Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/04/23

Historia duhet shkruar sipas fakteve, ngjarjeve, vendndodhjes dhe personave pjesëmarrës në to


HISTORIA DUHET TE SHKRUHET
 SPIAS FAKTEVE

Image result for Vilhelm Vrana Haxhiraj


Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Si shkas u bë një shkrim te “Fjala e Lirë” i Prof.Dr. Bardhosh Gaçe dhe MSc Albert Habazaj me temë “Kultura fetare Bektashiane në Vlorë” i datës 31 tetor 2015 ( Fjala e Lirë) dhe gazeta “Dielli”, kurse më 3 nëntor te “Telegrafi”.Për arsye shëndetësore , u mjaftova vetëm me komentin si mëposhtë: te Revista “Fjala e Lirë”, ku shprehimisht kam shkruar:

“Të nderuar Prof Dr Bardhosh Gaçe dhe MSch Albert Habazaj!

Përsa i përket harmonisë fetare dhe vlerat e secilit besim fetar i përgëzoj autorët. Ju respektoj të dyve por nuk jam dakord lidhur me shkrimin e mësipërm të datës 31/10/2015. Ju përgëzoj për evidentimin e harmonisë fetare në Vlorë e kudo në Shqipëri. Veçse historia ndërtohet mbi fakte Historike, ngjarje, vendodhje dhe persona realë, ndryshe ajo do të ngelet e cunguar dhe e tjetërsuar.

Ismail Qemali është babai i Kombit dhe ka vlerat e veta të pakundërshtueshme, por jo të gjitha vlerat i dedikohen kësaj familjeje. Sinan Pashai, dhëndërr i Sulltanit, që u vendos në Kaninë më 1514 për të nënshtruar Kaninë, Labëri-Kurvelesh e Himarë,ishte stërgjysh i familjes Vlora, e cila zanafillën e nisi në Vlorë dhe jo në Kaninë, me ndërtimin e Xhamisë së Plumbit, pasi Veziri i Kaninës u vendos në Vlorë. Ndryshe, sipas traditës ilire që familjet mbanin emrin e vendlindjes, kjo familje do të quhej Kanina dhe jo Vlora.

Sinan Pashai nuk ishte djali i Gjergj Arianitit, sepse erdhi nga Turqia. Gjergj Arianiti kishte tre djemë: Thomai, që u konvertua në muslima me emrin Ali; I dyti dhe më i rëndësishmi Kostandini, Protonoter i Papës, i cili shmangu luftën Franko-romake. I treti ishte Arianiti..

Teqenë në Kaninë e ka ndërtuar familja Frashëri dhe jo familja Vlora. Abdyl Frashëri i shiti pronat e teqesë vetëm për çështjen kombëtare dhe ende në Kaninë këndohet kënga: Abdyl prishe pasurinë një barrë flori”. Sa për dijeni Kusum Babai dhe Uji i Ftohtë janë prona të Kaninës dhe jo të Vlorës, pasi Vlora për kohën ishte liman i Kaninës sipas rëndësisë historiko-administrative.

Teqenë e Kusum Babait nuk mund ta ndërtonte familja Vlora në pronën e dikujt tjetër, që është me tapi që nga viti 1834. Ndaj sot e mëse 10 vite më parë, teqeja e Kusum Babait është në gjyq me pronarët kaniniot legjitim. Nuk di se kujt i shërbejnë këto transformime historike e falsifikime historike të pronësive?!Sinan Pashai ndërtoi xhaminë e Kaninës , kurse xhamia e plumbit në Vlorë iu dedikua Sulltanit të madhërishëm, i cili vizitoi edhe Vlorën.

Ps: Më vonë këtë temë do ta sqarpoj me fakte historike nga autorë të kohës

Me konsideratë !Vilhelme- ky ishte komenti i datës 31-10-2015





Të nderuar bashkëqytetarë dhe studiues, Prof dr. Bardhosh Gaçe dhe MSc Albert Habazaj!Ju respektoj të dyve, por nuk jam dakord lidhur me shkrimin e datës 31/10/2015. Ju përgëzoj për

evidentimin e harmonisë fetare në Vlorë e kudo në Shqipëri. Veçse historia ndërtohet mbi fakte historike, ngjarje, vendodhje dhe persona realë që janë pjesëmarrës me vlera në ngjarjet e ndryshme, në të kundërt ajo do të ngelet e cunguar dhe e tjetërsuar. Pastaj të mos fajësojmë historianët apo kronikanët e huaj për shtrembërimin e historisë, kur ne kemi gabimet e fajet tona.

Ismail Qemali është babai i Kombit dhe ka vlerat e veta të pakundërshtueshme, por jo të gjitha vlerat i dedikohen kësaj familjeje. Sinan Pashai, dhëndërr i Sulltanit, që u vendos në Kaninë më 1514 për të nënshtruar Kaninën, Labërinë-Kurveleshin e Himarën ( një krahinë e panënshtruar), ishte stërgjysh i familjes Vlora, e cila zanafillën e nisi në Vlorë dhe jo në Kaninë, me ndërtimin e Xhamisë së Plumbit, pasi Veziri i Kaninës u vendos në Vlorë. Ndryshe sipas traditës ilire, kjo familje e nderuar do të quhej Kanina dhe jo Vlora.

Pasi lexova materialin tuaj dhe konstatova për sa ishte shkruar , jo vetëm mua , por cilitdo i lind e drejta të bëjë pyetje të tilla:

-Cili ishte Sinan Pashai?!Kush e themeloi Teqenë e Kaninës?Kujt i përket Kusum Babai apo Uji i Ftohtë si pronë?

Tani po flas si bijë Kanine, bijë e njërës nga familjet më të vjetra dhe themeluese të Kaninës. Plus që kam mbi 20 vjet që po studioj për Krahinën Autoktone Jugore, për Kaninën dhe Gjergj Arianitin, pa harruar këtu se këtë temë e kam nisur herët qysh më 1975,kur mbrojta lëndën e Historisë për tu diplomuar me temën “Krahina autoktoone Jugore e Shqipërisë!Paçka se sistemi dhe koha u treguan të padrejtë , unë e rinisa këtë studim kur ndodhën ndryshimet e mëdha politike në Evropë dhe në kampin e lindjes.Te shkrimi i dy autorëve më habiti fjalia:(Sinan Pasha, i biri i Gjergj Arianitit, katragjysh i Ismail Qemalit), të cilën po e sqaroj më poshtë.



* Lind pyetja se, kush e themeloi teqenë e Kaninës?

Historikisht themeluese e Teqesë së Kaninës është familja Frashëri dhe si pronë të teqesë kishin Zvërnecin,ose (Triport e Protonovë), prona të cilat kjo familje i sakrifikoi për çështjen kombëtare. Pas Traktatit famëkeq të Shën Stefanit, që e ndante Shqipërinë në copa-copa mes shteteve të Ballkanit dhe Evropës, sikur të ishte ajo humbësja dhe jo Turqia në luftën e gjatë ruso-turke. Abdyl Frashëri ua shiti pronën Shehajve që sot jetojnë në Kaninë, të cilët më pas u bënë trashëgimtarë të teqesë. Meqë frashëllinjtë që ishin në Kaninë, nuk lanë djalë trashëgimtarë , thirrën Seit Shehun me dy vëllezërit e tij, nga fshati Bragullac i Beratit, që gjendet në shpatin e malit Tomorr për drejtimin e teqesë. Për shitjen e pronave të Zvërnecit është edhe një këngë perlë, ashtu si roli i familjes Frashëri në historinë tonë kombëtare, ajo ka ngelur si një thesar i historisë dhe kulturës sonë në Rilindjrn Kombëtare e më pas:

“Abdyl prishe pasurinë një barrë flori,

hipe vaporrit e shkove drejt në Gjermani,

dhe Bismarku seç të pyeti:

-Djalo nga je ti?-

Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri,

i rritur në ato male me libra në gji,

Mendohuni mirë ju për Shqipërinë,

Mos e bëni copa- copa sikur s’ka njeri.

S’jemi grekë e as bullgarë, as nga Mali i Zi,

jemi fino shqiptarë që kërkojmë liri…! “

Pasardhësit e familjes Shehu sot janë tre fise, që i kanë ende trojet dhe pronat në Kaninë: Shehu, Myftiu dhe Dervishi.

Për të sqaruar lexuesin se cila është e vërteta, po jap një fragment të shkëputur nga artikulli: “Shqipëri, gëzuar 95 vjetorin e Pavarësisë!”

“…Për vendin e shqiponjave dhe kombësinë e saj, jeta ndër shekuj ishte e vrazhdët, e pamëshirshme, sepse pushtimet e huaja kurrë nuk e lanë të qetë Shqipërinë. Ishin këto arsyet që shumë shqiptarë qysh herët kanë emigruar në vende të ndryshme. Në mërgim sipas traditës së të parëve ata mbanin mbiemrin e vendit ku kishin lindur. Një familje e tillë, ishte edhe ajo Vlora, pinjoll i denjë i së cilës ishte Ismail Qemali. Paraardhësi i kësaj familjeje ishte Sinan Pasha( dhëndër i sulltanit) i cili në shek e XVI-të (viti 1514), u vendos në Kaninë me ofiqin e Vezirit të madh, më pas zbriti në Vlorë në kohën e Sulejmanit të shkëlqyer. Kishte detyrën e kryeadmiralit të flotës, ose siç e quante Porta e Lartë, një Kapedan Pasha. (sipas kronikanit Evliha Çelebi) Si grekët që pretendonin se gëzonin tituj fisnikërie nga prejardhja e tyre semite prej Egjiptit të lashtë, edhe familjet fisnike shqiptare që i shërbenin Portës së Lartë, morën tituj të tillë me prejardhje orientale. Kjo ndodhi edhe me familjen pasardhëse të Sinan Pashait. Prej shek XVI-të deri në shpalljen e Pavarësisë, familja Vlora gëzonte tituj dhe ofiqe të larta të dhëna nga Stambolli, për shërbime ndaj Portës së lartë. Megjithatë ata ishinatdhetarë dhe punuan si shqiptarë të mirë. Për këtë arsye Ibrahim Pashë Vlorën e burgosën dhe e vranë në Janinë. Kur stërgjyshi i Ismail Qemalit, pra Ismail Pasha u thirr në Janinë më 1827 për të marrë detyrën e kryeqeveritarit të Vilajetit, por në të vërtetë i kishin përgatitur një kurth, sepse ai kishte marrë pjesë në luftë më 1821 përkrah Ali Pashës. Sa hyri në portat e pallatit, me njëherë pas shpine u mbyllën dyert. Ndërsa tek zbriste nga kali, u vra pabesisht bashkë me suitën e vetë, ata pak njerëz që e shoqëronin. Atë kohë Tafil Buzi, udhëheqës i kryengritjeve kundër Tanzimatit, syrgjynosur në Ysqyda, i dërgoi Zenel Gjolekës: “Erdhi halldupi i Konjës në vatrën tuaj, ju vrau vëllanë në Janinë, dhe s’u bë për burrë asnjë nga ju t’i merrte hakun”.

