2019-01-02

NJË RRËFIM NË KUFIJTË E LEGJENDËS

Kam pёrshtypjen se nё letrat shqipe, pas Ismail Kadaresё, mund tё jetё romancieri Kristaq Turtulli qё shёtit shpenguar mbi glob, por, ndryshe nga i pari qё gjurmon parinё e vendit, ky qёmton rrugёn e vёshtirё tё njerёzve tё zakonshёm nё flurudhat e fatit. I vetёdijshёm pёr ditёt e vёshtira qё kanё ardhur pёr prozёn e gjatё, autori zgjedh elementё kinematografikё pёr tё paraqitur karaktere dhe rrethana pikante, aredon mjeshtёrisht natyrёn, luan me befasinё.
Fredo Samarxhiu, duke vendosur tё rrёfejё vetё historinё e tij, duke zgjedhur ta bёjё atё nё tё tashmen, e fton lexuesin ta pёrjetojё ngjarjen jo si njё relikte tё sё shkuarёs, por si diçka qё po shpaloset kёtё çast para syve tё tij. Kjo siguron dinamizёm tё veprimit dhe kureshtje pёr atё qё ndodhet te kthesa tjetёr.
Vepra mund tё kundrohet edhe nё njё rrafsh filozofik – udhёtimi i Fredo Samarxhiut ёshtё vetё jeta. Vjen njё moment kur duhet tё braktisёsh vatrёn familjare pёr t’u pёrballur me sfidёn qё tё ka rezervuar fati. Ështё njё udhёtim qё ruan fund e krye tre element tё rёndёsishёm: zhvendosjen fizike tё njeriut mbi glob, motivimin qё tё bёn pёr tё pranuar sakrifica mbinjerёzore, fati qё artistikisht jepet nga hija e gjyshit Riko.
Eksplorimi i kёsaj here ёshtё Egjipti. Kam qenё nё tё dy ekstremet e tij, e kam parё nga lart dhe nga poshtё shkretёtirёn dhe mё duket sikur autori ka qenё atje para meje, madje mund ta ketё sfiduar atё realisht ose virtualisht. Kjo i bёn tё besueshme skenat ku lёviz heroi i veprёs.
Motivimi pёr t’u pёrballur me shkretёtirёn ёshtё sa i jashtёzakonshёm aq edhe i pranueshёm, madje fabula e tij ёshtё pёrbёrёsi qendror i organizimit ideor tё veprёs. Njё baba qё bёn tё pamundurёn pёr fёmijёn e vet, njё akt qё mishёron artistikisht bёrthamёn e familjes dhe tregon edhe njё nga arsyet pse njerёzimi vazhdon tё qёndrojё ende si njё bashkёsi e madhe vlerash.
Sё fundi, duke e pranёvёnё fantazmёn e gjyshit Riko nё tё gjitha situatat ekstreme ku bie Fredo Samarxhiu, mund tё mendojmё se e sotmja jonё ёshtё pazgjishmёrisht e lidhur me tё shkuarёn, me traditёn, me dashurinё, me kujdesin, me mençurinё e gjithçka tjetёr qё na mundёson tё ecim pёrpara me njё kosto mё tё ulёt.
KOSTA NAKE

