Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/03

UNË KAM BESUE GJITHNJË TEK HAPJA E DOSJEVE !!

Nga Fritz RADOVANI: Leter...


 Image result for gentiana sula

GENTIANA SULA


E nderueme zonja Gentiana Sula!

Pak ditë perpara u njoftue se: “Gentiana Sula votohet si kryetare për hapjen e dosjeve të sigurimit. Parlamenti ka votuar me 69 vota pro dhe 1 abstenim si Kryetare të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.”

Nuk kerkova të dhana tjera rreth biografisë dhe aktivitetit Tuej...

U perqendrova tek kjo foto e Jueja që mu duk se flet mjaft persa më intereson sot.

Do t’ Ju shkruej per dy raste që kam pasë me njoh dy persona në jeten time, dhe jam shumë i sigurtë se njëditë do të më kujtoni!

Ishte viti 1962 kur jam kenë smurë dhe shkova per mjekim në Spitalin Ekstrapolmonar të Vlonës. Ishe 22 vjeç. 

Porsa mërrijta atje, një tiranas djalë i ri, më njohu me një të sëmurë të interrnuem nga Shkodra, Françeskan i dënuem në vitin 1947, At Frano Kiri...

Nuk e njihshe fare po, i kishe ndigjue vetem emnin. Sa ju afrova shtratit të Tij më njohu. Ishte me Ate një grup të rijshë që e kalonim kohen tue luejtë domino... 

Mbasi delshim nga mensa në drekë, At Frano, shkëputej dhe shkonte tek një stol nën hije të një peme dhe aty, ulej e lexonte gazeten... Po, sa kohë? – Besoj se lexonte kater faqet e saj...

Një ditë Ju afrova dhe mbasi pashë se po lexonte gazeten “Zeri i Popullit”, e pyeta: Mirë se ke vullnet me lexue, po nuk priton perditë me lexue rrenat e komunistave bre Burrë, dhe as, nuk priton me lexue kater faqet me rrena të “Zerit Popullit”..?!

Ai qeshi dhe, më tha: Shiko, unë i lexoj të kater faqet, po jo se shka shkruejnë këta...

Per me marrë vesht të verteten nder shkrimet e tyne, “unë lexoj shka asht e shkrueme tek e bardha në mes të rreshtave të zezë!”... Qeshem, po fjalët e Tij nuk i harrova kurrma!

***
Burrat e mendshem me pak fjalë kanë lanë vepra të shkrueme në Shkoder!

Një prej Tyne asht kenë ekonomisti Zef Shiroka, vllau i mjekut njohun Federik Shiroka. Per Zefin thonin se “asht nder Burrat e rrallë me cilësi të mira!”

Një ditë një mik e pyeti: “Zef, a me të vertetë je Burrë i mirë, ashtu si të njeh Shkodra?”

Zefi e shikoi, dhe me buzë në gaz i tha: “E dij unë se shka kam hjekë me më thanë sot gjithë Shkodra, se Zefi asht Burrë i mirë!

Vetem pesë minuta i duhen njeriut per me kenë ‘burrë i keq’, prandej, nuk asht aq e thjeshtë me u quejtë Burrë i mirë në Shkoder...”

Zef Shiroka dhe shumë Burra të mirë në Shkoder, edhe e mbyllen jeten e tyne jo vetem, me këte Epitet nderi, po edhe të provuem nder hetuesi si të tillë!

***

E nderueme zonja Gentiana,

Papa Gjon Pali II kur vizitoi Shqipninë me 25 Prill 1993, ka thanë në Sheshin Skenderbeu se: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazen dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerzimit!..” 

E, dokumentacionin e kësaj tragjedije të pashembullt që ka ngja tek ne, sigurisht, keni me e pasë në kujdes dhe studim Ju. 

Piksynimi i Juej ka me kenë nxjerrja në pah e asaj që ka ngja dhe ekziston në Shqipni, pikrisht nder Dosjet që kanë me kenë nder duertë Tua, me synimin drejt së mires: Me shikue Perpara!

Në të vertetë ky kusht nuk lejon me u rikthye tek të njajtat krime po, edhe siç porositë Papa Gjon Pali II, “ky asht shtegu ma i mirë per një proces pajtimi të vertetë!” 

Në vitin 1998 kam lexue edhe unë “në mes të rreshtave të zezë” disa Dosje, dhe kur kam shkrue per ato Dosje, kam shkrue “Vetem të Verteten”!

Do të më pelqente fort që mbas disa vitesh... Edhe per Ju, të thonin Shqiptarët e vertetë:

“Gentiana asht me të vertetë një Shqiptare Burrneshë, po, edhe një zonjë e nderueme!”

E kjo, asht vetem në doren Tuej! Koha ka me tregue Vepren Tuej!..

Me shumë respekt!  

            Melbourne, Dhjetor 2016.



























Përmendore Poetike kushtuar Sali Çekajt



( Emërtuar: "Puhizë mbi KOSHARE")


Para disa kohësh u botua libri më i ri poetik, kushtuar veprës dhe jetës së heroit Sali Çekaj.

Ky personalitet enigmatik, është protagonisti kryesor, jo vetëm i librit dhe poezive por edhe i luftës së Koshares të cilën ai me germa të arta e radhiti në histori, kurse ajo e ngriti atë në Hero të atdheut dhe kombit përgjithmonë.

Përveç ndihmesës në përgatitje dhe strategji luftarake, Sali Çekaj u dallua edhe si njëri ndër udhëheqësit kryesor të saj, i cili bashkë me heroin Agim Ramadani e drejtuan me shumë sukses këtë betejë çlirimtare.

Aty, me ushtrinë e tyre të lavdishme çlirimtare, mundën serbët në përballjen frontale për ti dëbuar ata njëherë e përgjithmonë nga trojet tona heroike.

Që prej invadimit të dhunshëm serbë, tokat tona ishin masakruar me prerje cezarike, duke ndarë dhunshëm mes për mes vatra e familje, fusha e male, shumë rajone dhe atdheun tonë më dysh.



Ndaj, Trimat u nisën nga majat më të larta, ku do të shkruhej piedestali i historisë sonë më të re kombëtare-prej Koshares heroike, për zhbërjen përgjithmonë të kufirit shqiptaro-shqiptar, i cili mëse 80 vite para betejës ishte vendosur atje me forcë nga Serbia, ku do të mbahej po ashtu dhunshëm në qindra kilometra gjatësi, duke ndarë Kosovën nga Shqipëria dhe shqiptarët në disa shtete.

Kështu që, edhe autorët e vargjeve të kësaj përmendoreje poetike, për ngritjen e një “lapidari” poetik, sa më ndriçues e historik me rreshtat e zgjedhur nga poezitë e tyre, skalitën dhe pikturuan aq mirë figurën përkujtuese të heroit, me materialet më të mira shpirtërore që kishin, të cilat pa mëdyshje do tu qëndrojnë kohëve e viteve, e le të shpresojmë edhe shekujve në të ardhmen.

Secili dha maksimumin nga vetvetja dhe përmbajtjen më të mirë të mundshme që kishin, nga potencialet e tyre krijuese të vjershërimit, duke filluar me poetin e mirënjohur kombëtar Visar Zhiti, me të cilën edhe fillon valëvitja e kësaj puhize dhe këtij Libri-Përkujtim.



Ai në poezinë e tij " Ploja në Kosovë" Dardanin tonë të vjetër do ta quaj;



"Fushë e madhe e dhembjes.....



e cila sipas poetit;



mblodhi tragjeditë e Ballkanit....

të gjallëve e të vdekurve....



për ta vulosur domethënien e vargjeve të zgjedhura nga rreshtat e fundit të poezisë ku shprehet plot ngazëllim se si:



"Liria e Kosovës sot është kryeliria e botës"



Autorja e radhës, Ajete Povataj, fatin e atdheut e lidh me bëmat e figurës kryesore të luftës dhe fitores e cila që në titull të poezisë, heroin e quan "Legjenda e kroit të Dardanisë" ndërsa emrin e tij e pikturon të dubluar, si;





"dashuri për atdhe" dhe "dashuri për liri",



patriotizmi i të cilit, thotë se-qëndron mbi malet e Kosovës.



E përmasat admiruese ndaj tij, përpiqet ti shtyjë e përforcoj më tej edhe Ali Alidemaj në poezinë "Heroi i Kosovës“ ku për Sali Çekajn ,thotë se;



"jeton në çdo zemër ,

në çdo shtëpi"



për të vazhduar me Agron Tolajn, i cili që nga burgu i Nishit në prillin e vitit 2000, heroin tonë të shtrenjtë do ta emërtonte si;



"Udhërrëfyes të Lirisë"



Megjithëse titujt dhe fjalët e radhitura në Poezitë e Zgjedhura të Autorëve, mundohen të jenë të ndryshme nga njëra tjetra, domethëniet e tyre flasin të njëjtën gjuhë, dhe sikur të gjitha përnjëherë ledhatojnë barabartë dhe aq përmallshëm heroin, gati me të njëjtat ndjenja prekëse duke ia thënë pothuajse të njëjtës këngë lavdie, për bëmat e veçanta të tij.



Madje, poeti Ali Berisha, do të shkoj edhe më tej, duke personifikuar ndjesitë e tij shpirtërore me gjuhën e personazhit, me ç`rast na bëhet sikur vet Sali Çekaj, me gojën e tij, thotë këto fjalë;

"Rashë unë që t`ia shtoj luftës krenarinë dhe Namin historisë së atdheut".

Pra, secili autor përpiqet që heroit t`ia ngrejë sa më lartë shkëlqimin, përmes zgjedhjes së fjalëve më tingëlluese dhe porosive më ndriçuese që ata kanë dhe dinë.

Me një shembull kësisoj na vjen edhe Arif Molliqi, apo njëri nga përpiluesit e kësaj vepre, ,i cili mes tjerash në poezinë,"Te rrasa e zogut" shprehet:



"Aty ku rrasa e zogut ju pret

.............................................

"Vjen Zëri i Sali Çekajt dhe thirrjet e frymëzuara të Agim Ramadanit",



të cilët, sipas autorit, i betohen;



" Të Bukurës Kosovë" se, "Ne lindim dhe vdesim për Ty"



Ndaj, njëjtë si populli, vuajnë edhe poetët, për të drejta dhe liri, në vendin ku ata nuk mund të mbijetonin pa heronjtë e tyre.

E kush më mirë se një bir i një familje të dëbuar si vëllai ynë çam-poeti Bardhyl Maliqi, do ti vërtetonte këto me vargjet e dalura nga shpirti i djegur dhe lëkura e rënë 9 herë, e një populli dhe pjese të madhe të kombit tonë si çamët, të dëbuar me zjarr e hekur para mëse 100 vitesh-nga grekët, pa të drejtë kthimi në tokat e tyre ku jetuan gjyshër e baballarë, për të parë e shijuar, sadopak atdhe të ndaluar-çam?!...

Ai edhe në Poezinë e titulluar "Paturpësisht jetoj pas teje"e fton plot dhembje e nostalgji- heroin që atë dhe gjithë të dëbuarit çamë, ti thërrasë në zgjim dhe frymëzoj për lirinë e Çamërisë, duke ua përkujtuar besën të cilën ata kishin dhënë për trojet e tyre, dikur:

"Ngrihu o im vëlla Sali Çekaj se të pret Çamëria"

"Vjen e troket në portën time çame dhe më thua"

Zgjohu burrë i dheut, ku e ke besën për trojet e tua"



Kurse,autori Beqë Lokaj në poezinë" Para lapidarit të heroit" shprehet se:



"natën e luftës, "ecnin së bashku Krisma,Kënga dhe vdekja".



