sistemi të ri, është fjala për komunizmin, i cili ndërtoi ideologjinë ateiste dhe natyrisht filloi një fushatë e egër për të shkatërruar objektet e kultit dhe tërë trashëgiminë materiale të kulturës dhe besimit që ato përfaqësonin. Një fakt i tillë, pothuaj në tërë tregimet e Trebeshinës, paraqitet si apokaliptik; mjafton të kujtojmë novelën “Mekami”.
Të dy këto rrëfime, veç krizës së vlerave, bashkohen edhe nëpërmjet simbolit të kokës së Artemidës, si nëntekst i së bukurës dhe sublimes. “Isha i bindur se ai që nuk donte mermerin, nuk donte as njeriun.”, shprehet në rrëfimin e tij fantastik prej së shkuarës së largët personazhi i Murgut të Zi. I vetmi dallim është se nëse në rrëfimin e njëmendtë personazhi as nuk ka ndjeshmërinë për të vënë re krizën dhe shprishjen, në atë fantastik, por që njëherësh është shprehës i së vërtetës, thuhet: “Por mos vallë Zoti i ri u kishte kërkuar besimtarëve të rinj që të vrisnin dhe të digjnin ata që nuk besonin në atë që kishte folur ai?!… Po në ç’vend kishte folur për vrasje dhe prerje?!… Pse duhet që çdo besim i ri të mbysë në gjak çdo besim të vjetër?!…”
Shtresëzimi i pashmangshëm i besimeve dhe kulturave, ka dëshmuar se lufta ndaj së vjetrës nuk ka rezultuar kurrë e suksesshme, gjithnjë besimet kanë mbivendosur elemente pararendëse, të rifunksionalizuara në besimin e ri. Ndaj në këtë tregim mëshohet tek absurditeti i konfliktit, tek lufta e panevojshme dhe e kotë, në një botë ku kalimet mund të jenë të natyrshme. E shkuara duhej të ishte bërë mësim për të tashmen, por përkundrazi, ajo çfarë shohim në rrëfimin mbi bashkëkohësinë, është edhe më tragjike; identifikuar në mënyrë simbolike prej asaj që koka e Artemidës nuk prishet në antikitet, por në bashkëkohësi. Aq më e tmerrshme është bota shpirtërore që po përvijohet, për shkak se nuk kemi të bëjmë me një besim të vjetër, që zëvendësohet me një të ri, por me një ideologji që tenton të marrë terrenin e interpretimit të gjithçkaje, qoftë edhe të së mbinatyrshmes. Kur autorët e “Dialektikës së ndriçimit” analizojnë mendimin niçean në lidhje më moralitetin, shprehen se “Ndërsa arsyeja, për shkak të formalizmit të saj, është e paaftë për të dhënë çfarëdo modeli të nevojshëm, por ka avantazhin e të qenit aktuale, krahasimisht me ideologjinë e rreme.”.
Bota e mbështetur në një moral ideologjik dhe jo të bazuar mbi religjionet, rezultoi të ishte një manipulim i mirëfilltë i masave; për të zëvendësuar ndjenjat e njeriut për të mbinatyrshmen me figurën e një “besimi” të ri, atij për diktatorin. Tregimi në fjalë, përfundon me aludime, vetë autori nuk ka dashur ta japë të drejtpërdrejtë lidhjen mes dy kohëve, si një paralajmërim për shprishjen shpirtërore të njeriut shqiptar në të ardhmen. “E di!… Ti nuk mund ta gjesh kokën e bërë copa, por askush nuk mund të të ndalë që t’ia tregosh botës historinë e një truporeje të mermertë!… As feja e re dhe as mjeshtrat e rinj të terrorit!… Do t’i durosh mundimet dhe burgjet e tyre, gjersa të tregosh një histori të gjatë sa shekujt dhe të rëndë sa humbja në jetën e njeriut.”. Ky rrëfim e lehtëson hijen, që nuk ka gjetur prehje që prej kohërave të largëta dhe njëherësh jep një kumt për të ardhmen.
Në tregimin “Shtriganët” Zoti shfaqet vetëm atëherë kur kemi kriza shoqërore, morale, vlerash. I rrëfyer nëpërmjet një loje komplekse narracioni, në të dallojmë tri referentë kohorë në tekst: a. Rrëfimi në bashkëkohësi, ku rrëfimtarit të nivelit të parë, i duhet të merret me një gjyq të padrejtë, i përfshirë siç është në rrethet burokratike dhe sociale. b. Rrëfimi brenda të parit, që i takon referencës kohore të shek. XVI dhe konkretisht djegies së heretikëve. c. Pa u rrëfyer si ngjarje, por nëpërmjet evokimit të tërthortë shfaqet koha biblike, si një urtësi që vjen prej shekujve. Elementi fantastik krijohet përmes dyzimit të realiteteve dhe situatës së paqartë në të cilën befasisht gjendet personazhi ndërsa po përsijat mbi vendimin e padrejtë që duhet të nxjerrë gjyqi i tij. Në këtë bërthamë narrative, elementi fantastik i ndërfutur kalon në kohën e Inkuizicionit, ku njerëz të pafajshëm dënohen pikërisht për epërsinë e tyre mbi të tjerët. Natyrisht që aludimi është i qartë, pasi e njëjta gjë po ndodh në realitetin që po përjeton personazhi. Në qendër të tregimit është pushteti që gjeneron vetveten dhe fillon të bëhet i dhunshëm dhe i padrejtë. Siç thuhet në tregim “Kështu edhe populli, në dëshirën e tij për përjetësinë, e gjen pushtetin e kërkuar në shpërthimet e histerisë ciklike, çdoherë që i jepet rasti nga ata që përfitojnë prej popullit. Se histeria është në natyrën e çdo njeriu!… I fuqishmi e shfaq vazhdimisht me krime për të ruajtur pushtetin që ka mbërthyer, kurse i varfri kujtohet herë pas here për pushtet, përmes histerisë kolektive.”
Kriteret etike dhe morale në një shoqëri ku pushteti shtetëror është absolutist, nuk arsyetohen apo argumentohen; gjithçka vendos sistemi është etike në raport me një shoqëri të tillë, për vetë faktin se është sistemi ai që gjeneron moralin dhe gjithashtu ideologjinë, si vegël të tijën. Humanizmi i tjetërsuar në kushtet e një shoqërie totalitare, është frika e madhe që Trebeshina sheh për të ardhmen.



Dëshirën për pushtet Trebeshina e sheh në një plan universal, ndaj përdoret shpesh leksema e “përjetësisë” dhe njëherësh bashkekzistenca e të njëjtit problem në referenca të ndryshme kohore, e universalizon këtë prirje dhe pasojat pothuajse të njëjta në thelb. Çfarë reference moraliteti dhe etike mund të kishte një shoqëri, ku religjionet u ndaluan? Natyrisht, që kjo do të zëvendësohej me diçka tjetër dhe duket se burimi i etikës së re, ishte çfarëdo që mund të gjeneronte forca e pushtetit. Gjithçka është e lejueshme, thotë Dostojevski te “Vëllezërit Karamazov”, nëse nuk besojmë tek Zoti. Mirçja Eliade, në ”Miti i kthimit të përjetshëm” analizon sesi në shoqëri të ndryshme, në periudha krize, kur njerëzit e kanë lënë veten të zhyten në mëkate, ka gjithnjë njerëz që bëhen prirës, për të nxjerrë popullin e tyre nga kriza dhe për të riparë dritën e një shoqërie të mbështetur në arsye sërisht. Në shoqëritë primitive, këta njerëz quheshin profetë: “Kështu që ata jovetëm kërkonin një kuptim, por gjithashtu ata zbulonin koherencën e fshehtë, duke vërtetuar të ishte e njëjta shprehje e vullnetit hyjnor. Kështu, për të parën herë në histori, profetët vendosën konceptin e vlerës, duke pasur sukses në transcendencën e e vizioni tradicional të ciklikes (konceptin se çdo gjë do të përsëritet përgjithnjë), duke gjetur kështu një rrugë.”

Mbështetja e moralitetit si rrugë, në një rend të zbritur, pra nga një njohje transcedentale e të zgjedhurve, është tipike për shoqëritë primitive. Forca mistike e këtyre individëve, ishte kaq e fortë, sa krijonte një rend të caktuar. Po në kushtet e një shoqërie si ajo e Shqipërisë totalitare, ku e mbinatyrshmja mohoet në çdo përmasë të mundshme të saj, kujt i mbetet të ketë rolin e udhëheqësit shpirtëror? Këtë rol në shoqëritë moderne e luajnë shkrimtarët, ata janë udhëheqësit shpirtëror të shoqërisë, janë ndërgjegja e gjallë e saj. Robert Elsie, në artikullin “Kasëm Trebeshina, botuar në gazetën “Albania”, ia jep këtë rol shkrimtarit disident.
Përgjegjësia e lartë që ndjen Trebeshina për të ardhmen e shoqërisë dhe etnitetit tonë, ka kulminacionin e saj në “Promemorien” dërguar E. Hoxhës, më 1953. Në të, frika për trashëgiminë antimorale dhe për përmbysjen e sistemit të vlerave, është shumë më e madhe sesa shqetësimi personal apo ai për të tashmen. Pjesë nga promemorja: “Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor. […]Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda rradhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë. Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak. Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj këtë “Promemorie” të shkruar në mënyrë të ngutshme.”
Katarsisi shpirtëror i shqiptarëve ende nuk është kryer i plotë, prandaj dëshmia e një shkrimtari si Trebeshina është gjithnjë me vlerë. Shpesh në tregimet e tij, por edhe ne prozën e gjatë, autori kalon në botën e trillimit, duke u lidhur me fantastikën më shumë se me realen, në kushtet e një realiteti zhgënjyes. Absurdi i botës shqiptare, e detyron njeriun e kohës të humbasë në një realitet tjetër, por çuditërisht, ndryshe nga ç’pritet, ky realitet pushon shumë shpejt së qeni një botë prehjeje dhe bëhet burim vuajtjeje dhe reflektimi, i nevojshëm për ta rikthyer njeriun në humanitetin e tij.

Dr. Belfjore Qose

TË MOS PËRPLASËSH ISMAIL KADARENË ME KASËM TREBESHINËN

Përveç politikës, ku ndeshja mes protagonistëve të saj është mënyra e mbijetimit të tyre, arti e mes tij sidomos letërsia, hapin fare pak vend për kacafytje mes shkrimtarëve. Kjo vetëpërmbajtje ka arsyet e veta, të cilat gjithsecili prej nesh i kupton, por bie në sy rezultati i kësaj lloj sjelljeje: në gjysmën e parë të njëqindvitit të shkuar, mbetet e shpeshkujtuar vetëm një grindje e gjatë, por po ashtu edhe komplimentim i ndërsjellë: ai mes dy gjigantëve Faik Konica dhe Fan Noli.

Në vijim, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, letërsia jonë u shënjua nga dy titanë: Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Këta, falë edhe disa rrethanave të sistemit politik ku krijuan më të shumtën e më të suksesshmen vepër të tyre, u fërkuan vetëm sa për të lëshuar disa shkëndija.

Kurrë, as pas viteve nëntëdhjetë, nuk u rrokën faqe syve të botës.

Me fillimin e viteve dymijë ndodhi një “hop”. Me në mes jo pak grindje apo sherr, ngjau një përplasje e fortë mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses. Një tjetër qe akoma më e vrullshme: midis Kadaresë dhe Kasëm Trebeshinës.

Përplasje të tilla kacafytëse nuk përbëjnë asnjë defekt në veprën e gjithsecilit, as ua shtojnë dhe as ua pakësojnë librat, arritjet dhe dështimet. Gjithsesi këto ndeshje herë pas here çlirojnë edhe energji idesh të dobishme.

Ndërkohë vitet ikin dhe ata e vijojnë poteren e tyre, krijojnë grupe mbështetësish apo edhe të mërzitur nga kjo frymë e vazhduar zënke.

Ja pse, mbase, ndihesh më mirë kur këta shkrimtarë me shumë pasion grindës i gjen tek rrinë pranë njëri-tjetrit si miq të mirë.

Kjo ka ndodhur së fundmi në një libër të albanologut Edmond Çali, leksiondhënës prej dy dekadash pranë Universitetit Oriental të Napolit, kësaj strehëze historike të katedrës më të vjetër të gjuhës dhe të kulturës shqipe në Itali.

