Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/01

Krijimtaria, si udhëtim drejt vetvetes dhe të tjerëve

Nga Valeria Dedaj


Ai dita-ditës punon për të treguar se forca e artit bashkëkohor është më e plotë, atëherë, kur arrin që të fuqizojë momente, të cilat duken të papërfillshme. Rolin e muzikës në krijimtarinë e tij e konsideron si kërthizën dhe aksionin e “ngjarjes”, njëherazi thelb dhe fryt të raportit të personazheve me realitetin ku ata ndodhen. Bëhet fjalë për artistin bashkëkohor Anri Sala, i cili ka çelur ekspozitën “Answer Me” në New Museum, në New York.  Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, Sala shpjegon lidhjen e tij me hapësirën, arkitekturën dhe tingullin, duke i parë ato si forma alternative komunikimi, që përcjellin gjendje pa treguar ngjarje. Teksa na rrëfen për udhëtimet dhe projektet e tij, ndalet edhe te ngjarjet që kanë ndodhur në 26 vitet e fundit në Shqipëri, sidomos tek ato që e ngacmojnë si artist. Ajo që i mungon Shqipërisë dukshëm dhe dëshpërueshëm, sipas Salës, është një skenë artistike ku të dialogojnë dëshirat dhe vizionet dhe jo ku shfryhet kundër gjasave të munguara.

Çfarë rëndësie për Anrin ekspozimi i disa nga punëve së bashku në një hapësirë, me strukturë bashkëkohore, si New Museum? A është kjo ekspozitë retrospektivë, fundi apo rinisja e një cikli tjetër në krijimtarinë tuaj?

New Museum në New York është një institucion i dedikuar ekskluzivisht në prezantimin e artit bashkëkohor dhe ekspozimi në këtë muze ka një rëndësi të veçante sepse, përpos reputacionit të institucionit, vetë arkitektura e New Museum përbën një sfidë sa inspiruese dhe të vështirë, pasi nuk është një hapësirë e zakontë dhe neutrale. Për mua konceptimi i një ekspozite është pjesë e pandarë e procesit kreativ, ngaqë nëpërmjet mediumit të ekspozitës unë përpiqem të ngjiz hapësirën, lëvizjen e vizitorëve dhe perceptimin e kohës brenda ekspozitës, në një eksperiencë të përbashkët. Ndaj edhe në rastin e New Museum nuk është thjesht prezantimi i punëve veç e veç që më intereson, por raporti i tyre me arkitekturën e kateve të ndryshme të muzeut dhe mundësia për ta shndërruar hapësirën midis veprave të ekspozuara, në një skenë raportesh të ndërsjella midis publikut dhe tyre. Në këtë kontekst ekspozita në New Museum nuk është një retrospektivë, ndonëse ajo përmbledh punë nga 15 vitet e fundit, por një mundësi për të çelur raporte të reja midis punëve ekzistuese dhe publikut.

Në New Museum, hapësira (arkitektura), tingulli dhe imazhet, janë prezente në të gjitha punët tuaja. Por, si është zhvilluar gjatë viteve marrëdhënia e këtyre elementëve në punët tuaja?

Në një farë mënyre pothuajse çdo pikë e trajektores së krijimtarisë time në kohë ka lidhje me punën time të parë: “Intervista”. Problematikat që “Intervista” shfaqi - mungesa e transparencës së gjuhës si formë komunikimi dhe kapaciteti i saj si mjet kontrolli, shndërrimi i zërit të humbur në lëvizje buzësh që "lexohen" nga persona me aftësi të kufizuara apo përkthimi i fjalëve në lëvizje duarsh - vazhdojnë të jenë prezente në punët e mia, ndonëse kanë evoluar dhe marrë trajta të ndryshme. Përveç elementit historik dhe politik “Intervista” zgjoi tek unë mosbesimin ndaj gjuhës, duke më shtyrë vetvetiu në mënyrë indirekte dhe intuitive drejt një interesi më të madh për tingujt apo zhurmat në fillim, dhe muzikën në vijim. Besoj që preferenca ime për muzikën lidhet me faktin që si formë alternative komunikimi, muzika ka aftësinë – përndryshe nga gjuha – të përcjellë gjendje pa treguar ngjarje, ajo influencon pa sjellë informacion dhe mundëson komunikimin pa e zbardhur atë.

Teksa artet pamore i keni kultivuar gjatë viteve të studimit, marrëdhënia që keni me tingullin të shton kuriozitetin për të gërmuar më thellë, se çfarë ka ndikuar te dëshira juaj për të bashkëshoqëruar punët tuaja dhe me muzikë... A ka ndikuar ndopak kursi i violinës, që keni bërë gjatë fëmijërisë me profesor Robert Papavramin?

Marrëdhënia ime me muzikën nuk është e ngjashme me marrëdhënien e një muzikanti me materialin muzikor, pasi kur punoj me lëndën muzikore kam një qasje aspak ortodokse, që do të ishte mbase gati "e ndaluar" për një muzikant. Por mendoj që instinkti apo intuita ime kur bashkëpunoj me muzikantë të ndryshëm apo ndërhyj mbi lëndën muzikore, ka përfituar deri diku nga vitet e studimit të violinës me Robert Papavramin apo mësues të tjerë kur isha i vogël. Por ajo çka karakterizon praninë e muzikës në krijimtarinë time – ndryshe nga ushtrimi i muzikës në botën e filmit, ku ajo përdoret si një vegël që manipulon apo përshtat ndjenjat e spektatorit në funksion të skenarit të filmit dhe interesit të ngjarjes – është roli i saj si kërthiza dhe aksioni i 'ngjarjes', të qenurit njëherazi thelbi dhe fryti i raportit të personazheve me realitetin ku ata ndodhen.

Te filmi “Answer Me" jehona e tingullit të një baterie mbi muret e kubesë gjeodezike në Berlin mishërohet në interpretimin e instrumentistit. Por, çfarë jehonash krijon kjo vepër në ekspozitën trekatëshe të New Museum? 