Derisa,Bilall Maliqi në poezinë "Pavdekësia" është i bindur se ishte heroi ai i cili:



"Në udhët e idealit,

çeli portën e guximit"



Për të cilin,Bujar Salihu, në poezinë "Parakalimi i majave" sikur ka dëgjuar;



" natën e fundit u foli burrave

Nesër do të hym në Deçan

Një flamur për ti lënë Jusuf Gërvallës..."



Ndaj,Dan Gashi me poezinë "Në Koshare" pas gjithë këtyre vuajtjeve dhe peripecive, na njofton se:



"Në Koshare u hoq guri

U derdh gjaku u ngrit Flamuri"



Vend ku sipas Emrush Lokajt te poezia "Rrasë Koshare"çdo gjë ishte bllokuar,dhe nuk vuanin më vetëm njerëzit nga ndalim-ndarja me kufi, por;



"ishin mërzit dheu e lisi

në Shqipni t`vjetër me shkue"



Rrugët e mbyllura të atdheut, mundi ti çelte vetëm një prijës epoke si Sali Çekaj, për të cilin poeti Faruk Tasholli në poezinë "Një kuvendim me Salih Çekajn"shprehet plot pietet:



"Përmes gjethesh rënë përtoke

Krah njeriu, prijës epoke".



Kaq të mëdhenj pra- ishin heronjtë e Koshares sa që sipas poezisë së Fran Tanushit "Atë ditë".ata:

"Më 9 prill të vitit 99"

"Kodin e tmerrit deshifruan"

Për ç`shkak edhe autori i këtyre rreshtave i ekzaltuar nga mundja ballë për ballë e armikut në betejën e lavdishme të Koshares, me gëzim grish në "iso ",të gjithë bashkatdhetarët të këndojnë një strofë të zgjedhur nga poezia "Heroit të Koshares" si këngë fitimtare:;


Kur Saliu me Agimin Mundën gjakatarët

Qiell dhe Tokë e atdheut Gëzuan me shqiptarët"



Ashtu si në çdo luftë e betejë, fitorja me gjithë tërë sublimitetin e saj, për fat të keq, nuk pati vetëm këngë e gëzim, por edhe gjak e varre, për të cilën u dashtë të paguhet një çmim tejet i lartë, përfshi edhe vet jetën e dy heronjve kryesor të saj.

Këtë,në poezinë "Dragoi Kosovar", na e kujton Halil Fazliu,i cili për rënien e Sali çekajt,do të shkruante:



"Dhe pikat e gjakut aty i lëshove

E pastaj ato fluturuan në amshim"



Kurse Haxhi Vokshi, heronjtë i do ende të gjallë, dhe në rreshtat e poezisë "Takim me Luftëtarët e lirisë" sikur takohet personalisht me ta dhe imagjinon:


"Folëm për teoritë e luftës .....

...... për lirinë"



Me një nuancë pak më ndryshe, në përshkrimin e realitetit na vije poeti dhe intelektuali i mirënjohur Kërçovar Ilmi Veliu,i cili në vargjet e Poezisë "Me kokën lart" gërsheton historitë mitike me qëndrimin e burrëror dhe të pa epur të heroit:

"Kryelartë në shumë beteja.....

... u bëre Kala:Gurë mbi gurë"

............................................

dhe kur të mori plumbi

me kokën lart si burrë"



Ndjesi edhe më të thella malli e krenarie për Sali Çekajn do të shprehte miku i tij, Islam Sadiku,në poezinë "Pranë Salihut"i cili heroin e portretizon edhe me fuqitë fluturuese të legjendës dhe simbolikës së lindjes e zbardhimeve mëngjesore mbi lartësitë e qiellit;



"Të gjeta në Koshare

Madhështia jote i ngjitej Diellit

Dhe Agimeve të Pavarësisë"



Relikti imagjinar, vazhdon edhe me poezinë e Liman Zogajt"Kur gjaku bëhet liri"i cili shton se:



"Kosharen e zuri oshtima

kur shqiponjat

U bënë yje mbi gur"



Pasi që, sipas Maxhun Smajlit, tek poezia, "Dialog me luftëtarin e lirisë" heronjtë tan u ngjitën:



"Atje ku vdekja vjen me shpejtësi

Për tu takuar me luftëtarët e lirisë"



Rrezatimi i të cilëve sikur zmadhohet edhe më tepër në poezinë me titull "Ai n`hapa kolosal" nga Mentor Thaçi,i cili me krenari shpjegon se si:



"Kolosi në Belle

me një palë krahshtrirje

mban Rugovë

mban krismën në Koshare"



Ndërsa Murteza Osdautaj, në poezinë "Baladë e vonuar", shprehet kështu për të rënët;



"Erë blinjësh jeni bërë,frymë lirie

Vargje legjendash si zë kënge

............................. luftëtar"



Ngase Heroi ishte i atillë që

"Syri nuk i trembej kurrë,...

nga fjalët e të cilit lëkundej edhe guri"

Ndaj, në shenj respekti, Jashar H.Selmanaj, në poezinë "Arkitekti i luftës"

për heroin shpjegon se ;

"Në zemër ai kishte të qëndisur një flamur."



Kështu, stil kulmor i përshkrimit të veprës historike mbi heronjtë e Koshares, për nga përmbajtja dhe metaformizmi i një kronike kohe të kthyer në legjendë bashkëkohore, përjetohet më së ndjeshmi në vargjet e poetit të mirënjohur, Musa Jupolli, i cili në Poezinë "Sali Çekaj i Dardanisë" në mes tjerash apostrofon

" Kosharja në Kushtrim

.........................................................

Brigada 134 në kujtesë të historisë

..................................................

Sali Çekajn e Agim Ramadani,në bashkim të Shqipërisë........................"



Ndërsa, Naim Fetaj në Poezinë "E diela pa te" kështu shpreh,dhembjen,vuajtjet dhe mallëngjimin e pafund për rënien e heroit:


"Retë pikëlojnë pranverën

E dhembja lotët shkund"

E diela pa të

Qenka shumë e rëndë"



Derisa në anën tjetër ,poeti Naim Kelmendi i përveç shprehjes së gëzimit për fitoren në betejën e Koshares,në poezinë e titulluar, "Mundja e përbindëshave" numëron edhe vuajtjet nën okupim:



"Miliona orë terri në robëri

Burgu mi ka rrufitur prangat"



Kurse Nazif Ramabaja,në poezinë "Komandanti SalihÇekaj", vlerëson lart vendosmërinë dhe vetit liridashëse të heroit, kurorëzuar me aktin më sublim të tij, sepse:



"Ai nuk heshti

Kur ligjëroi e tha:

Këto bjeshkë s`kanë kufi

As nuk durojnë robëri"



Për të sqaruar me poezinë e Neki Lulajt,

" Te rrasa e zogut" se ai vend ishte;

" Fole ku fle e zgjohet trimëria"



Ndërsa, Nezir (Mexhit) Beqiri, në poezinë "Zëri i Koshares" porosinë e bashkëluftëtarit të Sali Çekajt, Agim Ramadanit e sheh si formë-kushtrimi:



"prej Koshares flet Agimi

dërgon të fala Karadakut

Nga Dukagjini i Dardanisë

I bëjmë roje Shqipërisë"



Pra,trimëria e heronjve të Koshares, jo vetëm se ka impresionuar shumë bashkëkombës anë e mban trojeve shqiptare, por të gjithë atdhedashësit sikur kënaqen deri në pakufi me përkëdheljet dhe frymëzimin që ata përjetojnë nga këto akte kaq sublime të shekullit XX, kudo që flitet shqip përfshi edhe shtetin amë Shqipërinë.

Këtë na e dëshmon Nikollë Loka, në poezinë e tij me titull "Ti ëndrrën na e mban gjallë", i cili nga vendlindja e tij e lirë, shprehet aq i entuziazmuar me aktin e heroit:



"Atdheut iu bëre dritë

e shpirtin e shndërrove në flakë".



Nga krejt ajo sa u tha deri më tani, pothuajse tek të gjithë autorët pa përjashtim, krijohet përshtypja se pa ndriçimin heroik të Sali Çekajt e Agim Ramadanit me fitoren e luftës në Koshare, nuk mund ti kthehej lavdia e humbur atdheut i cili për afro një shekull vuante nën terrin e robërisë.

Ndaj edhe okupimi mbi trojet dardane, u shkul me rrënjë bashkë me gurin që ndante atdheun dhunshëm mbi koshare, aty ku heronjtë tanë, përfundimisht bashkuan tokat shqiptare.

Kujtimet për Sali çekajn, do ti evokoi me shumë dhembje edhe aktori ynë i mirënjohur, Nimon Muçaj, i cili në poezinë me titull artistik dhe domethënës "Pranverë e këputur në koshare"na sjell si dëshmi, një fragment mjaft prekës nga ditari i heroit, shkruar më datën 15.03.1999,apo vetëm rreth një muaj,para rënies së tij,ku Sali Çekaj,i mbushur me vërshimin e shumë kujtimeve,habitet dhe pyet:



" Çka nuk më përkujton kjo ditë "pranvere"

ku do ti pres ditët e ardhshme?"



Ndaj,i prekur thellë nga përmbajtja thuajse paralajmëruese e kësaj fraze, për fatkeqësinë që së shpejti do të godiste mbi heroin, aktori gufon plot dhembje;



"Gurkufiri....ka rënë përmbys",



por...



"........te gurishta ishte pusia"



e cila mjerisht nuk i dha më shumë kohë heroit, sesa para vdekjes të urdhëronte:



"Mos i lëshoni pozicionet"



dhe

"racionin e fundit ,t`ia linte ushtarit"

ngase

"çetina shkundet e dëbora përgjaket"



E kjo nuk ishte vetëm vuajtja e një personi,por edhe dhembje e madhe që vret ende sot, një mynxyrë e pa-zbërthyer as për vet aktorin, i cili ishte më tepër se dashamirë i përzemërt i heroit.

Kështu,gjatë udhëtimit nëpër faqet e këtij libri, ne arrijmë deri te vargjet e titulluara "Nën rrezen e një përmendoreje" të Pal Sokolit, i cili përshkruan peshën e kufirit të huaj, që na rëndonte të gjithëve mbi qafë, por heroi e përjetonte atë më rëndë se të tjerët, ndaj ai me gjak do ta hiqte prej andej.



"Me shekuj mbi qafë i rrinte,

peshë e gurziut kufi" ............

..............................................

të cilin,

"Me gjak na bënë të ngulitur

me gjak e hoqe ti"



Për këtë akt sublim, heronjtë tanë pranuan edhe çmimin më rëndë ta mbartin mbi vete si qefin të bardh mbështjell rreth koke, traditë nga malësorët kreshnik të kohës që dikur mbanin harxhimet e vdekjes me vete.Ndryshe nuk do të arrihej liria, me gjithë dhembjen e madhe që ne ndjejmë për ta.

Ndaj, mallin për rënien e tyre e shpreh edhe poetja Rita Saliu, tek poezia e titulluar "Në Koshare" me fjalë përvuajtësie:



"Sa e vështirë qenka Bacalok

Të jesh në Koshare pa Agimin dhe Saliun"



Me ç`rast, duhet ta theksojmë fort se nuk ka si të tingëllojë ndryshe dhe më prekshëm një shprehje e tillë sesa përcjellja e saj në mënyrën poetike, e cila shpesh herë shpërthen në përmasa e largësi,ku njeriu nuk mund të arrij kurrë?!.....