Në 522 faqe studimi mjaft të detajuar dhe në interpretim shumë modern, me shtat të plotë pedagogu dhe status kritiku letrar, Çali në librin “Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar” dhe nëntitull “Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi dhe Ismail Kadare”, bën analizën e gjithsecilit në mënyrën se si me artin e tyre ata i kanë bërë opozitë gjysmëshekullit të diktaturës së quajtur të proletariatit.

Nëpërmjet këtij botimi gjendesh me mendje më të argumentuar dhe shpirtërisht më i justifikuar, kur nuk je dakord me disa që regjimin e shkuar kanë dashur ta vizatojnë si pesëdhjetë vite të një populli gojë dhe mendjekyçur apo të një letërsie me vetëm hosana ndaj pushtetit politik të kohës.

Vërtet gjatë gjysmëshekullit të shkuar u krijua edhe çeta e shkrimtarëve dogmatikë stalinistë, por mëkatari regjim dhe i shumëfajshmi Enver Hoxha nuk shkuan kurrë aq larg sa në krye të nderimit, si edhe të vetë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të emëronin përfaqësues të kësaj shtrese mendjendryshkur. U vunë më të suksesshmit profesionalisht, të cilët, në thelb, për shkak të talentit të tyre, qenë (më shumë pa dashje) ndër varrmihësit e atij sistemi. Nuk ndodhte vetëm këtu kjo kundërshti e çuditshme.

Një bilanc i gjysmëshekullit komunist, ku dëmi kombëtar në disa fusha ishte kolosal, në atë të artit e sidomos të letërsisë, nuk është aspak kaq i sterrosur sa e dëshirojnë rrafshuesit e historisë, të cilët mllefin e kanë vetëm e vetëm sepse nuk ia dolën të qenë vetë mbushësit e saj.

Siç tashmë është krejt e qartë, shumica e artit dhe e letërsisë së krijuar gjatë moteve të realizmit socialist i mbijetoi edhe periudhës së provës pluraliste, madje ende rezulton se kryeveprat janë krijuar atëherë. Atë kohë, shteti ideologjik financonte shumë, jepte përvit me mijëra muaj leje krijuese dhe nuk të vriste nëse zgjidhje një temë historike në vend të asaj “të ditës” (Shteti i sotëm në politikën e tij të painkurajimit masiv të artit dhe të letërsisë është fund e krye një mjeran).

Me pak fjalë: kundër diktaturës luftuan me sa mundën edhe grupe të armatosura, rebeluan gjithashtu zona kryengritëse, vepruan bij të së djathtës e të së majtës liberale, u bë rezistencë jashtë dhe brenda burgjeve, u dëshmua qëndresë çelnikase deri edhe para skuadrave shtetërore të pushkatimit, veç jo nga mbrapa ferrës, por në vijë të parë ka qenë edhe letërsia.

Ajo luftoi me mënyrën e saj, çfarë do të thotë me armën më efikase që kishte dhe që nuk e ndaloje dot: talentin.

Në tre emrat e shkrimtarëve të studiuar në librin e albanologut Çali, gjatë diktaturës, talenti më i spikatur qe Ismail Kadare. Për ta mbrojtur atë dhe veprën e tij ai kreu edhe kompromise me diktatorin dhe me hallkat e tij kontrolluese, por bashkë me veten shpëtoi edhe kryevlerën e tij personale e njëkohësisht shoqërore: talentin e magjishëm letrar që sot gjen pëlqim në të gjithë botën.

Sepse ishte i tillë, ajo që krijoi ai, edhe kur, në këmbim të përfitonte copëra lirie që nuk i kishin të tjerët, Kadare dukej se qe përdorur për të qenë dakord me orientimet ideologjike të kohës dhe, letërsia e tij nuk u përputh dot me skemën e rregullave dogmatike të realizmit socialist.

E kreu kështu, me vetëm kaq, pra me letërsi të arrirë, antidiktaturën e tij.

Duhej më mirë në burg ai dhe historia jonë sot pa veprat e tij? Ky debat do të vazhdojë pa fund. Gjithsesi pikërisht në këtë shteg dileme gjenden përballë njëra-tjetrës dy modele mbijetimi profesional: Kadare dhe Trebeshina.

Në librin “Disidenca në letërsinë e realizmit socialist shqiptar”, nëpër dyqind e njëzetë faqet studimore për Kasëm Trebeshinën bindesh se në ndeshjen e tij politike me socrealizmin dhe sistemin politik që e zbatonte në Shqipëri, ky i fundit ka humbur mundësinë e komunikimit të veprës së tij letrare me lexuesin e kohës, për jo pak: sa një jetë njeriu, gjysmë shekulli. Ky është një krim i rëndë ndaj personit si edhe vetë letërsisë kombëtare. Diçka duket sikur u baraspeshua me çfarë iu publikua pas vitit 1990, por kjo qe më e pakta e gjithësisë së krijimtarisë së tij.

Kjo ligësi, ndalimi i kësaj vepre mjaft origjinale, nuk mund të inkurajojë idenë se më mirë do të ishte që edhe Kasëm Trebeshina ta manovronte një kompromis me regjimin. Ai zgjodhi rrugën e tij të vendosur dhe të ashpër, duke qenë sot përfaqësuesi më i drejtpërdrejt dhe më heroik i disidencës letrare të të gjithë gjysmëshekullit të shkuar.

Me të mund të shkaktosh përplasje nëpërkëmbëse, por do të ishim më të plotë e një trashëgimi letrare më e nderuar në rast se Ismail Kadare dhe Kasëm Trebeshina, si vlera unike kombëtare, të qëndrojnë përgjithmonë të bashkuar pranë njëri-tjetrit.

Janë jo dy kundërshtarë, por thjesht dy shembuj krijimtarie në rrethana totalitarizmi të rëndë.

Leka Ndoja, një studim mbi letërsinë shqipe jashtë vendit



Aktualisht po bëhen përpjekje që të gjitha këto baza dhe këta krahë të shkëputur në kohë dhe në hapësirë të letërsisë shqiptare, të komunikojnë dhe të integrojnë mes vetes për ta përcaktuar dhe krijuar saktësisht nocionin letërsi kombëtare në gjuhën shqipe.

Edhe pse e zhvilluar në kushte të një izolimi gjeografik e ideologjik, fati dhe perspektiva e letërsisë bashkëkohore shqiptare duhet vështruar në një kontekst dhe më të gjerë gjeografik, d.m.th dhe përtej kornizës ngushtësisht nacionale. Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, kjo letërsi pati dhe njohu zhvillime dhe në diasporë.

Sa i takon zhvillimeve të saj në diasporë, letërsia shqiptare mund të shikohet gjeografikisht brenda dy vatrave: Vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.
Vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.
Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku sot e kësaj dite jetojnë rreth 90.000 arbëreshë, që vazhdojnë të flasin shqipen.

Në përgjithësi mund të thuhet se një “rilindje” e letërsisë arbëreshe ndodhi diku rreth fundit të viteve `50, kur dhe nisi të botohej revista “Shejzat” nga Ernest Koliqi në Romë e më pas revistat “Zgjimi”, “Katundi ynë”, “Zjarri”, “Zëri i Arbëreshëvet”, “Lidhja”, “Bota shqiptare” etj. Këto revista ndikuan në krijimin dhe publikimin e një brezi poetësh e shkrimtarësh që shkruan në arbërisht. Veç të tjerash, një pjesë e tyre funksionoi dhe funksionon dhe si shtëpi botuese, duke publikuar kolana të tëra me poezi dhe vepra të tjera letrare.
Ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kësaj vatre duhen përmendur:
Françesk Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë.

Pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Argjentinë, Uruguai dhe Kili, ku dhe shugurohet prift, Solano kthehet në vendlindje. Aktiv në shumë fusha të letrave, ai është kryesisht poet, prozator dhe dramaturg. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: Burbuqe t`egra, 1946, Shkretëtira prej gurit, dramë, 1974, Tregimet e Lëmit, etj. Domenico Bellizzi (1931), prift nga Frasnita, i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, është një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim De Radës e Zef Serembes. Ai me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: Zgjimet e gjakut, Këngë arbëreshe, 1982, Hapma derën zonja mëmë, 1990 etj.
Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar trilogjinë poetike: Shpirti i arbërit rron; Shpirti i arbërit rron.

Arbëreshi tregon; Shpirti i arbërit rron. Vuan dega e hershme.
Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. I angazhuar edhe si drejtor i revistës “Bota shqiptare”, i shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik, ai është autor i rreth dhjetë librave poetikë, ndër të cilat vlen të përmenden: Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t`arbreshë. Poemë gjysmëserioze arbëreshe, Orëmira, Për tokën fisnike të Horës etj.
Padyshim që letërsia arbëreshe vazhdon jetën me të tjerë shkrimtarë, shumica syresh të rinj, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm jo vetëm në diversitetin kulturor shqiptar, por edhe atë italian.
Një tjetër vatër e rëndësishme historike, ku kanë lulëzuar shkrimet shqipe që në fundin e shekullit XIX dhe ku jeta kulturore e elementëve shqiptarë ka qenë e organizuar më së miri, është Rumania.

Një ndër personazhet më të rëndësishëm të letrave bashkëkohore shqiptare është Viktor Eftimiu (1889 -1972), autor i rreth njëqind vëllimeve letrare të shkruara në rumanisht. Mjaft prej veprave dramatike të tij janë ndërtuar mbi bazën e motiveve shqiptare e të fëmijërisë së tij në malet e vendlindjes.
Po aq e rëndësishme sa dhe Rumania në pikëpamje të jetës kulturore shqiptare mbetet edhe Bullgaria, ku janë njohur organizime të hershme të komunitetit shqiptar.

Një figurë që vlen të merret në konsideratë nga njerëzit e letrave shqipe, është Thoma Kaçori, i cili shkroi në shqip disa romane e libra me tregime.
Në vatrat e reja të zhvillimít të letërsisë bashkëkohore shqiptare hyjnë ato vende në të cilat emigruan për motive kryesisht politike një pjesë e shkrimtarëve të talentuar shqiptarë, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe duke ndjerë etjen për liri, realizuan në periudha të ndryshme të regjimit komunist eksodet e sforcuara.

Një nga shkrimtarët e diasporës me peshë më të madhe që jetoi e krijoi në Gjermani, është Martin Camaj (1925 – 1992). Vepra e tij hyn në fondin më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë më të madhe studimore e letrare Arshi Pipa (1920- 1997), një ndër punëtorët më të mëdhenj të letrave shqipe, intelektual i shquar, poet, përkthyes, studiues e polemist. Më 1944 ai dre`tori revistën “Kritika” dhe po këtë vit botoi librin e parë me poezi Lundërtarë. Në SHBA, ku emigroi në vitin 1958, punoi si profesor në disa universitete amerikane deri sa doli në pension. Si dëshmi e asaj që kishte përjetuar në kampet dhe burgjet komuniste ai botoi në Romë vëllimin me poezi Libri i burgut 1959, dhe më vonë dhe vepra të tjera.

Një ndihmesë të jashtëzakonshme Arshi Pipa do të japë dhe në studimet letrare, sociologjike e politike me vepra të dorës së parë, ku operon me metoda moderne studimi.
Si përfundim, mund të themi, se aktualisht po bëhen përpjekje që të gjitha këto baza dhe këta krahë të shkëputur në kohë dhe në hapësirë të letërsisë shqiptare, të komunikojnë dhe të integrojnë mes vetes për ta përcaktuar dhe krijuar saktësisht nocionin letërsi kombëtare në gjuhën shqipe.

Atdheu i mohuar i letrave shqipe, nga Jozef Radi dhe Rezart Palluqi

Leka Ndoja, vjen së fundi me një nga studimet më serioze dhe më objektive mbi letërsinë shqipe, atë të letërsisë shqipe të diasporës 1944-1990, me të cilën mbrojti edhe tezën e Doktoraturës.

