Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/03/13

Dosja e parë e CIA-s për Kosovën


Image result for cia per kosoven


Sipas projeksioneve të CIA-s, e cila në fakt ka qenë një prej burimeve për këtë analizë, në Kosovë në vitin 2050 do të ketë 17 për qind më shumë njerëz se sa tani ose mbi 320 mijë njerëz më shumë. Duke u bërë kështu vendi i vetëm në Ballkan që do të shënojë rritje të popullsisë në tridhjetë vitet e ardhshme.

 Mediet serbe, ndërkaq, duke e dhënë parashikimin me Serbinë, raportojnë se atje do të ketë 32 për qind më pak njerëz sesa që ka aktualisht.

Pra, sipas kësaj prognoze demografike, deri në 2050 atje i bie të zhduket një qytet i tërë i madhësisë së Beogradit – e në numra i bie që të ketë 2 milionë serbë më pak. Ndërkohë rritjen më të madhe do ta shënojë Luksemburgu ku do të 48.3 për qind më shumë deri në 2050.


Historia

Në faqen zyrtare të CIA-s theksohet se serbët erdhën rreth shekullit të shtatë në gadishullin e Ballkanit. Por deri në shekullin e 13-të, serbët ende nuk ishin grumbulluar rreth një mbretërie të fortë. Beteja e Fushë-Kosovës u solli humbjen serbëve, por aty nis dhe bashkimi i tyre nën një mbretëri. Shkëputja e Kosovës nga serbët dhe vendosja e strukturave shtetërore serbe, sipas të dhënave të CIA-s, është bërë në shekullin e 19-të, pas Luftës së Parë Ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore. Në këtë shekull, sipas faqes zyrtare të CIA-s, shqiptarët e Kosovës u zëvendësuan me serbët dhe këta të fundit u bënë dominues në të gjithë territorin. Ndërkohë që gjatë Luftës së Parë Ballkanike në 1913-n, sipas raportit, serbët kërkuan shtrirjen e mbretërisë së tyre në gjithë krahinën që më parë cilësohej si pjesë e Perandorinë Osmane, duke përfshirë dhe Shqipërinë e sotme. Ndërsa pas vitit 1945, serbët e përfshinë Kosovën në Federatën Jugosllave, duke i njohur disa të drejta që ishin afër autonomisë. "Për katër dekada shqiptarët e Kosovës kërkuan një autonomi të zgjeruar nga Jugosllavia, deri sa më 1980, pas përbuzjeve të kërkesave të tyre, bënë thirrje për një pavarësi të plotë nga Jugosllavia", thuhet në faqen zyrtare të Shërbimit Sekret Amerikan.

Lufta

Në ato pak radhë për historinë e Kosovës përshkruhet dhe nisja e luftës për pavarësi, krijimi i UÇK-së, lëvizja e pacifiste e Ibrahim Rugovës dhe sulmi i Sllobodan Milosheviçit mbi Kosovën. Sipas CIA-s, nacionalizmi serb sulmoi Kosovën pas ankimit që serbët bënë te Milosheviçi për keqtrajtimin që u bëhej nga kosovarët. Lideri që mori përsipër që të mos e lejonte shkëputjen e Kosovës, duke e marrë masa represive në arsyen se serbët e etnikë po dhunoheshin. Sipas raportit të CIA-s, në 1989-n Milosheviç ndryshoi kornizën kushtetuese për Kosovën dhe autorizoi ndërtimin e planeve për mposhtjen e rezistencës kosovare. Më 1998, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk arriti ta bindë Milosheviçin t'u jepte fund masakrave dhe dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndërhyri me anë të armëve deri në mundjen e Serbisë dhe largimin e ushtrisë nga Kosova.

Shpjegimi i flamurit

Flamuri i shtetit më të ri në botë ishte një ide e ndërkombëtarëve. Ja si shpjegohen simbolet e tij në saitin zyrtar të CIA-s. Fusha blu e gjithë flamurit, në mes harta gjeografike e Kosovës me ngjyrë të verdhë dhe pesë yje që tregojnë të gjashtë grupet më të mëdha etnike që jetojnë në Kosovë, shqiptarët, serbët, boshnjakët, goranët, romët, turqit.

Serbët

Shërbimi Inteligjent Amerikan konfirmon tezën e Akademisë Shqiptare të Shkencave. Serbët erdhën në territoret e Kosovës në shekullin e shtatë pas lindjes së Krishtit. Bashkim i serbëve dhe fillimi i dominimit të tyre në rajon nis me betejën e Fushë-Kosovës, më 1389, ku serbët u grumbulluan në një mbretëri të vetme dhe filluan të synonin më shumë vende në rajon.

Pushtimi

Shekulli i 19-të solli dhe dominimin e serbëve ndaj kosovarëve. Sipas të dhënave të CIA-s në këtë shekull, serbët arritën të imponoheshin mbi shqiptarët e Kosovës, duke shfrytëzuar mungesën e një shteti dhe luftërat që u zhvilluan në Ballkan dhe Lufta e Parë Botërore, ku kërkuan që të shtriheshin deri në kufijtë e Epirit.

Jugosllavia

Në raportin e parë zyrtar të Shërbimit Inteligjent Amerikan, theksohet se pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u njoh si provincë autonome e Jugosllavisë, nën juridiksionin e Serbisë brenda federatës, por me të drejta të kufizuara. Më pas korniza kushtetuese e Kosovës ndryshoi, duke ua pakësuar të drejtat në raporte me shtetet e tjera të federatës.

Zgjimi

Sipas raportit të CIA-s, për katër dekada pas Luftës së Dytë Botërore, kosovarët u përpoqën të merrnin autonominë nga Federata Jugosllave. Ndërkohë që kërkesat për Pavarësi, sipas CIA-s, bëhen zyrtare në vitet 1980. Ndërkohë që serbët nuk ishin dakord me një shkëputje të Kosovës dhe nacionalistët u përpoqën ta kthenin Kosovën në qendër të qytetërimit sllav.

Lufta

Sipas raportit të CIA-s, në 1990-n shqiptarët e Kosovës të lodhur nga pasivitetit i politikës së Ibrahim Rugovës nisën rezistencën, për të shpërthyer në një konflikt të armatosur në vitin 1995. Në këtë vit del për herë të parë në skenë dhe Ushtria për Çlirimin Kosovës, e cila ishte një përgjigje ndaj represionit që po ushtronin nacionalistët serbë në gjithë rajonin e Kosovës.

NATO

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, sipas raportit të CIA-s, u bë kur faktori ndërkombëtar u lodh me politikën e paqes ndaj Milosheviçit. Pas Marrëveshjes së Rambujesë, serbët refuzuan të njihnin të drejtat e shqiptarëve. Më pas, për tre muaj NATO bombardoi ushtrinë serbe, duke e detyruar të tërhiqet nga Kosova dhe u vendos administrimi i saj nga Kombet e Bashkuara.

Pavarësia

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Sipas raportit të CIA-s, gjatë viteve 1999-2008 administrata e Kosovës nën drejtimin dhe kornizat ligjore të Kombeve të Bashkuara tregoi se respektonte të drejtat e njeriut dhe minoritetet që jetojnë në atë territor. Ndërkohë që aktualisht korniza e saj ligjore është sipas standardeve ndërkombëtare.

Republikë

Sistemi i qeverisjes së Kosovës është ai i demokracisë parlamentare. Parlamenti ka 120 vende dhe ato janë të ndarë në bazë të minoriteve që ka Kosova. 100 vende në Parlament janë për shqiptarët, 10 vende janë nga minoriteti serb dhe 10 vende për minoritetet e tjera. Në këtë mënyrë Kosova respekton të drejtat e minoritetit sipas kritereve ndërkombëtare.

Republika e Kosovës nën "sytë" e CIA-s

Në faqen zyrtare të internetit të shërbimit sekret më të fuqishëm në botë janë shtuar dhe të dhënat për shtetin më të ri. Qendra e CIA-s ka hedhur së fundi gjithë informacionin që disponon për shtetin e Kosovës. Një informacion që jo vetëm njeh shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan, por shërben dhe si pikë referimi për të gjitha agjencitë ndërkombëtare. Të gjitha të dhënat janë klasifikuar sipas informacioneve më të sakta, duke nisur nga historia e vendit, të dhënat gjeografike, popullsia, etnitë që banojnë, ekonomia, burimet natyrore, besimet fetare, përdorimi i gjuhëve zyrtare e deri te niveli i arsimit dhe kushtet sociale të Kosovës.

Popullsia

Tashmë jo vetëm ne, por edhe CIA thekson se popullsia e Kosovës është autoktone shqiptare. Sipas të dhënave të kësaj agjencie, 88 për qind e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë dhe vetëm 7 për qind janë serbë. Ndërsa pakicat e tjera përbëjnë vetëm 5 për qind. Emri zyrtar i njësisë administrative të Kosovës pothuajse gjatë gjithë periudhës së Titos ka qenë "Kosova dhe Metohia", shpesh e shkurtuar në një fjalë të vetme si "Kosmet". Ndërsa tani Kosova në arenën ndërkombëtare njihet me emrin Republic of Kosovo, kurse në gjuhën shqipe Republika e Kosovës ose shkurt Kosova. Sipas CIA-s, 2 126 708 banorë është numri i popullsisë së Republikës së Kosovës. Kurse prodhimi i brendshëm bruto (GDB) është 4 miliardë dollarë. Por, sipas CIA-s, rreth 43 për qind e popullsisë së Kosovës është e papunë dhe 37 % e kosovarëve janë të varfër.

Pozita e Kosovës

Vija kufitare me Shqipërinë, në tërësinë e saj ndan shqiptarët me shqiptarët. E gjithë vija kufitare e Kosovës është 700.7 km. Vendet kufitare janë: Shqipëria 111.8 km, Maqedonia 158.7 km, Mali i Zi 78.6 km dhe Serbia 351.6 km. Ndonëse e rrethuar nga male deri 2000 m lartësi, Kosova ka dalje rrugore për në gjithë Ballkanin. Kosova ka 1,925 km rrugë automobilistike dhe ka 430 km hekurudha.

Gjeografia

Gjeografia dhe gjeologjia na japin arsye thelbësore për të kuptuar rëndësinë historike dhe vazhdimësinë e Kosovës veçanërisht për gjysmën lindore të saj. Ajo përmban përqendrim të madh të mineraleve sa e gjithë Evropa Jug-Lindore. CIA vlerëson se pasuritë më të mëdha natyrore të Kosovës janë nikeli, plumbi, zinku, magnezi, kromi dhe shumë minerale të tjera.

Burimet

Kosova përcaktohet si një shtet me burime natyrore mjaft të pasura. Burimet kryesore janë: Nikeli, plumbi, zinku, magnezi, kromi, etj. Prej vitit '90 burimet nuk janë shfrytëzuar

Grupet etnike

Kosova ka një popullsi autoktone shqiptare dhe shumicën e të cilës e përbëjnë po shqiptarët. Pasi 88 % e popullsisë është shqiptare, vetëm 7% serbe dhe pakicat e tjera janë 5 %

Gjuhët

Kosova ka dy gjuhë zyrtare, të cilat janë gjuha shqipe dhe ajo serbe. Gjuhët e tjera jozyrtare janë boshnjake, turqishtja dhe ajo rome

Plani i Marshalit jugosllavë Josip Broz Titos se si do t’i bashkohej Shqipëria, Jugosllavisë

Plani i Titos se si do t’i bashkohej Shqipëria, Jugosllavisë

Jo pak qytetarë të ish-Federatës tashmë kanë nostalgji për Jugosllavinë, pasi e konsiderojnë se kanë jetuar më të lumtur dhe më të sigurt, ndërsa shumë të tjerë besojnë se Jugosllavia ishte një krijim artificial, citohet media sllave. Por, pak nga këta e marrin me mend sesi do ishte fati i Jugosllavisë pasi pak shans ka pasur publiku për të njohur planin e vërtetë të Josip Broz Titos. Disa historianë besojnë se Tito donte një Jugosllavi edhe më të madhe sesa është thënë, e më të fuqishme, e cila nuk do ishte vetëm një fuqi rajonale, por një e tillë edhe në mbarë botën.

