2019-03-06

Cikël poetik nga Naxhie Berbati-Kastrati




Naxhie Berbati-Kastrati është mësimdhënëse në Shkollën e Mesme Mjekësia dhe në Shkollën e Mesme të Artit “Odhise Paskali” në Pejë.

 Ishte edhe asistente në Universitetin “Haxhi Zeka”, po ashtu në Pejë. U lind në fshatin Ticë të Skenderajt. Por, që kur ishte e vogël, familja e saj u shpërngulë në Pejë. 

Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka kryer në Pejë. Ka mbaruar studimet në Fakultetin Filologjik dega: Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989. Disa vite ka jetuar jashtë Kosovës, në Suedi dhe në Zvicër. E martuar dhe është nënë e katër fëmijëve.

Ka botuar poezi e prozë. Poezinë  e parë e ka botuar kur ishte në klasën e pestë, në revistën e shkollës, pastaj në “Bota sot”, “Zëri i rinisë” “Rilindja” etj. Që nga bankat e shkollës së mesme, ka qenë anëtare e Klubit Letrar “Karagaçi” në Pejë.

Ishte anëtare në Teatrin Amator në  Pejë. Naxhije Berbati Kastrati ishte edhe interpretuese e suksesshme e leximit shprehës, ka shkëlqyer në shumë gara ku ka marrë pjesë.

Ka marrë pjesë në takimet e poeteve “Melihate Deda” në Vushtrri (1984-85) dhe në shumë manifestime tjera letrare në Kosovë. Poezitë e saj janë  vlerësuar nga juritë profesionale.

Librin e parë me poezi dhe prozë “Më dhemb ky acar” e ka botuar dhe promovuar në vitin 2012. Po këtë vit ka mbaruar studimet posdiplomike me temën “Interpretimi i letërsisë në shkollën e mesme” tek Dr. Isak Shema.

Ka qenë bartëse e reformës në arsim dhe kurrikulit të ri të Kosovës. Ka ndjekur kursin e organizuar nga KEC në vitin 2004, i cili kurs, ishte edhe çelës i suksesit të saj pasi që është kualifikuar si mësimdhënëse e Mendimit Kritik gjatë Shkrimit dhe Leximit...

Ka përgatitur për botim Librin Gjermanisht-Shqip, “Proverba të zgjedhura latine”, librin “Gjuha latine” (për gjimnaz) të profesorit Zef Marku. 

Herë pas herë ka botuar dhe boton shkrime publicistike dhe recensione nga fusha e artit pamor në “Tribuna shqiptare”, “Zemra shqiptare”, “Bota Sot” “Metafora” etj.  

Naxhie Berbati Kastrati, jeton dhe punon në Pejë. Libri i saj me poezi dhe me tregime të shkurtra “Semaforëve”, është libri i saj i dytë.



ABEJA

 (Bekim Berisha)

Ç’foshnjë ishte, djali yt nënë
Ç’shami të qëndisur
Mbi kokë i ke vënë
Kur e ke përkundur

Ç’fëmijë ishte yt çuni nënë
Ç’këngë i ke kënduar
Kur e ke vënë në gjumë

Ç’djalosh ishte djali yt nënë
Ç’diell i ke vënë në zemër
Kur po kosiste hithrat

Ç’trim ishte djali yt nënë
Ç’yje i ke vënë në ballë
Kur po çante terrin
Ç’burrë ishte djali yt nënë
Ç’ninulla i ke kënduar
Kur po ecte akullnajave

Ç’gjak kishte djali yt nënë
Ç’ujë ka pasur gurra
Kur po burrërohej

Sa herë e ka zanë
 Nadja arave nënë
Me kambë në ujë
Me pushkë në sy

Tuj pritë sorrat e murrme?!
tuj shtypë urinjtë e zi
Netëve të pista
N’ ulurimën e ulkonjave

Ç’shpirt kishte djali yt nënë
Kur përleshej me katallanë
Me sytë kokërr n’gjak
Kur po ngulfaste hienat n’fyt
Heu, Nënë e Abejës …ç’djalë?!
Bërë mirë që ia fshehe këmishën!

GEGNISHT

Njoh do djem t’ri
Që këmishat në trup i shqyen
Tuj u ba pishë në prita
Megjave qorrsokaqeve
Për prush në odë
Për zërin e ambël
Të vocrrakëve

Njoh do djem t’ri
Që grryen terrin
Me gishtat si gjylpana
Të mos bien ujq langoj e bisha
Të ketë bukë e tamël
E lugë n’sofër
Të bie fyelli në t’bana

Njoh do djem t’ri
Që mbinë si feniks
Nga flaka shkrum e zjarrë
Për kullën e Zhuj Selmanit
Për sytë e trishtuem të vashës
Për mallin e randë të nanës

Njoh do djem t’rij
Burra mjekërrzij
Që akullnajat me dhamb i thyen
E ia ngulën katallanit
N’zemër n’fyt e n’sy
Që kurrë më
T’mos mbyllen shpellat

Njoh do djem t’ri
Që u banë fanar
Në stuhitë e tërbueme
Plot uragane…
Tuj ba luftë
Me Bajlozë e Poseidonë
Që t’kthehet barkë e shkrumueme
Dejve të mëmëdheut

Njoh do djem
Mastaqedjegur që
I’u rrekën qiellit të zi
Shtrydhën retë me grushta
Deri në mushkëri
Shtate ditë sixhim rrodhi shi
Deri sa Ylberi ra n’Dardani
Njoh do djem t’ri

Njoh do burra malesh
Di do burra t’mirë
Që ç’binë presa
Çanë thëngjij shkëmbij e gurë
Veç gegnishja
Të rrjedh lirisht
Të bie në gurrë


