Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/08

Fati i letërsisë shqipe gjatë gjysmës së shekullit XX

Fati i letërsisë shqipe gjatë gjysmës së shekullit XX ka qenë po aq tragjik sa dhe fati i popullit shqiptar. Letërsia shqipe pas vitit 1944 u dhunua dhe u denatyrua gjithanshëm, sa preku rëndë pesë shtretërit nëpër të cilët ajo rrodhi:
- Letërsia shqipe e ekzilit (Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Bilal Xhaferri etj);
- Letërsia shqipe e ndaluar, anatemuar dhe e mohuar (At Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prenushi, Lumo Skëndo, Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi si dhe gjithë tradita letrare françeskano-jezuite, trashëgimia e mendimit intelektual shqiptar e viteve '30);
- Letërsia shqipe e papranuar zyrtarisht, ose e papërfillur si fakt letrar (Mirush Kuteli, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Frederik Reshpja, Vexhi Buharaja, Mustafa Greblleshi);
- Letërsia shqipe e burgjeve dhe e ndëshkimeve të përgjakshme (Et'hem Haxhiademi, Gjergj Bubani, Qemal Draçini, Ndoc Nika, Sejfulla Malëshova, Kasëm Trebeshina, Musine Kokalari, Kapllan Resuli, Pano Taçi, Astrit Delvina, Trifon Xhagjika, Fatos Lubonja, Bashkim Shehu, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela etj);
- Letërsia shqipe e realizmit socialist (Dhimitër Shuteriqi, Fatmir Gjata, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare etj).
Rezultati qe katastrofik për të pesë këto degë: letërsia shqipe e ekzilit humbi lidhjet me truallin amtar, çka do të thotë, humbi lexuesin; letërsia e ashtuquajtur e "emigrimit të brendshëm", e shpërfillur zyrtarisht, iu nënshtrua përndjekjes, daljes jashtë qarkullimit, përjashtimit nga komunikimi me lexuesin; letërsia e burgjeve arriti të dalë në dritë vetëm pas rënies së komunizmit, ndërsa pjesa më e madhe e autorëve të saj u pushkatua, u var apo vdiq qelive dhe hetuesive nën tortura; letërsia e realizmit socialist, e stimuluar dhe e propaganduar si ndihmëse e makinës së dhunës komuniste, e botuar në tirazhe të mëdha, pati prapëseprapë një fat me fund të trishtuar. E veçuar nga tradita dhe kodi letrar gjenetik nacional, e shkëputur dhe e prerë nga procesi letrar europian dhe botëror, ajo mbeti, siç kishte origjinën e importuar, një mish i huaj në traditën letrare shqiptare, duke pësuar dështim të plotë.
Lexuesi shqiptar i disa brezave s'pati mundësi tjetër, përpos se me hir a me pahir të komunikonte veçse me Letërsinë e realizmit socialist, nën një presion të gjithanshëm ideologjik. Edhe fati i lexuesit shqiptar nuk mund të abstragohej i shmangur nga katastrofa tragjike e letërsisë shqipe. Me ndihmën e censurës, çmimeve letrare shtetërore të PPSH-së, titujve, kritikës letrare servile, lexuesit shqiptar iu imponuan përfytyrime të përçudshme për letërsinë artistike dhe vendin që duhet të zinte ajo në jetën shpirtërore të njeriut. Një rol të mbrapshtë në shpëlarjen ideologjike të vetëdijes masive luajti edhe shkolla ku librat pushuan së shijuari: ato vetëmse propagandoheshin. Sistemi totalitar këmbëngulte para së gjithash në sinkronizimin e letërsisë me montin e aktualitetit politik, sipas parullës famëkeqe të Leninit me përthyerjet dhe perversionet shqiptare: "Ai që sot nuk këndon me ne, është kundër nesh!".
Që të bëhesh udhëheqës i popullit dhe njëherësh shërbëtor i tij, siç thoshte Majakovski, shkrimtarit i takonte t'i shërbente me besnikëri partisë, duke refuzuar lirinë e brendshme, pa të cilën procesi krijues është thjesht i pamundur. Librat e shkruar pa dhembjen dhe frymëzimin, në të mirë të konjukturës, partisë dhe shokut Enver, edhe nëse shpërndaheshin në shoqëri, në thelb ato mbeteshin jashtë sinoreve të artit. U shkëputën prerazi lidhjet me modelet amtare të parakomunizmit dhe me letërsitë e mëdha të botës. Ndërkaq procesi letrar u përkeqësua edhe më shumë nga pesha e ndikimit të formës komando-administrative të normës shoqërore, e cila me një agresivitet të rrallë dhe egërsi ndëshkuese lante hesapet me cilindo shkrimtar që dilte jashtë modeleve të diktuara.
Sistemi i degëzuar (centralizuar) i tabuve të rrepta e deformoi që në zanafillë zhvillimin e natyrshëm të letërsisë, duke lënë një trashëgimi të ngjashme me vatrat toksike edhe sot. Duke u mbështetur në artikullin e Leninit "Organizata e partisë dhe letërsia e partishme (partishmëria)", realizmi socialist operonte me një kodeks rekomandimesh, se si duhej të shkruante një anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve sovjetë, çka u kopjua dhe shpu deri në absurd në përvojën e komunistëve shqiptarë.
Fanatizmi ortodoksal ideologjik mbërriti kulmin e nonsensit në Shqipëri kur format e survejimit të shkrimtarëve kishin pësuar njëfarë zbutje edhe në vendin ku qe importuar socrealizmi, në BRSS, me periudhën e Zbutjes (Ottjepell). Dihet se pas kësaj periudhe, që përkon me fundin e viteve '50, lind dhe dukuria e "Disidencës", nis një komunikim ilegal me lexuesin nëpërmjet qarkullimit të veprave letrare nën dorë, libra, broshura, dorëshkrime, vetëbotime (Samizdat), një dimension antizyrtar i letërsisë. Me dhjetëra shkrimtarë rusë, megjithëse iu nënshtruan gjyqeve, si Sollzhenicini, Aksionovi, Vojnoviçi, Aleshkovski, Dovllatovi apo Josif Brodskij, ata tekefundit dëboheshin jashtë kufijve të BRSS-së. Por në komunizmin gjakatar të Enver Hoxhës, si në çdo çështje, edhe në letërsi, u tejkalua edhe modeli i importit, duke vepruar sipas parimit "më katolik se Papa". Survejimi total i komunizmit shqiptar mbi individin, që tejkalon edhe vizionet antiutopike oruelliane, nuk la asfare hapësirë për zhvillimin e disidencës. Shpesh tek ne termi "disidencë" përdoret gabim në diskurset letrare. Disidenti politik, ideologjik apo kulturor në fillim është pjesë e një rendi vlerash, i cili në masën e ngushtimit të hapësirës së lirive dhe pikëpamjeve i kundërvihet sistemit, gjendet në kundërshti me të. Në letërsinë e disidencës së Lindjes ish-komuniste të tillë kanë qenë Cezllav Miloshi dhe Zbignjev Herberti në Poloni, Milan Kundera dhe Bogumill Hrabali në Çekosllovaki, A. Sollzhenicini dhe Josif Brodskij në Rusi. Në Shqipëri nuk ka patur disidencë, por Kundërshtarë. Kjo sepse edhe premisat për disidencë mbyteshin që në embrion dhe fati i mëtejshëm i shkrimtarit, dashje-padashje do të vendosej polarisht si kundërshtar. Fraza e poetit Trifon Xhagjika në gjyq, se "Sistemit tuaj do t'i bija me top" e vërteton më së mirë këtë tezë. Në diktaturën komuniste shqiptare u përshkallëzua dhe u përthelluan me shkrimtarët ato metoda të KGB-së së Jezhovit dhe Xherzhinskit në pikun më të egër të stalinizmit të viteve '30 në Rusi. Në po atë ngjashmëri, pas asgjësimit të shkrimtarëve kundërshtarë me pushkatime në vitet 1945-1947, përvoja shqiptare përsërit përvojën e shtetit leninist në fillim të viteve '20 me pogrom-et famëkeqe, shpartallimit të grupimeve artistike, shkollave dhe lëvizjeve të artit modernist/avangardist nëpërmjet pushkatimeve. Siparin e kësaj kasaphane e hap simbolikisht grumbullimi i 200 filozofëve rusë në Odesë, të cilët i hipën në një anije dhe i dëbuan jashtë BRSS-së. Përvoja shqiptare i ra shkurt: thjesht i pushkatoi me dhe pa gjyq.
Disidenca ishte një luks i madh për komunizmin shqiptar. Nuk pritej të botohej vepra e të diskutohej. Bastisej banesa e shkrimtarit dhe gjykoheshin dorëshkrimet e pabotuara si provë armiqësore.

