Azem Shkreli dhe Çun Lajçi
Gjithçka deshta me thanë, veç dhimbjës sime derën s’deshta me ia hap, sonte kur mbyllën çepengat e hijet zgjatën trotuareve e qentë nisin me i leh tutës vet.
Gjithçka deshta më kujtua por jo dhimbjen time, ate që e mbylla me çepenga mbramë tek shiu po i lante t’zezat e natës.
Sytë flasin, e shpirti kallet ma leht se kashta, kur kamtë bahen tokë e kur fara jote kërkon ujin e vdekjës.
S’deshta me t’kujtua sot mbas njizet vitësh Azem, po nji bulzë që e pata, dhimbjesh e preva mbramë, kur i mbylli sytë si çepenga, e rrugës eca andej kah ti ma s’flet me Bulzat tua.
U ndala të dritarja. Heshta si Hutini yt. Vesh u bana e frymë Shkreliane s’ndëgjova.
Trupin e pshteta kujtimeve e hijën e futa brenda. T’pashë si njizetvjet ma parë shtrimë akull n’tavolinë mes librash.
Ademit iu kishin rrëzua ortiqët faqeve.
Bajram Kelmendi e grimconte cigarën me dhamë e fliste për Kerin.
S’e di pse përbirohej kafkës tande aq shumë, e pse aq shumë të mbështjellte me shallin e Kerit.
Fliste edhe Aida e faqëve tua i largonte mjegullat. Çuni ishte ba krejt Dyl, Aidës i fliste si Shpendit: druaj se s’je bima ime!
E prap ajo i largonte mjegullat.
Ikni, mos ma mbuloni bjeshkën se i prishet bukuria!
S’e di pse fjalët të munguan at natë. Ti mund t’mos kishe gojë, Molika e Sakut, por fjalë t’mos kishe, s’ta besonte Ibra as Bajrami, as Karvani i Rugovasve që t’pritshin n’oborr me t’i ra ftyrës me flamurin e shekujve e me t’pri drejt reve të bardha.
Pse s’flisje me mua, me Aidën më Ademin e Bajramin?
Pse lejove t’na vrahet buzagazi tash e njizetë vjet ma parë!
A t’kujtohet kur t’shau n’zyrën tande ai poeti të cilin e ngrite nga balta,ai “ Futa e Zezë” që edhe sot i dridhet koka.
Unë si ujku iu turra e deshta për nipin me dhamë me pre.
Ti vetëm buzëqeshe e me dorë m’fole.
Kur iku mërzia, e Çuni u ftoh,mos harro m’the: Shqiptarit vetëm buzëqeshju nëse don me vra!
A t’kujtohet kur ta ktheu fjalën Ragipi, ai Rakçja i Goli Otokut, kur deshti me përrallat e Partizanve me të m’su, e kur unë i bërtita, shuej analfabet. Ti vetëm e përqafove, e mirë i the e ke.
Eh miralani im, ashtu ishte n’kohë burrash e fjalësh.
Tash që s’je má, po e marr guximin e mençurinë që s’e kam si tanden e po ta them: shqiptarin sot as fjala as pushka s’e vrajka.
E n’kohën tande mjaftoi vetëm buzëqeshja.
S’deshta me folë për dhimbjën që e pata mbramë për“ bulzën” time, e fola me ty si njizetëvjet ma parë, kur si “ Engjujt e Rrugëve” të kryet t’rrinte Aida, jote bi e Çun daja.
Sot mërziet të banesa t’erdha, por dritarës tande s’ndëgjueka frymë Shkreliane njeri.
Hyni dritarës hija e doli nga dera bashkë me ty e mbi katër krah t’nisi Karvani i shallave drejt reve t’bardha.
Zoti e dinte se Dylin e rrehte gjithmonë pjalmi me borë Hajlave, andaj atë ditë rrugës t’përcolli ngricë e frymë edhe Ty.