Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/05

Kujtimet e Gjakovës në librin e Esad Dujakës

I botuar nga “Jalifat Publishing”, autori që në fillim të librit ka pas kujdes që pikërisht duke u bazuar në atë se libri sjell kujtimet mbi këtë qytet të vjetër, atëherë ta kujtojë këtë qytet edhe me dedikimin mbi figura të njohura shqiptare që ka nxjerr pikërisht ky qytet, duke u nis prej atdhetarëve e deri te mendjet e ndritura që ka nxjerr Gjakova
Qyteti i Gjakovës i futur në shpirtin e Esad Dujakës rrjedhshëm vjen edhe deri te lexuesi, pikërisht nëpërmjet librit me kujtime “Libri i Gjakovës”, që është prezantuar më herët edhe nëpërmjet promovimit.I botuar nga “Jalifat Publishing”, autori që në fillim të librit ka pas kujdes që pikërisht duke u bazuar në atë se libri sjell kujtimet mbi këtë qytet të vjetër, atëherë ta kujtojë këtë qytet edhe me dedikimin mbi figura të njohura shqiptare që ka nxjerr pikërisht ky qytet, duke u nis prej atdhetarëve e deri te mendjet e ndritura që ka nxjerr Gjakova. 
Nis me “Vitet e Rinisë”, ky libër i autorit Dujaka që ka një rrëfim të lehtë për ti bërë këto kujtime më të këndshme jo vetëm për qytetarët e Gjakovës, kapitull ky që më pas ka një shtrirje nëpërmjet rrëfimeve si në:  “Efednija dhe Kaja”, “Protesta për Trieshtën”,”Varret e natës”, “Deva dhe Kraleva”, “Kënga dhe humori”, “Mazllomi dhe Kosara”, “Burgosja e Tekiut” ...
 
Libri “Libri i Gjakovës”, më pas vazhdon edhe me kapitullin “Vitet e Rilindjes”, që përfshin fillet e punës së autorit të këtij libri në gazetën “Zëri”, e deri te “24 Marsi- jetë e ndarë në dyshe”, për ta përmbyllë këtë libër kujtimesh me kapitullin e fundit”Jeta është luftë”, kapitull ky që përfshinë edhe përvojën e autorit me problemet shëndetësore, por jo vetëm të tij por edhe të bashkëshortes së tij.
Esad Dujaka ka lindur më 15 qershor të vitit 1945 në Gjakovë. Libri “Libri i Gjakovës”, është libri i tij i tretë.

Dosja e munguar e FBI për Gabriel Garcia Marquez

Byroja federale ndër vite mblodhi informacione mbi tashmë të ndjerin Marquez. Hulumtimi ndaj tij zgjati për plot 24 vjet, edhe pasi shkrimtari u bë i njohur ndërkombëtarisht dhe u nderua edhe me një Nobel në Letërsi.
“Washington Post” ka raportuar se në vitin 1961, nën udhëheqjen e J. Edgar Hoover, FBI hapi një dosje konfidenciale mbi Gabriel García Márquez, në atë kohë 33-vjeçar; autori kolumbian që më vonë do të shkruante kryeveprat e letërsisë botërore “Dashuri në kohërat e kolerës”, “100 vjet vetmi” dhe vepra të tjera të realizmit magjik.
Byroja federale ndër vite mblodhi informacione mbi tashmë të ndjerin Marquez. Hulumtimi ndaj tij zgjati për plot 24 vjet, edhe pasi shkrimtari u bë i njohur ndërkombëtarisht dhe u nderua edhe me një Nobel në Letërsi.
Pas kërkesës së “Washington Post”, FBI nxori 137 faqe të dosjes, por për arsye ende të panjohura nuk u lejuan 133 faqet e para të dosjes. Dokumentet e dosjes zbulojnë se agjentët e FBI-së ngacmonin shpesh anglishten e varfër të shkrimtarit kolumbian. Në dosjen e bërë publike nuk kuptohet arsyeja e interesit të FBI-së ndaj autorit, por spekulohet se survejimi mund të ketë ardhur për arsye të pikëpamjeve të tij të majta dhe miqësisë me diktatorin kuban Fidel Kastro.
Nën drejtimin e Hoover, FBI survejoi disa shkrimtarë, përfshirë Ernest Hemingway and John Steinbeck. 