Origjina e realizmit socialist
Dihet tashmë se me fitoren e luftës së popujve mbi fashizmin, si gjithkund në Europën Lindore, edhe në Shqipëri u vendosën “demokracitë popullore”, të cilat më pas, nën ndikimin, diktatin dhe përvojën e socializmit sovjetik, imituan të gjitha modelet sociale, kulturore dhe politike të “vëllait të madh”, Bashkimit Sovjetik.
Zbatimi i modeleve të realeve të jetës së socializmit stalinist në shtetin e ri shqiptar, të papërvojë, u bë në kushtet e një konfuzioni të madh social, politik e nacional. Promovimi i modeleve socialiste jugosllave dhe sovjete në realitetin e prapambetur shqiptar, me një strukturë familjare gjysmëpatriarkale konservatore dhe me jehonën e freskët të përçarjes nacionale që la lufta, në vend të optimizmit e solidaritetit me pushtetin e ri, solli një hutim e moskuptim të thellë – për rrjedhojë – edhe pakënaqësi e kundërshtime të armatosura.
Edhe letërsia shqipe, ashtu si shumë fusha të aktivitetit shoqëror, mendor, psikologjik e fetar, e pati të vështirë të përshtatej me modelin e importuar socrealist, i cili iu imponua si dogmë e metodë zyrtare, duke krijuar që në fillim një raport të fortë tëhuajësimi me gjithë traditën tonë letrare të deriatëhershme (viti 1945).
Origjina e doktrinës së realizmit socialist ka një zanafillë të hershme, edhe pse më parë, në asnjë kulturë, nuk ishte bërë dogmë zyrtare. Madje edhe në Bashkimin Sovjetik, zyrtarisht, si dogmë e imponuar ideologjike u instalua në vitin 1934, përsa deri atëherë, edhe pas triumfit të revolucionit bolshevik të tetorit 1917, vazhduan të ekzistojnë një numër i madh shkollash, grupimesh, prirjesh e tendencash moderniste e avangardiste. Realizmi socialist si metodë, në mënyrë të përmbledhur, shënon një nocion terminologjik të gjerë, të aplikuar në disa nivele të botëkuptimit komunist.1
Ai është një term i përdorur në shkencën e letërsisë sovjete dhe në shkencat e arteve në fillim të viteve ’30 për të shenjuar “metodën themelore”, e cila “i kërkon artistit paraqitjen me vërtetësi konkrete historike të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar”, realitet i cili ndërthuret me detyrën e edukimit të punonjësve në frymën e socializmit” ("Kongresi i Lidhjes së Shkrimtarëve të BRSS-së”, 1934). Nocioni estetik "realizëm” lidhej me përcaktimin "socialist”, çka solli në praktikë nënshtrimin e letërsisë dhe arteve ndaj principeve të ideologjisë dhe politikës. Postulati kryesor i realizmit socialist u bë partishmëria dhe ideshmëria sociale. Kërkesat e realizmit socialist u shndërruan faktikisht në tabu, që e frenuan krijimtarinë që për vite me radhë ishte mënjanuar (shmangur) nga jeta shpirtërore e popullit prej veprave të talentuara të Ana Ahmatovës, Dmitri Shostakoviçit, Sergej Ejzenshtejnit, Pavel Filonovit, etj., duke stimuluar përkundrazi krijimin e veprave mediokre e konformiste që u bënë bori të propagandës. Përpjekjet për ta zgjeruar “bazën teoritike” të socrealizmit me idetë e “tabanit popullor” (në fund të viteve ’30), të “socializmit humanist” (në fund të viteve ’50) ose me principet e estetikës së “sistemit të hapur” (në vitet ’70), nuk e ndryshuan statusin zyrtar dhe natyrën ideologjike të nocionit.2
Në fund të viteve ’80, socrealizmi shndërrohet në term historiko-letrar.
Një formulim interesant ka dhënë Andrej Sinjavskij në artikullin e tij “Çfarë është realizmi socialist”: “...një gjysmëart gjysmëklasik, jo shumë socialist dhe aspak realist”.
Kështu, për shembull, në romanin “Nëna” (1905) të A. M. Gorkit, na paraqitet mjaft hollësishëm miti kristian mbi Shpëtimtarin (Pavel Vllasovi), i cili flijon veten në emër të gjithë njerëzimit, dhe nënës së tij (Pelageja, domethënë Shën Mëria) – kësaj figure kyçe për vetëdijen ruse dhe mitit kristian të adoptuar prej saj. Kjo që thamë nuk kundërshton faktin se kjo vepër është diçka krejtësisht mediokre. Rëndësi ka që, duke i shpallur luftë religjionit, bolshevikët megjithatë shpallën një religjion të ri, shumë të njohur e të harruar, për të krishterët e lashtë. Për këtë ka shkruar bindshëm një nga historianët më të njohur të kulturës, sër Arnold Xhozef Tojnbin. “Kishës së zhvilluar bolshevikët i kundërvunë bashkësinë kompakte kristiane, por primitive, të shekujve të parë pas Krishtit me kultin e varfërisë, shoqërizimin e pasurisë dhe agresivitetin ndaj paganëve ideologjikë. Po ashtu si kristianët e parë, “republika e re sovjete” gjendej në “rrethin e armiqve”, veçse në rastin e parë kjo ishte Perandoria e shpartalluar romake, kurse në të dytin – shoqëria e përparuar kapitaliste. Në rastin e parë fitoi krishtërimi, në rastin e dytë - kapitalizmi.3
Një vepër tjetër është romani i A. S. Serafimoviçit “Përroi i hekurt”, i cili rrëfen se si një komandant i kuq, Kozhuhu, nxjerr divizionin e Tamanskit nga rrethimi, - nën dritën e mitologjisë evangjeliste, historisë së daljes së judejve nga Egjipti dhe përftimit të Tokës së Premtuar. Kozhuhu këtu del gjoja në rolin e Moisiut, për çka gjejmë edhe aludime të drejtpërdrejta në tekst. Me vite realizmi socialist përpunoi mitologjinë e vet ideologjike. Kjo mitologji ka tipare jo më romantike, por më së shumti të planit klasik. Siç dihet, konflikti bazë në ideologjinë e klasicizmit është konflikti ndërmjet detyrës/arsyes dhe ndjenjës, ku fiton detyra. Në vepra të tilla të socrealizmit, si “çimentoja” të F. Glladkovit, “Si u kalit çeliku” të N. Ostrovskijt, “Rrëfim për njeriun e vërtetë” të B. Polevojit, dalin në pah qartazi këto karakteristika. Heroi i veprave të tilla heq dorë nga dashuria për hir të revolucionit. Realizmi socialist e tejkalon edhe klasicizmin. Heroi i tij, i shpërblyer nga pushteti, e humbet në përgjithësi kurmin njerëzor, duke u shndërruar në robot. Diç e këtillë ndodh me Pavel Korçaginin. E përmbyll këtë mitologjemë Aleksej Meresjev me “Njeriu i vërtetë”, i cili zëvendëson “njeriun e vogël”, “njeriun e tepërt” me “njeriun e ri” nga letërsia ruse e shek XIX. Njeriu i vërtetë është një mutant teknologjik. Atij i kanë shkurtuar këmbët, por ai vazhdon të mbetet pilot, përveç kësaj, shkrihet me makinën – ky episod është përshkruar mjaft hollësisht në romanin e Boris Polevojit. Trupi i personazhit socrealist zëvendësohet me hekurin, ai kalitet me çelik – një “druvar i hekurt” i socializmit të zhvilluar.4
______________________________________
1 Nga leksionet e letërsisë së huaj të shek XX, “Origjina e realizmit socialist”, A. Tufa
2 Nadtoçij E. Druk, “Shok dhe vëlla” (disa thjeshtime mbi vendin e realizmit socialist në artin e shekullit XX.) // Daugava, 1989. – М 8. “Fjala” – 8 dhjetor 2004, faqe 15. “Fjala”, 4 shkurt 2006, faqe 13/14 -15.
3 Tojnbin A. XH. “Kristianizmi dhe marksizmi” // po aty.- 1989. - No 4. “Fjala” 16 mars 2004. f. 13
4 Rudnjev Vadim. “Kultura dhe realizmi”// po aty. - 1992.- No 6.

Kur Pipa na mbushte me ideale!



Frank Shkreli

Në paradoks, Arshi Pipa nuk kujtohet sot nga ithtarët e tij, por nga një njeri i thjeshtë që e ka njohur rastësisht në emigrim

Arshi Pipa lindi në Shkodër më 28 korrik 1920 dhe ndërroi jetë në Uashington më 1977. Ai jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë atdheut, në mërgim të detyruar. Arshi Pipa ishte shumë i njohur në qarqet akademike e kulturore në Perëndim e sidomos në Amerikë, por gjatë periudhës së komunizmit ishte “persona non grata”, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Megjithëse nuk e ndiej veten as të denjë dhe as të kualifikuar për të shkruar për Arshi Pipën dhe veprat e tij, dua vetëm të shënoj këtë përvjetor, pasi e kisha njohur atë dhe motrën e tij, Fehimen, me të cilën kam punuar në “Zërin e Amerikës”. Ndiej një detyrim moral – për vuajtjet e kësaj familjeje nën regjimin e Enver Hoxhës, për burgun që pësoi Arshiu vetë në ferrin komunist shqiptar dhe për vrasjen nga komunistët e të vëllait të tyre Myzaferin – që me dy-tri fjalë të përkujtoj këtë njeri të madh, në këtë përvjetor të lindjes së tij.

Arshi Pipën, përveç kontributeve të mëdha që i ka lënë kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë dhe publicistikës – në bazë të takimeve e bisedave të disa hershme me të në Uashington – e mbaj mend më shumë si atdhetar dhe antikomunist, pasi afër zemrës kishte dashurinë për Shqipërinë dhe çlirimin e saj nga komunizmi. E vlerësoj shumë qëndresën e tij antikomuniste. Megjithëse kishte vuajtur ferrin në burgjet e Shqipërisë duke e shikuar vdekjen në sy, ai kurrë nuk humbi shpresën për liri, për veten dhe për kombin shqiptar dhe si rrjedhim për këtë ideal ai punoi pa ndërprerje deri në minutën e fundit të jetës së tij. Ai shpesh thoshte: “Komunizmi nuk ka të ardhme. Ai do të përsëritet në involucione gjithnjë ma të dobëta derisa të shterret vetvetiu“.

Takimi im i parë me Arshi Pipën nuk ishte si person, por ishte “Libri i Burgut” i shkruar në burg si një dokument kundër regjimit komunist. Një libër ky për të cilin vet autori thotë se “… u nis me qëllim që të delte ai nga burgjet prej të cilave unë ndofta nuk do të delsha… Kështu që, qysh herët shestova me mbledhë përvojën time dhe jo vetëm timen, të kohës së robnisë, qi të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut dhe të kampit – e një anës së jetës nën diktaturën komuniste, e cila karakterizon mirë gjithë kompleksin”.

Kështu që, pa e takuar atë, unë kisha njëfarë ideje se kush ishte Arshi Pipa. Kam pas fatin të takoja këtë dijetar të madh shqiptar disa herë dhe e kam admiruar sa ishte gjallë si edhe pas vdekjes, pasi ai kishte një përgatitje të dijes së gjithanshme. Dituria e tij ishte rrjedhim e fryt i studimeve të pareshtura dhe vuajtjeve personale e familjare. Ai, në bisedë të angazhonte intelektualisht dhe në argumentet e tij kishte një gjallëri përbindëse të idealeve.

Arshi Pipa personifikonte patriotin dhe intelektualin, ndër më të shquarit e kombit shqiptar, i cili asnjë ditë të jetës së tij nuk pushoi së luftuari për liri e demokraci dhe për lirinë e fjalës, për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, gjithmonë në një papajtueshmëri të plotë ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste. Majin që kaloi, Presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi, mori pjesë në përurimin e fotoekspozitës së shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë nga diktatura, të titulluar “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave“, në mjediset e Muzeut Historik. Me atë rast, Presidenti Topi vuri në dukje përvojën e hidhur të viktimave dhe të persekutuarve gjatë diktaturës dhe ndriçimin e së vërtetës historike, duke thënë se “kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. Ajo na thotë se aty ky ishte burgu, aty ku ishin telat me gjemba, aty ku ishin torturat, aty ku përballej vdekja – aty ishte atdheu…”

Me atë rast, Presidenti Topi përmendi vëllezërit Arshi e Myzafer Pipa dhe tha: “Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari, si zëri më i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati, mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbyte kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët“. “Shqipëria, – tha Presidenti Topi, – ka përvojën, rastet dhe kryeveprat e veta në këtë marrëdhënie. Shoqëria demokratike dhe institucionet e saj, tek këta shkrimtarë e avokatë dhe veprat e tyre duhet të shohin përsosjen e vet”. Presidenti përfundoi duke thënë se “institucionet shtetërore që mbulojnë trashëgiminë kulturore dhe historike, duhet të kenë një vizion të qartë. Dogmat e së djeshmes duhet të zëvendësohen nga objektiviteti shkencor“.

Sot, në këtë 90-vjetor të lindjes, kujtojmë Arshi Pipën, personalitetin e madh kulturor, poetin e shkrimtarin, atdhetarin, demokratin e antikomunistin e flakët që vuajti në burgjet e diktaturës komuniste. Kujtojmë gjithashtu personin që mund të thuhet se jo vetëm që nuk është zbuluar ende si duhet, por mund të deklaroj se nganjëherë e nga disa ai mbetet i keqkuptuar dhe i trajtuar në mënyrë indiferente, sidomos nga institucionet kulturore për të cilat bën fjalë më lart, Presidenti Topi.

Janë fjalë që nuk duan veshë të shurdhër. Arshi Pipa ishte lëvrues i palodhur i kulturës, shkrimeve dhe studimeve shqiptare, duke zënë vend në krye të radhës.

Ai gjithë jetën dhe vuajtjet ia kushtoi atdheut dhe kombit. Ai ishte ndër më të ndritshmit patriotë e shkollarë, veprat e të cilit janë jetike për kombin e vuajtur shqiptar nga terri 50-vjeçar komunist. Është gati si amanet kur thuhet se duhen njohur veprat e elitës së qëndresës antikomuniste shqiptare, duke përfshirë edhe veprat e Arshi Pipës, do të rivendoste dinjitetin dhe nderin e nëpërkëmbur njerëzor të elitës së vuajtur dhe të viktimizuar shqiptare.

Arshi Pipa tërë jetën u mor me fatin e atdheut të vet, prandaj në këtë përvjetor të lindjes së tij ta nderojmë këtë dijetar që solli dritë mbi historinë tonë dhe që na përfaqësoi në botën e jashtme me dinjitet, duke e paraqitur kombin shqiptar si të denjë të zërë vendin që i takon në radhët e kombeve të qytetëruara. Duke i kthyer ligjshmërinë dhe vendin që i takon Arshi Pipës dhe veprave të tij në historinë e kombit shqiptar, në nuk bëjmë asgjë tjetër veçse vëmë në dukje fisnikërinë e vetes sonë.

