Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/06/27

Harta e re e qeverisjes në Kosovë dhe fatipolitik i Isa Mustafës .


Prof.Dr.Enver Bytyçi


Në Kosovë po vijon debati për krijimin e qeverisë së re. Të drejtën e e mandatit për qeverisje e ka partia ose koalicioni që ka marrë më shumë vota dhe sigurisht që kjo ka të bëjë me partitë PDK-AAK-Nisma. Presidenti i vendit ka detyrim kushtetues t’i japë mandat këtij koalicioni që ai ta krijojë qeverinë e re.

Po a do të mund ta bëjë këtë Ramush Haradinaj?! Eshtë pak e komplikuar. Atij nuk i mjafton vetëm lista serbe, e cila ka deklaruar se nuk do të koalicojë me këtë grupim. Me listën serbe dhe pakicat e tjera numri i deputetëve në parlament shkon në 59. Zotit Haradinaj i duhen 61 vota për t’u bërë kryeministër. Nuk po hamendësoj për ndonjë abstenim në radhët e PDK-së, e cila e ka traditë krijimin e vështirësive në kësi procesesh. Atëherë atij i duhet si partner LDK ose Vetëvendosje. Të dyja këto parti kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi e zotit Veseli. Vetëvendosje për shkaqe të pozicionit të saj antikorrupsion, program të cilin ia paraqiti elektoratit të saj. Ndërsa LDK për shkak të paqëndrueshmërisë së koalicioneve të mëparshme fajëson për këtë pikërisht PDK-në.

Megjithatë ka eksponentë të LDK-së që do të duan ta realizojnë për të disatën herë një koalicion LDK-PDK, në rastin konkret edhe me AAK-në dhe Nismën. Këta zëra mesa duket duan që të nxjerrin nga përgjegjësia e humbjes kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Zoti Mustafa nuk kandidoi në listën e deputetëve të LDK-së. Fillimisht kjo u mor si modesti e tij. Në fakt po rezulton se ai nuk donte të thellonte dështimet e mëparshme. Po të kandidonte do të merrte aq vota sa Sabri Hamiti e Vjosa Osmani do të ishte shume më lart se sa kreu u partisë. Në këto kushte Vjosa do të kishte asin nën mëngë për ta larguar menjëherë Isën. Ndërsa moskandidimi ia ka krijuar atij mundësinë që të mjegullojë situatat. Në këtë lloj mjergulle ai dhe përkrahësit e tij nxisin partinë të bëjë koalicion me PDK-në, me qëllim që zoti Mustafa t’i thotë anëtarësisë së “Ne nuk kemi humbur, ne jemi në pushtet”. Ndoshta ai ka ofertë nga zoti Veseli për detyrën e kryetarit të parlamentit ose të zv.kryeministrit. Zoti Veseli do ta dëshironte shumë një bashkëqeverisje me zotin Mustafa, sepse e sheh atë si aleat për të eleminuar një ditë në formën e një puçi institucional kryeministrin e kandiduar, zotin Haradinaj. Pra në këtë pikë përputhen interesat dhe intrigat e politikës së djeshme.

Por LDK duhet të ndryshojë, duhet të rinovohet, duhet të ketë një lidership të ri, i cili të afrojë figurat kontribuese të saj, të bashkëpunojë me këto figura, t’i respektojë ato, sepse në këtë mënyrë respekton trashëgiminë e saj dhe veten e saj. Në këto kushte një koalicion me PDK-në do të ishte vetëvrasje. Do të pengonte për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe do ta sillte në një situatë të eleminimit si parti parlamentare.