Federata Ballkanike, skema e Beogradit për të përfshirë edhe Shqipërinë në Jugosllavi madje edhe Bullgarinë, tani mund të duket qesharake, por në atë kohë ajo gati u bë realitet. Përpjekjet kishin filluar herët, madje që para luftës, kurse në plenumin e jashtëzakonshëm të Beratit, Enver Hoxha do vihesh me shpatulla pas muri nga emisarët jugosllavë dhe përkrahësit e tyre gjoja për pozicionin e tij ndaj Ballit Kombëtar, por që në fakt synonte një qëllim tjetër…


Ishte koha kur emisarët jugosllavë po e tepronin por përpjekjet për ta futur plotësisht nën sqetull Partinë Komuniste Shqiptare dhe Hoxhën po bëheshin realisht cinike. Ndërkohë parulla për Konfederatën Ballkanike po zinte vend në retorikën e udhëheqjes serbe dhe shërbeu si taktikë edhe për qëllimin final: përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavi. Ndërkohë deri vonë me Hoxhën do të luajnë me kartën e Kosovës dhe vetëzgjedhjen e saj. Historiania Sabrina Ramet për Blicin serb do të thotë se Jugosllavia nën Titon ka kërkuar për të krijuar një Jugosllavinë integrale, e cila do të përfshinte zonën përreth kufirit të Jugosllavisë: Greqi, Thrakë, Shqipërinë, Bullgarinë, por së paku edhe një pjesë të Karinthias austriake, si dhe të gjithë provincën italiane të Friuli Venezia Giulia.

Në mesin e mbështetësve të irredentizmit jugosllav ishin madje edhe monarkistët dhe republikanët qysh në epokën para krijimit të Jugosllavisë në vitin 1918. Sabina Ramet gjithashtu i referohet deklaratës së politikanit Svetozar Pribæeviæ që pohonte se Jugosllavia duhet të shtrihet “nga lumi Soca deri në Selanik”. Ndoshta gjërat më të çuditshme në këtë hartë janë territoret e listuara si pjesë e Jugosllavisë, ku bëjnë pjesë edhe Bullgaria dhe Shqipëria. Megjithatë, nga historiania serbe thuhet se: lëvizja politike Zveno në Bullgari mbështeti idenë e përfshirjes së Bullgarisë dhe Shqipërisë të shtetit të përbashkët të sllavëve të Jugut. Lëvizja Zveno ka marrë pjesë në grushtin e shtetit në Bullgari në vitin 1934.

Ata kërkuan një aleancë me Francën, si edhe përfshirjen e Bullgarisë në Jugosllavi. Edhe qeveria britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore ka mbështetur idenë e krijimit të një Jugosllavie të Madhe në përgjigje të aderimit të Bullgarisë tek Fuqitë e Boshtit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia e Titos njoftoi se zotëronte të drejtat për Triesten dhe të gjithë Karýncinë, duke përfshirë Karinthian austriake. “Ne e kemi shpëtuar Karinthian, por kushtet ndërkombëtare ishin të tilla që ne duhet ta linim përkohësisht. Karinthia është e jona dhe ne do të luftojmë për të”, ka dërguar mesazh Tito në administratën e vet. Por në fakt teoritë jugosllave çalojnë, pasi në vitet 1944-1955 faktori sovjetik vendos në Shqipëri, Bullgari, Hungari, Rumani, Jugosllavi etj.

BRSS ka në terren, madje në shumicën e vendeve, përveç Shqipërisë, njësitë e Ushtrisë së Kuqe, kurse vendet e çliruara prej tyre gati administroheshin nga komandat ushtarake sovjetike. Ndërkohë që në vendet ish-pjesëmarrëse të 3Boshtit3 si në Bullgari, Hungari dhe Rumani në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të aleatëve, përfaqësuesit sovjetikë, kanë dorë të lirë për gjithçka. Në një dokument 3Tepër sekret3, dokumenti nr. 1, datë 10 janar 1944 me titull “Promemorie flasin kaq shumë në Perëndim. Prandaj, linja jonë për këtë problem duhet të mbetet negative. Ideatori i ndryshimeve ekonomike jugosllave Kardel në një raport të titulluar: 3Për situatën politike në Jugosllavi3 do shprehej: Për sa i përket perspektivës, ne e konsiderojmë të domosdoshme që Jugosllavia të lidhet ngushtë me Bullgarinë dhe Shqipërinë.

Ai shpjegon hapat që duhet të ndiqen me Shqipërinë dhe pse nuk janë pjekur momentet për bashkim, por flitet për Paktin për Ndihmën Reciproke, “i cili mund të nënshkruhet brenda një kohe të shkurtër3. Do kalojnë kohë dhe viti 1946 u bë viti i krijimit formal të bashkëpunimit Jugosllavi – Shqipëri, pasi u nënshkrua Traktati për Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Ndihmën Reciproke me afat 20 vjeçar, duke shtuar këtu edhe mundësinë e zgjatjes automatikisht për pesë vjet, nëse do kishte performancë të mirë. Shqipëria gjatë vitit 1946 do të lidhë 21 marrëveshje, ndërsa viti pasardhës, 1947, u pasua nga marrëveshje të tjera.

Shqipëria e vogël e dërrmuar nga lufta do ishte ndërmjet dy kalkulimeve të llogaritura me kujdes nga jugosllavët: të shkonte në konfederatë ose bashkim me Jugosllavinë. Të dyja një minus i madh për vendin. Për fat po vinte viti 1948, kur marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë do të do të merrnin të çarën e madhe. Vendin e Jugosllavisë në botën komuniste e zuri Bullgaria, ndërsa Shqipëria i ishte nënshtruar plotësisht kontrollit komunist të Krahut Lindor në Moskë. Për fat historia do ta ndihë Shqipërinë, pasi krijimi në shtator 1947 i Byrosë Informative, e në janar të vitit 1949 formimi i KNER, do përshpallte etapat e reja për krijimin e bllokut sovjetik dhe si rrjedhojë edhe kurs tjetër për Shqipërinë. Për fat, tashmë sigurohej krejt shmangia nga rreziku sllav dhe ëndrra e Titos për të bërë konfederatën ballkanike.

Marrëveshja e CIA-s amerikane dhe Shërbimit Federal i Inteligjencës, BND të Gjermanisë e ndan Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë në tre “koloni”, d.m.th sferat e interesit.

Zbulohet dokumenti i fshehtë i CIA-s dhe i shërbimit sekret gjerman, ku flet për rindarjen e tokave të Jugosllavisë dhe trojeve shqiptare në rajon.


Dokumenti i fshehtë i CIA-s i cilësuar “CONFIDENTIAL”, që është hartuar në Mynih në vitin 1977 ndërmjet agjentëve të agjencive CIA-s amerikane dhe BND-së gjermane parashikonte ndarjen e Jugosllavisë në dy blloqe: bllokun që do të kalonte në influencën gjermane dhe bllokun që do të kalonte nën influencën e SHBA-së.

Dhe po ta shohësh situatën aktuale, del e qartë se gjithçka ka ecur sipas atij plani.

Dokumenti që u botua edhe nga gazeta britanike  tregon se marrëveshja e CIA-s amerikane dhe Shërbimit Federal i Inteligjencës, BND të Gjermanisë e ndan Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë në tre “koloni”, d.m.th sferat e interesit. Një model i ngjashëm i ndarjes u bë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
DIUec5fXoAItS3l-405x540
Sipas këtij dokumenti, fuqitë e mëdha do të ndanin Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë në këtë mënyrë: Sllovenia, Kroacia kontinentale, Istria, si dhe Bosnja dhe Hercegovina perëndimore dhe veriore do të bëheshin pjesë e influencës gjermane; Jugu i Kroacisë, Dalmacisë, Malit të Zi, Kosovës, pjesë e rajonit të Rashkës; jugu i Serbisë(Lugina e Preshevës) dhe Maqedonia do t’i takonte Shteteve të Bashkuara dhe do të ishte zona e influencës së saj; Vojvodina pa Banat jugore do t’i përkiste Hungarisë dhe do të ishte nën pushtetin e saj.

Serbia e pavarur do të merrte territorin që ka praktikisht sot, domethënë Serbinë qendrore pa Serbinë jugore dhe një pjesë të Vojvodinës rreth Pançevës dhe Vrçeskut.

CIA kishte plan shpërbërjen e Jugosllavisë që në fillim të viteve 1970, pra 10 vjet para vdekjes së udhëheqësit të fuqishëm të RSFJ – Josip Broz Tito.

CIA që prej vitit të kaluar ka hapur për publikun disa nga dokumentet e vjetra dhe sot shumë plane dhe skenare janë të hapura për publikun por edhe për analizën e historianëve, gazetarëve etj.

Raporti intrigues i sulmit të Luftës së Ftohtë flet për forcimin e decentralizimit në Jugosllavinë e Titos dhe parashikon që “stabiliteti në epokën post-sovjetike nuk është i sigurt”.

Jemi 3 vjet pas miratimit të Kushtetutës së Jugosllavisë ku Kosova u shpall Krahinë Autonome dhe 3 vjet përpara demostratave të vitit 1981 ku nisi lëvizja “Kosova Republikë”.

Realisht, hartat e RSFJ-së kanë qarkulluar nga shërbimet sekrete që nga viti 1981, pas vdekjes së Titos, sepse CIA e dinte që në vitin 1970 se Jugosllavia do të shembet. Ndarja e Jugosllavisë në sfera të interesit tashmë është bërë një fakt i kryer.

Ndarja e Jugosllavisë në Luftën e Dytë Botërore (1941) u krye nga forcat pushtuese gjermane, italiane, bullgare dhe hungareze. Në përputhje me politikën e forcave të Boshtit, Jugosllavia u likuidua si shtet.

Gjermanët e italianët, formuan tre protektorate shtetërore: Shtetin e Pavarur të Kroacisë, Serbisë së Nedicit dhe Shtetit të Pavarur të Malit të Zi, në të cilin popujt jugosllavë mbajtën një formë kuazi-shtetësie në rendin e ri të Hitlerit, ndërsa pjesët periferike të Jugosllavisë thjesht u aneksuan nga shtetet fqinje: Gjermania, Italia, Hungaria, Bullgaria dhe Shqipëria (e cila në vetvete ishte pjesë e Perandorisë së Vittorio Emanuelle III.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Stalini, Churchilli dhe Ruszvelti e ndanë Jugosllavinë 50% me 50%. Pra veriu i takonte perëndimit dhe jugu Bashkimit Sovjetik.

Por Stalini nuk e lejoi Titon që ta kthente Shqipërinë një protektorat serb, çka e tregoi në letrën e Politbyrosë së vitit 1947, e cila shpëtoi Enver Hoxhën nga puçi që kishin përgatitur Koçi Xoxe me njerëzit pro-jugosllavë.

Dalja e këtyre dokumenteve hedh dritë për një plan, i cili duket që ka pasur referencat e saj në terrenin konkret dhe asgjë nuk ka qenë rastësi; pra që nga grupet guerile, deri tek lëvizja politike në Kosovë e udhëhequr nga i ndjeri Ibrahim Rugova.

Historianëve u takon që të bëjnë qëmtimin e ftohtë dhe të paanshëm të këtyre fakteve për të analizuar sa më qartë dhe mirë zhvillimet e atyre viteve.

Pa pasur nevojë që dikush të marrë merita që nuk i ka pasur apo të shpikim tradhëtarë.

Arkivat janë hapur tashmë; cdo ditë dalin thagma që zbulojnë gjithçka.

