2017-08-17

Zjarret në verë ishin të qëllimshme, u dogjën gati 1600 hektarë pyje dhe kullota


Mjete e papërshtatshme, personeli i patrajnuar dhe dështimi i shumë bashkive për të ngritur në kohë drejtoritë e mbrojtjes nga zjarri, e ka vështirësuar betejën e vendit me flakët gjatë kësaj vere të nxehtë, ndërsa dhjetra-mijëra hektarë janë bërë shkrumb e hi.

Image result for Lindita Çela

Nga Lindita Çela

Mijëra hektarë pyje, shkurre dhe kullota janë shkrumbuar në mbarë vendin në muajin gusht dhe vetëm gjatë 72 orëve të fundit numërohshin 19 vatra zjarri, ku më i rrezikshmi konsiderohej zjarri i rënë në afërsi të tunelit të Kërrabës, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan.

Flakët kanë përpirë sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh edhe në zonat e mbrojtura ndërkohë që punonjësit e emergjencave civile ankohen se punojnë me mjete të papërshtatshme dhe me një personel të pa trajnuar e të vogël në numër. Efektivë të zjarrfikësve i thanë BIRN se në të shumtën e rasteve ata janë të detyruar të shkojnë në operacione në zonat që nuk janë nën administrimin e tyre. Për shkak të terrenit malor dhe prodhimit të vjetër të makinave zjarrëfiks, mjetet në shumë rasteve i lënë në rrugë, pa arritur destinacionin.

Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit i thanë BIRN se vetëm 17 % e territorit pyjor administrohet prej tyre ndërsa pjesa tjetër prej pushtetit vendor, ndërkohë që gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve kanë konstatuar që shumica e bashkive nuk kanë ngritur drejtoritë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Me reformën e re administrative shërbimi i zjarfikses është në kompetencë e pushtetit vendore, ndërkohë që situata e rëndë ka bërë që të përfshihen forcat e ushtrisë dhe efektivë të policisë së shtetit.

Përgjatë 1 muaji në operacionet e shuarjes së zjarrit janë përfshire mbi 2800 ushtarakë, helikopterë dhe avionë të posaçëm të ardhur nga Greqia.

Në mbarë vendin janë regjistruar 87 vatra zjarri, ndërkohë që Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, deklaron se të shumtën e rasteve zjarrvënia është e qëllimshme.

Policia e shtetit ka arrestuar 17 perona si të dyshuar për zjarrvënës të qëllimshme ndërkohë që ka proceduar në gjendje të lirë 8 të tjerë.

Mijëra hektarë të shkrumbuar

Sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh, shkurresh, kullotash janë përpirë nga flakët ndërkohë që institucionet shqiptare nuk deklarojnë shifra përmbledhëse mbi sipërfaqen totale të shkrumbuar. Rasti i parë i zjarrit gjatë këtij sezoni u konstatuat 40 ditë më parë në Parkun Kombëtar të Lurës.

Raportimet e Ministrisë së Brendshme janë periodike sa i përket vatrave të zjarrit dhe pasojave të shkaktuara, ndërkohë që Ministria e Mbrojtës ka angazhuar në këtë betejë rreth 40 % të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë.

BIRN mblodhi dhe analizoi të gjitha deklaratat periodike të Ministrisë së Brendshme, që nga 1 Korriku deri më 11 Gusht 2017.

Referuar këtyre të dhënave, rezulton se sipërfaqja e djegur është 1582.05 hektarë pyje -përfshirë pisha, ah, shkurre dhe kullota. Qarqet më të prekura janë Tirana, Shkodra, Gjirokastra dhe Vlora.

Ndërsa sipas sistemit të monitorimit të zjarrit ‘European Forest Fire Information System, i cili është pjesë e sistemit ‘Copernicus’ të emergjencave civile të krijuar nga Komisioni Europian, në Shqipëri gjatë vitit janë djegur 15,228 hektarë pyje dhe kullota dhe janë regjistruar 87 vatra zjarri – 10 herë më e madhe

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi i tha BIRN se gjendja e zjarreve në vend mund të konsiderohej kritike por ai shtoi se situata është nën kontroll dhe efektivave të zjarrfikësve u kanë ardhur në ndihme dhe forcat e ushtrisë si dhe helikopter nga vedet fqinje.

Zjarret kanë prekur dhe zonat e mbrojtura dhe Parqet Kombëtare, ku për periudhën Janar-Korrik 2017, ka pasur 15 raste të rënies së zjarrit dhe mbi 500 hektarë pyje të djegur.

Zv.Ministri i Mjedisit Kledi Xhaxhiu i tha BIRN se gjendja është kritike dhe se në të shumtën e rasteve zjarrvëniet janë të qëllimshme.

“Nuk duhen përjashtuar dhe rastet aksidentale por na rezulton se të shumta janë rastet ku kemi të bëjmë me zjarrvënës të qëllimshme,” tha Xhaxhiu.

“Janë barinjtë apo dhe njerëz që për arsye të ndryshme i vënë flakën hapësirave të gjelbërua për të përfituar sipërfaqe toke të lirë,” shtoi ai.

Në mbarë vendin 17 persona janë arrestuar me akuzën e vendosjes së qëllimshme të zjarreve dhe 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Kodi penal shqiptar parashikon masa të rënda dënimi për vendosjen e qëllimtë të zjarrit në pyje. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Sipas Xhaxhiur një zbatim më i mirë i ligjit dhe denoncimi i rasteve të qëllimshme të zjarrvënës do minimizojë pasojat shkatërruese të zjarreve në vend.

Megjithëse Ministria e Mjedisit menaxhon vetëm 17% të territorit pyjor në vend, ku për shkak të zbatimit të reformës administrative territoriale pyjet dhe kullotat i kaluan pushtetit vendor, Xhahiu thotë se gjatë inspektimeve ka konstatuar se një pjesë e mirë e bashkive nuk kanë marrë masa për ngritje strukturave të mbrojtjes nga zjarri.

“Konstatojmë se në të shumtën e rasteve bashkitë ende nuk kanë ngritur strukturat e tyre të menaxhimit të territorit apo siç janë edhe drejtoritë e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.Kjo ka qenë dhe një arsyet pse pasojat e shkaktuara nga vatrat zjarrit janë më të mëdha,” nënvizoi Xhaxhiu.

Qarqet ku zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqe pyjore, sipas deklaratave zyrtare të Ministrisë së Brendshme janë Tirana ku janë djegur një sipërfaqe prej 202.9 hektarëv, Shkodra me 226.1 ha të djegura, Vlora me një sipërfaqe prej 454.6 hektarë të djegur dhe Gjirokastra me 111.55 hektarë.

Bashkia Tiranë dhe Shkodër nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi masat e marra nga ana e tyre për ndërtimin e stukuarve të Mbrojtës së zjarrit.

Ndërsa problematika e menaxhimit strukturave vendore pranohet nga drejtuesit e zjarrfikësve në Gjirokastër dhe Vlorë.

Drejtori i kabinetit të bashkisë Gjirokastër Entela Bani, i tha BIRN se në këtë qark është ngritur shtabi i emergjencave ku është instruktuar personeli për vëzhgimin e zonave, kryesisht për zonat e mbrojtura, si Qendra Historike e Gjirokastrës . Nga agjencitë në varësi të bashkisë, si Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Agjencia e Shërbimeve Bujqësore, Mjedisore e Veterinare janë ngritur grupe vullnetarësh, të cilët janë trajnuar pranë MZSH Gjirokastër.

Beteja me flakët

Më 1 korrik, Policia e Shtetit lajmëroi se 2 hektarë pyje u dogjën në Lurë, në Qarkun e Dibrës. Komunikata tregonte se me mjete rrethanore u bë e mundur shuarja e vatrës së zjarrit dhe se Emergjencat Civile në bashkëpunim me struktura vendore të Mbrojtës nga Zjarri dhe Shpëtimit e kishin situatën nën kontroll.

“Shërbimi vendor i MZSH Dibër, ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dhe punonjës nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe banorë të zonës. Pas një pune të gjatë zjarri është shuar,” thuhet në komunikatën zyrtare.

Në Lurë zjarri u shua me mjete rrethanore ndërsa në skajin tjetër të Shqipërisë, në Gjirokastër, makina e zjarrfikëses e nisur për ta shuar zjarrin mbeti e prishur rrugës.

Në të shumtën e rasteve flota shqiptare e zjarrëfikseve përbëhet nga makina të prodhuar para vitit 90-të dhe personeli nuk është i trajnuar mirë për ndërhyrjen në rastet e shuarjen e zjarrit apo dhe emergjencave civile.