Riza Lahi: Metafora e lirisë në fletët e një libri për tokën e të parëve



Që në ballinën e tij shohim se pas saj do të lexojë poezi, tregime, refleksione dhe, më tej, edhe disa gjykime mbresëlënëse të kolegë vet si krijues në të gjithë trojet tona amtare për krijimtarinë e tij. Lirizmi i poezisë “Vendlindjes sime” është shumë emociones. Unë vij ngaherë pranë teje /si qengji pas nënës së vet/malli që më ndjen në gji/për ty vendlindje më tret. Ndonëse ajo i përkushtohet Sllapuzhanit të tij në Kosovë, duket se me këtë poezi e me shumë të tjera, ai vendos një Urë të Munguar të shqiptarit në breza. Na jep ashtu, të dhimbshme e të bukur atë lidhje që ka shqiptari me vendlindjen. Një dashuri shpesh e munguar si ndodh edhe me trojet çame, të cilave ai iu kushton shumë vargje, shumë tregime të librit të tij.
*****
Pjesa e tregimeve  është padyshim pjesa më e bukur e librit. Është ajo pjesë e librit ku Remziu është me mentar se mentarët. Në të gjithë tregimet lexuesin  e shoqëron njëherësh  një mall, një gjetje interesante, një lirizëm i spikatur që buron nga natyra e tij poetike e nga ai pjalmim i kahershëm në shpirtin e kombit të tij. Këto tregime që nganjëherë mund t’i quajmë edhe proza të mirëfillta poetike, kanë shumë simbolikë. Duket se rrëfimi klasik në këto tregime ka marrë edhe nuanca moderne për të gjetur më tej një lexues sa më bashkëkohor. Në rrëfimn sa tronditës për fëmijërinë që ai e shpreh në formën e një letre që ia dërgon nënës të bën përshtypje një mendim i tij: “Ndoshta njeriu ka nevojë që të hajë pak dhe nga toka e tij. Ajo të rrit, të forcon, të shton dashurinë. Nënë ti hap jorganet, me të cilët na mbuloje. Ato mbajnë erën e trupit tone. Ajo erë  që ty të mban gjallë..” Detaje të tillë janë shumë të realizuar dhe të mbeten shumë gjatë në kujtesë. Ky dialog kthehet në simbolikë të përjetshme për shqiptarin, edhe pse ka nota personale në rreshtat e tij.
Një portret i gjetur është dhe ai tek tregimi “Amaneti”. Axha Shabani, edhe pse ka 10 fëmijë, i duhet që t’i kalojë ditët e fundit te jetës në vetmi, duke shikuar foletë e një lisi të lartë. Kur ai ndjen hapat e fundit të jetës,  u ulet më gjunjë tokës së vendlindjes duke thënë mbi të amanetin “Fëmijët e tu janë miq të besës, toka ime. Ti e di mirë se ç’do të thotë të flijohesh për ty. Fëmijët janë larg, o tokë. Po të them një amanet: aty ku unë do të kem fatin të pushoj, më mbulo me një flamur. Është flamuri ynë kuq e zi…”  (Autori)
Rallë ndodh me libra të autorëve të Kosovës që ta ndjesh kaq të ravijëzuar kaq qartë historine dhe traditën çame. Folklorin dhe ëndrrën e saj sa në këtë libër. Duket se për këtë atë e ka ndihmuar jo vetëm njohja deri në detaj e historisë së kësaj pjese të kombit tonë por edhe kontakete me këtë krahinë, me njerëz të saj, me problemet që ka Çamëria e sidomos e njohjes me jetën e veprën  e martirit të Fjalës së Lirë të Çamërisë, poetit Bilal Xhaferri. Kur kujton eksodin tragjik të 1999-s në Kosovë, ai kujton pikërisht vargjet e Bilal Xhaferrit për të krijuar tek lexuesit më të rinj këtë tragjedi që ngjan si dy pika loti me njëra-tjetrën.
Tregimi “Mikpritja çame” është padyshim një nga më të bukurit e librit “Në tokën amë”. Nuk është vetëm befasia që ai përjeton në çdo hap që hedh në fshatin e largët çam të Markatit në zonën e Konispolit. Jo. Është një qenie njerëzore që duket se sheh vetveten në njerëzit që takon, që njeh në çdo dru të lashtë që sheh dhe prek me duart e tij . Plaku Beqo Sadiku që i flet me një çamçe të kulluar padyshim ndryshe nga pleqtë e vuajtur të Kosovës diku në hijen e një bajameje të lulëzuar, i kujton se për vite të tëra ka dëgjuar fshehurazi Radio Prishtinën,  edhe pse ajo ishte shumë larg me qindra e qindra kilometra. Ndërkohë që nënë  Dudia i shtron të flerë me jorganët e djemve të saj,  i shtron shtatë gjellë si është zakoni për mikun e parë të shtëpisë dhe i thotë thjesht: “Po ti qenke si djemtë e mi, more bir”.
Në fund të tregimit ashtu si ndodh  edhe me tregimet e tjerë të tij ai na fut në sinorët  e një meditimi që është si një poezi e bukur, një manifest i lirisë së munguar që këtej e tutje nuk do të mund njeri që ta prangosë. “Zgjata dorën te toka çame. Më ngjante si një plagë e pambyllur. E madhe. Zgjata dorën. Toka dergjej në dorën time. Malli im për të apo malli i saj për mua? Çamëria e pafund vazhdonte që të më vinte më pranë. Ulur pranë brigjeve shkëmbore me zërin e amanetit të të parëve të mi, i dërgova të fala tokës çame. Në foletë e vjetra të shqiponjave shekullore dëgjoheshin përplasjet e krahëve të zogjve të rinj që mësonin të ecnin mbi lartësitë e këtyre  maleve  ku zot janë vetëm ata..”