Jesminë (Martin Camaj 1925-1992)

Fotografia e Gjuha Shqipe dhe Letersia - Tirane
Erdhi një ditë me shumë diell dhe ajri ishte aq i pastër mbas shiut që kish zgjatë një javë, sa mund të shikonim Jesmina edhe unë trajtën e plotë të bletëve që zhyteshin si të ndërkryeme (të tërbuara) ndër rreze si me dashtë të lahen: dallonim edhe krahët e tyre të verdhë.
_”Ai që duket i verdhë ndër krahë,” - më shpjegoi vajza, - “ asht dyllë!”
S’i kundërshtova, por nisa një rrëfim nga fëminia ime që nuk ia kam tregue njeriu të gjallë deri sot:
“ Kam lindë andej atyne maleve, - i thashë, - drejt të shprehem edhe një palë maje përtej atyne që shohim na prej këtu ku jemi. Janë vende të vështira dhe të egra sa që nuk kishe me u zanë besë, pa i pasë shikue me sy tu, shkambij e humnera mbas humnerash njena ma e thellë se tjetra, në një anë, dhe në anën tjetër në krahun e lindjes kodra e boka pa fillin e lisit që për çdo shi e borë që bie uji u merr me vete një shtresë dheu. Shpesh herë kam mendue në këto dit, nëse kthej një ditë atje, çka do të mbesë prej atij dheu! Gërrymje mbas gërrymjesh, prej vjeti në vjetë, thom se me kohë s’do të mbesë tjetër në vend pos një skeleti gursh!
Njerëzit janë të vorfën! Si dreqin s’janë të vorfën? Nejse! Fjalën e pata te bletët, te bletët e egra. Janë disa shkëmbinj të terun që zanë fill në lumë poshtë e kapen treqin metra përpjetë të lëmuet si veja dhe ndër bira të mëdha të tyne mu në zemër të gurit ku s’mund të arrijë njeri as shtazë, ndërtojnë gjallnesën e vet bletët. Atje mbrendë kanë mjaft vend dhe mjalti zë mjaltin prej moti në mot. Atje mund të ketë edhe mjaltë prej dhjetë vjetësh! Në gusht, kur dielli rrah me rrezet e veta shkambin dit e dit, atëherë malësorët shohin se shkrihet mjalti ndër birat e shkëmbit e rrjedh bashkë me dyllë rrasave teposhtë. Ç’ndodh mandej? S’kishe me u besu syve tu: një re grethash e mizash çohet kushdi se kah dhe lëshohet në mjaltë dhe e fshijnë si bagëtia kripën ndër gjollat e rrasave. E merre me mend: gjithë kjo ndodh para syve të njerëzve të unshëm!”
Mbas këtij tregimi edhe Jesmina zu ngadalë të më tregojë me za të ulët e tue hangër gjysmën e fjalëve prej turpi që kishte të flasë me mue vetëm për vetëm.
- Babi më ka bërtitë, - m’u rrëfye ajo, - sepse më ka shpëtue goja disa herë në këtë dimën e kam thënë se po cofin bletët nga uja (uria). E di se asht keq me thanë kështu pse bletët nuk cofin, por vdesin si njerëzit ; por mue më shpëtoi goja!”
- “ Asht ma keq, - ia prita, - me i vra bletët se sa me thanë kanë cofë bletët në vend të thuesh kanë vdekë bletët!”
- Këto fjalë i shqiptova ngadalë e theksueshëm si në bankat e shkollës që t’i nguliteshin Jesminës në tru e mos me i harrue kurrë. Ajo ngriti sytë kah unë e tronditun, mandej i solli kah i jati, i cili dlirte atje në skaj të vathit një zgjua blete. Në fytyrën e vajzës ndiqja me të dhanun përshtypjen e fjalëve të mia. Këto fjalë që ishin drejtue kundër t’et, më dolën pa dashë nga goja. Po tingulli i tyre më pëlqeu dhe nuk u pendova se në veshët e saj mund të kumbonin si paditje. Formulimi im, si pedagog që isha, ishte i thjeshtë e i qartë në përmbajtje: burri i dheut për t’u marrë bletëve mjaltin i vriste, e nga ana tjetër i kish bërtitë së bijës dhe ndoshta kishte çue dorën kundër saj, sepse ajo paska përdorë fjalën e papërshtatun për të shënue zhdukjen e mizës shenjtë, e cila na paskej në vete frymë të mbinatyrshme, as ma pak as ma shumë, po si njeriu vetë.
- “Nuk asht se yt atë i pret bletët..” - Vajza uli sytë e solli kryet në njenën anë si me dashtë të mos ma vejë veshin. Kisha frikë që të mos ma zbulojë qëllimin e fshehun në nënvetëdijen time, ndoshta ta shtij keq me të jatin. Aq dijekeq sigurisht nuk isha, por birë në zemër e kisha një dyshim, a mos t’i kish folë keq për mue i jati apo ndoj vendës për shkak të fjalëve që më kishin shpëtue ditën e pare në kafe kundër katundit të tyne. Doja të mbrohesha tue thanë se ata që hapnin llapën të flisnin kundër një të hueji të pasherr edhe para fëmijëve të tyne, e kanë së pari vetë mizën nën kësulë.
- “Nuk asht se yt atë vret bletët e veta, në fund të fundit, po i rrallon ashtu si rrallohen bimët e tepërta në arë në mënyrë që ato që mbesin të marrin fuqi e të qesin fryte. Ai nga ana tjetër me mjeshtrin e vet ban të shtohen mija e mija mizash te tjera. Kur vjen murrlani i zi e moti i keq këndej, i mban gjallë me ujë e sheqer”.
- Jesminës iu zbutën sytë dhe më trishtoi edhe mue, sepse nuk dija nëse ajo qante përse i jati qenkej vrasës apo i brente ndërgjegja se kishte thanë cofin bletët në vend vdesin. Marrisht kisha lënue një varrë në zemrën e Jesminës, pa dashë dhe e ndija veten fajtor.
- Jesmina asht vajzë e ndjeshme, thashë me vete, dhe më vjen keq që e turbullova me tregimet e mia, të njeriut të vetmuem, i cili nga mërzia kish kthye të kalumen e jetonte atje, ngaqë një katund mbarë s’e lente të jetonte në të tashmen.
- Marrë nga novela “Jesminë”, Martin Camaj, botoi “Camaj – Pipa”

Martin Camaj më 1957: Letra dhe studimi i panjohur mbi Kosovën.

martin camaj ilus
Martin Camaj (Telumë, 13 korrik 1927 – Mynih, 12 mars 1992) ishte shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.

Martini leu në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ama ishte nga Prekali, lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është “… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje do të kalojë dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet.

Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh.

Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2[0] korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof.

Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të ’56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorëve të vjetër të kolegjit jezuit P.

Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti.

Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave si dhe gjuhë e let. shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku.

Contributi linguistici allo studio della genesi. Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu perkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren ne fshatrat e ngulimeve arbereshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i 1960.

Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.

Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt.

21 janar 1965 me venia legendi në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën me qenë Privatdozent – përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/’62.

E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në “Bocconi” të Milanos si asistente në v.akademik 1961/’62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë “München American Elementary School” si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.

Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Vepra
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991.

(Agjencioni Floripress:Flori Bruqi)



Një studim për Kosovën në regjimin e Titos, menjëherë pas viteve që pasuan Luftën e Dytë Botërore, kur ajo mbeti nën jugosllavi. Martin Camaj, 32 vjeçar, e shkroi këtë shënim mbi Kosovën sipas kërkesës së Mustafa Krujës. Studimin ia ka dërguar të shoqëruar me një letër, ku ai zbulon shumë ndjesi personale dhe informacione të vyera biografike mbi këtë periudhë të jetës së tij. Camaj, ndodhej në Romë, me gruan Ninën, e cila ishte e sëmurë, ndërsa ai në një moment mjaft dëshpërues mbi të ardhmen e karrierës së tij. Ajo çka kishte lënë pas krahëve Shqipëria, në regjimin komunist dukej se ishte një kapitull i mbyllur për të, por edhe periudha e studimeve filologjike me prof. Bariqin, është ndërprerë. Ëndrra e tij është të vijojë në rrugën e studimeve, dhe e deklaron hapur dhe në këtë letër se nuk ka asnjë dëshirë të përzihet në çështje politike. Studimi i tij mbi Kosovën, po ashtu ofron informacione e analiza të vyera mbi tablonë e jetës shoqërore, kulturore dhe mbi të gjitha politike në Kosovën e mbetur nën regjimin e Titos. Çka ofronte tabloja e Revolucionit Komunist në Kosovë, çfarë politikash po gatuante udhëheqja e ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, si depërtuan malazezët në tokat e bejlerëve të pasur kosovare dhe si u manipulua populli i varfër kosovar, duke i ofruar një pjesë të tokave të konfiskuara. Duke mos e zhvilluar industrinë në Kosovë, por duke shfrytëzuar deri në ekstrem pasuritë natyrore të saj që cilat dërgoheshin në serbi, Kosova mbeti e varfër, e kjo situatë, sipas Camajt bëri që vendasit të shpërnguleshin e të kërkonin punë gjetkë në vendet e ish-Jugosllavisë. Ja çfarë shkruan Camaj në mendimet e tij mbi Kosovën: “Mosindustrializimi i këtij vendi ka shkaktuar “pecallben” tek shqiptarët d.m.th. shpërndarjen e shqiptarëve nëpër tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 punëtorë krahi shqiptarë tue përfshi edhe spataxhit”… Mjaft ngacmuese është analiza që Camaj bën për jetën shoqërore dhe kulturore në Kosovë, duke i bërë këto “shënime” mjaft grishëse për t’i lexuar prej kujtdo. “RILINDASI” i sjell më poshtë për lexuesit këto shënime dhe letrën e Camaj, të plota, zbardhur me besnikëri nga origjinali. Letra është gjendur në arkivin e Mustafa Krujës.

Letra

Romë, 15 / 3 / 57

Fort i nderti dhe i dashuni Mustafa,

Po i përgjegjem dëshirës suej shum vonë. Ju lutem me më falë. Arsyenat janë të shumta që s’mujta t’iau pregadis me kohë nji mendim temin mbi gjendjen kosovare. Kam pasë gruen shum të smuet dhe vetë isha shum i tronditun mbasi ende nuk po shof ngjasë të mirë për nji sistemim të përkohshëm deri sa të vijë dita e emigrimit. Prof. Koliqi më ka ndihmue sa ka mujtë, por unë jam shum larg dëshirës dhe qëllimit tem në jetë: që të vijoj studimet filologjike shqipe të fillueme me prof. Bariqin.
Këtu po iu mbylli dhe ato pak mendime mbi Kosovë. I shkrova pa ndonji përpunim stili ase gjuhe, ashtu si më erdhën, si t’isha qenë tue bisedue me ju kambkryq, shqiptarçe. Nëse mund të më shkrueni, shfaqni ju lutem mendimin tuej mbi këto faqe tue më pyetë mbi ndonji send që nuk mund ta keni të kjartë. E kam pasë shum vështirë me iau përmbledhë në pak fjalë mendimin tem mbi Kosovë, pse kam jetue shum në Jugosllavi, sigurisht kam shum me thanë mbi ket vend, pse për me analizue çashtjen tonë atje, duhet me njoftë mirë dhe Jugosllavin e soçme. Çashtja kosovare duhet studjue dhe shikue në shum pikpamje, aq ma tepër ata që shkruejnë mbi të në Prendim sod haptas ndër publikacjone të ndryshme. Pozitën teme në Jugosllavi iau kanë zbulue jugosllavëve shqiptarët në Prendim, tue më lëvdue në shtyp dhe letra, të cilat iau dërgojshin njerëzve në Jugosllavi. Atyne që bajnë këso gabimesh iau kam thanë aqik.
Kjo lloj politike ase problematike don shkencatarë sikurse jeni ju, që njifni mirë të kaluemen dhe studjoni shkencatarisht të tashmen. Me këtë nuk due të iu thërras që të shkrueni mbi këso gjanash ju, por kënaqem që interesoheni për çashtjet tona kombtare pse kemi nevojë, ase ma mirë, kanë nevojë njerzit që merren me kso problemesh me u këshillue në shum pikpamje nga të vjetrit, nga shkencatarët e historjanët, gja që vetë komunistat e rij e bajnë. Prandej me sinqeritetin ma të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmenin n’idealin kombtar, flijimet tueja për ket ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e lindun për intriga né na çojnë të vjelltë.Më shkrou dhe Genci për ju dhe u kënaqa për fjalët që tha mbi ju se jeni plot energji e se punoni për shkencën shqiptare. Ju uroj jetë, shëndet e punë të mbara me gjithë zemër.
Unë e kam vendosë nji herë e mirë mos me u përzi ndër dallavere politike, mbasi nuk ndjej kurfarë vokacjonit për ket drejtim. Dëshira ma e madhe e emja asht me vijue profesjonin tem.
Ju përshëndes përzemërsisht

Martini

Të fala shum Nina

P.s. A i muert librat që iau dërgova për Zefin? Abonimi i Gencit në Tempo?