Gjoleka iu përgjigj:

“Tafil Buzit të m’i thoni,

Gjoleka s’e turpëroi,

Kaftanazin e martoi,

me të dyja ç’e qëlloi,

nëpër dyzetëmijë shkoi”.-Pasardhësi i këtij atdhetari do të lindëte më 24 janar 1844. Ky ishte Ismail Qemal Bej Vlora.( Vilhelme Vranari Gazeta “Kanina” –Nëntor 2007 )



*Cili ishte Sinan Pashai:

Historikisht sipas kronikanëve të kohës, Çelebiut, Ana Komnenës etje, duke nisur nga Kanina, Gryka e Lumit Shushicë, Labëri , Kurvelesh dhe Himarë nuk iu nënshtruan Turqisë aq më tepër nuk pranuan Islamizimin e tyre. Për këtë mjafton të përmendim Epitafin e Gllavinicës, ku Gjergj Arianiti shkruan se i qëndron besnik Papës përsa i përket besimit të krishterë.Pikërisht për besnikëri dhe për marrëdhëniet korrekte tregtare dhe diplomatike me me Raguzën, Napolin, Venedikun, Papatin dhe Gjermaninë, Gjergj Arianiti u pranua si familje e respektuar në radhët e fisnikëve romak, dhe venecian(shih:Libri i Artë i Familjeve Fisnike të Mesdheut).

Për ta nënështruar këtë zonë, Sulltani emëroi në Kaninë dhëndrrin e tij Sinan Pasha si sanxhakbej, i cili nuk lindi fëmijë me vajzën e tij. U rimartua me një bijë të familjes më të lashtë vendase. Theksoj se Kanina atë kohë ishte një qytet me 300 shtpëpi, me një nga 6 kështjellat më të vjetra të Evropës Jugëlindore e shtrirë në 3,6 ha tokë, ku ende në bazë gërmimeve arkeologjike duken gjurmët e punimeve gjatë pushtimeve perse, romake,venedikase, bizantine dhe osmane (në ndërtimin e mureve), ku bazamenti i kështjellës i përket ndërtimit ilir (D.Komata, N.Ceka” Qyteti iliro- arbëror i Kaninës”).

Që paraardhës i familjes Vlora ishte Sinan Pashai, kjo qëndron. Ai ndërtoi xhaminë e Kaninës, jo teqenë. Teqeja është ndërtuar më vonë. Kurse Xhamia e plumbit në Vlorë i është kushtuar Sulltanit të Madhërishëm.

Por që Sinan Pashai ishte i biri i Gjergj Arianitit kjo është e gabuar, shtrëmbërim e falsifikim i fakteve historike dhe tjetërsim i historisë. Nëse do të ishte nga Kanina, familja nuk do të mbante emrin Vlora, por Kanina. Ish drejtore e Arkivit të Shtetit Nevila Nika, lidhur me origjinën e familjes Vlora ka hedhur hipotezën, e cila bazohet mbi të dhëna ordinere, pa bazë historike.Një pedagoge Historie të flasë pa përgjegjësi nga të dhënat e ndonjë njeriu të rëndomtë që nuk ka kryer fare arsimin e lartë, është e papranueshme. E si mund ta njohë historinë e Kaninës një njeri që i japin titullin historian apo Profesor pa qenë i till? Me gojën e saj përmes thënieve ordinere, pa baza historike, profesoresha Nika ngre në qiell Eqerem bej Vlorën, i cili për kohën ka vlerat e veta studimore, por është i pafalshëm qëndrimi i tij, pasi mohoi identitetin e tij shqiptar. Një historian e ka për detyrë të tregojë të dyja anët e medaljes, të mirat dhe të këqijat e ngjarjes apo të personit. Ndaj historia e Shqipërisë është e gjymtuar sepse historianëve apo shkruesëve të historisë u mungon vullneti për të zbuluar dhe për të thënë gjënë e duhur. Mos vallë siç kthen faqe historia , ndryshojnë mendimin dhe qëndrimin edhe historishkruesit?

Sa për dijeni,Gjergj Arianiti kishte 7 vajza me Marie Muzakën dhe tre djem me Pietranera Tokon (gruaja e dytë e cila solli dy vajza me vete) Djemtë e Gj.Arianitit quheshin Thoma, Kostandin dhe Arianit. Më i rëndësishmi që luajti rol në historinë e Romës së shek XV-XVI ishte Kostandin Arianiti, Protonoter i Papës, Duka i Monferratos, i emëruar Despot i Durrës- Prevezë dhe Princ i Maqedonisë, që vdiq më 1530 dhe është varrosur në Kishën e 12 Apostujve në Romë,për shërbime të larta diplomatike ndaj Romës. Mbi të gjitha vlerësohet nga Papa për nuhatjen politike në Evropën e trazuar ,(ku lufta mes Francës, Romës, Austro- Hungarisë ishte prezente) dhe për shkathtësinë diplomatike të tij dhe fal këtyre dhuntive, Kostandin Arianiti shmangu luftën mes Romës dhe Francës, si dhe duke qenë në marrëdhënie shumë të mira me Maksimiljanin e Gjermanisë.

Kur Pjetranera ( italiane), pas vdekjes së burrit, Princ Gjergj Arianitit, shkoi në Venedik dhe kërkoi përkrahjen e djemëve të saj. Kostandini dhe Arianiti qëndruan në Itali. Djali i madh i Gjergj Arianitit, Thomai, meqë Këshilli i të XII-tëve në Venedik, për shkak të moshës së vogël, nuk i dha titullin e qytetarisë “Senjori”si e kishte i ati, u kthye nga Venediku dhe ndërroi fe me emrin Ali, emrin e të cilit mban çezma e Mademit në Kaninë ose çezma e Ali Beut. Hyri në shërbim të Portës së lartë. Kjo është dega e arianitëve që vazhdon sot me familjen Vrana, e cila ka trojet dhe pronat e saj rreth kalasë së Kaninës.Çuditërisht kjo familje për shkak të martesës së Vajzës së Perandorit bizantin Aleks, qysh nga shek.XIII-të, mban mbiemrin Arianit-Komneni, apo Vrana-Komneni. Të moçmit edhe sot pas gjithë traumave tragjike që kanë kaluar, pinjollët e kësaj familjeje i thërrasin “Komnenë”për shkak të katragjyshes bizantine. Kjo familje edhe pse më e hershme, sot e ruan këtë mbiemër. Po Familja Vlora që është e vonët përse nuk ka asnjë lidhje identiteti me emrin e Kaninës?!

*Kujt i përket Kusum Babai në pronësi?

Pjesën më të madhe të ballkonit mbi Vlorë ashtu si dhe Uji i Ftohtë janë prona të familjeve të vjetra të Kaninës me tapitë e dikurshme. Sepse pas Reformës Agrare dhe shpronësimeve, ata që drejtuan kadastrat bënë transkriptimin e pronave të pronarëve legjitim, duke i tjetërsuar dhe falsifikuar pronarët. Të gjitha familjet e vjetra(themeluese të Kaninës si: Vrana, Bega, Beshaj, Kulaj, Fejzaj, dhe Kocaqi si dhe familjet e vendosura më vonë në Kaninë, ende kanë trojet e tyre, pronat, shtëpitë apo gërmadhat e shtëpive 2-3 katshe prej guri, me tjegulla të kuqe, ku dyert, dritaret, tavanet e dyshemet janë prej druri. Pyes historianët apo pseudohistorianët se ku është trualli i Familjes Vlora në Kaninë? Asnjë copë toke në Kaninë nuk ka emrin e Familjes Vlora. Për fat ky truall ekziston në qendër të Vlorës, në Sheshin e Flamurit gjendet njëra shtëpi, kurse tjetra ka qenë në lulishten e Vlorës (Milet Bahçeja). Prona dhe mbiemri janë dy elementë të pazgjidhshëm dhe domethënës të cilat vlejnë si pasaportë identiteti të pamohueshëm .Tani duke ndërruar arsyetimin sipas drejtimit të erës, shumë historishkrues, pushtuesit sot i quajnë mysafirë në dobi të kulturës. Kush vjen me ushtri , përdor dhunën, të dikton kushtet dhe ligjet e veta skllavëruese, pa marrë parasysh se je një komb me të drejtat e tua, nuk quhet mik… .Ndaj historia duhet të shkruhet në bazë të vendngjarjes, datave, ngjarjeve, personave që kanë zhvilluar këto ngjarje dhe cilat kanë qenë pasojat, qofshin këto negative apo pozitive. Lum kush mundohet të tregojë të vërtetën si drita e diellit.



Bibliografi:

*Kronikani turk: Evlia Çelebi

*Neritan Ceka “Ndërtimet ilire në Kaninë”

*Damian Komata: “ Qyteti iliro -arbëror i Kaninës

*Libri i artë i familjeve fisnike të Mesdheut

*Enciklopedia Italiane;

*Paolo Petta”Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”;

*Franc Babinger”Arianitët”

*Barleti, Gjon Muzaka(djali i motrës së Skënderbeut),

*Biemi :Gjergj Arianiti dhe martesa e Donika Arianitit me Skënderbeun



- See more at: http://gazetadielli.com/historia-duhet-te-shkruhet-spias-fakteve/#sthash.kO67pnTR.dpuf

LETER E HAPUN FQIUT TIM SERB

presidenti_rugova_sami_repishti
Nga Prof. Sami REPISHTI/*

Dielli-Arkiv- Botoi DIELLI(New York) v.11,nr.73, ff.1,2 – Prill,1982). Ribotohet me rastin e 35 vjetorit te demonstratave studenteske ne Kosove/

Fqiu i im i vjeter:

Nji vjet ma pare, kur dimni paloste krahet e bardhe e toka e jone shkrihej per lulezim e fllade pranverore, ti erdhe ne Kosove. Te pashe qe kalove i harlisun neper rruget e sheshet kosovare, i veshun me rrobe ushtarake, i mberthyem ne arme, i mbrojtun me qerre te armatosuna, i percjellun me fluturake qe gumezhijshin ne qiellin lane shkret nga zogjet e frikesuem. Nuk u besova syve te mi!