Në fakt në "Answer Me" ka dy instrumente në veprim: bateria, si vegël muzikore, dhe kubeja gjeodezike, si vegël arkitekturore. Në një farë mënyre bateria "luan" kubenë po aq sa dhe kubeja "luan"  baterinë, pasi ndërsa bateria prodhon tinguj është forma e kubesë që i transmeton në formë jehone nga një personazh tek tjetri. Shpeshherë në punët e mia, arkitektura funksionon si përzgjatim i një instrumenti muzikor, qoftë instrumenti një saksofon, organo rruge apo një music-box. Për ekspozitën në New Museum unë përzgjodha ato punë të miat që kanë një element të përbashkët: ato funksionojnë në çift dhe si rrjedhim ose i përgjigjen njëra-tjetrës duke u vetëkomplementuar ose i bëjnë jehonë njëra-tjetrës duke propozuar një alternative tjetër. Mua më intereson sa konceptualisht po aq edhe fizikisht krijimi i hapësirave "midis", pasi pikërisht këto hapësira të ndërmjetme çelin ndjesi dhe forma të reja komunikimi që nuk kanë vetëm objektin e artit si prioritet, por raportin e veprës me publikun dhe publikut me vetveten.

Filmat tuaj janë rezultat i një efekti që ndodh – në imazhe – ndërmjet një vendi, tingujve dhe personazheve.  Nuk tregojnë histori në vetvete, por mund t’i referohen historisë apo politikës, edhe pa i përshkruar. Nëse për projektin e radhës do t'ju duhej të fokusoheshit te 26 vitet e demokracisë, në të cilat ka kaluar Shqipëria, a ka një ngjarje, që mendoni se do të meritonte vëmendjen tuaj në këto momente, për ta bërë film?

Në kuptimin artistik tranzicioni – pasi besoj se kanë qenë më tepër 26 vite tranzicion sesa 26 vite demokraci – ka qenë një lemë shumë i pasur për procesin kreativ, pasi në rrjedhën e tij ka prodhuar lloj-lloj gjendjesh e situatash të çuditshme apo të papritura dhe një mori subjektesh interesante. Por gjithsesi nuk dua të vë gishtin në një ndodhi apo ngjarje specifike, sepse në kuptimin e subjektit artistik nuk ka ngjarje të mëdha apo të vogla, pasi përmasat e çdo situate apo ngjarjeje, sado e vogël në dukje, kanë potencialin që të zhvillohen dhe të rriten nëpërmjet procesit artistik. Forca e artit është më e plotë pikërisht atëherë kur arrin të fuqizojë momente apo detaje që në pamje të parë duken të papërfillshme. Mungesa e hierarkisë së subjekteve në artin bashkëkohor është njëkohësisht garant i karakterit demokratik dhe relativizues të tij.

Rol të rëndësishëm në jetën tuaj zënë edhe udhëtimet në vende të ndryshme të botës. Si ndikojnë në punët tuaja këto udhëtime? 

Procesi i krijimtarisë është në vetvete një udhëtim drejt vetvetes dhe të tjerëve. Por udhëtimi real në vende, hapësira dhe kontekste të ndryshme kulturore, sociale dhe politike përforcon raportin me veten dhe pasuron këndvështrimin që mbartim për të tjerët. Në rastin tim këto udhëtime janë të domosdoshme, pasi ato jo vetëm më ekspozojnë me subjekte dhe situata të reja dhe i japin nxitje ideve të reja, por edhe krijojnë momente të papritura kthjelltësie dhe ndërgjegjësimi.

Tashmë jeni një ndër emrat më të rëndësishëm botërorë të artit bashkëkohor, që nga Londra në Paris, Montreal, Miami, Nju Jork etj., padyshim edhe një nga shqiptarët më të njohur në botë, por cilat janë projektet artistike, të cilat do t'ju ndihmojnë ta mbani po të njëjtin nivel, apo të “skalitur” më fort në kujtesën e njerëzve, punën tuaj?

E kam të vështirë të flas për projektet në vijim, pasi ato do mund të marrin formë vetëm në proces e sipër. Dhe për mua procesi është po aq kuptimplotë sa ideja fillestare, pasi vënia në jetë e një koncepti jo vetëm pasuron idenë, por edhe emancipon qasjen dhe mënyrën e të menduarit. Ndaj mund t'ju them vetëm që përgjithësisht më tërheqin ato ide për të cilat nuk e di ende se ç'formë do të marrin, pra në një farë mënyre me interesojnë ato "pyetje" për të cilat ende nuk kam "përgjigje", pasi më detyrojnë të dal jashtë zonës sime së komfortit, çka është jetike për procesin krijues.

Dhe së fundmi, çfarë mesazhi keni për ata të rinj, që e kanë pasion artin bashkëkohor në Shqipëri dhe jo vetëm? 

Të jesh i interesuar në artin bashkëkohor do të thotë të jesh i interesuar në emancipimin e shoqërisë, shkrirjen e akujve, zhbllokimin e energjive. Arti bashkëkohor - por jo automatikisht çdo prodhim bashkëkohor artistik – ka potencialin që të mbartë jo vetëm vlera artistike apo kulturore, por të ushtrojë edhe efekt shoqëror dhe politik; pasi në thelb arti bashkëkohor nuk është thjesht një produkt vizual apo një objekt dekorativ, por është një përpjekje e vazhdueshme reflektimi për t'iu kundërvënë statuskuosë dhe ngërçit në shoqëri. Ndryshe nga forma të tjera kulturore, arti bashkëkohor ka avantazhin që të dialogojë njëherazi me fusha dhe profesione të ndryshme dhe ofron mundësinë që të prekë aspekte të ndryshme të jetës bashkëkohore, duke përdorur një ekonomi fare të kufizuar mjetesh dhe mundësish. Mundësia e të bërit art me pak mundësi dhe shumë energji e bën atë edhe më të prekshëm dhe të aksesueshëm për të rinjtë.

Në Shqipëri fatmirësisht kurrë nuk kanë munguar individët dhe talentet që vazhdimisht kanë mundur të çajnë perden e vështirësive, por fatkeqësisht kanë qenë gjithnjë arritje personale kundrejt gjithë gjasave. Ajo që mungon dukshëm dhe dëshpërueshëm është një skenë artistike ku dialogojnë dëshirat dhe vizionet dhe jo ku shfryhet kundër gjasave të munguara. Në momentin që do të ketë një qasje më pozitive dhe altruiste, me shumë gjasa do të marrë formë dhe frymë një skenë që do të sjellë dhe më shumë hapësirë, dialog, energji, pozitivitet, kritikë të mirëfilltë, dëshirë pjesëmarrjeje, që së fundi do të përmirësojë cilësinë e institucioneve lokale dhe do të zgjojë interesin e institucioneve dhe kuratorëve ndërkombëtarë, çka do të ishte sa inkurajuese dhe jetike për artistet e rinj. Por për këtë duhet ndryshuar qasja: të qenurit skeptik nuk është shenje zgjuarsie apo mungese naiviteti, por simptomë dorëzimi që dëshmon fundin e dëshirave.