Studimi

ÇASHTJA KOSOVARE

Çashtja kosovare mundet me u vrejtë, në të vërtetë dhe ashtu si vrehet, në pikpamje të ndryshme, mun dhe nga vetë shqiptarët nacjonalista. Qe, p.sh. emigracjoni këtu në Prendim qenka i damë dysh për sa i përket çashtjes kosovare: ” luftë dhe alarmim pse mbaroi Kosova!” bertitka nji pjesë. Nësa pjesa tjetër qenka e mendimit që mos të bahet fort zhurmë rreth kësaj çashtje, por të pritet nji moment ma i pershtatun ase ma aktual për të ba ndonji veprim diplomatik. Pak a shum dhe në Shqipni nacjonalistat ndahen po në dy opinjone. Gjithkush asht kureshtar me dijtë, por ma tepër se askush jugosllavët, se çka mendon qeverija e soçme shqiptare mbi ket çashtje. Mbas mendimit tem ata të Tiranës nuk kanë qëndrim të caktuem në ket mes, pse ata, si në çdo gja tjetër, janë të mvarun prej rusëve. Asht e vërtetë se rusët machiavelista nacjonalizmin shqiptar e shfrytzojnë ndër rasa të ndryshme si mjet presjoni kundra Jugosllavis, por rusët në kurrnji rasë nuk kanë me qenë në favor të shqiptarëve të Kosovës. Çka mendojnë jugosllavët? Si partija komuniste jugosllave ashtu dhe çdo rrymë tjetër mbrenda këtij shteti qi ka në program nji pushtet jugosllav, qofshin kta dhe kroatë ase sllovenë, nuk e lëshon Kosovën pa gjak e luftë. Kosovarët ket gja e dijnë shum mirë, prandej çdo intelektual dhe njeri që mendon realisht ndër shqiptarët nën Jugosllavi e ka humbë shpresën në fuqin fizike dhe u mbetet me shpresue se ishalla ka me ardhë nji ditë kur fuqitë e mëdha, për interesa të veta, kanë me urdhnue jugosllavët që të rrinë në caqet e veta e t’i lanë shqiptarët me jetue si donë ata. Me ket mendim bashkohem dhe unë, megjithse asht mjaft fatalist. Kosovarët shqiptarë bajnë detyrën e vet: mundohen me ruejtë ata çka kanë me të gjitha forcat e veta. Masa e intelektualve të rij, pergjithsisht, lot nji politikë “bashkimi dhe vllaznimi”, gja që nuk asht aspak bindëse për kurrnji grup etnik në Jugosllavin e soçme! Asht interesant me u gjete në qytetin e Prishtinës në kohë të mbrames kur populli del në shëtitore: nuk mundesh me e gjetë nji grup të përziem serbë e shqiptarë, por fare janë të ndamë dyshë, në nji anë serbët e në nji anë shqiptarët. Udhëheqsija e partis, përkundra asht nji klikë krejtsisht e izolueme e perzieme me dy kombësinat pa dallim. Por, për t’iau paraqitë gjendjen kosovare ase shqiptare në Jugosllavi, duhet hjedhë nji sy fakteve historike ç’prej 1945 deri në sod, tue vu në dukje shkurtimisht dhe shkaqet.

Revolucjoni komunist në Kosovë

Revolucjoni komunist në Kosovë ka qenë krejtësisht specifik, shikue nga Titoja me shokë qyshë atëherë nën prizmin nacjonal. Në të vërtetë ky revolucjon ka realizue këto masa:
I. Hakmarrje e serbëve, malazezve e maqedonasve kundra shqiptarëve që u përpoqën të bajnë Shqipnin e madhe. Ket gja ata e kryen me dorën e shqiptarëve. ( shi. Albanski jugoslovenski – V. Dedjer).

II. Shtypja e beglerëve, tregtarve dhe shtëpijave të para shqiptare dhe marrja e tokave të tyne për t’iau shpërndá kryesisht malazezve, tue qenë këta i vetmi element që mund t’u bajnë ball shqiptarëve, dhe tepricën tjerëve fshatarëve shqiptarë të vorfën, me qëllim me i afrue dhe me i zbutë tue ba me harrue skenat e përgjakshme. Nga shpërndamja e tokave shqiptarët nuk kanë përfitue për këto arsye:
A) Fryma konservatore “po na i dau shkau tokat e parisë shqiptare e nesër njisoj kanë me na i marrë pse iau ka lanë baba”.

B) Fryma e kolektivizimit komunist në kundërshtim me individualizmin e fshatarit tonë (gja analoge dhe në Malsin e Shkodrës, ku as dy % nuk kanë përfitue nga reforma agrare).C)Kosovari psikologjikisht e ka ndie vehten plotsisht të mujtun tue ra për së dytit në robni, prandej nuk ka pasë zemër të kërkojë përfitim prej beneficeve të revolucjonit si elementi ma i vorfën në Jugosllavi. Karakteristikë kryesore në mardhanjet e shqiptarëve e të qeverisë jugosllave asht mosbesimi reciprok.
Fakte vërtetuese: moskujdesi i qeverisë që në Kosovë e Metohi të ngrihen fabrika, elektrane ase të hapen udhë të reja si në Krahinat e tjera jugosllave.. Nga ana tjetër ky vend asht i mbushun me landë të para që nuk përpunohen në vend, por trasportohen në Serbi, gja kjo krejt në kundërshtim me parimin Marxisto – leninist. Mos të harrohet dhe se Kosmeti asht zyrtarisht Krahinë autonome prandej duhet të kishte nji autonomi ekonomike. Mosindustrializimi i ketij vendi ka shkaktue “pecallben” tek shqiptarët d.m.th. shperndamjen e shqiptarëve neper tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 puntorë krahi shqiptarë tue perfshi edhe spataxhit. U dokumentue me nji reportazhë pregatitë nga disa studenta shqiptarë në Beograd nergut për revistën e ilustrueme ZANI I RINIS. Ky artikull qe censurue dhe ndalue.)

Nga të gjithë këta na dalin disa pyetje: a thue jugosllavët ase ma pikërisht komiteti qendruer i partis komuniste jugosllave parashef se do t’a humbi Kosovën nji ditë, prandej nuk derdh kapital në te, por e shfrytzon? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun per zhvillim industrijal, dhe se në në rasën e ndoj lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit ka ma ngjasë sepse ata në të vërtetë krejt industrin e randë, sidomos industrin ushtarake, e kanë perqendrue në krahinat malore të Bosnes, mirë e mprojtun nga Lindja e nga Prendimi. Por asgjamangut kjo nuk e justifikon moskujdesin për Kosmet, pse në të njajtin pozicjon strategjik gjindet edhe Maqedonija e cila ka përfitue ma tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Sod rrallë mundesh me gjetë maqedonas nëpër vende ase republika tjera tue kërkue punë, si para lufte. Partija komuniste jugosllave e ka shpëtue ket popull, i cili u gjinte në kapërcyell mes dy kombsive që dojshin me e pervetsue: serbët e bullgarët luftojnë tash dheta vjet rreth këtij vendi të vorfën për t’a asimilue tue shtypë çdo individualitet të tij me mënyrna shovene. Maqedonasit sod e ndiejnë vehten të lirë kombtarisht: kanë gjuhën e vet, kulturën e vet (letërsin, universitetin dhe folklorën e vet me kangët e bukura). E pra ky popull dhe qeveri maqedone sjellet me shqiptarë ma keq se çdo grup tjetër etnik nën shtetin jugosllav. Psikologjikisht asht fare e kuptueshme nji gja e tillë: ata tue qenë hala të ligësht dronë edhe hijen e vet. Mbasi ra fjala dhe mbi antagonizmin dhe shovenizmin mes këtyne kombësive ballkanike, due të shprehi nji ide dhe deshirë qi i rrin në zemër çdo intelektualit të ri ballkanas: zhdukja e anmiqsinave dhe idenave mes kombsivet tona. E vetmja mënyrë dhe rrugdalje asht nji konfederacjon ballkanik, që nji ditë, natyrisht në kushte tjera shoqnore dhe ekonomike, do të vijë. Do të vijë atëherë kur Ballkani të industrijalizohet ase ma mirë atëherë kur bujqt tue punue tokën me mjete moderne kanë me prodhue për vehte mjaft bereqet dhe kanë me e ndie nevojën e hapsis për të shpërnda prodhimet e veta. Por sod Ballkani asht nji vend mizerje, ku njerzit ase kombet, tue pasë barkun thatë, kujtojnë se ia ka fajin ai i vogli që asht gjallë, prandej bahet bishë karshi të ligshtit.Masa e re ka fillue t’interesohet shum për mjeshtrina të ndryshme vetëm tash në kohët e fundit. Nësa kora e vjetër vazhdon të qindrojë n’at lëvozhgën e vet që asht fanatizmi fetar dhe nacjonal, rinija shkon tue humbë fare dhe ndjenjat fetare, kështu që sod shumica e intelektualve të rij o asht injorante dhe indiferente ndaj fés ose ateiste. Puntorija e minierave (puntorija hamalle) e sidomos ajo e Trepçes 80 % asht shqiptare. Tash së fundit në Trepçë kanë shkue dhe tre inxhinjera shqiptarë, shokë të mij nga Universiteti. Përsa i përket lanjes mbas dore të Kosmetit në lamën e industrijalizimit elaborues nuk dij çka me thanë. Nga nji qëndrim i tillë i jugosllavëve, mund të na dalin vetvetiu dy pyetje: a thue këta do t’a parashofin se nji ditë kanë me humbë ket krahinë, prandej nuk derdhin kapital në te dhe vetëm mendojnë t’a shfrytzojnë? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun për zhvillimin industrijal dhe në rasën e ndonji lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit kishte me qenë ma e arsyeshme po mos të bante kontrast pozicjoni i Maqedonis që, megjithse në rasë lufte kishte me ra e para, ka përparuema tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Megjithkte maqedonasit janë diskriminatort ma të mdhaj karshi shqiptarëve të cilët hjekun të zit e ullinit nën ta. Mun maqedonasit me ne janë tregue shum brutalë dhe të parët kanë fillue me i tëbue shqiptarët për Turki. Në lidhje me qindrimin ekonomik që mbajnë jugosllavët me shqiptarët ase me Kosovë unë kam ket mendim: nuk donë që Kosmeti të përparojë fort, kështu që të mbesë gjithmonë i mvarun prej tyne. Nga ana tjetër as nji Kosmet “xhungla” nuk u intereson per shumë arsyena që kuptohen kollaj.

GJENDJA SHOQNORE E SHQIPTARËVE NË KOSMET

Asht shum e natyrshme që nji shoqni, e cila mbrenda 15 vjet ka kalue nëpër nji luftë dhe nëpër nji revolucjon të hatashëm, të ketë pësue ndryshime shum të mëdha. Thanja e ndonji definicjonit në ket mes nga unë nuk kishte me qenë me vend, mbasi, tue qenë me mish e me shpirt për gjeneracjonin e ri, sigurisht do të jepsha diçka shum subjektive. Shqiptarët e rij e të vjetër në Jugosllavi i bashkon, përgjithësisht, nji mendim i përbashkët: lirija kombtare. Të parët janë militanta, të dytët nuk donë kompromise dhe e evitojnë “shkan” në çdo mënyrë. Te të dy palët asht nji tendencë e aqikët: donë me qenë ata vetëm zota të Kosovës, prandej jam i bindun se nuk kishin me ra dakord as me shqiptarët e Shqipnis së nesërme. Për sa i perket dallimit të mbrendshëm po paraqes nji mendim superficial të serbëve të Kosovës. Këta intimisht mes tyne shqiptarët i ndajnë në tri kategori : “arnauti” shqiptarët katundarë të tipit të vjetër, me plis të bardhë në krye, gadi me e perpijë serbin në të parën rasë; “šiptari” janë shqiptarët me pantallona e xhaketa, mësuesa, nënpunsa etj.; “albanci” shqiptarët e ardhun prej Shqipnis e të ngulun në Kosovë. Ky asht nji dallim populluer e shum superficial, por shum interesant kur merret para syshë se prej kuj asht bâ.