Po ate dite, ne tryezen e menses se studenteve, supa e zeze qe ushqente ishte ftohe nga pritja e gjate ne rreshtat e pa fund te te rinjeve qe gjallnojshin me ate supe kazani. U deshprova, e ndjenja e vorfnise qe me mundonte per shume vjet me rradhe, brumosi vendimin tim me protestue, me demonstrue haptas e pa frike, me trumbetue te verteten time me fuqi, per ty e per boten mbar.

Ti nuk e ndigjove zanin tim, por bota mbar deshmoi krizmen e armes tande vrastare qe shkrepi, e vazhdoi pa nderpremje, por jo ma e fuqishme se zani i im e i mijera shokeve te mi. Pashe rreth e rrotull meje gjakun e kuq qe rrodhi nga trupat e te rinjeve te vrame, fetyrat e zbeme te viktimave, friken e madhe te voglusheve qe na ishin ngjite per trup, e ndigjova te perzieme me shamjet tueja, britmat e mases ne panik, e vajin e te vegjelve qe nuk kuptojshin, ashtu si edhe te gjithe ne, pse vellau dhe motra ma e madhe po vriteshin ne sheshet kryesore te qyteteve tona te lindjes.

Tri dite me rradhe vazhdoi perleshja e uniformes serbe me kesulat e bardha shqiptare! Ato dite, -per mue, per te mijte, per te gjithe ata qe nuk veshen rroben ushtarake si ti-, nji bote e rreme u rrokullis, u permbys njihere e perhere, e ne zbraztine e mbetun u gjet turma e kercenueme dhe e keqtrajtueme.

Zjarri i armes vrastare ne doren tande, me vdekjen qe keputi jetet e shokeve ne lule te rinise, vulosi rrugen e se ardhmes per te kercenuemet: ne rreshtat e gjate te te shtypunve ne marshim per buke, e paqe edhe liri!

*****

Sot, nji vjet ma vone, fetyra yte tregon shprehjen e kenaqesise qe ndrite tek fitimtari. Ngadhenjyes! Ne ate fetyre pasqyrohet e tashmja qe ti e shikon si vazhdim i panderpreme i se kaluemes sate te lavdishme. Qe nga ditet kur te paret tuej zbriten nga Uralet e u vendosen ne kete gadishull tragjik te Ballkanit, tue u ba keshtu fqinji i im shekullor, fiset e shperndame sllave qe formuen ma vone kombin tand serb kane njohe nji histori plot vuejtje e plot lavdi, kane kalite vjet mbas vjeti nji karakter qe u dallue per kambengulje e guxim, kane ndertue mbretni e perandori, e me te gjitha veshtiresite qe u dha koha e vendi ku jetuen kane arrijte sot, ne shekullin tone, te sigurojne per ty dhe per ata te te kombit tand nji shtet te pavarun qe permbledh ne gjiun e vet te gjithe bijat e bijte e fisit serb, dhe mundeson zhvillimin perhere ma te plote te identitetit tyne serb. Ne kete bashkesi politike e shoqenore, serbin nuk e shtyp ma i hueji, as nuk pengohet ai me kendue lavdite e se kaluemes, e me festue ditet e medha te kombit serb. Ne kete shtet serb, ku herojt e kombit serb ngrihen ne piedestalet e pavdekshmenise, rinia serbe ashte e lire me adhurue simbolet e krenarise serbe, ndersa mesuesi i tyne, ne shkollen ku edukohen, ushqen me frymen e dashunise per vend e respekt per traditeen serbe trembedhete here shekullore….

Per serbin, po! Por jo per shqiptarin!

I huej ai ne vendin e vet, ende sot i mohohet atij kombesia, I fyhen atij herojt, i nençmohet historia, e te rinjte e te rejat shqiptare mbahen sot te lidhun ne vargoj. Prandej, shprehja yte ngadhenjyese tregon dukshem edhe gjurmet e randa te shtypesit. Ne hovin e pa permbajtun te rritjes sate, kamba yte ka shkele toket qe nuk jane tuejat, ka shkele token time. Vendi qe ti sundon sot, si fitimtar, nuk ashte ai i vellazenve tuej; ai ashte vendi i im e i vellazenve te mij. Shteti qe ti zgjanove mbylli mbrenda kufijve trojet e mia stergjyshore, trevat ilire e dardane ku ata kishin banue, para ardhjes tande ne Ballkan., kohet epike te mbretnive te tyne te lavdishme, dhe tragjedite e shkaterrimeve barbare qe sollen invazionet e njimbasnjishme te gadishullit. Ne ato troje ishte formue tashma identiteti i popullit tim ma i vjetri ne Ballkan.

Megjithate, para rrezikut te perbashket qe kercenoi Ballkanin dhe Europen, na gjetem vullnetin e duhun per bashkim e perpjekje te perbashket, ma shume se nji here. Gjate atyne koheve, ti krijove legjenden e Kosovopoljes ku humbja u shndrrue ne fitoren ma te madhe shpirtenore te popullit serb, ndersa ne toket shqiptare epopeja qe filloi prane Nishit e kulmoi ne Kruje, frymezoi per ma shume se pese shekuj çdo fjale e veper te vellazenve te mi. Te dy te shtypun, na u afruem si dy fqinj te frikesuem nga pesha e rande e kercenimit te huej e njohja e vuejtjes se perbashket, ruejtem ne zemrat tona kujtimin e lavdive te kalueme, e ushqyem me kujdes per vete e per te tjeret shpresen e nji dite te lire e fatlume…!

Ma vone, gjaku e gjuha sllave qe te bajne vella me kombe tjera te shumte e te medhaj sollen ftohjen tone, largimin, ndamjen e ballafaqimin. Tragjedia ime rifilloi me fitoren tande te pare. Ushtrite e hueja e tueja se bashku dogjen e plaçkiten toket tona, e katundet ku shqiptari vendas nuk pati kohe me u largue me kohe u mbushen me viktima, burra, gra e femije. Nji vale e eger urrejtje u versul mbi kombin tim qe ne Prizrenin e lashte u perpoq t’i tregonte botes mbar, e sidomos ty, o fqiu i im i vjeter, se rruga e paqes ne Ballkan e liria e perbashket kalojshin vetem permes trojeve te lira te te gjithe kombeve ballkanike, tue perfshi edhe kombin shqiptar.

****

Per fat te keq, ti as ndigjove thirrjen time, as kuptove dhimbjen time!

Une lexoj kudo sot tregimet mbi aktet e shemtueme te ushtrive serbe ne token shqiptare, mbi perpjekjet e qeverive serbe kunder lirise se shqiptareve, mbi urrejtjen patologjike te klases sunduese serbe kunder fqiut shqiptar, e pyes veten: perse? Ne arkivat e pasuna zyrtare e ne kanget e thjeshta popullore, une lexoj e ndigjoj vetem per krimet tueja kunder meje e vellazenve te mi, e kambenguljen tande me me pengue lirine e jeten ne paqe ne toket qe banoj per tridhjete shekuj te gjate me rradhe. Kundrejt kujtimeve te ketilla, zanet fisnike serbe qe denuen krimin e kriminelet qeveritare mbeten per mue te vetmet burime ngushellimi.

Sot, te shkruej o fqiu i im i vjeter, sepse kam nevoje te ndigjoj zanin e nji serbi fisnik qe denon krimet e sotme serbe kunder meje. Kam nevoje per nji za qe te ringjalle ne zemren time shpresen se fisnikeria e kombit tand, cilesia qe mveshe me dinjitet karakterin e kombit tand, nuk ashte shue fare e mbetet veçse nji kujtim i se kaluemes, shpresen se nana serbe linde perseri bij e bija te afte per ate fisnikeri.

Ne qofte se fjala “njerezim”(covecanstvo) ka nji kuptim per ty, ajo keshillon te ushqesh nji cilesi thellesisht njerezore, nji ndjenje e prirjes kah dashunia e respekti per cdo qenie njerezore, tue perfshi edhe Shqiptaret.

Ne qofte se fjala “dinjitet”(dostojanstvo) ka nji kuptim per ty, ajo keshillon te ushqesh nji cilesi qe nalteson karakterin tand si qenie njerezore, keshillon nji perpjeke fisnike kah ngritja e vleres sate si individ, e siguron admirimin e besimin e te tjereve, tue perfshi edhe ate te Shqiptareve.

E ne qofte se fjala “komb” (narod) ruen ende tingullin magjik qe mobilizoi serbet per shekuj me rradhe, ajo fjale keshillon gjithashtu te shikosh tek kombi nji bashkesi njerezish qe jeton me ndjenjen e vellaznimit ne gjak e gjuhe te perbashket, qe banon ne trojet e veta me doke e zakone te veta, e qe bashke me interesat e se tashmes shpreson per nji te ardhme te perbashket e perhere ma te mire- nji anderr shekullore qe perkdhelin edhe Shqiptaret.

Shqiptaret, o fqiu i im i vjeter, jane nji komb, jane qenie njerezoe me dinjitet, jane pjese e pandame e njerezimit mbar. Ky ashte mesazhi qe dergojne rreth e rrotull botes dy miljone shqiptaret qe banojne sot ne Jugosllavi: i thjeshte, logjik, historik!