Arshi Pipa, veprat e të cilit nuk do të njohin kurrë mort, është i denjë për nderimet tona dhe meriton mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve.

Kush janë shkrimtarët dhe gazetarët shqiptarë të dënuar nga diktatura



Janë 146 artistë që janë dënuar nga diktatura komuniste. Të qenit kundër Partisë Komuniste e qeverisjes së saj ka internuar burgosur dhe pushkatuar, shkrimtar, poet, dramaturg, regjisor dhe këngëtarë, duke mos lënë jashtë as priftërinj. Në këtë shkrim publikohen emrat e shkrimtarëve dhe të gazetarëve të dënuar nga regjimi.



JUSUF VRIONI, përkthyes

Përkthyes, shkrimtar, prozator, njeriu që e shkriu tërë jetën e tij për të bërë të njohur letërsinë shqipe nëpër botë. Ai që përktheu në gjuhë të huaj librat e Migjenit e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Jusuf Vrioni lindi më 16 mars të vitit 1916 në Korfuz. Në Francë, Jusufi mbaroi studimet në tre universitete. Më pas më 5 gusht të vitit 1939, ai kthehet në Shqipëri. Emërohet si punonjës i Ministrisë së Jashtme në Romë. Në mars të vitit 1945, i jepet urdhri i mobilizimit duke e emëruar partizan në Brigadën e 16-të Sulmuese. Kur komunistët morën pushtetin dhe në valën e arrestimeve të atyre, familjet e të cilëve kishin qenë të lidhur me Zogun, Jusufi u arrestua. Më 13 shtator 1947, futet në burg dhe në të njëjtën kohë i internojnë të ëmën në Fier. Në gjyq del pas tre vjetësh dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie. Një nga akuzat ishte ajo e agjenti të Francës. I burgosuri Jusuf Vrioni mori pjese ne tharjen e kënetës së Tërbufit dhe në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit. Për sjellje të mirë, ai lirohet më 3 dhjetor të vitit 1959. Emërohet ambasador në Francë, ku vdes më moshën 85-vjeçare.

VISAR ZHITI, poet

Visar Zhiti lindi më 2 dhjetor 1952 në Durrës dhe u rrit në Lushnjë, ku kreu edhe gjimnazin. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Shkodrës e disa vite punoi në Kukës si mësues. 1973 provon të botojë dorëshkrimin poetik Rapsodia e jetës së trëndafilave. Por më 8 nëntor 1979 arrestohet pas denoncimit që i bënë redaktorët e librit të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke kundra partisë e udhëheqësit të saj”. Edhe një kartolinë që ai ja kishte dërguar mikut të tij poetit Frederik Reshpeja, ju quajt armiqësore. Për ta kopsitur mirë dosjen e tij, Sigurimi detyroi disa mësues, që të dëshmonin kundra kolegut të tyre të shkollës. Më 1980 ai dënohet më 10 vjet burg. Nga këto Visari mundi që të fitojë me punë dhe nga amnistitë afro dy vjet, duke dalë nga burgu në vitin 1987. Atë e dërguan të punonte si punëtor në fabrikën e tullave në Lushnje, pasi i ishte hequr e drejta e profesionit të mësuesit ku punoi deri në vitin 1991.

MUSINE KOKALARI shkrimtare

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor 1944 u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie si desidente. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen. Sëmuret më 1981 nga kanceri dhe vdes pas dy vitesh.

MITRUSH KUTELI, shkrimtar

Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Është cilësuar si shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist mjaft i mirë. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në Shqipëri, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë si përkthyes. Në fillim të vitit 1947, gjatë fushatës së gjerë të arrestimeve të elitës intelektuale shqiptare, dënohet më 10 vjet burg si kundërshtar i regjimit komunist. Nga ky dënim kalon dy vjet në burgjet politike dhe më pas amnistohet dhe fillon të punojë si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Mitrush Kuteli i cili ka dhënë një kontribut në letërsinë shqiptare vdiq më 4 maj të viti 1967 në Tiranë.

ARSHI PIPA, gazetar, kritik

Do të duhet që ti vinin vitet e demokracisë që ai të vlerësohej, por këtë herë jo si diversant. Arshi Pipa ka lindur në Shkodër më 1920. Mbaroi shkollën në 1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. Në 1941, u emërua mësues filozofie në liceun shtetëror të Tiranës. Më pas në prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit shqiptar. Kështu vitet 1946-1956, i kalon në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar. Në 1957-ën u arratis për në Jugosllavi, ku jetoi si refugjat. Gjatë asaj periudhe, përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine. Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Madje në këtë shtet, Arshi Pipa ka qenë një nga pedagogët më të mirë ku ka dhënë gjuhë italiane dhe që mbante mbi supe edhe grada si doktor.

GJON SHLLAKU, përkthyes

Lindi në qytetin e kulturës shqiptare në shkodër më 24 mars të viti 1923. është cilësuar si një ndër përkthyesit më të mirë. Por jetë e tij do të ndryshonte kur më 9 dhjetor 1945 kur ishte student në degën e Teologjisë u arrestua si anëtar i organizatës “Bashkimi shqiptar” për agjitacion dhe propaganda kundër shtetit komunist. U dënua me 101 vjet heqje lirie, por u lirua pas 11 vitesh. Në vitet e burgut Gjon Shllaku duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja përktheu “Punët e Apostujve” tekste biblike nga origjinali, greqishtja e vjetër, “Apokalipsi”. Në vitin 1965 ai përktheu nga origjinali greqishte e vjetër “Iliaden” e Homerit. Më vonë botoi fjalorin “Helenik” me 20 mijë fjalë greqishte e vjetër-shqip. Është pikërisht profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i 50 kryeveprave botërore në të gjitha gjinitë tragjedi, komedi, poezi, prozë, ese, histori etj. Gjon Shllaku, helenisti madh, është edhe fitues i diskut të argjendë nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letersisë antike greke. Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare.

At ANTON HARAPI, shkrimtar

Qenia e tij kundër regjimit komunist do ta dënonte atë me vdekje. Anton Harapi, ka lindur në Shirokë afër Shkodrës. Mësimet e larta i kreu në Vjenë të Austrisë. Shërbeu së pari si famullitar në Grudë të Malit të Zi, më vonë si drejtor i Kolegjës Françeshkane të Shkodrës, edhe si drejtor dhe profesor i filozofisë në gjimnazin ”Illyricum” dhe në vitet 1941-43 si provincial i françeskanëve. Më 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944.Pas fitores së Ushtrisë nacional-çlirimtare ai u detyrua të fshihej në pyjet e thella të Dukagjinit, në katundin Pulth-Plon, dhe prej andej ai bëri përpjekje për të organizuar një rezistencë nacionaliste kundër pushtetit komunist. Në qershor 1945 prifti antikomunist, kapet në shtëpin ku kishte marrë strehim. Ai u zbulua për arsye se kishte lënë një protezë dhëmbësh në një gotë uji mbi parmakun e oxha ut. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Atë Anton është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit.

VINÇENST PRENUSHI, poet

Emri i tij nuk do të hiqet nga lista e artistëve të cilët u dënuan nga diktatura, pa pasur një akuzë të qartë dhe bindëse. Mjafton te hidhje një fjalë kundër qeverisjes komuniste dhe veç burgut do të internohej edhe familja. Këtë fat ka pasur edhe poeti Vinçens Prenushi. Ai lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Boton më 1911 në Sarajevë vëllimin e parë të “Visaret e kombit”, me titull “Kangë popullore gegnishte”. Përktheu gjithashtu disa vepra nga Dante, Ëisseman, Slenklevicz, etj. Dënohet pa faj me 20 vjet burg më 1947. Por qëndrimi i tij në burg do të zgjaste vetëm dy vjet. Kjo pasi vdes më 19 mars 1949 nga astma. Më vonë në vitet e demokracisë ai do të shpallet “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës.

JORGO BLLACI, poet

Edhe Jorgo Bllaci një ndër poetët më të mirë të vendit nuk i shpëtoi përndjekjes nga regjimi komunist. Jorgo Bllaci ka lindur me 1938 në Gjirokastër. Ai ka studiuar për Gjuhë-Letërsi shqipe dhe ka punuar së pari mësues e pastaj përkthyes. Në vitet ’50 ai dënohet nga regjimi komunist me dhjetë vite burg, për shkak të bindjeve të tij politike demokrate. Por kalvari i vuajtjeve për Bllacin nuk do të mbaronte këtu. Pas daljes nga burgu në vitet 1964-1967, Bllacin regjimi e dërgon të punojë si punëtor ndërtimi. Më 1990 ai u kthye përsëri në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri“ ku punon edhe sot. Jorgo Bllaci ka botuar vëllimet me poezi “Ligjërimet e Pyllit“,(1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Gjithashtu ka shqipëruar vepra poetike autorësh të njohur, si Shevcenko, Pushkin, Esenin, Gëte, Du Fu, Frost, vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini“ dhe “Ujrat pranverorë“ të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë.

PETRO MARKO, shkrimtar

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara nga regjimi komunist. Edhe pse ishte një ndër vullnetarët e luftës së Spanjës dhe i burgosur i fashizmit, kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ai shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rresht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht nga Beogradi.

DAUT GUMENI, poet

Daut Gumeni është cilësuar si poeti që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë. Ai lindi më 11.03.1943 në Gusmar, Tepelenë në një familje me tradita atdhetare. Në vitet 1957-1961 mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike ”Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Që në shkollë i shfaqi idetë e tij kundër ideologjisë komuniste. Në këto vite filloi të shkruajë poezi e të konfrontohej me skematizmin e letërsisë së realizmit socialist. Në vitet 1961-1967 punoi si mësues i matematikë-fizikës në rrethin e Tepelenës. Ishte 24 vjeç, kur, në vitin 1967, arrestohet për agjitacion e propagandë kundër Partisë e Pushtetit Popullor dhe për 23 vjet e gjysëm, vuajti dënimin e rreptë të të burgosurit politik, deri në vitin 1990. Një nga kryeakuzat ishte se kishte shkruar poezi reaksionare: antikomuniste e antisocialiste. Pas viteve ’90 ai ka punuar në disa poste të ndryshme shtetëtore.

VILSON BLLOSHMI, poet

Kur thua Vilson Blloshmi nënkupton edhe Genc Lekën, dhe anasjelltas. Ata lindën në muajin Mars. Vilsoni, lindi më 18 mars të vitit 1948, ndërsa, Genci më 23 mars të vitit 1941. Që të dy ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën të njëjtën vdekje dhe në të njëjtën natë. Vilson Blloshmi u pushkatua mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Të dy poetët e kallur nën dhe u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij, ishte poezia “Saharaja”, ku ai e simbolizon Shqipërinë të shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë se, “që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja”.

GENC LEKA, poet

Genc Leka, ishte një mësues shembullor, por për probleme të biografisë e çuan në punë ndërtimi. Edhe pse punonte shumë, ai gjente kohë që të shkruante edhe poezi. Në aktakuzë ishte shkruajtur se ai ka bërë agjitacion, duke u shprehur se, “normat janë të larta dhe shpenzimet e ulëta sa mezi jetohet”. Ai u akuzua për poezi pesimiste dhe jo realiste, sipas prokurorit, “poezitë shprehnin dëshpërim”. Interpretimi i poezive e rëndoi akuzën. Edhe poezitë e natyrës cilësoheshin si politike. Genci dhe Vilsoni, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, u pushkatuan së bashku në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”. Për të dy këta poetë është thënë nga shkrimtarët më të mirë se kishin një talent të jashtëzakonshëm në të shkruar. Dhe nëse do të ishin ende gjallë Shqipëria do të kishte edhe dy kollosë të tjerë të letrave shqipe.

KASËM TREBESHINA, shkrimtar

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë nga më të çuditshmet. “Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studjuesve të letërsisë. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës, ndonëse nuk u botua, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet ’90). Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.