Më e mira është që LDK të mësohet të qëndrojë në opozitë. Në këtë mënyrë do të rritej, do të freskohej, do të kishte kohë dhe mjete të mjaftueshme për t’u rikthyer fuqishëm në skenën politike të Kosovës. Ndërkaq një koalicion i saj me Vetëvendosjen nuk do t’i sillte dëmet që sjell një koalicion me PDK-në, gjithësesi do bëhej pengesë për rritjen e saj. me Vetëvendosjen PDK ka më shumë afërsi sesa me PDK-në. Lidhja Demokratike ka qenë besnike e koalicioneve, ka programe progresive zhvillimi në ekonomi, kurse Vetëvendosja ka një vrull të padëshmuar për qeverisje. Kombinimi i eksperiencës së LDK-së dhe vrullit të Vetëvendosjes do të ishte mundësia e vetme e zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm të Kosovës. Në këtë kuptim, është interes i Kosovës që LDK dhe Vetëvendosje të bëhen bashkë për qeverisjen e vendit. Por do të ishte interes i LDK-së qëndrimi i saj në opozitë, duke e lënë Vetëvendsjen t’i bashkëngjitet koalicionit ë partive të dala nga lufta.

Megjithatë një koalicion midis Vetëvendosjes dhe LDK-së do të vinte në rend, vetëm pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re. Kjo natyrisht kërkon kohën e vet, por jo pa limit. Më pas duhet ardhur te formula Vetëvendosje-LDK, gjithnjë nëse Albin Kurti do ta refuzonte një lidhje me PDK-në, siç edhe ka deklaruar. Skemën për të pranuar zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm zoti Kurti nuk ka gjasa që ta pranojë. Me LDK-në ai është e do të duhet të jetë kryeministër i vendit, së paku përmes një rrotacioni 2+2 vite. Këtë skemë mund t’ia ofrojë edhe PDK, por nuk ka për ta pranuar zoti Haradinaj.

Përfundimisht duket se qeveria e re do të ketë dy aktorë, njëri i ri, Vetëvendosja, dhe tjetri i vjetër, LDK plus pakicave. Me këtë numër deputetësh vendimmarrja në parlament do të ishte solide dhe e pacënuar. PDK, AAK dhe Nisma do të mbeteshin në opozitë, e ndërkaq me kalimin e kohës mundet që zoti Hardinaj dhe zoti Limaj të shkëputeshin prej opozitës, duke iu bashkëngjitur koalicionit qeverisës. Kosova do kishte kështu një shans më shumë për të ndryshuar në rrugën e zhvillimit dhe integrimeve euro-atlantike. Natyrisht që zoti Kurti do të duhet të pozicionohet qartë në vijën politike të njohjes dhe konsolodimit të shtetit të Kosovës, gjë që kushtëzon edhe ndryshimin e koncepteve sa i përket bashkëpunimit rajonal, si kusht i integrimeve euro-atlantike.

Luli – Luli ja u nguli! Faktet pse kryetari i PD – së e dinte saktë këtë rezultat.



Edhe në rastin më të përsosur të hiles e gënjeshtrës, del diçka që e tradhëton atë. Gënjeshtrën dhe gënjeshtarin. Hilen dhe hilacakun.

LULZIM BASHA E DINTE SAKTËSISHT REZULTATIN E KËTYRE ZGJEDHJEVE!

Prova?

Teksa nisi hartimi i listave për kandidatë, kryetari i PD -së premtoi edhe përfshirjen në to të aleatëve. Njëri nga më të fuqishmit ishte Agron Duka të cilit Basha i premtoi 3 deputetë të sigurtë në listën e demokratëve. Kur doli lista përfundimtare, kryetari i PAA, Agron Duka ishte “i sigurtë” i pesti në Durrës, Olsi Cukaj , po i PAA, i pesti në Fier dhe Fuad Haxhiymeri i trembëdhjeti në Tiranë.

Mund të jetë koinçidencë që njëri të mbetet jashtë, ja edhe dy. Por vështirë të besosh në rastësi kur të tre kandidatët e PAA, të premtuar të sigurtë në listë, janë mu tek kufiri. Pra ai më sipër del deputet, ky jo.

Kaq mjafton për t’u bindur se Basha e dinte rezultatin, se Basha i mashtroi, duke i nxjerrë jashtë loje përmes premtimit se do të jenë në listë të sigurtë….

Por ka edhe më! Të njejtin fat pati edhe “i sigurti” në listë Nard Ndoka. Deri dje pasdite kreu i demokristjanëve ishte i humbur dhe shumë vonë ia doli të kalojë tek fituesit. EDHE KY, TEK HUMBËSIT, AMA NË KUFI!