Nëse e ardhmja do të kalojë nga Ballkani, Anri Sala i pari, që do filmojë dhe tregojë atë

Massimiliano Gioni, kurator i ekspozitës

“Anri Sala është një artist që në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka marrë vlerësime të rëndësishme në të gjithë botën, pjesëmarrja në bienale dhe ekspozimi i veprave të tij në muze apo institucione të rëndësishme e dokumenton këtë. Por në New York dhe në Shtetet e Bashkuara nuk kishte ende një retrospektivë të rëndësishme dhe të denjë për profilin e tij ndërkombëtar”. Kështu e cilëson prezantimin e Anri Salës në New Museum, drejtori artistik Massimiliano Gioni, i cili është njëkohësisht dhe kuratori i ekspozitës “Answer Me”. Sipas tij, nëpërmjet kësaj ekspozite është mbushur një boshllëk i rëndësishëm në New York, sepse bëhet fjalë për ekspozitën më të madhe për nga numri i veprave dhe kompleksitetin e krijimit, që Sala ka realizuar ndonjëherë. Kuratori mendon se ky është një aspekt i rëndësishëm jo vetëm për të theksuar rëndësinë e kësaj ekspozite, por mbi të gjitha sepse më shumë se kurrë kjo ekspozitë bëhet një simfoni në tre pjesë (ose mbi tre plane), në të cilën video, arkitekturë dhe tingull kombinohen në një koncert formash, muzike dhe emocionesh.

Në veprat e Salës në NM përfshihen thuajse të gjitha etapat e tij artistike. Nëse ndalojmë tek ato që ka realizuar në vitet 90 (Intervista), si e shihni sot strategjinë e këtij artisti që përdor për ekzaminuar historinë politike dhe jetën në post-komunizëm?

Që kur e pashë “Intervistën” në 1998 më ka bërë shumë përshtypje. Është një vepër me shikim të parë, shumë e thjeshtë, thuajse një ditar apo një rrëfim, por në të vërtetë shumë komplekse. Është një lloj detective story, ku zbulohet se fajtori dhe viktima janë i njëjti person-mamaja e Anri Salës, që në këtë vepër mishëron thuajse metaforën e një kombi të tërë. Dhe është një detective story në të cilën kërkohet të zbulohet e vërteta, duke rindërtuar një kolonë zanore, duke rizbuluar gjuhën dhe tingullin. Ky shqetësim që përcillet më tingullin, si mjet i së vërtetës “do të rikthehet” në të gjithë karrierën e Anri Salës. Është ura lidhëse për shumë vepra të tij, dhe për të gjitha veprat në ekspozitën e New Museum. Në të përgjithshmen, “Intervista” nënvizon edhe një karakteristikë tipike të të gjitha regjimeve totalitare dhe të gjitha ideologjive; pushtimi i gjuhës, dhuna delikate dhe e padukshme në të cilën gjuha-formohet, transformohet dhe zbrazet nga çdo kuptim. Veprat pasardhëse ndoshta bëhen më abstrakte, sepse janë më pak të interesuara ndaj gjuhës, si i vetmi instrument kuptimi dhe më të tërhequra prej muzikës si gjuhë universale apo preverbal. Ndoshta kush ka mësuar që të mos i zërë besë gjuhës qysh i ri për shkak të ideologjisë, është i prirur të kërkojë mjete komunikimi jo verbale.

Veprat pasardhëse “Dammi i Colori” dhe “Long Sorrow” hetojnë pasojat psikologjike, nëpërmjet muzikës dhe gjuhës... Por si e ka përdorur më pas Sala tingullin?

Mund të shtoj vetëm që me veprat që pasojnë “Intervistën” dhe në veçanti mendoj se duke filluar nga Dammi i Colori dhe nga Long Sorrow më vonë, Sala ka zgjeruar kërkimin e tij përtej historisë dhe kronikës së post-komunizmit për të treguar për krizën e ideologjive dhe të utopive të tjera. Mënyra se si arkitektura, dhe në veçanti arkitektura e lëvizjes moderne kanë marrë një rol qendror në veprën e Salës na zbulon si fundi i ëndrrave të ndryshme utopike është bërë një nga temat kryesore në punën e tij. Për këtë arsye i kam përshkruar shpesh veprat e tij, në veçanti ato në të cilat muzika ka një rol kryesor si; Requiem: janë eulogji funebre, apo “De Profundis” për humbjen e një farë ideje të topisë, të universalitetit, të pjesëmarrjes. Ky ndoshta është kuptimi i melankolisë që përshkon shumë nga veprat e tij. Edhe pse pastaj jam impresionuar teksa shikoja sesi kjo ekspozitë u mor edhe si një celebrim i fuqisë së artit dhe të aftësisë së tij për të zbutur dhe kuruar plagët e historisë.

Si është të punosh me Anrin? Nga kjo eksperiencë, si kurator a ka një moment kulminant?

Kam pasur mundësinë të punoj shumë herë me Anri Salën. Në Milano në 2005-ën kemi realizuar së bashku një ekspozitë shumë të bukur të tijën në bashkëpunim me Fondacionin Trussardi, që përveç të tjerave ka qenë ekspozita e parë e rëndësishme e një artisti shqiptar në Itali, shenjë e një transformimi të thellë social dhe kulturor në panoramën e Italisë dhe të Europës së shekullit të ri. Anri është një artist shumë preciz, që e mendon të gjithë ekspozitën si një vepër të tijën, dhe jo thjesht si një vend në të cilën duhet të prezantojë video apo objekte. Mendoj se momenti më emocionues ka qenë të shikoja të përfunduar sallën e madhe të ndërtuar për të ekspozuar videot e “Ravel Ravel”, në të cilën mbi 1600 kone të përbëra nga  një material i veçantë zhurme të ulët,  që i jepnin sallës pamjen e një skulpture të madhe, të një vepre të plotë arti, në të cilën tingulli kristalizohet me një saktësi thuajse gjeometrike.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për të ardhmen artistike të Anrit?