GJENDJA KULTURORE

Suksesi ma i madh asht në lamën e arsimit dhe të kulturës. Poqese shkon njeriu në vend, shef gjith këto shkolla, sidomos t’ulta, mbetet i habitun. Gjaja që të ban ma tepër përshtypje asht zelli i arsimtarëve që me nji rrogë shum të vogël punojnë natë e ditë me nji vetmohim të çuditshëm. Prandej nuk duhet të na habisin qëndrimi i sllavëve që nuk na donë as na kanë dashtë kurr të mirën e që përpiqen me çdo mënyrë me i paksue. Mjerisht ata janë kujtue se shkolla në shqiptarë asht ba dhe nji symbol ase, ma mirë me thanë, nji mjet për me shprehë ndjesitë kombtare. Kisha me thanë (dhe nuk jam i vetëm në ket gjykim) se Beogradi gjindet para nji problemi shum të madh se si me e ndalë ket zhvillim që ata e quejnë “anormal”. Ai proçesi i shtërngimit, që filloi me shpalljen e turqve në Kosmet dhe mandej me emigrimin e tyne, me gjyqet e trillueme “irredentistash” dhe “kominformbyroistash”, nuk ka mbarue ende. Njerzija shqiptare tash së fundit ka fillue me u lodhë, pse ju e dini se jeta me pushkë në faqe gjithnji mund t’i merzitet çdo idealistit. Ket gjendje shpirtnore e kam provue dhe unë, sidomos kur më mbyllën derën e çdo bashkpunimit me revista shqipe ase mundsin e botimeve në vehte. Organet (UDB, komitetet e partive etj.) që merren me demaskimin e elementave “të rrezikshëm” dijnë me i lujtë kaq mjeshtrisht spilcat dhe intrigat sa që nuk e din se kah të erdh e keqja. Me shum mjeshtri ia dalin dhe me shtij grindje, mosbesim mes intelektualve shqiptarë, të cilët tash në kohët e fundit kanë fillue me zanë mend pak, sidomos me mbylljen e Institutit albanologjik në Prishtinë dhe me gjyqet e trillueme. Tue lanë në njanën anë shkollat pse aktiviteti i tyne asht tashma shum i njoftun, Kosova ka përparue shum në pikpamje kulturore shqiptare nëpërmjet të theatrave dhe grupeve folkloristike. Kemi theatrin shqiptar profesjonal të Prishtinës, i quejtun “theatri i krahinës autonome Kosmet” i cili jep shfaqje në gjuhën shqipe nëpër tanë Kosmetin dhe Maqedonin. Tri herë bile kanë qenë dhe në Beograd theatrat profesjonalë të Shkupit, Mitrovicës e Pejës. Në Prizrend dhe në të tana qytetet e tjera ku gjindet shkolla e mesme në gjuhën shqipe funkcjonojnë grupet artistike, ku jepen shfaqje theatrale e folkloritike (kërcime popullore shqiptare, kangë me melodinat e bukura kosovare). Deri në vitin 1954 Kosova ka pasë dhe grupin artistik ase folkloristik, që mandej u shkri në ate të Serbis. Kërcimet e bukura të Kosovës shqiptare (kërcimi i Rrugovës rreth nuses me shpata, Shota – kërcimi i djalit dhe i vajzës me ritmin e gjallë e lirik) kanë ba për vehte të tanë publikun jugosllav dhe kanë fitue rekordin si në Jugosllavi ashtu dhe në Europë dhe Azi. Më ka pasë ba përshtypje të hatashme në sallën “Kolar?ev” të Beogradit kur duelën në skenë shqiptarët me veshjen e bukur të malsorëve të Rrugovës dhe me shpata të hjekun filluen dyluftimin për nusen. Në kërcim i ndiqte vetëm tupani, kështu që kur lëshoshin kambën për tokë u dridhte krejt salla. Ishte e para herë që u jepte nji shfaqje e tillë në Beograd me 1949 (tetuer), prandej publiku u entuziazmue për së tepërmi. Koreografët deri tash vonë nuk kanë ba asnji ndryshim, por i kanë lanë ashtu si kanë qenë origjinale. Folklora deri tash ishte nji mjet që qeverija e perdorte për njofjen dhe afrimin e popujve “jugosllav” mes tyne. Mirëpo nji gja e tillë ne na ka vleftë shum pse gjeneracjoni i ri jugosllav asht në evolucjon e sipër dhe vjen kadalë kadalë tue ndrrue mendimin e etënve mbi shqiptarë. Unë kam pasë shum shokë e miq mocatarë të mij e që sot janë doktora, inzhinjera etj. që simpatizojnë dhe flasin e pohojnë se populli shqiptar asht elementi ma i shtypun në Ballkan. Por asgjamangut unë jam plotësisht i bindun se çdo qeveri që të vijë në Beograd ka me luftue deri në pikën e fundit për Kosovë. Tash së fundit janë gjetë dhe disa minjera të reja me metale shum të kushtueshme dhe krejt fusha e Kosovës asht e vendosun mbi qymyr gurit; po e lamë Trepçën dhe pyjet e Kosovës që shfrytzohen gazep. Unë jam i mendimit se popujt e Ballkanit janë shum afër pse kanë dhe nji influencë kulture e histori të përbashkët, por mjerisht sod për sod jemi të shtrënguem dhe na me qenë shovena. Në këto kushte zhvillimi njerzit nuk munden me mendue ndryshej.

Fitorja ma e madhja në pikpamje të kulturës ka qenë Instituti albanologjik i Prishtinës. Qe hapë në vjetin 1953 me ndihmën e Millovan Gjilasit. Ky burrë i ka pasë dashtë fort shqiptarët, shum kush thotë bile se dhe ai asht vetë me origjinë shqiptare. Mbasi kishte ra prej pozite, jam njoftë me te në bibliotekën kryesore të Beligradit po bahen 15 muej. Në bisedë e sipër më pyeti si shkon Instituti i Prishtinës.

Fill mbas kësaj pyetje nuk mujta me ndejë pa ia shprehë simpatin e shqiptarëve për te. Shtova se ndër ne flitet se ai asht origjinë shqiptare e se në Malsi kemi plot njerz me emnin Gila. “Unë jam Vasojeviq” m’u pergjegj e “sigurisht kam gjak shqiptari në vehte së pakut nepermjet grave që ia kemi grabitë njani tjetrit.” Dhe filloi me qeshë. Më foli dhe mbi historin e Vasojeviqve e malësorve, pse ai asht njeri me kulturë të madhe. Si fëmijë kishte ruejtë baktit me çobajt e Kelmendit dhe në fund më foli kundra politikanëve që ndajnë popujt. Instituti posa ka pasë fillue punën: u mblodh mbrenda nji kohe të shkurtën nji mori kangësh e prrallash, që më duket i kanë hjedhë të gjitha në kosh.

 Kur ishte tue u organizue, ka ra shpesh dhe biseda mbi ju. Kryetarit Elhami Nimanit i kam folë shpesh për ju. “Sa të fillojmë botimin e anualit” më pat thanë “do të ta grishim të marri pjesë.” Edhe ndër komunista kosovarë keni një simpati shum të madhe, pse këta (shumica) para së gjithash janë shqiptarë. Por Instituti në fjalë, në të vërtetën mbaroi edhe për mend të shqiptarëve e, mbasi nga fillimi prej shumkuj në Beograd nuk qe pa me sy të mirë, gjetën shkaqe me e mbyllë, aq ma tepër kur u dinte nga të gjithë se asht hapë me ndihmën e Gjilasit.

Tash qendrat ma të nalta mbi studimet shqiptare janë grupi albanologjik i Beogradit me tre profesora: V. Dancetoviq, Idriz Ajeti, Anton Çeta; me tre vetë në specializim mbas laurës, Dragan Micoviç, Enver Gjergjeku e Abdullah Zajmi; me afër 70 nxanës gadi të githë shqiptarë. Ky asht grupi ase kathedra ma e fortë albanologjike jashta vendit. Bariqi, si u kam shkrue, asht kryetar i Institutit Balkanologjik në Sarajevë dhe 80 % të studimeve që dalin në anualin që asht në shtyp janë mbi shqiptarë.

BURIMI: http://floripress.blogspot.al

Martin Camaj /21.7.1925-12.3.1992/


Image result for flori bruqi


Nga Flori Bruqi


Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925; vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih. Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe.

Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd ku studioi romanistikën, por mori mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare.

Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.
Skeda:Martin Camaj.jpg

Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Në Munih, ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në vdekje,. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.



Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik "Nji fyell ndër male", Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe "Kânga e vërrinit", Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t'u kthyer.

Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti (1888-1970).

Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet "Selected Poetry", New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe "Palimpsest", Munich & New York 1991.

Tituj të veprave

Nji fyell ndër male - Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit - Prishtinë 1954
Djella (novelë) - Romë 1958
Legjenda - Romë 1964
Lirika mes dy moteve - Munih 1967
Poezi (1953-1967)- Munih 1967
Njeriu më vete dhe me të tjerë - 1978
Poezi 1981
Drandja (proza poetike)- Munih 1981
Rrathë (novelë) - 1981
Shkundullima - 1985
Karpa (novelë)- 1987
Poezi 1981
Tingujt e parë

Botimet dygjuhësore

Poezi (shqip-italisht)- 1985
Me pendlat e korbit të bardhë (shqip-gjermanisht)

Të tjera

Meshari i Gjon Buzukut - Romë, 1960
Tekst mësimor i gjuhës shqipe - Wiesbaden 1969
E folmja shqipe në provincën e Avelinos - Firence 1971
Antologjia: Këngë shqiptare - Dusseldorf 1974
Gramatika shqipe - Wiesbaden 1984

Veprimtaria krijuese e Martin Camajt u zhvillua kryesisht në mërgim dhe fund e krye u dominua prej dy trashëgimish: bota që shkrimtari kishte marrë me vete duke u shkulur prej rrënjëve të të parëve dhe po ajo botë e rizbuluar me dije në vitet e mëvonshme, gjatë kërkimeve të tij gjuhësore, etnologjike, historike dhe letrare. Vetëm dy vëllimet e para poetike u botuan në një mjedis brendagjuhësor shqiptar, dhe këto jo në vendlindjen e mirëfilltë, por në Kosovë.

Camaj si shkrimtar i provoi zotësitë e veta krijuese me të gjitha llojet dhe gjinitë letrare, duke eksperimentuar edhe në shartime dhe kryqëzime të suksesshme të tyre (prozë poetike, tekst i dramatizuar), si dhe duke pagëzuar lloje e gjini letrare që nuk kishin traditë (madrigale, palimpsest, parabolë).

Në gjithë këtë vepër, të shkruar gjatë afro 35 vjetëve a më shumë, Martin Camaj është vetja që kërkon veten, të pandashmin nga fisi dhe atdheu, të pandashëm si e përmban në kuptimin burimor këtë nocion termi latin individuum (in - dividuum). Kërkimi i atdheut të munguar, i vendlindjes që nuk mund ta shohë dhe që e ndjek pas si një dënim, nuk është si në letërsinë e Rilindjes, mall për vendlindjen, vajtim për ikjen. Landi është mallkimi i fatiti të tij: është gjithçka që i mungon dhe duhet ta krijojë në letërsi.
Ka një dallim thelbësor midis kultit të landit në letërsinë e Martin Camajt me mitin e origjinës që sundon për shumë shekuj letërsinë shqipe. Landi është paracaktimi dhe kushtëzimi shpirtëor i shkrimtarit; është njësoj si sundimi i fëmijërisë në kuptimin frojdist në fatin e njeriut dhe të krijuesit veçanërisht.

Kuptimi i atdheut, qysh në lashtësinë heroike antike greke, u shkallëzua në dy nivele - si vendi i akejve dhe më tej i çdo qytet - shteti, mbretërie a krahine të vetëqeverisur: Elada dhe Itaka, për shembull. I njëjti shkallëzim, që lejon edhe kuptimin e gjerë, edhe atë të ngushtë të atdheut, shfaqet edhe në veprën e Martin Camajt. Nuk mund të thuhet se Shqipëria fund e krye nuk është e pranishme drejtpërsëdrejti në veprën e tij ( të paktën në romanin "Rrathë" dhe në njërën prej dramave është i pranishëm edhe realiteti i ri shqiptar), por më shumë është e pranishme vendlindja, vetëdija e landit.

Zgjedhja e shkrimtarit ka qenë krejt e logjikshme: për të mos krijuar çfarëdo opsioni me atdheun Shqipëri, ai e ka zëvendësuar atë me vendlindjen. Kjo mund të shpjegohet me shumë arsye: letrare, psikologjike dhe politike. Ajo Shqipëri, ashtu siç ishte, nuk ishte e denjë për letërsi sipas konceptit të Camajt, por edhe që të trajtohej si anti - ideal estetik nuk ishte e mundshme.
Për të duket se bindja se Shqipëria në letërsi ose duhej të ishte sublime, ose nuk duhej të përmendej fare, shprehje e një delikatese të fisme.


