Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/03

Tekstet e romëve dhe egjiptianëve, falas pa faturë tatimore


Nga Shpresa Mezini


tekste shkollore

tekste shkolloreTekstet shkollore të fëmijëve romë dhe egjiptianë, që prej vitit 2009, rimbursohen nga buxheti i shtetit. Por, vit pas viti, janë krijuar problematika të ndryshme, për sa u takon parave, që duhet të përfitonin prindërit e fëmijëve të këtyre komuniteteve. Praktika e deritanishme ka treguar se ishin fillimisht prindërit ata që paguanin për një paketë të caktuar shkollore, ndërsa pas kësaj, nëpërmjet shoqatave që mbrojnë të drejtat e tyre, rimbursoheshin në masën 100% nga buxheti i shtetit, por në një numër të konsiderueshëm rastesh paratë nuk u janë dorëzuar personave përgjegjës. Kanë mjaftuar fakte si këto, që sivjet për herë të parë, Ministria e Arsimit të urdhërojë pajisjen me libra falas të fëmijëve, që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian, duke eliminuar kategorikisht procesin e rimbursimit, pas abuzive të kryera deri më tani. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, sqaron për gazetën “Shqip”, se sivjet, për herë të parë, shtëpitë botuese janë porositur nga Ministria e Arsimit që të përgatisin libra shkollorë, sipas klasave, falas, për të gjithë fëmijët romë dhe egjiptianë, pa qenë e nevojshme të paguajnë për t’u rimbursuar më pas nga shteti. “Një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit, është pajisja e çdo nxënësi që i përket komunitetit rom ose egjiptian, me libra falas. Rimbursimi i teksteve të tyre ka ekzistuar edhe më parë, por janë regjistruar abuzime, sepse deri më tani, menaxhimi i librave të tyre është bërë nga shoqatat. Për këtë arsye, ne kemi vendosur që këtë vit të ri shkollor, menaxhimi të bëhet nga institucionet shkollore, të cilat do t’ua dorëzojnë nxënësve falas librat. Për herë të parë, këtë vit, është nxjerrë numri i plotë i romëve dhe egjiptianëve”, shpjegon zëvendësministrja e Arsimit.

Referuar përvojave të mëparshme, librat shkollorë janë tregtuar edhe pa faturë tatimore, që do të thotë se nuk është bërë ndonjëherë e ditur nëse prindërit kanë përfituar ose jo rimbursim për tekstet e blera. Këto para kanë shkuar në duart e gabuara, pikërisht për shkak të mospajisjes së personave të këtyre komuniteteve me faturë tatimore, fakt që ka krijuar mundësi për abuzime të mëdha.

Faktet pohohen edhe prej palëve, madje, si nga prindërit romë ashtu edhe nga shitësit e librave.

Klara, e cila i përket komunitetit rom, referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, duhet të përfitojë 100% rimbursim falas për tekstet, tregon se vjet i ka blerë librat e shkollës së vajzës në klasën e katërt pa kupon tatimor, madje as që e ka ditur që duhet ta merrte, sepse, sipas saj, informacioni për këto komunitete ka qenë gjithmonë i mangët. Ajo tregon se paketa e librave shkollorë, që bleu vitin e kaluar, kushtoi rreth 5.700 lekë të reja dhe se shitësit nuk i kishin thënë se për librat e blerë duhet të pajisej me faturë tatimore për të përfituar subvencion nga shteti. Për këtë arsye, paratë nuk i mori asnjëherë mbrapsht. Të njëjtin fakt pohuan edhe shitësit, të cilët, në më të shumtën e rasteve, nuk u kanë dhënë asnjë faturë tatimore prindërve romë për shitjet e librave shkollorë.

Referuar një raporti vlerësimi të kryer nga UNICEF për vitet 2009-2013, rezulton se një arsye madhore e braktisjes shkollore në radhët e fëmijëve romë dhe egjiptianë është varfëria, një faktor që pengon të drejtën për arsimimin e tyre në shkollat 9-vjeçare, për shkak të pamundësisë së familjeve për të blerë tekstet shkollore.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...