SHAMIBARDHA IME

(Nanës Ajshe, të Jusuf Gërvallës)

Isha aq e brishtë

Që të kuptoja unë
Një nënë shamibardhë
Që e doja shumë


Isha kureshtare

Mendja veç kërkonte
Si mbante valixhen
Si të mos rëndonte


Isha aq e mitur
Por kuptoja unë
Ku rendnin valixhet
Të rënda plumb

Kishte dhimbje shumë

Ishte nënë me halle
Kur bartem valixhet
Andej pas “centrale”


Dhe erdhi një ditë

Zemra sa i qante
Ma besoi një pako
S’guxonte ta mbante


Dhe sot më vjen keq

Sekretin mësova
Sa i fsheha mirë
Fshehtas i studiova


Më vjen keq nënë-loke

Isha axhami
Por beso Nëna Ajshe
Po flas veç tani


Vinte syrin përreth

Kur pranë saj kalonin
Shtrëngonim valixhet
Si të mos rëndonin


Dhe erdhi një ditë

Po mësoja në lice
I kuptova nëna ime
Mësimet që m’i dhe


Tani që jam nënë 

Më rëndojnë më shumë
Valixhet plot libra 
Dhe netët pa gjumë


Flokëbardha shqiptare

Ti që dritë më dhe
Në valixhet që bartje 
Kishte plot atdhe


Ishe nënë e hirshme

Ishe nënë e madhe
Shenjtëria jote
Djeg tingujt e një kitare



BACËS ADEM

Ju më pyesni
Ku është Drenica
Në zemër të Kosovës them unë

Pse pikërisht Drenica
Ka zemër të madhe
Aty ka qenë gjithmonë

Ç’zemër më e madhe ju duhet
 Veç e bacës Adem?
Pesëdhjetë herë dha frymë
Për një plis veç për flamur

Ja përse Drenica është në zemër të Kosovës
Dhe përse Kosova është zemra e saj

DIL NGA FUTA


Të iku mot i bukur
Ia qite dorën diellit
Ia zure faqen hënës



Ti zhig i zhiguar
Uri i nëmur
Me shatin te koka

Të shqiti ylli meteor
E le!

Nuk i re shpatë territ
Nuk zaptove qiejt

Ti kameleon i dreqit
Gjithmonë i dorëzohesh korbit
Si lugat ndjek çakejtë e natës
“Qorr si huti në zgurë”

Mos ia vë dorën diellit

Mos ia zë faqet hënës
Se thonë: “Nata s’ka”ispatë”


Lakuriq i nxirë terreve korb
Dil nga zhgjyri nga llumi nga lluca
Dil nga futa


DIL E SHIHE ADRIANIN

Dikur thërrisja

Oj nënë Mejreme 
Ta vranë djalin
Adrianin oj...


Ishte kohë lufte

Liria s’rrëmbehet tjetërsoj


Dikur bërtisja

Hej trima malesh
Ua vranë pishtarin
Adrianin


Ishte kohë lufte

Pishtarët digjen të parët


Dikur thërrisja

Oj vjollcë e bukur moj
Ta vranë beqarin
Adrianin


Ishte kohë lufte

Pranvera harronte beharin


Sot gjithë Peja thërret

Oj nënë Mejreme 
Dil e shihe lapidarin
Adrianin


Është kohë lirie

Dil e ndrite ballin


SHESHI I PRISHTINËS

Ju nëna të dëshmorëve

Mos i vajtoni më djemtë e vrarë
A keni ardhur në shesh të Prishtinës
Sheshin a e keni parë


Ju nëna që e shterët vajin

Që në zemër u rëndojnë gurë
A keni ardhur në Sheshin e Prishtinës
A keni parë në secilin trup një flamur


Ju nëna që lindët 

Skënderë Ademë e Hasanë e Mekulë
Po ejani në Sheshin e Prishtinës
S’do qani më kurrë


Ju nëna që ndrydhni mallin e djemve

Që ju shkrumbon në secilin damar
Po ejani shihni në Sheshin e Prishtinës
Atdheun tonë të bardhë


Ju nëna që tirrni retë me gishta

Që pikojnë në secilën çati
Nxitoni zbritni në Sheshin e Kosovës
Është derdhur dielli në rrezet e tij


Bulzat e dhimbja e Azem Shkrelit



Azem Shkreli dhe Çun Lajçi

Gjithçka deshta me thanë, veç dhimbjës sime derën s’deshta me ia hap, sonte kur mbyllën çepengat e hijet zgjatën trotuareve e qentë nisin me i leh tutës vet.

Gjithçka deshta më kujtua por jo dhimbjen time, ate që e mbylla me çepenga mbramë tek shiu po i lante t’zezat e natës.

Sytë flasin, e shpirti kallet ma leht se kashta, kur kamtë bahen tokë e kur fara jote kërkon ujin e vdekjës.

S’deshta me t’kujtua sot mbas njizet vitësh Azem, po nji bulzë që e pata, dhimbjesh e preva mbramë, kur i mbylli sytë si çepenga, e rrugës eca andej kah ti ma s’flet me Bulzat tua.

U ndala të dritarja. Heshta si Hutini yt. Vesh u bana e frymë Shkreliane s’ndëgjova.

Trupin e pshteta kujtimeve e hijën e futa brenda. T’pashë si njizetvjet ma parë shtrimë akull n’tavolinë mes librash.
Ademit iu kishin rrëzua ortiqët faqeve.

Bajram Kelmendi e grimconte cigarën me dhamë e fliste për Kerin.
S’e di pse përbirohej kafkës tande aq shumë, e pse aq shumë të mbështjellte me shallin e Kerit.