“Ne si Bashki kemi në dispozicion 4 zjarrfikëse e ndodh shumë herë për shkak të terrenit dhe vitit të prodhimit të tyre që makina të na lë në rrugë. Përveç kushteve, si nxehtësia shumë e lartë dhe territorit tepër malorë, ne jemi të detyruar të shkojmë në operacione bashkive të tjera, Delvinë, Finiq apo edhe Përmet, për shkak se këto bashki ende nuk kanë ngritur strukturat e mbrojtjes dhe ndërhyrjeve të zjarrit.”- tha drejtori i Policisë së Zjarrfikësve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtim në Bashkinë Gjirokastrës, Kujtim Bizha.

Mungesën e personelit, teknologjisë dhe përfshirjen në operacione të bashkive fqinje e pranon dhe Fatmir Numani, i PMNZSH-së në Vlorë.

“Qendrat më të mëdha të zjarrit ne i kemi pasur në bashkinë Selenicë apo dhe Himarë ku edhe kemi ndërhyrë ndërkohë që personeli që kemi në dispozicion është shumë i vogël për të përballuar këto situata të rënda,” tha Naumi.

Me zbatimin e reformës së re territoriale, bashkitë duhet të marrin masa për sigurimin e mbulimit të territorit me shërbim të MZSH-së, duke organizuar dhe ngritur stacione dhe shërbim zjarrfikës, të kompletuar me personel, automjete dhe teknikë zjarrfikëse të gatishmërisë së përhershme.

Por sipas drejtuesve të MZSH-së që BIRN foli në të shumtën e rasteve , këto drejtori kthehen në zyra punësimi për militantë dhe pak interes tregohet në investimet në teknologji, si zjarrfikëse apo dhe kostume mbrojtëse dhe trajnime të efektivave të zjarrfikëseve.

Sipas ligjit, stacionet MZSh-së duhet të jenë në gatishmërisë të përhershme dhe çdonjëra prej tyre duhet të ketë jo më pak se 14 zjarrfikëse.

Ndërsa një vendim i Këshillit të Ministrave i prillit 2017, me objekt “Për miratimin e listës së bashkive, të cilat do të ngrenë stacione të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, kërkon që strukturat e këtij shërbimi të ngrihen pranë ccdo bashkie në rang vendi brenda vitit 2018.

BIRN

Fjalimi i plotë i ambasadores Vlora Çitaku në Këshillin e Sigurimit


Ambasadorja kosovare në Uashington, Vlora Çitaku mbajti fjalim në mbledhjen e sotme të Këshillit të sigurimit.

Fjalimin e saj të plotë mund të lexoni këtu:

“I nderuari Zotëri President, Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit, I nderuar përfaqësues special i Sekretarit Gjeneral, Zonja dhe Zotërinj.

Jam e kënaqur që jam këtu dhe që iu shoh çdo tre muaj, por më lejoni t’ua rikujtoj pse jemi ne këtu. Me datën 10 Qershor të vitit 1999, rezoluta 1244 ishte adaptuar për qëllim që të zgjidhte situatën humanitare shumë të rëndë që mbizotëronte në Kosovë, dhe të garantonte kthim të sigurt të gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre, pas pasojave të një lufte të tmerrshme dhe një spastrimi etnik. Ju lutem tentoni dhe lexojeni përsëri UNSC 1244 (1999) vetëm për një moment, dhe ju do të humbisni teksa flasim për shtetin që më nuk ekziston – ish Jugosllavinë.

Përderisa UNMIK-u ishte vendosur për një periudhë prej 12 muajve, vazhdoi dhe jo as 12 vite, por edhe sot pas 18 viteve ne jemi këtu shkaku i kësaj rezolute – e cila meqë ra fjala nuk kërkon nga Sekretari Gjeneral të raportojë në Misionin e Përkohshëm të Administratës së Kombeve të Bashkuara çdo tre muaj. Prandaj le ta mbajmë këtë reale dhe le t’i sjellim fund UNMIK-ut. Kohërat kanë ndryshuar qysh nga viti 1999. Kosova sot është e lirë dhe një shtet sovran.

Nuk ka asnjë nevojë për UNMIK-un që të jetë i pranishëm, pasi nuk ka asnjë rol, asnjë funksion, përveç disa iniciativave të vetë-zbuluara, që po formohen për të justifikuar ekzistencën e tyre. Më shumë se 36.5 milionë dollarë shpenzohen çdo vit për të mbajtur një mision, mandati i të cilit ka marrë fund para 4 viteve. Imagjinojeni zonja dhe zotërinj, miliona refugjatë rreth e rreth botës, në numrin më të madh qysh nga Lufta e Dytë Botërore – 65 milionë prej tyre, jam e sigurt që milionat e UNMIK-ut mund të vendosen në përdorim më të drejtë.

Është e dhimbshme të harxhosh paratë e taksapaguesve për projekte të pamenduara dhe ripërtëritëse. Në vend që të zvogëlojnë buxhetin e UNMIK-ut dhe të rikthejnë fondet e pashpenzuara për misionet shumë të nevojshme të mbajtjes së paqes, UNMIK-u i investon në panele solare permanente, në një ndërtesë të marrë me qera.

Shtetet anëtare duhet të veprojnë në këtë që është përmendur shumë herë në këtë dhomë të respektuar, në zvogëlimin e misioneve në shumë nivele, dhe sjelljen e tyre drejt fundit. Për më tepër, në një kohë kur bota përballet me sfida dhe kriza serioze në të gjitha kontinentet, ne vijmë këtu dhe marrim kohën tuaj të çmuar, vetëm pse fqinji ynë verior insiston në një maskaradë. Muajin e kaluar liderët e Ballkanit perëndimor u takuan në Trieste për të diskutuar marrëdhëniet ekonomike mes shteteve tona. Tani, në takimet dhe forumet në Berlin, Kosova është një anëtar i barabartë.

Kur takohemi në Berlin, Vienë apo Paris, Serbia dhe Kosova ndajnë tavolinën e njëjtë si të barabartë, si dy shtete. Flamuri ynë duke qëndruar pranë flamurit të tyre nuk është problem për Serbinë. Pyetja është, pse ata insistojnë në këtë asimetri, në këtë format këtu? Pse kjo ndarje në gjysmë po tolerohet, kur është e çartë se po keqpërdorohet për të projektuar një imazh që nuk është i njëjtë me realitetin? Në fakt, a mund të supozoni çfarë do të ndodhte nesër po të mos mbahej takimi sot? Më lejoni të ju tregoj, asgjë nuk do të ndodhte. Unë e di këtë, kolegët e mi nga Beogradi e dinë këtë, të gjithë e dimë këtë.

Nuk e shoh këtë vetëm të panevojshme, por gjithashtu të papërgjegjshme nga ana jonë, të vijmë këtu dhe t’iu shqetësojmë me debate të panevojshme, në një kohë kur vëmendja kërkohet në sfida dhe probleme reale, ku Kombet e Bashkuara kanë një rol të rëndësishëm. Kosova në ndërkohë, me 11 Qershor mbajti për herë të tretë qysh prej pavarësisë zgjedhjet demokratike, dhe këto ishin zgjedhjet më të suksesshme, më konkurruese dhe më paqësore.

Dalja në zgjedhje ishte e lartë sidomos në komunitetin serb. Vëzhguesin ndërkombëtarë kanë vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të Kosovës kanë përmbushur standardet ndërkombëtare, me përjashtim të Kosovës veriore, ku liderët lokalë serb përballeshin me presion e kërcënime, shpesh nga vetë shteti serb. Si në të gjithë proceset demokratike, ne jemi në fazën e krijimit të qeverisë, dhe teksa ne po flasim sot, seanca konstituive parlamentare po vazhdon takimin për të mbërritur kuorumin që të zgjedhë organizmin dhe parlamentin e shtetit. Pavarësisht nga dallimet dhe mospajtimet, të gjitha partitë politikë në Kosovë ndajnë qëllimin e njëjtë, atë të integrimeve Euro-Atlantike, në këtë mund të jeni të sigurt.

Teksa rrugët tona drejtë Bashkimit Evropian janë mbyllur me hyrjen në fuqi të SAA, tani ne jemi të fokusuar më shumë se kurrë në nisjen e një procesi për Partneritet dhe Paqe me Nato-n. Në këtë kontekst institucionet kosovare kanë punuar shumë, së bashku me partnerët tanë për të përmbyllur procesin e transformimit të Forcave të Sigurisë, në Forca të Armatosura.

