Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/05/27

Brenga njerëzore:Tri skica me motive çame,


Image result for resmi osmani

Prof.Dr.Resmi Osmani*

1.LOT NËNASH

Isha me moshë aty rreth te dhjetave dhe me nje porosi te sime mëje vajta në shtëpinë e një kushërire të babait ton që ne e quanim hallë.Kur hyra brenda, ajo ishte duke u faluar.Kishte shtruar një qilim të vogël, e kthyer nga lindja ajo lutej pa zë dhe bënte ato lëvizje, që i kërkonte riti i faljes , përkulje, kalim të duarve në fytyrë, derisa mbaroi.Pastaj mori nga vendi ku ishte varur, kuranin të vendosur në një këllëf kadifeje ngjyrë allë. U ul në minderin e divanit dhe filloi ta lexonte, pa zë. Unë shihja vetëm lëvizjen e buzëve. Pasi mbaroi, e vuri në këllëf librin e shënjtë dhe nisi të qante, gjithmonë pa nxjerrë zë. Lotët i rridhnin e i mblidheshin në mjekër. E shihja i tronditur dhe nuk e di se pse po më vinte edhe mua për të qarë. Dikur ajo pushoi, ofshau, fshiu lotët, u kthye nga mua dhe më perqafoi. Unë iu tulata në gjoksin erëmirë.Veshja e saj binte era borzilok. E doja Hallë Motenë.E kam në sy si sot: ishte grua e pashme(pale sa e bukur duhet të kishte qënë vajzë), me tipare të hijshme, sit ë bëra me dorë. Cipa e fytyrës e hollë, e bardhë e bardhë, në të çdo gjë ishte e bukur: kurmi i hedhur dhe beli i hollë si lastar, në të gjithçka zonjëronte, dhe e gjithë lagjia e quante zonjë Mote.Por në sytë dhe pamjen e saj përherë mungonte buzëqeshja, kishte nje trishtim të përhershëm dhe një pikëllim që e fisnikëronte dhe të bënte ta nderoje.Me naivitetin tim fëminor, e pyeta pse qante. Ajo më ledhatoi flokët, u mendua dhe më tha në dialekt:
- Djalëthi im, ti je i vogël e nuk i di. Klaj për të di djeltë e mi, Shabanin e Agushin, që s’e di janë gjall a vdekur, gjashtë vjet pa parë me si, klaj për tët atë, që e vranë djalë të ri, klaj për nanmadhen tënde, time kunatë, që vdiqi buzëplasur në Kllogjer, klaj për ato që holqëm e që helqim.Për të gjitha i falem e i lutem zotit,që t’u lehtësojë jetën të gjallëve e të pranojë në xhenet shpirtrat e të vdekurve.
Vite më vonë mësova se çfarë kishte ndodhur me djemtë e saj:
Kur u afruan zervistët në fshat, njerëzia u ngritën dhe ikën nga sytë këmbët për t’u shpëtuar masakrave.Hallë Moteja me të shoqin dhe dy djemtë e vegjël, që ndodheshin në shtëpi morën arratinë. Djali i dytë Shabani ishte në mal me kopene në stan.Nuk arritën ti dërgonin lajm dhe ai mbeti aty,pa ditur se ç’u bë. Kur u kthye pas dy ditësh në shtëpi, e gjeti bosh dhe fshatin të zbrazur. Zervistët, kush e di pse, nuk e vranë. Vunë nën thikë aq bagëti sa u duheshin dhe e lanë në shtëpi. Po të ikte do t’a vrisnin. Mbeti vetëm në lagjen Kodër të Mazrekut. Më pas e detyruan të konvertohej në kristian dhe të martohej me një vajzë çame ortodokse. Hallë Moteja, sa qe gjall, e mori vesh që djali rronte, po se pa dot me sy.Shqipëria ishte e mbyllur.
Pas viteve 90-të, dy të vllezërit shkuan në shtëpinë atërore dhe u takuan me të vëllanë e ndarë prej 46 vjetësh.
Djali tjetër, i madhi, Agushi, u rreshtua si luftëtar me forcat e EAM-it. Pas përfundimit të luftës civile në Greqi, u kthye në fsaht, në shtëpi te i vëllai, por e burgosën si “Komunist” dhe e dënuan dhjetë vite burg, në ishujt e shkretë e të thatë të Egjeut. Pas lirimit, me shume mundime, emigroi ne Turqi. Aty u martua me një vajzë shqiptare, por edhe aty(në atë kohë kishte një histeri antikomuniste) filluan ta përndiqnin si komunist dhe ai u detyrua të emigrojë në Kanada. As ai nuk dinte gjë për familjen në Shqipëri, as familja për të. Furtuna e jetës i kishte hedhur në skaje të largëta.
Pas viteve 90-të, në Fier, erdhi nje ekip inxhinierësh nafte nga Kanadaja.Njeri prej tyre , ishte i biri i Agushit, nipi i hallë Motesë.Fliste shqip. U interesua dhe i gjeti të dy xhaxhallarët. I ati kishte nderruar jetë, por i biri arriti ta gjëjë gjakun e tij.
Të tillë janë fatet njerzore. Ata mbijetuan, por hallë Moteja i qau sa qe gjallë dhe vdiq buzëplasur.