E njejta gjë me Arben Ristanin, sekretarin e Përgjithshëm të PD -së, i vetmi nga drejtuesit, përveç Bashës, në listë. Që kur u vendos i katërti në Vlorë masivisht u tha se “rrezikon shumë”. Edhe Ristani u dogj, në kufi!

Pra nuk është një emër, as dy. Janë shumë, një prej të cilave – një parti, të cilës i dha 3 vende të sigurta në listë dhe i ja jashtë, duke llogaritur me saktësi kirurgjikale që deri njëri para tyre të futet, për të krijuar iluzionin e “fatit të keq”

BASHA E KA DITUR KËTË REZULTAT QË KUR KA BËRË LISTAT!































Sikur Krishti të qe tradhëtari? Esse mbi tradhëtinë e liderit.



Nga Armir SHKURTI


E gjitha nisi nga një batutë blasfemike imja: “Të qe në Shqipëri, Juda s’do qe tradhëtori por i tradhëtuari”. Kot për argëtim kafeje nisëm tjerrjen: “Ore vërtet, po sikur tradhëtar të qe Jezusi”? “Po ç’kuptim ka që lideri të krijojë një grup, ta udhëheq atë, me qëllimin për ta tradhëtuar”?

Rrëmuam nëpër histori e letërsi për të gjetur raste ku lideri ia fut ndjekësve, por dështuam rregullisht. Gjetëm raste ku vëllai ia fut vëllait për t’i marrë pushtetin, si tek Hamleti, kemi nipin, si rasti i Hamza Kastriotit me Skënderbeun, por nuk gjetëm udhëheqës që tradhëton pasuesit.

KTHEHEMI NË DITËT TONA, NË POLITIKËN SHQIPTARE DHE BËJMË PYETJET: A MUNDET TË TRADHËTOJË NJË LIDER ATA QË DREJTON DHE PSE?

Nëse udhëheqësi i ngul thikën pas shpine atyre që po udhëheq, së pari tregon se në vetvete nuk është AI udhëheqësi, por një vartës që po punon si i tillë për llogari të dikujt tjetri. Pra është administrator a satrap i fshehur nën petkat e njëshit. Ky koncept ka hyrë në fjalor edhe si “kolona e pestë”, një grup a individ i fshehtë në rradhët e kundërshtarit , për ta luftuar nga brenda.

Po ç’interes ka një individ, që e ka pushtetin e plotë mbi një grup të caktuar që të vihet nën autoritetin e dikujt tjetër?

– Mundet që autoriteti tjetër ta ketë kapur e shantazhuar me një mëkat të mëparshëm? Do të thotë jo vetëm një lider tjetër, por mbase edhe një person i afërt, ta zemë bashkëshortja a, vëllai a….

– Mundet që nuk e ka të plotë autoritetin mbi ndjekësit? Do të thotë që aty ka një a më shumë individë me influencë që nuk ia lejojnë kontrollin e plotë?

– Mundet që nuk ka frymëzimin dhe përkushtimin e duhur për një mision të tillë? Sepse lider lind e nuk ta bën njeri dhuratë.

Në çdo rrethanë na del se tradhëtari nuk është kurrë lider dhe lideri kurrë tradhëtar i atyre që e ndjekin.

Pra duke i kërkuar me përunjësi ndjesë pë blasfeminë, që e morëm si premisë të hipotezës, mund të themi tani se paradigma e Judës-tradhëtar e Krishtit – lider ka gjithë kuptimin dhe logjikën e botës dhe historisë njerëzore. E kundërta është absurde.

Atëhere pse duhet të ndodhë pikërisht ky absurditet në politikën shqiptare?