Ne për një kohë shumë të gjatë kemi qenë konsumatorë të sigurisë, ne besojmë që është koha jonë për të përmbushur detyrën tonë prej sovrani dhe të themelojmë forcat tona të armatosura, por gjithashtu të kontribuojmë edhe në infrastrukturën regjionale dhe ndërkombëtare të sigurisë. Sfidat me të cilat përballemi sot janë të pakufishme, dhe ato kërkojnë që ne të punojmë së bashku, krah për krah. Kosova nuk mund të lejojë të jetë një vëzhgues i qetë, ne dëshirojmë të jemi pjesëmarrës dhe kontribuues aktivë. Ne i jemi falënderues Zëvëndës-Presidentit Pence për deklaratën e tij para dy javëve në Podgoricë, në samitin e Kartës së Adriatikut, ku ai shumë qartë e artikuloi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësim në këtë organizatë. Ne do të bëjmë gjithçka nga ana jonë që t’i bindim qytetarët serb të Kosovës se ushtria e Kosovës është edhe ushtri e tyre, dhe nuk ka asgjë se pse të frikësohen. Është kënaqësia ime tu informoj se kemi filluar të korrim frytet e përpjekjeve tona.

Muajin e kaluar me datë 7 Korrik, Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë organizuar ceremoninë për diplomimin e 61 kadetëve të rinj, 58 serbë të Kosovës dhe 3 Malazezë të Kosovës. Sot ata janë anëtarë aktiv të FSK-së, duke shërbyer në të gjitha njësitë e FSK-së. Përderisa ne do të flasim me banorët tonë serb duke iu drejtuar të gjitha shqetësimeve të tyre, ne nuk do të lejojmë askënd ta ketë fuqinë e veto-s mbi këtë proces.

Gjatë muajve të kaluar, ne jemi përballur me një qëndrim shumë agresiv dhe jokonstruktiv të fqinjëve tonë nga veriu. Në vend që të normalizojnë lidhjet, Serbia ka krijuar pengesa të panevojshme në forume të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare. Mos të përmendim shkeljen mbi implementimin e marrëveshjes së Brukselit, disa prej të cilave janë bllokuar tërësisht, si në energji, drejtësi dhe njohjen e diplomave. Të tjera janë penguar në faza të ndryshme të implementimin si marrëveshja mbi kadastër, mbrojtja civile, revitalizimi i urës në Mitrovicë, revitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën e Veriut, çmontimin e plotë të strukturave paralele që janë në Kosovë e të tjera. Sabotimet vazhdojnë, dhe gjëja që brengos më së shumti është dualizmi i Serbisë në implementim, teksa vazhdon të pretendojë se po implementon marrëveshjen, dhe vazhdon të përkrahë strukturat paralele në Kosovë, duke përfshirë edhe komunat ilegale në veri dhe pjesë tjera të Kosovës.

Ne gjithmonë flasim për normalizimin, por normalizimi nuk mund të jetë i njëanshëm. Normalizimi dhe pajtimi nuk mund të arrihen duke harxhuar të vërtetën dhe drejtësinë.

Një nga veprimet e fundit të turpshme të Serbisë ishte ndalimi i vizitës së ish-presidentes Atifete Jahjaga në Beograd për të qenë pjesë e një ngjarje, që kishte për qëllim që t’i jepte shtytje dialogut mes dy shteteve. Zonja Jahjaga do të ishte pjesëmarrëse e një promovimi të librit, që përmban dëshmi nga gra të torturuara dhe dhunuara gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Pranimi i së vërtetës për krimet e luftës në Kosovë është mënyra e vetme se si dy shoqëritë mund të lëvizin para. Pasi presidentja Jahjaga nuk kishte mundur të lexonte fjalimin e saj në Beograd, unë dua ta lexoj një pjesë të tij këtu: “Historitë e prezantuara në libër nuk janë vetëm histori torture dhe abuzimi, ato janë histori të një torture më mizore. Këto janë histori se si dhunimi është përdorur si vegël e luftës, këto janë histori të një vërtete që tentohet të fshihet e të groposet.

Ndër vite, unë kam takuar me qindra të mbijetuar të sulmeve seksuale gjatë luftës, në pjesë të ndryshme të vendit tim. Me kujdes e durim, kam dëgjuar të gjitha historitë e tyre, kam qarë me ata që kanë pasur nevojë të qaj me ta, dhe kam qëndruar e fortë për ata që kanë pasur nevojë të jem e fortë. Kam dëgjuar histori për një femër nga regjioni i Drenicës e cila ishte dhunuar nga shumë persona të paramilitarëve serb për 6 muaj të tërë.

Kam folur me një grua në Gjakovë trupi i të cilës ishte gjymtuar gjatë kohës që ajo ishte dhunuar. Së fundmi kam takuar një fëmijë të një të dhunuare nga lufta, e cila ka vdekur pa pranuar drejtësinë që ka shpresuar për shumë e shumë vite. Vërtet shpresoj që ta lexoni këtë libër, ndajeni me shokët dhe familjen, kërkoni nga qeveria juaj të dënojë keqbërësit, dhe thërritni për pajtim me fqinjët tuaj. Nuk duhet të lejojmë askënd të na mbajë peng të së kaluarës.

Viktimat e këtyre krimeve nuk do të mund të gjejnë paqe përveç nëse kriminelët që i kanë bërë ato sillen para drejtësisë. Ky është një parakusht për një paqe të gjatë, marrëdhënia të mira fqinjësore dhe të ardhme të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme. E ardhmja e vendeve tona qëndron në duar tona, le të jetë një e ardhme e pajtimit dhe paqes” Zonja dhe zotërinj Në dy ditët e fundit një debat i ri ka nisur në Serbi, një nisur nga presidenti serb duke kërkuar një “marrëveshje historike” mes Serbisë dhe Kosovës, duke thirrur për një kompromis.

Propozimi i Ahtisarit ishte një kompromis i vështirë dhe i dhimbshëm, tani befasisht kompromisi është bërë situata jonë? Kjo nuk do të qëndrojë. Duke rishikuar idetë për zgjidhje përreth vijave etnike është e rrezikshme për tërë rajonin. Nëse refuzojmë multi-kulturizimin dhe diversitetin etnik mes dy shteteve tona, midis dy kufijve tonë, atëherë si mendojmë ne të ekzistojmë së bashku me Bashkimin Evropian, në një botë të pavarur dhe të lidhur. Më lejoni t’ua them qartë dhe me zë të lartë, Kosova nuk është projekt i përkoshëm, Kosova është këtu të qëndrojë përgjithmonë. Normalizimi dhe pajtimi nuk mund të arrihen përmes ndarjes dhe nënshtrimit. Zonja dhe zotërinj Ky debat nuk mjafton për të treguar si është Kosova sot, Kosova është një vend në zhvillim ku të rinjtë tonë dallohen në fusha të ndryshme çdo ditë. Muajin e kaluar gjashtë nga të rinjtë tonë, tre vajza dhe tre djem ndërtuan veturën e parë elektrike evropiane në Gjakovë, Ky shembull i jashtëzakonshëm i talentit nuk na bën vetëm ne krenarë për të rinjtë që kemi, por ata përmes zbulimeve të tyre po edukojnë pjesën tjetër për një ndërgjegjësim për të përdorur veturat elektrike dhe për të zvogëluar ndotjen e ajrit dhe zhurmën e trafikut.

“E ardhmja nuk është e shurdhër” për kosovarët, ashtu sugjeron edhe ngjarja më e madhe kulturore, Dokufest. Dokufest morri pjesë javën e kaluar në vendin e bukur të Prizrenit. Kosova nuk ka shkollë filmi, por është nikoqire e një nga festivaleve më të mira të Dokumentarit dhe Filmit në botë. Kjo është prova më e mirë për të treguar potencialin që po rritet çdo vit, duke sjellë njerëzit së bashku, duke punuar jo vetëm me producentët dhe artistët më të mirë nga rajoni, por edhe nga e gjithë bota – duke sjellë Kosovën aty ku i takon. Ju faleminderit”

SI I FSHEHËN SERBËT FOTOGRAFITË 150 VJEÇARE PËR SHQIPËRINË

Robert Elsie

Robert Elsie


Fotografitë e marra nga Vjena të fotografit Josef Sekelit, i cili i ka bërë gjatë vitit 1863 me një ekspeditë austro-hungareze në Shqipërinë veriore, në Kosovë dhe Maqedoni, të udhëhequr nga Johan Georg fon Han, duket se do të mbeten të parat fotografi të bëra ndonjëherë të këtë rajon të Evropës Juglindore, shkruan albanologu i njohur Rober Elsie. Johan Fon Hahn, dijetar gjerman (1811-1869) konsiderohet zakonisht si babai i studimeve të albanologjisë. Ai ka punuar për autoritetet ligjore të Mbretërisë së porsakrijuar të Greqisë. Nga 1843-1847, ai përfaqësoi konsullatën prusiane në Athinë , dhe pastaj transferohen si zëvendës konsull në konsullatën austriake në Janinë, ku ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi të mësonte gjuhën shqipe. Hahn e vizitoi tre herë Shqipërinë gjatë viteve të qëndrimit të tij në Janinë dhe mbledhur më shumë informacione mbi historinë shqiptare ,filologjisë dhe folklorit.
Materialet i botoi në tri vëllime Albanesische (Studime shqiptare), Jena 1854, më të cilat ai hodhi themelet për studime shqiptare multi- disiplinore. Ai njihet edhe për vëllimin Griechische und Albanesische Märchen (Përralla greke dhe popullore shqiptare), Lajpcig 1864, dhe ka shkruar për punën që ka bërë me ekspeditat e tij në Ballkan, Reise von Belgrad nach Salonik (Udhëtim nga Beogradi në Selanik ), Vjenë 1861 , dhe Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar ( Udhëtimi nëpër rajonin e Drinit dhe të Vardarit), Vjenë 1867, 1869. Udhëtimi i fundit nga gushti deri në nëntor të vitit 1863 ka qenë kur Hahn dhe shokët e tij nisen nga Durrësi dhe Shkodra në bregdetin e Adriatikut deri në lumin Drin duke shkuar për në Prizren në Kosovë, përmes Maqedonisë perëndimore dhe pastaj poshtë lumit Vardar në Selanik (Selanik) në Detin Egje. Interesat e tij për Shqipërinë dhe Ballkanin jugperëndimor ishin të një spektri të gjerë..