Një reflektim të veçantë të pezmit shpirtëror për flijimet e heronjve,shpreh edhe poeti Sabit Rrustemi i cili tek poezia "Atdheu është sall dashuri" shkruan me plot dëshpërim për vrasjen e tyre:



"Na i vranë djemtë në pritë

Lulediejt e lirisë

Shtigjet e pabesisë"



Ndaj kur njeriu lexon rënkime dhe dënesje të tilla që bëjnë të qajë gur e dru, vetëm liria e arritur, për të cilën ata u flijuan, flladit sadopak plagët shpirtërore të shqiptarëve të cilat edhe pas kaq vitesh ende nuk gjejnë shërim as qetësi.

E lotët vazhdojnë të bien, edhe lapidarët kanë ulur kokën e qajnë, si në poezinë "Para Obeliskut" të Sadik Krasniqit, i cili shprehet:



"e pash heroin

ulur në një gurë

***************

me sy përdhe

qante

E dita pse...."



Për të cilin, poeti i mirënjohur Sejdi Berisha sipas poezisë me titull:

"Edhe në bronz qëndro krenar",thotë se ndryshe e njihte sa ai ishte gjallë;

"Posa kishe parë dritën e kësaj bote

Në sy kishe zjarr

******************

ndaj edhe pas vdekjes, ai nuk heziton ti bëjë thirrje atij;



Sikur të bekojnë nëna e toka

......edhe në bronz qëndro krenar"



Sali Çekajn, Skënder Zogaj në vargjet e poezisë "Dritë e përjetshme" e konsideron, edhe:

"Orfe... e

..përhapës i dashurisë ........"



Kurse,Sofe Sadrijaj Rizaj, në poezinë "Shqetësimi i Heroit":sikur kupton gjendjen e tij dhe shprehet aq e brengosur ,sepse:



"përmallur...

..dhembja e ka pllakosur

si në ditët

pas rilindjes së tij"



duke vënë në zgripc të tendosjes lexuesin, që edhe ai të bëjë përpjekje për ta kuptuar arsyen e vuajtjes së heroit?!



Ndërsa në poezinë "Amaneti i Sali Çekajt", Selman (B) Sylaj-t,shkruan:



"E kam hapur një tokë të re...

.............. me emrin Koshare"

"......Për Kosovën

për Shqipërinë......"



Derisa, Shaban Cakolli në poezinë e tij "Ushtari Dardan", për heroin Sali Çekaj,nuk kursen epitetet dhe shprehet me aq admirim:



"i madhi ushtari dardan

.......................................

Nga luksi i mërgimit në atdhe shkove

...................................................

sot në emrin tënd frymon liria"



I cili,për të realizuar të gjitha këto vepra të mira për vendin dhe popullin e tij, përjetoi edhe trauma e shumë vuajtje të papërshkruara deri tek përballja sy-a me sy me vdekjen.

Ndaj,disa nga peripecitë më të rënda të tij, na i përshkruan poeti i nderuar Shefqet Dibrani, tek poezia "Vaji i Lokës", i cili,duke mos dashur ti harroj as vuajtjet e bashkëfamiljatrëve, që ndanë dhembjet dhe përjetimet e përbashkëta me heroin,na sqaron për aq sa lejojnë rreshtat e një poezie, se në ç`kushte ai duhej të vepronte për ta vizitu familjen dhe të afërmit, nëpër terr e fshehtësi në mënyrë që të mos dallohej nga armiku dhe bashkëpunëtorët e tij, për të cilin autori, ndër të tjera me dhembje shkruan:



"Vetëm natën djali kthehej me i pa...

..................................................

kur thirrte Nonen derën me ia hap

E ajo,



pa e ndezur llampen e ka perqafue"....

........dhe

....... çizmet i ka dath, kambet e enjtura ia ka mëkue.

...............................

por,

nona as dritën s guxonte me kall

............................ndaj,

........është mërzit lotët faqeve i janë rrezue...



Dhe nga dëshprimi e dashuria e pashuar për ta parë djalin, me gjysmë zëri, Nona- do t i lutej Zotit:

...........................................

oh Zot qoje një vetëtimë, sa t`ia shoh djalit sytë

...........................................

për të fundit herë ..............,
************************************
Pasi që ti kesh kaluar gjithë këto përshkrime, malli,vuajtje e mundimi, bindesh se në këtë vepër monumentale edhe mozaiku i poezive, është i shumëllojshëm dhe vije nga hapësira të ndryshme mbarëkombëtare, duke përfshi jo vetëm treva e krahina por edhe shtete e kontinente. Një gjeografi e gjerë e pjesëmarrësve me autor shqiptar nga Vendi, Evropa dhe Bota.
Vet jeta e heroit ndahet në tri cikle apo në një trilogji veprimesh me aktet më magjike, të cilat e plotësojnë njëra tjetrën për të kulmuar me flijimin e heroit si sublimim i çdo arritje të tij. Pasi që në të gjitha dimensionet, rolet dhe aktivitetet, shkëlqen më bujshëm se në tjetrën, aq sa njeriu nuk di më se cilin ndriçim të tij ta radhisë të parin, ngase heroi është i gjithanshëm.
Ndaj nuk ishte rastësi, pse ndonjëri nga autorët e dëshpëruar, do të pyeste me shqetësim se kush ishin ato qenie misterioze të veshura padukshëm, që vendosën zënëpritat aty ku heroi do të binte.
E tillë ishte historia e tij, dhe deri më sot, shumë ngjarje mbetën si realiteti i frikshëm dhe enigma të pa-zbërthyera për një varg vdekjesh misterioze, pa dëshmitar as autor të vrasjes.
Megjithatë, për Kosovën dhe shqiptarët kudo, ai ishte dhe mbeti një hero i vërtetë, ndaj për figura të tilla dhe me kaq shumë virtyte,e gjejë mëse të qëlluar këtë porosi poetiko- autoriale:
"Për heronjtë duhet zgjedhur fjalët
Shkrimet ,shprehjet dhe poezitë
Sepse siç i patën madhore veprat
Ata, të veçanta i kishin dhe trimëritë"
Pra,Sali Çekaj ishte njëri prej atyre heronjve, që përveç shkrirjes në bronz, meritonte qysh moti ngritjen edhe të një përmendoreje -arti e letërsie, e cila fal shumë krijuesve të përkushtuar, pas një pune të gjatë e të palodhshme të tyre, në Mars të vitit 2014, u realizua si vepër monumentalo-memoriale e shkrirë në poezi dhe ngritur si Puhizë mbi Koshare, në vendin historik ku ai realizoi aktin më sublim të jetës së tij.
Ky libër me poezi, edhe pse përmban disa forma monologjesh, të cilat nuk ishte e lehtë të deshifrohen dhe nxirren kuptime krejtësisht poetike, në përgjithësi ai është një pasqyrë e gjerë përkushtimesh shpirtërore, mbledhur anë e mbanë trojeve shqiptare, nga dhjetëra autor, koloriti i të cilës do të rrezatoj përjetë dhe shpreh porositë më të mira e sublime, njëjtë siç ndriçon vet jeta dhe vepra e heroit, plot lavdi.
Gani Qarri Cyrih,Prill 2014

Sofe Sadrija- Rizaj: “Ujëvarë e kujtimit”, poezi, botoi “Rilindja”, Prishtinë, 2000.



Kurorën e vet poetike, autorja Sofe Sadrija-Rizaj, e kurorëzoi me botimin e veprës me titull pak sa simbolik “Ujëvarë e kujtimit”, që në esencën e vet ngërthen tërë frymëzimin e saj që e kishte grumbulluar dhe shtresuar në kohën më tragjike, e pse jo edhe më delikate të kombit tonë në Kosovë, të luftës çlirimtare të udhëhequr nga trimat dhe luftëtarët e paepur të UÇK-së. Tërë ky grumbullim frymëzimi nuk qëndron shumë i mbledhur në ndjenjën dhe pendën e autores, por ai del dhe skalitet në faqet e kësaj vepre të parë poetike të saj mu në vitin e parë pas përfundimit të luftës, si dhe në ditët e para të shekullit të ri, shekullit XXI, i cili erdhi i mbarë me dhuratën më të mirë për Kosovën, me lirinë dhe pavarësinë e saj. Andaj i gjithë preokupimi, qëllimi dhe synimi i kësaj autoreje depërton mendueshëm, por edhe me frymëzim nëpër figurat dhe hallkat e kësaj ujëvare, që është shndërruar në kujtim jo vetëm për kohën kur u krijuan vargjet, por edhe për të ardhmen, e cila gjithmonë në dialektikën e kuptimit është e sotme dhe ardhmëri. Në këtë prizëm, Sofe Sadrija-Rizaj e ndërton ujëvarën e saj të gurrës së frymëzimit. Dhe ajo nuk është e mërzitshme, nuk është e pa shijuar, madje as e pakapshme, por rrjedh ngadalë, herë e turbullt e herë e kthjellët deri te shija dhe raporti i lexuesit, gjegjësisht i receptorit në kohë dhe hapësirë. Poezia e kësaj poeteje femër ka një fokus qendror që nuk vjen nga mendimi ndryshe për poezinë, por nga një botëkuptim që e lidh poezinë me realitetin në të cilin ajo jeton.

Sofe Sadrija-Rizaj është poete që rrugën e saj të përjetimit dhe të frymëzimit e ka përjetësuar në vargje. Dhe pikërisht kjo poete e mishëron realitetin, që e rrethon, shoqëror e personal në kornizë me sensin e pasqyrimit nëpërmjet poezisë së saj. Parë në vështrim spontan tërë poezia e poetes në fjalë, e përfshirë në këtë vepër, pasurohet me ndryshime në ecje e sipër. Duke qenë një poezi tipike ku figurat poetike e kryejnë një rol dedikues, ajo gjatë shprehjes së ndjenjave fikson disa ndërhyrje emocionuese. Këtu vargëzimi i drejtpërdrejtë retorikën e drejton kah niveli i lakmuar, që natyrshëm tërheq vëmendjen e lexuesit. Kjo shihet edhe në poezinë hyrëse të veprës me titull “Sygjerim”, e cila mund të konsiderohet edhe si e jashtë qerthujve, apo cikleve:



Libri im

parathënie ka robërinë

luftën

pasthënie e ka Lirinë





Në këtë poezi sqarohet, në një mënyrë edhe strukturimi, qëllimi, mesazhi, synimi dhe të gjitha preokupimit e tjera me të cilat ia orienton ajo lexuesit. Në këto vargje ajo shtron qëllimin dhe e kryen këtë, duke theksuar në mënyrë të përsosur rëndësinë e fjalës që formon vargun. Fjala në kuptimin poetik, është ajo që autorja e përzgjedh për ta vargëzuar. Andaj, këtë vepër ajo e strukturon në gjashtë qerthuj apo cikle poetike, që janë: 1. E humbur në botën e vargut, 2. Ujëvarës së kujtimeve, 3. Lotët janë si vesa, 4. Peizazhi i sfilitur, 5. Liria s’ka elegji, dhe 6. Nga plagët e vjetra po rrjedh gjak i ri që në një mënyrë sajojnë fjalinë: “E humbur në botën e vargut ujëvarës së kujtimeve lotët janë si vesa në peizazh të sfilitur, sepse liria s’ka elegji, ngase nga plagët e vjetra po rrjedh gjak i ri”. Mbi këtë moto strukturore poetike, autorja ndërton, skalit, por edhe lëvron qëllimet dhe synimet e veta mbështjellë me petkun edhe figurat artistike, përveç atij retorik. Dhe, kështu për nga forma dominuese është poezia përkushtuese, e cila ka rolin dominant dhe frymëzimin, duke paraqitur kohën para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare të Kosovës. Duke nënkuptuar vargëzimin që duhet të bëhet me afshin e poezisë, që frytet dhe lulet e saj të jenë të bukura, ai është i mbarë. Është e vërtetë se gjuha është një simbol për të zbuluar qëllimin e poetes, që është totalisht në përputhje me bukuritë e diskursit të vetë fjalës, që zakonisht tërheqin vëmendjen e bukurive të objekteve dhe të ideve. Këtu simbolet kanë një përjetim të ndjeshëm sepse poezia e kësaj poete vjen si bukurtingëllim.