Do të ishte shumë  normale që një autor kosovar në një vëllim me tregime të tratonte dramën e madhe kosovare me përmasa biblike që solli edhe një reagim ndërkombëtar si ishte shpërngulja masive e vitit 1999 dhe masakrat e egra serbe. Pikërisht  këtu shohim një tjetër tipar të origjinalitetit të këtij autori. Dramën  e madhe të vitit 1999 ai e ka trajtuar në mënyrë shumë të veçantë. Tregimi “Më prit“ ka një sfond historik për një kohë të caktuar, por ai është dhënë në një formë tjetër. “.. Ca hapa vajzash nga Mitrovica ndjekin udhën e Gjakut dhe ndalojnë në qytetin e lashtë të Beratit. Jo vetëm në këtë tregim, por edhe në të tjera ku ai shkel në viset shqiptare me shumë masë futet edhe  etnografia e zonave, në detaje të veçanta që e bëjnë secilin portretin sa më të spikatur .
Në Berat vajza mitrovicase Arbenita njeh një djalë nga Berati të quajtur Ilir e me të lind natyrshëm dashuria e tyre. Por zakoni nuk e done që ai t’ia shfaqte dashurinë në shtëpinë e tij,  ndaj i jep një letër kujtimi dhe bese, duke i kërkuar që ajo të mos e harronte. Kur ditët e lirisë erdhën në Kosovë, ajo e gëzuar nga dashuria, në dheun e bjeshkëve të Kosovës mbolli lulet që i kishte marrë në Berat. Vetëm pak kohë më vonë Iliri shkon që të kërkojë dorën e  Arbenitës. Një tregim lirik me një fabul në pamje të thjeshtë, por që ka një identitet të spikatur shqiptar. Ka besën, ka zakonin ka edhe një shpit të madh njerëzor. Ka edhe etjen e madhe për liri që më vonë i bashkon. Ka dashurinë e madhe që një ditë jo vetëm një djalë e  një vajzë, por mbarë viset shqiptare të bashkohen në një gaz të paparë..
*****
Në vlerat e librit do të veçonim edhe disa mendime që janë dhënë për të. Duket se vlerësimi i shkrimtarit Riza Lahi, i poetes Drita Braho (që është edhe redaktorja e librit ), i poetit. Burri i Kosovës, edhe pse larg nga vendlindja, shkruan për tokën amë. Portat e krijimtarisë janë të hapura. Kosova e Çamëria zgjojnë tek ai pasionin për të shkuar më tej. Jo drejt një të panjohure, por drejt një të  njohure që kërkon zgjidhje, ndaj ai gërmon data, fakte për fatet e kombit të tij.
Zana shqiptare me flamurin e Dardanisë
Librat e miqve tanë kosovarë përherë kanë qenë si dallandyshe  që stinojnë stinët e kombit tonë me të gjitha ngjyrat e dhimbjes e të mbijetesës. Remzi Basha është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë. Ai është në profesion mësues i historisë dhe i gjeografisë. Kjo e ka bërë atë që frymëzimet e tij të marrin ushqim edhe nga ngjarje të mëdha, të shkuara dhe të sotme  të kombit shqiptar. Në këto poezi, Remziu e njeh bukur mirë këtë lidhje shpirtërore që krijon shqiptari i Kosovës kudo ku jeton e frymon. Është një gjetje e bukur poetike poezia “Dasma  në Bjeshkët e Kosovës” ia ka kushtuar vajzës së tij emërbukur Shqipe. Nusja, zana, Shqipe e bën dasmën në Kosovë duke sjellë këtu një shami nga Suedia e duke mos harruar  që ta valëvisë në të flamurin e Dardanisë që i kujton  asaj vendlindjen e babait të saj: “Flamuri me ngjyrën e gjakut të  derdhur në mote/balli si dielli /faqet si hëna /o më të bukur/s’ka lindë nëna/sot dasmën në Kosovë/me shëndet e me dolli/vellua e bardhë /marrë në Suedi.”
Sotiraq Mishaxhiu flet për një tufë fjalësh që të ndihmojnë për të nxjerrë atë mesazh të spikatur të atdhetarizmit, por edhe të atyre vlerave letrare që përshfaqen në faqet e librit. Duket se metafora e lirisë dhe e fjalës së munguar tani ka mbetur pas në histori, por jo në poezi, jo në tregime, jo në komunikimin e madh shqipfolës që ka nisur të flatrojë ndryshe në këtë dhjetëvjeçar të parë të këtij fillimshekulli. Uroj që sa më shpejt e sa më shumë të shkëmbejmë mes vedi si shkrimtarë, si poetë, si patriotë, si mesazhierë të së nesërmes më shumë fjalë, më shumë  poezi, më shumë mençuri. Remzi Basha na e thotë kaq mirë këtë mësim në librin e tij. (Namik Selmani). Remzi Basha, shkruan për vendlindjen  e tij si një adoleshent që ka rënë në dashuri. Remzi Basha bën pjesë në atë grup që synon që të bashkojë shqiptarët me njëri-tjetrin, nën palët e flamurit kombëtar. Ky njeri me pamjen prej lufëtari ka një zemër kaq të madhe sa të pranojë në zemrën  e tij të gjithë shqiptarët. Unë tund kokën i menduar kur lexoj poezinë  Remzi Bashës.
Riza Lahi, Tiranë

