Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/29

Ish-zëdhënësja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Erla Mëhilli,nxjerr dokumentet: Meqë kone Braçja po pyeste në Kuvend për kompaninë, ja e vërteta ...!

Ish-zëdhënësja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Erla Mëhilli, ka publikuar në Facebook kërkesat për kompaninë e përpunimit të plehrave në Fier.
 
14508492_10157406387285214_1341988449_n

Mëhilli i është drejtuar deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, duke pasqyruar me fakte se kompania është rekomanduar nga kryebashkiaku i Fierit në atë kohë, Baftjar Zeqo, me disa letra dërguar disa herë ish-kryeministrit Berisha.
 14518746_10157406387245214_1701779273_n
"Meqe kone Bracja po pyeste ne parlament se kush e ka sjelle kete kompanine. 


Kompania ne fjale ne menyren me kembengulese dhe te perseritur eshte rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkise se Fierit, zoti Baftjar Zeqo, jo me nje por me disa letra drejtuar kryeministrit te atehershem. Zoti Zeqo thekson ne letrat dhe mesazhet e tij se ka mese dy vjet qe bashkepunon ne menyre te suksesshme me kete kompani per realizimin e projektit te saj ne qytetin e Fierit”, shkruan në Facebook Erla Mëhilli, ish-zëdhënësja e ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Ben Blushi deklaratë të fortë: Rama nuk do lejojë referendum për plehrat, PD-PS-LSI janë paguar për këtë ligj

Ben Blushi deklaratë të fortë: Rama nuk do lejojë referendum për plehrat, PD-PS-LSI janë paguar për këtë ligj

Deputeti Ben Blushi në një intervistë për emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës ka deklaruar se Rama nuk do të lejojë referendum për ligjin e mbetjeve.
 
Blushi paralajmëroi se në krye të KQZ do të emërohet së shpejti një Rilindas në vend të Lefterie Luzit që i mbaron mandati.
 
Zoti Blushi, pse jeni kundër ligjit?
 
E para, sepse besoj se moralisht ky akt nuk mund të kalonte nga kjo qeveri. Për shkak se historia dihet, në vitin 2011 një ligj i ngjashëm apo identik do të thosha unë u kalua nga maxhoranca e kohës nga qeveria e Berishës dhe opozita e asaj kohe, PS e kundërshtoi. Madje furnizoi shoqatat ambientaliste të Shqipërisë që u rreshtuan kundër ligjit me pothuajse 65 mijë firma.
 
Ata nuk i morën vetë, ishin deputetë të PS, ata që votuan sot ligjin, që i ndihmuan shoqatat të gjenin firmat për referendum. Në vitin 2013, ligji u shfuqizua, ishte një nga aktet e para të qeverisë dhe mori vota të plota nga ana e shumicës sonë. Si akt moral ky është totalisht i pamundur. A ka qeveri, që mirë që nuk bën ato që ka premtuar, por bën edhe akte si ky që bëri?!
 
Ishit kundër si akt moral?
 
Ky ishte si akt moral. Si akt politik është totalisht i papranueshëm. Unë nuk e kuptoj se si shumë kolegë të mi në Parlament patën guximin ta votonin. E dyta, në aspektin e rentabilitetit. Pra, shoqëria po helmohet me argumentin se industria e riciklimit po falimenton dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ta furnizojmë me mall importi.
 
Kjo po ndodh, pra, falimentimi, thotë Dhoma e Tregtisë…
 
Fakti është që ky ligj është totalisht kriminal. Ajo që mua më habit është se si ka mundësi që në këtë qeveri, nuk flet njeri për shëndetin. E dini ju se me statistikë Shqipëria është ndër vendet e para në Europë për sëmundjet kanceroze. Këtu flasim për plehrat dhe nuk flasim për shëndetin. Kë mbron qeveria, industrinë, që sigurisht duhet ta mbrojë, por në radhë të parë duhet të mbrojë interesin publik.
 
Ne pamë një votim ushtarak, militar, ku të gjithë njerëzit që kishin votuar kundër para 3 vjetësh, të enjten votuan pro. Ka dhe një çudi të madhe: një parti më e vogël në Parlament, në 2011-n ishte pro këtij ligji, në 2013-n ishte kundër dhe në 2016-n ishte përsëri kundër.
 
A mund të ndodhë kjo në një shoqëri normale?! A ka mundësi që në një shoqëri normale të kesh tre qëndrime në një sallë Parlamenti për të njëjtën çështje?! Interesi publik është totalisht i cenuar me këtë ligj. Gjendja shëndetësore do të rëndohet dhe rastet me kancer me këtë ligj do të shtohen, sepse askush nuk më jep përgjigje se çfarë do të ndodhë me mbetjen e mbetjes.
 
A besoni se do të ketë referendum për mbetjet?
 
Kryetari i Rilindjes bën referendum për t’u zgjedhur vetë, por nuk lejon referendum popullor për mbetjet. Referendum për mbetjet jam i sigurt se nuk do të lejohet. Tani që do të bëjë dhe ndryshimin e fundit në KQZ, ku do të shkojë një rilindas, sigurisht që nuk do ta lejojë sa kohë do të jetë në pushtet.
 