Sa i kuptueshëm është vargu

Me të mund të flasësh

Si me mikun

Pa droje pakuptueshmërie pabesie



shprehet autorja në poezinë me titull “Vargut”, e cila është i pari përkushtim në këtë taban artistik. Vargu, gjegjësisht vargëzimi gjithmonë është mik, besëtar, i cili nuk do kohë të caktuar takimi, madje as me e as pa ftesë, sepse për të mjafton të kesh vetëm laps, frymëzim dhe zjarr. Mbi këtë piramidë qëllimi, ndërtohet kjo strukturë poetike, e cila pastaj vjen duke u konkretizuar në kuptimin e mirë të fjalës, duke krijuar hallkat e kësaj poezie përkushtuese të Sofe Sadrija-Rizajt.

Shtrirja e këtij strukturimi nëpër këto hallka fillon nga përkushtimet për prindërit, vëllezërit e motrat, fëmijët, luftëtarët e UÇK-së, heronjtë e dëshmorët, por edhe për vendlindjen, atdheun, Kosovën, e të tjera. Gërshetimi i këtillë ka shtrirje të plotë, jo vetëm nëpër këto hallka, por edhe nëpër njësitë qerthullore, gjegjësisht ciklore të librit “Ujëvarë e kujtimit”.

Forma më tërheqëse e kësaj poezie është akrostiku, i cili mundëson paraqitjen e figurës së të përkushtuarit në formë më adekuate. Kjo formë figurën e personalitetit e fikson duke skalitur shkronjat e para të emrit e mbiemrit që është një paraqitje e akrostikut si formë e poetikës specifike. Në poezinë akrostik me titull “Hero”, kushtuar komandantit të UÇK-së Sali Çekut, autorja vargëzon:



S – sakrifica yte

A – tdheut iu bë krah

L – risë emër nder

I – deali yt i dha …



Ç - ave bjeshkët me gjoks

E – rdhe bashkë me shokë

K – osovës dhatë emrin: E LIRA TOKË

U – bëre kurban i shtegut sinor

T – i linde në Koshare me emër hyjnor – HERO …



Poezi të kësaj forme janë edhe akrostikët: “T’u bekoftë lapidari”, kushtuar Agim Ramadanit, “Ai që ndërron jetën me lirinë, nder ka përjetësinë”, kushtuar heroit Kasim Ibish Uka, e të tjera.

Poezia e poetes Sofe Sadrija-Rizaj është një bashkëbisedim intim poetik i shtrirë nëpër të gjitha ndodhitë reale të kohës, që është një pasqyrim artistik i gjendej kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Bashkëbisedimi bëhet i afërt sepse ka të veshut petkum figurativ të ndjenjës dhe ndjeshmërisë, i cili përkon edhe me anën e përjetimit të lexuesit. Mu kështu, në këtë mënyrë dhe në këtë stad shprehet edhe qëllimi i mesazhit poetik i këtij vargëzimi që është fitorja e lirisë, sepse në disa vargje të poezisë me titull “Lirisë”, shkruhet:



E bukur je

e ëmbël

e bardhë



Kudo të ndjej të shoh

mbi varre dëshmorësh

pranverën përjetësi e le

aty lulet s’i vshk

kurrë më

as vjeshta

as dimri …

Gjuha e pasur, letrare e mbushur me figura, metafora, simbole e të tjera janë pasuri i një gërshetimi të qëlluar dhe funksional. Mbarështimi i këtij binomi poetik është një porosi e autores, e cila nuk e harron asnjëherë kur e shkruan secilin vargj të secilës poezi të këtij libri të parë. Dhe tërësia nuk mëton të parcializohet, por të strukturoret në bashkësinë e vet poetike. Dhe kësaj, por edhe qëllimeve të tjera autorja, Sofe Sadrija-Rizaj, ia arrin mirë e me sukses.

Kështu ajo e zgjedh gjuhën e atyre poezive dhe atyre formave vargore, të cilat kanë një mënyrë të ngjashme me të folurit natyror, dhe vijnë në ndjesinë tonë si hiri i artistikes, siç thotë Pol Elyar, si “tinguj dhe ndjesi”, ndaj, vetë kujtesa do të mbajë në memorie dhe do ta rikujtojë derisa të bëhet ky vargëzim i shtrirë në tërë aspektet dhe llojet e shprehjes, duke synuar alternativat në poezi.

POEZIA BASHKËKOHORE PO AVANCOHET

POEZIA BASHKËKOHORE PO AVANCOHET



Shkruan : Bilall Maliqi

Shkrimtari dhe kritiku letrar Halil Haxhosaj lindi në Prekolluk të Vokshit më 1946. Mësimet fillestare, Shkollën Normale dhe SHLP-Dega Gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin në Universitetin e Kosovës në Prishtinë Një kohë punoi mësues dhe arsimtar në Cërmjan të Dushkajës, ndërsa tash është profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë. Është edhe kryetar i Degës së Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës në Gjakovë dhe anëtar i kryesisë së Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës. Është autori i 13 veprave të gjinive të ndryshme letrare. Ideja jonë që ta zhvillojmë një intervistë me shkrimtarin dhe kritikun letrar Halil Haxhosaj ishte që të njihemi më përsëafërmi ne lexuesit e Kosovës Lindore përmes faqeve të revistës sonë me zotin Haxhosaj, e që shkrimtari me kënaqësi pranoi ftesën tonë për intervistë…
Image result for cikël poetik nga Halil Haxhosaj
* Zoti Haxhosaj, keni botuar bukur vonë vepër, por kur e keni shkruar gjegjësisht botuar poezinë e parë?

Me shkrime kam filluar të merrem që në fëmijëri. Në bankat e shkollës fillore më kujtohet se m’u ka recituar një poezi kushtuar dëshmores Ganimete Tërbeshit në valët e Radio Prishtinës. Atëbotë gazetari i zgjodhi disa poezi e ndër to edhe timen. Ndërsa poezinë e parë e kam botuar në vitin 1966 në panoramën e grupit letrat “Afërdita” të Normales së Gjakovës, në faqet e “Zanit të rinisë”. Prej atëherë poezitë dhe shkrimet e mia janë botuar në të gjitha gazetat e revistat tona letrare të kohës. Madje disa prej tyre janë botuar edhe në “Nëntori” e “Drita” të Shqipërisë, që atëherë ishte mburrje dhe krenari për çdo krijues, por ishte edhe një problem ideo-politik i kohës.

*Viti 1992 shpalosi një krijues para artëdashësve me librin “Damarë të ringjallur”, autorë i së cilës jeni Ju, ju lutemi na i përshkruani emocionet e juaja atëbotë kur fituat epitetin poet?

Po, kështu është saktësisht, por … Ky libër fatkeqësisht ka pritur më se 10 vjet në Edicionin e botimeve të “Rilindjes” për t’u botuar, që nuk është botuar, as sot e kësaj dite nuk e di pse. Në vitin 1992 Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës rifilloi me edicionin e botimeve, kuptohet me vetëfinancim të autorëve, dhe pasi që e kisha gati librin në dorëshkrim e botova dhe u ndava i kënaqur. Për këtë libër janë shkruar recensione dhe është vlerësuar mirë. Më beso se kur është botuar ky libër i imi i parë poetik kam pasur të njëjtin gëzim sikur kur më ka lindur fëmija i parë. Edhe titulli është një sintagmë poetike që korrespondon me kohën dhe peripecitë e saj.

*Jeni shkrimtar, shkruani poezi, prozë, kritikë letrare dhe poezi haiku, na thuani cilit ligjerim poetik apo cilit zhanër letrar i jipni përparësi më tepër?

Deri tash të botuara 13 vepra letrare me poezi, një me tregime, një roman, një me kritika letrare dhe një vepër me poezi haiku, që është një formë e rrallë në poezinë tonë. Bile në Kosovë e shkruajnë 4-5 poetë. Në dorëshkrim i kam edhe 5 vepra të tjera, por tri janë të gatshme për shtyp. Nuk di si të them. Më shumë kam shkruar poezi, por me kënaqësi e shkruaj edhe prozën e sidomos kritikën letrare, sepse këtë ma mundëson profesioni im prej profesori të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Madje që disa vite e ligjëroj letërsinë bashkëkohore në klasat e fundit të shkollimit të mesëm të lartë, që më jep mundësi ta njoh mirë këtë segment të letërsisë sonë bashkëkohore, duke u përballur gjithnjë me veprimtarinë tashmë të bollshme letrare në të gjitha trojet shqiptare, madje edhe në diasporë. Pra, për mua nuk kanë përparësi asnjëri zhanër, por varet prej detyrës që ia vej vetit për ta kryer.

*Çfarë mendoni për poezinë e viteve të ’90-ta kur ju vetëm dolët me librin tuaj të parë dhe poezisë së sotme bashkëkohore tërhiqni një diagonale?

Poezi shqiptare bashkëkohore fatmirësisht gjithnjë po vjen duke u avancuar. Gjithnjë po pasurohet me tematikë, strukturë, figuracion dhe elemente të reja e moderne. Kjo është një mundësi që nuk ishte në kohën e totalitarizmit as andej, e as këtej. Madje askund. Por, duhet pranuar se këto prurje kuantitative kaq të mëdha lënë gjurmë të një kualiteti paksa më të pavërejtur. Pra, në këto vite nuk kemi emra të mëdhenj si të viteve ’60, ’70 e ’80-ta, por kemi një rrjedhë që ka gjurmën e vet cilësore dhe evidente. Unë nuk dua të përmend emra sepse ndokujt mund t’i hy në hak, siç i thonë fjalës. Ndërsa, poezia, dhe letërsia bashkëkohore e shekullit të ri, pra e shekullit XXI ende nuk ka shënuar dhe trasuar rrugën e vetë krijuese, që do ta kishte petkun simbolik sikur ajo e shekujve XVIII, XIX dhe XX. Por, ka kohë sepse është fillimi i këtij “sezoni” krijues i të gjitha zhanreve. Është mirë sepse tash poezia shqipe i ka zhveshur uniformat e ideologjive sociale, partiake dhe të sistemit totalitar dhe frymon tjetërsoj dhe më shlirshëm, duke u çliruar prej normave ideore të partishmërisë në art, etj. Por, frikësohem se mungon paksa cilësorja dhe artistikja, por koha është ajo që gjykon dhe vlerëson gjithçka. Kështu do të veprojë edhe me letërsinë në përgjithësi dhe me poezinë në veçanti.
Kritika letrare

*Në cilësinë e kritikut letrar si e shihni ju sot poezinë, prozën dhe zhanret tjera latrare , ka vlera dhe sa është kritika letrare objektive dhe korrekte?