Në rrjedhën e këtij udhëtimi përveç kërkimeve etnografike, ai ndoshta padashur hodhi themelet e historisë së fotografisë në Ballkanin jugperëndimor. Ekspedita e 1863-shit rezultoi me një koleksion prej pesëdhjetë fotografish të cilat janë ndër më të hershme të bëra ndonjëherë në rajonin e Ballkanit. Në fillim të viteve 1860, Hahn kishte filluar përgatitjet për ekspeditën deri në lumin Drin, ku ai vuri në dukje se : është më pak i njohur nga të gjithë lumenjtë e Evropës, megjithëse derdhet në Adriatik dhe është vetëm dhjetë milje nga kufiri jugor të perandorak në territorin (Austro – Hungarez)… Më 23 qershor 1863, Hahn i shkroi Akademisë së Shkencave në Vjenë, duke kërkuar një fotograf kompetent që ta shoqëronte dhe bënte fotografi të qyteteve dhe të terrenit malor. Akademia propozoi njëzet e pesëvjeçarin Josef Széleky dhe i vuri në dispozicion fondet e duhura për ekspeditën.

Dr.Jozef Sekeli (1838-1901) lindi në Sümeg pranë liqenit Balaton në Hungarinë perëndimore dhe u shkollua në Szombathely. U diplomua në Universitetin e Vjenës për master në farmaci dhe në vitin 1862 u lauerua me doktoraturë në kimi. Ai dha mësim në universitet për një farë kohe, por pastaj hapi një studio në Heinrichshof pranë Operës së Vjenës. Ai u bë një fotograf profesionist dhe reputacioni i tij u rrit shumë. Në vitin 1867 ai fitoi çmimin e bronztë në Panairin Botëror në Paris (ndoshta me fotografitë e Shqipërisë), dhe në 1878 ai fitoi një medalje argjendi në Paris.

Ekspeditat e Hahn-it nisën nga konsullata e tij në ishullin e Siros, Egje, derisa zbarkoi në Durrës, më 12 gusht 1863. Atje ai vuri re se: “Qyteti nuk ka ndryshuar që prej vizitës sime të fundit, trembëdhjetë vjet më parë, nuk ka as pesëdhjetë banorë më shumë. “Ai udhëtoi duke kaluar lumin Erzen, Ndroq dhe pastaj shkoi drejt veriut duke ecur përgjatë ultësirës bregdetare për në Shkodër. Këtu më 31 gusht 1863, ai u takua me Sekely-n e ri dhe togerin e marinës Hermann von Spaun (1833-1919 ) të cilët kishin arritur nga Tivari. Gjithashtu me grupin ishte edhe miku i vjetër i von Hahn-it , Dr Auerbach , i cili kishte shërbyer nga 1845 e këtej , si mjek i familjes së beut të Vlorës, si dhe prifti françeskan, Angelo Bardhi. Sekely ishte në Shkodër dhe bëri 8 foto shumë spektakolare.

Pa asnjë dyshim ato ishin të parat që ishin marrë ndonjëherë nga qyteti i Shkodrës dhe kështjella e tij e madhërishme. Nuk vonoi shumë dhe për ekspeditën u caktuan dy varka për të shkuar deri në lumin Drin, duke kaluar Dejën, Vjerdhën , Shurdhën, Komanin (që ka dy fotografi) dhe Dukagjinin. Lumi sa vinte ngushtohej e ngushtohej dhe u bë e pamundur që të lundrohej më tej. Sekeli, i cili kishte pajisje të rënda me vete ishte i detyruar të kthehej pas dhe niset në Shkodër me anije, kurse pjesa tjetër e anëtarëve të ekspeditës vazhdoi udhëtimin e tyre përgjatë luginës. Grupi u ribashkua në Prizren, i cili në atë kohë ishte qyteti më i madh në Shqipëri. Prizreni kishte një total mbi 46.000 banorë, prej të cilëve 36.000 myslimanë, 8.000 bullgarë dhe vllehë, dhe 2.000 katolikë. Ai kishte jo më pak se njëzetë e gjashtë xhami, si dhe dy kisha ortodokse dhe një katolike. Shkodra, Durrësi dhe Vlora ishin fshatra krahasuar me të.

Në fillim të shtatorit 1863, Sekeli bëri pesë fotografi të Prizrenit. Duke lënë pas Prizrenin, ekspedita u kthye në Drinin e Zi duke avancuar drejt jugut deri në Dibër. Në këtë rajon, i cili gëzonte një reputacion të dyshimtë, nuk kishin qenë kurrë më parë. Hahn shkruan: “Ashtu siç ishin ne të huaj, ashtu ishte kur u ulëm Lugina e Drinit të Zi midis qytetit të Dibrës dhe pikës ku dy degëve e tij bashkoheshin. Aty pretendohet të jetë një shpellë kusarësh dhe ndaj ajo është shmangur në këtë mënyrë nga fqinjët e saj. “Hahn ka kaluar nëpër rajon pa vështirësi, por ai nuk mund të kuptonte shqipen që flitej nga vendasit. Pasi mbërriti në Dibër më 21 shtator 1863, Sekely bëri vetëm dy fotografi, sepse gjatë kësaj kohe ishte duke luftuar me “makinën fotografike” dhe kutinë e pllakave që kishte sjellë me vete.

Ai kishte nevojë për më shumë kohë, ku i duhej plot një orë e gjysmë për të marrë një pamje shumë romantike të një shkëmbi masiv. Duke ikur nga Dibra ata vazhduan rrugën drejt Strugës në liqenin e Ohrit. Hahn-i ishte i hipnotizuar veçanërisht nga liqeni dhe shqoi trembëdhjetë lloje të ndryshme të peshkut në të. Ata vizituan manastirin e Kalishtës në qytetin e Ohrit me shumë kisha të bukura ortodokse të saj, dhe natyrisht më në fund edhe të famshmin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Manastirin e Shën Naumit në jug të liqenit. Von Hahn dhe grupi i tij qëndruan gati dhjetë ditë në Ohër, dhe Sekely kishte kohë të mjaftueshme për të fotografuar.

Fotografia e tij e Shën Naumit duket të jetë fotografia e vetme e manastirit, para se ai të shkatërrohej në pjesën më të madhe nga zjarri në vitin 1875. Prej Ohrit grupi vazhdoi rrugën për në Liqenin e Prespës dhe të avancoi në drejtim të lindjes, pikërisht aty ku dukej Manastiri ( Bitola). Kishte ardhur tetori. Manastiri ishte një qytet i madh dhe aty ishte kampi ushtarak i rajonit. Kështu Hahn u mirëprit nga gjenerali osman Faik Pasha, i cili kishte studiuar në Vjenë. Sekely ishte në gjendje që të merrte edhe disa fotografi interesante të një formacioni ushtarak osman përpara kazermave të tyre të mëdha, të ndërtuara në vitin 1839.

Nga Prilepi, ata udhëtuan mbi lumin Vardar për në Veles, ku gjetën një anije dhe mund të lundronin nëpër portën e hekurt të jugut (Demir Kapi ) deri Selanik në detin Egje. Pesë fotografitë të tjera janë marrë atje. Nga Selaniku Hahn dhe Sekely vazhduan rrugën në drejtim të lindjes të Trojës, në Azinë e Vogël. Që të dy, Sekeli dhe Johann Georg von Hahn ishin të vetëdijshëm për kontributin historik të kësaj ekspedite. Ai realizoi fotografinë më të mirë që askush nuk e kishte bërë në këtë fushë “Për fat të keq, botimi i fotografive qëlloi të ishte tepër i shtrenjtë për Akademinë e Shkencave të Vjenës dhe ata i kishin hequr nga botimi Hahn-it një raport të ekspeditës në vitet 1867 dhe 1869. Rezultati ishte që koleksioni i Sekelit që bëri fotografitë më të hershme të ndërmarra ndonjëherë në Ballkanin jugor ra në harresë.