Librat e shkrimtarit Ismail Kadare, në shtëpinë e hebreut amerikan Michael Shaoul në New York

“Përveç mikpritjes me ushqime tradicionale hebreje ajo që më bëri përshtypje ishte libraria e pasur e Michael Shaoul. Në raftin e librarisë së tij ishin disa nga librat e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. U ndjeva shumë mirë kur pashë këto libra të shkrimtarit tonë të madh”, tha botuesi Bajrami.

Dihet që librat e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe lexohen në mbarë botën. Mirëpo, është gjithmonë një surprizë e këndshme kur gjen shembuj konkretë të këtij fenomeni.
Kështu ndodhi për botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, në shtëpinë e një çifti amerikano-hebre, në Manhattan, New York. Dr. Nirit Weiss dhe Michael Shaoul kishin shtruar një darkë me rastin e shabatit, për veprimtarë e miq të Komitetit të njohur Hebre Amerikan (American Jewish Committee).
“Përveç mikpritjes me ushqime tradicionale hebreje ajo që më bëri përshtypje ishte libraria e pasur e Michael Shaoul. Në raftin e librarisë së tij ishin disa nga librat e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. U ndjeva shumë mirë kur pashë këto libra të shkrimtarit tonë të madh”, tha botuesi Bajrami.
Vehbi Bajrami ka një bashkëpunim të gjatë me American Jewish Committee, me sponsorizimin e të cilit, ka bërë edhe një udhëtim në Izrael, pas të cilit ka botuar edhe një libër “Udhëtimi im në Tokën e Shenjtë”. Për shkak të interesit, libri është ribotuar dy herë edhe në gjuhën angleze.
American Jewish Committee është i njohur për shqiptarët sidomos për ndihmën që kanë dhënë për refugjatët nga Kosova në vitin 1999, për mbështetjen dhënë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe për dënimin publik të spastrimit etnik të organizuar nga regjimi i Millosheviçit.

