Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/03

Librat që japin mësim “mbrapsht”




Dafina Kabashi 


Diskriminimet gjinore, racore e fetare, janë të shpeshta në librat shkollorë dhe universitarë, të cilat përdoren nga nxënësit dhe studentët kosovarë. Në këto librat, ka tekste të atilla që lexuesve të tyre u mësojnë referenca të gabuara, siç është rasti me “Wikipedia”-n si burim shkencor e shkarkimin e filmave në mënyrë piraterike. Sipas librit “Patologjia e përgjithshme”, tatuazhi bëhet nga njerëz që dëshmojnë për një të kaluar të largët, kur ishte kryer një lloj marrëzie rinore e papërgjegjshme. Të tilla shkrime edhe në shumë tekste të tjera.
Related image
Në rrjetin social “Facebook”, tashmë është faqja “Arsimimi i Mbrapshtë i Kosovës - AMK” e cila bën publike shkrime keqinformuese, që janë në tekstet shkollore dhe universitare, e që po ashtu përmbajnë fyerje racore, fetare gjinore e të tjera të ngjashme. Ideja për një faqe të tillë sipas administratorit, ka ardhur pas skandalit me librin “Kriminalistika” të profesor Vesel Latifi.

“Pas këtij rasti, ka ndodhur shpesh që të shoh gabime dhe absurditete të tilla në libra jo vetëm universitarë, por edhe ato që përdoren në nivel fillor apo të mesëm. Për këtë arsye, kam vendosur të publikoj të gjitha rastet e gabimeve apo fyerjeve gjinore, fetare, racore, e të tjera të ngjashme, që mund t’i gjej në tekstet shkollore”, ka thënë menaxhuesi i faqes “Facebook”. Sipas tij gabimet, nëse mund të quhen të tilla thotë administratori i faqes, më të shpeshta janë ato gjinore që mund të gjinden shumë shpesh në librat e të gjitha nivele shkollore, derisa thotë se nëse një libër i leximit i mëson fëmijët për inferioritetin e vajzave që nga mosha 10-vjeçare (Libri i leximit klasa 4), ky mentalitet seksist normalisht do të vazhdojë edhe më vonë, derisa përmend librat si “Kriminalistika”, “Hyrje në Sociologjinë Juridike” që kanë përmbajtje të tillë. “Kjo më vonë paraqitet në nivel shoqëror, politik dhe ekonomik, ku gratë cilësohen si jo të denja, të paafta dhe inferiore për pjesëmarrje në të gjitha fushat e jetës”, ka thënë administratori, dhe se është një fatkeqësi e madhe që këto gabime janë aq të shpeshta. Derisa thotë se është zhgënjyes fakti që nuk ka një institucion të mirëfilltë që bën kontrollimin e teksteve shkollore.

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendra për Arsim të Kosovës, thotë se tekstet për arsimin parauniversitar duhet t’i plotësojnë standardet e përcaktuara nga Ministria e Arsimit, me të cilat nuk lejohet asnjë lloj diskriminimi gjinor, fetar ose etnik. “Sipas këtyre standardeve tekstet mësimore duhet ta promovojnë barazinë gjinore, si dhe tolerancën fetare dhe ndëretnike. Për shembull, kjo nënkupton që në një libër të leximit të ketë tregime për pjesëtarët e të gjitha grupeve fetare, por edhe në librin e matematikës të ketë detyra me mera të djemve dhe të vajzave”, ka thënë Pupovci, duke shtuar se nëse ndonjë libër nuk i plotëson këto standarde, atëherë duhet të bëhen përmirësimet e domosdoshme me rastin e ribotimit, ose, libri hiqet nga përdorimi dhe zëvendësohet me një tjetër. “Sidomos, kjo vlen për moshat e vogla, ku, fëmijët, pa përvojë të duhur jetësore, mund të ndërtojnë koncepte krejtësisht të gabuara”, është shprehur Dukagjin Pupovci. Sa u takon librave universitarë, Pupovci thotë se kemi një treg diç më të lirë, sepse studentët mund të shfrytëzojnë edhe libra që nuk janë publikuar nga Universiteti. “Këtu i mbetet autorëve dhe recensentëve të jenë më të kujdesshëm, si dhe studentëve ta ngrenë zërin nëse gjejnë diçka të papranueshme në to”, ka thënë Dukagjin Pupovci.
Related image

Nora Ahmetaj, drejtoreshë ekzekutive në “Centre for Research, Documentation and Publication” (CRDP), thotë se jo vetëm që Ministria e Arsimit duhet të ketë kujdes dhe departamentin e posaçëm me recensentët profesionistë që do të korrigjonin dhe të analizonin shkrimin dhe interpretimin e teksteve shkollore, por duhet të sanksionojë të gjithë ata që guxojnë të shprehen në forma fyese qoftë në baza etnike, racore apo gjinore. “Kjo ndodh te ne, ngase është zinxhir i lidhur ngushtë e ku asnjë hallkë nuk funksionon si duhet: Arsimi i dobët, mungesa e meritokracisë dhe konkurrencës në punësim, qasja jo profesionale, injoranca si dhe mungesa e arsimimit adekuat në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile/politike, ekonomike e sociale, bën që të bëhen çdo ditë, ndërsa nxënësi indoktrinohet me informata joadekuate”, ka thënë Ahmetaj.

Related image

Sociologu Artan Muhaxhiri, thotë për gazetën se problemi kryesor me prezencën e paragjykimeve dhe stereotipave në tekstet shkollore është se ato kësisoj marrin legjitimitet të plotë institucional. “Pasi tekstet shkollore duhet të kalojnë shumë filtra të recensimeve profesionale, atëherë nënkuptohet se të gjitha instancat janë pajtuar me këto paragjykime dhe stereotipa, gjë që është indikator tejet negativ për gjendjen e përgjithshme të sistemit arsimor”, ka thënë Muhaxhiri.

Related image

Sipas tij, ndikimi më i madh i teksteve të këtilla është në sistemin e vlerave të nxënësve, sepse ata janë në një moshë kur ende nuk i kanë të qartësuara krejtësisht idetë dhe orientimet identitare, prandaj gabimet e kësaj natyre kontribuojnë në konfuzitetin e tyre vleror.
Image result for librat

 “Ministria e Arsimit duhet të ndërmarrë masa të shpejta dhe të ashpra ndaj të gjitha çrregullimeve në tekstet mësimore sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zvogëlohet vazhdimësia e dëmeve masive që do t’i bëjnë këto tekste nëse nuk korrigjohen”, ka thënë sociologu.

Gazeta ka provuar të marrë dhe një qëndrim nga Ministria e Arsimit për këtë temë, nuk ka marrë përgjigje.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...