Tosi me timon, Veri me tepsi dhe Edi me të dyja. Nga prof.ass.dok Koçi FOSI


Tosi ka qenë një djalë shumë i mirë, prej një familjeje të ngritur, që kishte fiksim timonin. Edhe kur u rrit e u bë i madh, Tosi dilte tek Libri Universitar me një gjë të rrumbullakët në dorë e ia bënte me gojë:
– Pyyyyy! Brrëm, brrëëëm! MmmMMMM
..madje Tosi i binte edhe burisë:
– Ty tyyy! Hape rrugën!! Brrmmmmmm!!!
Dhe në dorë kishte gjithnjë një timon, o prej teli të rrumbullakosur, o prej druri. Ç’të gjente. Mjafton që në fantazinë e tij ajo gjë e rrubmullaktë të kish formën e një timoni dhe ai të bënte xhiro në trotuaret rrotull Bllokut si i vetmi timonier.
Ndërsa Ver Llapa, edhe për neps edhe për bast, ka ngrënë me katër çapa një tortë të madhe, nga ato 100 lekshet dikur. Edhe Veri i vetëm! Të gjithë tepsinë me tortë për vete.
Të dy këta personazhë të dashur e të famshëm për Tiranën mu kujtuan sistematikisht këto ditë, kur Edi Rama do gjithë timonin dhe gjithë tepsinë për vete. Për koinçidencë, Verin e ka patur komshi në lagjen ku është rritur, ndërsa Tosin, komshi ke daja Spiro.

Lamtumirë Partia Demokratike! Lavdi Republikës së re, me në krye Lulzim Bashën!!




PD siç e kemi njohur, tashmë nuk ekziston më. Varianti simetrik i “rilindjes” së Ramës , “republika e re” e Bashës, e ka zëvendësuar. Një pjesë e militantëve, edhe pse e ndjejnë thellë kafshimin, luten: “Zot bëje ëndërr”! Të tjerë, mjeshtra të përshtatjes, bëjnë sikur janë më të zjarrtë se kryetari vetë dhe mbushin facebook -un me mesazhe triumfi, me “urra” për kryeministrin e ardhshëm Basha, me sulme publike e në grup kundër ndonjërit që thotë të vërtetën…

…Grushti i parë që shushati demokratët ishte marrëveshja. Që nga mënyra si erdhi e deri tek zbatimi, kaloi pa pyetur e pa përfillur njeri a forume në PD. “E mo mirë! Kryetari di ç’bën”! – nisën servilizmat. “Fi – to -re! Fi – to – re!” “Ramën e thyem!” “Basha kryeministër!”. – vazhdoi koncerti , që më pas u konvertua në “Fitoi Shqipëria, shuhet LSI -a”!

Pastaj erdhën ato të flamosura lista. Dëng! Çomagia e dytë e fuqishme kokës. “E mo mirë! Do bëjë lista e veta ai! Basha di ç’bën”! – dhe me ankth nisën të shohin shoshoqin së pari për të gjetur vendin e punës nesër e së dyti për ndonjë spiunllëk tradicional, të vlefshëm si biletë për t’iu afruar sadopak liderit të PRR (Partisë Republika e re)

Pastaj nisi fushata pa simbolet tradicionale të PD – së. Pastaj u ngrit shtabi elektoral, pa funksionarë e drejtues të demokratëve…. por me po ata që kullandrisën çadrën! Ai që mbante mungesat….një i familjes në shtab, bashkë me punonjësen që organizonte çadrën e me rradhë. Enon, Bardhin e të tjerët, për të cilët kryetari tha se “i duheshin për të organizuar fushatën prandaj nuk i futi në listat për deputet” nuk i futi as në shtab.

Kandidatët? Një pjesë të madhe prej tyre as i ka patur ndonjëherë me vete në këtë fushatë dhe as i ka prezantuar.

Në takimet – sidomos ato marathonomake, ku takon popullin fukara, e në vendt t’i shpjegojë ç’u bë me drogmenin dhe mafiozin Edi Rama u jep sihariqin e dividentit zero – është VETËM! Nuk i shkon njeri nga pas? Joooo! As që bëhet fjalë! Sot më shumë se kurrë rradha për t’i vajtur pas është më e gjatë se ç’mendohet. Të gjithëve që pa doganë Basha u ka thënë e u thotë “PO”, po i kthejnë borxhin. E gënjejnë si derr duke i shprehur devocion e pohim e ndërkohë hapin sytë të kapin copën që munden. Po pse vetëm pra?