MENDIME PËR LIBRIN ATI DHE FATI


ZHULJETA GRABOCKA ÇINA
Poete

Në letërsinë botërore është i pa arritshëm një çift baballarësh tragjik. I pari “Mbreti Lir” që arriti të shohë të vërtetën e jetës dhe thelbin e dashurisë prindërore mes verbërimit universial të botës së shtirur pas interesit të pushtetit, të fronit dhe parasë. I dyti i flakur si një limon i shtrydhur, në një botë ku çdo gjë blihet me para. Edhe dashuria e bijave, të cilat s’i bëjnë as nderimet e fundit!
Prindërimi e paraja.
Gjithçka, që mund të ëndërrojë një babai i mirë bëhet pjesë e intrigës së fabulës së romanit “ Ati dhe Fati” të Kristaq Turtullit. Subjekti i tij shtjellohet në mënyrë lineare. Gjithçka tregohet në vetë të parë prej personazhit kryesor. Naracioni i romanit është veshur me tisin e legjendës, gati të pa kohë, siç është e hershme sakrifica e dashurisë së “Ati” për fëmijën. Prozatori përdor fjalën “Ati” dhe ne kujtojmë formulën e lutjes së krishterë si mbrojtje e bekim hyjnor. Dhe në planin tokësor, burri “ati” kreu i shtëpisë prej të cilit pritet jo vetëm mirëqënia materiale, por dhe ajo shpirtërore e plotërisë prindërore në sakrificë.
Shkrimtari e kundron jetën nga një skaj i botës ku njeriu ndjen, që në hapat e parë të tij, shpërfytyrimin e racës njerëzore. Kur s’do … s’do, është lejtmotivi i fatit të shkruar, që ka shoqëruar njeriun prejhistorik deri në kohët moderne. Kthimi e Riko- gjyshit nga mërgimi me lëngatën e pashërueshme përcakton indin tragjik dhe notat e fatalitetit, që lexuesin do ta ndjekin në përjetimin e personazhit kryesor, Fred Samarxhiut, në luftën e tij të nxitur nga instikti i mbijetesë. I lidhur ngushtë me vendin e të parëve, ai trashëgon prej tyre zanatin e samarxhiut, që i jep në vetmimin e tij kuptimin e jetës. Gjithçka do të trandet pas martesës, kur vajza e tij e vetme Rita, ende e pa rritur, do të humbasë syrin. Megjithëse ai, e ka të qartë se me “para” mund të blesh gjithçka por jo “sy njeriu”, personazhi i veprës kthehet në hero për të reabilituar shëmtimin e bukurisë së pafajshme. Ai nis një odise udhëtimesh, ku dashuria prindërore realizon faqet më ndjera të një proze të jashtëzakonshme në fuqinë përshkruese. Ai e kupton, se në këtë rrugëtim nuk është njeriu i vetëm, i plagosur në shpirt. Si ai janë edhe mjeku që i operoi vajzën, edhe plaka Rihta që i dha fildishtin. Plagët e shpirtit dhembin edhe më shumë se plagët e luftës e kurthet e pabesa të piratëve, ku baltoset absurdi i katrahurës njerëzore. E vetmja dritë, ku ai gjeti ndihmë e ngushëllim, ishin njerëzit që kishin pësuar fatkeqësitë e humbjeve të fëmijëve, pasurisë më të madhe dhe të pa zëvendësueshme që u kishte falur jeta. I gjithë romani është një himn i sakrificës i një lloji tjetër nga ai Santiagos, tek “ Plaku e deti” të Hemingueit. Në bilancin e humbjeve dhe fitoreve, Heroi ynë ka një mision, të realizojë “syrin e fildishtë” e të kthehet fitimtar. Edhe pse i vetëm përpara botës së madhe, heroi i romanit, të shkrimtarit Kristaq Turtulli, “ Ati e fati” realizon mesazhin humanist të të gjitha kohërave, atë të solidarizimit në sakrificë mes njerëzvet pa dalim kombësie. Dashuria për jetën e njeriun është gjuha e tyre e komunikimit. Faqet, që përshkruajnë furinë e dallgëve të detit të Mesdheut dhe rërës së shkretëtirës së Saharës, janë simboli i luftës midis së mirës dhe së keqes shoqërore. Luftë, që gjithnjë po bëhet edhe më e egër në ditët tona. Përballë saj, autori ka ditur të ndërtojë një karakter të fortë, që buron prej mendjes dhe shpirtit të njeriut. Ai i humb në luftë për jeta a vdekje edhe atë sasi paraje, që e kishte lënë mënjanë për pleqërinë a një ditë të zezë dhe fiton mbështetjen e njerëzve me zemër të bardhë. Me virtytet e një njeriu të thjeshtë, përmes një gjuhe të gjallë e plot kolor dhe një dialogu të rrjedhshëm, autori na jep përditshmërinë, që shkon deri në përjetësi e madhështi përmes forcës së artit. Gjithçka në vepër flet besueshëm e plot realizëm. Autori jep me mjeshtëri detaje të mrekullueshme nga jeta e kafshëve dhe e dashurisë së njeriut për to. Mes larmisë së vendeve, kulturave e popujve ai ka ditur të universializojë luftën dhe dashurinë e tyre të madhe për jetën. Proza e Turtullit rrjedh në hulinë e bukurisë kuteliane duke krijuar baladën e re me një fund të lumtur të “syrit të fildishtë”.