Por, që në hyrje do të ndaleshim, mbasi mendojmë se titulli më i plotë i këtij studim kaq serioz do të ishte: “Arti shqiptar i diasporës”, mbasi aty jepen të plota vepra, personazhet, shtypi, jeta dhe veprimtaritë kulturore të diasporës, jo vetëm si letërsi por krejt si kulturë shqiptare, dhe bëhet edhe ai ballafaqimi i domosdoshëm midis letërsisë së ideologjizuar së epokës komunisto-hoxhiste dhe letërsisë se pa-ideologjizuar të diasporës shqiptare. Dhe ky ballafaqim përmes këtij studimi vjen në një mënyrë krejt të natyrshme, pa asnjë tendencë politike apo qëllime dashakeqase ndaj mjaft prej shkrimtarëve të njohur shqiptarë, gjë që i bën nder jo vetëm autorit Leka Ndoja, me kët studim voluminoz prej 406 faqesh, por edhe krejt atyre që do të merren në të ardhmen me problemet e mëdha të letrave shqipe.

Në studim theksi vihet kryesisht mbi përballjet e letërsisë së diasporës me dy qendrat letrare, Tiranën dhe Prishtinën, por edhe mbi ndikimin që pati letërsia perëndimore ndaj letërsisë së diasporës shqiptare, gjë që letërsia brenda-shqiptare (Tirana dhe Prishtina) nuk e njohën mirë ose më mirë mund të thuhet se e shmangën sa qe e mundur këtë ndikim. Mund të thuhet pa frikë, se letërsia e diasporës jo vetëm arriti të ruajë identitetin e gjuhës dhe mendësisë shqipe jashte realitetit shqiptar, por mundi të përthithë edhe pse me vështirësi gjithë elementët modernizues të letërsisë se pa-ideologjizuar perëndimore të shekullit të njëzetë.

Studimi pasurohet edhe me kronologjinë e detajuar të jetës dhe veprës së shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, studiuesve dhe albanologëve shqiptarë. Në këtë libër nuk përmenden vetëm emrat e shkrimtarëve botërisht të njohur, si Martin Camaj, Ernest Koliqi, Bilal Xhaferri, Arshi Pipa, at Zef Valentini, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Mustafa Merlika, Tahir Kolgjini, Jusuf Luzaj, Karl Gurakuqi, Nermin Vlora -Falaschi, etjer., por edhe shumë emra shkrimtarësh, piktorësh e studiuesish të tjerë, pak ose aspak të njohur për lexuesin shqiptar. Ky hulumtim skrupoloz dhe i gjithanshëm, e shndërron këtë libër në nji vepër ndër më seriozet, ose i jep atij, vlera universale për të tërë botën kulturore shqiptare, mbasi duhet të bindemi të gjithë se askush nuk mund të përjashtohet nga vlerat letrare, e askush nuk ngrihet më lart ose të ulet më poshtë jashtë koncepteve dhe rrjedhave letrare. Ka ardhë koha, (edhe pse me pak vonesë) ku secili autor shqiptar duhet të gjejë vendin e tij të merituar në Panteonin ende të shkapërderdhur të letrave dhe kulturës shqipe…

Studiuesi dhe kritiku Leka Ndoja, falë hulumtimeve shumëvjeçare e ka sjellë të gjallë frymën e kësaj periudhe, me krejt aktivitetet letrare të diasporës dhe vështirësitë e ndërkomunikimeve mes personazheve dhe veprave letrare, të detyruar tashmë të punonin dhe të krijoheshin jashtë trungut të Atdheut, kryesisht në ato të diasporës në Itali dhe Amerikë, e më vonë edhe asaj në Gjermani të ngritur prej Martin Camajt. Aty shihen qartë edhe raportet ekonomike, politike dhe organizative, por edhe problemet me të cilat u përballën shkrimtarët shqiptarë të diasporës (ezilit) në harkun e nji gjysëm shekulli diktaturë në vendin e tyre, ku themelimi dhe mbajtja gjallë e revistave letrare, si Shejzat, Koha e Jonë, Krahu i Shqiponjës, apo Vatra, të cilat mbetën monumente të kësaj mbijetese të vështirë letrare dhe kulturore. Aty ndjehen qartë sakrificat e bëra nga shkrimtarët, kritikët dhe dashamirët e letërsisë po edhe nga mecenatë si Rosolin Petrotta dhe Isa Ndreu, për t’i mbajtur gjallë këto revista, në kushtet e nji presioni të egër, sa më gjatë e sa më cilësisht të qe e mundur. Aty ballafaqohesh me pengesat që haste diaspora letrare për botimin e prurjeve letrare, raportet e ndërsjellta midis autorëve, fakti që Prishtina një kohë shërbeu edhe si “kryeqytet letrar” i saj, apo dilemat e gjetjes së ndonji pike konvergimi me letërsinë dhe kulturën shqipe të mbyllur në vetvete, përgjat 45 viteve të diktaturës hoxhiste. Aty referohen të gjithë aktivitetet letrare të bëra nga shkrimtarët e diasporës deri në vitin 1991, pa anashkaluar edhe artet e tjera, si piktura, (piktorët Ibrahim Kodra e Lin Dedja), studimet kritike e albanologjike (si At Zef Valentini e Namik Ressuli), teatri, ngjarjet historike deri edhe problemet e rrymat fetare të shekullit të kaluar, si fjala vjen ateizmi hoxhist, përballja dhe ndikimi i tij në letërsi apo artet në diasporë, si dhe reagimet e shkrimtarëve të diasporës ndaj ateizmit shqiptar? Përmenden edhe albanologët e njohur si Zef Valentini dhe Namik Resuli, për kontributet e tyre në studimin, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe.

Nuk nënvlerësohet as jeta private e autorëve, ndikimi i mjedisit social, raportet ndërintelektuale apo humbjet e personaliteteve… e deri tek oborri, lulet, sokakët, apo arsimimi i autorëve, dialektet, faktorët soc-politikë para ardhjes së diktaturës hoxhiste.
 
Studimi mbetet shumë i vlefshëm, jo vetëm për lexuesit apo kulturëdashësit shqiptarë, që dëshirojnë ta njohin këtë anë të pasme të letërsisë shqipe, asaj të syrgjynosur, por kryesisht për studentët, studiuesit, pedagogët dhe shkollat mbasi aty, shpjegohet shkencërisht dhe mënyrë sistematike se si ka funksionuar sistemi letrar kombëtar edhe në rrafshe më të gjera e më të ndërthurura me botën. Mjaft nga veprat e autorëve të njohur analizohen deri në detaje, duke u kaluar në sita të imëta stilistike, kritike, humaniste, gjuhësore, poetike dhe historike.

Autori flet mjaft edhe për sisteme e nënsisteme letrare. Sistemet letrare janë qendrat e mëdha të kulturës së një kombi, që kur futen nën kontrollin autoritar të diktaturave dhe mbështeten vetëm në ideologjitë politike, hasin vështirësi mbijetese, ndërkohë që nënsistemet e krijuara jashtë këtij kontrolli, siç ndodhi edhe me letërsinë e diasporës, arrijnë të shfaqen edhe si sisteme letrare… Kjo letërsi, dhe ky nënsistem edhe pse u mallkua apo u përbalt prej krejt mekanizmave propagandistikë hoxhiste, edhe pse në kushte tejet të vështira arriti t’i mbijetojnë falë përkushtimit dhe idealizmit të shumë prej kontribuesve letrarë dhe kulturorë të këtij nënsistemi letrar.
Sa i përket nënsistemeve letrare, sipas autorit, shpesh janë letërsitë e përjashtuara për dy arsye: e para nga natyra disidente e letërsisë, si në rastin e letërsisë së diasporës, e cila vuri gjithmonë në vend të parë Humanitetin, dhe interesat kombëtare shqiptare; dhe e dyta Letërsitë komerciale, të cilat arrijnë të dominojnë edhe sistemet letrare duke u mbështetur kryesisht në përfitimet personale të shtëpive të mëdha botuese.

Ky studim, sipas gjithë gjasave do ta plotësojë e do ta pasurojë tablonë e letërsisë shqipe të shekullit të shkuar. Aty theksohet se nuk duhet të ketë më shkrimtarë të përjashtuar, shkrimtarë të mallkuar e të mohuar mbi bazën e ideologjive politike, apo rivaliteteve letrare! Mbetet që ky studim serioz të përfshihet edhe në programet e letërsisë shkollore, e në veçanti në ato të mesme dhe universitare si model i korrektesës kritike, skrupulozitetit shkencor, por edhe i thellësisë dhe paanshmërisë, me qëllim që studentët e së nesërmes të krijojnë ide dhe tablo sa më të qarta dhe sa më të plota rreth letërsisë shqipe, para dhe pasdiktatoriale…

KRYEMINISTRI SI PERKTHYES

Kur e ndesha për herë të parë këtë lajm, mendova se do ishte një nga farsat e zakonshme shakatare, që rëndom publikohen në rrjetet sociale. Por jo! Qenkësh e vërtetë!
Përshtypja e parë ishte befasia. Kryeministri i vendit në rolin e përkthyesit letrar! Pak tallaze kalon Shqipëria, sa i dilka koha të merret me përkthimin e një libri, nga gjuha e huaj në të cilin është shkruar, në atë amtare?! Të përfshihej në publicitetin e arteve pamore, si piktor që është, do ishte e kuptueshme. Mos ndoshta kërkon të provojë talentin e tij, si përkthyes letrar, gjë që nuk është fort e lehtë, pasi përkthyes të tillë kemi pa hesap, por të aftë, pak?!
Edhe po të qëndronte kjo hamendje, autorja duhet të na bindë për vlerën letrare absolutisht të pakritikueshme të librit të saj, të cilin e ka marrë përsipër ta përkthejë kryeministri, dora vetë. Nuk kam lexuar gjë nga kjo shkrimtare, me përjashtim të kundrimit të fotove të publikuara nga ajo vetë, në faqen e saj në “Facebook”, që më shumë sesa një prozatore, të kujton një fotomodele. Në u ndërthurshin të dyja, talenti dhe bukuria, s’mbetet të themi gjë tjetër, veçse që Vorpsi është fatlume.
Por, ka një tjetër pakuptueshmëri në këtë çështje: autorja është shqiptare që jeton jashtë vendit dhe shkruan në gjuhë të huaj. Është zgjedhja e saj se në cilën gjuhë shkruan. Dhe nuk është e vetmja. Një tjetër shkrimtare shqiptare, B. Myftiu shkruan në frëngjisht, por i përshtat vetë librat në shqip. Vorpsi nuk di mirë shqip?! Po të jetë i vërtetë ky fakt, domosdoshmërisht ka nevojë për përkthyes. Por, pse pikërisht përkthyes i saj duhet të jetë kryeministri, ndërkohë që, një shkrimtare e suksesshme si ajo, jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk do ta kishte aspak të vështirë të zgjidhte një ndër përkthyesit më të njohur në vend?
Emrin e shkrimtares Ornela Vorpsi e kam dëgjuar për herë të parë para disa vitesh, nga një miku im, shkrimtar i mirënjohur shqiptar. Më tregoi, se si autorja, para se të pranohej nga botuesit e huaj, ishte refuzuar sistematikisht të botohej nga ata vendas. Kur fama e saj “mori dhenë”, botuesit tanë, që nuk lënë rast të trumbetojnë letërsinë e madhe, që del nga entet e tyre, e ftuan të botonte tek ata. E mllefosur, shkrimtarja refuzon me të drejtë. “Ju nuk pranuat të më botonit, refuzoj unë tashmë bashkëpunimin me ju”, duket sikur u përgjigjet me heshtjen e saj. Lëndesa e saj është kaq e madhe (e kuptoj personalisht fort mirë), sa për vite, ajo refuzon sistematikisht të botohet nga hienat botuese shqiptare. Pra, Ornela paska shkruar në shqip! Natyrisht, kush më mirë se ajo vetë do t’i përkthente librat e saj me merakun më të madh? Por ajo këmbëngul në mospranimin e saj. Duhet tjetërkush të paguajë për shkeljen e ëndrrave të saj në atdhe. “Dhe nuk ka asgjë më të tmerrshme, sesa ëndrrat e thyera”, thotë Kadareja.
Dhe këtë e merr përsipër, me gjest qytetari dhe kalorësiak, vetë kryeministri i vendit. Nuk ka vend për shumë romantizëm, në të vërtetë. Si shef i qeverisë, ai kërkon të përçojë një mesazh te bashkëkombësit e tij, kudo ku ndodhen: vënien në vend të vlerave, sendërtimin e ëndrrave! Me rolin e përkthyesit, që ai ka ndërmarrë, kërkon falje publikisht si institucion, për nëpërkëmbjen e deritanishme të talenteve dhe të të aftëve, nga qeveritë shqiptare. Logjikshëm, faljen e pason premtimi.
Por, a mjafton kjo? Sa “Ornela” mund të ketë, jo vetëm në letërsi? Sa prej tyre nuk u zbulohet dhe njihet talenti, siç pati fatin Vorpsi, veçse, jo në Shqipëri?
E keqja duhet të luftohet me rrënjë. Rrënjët helmuese janë vetë funksionimi i së ashtuquajturave shtëpi botuese, të njohura ligjërisht, si të tilla, ndër më të prapambeturat dhe korruptueset në rajon. Ato interesohen vetëm për fitimin e tyre, asgjë tjetër! Nuk di që ato të kenë zbuluar ndonjë talent! Aq më pak, të kenë lidhje me shtëpi botuese të huaja për të përkthyer autorë shqiptarë!
Së fundmi, Ministria e Kulturës ndërmori një aplikim, ku financonte, ndonëse modestisht, dhjetë autorë shqiptarë, të përzgjedhur ndër shumë të tjerë. Autorët janë përzgjedhur, duke mos ua ditur autorësinë, për të shmangur subjektivitetin. Iniciativë e mirë, por jo bindëse. Sikur ta marrim të padyshimtë aftësinë gjykuese të anëtarëve të jurisë, zor se të mbushet mendja, se shtëpitë botuese i kanë paraqitur krijimet e autorëve në këtë aplikim, pa ua ditur emrat apo duke i mbajtur sekret. Disa prej emrave të fituesve janë publikisht të njohur dhe fitues të bindshëm, duke gjykuar nga krijimet e tyre të mëparshme.
Por, edhe kjo gjetje e Ministrisë së Kulturës nuk e zgjidh me themel çështjen, sepse ato, themelet, janë hedhur krejt fajësisht. Duhet hartuar ligji apo rregullat, për funksionimin normal të tyre, siç i ka bota e qytetëruar, që do të thotë, shtëpitë botuese ekzistuese të çlicencohen. Në të kundërtën, ato do vazhdojnë të jenë mospërfillëse dhe arrogante, të mbrojtura padrejtësisht nga ligjet në fuqi.
M’u kujtuan tre nga korifenjtë e letërsisë shqipe, të papërkthyer në gjuhë të huaja: Migjeni, Poradeci dhe Rreshpja. I pari, me grushtin që kërkon të godasë malin. I dyti, me harresën ajsbergiane në gjallje të tij, dhe i treti, me pikëllimin greminor, ku të vetmin ngushëllim e gjente tek e ëma:
“Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!”