Për vlerat e krijimtarisë sonë letrare u shpreha më lartë, ndërsa sa i përket kritikës letrare kam një vlerësim dhe mendim tjetër. Kritika bashkëkohore letrare më duket se është në nivelin e krijimtarisë sonë letrare në përgjithësi. Këtë e them sepse nëse kemi vepra kualitative kemi edhe kritikë të tillë, por edhe e kundërta. Kjo më se miri shihet nga shkrimet që bëhen për vepra letrare në faqet e gazetave, revistave dhe në webfaqet e internetit sot. Nuk po them për “fjalët” që mbahen me rastin e përurimit të veprave të sapo botuara sepse, aty gjithçka ka vetëm kritikë objektive e të mirëfilltë letrare nuk ka. Poashtu, kritikës dhe kritikëve u mungon objektiviteti edhe atëherë kur shkruajnë “me porosi”, apo me “njohësi”. Këto janë anët më të dobëta të kritikës sepse e ulin atë, e zvetënojnë, madje edhe e zhvlerësojnë. Megjithatë, sot botohen vepra me vlerë të pamohueshme, madje edhe të dallueshme me kritika e studime letrare. Edhe diçka. Kritika e sotme e ka të vështirë t’i përcjellë të gjitha botimet letrare që bëhen sot kudo në trojet shqiptare dhe në diasporë. Mbase, këtu mund t’u “hyjë” në hak disa veprave që kanë vlerë dhe dallohen nga të tjerat. Por, besoj se gradualisht do të arrihet edhe kjo.

*Jemi dëshmitar se kohëve të fundit ka botime të shumta, a mendoni se ndër shtëpi botuese është futur komercialiteti dhe librat dalin me apo pa kritere dhe libra të tillë sa e rrezikojnë letërsinë tonë, kush duhet ta thotë fjalën e fundit këtu përveq kritikës?

Po, është vërtet ashtu siç pohoni. Në këto botime të shumta nuk ka vlerë, cilësi, art dhe mjeshtri. Kush ka “lekë” mund të botojë vepër letrare me poezi, prozë, dramë, roman etj. Veprat e tilla janë vetëm për komercializëm. Njëjtë veprojnë edhe shumica e shtëpive tona botuese. Kuptohet këtu nuk mund të radhiten të gjitha, sepse ka edhe shtëpi botuese që plasojnë vepra me cilësi dhe vlerë të lartë artistike. Merreni me mend ka shtëpi botuese, sidomos shtypshkronja, që nuk i dinë premisat elementare të botimit të librit. Andaj, sot botohet gjithçka. Botohen libra e vepra përplot gabimet teknike e sidomos gjuhësore, drejtshkrimore dhe gramatikore. Merreni me mend çka do të thotë kur vepra poetike, me tregime, romani apo edhe publicistike e shkrimtarit që ka mbi 5-10 vepra është përplot gabime gjuhësore e gramatikore. Çka do të thotë lexuesi i kujdesshëm e sidomos nxënësi e studenti. Gjera të tilla ndodhin edhe në disa tekste shkollore, andaj mësuesit, arsimtarët, e sidomos profesorët janë në “hall” me këto gabime. Këtë po e them nga përvoja e ime prej profesori të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Të gjitha veprat e tilla jo vetëm që e rrezikojnë, por edhe e nënvlerësojnë dhe e nënçmojnë letërsinë tonë. Për këto gabime e gafe fjalën duhet ta themi të gjithë ne krijuesit, sepse nuk duhet të pranojmë t’i redaktojmë veprat e tilla. Por, autoritetin e madh do ta luante sektori adekuat pranë Ministrisë së Kulturës, që këtu në Kosovë quhet “Këshilli i librit”. Ai duhet të financojë cilësi e jo njohësi, familjarizim, nepotizëm e të tjera, sepse e tillë do të jetë edhe letërsia e jonë dhe veprat që botohen nga ai fond.

Poezi haiku

*Ju shkruani edhe poezi haiku, na thuani sa është vështirë të shkruhet në këtë zhanër?

Në vitin 2009 kam botuar përmbledhjen e parë me poezi haiku “Puhizë zemre”, që është pritur mirë nga lexuesi dhe nga kritika. Kjo më ka inkurajuar që të shkruaj prapë këtë formë poetike, e cila deri tash ka qenë e pakultivuar në poezinë tonë. Bile, këtu e kam “gjetur veten” si poet, sepse haiku që e ka origjinën dhe zhvillimin e vet në poezinë japoneze jep mundësi të shprehjes intime, ndjenjësore dhe të tjera. Kjo formë është një begati e shprehjes dhe figuracionit poetik. Madje haiku është një jetë më vete e bukurisë, natyrës dhe shprehjes poetike. Para disa ditësh e kam bërë gati për botim edhe librin e dytë me poezi haiku “Puhizë shpirti” që pres ndonjë donator për t’i siguruar lekët për ta botuar. Në proces të krijimit e kam edhe librin e tretë me haiku me titull “Puhizë përjetësie” që do të shënojë një triptik me haiku, që mbase do të jetë vepra e parë triptik e këtij lloji në poezinë e haikut në poezinë shqiptare. E kam obligim të them se për t’u marrë me shkrimin e haikut më ka ngacmuar poeti nga Tropoja, Gjon Neçaj, të cilit i jam mirënjohës. Poashtu, merita për këtë ka edhe babai i haikut shqiptar, poeti dhe krijuesi Milianov Kallupi. Për të gjitha këto e shkruaj këtë formë mbretërore poetike, këtë “trevargësh japonez”që më ka “flejtë” në shpirt dhe po më ngacmon gjithnjë.

*Në vitin 2006 keni fituar çmimin e tretë për kritikë letrare në konkursin e shpallur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe gazeta “Drita” në 75 vjatorin e lindjes së Dritëro Agollit, na thuani diç më tepër?

Kam fituar disa shpërblime për poezitë dhe shkrimet e mia në përgjithësi. Ndër më të përzemërta për mua janë çmimi i tretë për poezi në konkursin anonim letrar nga revista letrare “Jeta e re”, pastaj çmimi krijues i vitit i ndarë nga Drejtoria për kulturë e Gjakovës, çmimi i tretë për kritikë letrare i ndarë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe çmimi i dytë për poezi dhe dy çmime speciale për kritikë letrare në Manifestimin “Pegasi” 2009 mbajtur në Gjirokastër. Çmimi i tretë për kritikë letrare i marrë me rastin e ditëlindjës  së Dritëro Agollit është i një rëndësie të veçantë. Këtë e them sepse ka qenë një rast historik për vet shkrimtarin Agolli në këtë përvjetor të 75 të jetës së tij dhe një shprehje e shpërblim për punën time krijuese në përgjithësi dhe të kritikës letrare në veçanti. Më besoni sepse kurrë nuk jam ndie më i privilegjuar se atëherë kur në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë thirret emri im dhe poeti Agolli ma dhuron çmimin. Kritika letrare që fitoi çmimin është “Figura e Kosovës në poezinë e Dritëro Agollit”. Andaj, më dukej se nuk jam në tokë por, diku në lartësi që më rrethonin muzat më të bukura të frymëzimit. Edhe çmimet e tjera kanë vlerë të pamohueshme për mua.
Përkthimet

*Zoti Haxhosaj jeni përkthyer edhe në gjuhë të huaja:në rumanisht, gjermanisht, italisht, polonisht, serbisht etj., na thuani sa jeni të kënaqur Ju me arritjet e juaja?

Po, poezia ime është e përkthyer në këto gjuhë dhe disa të tjera. Madje disa poezi të mia janë të përfshira edhe në antologji të ndryshme poetike. Por, të rëndësishme janë ato në antologjitë e poetëve modernë bashkëkohorë në rumanishte, mandej në polonishte, në anglishte si dhe vepra poetike “Umbra viselor – Hija e ëndrrave” botuar shqip e rumanisht, që është vepra e parë e poetëve kosovarë e botuar kësisoj në shqip e rumanisht në Bukuresht të Rumanisë në vitin 2004. Poezia e ime është e përfshirë edhe në shumë panorama të poetëve shqiptarë që janë të përfaqësuar në gjuhë të huaja. Por, duhet konstatuar se kjo formë e prezantimit të vlerave tona nuk është adekuate, sepse bëhen në mënyrë jo formale. Për këtë, pra për përzgjedhjen dhe përfaqësimin e poezisë dhe letërsisë sonë në gjuhë të huaja duhet punuar më shumë dhe në mënyrë më profesionale. Kështu përfaqësimi i letërsisë sonë, sidomos i kësaj nga Kosova dhe nga vise të tjera shqiptare do të njihet me tepër dhe më mirë nga lexuesi evropianë e botërorë.

*Njiheni me shkrimtarë nga Kosova Lindore dhe sa është bashkëpunimi i juaj me ta?

Njihem dhe shumicën prej tyre i kam edhe miq. I kam lexuar dhe i lexoj me ëndje veprat e tyre dhe mund të konstatoj se ato kanë vlerë. Me shumicën prej tyre jemi takuar në takime të ndryshme letrare në të gjitha viset tona e sidomos në Mitingun e Poezisë që mbahet që 46 vjet në Gjakovë. Madje, disa nga këta shkrimtarë kanë disa vepra të botuar nga zhanre dhe gjini të ndryshme letrare. Është mirë të shkruhet sa më shumë letërsia në këtë pjesë të Kosovës, sepse kështu mbahet gjallë kombi, tradita, historia dhe gjuha. Kështu bëhet gjithçka shqiptare e pavdekshme dhe me vlerë të çmueshme. Kjo pjesë e atdheut, pra Kosova Lindore, ka dhënë emra të shquar të poezisë sonë bashkëkohore si Jonuz Fetahaj, Mexhid Mehmeti, Sadete Emërllahu Presheva, Fehime Selimi, pastaj sot Bilall Maliqi, Nehat Ramizi, Arsim Halili, e ndonjë tjetër.

*Porosia e juaj për lexuesit?

Lexuesit e revistës “Perspektiva i përshëndes ngrohtësisht, ndërkaq juve ju jam mirënjohës për mundësinë që ma dhatë të njihem me ta përmes kësaj interviste. Ju premtoj se tash e tutje do të jem i pranishëm herë pas here me shkrimet e mia në faqet e kësaj reviste. Porosia e ime për lexuesit e saj është që të lexojnë sa më shumë sepse njeriu njihet për kulturën që ka vetëm kur rrëfen sa libra i ka lexuar. Duhet ta keni parasysh se jemi në shekullin XXI që është shekulli i shqiptarëve, andaj nuk duhet harruar kurrë cilët kemi qenë, cilët jemi dhe kush do të jemi në të ardhmen.


********

Nga   Agjencioni Floripress  


Image result for cikël poetik nga Halil Haxhosaj


Kush është Halil Haxhosaj ?

Halil Haxhosaj u lind në Prekolluk (Preklukaj) të Vokshit, më 1946. Mësimet fillestare, shkollën Normale dhe SHLP – Dega Gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin në Universitetin e Kosovës në Prishtinë Një kohë punoi mësues dhe arsimtar në Cërmjan të Dushkajës, profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në QAMO, në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, Shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë, etj. Është edhe anëtar i Lidhjes të Shkrimtarëve të Kosovës, W.P.S (Shoqata e poetëve të botës) dhe Kryesisë së Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë.
Me shkrime letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës i shkollës fillore. Me shkrimet e veta është fitues i disa shpërblimeve letrare dhe poezia e tij është e përfshirë në disa antologji të poezisë kombëtare shqiptare, evropiane dhe botërore. Poezia e tij është e përkthyer në rumanisht, gjermanisht, anglisht, italisht, polonisht, serbisht si dhe në disa gjuhë të tjera. Në vitin 2006 ka fituar çmimin e tretë për kritikë letrare në konkursin e shpallur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe gazeta “Drita” në 75 vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit. Po ashtu në Mitingun e 50-të të Poezisë, mbajtur në Gjakovë më 2014 fitoi Çmimin e parë “Din Mehmeti” me veprën poetike “Ekspozitë në stinën e re” si vepra më e mirë e botuar në mes dy mitingjeve.
Halil Haxhosaj shkruan poezi për të rritur dhe për fëmijë, poezi haiku, prozë, kritikë letrare, shkrime për teatër, romane, drama, skenar për film e televizion dhe shkrime publicistike. Është i pari që deri tani ka shkruar triptik me haiku që përbëhet nga tri vëllime (libra) që janë: “Puhizë zemre”, Haiku shqip-anglisht, “Egnatia”, Elbasan, 2009; “Puhizë shpirti”, Haiku, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2010; “Puhizë përjetësie”, haiku, “Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2015.