Kuratori i madh, Harald Szeemann, në vitet nëntëdhjetë ka thënë që e ardhmja gjendet në Ballkan. Me siguri që ende sot më duket që shumë çështje kritike të historisë, të së tashmes dhe së ardhmes së Europës kalojnë prej aty. Jo se më duket e drejtë që të reduktoj të gjithë punën e Anri Salës me origjinën dhe kombësinë e tij, por mendoj se është bukur të mendosh se, nëse e ardhmja do të kalojë nga Ballkani, Anri Sala do të jetë ndër të parët që do ta filmojë dhe do të na e tregojë në momentin në të cilin ajo do të transformohet në histori.

Gena komenton suksesin e “Shok”-ut

GenaKëngëtari Gena ka përshëndetur suksesin e filmit “Shok” për pjesëmarrjen në “Oscar”.

Gena ka kritikuar industrinë e muzikës shqiptare, që sipas tij po promovohet vetëm me zhveshje dhe video erotike. Ai ka bërë një reagim të gjatë me kritika dhe shpjegime për filmin në fjalë.

“U lumtë këtyre çunave dhe të gjithë atyre që ishin protagonistë të këtij filmi që shkeli tapetin e kuq për herë të parë në industrinë më të madhe të filmit në SHBA. U lumtë, dhe turp atyre që e kanë kthyer artin në një market lajmesh pa vlerë, në një fasadë të madhe gënjeshtrash dhe banaliteti. Më vjen çudi dhe habitem për sa i përket muzikës që sot vlerësohet dhe shikohet, dhe nuk dëgjohet. Njerëz, i kam ca pyetje për të gjithë ata që po gabojnë dhe na ushqejnë me lajme pa vlerë, a mos duhet te zhvishesh dhe të tregosh të gjitha format erotike për të qenë një këngëtare ose këngëtar i mirë? A mos duhet të thuash banalitete sa më shumë që kënga të jetë e pëlqyeshme dhe të jetë hit i madh i radhës? Më vjen keq që industria e artit në botë vlerësohet, shikon dhe dëgjon vlera të vërteta dhe këtu jemi akoma në llumin e lajmeve të portaleve pa vlerë, dhe një injorancë të madhe. Çuditem si janë kudo të gjithë ata që nuk dinë të këndojnë dhe as kanë lidhje me muzikën; çuditem që janë në faqet e para të gazetave të gjithë ata që bëjnë skandale. Çuditem pse nuk ka institucione që të vlerësojnë dhe të inkurajojnë artin e vërtetë. Sot të gjithë kanë një telefon në dorë, ku mund të dëgjojnë dhe të shikojnë shumë gjëra, por të paktën të jenë të vërteta e martë dreqi...”, ka shkruar Gena në “Facebook”.

Zbulohet testamenti i Bin Ladenit, ja amaneti i tij i fundit


osama-bin-ladenOsama Bin Laden ka lënë një trashëgimi personale prej 29 milionë dollarësh.

"26, 6 milionë euro të pasurisë janë të destinuara për ‘xhihadin, dhe dashurinë për Allahun’ ”, thuhet në testamentin e ish-kreut të vrarë të “Al Kaedës”.
Dëshira e fundit e Bin Ladenit është gjetur mes 100 dokumenteve të sekuestruara në Abotabad të Pakistanit, ditën e vrasjes së terroristit.
Dokumentet zbulojnë fobinë e tij për dronet amerikane. Bin Laden kishte zhdukur sim-in e telefonit për të mos u zbuluar, ndërkohë që kufizonte në maksimum vizitën te mjekët.

Terroristi kishte planifikuar t’u jepte një pjesë të pasurisë familjarëve tij, por pjesa më e madhe e parave ishte destinuar për “Al Kaedën”. Dokumentet janë publikuar pas një periudhë të gjatë ekzaminimi nga ana e autoriteteve amerikane.

Fatos Klosi: SHISH-i ndërhyri për të pajtuar, Marjan Rroku u çmend

fatosIsh-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, rrëfen dijeninë dhe pranon ndihmën institucionale të kërkuar prej tij nga familjarët e Alda Canajt.

Marjan Frroku siç dihet tashmë punonte pranë këtij institucioni dhe ndërhyrja ishte për të zgjidhur një marrëdhënie konfliktuale midis çiftit.

Klosi thotë se për ndërmjetësim mes palëve ka pas qenë caktuar një punonjëse e vjetër.

Klosi shpreh habinë e tij në lidhje me vazhdimësinë e ngjarjes. Marjani sipas tij ishte njeri i kultivuar dhe me kulturë, që nuk do ta zgjidhte një konflikt me forcë.

Klosi tregon se letra e familjes së Aldës i ka shkuar institucionit që ai drejtonte.

“Ky shqetësim ka ardhur dhe ne kemi vendosur një punonjësen tonë që të merrej ekskluzivisht me këtë shqetësim. Vrasja që bëri Marjani nuk ishte një shpërthim që erdhi nga hiçi, ishte një histori e trazuar, një marrëdhënie problematike mes dy të rinjve”- thotë ai.

Sipas ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror lidhja e çiftit dihej nga të gjithë, siç dihej dhe nga ai.

“Nuk e di a bashkëjetonin apo jo, por ishte një marrëdhënie që kishte zgjatur dhe në një moment ai u çmend, i doli vetja nga kontrolli dhe përfundoi në vrasjen e dy personave”- thotë Klosi.


*****




alda canajVrasja e Alda Canajt dhe nënës së saj 15 vite më parë është kthyer sërish në qendër të vëmendjes pas rrëfimit nga burgu të autorit të krimit, Marjan Rroku.

Një muaj para vrasjes së kryer nga ish-punonjësi i SHISH-it, nëna dhe babai i Aldës i kanë dërguar një letër Fatos Klosit, në atë kohë kreu i Shërbimit Shtetëror Informativ.

Në letrën e botuar në “Dritare.net” prindërit tregojnë natyrën e marrëdhënies mes Rrokut dhe vajzës së tyre dhe i kërkojnë ndihmë shtetit.

Një muaj më pas, nëna e Aldës, Mbarimja, do të vritej nga Rroku në përpjekje për të shpëtuar të bijën nga plumbat.

 “Zoti Fatos!

Ne që po ju shkruajmë jemi dy prindër të tre vajzave nga Greshnica e Mallakastrës, të dy mësues. Unë Faslliu, drejtor shkolle, gruaja mësuese në Greshnicë. Vajzat i kemi të dyja në Tiranë, të madhen në universitet, viti i tretë gjermanisht, të mesmen viti i dytë italisht. Po ju shkruajmë juve, pasi një punonjës i juaji i SHISH-it, Marjan Rroku, vajzën e dytë, Alda Canaj, e ka rrahur, kërcënuar, i ka nxjerrë edhe pistoletën dhe i ka numëruar në sy plumbat, mbasi i ka thënë se do ta marrë në Itali.