Njeriu ndalet në një shej vendi në kohë, harron punën e përditës dhe rrëmon në vete për të gjetur fillin e humbun të ndjesive të veta. Ngjan kështu që mbas secilit varg të fshihet nga një grimë ngashërimi që po në atë çast kur autori iua përcjellë të tjerëvet shndërrohet në gëzim. Kështu shkruan Martin Camaj në këmishë të kopertinës së botimit "Njeriu vetëm e me të tjerë", në vitin 1978.
Gëzimi që të fal arti, dmth gëzimi i zbulesës dhe i estetizmit të botës, rrallëherë ka prodhuar në letërsinë shqipe kaq shumë liri e vetmi sa në poezinë e Martin Camajt. Është fjala, mitra e kësaj lirie dhe vetmie. Te Camaj fjala është ndërtuese dhe përshkruese e botës. Është e thellë sa qenia e poetit dhe e gjerë sa bota e tij.
Poezia e Camajt i jep një kuptim të ri fjalës, e risemantizon dhe e përdor vetëm atëherë kur është e nevojshme. Në poetikën e tij kundërvënia mes botës reale dhe botës së estetizuar e të esencializuar shfaqet me "mosprani", që është njëherësh pritje për një të vërtetë të epërme, të vërtetën e artit, dhe habi për zbulimin e saj, thellë brenda vetes.
Prandaj ngjarjet e jashtme bëhen gjithnjë e më të pangjashme me veten në këtë botë të re, ku hapësira dhe koha shndërrohen në përmasa psikike. Kjo poetikë e kërkimit të thelbësores te Camaj vjen shkallë - shkallë e hap pas hapi, nga vëllimi i parë deri te dorëshkrimet e fundit. Fjala, gjithnjë e më shumë, merr thellësinë e vetimisë. Raportet mes imazheve nuk kanë ngjashmëri me botën reale. Dukshëm, krahasimet zëvendësohen me metafora të largëta, të vështira për t'u interpretuar, foljet kalojnë në kohë gjithnjë e më të shkuar, fjala bëhet gjithnjë e më aluzive dhe e vetmuar në esencën e vet.
Rruga e poezisë së tij është rruga e mundimshme e kthimit në atdhe të një autori të penguar nga të gjithë. Ai vjen vetëm, me gjuhën e vet, me gegnishten e larguar nga vetë gegnishtja e ndaluar, me poetikën e vet të larguar nga tradita shkodrane, edhe kjo e ndaluar, me poezinë e tij moderne e vetjake, krejt të huaj për poezinë vokalike, për tërmetin verbal me shumë epiqendra, për poetikën kolektive të realizmit socialist. Në këtë kënd ajo ka karakteristikat e fisnikërisë që Montale i njeh poezisë: plotësisht e padobishme, por asnjëhetë e dëmshme.





"Ka rrethana në jetën e njeriut që ky don me i harrue. Porsa qet kryet një këso ngjarjesh në kujtesën e tij, ai e ndrydh, për shpirt kishte me e nxjerrë me gjithë rranjë prej fundit të zemrës, por s'ban! Papritmas kujtimet e pakënaqshme mbijnë dikund ku as ndërmend nuk të shkon, shpesh si shfaqje negative, për shembull, në marrëdhënie me të tjerët.

Nëse kjo vetje që don me harrue diçka është krijues, këto ngjarje të pakandshme i shfaqen pavetëdishëm në krijimet e tij në letërsi, për shembull, ose në pikturë apo në tinguj. Ky lloj arti del tepër i kapërthyem, por nëse ashtë vërtet art, del në trajtën e vet i harmonishëm. Me zbërthimin e këtyne krijimeve artistike merren gjurmuesit, kritikët e bile tash së fundi dhe psikologët dhe aty këtu ndonjë gjuhëtar.
Unë nuk i përkas kësaj rigate njerëzish, as si krijues, as si gjurmues. Poezia ime rrjedh nga ato rethana jete që unë dua t'i kujtoj!"




"Rreziku i vëzhgimit të cekët, asnjë milimetër i thellë, në shpirtin e veprës është brenga më e madhe e Camajt përballë veprës së tij të kryer (Qyteti). E kryer, e përfunduar në formën e saj gjuhësore kombëtare, çdo gur i ngrehinës së tij poetike mbart erën e shekujve të traditës klasike që e kanë ushqyer.
Në mëngjes krijimi shqiptar i kryer në qytet të huaj gjendet në një mjedis të shkretuar receptimi, përballë kategorive intelektuale të komercializuara nga sistemi - nëpunës, tregtarë që e shohin, por nuk e kuptojnë veprën poetike, studentë të dogmatizuar me peshën "gur" të librave shkollorë dhe shënimeve që mpijnë vullnetin për të krijuar.
Rikthimi i fjalës mes atyre që flasin të njëjtën gjuhë me të ishte brenga dhe pengu që Camaj i la lexuesit të ardhshëm."

Dr. Blerina Suta

"Palimpsesti i zbulon Camajt misterin e mjeshtërisë së poetit, enigmën e asaj që ai kërkon në poezi. Enigma, sikundër shprehet vetë Camaj, qëndron në "një shkronjë": sigurisht që është fjala për shkronjën që gjendet poshtë asaj të dukshmes. Për "shkronjën" e cila e lë tekstin poetik të hapur, e bashkë me tekstin edhe intepretimin për të.
Por, njëkohësisht, i jep fjalën drejtshkrimin gegë "shkrojë", Camaj e ka fjalën edhe për "të shkruarit" e për "shkrimin" në përgjithësi. Si edhe, pa dyshim, për mundin e poetit në kërkim të shkronjës dhe të shkrojës së saktë. Në këtë pikë, poetika e palimpsestit na zbulon gjithë arsyen dhe forcën e saj. Pa llogaritur që vetë kënaqësia e deshifrimit vjen e bëhet një poetikë më vete."

Prof. Dr. Ardian Marashi

"Lexuesi ka me e pa se në këtë "Palimpsest", magjia e fjalës mbërrin me e risemantizue atë, tue kthjellue të përtejmën e tue zbehë të këtejmen. Në vetminë e tij, poeti nuk ankohet dhe ma së shumti ia beson titujve mesazhin e vet, i cili nuk ka asgja politike apo shoqnore, nuk ka asnji ngjyrë retorike, por zbulon nji vuejtje të qetë që e ban me lundrue në kohë, deri te caku i vet...
Kam shpresë se lexuesi i ri ka me ndërmarrë nji udhtim të mundimshëm e të frytshëm në arkipelagun hermetik të Camajt, tue lexue te lamtumira e tij e pathanun nji mirëseardhje të re.
"Kush ëstë ai zog në Mistral?" - pyet Camaj, e ne e dijmë se kjo erë që fryn prej veriperëndimit sjell të ftohtin në Mesdhe. Ai zog në Mistral asht vetë poeti që zbret prej veriut në tokën e vet në kërkim të nji Fjale që flen brenda nesh."




E interpretuar kështu, poezia konfirmon shpjegimin në kopertinën e librit, që çdo poezi fsheh një përvojë të pakëndshme, e cila kur ndahet me të tjerët, bëhet e këndshme, kujtimet e lumturisë kapërcejnë çastet e vështira në jetën e çdokujt, duke qenë një burim kënaqësie. Çështja qëndron nëse kjo kënaqësi ndahet me lexuesin. Që të ndodhë një komunikim ndjenjash ndërmjet autorit dhe lexuesit, ky i fundit duhet të dijë jo vetëm se Ister – i është emri grek i Danubit dhe se "e mungëta" i referohet Munihut, por gjithashtu se autori iku nga Roma pa dëshirë, i vendosur të shkruajë poezi.
Këto gjëra lexuesit mund t'i dijë vetëm nëse ai i përket një elite intelektuale. Një lexues i thjeshtë nuk do të mund të depërtojë në sekretin e poezisë; poezia nuk është shkruar për të. Me këtë poezi, poeti është "më vete", jo "me të tjerë".
Kjo mënyrë e të shkruarit për një elitë, që konsiston më tepër në fshehjen se në zbulimin e kuptimeve, është po ashtu e një modeli modernist, megjithëse mostrat gjenden në trobar – clus – er e poetëve provansalë. Mallarmè tregon një shembull në fund të shekullit, të pasuar nga poetë të tillë, si: George, Valèry, Eliott, Ungaretti dhe Montale.
Komunikimi me lexuesin nuk është shqetësimi i këtyre poetëve, që gjejnë "kënaqësi" pikërisht në qëndrimin e kundërt, atë të ironikut që e largon veten prej të "tjerëve" duke përdorur një gjuhë të pakapshme për ta. Qëndrimi i Camaj në vëllimin në fjalë është në përputhje me këtë qasje elitiste për poezinë.





Në këtë syzim, autori i kësaj përmbledhjeje lirikash nuk qëllimon t'i paraqesë vetveten lexuesve. Nga ana tjetër, poezia nuk lyp shpjegime, edhe ajo flet për veten në atë formë e strukturë që ka. Ka vetëm një trajtë të qëllueme e të drejtë, një radhitje fjalësh, gjithmonë në gjuhën amtare, përmes së cilës njeriu i paraqitet vetes e rrethit të njerëzve që janë të interesuem.

Sikur unë ose çdo autor tjetër të vehej me shpjegue krijimet e veta ashtë rrezik t'i largohet tekstit fillestar e të krijojë diçka të re, pa dashje, të prishë veprën e vet tue e vu në një dritë të rrejshme.

Rrëfej se kam pasë gjithnjë vështirësi, një lloj turpësie të flas për poezinë time apo të lexoj vargje të mia para tjerëve. Kisha gjithnjë përshtypjen se po zbuloj diçka intime a fshehtësi dhe se po humb "fillin e gjetun", drejtpeshimin e krijimtarisë.

Por meqënëse kjo ashtë hera e parë që botohet diçka prej meje në vendin tim, e ndjej për detyrë t'i jap disa njoftime lexuesit të këtij libri rreth veprës sime letrare: shikue drejtas, ajo ndahet në periudha, përkatësisht me fazat e jetës së njeriut. Ndonëse periudhat ndryshojnë nga njena tjetra, ato ndërlidhen nga fije të forta sikur të ishte një libër i vetëm nja 2000 faqesh.

S'ka pasë programime në këtë krijimtari prore e përcaktuese nga koha, si ashtë titulli i një cikli lirikash të Giuseppe Ungaretti "Giorno dopo giorno" (Prej dite në tjetrën), poet italina që ka njoftë edhe ai mërgimin. Le të flasim për poezinë! Si e ndjej unë atë, tërthoras, ndoshta jap edhe ndoj njoftim përmbi artin tim në këtë lami.

Për shembull, ndër nè gjatë periudhës afër gjysmë shekull që e përjetuem u ndeshën dy tema letrare rivalizuese, në një anë, mrekullitë e trimnitë e herojve bashkëkohorë, ndërsa në tjetrën shkriheshin të mbulueme gacat e një zjarrmi të pashueshëm, eshkë e ndezun, nxjerrë nga eshtnat e njerëzve të thyem e të mundun. Të dy përmbajtjet, vetëmburrja e fituesit dhe vuajtjen njerëzore u shfaqën njëkohësisht edhe në lirikë. Specifike në këtë mes ashtë njëkohësia e dy rrymave letrare të papajtueshme njena me tjetrën: trimni / ligështi.

Gjasa tashti ashtë edhe ndër ne të dalë fituese ligështia, ardhja e periudhës së Sofokliut në letërsinë greke, kur poetët nuk do të këndojnë ma për heronjtë homerikë, po secili do të flasë për fatin e vet tragjik. Do të flitet për çentaurat e së kaluemes, për "njerinë – shtazë", me siguri!

Tue u sjellë kah talentat e rinj të dheut tonë, uroj që veprat letrare me tematizime të tilla mos të kalojnë kufijtë e drejtpeshimit e masës në art ( në teorinë e tragjedisë greke: hybris). Gjithnjë tue mbetë në sferën artistike, del pyetja për poetin e ardhshëm: çka do të ndodhë me Edipin? Mbasi verbon veten, a do të shkojë me sosë në shkreti?
Krijimi i poezisë në liri ka tjetër cilësi përjetimi, shujta, ushqimi tjetër shije dhe gjumi tjetër qetësi e prehje.



