2019-03-06

CIKËL POETIK NGA RAMIJE UKAJ


Fotografia e profilit të Ramije Ukaj

AKROSTIK PËR IBRAHIM RUGOVËN

I ringjallur si Konstandini nga balada
Besnikërisht na lidhe besa besë
Ra kushtrimi i dasmës së madhe
Atdhetarisht t`i biem hasmit me pushkë e kmesë
Honeve të shpirtit frymoi liria
I gjallë e i vdekur na bashkove urtësisht
Mbi qiellin tonë të valoi pavarësia

Radhë më radhë tash të vijnë në Velani
U jep buzëqeshje engjëllore
Gatiten para teje si fëmijë
Oshtinë zëri yt i urtësisë hyjnore
Vizion i qëndisur në flamur Dardanie
Arkitekt i atdheut me pamje pavdekësie

AJO KOHË

Të lidhur me fije floku
Në duet i këndonim dashurisë
Si zogj shtegtarë fluturonim
Nëpër shtigjet e lumturisë

Ashtu me krah ere vallëzonim
Si valët e ujëvarës në Korishë
Të etur për një të nesërme
I kam rritur dy drita sysh.

VENDLINDJA

Ah vendlindja ime
Sa kam mall për ty
Si ujëvarë e shpirtit
Në zemër më ke hy

Atje e kam fëmijërinë
Dhe gërshetat e vajzërisë
Atje i kam lënë ëndrrat
Dhe lotët e nusërisë

Koha vjen dhe shkon
Si dallëndyshet në pranverë
Askund si në vendlindjen time
Lulet nuk kanë erë

Ah vendlindja ime
Sa shumë ti më mungon
Kur të kthehem tek ti
Kush i pari më përqafon.

RRUGËT E FATIT
Drejt rrugëve të fatit nisesha
E ato më qonin tjetërkund
Në një rrugë tjetër më kthenin
Fatin tim nuk e gjeja askund

Me heshtje i matja hapat e mi
Dhe netët i lodhja me pritje
Shpesh ëndrrat i leja pa gjumë
Duke folur me hijen time

As sonte nuk gjej qetësi
Se mu kujtua fati i munguar
Kur me lot shprese i ujisja lulet
Në rrugë të fatit duke besuar

E përvuajtur jetoja pa fat
Duke pritur atë t`më buzëqesh
Koha vinte dhe shkonte kot
Po fat askund s`kishte mes nesh.



STINËT E VETMISË


E humbur mes mendimesh
Edhe sonte përgjoj vetminë
Nën strehën e pritjes që pikon
Numëroj gjethet e ftoit që bien

Lagur prej lotëve të vjeshtës
Një puhizë m`i shprish flokët
Aq është mallëngjyer për mua
Me zemër më përqafon ngrohët

Kjo erë e vjeshtës me shi
Stinët e vetmisë m`i kujton
Në dritaren e vetme të hapur
Një zog i vonuar cicëron.


VARKA E JETËS

Me një varkë të vjetër
Brigjet e jetës i kërkoja
Si valë e detit të pa fund
Me dy zogj lundroja

Në breg të dritës prisja
Rrezen e diellit të agoi
Me fije floku e lidhja
Plagën e zemrës që lotoi

Mes detit të trazuar
Me shami thërrisja shpëtim
Asnjë zë pos pulëbardhave
Nuk më dha ngushëllim

Tani varkë e jetës sime
Lundron valëve të lumturisë
Një dritë qiellore më prinë
Drejt bregut të ardhmërisë.


SI NË ËNDËRR

Ora e gjumit ngadalë po bie
Dhe kujtimet i bëj palë
Në albumin e jetës pa ngjyra
Aty hapi më është ndalë

Aty shpirti më është këputur
Sikur rrënja e qershisë
E gjithë jeta u kthye mbrapsht
Dhe u vyshken gjethet e dashurisë

Herë me do herë s`të dua
Luhej loja me ëndrrën time
Këngë e lot i bëja bashkë
Të mos mbetem në mjerime

Nuk jetohej zemërplasur
Sikur zogu kur s`ka fole
Tani flokët m`i merr era
Hedhim valle me jetën e re.


KUJTIM I LARGËT

Kur befas nata të pret udhën
Dhe hëna e re i mbyllë sytë
Atje një kujtim i largët
Kokëvarur është duke pritë

Përmallshëm me shiun që bie
Rigojnë dhe sytë e mi
Për atë kujtim të tretur
Që iku pa zë në fëmijëri

Si të nisem në këtë shtrëngatë
Zemërthyer me buzë në vaj
Flokëshprishur në mesnatë
Frymën e tij me shpirt e mbaj

Sikur lotët që bëhen bashkë
Dhe pikojnë plotë mall
Si vrapuesja e Prizrenit
Pres një ditë me u çmallë.




FOTOGRAFI E VJETËR


Asgjë s`dua që të kujtojë
Se po më shtohet harresa
Në një libër pa asnjë fjalë
Më mbanë gjallë shpresa

Në fotografitë pa ngjyra
As vetën më s`po e njoh
E vogël sa furka e nënës
Mezi me syza po e shoh

Aty është e gjithë jeta
E mbyllur në kornizë
Si një këmishë e vjetër
Që shuan mallin e rinisë

A thua kam harruar
Ku më shkoi atëherë jeta
Në gjithë këto fotografi
Qenka shpërnda e vërteta

Tani dhe vetës i bëjë foto
Dhe buzëqeshi kur të dua
Po asnjëherë si në ato foto
Ku gëzimi im ka mungua.


DITËLINDJA PA BUZËQESHJE

Jemi larg dhe jemi afër
Sikur lulet në një saksi
Koha vjen e nuk ndalet
Malli më shtohet veç për ty

Jemi larg dhe jemi afër
Këngë e vaj i kemi bashkë
Në djep të njëjtë kemi ëndërruar
Në vend nëne ty të kam dashtë

Jemi larg dhe jemi afër
As në ditëlindje më nuk vjen
M`le pa fjalë e pa buzëqeshje
Zëri yt tek ti më shpien

Jemi larg dhe jemi afër
Nga Prizreni në Prizren
Unë do të vij se jam më e vogël
N`zemrën time aty ke vend

Jemi larg dhe jemi afër
Ditë për ditë po shtohet vetmia
Këngë e vaj prapë i bëjmë bashkë
Le të mbretërojë dashuria.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...