Me shpresën, që akti vlerësues politik i kryeministrit, i mishëruar në rolin e përkthyesit, të mos jetë i izoluar, jemi në pritje të gjykimit të këtij roli që ka marrë përsipër, si edhe të Vorpsit si shkrimtare. Paçin sukses!
Por, nëse në të ardhmen vazhdohet i njëjti trajtim (ç’trajtim) i shkrimtarëve shqiptarë, siç vazhdon të jetë, pikëllueshëm do na duhet të themi:
Ave, nëna ime Shqipëri.
Më thuaj, ku të besoj?!

Valbona Bozgo

LETERSIA E RRJETEVE SOCIALE

Nëse doni të lexoni një poezi, hyni në llogarinë tuaj të Facebook. Nuk është aspak një deklaratë ironike. Jo, të gjithë e përdorin këtë rrjet social për të postuar fotografi, lajme, për të biseduar virtualisht apo për të vrarë kohën me lojërat online që të bëjnë të fitosh varësi serioze…Ka nga ata që e kanë parë si mjet të frytshëm për të komunikuar kumtin e tyre letrar. Janë të rinj të talentuar që ndajnë me lexuesit e tyre virtualë krijimtarinë që ka lindur rishtas për disa, kryesisht në zhanrin e poezisë. Dhe u ka rezultuar e suksesshme. Pas publikimeve online- ku reagimet e lexuesve i kanë të menjëhershme dhe ndërpersonale- edhe kanë botuar në letër. Por nuk është thjesht një mjet për të kapur vëmendjen e shtëpive botuese të formatit tradicional. Ata nuk heqin dorë së publikuari, tashmë si një ushqim i përditshëm shpirtëror, për ta dhe ata që i ndjekin.

Klodian Kojashi, poeti i bërë i njohur nga profili i tij në Facebook e disa blogë letrarë së fundi ka botuar librin e tij të parë me poezi “Engjëj pa përvojë”. Të njëjtin fat patën edhe dy poete të reja, Elona Çuliqi me “Patitullni” dhe Ada Halilaj “Animalesue”, të cilat sapo kanë botuar edhe ato të parat libra me poezi.

Alban Bala, Pjaver Kroni,( i cili i ka shtuar performancës së tij virtuale edhe poezitë zanore) Shqiptar Oseku, Astrit Cani, Entela Tabaku, Sabina Veizaj…lista është e gjatë, ashtu si edhe dëshira e tyre për t’u shprehur përmes një mediumi të drejtpërdrejtë, pa pengesa e hierarki që edhe suksesin e ka të menjëhershëm. A rrezikon poezia kur kalon pa kritere të jashtme përzgjedhjeje? Secili është mbret në profilin e tij. Sigurisht që fenomeni nuk mund të jetë vetëm shqiptar. Nëse klikon në motorin e kërkimit “Google” të dalin sa e sa këshilla për krijuesit e tij dhe sugjerime mbi website-t dhe rrjetet sociale më të preferuara për letërsinë online. Megjithë kundërshtitë që mund të dalin prej zërave besnikë të letërsisë me peshë( në kuptimin literal) të botimit tradicional, duket se letra nuk na duhet më… për të shkruar.

Por, a ndjen trysni më të madhe një poet e shkrimtar i rrjeteve sociale nga lexuesit që kërkojnë të lexojnë gjithnjë e më shumë? A bëhet produktiviteti vrasës i krijimtarisë?

Vetë protagonistët e kësaj rryme të re- që ndodh për rastësi apo jo të shkruajnë pjesa më e madhe në gegnisht- zbulojnë faqet e librave të tyre virtualë dhe sesi e kanë ndërtuar tashmë një karrierë në letërsi…e jo vetëm atë online.

Elona Çuliqi: Rroftë spontaniteti!

Elona Çuliqi sapo ka botuar librin e saj të parë dhe për miqtë e vet në Facebook shkruan në gjuhën angleze se ky është i pari libër, por jo i fundit buk’ (ushqimi i saj që tashmë ka marrë formën letre) sepse kështu ka qenë për të, të shkruarit e poezisë, si një bukë që duhet ta konsumojë në mos përditë, shpesh. “Patitullni”- a e saj ka vetëm tri javë në treg dhe Elona është ende duke u ngopur me shijen e saj.

Ka nisur të shkruajë qysh nga harrimi- sepse nuk e mban mend ditën e saktë kur hodhi vargjet e para në fletore- atëherë ende nuk ishin shpikur këto platforma kaq të përhapura në përdorimin e ditëve të sotme- por që nga ajo ditë që nuk e kujton nuk është ndalur më.

“Më ngjan sikur të shkruarit më ka shoqëruar që në vogëli dhe këtë e konfirmoj edhe më shumë kur gjej vargje në cepa librash apo fletore të cilat i kam të ruajtura që nga koha e gjimnazit, apo më herët kur isha në 8-vjeçare”, thotë Elona, e cila rrëfen se dëshira apo ambicia e botimit të tyre nuk ka qenë qëllim. “Asnjëherë! Nëse poezia na bëhet instrument, atëherë duhet të pyesim veten “Çka po na ndodhë?”. Botimet online rastisën të ishin në të njëjtën kohë edhe me letrën. U botuan për herë të parë në vitin 2010, në revistën letrare “Aleph”.

Publikimi në rrjetet sociale i erdhi pa e menduar dy herë. “Ka ndodhë spontanisht! Pa e menduar gjatë! Ndoshta sepse kishte ardhur koha që të përballesha edhe me sy të tjerë përveçse miqve më të ngushtë”, rrëfen. Ndodhi pesë vite të shkuara, kur një status i përditësuar ishte ndryshe nga të zakonshmit, këtë herë përmbante disa vargje të radhitura që mbanin emrin e saj. “Et voilà…kaq ishte!”. Pas kësaj vërshuan lumenj komentesh habie por edhe përgëzime. “Shumë fjalë të bukura ishin asokohe. Janë akoma!”. Përsa i përket trysnisë që kalon një shkrimtar që publikon online, nëse ajo është me doza më të mëdha kur përshtypjet e lexuesit janë të menjëhershme, ajo përgjigjet se kjo varet edhe nga shkrimtari. “Ku e pozicionon ai veten, si prezantohet dhe çfarë raporti vendos të ketë me komentet mbi poezinë e tij”. Por as nuk të bën më prodhimtar ky lloj modeli publikimi, sipas Çuliqit. Për të, Facebook-u shërbeu si katapultë për botimin në letër. “Rrjetet sociale ndihmojnë që të krijojmë një shpërndarje gjeografike të gjerë të krijimtarisë. Dhe që të mos fokusohem vetëm te krijimtaria, të ndihmojnë që të takosh e të njohësh miq, poetë, e lexues shumë të mirë. E gjithë kjo është shumë bukur!”. Ndërsa për kalimin nga ekrani i sheshtë i kompjuterit te letra, për Elonën është poezia që vendos, jo poeti.

Kritere përzgjedhjeje për publikim ajo thotë se nuk ka. “Edhe pse u bënë vite që jam publikuese (me hope) të poezive të mia në rrjete sociale, nuk kam kriter tjetër përpos spontanitetit”.

Ajo vetë shkruan poezi, por mendon se si poezia ashtu edhe proza e gjejnë vetë lexuesin, edhe atë online…

Klodian Kojashi: Akoma s’kam nis me shkrue

Klodian Kojashi është një prej poetëve të rinj më në zë të momentit dhe kjo edhe për faktin se u bë i famshëm pa pasur botuar asnjëherë në letër. Së fundi ka botuar librin e tij me poezi “Engjëj pa përvojë”, megjithatë ai do të mbetet i dashur për lexuesit si poeti që lindi në rrjetet sociale.