Rrëfimi lirik i Adil Ollurit

Ky roman lexohet deri në germën e fundit. Ai të prek, të mallëngjen dhe shërben si një leksion empatie, dashurie për dhimbjen e gëzimin e tjetrit dhe kjo s’është pak për kohët tona egoiste dhe narciste.
Rezart PALLUQI
Shekulli ynë duhet të rikthehet për pakëz në periudhën klasike kur njeriu e mbante një vesh të ngrehur për dhimbjen, dertet dhe gëzimet e tjetrit. Këtë e bën Adil Olluri në romanin e tij të parë. Ai sjell dy risi pra. E para është narratori i vetes së dytë “Ti”. E dyta është rrëfimi i fuqishëm lirik që e përshkon romanin tejpërtej. Rrëfimi lirik i Ollurit nuk është klasik, as vajtues me tepricë romantike. Lirizmi i tij është në totalitet humanist. Do të thosha se Olluri e vetëflijon personazhin kryesor, Bardhylin që me veshin e tij të durueshëm e ndjek si një Zot i dhimbshëm personazhin tjetër që vuan, Valdeten dhe harron dhimbjen e hallet e tij.
Teksa po e lexoja romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë” mendja më shkoi në romanet e nobelistit Modiano, ku ai i përkushton me aq durim, detaje dhe dashuri “jetës” së personazheve të tij.
Kjo ndodh edhe në romanin e Ollurit. Çdo lëvizje e Valdetes dhe vajzës së saj observohet dhe gjykohet me dashuri të madhe. Romani na shpalos aq trishtë dhe thershëm periudhën e luftës në Kosovë në vitin 1999, si dhe zbrazjen e saj prej diktatorit Millosheviç. 
Në kohë lufte bota e njeriut nuk është më e madhe se një dritare. Prej dritares së dhomës së pritjes e ndjek personazhi kryesor luftën. Në kokë ai bluan frikën dhe tmerrin që të ngjallin vrasjet, arrestimet, rrahjet e luftës e njëkohësisht planin për t’u arratisur pa ngrënë ndonjë plumb në kokë. 
Dritarja që përmendet dhjetëra herë në roman zëvendëson diellin, lirinë. Prej së njëjtës dritare, Bardhyli dhe Valdetja kundrojnë qytetin i cili tashmë patrullohet. Malli për qytetin e lirë dhe të qetë para një viti i djeg ata orë e minutë, megjithëse ky mall nuk përligjet plotësisht ngaqë Kosova edhe para një viti nuk ka qenë e lirë por nën tutelën e Serbisë. 
Qyteti i zhytur në luftë tashmë është shndërruar në një cigare të cilën Bardhyli e flakëron ndër buzë i hidhëruar 
Se sa e hidhur është jeta në kohë lufte e vërejmë rregullisht në fijen e shkrepëses që ndizet në mes të natës, kafetë që personazhi i pi pafund. Monologjet e tij të parrugëdaljes. Sidoqoftë ai përpiqet që shpresën ta mbajë të gjallë duke e shikuar bibliotekën dhe duke marrë me vete librat më të vyer e më të çmuar.
Skena më e bukur e pjesës së parë është momenti kur një shqiptar me uniformën e ushtarit dëbon me dhunë një serb dhe Bardhyli e kundërshton. Këtu hiqet një paralele e bukur dhe na bën të kujtojmë shprehjen e urtë se gjatë luftës të gjithë derrat një turi kanë, qofshin ata shqiptarë, serbë apo grekë. Kjo vlen edhe për faktin që fqinji serb i shpie shqiptarët me veturën e tij në stacionin e trenit, çka nënkupton se Serbia mund të çlirohet nga sindroma psikike ndaj Kosovës, vetëm nëse ajo distancohet vetë nga ajo dhe jo duke e detyruar atë me dhunë si në rastin e NATO-s. 
Autorin e gjejmë në roman në dy forma. Atë letrare mbasi Bardhyli del të ketë shkruar edhe libra. Dhe në formën shpirtërore, formën rrëfimore të vetës së dytë. Aty siç e thashë qysh në fillim ndeshim një lirizëm dhe empati tërësisht letrare, mëmësore dhe bashkëpërjetuese. Për të shmangur prozën monologuese autori e ngjiz romanin edhe me dialogje të shkurtër dhe të zhdërvjelltë. Dialogu sado që dallon për zhbllokimin shpirtëror të njeriut në roman ai mbetet brenda mureve të shtëpisë.
Konfliktet ose mosmarrëveshjet familjare vërehen në debatin që Bardhyli bën me Valdeten rreth vëllait të saj, Petritit. 
Aspekti kohor këtu merr frymë jo në fushën e shekujve por sekondave, minutave dhe orëve. 
Ja një pasazh i vogël që e ilustron këtë:
“Kështu që përgjigjen e saj e prisje me një lloj pezmi dhe ajo nuk vonoi as shtatë sekonda e gjysmë.”
“E ndeze cigaren pas pesëdhjetë e nëntë minutave e pesëdhjetë e nëntë sekondave!”
Kjo vjen prej izolimit të luftës. Atëherë përjetësia nuk është më e gjatë së 24 orë. Mbi dhjetë herë koha këtu përshkruhet me minuta dhe sekonda. Lufta ta mpin kujtesën dhe ta shkatërron retrospektivën. 