Vështrim për vëllimin poetik “Buzëqeshje e përvajshme” të shkrimtares Mevlyde Mezini Saraçi



Mr. Sc. Fatmir Halimi
Poetja Mevlyde Mezini Saraçi është një ndër krijueset më serioze të letërsisë sonë, e cila para lexuesve me veprat e saja letrare ka filluar të paraqitet qysh nga paslufta e këndej. Ajo është aktive në jetën kultorore-letrare dhe organizatore e pjesëmarrëse në shumë aktivitete letrare, e që për këto vite ka botuar më se njëzet libra, siç janë:  “Sytë e Pranverës”, 2000, “Ndoshta më s’ka kuptim” ,  “Kur jeta duhej jetuar” 2003, “Çelësi është diku larg”, “Ditëlindja e nënës”, dramë për fëmijë,  “Jeta është e pamatur” Përkushtime, “Murana” roman, “Lot i zemrës“ Poezi,  “Simfoni jete”, Poezi,  “Oazat e shpirtit” dhe po këtë vit sjell vëllimin poetik “Buzëqeshje e përvajshme“.
Vëllimi poetik “Buzëqeshje e përvajshme“, nga autorja është konceptuar në dy cikle si  Etje dhe Përkushtime. Te cikli i parë Etje poezitë janë me tema dhe motive të ndryshme, që përmes tyre autorja shpreh fuqinë e fjalës krijuese, letrare e artistike, e cila fuqi bën që poezia e saj të marrë konatacione të ndryshme dhe lë mundësi të shumta interpretimi. Prandaj, mund të themi se përmes fuqisë së fjalës krijuese autorja nganjëherë i vë në thumb të kritikës pushtetarët, e nganjëherë edhe satirizon me vese dhe dukuri negative të shoqërisë.
Kurse, të cikli përkushtime vlen të theksohet se autorja përmes vargjeve shumë ndjeshëm i portretizon figurat e heronjëve e të dëshmorëve të kombit tonë, duke filluar me Gjergj Kastriotin, Adem Jasharin, Jusuf Gervallën  e të tjerë, ku vargu i saj sjell një kuptim më të gjerë, më imagjinaativ dhe më sensual, pasi që poezitë janë ndërtuar me plot figura e trope stilistike, te të cilat mbretërojnë metafora dhe metonimia.
Te “Buzëqeshje e përvajshme“ Saraçi vërtet ka sjellur realizime të bukura, ku ndjenjat dhe mendimet janë gërshetuar aq mirë në mes vete, të cilat që në kontakt të parë të bëjnë për vete. Saraçi, këtu kryesisht kultivon poezinë lirike, siç është ajo refleksive, sociale, përkushtuese e atdhetare, të cilat janë pasqyrë e nivelit të ngritjes së saj intelektuale e kulturore. Ajo frymëzimet e veta poetike i gjen jo vetëm në aktualitet, por edhe në histori, në të kaluarën e saj dhe të kombit tonë, duke i gërshetuar kështu elementet dhe çastet karakteristike të së kaluarës, me ato të së tashmes për të dhënë një tablo edhe më të qartë të trajtimit, siç është poezia “Dy dekada më parë”, ku përmes retrospektives kthehet njëzet vjet prapa dhe i kujton momentet e burgosjes së saj nga forcat shoveniste serbe, e sot ajo është e lirë, e shijon lirinë bashkë me përqafimin e nipave dhe mbesave.
Shkrimtarja dhe poetja Mevlyde Mizini Saraçi, ndjenjat, mendimet e frymëzimeve të veta i ka ngritur në një shkallë të lartë për t’i bërë të përgjithshme dhe të pranueshme për të gjithë. Si të këtilla, mendimet dhe idetë e saj fitojnë kuptim dhe domethënie edhe më të madhe se sa ajo që duket në shikim të parë. Vetë jeta prej një çlirimtarje dhe pjesëmarrëse aktive e ngjarjeve të nëntëdhjeta për çlirimin e vendit dhe puna e saj si politikane, pra si deputete në parlamentin e parë pas çlirimit  të shtetit të Kosovës, ka bërë që ajo të na sjellë poezi të aso niveli dhe të asaj tematike siç janë: Shprehu, Nuk ka fjalë, Ëndrrat fluturojnë, Shtigje të reja, Sytë e qiellit, Shfletim jete etj., që për lexuesin dhe letërsinë tonë janë risi si tematikë dhe si vargëzim.
Prandaj mund ta përmbylli shkrimin se pjesa dërrmuese e poezive të Saraçit ndërtohet mbi dromca jete reale dhe të hidhura, të paraqitura bukur me mjete dhe aftësi krijuese artistike. Vërtet poetja është krijuese që frymëzimet e veta i gjen në realitetin e jetës, kurse mendimet e veta për çështje të ndryshme ajo i thotë me guxim dhe mjeshtëri artistike.