Çfarë zgjidhet me shkrimin e emrit të deputetëve në kazanë?
 
Të paktën do t’u vijë turp për atë që kanë bërë. Në Parlament janë bashkë PD, Rilindje dhe LSI për importin e plehrave, sepse janë paguar nga e njëjta faturë.
 
Atëherë, çfarë bëni ju akoma në këtë maxhorancë të paguar me fatura?
 
Të gjithë jemi duke bashkëjetuar me plehrat që kemi në lagje, unë nuk bëj përjashtim. Po përsosim shqisat e bashkëjetesës. Lufta kundër plehrave është një test i shoqërisë shqiptare për të provuar se ka fibra rezistence duke u vetorganizuar ndaj të keqes.
 
Do firmosni referendumin, zoti Blushi?
 
Do ta jap firmën për referendum.
 
Edhe pse ju bëtë thirrje që të shkruhen emrat e deputetëve që votuan pro ligjit, pamë që kishin shkruar dhe emrin tuaj.
 
Ka një ndryshim: qytetarët e lirë shkruan në kazanët e plehrave emrat e deputetëve që votuan pro importit të mbetjeve, ndërsa emrin tim e shkruan punonjësit e Bashkisë me urdhër, të cilët paguhen nga taksat tona, dhe nga të rinjtë e FRESSH-it.
 
Blushi, po ju me cilin Blush jeni sepse në media, doli edhe një firmë juaja në ligjin e 2004-ës për plehrat.
 
E para këto të dyja nuk kanë asnjë lidhje sepse ai impiant për të cilin unë paskam firmosur, ku është, dini gjë juve?!
 
Nuk u bë sepse pati protesta.
 
Si mendon, nuk u bë se doli Erion Veliaj me fiq e me domate? Më kujtohet që Erion Veliaj dilte e i gjuante me domate Bashkim Finos, një koleg imi në vitin 2003-2004.
 
Që firmosi edhe ai.
 
Por nuk është kjo arsyeja pse nuk u bë. Në atë kohë ka pasur një debat shumë të gjerë brenda qeverisë për shkak të ligjeve në fuqi për të dhënë një marrëveshje koncesionare për një kuotë importi të mbetjeve nga jashtë për tu djegur. Për shkak të mendimeve të ndryshme që kishim ne brenda qeverisë, ky ligj nuk u bë, ajo kontratë nuk u nënshkrua. Çfarë tregon kjo? Tregon thelbin e kësaj që po ndodh sot. Pra, brenda qeverisë kishte pikëpamje të ndryshme për një çështje. A mendon se kjo mund të ndodhë sot?
 
Brenda asaj qeverie të gjithë firmosën, nëse nuk gaboj.
 
Brenda asaj qeverie kishte kontradikta për atë akt dhe kjo është arsyeja që nuk u bë.

Korrupsioni në Prokurori, ja prokurorët nën akuzë dhe shumat e mëdha që kanë përfituar

Korrupsioni në Prokurori, ja prokurorët në akuzë dhe shumat e mëdha që kanë përfituar

Ata janë shkolluar për të hetuar keqbërësit dhe përfaqësojnë në gjyq akuzën në emër të shtetit, por jo rrallë herë përfundojnë vetë në bankën e të akuzuarve apo subjekt hetimit.
 
Kjo pritet të ndodh dhe me Ardian Brahon, prokurorin në emër të të cilit oficeri i policisë filmohet duke marrë 18 mijë euro për të hequr sekuestron mbi një llogari bankarë të hetuar për pastrim parash
 
Braho nuk është i vetmi prokuror që përballet me drejtësinë.
 
Ish-prokurori i Krujës Haxhi Giu u prangos në fillim të 2016 pasi u arrestua në flagrancë duke marrë 28.800 euro për të kërkuar në gjyq lirimin e një të burgosur dhe tani vuan dënimin me 28 muaj burg.
 
 
Në hetim ka përfunduar dhe Petrit Vukaj ish-prokuror në Fier dhe krimet e rënda pritet që pas pak ditëve të shprehen me një vendim nëse ai ka shpërdoruar detyrën duke marra para apo është i pafajshëm.
 
Një tjetër prokuror i vënë në akuzë është dhe ish-drejtuesi i hetuesisë së Pukës, Pëllumb Premci, që së bashku me ish-funksionar të gjykatës së këtij rrethi kërkonin para në këmbim të favoreve të të pandehurve me ligjin. 

Julia Vrapi : Besa Myftiu: “Dashuri në kohën e komunizmit”, një roman që sjell historinë e Shqipërisë nga 1981-2000

Besa Myftiu: “Dashuri në kohën e komunizmit”, një roman që sjell historinë e Shqipërisë nga 1981-2000


Sa herë që vjen në Tiranë merr shumë vëmendje, dhe ardhja e saj gjithmonë do të ketë një projekt artistik apo dhe promovim libri. Por këto ditë të fundit të dhjetorit të 2015, shkrimtarja e njohur Besa Myftiu promovoi romanin e saj “Dashuri në kohën e komunizmit”. Një libër që siç pohon dhe vetë ka dashur të tregojë historinë e Shqipërisë nga 1981 deri në vitet 2000. Një roman, i cili tashmë vjen në duart e lexuesit, ka sërish në qendër të vëmendjes femrën shqiptare, ku siç shprehet dhe vetë autorja, historitë që kishin ndodhur në kohën e komunizmit ishin të pakrahasueshme me historitë e shoqeve të saja zvicerane, franceze, gjermane. Në intervistën dhënë për gazetën, shkrimtarja e njohur flet për romanin e saj, i cili më herët është botuar dhe në gjuhën frënge, ndërsa pohon se vitin që vjen për lexuesit do të sjellë dy vepra të reja. E ndodhur në Tiranë, autorja ndan me lexuesit dhe pjesë nga jeta e saj në Zvicër, projektet në universitet, por duke theksuar se asnjëherë nuk i ka ndërprerë lidhjet me vendlindjen.