Karakteri historik i mesazhit u forcue perseri me gjak nga shqiptaret e Kosoves se martirizueme ne pranveren e vjetit qe kaloi, ndersa ne burgjet e erreta te Serbise ai po kalitet gjithenji e ma shume me vuejtjet e qindera, ndoshta mijera, shqiptaresh te mbyllun e te torturuem vjete te gjata me rradhe. Ata qe rane ne altarin e atdheut shqiptar, ata qe u mbyllen e qe po mbyllen çdo dite mbrenda mureve te frikeshme te keshtjellave te vjetra serbe jane sot ndergjegja vete e nji kombi te tane. Ata jane çfaqja ma e nalte, shprehja ma koshiente e nji natyre njerezore, e dinjitetit personal, dhe e kryenaltesise kombetare shqiptare. Ata, o fqiu i im i vjeter, nuk jane “meturinat e se kaluemes””elemente te degjeneruem””fundrrinat e historise” siç i trumbeton sot shtypi i shitun i kalemxhinjve qe shperblehen per çdo shamje, “udheheqsit” qe nuk udheheqin veçse veten e tyne ne rrugen e servilizmit ndaj sistemit- “
klasa e re” e te privilegjuemve, pergjegjse e vrasjeve, e burgimeve dhe internimeve, pergjegjse para viktimave, nanave qe nuk pushojne se vajtuemi, te vejava qe u ashte nexi jeta, te jetimeve qe rriten pa prind…!

Qe nga fushat dhe qytetet kosovare te reduktueme ne krematore nga ushtrite serbo-malazeze deri ne masakrat e rinise kosovare te pranveres se kalueme; qe nga mohimi i gjuhes shqipe e i librave shqip per femijte shqiptare sot ne bankat e shkollave shqipe ne Jugosllavi; qe nga ditet e “sharraxhinjeve te Beogradit” deri tek njiqindmije te papunesuemet shqiptare qe nuk kane sot buken e perditeshme; qe nga “shiftari” i perbuzun e i perçmuem i se kaluemes deri tek ”bastardhet e Kosoves” siç quhen sot ata dhe ato qe po fitojne admirimin e perkrahjen e botes se qytetnueme, kalon e veshtire dhe e mundimshme rruga e Golgotes shqiptare ne Jugosllavi, kryesisht per arsye te arrogances serbe qe, ashtu si klaset e privilegjueme ne shoqenite e padrejta, refuzon me njohe lirine dhe te drejtat e shqiptareve, popullit ma te vjeter ne Ballkan.

Liria ashte shperblimi i guximtarit!

Shqiptaret po i tregojne sot botes mbar se kane kuptue ma se mire mesimet qe u dha historia e se kaluemes jo shume te larget. Shqiptaret ne Jugosllavi sot po rrezikojne jetet e tyne ne vijen e pare te zjarrit qe te fitojne lirite e mohueme, lirite qe ju serbet konsideroni si privilegje ekskluzive te kombit tuej. Shqiptaret ne Jugosllavi po tregojne me bindje dhe guxim se ju nuk do te jeni kurre me te vertete te lire, o fqiu i im i vjeter, ne qofte se nji pjese e bashkevendasve te juej nuk gezon te njejten liri – edhe pse nuk jane sllave si ju!

Atje ne Bella Crkven serbe, pushka trime e Ivica Jovanoviqit kumtoi nji mesazh per te gjithe popujt e shtypun te Ballkanit te okupuem: vullneti i nji kombi te vogel me jetue i lire dhe i pavarun nuk mund te thyhet kurre nga nji tjeter komb shtypes dhe i huej, sado i madh e i fuqishem te jete ai. Si ashte e mundun, o fqiu i im i vjeter serb, si ashte e mundun, qe sot, kater dekada ma vone, ti nuk pranon mesimin e madh qe te dha njeni nga bijte tuej ma te mire, kur fjala ashte per lirine e pavaresine e shqiptarit?

Oh! Sa do te deshirojshe une me pa diten kur dy kombet tona, zote ne trojet e veta, te jetojne prane njeni tjetrit, e ne miqesi per shekuj te gjate me rradhe.

Sami Repishti, Ph.D.

HISTORIKE:KADETËT SHQIPTARË NGA KOSOVA PRANOHEN NËAKADEMINË USHTARAKE AMERIKANE, WEST POINT

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli

Këtë javë në Washington po zhvillon një vizitë Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) zoti Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së gjeneral-lejtënant Rrahman Rama. Në njoftimin e FSK-së për vizitën e delegacionit ushtarak të Kosovës thuhet se Komandanti i FSK-së general-lejtënant Rrahman Rama ka zhvilluar një takim me gjeneral-lejtënantin amerikanKenneth F. McKenzie, Drejtor për Politika dhe për Planifikimet Strategjike të Komandës së Bashkuar të Ushtrisë së SHBA-ve. Sipas njoftimit, në këtë takim midis palës ushtarake amerikane dhe asaj të Republikës së Kosovës u bisedua mbi zhvillimet aktuale në FSK dhe mbi përgatitjet që po bëhen në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës. Njoftohet se gjenerali amerikan e siguroi palën kosovare për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për FSK-ën. Në njoftimin e FSK-së mbi vizitën e udhëheqësve të saj të lartë në Washington kumtohet gjithashtu lajmi i mirë dhënë nga gjenerali McKenzie se dy kadetë shqiptarë nga Kosova janë pranuar në Akademinë e njohur Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, West Point. Ai tha se dy kadetët e rinjë shqiptarë të FSK-së,të pranuar në akadeninë ushtarake më të njohur në botë, janë Arilena Shala dhe Ylli Dalladaku. Këta do të jenë studentët e parë nga Kosova që do të shkollohen në Akademinë Amerikane ushtarake me famë botërore, West Point pohoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që uroi kadetët dhe njëkohsisht edhe FSK-në, “për suksesin në përmbushjen e kritereve rigoroze akademike, që do të ofrojnë mundësi të reja për profesionalizimin dhe avancimin e kuadrove të ushtrisë tonë”.Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës shprehet në faqen e saj Facebook se ajo ndjehet, “jashtëzakonisht krenare për këtë të arritur dhe falënderuese për mundësinë që West Point u ofroi kadetëve të FSK-së, si rezultat i bisedimeve me udhëheqësit e kësaj akademie gjatë vizitës time atje në vitin 2014”, shkruan Jahjaga. Ndërsa ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington Vlora Çitaku, e kënaqur për këtë sukses të dy të rinjve shqiptarë nga Kosova, u shpreh se, “Në veçanti jemi krenarë që nga 2 kadetët e pranuar, njëra është një vajzë e re. Në një konkurencë shumë të ashpër dhe rigoroze këta të rinjë, suksesshëm kaluan çdo test, dhe sot Kosovës i dhanë një lajm të mrekullueshëm”,u shpreh përfaqsuesja e Kosovës në Washington, Vlora Çiraku. Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është aspak e lehtë, por është një nder i jashtzakonshëm që gjithmonë ështl rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të kombit. Për tu pranuar në Akademinë më prestigjioze amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet e karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor.Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point, sigurojnë një arsimim universitar që nuk e ka shoqin askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia. Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane në West Point, gjatë gjithë jetësdo i dallojë të diplomuarit e West Point nga të tjerët për nga aftësitë, karakteri dhe për zotësitë udhëheqse që ata do të kultivojnë aty, duke i bërë ata anëtarë të një grupi ndërkombëtarë të dalluar dhe shumë të respektuar.Pak histori mbi Akademinë Ushtarake. West Point ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e këtij kombi duke filluar nga Lufta e Revolucionit Amerikan kur të dy palët kundërshtuese e kishin venë re rëndësinë strategjike të West Point, si një vend me përparsi strategjike luftarake në breg të lumit Hudson të shtetit New York, që shtrihet nja 65 killometra në veri të qytetit New York. Në të vërtetë ishte Gjenerali George Washington i pari që e konsideroi West Point-in si pozicionin më të rëndësishëm strategjik ushtarak në Amerikë dhe në vitin 1779 vendosi të transferonte aty kryeqëndrën e tij dhe komandën ushtarake. Kështjella West Point nuk u kap kurrë nga britanikët gjatë luftës së Revolucionit Amerikan. Ndërkaq, disa ushtarakë dhe ligjvenës amerikanë të kohës, përfshirë emëra të njohur të historisë amerikane si Washingtoni, Knox-i Hamiltoni dhe John Adamsi, ndër të tjerë, donin që të heqnin dorë nga vartësia në inxhinjerët e huaj ushtarakë gjatë Luftës së Revolucionit amerikan dhe bënë thirrje për krijimin e një institucioni ushtarak kushtuar artit dhe shkencës së luftës. Më 1802, presidenti i atëhershëm Thomas Jefferson nënshkroi legjislacionin për themelimin e Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Në portalin e West Point thuhetse Jeffersoni e ndërmori këtë vendim, pasi u sigurua se kadetët që do të pranohen në atë Akademi, do të jenë përfaqsuesit më të mirëtë një shoqërie demokratike.
Janë të shumtë ta që janë diplomuar në West Point e të cilët e kanë dalluar veten gjatë historisë në luftërat e këtij vendi, duke filluar me Luftën e Parë Botërore dhe më vonë në Luftën e Dytë Botërore, udhëheqës ushtarakë me famë botërore, siç ishin gjeneralët Eisenhower, Mac Arthur, Arnold, Clark, Patton, Stillwell, Wainwright, dhe të tjerë më vonë gjatë luftës në Vietnam e deri tek kohët moderne siç është lufta në Kosovë, kur forcat e aleancës së NATO-s të udhëhequra nga Gjenerali Wesley Clark – edhe ky i diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point, sulmuan forcatterrroriste ushtarake dhe policore të Serbisë që për vite po kryenin një gjenocid të vërtetë kundër shqiptarëve të Kosovës — të pa-parë në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore.Një fakt tjetër me rëndësi historike për këtë institucion të njohur, është fakti se në vitin 1976, Akademia Ushtarake në West Point për herë të parë vendosi të pranonte kadete femëra duke diplomuar në vitin 1980, 62 prej tyre nga radhët e kadetëve që kishin filluar studimet më 1976. Misioni i Akademisë Ushtarake në West Point është, “Për të edukuar, për të trajnuar dhe për të frymëzuar korpusin e kadetëve, ashtuqë secili kadet që diplomohet të jetë një udhëheqës i dedikuar ndaj vlerave karshi të Detyrës, Nderit dhe Atdheut… dhe gjithëherë i gatëshëm për ti shërbyer kombit të vet”. Akademia e zbaton misionin e saj duke zhvilluar kadetët me tipare të një udhëheqsi për të ardhmen, duke u bazuar në programet akademike, ushtarake dhe fizike që ofron West Point. Sipas Akademisë, zhvillimi i udhëheqsve të ardhëshëm ushtarakë e politikë i ka rrënjët në parimet e një përgatitje etike dhe morale si dhe në Kodin e Nderit, sipas të cilit kadetët betohen se, “nuk do të gënjejnë, nuk do të mashtrojnë, nuk do të vjedhin dhe nuk do të tolerojnëas ata që bëjnë gjëra të tilla”. Secili kadet, është një udhëheqës, thuhet në portalin e Akademisë West Point dhe si të tillë janë shembull për të tjerët.
Kadetët shqiptarë nga Kosova, Arilena Shala dhe Ylli Dalladakuu pranuan në West Point thjeshtëdhe ekskluzivisht bazuar në meritat e veta duke konkuruar jo vetëm me mijëra studentë amerikanë që çdo vjet bëjnë lutje për tu pranuar në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, por ata konkuruan me më të mirët dhe me më të shkëlqyeshmit e këtij vendi, për nga sjelljet dhe karakteri por edhe për nga përgatitjet akademike dhe fizike. Dhashtë Zoti që këta dy të rinjë shqiptarë të dalin me sukses në nismën e tyre e të dallohen dhe të diplomohen nga Akademia Ushtarake më e njohur në botë dhe si të tillë të shërbejnë edhe si frymëzim për moshatarët e tyre shqiptarë kudo se me mund, djersë, moral e karakter, çdo gjë është e mundur.