KAPLLAN RESULI, shkrimtar

Kapllan Resuli është pa dyshim një nga shkrimtarët dhe intelektualet më të përfolur, më të sulmuar, më të blasfemuar, më të polemizuar në botën shqiptare. Ai akuzohet edhe si pansllav, por nga ata tjetër cilësohet si një ndër shkrimtarët atdhetarë më të shquar. Vepra më e njohur e tij është “Tradhëtia, megjithëse shumë pak nga veprat e tij janë botuar në Shqipëri. Kapllan Resuli dënua me dhjetë vjet burg nga regjimi komunist për shkak se pikëpamjet e tij nuk korrespondonin me regjimin e E. Hoxhës. Resuli ka pranuar se ai është i majtë, por jo me komunizmin që u ngulit në Shqipëri të cilin ai e quajti komunizëm banditesk, çka i kushtoi shumë rëndë. Pas viteve ’90 edhe pse si Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, por edhe më vonë ish-kryeministri Fatos Nano i kanë kërkuar falje Resulit në emër të popullit shqiptar dhe që të kthehej në atdhe, ai vazhdon të jetojë të në Zvicër.

FATOS LUBONJA, gazetar

Fatos Lubonja është një ndër publicistët, humanistët dhe shkrimtarët të më shquar shqiptar. Ai lindi në Tiranë në vitin 1951 dhe mbaroi studimet për fizikë në vitin 1974 në Universitetin e Tiranës. U akuzua dhe arrestua për shkrimet që iu gjetën të fshehura, për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit dhe për to u dënua 7 vite burgim. Në vitin 1979 u arrestua sërish dhe u dënua sërish edhe 16 vite të tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh burgim. Nga koha e lirimit gjer në vitin 1993 punoi si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Në vitin 1994 themeloi revistën “Përpjekja”. Në vitin 1997 u zgjodh lider i Forumit për Demokraci. Tashmë ai është një nga publicistët më të njohur dhe më peshë në vend.

HAVZI NELA, poet

Poeti kryengritës, nga Kollovozi i Kukësit, Havzi Nela (1934 – 1988), ishte njëri nga ata që s`u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij. Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. Pasi që kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të “papëlqyera” për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Në shenjë mospajtimi me atë që po ndodhte me vendin e tij, më 27 prill të vitit 1967, ai vendos të braktisë vendin dhe ikën në Kosovë. Por, ikja nga atdheu dhe kalimi ilegalisht në Kosovë, qe një tjetër fatalizëm, një tjetër mallkim për poetin dhe mësuesin Havzi Nela, sepse atë e kthejnë sërish në atdhe, ku tani e pritnin pesëmbëdhjetë vite në burgun e Spaçit, të njohur për tmerret e tij, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera të asaj kohe, ku ridënohet për shkak të qëndrimit të “pandreqshëm” të tij. Havzi Nela u ndëshkua mizorisht me varje në Kukës, më 10 gusht 1988, dy vjet para se të përmbysej regjimi mesjetar komunist në Shqipëri.

At ZEF PLLUMI, shkrimtar

At Zef Pllumi është një nga personalitetet më të mëdhenj të kombit tonë. Ai lindi në vitin 1924, në Malin e Rençit (Lezhë), vdiq më 26 shtator të vitit 2007 në Romë. Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në fund të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet famëkeqe të Bedenit dhe Orman-Pojanit. Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë at Zefi, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. Me ardhjen e demokracisë rifillon meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë dhe prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për at Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet ”Françeskanët e mëdhenj” etj. Presidenti Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. At Zef Pllumi vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë në Itali, kurse u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Emri Pozicioni Dënimi

QANI PANARITI përkthyes pushkatuar
DHIMITËR FALLA përkthyes pushkatuar
VINÇEST PRENUSHI poet vdekur në burg
MYZAFER PIPA gazetar vdekur në hetuesi
ARSHI PIPA poet burgosur
ETHEM HAXHIADEMI poet, dramaturg vdekur në burg
At GJON SHLLAKU kritik, gazetar pushkatuar
At ANTON HARAPI shkrimtar pushkatuar
Dom LAZËR SHANTOJA shkrimtar pushkatuar
Dom NDRE ZADEJA dramaturg, poet pushkatuar
Imzot JUL BONATI përkthyes pushkatuar
TERENC TOÇI gazetar pushkatuar
At NIKOLL GAZULLI linguist vdekur në hetuesi
Prof. SIMON DEDA përkthyes vdekur në burg
Patër MARK HARAPI shkrimtar, përkthyes burgosur
Patër GJON KARMA folklorist burgosur
Patër PJETËR MESHKULLA poet, teolog burgosur
At MARIN SIRDANI historian burgosur
At KONRRAD GJOLAJ shkrimtar burgosur
MARK DEMA përkthyes burgosur
ZEF ZORBA përkthyes, regjisor burgosur
GJON SHLLAKU përkthyes burgosur
NDOC VASIA shkrimtar burgosur
KOÇO TASI linguist burgosur
GHUSH SHELDIJA folklorist burgosur
At VIKTOR VOLAJ studiues burgosur
MARIAN SKANJETI gazetar burgosur
AKILE TASI gazetar burgosur
NAPOLON TASI përkthyes burgosur
NIKOLL DAKAJ shkrimtar, kritik burgosur
FILIP FISHTA studiues burgosur
HAZIS VRIONI përkthyes burgosur
JUSUF VRIONI përkthyes burgosur
AMIK KACARUHO shkrimtar burgosur
MIRASH IVANAJ linguist vdekur në burg
LAZER RADI shkrimtar burgosur
SULEJMAN IDRIZI linguist vdekur në burg
SELMAN RIZA linguist burgosur
MITRUSH KUTELI shkrimtar burgosur
QEMAL DRAÇINI kritik vdekur në internim
MUSINE KOKALARI shkrimtare vdekur në internim
NDOC NIKA shkrimtar burgosur
MUSTAFA GËRBLLESHI shkrimtar burgosur
GJEGJ BUBANI gazetar vdekur në burg
PASHKO GJEÇI përkthyes burgosur
MARKENSEN BUNGO shkrimtar burgosur
OSMAN BISHQEMI shkrimtar burgosur
ANTON FRASHRI shkrimtar burgosur
NEXHAT HAKIU poet burgosur
PETRO MARKO shkrimtar burgosur
At BERNARDIR PALAJ shkrimtar vdekur në burg
MITHAT ARANITI publicist, përkthyes burgosur
GULJELM DEDA gazetar, përkthyes burgosur
BEQIR HAÇI poet, përkthyes burgosur
KASEM TREBESHINA shkrimtar burgosur
MARK NDOJA poet burgosur
GJERGJ KOMNINO poet burgosur
NIKOLLA KOTE përkthyes burgosur
KAPLLAN RESULI shkrimtar burgosur
PJETËR GJINI poet burgosur
KIN DUSHI shkrimtar burgosur
URAN KOSTRECI poet burgosur
NUREDIN BORIÇI poet burgosur
PANO TAÇI poet burgosur
BAJRAM HYSENI poet burgosur
JORGO BLLACI poet, përkthyes burgosur
TRIFON XHARGJIKA poet pushkatuar
XHELAL KOPRËNCKA poet pushkatuar
FADIL KOKOMANI gazetar pushkatuar
VANGJEL LEZHO gazetar pushkatuar
ROBERT VULLKANI përkthyes burgosur
ZHANETA OGRANAJA poete burgosur
MEHMET MYFTIU shkrimtar burgosur
ANASTASIA TAÇI librare burgosur
GENC LEKA poet pushkatuar
VILSON BLLOSHMI poet pushkatuar
BEDRI MYFTARI shkrimtar burgosur
ZYHDI MORAVA shkrimtar burgosur
VISAR ZHITI poet burgosur
HALIL LAZE gazetar burgosur
DAUT GUMENI poet burgosur
FREDERIK RESHPJA poet burgosur
BEQIR ÇELA poet, përkthyes pushkatuar
AHMET GOLEMI shkrimtar burgosur
FATOS LUBONJA gazetar burgosur
BASHKIM SHEHU shkrimtar burgosur
MYQEREM JANINA përkthyes vdekur në burg
HAVZI NELA poet varur
YLBER MERDANI poet burgosur
ALEKSANDËR ZEKA poet burgosur
JAMARBËR MARKO poet burgosur
GJERGJE PEÇI poet burgosur
At ZEF SIMONI poet burgosur
Dom FRANO ILIA folklorist burgosur
Dom NIKOLL MAZREKU studiues burgosur
At ZEF PELLUMI shkrimtar burgosur
NIKO KOTANI redaktor burgosur
SOTIR ANDONI shkrimtar burgosur
MIHAL ZALLARI publicist, përkthyes burgosur
VISARION ZHUVANI teolog, linguist burgosur
ZEF MALA drejtor biblioteke vdekur në burg
ASTRIT DELVINA shkrimtar burgosur
GANI SKURA poet burgosur
FATOS MERO RRAPAJ folklorist burgosur
EQEREM BIBA përkthyes burgosur

2016/09/07

Urime 17 vjetori i Policise se Kosoves

Urime 17 vjetori i formimit të Policisë të Kosovës:                                              Vendet e dalura nga luftërat si në rastin e Kosovës qe gjithqka është dashur të fillohet nga fillimi. Duhen vite të tëra për krijimin e bazamentit të shtetit në formim e siper, ne rend të parë krijimi i policise dhe të tjerave institucioneve. Tani mbas 17 viteve kur numri i tyre perkufizohet rreth 9000 polic, mund të konstatojm se kemi një polici. E gjithe kjo polici është  formue sikur prej ditve të para,  me kurse deri me tani, në kohërat ma të vona kurset janë zgjatur për ca muaj. A duhet ti shkollojm vetem mes kurseve, apo të ndryshojm ne shkollimin e tyre te rregullt si ne vendet e zhvilluara Evropiane ? Shpesh flasim dhe u ndajm lavdëratat se e kemi policinë ma të "mirë, ma te sukësesëshme" gja që gjithnjë keso fjalë mujm të ndegjojm edhe te qdo shtet tjetër kur edhe ata flasin per policit e tyre.  Po deshtem të jemi ma real dhe të analizojm krimet në përgjithësi që kryhen në Kosovë, e duke e pas një numër kaq te madh polic, krahasuar me numrin e banorve ne Kosovë, del që Kosova ka polici mas shumti për krye të banorve ndoshtaj edhe në botë. Nese edhe pran keti numri të madh policësh krimi nuk po pson ramje,  përkundrazi është në rritje! Vetem ne veren e sivjetme sa njerz kanë humbur jetërat në komunikacion? Apo vepra tjera të krimit te organizuar: korrupcin, fajde, abuzime me pronat, droga, shpërlarje parash, vetvrasjet si fenomen qe dikur ka qenë i panjohur në Kosovë etj. Miqët Evropjan po kërkojn prej neve që të luftohet krimi i organizuar si kusht për Liberalizimin e vizave për kosovaret, deri me tani ky krim nuk po luftohet,  prandaj kemi mbet i vetmi vend pa liberalizim ne Evropë. A mund të flasim për një polici te sukësesëshme pra ?! Ne duhet te ndryshojm në tërsi si komb,  dhe ta kuptojm se udhëheqja e shtetit bëhet me njerz të aftë që e njohin punen aty ku janë,  dhe jo ti emrojm kuadrat sa per sy e faqe si ne rastin konkret të Ministrit te PB i cili vet e pranon se nuk e njeh fare punen e policisë. Si kishte me qenë të emrohet Ministri i Financave e qe nuk e njeh atë profesion fare? A mos po dyshohet se diqka ne kreun e vet shtetit nuk eshte ne rregull?! Kur nuk dojn me qenë të sukeseseshem ! BE po kerkon prej neve të luftohet krimi i organizuar si kusht për liberalizim te vizave, kurse ne spo ndermarrim kurgja të rëndsishme në këte drejtim. Krijimi i Gjygjit Special athua a po na meson diqka?! Afera "Pronto" po na i qel syt dhe po na tregon se kush e ka kapë shtetin për  fyti, prandaj neve nuk na hjeken vizat,  se krerët e shtetit e kanë kapur shtetin për fyti dhe po ata të "fortit" i kanë emrue te gjitha strukturat udhëheqëse ne shtet,  dhe këta të emruar janë nën komandën e tyre si ne Prokurori, Gjygjesi, Polici e gjetiu, prandaj e kemi gjendjen keshtu. Duhet të pajtohemi se ma mirë një polici, se pa te fare, por gjithesesi që policia në krye me eprorët e saj duhet të bëjë shumë ma shumë se deri me tani, se ne fund te fundit janë të paguar prej taksapaguesve kosovar.