Në pjesën e dytë përshkruhen deri në detaj andrallat e arratisjes nga vendi ku të leu koka. Arrestimi i profesorit në tren përjetohet me dhimbje. Pushtuesi gjithnjë fut në shënjestër ajkën intelektuale sepse atëherë mund ta gjunjëzojë më lehtë një popull. 
Edhe skena kur dikush merr qenin me vete, ilustron mizorinë shpirtërore kur i kthen kurrizin shtëpisë ku u rrite duke të dashur të marrësh me vete deri dhe koliben e qenit.
Gjatë largimit nga Kosova, Bardhylin e sfilit ankthi i ndonjë arrestimi të mundshëm ngaqë ai shkruan poezi edhe për lirinë. 
Realitetin politik shqiptar Olluri di ta përshkruajë në pak fjalë dhe mjeshtërisht si më poshtë, ku konkludon se shqiptari luhatet midis dy poleve ekstreme: ose poshtërohet skajshmërisht ose zgjedh rrugën e dembelit, llafollogjisë së kafeve, aq të famshme në Shqipëri, ndërkohë që shqiptari duhet të përveshë mëngët e të punojë me zell e nder.
Më herët kishin qenë pjesë e një partie politike, por të dytë kishin dhënë dorëheqje për arsye krejtësisht të ndryshme. Hyseni hoqi dorë se nuk pajtohej me politikën se “kur polici të flakareshon në faqen e majtë, ti duhet t’ia kthesh atij edhe të djathtën, vetëm e vetëm që të mos e hidhërosh atë”. Ndërsa, Bedriu hoqi dorë se nuk pajtohej me oraret e mbledhjeve që kishte caktuar dega partiake e lagjes, e që përkonin me kohën kur ai zakonisht dilte për të pirë (f. 64).
Gjuha e Ollurit i përkon asaj të tregimeve të tij. E pasur me fjalor shqiptar si dhe fjalë të përbëra që shpesh të nguliten në tru dhe thua: sa e pasur që është gjuha shqipe dhe sa pak që ne e përdorim atë? 
Ja disa fjalë: shpuzoroja, dyrrotaku, rrangallë lëvizëse, lumëkaluesja, hekurlëvizësi, vendshkelja, vendlotim, shtirak etj. Fjalën “vendlotim” unë do ta shpallja fjalën më të bukur të gjuhës shqipe dhe reflektuese të realitetit shqiptar. 
Gjuha e tij nuk është artificiale dhe kjo s’është pak. Madje do të thosha është një ndër kolonat më të forta të tempullit prozaik. Ai të bind për atë çka shkruan. Dhe këtu bëhet dallimi i madh i gjuhës letrare prej asaj përdëllyese politike. 
Sinqerisht, kam lexuar romane shqiptarë me estetikë/stilistikë të lartë, por përjetim mjaft të rremë. Kjo lloj proze i ngjan atyre zonjushave që flasin me etikë marramendëse, janë të veshura si mos më mirë, por zemrën e kanë më të vogël se të një miu, paçka se shtiren sikur përjetojnë dhimbjen ose gëzimin e tjetrit. Shqiptarit që kalamendet në udhëkryqin psikosocial nuk i nevojitet proza që kanë qëllim vetëm stilistikën, por ajo që të lëvron shpirtin dhe të kthjellon mendjen. 
Romani e ka shtratin e ngushtë, me pak linja anësore por kjo ndoshta justifikohet me përkufizimet sociale që të sjell lufta.
Olluri i shmanget gabimit ku kanë rënë 90% të shkrimtarëve të rinj: romanet e tyre debutante janë mjaft volumniozë, pa strukturë ose bashkëngjisin dy romane në një. Olluri ka zgjedhur për rrugën e sigurt. Prej shtratit të tregimit ai u hodh në shtratin e novelës. Kështu ai solli një ndër romanet e pakta debutante që nuk lëngon prej mangësive të lartpërmendura. 
Ky roman ia vlen të lexohet, ngaqë ai vjen me një ulërimë ndaj kujtesës sonë mjaft të dobët e vetvrasëse. Olluri duket sikur do të na rifreskojë kujtesën duke na sjellë lëngimet, streset, pasiguritë e gjakun që u derdh për një Kosovë të lirë e të begatë për të gjithë. Për fat të keq jo vetëm brezat e rinj, por edhe brezat që luftuan përkrah UÇK-së, po e tregtojnë lirinë e shumë-ëndërruar, pak e nga pak për përfitime personale. 
Mendoj se ky roman ose kjo novelë do të kishte pasur vlera më të mëdha letrare nëse aty do të ishin gërshetuar dy ikje: Ikja e shqiptarëve nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s dhe ikja e shqiptarëve nga Kosova vitin e shkuar. Sepse atëherë do të ishin sjellë dy lloj diktaturash. Në këtë rast, ajo serbe dhe ajo brendashqiptare. Diktatorët kanë një fytyrë. Madje shpesh njeriu yt është më i egër dhe i pamëshirshëm se sa i huaji. 
Ky roman lexohet deri në germën e fundit. Ai të prek, të mallëngjen dhe shërben si një leksion empatie, dashurie për dhimbjen e gëzimin e tjetrit dhe kjo s’është pak për kohët tona egoiste dhe narciste. I uroj kolegut tim, Adil Olluri nga thellësitë e shpirtit sa më shumë suksese të tjera në prozë.