“Unë akoma s’kam nise me shkrue. Kjo ndjesi më ban shoqni çdo ditë. Sa here që shkruj diçka më duket shkrimi i parë e kjo dëshira e madhe që kam për me fillu me shkrue s’më lëshon asnjëherë. Çdo poezi që shkruj them se asht e para, por pastaj e kuptoj që ne fakt s’asht e para, të paren kam me e shkrue herën tjetër”, përgjigjet ai pa i harruar asnjë çast notat poetike, edhe kur bëhet fjalë për një intervistë. “Me shkrue poezi asht bukur, sepse te përshkon era krijimit, e ndjen si fryn nëpër të gjitha shqisat, por me botue asht një aktivitet krejt tjetër që mua më duket se s’ka asnjë lidhje me krijimin. Me botu don me thane me u marre me çmime, preventiva, kontrata, kushte te favorshme e me pak të favorshme, me çmimin e letrës, madje edhe me peshën e letrës, sikur po i kërkojmë letrës me mbajtë diete. E pastaj të duhet të mendosh kopertinën, imazhet, titujt. E vjen shpërndarja, e librashitësit qe kur u thua se ke një libër me poezi, të shohin me dhembshuri, një poet me një libër poezish ndjehet jetim brenda librarive. E mundohen të gjejnë fjalët e duhura, pa të lëndue, për me të thane se asht diçka krejt kotë e se librat me poezi nuk i pëlqen askush. E pastaj, disa pranojnë me i mbajtë nja dy libra, si për hatër”…Ja kështu e sheh Klodiani të botuarit në letër, edhe pse vetë tani radhitet edhe një prej tyre. “Asht diçka e tmerrshme me botue libra, asht shume bukur kur të tjerët botojnë libra, se m‘pëlqen me lexue, por me bote vetë asht vuajtëse”. Por nuk është vetëm kjo arsyeja pse ai duket se ka të preferuarën e tij publikimin në rrjetet sociale. “Në libër s’mundesh me e ndryshue ma poezinë, ndërsa në rrjetet sociale, sa herë të teket ia ndryshon diçka. Shume autore thonë se asht diçka e keqe, me ndryshu shpesh poezitë, por unë them, punë e madhe, poezia asht e jemja e luaj me të sa here të du. Ne fakt, une pershkuajta me pak sarkazem botimin e nje libri, por admiroj të gjithë që merren me botime sepse asht një pune që duhet ba me plot përkushtim e përkujdesje në mënyrë që njerëzit te kenë mundësinë e librave sa me interesant e cilësor për nga ana e realizimit”. Përtej përshkrimit tragjik ai rrëfen se libri i tij ka kaluar pritshmëritë që mund të ketë një poet debutues në shitje. “Janë akoma ne qarkullim disa kopje, nga 300 kopje që janë shit në më pak se një muaj, vetëm në Shkodër e Tiranë”.Thotë se ëndrra e tij më e madhe ka qenë të bëhej poet, një ëndërr që iu realizua, ndoshta edhe falë kësaj gjetjeje teknologjike, ku koha nuk shkohet vetëm kot. “Në kohën kur nuk shkruaja poezi ose shkruaja shumë rralle, kisha andrrën me u ba poet e me botue shumë libra. Në kohen që e humba kët anderr, fillova me shkrue poezi ma shumë, e qe nga ajo dite s’jam ndalë ma”.Kjo e bëri të ndërrojë mendje edhe për përdorimin e rrjeteve sociale, si mjet zbavitjeve. “Më asht duk se postimi në internet përmbante atë thjeshtësinë e natyrën zbavitëse të shkrimit”. Duke qenë i pëlqyer mjaft në rrjetet sociale si poet e ka shumë ndjekës në profilin e tij, mendon se trysnia për një shkrimtar që publikon online është më i madh se ai që botohet në letër. “Në pak minuta ajo që ke shkrue mund të jete para syve të mijera vetëve. Për fat të keq flitet me njëfarë nënvlerësimi për publikimet online të krijimeve letrare. Shpesh dëgjoj shprehjen “poet Facebook-u”, qe edhe pse në disa raste asht ne buonafide, prapë mbart në vetvete njëfarë minoriteti, një pakësi, që s’di pse duhet të jetë tillë. A thu se poezia në rrjetet sociale ka diçka ma pak se ajo nëpër libra. Jo, nuk ka asgja ma pak, e nuk ekziston poeti i facebook-ut e poeti i librave. Sot një libër mund ta publikoje kushdo, dhe ne rrjetet sociale mund te postoje kushdo. Në fakt, Universitete te shquara ne botë po investojnë qe te zhvillohet sa ma shume publikimi i krijimeve ne rrjetet sociale, koha na shfaq fytyrën e vet e ne s’kena pse bajmë sikur s’e njohim”. A të bën më prodhimtar Facebook si poet? Klodiani nuk ndan këtë mendje.

“Në thelb kush shkruan asht vetëm. Mbase s’duket e bukur kjo që them, unë punoj në fushën e komunikimit ndaj jam gjithë kohën mes njerëzve dhe puna ime synon pikërisht afrimin, krijimin e urave për dialog edhe aty ku duket e pamujtun. E megjithatë, kur krijoj jam vetëm, a ndoshta kështu më pëlqen me u ndie në ato momente”.Libri mund të ishte përmbushje e një ëndrre të vjetër, por parë nga një anë më praktike, rrjetet sociale, ai e di, se e shpërndajnë një poezi mijëra herë më shumë se një libër e shumë më shpejt se letra. “Të jep ma shumë mundësi për me u përball me kritikën. Mund të imagjinosh vetëm këtë që një poezi në rrjetet sociale mund ta lexojnë nga çdo cep i botës, ndërsa librin, veç disa njerëz të interesuar, diku nëpër lagjet e qytetit. Kjo s’don me thanë se libri s’ka vlerë apo randsi, aroma e fletëve, mundësia me e prek me gishta poezinë, asht ndër emocionet ma të bukura. Thjesht nuk duhet ta bajmë ktë krahasim, shpesh më duket sikur librat na thojnë ju lutem, na lironi nga ky krahasim absurd, e unë iu them, ju s’krahasoheni me askënd.” Shpreson që libri i tij në letër “Engjëj pa përvojë” shpejt të marrë formën e një e-book. “Nuk di si realizohet, por do interesohem e do e baj ktë gja sa ma shpejt”.

Sa i përket kritereve të tij të publikimit, e para mbetet liria. “Du qe poezia jeme mos të gjykojë, mos të vendosi rregulla, due që të mos ketë qëllime dominuese, përcaktuese, moralizuese aq më pak”, përfundon Klodiani, që megjithëse partizan i platformave online, mendon se proza shijon më mirë në letër, sepse për të librat janë njerëz. Ndërsa poezia shijohet edhe përpara një ekrani kompjuteri apo edhe celulari.









Ada Halilaj: Ndaj atë që ndjej, jo atë që njoh

Edhe Ada Halilaj, poetja e re që ka zgjedhur Facebook-un si rrjet për të bërë publike krijimtarinë e saj poetike, sapo ka botuar librin e parë me poezi të titulluar “Animalesque”.

E ka nisur të shkruarit qysh herët, në moshën dhjetëvjeçare. “E mbaj mend shumë mirë. Duhet t’kem kenë rreth dhjete vjeçe kur bashke me prindit e mi po shifshim në televizor një reportazh mbi tragjedinë e Otrantos, viktimat dhe familjarët e tyne. Mbasi mbaroi, me dhimbjen e imazhit t ‘luleve që përkundeshin n’det, kam dalë në dhomën tjetër, kam marre laps e letër e kam shkru poezinë teme t’parë,t’cilën e kam rujt’ deri vonë n’sirtar”, thotë Ada, e cila e quan të shkruarit e poezisë së parë një nevojë e duke përshkallëzuar në revoltë e më pas alternativë. “Sikur me dashtë me i thane jetës “nuk kuptoj as ty e as vdekjen, por kam gjet kopshtin e ngushëllimit tem”’.Sot poezinë e ka një erë lirie. “si mënyra ma e mirë me kenë egërsisht, intimisht, bujarisht vetvetja”. Ishte ky fllad lirie që e bëri të frynte edhe në detërat e rrjeteve sociale, duke publikuar në Facebook apo Instagram, ku poezitë i shoqëron çdoherë me nga një fotografi, ashtu siç e kërkon edhe formati i këtij rrjet social. “ Erdhi krejt natyrshëm. Kur gjithkush ndan me miqt’ virtualë pjesë të jetës, mendimeve, shqetësimeve që kane, unë ndaj poezinë…ndaj atë që ndjej, jo atë që njoh”. Hapi tjetër i saj ishte të pranonte se poezia e saj solitare, ajo që nuk kërkon duartrokitje e fjalë të mira të përshtatej me publikun. “M ‘pëlqen poezia solitare, poezia që nuk përgjërohet, që nuk lyp duartrokitje apo përkëdhelje, poezia që nuk e shpëton boten prej nyejve qe ka n’fyt, poezia pa borxhe, pa pasqyra, poezia që s’ka asnji qellim përveçse me vdek shpejt te poeti e me u ngjall ndryshe ne çdo shpirt që e pranon”. Facebook-u për të është një ditar publik i së përditshmes. “Në përditshmërinë teme unë përtyp e përtypem me buke e poezi, prandaj dëshira ka ken’ e asht me e “fal” te të tjerët pa asnji lloj pretendimi. Ka lind si dhurate, pa e dënu me asnji çmim e asnji vlerë t’caktume…kush e don e merr, e ndjen, e run brenda vedit, apo e harron sa lexon lajmin e orës s’fundit”.Deri para do kohësh ajo as që e donte botimin, por sot ka n dorë librin e saj të parë. “Nuk më joshte aspak ideja e poezisë në vitrinat e librerive, në raftet me ose pa pluhun, në çantën e nji udhëtari t’lodhun nga rruga. i dashuroja librat,p or jo librat me emnin tem sipër.Mendoja se poet nuk te ban libri, as poezia që shkrun, por poezia që je. i mbahem fort këtij mendimi edhe sot. Ma vonë nisa të mos përjashtoj mundësinë e nji vendbanimi tjetër për krijimet e mia e pranova qe fleta e bardhë, e prekshme, për poezinë asht ajri, atdheu, shtëpia. Kjo nuk ia pengon shëtitjet e gjata”.Thotë se nuk mërzitet kur merr reagime se poezinë e saj megjithëse e ndjejnë të bukur nuk e kuptojnë. “Unë s’kërkoj të kuptohem. Du vetëm që mbrenda poezisë teme, lexuesi me kërku poezinë e vet”. Ajo mendon se ky model publikimi e lejon të jetë vetvetja. “Ky model publikimi, asht krejt i thjeshte, t’jep mundësinë me kenë vetvetja, në të mire e në të keq. Zgjedhja me qendru besnik lamshit tand profan apo pritshmërive te botës, asht tjetër diskutim. Por kur zgjedh, mundesh. Unë nuk kam shkru kurrë për të tjerët, nuk shkruj as për vedin. Unë thjesht shkruj. Mbetem alkimiste e përjetshme, e pandreqshme”, thotë Ada, e cila nuk është dakord me idenë se poezia e rrjeteve sociale të bën më prodhimtar. “Poeti nuk përgatit kashata të vogla për gojë te vogla e kashata gjigante për goje gjigante. Asht e trishtë me u ba shërbëtor i nji sistemi pritjesh. Sa ma shume pëlqehesh, aq ma shumë prodhon? Jo. Poezia ka kohen e vet. Poezia s’asht bamirësi”. Botimi në letër e gjeti të papritur edhe atë, megjithë këmbënguljet dhe urimet e lexuesve që një ditë të bëhej e mundur. “Dëshirën per botim perfundova duke ja uru edhe unë vedit. Jo si konformizëm, jo për hatër të dikujt, por si ndërgjegjësim i ardhun prej kurdisjes që ibaj kohve t’mia”.Edhe nëse nuk do të vinte ky botim, për të do të ishte i mjaftueshëm edhe botimi online. “Për mu do ishte mjaftueshëm edhe sirtari i dytë i komosë së shtratit…e do ta kisha vazhdu edhe sikur asnji shtëpi botuese mos të më kishte pranu, edhe sikur asnji postim poetik të mos ishte pëlqye dhe sikur mbarë bota të më kishte drejtu gishtin sikur kam dale prej rreshtave. Nuk besoj na nevojitet mjaftushmeria e as bollëku”. Poezitë që i ka botuar në libër, i publikon sërish në profilin e saj në Facebook, do e bëjë këtë edhe sikur të ketë botuar 20 libra të tjerë rrëfen, sepse ato poezi që i lindin prej mendjes dhe i shkruan çdo ditë, meritojnë të dalin në dritë. “ Kur vjen, poezia vjen e plotë, e bindun,vjen se i ka ardh’ koha me ardh’. Prandaj deri sot, çdo gja që kam shkrujt në bllokun e shkarravinave që sikurse edhe fletorja e Virginia Ëoolf-it,e dhe i jemi ngjan me makthin e nji të cmenduni, apo qofë edhe në kompjuter, nëpër kopertinat e mrapme të librave të universitetit, e kam përcjell direkt ne facebook. Përzgjedhjen e baj në momentin që vendos t’ia mbledh mishin e kockat bashkeë ne nji vend poezisë, jo kur ia prezantoj lexuesit”. Mendon që të bëjë një përmbledhje të të gjitha poezive që ka botuar për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të kenë formatin tradicional. Halilaj mendon se megjithë lehtësitë apo vështirësitë që mund të hasë poezia apo proza e botuar në këtë format, e rëndësishme është të lexohet sa më shumë. “E randsishme në të dyja rastet asht të lexojmë sa ma shumë e të jena nomade në letërsisë Mos të izolohna në kështjellat e klasikeve apo krenat e te papërsëritshmeve. Me lëviz na ban mirë!”.