Hajrullah Tërnava

Doli në qarkullim libri Vramëndje & " Soft Poesie " të Juljana Mehmeti



Juljana Mehmeti

Autorja Juljana Mehmeti ka lindur në qytetin e Durrësit, në 29 tetor 1973. Qysh në moshë të herët u apasionua pas artit të shkruar, kryesisht poezisë, gjini që në vitet në vazhdim do e shndërronte në lajmotiv jete dhe mendësi për të shprehur idetë, vizionin, si dhe metafizikën; si këndvështrim nga përtej koshienca, por dhe si përsosje e tejkalim të vetë sugjestioninit që rrethon botën njerëzore. Vendosja në Itali dhe integrimi i shpejtë në kulturën e madhe italiane do i kristalizonte ide dhe frymë të re, për vetë kontaktet e reja interkulturore, por dhe unifikimin një me universalitetin e mendimit më bashkëkohor.

 Botimi i librit të parë “Soft Poesie “ tërhoqi vëmendjen e kritikës letrare italiane dhe botuesve, jo vetëm për stlistikën e veçantë, por dhe për gjetjet, gjuhën e përdorur si dhe mesazhin filozofik të dhënur, dhe për më tepër të rrymave përshkuese nga ai hermetik deri në surrealizëm. Tedencat e reja dhe portmodernizimi letrar i sotëm ka lënë gjurmë të thella në krijimtarinë e kësaj autoreje dhe artin e saj dhe e kanë zhvendosur drejt rrymave më të reja, atë eksperimentale dhe absurdit. Libri i dytë ” Rimugino ” po në italisht i autorit Alessandro Ferruccio Marcucci Pinoli, i përkthyer edhe në shqip “Vramendje” do sillte tek kjo autore eksperiencën e re, atë të fushës së përkthimeve, ide kjo që ka patur në fokus përnjohjen dhe sjelljen në shqip të autorëve të njohur italianë. Pjesmarrja ne evente dhe konkurime do i sillte jo vetëm publikime në shumë revista dhe antologji letrare, por dhe Çmime të ndryshme.
Vepra te autores:

Soft Poesie

Rimugino- Vramendje liber me poesi i autorit Alessandro Ferruccio Marcucci Pinoli perkthyer dhe pershtatur ne shqip nga Juljana Mehmeti

Poezi

Në dritën e saj…

Tinguj epokash
në melodi vazhdimësie,
zgjuar në vizione
e kështjellash antike,
që mbretërojnë legjendash
mes ngyrash mistike
në nuanca fluide
rrugicës bardhë,
që gjymtyrët zgjat larg..

Aroma të shpërndara myshqesh
…dhe zogj shtegëtarë në ikje,
që fluturojne lart …
e rrëzohen papritur,
si një vello e mëndafshtë
në frymëmarrje ere,
që hap porta qiellore
prizmit shpirt në përthyerje.

Shëtit dhomave Kleopatra …
ditës më të zbehtë , vjeshtës,
ku kohët deshifrojnë hieroglife…
dhe kode…
pasqyryar në mure të lagështa,
me imazhin e saj…
Trokitje hapash të largëta , zgjojnë ofshama
në pyje të heshtura
zhveshur mëkatesh …

E padukshmja endet shtjellash të trishta
botës pakuptimësi,
ku iluzioni humbet
hapësirës pa zë…
Ndalet pragut harresë
të mjegullës argjend.
Mbështjell ajrin e mbrëmjes
të sapo rënë ..
Ngjitet lart
poltronit Andromedë
në dhoma kujtese
zbehur nga nata ,
e fiket
në dritën e saj…


Dritëhije…

Në rrugën e hënës
që detin shkëlqen ,
lehtas me sy rrëshqas …
Fustani i bardhë , tis i mjegullt nate,
pas me ndjek
në të fundit kufij të valëve…

Më more …
edhe këtë natë…
misterit dritë të bardhë…,
që shfaqet imazhit hapësirë
në një siluetë të zbehtë shprese,
projeksion…

… diku jam.
Unë me errësirat e mia
Përhumbur shpirtit dallgë…
rrezesh të përthyera kacavirrem
e ngjitem lart
në shtrate yjesh ,
ku trishtimin lëshoj
dhe ti…
në vello të zezë universesh rrethuar,
në një pikë të vetme horizontesh ndriçon.

Mistere të largëta ekzistence
zbardh…
ndoshta jemi meteorë
e djegim të terrtën nate…
Mendimet në kufij të padukshëm,
dritëhije ankthi,
si flakë e zbehtë qiriri
dridhen..

… dhe shkojmë.
Zhytur në errësirë,
hënë zemre
mbulojmë…

***

Në rrugën e hënës,
rrëshqasin mendimet…
varur në një fije shprese…,
si në të fundit kuptime .

Kushedi ,
të humbur nëpër natë…
ndjekim hijet e njëri-tjetrit
Të vetmen pikë shprese,
gjer në agim…
…, deri sa të zbardhë…!


Si dikur…

Perdet e vjetra
lodrojnë
lehtas në erë…

Shpalosen
dritare kujtimesh
mbyllur në harresë…
Grimca drite kapriçoze
vallëzojne para syve…
e më pas rrëzohen…
Në shtratin e shthurur …
pa jetë..

Ka mbetur fustani yt,
hedhur në karrike
vrullshëm…

Aroma e trëndafilit
ajrin e dhomës tejmbush…
e shpirti dehet
Si dikur…


Hije…

Iluzione të rreme shkëlqimi
mes errësirës së dhomës
dhe mjegullës së mendimeve…

Hije të panjohura, pa formë
vizatojnë muret,
me imazhin tënd veshur.

Sensacione ankthi gri,
duke kërkuar mes të gjithave
fytyrën time…

… veç vetveten kërkoja…!



***

Gishta ere
ndër flokë të shpupuritur
luajnë,
shkujdesur…
Aroma e
ndjesi netësh
në bregdet vere,
përcjellin…
Yje dëshirash të pashprehura
në perëndime të fjetura shpirti,
sytë ndezin..
Dhe zgjohem…
Në agime vezulluese,
pasqyruar ndër valë…
përkedhelur
në kujtimet
e të sapo shkuarës
natë…


Davines

Davines
dhe unë …, varur në fije shprese
përthyej memorien në të largëta kujtime
në pyje të mjegullta harrese…

Të të pres?

Psherëtima,
ndër kërcitje degësh hesht,
thahet në fyt…
Rraskapitur shpresa
tretet ,
në pritje pa mbarim
plagosur..
Vjeshta zhvishet lakuriq
ngjyrat humb.
Në mjegull
me kujtimet
fundosur…

2016/09/06

Studiuesja maqedonase Nina Sabolik, / Duhet ta urrej Kadarenë, nuk firmosi për emrin e Maqedonisë, por t’i jepet



Pse Ismail Kadare duhet të fitojë Çmimin Nobel në letërsi këtë vit? Me këtë titull një shkrim në “World Literature Today”, nga nje studiuese maqedonase, Nina Sabolik. Ka një raport midis studiueses dhe shkrimtarit tonë që nuk mëton mesa shohim të ndjekë arsye etnike, por të të perceptuarit jashtë kësaj demografie të tekstit letrar. Arsyeja pse mendon në raportin e kontradiktës, urrejte dhe vepren e autorit, si një raport historik që duhet lexuar përmes psikozës letrare më shumë se asaj ideologjike, edhe pse përligj veprimin e tij!

Nga Nina Sabolik,



258Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej sepse jam maqedonase, kurse ai është shqiptar, ndërsa dy popujt tanë kanë qenë armiq për shekuj me radhë dhe kanë luftuar mes tyre jo më larg se një dekadë më parë. Duhet ta urrej sepse në një takim të kohëve të fundit të qendrave ndërkombëtare PEN, në Bled të Sllovenisë, ai ishte i vetmi që refuzoi të nënshkruante një peticion që kërkonte njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, peticion që u nënshkrua nga të gjithë shtatëdhjetë shkrimtarët anëtarë të PEN-it, ndër të cilët edhe pesë shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Duhet ta urrej Ismail Kadarenë sepse është e dukshme që ai ka bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës, dhe nuk protestoi aq sa duhej kundër mizorive të komunizmit, mizori shumë të ngjashme me ato të Jugosllavisë komuniste, të cilat kanë lënë pasoja të pashlyeshme edhe në familjen time për më shume se tre breza. E megjithatë, pasi kam lexuar romanet dhe shkrimet e tij, jo vetëm që unë nuk e urrejë atë, por dua që ta shpall si kandidat për Çmimin Nobël për Letërsinë 2013. Më lejoni të shpjegohem se pse.

Kadare ka lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytezë e vogël si në përralla, diku mes maleve të jugut të Shqipërisë, e cila ka shërbyer si mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e disa prej romaneve të tij, përfshirë romanin “Kështjella” (1970) (Angl. The Siege, 2008). Kjo qytezë ka edhe famën unike dhe ironike e të qenit vendlindja e Enver Hoxhës, diktatori që sundoi për një kohë të gjatë në Shqipëri. Kadare ishte gjithashtu pjesëtar i kuvendit popullor komunist për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, para se më në fund të kërkonte azil politik në Francë në vitin 1990-pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe në prag të shkërmoqjes së komunizmit në 1991. Ai ishte kryetari i një organizate kulturore që mbikqyrej vazhdimisht prej Nexhmije Hoxhës, të shoqes dhe krahut të djathtë të diktatorit. Ai madje botoi romanin “Dimri i madh” (1977) një glorifikim i vendimit udhëheqës të Hoxhës për shkëputjen e Shqipërisë nga Rusia staliniste në vitin 1961.

Nga ana tjetër, disa prej librave të tij u ndaluan gjatë tridhjetë viteve që ai jetoi si shkrimtar në Shqipërinë komuniste. Ndër to renditet edhe romani që mendohet si më i miri i tij, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981; Angl. The Palace of Dreams, 1990), i cili heq një paralele të dukshme mes regjimit të Hoxhës dhe një vendi të trilluar ku ëndrrat shqyrtohen për të gjetur tek to shenja të disidencës politike. Prapëseprapë, në sajë të fuqisë së mendimit të tij të lirë, Kadare jo vetëm mbijetoi, por shkëlqeu si shkrimtar në një vend ku shkrimtarët zakonisht merrnin rrugën e ekzilit, burgoseshin ose ekzekutoheshin për sulme shumë më të vogla ideologjike.

Me qenë shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë pak a shumë si me qenë kronikani i romanit “Kështjella”, roman i cili sikurse disidenca e Kadaresë, përbën një alegori të alegorisë. Në thelbin e vet, nuk është thjesht një kritikë e komunzimit por edhe një refleksion mbi relativitetin kulturor të përfaqësim historik. Njëlloj si në fabulën e romanit “Kështjella” dhe po kështu-njëlloj sikur ka ndodhur në familjen time, në të cilën komunistë të vijës së ashpër, pjesë e klasës punëore, socialistë liberal pjesë e borgjezisë, dhe antikomunistë konservatorë përziheshin dhe lidhin martesa mes tyre-jeta politike e Kadaresë nuk shpërfaq një kufi të qartë mes komunistëve “të këqij” dhe disidentëve “të mirë”. Në vend të kësaj, në prozën e tij letrare, Kadare përdor thjerrëzat e historisë për të shenjuar natyrën e ndërlikuar të kundërshtimit politik në përgjithësi,. Kronikani i “Kështjellës”,një oportunist politik, për shembull, rrëfen historinë e përplasjes mes ushtrisë otomane dhe armikut shqiptar, histori e cila shndërrohet nga ana tjetër prej kritikëve bashkëkohorë në një rrëfim për përplasjen midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre. “Kështjella”, sikurse disidenca e Kadaresë, është një alegori e alegorisë. Në thelb, nuk është vetëm e vetëm një kritikë ndaj komunizmit, porse një refleksion mbi relativitetin e përfaqësimit historik në një ushtri të madhe të Lindjes në kohën e Perandorisë Otomane.