Deri tani ka botuar këto vepra:

1.“Damarë të ringjallur”, poezi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 1992.

2.“Në kafaz me pantera”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1993.

3.“Këngë të ngrira”, poezi, “Jeta e re”, Prishtinë, 1996.

4.“Zëra të grisur”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1998.

5.“Hija e orëligës”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 2000.

6.“Pastaj bëhu relikt”, poezi “Rozafa”, Prishtinë, 2003.

7.“Umbra viselor – Hija e ëndrrave”, Bukuresht, 2004.

8.“Pakohësi”, tregime, “Buzuku”, Prishtinë, 2005.

9.“Përimtime letrare”, kritika letrare, KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2006.

10.“Fjalë e plagë”, poezi, KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2007.

11.“Histori në natën e vranët”, roman, “Ombra GVG”, Tiranë, 2008.

12.“Puhizë zemre”, Haiku shqip-anglisht, “Egnatia”, Elbasan, 2009.

13.“Përkushtime”, poezi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2009.

14.“Puhizë shpirti”, Haiku, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2010.

15.“Vështrime në prozën romanore të Petrit Palushit”, kritika, “Ombra GVG”, Tiranë, 2011.

16.“Kur u mësova me dritën”, poezi, botoi LULU, SHBA, 2011.

17.“Shi pa vranësira”, tregime, botoi NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2011.

18.“Pavdekësia e poetit”, poezi e shkrime për D. Mehmetin, botoi KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2011.

19.“Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Monografi”, botoi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2012.

20.“Lot e lakmi”, drama, NSH “Jeta e re“, Prishtinë, 2012.

21.“Lexime të poezisë”, kritika letrare, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2013.

22.“Pasi ngrihet perdja”, shkrime për teatër, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2013.

23.“Nyjëtime letrare”, vështrime kritike, botoi “Albanezul”, Bukuresht, 2014.

24.“Ekspozitë në stinën e re”, poezi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2014

25.“Puhizë përjetësie”, haiku, “Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2015.

26.“Hapësirave të letërsisë”, kritika dhe studime, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2016.

Etj.

Në dorëshkrim ka edhe disa libra të tjerë. Shkrimet për poezinë, prozën, romanin e dramat mund t’i merrni nga parathëniet në libra, por edhe në Google duke shënuar emrin e tij, titullin e librit dhe autorit të shkrimit. Për veprimtarinë e tij kanë shkruar: Din Mehmeti, Ali D. Jasiqi, Agim Vinca, Abdullah Konushevci, Petirt Palushi, Luan Topçiu, Besim Muhadri, Qemajl Juniku, Agim Byci, Muharrem kurti, Tahir Bezhani, Gjon Neçaj, Asllan Osmanaj e disa të tjerë.




Halil Haxhosaj: “Ekspozitë në stinën e re”, poezi, botoi NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2014.

Halil Haxhosaj është emër i njohur në letërsi, sidomos në poezi. Është autor i 22 veprave pothuajse i të gjitha formave dhe gjinive letrare. Shkruan poezi për fëmijë e për të rritur, poezi haiku, tregime, romane, drama, kritikë e studime letrare, recensione, shkrime për teatër, monografi, publicistikë, e të tjera. Deri tash ka botuar 7 vepra me poezi, 2 me poezi haiku, dy me tregime, një roman, dy drama, tri vepra me kritika letrare, studime e recensione, një monografi për Klubin letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, e tjerë.

Vepra që e kemi në dorë është përmbledhje me poezi ku autori, Halil Haxhosaj, shpreh dhe pasqyron ngjyrime të kohës, jetës e katrahurave të saj që burojnë ëmbël e artistikisht nga frymëzimet e poetit. Vepra “Ekspozitë në stinën e re” hapet me poezinë “Në kafenenë e jetës”, që njëherit është prolog dhe çelës, ndër të tjera shkruhet;

Në kafenenë e jetës
Në tavolinën përballë dritës
Rri e shikoj kah hyrja

Para meje mbi tavolinë
Veprat me vargje frymojnë
Vaje të shiut rënkojnë

për ta përfunduar me këto vargje:

Vajet e shiut dënesin e vajtojnë
Në kafenenë e jetës
Bashkë me mua e mysafirët

Kjo vepër është e ndarë në gjashtë njësi qerthullore (cikle poetike) që emërtohen:
1. Ofshamat e telefonit,
2. Buzëqeshja e lajmit,
3. Lot e shi,
4. Jehonë kënge,
5. Ndjenjë malli dhe
6. Ankand publik.

Për qerthullin e parë mund të konstatojmë se poeti ka shkruar vargje kushtuar mikut të tij dhe poetit tonë të madh Din Mehmeti, me rastin e shkuarjes në amshim, në të dytin janë vargjet që kanë shprehje deridiku autobiografike, sepse nën të shënohet data dhe vendi i krijimit që është Stambolli. Në qerthullin e tretë janë të shtrira poezi me vargje përkushtuese për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Sulejman Vokshin, Azem Shkrelin, Ali Podrimejn, Zahir Pajazitin, Tahir Deskun, Teki Dervishin, Milianov Kallupin, Vaçe Zelën e të tjerë. Derisa në qerthujt “Jehonë kënge” dhe “Ndjenjë malli” shfaqen situata të tjera, madje edhe lirikë intime me tone paksa më të ndjeshme, qerthulli “Ankand publik” mund të quhet edhe prolog i veprës, ngase në vargjet poetike të poezive të tij, poeti Halil Haxhosaj, në mënyrë moderne, e pse jo edhe post moderne e pasqyron jetën bashkëkohore me të gjitha nuancat e saj. Në këto vargje hapet një dritare prej nga lexuesi do të gjejë edhe ndonjë dromcë të jetës së tij me të gjitha ngjyrat, nuancat, përjetimet dhe shtresimet, sepse:

Teshtima kollitje gërhitje
Në mëngjes në drekë në darkë

Ushqimit i ka rënë epidemia
Nuk gëlltitet as nuk përtypet

Ilaçet gjenden me zor
Dhe kushtojnë shtrenjtë

Çudi edhe në barnatore
Shiten në të zezën

Atëherë pse mos të bëjë kërdi
Kjo epidemi në këtë zallahi

“Ekspozitë në stinën e re”, që është vepra e dhjetë me poezi e këtij krijuesi dhe e 23-ta e opusit të tij letrar, e cila shpreh një përvojë të poetikës në veçanti dhe të krijimtarisë së tij letrare në përgjithësi. Andaj, këtu shihet paksa tjetër qasje, tjetër frymëzim, tjetër figuracion e pse jo edhe një formë e strukturim më i avancuar i poetikës së Halil Haxhosajt si poet.
Siç duket ky është qëllimi i krijuesit Haxhosaj, këtij shkrimtari të njohur e të dalluar, gjë që e bën këtë vepër me të arrirë, me të ngritur dhe në përgjithësi më interesante për kritikën letrare, e sidomos për lexuesin.
Poetika e kësaj vepre është e mbarsur me gjuhë të këndshme poetike në njërën anë, por edhe të pasur e të shtrirë në normat e gjuhës së sotme shqipe, çka e pasuron edhe më shumë atë.
(ALI DEMË JASIQI)



********



tbzh
(Vështrim libri nga TAHIR BEZHANI)


“Puhizë përjetësie”, poezi haiku, botoi Klubi Letrar ”Gjon N.Kazazi” Gjakovë, nga shtypshkronja”Lena Grafik”, Prishtinë.



Këto ditë doli nga shtypi libri i njëzet e pestë i autorit të mirënjohur nga Gjakova, Halil Haxhosaj, i cili deri tani ka botuar në të gjitha zhanret e letërsisë shqipe.

Libri i sapo botuar këtyre ditëve,”Puhizë përjetësie”,është libri i tretë me poezi haiku,ku autori arriti qëllimin e filluar që moti, për të krijuar një triptik me këtë lloj poezie . Mendoj se në këtë kuptim, na del si i pari triptik haikian në trevat tona.

Për redaktor të këtij libri, autori ka zgjedhur njeriun e merituar,poetin tropojan,të dashuruarin në poezinë haiku, Gjon Neçaj,ndërsa për recensent,poetin e njohur nga Gjakova, Qemajl Junikun.

Libri “Puhizë përjetësie” i autorit Halil Haxhosaj,ndahet në tre cikle apo qerthuj,ku haiku valon në forma të ndryshme përmbajtësore,natyrshëm, në kuptim të vazhdimit të ecjes jetësore,ku baticat e zbaticat përplasen mureve të zemrës poetike haxhosiane.

Pra sipas ndarjes nga autori kemi:

“Puhizë përjetësie”,Afsh përjetësie” dhe “Dritë përjetësie”

Halil Haxhosaj është një krijues i mirëfilltë i letrave shqipe i cili me vite e dekada,shkruan në poezi e prozë, si tregime,romane,novela,drama,kritika etj.

Ai përherë është pritur mirë nga lexuesit dhe kritika letrare,në trojet shqiptare. Lëvërimi i poezisë me origjinë japoneze,haiku,është shkruar edhe nga shumë të tjerë dhe është thënë se është poezi e rëndë,ngurtësuse,jo elastike në kuptim të shprehjes…

Porse poeti Halil Haxhosaj,ia del me sukses të trajtojë trevargëshin dhe formon individualitetin e tij në botën poetike haikiane në trevat tona.

Halil Haxhosaj,tani si personalitet letrar i letrave shqipe,duke njohur edhe aspektet teorike të letërsisë,me lehtë se shumëkush tjetër di të futet skutave embrionale të krijimtarisë letrare për të nxjerrë në dritë një botë karakteristike, e cila ka shërbesën e dijes dhe pasurisë letrare si qëllim. Kjo pasuri mbetët pjesë e të gjithëve.

Duke shtrydhur me elegancë frymëzimin shpirtëror,pa dyshim se rrjedh edhe e bukura në art. Këtë mendim e konkretizoj me poezitë e autorit që në ciklin e parë,”Puhizë përjetësie”,ku ai me mjeshtri e elegancë shpërthen:

”Ëndrrat e fjetura zgjohen/Pikturojnë jetën e rritës/Gabimet ikin diku në arrati.”

Ose:

” Në zemrën e tij të butë,/Këndohen këngë e gëzime/Natyra qeshet ëmbëlsisht”…

Pra që në pjesën e parë të librit, Haxhosaj,na bind për dijen dhe forcën poetike që posedon brendësia e tij vullkanike shpirtërore. Ai ndien thellë moshën e tij,telashet shëndetësore,prandaj përfton melankolia vargjeve padiktueshëm,dhembshëm,por krenare:

” Gjyshi prek kraharorin/Fërkon zemrën me dorë/Stuhia fryn nga katër anë”. Vargje të ndjeshme !…

Trevargëshi tek shpirti haxhosian,nuk kalon vetëm si një lirizëm mbi natyrshmërinë si frymëzim poetik,por penda e mprehtë e poetit,prek thellësive filozofike të jetës njerëzore.