Entela Tabaku: Qysh se kam nisur të shkruaj …

Entela Tabaku është një tejtër poete e re e talentuar e cila e ka gjetur lexuesin e saj në rrjetet sociale. i është rikthyer dashurisë së vjetër të vargjeve një vit e gjysmë më parë pasi e pat braktisur për një kohë. “Kam shkruar poezi që kur kam mësuar të shkruaj. Kur u transferova në Suedi pushova së shkruari dhe kjo vazhdoi për 16 vjet. Rinisa të shkruaj para një viti e gjysmë”, thotë ajo, ndërsa shton se shkrimi ka qenë qëllim në vete, jo botimi.

Para se të largohej nga Shqipëria pat tentuar të botohej në letër. Ajo e ka një libër të botuar qysh në vitin 1996 dhe prej atëherë kishte munguar gjatë, por kjo nuk e ka penguar të bëhet e dashur dhe e lexuar prej qindrave në rrjete sociale, më shumë ndoshta se mund të arriheshin përmes kopjeve nga libraritë. Ndërsa publikimi në internet ishte një evokim i kohërave të nostalgjisë prej miqve të saj,

“Kishte kohë që shoqet dhe shokët në facebook më pyesnin pse nuk shkruaja më dhe më bënin presion t’ia rinisja. Kështu, kur një mbrëmje të dhjetorit 2013 më erdhi të shkruaja një poezi, e vendosa menjëherë për t’ua bërë qejfin. Dhe kështu u bë zakon, shkruaja dhe mandej publikoja.

Unë pata fat, se kam shumë shokë dhe shoqe që lexojnë dhe shkruajnë vetë dhe ata u gëzuan kaq shumë që po shkruaja sërish, sa çdo poezi që shkruaja muajin e parë më dukej si festë”- thotë ajo kur e pyet për reagimet e para që mori kur nisi t’i ndajë me miqtë virtualë krijimet e saj të reja. Sa i përket trysnive të ndonjë lexuesi që mund të komentojë se pse nuk ka postuar ndonjë poezi të re, Entela thotë se nuk ndjen. “Unë nuk ndiej ndonjë trysni, të asnjë tipi, unë shkruaj për qejfin tim dhe nuk është se më duhet t’i tregoj kujt sa e zonja jam. Kur e publikoj një poezi mendoj gjithmonë se janë miqtë e mi të parë që do ta lexojnë. Por gëzohem shumë, sigurisht, kur lexuesve u pëlqen ajo që shkruaj”.

Kjo do të thotë se nuk ndjen as ndonjë yshtje për të qenë më prodhimtare sesa është.

“Për mua është e njëjta gjë si në periudhën time të para mërgimit, shkruaj çdo ditë.

Platforma online asaj i duket e mjaftueshme, duke ditur se tanimë botimet në letër kanë gjithnjë e më pak lexues. Në Facebook ajo ka të publikuar të gjithë krijimtarinë e saj prej një viti e gjysmë, si një ditar që ruan kujtimet poetike të çdo dite.

Sabina Veizaj: Rrjetet sociale janë seksi, dashuria është botimi në letër

Ajo e ka një libër të botuar prej një viti tashmë, titulluar “Myshku i muzgut” dhe e ka nisur karrierën si poete që kur ishte vetëm 8 vjeç. Ka botuar në disa revista e gazeta letrare, prej gazetës “Drita” e deri te “Poeteka” e madje është e përfshirë edhe antologjinë e poetëve të rinj shqiptarë botuar në Kroaci vitin e kaluar, por kënaqësia më e madhe është kur poston në Facebook më të renë dalë prej krijimtarisë së saj dhe e ndan me miqtë, si të ishte duke ndarë një dhuratë, që e vetme nuk do e gëzonte sa duhet. “Kam nisur të shkarravis që në shkollën fillore, diku aty tek 8 vjeç. Një mikesha ime më e rritur se unë kishte kohë që e stërviste këtë pasion. Mua më lindnin vargje, por të paorganizuara, ose të paktën kështu më ngjanin si një fëmijë që nuk kishte shumë besim në vete ose që donte që ato që bënte t’i bënte shumë mirë. Nisa të kopjoj mikeshën time dhe më vonë librat me poezi të bibliotekës së babait. Kam nisur me Dritëro Agollin dhe Pol Elyar”, thotë ajo duke theksuar se natyra vetmitare pak e tërhequr, shpesh e ka penguar të botojë. Megjithatë në 2009, kur u bë edhe anëtare e rrjetit social Facebook nisi të publikojë poezitë e saj.

“Unë aty kisha vetëm miqtë e mi që i njihja edhe në jetën reale. Duke qenë se jam shumë impulsive dhe e dua emocionin e menjëhershëm, doja t’i nxirrja nga vetja ato emocione të të shkruarit. “Ia përplasja” barrën atyre që e lexonin. Nga vargjet u shtuan dhe miqtë e tjerë virtualë që ndanin të njëjtin pasion me mua për letërsinë dhe në veçanti poezinë”, thotë ajo ndërsa nisi të mbledhë edhe reagimet e lexuesve, që shpesh rezultonin të ishin edhe kritika serioze. “ Përgëzime kam marrë. Më kanë kënaqur për momentin, por përherë i kam marrë me rezerva. Nuk mendoj se është vendi ku ka vërtetësi në përgjithësi. Por ka dhe aty mundësi njohjeje me profesionistë”.

Sabina thotë se poezia për fat të keq ka treg shumë të vogël. “Flas për librin në letër. Nuk ka etje për poezi. Madje lexohet poezi më pak se sa krijohet. Leximet në internet janë fast food. Poezia kërkon gjendje, atmosferë, ndijim, shijim, reflektim. Këto nuk t’i jep interneti kur ti lundron rrugës, në autobus, në market ose kur je duke u përplasur me ndonjë shtyllë. Poezia është tjetër gjë. Bën ti për shembull dot dashuri me nge në rrugë, në metro a ku di unë?!”.

Nuk ndjehet se publikimi online e ka grishur të shkruajë edhe më shumë. “Në qoftë se e ke qëllim në vetvete publikimin, nuk mendoj se krijimet burojnë natyrshëm, burojnë me një qëllim të vetëm dhe s’besoj se janë më të vërteta. Poezia është e vërteta e shpirtit tënd që ti guxon ta komunikosh me vargje”. Botimi i librit të saj me poezi ka ardhur jo si katapultim prej Facebook-ut. “Unë jam promovuar nga “POETEKA”. Unë jam gazetare në ‘Top Show’, në Top Channel. Duke qenë e pasionuar pas letërsisë dhe poezisë në veçanti, ngre një emision që titullohej “Facebook Poeteka” dhe kishte për qëllim të trajtonte pikërisht këtë temë që po trajtoni ju në këtë intervistë. Mes të ftuarve ishte edhe botuesi i “Poeteka”, Arian Leka dhe u çudit se në një kohë kur leximi ka rënë dhe poezia ka një lexues më të paktë e më të përzgjedhur, kujt i lindi ideja për një emision mbi poezinë. Iu shpjegova që një njeri që e dashuron poezinë, jeton me të dhe për të e si ajo, do që ta përcjellë atë. Më kërkoi t’i dërgoja disa poezi. i pëlqyen dhe i botoi në numrin e radhës.” Kështu nisi edhe karriera serioze e Veizajt si poete, por kjo pasi kishte ndarë çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Podujevë, me një konkurrente tjetër. Për të, botimi në letër mbetet i pakrahasueshëm dhe Facebook nuk do të ishte kurrë i kënaqshëm mjaftueshëm. “Botimi në rrjetet sociale është shfryrje, libri është tjetër gjë. Krahasimet çalojnë, por në këtë çast më erdhi të krahasoj si seksin me dashurinë”.

Suadela Balliu

LUFTA PER T’U DUKUR


Është një pikë, mu në mes të Prishtinës (i cekur këtu si qytet shqiptar e jo si ndonjë ndarje ndërmjet shqiptarëve) me pasqyra gjigante. Ka mbi katër dekada që ato janë aty, dhe ende është turpi dhe çmenduria më e madhe që të shikohesh në to. Askush që kalon i gjallë aty nuk guxon të kthej shikimin përballë tyre.

Ka dhe një thënie tjetër, po ashtu e lidhur me pasqyrën, besoj është e njëjta edhe në Shqipëri, e në mos ka ardhur prej atje, ajo thotë: mos u shiko në pasqyrë se çmendesh. Dhe kjo fjali bëhet një prej kufijve më të thellë të mundshëm në psikën tonë qysh nga fëmijëria.

Pasqyra dhe çmenduria janë gjithherë në marrëdhënie brenda psikës sonë. Gjithnjë sipas këshillës dhe frikës së mbjellë në fëmijëri, ato janë zgjatim i njëra tjetrës dhe shtresëzojnë, gjë që edhe na frikëson, fiziken tonë në pafundësi pamjesh, ngjyrash dhe ndjesish. Tërësisht e pavarur nga mendimi ynë për ne, pasqyra rikrijon pamjen tonë varësisht prej kontekstit të jashtëm dhe të brendshëm tonë, dhe mu kjo fasinon (literalisht) sensin tonë duke na bartur në pafundësi trajtash tonat.

Atëherë sa do të ishte “interesante” pyetja, “ç’i duhet fashioni një shoqërie të këtillë? Kur frika për t’u shikuar në pasqyrë është popullore dhe “mjekësi” psikike, sa absurde është të merresh me fashion?

(Ka edhe më keq: të shkruash poezi, ese, etj. Vetëm krahaso baletin ku mund të shohësh një trup të bukur apo një palë gjinj të dëshirueshëm, me shfrenimin e mendjes përmes vargjeve. Vetëm paramendo poezinë në pasigurinë e të nesërmes, për vete, për familje dhe tërë ata që i njeh.)

Ka një logjikë këtu, megjithatë. Ka një logjikë në luftën për t’u dukur. Kosovarët që për një dekadë ishin të zhdukur, apo qytetarët e Shqipërisë që për pesë dekada ishin inekzistentë, e dinë pse duhet luftuar për t’u dukur. Në të vërtetë lufta për t’u dukur kurrë nuk do të ekzistonte pa mundësinë e të qenit i zhdukur. Dhe pa përvojën e të qenit i zhdukur.

Në këtë ankth gjithëshqiptar të të qenit i zhdukur, mendoj, kemi bërë një hap gjigant, atë të “selfie”-të, “belfie”-të etj. Është njëlloj ankthi për t’u dukur dhe për të përkufizuar veten tonë. “fotografia nuk rren”. etj. Dhe pikërisht para pak muajve, asociacioni i psikologëve dhe psikiatërve të SHBA-së e ka shpallur “selfien” si çorodi mendore dhe doemos të trajtueshme. Pavarësisht nëse kjo është edhe një burim kapitali për mjekët, burim i seancave të shtrenjta dhe medikamenteve të “zbuluara” mu për këtë qëllim (shih së fundmi skandalin e zbulimit se mbi 90 % e kryesisë së asociacionit në fjalë janë anëtarë të bordeve më të mëdha amerikane të medikamenteve), “selfie” është këtu për të qëndruar.

Por, a do të thotë “zbulimi” i “selfie” njëlloj shpërthimi tej kufirit të sjelljes globale. Një raport i ri me veten tonë, dhe një narcisizëm i aprovuar në përmasa globale? Narcisizëm për narcisizëm. E tëra ka të bëjë me të qenit i njohur qoftë edhe për të keq, pati konkluduar Umberto Eco para disa kohe. Eco vazhdonte duke trajtuar këtë sjellje me veprimet që deri para pak viteve konsideroheshin të trupshme, që tani bëhen me qëllim. Aq më shumë që e turpshmja është njëlloj mase suksesi, njëlloj vlere e re. Përkujto sex videot private, të domosdoshme sot për çdo femër të dukshme. Janë norma e “arritjes” së saj. Në të vërtetë e turpshmja dje, sot është norma. Dhe Eco vazhdon duke konkluduar se sot ankthi për t’u bërë i njohur ka bërë që njeriu të thyejë çfarëdo kufiri të vendosur paraprakisht me të vetmin qëllim të të qenit i njohur. Një shembull tjetër shumë i saktë është në filmin fitues të çmimit Oscar, The Birdman, kur personazhi kryesor tenton të vetëvritet dhe arrin famë mu me dështimin e tij, jo edhe me dhembjen e tij apo përpjekjen për ta shprehur atë.