Historia ka nisur në maj 2000, kur ai i ka propozuar dhe vajza ishte 15 vjeçe. Vajza nuk ka pranuar. Në nëntor 2001 e ka kapur vajzën, e ka rrahur, kërcënuar dhe nëse ajo do të thoshte gjë në familje, apo motrës së madhe do të vriste motrën dhe shoqet e saj.

Vajzat kanë denoncuar në polici dhe polici Bim Hoxha (Ibrahim Hoxha), në fillim e ka marrë kërcënimin, pastaj ka mbajtur qëndrim zbutës. Vajzave u është bërë thirrje nga punonjësja juaj, Vera Halili, për të tërhequr denoncimin”, thuhet në letër.

“Besojmë se edhe si mallakastriot, diçka duhet të bëni për ne”, janë fjalët që mbyllin letrën e dërguar më 11 shkurt 2001.

I dënuari me burgim të përjetshëm rrëfen krimin: Si i vrava nënë e bijë

  • I intervistuar nga Ardit Gjebrea në qelinë e burgut të Fushë-Krujës, ai rrëfen se si 15 vite më parë bëri diçka që nuk e kishte imagjinuar kurrë
Një i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë ka rrëfyer për herë të parë se si e kreu krimin para 15 vitesh. Marjan Rroku, dikur punonjës i SHIK-ut dhe ish-student i shkëlqyer i fizikës, qëlloi me armën e shërbimit në mes të Tiranës, një vajzë dhe nënën e saj.

Për herë të parë pas 15 vitesh, ai e ka pranuar krimin për emisionin “E diela shqiptare” të “Tv Klan”. I intervistuar nga Ardit Gjebrea në qelinë e burgut të Fushë-Krujës, ai rrëfen se si 15 vite më parë bëri diçka që nuk e kishte imagjinuar kurrë.

“Në 2001 unë kam bërë diçka që nuk e kisha menduar as unë, as kush më ka njohur. Kam vrarë dy vetë. Ka 3 versione të ngjarjes, por asnjëri nuk është i saktë.

Alda (vajza që u vra) nuk ka qenë e dashura ime, as nuk i kisha vënë syrin për trafik femrash. Ishim tre çuna që dolëm me tre goca. Synimi im ishte të njihesha me atë tjetrën.

Ka qenë rastësi. Nuk kam dashur ta vras Aldën dhe as Mbarimen (nëna e saj). Unë prindërit e Aldës i njihja, i kam takuar disa herë. Ne jemi takuar në fund të vitit 2000, ishte thjesht shoqëri.

Më pas, unë fillova punë stabël te SHIK-u. Ajo pati një dobësi për mua. Por nuk filloi kurrë si lidhje dhe as vazhdoi si lidhje.

Ishte diçka që nuk e shpjegoj dot. Kam takuar të ëmën, i thashë: Çfarë doni nga unë? Ajo më tha se kishte dëgjuar se vajzën do t’ua çoja në Itali. Më thanë: Zhduku nga Tirana se je tallur me vajzat tona.

Atë ditë (ditën kur ndodhën vrasjet) shkova në mëngjes në punë, ndenja një orë. Shoqja e Aldës më dha një letër. E hapa: “As dua t’i shoh sytë, as dua të kem të bëj me ty”.

Duke shkuar në shtëpi, takova të ëmën, mendova t’i jap letrën. I thashë: Mos shkruaj më letra! Ajo më shau dhe më gjuajti me çantë. Kam rënë përtokë dhe sikur të kem pasur një çelës diku në kokë dhe që nga ai moment çdo gjë është e turbullt për mua.

Nuk mbaj mend asgjë. Është një pjesë e jetës time që nuk mund të them që kjo është e vërteta. Vetëm ika, pistoletën e kisha me vete. Mendoja të vrisja veten. Sot e mendoj se nëse do të veproja kështu, do të kisha bërë 10-fish mëkat. Zoti të fal gjithçka”, ka rrëfyer ai.

15 vjet pas vrasjes së dyfishtë, ai thotë se është penduar.

“Nuk më takon mua të vendos kush vjen në këtë botë dhe kush ikën prej saj. Është një histori që nuk kam dashur ta hap më përpara”, shprehet Marjani.

Vrasja e dyfishtë dhe arratia disavjeçare e Rrokut

Ngjarja ka ndodhur në 29 mars të vitit 2001, kur Marjan Rroku vrau në Tiranë gjimnazisten Alda Canaj dhe nënën e saj, Mbarimen. Në atë kohë, krimi tronditi opinionin publik për nga mënyra e ekzekutimit dhe numri i viktimave. Ish-punonjësi i Shërbimit Informativ Kombëtar u dënua nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese të dy femrave.

Pas vrasjes së kryer, Rroku emigroi në SHBA, ku autoritetet amerikane e pikasën disa vite më pas me identitetin e rremë Jeton Mirakaj. Pas 6 vitesh ndjekje, policia amerikane arriti ta prangoste të shumëkërkuarin në zonën e Kuinsit. Marjan Rroku kishte ndërtuar jetën e tij në Amerikë, ku ishte martuar dhe kishte një fëmijë. Menjëherë pas arrestimit në vitin 2010, ai u ekstradua drejt Shqipërisë, ku vijon të vuajë dënimin për krimin e kryer.

Intervista me Marjan Rrokun, eksperti: Ja ku gaboi Ardit Gjebrea

Intervista që Ardit Gjebrea bëri të dielën me Marjan Rrokun, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy grave 15 vjet më parë, ka ngjallur reagime në opinionin publik.

Debati lidhet me mënyrën e trajtimit të të dënuarit nga ana e intervistuesit gjatë një hapësire televizive prej një ore.


Sipas Zylyftar Bregut, studiues i komunikimit në institucionet e mbyllura dhe pedagog i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Gjebrea u manipulua nga Rroku duke u vënë në anën e tij dhe jo të viktimave.

“Trajtimi i autorëve të krimeve është një nga subjektet më të vështira dhe lipset një elegancë dhe kujdes i jashtëzakonshëm; është si të ecsh në tehun e thikës. Gjithmonë është frika se mos ‘përdoresh’ nga i dënuari në funksion të qëllimeve të tij. E nëse i trajtojmë me radhë të gjithë sa më sipër, përfundimi është i qartë: Marjani duket se ia ka dale të manipulojë Arditin!”, shkruan Bregu në “Facebook”.