Protretizimi që i bën Kadare Tursun Pashës, komandantit të ushtrisë otomane tek “Kështjella”, portret simbolik i Enver Hoxhës dhe diktatorëve ushtarakë kudo në botë, është shumë domethënës në këtë aspekt. “Nata ishte shtatzanë dhe ai ishte në barkun e saj, krejt i vetëm” është, për shembull, mënyra se si kronikani përshkruan gjendjen shpirtërore të Pashait në prag të rrethimit. Një personazh shumështresor në muzg të jetës së vet, i shqetësuar për tatëpjetën që ka marrë karriera e tij ushtarake, Tursun Pasha ndihet i shtypur peshës se detyrës vetjake dhe qytetërimit që përfaqëson, detyrë të cilën ai synon ta përmbush. Në barkun e mëdyshjeve të tij, ai përballet me vlerën e jetës së tij të kaluar si shërbëtor dhe shestues i një perandorie rishtare dhe mizore. Në fund të vrojtimit të tij sogjetar, qielli i përflakur që shfaqet kah Lindja është ogur i një rrethimi të përgjaktë, dhe vdekja e tij është i vetmi çlirim prej kufijve të perandorisë . Kësisoj, “barku i errët i natës” luan funksione të shumëfishta simbolike-ai është rravgimi i brendshëm i një njeriu që kërkom të shpëtoj prej peshës shtypëse të historisë, zgjedhës së një perandorie gjigande e cila shtrihet në drejtim të perëndimit, dhe, kjo nënkupton në mënyrë të pagabueshme, perandorinë komuniste të Stalinit. Vetvrasja e Tursun Pashës në fund të rrethimit thekson kuptimin e njëmendtë të kësaj metafore, vdekjen e tij e cila kthehet në “një lloj vendi të askundgjetshëm, i cili është jashtë pushtetit të ligjit, jashtë botës dhe Perandorisë.”

Një element tjetër i kritikës së Kadaresë ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij ndaj idesë së çkombëtarizimit, e cila tek “Kështjella” e ka zanafillën tek Padishahu, ose me një fjalë tjetër Sulltani, ide e cila ishte kaq e parapëlqyer në perandorinë më të vonë komuniste. “Padishahu i Madhërishëm” na rrëfen kryemjeshtri “ka caktuar të tjerë për t’u marrë me çëshje të kësaj natyre. Ata të gjithë janë ustallarë të çkombtarizimit. . . ustallarë në kalbjen dhe gërryerjen e kombeve.” Këta “zanatçinj” kryejnë “rrënimin e kombeve përsëbrendshmi, rrënim që ka si pikënisje dhënien e ofiqeve të larta, eh, bash kështu, kjo është e keqja që mund t’i ul [kaurët] në gjunjë.” Me fjalë të tjera, është ideologjia shumë më shumë se lufta ajo që mund të thyej një komb: “Nuk mund ta quash një komb të pushtuar derisa të kesh pushtuar shpirtin e tij.” Njësoj si komunizmi, i cili lindi e u përhap prej revolucioneve të përgjashkme, për të dështuar më pas, ushtria otomane nuk i thyen dot luftëtarët atdhembrojtës shqiptarë vetëm me anë të forcës; janë mendjet dhe zemrat e njerëzve ato që janë kështjellat e njëmendta të një kombi.

Kadare i kthehet kësaj teme në romanin e tij më të fundit “Aksidenti” (2010; angl. The Açident), në të cilin gjurmohet ndikimi zvetënues i vlerave të shformuara perëndimore në Evropën Juglindore post-komuniste. Tek romani “Aksidenti”, megjithatë, armiku nuk është një diktator komunist, por mësymja ideologjike e vlerave të pamëdyshta perëndimore, të cilat, në emër të lririsë, kanë shprishur thelbin moral të Shqipërisë post-kommuniste.” Ndryshe nga autorët disidentë të regjimeve të ndryshme diktatoriale, Kadare nuk sheh dritë në fund të tunelit të historisë. Nuk ka shpëtim prej ciklit të përjetshëm të konfliktit dhe pajtimit. Lufta vazhdon, në mënyra shumë të ndryshme. Nuk ka kurrfarë shpëtimi në anën tjetër të kufirit, dhe as në pararojën e një revolucioni të fisëm. Në këtë kuptim, rrethanat e Shqipërisë së Kadaresë i sfidojnë ato të Josif Brodskit se ekzili, qoftë ai fizik apo mendor, është i vetmi reagim i arsyeshëm ndaj një regjimi shtypës. Për Kadarenë, mënyra e vetme për t’i rezistuar një diktature, qoftë ajo komuniste, koloniale, apo neokoloniale, është që ta luftosh atë, sërish e sërish pa pushim, nga brenda, që nga thellësitë e shpirtit që e mban gjallë. Ekzili nënkupton një besim naiv në epërsinë morale të një pale ndaj një pale tjetër. Dhe këtu gjen shpjegim kundërshtimi i Kadaresë për të nënshkruar peticionin e delegacionit maqedonas për të njohur emrin e Maqedonisë-si një gjest politik, peticione të tilla kërkojnë në mënyrë të pashmangshme që të pozicionohesh në një anë: “Ose jeni me ne, ose jeni me [ta],” sikurse thoshte Xhorxh Bushi. Roli i një shkrimtari nuk është të zgjedh njërën prej kaheve ideologjike që përplasen, t’u shërbej interesave të njërit apo tjetrit kah, por të angazhohet një nyjëtimin e një kritike të sinqertë dhe të gjithanshme të secilës sosh, dhe më së mbrami, të tërheq vëmenendjen tonë kah ajo që ne të gjithë kemi të përbashkët-humaniteti ynë.

Të gjitha vërejtjet kryesore ndaj kandidimit të Kadaresë për Çmimin Nobël e kanë zanafillën tek i njëjti burim: paaftësia e receptuesve perëndimor për të hedhur pas krahëve provincializmin e tyre kulturor dhe për të vlerësuar një shkrimtar i cili nuk i përshtatet stereotipit të letërsisë botërore, që James English e përshkruan si një mélange shumë-kulturore me aromë lokale. Më e para ndër këto vërejtje, është ideja që Kadare në një farë mënyre nuk ishte disident aq sa duhej dhe bashkëpunoi me regjimin e Hoxhës, ide e cila buron prej një klisheje tipike perëndimore për disidentët anti-komunist si personalitetete të shquara të tipit Solzhenicin që botojnë veprën e tyre disidente në rrethana të jashtëzakonshme, dhe më pas emigrojnë në perëndimin shkëlqimplotë dhe të lumtur-një version hollivudian ky për disidentin e Evropës Lindore. Kadare, nga ana tjetër, i përket aradhës së të padukshmëve që i rezistuan regjimeve diktatoriale nga brenda, një sipërmarrje shumë më shumë shkurajuese dhe heroike. Kadare mbijetoi për më shumë se dyzet vjet duke botuar romanet e tij të pabujshme në shpalljen e tyre disidente porse kryekrejet anti-komuniste dhe nën hundën e diktatorit staalinist Enver Hoxha. E vetmja gjë që do t’i jepte më shumë përmasat e një heroi Kadaresë, do të ishte vdekja prej persekutimit (një mundësi që gjithmonë ekzistonte) dhe nëse do të kishte botuar shkrimet e tij heretike duke i shpallur si t tilla mu në vetë botën komuniste.

Vërejtja e dytë, që lidhet thjesht me orakullin e shijes letrare, është nyjëtuar prej kritikut të gazetës “The Neë Yorker” James Ëood, dhe ka të bëjë me romain më të fundit të Kadaresë “Aksidenti”, për të cilin Ëood mëton se “ka letrsi me tepri dhe shpesh shpesh është i fuqishëm, por është deri diku tepër letrar, andaj dhe fijet e alegorisë jan tepër të dukshme, me një dallueshmëri të dhimbshme.” Ndërkohë që nuk është synimi i kësaj eseje të bëjë në thellësi analizën e këtij romani, është e qartë nga eseja e Ëood-it se subjekti paraqet “një alegori të ngasjeve dhe vargonjve të tiranisë së re post-komuniste, lirisë.” Kadare ka guxuar të sulmojë shenjtërinë e të gjithë ideologjisë imperiale perëndimore-lirinë. Ai pati kurajon të tregonte se liria që pasoi komunizmin nuk ishte një fund i lumtur, siç e ka paraqitur shtypi perëndimor; në fakt, ka gjasë të dalë të jetë fund edhe më i keq se vetë komunizmi. Shtypi perëndimor, që e kishte problem të lëvdonte virtytet e prozës së Kadaresë ndërsa ai minonte në heshtje armikun e tyre ideologjik-dhe madje e kritikoi atë që ishte më shumë i heshtur se sa duhej, dhe tepër i sofistikuar në sulmet e tij-befas tani mendon se alegoritë e tij janë tepër të dukshme dhe jo shumë të sofistikuara. Del qartë në kritikën e Wood-it që kjo është çështje ka të bëjë më shumë me përplasjen ideologjike se sa me meritën letrare.

Vërejtja e fundit, që gjeti jehonë në “New York Sun” në vitin 2005, ishte ideja se vepra e tij është tepër e hijedritshme dhe tepër e veështirë për t’u përkthyer, vendi i tij është tepër larg dhe me nam jo të mirë për audiencën perëndimore madje edhe për ta kuptuar (e jo më për ta vlerësuar)-buron nga i njëjti egocentrizëm perëndimor që e bën të vështirë ta imagjinosh Kadarenë si një kritik shumëpërmasor të ideologjive konfliktuale. Temat e romaneve të Kadaresë-alegoritë e tij për perandoritë e vjetra dhe të reja; çështja e historisë dhe kuptimit të saj; besimi i tij i pabujë dhe megjithatë i përhershëm në qëndresën e shpirtit njerëzor-të gjitha këto shkojnë përtej kohës dhe kufijve. Konteksti i rrëfimeve të tij nuk është thjesht Shqipëria në pika të ndryshme të historisë së saj, jemi ne-lexuesit, dhe botërat që ne krijojmë në mendjet dhe zemrat tona. Gjuha e tij, poetike dhe në të vërtetë e vështirë për t’u përkthyer me të gjithë përshkënditjen e saj të shkëlqimtë, ruan fuqive e vet edhe pas përkthimit prej një gjuhe të dytë, si në rastin e përkthimit të romanit “Kështjella” (Angl. The Siege), roman që është përkthyer në gjuhën angleze nga frëngjishtja, dhe jo prej gjuhës origjinale, gjuhë shqipe. Të lexuarit e letërisë, sikurse kontakti me dikë që është ndryshe nga ti, kërkon gjithherë njëfarë përpjekjeje intelektuale për të mos e braktisur një shkrimtar vetëm e vetëm se ai është i huaj, çka do të ishte jo vetëm një akt dembelizmi porse po ashtu një humbje për ne si dhe qenie dhe bashkësi njerëzore.