2.PËRRALLË FËMIJËRIE

Sido që t’a jetosh, jeta i ngjan një përralle. Për ca e ca e lumtur, per ca të tjerë me fate tragjike, halle, brenga e vuajtje.Fëmijëria ime i ngjan së dytës.Kur u shpërngulëm nga Çamëria, në mars të 1945, tim atë e vranë në Filat. Ishte tridhjet e dy vjeç. Ne fëmijë, tok me nënën, mes ndjekjes dhe plumbave, arritëm që të dilnim në Qafë Botë. Pas shumë rravgimeve dhe ecejakeve,të zhveshur, të uritur e të sëmurë, përfunduam në një fshat të Myzeqesë së Fierit, që e quanin Havaleas, pranë Apollonisë.Aty nëna jonë erdhi që të mbështetej te tezja dhe dy dajllare të ardhur nga Çamëria që në vitet 30-të e të vendosur aty në tokën që u dha qeveria e Zogut. Këshilli i fshatit na dha një truall tre dynym tokë,në një shesh të shkretë, që I thoshin Shesholl, ku kishte vetëm një dru vidhi madhështor. Aty, me ndihmën e kushërinjve të nënës, bëm banesën. Një kasolle përdhese mbuluar me kashtë e mure me kallama e purteka të ngjeshur me baltë. Ishte një “dhomë”: ajo kuzhinë, ndenjëje dhe për gjumë. Nuk kishte oxhak, po nëna stisi nje vatër me horosan dhe i lyeu muret me gëlqëre.Tymi dilte nga hatullat. Derën e sajuan me një fletë çadre ushtrie. Për dritare, nga lindja ngallmuan me baltë dy xhama, dhe dritaret ngjanin me ato të aeroplanëve. Bëm si bëm, me ca furka që nxorëm nga pylli aty afër,ngritëm dy shtrete për gjumë, shtruam mbi ta kashtë pastaj dyshekët. Ky ishte “pallati” ynë. Afër nuk kishim komshinj, as moshatarë e shokë për të lojtur.Me ‘ta, ende pa vajtur në shkollë, takohesha te pusi i fshatit, kur shkoja për të mbushur ujë.
Më kujtohet mirë. Kishte hyrë vjeshta e tretë. Frynte era e jugës.Thoshnin se kjo erë sillte shi. Nëna kishte ndezur zjarrin dhe kishte vënë një poçe me fasule për drekë. Drutë ishin të njoma mezi digjeshin dhe bënin shumë tym sa na digjnin sytë.Në kasolle veç nënës, ishim unë dhe motra e vogël, nja dy vjeçe posht meje.
Nëna na tha të dilnim përjashta dhe të loznim. Dolëm. Ishte vrenjtur po shi nuk binte. Për lodra s’bëhej fjalë.Unë gjeta një shkop dhe e shalova si kalë, i graham:”Hyja kal-o” dhe mora vrapin në Shesholl deri te pusi i fshatit.Motra u ul rrëzë trungut të vidhit, mori një shuk baltë dhe formësoi një djepe dhe pastaj një kukull,që e veshi me fustan lecke dhe nisi ta përkundëte me nina-nana. U sollëm një valë herë por era ishte e fortë e kishte nisur të ftohej dhe ne u kthyem në kasolle. Kur hym, dëgjuam një të qarë të shtruar, me zë dhe me ofshama e rënkime. Qante nëna. Ne s’i kapnim dot fjalët, por shihnim kryet e ulur, çurkun e lotëve, pikëllimin e fytyrës dhe atë vështrimin e humbur ngulur boshllëkut. Ju ulëm pranë nga të dy krahët dhe filluam të qanim edhe ne. Ajo, për shkak tonë e mblodhi veten, na rroku në qafë, na puthi dhe na u lut të mos qanim, se edhe ajo nuk do të qante më dhe u ngrit.