Shpresojmë gjithashtu që njëkohsisht,me arritjen, me sjelljet dhe eventualishtme sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që kërkon Akademia Ushtarake në West Point, Arilena dhe Ylli të nderojnë dhe t’i japin emër të mirë vetes, familjes që i rriti dhe mbarë kombit shqiptar të cilit i përkasin dhe i cili sot është krenar për ta. Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, ky lajm i mirë na bën të shpresojmë se e ardhmja e kombit shqiptar do të njohë ditë më të mira kur të udhëhiqet nga gjenerata e Arilena Shalës dhe e Ylli Dalladaku, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun që do tu ofrojë disiplina dhe edukata ushtarake dhe akademike në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it. Urimet më të përzemërta që të delni faqebardhë!

- See more at: http://gazetadielli.com/historikekadetet-shqiptare-nga-kosova-pranohen-neakademine-ushtarake-amerikane-west-point/#sthash.jHn8UzXW.dpuf

Urime Rita Saliu !


Kumtesa e Znj. Mimoza Dajçit mbajtur ne "Monroe" College per poeten e publicisten e njohur Rita Saliu

E nderuar Znj.Rita Saliu!

Të nderuar pjesëmarrës!

Ndihem vërtetë e privilegjuar sot që më jepet rasti të flas për poeten Rita Saliu, heroinën e kombit tonë, humanisten e Nënën e Madhe të Kosovës martire. Për motrën dardane, bashkëshorten e mirë e nënën e dashur të tre djemve të saj, veprimtaren tonë të palodhur, e të përkushtuar për çështjen kombëtare.

Artisten e cila qysh në fëmijërinë e rininë e saj skaliti fuqishëm poezinë, krijimtarinë letrare, të cilën jemi duke promovuar ne sot.

Urime Rita!

Edhe pse Znj. Saliu është grua e lartësive Me pëlqen tek Rita sepse ajo karakterizohet nga thjeshtësia. Rita është si vetë shqiponja krenare që simbolizon edhe flamuarin tonë kombëtar. Ajo endet kudo, si shqiponja e si bijë shqipesh me krahë shqiponje, në Amerikë - tokën e ëndrrave të çdo emigranti, në Kosovën vitale, në tokën Amë - Shqipërinë e bukur.

Të rralla janë si Rita. Edhe pse larg atdheut ku lindi, u rrit e mori edukimin universitar zemra e saj rreh gjithmonë për Kosovën, popullin e saj. Ajo ka dy çerdhe të ngrohta, shtëpinë saj në Roud Island dhe Kosovën që e pret me dashamirësi.

Sa mirë kur jep mirësi, e të japin mirësi.

Diçka hyjnore, dhuratë nga Zoti, e Rita i ka këto vlera të spikatura. Zoti e ka zgjedhur Ritën për të krijuar poezi, humanizëm, bamirësi ashtu si edhe Nënë Terezën, Rita është bijë e trashëgimtare e saj. Kudo shoqërohet me portretin e vyrtutet e saj.

Edhe idhulli i saj është Nënë Tereza, modeste, bujare, në tiparet e saj rrezaton shikimi i Nënë Terezës.
Nominuar e vlerësuar për krijimtarinë letrare, humanizëm dhe patriotizmin e saj nga presidentët shqiptarë të disa kohrave, personalitete të botës së huaj e organizata shqiptare kudo ndodhen në rruzullin tokësor. Çmimi Madhor "Nënë Tereza" akorduar nga ish Presidenti Bamir Topi e bën atë të ndjehet krenare për origjinën e saj shqiptare. Por Rita Saliu është vlerësuar për patrotizëm e letërsi edhe nga Familja Presidenciale Kenedi, e tani së fundi nga Universiteti i Harwardit në Boston për krijimtari letrare dhe humanizëm.

Rita të frymëzon për gjëra të mira, si një nikoqire e mirë për vepra të mira. Motor energjik, që çdo ditë krijon poezi për heronjtë, ndërkohë që edhe vetë është heroinë.

Ashtu si dhe nënat thurrin triko për fëmijët që mos te ftohen në dimër edhe Rita thurr poezitë e saj për vëllezërit e motrat e saj, për një jetë më të mirë e të ardhmes tonë.

Gratë e organizatës së gruas "Hope & Peace" e kanë quajtur poeten Rita Saliu një heroinë të vërtetë.
Nisur edhe nga shembulli konkret që vetë gjenerali Vesli Klark e ka vlerësuar Znj. Rita Saliu Heroinë vlen shumë për tu marë në konsideratë.

Qysh në kohët e hershme kanë thënë një fëmijë është pak e dy janë shumë. Rita është nënë e tre djemve, e gjyshe për nipin e saj të dashur Dion, por ajo fëmijë i quan edhe bonjakët e sëmurë të Kosovës që i priti e u kujdes në shtëpinë e saj në Road Island e nëpër spitale, fëmijë të saj i quajti fëmijët e gjymtyruar të luftës në Kosovë nga makineria serbe, fëmijë të saj i quajti edhe refugjatët nga Kosova që i strehoi në shtëpinë e saj në Roud Island. E një meritë të veçantë për këtë ka edhe bashkeshorti i saj, Z. Adem Saliu inxhinieri nuklear që ka qenë shumë i suksesshëm si në Minierat e Kosovës ashtu edhe në Amerikë e djemtë e saj Driloni, Learti, Gramozi që e mbështesin për kauza të medha humane, krijimtari, e bamirësi, të cilët kanë përfunduar shkëlqyeshëm universitetet në Amerikë e punojnë me përkushtim në institucionet e rëndësishme amerikane. Rita është krenare për djemtë e saj dhe ata për nënën e tyre.

Rita është një femër me mendje të hapur, me një vizion të qartë për jetën e të ardhmen e brezave që do të vijnë prandaj edhe thurr çdo ditë poezi me shtizat e saj të arta. Poezi të cilat ne i lexojmë me ëndje.

Një kontribut të shquar Znj. Rita Saliu ka dhënë edhe për organizatën e Gruas "Hope & Peace", idetë e saj jo të njëanshme na kanë shërbyer për ecjen tonë përpara. Së bashku me Ritën e bashkëshortin e saj Z. Adem Saliu kemi shpalosur në një rast për festën e Ditës së Nënave Amerikane ekspozitën e saj fotografike mbi genocidin serb në Kosovë. E dhimbshme, e prekshme por faktike, e Rita është dëshmi e gjallë e atyre ditëve të errta që gjakosën me tanke e ushtri të tërë popullin e pafajshëm të Kosovës, gra, pleq e fëmijë.

Prania e Znj. Rita Saliu tri herë në luftë mes zjarrit e plumbave të pushtuesit serb, mes plagëve të luftës dëshmon për heroizmin, guximin e sakrificat e saj. Rita me veprat e saj ka bërë histori e ka hyrë në histori.

Poetja dardane me penën e bukur të femrës shqiptare nuk rresht udhëtimet, nuk rresht krijimtarinë e saj, nuk pushojnë bamirësitë e saj, edhe fondi i grumbulluar sot nga libri "Ndjenjë Perëndie" do të shkojë si ndihmë për Kosovën. Sa herë që poetja shkon në Kosovë dërgon ndihma nga të ardhurat e familjes së saj për fëmijët jetimë, veshje e lodra.

Rita gjithmonë ka treguar kujdes edhe për gruan e dhunuar nga lufta në Kosovë, shpesh ka marë kontakte me ato, i ka dëgjuar hallet e brengat tyre, e është përpjekur për tja lehtesuar dhimbjen atyre e fëmijëve të tyre të braktisur nga baballarët apo gratë nga bashkëshortët e tyre për paragjykime.
Rita Saliu, kjo lajmëtare e Paqes sjell kudo mesazhe paqësore, harmonie e edukimi, librat e krijimtaria e saj pasqyrojnë më së miri tolerancën fetare edhe në shoqërinë shqiptare, vargjet e saj mbështjellë me figura të pasura letrare ngrenë Ritën në poetet e afirmuara të kombit.
Duke përfunduar i uroj Ritës jetë të gjatë e të lumtur, suksese në krijimtari bamirësi e humanizëm.


Faleminderit!

Mimoza Dajçi

Don Injac GJOKA (1918 – 1979)

Nga Fritz RADOVANI:

“ÇILJA  DEREN  ATIJ  QË  TROKET !”






 1 Don-Injac-Gjoka







                                        Don Injac GJOKA (1918 – 1979)


1946 – DOSJA NR. 852...

■Mësuesi Don Alfons Tracki krenohej me nxanësit Shqiptarë, ndersa nxanësit e Tij, me veprat e veta nderonin Mësuesin, Edukatorin e Martirin e Kishës së Shqipnisë, Trackin!
Një rresht Martirësh të Trackit ishin Ata, që ngritën Permendoren e Tij në Shqipni, po edhe në Breslau, qytetin e Tij të dashtun që e sakrifikoi per Atdheun e Dytë Shqipni.