Bota e trilluar e Karpës është ngritur mbi dy shtylla: nga njëra anë, mbi atë historiko – gjuhësore, që i lejon Camajt të çjerrë velin e pluhurosur të kujtesës e të depërtojë me fuqinë e fantazisë krijuese në skutat e një të shkuare të moçme të padëshmuar nga fiset e malsorëve shqiptarë; nga ana tjetër, mbi shtyllën antropologjike, që i jep mundësinë të shfrytëzojë prirjen kulturore primitive e instiktive të shqiptarëve për ruajtjen e llojit, urtësinë e tyre të lashtë zakonore, aftësinë e tyre arkaike për t'u përshtatur me çdo kusht, me fjalë të tjera, botëkuptimin e tyre që ndër shekuj ia kishte kalitur aq shumë shpirtin, sa i kishte bërë të paprekshëm nga rrjedha e historisë.
Bazuar në këto dy shtylla, Camaj ia doli të rrëfejë qoftë përvojën e vështirë të të mërguarit në kërkim të qendrës së humbur të rëndesës, qoftë edhe përvojën e shumë individëve të cilët, si shkëmbinj të ngulur në tokë, janë kredhur kokë e këmbë në anonimatin e bashkëkohësisë, e për këtë arsye janë ngurosur si fosile të palëvizshme dhe të pandjeshme ndaj rrjedhës së historisë. E tillë është dhe kultura e tyre e egër dhe e padëpërtueshme: kokla traditash dhe kujtimesh që përsëriten prore, pa u cënuar sadopak nga moderniteti.
Posaqë paradoksi kohor i Karpës nuk bazohet mbi kundërvënien mes epokave të ndryshme, a më mirë të themi, mbi kalimin shungullues nga e shkuara në të ardhmen dhe anasjelltas, por mbi sfidën ndaj çdo gjëje të rastësishme dhe jetëshkurtër, atëherë mund të themi se thelbi i atij paradoksi qëndron në përpjekjen për të paraqitur një kohë pa lëvizje, që fshin kundëvënien mes jetës dhe vdekjes.
Me këtë model antropologjik përkon tipi kulturor "karpatik", banori vizionar i një qyteti imagjinar, që Camaj e skalit mjeshtërisht, duke i kushtuar vëmendje të posaçme veçorive gjuhësore, tipareve të jashtme dhe natyrisht përcaktimit simbolik.
Tek e fundit, nëse edhe Camaj, ashtu si Defoe, i besoi personazhit të tij detyrën "të rindërtojë" një botë që t'i ngjasojë atij, duke e lejuar të përdorë të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë rrënojat dhe mbeturinat, siç mund të jenë copëzat kujtimeve dhe të mallit, ky qëllim nuk mund të arrihej veçse përmes krijimit të arij vendi ideal, imagjinar, magjik, origjinal ku njerëzit ëndërrojnë të lënë dëshirat e papërmbushura.




Dranja, emri i veprës eponime persona poetica, një breshkë femër "me një emër gruaje", që është gjithashtu "emri i një vajze të bukur prej vendlindjes së autorit", është një formë dialektikore e emrit Drande, "Trëndafile".
Titulli i veprës duhet të lexohet, pra, si gruaja - breshkë" ose "breshka - trëndafile", përpunohet mbi motivin. Natyra e veprës identifikohet me emrin e llojit letrar që pason menjëherë titullin: "Dranja. Madrigale". Një madrigal është një nënlloj lirik erotik, i shkruar në vargje dhe në fillimet e tij i kënduar.
Por, madrigalet e veprës "Dranja" janë shkruar në prozë, e cila është, sidoqoftë, prozë poetike, pikërisht një lloj i ndërmjetëm midis poezisë dhe prozës. Si një rrëshqanor, Dranja është "frymor i ndërmjemë mes sisorëve dhe atyne që pjellin vezë", duke përfaqësuar kështu një stad kalimtar në evolucionin e jetës së kafshëve - nëntitulli shënon "madrigale mbi fatin e një frymori të papërsosun".
Hibridizmi i heroinës, rrëshqanore dhe njerëzore, i përgjigjet hibridizimit të llojit letrar që portretizon personazhin (persona). Për herë të parë që nga Djella (fjala është trajta e shquar femërore e emrit në trajtën e pashquar të gjinisë mashkullore "diell" dhe i përgjigjet në gjermanisht "die Sonne"), një emër i përveçëm femëror kondenson një vëllim në një titull njëfjalësh. Një kondensim i tillë i kuptimit në një njësi minimale semantike formulon një poetikë shpërthyese.
Madrigali i parë është një prolog i kësaj poetike. Një malësor i ri zbulon një fosil, në të cilin zhgualli i një breshke është qarkuar nga një gjarpër. Siç është bërë e qartë nga një madrigal tjetër, në të cilin gjarpri tregohet epshor pas Dranjes, fosili është një ikonë e marrëdhënies seksuale. Gjarpri, që i ngjitet breshkës të kujton Evën që joshet nga Djalli. Mitit biblik i është dhënë një version natyralistik, i afërm me kultin pagan të malësorëve për diellin në pamjen e një gjarpri totemistik.
Te Dranja, Camaj ritregon historinë e jetës së tij të paracaktuar nga origjina e tij fisnore dhe e mbipërcaktuar nga endjet dhe ngulimet e tij jashtë. Këtë herë, megjithatë, alteregoja e tij është një kafshë, një përfaqësuese shumë e zakonshme e faunës së Shqipërisë Veriore, por që ka "një famë të keqe në mitologjinë popullore". Autori e ka zgjedhur zvarranikun si simbol të vetes së tij poetike, duke theksuar kështu më tepër pozitën e tij konsekuente anti - heroike.

Titulli: Dranja
Origjinali: Dranja
Gjinia: Madrigale
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 168
Pesha: 0.23 kg
ISBN: 978-99956-87-72-4
Drama, Martin Camaj


Ismail Kadare

Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha.
Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për "ëngjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre". Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk ka sos.

Titulli: Djella
Origjinali: Djella
Gjinia: Roman
Autori: Martin Camaj
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2012
Fq. 136
Pesha: 0.19 kg
ISBN: 978-99956-87-09-0

TRASHEGIMI...

Katundi arbresh kaluer
mbi qafën e bjeshkës
shklet majën e humnerës
Shum ujë në lum
veshi i shkambit ushton.

Dheu më vren me synin e plakës
njiqindvjeçare
"Nanëmadhe, po shkon:
çka don me vehte të merrsh
në kodrinë, nën qeparisa?"
"Hijen e tire, bir!"

Dimën. Në ferrën e murrizit
la delja tri fjolla leshi.
Tri fjalë më la tezja arbreshe
te dheu i eshtnave tonë.

Fjalët e gjuhës seme - nji
udhtimë e gjatë e gjatë në kohë,
nji ushtimë e gjatë e gjatë
ndër veshë.


MOSPERFILLJE...

Mbas mjesnate hana derdhi rrezet
prej majes së shkambit deri në lumë.
Mbasi që u ngi me gjumë
këndon qokthi ndër rreze:
sytë, dy pika uji, ndrisnin dhe kanga
pikon në luginë, në terr.

Dikush buzë lumit n’agim gjeti
sqepin e thyem të qokthit e tha:
dam! Kqyre këtë tingull që ra
e plasi në gurë.

NJI STINE E HUMBUN...

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.


NATA E KONCERTIT...

As bora nuk asht e bardhë në këtë muzg.
Gjindja me kambë të randa vrapon
kah dritaret e tingullit.

Në sallën e koncertit edhe diktatorët
marrin vesh masën e instrumentave.

Ndëgjuesit veshë-imët mbyllën sytë
e kapën currila pullazesh të lashta,
djegie qytetesh e drush të thata.
Në tempon e dytë gzhatshëm era
përkuli grunin deri në tokë.

Në sallën e koncertit edhe dirigjenti
symbyllë s’pau tjetër pos tingujsh
të ndezun mbrenda nji rrotulle terri.



LULE...

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.


MBRAMJA ASHTE LARG...

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve

e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.


DREKE MALSORE...

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

MOTIV ARBERESH...

Në driza janë gjarpij't e zez
E ti je e xhveshun nën diell.
Në driza janë gjarpijtë e zez
E rrijnë buzë në buzë,
E rrijnë buzë më buzë,
E jeta e tyne ashtë e bardhë,
E bardhë e bardhë nën diell,
E jeta e bardhë e bardhë,
Nën diell e bardhë, e bardhë.

Mjaltëzat lagin me mjaltë
Gurzit e prrojeve të thata.


FUQIA E KONES...

Ngjyra e verdhë e fletëve
Shkurtoi dritën në faqe të veta
E të katundit jugor mbi kodrinën
Bote së kuqe.

Para derës rrin Kona
Me barrën e randë në gji,
Dashunon rrezet e pemëve të vokta

Në kanistër
Para burrit kalamendë gjumi.

Tjerr Kona në furkë:
Ngrohtësia e pejve të leshtë shpërtheu
Prej gishtavet
E lëvizja e fëmijës në parzëm
E dridhi në kënaqje të paskaj



RETE E OQEANIT...

Eci krahas me to
Nëpër ditën e gjatë.
Aty ku vete
Asht skaji i kohës së matun
Me rrahje zemre milionësh
Në kërkim të nji emni.

Retë me rrajë thella në det
Rriten e bahen lisa:
Ndër gryckat e tyne fantazma
Konkisdadorësh
Vjelin pemë.


MOTIV I VJETER NE KTHIM...

Shtatë vasha u çuen peshë
Kur ngjyra e korbit fluturoi
Përmbi shtyllën e jetës:
Sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
Mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u quen peshë
E u turrën vrap me funda
Në duer sa qethi mbas korbave
E vetëm me za i tretën si plafa të murmë
Nën karmat e vendit tim.

Po s'erdhët ju, vasha,
Kur të zbardhen pusat e ujit
Në lumë përpara agimit,
Ngurzohen edhe duert e foshnjeve
Në palare.


HOQA FLETEN E LIBRIT TE PARE...

Hoqa fletën e librit të parë
Prej faqes sime dhe mbetën fjalë të paemën.

Dola jashtë e ndeja në shqimthin e derës
Dhe vrejta fiqtë e hindit me ferra
Në vjeshtën time.

Shpirtënt e rinisë larg korpit endeshin
Me fleta gjethi pa pushini shullajave.


VRASJA E POETIT...


Liria e fshehun mbas vargjeve
Të poezisë
Nuk ishte vetëm:
Para tyne rrishin galue roje
Shpend mishngranës
Me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
Tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

RILINDJE...


Dielli herët depërtoi ndër dej!
Si mbas nji cipe të hollë mendimi
E ndriti rrugën tonë nga lindja
E këndej.

Erdhi koha e zgjimit!
Nji rreze e vetme përpara
Mbi mur
Ndriti dhena t’panjehuna përmbas,
mungullim bimësie e filiza shum
me krena gacash përmaje: rreziqe!


MALLI PER JETE...

Lyp dashuninë e syve të mbyllun,
dy molla të tejpashme
me bërthamë zjarrmi në mes.

Zemra e qindrueshme
Rrok mallin e pamort
E pika shiu bien
Mbi rreshpe të pangishme.


KALLNORI APO VETMIA...

Dhe, brej e bjeshke randue me bore
e hej akulli.
Bisha n'krahnor e zanun
rri ngusht e fle pa gjurme permbas
me kthetra kthye ne lekure
nen mish.

Gardhi i rrezuem mbi shteg
e qafa malesh perreth
te mbylluna me dhambe ujqish
ne jerm.

TRAJTA...

Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta
e kandshme per sy e veshe.

Trajte e thjeshte e lindun
nder mundime prej guri,
e pershkueme shtigjesh te parrahuna
me kambe ose patkoj.

Pendel e lehte ne dukje
po e rande hekur ne peshe,
tingull ose ngjyre
e kthjellet deri ne drite.


KTHIMI I VJESHTËS...

Ngriten prej kodrave balonat e larme,
zotat ulen në lumej.
Këtë verë shfletsova rêt e bilurta
e fletët e tyne m´u shprishen ndër duer.