(Autori i këtij shkrimi është romancier. 
Jeton në Amsterdam, Holandë)

Thirrje për tekste në librin ‘Hartëzimi i Kujtesës në Kosovë’

Redaktoret: Nita Luci, Linda Gusia, Vjollca Krasniqi.
Ftohen akademikët, studentët, hulumtuesit, praktikuesit, artistët, dhe autorët e tjerë të interesuar, të dorëzojnë tekstet dhe/ose versionet e shtypura të punës së tyre që të publikohen në librin Hartëzimi i Kujtesës në Kosovë: Historitë, Hapësira dhe Kujtesa.
Ky libër është rezultat i projektit tre-vjeçar – bashkëpunim ndërmjet forumZFD - Programi në Kosovë, Alter Habitus - Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë, dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës – i titulluar “Hartëzimi i Kujtesës në Kosovë”.
Një nga qëllimet e këtij libri është t’i rishqyrtojë temat dhe diskutimet që ishin pjesë e Atelieve për Hartëzimin e Kujtesës. 
Temat e atelieve, të listuara më poshtë, paraqesin përmbajtjen kryesore të librit:
• Kujtesa private dhe publike: Ndërmjet arkivit dhe pjesëmarrjes 
• Kujtesa e kontestuar: Ndërmjet materialitetit, tekstualitetit dhe performativitetit të së kaluarës
• Hapësirat e shtetit: Nga socializmi në shoqërinë paralele
• Ndërmjet Orientit dhe Oksidentit: Historia, trashëgimia dhe politika
• Historia shoqërore e qytetit: Puna, kultura dhe politika 
• Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë: Memorializimi dhe arti 
• Ngritja dhe rënia e rezistencës paqësore në Kosovë: 1990 - 1999
Redaktoret: Nita Luci, Linda Gusia, Vjollca Krasniqi.
Libri do të publikohet nga Universiteti i Prishtinës.
Afati i fundit për dorëzimin e teksteve (2500-5000 fjalë, duke përfshirë referencat) është 30 mars 2016. Pranohen tekstet me bashkë-autor dhe veprat artistike. Tekstet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe, angleze ose serbe. Ju lutem dërgoni tekstet në këtë email adresë: memorymappingkosovo@gmail.com 

Sir Noel Malcolm: Ballkani ka probleme me tekstet shkollore të historisë, ndikon politika nacionaliste

Pasi kishte dëgjuar fjalimin e Milosheviçit dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e pjesëmarrësve në atë miting, historiani britanik kishte konkluduar se “diçka ishte shumë gabim në këtë mes”.