Këtë herë në Tiranë ju gjejmë jo vetëm për festat e fundvitit, por me shumë vëmendje nga ju është dhe libri juaj “Dashuri në kohën e komunizmit”. Një roman, të cilin ju e promovuat në ditët e fundit të dhjetorit 2015?

Ky libër është botuar më parë në frëngjisht, dhe këtë vit vjen në shqip. Romani ka një fabul të thjeshtë. Janë tre shqiptare, që jetojnë jashtë shtetit dhe kthehen në Shqipëri për një dasëm tek një shoqja e tyre. Por këto nuk njihen me njëra-tjetrën. Në aeroport ka grevë linja ajrore “Alitalia”, dhe ato detyrohen ta kalojnë natën në aeroport. Për të mos u mërzitur, pasi kanë qarë se ndërkohë kanë humbur dasmën, ato blejnë verë siçiliane që quhet “Mile e una notte”, dhe secila për të kaluar natën fillon të tregojë një histori dashurie, duke ndjekur shembullin e Shehrazades. Janë 3 Shehrazade të kohëve moderne, me histori dashurie të kohës së komunizmit.

Ju këtë roman e sillini për lexuesit në tre pjesë. Si janë të ndërtuara ato?

Në roman janë tre femrat, që quhen Anila, Diana dhe Monda. Ato kalojnë një natë kaq të bukur duke treguar historitë e tyre saqë për pak humbin avionin në mëngjes. Dhe të gjithë njerëzit, që kanë pritur dhe janë mërzitur duke pritur, kur i shikojnë ato të freskëta, të qeshura, entuziaste, ata thonë çfarë keni bërë juve që nuk jeni mërzitur gjithë natën. Por ato kanë treguar histori dashurie.

“Dashuri në kohën e komunizmit” promovohet këtë fundvit, por cila qe shtysa për këtë roman?

Si ma ka lindur ideja për të shkruar romanin? Mua më dukeshin historitë, që kishin ndodhur në kohën e komunizmit të pakrahasueshme me historitë e shoqeve të mia zvicerane, franceze, gjermane. Dhe nuk dija se si të gjeja një vend të mbyllur, pasi kam disa vite që kisha idenë e një libri të tillë, mirëpo për tu treguar një histori dashurie që secili tregon nga një histori duhet të jetë dhe një vend. Ideja që femrat tregojnë histori dashurie duhet të ishte një vend, që dhe të mos njiheshin, që të kishin dhe një besim te njëra-tjetra. Ndaj ishte dhe kjo gjetje, ku sot njerëzit takohen në aeroport dhe greva e “Alitalia” më dha këtë mundësinë, që historitë të mos ishin artificiale dhe të ishte një natë e tërë përpara për tu treguar.

Jeni shprehur se në këtë roman keni marrë tabutë më mëdha të dashurisë?

Në vepër kam marrë tabunë politike, kur dashuron një person me biografi të keqe, tabuja -vajzë e ndarë nga burri dhe djalë beqar, tabuja e moshës-vajzë më e madhe dhe djali më i vogël, si dhe tabuja e gjakut, që është shumë e vjetër dhe në shumë legjenda shqiptare është një dashuri e parealizueshme. Janë dashuri të ndjekura me vite, 20 vjet. Këto i tregojnë 20 vjet më pas historitë.

Çfarë jeni munduar të jepni përmes këtyre historive të dashurisë?

Nëpërmjet këtyre historive të dashurisë jam munduar të jap gjithë historinë e Shqipërisë nga viti 1981 deri në 2000. Janë histori dashurie të pamundura, qoftë nga morali komunist, qoftë morali tradicional. Në vitet e komunizmit, çdo histori dashurie që dëgjoja më dukej një libër më vete. Por duke qenë se në perëndim ka më pak tabu dhe pengesa edhe historitë janë më të thjeshta, ndërsa në kohën e komunizmit ishin si ato përrallat që janë me pengesa, por dhe nëse bëhet sërish ka pengesa. Koha e komunizmit ka qenë një kohë nga e cila dalin histori të pabesueshme, shumëpjellore nga pikëpamja letrare.

Edhe ky roman që mban emrin tuaj ka sërish në vëmendje femrat. Si e shikoni sot femrën në Shqipëri?

Unë kam përshtypjen, që në këto 25 vjet femra shqiptare ka avancuar. Femra shqiptare kudo që ka shkuar në botë, të gjitha e kanë gjetur vendin e tyre. Kam shumë admirim për femrën shqiptare.