DASHURIA E PAKUFIJSHME E ATIT.



Mendime mbi romanin e shkrimtarit Kristaq Turtulli: ATI DHE FATI
Në ditët e fundit të qershorit të këtij viti pra (2016) iu përgjigja pozitivisht ftesës së djalit tim për të bërë një vizitë tek njerzit tanë në Detroit e, me këtë rast ,të qëndronim një natë në Niagara. Kjo do të thotë që të shkonim edhe në Kanada. Nuk i rezistoja tundimit për të parë Toronton, afër Niagarës. Qysh kur u nisëm nga Uashingtoni DC e gjatë rrugës së gjatë unë mendoja që në Toronto të takoja ndonjë nga miqtë e mi. Kam mjaft të tillë në atë qytet që mua më pëlqeu pa masë. Fiqriu tjetër brenda meje më thoshte: Je ne vete? Ju do qëndroni vetëm 4-5 ore në Toronto e do të largoheni, ku ka kohë të takosh njerëz? ..
Një nga miqtë që m’a kish ënda të takoja ishte edhe shkrimtari I talentuar Kristaq Turtulli. Nuk e takova Kristaqin fizikisht po ja e “takova” këto ditë përmes leximit të librit të tij “ATI DHE FATI” Ky autor është mjeshtër për vendosjen e “grackave” ndaj lexuesve. E kam provuar kur lexoja dikur novelën e tij “PËRROI QANTE NË MESNATË” Aq natyrshëm shkruante ai në atë novelë sa e pyeta nëse ka qëne vetë ushtar apo oficer në atë ngjarje? Ndërsa në romanin e fundit: “ATI DHE FATI” të cilin sapo e përfundova së lexuari, merret vesh që atje tutje që kemi të bëjmë me një fiction artistik shkruar me ngjyra të ndezura të fantazisë së autorit. Mund të ketë patur parasysh ndonjë person fizik në përshkrimin e personazheve si SYKALTËR, mund të ketë marrë si sponto, si maja’ ngjizjeje të këtij rrëfimi ndonjë ndodhi të vërtetë me samarë e me florinj. Është e domosdoshme një bërthamë e tillë për shtijat e thurjes së tregimit nga ana e autorit. Por siç e thamë ky roman është trill i gërshetuar bukur me ngjarje e fakte që të mbajnë peshë gjatë leximit.
Subjekti shkurtimisht është ky: Një baba, Fredoja bën të pamundurën për të shëruar syrin e dëmtuar nga një gjel të vajzës së tij Rita që ai e konsideron si drita e syrit të tij, që e do vajzën e vet më shumë se veten e tij. Gjeli aq I bukur, me pupla ngjyra-ngjyra u tregua “mizor’ sepse i çukiti syrin Ritës, vajzës së Fredos. Shpendët meshkuj, ndryshe nga njerëzit, zbukurohen me shumë se shpendët femra. E, nga kjo bela, Fredoja bën çmos për ta çuar te një mjek që t’ia shërojë syrin së bijës. E kur nuk ia del ta shërojë syrin kërkon t’ia zëvendësojë atë me një sy artificial jo prej xhami por prej fildishti. Po ku ka fildisht? Udhëtoi deri në Egjipt…Stop. Lexuesi do ta gjeje vetë mundësinë për ta lexuar këtë libër mbresëlënës. Gjatë leximit ti kupton se përshkrimi i situatave dramatike gjatë udhëtimit të Fredo Samarxhiut nëpër luftëra e shtetrrethime, nëpër hotele të pista, nëpër spitale ku operimi i syrit të vajzës bëhet nga një mjek të cilit sapo i kishin vrarë djalin, mungesa e samarit të vjetër që atij sikur iu shkul zemra se atje kishte fshehur tërë djersën e tij të jetës..udhëtimi me karroca e anije nga Shqipëria në Bari, Sicili, Maltë e Egjipt, përleshja me piratët e detit, gati mbytja e tij ne ujë e humbja e pasurisë së tij që ia përpiu uji I thelle, shëtitja e tmerri nëpër Sahara me caruqe (këpucë të lehta lëkure), pra kupton se autori ka shtrydhur kohën e hapësirën, kalon nëpër territore toke e hapësira detesh e kontinentesh, duke qenë shpesh buze varrit e peripecive të mundimshme. Ishte koha kur kurbetllinjtë tok me florinjtë sillnin edhe sëmundje të ndryshme si Gripin e Kuq që o nën’e zezë, të përlante e deri sifilizin deri ne kohët më të mëvonshme, deri sa dëgjohej urdhri HALT!, deri akoma më vonë kur trurin ta kllapos rreziku i Mushkonjës “Zika” … Stili I Kristaqit është i veçantë.
Besoj, shkrimtari Kristaq Turtulli kur ka shkruar këtë roman në vetën e parë, ka menduar që në mos vetë dikush tjetër ta shndërrojë romanin në skenar për film. Ndryshe përshkrimi I ambienteve të ngjarjes, udhëtimi, peripecitë e tij, lutja drejt qiellit edhe natën kur xixëllojnë yjet, ngulitur në kupën e tij prej miliona vjetësh e nuk te japin xhevap por të shurdhojnë me memecllëkun e tyre dhe sidomos emocioni I babait nuk do të kishin kuptim. Sepse edhe emocioni shpreh forcë, tregon jetë, ai është aleat me mbijetesën.
Ti si lexues gjen në këtë roman mbresëlënës pak mbret Hamlet përmes fantazmës së gjyshit Riko. Sheh me sytë e mendjes pak çaste një Gobsek apo Grande të Balzakut, kur Fredo Samarxhiu kërkon florinjtë e u gëzohet atyre që I ka fshehur në brendësi të samarit të vjetër. Po edhe natyrshëm I bën pyetje vetes: More ky Kristaq Turtulli ka qenë bashkudhëtar me Fredon apo nuk është gjë tjetër veçse një Zhyl Vern që shkruan aq saktë për vendet që nuk ka qenë kurrë. I bëra këto krahasime me personazhe letrarë sepse autori është një nga krijuesit e palodhur letrarë shqiptarë që unë dua ta nënvizoj si shkrimtar korçar shqiptar.
Edhe pse përshkrimi i ambienteve e rrethanave të duket paksa ‘i zgjatur’, kur ke parasysh faktin se fjala finale është për ta shndërruar romanin në skenar filmi, i jep të drejtë autorit. Megjithatë, një lexues me sy e mendje të stërvitur futet edhe në psikologjinë e Atit të dhembshur për fëmijën e vet. Një baba me ndjeshmëri atërore shpërthyese vullkanike për bijën e vet, Fredoja baba I dhembshur që nuk ia bën tërr syri edhe kur kalon shpesh herë buzë varrit. Ai si një mitoman e ka ngulitur mendjen e vet vetëm në një kauzë. Si ta zëvendësojë syrin e humbur të së bijës me një sy artificial por që të mos bjerë në sy si i tillë në sytë e botës. Kërkon jo sy qelqi por sy fildishti. Dhe ky synim i këtij Ati këmbëngulës deri në flijim për ta bërë të lumtur fëmijën e tij duke I zëvendësuar syrin së bijës me një lëndë të përshtatshme që t’i ngjajë syrit origjinal …Baba, nënë, at… sa peshë përcjellin këto fjale-emra!
Vetëm të jesh prind, gjysh a gjyshe e kupton dhe e ndjen se çdo të thonë ato emra. Bota e tyre nuk është natyra që I rrethon, bota e tyre janë fëmijët, nipat e mbesat, është dashuria që s’ka të paguar për njerëzit e zemrës e të shpirtit të tyre. Është pikërisht kjo dashuri e pakufishme që e bënë Fredo Samarxhiun të kapërcente flamën luftë e cila e ndjek në tërë odisenë e tij: në spitale në kohë shtetrrethimi, në det, në Sahara të Egjiptit. Thuaj Fredo e nënkupto Atin, dashurinë atërore, po FATI? Ai ndonjëherë është aq i ëmbël sa s’tregohet por ka raste që është aq i poshtër sa të këput në mes. Nuk e di por si lexues se ç’kam një dëshirë që emrin “Fat”, në rastin konkret, ta mbështjell me emrat: Riko, Rita, Rihta…
I uroj shkrimtarit tonë Kristaq Turtulli suksese te tjera në fushën e letërsisë.
Fiqri Shahinllari
Gazetar, shkrimtar