■Një nder Martirët e Shkodres së vjeter, që jetoi dhe punoi nen shembullin e Mësuesit të vet, ishte edhe Don Injac Gjoka, jetim pa prind në moshë të vogel dhe me një gjendje të pakandshme shndetsore, që nuk Ju nda gjithë jeten. U emnue në Bogë, po 1944, e gjeti në Mazrrek, ku mbas Janarit 1945 i kerkoi streh Mësuesi i vet Tracki dhe Ndoc Jakova, të dy të larguem dhe të kerkuem nga ardhja e brigadave shfarosëse partizane në Veri.

■Me 21 Mars 1946, plot 70 vjetë perpara arrestohet dhe torturohet si pak kush nga forcat e kriminale të Ndjekjes, të etëshme per Gjak Meshtarësh Katolik Shqiptarë. Ishte njëfarë togerit Bashkim Kasoruho, që kishte marrë përsiper me zbatue porosinë jugosllave:
“... Të zhdukni Shllakun, dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M.

■Nga hetimet e bame nder muejt e parë të vitit 1945, të cilat shenohen me mjaft detaje në Dosjen nr. 852, dhe që asht nder dosjet e plota (të pakta të Arkivit Min. Mbrendshme në Tiranë), që kam lexue me kujdes në vitin 1998, mbasi jo vetem kam njoh Don Injacin, po kujtimet e Figurës së Tij si model i persosun i një Kleriku që të lente mbresa vetem me paraqitjen e Tij, shikimin dhe pervujtninë Shpirtnore që e karakterizonte, po Ajo që më ka ba pershtypje ishte qendresa e pashoqe e Tij, perballë torturave e urisë së pashoqe që Don Injac Gjoken, e ka ndjekë deri në diten e vdekjes, me 12 Nandor 1979...

■Kleriku Don Injac Gjoka, jo vetem pranon strehimin e Don Alfonsit në qelen e vet, po ajo që zemron tejmase hetuesin e Tij, asht “mbrojtja që Don Injaci i ban Mësuesit të vet, tue vue në dukje punen baritore dhe kulturore që Tracki, ka ba nder fshatrat e humbuna të Velipojës, po edhe ndihmesen e Trackit nder komandat gjermane, per me evitue çdo vrasje apo shfarosje gjermane ndaj “partizanëve” që, rrezikonin fshatrat Shqiptare... me veprat e tyne shpesh të qellimta, per me vazhdue si në Jug “luftën civile partizane”.

■Don Injac Gjoka dënohet me 8 vjetë burg, në bazë të ligjit nr. 21, datë 15 Dhjetor 1944, Neni 1, per strehuesit e kriminelëve të “luftës”, gjithmonë me shpresë se vdes shpejtë.

1967...

■Viti i zi i pranverës së 1967, apo i t’ ashtuquejtunit “Revolucion Kulturor i tipit kinez”, kishte trokitë pothuej nder të gjitha dyert’ e Klerikëve Katolik Shqiptar, dhe pothuej të gjithë paperjashtim i kishin dhanë një pergjegje diktatorit ideator të “Revolucionit”, tue ua percjellë qendrimin e vet burrnorë, me skilen anadollake Ramiz Alia, një nga ata që zbatuen me perpikni vendimet e terroristit Enver Hoxha, kunder Klerit Katolik.

■Komiteti i PPSh së Shkodres, kishte ngarkue edhe ai disa mbeturina të mbetuna që nga koha e Haxhi Qamilit, po që me veprimet e veta nuk i lane asgja mangut atij, tue pasë gjithnjë busullen e tyne drejtuese “shokun” Ramiz, i cili ato ditë flinte e zgjohej sa tek drejtori i Institutit Pedagogjik Mihajl Prifti, sa tek Jup Kastrati, apo tek Xhemal Dini dhe Musa Kraja, që kishin marrë në duertë e veta edhe drejtimin e Degës së Mbrendshme në Shkoder, ku kriminelët Feqorr Shehu, Xheudet Miloti, Kasem Troshani, Ali Xhunga, Shyqyri Qoku, Dhimiter Shkodrani, dhe kuadrot Faik Minarolli, Sheuqet Muçi, etj., zbatonin me perpikmeni arrestimet, kontrollet e bibliotekave, të Kishave dhe qelave të Klerikëve Katolik, tue i shpronsue, shtetizue dhe plaçkitë deri tek qylymat e dhomave.

Nder thirrjet e para antikatolike per “Revolucionin Kultural” u arrestue At Gegë Lumaj, ashtusi, në 1945 kur Prekë Cali, u rrethue nga forcat partizane e jugosllave në Selcë...

U vazhdue me Don Mark Hasin, At Pjeter Mëshkallen, në Institutin Pedagogjik, ndersa ■Don Injac Gjoka, u thirr në Shtëpinë e Pionjerit të qytetit, në qender të Serreqit, krejt perballë Kishës Katedrale e mbulueme me “Fletë – Rrufe” dhe e dyllosun... Ishte ulë në një stol dhe po priste fillimin e mbledhjes, po si gjithmonë krenar dhe i paperkulun.

■Nuk priti shumë, dhe Don Injaci filloi Ai para drejtuesit të mbledhjes pyetjet e veta: Pse më keni kerkue në këte mbledhje? – Pergjigju, i tha drejtuesi, Pse kryeni sherbime Fetare ju Don Injac, kur e dini që nuk duhet ?

– Don Injaci, i tha: Perëndia më ka caktue me kenë Misionar i Fesë, si doktori i mirë që nuk ngurron me mjekue, ashtu edhe Misioni em më kerkon me kenë Doktor i Shpirtit per ata që m’ kerkojnë ndihmë! “Çilja deren atij që troket!” ka thanë Krishti. Edhe unë, do t’ Ua çili! Këte ua kam thanë edhe kur ishe në burg, këte po ua tham prap! Unë jam e kam me kenë i vendosun deri në vdekje!” Mbledhjen Don Injaci e mbylli me këto fjalë:

– “I vorfen kam le, i vorfen jam e, i vorfen due të vdes, due T’i perngjas Krishtit!”

(Nga proces – verbali i mbledhjes, i ruejtun dhe i publikuem nga Dr. Pjeter Pepa. 2004)

■Ashtusi vendosi, ashtu e mbylli jeten e vet!

■Në darkë, si pernatë, u drejtue nga furra ku kishte vendin e fjetjes, mbrenda furrës, aty vazhdoj lutjet e veta, po jo, si i “vorfen në Shpirtë”, po si nder ma të dijtunit dhe ma të pasunit e Kishës Katolike në Shqipni! Ky ishte Martiri Don Injac Gjoka!

■As sot, as kurrë, nuk ka nderim ma të Madh, se me u rreshtue me Martirët e Mëdhej të Kishës Katolike në Shqipni, Martirizue prej Gjenodit komunist të viteve 1944 – 1991.
Melbourne, Prill 2016.














Nga Përparim Hysi : Qeni i Degës...(Tregim)