Sido që i vogël, e dija pse qante.Qante për të shoqin që e vranë mizorisht kur si kishte mbushur as tridhjet e dy vjeç e që si dihej as varri,(nëse e kishin varrosur) për të vjehrrën dhe vajzën foshnje varrosur në Kllogjer. Qante për shtëpinë e gurtë me dy kate thurur me avlli, mallin e gjënë e grabitur, qante për mjerimin ku e kishte hedhur fati, pa mjete jetese, qante që kishte mbetur fillikat se të vëllezërit kishin emigruar në Turqi. Qante se i dhimbte shpirti për ne që po rriteshim në vuajtje, të zhveshur e të uritur. E ç’duheshin më shumë shkaqe për të derdhur një lumë me lot?
Po si e shtynim jetën? Motra e madhe, (që e madhe thënçin 13 vjeçe)kishte shkuar në një familje për të ndihmuar gratë që rrihnin dhe tirrnin lirin dhe pastaj endnin pelhura në avëlmend.I ndihmonte edhe për të larë ndërresat, vënien ne finjë dhe shplarjen te pusi i fshatit,për ormisjen dhe pastrimin e shtëpive. Kur vinte në darkë, sillte nje misernike te pjekur në çerep dhe një thelë djathë.Ky sishte shpërblimi. Të dy vellezërit më të mëdhenj ishin pajtuar barinj lopësh, apo hysmeqarë si u thoshin, te subashët vendës që kishin mall e gjë, për një palë rrobe shajaku , opinga dhe dy vakte bukë. Kur vinin në darkë sillnin dhe ata, bukë, djathë, e ndonjë të zier fasule apo pagure me qumësht. Me ‘to mblidhnim me të keq vaktet. Për mengjes, trahana ose bollgur. Grurin e mblidhnim vetë, nëna ,une dhe motrat, në piskun e vapës,nga kallzat që mbeteshin pas korrjeve.Shpesh në këmbët e zbathura më hynin gjembat e thereckave. Kallzat, të lidhura në tufa, i ndanim përgjysmë me të zotët. Grurin e bluanim në Fier dhe me të nëna bënte trahana dhe bollgur, që e rrihnim në një havan sajuar nga një gjyle e zbrazur topi.Na jepnin edhe ndonje ndihmë për sevap,” për jetimët e shkretë”,Kosovarët e Dërmënasit, besimtarë myslymanë, në fiter bajram edhe kur të korrat ishin të mbara,na sillnin ndonjë barrë grurë e ndonjë lek. Për Pashkët dhe Krishtlindjet na kujtonin edhe ortodoksët që zinin një mëhallë në fshat. Mishi ishte gjë e rrallë na binte në gojë një apo dy herë në vit, atehere kur nëna filloi të mbante pula e të rriste zogj. Lakrat e egra .që e mësuam se kush ishin te ngrënshme,i mblidnim arave dhe në fushë. Kështu gjallonim.
Vitet kalonin, ne u mëkëmbëm, erdhëm në qytet në Fier, i dolëm zot vetes. Me nënën, jeta sado u dëftye mizore, dhe e plaku para kohe, që e thinji krejt dhe e rrudhi që në mesmoshë , pati bujarinë ta linte gjat për të jetuar një pleqëri të bardhë dhe për të mbajtur në pëqi shumë nipër e mbesa. E rrethuar me shumë kujdes e dashuri. U nda nga jeta kur i kishte kaluar të nëntëdhjetat,por me brengën që po ikte nga kjo jetë larg Çamërisë së saj të dashur.