Në vitin 1889, trembëdhjetë prej fotografive u shfaqën në vëllimin Makedonien und Alt – Serbien (Maqedoni dhe Serbia e Vjetër) nga Spiridion Gopçeviqi (1855-1936), por ata nuk iu atribuuan Sekelit dhe u lanë pa datuar. Pas kësaj ,koleksioni u zhduk për më shumë se një shekull, për t’u rizbuluar në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në vitin 2000 nga Mark Cohen. Fotografitë e Jozef Sekelit të Ballkanit Jugor në vitin 1863 në të vërtetë janë të një rëndësie të madhe historike dhe artistike.

Me përjashtim të një portreti të vetëm të rebelit Hamzë Kazazi (1834-1903) të bërë nga Marubi në Shkodër në vitin 1858, ato janë fotot e para të bëra për Shqipërinë.


****
Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të 'takimeve shkencore' midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.
Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet 90-të deri ne fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Evropës, etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Përmbledhje për Veprat e tij Shkencore
Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature(Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime. Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin Histori e letërsisë shqiptare, Pejë 1997, dhe polonisht me titullin Zarys historii literatury albanskiej (Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare), Torunj 2004. Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare në Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot), Hildës’hajm (Hildesheim) 1988; dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja (l. 1942) në Who Will Slay the Wolf: Selected Poetry (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju Jork 2000; Flora Brovina (l. 1949) në vëllimin Call Me by My Name: Poetry from Kosova (Verma emrin tim: poezi nga Kosova), Nju Jork 2001; dhe Eqrem Basha (l. 1948)në vëllimin Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova(S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju Jork 2003. Këto përkthime janë bërë në bashkëpunim me shkrimtaren kanadeze, Janice Mathie-Heck (Kalgari).
Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995.
Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg(Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997. Pas kësaj botoi edhe një përmbledhje tekstesh historike për Kosovën me titullin Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early Twentieth-Century Documents(Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë), Pejë 2002.
Në vitet e mëpasshme, Robert Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fejës, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëlliminLeksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005. Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001; dhe në bashkëpunim me Antonia Young (Bradford) dhe Ann Christine Eek (Oslo) botoi studimin antropologjik të fshatit kosovar nga antropologia norvegjeze Berit Backer (1947-1993), Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova (Prapa mureve të gurta: ndryshime në organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës), Pejë 2003. Pas kësaj ai botoi dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda (rreth 1888-1933), Albanisches Bauernleben im oberen Rekatal bei Dibra, Makedonien (Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë), Vjenë 2007.
Në fushën e historisë, me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, Elsie ka botuar – në bashkëpunim me Robert Dankoff (Universiteti i Çikagos) – dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesët e veprës Sejahatname të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje), Lajdën (Leiden) 2000, libër që doli edhe në shqip në vëllimin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje, Tiranë 2008. Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëlliminHistoria - më e vjetër - e Shqipërisë, Tiranë 2004. Elsie zbuloi dhe botoi gjithashtu dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) në Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), Pejë 2001, që doli shqip në vëllimin Udhëtime nëpër Ballkan, Tiranë 2007. Në bashkëpunim me Bejtullah Destanin (Londër), ai botoi ditarin e poetit dhe piktorit të njohur anglez, Edward Lear (1812-1888), në vëllimin Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (Edward Lear në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849, Tiranë 2008. Gjithashtu u botua një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, përkthyer nga gjuhë të ndryshme, Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries (Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11-17), Visbadën (Wiesbaden) 2003.
Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga masat e lexuesve perëndimorë, Elsie botoi dy manualë informativ për këto vende: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe Historical Dictionary of Kosova (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004, të cilët, me gjithë titullin ‘historik’, janë vepra informative të përgjithshme.
Përsëri në fushën e letërsisë, Elsie botoi një vëllim të ri të historisë së letërsisë, më të përmbledhur dhe më të shkurtër, në vëllimin Albanian Literature: A Short History, Londër 2005, që doli në shqip në vëllimin Letërsia shqipe: një histori e shkurtër, Tiranë 2006. Ai ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, prapë me Janice Mathie-Heck: vepra të zgjedhura të këngës epike të veriut në vëllimin Songs of the Frontier Warriors: Këngë Kreshnikësh, Albanian Epic Verse (Këngë kreshnikësh, poezia epike shqiptare), Uaukonda (Wauconda), Illinois 2004; tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Migjeni, në vëllimin Tales from Old Shkodra: Early Albanian Short Stories (Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare), Pejë 2004; vepra të përmbledhura poetike të Visar Zhitit (l. 1952) në The Condemned Apple (Molla e dënimit), Los Anxheles 2005; antologjinë e parë në anglisht të prozës bashkëkohore shqiptare në vëllimin Balkan Beauty, Balkan Blood: Modern Albanian Short Stories(Bukuria e Ballkanit, gjaku i Ballkanit: tregime bashkëkohore shqiptare), Evanston, Illinois 2006; romanin e Fatos Kongolit (l. 1944) The Loser (I Humburi), Brixhend (Bridgend), Uells 2007; veprat poetike të Azem Shkrelit (1938-1997) në vëllimin Blood of the Quill: Selected Poetry from Kosovo (Gjaku i penës: poezi të zgjedhur nga Kosova), Los Anxheles 2008; një antologji të plotë historike të poezisë shqipe Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry (Se fund’i ujit vetëti: antologji e poezisë shqipe), Evanston, Illinois 2008; romanin e Ornela Vorpsit (l. 1968) The Country Where No One Ever Dies (Vendi ku nuk vdes askush), Shampejn (Champaign), Illinois 2009; dhe përkthime të mëtejshme të poezisë gojore në librin e Anna Di Lellio-s The Battle of Kosovo, 1389, An Albanian Epic, (Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar), Londër 2009.
Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit.
Robert Elsie e ka mrekulluar edhe bota e fotografisë së hershme shqiptare. Në këtë fushë ai ka botuar dy albume të mëdha: Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani, Prishtinë 2007, i cili përfshin fotografitë e para të bëra ne Shqipëri (pesëdhjetë fotografi të fotografit vjenez Jozef Sékeli (Josef Székely) nga viti 1863), dhe koleksionet e baronit Franc Nopça, të Bajazid Elmaz Dodës, të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914. Ai ka botuar gjithashtu në një vëllim trigjuhësor – anglisht, frëngjisht, shqip, të fotografive të para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë, që janë autokromat e koleksionit Albert Kan (Albert Kahn) në Paris, me titullin Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913, Tiranë 2010.
Së fundi janë botuar për herën e dytë, të përditësuar dhe dukshëm të zmadhuar: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2010, me 660 faqe; dhe Historical Dictionary of Kosovo (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland 2010, me 451 faqe. Këta dy libra janë përkthyer edhe shqip.
Me gjithë se puna studimore dhe, si pasojë, botimet e Robert Elsie-t janë përqendruar kryesisht në albanologji, ai ka botuar edhe vepra të tjera: Dialect Relationships in Goidelic: A Study in Celtic Dialectology (Marrëdhëniet dialektore në goidelishten: një hulumtim në dialektologjinë keltike), Hamburg 1986; dhe antologjitë poetike The Pied Poets: Contemporary Verse of the Transylvanian and Danube Germans of Romania(Poetë të shumëngjyrshëm: poezia bashkëkohore të gjermanëve të Transilvanisë dhe të Danubit në Rumani), Londër 1990; dhe An Anthology of Sorbian Poetry from the 16th-20th Centuries (Antologjia e poezisë sorbe nga shek. 16-20), Londër 1990, si dhe një përkthim në gjermanisht të poetit të njohur grek Konstantin Kavafis (1863-1933) në vëllimin Konstantinos Kavafis: Das Gesamtwerk, griechisch und deutsch (Konstantin Kavafis: Veprat e plota, greqisht dhe gjermanisht), Zyrih 1997.
Vendi që zë Robert Elsie ndër radhët e albanologëve është rritur edhe më shumë pas viteve 1990-të me faqet e tij të njohura të internetit, të cilat i japin botës të dhëna të hollësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përveç faqes së tij personale www.elsie.de, Robert Elsie ka faqet: www.albanianhistory.net, e cila ofron një gamë të gjerë tekstesh dhe dokumentesh të historisë shqiptare; www.albanianlanguage.net, e cila përmban regjistrime zanore të më shumë se 150 të folmeve të shqipes nga dhjetë shtete, të incizuar kryesisht nga vetë Elsie, si dhe zërat e disa figurave të njohura shqiptare të së kaluarës; www.albanianliterature.net, që ofron koleksionin më të madh botëror të letërsisë shqiptare përkthyer në anglisht; www.albanianphotography.net, ku ndodhen koleksione të ndryshme të hershme fotografike nga Shqipëria dhe Kosova; dhe www.albanianart.net, që përmban një prezantim të artit pamor shqiptar (piktura e hershme shqiptare, veshje popullore etj.).