Sepse kjo është fushata Basha për t’u bërë kryetar i Partisë Republika e Re, me materialin që mbetet nga ish Partia Demokratike. Si në ato argjendaritë ku shkruhet “mbledhim flori të përdorur”, në mënyrë të pashkruar edhe Luli ka lëshuar të njejtin apel. Kush do t’i bashkohet partisë së re, mjafton të shprehë nënshtrim e devocion deri në pështirosje që të ketë një vend në “Republika e re. sh.a”. Të tjerët? Të ngrohen në diell

Një pjesë e mirë e forumeve të Partisë, siç është kryesia, këshilli kombëtar etj, janë duke pritur datën 25 qershor, njëlloj si dikur garipat e shkollës prisnin të binte zilja e të të kapnin përtej avllisë për sherr. Por në rastin Basha e kundërta po ndodh! Ai dhe sh.a -ja po punojnë fuqishëm pikërisht për 26-ën! Ju kujtohet nata e votimeve të 21 qershorit 2015 ku në gjithë Shqipërinë PD – ja po humbte dhe kryetari i saj, me entuziazmin karakteristik shpallte LIVE në TV fitoren?

E pra, atëhere ishte vetëm! Sot , jo vetëm që s’është vetëm brenda partisë, por ka edhe një aleat të fuqishëm: Ramën e marrëveshjes! Duket se shumë plante kryetari i Partisë “Republika e re” i ka mbështetur pikërisht tek kryeministri i sotëm dhe marrëveshja e 17 majit. Edhe tek aftësia personale për të gënjyer, tradhëtuar dhe futur të tjerëve. Pikërisht kjo mbetet për t’u vërtetuar! Pra, nëse një besprerë i lindur, intrigant profesionist e me përvojë si Edi Rama do ta mbajë në lojë pas të dielës rival – ortakun apo do ta lëshojë? Apo, më keq akoma, do ta hajë nga intrigat e liderit të forcës “republika e re.sh.a” ?Ky password ka për të zbërthyer shumë pikëpyetje.

…deri atë ditë, gjithë anëtarësia e ish Partisë Demokratike duket se do të vazhdojë të lutet: ZOT BËJE ËNDËRR!!

Nga Armir SHKURTI : Ça demokracie presim nga turma analfabete?


Para nja dy netësh Silvio Berluksoni , ish kryeministri i Italisë, i ftuar tek Porta a Porta, e Fevziut të Italisë, Bruno Vespa, bëri një deklaratë të pazakontë: “Lindja e Mesme nuk mund të ketë regjime demokratike”. Dhe shpjegimi që bën Berluskoni është i thjeshtë: Aty nuk ka arsim dhe kulturë! Më tej Berluskoni shpjegoi se pse Gedafi ishte ai që mbante në paqe 105 tribu, në sherr të përjetshëm me njëri – tjetrin, se pse gjenerali Mubarak u zëvendësua me një tjetër gjeneral në Egjipt…

Po le të rrimë tek koncepti i arsimit dhe kulturës në demokraci. Secili nga ne, të paktën një herë në këto 27 vjet, kur është gjendur para një idioti ka menduar a ka thënë: votë kam unë, votë ka edhe ky! Ti ke studiuar vite e vite në universitet, ke lexuar më pas libra letërsie a shkence, ndjek politikën globale e shqiptare, studion politikanët dhe politikat dhe , në mëdyshjen a të votojë këtë rradhë filanin apo fistekun, të del para njëri me sytë e kuq nga alkooli dhe mjekrrën që shkëlqen nga dhjami i qofteve e ta dhjet: “Un’ jom i djatht/majt’ o vlla! Ne kena 25 vjet që votojm’ për Salën/Edin. Ene i hu me na vu ata, ate votojm’ e s’e ndrrojm’ gjall n’bot”! Se pse është i majtë a i djathtë as di ta shpjegojë e as ia ka haberin. Mos bëjmë shaka pastaj ta pyesim se ç’është e majta dhe e djathta!

Ti ke një votë, ai , me farë e me fis ka 20, 30, 50 vota! Ti ke shkollë, dije, kulturë, ai ka pordhë dhe fobi nga libri! A nuk është ky vendi ku nxënësin e 10 – ës e tallte gjithë klasa duke e etiketuar si “peshkopi”?