Kjo është e pashmangshme posaçërisht tek krijuesit në kulminacion të pjekurisë krijuese, e në jetën komplekse ballkanike ,atë në vendin tonë pas lirisë…

Lexojmë:

”Bardhësia në heshtje stuhi/Brenda fortune, jashtë acar/Malli i heshtur moti hesht”,ose:

”Diçka ma përgjon shpirtin/Kambanë malli e pikëllimi/Në rrugët e drejta të jetës”. Me sa mjeshtri poetike ka portretizuar një kohë e situatë me rrjedhat e saj valëve të jetës! Pos lakmisë për bukurinë e thënë,çka tjetër duhet shtuar?..

Poeti e krijuesi Halil Haxhosaj,duke shkruar pasthënien e librit të tij,sqaron për lexuesin se sa fuqishëm e do haikun me të gjitha karakteristikat e tij. Ai shijon vlerat artistike të trevargëshit dhe sqaron shumë arsye në pasthënien e tij.

Por,edhe sikur të mos e kishte thënë atë sqarim,vetvetiu lexuesi i vëmëndshëm e heton karakteristikën e fuqisë poetike dhe sensin e dalë nga thellësi e brendëshme. Edhe në ciklin”Afsh përjetësie” si dhe në atë ”Dritë përjetësie”,komponenta e vargut është gjithnjë e rangut të lartë të fuqisë shprehëse.

Poeti Halil Haxhosaj,me librin më të ri me haiku,ka trajtuar jetën në variante të ndryshme,rininë me natyrën e vet si tërsi,përjetimet e jetës në kohë, në mënyra të ndryshme,ku gërshetohen botët e ndryshme në aspektin e këndvështrimeve,pra ku zhvillohet ideja për luftën e idesë.

Poezitë e përfshira në librin “Puhizë përjetësie”,kanë edhe filozofinë e jetës në tërsinë tonë në këto hapësira. Poezia haiku,në trojet tona është e vonë,por rrugëtimi i saj brenda nesh, është pasuri e pashmangshme.

Prandaj,duke pasur parasysh vlerën e këtyre poezive haiku, si pjesë e këtij libri,mendoj fuqishëm se ky libër poetik ,është një pasuri për bibliotekat tona përsonale ,shkollore e universitare.




Nga Halil Haxhosaj : Triptik për nënën


1.

Sa herë më kaplonin sëmundjet
Nëna ofshante dhe mërmëriste

Pastaj një kokërr kripë
Ma sillte rreth kokës
Të mbërthyer në grusht

E hidhte në zjarr
Duke pëshpëritur
Plastë si kokrra e kripës

Si kokrra e kripës
Hedhur në zjarrin e vatrës
Paste syri i keq
Shërohej sëmundja ime

2.

U përbirove
Nëpër hallkat e një shekulli
Edhe në tjetrin
E nusërove një mot

As Lija e Madhe as Mortja
Nuk të lanë vërragë në fytyrë
Edhe pse të kaluan pragun e shtëpisë

Trokëllimat e shtrëngatave
T’i çakorduan
Fijet e endura shekujve

Nëna ime
Kurrë nuk njohe sulltanë as krajla
Edhe pse zërin ua dëgjove

3.

Mbrëmë derisa po flija
Më erdhi nëna në ëndërr
Me një këmishë të arnuar
Në dorë

Merre më tha
Mbështille lëkurën e prerë
Në sallën e operacionit
Sepse nuk lëngon më

I përmalluar dhe i gëzuar
Desha ta përqafoj e ta përkëdheli
Ajo iku e shndërruar në aromë

Në mëngjes
Një buçetë me lule të freskëta
E kisha të vendosur te koka

Kur u mora erë
Diçka lëvizi në dhomë

Pranvera ia çeli
Petalet natyrës




Përgatiti:Flori Bruqi

Nga Flori Bruqi : Çfarë pasqyron arti në veprat letrare të Jonuz Fetahaj?


“Foleja” dhe Loti i dhimbjes”, janë dy librat e botuar kohë më parë nga shkrimtari i mirënohur shqiptar Jonuz Fetahaj. Të dy librat janë romane për fëmijë.

13883933_10208899926269018_887861722_n
Autori Jonuz Fetahaj, deri tani ka botuar disa libra për të rritur dhe fëmijë, siç janë:

“Shtegtime”,
 “ Pavdekshmëri”,
“Lumi i pa gjumi”,
“Kohës i ranë dhëmbët”,
‘Gjyshi frajer”,
 Përtej ëndrrës”,
 “Sofikada”,
"Virusi i gjyshit"
"Udhëtimi pas mjegullës"


"Loti i dhembjes",
"Foleja" 

Nusja e diellit).

Etj.




Foto Cover di La sposa del sole-Nusja e diellit. Ediz. italiana e albanese, Libro di Jonuz Fetahaj, edito da Edizioni del Faro


Kur ka qenë në shkollë fillore, saktësisht në klasën e gjashtë, Jonuz Fetahaj e ka pasur numrin 13 në ditarin e klasës.

Image result for jonuz fetahaj


Atë kohë ai kishte nisur të shkruante. Shumë dekada më vonë kur Fetahaj është bërë shkrimtar për fëmijë, diçka e bukur e ka lidhur me numrin 13.

Në edicionin e trembëdhjetë të karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” libri i tij me tregime “Zogjtë ikin nga çerdhja” ka qenë njëri nga dy fituesit e çmimit “Ymer Elshani” që ndahet për veprën më të mirë për fëmijë të botuar midis dy edicioneve të Karvanit.

“Jam i lumtur për këtë nderim”, ka thënë  shkrimtari i mirënjohur shqiptar Jonuz Fetahaj. Ai e ka ndarë çmimin bashkë me kolegun e tij, shkrimtarin Islam Balaj, që është shpërblyer për romanin për fëmijë dhe të rinj “Vajza dhe Ylli”.

“Ky çmim ka domethënie të madhe për mua”, ka thënë Jonuz Fetahaj. Çmimi “Ymer Elshani” është ndarë në kuadër të përmbylljes së Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë i cili ka nisur aktivitetet e tij që më 7 mars 2012..

Për çmime  disa vite më parë kanë  vendosur juria në përbërje të Prof.Dr.Xhevat Sylës, Prof.Ramadan Musliut e  Prof.Prend Buzhalës. Sipas arsyetimit të jurisë, libri me tregime për fëmijë “Zogjtë ikin nga çerdhja” respekton prirjet e fëmijës, ndërton poetikën e efekteve edukative dhe imagjinare.

“Tregimet shquhen për unitet të brendshëm artistik, realizojnë mesazhin e përbashkët artistik por edhe strukturën e përbashkët tematike”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. "...(Floripress)



“Gropë e thellësi grope
Dy mijë vjet pash në tokë
Aromë dheu
Dardani e Kosovë”

(Vezë e qyqes)



(Jonuz Fetahaj)


Krijuesi duhet parë me dioptrinë e realitetit


“Preokupimi im si krijues, në radhë të parë, është që të pasqyroj fatin e njeriut tonë në kohë dhe hapësirë. Krijuesi duhet parë me dioptrinë e realitetit gjithë atë që e ka kapërcyer nëpër etapa të ndryshme kohore. Shkrimtari i përket kohës dhe ai duhet ta pasqyrojë atë në mënyrë sa më objektive”, thotë Jonuz Fetahaj


Jonuz Fetahaj është shkrimtar që i përket brezit të mesëm të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Tok me një plejadë krijuesish ata bënë emër në krijimtarinë letrare. Që në dekadën e gashtë të shekullit XX, kur nisi të botojë në periodikun tonë letrar dhe në të përditshmet “Rilindja”, “Flaka e vëllazërimit”. Ushtroi profesionin e gazetarit në revistat “Shkëndija”, dhe “Bujku”, madje ishte edhe kryeredaktor i “Shkëndisë”, “Bujkut” dhe “Pionierit”. Ushtroi edhe detyrën e drejtorit të ndërmarrjes së revistave “Rilindja”.



I përkisni një brezi të krijuesve që ishte produkt i një brezi paraprak të shkrimtarëve që me përkushtim punonin në entet dhe institucionet kulturore e letrare të asaj kohe. Çfarë mund të na thoni për atë kohë?

Jonuz Fetahaj: Është i saktë konstatimi se patëm fatin që bashkëjetuam dhe vepruam në një periudhë kur gërshetoheshin mendimet e dy brezave, i pari që ishte pikënisja e dalë nga Lufta e Dytë Botërore, e që bartte mbi vete një barrë të rëndë që nga zhdukja e analfabetizmit, krijimit të institucioneve, hartimit të teksteve dhe botimit të veprave të para, duke filluar nga Esad Mekuli, Anton Çetta, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, për të vazhduar pastaj me Azem Shkrelin, Rrahman Dedajn, Fahredin Gungën pastaj me brezin tim si Beqir Musliu, Teki Dervishi, Ymer Shkreli, Hasan Hasani, Agim Deva, Vehbi Kikaj. Ishte kohë kur bëmë hapat e parë nëpër faqet e revistave letrare, edhe pse të pakta për nga numri, por përmbajtësisht ishin në nivel, sepse kishte njëfarë rregulli dhe redakturë të mirëfilltë profesionale.


Ju kujtohet poezia e parë dhe vëllimi i parë?

Jonuz Fetahaj: Poezia e parë u botua në revistën letrare “Pionieri”, më 1963, ndërsa vëllimi i parë me poezi “Shtegtime” më 1970, në botim të “Rilindjes”“Kosova Sot”: Sa ju ka ndihmuar apo penguar profesioni i gazetarit në punën krijuese?

Jonuz Fetahaj: Nganjëherë profesioni i gazetarit e pengon mjaft punën krijuese, por nganjëherë e ushqejnë njëra-tjetrën, sepse e mban kondicionin e shkrimit në nivelin çfarë i duhet një krijuesi. Shpeshherë temat, frymëzimet dhe gjetjet e tjera i gjen nëpër mjedise ku as që e pret, por që i japin shtytje që krijuesi të thellohet në botën e njeriut të rëndomtë, i cili e bartë gjithë bagazhin e dhembjes, përvuajtjes, por herë-herë edhe të krenarisë dhe të mburrjes. Andaj, krijuesi gjithherë duhet të angazhohet që të shënjojë gjithë atë frymëmarrje që e hasë në mjedisin që e rrethon. Po nuk e preke temën dhe problemin deri në masën e duhur, pa dyshim se as krijimtaria qoftë ajo në prozë, poezi apo edhe në beletristikë nuk do ta marrë ngjyrimin artistikë dhe peshën e mirëfilltë letrare.

Si udhëheqës i revistave “Rilindja” keni qenë i burgosur për “padëgjueshmërinë” ndaj sistemit që ishte shtrirë përdhunshëm në gjitha sferat e jetës, e edhe në ndërmarrjen botuese gazetare “Rilindja”.

Jonuz Fetahaj: Ishte viti i “turbullirave” dhe i masave të dhunshme në tërë Kosovën. Nuk mbeti e paprekur edhe “Rilindja”. Pas ndalesës së saj aktiviteti vazhdoi në gjysmëilegalitet, por duke e parë se një dritare informimi duhej të ishte e hapur për lexuesin, nisi të dalë si e përditshme revista “Bujku”, e cila ishte pasuese e “Rilindjes”. Këtë gjë e vërejti pushteti i dhunshëm serb dhe në tetor më privoi nga liria bashkë me gazetarin Gani Bajrami, ndërsa ditë më parë ishte burgosur Xhemajl Rexhepi. Dënimin prej 60 ditësh e vuajta në burgjet e Prishtinës dhe Mitrovicës. Kjo ndodhi në fundvitin e vitit 1991.Kundër ndarjes së krijimtarisë për të rritur dhe për fëmijë

T’i kthehemi sërish temës: shkruani për fëmijë dhe të rritur. Keni botuar shumë vëllime në poezi dhe prozë. Ku e ndjeni veten më komod, në krijimtarinë për fëmijë apo për të rritur?