Ti hajn i Atdheut

Image result for elida buçpapaj


Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ


Ti hajn i Atdheut
na e vodhe Atdheun
me gjithë çatinë e qiellit e llampat e yjve mbi të
e tash retë e mallit derdhin rrebeshe rebelimi

Ti hajn i Atdheut
na bëre ta presim agimin
aty ku nuk na njeh as guri, as druri, as dielli e hëna

Ti hajn i Atdheut
na i vodhe jetët tona
trupëzimin e zakonshëm
të bijëve me Atin
që mbjell e rrit farën

pavarësisht kësaj,
Atdheu jemi ne
pa ne 3 milionë të ikurit
Atdheu është pa sy e gjymtyrë
pa ne 3 milionë të dëbuarit
Atdheu s’ka si të jetë Atdheu

Ti hajn i Atdheut
që ia këpute krahët
e ia thave shpirtin
që e le Atdheun me sytë nga rrugët
deti e qiejtë
që i kthejnë bijtë si turistë

bijtë e Atdheut nuk janë turistë
ata janë kocka dhe zemra e Atdheut
Atdheu pa ata
asht Atdhe i hajnave
jo i shqiponjave
ne jemi shqiponjat
kemi dy krena
lindur prej ankthit e mallit mbërthyer
që e jetojmë ndarjen me Atdheun
si nëpër balada
jemi edhe atje
edhe këtu
edhe këtu edhe atje
njëkohshëm

Ti hajn i Atdheut
që i ke mbushur xhepat
me qiellin e shqiptarëve,
me detin dhe rërën e shqiptarëve,
me pyjet dhe me ajrin e shqiptarëve,
sidomos me kohën e shqiptarëve
të ikur sa më larg lukunisë të hajnisë,
kuçedrës me shtatë krerë
që ua ka hajnuar
jetën shqiptarëve
brenda dhe jashtë Atdheut

Ti hajn i Atdheut
që na e vodhe detin tonë, tokën tonë, ajrin tonë, frymën tonë,
e na detyrove të marrim ikën nga Atdheu
që na detyrove t’i lindim e rrisim fëmijët larg Atdheut
që na detyrove t’u mbetemi borxh fëmijëve Atdheun
ti llum i Atdheut
ti fundurrinë e Atdheut
ti mallkim i Atdheut
të zëntë përfund
pesha e mallit e shqiptarëve që i dëbove nga Atdheu
të djegtë e shkrumboftë zjarri i mallit i shqiptarëve
që ti ua hajnove Atdheun

ti hajn i Atdheut
mos prit të të falim,
të të mëshirojmë
ne bijtë e vërtetë të Atdheut
harrikanët e dëbuar për t’u harruar
që ti hajn i Atdheut na urren
sepse ne pranuam ikjen
por kurrë jo
që ta rripnim,
ta lëndonim e hajnonim Atdheun
ti që je llumi
ne që jemi drita

Ti hajn i Atdheut
mos bë sikur s’na njeh
mos i përdor prostitutat debile
të injorimit
sepse ne jemi fytyra dhe shpirti i pastër i Atdheut

Ti hajn i Atdheut
Atdheu është yni me gjithçka që ka
edhe kur jemi ikur prej tij

ikja e largimi na e shton ethen e kthimit
sepse rrënjët tona shtrihen si rrënjët e lisit mitik
në gjithë trupin e Atdheut
ato na mbajnë të lidhur me Atdheun
rrënjët tona
ti hajn i Atdheut nuk i hajnon dot

sepse po t’i prekësh me kthetrat e tua të zeza
ato kthehen në gjarpërinjtë e shenjtë që na i ruajnë e mbrojnë themelet
e ty hajn i Atdheut të lidhen pas qafës

as dashurinë për Atdheun
ti hajn i Atdheut nuk e prek dot
dashuria nuk është para e pistë
sikur je ti i pistë
dashuria e Atdheut
as nuk shitet apo blihet

dashuria për Atdheun
që ti nuk do ta njohësh dot kurrë
eshtë supreme
dhunti veç për bijtë e vërtetë të Atdheut

dashuria dhe malli jonë
për Atdheun
i ngjan shkëmbijve të Alpeve
është e kahershme, e kahmotshme,

dashuria jonë për Atdheun
është e plotfuqishme,
është pasuria jonë e patundëshme
që ka peshën e Atdheut

askush nuk na e ndalon dot
ta duam Atdheun
të jemi pjesë e Atdheut
kudoqofshim
kësaj apo asaj bote
aq më pak ti hajn i Atdheut
që nuk do ta njohësh dot kurrë këtë ndjenjë hyjnore
se çfarë do të thotë të duash Atdheun!

SI MBET PA “TITUJ” GJAKOVA ?!

Nga Fritz RADOVANI:
Image result for 1946 KUVENDI POPULLOR TIRANË

1946 KUVENDI POPULLOR TIRANË


ISHTE 1946...As vetë Gjakova nuk e dinte ku kishte hy në një rrugëparrugë në Tiranë. Po ecte tue mendue por, pa e dijtë ku po e nxjerrë rruga! Ju ndalue jo ma larg se 4 a 5 ml para Tij një veturë dhe zbriti prej saj Tuk Jakova... U pershndet me Gjakoven dhe e ftoi në një shtëpi aty afer ku banonte Tuku. I prini Tuku dhe Gjakova shkoi mbas Tij... Sigurisht, simbas zakonit i erdhën kafet... Filloi një bisedë e ngrohtë mes tyne.
Pak ditë perpara ishte shpallë edhe fitoria e Qeverisë komuniste në votimet e 2 Dhjetorit.
Gjakova po ndigjonte Tukun tue tregue suksesin e fitores së zgjedhjeve... Mandej filloi me i shpjegue Gjakovës sesi, shumë shpejtë tek selia e Kuvendit Popullor do të ngrihej një Monument i atyne që kanë punue per “Fitoren e Socializmit në Shqipni”... (Tuku, po hapte një bisedë ma shumë per me ngacmue Gjakoven, per me e ba me folë...)
Gjakova po veshtronte Tukun, dhe mbasi Tuku perfundoi fjalen e pyeti: “Emnat që do të shkrueni aty tek Monumenti, janë vetem të deputetëve komunista, apo edhe të tjerë ?
– Jo, i tha Tuku, aty janë edhe ata që kanë luftue per “demokraci e socializem”...
– Atëherë, i tha Gjakova, aty kishe me dashtë me u vue edhe emni em!
Tuku buzqeshi dhe i tha: “Gjakovë, ti as ke luftue dhe as ke punue per socializmin...”
Gjakova i preu fjalen dhe i tha: “Tuk, qyshë se keni ardhë në Tiranë, të gjithë shka jeni komunista, asnjëni nuk keni prekë as punë as pushkë me dorë, ju po, mbledhje partije e gjyqe kunder “armiqëve të popullit” nder kinema... Emni em duhet me kenë aty, unë të pakten kur më ka pyet kush se shka domethanë fjala Demokraci, ua kam shpjegue, po ju o Tuk, as nuk ua shpjegoni kujt se, as, nuk e keni nder mend me e ba demokracinë...”.
●Para se me dalë Gjakova, Tuku mori në telefon dikend dhe i tha: “Jepni personit që do të vij aty me ngrenë dhe paisnje me rroba nga magazina e juaj!”... I shpjegoi Gjakovës një rrugë ku ishte një qender policije, ku Gjakova, shkoi dhe mori veshmbathje dhe ushqehej aty me policët e asaj zonë tri herë në ditë... Spaletat dhe kapelë nuk i mori...
Mbas një jave Gjakova erdhi tek Tuku i veshun me rrobat e veta të vjetra si perpara...
Kur hyni mbrendë Tuku e shikoi me vrejtje, po Gjakova nuk e la me fillue biseden...
– Shiko Tuk, i tha Gjakova, prej Teje falemnderës, po unë, qyshë dje nuk shkoj ma aty as me hanger as me u veshë, njohë e pa njohë, më ndalojnë njerzit në rrugë dhe më thonë: ●“Po edhe ti o Gjakovë, paske kenë spijuni i Haxhi Lleshit e Koçi Xoxës ..?!”
Tuku u mundue me ia mbushë mendjen se “nuk ka rendsi se ke perfitime, le t’ thonë ata çka të duen... ti shiko interesin tand !”, po Gjakova, doli dhe as nuk u duk ma andej...
●Kështu, edhe Gjakova, mbeti pa tituj dhe vdiq edhe “pa u dekorue” e pa perfitime...
As mbas vitit 1992 Presidentët tanë nuk janë kujtue fare as per Gjakoven, as shokët e Tij!
Ndersa, per Shyqyri Qokun me shokë, “ka dekorata dhe shperblime krimesh me thes”!!
            Melbourne, Gusht, 2017.   