Fliste edhe Aida e faqëve tua i largonte mjegullat. Çuni ishte ba krejt Dyl, Aidës i fliste si Shpendit: druaj se s’je bima ime!
E prap ajo i largonte mjegullat.

Ikni, mos ma mbuloni bjeshkën se i prishet bukuria!

S’e di pse fjalët të munguan at natë. Ti mund t’mos kishe gojë, Molika e Sakut, por fjalë t’mos kishe, s’ta besonte Ibra as Bajrami, as Karvani i Rugovasve që t’pritshin n’oborr me t’i ra ftyrës me flamurin e shekujve e me t’pri drejt reve të bardha.

Pse s’flisje me mua, me Aidën më Ademin e Bajramin?

Pse lejove t’na vrahet buzagazi tash e njizetë vjet ma parë!
A t’kujtohet kur t’shau n’zyrën tande ai poeti të cilin e ngrite nga balta,ai “ Futa e Zezë” që edhe sot i dridhet koka.

Unë si ujku iu turra e deshta për nipin me dhamë me pre.
Ti vetëm buzëqeshe e me dorë m’fole.

Kur iku mërzia, e Çuni u ftoh,mos harro m’the: Shqiptarit vetëm buzëqeshju nëse don me vra!

A t’kujtohet kur ta ktheu fjalën Ragipi, ai Rakçja i Goli Otokut, kur deshti me përrallat e Partizanve me të m’su, e kur unë i bërtita, shuej analfabet. Ti vetëm e përqafove, e mirë i the e ke.

Eh miralani im, ashtu ishte n’kohë burrash e fjalësh.

Tash që s’je má, po e marr guximin e mençurinë që s’e kam si tanden e po ta them: shqiptarin sot as fjala as pushka s’e vrajka.
E n’kohën tande mjaftoi vetëm buzëqeshja.

S’deshta me folë për dhimbjën që e pata mbramë për“ bulzën” time, e fola me ty si njizetëvjet ma parë, kur si “ Engjujt e Rrugëve” të kryet t’rrinte Aida, jote bi e Çun daja.

Sot mërziet të banesa t’erdha, por dritarës tande s’ndëgjueka frymë Shkreliane njeri.

Hyni dritarës hija e doli nga dera bashkë me ty e mbi katër krah t’nisi Karvani i shallave drejt reve t’bardha.

Zoti e dinte se Dylin e rrehte gjithmonë pjalmi me borë Hajlave, andaj atë ditë rrugës t’përcolli ngricë e frymë edhe Ty.

Dritëro Agolli: Takimi në Kosovë me Azem Shkrelin





Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër . Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.

Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. -Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.