Ky kontingjent për fat të keq na dhuron pastaj qeverisjen. Ca tremben, ca blihen me miell a të holla, ca ndjekin idiotësinë kongenitale, të tjerë habiten me përralla tepsish e fotografi, të tjerë, që besojnë se s’duhet shkolla për të qenë i zgjuar, filozofojnë mbi batutat e njërit e rrobat e tjetrit…..

E nisa prej deklaratës së Silvio Berluskonit jo për gjë, por kur na vjen nga jashtë për ne është po aq e besueshme sa po ta kish zbritur Zoti nga qielli , si tabelat e Moisiut.

Ndërsa unë për vete dhe plot si unë besojmë se kur arsimi në Shqipëri të quhet “edukim”, kur skena të mos prodhojë shalë por art, kur votuesit të mos përplasen rrugëve ngaqë shohin facebookun në celular por të hapin librat në lulishte a në autobuz, kur të mos flasin e qeshin me kufje në vesh por të merren përditë me rritjen e fëmijëve dhe punët e tyre, mund të flitet për demokraci. Sot për sot…ta gëzojë Baftjari!

Prof.Dr. Enver Bytyçi : Pse nuk i fitoi apo pse i humbi Basha zgjedhjet?


Prof.Dr. Enver Bytyçi


Partia Demokratike doli më 25 qershor me 43 deputetë, ose me 7 deputetë më pak se në zgjedhjet e kaluara të 23 qershorit 2013, kur kishte dy legjislatura konsumimi në pushtet. Ndërsa Edi Rama mori timonin me 74 deputetë, dmth shumicën e kërkuar dhe planifikuar prej tij gjatë fushatës elektorale. U rrit gjithashtu LSI, duke u zotuar se do të jetë një opozitë e fortë në legjislaturën që vjen. Ndërkohë që Partia Demokratike ende nuk është deklaruar se çfarë pozicioni do të mbajë përballë dy forcave politike të fuqishme të majta, të cilat së bashku kanë zaptuar gjithë vendet në parlament.
Diskutimet që bëhen janë të shumta, të ndryshme. Nga çdo pikëpamje dhe pa asnjë mëdyshje përgjegjësia e humbjes duhet t’i faturohet kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha.Ai ka luajtur në fushën e betejës vetëm me kalin e shpatën e tij. Ka marrë vetë vendimet përkatëse, duke përjashtuar çdo konsultim me forumet drejtuese të PD-së. Qoftë dhe për këtë shkak, ai ngarkohet me përgjegjësi të plotë për humbjen, ashtu siç do të shijonte suksesin e fitores.
Zotin Basha e fajësojnë të gjithë. E fajësojnë ata që ai i la në hije, e fajësojnë idealistët, të cilëve u dhumbset Partia Demokratike, po aq sa edhe zotit Basha. E fajësojnë gjithashtu kundërshtarët e tij politikë të deklaruar, si dhe kundërshtarët e tij brenda radhëve të PD-së, të cilët iu bashkuan korit të korbave kundër saj. Pse? Sepse humbën privilegjet e dekadave. Sapo nuk e panë veten në listat e deputëtëve, një pjesë e tyre dolën hapur ose punuan nën rrogoz që Basha të pësonte humbjen e thëllë. Dhe këta nuk skuqen as nuk zverdhen. I japin vetes të drejtën madje të dalin e të thonë: “E shihni si doli fjala jonë! A nuk ju thamë se Basha anashkaloi forumet?! Tani pse duhet të bëhemi ne pjesë e fajit?!. Nuk e kërkojnë dorëheqjen e zotit Basha vetëm ata që kanë fituar nga lista e tij për të qenë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, disa servilë që ai i ka mbajtur afër në Bashki e në parti, disa sejmenë që ai i ka afruar për kontribute të dyshimta në PD.