Ti je endé e vetmja flakë
e vojgurtë në rrasë që jeton në mue.

Korrilat e qiellës janë nisë për Jug :
kambët e mija s´i ndiej npër dhé
në vrap mbas fijeve të mëndashta
që paralajmojnë stinat.


IDILË VERE...

Shegerti I pemtarit vodhi nji mollë
Dhe bija e furrëtarit tinëz ´i frangjollë.

Në breg të detit djali kafshon në curr
Mollën e vajza frangjollën me turr.

Me kambë në ranë ´i mzat përtypet plot shkumë
E deti me vala lëpin bregun në gjumë.


PRANVERA 1961...

Pranverë, sa i bukur pushimi
para syve tu të zgjuem.

S´kam prekun blerim
qyshë se kam lanun Jugun.
(Mbrenda parzmit tem
fluturojnë mija dallndyshash në kthim.)

Toka s´më njeh tue dalë prej borës
dhe kambët e mija npër të
janë të hueja.

Shoh orizontin : pesha e hapsive
që e mbajta gjithdimnin në krah
shkrihet mbi barë.

Shpresoj se kur të bijë bleta
në lule
kam me i buzëqeshë gjithshkades.

LETËR NGA JUGU...

Larg në nji tjetër botë jam
e shikoj kah mali :
rêt ruejn majën kujdesëshëm
pse ajo âsht e vetmja mbështetje
e qindresës së tyne në ajr.
Harrova gjithshka, Lule,
në botën e malit e të qiellës
unë pasqyrë e pandame e rêve.
Po të shkruej se këndej
sa shkambi ka ngjyrën
e faqeve të rrezituna.
Muret e shpijave janë kështjellë
të rrxueme me frangjija të panjehuna
e njimij sy më shikjonë
npër to kur parakaloj
në pikë të mjesditës pa hijen teme për bri.

Lule, sonte ndoshta do të bijë
shi i nxhetë në Jug
e nesër do të shoh mes avullit
ylberin e shtrëngatës së kalueme
e atëhere kam me kthye te ti.

LARGIMI I POEZISË...

Sytë ndalen në pikën ku jeta këputet
e mendueshëm mërgoj
në shkretinë e zotave madhështorë.

“Trajtë e mrekulleshme, fëtyra jote
ngjyrë mjalte endet në paqyrën e brrakave“.

Unë pres diellin e nesërm
e duer drandofillje, tjera,
të më përshëndesin.

Vallet arbreshe
Delet fijet e barit përpara se i këpusin
me dhambë, i ngrohin me frymë.
Edhe kamba e vashëzës lëmon tokën
mandej i lëshon rritmin

Burrat nuk kërcejnë tashti:
dikur i hoqën vigut të luftëtarit të vramë
mbulesën e kuqe,
hynë ndër valle dhe e suellnë n´ajr.

FRAGMENT...

Niset për gurbet punëtori
me nji copë qielli në krah
e krypë deti në kutia pishe.
Në dorë mban nji bahe
e gur lumejsh në gojë
në vend të bukës.

Rruga i zdrit prëpara
me gaca zjarmi në sy.


ATY SI TASH PARA SE ME ARDHË FISET...

Aty si tash pra se me ardhë fiset
ishe
me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm nji emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
e të hodhën përkrye gur
e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë
e u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
t'lumejve dhe ndeje me petka të reja
në shkamb
e ndritun ballë diellit mbi fusha.


DIMËN...

Flokët e borës ndër grykcat e lisave
e krahnjerri i përjargun ndër degë.
Syni kërkon flakën e fshehtë,
vjedulla strofullin
në gjijtë e rrajëve dhe kujton
ngrohësinë e frymës
nën lëkurën e delës së bardhë.

Iriqi me therra të nguluna n'mish
digjet pa flakë
mbrenda katër ballnave të dheut.


FILL I GJETUN...

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n'agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s'i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.


MË FALNI DIÇKA...

Më falni diçkà që më kënaq
si puthja e nanës në ballë;
më gëzoni nji herë
si gëzohet gjethi i njomë në puhí,
më shikoni si hana nëpër rremba
e kam me u falë gjithçka:
mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
dhe në zgavrrat e synit të sáj
do të derdhi lòt.
Avitu, njerí!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
si bima prej fare në pranverë.



HIJA E LISIT...

Dielli i rá për skîthi lisit të madh
e i zbuloi nën hije eshtnat e njérit
si cokla, si drû.
Hija e tij â e qetë si tis
mëndafshi të zí në faltore.
Gjingallat mbi dega gjimojnë
njiheri në vapë sikur vajtore
me ftyra t'gërvishuna n'gjamë.

Kur dielli don me shkue
hija e lisit rritet e kapet për mal
- gjarpën nëpër rremb:
hija e lisit â e zezë,
hija e lisit na tremb.


GJAKMARRJA...

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lot.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mak e vrri.



DITA E MALIT TEM...

Dheu im asht i përmendun
për humneret e thella
ndër banorët e malit e të fushës
deri në det. Mbramjeve atjè
ndëgjohet klithma e grizhlës
ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj
u flijohet hijevet.
Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë
e epshet s'i njeh kurrkush me emën.
Shpagimi me gjak asht, për shembull,
gjarpën nën gur e gjarpni vetë
na qenka mende femne
nën rubën e bardhë ose të kuqe.

Në muzg atje secili prek ballin e vet
e ndien ndër gishta fillin e jetës
e gëzohet.


LARG ATYRE QE FLASIN SI UNE...

Fishkllin ere nder shelqe te ngime
me ujna prrojesh
veshtoj, te zanafillja, truemje
se si falen dreqit shpirt e korp,
be te forta
mbi gur qiell e dhe.

Jam larg atyne qe flasin si une
sa hana qe bie prej rrezje ne rreze
e pi qumesht n´vedra lanun jashte
per me vu maze.

Hutini i shkambit n´agim
dhe guri n´uje perpijne tingullin
e kuvendit te keq: n´agim
njeriu bekon diellin si une!




NJI DITE E KA EDHE KORBI...

Erdhi nje korb te dheu i bute nen shkrepa.
Ai s´dinte me ndjekun vallet e pllumbave
pale e pale nen hijen e ullive.
E u ruente mos me lshuemun za
mes gazullimit te pergjithshem
per mos me prishe
ritmin e flatrave nder valle.
Kur te e vona pllumbat kthyen ne banesa,
e ndiu vehten korbi pellumb ne shpirt.




VALLE RUGOVE...

Shkyenje qiellin, zurla,
e kaltersia e sferave te nalta
le te bije mbi ne si shi.

Kamba e tupani cajne token e me duer
vrikllojme na shpatat e me duer sutat
ne mal i kapim ne pike te vrapit.

Mos e ulni zanin, kangtare, pse me bie
nder gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun
dyshe m´a ndan krahnorin.



MBRAMJA NE NORD...

Eci e eci gjeti blerimin.
Tingujt e kumbonareve lane pishat
e bredhat e shkuen me bujte ne qiell.
Qetsija e syve t´kalter rrokulliset
neper pullaze t´thepisun e bahet
pasqyre e dritave te kandilave
te shekullit t`kaluem.

Eci e eci muzgu me placka ne krah
e para se me hy mbrende,
e uli barren skaj deres tue lane shej
per ta gjete ne terr me nje t´prekun,
para agimit



NDER MIJA TRAJTA IDEJA...

Prej dite ne dite nji tingull
treqind e gjashtedhete here
prej zgjimi ne zgjim
fryme mali n'pullaz
ose trumcaku lypes meli
ne dritare...



GJARPNI E GRUEJA...

Ajo mbrame harroi trupin e vet
zbuluet
e ne megjes e gjeti pikture te varun
ne murin e gjane dhete pashe:
e kqyri e e kqyri dhe u zhduk.
Petkat e saj teren buze detit
me kemishen e gjarpnit mbi gure.
Shterpia tha se vjen prap, ajo,
deri mbasdite.
Mbasdite vone, gjarpni i rrejtun
doli prej nengurit
e iu zgerdhesh vetmise ndersy,
veshi kemishen e vjeter e shkoi
me fjete.




C'KA I DUHEJ ULIKSIT ITAKA PA GRUE...

Malli, deshire e perjetes
e jo mallengjimi, gurgull frymeshkurte
e joshi Uliksin me kthye i kulluem
atje kah ishte nise.Ne ravgime te paskaje
shtjeri edhe te mbramin petk qe kishte
amzen e pashlyeshme te vegeve ullini
dhe te duerve te grues.
Shtjeri edhe petka tjera leshi e lini
e fjeti nder tesha te hueja, Uliksi,
kur harroi amzen.
Homerit s'i erdhi n'goje me thane
perse Penelopa endte per te me duer te veta
petkun magjik te kthimit.
Homeri i perngeshem u kull kujtueshem e tha:
Uliksi e Itaka pa grue-dy krena binjake dhie
me nje bri te thyem: pune e pakryeme.




NJE ZOG LENGON...

libri i besimit te shpendeve thote:
cdo zog shtrin krahet e vdes mbi bar,
ndeshkim pse preku kufijte e ndaluem
mes qiellit e dheut.
Nji zog lengon per vdekje mbi bar:
gjethet nder lisa jane zogj e shoke
te pamberrishem
e losin me drite e diell
larg dy gur mullinjsh qe bien
si mbas ligjit njeni mbi tjetrin
pa za.




MOSHA E QENIT APO DITELINDJA...

Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën
që vdiq e vrame në mue.
E thanë: askush s'do të lypi gjak
për të.

Ajo nuk ishte festë, por drekë!

Në mëngjes mbas dere qentë
me sy keqardhës e të butë
nuk pritshin eshtna, por mue
me u nisë me ta shtigjeve bri lumit
teposhtë.


VDEKJE - KRIZEM...

Vdekje – krizëm
e nji flete gjethi të thatë,
ku të thom te skaji i dheut
pa krizantema në dorë më prit.

Prit, dallëndyshë e shtangun
me fletë mbi valë, frymën time

për t’u çue në ajër
me pendlat e korbit të bardhë.



DITE SHIU ME MERTURIN E GURIT...


Bariu krah-thatë te ura e zjarmit lodhet
ndërmend
për dhitë damtare përjashta:
në gotën e çveshun drite grihen syzit
e hardhiave nën gurë e unurë.

Dhe tret ndër andrra të përhime:
mbi rrasat e gurit në Mertur
plasin sytë e sqepve grimë-grimë
nën dhambët e ujqve,
kokrra groshe e drithi në palaré.

Gjeli këndoi në tra
e u zgjuen prej gacash ndër unë
pendlat – bletë e gretha bashkë:
mija zane plasën në trutë e bariut.
Dhe u çue krejt dheu në kambë
me lata e topra edhe armë të vjetra
e u lëshuen ndër ujq.

Mejti shiu në Merturin e Gurit
dhe dielli u ndejt në perëndim
me rreze të lodhuna
në mishin e ujqve mbi dhambët e majeve
kortarë-kortarë.



BLETA NE VERI...

Kundër thanjes së Herodotit
si mbas të cilit andej Istrit
nuk gjallnuekëshin bletë. –
Libri V, I

Doli agimi e avulli
zbuloi trajta të ajthta
para derës së Veriut.

Sytë e errët mbas një nate
pa gjumë
u prirën andej Istrit e panë
si me qenë në Jug
bletë përpara zgjonit me krahë ari
gati me u lëshue fluturim

kah rrezet për net të mungëta.



DESHTIMI...

Nuke çova zanin në kor
aty ku duhej: prej frike, turpi?
“Atëherë, del jashtë! – Më tha mjeshtri.
– Del jashtë!”

Prej të mbramit rresht në fund
u shkëputa, spec prej vargut në tra,
e njeha shkallët nji nga nji
deri në fund,
nën dhé
me peshën e njiqind syve në krahë.



KONA...

Askush të mos pyesë për pritën e fshehtë
mes dy shkambijve!
Sendet në kohë i mbulon cipa e hollë
e avullit që ishte ujë mes dy shkambijve:
edhe kanga e humbi melodinë e vet,
Kona e vogël.

Mos e sjell kryet andej
e le të bahet fshehësia
rreth i përkryem hekuri.


http://floripress.blogspot.com/2012/05/jeta-dhe-vepra-martin-camaj-2171925.html

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...