Eshtrat e Shotë Galicës ende nuk kthehen në Kosovë

Rezultate imazhesh për hilmi saraci

Nga Hilmi Saraçi
Ka kaluar një kohë e gjatë kur kishte lindur ideja  për ngritjen e  kompleksit memorial për Azem e Shotë Galicën në Galicë . Janë ndërmar disa nisma  për këtë projekt më rëndësi historike dhe kombëtare . Tani ky projekt është  realizuar, por me disa mangësira që për cudi nukjanë duke u ndërmar për realizimin në tërësi të kompleksit memorial. Në vitin 2004 ka përfunduar faza e parë  e këtij projekti ku barrën kryesore  financiare e ka bartur Kuvendi Komunal i Vushtrrisë. Në vitin 2006 ka filluar faza e dytë  e realizimit të këtij projekti , ku hapin e parë prap e ka bërë Kuvendi Komunal në Vushtrri duke i ndarë 5 mijë euro për hartimin e kullës së Azem Bejtës, kurse realizimin e ndërtimit të kulles që kap shumën prej 60 mijë euro  e bartë Ministria e Kulturës së Kosovës.. Mirëpo ajo që brengos më se shumti  është se eshtrat e Shotë Galicës  nuk janë sjellur ende pranë eshtrave  të burrit të saj, Azem Galicës. Varri i Shotë Galicës  është i hapur dhe i rregulluar  dhe vetëm pritet që sa më parë  të barten eshtrat  pranë burrit dhe të bashkëluftëtarëve të saj.
Në Fushë Krujë (Shqipëri) në viziten që ështe bërë gjatë vitit 2006 , varri i saj ishte në gjendje  të mjeruar, i  mbushur me mbeturina , me pllaka të thyera – i shkatrruar gati në tërësi . Pushtetarët e Fushë Krujës janë për çdo kritikë për pakujdesinë  ndaj heroinës së shquar të kombit shqiptar, Shotë Galicës. Tani kjo gjendje sikur është përmirësuar nuk është si dikur. 
Madhështia e kompleksit memorial dhe kulla e Azem Galicës 
Është madheshtore hyrja në kompleksin memorial të Azem Galicës dhe të bashkëluftëtarëve të tij. Përmendorja e Azem e Shotë Galicës është ngritur lart. Pranë kësaj permendorje dy varre të mermerta. Njëri me eshtrat e Azem Galicës ,njëri i Shotë Galicës, por pa eshtrat e saj - e shprazët, sepse eshtrat e Shotës ende nuk janë sjellur në vendin e duhur , kanë mbetur në Shqipëri. Në KK- në Vushtrri  tregjnë se janë bërë mjaft përpjekje për sjelljen e eshtrave të Shotës nga Shqipëria, por ende nuk është arritur  një pajtim për sjelljen e tyre. Duhet bërë përpjekje edhe më tutje- thonë në Vushtrri.
Ishte për cdo kritikë dikur gjendja e disa varreve , fytyra të njohura të historisë tonë , siq është varri i Hysë Popovës  dhe nënës se Azemi, Azeminës.Memzi dallohej varri i tyre, i kishte  mbuluar bari dhe bërllogu. Ka pasur mundësi që se paku të identifikohet varri duke e pastruar dhe shënuar me një guri derisa do të mendonin për ngritjen e një lapidari edhe për Hysë Popovën, këtë trim dhe luftëtarë të madh . Gjithashtu edhe për nënën e Azemit , Azeminën  dhe të disa luftetarëve të tjerë, varri i të cilëve gjithashtu nuk dallohej kur e pata vizituar kohë më parë kompleksin memorial , është dashur të kujdeset dikush më herët edhe për këta luftëtarë dhe  të punohet më me përkushtim , sidomos në fushën profesionale që sipas mendimit tim mungon në realizimin e këtij projekti. Mirëpo gjatë bisedës me Bedri Tahirin, njërin nga angazhuesit dhe njohësit ehistorisë për Azem Galicënrial, shpiegon se këto varresa tani janë rregulluar, por kompleksi memorial sidomos kulla e Azem Galicës sikur ka mbetur i pa realizuar, sidomos Kulla ka mbetur përbrenda e  papunuar dhe e parealizuar sipas projektit,Vizitoret kur vijnë nuk kanë  mundesi të qëndërojnë  dhe të njotohen më mirë për historin dhe luftën e Azem Galicës , Shotë Galicës dhe bashkluftëtërëvë të tjerë.
Në kullën e Azemit janë të pranishme edhe disa mangësi . Njëra ndër to është frengjia me një formë më të hapur se sa duhet… Edhe muratimi i kullës me disa dimenzione artektonike nuk është identik dhe në nivelin e duhur profesional. Ndersa dera e hyrjes dhe shuli i  derës është ,deri dikund, identik me kullën e Azem Galicës…
Memzi dallohet vendi i shpellës së Përçevës
Shpella e Përçevës gjendet në mes të komunës së Klinës dhe Malishevës. Nuk është leht për të udhëtuar deri të shpella, sepse përveç largësië, rruga nuk është e rregulluar  mirë, është  e thepisur dhe me plotë gurë .  Çfarë pakujdesie? Nuk kanë bërë përpjekje për ta ndërtuar këtë rrugë me rëndësi historike që shkon deri të shpella, kur tani shumë rrugë janë asfaltuar dhe ndërtuar pa ndonjë vështirësi. Shpella gjendet në një hapsirë të mbuluar me drunj dhe  lisa. Nuk ka  shenje identifikimi. Papastertia dhe therrat për rreth e kanë mbuluar, memzi dallohet shpella që perimetrin nuk e ka të gjerë, por siq dihet kjo shpellë është e thellë afër 70 m.. Është për çdo kritikë kjo gjendje e mbetur e Shpellës së Përçevës. Organet kompetente të tri komunave (Skenderaj. Malishevë dhe Klinë) është dashur të ndërmarrin iniciativen për rregullimin e rrugës që shpie deri të Shpella e Përçevës , të pastrohet përreth shpella  dhe të identifikohet me një rreth prej hekuri në formë të “gilinderit” për të mos ra diçka në thellësinë e saj . Të vehet një pllakë përkujtimore në shënjë nderimi për heroin tonë kombëtar, Azem Galicës dhe të valëvitet flamuri kombëtar mbi lisin që gjende në afërsi të shpellës, sepse kjo shpellë është me një rëndësi të veçantë për historinë tonë kombëtare dhe luftën për liri dhë pavarësi të Azem Galicës.
Shpella e Përçevës ka një histori të veçantë. Në këtë shpellë është hudhur trupi i pajetë i kryetrimit tonë , Azem Galicës, për të mos ra në duartë e armikut. Mirëpo për nxjerrjen e eshtrave nga Shpella e Perçeves ka mendime të ndryshme. Më se tepërmi flitet se eshtrat e heroit tonë kombëtar i ka nxjerr Avdyl Krasniqi. Mirëpo disa nga rrethina e Perqevës thonë se eshtrat e kryetrimit i ka nxjerr Cen Kapllani, bashkfshatari i tyre i kësaj ane të  Perçevës. Mirëpo sa është reale të konstatohet se për nxjerrjen e eshtrave të kryetrimit tonë kanë hyrë në shpellë dhe i kanë nxjerrë Avdyl Krasniqi dhe Cen Kapllani i Perçevës…. 