Tërë kjo luftë ndërmjet kufijve paraprakë me “lirinë” dhe “pavarësinë” e trupit sot (megjithëse çdo gjë prej Foucault e deri më sot na tregon të kundërtën) ka dezintegruar masat psikike të njohura, dhe është hapur një zonë e panjohur që ka filluar të sjellë edhe degjenerimet e reja siç është konkludimi i asociacionit amerikan të psikiatërve mbi “selfie”-në. Ka njëlloj shumëfishimi të dukjes së njeriut për veten e tij. Njëlloj shumëfishimi të vetëve (edhe vetë post-modernizmi në përcaktimin e tij nënvizohet si skizofreni, pikërisht nëse modernizmi ka qenë vetëm paranojë).

Në këtë, fashion, fashion system dhe dizajni janë bërë njëlloj strehe. Njëlloj të përthekuarit të këtij dezintegrimi në një artikulim, qoftë ai revoltë, depresion post-industrial, apo edhe “afrikano-amerikanizim” i trupit (skllavërim me vetëdëshirë, apo si revoltë, të trupit etj).

Në dokumentarin e njohur të televizionit BBC mbi marrëdhënien e psikanalizës dhe marketingut, apo siç quhej atëherë “propagandën” (shprehje që ishte tërhequr nga përdorimi mu për shkak se konotonte me propagandën fashiste, gjë që ishte e njëjta gjë në fund të fundit), krijohet lidhja e pamohueshme ndërmjet “prodhuesve” të dëshirës dhe zgjedhësve/konsumatorëve të “pavarur”. Në të vërtetë, pavarësia kishte marrë emrin “individualitet” gjë që përkonte dhe ishte marrë kallëp pikërisht nga përpjekjet humane të Carl Gustav Jung për të fuqizuar individin shpirtërisht. Njeriu pikërisht në këtë dezintegrim dhe individualizim, dhe sidomos në globalizëm, ka gjetur strehën e tij në fashion system dhe në prodhuesit e zgjedhjes dhe kallëpeve të “pavarësisë” për individin bashkëkohor.

Fashion, megjithëse e hulumtuar dhe e studiuar për dekada nga Roland Barthes, asnjëherë për atë, dhe deri para pak kohe, nuk kishte arritur të jetë asgjë më shumë se një gjuhë e zbuluar për veten e saj. Megjithëse ai ka dekonstruktuar të gjitha ideologjitë në veprim dhe luftërat ndërmjet tyre për të kapërthyer individin, fashion megjithatë, sipas Barthes, ishte një sistem që funksiononte dhe ushqehej vetëm nga vetvetja. Por sot, fashion dhe fashion system janë një zonë tërësisht e domosdoshme për orientimin tonë. Jo vetëm të domosdoshme, por janë edhe artikulimi i filozofisë, besimit dhe qëndrimit tonë.

Të qenit i dukur sot është më e komplikuar se vetë të shkruarit e këtij punimi, apo edhe të temës së diplomës. Të qenit i dukur sot është kompleks që nga mosha e ditëve të para të jetës kur duhet zgjedhur vetëm të kaltrën për djemtë dhe vetëm rozën për vajzat. Për ata të kamurit edhe vdekja është komplekse, sepse duhet zgjedhur materialin e “qefinit”, etj.

Të qenit i dukur sot është më i rëndësishëm se të qenit i artikuluar. Në të vërtetë tërë artikulimi yt përmblidhet në një të prerë të flokëve apo në një çantë shkolle. Pikërisht nga çanta e shkollës së fëmijës të gjithë bashkëmoshatarët e deri tek drejtori i shkollës e dinë: sa di ai/ajo fëmijë, sa mëson, ku jeton, çfarë vendbanimi ka, çfarë mobilie ka, me çka merren prindërit, dhe në fund çka dhe sa do të arrijë po i njëjti fëmijë.

Përndjekja që u bën fashion system grupeve të rrezikuara, atyre të pavarura dhe të revoltuara nga globalizimi dhe kapitalizmi, siç janë prej të çmendurve, tek të pastrehët, dhe tek grupet e surfist-ëve dhe të skater-ëve, është njëlloj strukture minimaliste e tërë sistemit të fashion system. Që prej se është bërë domosdo dhe ankth të dukesh, këto grupe me revoltën e tyre, paqëndrueshmërinë, dhe paparashikueshmërinë e tyre janë modeli më i kërkuar në sistemin e fashion. Këto grupe dhe pjesëtarë të caktuar të shoqërisë njerëzore janë të vetmit të “pavarur” nga çfarëdo sistemi perëndimor (megjithëse më nuk mund të thuhet për surfistët dhe skaterët, vetëm shikoni maicat e të rinjve në Tiranë dhe Prishtinë me mbishkrimet “rythm of the waves” etj).

E tëra i ngjanë filmave apokaliptikë me murtaja, alienë e gjithfarë paranojash skizoide. Tërë ajo sëmundje në disa dekada më parë është aq e kthjelltë vetëm në shembullin e kësaj përndjekjeje. Tërë Perëndimi është i zaptuar nga sistemi fashion, i orientuar nga kompanitë më të fuqishme brenda këtij sistemi (dhe ndonjë shkarje të imtë kohë pas kohe si “dëshmi” e të kundërtës), dhe të vetmit që duket të jenë imun ndaj tij janë pikërisht të çmendurit dhe të pastrehët (shumica e të cilëve kanë probleme aq të mëdha materiale që i bën gjithashtu të paparashikueshëm dhe të pakuptueshëm në realitetin tonë).

Sot, qoftë në Shqipëri dhe në Kosovë, është krejtësisht i mishëruar depresioni si qëndrim. Çka do të ndodhte po të shtjellohej si bukuri e hirta një dekadë më herët? Çka do të mendohej për personin që një dekadë më herët do të kishte artikuluar filozofinë e tij/saj mbi jetën me të hirtën, apo me oker industrial? Kjo është “bota e re”.

Çka kërkojmë sot në realitet kur shikohemi në pasqyre? Pastërtinë? Rregullin? Mencurinë? Seksualitetin? Forcën fizike? Apo moralin?

Çka do të mund të ishte aq e frikshme në të shikuarit tanë në pasqyrë para kësaj “bote të re” (tanimë është edhe nofka e njohur si “millenials” dhe përpjekja për ta vënë brenda një sistemi të sjelljes, të menduarit dhe të aspiruarit dhe zgjedhjes, gjeneratën e të vetëdijesuarve pas ardhjes së mileniumit të ri). Çka do të mund të kishim parë në të shikuarit tanë në pasqyrë në atë kohë?

Ta krijojmë një zhvendosje në këtë pyetje: çka shohim sot në pasqyrat e rrugëve (jo në ato të shtëpive tona)?

Ajo çka shohim sot në pasqyrat tona është një i panjohur. Është një hije e mundshme e jona. Është një projektim (krejtësisht arkitekturor) i dukjes sonë. “Mortaja” është aq gjithëpërfshirëse dhe aq rrënjësore në ne dhe përballë nesh sa që femra në të pesëdhjetat e tyre enden rrugëve tona me mbishkrime “I’m too sexy for my t-shirt”; kasapë të regjur dhe të moshuar derisa mbajnë në duart e tyre kokë të prera qengji kanatë veshur mica me mbishkrime “f… me I’m famous”; etj. Qoftë edhe ata me probleme mendore janë të veshur në forma dhe linja tërësisht fashion e sigurisht nuk janë të vetëdijshëm për këtë.

Nuk është absurd të merresh me fashion sot. Është absurd ta mohosh. Çdonjëri prej nesh, tani këtë moment, kemi zgjedhur vetë rrobat që i kemi veshur.

Apo ndoshta jo, kanë qenë zgjedhje e prodhuar larg prej nesh, atje ku nuk na lejohet të shkojmë pa viza, për të na bindur se jemi të pavarur, individë të pavarur.

Fashion sot është një prej luftërave më të ashpra në fushëbetejat globale. Siç po ndodh rritja e numrit të butiqeve italiane në Tiranë, për çdo ditë e më shumë po shtohen rrugët me butikë veshjesh lindore dhe religjioze në Prishtinë. Në Japoni të rinjtë kanë filluar të ndryshojnë (për aq sa munden) edhe ngjyrën e lëkurës e të buzëve për t’u dukur sa më afrikano-amerikanë. Fashion është njëlloj zgjatimi i luftës globale, ndër të tjera, dhe është luftë që duhet luftuar për t’u dukur. Tanimë është një absurd i domosdoshëm.

Ballsor Hoxha

PIKASO POSTMODERN I ROLAND GJOZES

Romani Pikaso prej ajri i autorit Roland Gjoza, në tërësinë e elementëve thadrues, në narrativë dhe figurimin estetik, në ligjërim dhe plazmimin e personazheve, vjen në shekullin e ri, si befasi shkrimore e prozëshkrimit në gjuhën shqipe. Në frymën e vetë është një tekst, që në mënyrë të veçantë, rrok dhe pikturon shpirtin dhe po kaq, hapësirat e pamatshme të tij, kurse si teksturë shkrimësie letrare, gërsheton dhe shpalon ngjyresat klasike dhe postmoderne, në strukturë dhe poetikën e rrëfimit.

Autori, vënë në gjurmim të shpirtërores, që përfaqëson arti dhe artisti (të cilët në këtë kohë duket se jetojnë në zgripin e vetë ekzistencial), tashmë duke thirrur në kujtesë Pikason (veçse të shpërndrruar në mjeshtër të ajrit), piktorin që çuditi shekullin e kaluar, sendërton botën romanore, që ka për univers shpirtin e njeriut dhe të artistit.

Kjo rrethanë e pazakontë e vlerës së përthyer në hapësirat e tekstit romanor, si shenjëzim i poetikës postmoderne, të sjellë në mend idenë e Umberto Eco-s, ku nënvizon se në letërsi kemi: një estetikë, bosht i së cilës do të ishte ironia intertekstuale, në librin Si të shkruaj. Shpirti i atyre që kapërcyen detin, kohën dhe muret, njerëz të zakonshëm dhe artistë, sërish mbetet pezull dhe i ngurtësuar në dy përmallime, në dy ekstaza shpirtërore siprane, shpirti i qenies që mbetet shtegtimesh, e prejnga burojnë vizëllima disafishe të një proze ndryshe.

Gjendur, në cakun e fundëm të ekzistencës, ku të ikur nga dheu i parë, ata morën çka mundën, dhe pamëdyshje mallin njerëzor. Shpresandezur, në dherin tjetër, pranuan aq sa u dhanë, në fakt aq sa deshën pritësit, duke zgjuar megjithatë në të gjitha poret, shpresën e një jetë ndryshe. Për të kuptuar thelbin e situatës se kumteve të romanit, të diagramës së protagonistëve, ka vlerë nënvizimi i Borhes, kur shkruan: … ku parandjenja fiton dhe hedh dritën e saj mbi një gjithësi që qëndron midis normës dhe absurdes, midis rregullit dhe rrëmujës, shpëtimi i të cilit, qoftë edhe pjesërisht, nga e pakuptueshmja i besohet vetëm njeriut. , pra shpirtit që udhëton nëpër pakohësi, në librin Aleph.

Kumti që shqipton teksti, hapur dhe pa asnjë mbulim të realitetit, joshës dhe të përçudënuar, se shpirti gjendet në rrezik, gjithkund kësaj rrokullie, në atdheun që lanë pasë, por edhe në atdheun e ri, na zbulohet qartazi në frazën e rrëfimtarit: Amerika të jep paranë, po të marrka zemrën. (2014: 34), e cila përçon me lakonizëm të thekur thelbin e qenies njerëzore, pa mëtuar të fsheh asgjë. Në këtë zgrip, etik dhe estetik, ekzistencial në thelbin e vetë, as pesimist e as optimist, po një realizëm i ashpër, ndonëse zbulohet përmes magjikes, rreket që të lartoj ngrehinën e shpirtit, që duket sikur këtyre kohëve po lëshon grahmat e mbrame të mbijetesës.