Për këtë roman është folur më herët dhe për një skenar filmi?

Është fillimi i një projekti për film. Por duhet që të zhvillohet. Kemi dhe një producent zviceran që është goxha i interesuar, por për momentin jemi në hapat e para.

Meqë jemi te filmi, vlerësime për ju janë me filmin “Unë e dua Erën” si skenariste, kemi filmin “Yllka” ku dhe ju luajtët një rol, vjen dhe ky roman që ka vëmendje për të qenë skenar i një filmi?

Pas filmit “Unë e dua Erën” skenari tjetër ka qenë filmi “Yllka”. Këtë film e kam punuar gati 15 vjet, janë ndërruar 3 herë regjisorët, producentët. Shkrimi i një romani varet vetëm prej meje, e shkruaj dhe e botoj, ndërsa shkrimi i një skenari është ndryshe, ka më shumë probleme, një film nuk mund të bëhet pa mjetet financiare.

Ju jeni larguar nga Shqipëria drejt Zvicrës më 1991. Si e kujtoni përballjen tuaj me një tjetër shoqëri të huaj, probleme emigrimi?

Unë nuk kam pasur probleme emigrimi, sepse unë shkova në Zvicër dhjetë ditë për vizitë. Më pas atje njoha një zviceran. U ktheva në Shqipëri, dhe gjatë kësaj kohe ne folëm në telefon, kemi biseduar, dhe ai më propozoi që të martoheshim. Më kërkoi si nëpër male me telefon, duke më thënë që dëshironte të martohej me mua, pasi edhe shtëpia i dukej bosh pa mua dhe vajzën time. Unë punoja në revistë dhe i thashë shefit tim që të ma ruante vendin e punës, sepse mund të kthehesha vetëm, vet i dytë, ose nuk mund të kthehesha. Unë nuk ika nga Shqipëria me mendimin që nuk do të kthehesha. Madje diploma që unë kam bërë është për mësuese frëngjishtje për të huajt, me mendimin që të kthehesha në Shqipëri bashkë me burrin. Duke bërë këtë diplomë atje një psikoanalist më ftoi të bëja një tezë doktoratë në universitet te Shkencat e Edukimit. Unë u përballa me këtë fakt, që në Shqipëri revista ishte mbyllur, nuk kisha asnjë vend pune. Isha në Zvicër dhe më ofronin një vend pune në universitet, kështu që qëndrova. Ndaj unë se kam njohur fatin e keq të emigrantit. Në kohën që unë arrita atje, ishte koha që sapo martoheshe të jepnin pasaportën zvicerane. Këtë nuk e dija, por ata më dhanë pasaportën në dorë. Kujtoj që unë për pasaportën shqiptare kisha hequr shumë, 1 apo 2 muaj në zyra, ndërsa pasaporta zvicerane ishte gjëja më e thjeshtë. Kjo gjë më ka ndihmuar shumë, sepse kam pasur dhe bursa për shkollat. Faktikisht ne kemi jetuar me pak, në mënyrë modeste, por unë nuk kam qenë e detyruar të punoj. Megjithatë kam bërë ndonjë punë që atje quhen lexuese, ku persona të pasur që nuk arrijnë dot të lexojë punësojnë dikë që tu lexojë veprat. Kam punuar shumë pak, por punë që më ndihmonin të mësoja gjuhën. Qëllimi im ishte që të shkruaja në frëngjisht dhe përderisa minimumin e jetesës e kisha të siguruar, mendova që do të punoja më shumë për të përmirësuar frëngjishten.

Më herët në Tiranë ju erdhët dhe për një projekt bashkëpunimi mes Universitetit të Tiranës dhe atij në Lozanë, i cili pati vëmendje?

Bëhet fjalë për një shkëmbim studentesh. Tre studente zvicerane erdhën në Shqipëri dhe 3 shqiptare do vijnë në Zvicër, që të zbulojmë pak këtë shtet, mënyrën e mësimdhënies, dhe besoj që çdo vit do ta vazhdoj këtë projekt, madje dua që të ketë shumë më tepër shqiptarë që të vijnë në Zvicër.

Sa herë vini në Tiranë, ardhja juaj merr shumë vëmendje. Duket se letërsia ju ka dhënë shumë?

Nuk e kam prerë kurrë lidhjen me Shqipërinë. Ka persona që kanë ikur, por unë si kam prerë lidhjet, sepse kam qenë shumë e afërt dhe me prindërit, se dyti nuk kam humbur asnjë nga miqtë e mi të dikurshëm. Kam pasur gjithmonë një projekt artistik me Shqipërinë, ka qenë filmi “Yllka”, ku një pjesë e tij është xhiruar dhe në Shqipëri. Ndaj gjithmonë kam pasur një lidhje artistike. Por dhe libri i parë që kam botuar është në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht më 1994. Edhe romani i parë edhe pse vetëm në frëngjisht, flitet për Shqipërinë. Unë nuk i gjykoj ata që kanë ikur dhe nuk e kthejnë kokën pas, por unë atë gjë që e dua njëherë e dua përherë. Shqipëria është një dashuri nga e cila nuk do shërohem kurrë, sado që dhe mund të ketë momente që të mërzisin. Përshembull, çuditem se si administrata është kaq ngarkuar këtu, se si njerëzit punojnë kaq pak. Unë atje kam nevojë për një dokument bëj një telefon dhe vjen me postë në shtëpi. Këtu nuk e kuptoj se si të sjellin qoftë dhe për një vulë, se kuptoj pse kaq verifikime, ndoshta ka mbetur pak nga Bashkimi Sovjetik apo nga diçka tjetër. Ndërkohë që njerëzit mund të bëjnë gjëra të tjera, mund të jenë aktiv, e megjithatë është si është Shqipëria unë këtu ndihem në vendin tim.