Jonuz Fetahaj: Hapat e parë i kam bërë në letërsinë për fëmijë. Por, vëllimin e parë e botova me poezi për të rritur. Mendoj se nuk duhet pasur ndarje të krijimtarisë për të rritur dhe për fëmijë.
Mendoj se kemi krijimtari e cila i dedikohet një moshe dhe varet prej shijes së lexuesit.
Unë e kam lëvruar poezinë, poemën, tregimin dhe novelën për të rritur dhe për më të vegjlit. Kujtoj se ato kanë lënë gjurmë në artin e shkrimit ndër ne.


Sa vëllime keni botuar deri më sot?

Jonuz Fetahaj: Mbi njëzet vëllime. Po veçoj disa: “Përtej ëndrrës”, “Lulja e hirit”, “Vezët e qyqes”, “Kohës i ranë dhëmbët”, “Sofikada”, “Gjyshi frajer”, “Zogiliri”, “I biri i Rozafës”,
“Nuk është jeta cimilil, “Lumi i pa gjumi”, etj.


Viti i kaluar ishte vit i suksesit tuaj. Keni botuar një numër të konsideruar vëllimesh?

Jonuz Fetahaj: Aktiviteti im letrar është në vazhdimësi. Por viti që e lamë pas, pa dyshim se shënon një produktivitet të mirëfilltë letrar, sepse botova vëllimet “Nuk është jeta cimilim” (për fëmijë), poemën “Mall i zbardhur” një poemë për të rritur kushtuar Preshevës, që për mua është një “Çamëri” e dytë, mandej “Vetmi e bukur” një përmbledhje me proza poetike,”Gjurmë në ferk”, një përmbledhje me tregime për të rritur si dhe dy kurora sonetike “Drita në shkamb” dhe “Udhëtimi i parë”.

Pse dy kurorat sonetike, “Drita në shkamb” dhe “Udhëtimi i parë”, i keni shkruar në gegërishte?

Jonuz Fetahaj: Kam dashur t’ua ruaj aktualitetin kohor të tyre, sepse janë shkruar plot dyzet vjet më herët. Pra, atëherë kur ende nuk ishte aprovuar norma letrare. Ndërsa shkrimet e tjera janë gjitha në gjuhë të njësuar.

Preokupimi krijues, pasqyrimi i fatit të njeriut tonë

Çfarë pasqyron arti juaj i shkrimit?

Jonuz Fetahaj: Kujtoj se gjithë preokupimi im si krijues, në radhë të parë, është që të pasqyroj fatin e njeriut tonë në kohë dhe hapësirë. Të lë gjurmë e të gjurmoj për gjithë atë që ka ikur e rrjedhur ndër kohë, por që ka mbetur gjithmonë si një ngjarje dhe vazhdimësi për t’u rikthyer si një kujtesë e thinjur për të na bërë esull se çdo njeri, e edhe krijuesi, duhet parë me dioptrinë e realitetit gjithë atë që ka kapërcye nëpër etapa të ndryshme kohore. Sepse: shkrimtari i përket kohës dhe ai duhet ta pasqyrojë atë në mënyrë sa më objektive.

 Sa lexohet sot?

Jonuz Fetahaj: Pak. Fare pak. Për të mos thënë aspak. Sepse në kohën e informatikës ”shija” për lexim, së paku kur bëjmë fjalë për mjedisin tonë, kujtoj se është në nivelin më të ulët. Dikur lexohej mjaft. Kishte interesim nga nxënësit, studentët, punëtorët e arsimit dhe shtresat e tjera. Sot, në këtë apati, askush nuk lexon. Kulturës dhe letërsisë i janë mbyllur të gjitha shtigjet. Nuk ka hapësirë as nëpër biblioteka shkollore, as në ato të qytetit. Me një fjalë institucionet tona shtetërore shumë pak i japin kujdes përhapjes së librit. Po drojë se ndoshta kjo në të ardhmen jo fort të largët do të na kthehet si bumerang. Se aty ku nuk depërton libri, shumë lehtë mund të hyjë droga, prostitucioni dhe gjithfarë ”marifetesh” të tjera që, dorën në zemër, gjithë shoqërisë do t’i kushtojë shumë shtrenjtë. Por atëherë është vonë. Preventiva duhet të jetë sot e jo nesër.


Çfarë mund të presim këtë vit?

Jonuz Fetahaj: Këtë vit në fazën finale është përmbledhja me tregime për fëmijë, një vëllim me prozën poetike ”Sizifit nuk ia di varrin”, përmbledhjet me poezi ”Shpalimi i dhembjes” dhe ”Gjeografia e lotit” si dhe një monografi për piktorin dhe krijuesin letrar Demir Behluli.(Isa Vatovci) 

NGA FËMIJËRIA DERI TE PJEKURIA (Ose rinjohje me një fëmijë dikur``...) Mund të quhen edhe akte dramatike


Në vend të eseut



Shkruan: Jonuz FETAHAJ

Edhe pse kanë kaluar gati-gati dy dekada që nga koha kur u takova me një fëmijë, kuptohet, në një kafene të qytetit pitoresk – Pejës, nën tymin e cigareve që tymoseshin për ta promovuar një libërth shumë simpatik të një fëmie – Ilirit (me domethënie të thellë) dhe të mbiemrit të tij - Muharremi (të marrë nga Orienti), por shumë domethënës, rastisëm të flasim, ne më të moshuarit edhe për atë kohë, por edhe për këtë kohë, sepse ky fëmijë i atëhershëm, pak më zevzek në fjalë dhe mendime, duke parë se segregacioni që ishte lëshuar nëpër shkollat tona, dhe jo vetëm art, porn ë gjitha poret e jetës, ku fjala barazi dhe ndjesi e mirëkuptim ishin larguar e fshirë nga fjalori ditor i veprimit dhe politikës së atëhershme, por, Iliri si Iliri, duke brymosur në vetvete një pezm dhe vrerë për kohën, nisi të shkruaj vargje nga më të ndryshmet, poezi nga më të gjeturat për t’i pagëzuar e emërtuar me një simbolikë të qëlluar “Djalli në qytetin tim”, pra, e kishte vërejtur se diçka e madhe po përgatitej, se djalli kishte hyrë pak e nga pak deri aty ku nuk duhej të hynte, deri në palcë, se kishte mbjellë frikë e tmerr, por djalli nuk e kishte zbuluar ende anatominë e mendimit poetik të Ilirit se një ditë edhe atij, pra djallit, do t’i përgatitetj një “befasi” , do të dëbohej nga ky qytet dhe nga e gjithë Kosova. E kjo ndodhi, jo një vit, por tri vite më vonë, në fund të shekullit të kaluar (1999), kur me gjitha përpjekjet dhe angazhimet tona dhe miqve tanë, u dëbua për të mos u kthyer kurrmë në këto anë… Ndoshta mjafton kaq për këtë poertret kornizë fillimi për Ilirin në këtë akt drame…
Dhe drama vazhdon: arrijmë deri te:
“Dera e fundit të çmendurisë”
Vazhdon pra, akti i rrëfimit dhe i simbolikës në kërkim të asaj që quhej metaforë dhe simbolikë e kohës.
Ilir Muharremi me përkushtimin e tij, të një adoloshenti e pas flakës dhe hirit, pas tymit e mjegullës, pas llavës së hienave që iu vërsulën Kosovës për ta zhbi e zhbërë çdo gjë mbi dhe ai krijoi brenda marginave të një libri tjetër poetik atë që quhet “Derë e fundit e çmendurisë” ku portretizoi me fjalë terrin e tmerrin që përjetoi soji i njeriut tonë...
E preku deri në palcë e më tepër anatominë e dhembjes dhe i dha fjalës e metaforës fuqinë e asaj që të shpërthejë deri në çmenduri, duke hapur jo një derë, por gjitha dyert për ta parë, për ta prekur, për ta përjetuar anatominë e çmendurisë... E më pastaj në udhtimin e tij letrar ai niset për ta takuar edhe:
“Van Gogu kosovar”
Dhe, në udhëtimin e tij krijues Ilir Muharremi duke ia shtuar adoleshencës së vetë nga një bagazh krijimi, arrin deri te drama e shtrimit të një teme sa aktuale për kohën, aq edhe interesante, të një Van Gogu kosovar që bredh e bënë atë që portretizohet si personazh me gjitha të bëmat me gjithë bagazhin dhe konfliktualitetin që bën për të dhënë porosinë se Van Gogut kosovar, është një hero krejt tjetër nga ai që e kemi dëgjuar nga fjalët dhe e kemi parë edhe në autoportretin e piktorit të madh me fmë botërore: Vang Gogut, i cili hyri si personazh dhe hero i mos harrimit për diçka të madhe, për dshurinë, ndoshta si simbol, por ndoshta edhe si metaforë për gjitha moshat e jetës nëpër kohë, arrin ta flijojë një pjesë të ekstremiteteve të trupit për të dëshmuar se dashuria dhe përkushtimi, ndoshta në një ekstazë të jetës mund të prekin edhe deri tek absurdi. Analizat për atë kohë edhe në këtë kohë vazhdojnë...
Pra, Van Gogu mbetet Van Gog edhe në hapësirën e dramës së Ilir Muharremit...
Dhe, jo vetëm kaq.
Kam edhe një fije kujtese për këtë djalosh, që paksa i pjekur, paksa kërkues dhe zhurmues, si student e këtej, të shkrijë personalitetin e tij pej krijuesi dhe aktori edhe në shiritin e celuloidit. Të shihet e vërehet duke realizuar rolin e një djaloshi, një beqari në filmin e Adem Mikullovcit “Martsa e bariut”, që të jep të kuptosh se artin nuk e ka si hobi, por si vokacion dhe pjesë të jetës...
Gjitha këto fjalë që u thanë, nuk mjaftojnë po qe se nuk themi se Ilir Muharremi edhe me dramat e fundit “Unë me veten” dhe drama e fundit “Kafeneja” pa dyshim se të marrin me vete personazhet e këtyre dy damave, secila në mënyrën e vet, sepse duke e vënë në lojë kohën dhe meditimin, nganjëherë me vetveten, arrin të realizojë një material që do të përjetësohet në dërrasat e teatrove tona.
Pra, tash kemi të bëjmë me një Ilir krejt tjetër. Jo një Ilir që di të bëj fiskulturë e sprinte djaloshare, por që i ka kaluar sfidat dhe është përpjekur që të kalojë rubikonin e vështirësive jetësore, për të arritur edhe deri te kualitetiti dhe pjekuria e tij si krijues, si estet, si eseist i cili nga dita në ditë, ose më mirë thënë, nga ora në orë po krijon individualitetin e vet si krijues, dhe jo vetëm krijues, por edhe si pedagog, duke përcjellë përvojën e vet edhe tek studentët dhe lexuesit.
Andaj, në fund duhet të themi se i gjithë portreti i këtij krijuesi, tash për tash nuk mund të kornizohet, sepse rrugët që ai po ndjek, përpjekjet që po bën, na bëjnë të shpresojmë se ai po ecën një rruge e cila ka ecejaket e saj, por Ilir Muharremi në këtë maratonë të vetën krijuese do të dijë ta realizojë me sukses.
Kaq mjafton të thuhet në një shkrim kartoline për një krijuesi të pjekur.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...