Milazim Kadriu: NOSTALGJIA E MËRGIMTARIT PËR VENDIN E TIJ (Osman Caka “Ecejaket e një mërgimtari ”)



Osman Caka “ Ecejaket e një mërgimtari ”, botoi SHB “Lena”-Prishtinë, 2018
 Me t’u hapur dera e aeroplanit, më erdhi një fllad i ëndërruar, flladi i vendit tim, i vendlindjes time. Oh sa më kënaqi shpirtin! (O. C.)
Milazim F. KADRIU
Krijuesi mërgimtar Osman Caka vjen para lexuesve me  librin me tregime të cilin e ka titulluar “ECEJAKET E NJË MËRGIMTARI” dhe në te ka sistemuar 14 tregime që kanë të bëjnë kryesisht me Kosovën. Në këto tregime  autori shpreh dashurinë që ndjen për vendin e tij, përshkruan bukurit natyrore që dikur i kishte fshati i tij dhe gjendjen e tanishme ku nuk është ajo gjallëria e dikurshme. As bukurit e Sharrit nuk i duken si dikur, sepse edhe pas shumë vuajtjeve  në robëri dhe luftës për çlirim ku shumë të rinj ranë në këtë luftë që sot Kosova të jetë më e bukur por nuk është ashtu si e ëndërruam dhe nuk është ajo Kosovë për të cilën ranë dëshmorët e kombit. Autori  Kosovën gjithmonë e ka dashur të  bukur, të shenjtë dhe të shtrenjtë por siç shprehet ai  këtu mbretëron një gjendje e tmerrshme e skandaloze.
Tregimet e shkruara në këtë libër janë kryesisht tregime që janë krijuar  gjatë këtij viti në kohën sa ai qëndroi në Kosovë. Ai sa qëndron në mërgim ndjenë mall për Kosovën dhe atë mundohet ta prezantoj para të huajve si një vend plotë lulëzim por…
Në kohën kur donë të vjen në vendlindje  ai mezi pret të niset por kur arrin këtu e humbë atë shpresë që kishte se këtu ka ndryshuar gjendja për të mirë, por jo, vendi ka ngec. Në të gjitha tregimet sjell ngjarje konkrete madje ato edhe janë të evidentuara me datën e krijimit të tyre dhe vendin ku është inspiruar. Ato i shkruan me një fjalor të thjesht dhe është shumë konkret në rrëfimet e tij.
Tregimet janë lehtë të kuptueshme dhe çdo lexuesi veç ia rikujton atë që është aktuale sot në Kosovë, sepse të gjithë po e shohim këtë gjendje.
Autori përmes tregimeve të tij shpreh revoltën e tij për këtë gjendje të mjerueshme dhe kur kthehet për në mërgim kthehet me shumë mërzi, por prapë posa shkon atje ndjen mallin për atdheun e tij të shumë vuajtur që akoma ka skamje dhe mjerim dhe shumë pak përpjekje për të ecë përpara e nganjëherë fitohet përshtypja se është harruar amaneti i të rënëve për liri.
Gjatë leximit të tregimeve të Cakës nuk mund të kalosh pa emocione, ngase ai sjell shumë skena nga jeta e tij në takime me njerëzit tjerë të cilët i rrëfejnë për jetën e vështirë këtu dhe për padrejtësitë që janë në çdo hap, gjë për të cilat autori ndjen dhembje por edhe shpreh revoltën e tij.
Edhe në këto tregime si edhe në librat tjerë me poezi autori nuk mund të kalojë pa e shpreh dhembjen për të birin që në moshë të njomë u vra nga dora mizore e okupatorit shekullor serbosllav. Po ashtu ai përshkruan edhe dhembjen e nënës së Ilirit, ndonëse pati shumë dhembje ajo qëndroi si burrëreshë. Po ashtu autori rrëfen edhe për përmbushjen e amanetit të të birit që në vendlindjen e tij të ngrejë një shtëpi të cilën e bëri, por që aty shpreh edhe dhembjen që ndjen kur ia kthen shpinën shtëpisë dhe shkon në kurbet. E kështu popullin tonë tash e shumë shekuj e përcollën dhembjet dhe malli për atdheun të cilin shumica e tyre e lëshuan nga dhuna dhe terrori serbosllav, por që asnjëherë nuk e kanë humbur dhe nuk e humbin shpresën që një ditë të kthehen në vendin e tyre, por …
Tregimet e këtij libri janë të krijuara krejtësisht në mënyrë spontane me ngjarje të jetës së autorit e që njëherësh janë edhe ngjarje të shtresës së gjerë. Andaj këto tregime janë edhe si jetëshkrim apo ditar i autorit për ngjarjet e atyre ditëve në kontakte me shumë njerëz të atdheut.
Tregimet në vete mbajnë plotë mesazhe dhe këshilla të autorit për një jetë më të mirë në vendin tonë sepse atë Kosova e meriton, ngase për një jetë më të mirë është derdh shumë mund e gjak. Kosova patjetër duhet të nisë rrugën e drejtë të jetës normale të përparimit dhe të zhvillimit të vendit e gradualisht edhe të realizimit të amanetit të atyre që ranë për lirinë dhe bashkimin kombëtar.
Tregimet e këtij libri janë me një interes të madh për të gjithë lexuesit dhe ato lexohen me një frymë dhe janë të kuptueshme për të gjithë.
Pavarësisht të gjitha gjërave që autorit nuk i pëlqejnë  në vendlindjen e tij, pavarësisht dhembjes, dëshpërimit, skamjes që ka në vendlindjen e tij ai prapë mezi pret të kthehet në vendin e tij, në shtëpinë e tij, në hapësirën e mbresave  të tij  të para, tek bukuritë e Sharrit …
Edhe pse ai jep shumë vërejtje për punët që nuk shkojnë si duhet në vendin e tij, Caka gjithnjë  jashtë vendit e ndjen veten të braktisur, të tëhuajtur, të pasigurt emocionalisht dhe shpirtërisht. Kur ndodhet jashtë vendit nuk ndjehet i vetvetes  si në vendlindje. Prandaj ai dëshiron që këtu të ketë jetë më të mirë e askush të mos largohet nga vendi. Ai nuk ua dëshiron të tjerëve marrjen e rrugës së mërgimit që është një rrugë e mundimshme dhe e rëndë.