Pas këtij libri, për 2016 si do të vijojë letërsia për ju?

Kam përshtypjen se 2016 do të jetë një vit shumë i bukur për mua. Do mundohem të punoj më pak dhe të jetoj më shumë për veten time. Unë sapo kam mbaruar një roman të vogël, që titullohet “17 vjet gënjeshtër”, i cili del në qarkullim vitin që vjen. Është dhe romani “Ëndrra e fundit”, të cilin e kam mbaruar dhe po kërkoj botues.

Deklarata befasuese e artistes shqiptare Besa Myftiu : Unë dhe bashkëshorti kemi lidhje paralele

besa-myftiu


Herë pas herë ata bien në dashuri me të tjerë, por sërish janë bashkë dhe gëzohen apo trishtohen për historitë e njëri-tjetrit.

Shkrimtarja dhe artistja Besa Myftiu ka festuar 25- vjetorin e martesës dhe ka guximin të thotë se ajo dhe bashkëshorti i saj zvicerian tani jetojnë një martesë të hapur. Për artisten Besa Myftiu, njëkohësisht dhe nëna e këngëtares Elina Duni, kjo gjë duket e thjeshtë, sepse në jetën e saj asgjë nuk është brenda “normës” shqiptare.

Në një intervistë për revistën Living për lidhjen e saj të hapur ka thënë:

“Unë dhe bashkëshorti mund të kemi jetën tonë, jetojmë në qytete të ndryshme. Pas 20 vjetësh ndryshojnë gjërat… Jemi si miq, kështu që nuk ka problem edhe nëse ndonjëri nga ne bie në dashuri me dikë tjetër. Përkundrazi, gëzohemi për tjetrin.”

Kjo lidhje e hapur nuk e pengon Besën që të vazhdojë ta dojë bashkëshortin e saj dhe ajo mendon se ai nuk i ka bërë asgjë të keqë dhe se nuk e ka lënduar aspak kur ai ka ndjenja dashurie apo lidhje me një femër tjetër:

“Unë vazhdoj ta dua, por ndryshon dashuria; është një lloj tjetër, kemi qenë 15 vjet të dashuruar. Të parat që e kuptojnë kur ai është i dashuruar me dikë tjetër, jemi unë edhe Elina. Unë jam e para, kujt do t’ia thotë tjetër ai? Ka ndodhur që herë pas here ai të ketë ndonjë lidhje dhe jam mërzitur po aq sa ai, kur është ndarë. Kur e do tjetrin, ti dëshiron që ai të jetë mirë, me kë të dojë dhe si të dojë. Ne jemi secili i lumtur në qytetin e tij. E përse u dashka që unë të ndahem me ligj? Çfarë më ka bërë ai mua? Ne duhemi dhe rrimë si vëlla e motër. Praktikisht, kjo është ajo që u ndodh gjithë çifteve në Shqipëri, por ata nuk e thonë. Ne, në datën 21 qershor festuam 25-vjetorin e martesës, që për ne është një kontratë shoqërore. Jemi shumë mirë kështu siç jemi.”, ka përfunduar Besa Myftiu.

Besa Myftiu.jpg

Kush është Besa Muftiu?


Besa Myftiu ka lindur në Tiranë. Ajo është e bija e shkrimtarit disident Mehmet Myftiu. Shkollën fillore, të mesme dhe studimet e larta i ka kryer në Tiranë. Pas një pune disavjeçare si pedagoge në Institutin e lartë pedagogjik të Elbasanit, Myftiu punoi si gazetare në revistën “Skena dhe ekrani”. Ka shkruar skenarin e filmit televiziv “Unë e dua Erën”, më 1991. Në vitin 1992 largohet nga Shqipëria për në Zvicër. Jep mësim në Universitetin e Gjenevës në Fakultetin e Shkencave Pedagogjike. Shkruan në gjuhën frënge dhe është autore e vëllimit poetik “Des amis perdus” botuar në dy gjuhë; e romaneve “Ma Légende” (L’Harmattan, 1998, me parathënie të Ismail Kadaresë), “Confessions des lieux disparus” (Editions de l’Aube, 2008, me parathënie nga Amelie Nothomb), i cili u botua në shqip me titullin « Rrëfime nga vendet e harruara »., dhe “Amours au temps du communisme” (Fayard, 2011); e përmbledhjes me tregime “Le courage, notre destin” (Editions Ovadia, 2007).