Nuk dua të shkoj më tej në këtë format të kërkesës ose jo të Bashës për dorëheqje. Ai duhet ta marrë një vendim dhe ky vendim duhet të jetë në koherencë me pritshmërinë e demokratëve idealistë. Megjithatë shkaqet e humbjes së thellë të PD-së janë të disa dimensioneve. Nuk është vetëm Basha përgjegjës për humbjen, sidoqë është e duhet të jetë përgjegjësi kryesor.
Ja disa arësye pse Partia Demokratike i humbi ose pse nuk i fitoi zgjedhjet e 25 qershorit?
1. Më së pari analiza duhet bërë lidhur me raportin e qeverisë me zgjedhjet. Dy partitë kryesore në qeverisje, si dhe PDIU, u përfolën gjatë gjithë fushatës për manipulime, blerje e shitje votash, për përdorimin e grupeve kriminale dhe eksese të shumta në fushatë e në proces. Vetëm Partia Demokratike ishte jashtë kësaj skeme. Asnjë fakt, asnjë të dhënë për përdorimin nga ana e saj e pavare të pista ose grupeve kriminale e oligarkëve në zgjedhje. Se çfarë kanë përfaqësuar Sajmir Tahiri në Tiranë, Tomë Doshi në Shkodër, Granoz Ruçi në Fier, Mona në Elbasan, Gjushi në Durrës, Idrizi në Elbasan e në Dibër më mirë se Basha e di Rama, Meta, Idrizi dhe qytetarët e këtyre zaonave.
2. Të gjithë e pranojmë se shqiptarët ishin dhe janë të pakënaqur me qeverisjen e zotit Rama. Pakënaqësia duhej të përkthehej në mos votë pro PD-së, në votë kundër Ramës. Pjesmarrja e ulët ishte një lloj proteste. Por pakënaqësitë që ka shkaktuar Rama shkojnë përtej kësaj. Pse nuk ndodhi?
Duhet të jesh naiv të mendosh se këto zona e të tjera në Dibër, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Vlorë e Korçë nuk u dominuan nga presionet, joshjet me paratë e krimit e të drogës, etj. Fushata e batutave e Ramës ishte koopertura e nëntokës së manipulimit dhe intimidimit të zgjedhjeve. Zheji foli per gjeneralë të kësaj nëntoke, ku bëjnë pjesë përfituesit e krimit në trafiqe dhe krimit të koncensioneve të katër viteve qeverisjeje të Edi Ramës. Aq sa mund të thuhet se që prej ditës së parë në zyrën kryeministrore ai ka projektuar jo vetëm manipulimin, por edhe maskën e tij. Të paskrupullt u dëshmuan për blerje-shitje votash si Rama, si Meta, si Doshi, si Idrizi. Vetëm PD u distancua si gjithnjë nga kjo makutëri e pashoqe. Ky është shkaku kryesor i humbjes së PD-së. Por ka edhe shkaqe tjera, të cilat PD duhet t’i analizojë.
3. Kryeministri nuk manipuloi vetëm zgjedhjet, ai manipuloi edhe opozitën, vetë kreun e saj. Dhe kjo nuk është përgjegjësi e kryeministrit, aq më pak të një kryeministri që përveç intrigës nuk njeh asnjë rregull tjetër në marrëdhëniet politike e qytetare. Kjo është përgjegjësi e zotit Basha, direkt dhe personalisht e tij. Të besosh është virtyt. Por t’ia besosh maces mëlçitë në qafën e saj, është naivitet. Të besoje se një ministër teknik, pa kurrëfarë ndikimi në ministrinë që merr përsipër të drejtojë, të kontrollojë dhe të ndalë abuzimin me zgjedhjet e votimet, kjo ishte gafa më e pafalshme e zotit Basha. Edhe nëse hynte në zgjedhje, nuk duhej të nxirrte nga zjarri gështenjat për llogari të Edi Ramës. Pse e bëri? Nuk dua ta paragjykoj, siç bëjnë shumë të tjerë. Duhet të shpjegohet vetë. E ka për obligim.
Por më e mira do ishte të mos përzihej në çeshtjet e oranizimit të zgjedhjeve. Të mos pranonte as kreun e KQZ-së. E më pas të organizonte grupe të shumta për të faktuar me zë e me figurë shkeljet, ndoshta për të justifikuar një tërheqje nga zgjedhjet pesë orë para mbylljes së procesit të votimit. Nëse do vepronte kështu nuk fitonte PD, por do të fitonte demokracia e Shqipëria.