Bedri Tahiri: NJË LIBËR I VLEFSHËM PËR HISTORINË TONË


Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur me emrin Pellazg…
(GeorgeFredWilliams)
Historia jonë, sa e dhimbshme aq edhe krenare, krahas historianëve dhe shkrimtarëve tanë, u ka zgjuar kureshtjen dhe interesimin edhe të huajve. Madje, ma merr mendja, shumë fshehtësi e enigma diplomatike ndërkombëtare, kurrë nuk do të arrinim t’i zbulonim vetë, po mos të ishin të huajt, ata që edhe e patën atë mundësi, për shkak të rrethanave e pozicioneve që i gëzuan. Në këtë drejtim sikur kemi pasur fat. Shumë vepra e shumë histori u shkruan nga të tjerët, qoftë për të mirë, por ndonjëherë edhe për të keq. Dhe, ato, gjithsesi, e kanë vlerën e tyre të madhe, ngase janë të liruara nga subjektivizmi dhe emocionalizmi. Një e tillë është edhe vepra “SHQIPTARËT” e amerikanit GeorgeFredWilliams.
Pra, populli shqiptar me fisnikërinë, bujarinë dhe çështjen e tij të drejtë ka bërë shumë e shumë miq të sinqertë e të nderuar. Një nga këta është edhe GeorgeFredWilliams, ish–ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e në Mal të Zi. (1913-1914). Ai u njoh me çështjen shqiptare dhe e përkrahu Shqipërinë në periudhën më të zezë të historisë së saj, në vitin e kobshëm 1913, në  Vitin e mbrapshtë, siç thotë Kadareja. Kur erdhi për herë të parë në Vlorë dhe me sytë e vetë pa krimet çnjerëzore që kishin bërë shovinistët grekë kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare, ngeli pa mend, dhe protestoi ashpër në Athinë, duke e njoftuar edhe shtetin e tij, Amerikën. Që nga ai moment nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij në mbrojtje të Shqipërisë. I ngarkuar me cilësinë e vëzhguesit të qeverisë amerikane në Komisionin Ndërkombëtar për ndarjen e Kufijve të Shqipërisë, Uilliamsi ngriti zërin dhe protestoi ndaj planeve për copëtimin e Shqipërisë.
Kjo nuk i pëlqeu Evropës dhe bënë ç’ishte e mundur për ta hequr qafe, si njeri që i kishte tejkaluar autorizimet e veta. Presionet e detyruan të jap dorëheqje, duke deklaruar: “Dukej një detyrë njerëzore, sheshazi për të shqye maskën që mbulonte diplomacinë evropiane dhe për të ekspozuar fytyrën e saj, të lyer me gjak patriotësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe mbasi qeshë i shtrënguar, e tregova këtë panjerëzi dhe këtë padrejtësi të fuqive evropiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, sikurse patjetër qesh i shtrënguar ta bëja. Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë”.
Mbas këtij veprimi, Uilliamsi iu kushtua tërësisht çështjes shqiptare. Duke qenë dhe mik personal dhe i adhuruar i Presidentit Wilson, ai mundi që të sensibilizojë opinionin amerikan në mbrojtjen e çështjes shqiptare me motive fisnike tepër humane: “Me ndihmu një njeri është një bamirësi, me liru një popull nga zgjedha është një bamirësi e pavdekshme”.
Dhe, kështu, lindi libri “SHQIPTARËT…”, i cili është i ndarë në këta kapituj: Toka dhe banorët, Toka e shqiptarëve, Origjina e shqiptarëve, Vendasit e Shqipërisë, Një popull fisnik, Zakonet e shqiptarëve, Gratë shqiptare, Brez i fuqishëm, Ngatërresat e fuqive të mëdha, Përjashtimi i Rusisë nga deti Mesdhe, Traktati i Berlinit, Kërkesat e Serbisë në Adriatik, Perandoria sllave, Shqipëria dhe Lufta Botërore, Faji i diplomacisë evropiane, Diplomacia e shastisur e Evropës, Rënia e Qeverisë së Vidit, Qeveria e Vidit, Duke vënë fenë si shkak për lëvizjen luftarake, Ngatërresa në Durrës, Masa për shpëtim, Zbulimi i padrejtësisë, drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtur në sallat e diplomacisë, Përpjekjet për liri, Gladsonte, kryeministri i Britanisë 1880, Mbledhja e  ushtarëve, Copëtimi i vendit, Një tokë e begatë, Parimi i zhvlerësimit, Evropa përkrah sundimin turk, Mundimi për liri, Një komb atdhedashës, Amerika nuk e din, Çfarë mund të bëjnë SHBA, Bamirësi apo drejtësi, Shqipëria e pavarur, Fati i Shqipërisë, Të drejtat e një kombi, Paqja e Evropës, Detyra e krishterë, Detyra e Amerikës, Rasti i Amerikës, Shpëtimi i një kombi dhe Shpirtërimet për liri.
Vepra e këtij miku të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi në vete ngërthen një mesazh fare të qartë: Çështja shqiptare duhet zgjidhur drejt, kombi dhe tokat shqiptare duhet të bashkohen. Trimëria e shqiptarëve nuk njeh kufi. Ata e përballojnë vdekjen dhe torturën pa asnjë hezitim. Fjala e tyre një herë e dhënë është më e shenjtë se betimi i dhënë te popujt e qytetëruar. Mikpritja e tyre s’ka të krahasuar. Ajo nuk pushon deri sa të mos ngelë gjë për të ndarë e për të dhënë.Besa ose fjala e nderit për shqiptarin është institucion i shenjtë. Ai është një popull “Nobel”, – mendon autori.
Bajroni i ka bërë homazhe kësaj race shqiptare pse e njohu personalisht dhe jetoi midis këtij populli. Respekti për moshën është një nga karakteristikat e shqiptarëve. Ata janë korrektë, të dashur kundrejt tjetrit dhe reciprokisht të sjellshëm. Në momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e tyre. Ata zbatojnë urdhrin e tyre me saktësinë më të madhe. Fjalët e tyre dhe sjellja e tyre shoqërohen nga dinjiteti.
Një vend të rëndësishëm në këtë vepër zë edhe femra shqiptare. Virtytet e femrës shqiptare janë unikale në botë. Në asnjë vend të botës një femër nuk gjendet në një siguri e mbrojtje më të madhe se sa në Shqipëri. Ai që vret një grua dënohet me dënimin kapital. Femra në Shqipëri punon në shtëpi, por ajo është trajtuar me respekt dhe zë në shoqëri një vend më të nderuar se në vendet e Lindjes. Një shqiptare mund të udhëtojë nga një vend në tjetrin, në një siguri të plotë.
Ndërkaq, duke folur për shqiptarët dhe Shqipërinë, autori konstaton: Që të kemi një paqe komplete duhet të formohet një Shqipëri Autonome që të zotërojë lirinë në mënyrë më të plotë. Shqipëria nuk mund të ndahet midis fqinjëve, ashtu siç nuk mund të ndahet çdo vend i Evropës. Shqiptarët nuk kanë vetëm të drejtë t’i kërkojnë Evropës drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe dëmshpërblim.
Ky autor diplomat u del në mbrojtje shqiptarëve dhe kundër gjithë gënjeshtrave dhe akuzave se shqiptarët janë egërsira ai citon Eriksonin, këshilltarin amerikan, i cili ishte në Shqipëri dhe atëbotë qe deklaruar: “Nuk ka popull më të dëshirueshëm dhe më të dashur në gjithë Evropën se Shqiptarët. Ata kanë në të njëjtën kohë elementët e forcës, burrërinë, kurajon, të lidhura me devotshmërinë më të butë dhe më të ligjshme!”.
Ribotimi librit të  GeorgeFredWilliams “SHQIPTARËT- Princ Vidi dhe Shqipëria në sytë e një ambasadori amerikan,  i përkthyer nga anglishtja prej Shaban Ballës, Tiranë, mars 1934 (me sa duket këtë është duke e bërë Shtëpia Botuese “MESHARI”), në këtë kapërcyell të historisë sonë, kur, në Kosovën tonë, në shtetin më të ri botëror, ku ende nuk i kemi marrë mirë këmbët dhe diplomacitë botërore (me përjashtim të Amerikës) sikur po i bëjnë ca lojëra, është mesë i nevojshëm. Aktualiteti i tij është i pakontestueshëm, prandaj, besoj shumë se do të kapërdihet nga lexuesit kureshtarë shqiptarë.
Bedri Tahir

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...