http://www.shekulli.com.al/p.php?id=11856

Mbetjet si industri dhe si politikë

selami-xhepa-300x176

Nga Selami Xhepa

Kur Perdja e Hekurt u shemb dhe Lindja po përqafonte sistemin e tregut të lirë, një nga personalitet e ekonomisë botërore, asokohe zyrtar i lartë i Bankës Botërore, Larry Summers, shkruante një Memo që ja përcillte drejtuesve të lartë të Bankës (Hausman, Economic Analysis, Moral Philosophy, and Public Policy). Argumenti qendror lidhej me politikat se si Banka duhej të mbështeste vendet në tranzicion duke lehtësuar transferimin drejt tyre të teknologjive të përdorura nga vendet e zhvilluara. Sigurisht që këto teknologji kishin një shkallë të lartë ndotjeje mjedisore, por Lindja ishte disa dhjetëvjeçarë mbrapa në progresin teknologjik, dhe për më tepër kishte papunësi masive. Teknologjitë e vjetra perëndimore, edhe pse kishin shkallë të lartë ndotjeje, do të krijonin më shumë punësim, që ishte dhe shqetësimi kryesor për këto vende të traumatizuara. Nga ana tjetër, vendet e perëndimit kishin mundësi që duke eksportuar teknologjitë e vjetra dhe jomiqësore ndaj mjedisit, të adaptonin teknologji të reja me ndotje minimale. Në këtë mënyrë, kjo politikë ishte një ekuacion win-win, ku të gjitha palët realizonin objektivat e tyre. Ekonomikisht logjika qëndron (deri diku: pa marrë në konsideratë kostot e shëndetit publik, degradimit mjedisor apo rehabilitimit të zonave të ndotura etj.); nga ana etike dhe morale argumenti ka një të çarë të madhe. Vetë Summers ka kërkuar falje për këtë dokument.

Problemi i ekonomisë sonë është shumë kontradiktor: ne nuk jemi ndotës të globit dhe madje jemi kontribuues pozitiv në emetimin në atmosferë të ndotësve. Por, kudo ku ka industri apo fabrika të vjetra të trashëguara apo edhe të reja, ku ka ndërtime apo projekte infrastrukturore në ndërtim, mjedisi po degradon, mbetjet e ngurta lartësohen në pirgje dhe dergjen anës rrugëve kombëtare, në qytete apo dhe në zona turistike; kudo ku ka projekte të huaja apo vendëse investimesh në shfrytëzim burimesh natyrore, ndotja dhe rrënimi mjedisor (dhe me pak kohë vonesë, edhe degradimi social) janë dramatikisht të dukshme; kudo ku ndërtohen fabrika çimentoje, malet zhduken dhe zgavra toke të zhveshura i zënë vendin pyjeve dikur të gjelbra; mirëqenia në rritjen e konsumit të familjeve, lexohet më së miri nga kazanët e plehrave kutërbues që dergjen anës rrugëve të qyteteve dhe malet gaz-helmues që ndeshen në landfilldet që administrojnë bashkitë. Shkurt, ne e ndihmojmë pozitivisht globin, por me realitetet e këtyre njëzet e ca viteve tranzicion, po shkatërrojmë vetveten. Prej kohësh vazhdojmë të përsërisim se menaxhimi i mbetjeve dhe rehabilitimi mjedisor janë një emergjencë kombëtare. Qeveria e pranon në heshtje përderisa sa herë hapet sezoni turistik, forcat dhe mjetet e ushtrisë (që ligjërisht mobilizohen vetëm për emergjenca) dalin në aksione për pastrimin e qyteteve. Rilindja urbane që rrezaton në perimetrin e një shëtitoreje në zemër të një qyteti, kontraston me kaosin social dhe mjedisor që ndesh në lagjet përreth qendrave. Po krijohen realitetet e errëta të kryeqyteteve të vendeve të Amerikës Latine.

Industria e riciklimit e krijuar në këto vite është vërtet një pasuri kombëtare; ajo po përpunon mijëra tonelata mbetjesh që krijohen çdo ditë. Sigurisht që nuk ka asnjë lidhje midis gjendjes së mjerueshme të mjedisit tonë dhe zhvillimit të kësaj industrie; ricikluesit vetëm se e kanë ndihmuar vendin të vetëpastrohet, prandaj dhe duhet të ndihmohet që të bëhet konkurruese me rajonin, duke qenë njëherësh e dobishme për shoqërinë. Ndoshta, në rast revokimi të ligjit, nëse kjo industri do të ndodhet në vështirësi serioze ekonomike, duhen studiuar edhe mënyrat alternative të mbështetjes dhe favorizimit të tyre fiskal apo financiar, në mënyrë që ato të vazhdojnë të kryejnë këtë veprimtari të dobishme për shoqërinë, por dhe të jenë biznese me fitim për sipërmarrësit. Arritja e këtij objektivi nuk ka vetëm një rrugëzgjidhje – importin e mbetjeve të papërpunuara. Më së pari, detyrimi që kanë autoritetet lokale që të menaxhojnë mbetjet e zonave urbane dhe rurale që ato kanë në administrim vazhdon prej kohësh të jetë tmerrësisht problematik. Ndërkohë, ka një direktivë europiane që për një periudhë njëzetvjeçare duhet të kalohet drejt industrive me mbetje zero – domethënë, që të gjithë mbetjet duhet të jenë të riciklueshme dhe nuk do të ekzistojnë më land-fields. Pra, ndërtimi i inceneratorëve dhe mbështetja e industrisë së riciklimit është një domosdoshmëri për të përmbushur këto detyrime.