Procedura për kthimin e eshtrave
 të Shotë Galicës mjaft e paqartë
Procedura për këthimin e eshtrave të Shotë Galicës ka filluar në vitin 2004 dhe pat arritur deri të kryetari i Shqipërisë , Alferd Moisiu. Bashkim Rama ish shef i  Zyrës Ndërlidhëse  të Shqipërisë në Prishtinë,  kur kishte marrë pjesë në manifestimin me rastin e për vjetorit së Epopesë së Arbërisë së Vogël (Galicë) më 15 korrik 2004, publikisht kishte premtuar se kjo kërkesë do të respektohet. Mëgjithë premtimet dhe përpjekjen e tij, kjo nismë ka mbetur vetëm në fjalë. Ai ka thënë se kjo si duket po ngadalësohet dhe po pëngohet për shkak se disa të afërmë të Shotës  që jetojnë në Shqipëri nuk pranojnë  të nxirrën dhe të barten eshtrat e Shotë Galicës në Kosovë  (Galicë) dhe të bashkohen këtu dy bashkëshortë dhe bashkëluftëtarë  të cilët për 15 vjet luftuan bashk kundër armikut.Kjo është padrejtësi ndaj këtyre dy heronjëve të kombit shqiptar“…
Me 15 korrik 2004 u mbajt një manifestim i madh përkujtimor  me rastin e zbulimit të kompleksit memorial në Galicë ku muaren pjesë të gjitha subjektet relevante të nivelit kosovar e më gjerë, u zbulua pllaka   dhe varrezat  e  Azemit  dhe të Shotës në Galicë, zbulimi i pllakës me listen e emrave të të rënëve në Betejën e Galicës, përurimin e bezamentit për kompleksin e ardhshëm përkujtimor, përgjithësisht përurimin e trollit të kompleksit përkujtimor,
Ky përvjetor pati rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare, sepse në këtë përiudhë Lëvizja Kaqake për liri e pavarësi kulmoi  me kryengritjen e përgjithshme popullore nën udhëheqjen e Azem e Shotë Galicës. Këta dy luftëtarë e bashkëshortë me çetat e tyre zhvilluan mbi 60 beteja  fitimtare kundër pushtuesit serb dhe arriten të formojnë bërthanen shtetrore me emrin  Abria e Vogël, të cilën pushteti serb u detyrua ta pranojë. Beteja e fundit e Azem Galicës me 15 korrik 1924 kurorëzoi luftërat 12 vjeçare për liri dhe u skalit në histori me emrin “Epopeja e Arbërisë së Vogël”. Atë ditë, para agimit forca të mëdha serbe me rreth 1200 luftëtarë të Garnizonit të Shkupit të paisura  edhe me altleri të rëndë rrethuan tri fshatra të Arbërisë së Vogël: Galicën,  Lubovecin dhe Mikushnicën. Meqense ishe festë e bajramit të vogël, shumica e luftëtarëve të çetës ishin shpërndarë nëpër shtëpitë e veta . Beteja ishte e ashpër  dhe kishte vazhduar gjatë tërë ditën. Aty ranë heroikisht shumë dëshmorë . U plagos edhe vetë udhëheqësi  i betejes, Azem Galica . Në radhet e armikut u vranë trefish më shumë . Fshatrat e rrethuara  u granatuan  dhe u dogjen rrafsh me tokë . Në shënjë hakmarrjeje shumë gra, fëmijë e pleq u pushkatuan, u masakruan dhe u dogjen  në zjarr .Azem Galica ndërroi jetë pas dy javësh.Njëgrup bashkëluftëtarësh e realizuan porosinë e tij  të fundit dhe në fshehtësi  të thellë , trupin e pajetë  e lëshuan në shpellën: “Quka që kërset”  në malet (shpellën) e  Përçevës…

GJITHKUSH LUFTËN E VET - GJITHKUSH KËNGËN E VET HAVZ


Rezultate imazhesh për rexhep shahu

NGA REXHEP SHAHU
(Biseda e fundit – në vend të kronikës së promovimit të librit tënd Havzi Nela - Shtatë Fletore, vepra e plotë me 5548 vargje, organizuar nga Klubi i Poezisë me 22 shkurt 2019, në Akademinë e Shkencave në Tiranë)
Rezultate imazhesh për rexhep shahu
Promovimi i librit tënd Havzi u bë. U bë shkëlqyer. Me publik elitë, me miq të shumtë, përsonalitete të spikatur. Erdhën shumë shkrimtarë edhe folën, kjo është themelore. Të nderuan, të çmuan, të vlerësuan shkrimtarët. Edhe ty edhe veten e tyre edhe mua.
Ndjehem shumë i nderuar Havzi prej shkrimtarëve që të nderuan ty për herë të pestë.
Një herë kur u vu busti yt, pastaj kur u bë sesioni përkujtimor për ty, pastaj kur u inagurua shtëpia jote në Kollovoz dhe aty tha Sadik Bejko, e bëtë Havzi Nelën me çati, me shtëpi, pastaj kur u promovua në Bar Kafe Luks revista speciale nr. 14 kushtuar ty dhe shkrimtarëve martirë dhe tani së pesti kur u promovua libri yt Shtatë Fletore, vepra e plotë me 5548 vargje. Nuk di ndonje rast tjeter qe shkrimtaret kryesore te vendit te kene nderuar ndonje shkrimtar tjeter kaq sa ty Havzi, qe te kene folur kaq shume shkrimtare e kaq mire e me kaq nderim sa per ty per jeten e vepren tende. Jane te gjitha brenda...