2017-08-16

“Babai i turqve”,Mustafa Kemal Atatürk origjina e largët shqiptare

Image result

“Babai i turqve” kjo është ajo që do të thotë Ataturk dhe ishte titulli që iu dha Mutafa Qemalit për arritjet e tij si udhëheqës dhe shtetformues i shtetit të ri turk. Pavarësisht se ai la gjurmë në historinë botërore si shtetformues dhe politikan por ai ka spikatur edhe në fushën ushtarake.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ai ndaloi zbarkimet britanike në Galipoli (plan i hartuar nga Uinston Çërçilli) duke i shkaktuar kështu Perandorisë Britanike disfatën më poshtëruese në Luftën e Parë Botërore dhe jo vetëm që kjo e bëri një hero kombëtar por u rëndit gjithashtu edhe si një nga gjeneralët më të jashtëzakonshëm të Luftës së Madhe.

Figura e krijuesit të shtetit turk, Mustafa Qemal Ataturk ka dalë jashtë korrnizave të zakonshme dhe është kthyer në mit dhe kult, një kult individi i pranueshëm dhe i ligjshëm jo vetëm nga adhuruesit e vendit të tij, por edhe të miliona njerëzve të tjerë në botë që aspirojnë për një shtet të së drejtës.


Ai qëndron hijerëndë dhe dinjitoz në një vend të veçantë dhe të privilegjuar të historisë së Turqisë, të historisë botërore, pse jo edhe asaj shqiptare me të cilën e lidh origjina e tij jo e largët prej gjak shqiptari.



Edhe vetë shteti turk e ka kthyer me ligj fyerjen e kujtimit të tij në krim, në vepër penale. Në çdo 10 nëntor ora e Turqisë ndal disa sekonda në nderim të Ataturkut, që vdiq në vitin 1938.

Ashtu siç kemi dëshirë ne, që shumë personalitete politike të shkencës dhe artit të vendeve të tjera që kanë patur ndonjë origjinë të largët shqiptare, t’i quajmë shqiptarë, për Mustafa Qemalin studiuesit dhe historianët tanë janë treguar të rezervuar dhe ua kanë lënë të huajve të flasin për këtë fakt.

Pothuajse të gjithë biografët që janë marrë me jetën dhe veprën e Qemal Ataturkut, nuk e anashkalojnë, përkundrazi e theksojnë origjinën e tij shqiptare. Edhe pse jo me largësi ekstreme nga ato gjenetike shqiptare. Musta Qemali ka ruajtur gjithmonë respektin për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Ai gëzonte të gjitha cilësitë e një shqiptari në administratën otomane. Ishte realist, plot me energji edhe i zhveshur nga skrupujt. Ndryshe nga shumë politikanë të lindjes, atij nuk i shijonin aspak kompromisi dhe llomotitja.

Image result for ataturku

Pse shqipëtar?

Nga ana e babait, Ali Riza Efendi, Ataturku ishte shqiptar. Ai rridhte nga familja Canka dhe gjyshi i Ataturkut nga ana e babait, Pirush Canka, jetonte në fshatin Steblevë të Dibrës së Madhe (12 km larg Librazhdit dhe 23 km larg Struges) përpara se të migronte për në Selanik (Qyteti më i lulëzuar pas Stambollit në Perandorinë Osmane), Greqi në 1861.

Image result for ataturku

Ata i zotëruan tokat e tyre në Dibër deri më 1945 kur komunistët erdhën në pushtet. Edhe sot egziston ara e Cankajve, prone e gjyshit te Mustafait. Përsa i përket anës së nënës, Zybejde Hanim, ajo ishte nga Selaniku por është supozuar, ashtu siç e kujtojnë vendasit në Selanik se dhe familja e saj vinte diku nga Shqipëria e Jugut. Babai i Ataturkut vdiq kur ai ishte vetëm 7 vjeç.


Babai dhe mamaja e Ataturkut, Ali Riza Efendi dhe Zybejde Hanim.

Ai u quajt Qemal nga një mësuës matematike në Manastir. Duke qënë se Mustafa shkëlqente në mësime, mësuesi i tij, Qemali e quajti “qemal” që në arabisht do të thotë i përkryer. Gjatë viteve 30’ me krijimin e shtetit të ri turk ai u regjistrua në kartën e identitetit me emrin Qemal Ataturk.

Image result for ataturku

Në ndarjen territoriale gjatë komunizmit, vendasit në Steblevë pretendojnë se Ataturku pagoi një shumë të hollash për të ndërtuar çezmen pranë fshatit Terzicë, Steblevë, në fshatin e gjyshit. Origjina e tij shqiptare mbështetet edhe nga fakti se afro 14 familje nga Stebleva (trevë shqipfolëse) kanë migruar për në Selanik gjatë vitit 1861 duke mos e bërë shpërnguljen e familjes së Ataturkut një rast unik.

Image result for ataturku



Kemi disa dëshmi që vërtetojnë origjinën si dhe admirimin e Ataturkut për shqiptarët.

Një djalosh nga Dibra që jetonte në Stamboll dëgjoi përfektin e Stambollit të fyente shqiptarët. Ai pasi e vru u kap nga autoritet dhe u dënua me vdekje. Miqtë e tij iu lutën Ataturkut t’i kursente jetën. Pasi i dëgjoi me kujdes ai iu tha: “ Ai nuk do të vritet, por duhet të shkojë në ekzil”.

Gjatë 1926 Dail Ereqi dhe Gjelë Agushi nga Stebleva, që punonin si muratorë në Stamboll. Ata e takuan Mustafa Qemalin gjatë rinovimit të një xhamie në qytet. Ata nuk e dinin kush ishte ai në atë kohë. Ai i vlerësoi për punën duke i përgëzuar se xhamia dukej më e bukur seç ishte para luftës, më pas i pyeti se nga ishin. Ata u përgjigjën nga Shqipëria, dhe më pas i pyeti nga cili rajon. Njëri tha nga Golloborda dhe tjetri nga Stebleva. Më pas ata panë se Mustafa nxorri një bllok shënimësh nga xhepi.

Image result for ataturku

“Edhe unë jam nga atje, Stebleva. Gjyshi im më la trashëgimi Conkojca Ograda (fushat në Conko, një term i përdoruar nga administrata bullgare për të regjistruar tokat). Pra ju duhet ndonjë gjë?- vazhdoi ai.” Më pas ata i thanë se punonin emigrantë prej vitesh në Turqi, në kushte shumë të mjerushme. Menjëherë pas kësaj Mustafa urdhëroi autoritetet që tu jepnin shtetsinë turke si edhe dy qëndra banimi. Të cilat ishin “ më të mira se vetë shtëpitë e turqve”.



Një histori tjetër e kohës vjen kur një grup shqiptarësh po deportoheshin nga Turqia. Pasi i hodhi një sy listës Mustafa Qemali mori stilolapsin dhe e shkruajti emrin e tij në krye të listës. Sekretati i tij nuk e kuptoi se pse e bëri këtë dhe pasi e pyeti, Mustafa iu përgjigj “ E vendosa emrin në krye sepse edhe unë jam shqiptar”. Më pas urdhri u anullua.

Babai i Qemal Stafës, kolonel Hasan Stafa, kishte njohje dhe miqësi me Mustafa Qemalin. Ai ishte më origjinë nga një fshat fqinj i Steblevës, Zanun në Dibër. Ishin shokë të ngushtë dhe i kryen studimet ushtarake në Manastir. Dhe më vonë në Stamboll. Kur Shqipëria deklaroi pavarësinë e saj. Mustafa Qemali iu lut Hasan Stafës që të rrinte në Turqi që të forconte ushtrinë Turke.

Image result for ataturku

Por rrugët e tyre u ndanë. Në shenjë respekti për miqësinë e tyre të vjetër Hasani i vuri emrin djalit të tij Qemal, Qemal Stafa (Një nga themeluesit e Partisë Komuniste shqipëtare).

Një rrëfim na vjen nga konsulli i Shqipërisë në Turqi në vitet 1920’, Nezir Leskoviku: “Kur isha në Tiranë duke biseduar me shokët në një lokal pranë Sahatit, na u afrua një ish-oficer i ushtrisë turke që kishte shërbyer në gardën e Qemal Ataturkut. Një ditë Ataturku i kishte kërkuar oficerit që ti sillte kalin, por ai u nevrikos dhe tha “ Eyer?” . Oficeri i hutuar nuk e dinte se çdo të thoshte “eyer”. Më pas Ataturku i tha: “ Shalën ku e ka?”. Më pas oficeri i tha se në atë moment e kuptova se ai fliste shqip.

