Nga Fritz RADOVANI: Leter...
GENTIANA SULA
E nderueme zonja Gentiana Sula!
Pak ditë perpara u njoftue se:
“Gentiana Sula votohet si kryetare për hapjen e dosjeve të sigurimit. Parlamenti
ka votuar me 69 vota pro dhe 1 abstenim si Kryetare të Autoritetit për
Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.”
Nuk kerkova të dhana tjera
rreth biografisë dhe aktivitetit Tuej...
U perqendrova tek kjo foto e
Jueja që mu duk se flet mjaft persa më intereson sot.
Do t’ Ju shkruej per dy raste
që kam pasë me njoh dy persona në jeten time, dhe jam shumë i sigurtë se
njëditë do të më kujtoni!
Ishte viti 1962 kur jam kenë
smurë dhe shkova per mjekim në Spitalin Ekstrapolmonar të Vlonës. Ishe 22 vjeç.
Porsa mërrijta atje, një tiranas djalë i ri, më njohu me një të sëmurë të
interrnuem nga Shkodra, Françeskan i dënuem në vitin 1947, At Frano Kiri...
Nuk e njihshe fare po, i kishe
ndigjue vetem emnin. Sa ju afrova shtratit të Tij më njohu. Ishte me Ate një
grup të rijshë që e kalonim kohen tue luejtë domino...
Mbasi delshim nga mensa
në drekë, At Frano, shkëputej dhe shkonte tek një stol nën hije të një peme dhe
aty, ulej e lexonte gazeten... Po, sa kohë? – Besoj se lexonte kater faqet e
saj...
Një ditë Ju afrova dhe mbasi
pashë se po lexonte gazeten “Zeri i Popullit”, e pyeta: Mirë se ke vullnet me
lexue, po nuk priton perditë me lexue rrenat e komunistave bre Burrë, dhe as,
nuk priton me lexue kater faqet me rrena të “Zerit Popullit”..?!
Ai qeshi dhe, më tha: Shiko,
unë i lexoj të kater faqet, po jo se shka shkruejnë këta...
Per me marrë vesht të verteten
nder shkrimet e tyne, “unë lexoj shka asht e shkrueme tek e bardha në mes të
rreshtave të zezë!”... Qeshem, po fjalët e Tij nuk i harrova kurrma!
***
Burrat e mendshem me pak fjalë
kanë lanë vepra të shkrueme në Shkoder!
Një prej Tyne asht kenë
ekonomisti Zef Shiroka, vllau i mjekut njohun Federik Shiroka. Per Zefin thonin
se “asht nder Burrat e rrallë me cilësi të mira!”
Një ditë një mik e pyeti:
“Zef, a me të vertetë je Burrë i mirë, ashtu si të njeh Shkodra?”
Zefi e shikoi, dhe me buzë në
gaz i tha: “E dij unë se shka kam hjekë me më thanë sot gjithë Shkodra, se Zefi
asht Burrë i mirë!
Vetem pesë minuta i duhen njeriut per me kenë ‘burrë
i keq’, prandej, nuk asht aq e thjeshtë me u quejtë Burrë i mirë në Shkoder...”
Zef Shiroka dhe shumë Burra të
mirë në Shkoder, edhe e mbyllen jeten e tyne jo vetem, me këte Epitet nderi, po
edhe të provuem nder hetuesi si të tillë!
***
E nderueme zonja Gentiana,
Papa Gjon Pali II kur vizitoi
Shqipninë me 25 Prill 1993, ka thanë në Sheshin Skenderbeu se: “Ajo që ka ngja
në Shqipni, të dashtun Vllazen dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e
njerzimit!..”
E, dokumentacionin e kësaj tragjedije të pashembullt që ka ngja
tek ne, sigurisht, keni me e pasë në kujdes dhe studim Ju.
Piksynimi i Juej ka
me kenë nxjerrja në pah e asaj që ka ngja dhe ekziston në Shqipni, pikrisht
nder Dosjet që kanë me kenë nder duertë Tua, me synimin drejt së mires: Me
shikue Perpara!
Në të vertetë ky kusht nuk
lejon me u rikthye tek të njajtat krime po, edhe siç porositë Papa Gjon Pali
II, “ky asht shtegu ma i mirë per një proces pajtimi të vertetë!”
Në vitin 1998 kam lexue edhe
unë “në mes të rreshtave të zezë” disa Dosje, dhe kur kam shkrue per ato Dosje,
kam shkrue “Vetem të Verteten”!
Do të më pelqente fort që mbas
disa vitesh... Edhe per Ju, të thonin Shqiptarët e vertetë:
“Gentiana asht me të vertetë
një Shqiptare Burrneshë, po, edhe një zonjë e nderueme!”
E kjo, asht vetem në doren
Tuej! Koha ka me tregue Vepren Tuej!..
Me shumë respekt!
Melbourne, Dhjetor 2016.