Fehrat Grëmallari qe çuar heret. Më heret se zakonisht. Ka vendosur që të vejë në qytet për të parë babanë e tij, shtruar në spital. Qyteti është larg që këtu, se, edhe po të ecësh "likthi" ( në Myzeqe, likthi përdoret si me vrap), të duhen të paktën nja dy orë të mira. Por Fehrati ia ka gjetur ilaçin kësaj pune. Nuk shkon xhades, por shinave të hekurudhës. Se këto, or byrazer,- thotë Fehrati,- ta bëjnë si tetë me dy. Do e hedhësh vallen sipas muzikës së trenit: s'ka këtu të ecësh navash- navash, sikur m'i ke punët në terezi, por "likthi", sikur nga mrapa, të ndjek dikush me shkop. Nëse nuk e nget këtë "muzikë", mos shkel mbi shina se xërrohesh e thyen hundët copë. Kështu thotë Fehrati dhe kështu do bëj, por, para se të niset për në qytet, ka një punë pakëz me "axhale". Epo me "axhale", pa "axhale",e ka vendosur dhe t'i dalë tymi mu tek "Plepi i Naqes"! "Plepi i Naqes", pak larg që këtu, por bëhet si afër për "habere".
E di që po vrisni mendjen se ç'është kjo "puna me axhale" e Fehratit? Por me radhë dhe, pa u ngutur, se qoftë unë që po e shkruaj, qoftë dhe ju si lexues, nuk kini pse ikni "likthi" si Fehrati.
E, megjithatë, ju mjafton të ndiqni seç bën ai.
* * *
Hodhi sytë andej nga ara e Resulit dhe pa që brigada foragjere kish korrur jonxhën dhe një postat i tërë kish mbetur pa transpotuar. Mori një thes dhe tinzisht hyri tek jonxha, e mbushi dingas thesin dhe, sakaq, hyri në kasolle. E përzjeu jonxhën me kashtë dhe ia mbushi grazhdin lopës. Tani po,- i bëri qejfin vetes,- tani do ia mbushi tenxheren plot "asajta". "Asajta" është e shoqja, por Fehrati, është burrë zakoni dhe nuk e thërret gruan me emër. Do të thoni ju, po mirë, por kur është burrë zakoni, si vete dhe vë dorë mbi jonxhën e kooperativës? "Komprativën",- thoshte,- kurrë s'e kam dashur. Por kur bie kolera (se kolerë e shkuar kolerës), nuk të njehë kush për Sulo-be. Të zë me kuç e me maç. Nuk e do ti, aq m'i bën atij lart, në hyqymet, apo ca më shumë në parti. Por të keqen pepja tyja, kur bën gjyq me kadinë, nuk ka kush ta bënë davanë. Dhe ngeci, karkaleci! Por me komprativën na ka gjetur si me atë që tregojnë: me inat më foli, me inat iu përgjigjësh. Kështu, or tunjatjeta, u bëmë si pakëz hajdut. U bëmë nga e keqja. Unë, që thuaj ti, jam besimtar dhe për çdo të xhuma( të premte) drejt e në xhami. Falesha, or tynjatjeta, dhe hoxha na thosh të parën: mos vidh! E pastaj... të tjera... e të tjera. Por ke parë ti se kujt i polli mendja dhe tak kazmën. Kemi partinë,- i dhanë karar dhe nuk ka ç'na duhet xhamia po dhe kisha. Mirë, o të keqen pepja tyja, ti paske partinë, po unë nuk e dua "atëna" ( këtë po ta them tyja, se Çeçua ka biçak,de), unë dua xhaminë. Le që i prishën, po na thanë:- Prishini ju! Ta lënë dobiçin në derë, badjava. E prishën, e prishën, por ata që vunë dorë, kanë për ta paguar. Më kujtohet që hoxha i paska thënë timati:- Kur të bën lazëm në shtëpi, është harram në xhami!!! Qe i zgjuar hoxha ynë. I binte pragut të dëgjonte dera. Llaf për llaf: në të duhet në shtëpi, merre në komprativë. Ja për atë Zot! Dhe nuk ka shtëpi fshati pa vënë dorë gjakund. Se ndryshe nuk rrohet. Mos shiko qytetin ti. Ata, të qytetit, kanë lindur me këmishë. Ne mbjellim grurë dhe e hanë ata. Na mbiu ibridi në stomaq. Dhe, bereqaves, që kemi lopën se, aha, keq e më keq do qe hesapi.
* * *
E mbaroi atë "punën me axhale", veshi ato shallvaret që mban në sepete si për mik dhe,sa la xhadenë, hipi në trasenë e hekurudhës. Aty ia"shkeli likthi" dhe, o burra, për në spital. Në spital arriti pa ardhur mjekët dhe, pasi la tek komodina e të atit ato që kish përgatitur "ajo" ( e shoqja), priti të vinte mjeku i pavijonit. Edhe për mjekun, e kishte "harxhin" si pakëz më të rëndë: një pulë shqirake që"ajo" e kish rrjepur me kujdes. Erdhi mjeku dhe si "llafosi" mbarë e prapë me të, e ndau fjalën që në fund të javës tjetër, babanë do ta nxirte të shëruar. Lajmi i mirë e bëri si me shend dhe, ca më shumë, që doktori nuk bëri naze për darovinë ( epo darovinë e pëlqen dhe mbreti që ka një mbretëri të tërë,- thotë Fehrati) dhe, sa u përcoll me të atin, u nis për në fshat. U nis për fshat dhe përsëri nga hekurudha. Se ajo"puna me axhale" sikur i është vënë pas si hije dhe, tek hamendëson se ç'do ketë ndodhur kur kanë parë "hatanë" me postatin e jonxhës, sikur merr të trembur dhe jo vetëm nuk i duket se po ikën "likthi", por sikur po ecën sëprapi. Si gaforre! Se këta të qeverisë, po u preke gjëkafshë, mezalla se të falin. Megjithatë, tek u jep këmbëve, sa më shumë afrohet,aq më shumë "largohet". As që e di se ç'ka ndodhur.
* * *
Brigadieri me qerrexhinë erdhën tek ara e Resulit. - Bobo,- vuri kujen. E paskan vjedhur postatin e korrur dhe lopët ta mbajnë kokën tek trarët. La qerrexhinë aty dhe frymën në sektor.- Alarm! Na kanë vjedhur! O burra, të lajmërojmë degën. Rrahën telefonin dhe njoftuan. Kur Fehrati qe në qytet, operativi me policin që kishte qenin e Degës, mbrriti mu tek postati i jonxhës. Qeni u vu në kërkim dhe arriti tek kasollja e Fehratit. Lopa ia kishte "zbardhur" faqen se e kish kollofitur duke mos lënë asnjë fije, por qeni hungëronte. U informuan se pritej që të kthehej dhe zunë, si të thuash, pusinë.
- Ja,- bërtiti brigadieri. Qy që vjen hekurudhës është hajduti, Qy është Fehrati. E lanë sa u afrua dhe i lëshuan qenin. Qeni mend iu hodh sipër. - Hë,- tha operativi,- vëri hekurat se është hajdut.
- Ore, ça hajduti,- thoni ju. Unë qeshë në spital.
- Qe në spital, por qe pas"dasmës",- foli tërë inat operativi. Ke vjedhur jonxhën e kooperativës , se kot nuk t'u hodh qeni në kokë.
Por Fehrati i kish shkuar kësaj pune me "axhale" jo pa rriskuar, se kollaj nuk ia hante qeni shkopin dhe, sikur kjo punë nuk kish të bënte me të, ia zbrazi:
-Pse qenit i besoni ju? Por qeni, po nuk të njohu, të hidhet në kokë,se ndaj është qen. Ja hajde pakëz tek oborri im dhe ta lëshoj atë Balikun tim, po të shohësh ti, pastaj, e kam vjedhur unë apo ti jonxhën. Ky sherr hidh e prit sikur po zgjaste shumë dhe, dalngadalë, u grumbullaun njerëz si shumë. Fehrati kur pa se një anë e ballancës sikur po anonte nga ai, vazhdoi:- Ore shoku operativ, e di ti që qeni, ndonjëherë, ha dhe të zotin, se nuk e njeh?
Ja,- tha,- e sheh Hekuranin ( ky njihej si kalibalash se qe infermieri më i vjetër jo në fshat, por dhe në qytet). Pyete, pyete Hekuranin. Këtë desh e hëngri qeni i tij, se qy natën del nga shtëpia dhe natën kthehet. Kaq u desh dhe njerëzia ia dhanë të qeshurit,se e dinin të gjithë që kështu i kish ndodhur Hekuranit. Kish hipur në fik që të hante fiq dhe i biri, tak dhe i lidhi qenin tek fiku. Kur bëri të zbriste,qeni mend këputi zinxhirin. Ai që lart nga fiku, britmën që të hiqni qenin se mos e hante. Shpotia qëlloi në shenjë dhe operativi me policin e qenit u larguan. Fehrati u mbush me frymë, por "shakanë" me zarar, nuk e harroi.
-Desh ika për dhjamë qeni nga qeni i Degës,- më tha. Por bereqaves nga Hekurani.
* * *
Epilog...
Unë këtë tregim nuk do ta kisha sjell fare, sikur mos përkonte me diçka të përafërt me këtë "qenin e Degës" që desh mori më qafë Fehratin. Por, në e përcolla për lexuesit, e bëra nga një njoftim që, për mua, është paksa jo vetëm tronditës, por dhe jo plotësisht i besueshëm. U njoftua se për persona që shërbejnë në politikë a në organe të specilaizuara, veç tjerash, do bëjnë "provën" e "makinës të së vërtetës". Jo vetëm jam anti asaj "makine", por, kam frikë, se një"makinë" e tillë zor se i afrohet dhe "qenit të Degës", se atij të Hekuranit që hante dhe të zotin, jo që jo.
Por, në fund të fundit, pse do t'i hajë "qeni i Hekuranit" këta politikanë tanë që janë "qelibarë" në të gjitha drejtimet?!!!

Tiranë, 22 prill 2016

Në 100-vjetorin e lindjes, Vlora nderon Qemal Haxhihasanin, personalitetin e shquar të arsimit dhe folklorit shqiptar


Prof. Dr. Gaçe: “Akademia e Shkencave, duhet të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat janë një material i gjallë i shpirtit artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm dhe të ardhshëm”