Kërkimi i shpirtit dhe skalitja e shpirtërores, është shumëçka, është klithmë siprane, është akuzë ndaj zotave dhe kryezotave të tokës dhe qiellit, e mbi të gjitha është parafytyra e autorit, e një shpirti të trazuar, që ka mbet pezull dhe sërish zbret në tokë, që mund të jetë i bardhë, i zi apo gri. Përthyerja e shpirtërores, me kaq shumë ngjyra, nëpër rrathët e artit, e pikturës abstrakte të Piksasos, e që tashmë nuk bie në sy, mbase vetëm kur shkarravit figurat në qiellin e kaltër. Vetëm qielli ka mbetur i lirë, natyrisht në atë pjesën e paktë, që ka shpëtuar nga ndotja, e cila formulohet në stilemën rrëfimore: Se shpirtit i ka mbaruar vaji… (2014: 59). Magma e tekstit romanor, është shpirti, që shpalohet në disa forma. Shpirti si mungesë e plotë, në bëmat e Grejt dhe mjekëve, që ndërpresin shansin e jetës së Pikasos prej ajri. Po kaq sunduese, vjen shkëlqimi mediokër i blerësve të shpirtrave, i vlerave të artit, si Gilbi. Shpirti, në situatë siprane, zbulohet në katrahurën e kthjelltë të rrëfimtarit të gjithdishëm, që endet rrafsheve të Ferrit dhe Purgatorit jetësor, velur tashmë nga Parajsa që nuk vlen më as në ëndërr…

Struktura moderne e romanit
Proza Pikaso prej ajri, shënon prurje estetike, në krijimtarinë e autorit, po kaq në lavrimin e zhanrit të romanit, në cakun modern të letrave shqipe, krahas shenjave të tjera, edhe për shkak të strukturës moderne të veprës. Tipologjia e shkrimit modern të prozëshkrimit, si dhe e shoqëruar me kahje postmoderne të ngjyresave letrare, materializohet në shumë aspekte strukturore të kompozimit të romanit:

A – Kapitulli i parë, nga autori emërtohet antiroman, me gjasë një vizion tjetër i shkrimit të romanit në letrat shqipe, por e hedhur ashtu, edhe si lojë apo shaka e kriposur, për të nisur udhën e kryerjes se disa ndryshimeve të nevojshme në tipologjinë romanore, që në letërsinë shqipe të shekullit të kaluar dhe në vijim, vijon të mbetet zhanri letrar, më i parapëlqyer nga autorët, e po ashtu edhe lloji letrar më i lexuar nga lexuesit. Mbase, në këtë tekst të prozës së gjatë, si një gjetje rastësore, përcaktimi si antiroman, në krye të veprës, lidhet me tepër me sugjerimin e teorive letrare, se romani vijon të jetë një zhanër, i hapur dhe në formësim të vatrave ligjërimore.

B – Paraqitja e ndodhive të romanit, konkrete dhe imagjinare, veçmas e asaj pezullie ku gjallon qenia njerëzore, sidomos mbijetesa e qenies shqiptare, e ndarë dhe hapërdarë si zogjtë e korbit, në të gjitha pikat e horizontit të planetit tonë, ndërkaq është realizuar në tridhjetë e tre kapituj. Secili prej këtyre pasazheve, të veprës romanore, shoqërohet me nga një nëntitull, që e zgjeron hapësirën e komunikimit modern të prozës, por njëherit sendërton njësi strukturore dhe rrëfimore, thelbësisht autonome, madje që jetojnë më vete, duke qenë njëherit pjesë integrale e tërësisë së veprës.

C – Prania e një stileme strukturore dhe narrative, të emërtuar interlud (i huaj) prej shkrimtarit, që shkojnë në dhjetë episode të tilla dhe shoqërohen me numra, ku nënta përsëritet, me nëntë plus, e diku edhe me tituj. Funksioni estetik, i mozaikut rrëfimor të interludit, është pjesa më e beftë e romanit, sepse:
– Krijon mjaft pauza të pashmangshme të daljes nga tuneli i makabritetit të rrekjes së mbijetesës shpirtërore të qenies, ku autori e përthekson: … për recesionin e shpirtit, që ishte më i tmerrshëm se ai i parasë, nuk shqetësohej njeri, (2014: 176).
– Shenjëzon gjurmët e ngjyresave postmoderne, jetësore dhe shkrimore, që si stilemë estetike, mishërohet përmes risemantizimit të historisë, artit dhe letërsisë, e sidomos të figurave të shumta të historisë njerëzore, që dëshmuan vlerat e humanitetit, që megjithatë udhton bashkarisht me rrezbitjen e plotë të vlerave shiprtërore.

Shëmbëllimet e pranishme figurative
Në kohët moderne, gjithnjë simbas teorive letrare, marrëdhëniet me artin dhe letërsinë, sidomos me arealin modern, bëhen më të hapura dhe më të ndërthurura, ndërmjet fushave dhe lamive të ndryshëm, që shpesh shkojnë gjer në sinkretikë të unifikuar. Letërsia, vetvetiu bëhet më e hapur ndaj arteve të tjera dhe po kaq ndaj lamive të mendimit. Prej hapjes së pashmangshme të lëvrimit letrar, pra përfshirjes në materien artistike të lëndëve të tjera, artistike dhe shoqërore, në zhanrin e romanit, buron dhe formësohet sinkretika, pra bashkëshkrirja e ligjërimeve të ndërsjella, letrare dhe artistike, si dhe më gjerë se kaq.

Varësisht kësaj optike, të artit dhe letërsisë moderne, romani Pikaso prej ajri i Gjozës, arrin që të ndërthur dhe të shkrijë në njësi të vetme, fjalën artisike, ngjyrën piktorike dhe imazhin e fotografisë. Fjala, pra letërsia me të gjithë hallkat e kumteve letrare, e në këtë tekst të zhanrit të romanit, është rrëfimi si mjet dhe konceptim estetik, që projekton një botë imagjinare. Megjithatë, sidomos në letërsinë e mirë, fjala letrare është tingull, e po kaq është dinamikë dhe ritëm. Në hapësirat e romanit, vihet se fjala si rrëfim, ndërkohë shoqërohet nga dy-tre shëmbëllime figurative:

– Shëmbëllimi pamor piktorik, jo dosido, po shëmbëllimi i Pikasos, mjeshtrit të pikturës, që dihet që e sundoi shekullin e kaluar për magjinë piktorike, kryesisht me ngjyresa të një abstraktcioni unik. Pikaso, megjithatë këtu është vetëmse shkasi apo shtysa fillestare, sepse Pikaso i autorit, pra Pikaso prej ajri, vjen i përmbysur, kinse i transformuar në gjithë mënyrën e ekzistimit të vetë, madje shërben si gjetje ironike për të shenjuar marrëdhënien e ndërlikuar të qenies me shpirtëroren.

– Përballë shëmbëllimit të parë, shpesh herë në pranëvënie me të është edhe shëmbëllimi i dytë, pamor dhe fotografik, i Gjon Milit, që pavarësisht ndryshimeve tepër të rëndësishme me pikturën, jetësimin dhe përmasën e përjetësisë së shumëçkaje të kësaj bote, megjithatë ia shtampon fotografia.

– Në mes tyre, si një shëmbëllim imagjinar, që lidhet me fjalën, me magjinë e letërsisë, është gdhendur figura e Ernest Heminugejt, njëri nga autorët më të zëshëm të shekullit të njëzet, që i dha ngjyra të paimagjinueshme hapësirave të realizmit, si dëshmi e brezit të humbur dhe e teknikës së ajsbergut.
Të strehuar në vatrën e fjalës, në një situatë të kërkuar dhe të shenjuar artistike, dy shëmbëllimet pamore, piktorike dhe fotografike, si dhe të shoqëruar në hapësirat e tekstit romanor nga dy figurat më përfaqësuese të këtyre shmëbëlltyrave, Pikaso dhe Gjon Mili, e në mes tyre Heminguej, të tre këto pamje dhe tre gjeni të artit dhe letërsisë, e zgjerojnë ndjeshëm përmasën e imagjinares në vepër, tashmë si ton i ngjyresave të realizmit magjik, si ritëm i kumteve postmoderne, që restauron dhe rishkruan historinë e qenies, e artit dhe letërsisë, gjithnjë simbas kodeve të autorit.

Vatrat e larmisë rrëfimore
Limfa më përbashkuese e veprës, e të gjitha hallkave strukturore të saj, e copëzave të titulluara nga autorit si interlud (i huaj), si dhe e shumë trajtave të ndryshme të shëmbëllimeve letrare dhe pamore, piktorike dhe fotografike, është ngjyresa totale e narrativës autoriale. Narrativa ose poetika e prozës, siç e ka përcaktuar pak kohë më parë, T. Todorov, është gjurma e rrokshme e kumteve letrare në prozëshkrim, po ashtu edhe në lavrimin e zhanrit mbizotërues të saj, në tipologjinë e romanit bashkëkohor. Narrativa e tekstit të romanit Pikaso prej ajri, si për çdo prozë tjetër, përbëhet:

Së pari: Nga pozicioni i rrëfimtarit, që në këtë roman formësohët në tipologjinë e narratorit të gjithëdijes, një tipar i shkrimit të prozës moderne. Pra, duke qenë rrëfimtari, me natyrë të gjithdishme, si qendër e universit shkrimor, të kohës dhe hapësirë së romanit, narratori bart peshën kryesore të ecurisë dhe pauzave të përshkrimit dhe skicimit të personazheve, duke endur kështu një poetikë dinamike, që luan me ngjyrat, me dritat, me tingujt dhe fjalët, shpesh si magjistar.

Së dyti: Materializmi gjuhësor i pentagramit rrëfimor, që mundëson thurjen e realitetit letrar imagjinar të prozës. Fjalësia narrative e autorit, në hapësirat e romanit më të ri të Gjozës, shpërfaqet në shumë pamje; është ritmike, është e ngjeshur me figurshmëri dhe nëntekst, është portretizuese dhe karaktrizuese e personazheve të shumtë, që plasohen në të gjitha vetitë përfaqësuese, të botës së brendshme dhe të skicimit të portretit fizik, e mbi gjithçka fjala e rrëfimtarit, që end në këtë formë realitetin letrar, ku konkretja pushitet me imagjnaren, është shenjë estetike e prozës moderne.
Lidhur me mishërimin letrar dhe gjuhësor, është edhe situata e pranishme e fjalëve të reja, që sugjeron autori, duke materializuar kështu idenë e përkujdesjes së krijuesve për gjuhën në të cilën shkruajnë, në lamin e pasurimit të saj. Sa për të krijuar një ide, po sjellim pranë lexuesit disa nga rastet tipike të neologjizmave që përçon autori në hapësirat e romanit Pikaso prej ajri, si: çudnajë, kukullnajë, katrahurmshëm, zymtnajë, kotni, krrokamëroi, tërëmbushëse, brafulluan, katrahurnajë, bubutishme, brofëritës, gjakndezëse etj. , krijuar me brumin e shqipes, që të përkujtojnë sugjerimin e Tomas Eliotit dhënë për gjuhën.

Gjoza me tregimet e dikurshme, po kaq a diç më tepër me lëvrimin e romanit, dëshmon se është mjeshtër i rrëfimit, që pavarësisht unit të krijuar në kaq tekste, shpesh të fanit vatrat rrëfimore kuteliane. Nga sa ofron teoria letrare, thelbi estetik i prozëshkrimit, pra edhe i romanit si zhanër i gjatë, mishërohet përmes rrëfimit, që e përthyen botën në një pamje tjetër, në mënyrë të veçantë kërkon shpirtëroren në të gjitha format ekzistenciale të saj, që në rastin e autorit të romanit Pikaso prej ajri, përcjell një mesazh të beftë: Arti është protestë, po s’pati arti protest, mebtet kukull e bukur. (2014: 132), që të vë në mendime të thella mbi kredonë shkrimore të autorit, që tingëllon edhe si një thirrje ironike ndaj artit për art dhe vetë antiromanit. Pra, për pranuar sugjerimin e shkrimtarit, të derdhur në hapësirat e romanit, vështrojmë pohimin e Roland Barthes, teksa theksonte: shkrimi është rrënim i çdo zëri, i çdo prejardhje, në librin Aventura Semiologjike. Megjithatë, autori duke këmbëngulur dhe shqiptuar se letërsia është zëri i kohës, i njerëzve të një kohe të caktuar, madje kur ajo është gri dhe tepër e mjegulltë, duket se është besnik i letërsisë dhe artit që jeton me fatin e njeriut.

Behar Gjoka

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...