Shkurt po të them Havzi se shkoi shumë mirë. Pjesëmarrje e madhe përsonalitetesh, veprimtari dinjitoze. Ishte aktivitet me u marrë më sysh.
Unë e çela aktivitetin. Pa fjalë të mëdha, thjeshtë. Nuk kisha asnjë qëllim kësaj radhe përveçse të falenderoja pjesëmarrësit, të falenderoja shkrimtarët, gjithë të pranishmit, politikanët që erdhën. Doja të falenderoja edhe ata që nuk erdhën, të thoja na lehtësuan, s’na shtinë në borxhe por nuk e artikulova këtë. Falenderova Flamur Hoxhën që financoi botimin e tri librave për ty. Falenderova Bashkim Shehun që të bëri bustin e shtëpinë në Kollovoz.
Pas meje ia dhashë fjalën Izet Durakut si redaktor i librit tënd dhe si mik i imi. Ai foli gjërë për librin tënd, për të panjohurat e librit tënd, për gjërësinë e interesave tua letrare, per dimensionin tend letrar e kombetar.
Pastaj foli poeti Petrit Ruka. Ai si ai di të flasë bukur dhe i mëshoi mirënjohjes asaj që unë kisha dëshirë. Ai është oratori më i shkëlqyer që flet për institucionin e munguar të mirënjohjes Havzi. Ai e falenderoi Flamurin, mua e Izetin.
Pastaj, me fjalë që di ti zgjedhë me kujdes e dashuri për ty, foli Visari qe te ka njohur ne burg. Ai e çmoi librin dhe unë u ndjeva entuziast për këtë. E lavdëroi titullin e librit tënd Shtatë Fletore, titull që e ka zgjedhë Izeti. Si krijimin e botës në shtatë ditë ashtu e konsideroi ai librin tënd Shtatë Fletore...
Shkrimtari Mehmet Elezi mori vemendje maksimale të auditorit me fjalët që tha për ty e librin tënd Havzi. Fjalë të zgjedhura si të shkepme prej një mali graniti. Ai të çmoi të përveçëm për poezitë, disidencën, aktin e ekzekutimit tënd, për qartësinë, për kundërshtinë, për qëndresën, trimërinë, kthjelltësinë, për poezitë shkruar për Kosovën që janë sa gjithë letërsia e Shqipërisë për Kosovën deri kur ke shkruar ti në 1981. Lavdërimet e Mehmetit për Flamurin më emocionuan edhe mua dhe ndërsa ai fliste unë mendoja se pa sponsorizimin e Flamurit nuk do të ishin të botuara realisht këto tri libra që janë tuat e kanë lidhje me ty. Edhe mua e Izetin na falenderoi pasi ai e di se librin tënd nuk e ka përgatitë ndonjë jashtëtoksor por unë.
Pas Mehmetit doli në foltore poeti Sadik Bejko. Ta kam thënë edhe herë të tjera, Sadiku deri sot është treguar me mua më i gatshmi shkrimtar që të bëjmë aktivitetet për ty dhe ia kam artikuluar këtë mirënjohje. Ai foli për librin tënd dhe me pasionin që e karakterizon lexoi një poezi tëndën, një poezi dashurie dhe e ndriçoi më shumë sallën e Akademisë së Shkencave.
Poeti Agron Tufa bashkëpjesëmarrës gjatë këtyre muajve në gjithë veprimtaritë për ty me shkrime, prani e fjalime, foli me fjalë poetike për ty e librin tënd, për kontributin e Flamur Hoxha në mbështetjen e botimeve të rralla e cilësore si librat e tu dhe e quajti atë institucion, pothuaj njejtë siç e pati quajtë Flamurin shkrimtari Zija Cela, deputet të letërsisë, që sponsorizon revisten Illz, revistë letrare e Tiranës.
Studiuesi i njohur i letërsisë Behar Gjoka foli i fundit. Shkurt e qartë, me shpirt, me të njejtën dashuri, përkushtim e nderim për ty siç ka folë edhe në sesionin përkujtimor për ty me 12 qershorin e vitit të kaluar.
Havzi, kishte shumë të tjerë që donin të flisnin. E shihja, e ndjeja dhe ma thanë pasi e mbylla aktivitetin. Por mendoj se mjaft u fol sa për një prezantim libri, sa për një promovim.
Flamuri që nuk pranoi të ulej as në presidium nuk pranoi as të fliste. Nuk donte që as ta lavdëroja unë pasi më thotë gjithmonë të mos e lavdëroj për këto që bën, për sponsorizimin e librave të Havziut, të librave të tjerë por as për sponsorizimin e revistës Illz. Falenderova unë në emër të tij.
Kështu shkoi mirë Havzi. Por ti e di se unë shpesh shoh pikën e zezë te fleta e bardhë.
U dhane kronika nga televizionet. Ora News dhe ABC ishin dashamirese. Por askush nuk tha se kush e botoi këtë libër që nuk e kanë botuar tri dekada, askush nuk tha se kush e financoi këtë libër që nuk e financuan tri dekada. Askush nuk tha se kush merrte pjesë në promovim, kush dominonte në promovim, kush foli e përshëndeti.
Siç nuk i thanë këto gjëra edhe për bustin edhe për shtëpinë tënde se kush i bëri e kush i financoi por edhe për librin si për bust e shtëpi nuk u thanë ato që duhen thënë për korrektësi e etikë.
Gjithë çfarë është bërë sa përmenda më lart gjatë këtyre muajve për Havziun nuk janë meritë e familjes dhe e askujt, por meritat janë të Flamur Hoxhës për librat, të Bashkim Shehut për bustin e shtëpinë, të Ilmi Hoxhës që bëri bustin me fonde të Bashkisë, të Rexhep Shahut që përgatiti librat për Havziun, të Izet Durakut për redaktimin e librave.