Image result for ataturku

Një tjetër fakt bindës se Mustafa Qemali ishte shqiptar, na vjen nga një diplomat nga Kolonja, Asaf Xhaxhuli. Kur ai i paraqiti letrat kredenciale Mustafa Qemalit filloi t’i lexonte ato në frëngjisht. Ataturku e ndërpreu dhe i tha: “Të lutem, mos më fol frëngjisht, por turqisht ose shqip, se unë kuptoj mirë edhe shqip”.

Image result for ataturku

Gjithashtu njerëz thojnë se Mihal Grameno dhe Bajo Topulli (Aktivistë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare) u takuan me Mustafa Qemalin në Selanik dhe të tre floën shqip.

Ne vitin 1984, ne kuadrin e 60 vjetorit te formimit te shtetit te ri turk, u hap ne Pallatin e Kultures ne Tirane, nje ekspozite kushtuar Turqise moderne dhe arkitektit te ketij shteti modern Ataturkut. Edhe ne pemen e gjenezes se familjes se Qemal Ataturkut vertetohet origjina e tij shqiptare dhe vendlindja e tij ne Selanik. Ciceroni i ekspozites shtetas turk me origjine kosovare pohoi nen ze se Ataturku eshte me origjine nga Dibra e Shqiperise, tregon Ramazan Hoxha, autor i librit: ‘Stebleva, histori dhe figura’.

Image result for ataturku

Zoti i ri i Turqisë e shkëputi Turqinë nga e kaluara dhe kjo do të ishte tërësore në të gjitha fushat: kushtetuese, juridike, fetare, politike, sociale dhe kulturore. Ataturku u tregua tepër energjik në luftën e tij kundër strukturave dhe traditave të vjetra. Dukej se ai po e shkundte fort popullin e tij për ta zgjuar më mirë e për ti hapur sytë drejt dritës perëndimore. Kjo prirje e tij drejt oksidentalizmit mund të jetë influencuar nga vizita e tij nëpër Europën perëndimore, citati i tij i famshëm përsa përket kësaj eksperience vijon: “Ka shumë kultura por vetëm një qytetrim, ai Evropian”.

Image result for ataturku

Ky pra ishe Mustafa Qemal Ataturku “Babai i Turqve” në venat e të cilit rridhte gjak shqipëtar. Deri në vdekjen e tij më 1938, Ataturku kishte mundur ta nxirrte popullin turk nga letargjia e tij shekullore. Nën drejtimin e këtij përsonaliteti, me origjinë jo të largët gjenetike shqiptare, “i sëmuri i Evropës” ishte kthyer në një shtet të fortë e me qytetrim perëndimor.

François-Marie Arouet - Volteri për Skënderbeun



-



Më 21 nëntor 1694, lindi François-Marie Arouet, emri i penës, Volter; përfaqësues kryesor i Iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore.

auto_scanderbeg_painting_by_albanian_in_2006_by_eduartinehistorise-d74rwnx1479848054

Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete. Volteri ishte mbrojtës i hapur i lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, ai shpesh u dënua me burgim ose mërgim. Volteri ishte kritik i ashpër i traditës fetare, që pengon lirinë individuale të besimit – por ai nuk thoshte se ishte kundër idesë së një qenie supreme. Volteri arsyeton se ekzistenca e Zotit nuk është çështje besimi, por arsyeje, dhe se të gjithë njerëzit janë vëllezër, ndërsa janë krijesa të njëjta nga i njëjti Zot. Sa për skllavërinë, Volteri e kritikoi ashpër, por në anën tjetër, u përpoq të shpjegojë se racat e ndryshme kishin origjina të veçanta prandaj nuk mund të ishin të njëjta ose të barabarta. Volteri shpesh është akuzuar për anti-semitizëm edhe pse shumica e kritikave të tij në fakt i drejtohen Biblës, dhe jo Judaizmit në veçanti. Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi. Kandidi është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Ëilhelm Leibnizit mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë i tillë.

Duke shkruar për historinë, Volteri sfidoi konceptin mbizotërues të kohës së tij, se historiografia duhej të merrej me ngjarjet e mëdha politike, ushtarake dhe diplomatike; Volteri thotë se theksi duhet vënë në kulturë, art, shkencë, zakone dhe u përpoq për të shkruar një histori të botës mbi këto baza.

Kjo vihet re edhe në “Ese mbi edukatën dhe shpirtin e kombeve” lidhur me heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbe, për të cilin Volteri shprehet me konsideratat më të larta, duke thënë se nëse perandorët bizantinë do të kishin vepruar si Skënderbeu, rënia e Kostandinopojës nuk do të kishte ndodhur. Në esenë e tij, Volteri analizon rezistencën çerek shekullore të shqiptarëve kundër perandorisë osmane; dhe argumenton se faktorët themelorë të fitoreve të Skënderbeut janë dy; 1) shqiptarët janë popull luftarak. 2) Shqipëria është vend malor dhe se mos-përulja është veçori e banorëve të maleve.

KAPITULLI PËR SKENDERBEUN

Një luftëtar tjetër i famshëm, të cilin nuk di si ta quaj, osmanli apo të krishterë, pengoi përparimin e Muratit dhe prej kohësh u bë ledhi i të krishterëve kundër fitoreve të Muhametit II: flas për Skënderbeun, lindur në Shqipëri, pjesë e Epirit, vend i shquar që nga kohët e quajtura heroike, dhe nga kohët vërtet historike Romake.

Emri i tij ishte Jean (Gjergj) Kastriot.

Ishte djali i një despoti, ose i një princi të këtij vendi, domethënë i një princi vasal; sepse fjalë për fjalë despot do të thotë zot shtëpie; madje është paksa e habitshme, se si kjo fjalë prej kohësh e ndryshoi kuptimin në despotik, ç’ka u vishet sundimtarëve që bëhen absolutë.

Gjergj Kastrioti ishte ende fëmijë kur Murati, shumë kohë përpara betejës së Varnës për të cilën do të flas, u mor prej Shqipërisë pas vdekjes së atit të tij Kastriot.

Ai e rriti këtë fëmijë, i vetmi që mbeti nga katër vëllezërit. Burimet turke nuk thonë asgjë që këta katër princër u therorizuan prej Muratit për hakmarrje.

Nuk është për t’u habitur që mizori të tilla ishin në karakterin e një sulltani që abdikoi dy herë kurorën dhe nuk ka të ngjarë që Murati t’i kushtonte dhembshuri dhe besimin e tij atij për të cilin ushqente një mëri të paqetësueshme. Ai e sajdiste atë dhe e mbante pranë tij gjatë betejave.

Gjergj Kastrioti u dallua aq tepër sa sulltani dhe jeniçerët i dhanë emrin Scanderbeg, që do të thotë Aleksandri i Madh, (le seigneur Alexander).

Së fundi miqësia fitoi mbi politikën. Murati i besoi komandën e një ushtrie kundër despotit të Serbisë, që ishte radhitur me të krishterët duke i shpallur luftë sulltanit, dhëndrit të tij; kjo përpara abdikimit të tij.

Skënderbeu që në atë kohë s’ishte veçse njëzetvjeçar, sheshoi planin të mos kishte më zot mbi kokë dhe të mbretëronte. Qëlloi të kalonte pranë fushimit të tij sekretari që mbante vulën e sulltanit.

Ai e ndaloi, i vuri hekurat dhe e shtrëngoi të shkruante e të vuloste një urdhër për sundimtarin e Krujës, kryeqytet i Epirit, që t’ia dorëzonte qytetin dhe kështjellën Skënderbeut. Pasi siguroi urdhrin, e vrau sekretarin dhe suitën e tij.

Më 1443 marshoi mbi Krujë, sundimtari ia lëshoi postin pa vështirësi. Po atë natë ai u tha trupave shqiptare me të cilët mbante lidhje të fshehta, të afroheshin. Sundimtarin dhe garnizonin e theri. Me luftëtarët e vet ai e fitoi gjithë Shqipërinë.

Shqiptarët mbahen si luftëtarët më të mirë të këtij vendi.

Skënderbeu i udhëhoqi me zotësi dhe diti të krijonte avantazhe nga terreni i thyer dhe malor, aq sa me pak trupa ia doli të ndalonte çdo herë ushtritë e shumta turke. Myslimanët e shihnin si besëthyes; të krishterët e adhuronin si hero, i cili duke mashtruar armiqtë dhe zotërit e tij, rimori kurorën e babait të vet, ç’ka e meritoi me guximin e tij. Po ta kishte mbrojtur Skënderbeu Kostandinopojë, rënia e saj nuk do të kishte ndodhur.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...