“Protesta lidhet me atë që në gjuhën profesionale quhet “këndi” i të parit të subjektit, përgatitja paraprake për subjektin, fjalët e zgjedhura, pyetjet e bëra - vijon ai -. Për të mos përmendur kujdesin për balancën apo lëmshin e etikës që krijohet në kësi situatash! Si të mos acarohet audienca, kur gazetari e quan të dënuarin ‘shoku im i dhomës’, ‘një e folur prej shkrimtari’, ‘student i ekselencës’ etj? Madje shkoi deri aty sa tha edhe fjalinë lapidare: ‘Shumë të burgosur kishin filluar të besonin se Marjani është i pafajshëm’. (Kjo fjali mund të jetë vetëm rezultat i një ankete)”.

Sipas ekspertit, “Arditi e lejoi ‘studentin e ekselencës’ që të mos ishte i sinqertë në rrëfimin e tij. Madje mungesa e koherencës ishte e dukshme brenda dy-tri fjalive të njëpasnjëshme! Reagimi, madje edhe i mjaft gazetarëve ka të bëjë me pyetjet e munguara të Arditit, si detyrim ndaj audiencës, ndaj vrasësit të dy femrave të pambrojtura! Gazetari gjithmonë zgjedh të jetë në anën e viktimave! Marjani nuk është një i tillë!”.


****

Vendimi i Gjykates se Larte qe la ne fuqi burgimin e perjetshem per Marjan Rrokun, zbulon disa te paverteta ne rrefimin e tij. Sipas deshmitareve, ne letren qe Alda Canaj i dergoi Marjan Rrokut nuk kishte asnje ofendim. Pervec kesaj ne momentin e vrasjes, Mbarime Canaj nuk e kishte qelluar me çante.


Marjan Rroku i dënuar me burgim të përjetshëm, nuk është treguar i sinqert në intervistën dhënë moderatorit Ardit Gjebrea, nga qelia e burgut të Sigurisë së Lartë në Fush-Krujë.
ABC News ka arritur të sigurojë një kopje të vendimit të Gjykatës së Tiranës, vendim ky që ka mbetur në fuqi edhe në shkallët të tjera të gjyqësorit. Në vendimin 5 faqesh, tre gjyqtaret Medi Bici, Altin Abdiu dhe Elvis Kotini kanë renditur me detaje rrethanat e njohjes mes viktimës dhe të pandehurit, debatet mes tyre, dëshmit e personave të ndryshëm si dhe provat dhe faktet që bindën togat e zeza për dënimin maksimal të ish-agjentit të SHIK-ut.
Duke krahasuar rrëfimin e 42 vjeçarit në emisionin e “Diela Shqiptare” dhe vendimin e gjykatës, konstatohen lehtësisht mashtrimet e Marjan Rrokut para moderatorit Gjebrea.
Por ndryshe thuhet në vendim, ku gjykata bazuar në dëshmi dhe prova thotë se Marjan Rroku kishte miqësi të ngushtë me viktimën për të cilën shfaqte shenja të theksuara xhelozie.
Ish-agjenti i SHIK i tha moderatorit Gjebrea se nuk e kishte prekur me dorë viktimën dhe pjesëtarët e familjes së tij, duke pretenduar se ata e kishin kërcënuar.
Edhe për këtë Marjan Rroku nuk thotë të vërtetën, pasi gjykata ka konstuar se 4 muaj para vrasjes, ish-agjenti e ka rrahur Alda Canaj duke i dëmtuar edhe fytyrën. Pre e dhunës së tij, ka qenë edhe babai i viktimës, i cili është rrahur vetëm një muaj para vrasjes së vajzës 16 vjeçare.
Shkak për vrasjen thotë Marjan Rroku ka qenë një letër fyese që Alda Canaj i ka shkruar ish-agjentit të SHIK-ut.
Por në letrën që gjykata e ka administruar si provë, thuhet vetëm “nuk të shikoj dot me sy, nuk të duroj dot”.
Edhe ditën e ngjarjes, Marjan Rroku pretendon se i ka takuar rastësisht viktimat dhe pasi e ka qëlluar me çantë ai ka reaguar duke i vrarë.
Në vendim, thuhet se i pandehuri përveç se e ka njekur, terrorizuar e dhunuar për 12 muaj vajzën, ditën e ngjarjes është konfliktuar me rojën e shkollës që nuk ka lejuar të hyjë për të takuar 16 vjeçaren pa dëshirën e kësaj të fundit. Më pas ka zbritur në zonën e Zogut të Zi, ku i ka pritur në oborrin e palestrës sportive “Asllan Rusi”, nënë e bij, Mbarime dhe Alda Canaj. Sapo janë shfaqur në oborrin e palestrës, është shfaqur Marjan Rroku i cili ka shkrepur në drejtim të tyre 7 herë pistoletën e punë.
Në vendim, nuk thuhet se ka qëlluar me çantë nëna 16 vjeçarese i cila brenda saj kishte një abone, një shami dhe 330 lekë dhe asnjë send të paligjshëm sic kanë pretenduar avokatët gjatë procesit gjyqësor.
Bazuar në rrëfimin jo të sinqertë të ish-agjentit të SHIK-ut krahasura me arsyetimin e Gjykatës, kjo e fundit ka justifikuar vendimin e dënimit capital për
Marjan Rrokun.

Të vërtetat e torturave dhe vrasjeve të Marjan Rrokut"


  • Vijon beteja publike me vrasësin e nënës dhe të motrës së saj. Si i kërcënonte, duke iu thënë se: Më mbron Fatos Klosi. Rrëfimet në televizion dhe në “Facebook” të vajzës që iku në Amerikë në kërkim të oficerit të SHIK-ut dhe si marshallët amerikanë i dhuruan prangat e arrestimit të Rrokut
Nga Nikoleta Kovaçi