Së fundi, që të kthehemi tek çmimet Nobël, këta Oskarë të botës letrare, çfarë kuptimi ka për to idealizmi apo “një vepër letrare me kah idealist” sot? Idealistët nuk janë njerëz që jetojnë në një kullë të fildishtë, që hedhin sytë ç’prej dritares së tyre të ngushtë drejt një qielli të stolisur me gjethe palme, për të përfytyruar një botë të qetë, në paqe dhe të lumtur. Idealistët janë shpesh kundërthënës dhe nganjëherë krejtësisht përçmues. Për ta, një qiell i stolisur me gjethe palme ka më shumë gjasë të shprehë vezullimin dhe zbehtaninë e ngjyrave teknologjike të kulturës bashkëkohore pop se sa një oaz të ndritshëm të së ardhmes. Për Kadarenë, të vazhdonte të shkruante kritika të errëta porse të sigurta për një kohë komuniste tashmë të perënduar do të kishte qenë më e lehta rrugë; ai do ta kishte çimentuar autoritetin e tij si shkrimtar i madh i Evropës Lindore që ka kritikuar komunistët e ligj. Në vend të kësaj, ai zgjodhi rrugën më të parehatshme, si për të edhe për ne; zgjodhi të ngrejë pyetje më shumë se sa të gjejë përgjigje për to; pyetje që nuk gjejne përgjigje në të tashmen, dhe ndoshta, nuk do të gjejnë përgjigje asnjëherë edhe në të ardhmen. Ky është idealizëm. Dhe kjo është arsyeja se pse ai duhet të fitojë Çmimin Nobël për Letërsinë në vitin 2013.



Referencat

-English, James. The Economy of Prestige: Prizes, Aëards, and the Circulation of Cultural Value. Cambridge: Harvard University Press, 2005.

Kadare, Ismail. The Siege. Neë York: Canongate, 2008.

Kirsh, Adam. “Mystery of Man: Just Ëho Is Ismail Kadare?” Neë York Sun, June 27, 2005.

Ëood, James. “Chronicles and Fragments: The Novels of Ismail Kadare.” The Neë Yorker, Dec. 20 & 27, 2010.

-Autorja Nina Sabolik është doktorante e letërsisë angleze në Arizona State University. Ajo është në procesin e përgatitjes së disertacionit për efektet e emigrimit tek nacionalizmi në veprat e shkrimtarëve emigrant jugosllavë në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara.

Përktheu: Granit Zela

SI SHPËTOI MEHMET SHEHU, PETRO MARKON NGA PERSEKUTIMI I KOMUNIZMIT



Shkruan: prof. Pëllumb A. Çabej “Gazeta shqiptare”

Shkrimtarin Petro Marko pata fatin ta njoh në Klubin e Gazetarëve përballë me "Zërin e Popullit" nga shkrimtari i mirënjohur Shefqet Musaraj, pas daljes nga burgu. Petrua kishte fizik të bëshëm, ishte shpatullgjerë, megjithëse vinte pak i kërrusur. Me siguri do kishte rënduar mbi të pesha e burgut. Kaçurrelat mbi ballin e gjerë ia kishte spërkatur bryma me argjendin e saj. Fytyra e tij fisnike me vështrim të qetë dhe të menduar kishte pamje burrërore. Ajo të kujtonte ilirët, portretin e Lekës së Madh dhe atë të Pirros. Karakteristikë e veçantë e Petro Markos ishte se kur bisedonte me njeri, cigaren nuk e hiqte nga cepi i buzës. Njohja ime me të shumë shpejt u shndërrua në miqësi nëpërmjet babait, ish- mësuesit Arshi Çabej, i cili në atë kohë punonte në Ministrinë e Arsimit, në sektorin e librit shkollor, me kryetar dege të ndjerin Musin Kroi. Babai vuante nga astma. Mjekët e këshilluan të ndërronte klimë. Tirana kishte lagështirë. Më në fund ai shkoi arsimtar në fshatin Luz i vogël të Kavajës, ku drejtor i shkollës ishte Aliu, kunati i Petro Markos, vëllai i Safos, bashkëshortes së tij. Babai, sa herë vinte me pushime në Tiranë, takohej edhe me Petron.



Një ditë ai më tregoi se si një të diel paradite, kur po pinin kafe në Bar "Çajupi" Petroua, në bisedë e sipër më kishte lavdëruar duke më quajtur djalë të mirë, me talent, shkruan bukur, me kalimin e kohës do të bëhet poet i mirë.



Në një rast tjetër Petrua i ishte ankuar babait, i kish qarë hallin se ishte pa punë, shkrimet nuk ia botonin. Aq ngushtë ishte ekonomikisht, deri aty sa merrte veresie në një kosaxhi në afërsi të kinema "17 Nëntorit", si dhe sot disa familje të varfra marrin me fletore. Honoraret që merr Safua, i kish thënë, kur boton ndonjë pikturë nëpër gazeta, s‘dalin as për shpenzimet e saj, pa le pastaj për blerjen e bojërave. Nga ngushtësia ekonomike Petrua nuk blinte më paketa me cigare, por kishte filluar të pinte duhan me të dredhur.

Hera-herës dhe me llullë. Që ta linte, nuk e linte dot, e kishte shok që në burg. Me të largonte mërzitjen dhe dëshpërimin.

Petrua bënte vazhdimisht përpjekje për të botuar, po përpjekjet e tij ishin të kota. Disa nga funksionarët e shtypit, njerëz servilë dhe frikacakë, në vend që t‘i jepnin dorën, t‘i hapnin rrugën dhe ta mbështesnin, i shmangeshin. Ata prisnin të shihnin një herë se çfarë qëndrimi do mbante Partia dhe ish-organet e Punëve të Brendshme ndaj Petros pas daljes nga burgu.
Në atë kohë po afronte dita përkujtimore mbi hedhjen e bombës atomike në Hiroshima. Petrua e shfrytëzoi këtë rast; përktheu nga një poet i huaj një poezi që i kushtohej Hiroshimës, me shpresë se me botimin e saj mund t‘i hapej rruga dhe për botime të tjera. Përkthimi i tij ishte i goditur, e bënte poezinë edhe më tërheqëse. Ai e dorëzoi për ta botuar në "Zërin e Rinisë", "Sporti Popullor", deri te gazeta e ushtrisë "Luftëtari", botoheshin te godina e "Zërit të Popullit", në katin e parë, në një sallë me premisa të mëdha, ku ishin vendosur dy makineri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që kur ndizeshin dhe viheshin në lëvizje, shkaktonin një zhurmë të fuqishme, si zhurma e një lokomotive treni, sa dëgjohej edhe jashtë deri në trotuar. Dritaret e sallës, për të mos parë njerëzit nga jashtë, rrinin gjithmonë të mbuluara me perde të mëdha prej mushamaje.

Në atë kohë, gazeta "Zëri i Rinisë", veç materialeve të tjera, në çdo dy të shtuna botonte dhe faqen letrare me krijimet e debutuesve të rinj, si me skica, tregime, poezi e deri te përkthimet. Kjo faqe letrare përgatitej nga grupi i letrarëve të rinj, si Bekim Harxhi, Murat Nezha, Muharrem Gazioni, Neki Lezha etj, ku bëja pjesë edhe unë. Si e përgatisnim, ia kalonim kryeredaktorit për ta kontrolluar e për ta firmosur përpara se ta çonim në shtypshkronjë. Kryeredaktor ishte Dhimitër Verli, i cili nuk merrte vesh fare nga shtypi, por që vendin e kryeredaktorit e kishte zënë vetëm nëpërmjet një njeriut të tij, Aleks Verlit, që në atë kohë ishte ministër i Financave, por që ndryshonin shumë nga njëri-tjetri, si nata me ditën. Kur po kontrollonte materialet e faqes letrare dhe kur pa poezinë kushtuar Hiroshimës me emrin e Petro Markos si përkthyes, e hoqi menjëherë, duke thënë: "S‘kemi nevojë për përkthimet e burgaxhinjve, ndërroheni, vini ndonjë poezi tjetër". Mirëpo ne ishim të vendosur se me botimin e këtij përkthimi, Petro Markos mund t‘i hapej rruga për botime të tjera. Bekimi tha ta marrim njëherë me vete, të shohim se mos e rregullojmë me ata të shtypshkronjës dhe e futi në xhep.

Punëtorët në shtypshkronjë e merrnin punën në orën dhjetë të mbrëmjes dhe e linin në orën gjashtë të mëngjesit, pasi të kishte filluar shpërndarja e shtypit. Ata ishin njerëz të mirë, megjithëse ne shiheshim një herë në dy javë, kishim krijuar miqësi të ngushtë dhe të sinqertë. Ata kishin konsideratë për ne, shkrimet tona i lexonin me dashamirësi. Kur u dorëzuam lëndën e faqes, biseduam dhe për problemin e Petros. Ata morën përsipër botimin e poezisë, megjithëse mund të kishin edhe pasoja pas saj, duke thënë se Petrua duhet ndihmuar.
Në mëngjes, kur kryeredaktori po i hidhte një sy gazetës dhe kur pa të botuar poezinë kushtuar Hiroshimës me emrin e Patro Markos si përkthyes, u bë si i tërbuar. Me dhjetëra herë na thërriste në zyrë e na pyeste sikur të ishim në hetuesi, duke na bërë presion. Kërkonte të gjente fajtorët për t‘i vënë përpara përgjegjësisë. Kishte frikë se mos i thoshin nga lart: Po ty, përse të kemi vënë? Deri sa më në fund përpjekjet e tij dështuan, u varrosën njëherë e përgjithmonë në pusin e harresës. Sado që poezia për Hiroshimën, me përkthimin e goditur të Petro Markos u prit mirë nga lexuesit, prapë atij nuk iu hap rruga për të botuar.
Petro Marko në atë kohë banonte në bulevard, te pallati në qoshe në formë trekëndëshi, tek rrugica për te "Dervish Hatixheja", ndërsa unë banoja në fillim të "Rrugës së Fortuzit", kur hyn nga bulevardi, në rrugën "Hamit Shijaku". Ishin pothuajse komshinj me Petron dhe shpesh takoheshin në rrugë, furrë apo dyqan dhe kur e bënim rrugën bashkë, kishte raste që më kthente për vizitë në banesën e tij, pinim kafe dhe bisedonim rreth letërsisë.
Një të diel janari u takuam rastësisht. Ai shkoi për vizitë në një familje në Tiranë të Re, ndërsa unë për tek motra. Rrugën e bëmë bashkë. Megjithëse moti ishte i kthjellët, bënte ftohtë. Drita e diellit në fasada ishte e verdhë, si limon. Gjatë bulevardit biseduam rreth veprave të disa klasikëve. Kur arritëm në qendër, aty ku ndodhen sot shatërvanët në formë govate, papritmas u përballëm me një makinë të re si tip Pezhoje ngjyrë çokollate në vishnje të thellë. Duhet të ishte prodhim i fundit, ngjante më shumë me krahun e një avioni. Siç mora vesh më vonë, e kishte sjellë nga jashtë Mehmet Shehu pas përfundimit të mbledhjes me kryetarët e shteteve, që ishte zhvilluar në Nju Jork. Përpara me shoferin ishte Fiqiretja, pas saj Mehmeti. Fiqiretja kur na pa, ktheu kokën prapa dhe se çfarë i tha Mehmetit. Ai i bëri me dorë shoferit për të ndaluar makinën dhe ajo frenoi para këmbëve tona. Fiqiretja, si uli xhamin e dritares, i foli Petros, duke i zgjatur dorën: Si je? Pas Petros i dhashë dorën edhe unë. Petrua i tha për mua se është një letrar i ri. E njoh Pëllumbin Petro, e njoh, në diskutimet e rretheve letrare. Diskutimet e tij kanë qenë gjithmonë të vlefshme, të drejta dhe parimore. Apo jo Pëllumb?, - më tha. Më buzëqeshi dhe më pa në sy.

Mehmeti, si hapi pak derën e makinës, u përshëndet me Petron dhe i tha: Petro, mos u bëj merak. Kam biseduar unë me ata shokët atje, shkova vetë dhe më thanë se do ta botojnë. Ishte fjala për romanin "Hasta la vista". Pra, Mehmet Shehu ishte ai që i hapi rrugën shkrimtarit Petro Marko për të botuar.