Por nuk është lejimi i importeve të huaja ajo nga ku duhet të fillojë ky aksion i madh kombëtar. Më së pari, qeveria duhet të miratojë një plan kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve, një detyrim që buron nga legjislacioni ynë në këtë fushë. Çfarë veprimesh do të kryejë qeveria gjatë çdo viti në njëzet vitet e ardhshme deri sa të përmbushë këtë objektiv? Ky do të ishte hapi i parë prej ku do të niste debati publik. Krijimi i ndërmjetësve që grumbullojnë mbetjet, zbatimi i projekteve pilote në bashkëpunim me bashkitë dhe me ndihmën e donatorëve, zhvillimi i partneritetit publik-privat në ndërtimin e impianteve të asgjësimit të mbetjeve etj., janë instrumentet që duhet të zhvillohen në këtë dokument, të konsultohen me aktorët e shoqërisë dhe grupet e interesit dhe të vihen në procesin e zbatimit vetëm pasi të krijohet një klimë normale besimi, klimë që krijohet nga transparenca dhe dialogu dhe jo pabesitë dhe aktet tinëzare që nuk botohen asnjëherë as në dokumentet zyrtare. Për shembull, tani mësojmë nga mediat se qenka dhënë një koncesion për ndërtim inceneratori në Fier, ndërkohë që nuk ka patur asnjë njoftim publik apo konsultim me komunitetet për këto projekte që janë ndjeshmëri të fortë ambientale.

A është ligji i mirë? Sigurisht që ligji në vetvete është një transpozim i direktivës europiane; i tillë ishte dhe ligji që qeveria e re e anuloi në vitin 2013. Por, a nuk është po aq europian edhe ligji për shfrytëzimin e pyjeve? Ligji për gjuetinë? Për rregullimin e territorit? Për lundrimin e mjeteve detare? për….. E nëse ligjet do të ishin funksionale, atëherë përse kemi moratorium që ndalon shfrytëzimin e pyjeve? Moratorium që ndalon gjuetinë? Moratorium për vozitjen e skafeve? Moratorium për ndërtimet? Moratorium për gjithçka që nuk kontrollojmë dot. Pra, nëse ligjet funksionojnë në rregull, nuk do të kishte nevojë për ndalime e moratoriume. Problemi është se besimi i publikut ka humbur se ligjet funksionojnë në rregull dhe prandaj edhe ligjet dhe qeveritë e humbasin legjitimitetin e tyre.

Shfaqjet që serviren herë pas here nga emisionet investigative “fikse fare” dhe “stop”, kanë dëshmuar se vetë industritë kanë probleme serioze me respektimin e standardeve mjedisore dhe higjienike. Inspektorët shfaqen vetëm pas denoncimeve publike e edhe në ato raste dëshmojnë se janë krejtësisht të paaftë (ose edhe të korruptuar) që të administrojnë problematikat e shfaqura. Prandaj, do të ishte e nevojshme që më së pari vetë industria të jetë e hapur ndaj inspektimeve nga publiku dhe grupet e interesave; të mundësohet një auditim nga kompani të specializuara lidhur me standardet mjedisore që ato respektojnë; një auditim i kapaciteteve të administratës që sa ajo është e aftë të menaxhojë procesin e gjurmimit të mbetjeve në lëvizje; shkurt – është e nevojshme të vendoset legjitimiteti mbi institucionet dhe vetë qeverinë për aftësinë e tyre politikëzbatuese. Dhe kjo nuk mund të bëhet me vetëdeklarim nga vetë qeveria; është tërësisht e pabesueshme!

Mbi të gjitha, kemi nevojë për një lëvizje kombëtare për pastrimin e qyteteve tona nga mbetjet dhe të vendosim ligj dhe rend në këtë disiplinë. Siç po veprohet me forcën e ligjit me ndërtimet, me energjinë dhe me shërbimet e tjera publike, ashtu të fillohet një fushatë e zbatimit me forcë të ndarjes dhe seleksionimit të mbetjeve që në shtëpi dhe deri në fabrika. Sigurisht që kjo është më së pari çështje e kulturës qytetare, por ndoshta do të duhet të presim edhe mbi dy shekuj të tjerë deri sa kjo të vij vetiu. Ndërkohë, malet me plehra do pushtojnë qytetet tona; industritë e riciklimit do të vazhdojnë të riciklojnë plehrat e huaja; disa (rentier) do të fitojnë shuma marramendëse nga këto biznese ndërsa shoqëria do të paguajë një çmim të tmerrshëm për këto marrëzira. Skenari duket apokaliptik, por gjërat janë në bërje e sipër dhe përditë vlerat e shoqërisë po gërryhen e shkërmoqen.

Ekonomiksi dhe moraliteti duhet të pajtohen. Opozita veproi drejt duke bërë një mea culpa. Edhe qeveria duhet të reflektojë më me objektivitet pasi Presidenti ta kthejë ligjin për rishqyrtim. Përndryshe, ashtu si dhe te Memo e Larry Summers, ndjesa nesër nuk do të jetë më e dobishme.