Rikthimi i një historie krimi (për vendin tonë jo e pazakontë), që ka tronditur 15 vite më parë gjithë opinionin publik, trondit sërish njësoj si atëherë. Tashmë janë një sërë faktorësh që e bëjnë të frikshme, jo vetëm historinë horror të vrasjes së nënë e bijë nga një djalë, i cili ishte i punësuar në strukturën e shpëtimit të vendit, por madje edhe pakuptimësinë e një rrëfimi të një personi që ka vrarë dhe ka vrarë me vetëdije të plotë; në mes të ditës e në mes të Tiranës. E nëse në atë kohë, historia e vrasjes së Aldës dhe nënës së saj, Mbarimes, zëvendësohej shumë shpejt me ndonjë krim po aq horror dhe mizor, që ndër ne shqiptarët nuk ka munguar prej afër dy dekadash, dalja në ekran e Marjan Rrokut, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e Fushë-Krujës, ka ngjallur një betejë të vërtet reagimesh. Po ndërsa qytetarët që përbëjnë opinionin e kësaj historie janë ndarë ekstremist në dy anë, duket se personi i vetëm që vijon betejën me kohën dhe dhimbjen është pikërisht motra e Aldës dhe bija tjetër e Mbarimes, e cila nuk mundi dot ta shpëtonte jetën e Aldës, as me vdekjen e vet. Ornela, e cila prej shumë vitesh jeton në SHBA, në fakt e ka fituar betejën me ligjin dhe vrasësin, por rikthehet sërish në qendër të asaj që është edhe boshti i ekzistencës së saj; të çuarit në fund të drejtësisë për vrasjen e nënës dhe të motrës nga Marjan Rroku.

Kundërpërgjigja

“E hapa këtë faqe për të nderuar kujtimin e motrës dhe nënës sime. Pasi pashë intervistën te “E diela shqiptare” që u dha në TV Klan më 28 Shkurt 2016, vendosa të hap këtë faqe, të tregoj faktet dhe të informoj publikun për të vërtetën e vetme që qëndron pas vrasjes se pamëshirë të Mbarime dhe Alda Canaj. Dua t’ju bëj të ditur njerëzve, se kush është në të vërtet Marjan Rroku; ai nuk është vetëm një vrasës, por një psikopat sadist që i paramendoi dhe në mënyre metodike i arkitektoi këto vepra të ulëta”. Me një mesazh në “Facebook” e nis betejën e mbrojtjes, tashmë të vdekjes së nënës dhe të motrës së saj, Ornela Canaj. Ajo, përveçse di gjithçka, tashmë edhe posedon gjithçka në lidhje me aktin makabër të vdekjes së nënës teksa mbulonte me trup të bijën dhe që plumbat që kalonin në trupin e saj, i morën jetën edhe Aldës 16 vjeç!

Bija dhe motra e viktimave të 15 viteve më parë, i kujton opinionit publik shqiptar gjithçka ka ndodhur për vite me radhë, që nga njohja me Rrokun e deri tani, kur ai në një rrëfim, tregon një tjetër version për ngjarjen, edhe pse tashmë ai e ka të humbur betejën me lirinë e tij, pasi është i dënuar në formë të prerë me burgim të përjetshëm. “Marjan Rroku vendosi të thotë versionin e shpikur të ngjarjeve dhe harroi të përmendte se si çdo mëngjes ai priste motrën time të vogël te dera e jashtme e shtëpisë dhe e përndiqte. Ai e ndalonte çdo ditë Atë rrugës për në shkollë,  dhe kur kthehej nga shkolla, për t'i treguar që ajo ishte e tija dhe ajo nuk duhet t'i drejtonte sytë nga asnjë mashkull tjetër”.

Vrasësi Rroku 

Ornela, në një reagim të saj në faqen që ka hapur enkas për të vërtetën e vrasjes së nënës dhe të motrës së saj, tregon se si ishte në të vërtet personi që qëlloi në oborrin e pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në marsin e 2001-shit. “Në moshën 27-vjeçare, Rroku, nën shënjestrën e armës, e ndaloi Aldën e pambrojtur, 16 vjeç, duke e detyruar atë me forcë të vendoste që ose të shkonte me të, ose do të vdiste. Rroku nuk ndaloi me kaq, po qëlloi dhe babanë tim, dhe na vuri në shënjestër të gjithëve si familje, edhe pse ne ndërruam dy shtëpi brenda dy muajsh. Rroku i mori çdo grimcë të jetës sime motre para se ta vriste. Për muaj me radhë familja jonë u përndoq dhe torturua fizikisht dhe mentalisht nga ky kriminel që fshihej nën titullin e tij zyrtar si punonjës i SHIK. Denoncim pas denoncimi në rajonin nr.1 e rajonin nr. 2 të policisë në Tiranë. Gjashtë denoncime të depozituara që pasqyronin 6 episode të ashpra dhune”. Me fjalinë e fundit, Ornela, përveç të vërtetës së asaj dhune brutale që demonstronte njeriu i ligjit, tregon edhe se sa e pafuqishme ishte policia e asaj kohe, për të marrë në mbrojtje një familje që kërcënohej nga oficeri që mbahej me taksat e shqiptarëve!

Kur Marjani na kërcënonte thoshte: Mua më mbron Fatos Klosi

Ornela Canaj, vajza dhe motra e dy viktimave të Marjan Rrokut, ka preferuar të flasë edhe ajo për kamera për të thënë publikisht jo vetrëm të vërtetën mbi fatkeqësinë e familjes së saj por edhe për të hedhur poshtë atë çfarë pretendonte në intervistën e vrasësit të motrës dhe nënës së saj. Në rrëfimin në emisionin “Dritare”, ajo ndalet pikërisht te rruga e saj për gjetjen e këtij personi që i vrau nënën dhe motrën: “Unë shkova në Amerikë sepse e dija që ai ishte atje. E dija që ai fshihej pas një kompanie amerikane dhe më mund të ishte atje. Rudina, ka disa arsye që ishte një dalje e tij. Kije parasysh që kjo nuk është hera e parë që shikoj veprime manipuluese të Marjan Rrokut. Në çdo vend ku kemi qenë ka dalë një histori e ndryshme. Kur dëgjova intervistën, dëgjova për pendimin e Marjanit. Nuk e besoj se ai është penduar. Nëse pendohesh, atëherë pse nuk dërgove një letër, por dole në televizion. Pashë që shumë njerëz shkruanin që ai duhej të kërkonte falje. Ishte një emision mediokër, që nuk është bazuar në fakte, por në pretendimet e një krimineli. Ardit Gjebrea e lakoi emrin tim!”