Tjetra që u përsëritet Havzi edhe në këtë veprimtaritë për ty.
Ende ndokush mendon, ka guxim e më qorton hapur e fshehtas, privatisht e publikisht se pse në veprimtaritë për ty janë bërë bashkë njerëz që “nuk duhej të bëheshin bashkë”. Janë bërë bashkë ish zyrtarë të kohës së komunizmit dhe njerëz të ndëshkuar në atë kohë, janë bërë bashkë demokratë e socialistë, të përndjekur politikë dhe jo të përndjekur politikë, të burgosur politikë dhe jo të burgosur politikë. Ende ka qortime ndaj meje pse ka ndodhë e ndodhi kështu.
Disa duan që për ty Havzi të mblidhen vetëm të dënuarit dhe askush tjetër, sikur ti je pronë e të dënuarve, sikur je kockë që duhet të lëpijnë ata që e kanë biznes lëpirjen e eshtrave të të dënuarve politikë të vendit.
Unë kam zgjedhë që të bëhën bashkë të gjithë, që të nderohesh nga të gjithë sepse së pari meriton të nderohesh e të njihesh si shkrimtar nga shkrimtarët e vendit, pasi si antikomunist ti nuk merr dorë askund se je kampion, si i dënuar je kampion se nuk ka tjetër të varur në litar nga regjimi komunist si kundërshtar ekstrem dhe i hapur i tij.
Ata që janë të paplotë, inferiorë, hipokritë, gënjeshtarë e mashtrues, që shtiren si të përndjekur politikë, që janë deledash, që thonë jemi të përndjekur politikë dhe kur i pyet ku keni punuar gjatë diktaturës dalin zbuluar pasi kanë qenë kuadro të asaj kohe dhe ato që nuk i donte diktatura nuk i punësonte kuadro por i linte punëtorë krahu kur nuk i fuste në burg, nuk ua njihte as pranonte diplomat, i internonte e çonte larg në fshatra të humbura e nuk i punësonte në vendlindje e në qendra qytetesh e rajonesh.
Kur i pyet kë ke patur në burg politik, të përmendin ndokënd nga fisi i largët i nënës a tezes që ka folë keq për partinë dhe është dënuar për axhitacion për të fshehë ndonjë vepër tjetër penale... dhe nuk e kanë në shtëpi, në prindër përndjekjen, vuajtjen a dënimin.
Pak janë ato të përndjekur realë që kanë vuajtur direkt në familje, që kanë patur prindërit të dënuar ose bijtë të dënuar nga diktatura. Ata që kanë vuajtur direkt në kurriz ndëshkimet e rënda të diktaturës ata janë fisnikë dhe nuk i shtojnë as nuk i zbukurojnë me fjalë vuajtjet dhe fatkeqësitë e tyre të shkaktuara nga regjimi komunist.
Ato që nuk i donte diktatura që ishin me biografi të keqe, rrallë shkolloheshin. Dhe kur ndodhte, ata dërgoheshin në shkolla e degë të papreferuara si bujqësi e miniera, pasi diktatura nuk i kishte shkollat e mira që të shkollonte armiqtë e saj. Edhe kur i shkollonte i degtiste zonave të humbura në rrethe të largëta si dënime me debime e internime të padeklaruara, të pashpallura si të tillë.
Ende ka pra sot njerez që kërkojnë të jemi të ndarë, të jemi dy llogore, të mos pranohemi, të urrehemi, duke synuar vetem një gjë – pushtet, karrige pushteti me çdo çmim.
Nuk e di Havzi, por nje thenie e Frojdit me ka ngjite fort: “Të shumtët e njerëzve në të vërtetë nuk e duan lirinë, sepse liria presupozon marrje përgjegjësie, dhe të shumtët dridhen nga marrja e përgjegjësisë.” Ndoshta eshte nder te vertetat e medha.
Unë nuk kam qenë në burg Havzi. Por unë nuk kam faj pse nuk kam qenë në burg. Ti ke qenë në burg. Por unë nuk kam faj pse ti ke qenë në burg. Unë kam heshtur kur ti ke qenë në burg. Të gjithë kemi heshtur, ani se ka sot “trima” pas beteje e mashtrojnë sikur kanë reaguar pse të kanë varë ty dhe bëhen kështu karikatura kur dihet se edhe ëndrrat kanë qenë të kontrolluara...
Të gjithë kemi besuar se socializmi që jetonim e ndërtonim ishte parajsa dhe vonë disa e kuptuan se ishte ferri e jo parajsa, ishte skëterra. Unë më vonë se të tjerët mbase e kuptova se socializmi ishte ferri e jo parajsa. Ndërsa flas kështu Havzi më kujtohet një thënie lapidare e poetit Preç Zogaj që thotë se po të ishte gjallë Enveri edhe ai do të kërkonte të shkruhej në radhët e të përndjekurve politikë, të shkruhej disident...
Havzi, unë që i bëj bashkë shkrimtarët pa dallime, ata që duan të bëhen bashkë të të nderojnë ty, nuk ndaj grada, nuk caktoj eminenca politike, nuk fshihem pas gardhit me vra askënd, nuk bëj atë hedh gurin e fsheh dorën, nuk e kthej veten as miqtë tri dekada pas, nuk jetoj në socializëm por jetoj ditën e kohën sot në mënyrë të atillë që të mos më vijë kurrë turp nesër mua as fëmijëve të fëmijëve të mi.
I kuptoj edhe ata që më kanë qortuar. Edhe anonimët edhe ata me emra. I kuptoj mirë sepse përgjithësisht njerzit që flasin e më qortojnë sot janë ata fëmijët e dikurshëm të socializmit që janë rritë me këngën “Kam tri nëna o fëmijë / Një në kopësht, një në shpi / Një është nëna parti.../ dhe kjo këngë u jehon ende sot e gjithë ditën. Nuk patën mundësi të shkollohen mirë as në vend as jashtë as të punojnë nëpër Europë ku hapet mendja. Ky brez që është rritë me këtë këngë ka radhën sot të bëjë opinionin...
Kur të burgosurit politikë shqiptarë dolën nga burgjet e diktaturës nuk kapën pushkët kundër atyre që i kishin futë në burg sepse e dinin se i kishte futë në burg një sistem, një politikë dhe përgjithësisht jo individët por institucionet e diktaturës që funksiononin si një Big Brother dhe i shkonte koka kush prishte lojën me vdekje të shoqërisë dhe individëve rrebelë. Kur nuk u kapën pushkët atëhere, si ka mundësi sot të ketë nxitës, ngatërrestarë, ngucës që urrjetja të mbahet e gjallë e ndezur nga individë e shoqata anonimësh e pseudonimësh që antikomunizmin e kanë biznes fitimprurës.
Kanë kaluar 30 vite nga shembja e komunizmit, jo nga zhdukja, më shumë se një brez njerzor ka kaluar dhe ende njerëz jo seriozë rrinë duke sharë me nënë e babë, me motër e vëlla, me listë me rob shpie komunistët. Cili njeri, që dëgjon me veshë e lexon me sy, do t’i pranonte ato sharje kundër komunistëve dhe nuk do të ndjente neveri kur shahet dikush me nënë, me grua, me motër, me vajzë. Ky nivel antikomunistësh të bën me vjellë dhe këto lloj antikomunistësh tërheqin rrufetë e përbuzjes drejt shtresës së të përndjekurve të vërtetë politikë të cilët nuk e kanë mënyrë të mënduari e të sjelluri këtë lloj fushate sharjesh neveritëse, këtë lloj antikomunizmi.
Në veprimtaritë që kemi bërë për ty Havzi që nga 12 qershori 2018 kur u vu busti yt e deri në këtë promovim, ka patur njerëz që nuk jetojnë dot pa luftën e klasave, nuk jetojnë pa urrjejtje dhe mendojnë se janë ndërruar portat, të dënuarit duhet të shkojnë e të punësohen në Komitetin Qëndror të Partisë e të padënuarit duhet të shkojnë në burgje e kampe punë.