Edvin Kristaq Rama shiti qytetarët për “plehrat” dhe loja e pistë e LSI-së

edi-rama


Deputetët e mazhorancës kanë votuar sonte pro ligjit për importin e mbetjeve. Pas diskutimeve maratonë, ligji ka kaluar dhe është votuar me 63 vota pro, 27 kundër dhe 4 abstenime.

Por çfarë ndodhi me Edi Ramën që bëri një kthesë kaq të të madhe sa rrëzoi vendimin e tij solemn ndalimin e importit të plehrave?

Për të justifikuar tërheqjen e tij, kryeministri Edi Rama, u justifikua duke deklaruar se vendimi i qeverisë në vitin 2013 për anulimin e ligjit për importin dhe riciklimin e mbetjeve ka qenë i drejtë, pasi asokohe vendi nuk kishte kushtet për procese të tilla.

Ja çfarë tha Rama sot në Parlament: “Nëse tre vjet më parë nuk kishim laborator, Sot kemi një laborator të standardeve europiane të çertifikuar nga BE. Nëse në 2013 mbetjet mund të hynin nga çdo pikë doganore, sot ata hyjnë vetëm nga 3 pika që kontrollojnë kapacitet të plotë kontrolli. Sot kemi një laborator modern të investuar nga BE që bën gjithë kontrollin e analizave të çdo materiale që hyn në Shqipëri. Kemi dhe një ekip njerëzish të trajnuar nga BE. Nëse ne nuk do të bënim këtë ndërhyrje do të falimentonin industrinë e riciklimit dhe do të linin rrugëve 3200 punonjës dhe do të mbyllnim një front pastrimi mjedisor”.

Ndërsa vetëm tre vite më përpara kur rrëzoi ligjin për importin e mbetjeve deklaronte: “Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të paafta për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, i hapin rrugë importit të plehrave”.

Pra sipas Ramës, në tre vite, gjendja e Shqipërisë ka ndryshuar.

Por realiteti tregon të kundërtën. Në një vend ku mbillet lirshëm kanabisi, ku fluturojnë avionë me drogë pa hasur në asnjë problem, me përjashtim kur aksidentohen vetë si rasti i Ishmit, vetëm për siguri nuk mund të flitet.

Ndërsa lidhur me justifikimin e Ramës se po falimenton industria i riciklimit, i kryeministri duhet të dijë se Shqipëria është e mbushur plot me mbetje që gjenden rrugëve, në lumenj, toka bujqësore, etj. Zgjidhja për kompanitë ricikluese është e thjeshtë: Të menaxhojnë dhe riciklojnë plehrat tona, aq më tepër që sot plehrat tona riciklohen as 20 përqind.

Por arsyet e vërteta pse Rama pështyu mbi atë që premtoi është tjetër dhe tepër e thjeshtë, mjafton të citojmë çfarë deklaront vetë kryeministri Rama me gojën e vet në vitin 2013: “Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve”.

Pas tërheqjes së Ramës qëndron një grup i fuqishëm biznesmenësh vendas dhe të huaj. Këta të fundit kanë lobuar për interesat e tyre që ky ligj të kalojë. Madje ish-kryeministri Berisha akuzoi Edi Ramën se për kalimin e këtij ligji ka marrë ryfshet 4 milion euro. Aq më tepër që disa krerë socialistë degësh kanë në pronësi të tyre disa kompani riciklimi plehrash.

Ndërkohë që pas këtij ligji fshihet edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Në një mënyrë tinëzare, Veliaj ka bërë marrëveshje me një kompani italiane për importimin e plehrave në Shqipëri.

Në këtë lojë të pisët ka pjesën e saj edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, për të treguar se LSI është më pranë ambientalistëve, bëri një propozim në kufijtë e qesharakes.

LSI kërkoi që t’i jepet mundësi shoqërisë civile të ketë rol në monitorimin e këtij procesi nëpër pikat doganore.

Sipas Vasilit, i bie që shoqëria civile të kthehet në “polici plehrash” dhe të fusë kokën në tonelatat e plehrave për të kontrolluar për mbetjet radioaktive.

Pra loja mes PS-së dhe LSI-së është e kopsitur mirë, tashmë ky koalicion do të mbahet mend vetëm për premtimet e mosmbajtura.

Kthesën 360 gradë të Edi Ramës as edhe gazetari Mero Baze ka arritur ta shpjegojë. Baze tashmë i njohur për qëndrimet pro qeverisë “Rama”, shkruante se “dorëzimi i saj politik, është një kambanë alarmi, pasi nuk justifikohet nga asnjë llogari financiare. Të dorëzosh 9 muaj para zgjedhjeve , pa qenë nevoja, një nga kuajt e betejës tënde politike, pa ta kërkuar njeri publikisht, por vetëm për argumenta teknike dhe financiare, është ose guxim i madh, i cili ose vjen nga një ndjesë e thellë për dëmin që i ke shkaktuar biznesmenëve, ose nga një indiferencë e madhe për atë çfarë u ka premtuar qytetarëve”.

Tashmë e vetmja gjë për t’u bërë është siç propozoi Ben Blushi, që deputetët që votuan këtë ligj e meritojnë ta kenë emrin në çdo kazan plehrash.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...