Ndërsa në lidhje me faktin se si nisi dhuna ndaj motrës së saj, ajo e kujton çuditshëm kur është përballur me Aldën e nxirë në fytyrë. Vajza që ka hezituar ti thotë emrin e shokut të tyre të përbashkët dhe ndryshimi i denoncimit pasi Alda nga gfrika ka hezituar të tregojë të vërtetën: “Ne të gjithë ishim në shoqëri. Ditën e parë që mësova se çfarë kishte ndodhur, Marjani kishte kërcënuar motrën. Jetonim në konvikt. E gjeta motrën të shtrirë në shtrat, të nxirë dhe të ënjtur. E pyeta se çfarë kishet dhe ajo më tha se ishte përplasur nga një i dehur në rrugë. I dehuri më tërhoqi, ishte me motor dhe më shtyu’, më tha. Shkuam në polici dhe raportuam por kur u kthyem nga policia, motra më tha: -Ai që ma bëri këtë mua, nuk është i panjohur. Është Marjani, punon për SHIK-un, ka pistoletë dhe më tha, që po ju the njerëzve të familjes do t’i vras të gjithë ata. E denoncuam me emër Marjanin, si punonjës i SHIK-ut. Ai vazhdoi mbas këtij denoncimi, u bë dhe më keq. Erdhën na kërkuan të tërhiqnim denoncimin. Emri i Fatos Klosit dëgjohej nga Marjani dhe Sulejmani (shoku). Gjithmonë thoshte se, “mua më mbron Fatos Klosi”. Por mbas gjithë denoncimeve dhe përpjekjeve nuk u mbajt përgjegjësi pas këtyre veprimeve. Motra ime u torturua”.

Ndërsa në lidhje me pendesën e vrasësit të nënës dhe të motrës së saj, Ornela këmbëngul se në fakt ai nuk është penduar se nëse do ishte ashtu, së paku nuk do të sajonte histori të tjera. Motra është dëshmitare e të gjitha përpjekejeve të tij për t`i shpëtuar ekstradimit drejt vendit tonë, po ashtu siç edhe rrëfeu se përse nuk e ka hapur asnjehërë historinë e vrasjes së nënës dhe të motrës nga Marjan Rroku. Ajo është personi që e gjurmoi vrasësin në Amerikë dhe madje edhe ndihmoi hetimin vendas të shkonte tek personi i saktë, ndërsa kujton se: “Doja pak drejtësi për nënën dhe motrën time që kujtimi i tyre të mos përbaltej dhe mendoja që të rrija larg medieve. Pas arrestimit të tij dhe dërgimit për në Shqipëri mendova se gjërat së paku shkuan deri diku në vendin e vet, por ai tashmë mi vrau për së dyti”. Vajza dhe motra e viktimave të fundmarsit të 15 viteve më parë, prej më shumë se 24 orësh vijon betejën në rrjetet sociale pas ridaljes në skenë të vrasësit të njerëzve të saj.

Ja si m’u vranë nëna dhe motra

Nga Amerika, në përgjigje jo vetëm për vrasësin e njerëzve të saj, por edhe për të gjitha ata që besojnë në versionet për atë ngjarje që ka dhënë nga qelia Marjan Rroku, Ornela ka shpjeguar momentet e fundit të asaj ç`ka do të thotë të ndahesh përjetësisht nga nëna dhe motra se t`i ka vrarë një i njohur: “Më 29 Mars 2001, Marjan Rroku gjakftohtësisht qëlloi shtatë plumbat që vranë mamanë dhe motrën time. ‘Ishte një skenë e tmerrshme’, i tha një dëshmitar policisë. Mami që mundohej të mbronte Aldën, duke përdorur trupin e saj si mburojë dhe Alda që përpiqej t’i dilte para mamit që ta mbronte nga plumbat. Pasi jua mori jetën dhe i la të shtrira njëra mbi tjetrën në mes të “Pallatit të Sportit”, u zhduk paburrërisht dhe u fsheh në Amerikë, duke u përpjekur t’i shmangej dënimit për krimin e pamëshirshëm që kreu. U bënë pothuaj 15 vjet që nga dita që i pashë mamin e Aldën për herën e fundit. Ky monstër i ka kushtuar vetëm vuajtje e lot familjes sime. U munduam me ç’kishim të gjejmë drejtësi. Pasi pashë emisionin, ndihem se mami dhe motra ime u vranë, sërish, për herë të dytë”.

Arrestimi i Marjan Rrokut

Për të vënë në pranga Marjan Rrokun, marshallit amerikan Kevin Konolli iu deshën 6 vjet investigim. Pas vrasjes së dyfishtë në 29 mars 2001, Marjan Rroku u arratis në SHBA deri në arrestimin e tij në 2011-ën. Pas vrasjes makabre të Alda Canajt dhe nënës së saj në marsin e 2001, Marjan Rroku arratiset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Atje ai ndërtoi një jetë të re, ndryshoi emrin, filloi punë dhe krijoi familje. Dhe kjo lumturi për Marjan Rrokun zgjat 10 vjet. Deri kur Kevin Konolli, marshall në SHBA, nis kërkimet për të gjetur të kërkuarin ndërkombëtar Marjan Rroku. Kërkime që zgjatën plot 6 vjet. Kur Konolli filloi kërkimet e tij për Rrokun në 2004, ai nuk kishte shumë të dhëna – vetëm pak zëra që Rroku mund të kishte fluturuar në Shtetet e Bashkuara apo Kanada. Konnolli kishte arsye të besonte se ish-polici i shërbimit sekret shqiptar kishte akses për dokumente false, kështu që edhe nëse ishte duke u fshehur në SHBA, ai presupozonte se ai ishte me emër fals. Konolli u takua edhe me motrën e Aldës. Ai mbajti lidhjet me Ornelën, një rezidente në Virxhinia që tashmë është një qytetare e SHBA-së dhe kuptoi sesa e rëndësishme ishte për familjen e saj që Rroku të çohej përpara drejtësisë.  Një ndihmesë e madhe për marshallin Kevin Konolli për të gjetur Marjanin ishte edhe publikimi i fotos së tij në emisionin “Më të kërkuarit e Amerikës”. Dhe pas një investigimi më të plotë, ai mbërriti në dyert e Rrokut në “Queens County” në mëngjesin e shtatorit të 2011-ës. Pas 10 vitesh arrati, Marjan Rroku arrestohet. I arratisuri jetonte në një apartament me gruan e tij dhe një djalë të ri. Gruaja e Rrokut mesa dukej e njihte atë vetëm nga emri i dytë Jeton “Tony” Mirakaj dhe nuk ishte në dijeni se ai kërkohej për vrasje. Ditën pasi Konolli e arrestoi, ai ndaloi në Virxhinia për të takuar Ornelën. I solli një dhuratë: prangat që përdori kur kishte arrestuar Rroku.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...