Si ishte e mundur që Mehmet Shehu, shok armësh me të në Luftën e Spanjës, duke qenë dhe kryeministër, të lejonte arrestimin dhe burgimin e Petro Markos? A nuk është për t‘u habitur? Apo ndoshta, megjithëse Mehmeti ishte kryeministër, komandonte dikush tjetër?
Si u ndamë me ta dhe makina e tyre bëri për nga fundi i bulevardit, unë me Petron u ndamë përpara Pallatit të Kulturës.

Pas ca kohe, kur u shpall konkursi letraro-artistik me rastin e njëzetvjetorit të çlirimit, një të diel paradite në Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi", në sallën e koncerteve, u zhvillua një ceremoni, ku u shpallën emrat e atyre që kishin fituar. Listën e lexoi i ndjeri Dalan Shapllo. Midis emrave fitues u përmend edhe emri i Petro Markos. Njerëzit, nga kureshtja, hodhën sytë nëpër sallë për ta parë, por për fat të keq Petrua nuk ndodhej. Si mbaroi ceremonia festive, siç isha me trastë në dorë u nisa për në Pazarin e Ri për të psonisur. Edhe më parë, bashkë me babanë psonisnim atje, sepse prodhimet që sillnin fshatarët ishin më të freskëta dhe me çmim të arsyeshëm. Kur kalova mapon e veshmbathjes në Rrugën e Dibrës, atje ku sot ndodhet gropa e Hajdin Sejdisë, sa mora kthesën për të dalë në Rrugën e Barrikadave, gati sa nuk u përplasa me Petro Markon. Kujdes Petro, - i thashë, - se desh më shtype, largoje atë dreq cigare se më dogje. Qenke në humor sot, - më tha. Si të mos jem, - i thashë, - kur do të të jap një lajm të gëzuar: ke fituar çmimin e dytë dhe tridhjetë mijë lekë shpërblim për romanin "Hasta la vista". Tani sapo i komunikuan emrat në Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi". Po a je i sigurt se u përmend emri im?, - më pyeti ai. Siç duket, ai nuk kishte besim se do të fitonte, meqë kishte qenë në burg.

Fytyra e tij e pezmatuar u çel menjëherë. Sytë iu mbushën me stërkala lotësh gëzimi. Ndoshta në atë fitore varej jeta e tij. Më rroku dhe më shtrëngoi para gjoksit të tij. Përpara se të ndaheshim nuk lashë pa bërë një shaka me të: Petro, - i thashë, - kur të marrësh shpërblimin, mos harro t‘i paguash borxhin kosaxhiut. A rrufjan, - më tha, - kush të ka thënë, xha Arshiu?
E ndoqa me sy që prapa deri sa e mbuloi turma. Ngrita kokën drejt qiellit dhe thashë me vete: O Zot, deri kur do të vuajnë këta apostuj, inxhinierët e shpirtit?

Gjatë vitit 1992, kur u vendos demokracia, partitë e sapokrijuara kërkonin godina për t‘u vendosur për të ushtruar aktivitetin e tyre politik. Socialdemokratja, me në krye zotin Skënder Gjinushi, u vendos në Rrugën e Fortuzit, pikërisht në godinën ku ndodhet edhe sot. Në një paradite prilli, kur kalova andej, dikush më thirri: O Pëllumb, Pëllumb! Kur ktheva kryet, pashë se ishte zoti Lisen Bashkurti. Menjëherë mu kujtuan rrethanat se si isha njohur me të.
Përpara vitit 1992, unë vazhdoja të botoja poezi nga më të ndryshmet, si në revistën "Nëntori", gazetën "Drita" dhe në "Zërin e Rinisë". Në atë kohë, kryeredaktor në
"Zërin e Rinisë" ishte zoti Remzi Lani, sot analist. Sektorin e kulturës së kësaj gazete e drejtonin dy shokët e mi, Preç Zogaj dhe Ilirjan Zhupa.

Një paradite, duke biseduar në zyrën e zotit Lani, ku ndodhej edhe ish-kryeredaktori i revistës "Shkenca dhe jeta", zoti Kudret Isai, trokitën në derë. Në zyrë hyri zoti Lisen Bashkurti, shtatlartë, elegant, veshur me gusto e me fytyrë simpatike. Më shumë përshtypje tek ky njeri më bëri edukata e të folurit. Që nga ai çast mu krijua për të respekti dhe konsiderata. Më përshëndeti duke më zgjatur dorën dhe më pyeti se për ku isha nisur. Në Ndërmarrjen e Librit, - iu përgjigja, - për t‘u furnizuar. Furnizimin lëre për një herë tjetër, - më tha, - sepse do të të ngarkoj me një detyrë: do të shoqërosh deri tek ish-Blloku dy miq francezë, një gazetar dhe një fotoreporter, duan të shohin nëse është hequr rrethimi në vilën e Enver Hoxhës. Unë kam një mbledhje të rëndësishme dhe nuk mundem t‘i shoqëroj. Pastaj iu drejtua të huajve: Njihuni, është një miku im, është poet, me të jeni të sigurt!

Për fat të mirë, gazetari dinte pak shqip dhe komunikonim lirshëm. Që aty shkuam në hotel "Arbëria", ku ata kishin fjetur një natë më parë. Unë i prita në sallon, ndërsa ata u ngjitën lart. Gazetari mori bllokun e shënimeve, ndërsa fotoreporteri aparatin fotografik.

Kur po kalonim pranë "Zërit të Popullit", gazetari më tha: "Zoti Pëllumb, nëse shihni rrugës ndonjë shkrimtar serioz, disident, që të ketë vuajtur nëpër burgjet e diktaturës komuniste, ju lutemi na njihni me të për t‘i marrë një intervistë, do ta botojmë kur të kthehemi në Paris! Unë pohova.

Kur arritëm tek Pallati i Kulturës "Ali Kelmendi", sytë më shkuan tek bufe "Peza" në lulishten para pallatit, ngjitur me bufenë pashë të ulur në stol Petro Markon. Ju qëndroni këtu, - u thashë miqve francezë, - sa të shkoj e të bisedoj me të nëse pranon. Shkova e takova, e pyeta për shëndetin dhe ai më tha se kishte kohë që vuante nga mushkëritë, deri aty sa hera-herës i bllokohej frymëmarrja. I thashë ta shoqëroja për në shtëpi, por ai nuk pranoi, sepse pas çlodhjes e ndjente veten më mirë dhe mund të shkonte vetë. Pastaj i thashë: Zoti Lisen Bashkurti më ka dhënë dy gazetarë francezë për t‘i shoqëruar deri te ish-Blloku. Ata kanë dëshirë të të marrin një intervistë nëse dëshiron. Pse jo Pëllumb, - më tha, - janë të mirëpritur. Kur Petrua bisedonte me gazetarin, u habita që ai e zotëronte aq mirë frëngjishten. Ndërsa ata bisedonin, fotoreporteri vazhdonte të fotografonte Petron me poza nga më të ndryshmet. Kur u ndamë Petrua më tha: Pëllumb, s‘di si të të shpërblej, ndjeva një kënaqësi me mikun francez.
Kur arritëm tek ish-Blloku, si gazetari dhe fotoreporteri panë me sytë e tyre se rrethimi nuk ekzistonte më. Njerëzit kalonin të qeshur e të gëzuar. Ata i merrnin në intervista, i pyesnin, mbanin shënimet e duhura, i fotografonin. Pyesnin për emrat e disa rrugëve, derisa më në fund vizituan edhe vilën ku kishte jetuar Enver Hoxha. Kur po ktheheshim për në qendër, gazetari kërkoi të më bënte një vizitë në familje dhe unë pranova.

Të ulur në kolltukë, duke pirë kafe dhe lëng frutash, gazetari nxori nga kuleta kartëmonedha në dollarë dhe m‘i vuri përpara mbi tavolinë si shpërblim për mundimin që kisha bërë kur i çova për te ish-Blloku, por unë iu ktheva, megjithëse kisha nevojë për to, sepse gjithë ditën rrija nëpër trotuare, midis pluhurit, shiut dhe diellit duke shitur libra për të fituar bukën e gojës.

Biseda jonë vazhdoi pothuajse një orë. Ju tregova se si një pjesë e mirë e intelektualëve shqiptarë e zotërojnë mjaft mirë gjuhën frënge, jo vetëm kaq, por janë edhe përkthyes të talentuar, si Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Sotir Caci, Misto Treska, Javer Malo, Fejzi Dika, Mitrush Kuteli, Remzi Xheneti, Skënder Luarasi e të tjerë. Ju nuk e dini, - u thashë, - se nga gjithë veprat e letërsisë botërore të përkthyera në shqip numrin më të madh e përbëjnë veprat e letërsisë franceze. A mund të na tregoni disa?, - më pyetën ata. Dhe unë fillova: "Të mjerët:, "Viti 93", "Katedralja e Parisit", "Njeriu që qesh", "Vaterloja", "Antologji poetike", "E kuqja dhe e zeza", "Manastiri i Parmës", "Lysjen Lëveni", "Iluzionet e humbura", "Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve", "Lëkura prej shargini", "Fshatarët", "Evgjeni Grande", "Kushëriri Pons", "Fajdexhiu Gobsek", "Shpartallimi dhe paraja", "Zonja Bavari", komeditë e Molierit, tregimet dhe novelat e Mopasanit, fabulat e Lafontenit, lirikat e Mysjesë dhe të Lamartinit, e sa e sa të tjera. Kur unë u tregoja, ata më shikonin drejt e në sy, sikur donin të shkëpusnin fjalët e mia përpara se t‘i nxirrja nga goja. Hera-herës gazetari ia përkthente në frëngjisht kolegut të tij, fotoreporterit. Ju e patë vetë, - i thashë gazetarit, - kur biseduat me shkrimtarin Petro Marko, dhe vazhdova. Ju nuk mund ta dini se përkthyesit e talentuar shqiptarë, me punën e tyre këmbëngulëse dhe të papërtuar, kanë krijuar për lexuesin shqiptar arsenalin e kulturës franceze. Përmes veprave letrare të përkthyera, lexuesi shqiptar mund të njohë Francën. Kjo është e vërtetë, - më tha gazetari francez, - ne deri tani nuk dinim asgjë. Kjo është një mrekulli si për kulturën tuaj, edhe për kulturën franceze.

Të dy miqtë francezë mu dukën njerëz të mirë. Ata kishin respekt dhe flisnin me admirim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndjeheshin të entuziazmuar për vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe për përmbytjen e diktaturës komuniste...

Ata, duke menduar se ishin borxhlinj karshi meje, nuk donin të ndaheshin pa më bërë një favor. Gazetari më kërkoi pasaportën për të marrë një vizë në ambasadën franceze për të vizituar Parisin, kryeqytetin francez. Unë i falenderova për kujdesin që tregonin dhe për dashamirësinë e tyre, por u thashë se megjithëse kisha shumë qejf ta vizitoja Parisin, nuk i përballoja dot shpenzimet.

Përpara se të ndaheshim gazetari më vuri në tavolinë kartëvizitën me adresën e tij. Mirëpo unë bëra një gabim, duhet t‘i jepja edhe unë adresën time që të më dërgonte gazetën ku ishte botuar intervista me Petro Markon. Mendova se mos kishin marrë adresën e Petros, prandaj këtë problem e rraha një ditë me bashkëshorten e tij, zonjën Safo, kur u ndodha në banesën e tyre për kopertinën e librit, por edhe ajo më tha se nuk kishin dërguar gjë.

Kohët e fundit, një mbrëmje, në lajmet televizive u bë fjalë për disa nga gazetat franceze, ku midis tyre u përmend edhe gazeta "Lë - Parisje". Me të dëgjuar këtë emër, mu kujtuan menjëherë dy miqtë francezë, gazetari dhe fotoreporteri, të cilët në atë kohë punonin në këtë gazetë...

Dhe sot e kësaj dite nuk dihet se çfarë i tha shkrimtari Petro Marko gazetarit francez gjatë intervistës, përpara se të vdiste?!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...