Në një bisedë në misionin diplomatik të Kosovës, në Londër, në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, historiani dhe studiuesi i njohur britanik, Sir Noel Malcolm deklaroi se, Ballkani ka ende probleme me tekstet shkollore të historisë, pasi ato e pasqyrojnë të kaluarën ashtu siç dëshiron politika nacionaliste, por një gjë e këtillë nuk është e shëndetshme për të ardhmen e popujve të rajonit.
Në takimin ku merrnin pjesë ish-diplomatë britanikë, deputetë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë dhe Kosovës në Londër, Sir Malcolm, duke folur për politikën e jashtme britanike për Ballkanin deri në kohën e Milosheviçit, theksoi se duhej vërtetuar që përkrahja britanike për Serbinë ishte ndërtuar mbi gënjeshtrat, që kishin sajuar historianët serbë dhe politika serbe.
Sir Noel Malcolm, hulumtues i lartë shkencor në Universitetin e Oxfordit dhe anëtar i Akademisë Shkencore Britanike, ka folur edhe për punën e tij të historianit, e cila në botë vlerësohet maksimalisht e për të cilën në vitin 2014, Mbretëresha Elisabeth II e ka dekoruar me titullin “Sir”.
Si student dhe si gazetar në revistën e famshme politike “The Spectator”, e më vonë në “The Telegraph” të Londrës, Sir Malcolm kishte udhëtuar në disa vende të Ballkanit, përfshirë Turqinë, dhe kishte mësuar gjuhët e tyre, përfshi dhe shqipen.
Në qershor të vitit 1989, – tha ai, – kishte ecur në këmbë nga Tetova deri në Prizren, duke i kaluar malet e Sharrit, ku kishte fjetur në shtëpitë e fshatarëve të kësaj ane. Pastaj, më 28 qershor kishte mbërritur në Gazimestan dhe ishte ulur ndër rreshtat e parë, për të dëgjuar “fjalimin historik” të Slobodan Milosheviçit.
Pasi kishte dëgjuar fjalimin e Milosheviçit dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e pjesëmarrësve në atë miting, historiani britanik kishte konkluduar se “diçka ishte shumë gabim në këtë mes”. Sipas tij, politika britanike përkrahte ndryshimet që kishin filluar në Jugosllavi nga Milosheviçi.
Nga hulumtimi i tij shkencor për këtë çështje dolën dy libra, “Historia e Bosnjës” dhe “Historia e Kosovës”, që ndryshuan jo vetëm shikimin në të kaluarën, por edhe kornizën e të menduarit politik për Ballkanin në Britaninë e Madhe.
Duhet theksuar se, Sir Noel Malcolm është kryetar edhe i “Anglo-Albanian Association”, një shoqatë e vjetër e themeluar nga Edith Durham dhe Abrey Herbert, për forcimin e miqësisë mes shqiptarëve dhe britanikëve. Pa punën shkencore të Sir Noel Malcolmit dhe ndikimit të tij në qarqet e “Foreign Office”, – apo Ministrisë së Jashtme britanike, – mendimi politik në Britaninë e Madhe do të ishte në favor të Serbisë, siç ishte në shekullin e kaluar, kurse shqiptarët sot nuk do të ishin në këtë pozitë që janë sot në Ballkan. 

Hasanbegovic, ministër kulture e fashist i radhëve të Ustashëve kroatë

Partia në fjalë, Croatian Liberation Movement (HOP), është ende aktive në Kroaci dhe statistikat e fundit tregojnë për rreth 650 anëtarë. Edhe pse kryeministri i Kroacisë – Orešković, thotë se Hasanbegovic nuk është fashist, duket se zhvillimet e fundit mund të qojnë deri në shkarkimin e këtij personi si Ministër Kulture.

Me datë 22 janar Tihomir Orešković e zgjodhi Zlatko Hasanbegovic si Ministër të Kulturës. Që nga ajo ditë, janë të shpeshta kritikat që merr kroati dhe vetë kryeministri për këtë pozicionim, duke marrë parasysh të kaluarën e Hasanbegovic.
Portal Novosti ka publikuar në anglisht një shkrim ku tregohet mbështetja që Hasanbegovic i ka dhënë Ustashas, Lëvizjes ultranacionaliste, fashiste dhe terroriste kroate e cila funksionoi aktivisht mes viteve 1929 – 1945. Pjesëtarët e saj ishin kryesisht katolikë, nacionalistë kroatë.
Hasanbegovic në vitet e hershme shihet duke përkrahur dukshëm lëvizjen e Ustashëve, duke i quajtur ata heronj dhe martirë, me qëllimin e krijimit të Kroacisë së Madhe, siç ka thënë Ante Pavelic. Ministri aktual i kulturës thotë se të gjitha deklaratat e tij po nxirren nga konteksti, por madje gazetat kroate kanë publikuar fotografi ku Hasanbegovic shihet me kapelën me simbolin “U” për Ustash, lëvizja naziste e Kroacisë në Luftën e Dytë Botërore. Vetë Hasanbegovic i kundërshton këta zëra.
Partia në fjalë, Croatian Liberation Movement (HOP), është ende aktive në Kroaci dhe statistikat e fundit tregojnë për rreth 650 anëtarë. Edhe pse kryeministri i Kroacisë – Orešković, thotë se Hasanbegovic nuk është fashist, duket se zhvillimet e fundit mund të qojnë deri në shkarkimin e këtij personi si Ministër Kulture. Hasanbegovic është historian. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...