4. Gafa tjetër e radhës ishte akordimi për një kohë të gjatë i zërave PS-PD gjatë fushatës elektorale, ndërkohë që lufta politike kundër kanabizimit, përfshirjes në krim dhe përdorimit të bandave në fushatë do të duhej të ishte tema kryesore e sulmit opozitar. U duk sikur Rama dhe Basha do bënin mrekullitë! Mrekullia ndodhi, por ajo u shfaq në anën e Edi Ramës. I fituar doli edhe Ilir Meta, i sulmuar majtas e djathtas, para e mbrapa, krejt pa arësye nga ana e zotit Basha, ndonëse Rama kishte hallin se i iknin votuesit e tij të majtë! Fryma që krijoi çadra mund të ndizej më shumë, por nuk ndodhi pikërisht për këtë sjellje xhentelmenësh midis një europianisti dhe një kontrabandisti, bos i krimit dhe parave të drogës në Shqipëri.
5. Partia Demokratike nuk ka struktura. Basha ka angazhuar në organizimin e partisë njerëz teoricienë, pa pikë interesi për punë e jo praktikë, si Eno Bozdo, të cilët Basha i pompon për t’u dhënë më shumë arrogancë në raport me demokratët e thjeshtë. Arroganca e servilëve të Bashës në PD, të cilët krekosen në listën e tij edhe pse pameritueshëm, është një arësye e humbjes së Partisë Demokratike. Edhe për këtë fajtor është kreu i demokratëve dhe duhet të shpjegohet. E ka detyrë t’u thotë demokratëve pse grumbulloi rreth vetes njerëz që disa herë e kanë sulmuar dhe e kanë lënë në mes të rrugës Partinë Demokratike dhe njerëz pa përvojë! Pse grumbulloi njerëz që kanë lidhje të dyshimta me kundërshtarët e hapur të Partisë demokratike? Pse nuk kandidoi asnjë drejtor departamenti në listat e deputetëve? A kishte ndonjë hile të tipit të asaj që ndodhi kur u krijua PKSh (PSSH) më 1941-in?! Janë pyetje që duan përgjigje dhe këtë përgjigje duhet e mund ta japë vetëm zoti Basha.
6. Shkak i humbjes së Partisë Demokratike janë edhe disa ish të saj, të cilët kur nuk lexuan emrat e tyre në listën e re të kandidatëve për deputetë bënë thirrje për të mos votuar PD-në ose punuan nën rrogoz për t’i shkaktuar asaj humbjen. Jozefina Topalli e humbi të drejtën e kritikës që kur e shpalli veten kundër PD-së dhe u bë me dashje ose pa dashje bashkëfajtore me Bashën për humbjen e saj. Dhe pse? Se nuk iu prit derisa të gdhinte data 26 qershor! Fatkeqësi për një drejtuese të lartë të opozitës! Edhe ish-sekretari i Përgjithshëm u angazhua fort për dështimin e Bashës. Mjafton të ndjekësh një portal “demokrat” të tij dhe të shohësh sesa kontribute shtesë dha ai në favor të Edi Ramës e kundër partisë së tij, përmes së cilës mori jo vetëm pushtet, por edhe pasuri. Janë dhe nja dy emra të tjerë, të cilët ndikuan negativisht me deklaratat e tyre dhe e dëmtuan partinë që ata thonë se “e duan me shpirt”!
Ka dhe shumë arësye tjera pse Basha i humbi zgjedhjet. Dhe të gjitha do të duhet të jenë pjesë e një analize të thellë. Megjithatë duhet patur kujdes. Bashës as që duhet t’i shkojë në mendje ndonjë lloj qasje “miqësore” të hapur ose të fshehtë me Edi Ramën. PD duhet të konkurojë ndoshta katër vite, ndoshta më pak, me LSI-në për të bërë një opozitë jo vetëm parimore, por dhe të ashpër me një kryeministër që unë e shoh si rrezik kombëtar për të sotmen e të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...