Vjollca TYTYNI BIRAKU

Prof.dr. Bardhosh Gaçe, kishte kohë që po punonte me përkushtim për organizimin e një evenimenti shkencor, për jo vetëm për bashkëshoqëruesin e tij shkencor por edhe për mikun e tij, Qemal Haxhihasani. Në sallën e konferencave “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës, gjithçka ishte përgatitur me kujdes për të prezentuar sa më denjësisht figurën e folkloristit të shquar z. Q. Haxhihasani, e cila u shpalos nga albanolog dhe njohës të mirë të punës dhe gjithë aktivitetit të tij studiues në fushën e kërkimit shkencor.
Ndjehem e detyruar të përkufizoj më këtë rast, impenjimin e dr. Bardhosh Gaçes, i cili si një studiues i mirëfilltë i fushës së albanologjisë, në mënyrë kronologjike servoi për të pranishmit dhe njohësit e kësaj figure të shquar, jetën dhe gjithë krijimtarinë e këtij udhëtari të fushës së shkencës dhe të dijes. Edhe pse, përkundër gjithë angazhimit dhe falë modestisë që mbizotëron në personalitetin e tij, prof. Gaçe e dinte se, një organizim i tillë, nuk do mund të përjetësonte brenda një dite punën e palodhshme të Qemal Haxhihasanit, këtij intelektuali të shquar. Sidoqoftë, ajo që është me rëndësi, ka të bëjë me mirënjohjen qytetare e intelektuale te njerëzve dhe vlerave tona të çmuara kombëtare.
Takimin shkencori me rastin e 100-vjetorit të lindjes së dijetarit Q. Haxhihasani e hapi dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, ku ishin të pranishëm studiues nga Shqipëria, Tetova e Prishtina. Në seancën e punimeve shkencore të Konferencës me kumtesat e tyre u paraqitën: prof.dr. Agron Xhagolli, folklorist nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë (QSA), i cili u përqëndrua në temën: “Personaliteti i prof. Qemal Haxhihasanit, dje dhe sot”, më pas referuan edhe prof.dr. Nexhip Mërkuri, në temën: “Qemal Haxhihasani për të folmet e fshehta të Përmetit dhe prirja e tyre si pasuri gjuhësore”, studiueset dr.Vilma Bello e dr. Migena Balla, të cilat referuan në materialin me temë “E folmja e Çamërisë, si një hulumtim i thellë e krahasues i dialektologut Qemal Haxhihasani, ndërsa, prof.dr. Hamit Xhaferi (pedagog i Universitetit të Evropës Juglindore, Tetovë) trajtoi ndihmesën e Q. Haxhihasanit për arsimin shqiptar në Tetovë, ndërsa, Albert Habazaj, referoi në temën “Qemal Haxhihasani, një Gjolekë i Folkloristikës shqiptare”
Dr. Leka Skëndaj, gjuhëtar dhe pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, shtjelloi kumtesën në temën: “Sfida të kristalizimit të metodologjisë në kërkimet dialektore dhe ndihmesa e prof. Qemal Haxhihasanit”. Ndërlidhur me këtë, dr. Leka Skendaj, ndër të tjera theksoi se: “Prof. Q. Haxhihasani, me pasoinin e lindur u bë i dallueshëm si në  tipologji ashtu edhe në përmbajtje. Dialektologjia, edhe pse nuk mbeti fusha kryesore e studimeve të mëtejshme të tij, që në vitet e para të veprimtarisë shkencore, është bërë objekt i trajtesave dinjitoze për vetë shkallën e profesionalizmit dhe të racionalitetit të problematikave që parashtron, duke u paraqitur kësisoj si model i formatit metodik për studiuersit e tjerë”. 
Prof. L.Skendaj, duke u ndalur në punimet kërkimore në fushën e dialektologjisë të prof. Q. Haxhihasanit, tha se: “Punimet dialektore të profesor Qemal Haxhihasanit, mbeten opus më vete në shtrirjen e gjerë të interesave shkencore të tij. Studimi në nivel monografik i të folmes së Sulovës dhe më pas përqasja me atë të Polisit, si pjesë e grupit kalimtar, mbetet pa dyshim ndër të parët e këtij lloji, duke u bërë kësisoj si modelues i metodologjisë së gjurmimit, regjistrimit, përqasjes dhe krahasimit të dukurive dhe fakteve gjuhësore”.
“Kështu, dr. Leka Skendaj, u ndal edhe në studimin e fonemës së labializimit të a-së, nga ana e studiuesit Q. Haxhihasani, pët të cilën ai tha se: “Atë e gjejmë me graduacione të ndryshme edhe në të folme të tjera të vendit tonë, si në gegërishten lindore (në Kosovë, në rrethinat e Shkupit, në Tetovë e Gostivar dhe pjesërisht në malësinë e Gjakovës). Këtu, jo vetëm a-të e nazalizuara kthehen në o (hona, gjon, thon, ngron) por edhe ato a që nuk janë në pozicion afër bashkëtingëlloreve hundore, paraqesin në disa raste nuance labializimi, si qof (qaf), fore (fare), firor (firar)”.
Gjatë kësaj analize të thuktë dhe interpretimeve të çështjeve fonetike, dr. L.Skendaj në fund të kumtesës së tij përqëndrohet në hundorësinë, që, sipas tij, nuk duhet të kenë qenë si rezultat i veprimit të drejtpërdrejt të trajtave jugore mbi ato veriore, por një aspekt zhvillimi i atij ligji të përgjithshëm që ka përftuar rotacizmi në dialektin e jugut”.
Gjatë kësaj seance folën edhe studiues të tjerë, ndërsa senca e dytë e kësaj Konference Shkencore vazhdoi me kumtesat e studiueseve Arjana Seiti (QSA) dhe dr. Gladiola Elezi, ndërsa, dr. Edlira Çerkezi, paraqiti kumtesën “Veçori të përmbledhjes ‘Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun’ të Qemal Haxhihasanit”.
Duke u mbështetur në trashëgiminë e pasur fokloristike të Qemal Haxhihasanit, dr. Edlira Çerkezi, theksoi se: “Jam ndalur vetëm në një aspekt, atë të studimit dhe botimit të tregimeve dhe këngëve popullore për figurën legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Figura e Skënderbeut dhe Moti i  Madh i tij, na vijnë në dy përmbledhje kryesore: ” Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun“, (1967 ) dhe “Epika Historike I” ( 1983 ), por edhe mjaft artikuj dhe botime të kohës. I tërë ky mjedis dhe figura e kryeheroit tonë sillen prej Qemal Haxhihasanit si një dëshmi e gjallë dhe mjaft  e rëndësishme e cila na flet për ekzistencën e një  epike historike të shqiptarëve të shekullit të XV. Është pikërisht ky syth këngësh që na vjen si jehonë nga poezia popullore arbëreshe, por edhe vise të tjera të Shqipërisë”.
“Në punën gjurmuese të profesor Qemal Haxhihasani, -potencon më tej dr. Edlira Çerkezi, -përfshihen edhe mjaft këngë të tjera nga vatra e kryetrimit, Kruja, por edhe prijësa të tjerë si: Gjergj Arianiti,Vrana Konti,Tanush Topia. Andaj, është meritë e Qemal Haxhihasanit që ai mbodhi mjaft tregime popullore ku zbulohet Sënderbeu si një udhëheqes popullor, kryeprijës në betejat e Gurit të Bardhe dhe Fushë Kuqe, Shën Gjergj, Sfetigrad, Kastriot, Grazhdë, Oranik etj”.
Me të drejtë profesor Qemal Haxhihasani në parathënien e botimit të “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun” si dhe disa artikuj të tjerë që trajton, e paraqet figurën e Skënderbeut të mençur e trim dhe herë herë hiperbolike….Ai argumenton edhe legjendaritetin që merr epoka e Skënderbeut dhe trimëria e tij e cila përcillet me një botë të pasur poetike dhe gjurmë të thella të elementëve baladikë”, ka përmbyllur fjalën në kumtesën e saj, dr. Edlira Çerkezi.
Ndërsa,në këtë Konferencë shkencore organizuar në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të shquar Qemal Haxhihasani, referuan me kumtesat e tyre edhe dr. Artan Xhaferaj, dr. Enkelejda Billa, Orjona Shegaj (QSA), Ermela Broci (QSA), Agron Xhaho, kurse në emër të familjes, përshëndeti e bija e Qemal Haxhihasanit, Jeta Haxhihasani, e cila në monitor komentoi një seri fotografishë të disa prej aktiviteteve më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria e Qemal Haxhihasanit.
Referatin përmbyllës “Profesor Qemal Haxhihasani, albanologu ynë i shquar” e mbajti prof.dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”. I ngarkuar me gjithë organizmin e këtij evenimenti, prof.dr. Bardhosh Gaçe, theksoi se: “Qemal Haxhihasani, një jetë të tërë la gjurmët e veta në kulturën dhe shkencën shqiptare.  Siç u vu në dukje edhe nga kumtesat dhe diskutimet e stuiduesve të tjerë, atëherë themi se, Qemal Haxhihasani është një shembull i rrallë i shkencës shqiptare. Një jetë të tërë në heshtje e pa bujë, ai punoi më një përkushtim të rrallë si mësues në disa treva shqiptare, si pedagog e specialist. Ai u afirmua si pedagog e specialist, si folklorist, etnolog, dialektolog e leksikograf. Ata që e kanë njohur dhe punuar me të, ata që kanë bashkëpunuar dhe mësuar prej tij, përherë sjellin ndërmend portretin dhe personalitetin e tij të rrallë për kulturën dhe shkencën, me kërkesa të rrepta ndaj vetes me dëshira të mëdha për të ndihmuar studiuesit e tjerë”, është shprehur ne referencën e tij, prof. Bardhosh Gaçe. Më tej duke u futur në gjithë krijimtarinë historike e shkencore të prof. Q. Haxhihasanit, prof. Gaçe tha se: “Ky dijetar i rrallë i kulturës shqiptare, ka një varg botimesh folklorike, etnologjike, dialektologjike dhe kërkimore, të cilat tashmë shërbejnë edhe si burime për studiues të tjerë. Në veprimtarinë e tij të gjerë e të larmishme ai arriti të afirmohet si një ndër folkloristët më të shquar të folkloristikës shqiptare. Kujtojmë këtu, botimin prej tij të “Bletës shqiptare”, të Thimi Mitkos, një punë voluminoze e me kompetencë, transkriptuar në pëlhurë alfabetin e sotëm, të pajisur edhe në jetën dhe veprimtarinë e këtij rilindasi”.
Ndryshe, prof. Gaçe, figurën e prof. Haxhihasanit e kundroi jo vetëm në sferën intelektuale por edhe në atë të njohjes dhe miqësisë me shumë personalitete dhe dijetarë të shquar. “Qemal Haxhihasani ishte edhe një mik i mirë i mjaft studiuesve të shquar”, -tha në kumtesën e tij, dr. Gaçe, -siç ishin: E. Çabej, Shaban Demiraj, Anton Çeta, Mahir Domi, A. Xhuvani, Sadri Fetiu, Mark Krasniqi, dhe i atdhetarëvee e dijetarëve të tjerë evropian, si: Lluka Perrone (Luca  Perrone) e Antonio Belluci.
I gjithë qëllimi për organizimin e këtij evenimenti, i cili përkonte me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit të shquar Qemal Haxhihasani, për prof. Gaçen kishte edhe një destinacion tjetër, lidhur me mundësinë e angazhimit insititucional për botimin e shumë veprave të këtij personaliteti me vlera kombëtare.
“U fol këtu për botimet e Qemal Haxhihasanit, por, unë mendoj se vepra e tij dialektologjike, folkloristike, etnografike e letrare ende është në arkiva. Por, ç’mund të bëhet në të ardhmen?”, shton pyetjen e tij dr. Gaçe.  “Andaj, -potencon më tej dr. Gaçe, -duke e ndjerë të nevojshme angazhimin dhe kontributin për pasurimin, botimin dhe arkivimin e pasurisë sonë kombëtare, të cilin jo vetëm njerëzit arsimdashës, por atë me patjetër duhet ta kenë në konsideratë edhe institucionet tona shtetërore”. Pëmes këtij ‘selami’, prof. Gaçe, në këtë konferencë shkencore kërkon që: “Institucionet shkencore si Akademia e Shkencave, të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat, duke marrë në konsideratë pikërisht veprat e këtyre dijetarëve si: Qemal Haxhihasani, Rrok Zojzi, Rebi Alikaj janë një material i gjallë i shpirtit artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm dhe të ardhshëm”, e përmbyll, kumtesën e tij, dr. Bardhosh Gaçe, duke theksuar në fund se, ky takim që përkon me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit dhe folkloristit të shquar Qemal Haxhihasani, nuk përmbyllet këtu por do të vazhdoi me sesione të tjera të cilat do të zhvillohen edhe në Kosovë e Maqedoni, ku prof. Haxhihasani kishte vepruar dhe krijuar gjatë gjithë jetës së tij.
Konferenca Shkencore me temë: “Qemal Haxhihasani, personalitet i shquar i arsimit dhe i folklorit shqiptar”, u organizua nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlore, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA).
Qemal Haxhihasani u lind në qytetin e Elbasanit më 16 shkurt 1916 dhe u nda nga jeta më 1 shkurt 2002. Ai dha një ndihmesë të çmuar në fushën e historisë së folkloristikës shqiptare dhe konsiderohet si një ekspert i letërsisë popullore shqiptare, si eksplorues, gjurmues e hulumtues, i cili njëkohësisht ishte i lidhur ngushtë me poezinë popullore, ku punoi dhe u anagazhua në realizimin e shumë teksteve të këtij zhanri krijues të letërsisë sonë.



 Lexoni edhe:


http://floripress.blogspot.com/2013/02/marinaj-nje-pasurues-i-lingusitikes-se.html

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...