Por Havzi që ta dish, ne kemi folë me kohë për këtë gjë, unë kam këmbëngulur që shkrimtarët të jenë bashkë me ne në gjithë veprimtaritë për ty. Të gjithë shkojnë e vijnë në këtë botë por jo shkrimtarët, ata mbeten sot e mot aq sa mbetet libri. Shkrimtarët janë ndërgjegjja e një kombi, ndërgjegjja e njerzimit, gjërat tjera janë si stinët.
Përveç thashethemeve e ngacmimeve që më bëjnë njerez të ndryshëm, ca nga dashuria për mua e për ty, ca nga ligësia për ty e për mua, ajo që më trazoi ishte sërish mungesa e mediave...
Si ti Havzi nuk ka tjetër në Shqipëri e as në botë po dua të them. Je i vetmi i varur nga shkrimtarët, dhe ke botuar libër te rrallë me 5548 vargje, të shkruar në burg deri në vitin 1983, përveç katër poezive që i ke shkruar në internim në Arrën gjatë vitit 1987.
Pra ti je lajm për këtë libër në çdo kohë, nëse do të donin.
Nuk ka më rregulla të arta për lajmin, nuk vlejnë më 5 pyetjet e arta për lajmin.
Gjithë aktivitetet që janë bërë për ty Havzi nga qershori 2018 e deri ky me 22 shkurt 2019 nuk janë pasqyruar korrekt në media. Janë dhënë sikur janë bërë aktivitete familjare, janë anashkaluar ata që i kanë vendosë dhe i kanë bërë këto aktivitete, ata që i kanë financuar këto aktivitete, që i kanë drejtuar.
Ti ta dish, pa punë e madhe për të tjerët e për mediat. Busti yt dhe shtëpia jote janë bërë falë vullnetit e deshirës së mirë të kryetarit të bashkisë Kukës Bashkim Shehu. Po të mos i bënte ai këto dy vepra nuk do të bëheshin siç nuk janë bërë për tri dekada. Nuk bëhën vepra të mëdha me fjalë të mëdha rakie e birre klubeve të katundeve. Ndaj meriton mirënjohje kryetari i bashkisë Kukës Bashkim Shehu.
Tri librat përmendore pavdeksie, revista Illz 14 numër special ku ti je përsonazhi qëndror me Vilson Blloshnim, Genc Lekën e Trifon Xhaxhikën që i ka pushkatuar partia, libri i jashtëzakonshëm, Shkrimtarët për Havzi Nelën - shpirti i lirë i Lumës dhe libri yt Shtatë Fletore, vepra e plotë me 5548 vargje, përmendorja që ti ia ke ngritë vetes, janë bërë falë dashamirësisë së humanistit Flamur Hoxha, i cili me gjithë kontributin e madh në botime të zgjedhura, nuk rri duke u mburrë ekraneve si ndonjë biznesmen tjetër që e shet shumë shtrenjtë politikisht bamirësinë duke e përmendë bukën që jep.


I dashur Havzi,
Fjalët tona nuk sosën kurrë, fjalët e mia nuk sosën kurrë. Por do ta mbyllim këtë bisedë se do ta botojmë tashmë librin tonë Bisëdë me Havzi Nelën. Ato gjëra që nuk ti kam thënë dot me fjalë do ti shohësh në fotografi. Ato njerëz për të cilët nuk të kam folë do ti shohësh në fotografi.
Unë nuk caktoj, gradoj apo shpalli miq apo armiq.
Në librin tonë, veç shkrimeve e kronikave të mia për ty, si ky shkrim, do të jenë kronikat bashkë me fotografi nga gjithë aktivitetet që janë bërë për ty, do të jetë udhëtimi i bustit tënd me mua për në Spaç, vendosja e bustit tënd në Kukës, sesioni përkujtimor që bënë shkrimtarët për ty, ndërtimi e inagurimi i shtëpisë tënde, botimi i numrit special 14 të revistës Illz për ty e shkrimtarët martirë, libri i rrallë Shkrimtarët për Havzi Nelën – shpirti i lirë i Lumës, do të jetë veprimtaria e vendosjes së memorialit të kujtesës në Kukës në nderim e kujtim të martirëve të Lumës masakruar nga trupat e ushtrisë serbe në vjeshtë 1913, do të jetë aktiviteti për Trifon Xhaxhikën, në Peshtan të Tepelenës, do të jetë promovimi i nr. 14 të revistës Illz në Kafe Luksi në Tiranë, do të jetë kronika e panairit të librit i nëntorit 2018 kur doli libri yt Shtatë Fletore dhe erdhën shumë shkrimtarë e figura dhe e morën librin tënd në panair, dhe ky promovim i librit tënd Shtatë Fletore, kronikë e zgjeruar me fotografi. Do të jetë një libër besoj mjaft i pasur i dashur Havzi.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...