3. LAJM I VONUAR NGA NJË KOHË E LARGËT.

Ato ishin tri motra dhe e ëma. Kishin boll mall e gjë dhe jetonin në një shtëpi të madhe, të gurtë, dykatëshe në qytetin e Marglliçit. Motra e mesme,shkoi për miqësi te një shoqe e saj, çame e krishtere në Karterez. Pas një jave, një nga djemtë e shtëpisë e përcolli atë për në Marglliç. Vajza e gjeti qytetin të zbrazur nga çamët myslymanë. Aty kishin mbetur vetëm ortodoksët.Në qytet ishin zervistët. Ajo shkoi në shtëpinë e saj që kishte mbetur shkretë. Aty, një pasdite shkuan zervistët për bastisje, në kërkim të florinjve dhe sendeve me vlerë. Në një nga odat e katit të dytë, e gjetën vajzën e pambrojtur dhe oficeri që i printe e përdhunoi. Si e gjeti të virgjër dhe yll të bukur, ai e detyroi të martohej me të dhe iku në Athinë.
Dy motrat dhe e ëma, që hynë në shqipëri u vendosën në Tiranë. E ëma vdiq pas ca vjetësh dhe vajzat u martuan dhe krijuan familje. Me të voglën nga motrat u njoha para viteve 90-të, nga një lidhje krushqie, dhe rastiste që, kur unë u transferova në Tiranë, i shkonim me time shoqe për vizitë. Grua e pashme, me pamje fisnike, fliste pak dhe në sytë dhe pamjen e saj kishte një pikëllim të mezidukshëm që edhe buzëqeshja e lehtë nuk ia shlyente dot. Ishte brenga për të motrën, ndarë që prej dyzet vjetësh, që si shqitej nga mendja as ditë as natë, e që s’dinte asgjë për fatin dhe jetën e saj. E respektonim dhimbjen e saj dhe nuk i bënim pyetje.
Kur Shqipëria u hap,një pasdite, në shtëpinë e saj në rrugën “Myslym Shyri” u paraqit një djalë i ri, me uniformën e officerit të aviacionit, bashkë me një perkthyes. Ai e quajti teze, i tha se ishte i nipi, djali i së motrës,që ishte martuar dhe jetonte në Athinë. Se ata ishin dy vëllezër, se nëna kishte ndërruar jetë por e kishte lënë amanet që ata t’i gjenin tezet e tyre. Ai ishte pilot i avionit që bënte linjën Athinë –Tiranë dhe pas shumë të pyeturave, kishte arritur t’a gjente……
Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo,bashkë me të birin,morën avionin dhe fluturuan në Athinë. Ajo mbi varr,derdhi lot, i tha së motrës fjalë zemre dhe i vuri një tufë me trëndafila të kuq, që i kishte marrë nga Shqipëria.
* * *
Janë me qindra e qindra raste të tilla që ende dhembin dhe nuk harrohen. Qeveritarët grekë, kanë pafytyrësinë të thonë”Çështja çame nuk ekziston”!Ne u themi: doni apo nuk doni ju, ajo ekziston dhe do të ekzistojë, sepse nuk është vetëm çështje ë komunitetit të çamëve, por e tërë kombit, të cilit ata i takojnë.
Ky është shekulli i shqiptarëve!

Tiranë, maj 2019

Resmi Osmani u lind në Mazrek të Çamërisë më 5 maj 1940. Kreu studimet e larta për Agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, studime të cilat i përfundoi në vitin 1963. Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese në prodhimin bujqësor dhe administratën e lartë shtetërore.

Krahas detyrave të tjera ka qenë i angazhuar në veprimtari dhe kërkime shkencore. Ai ka botuar 19 tituj librash të profilit tekniko – shkencor, ka shkruar dhe botuar në revista tekniko – shkencore dhe shtypin periodik, brenda e jashtë vendit, mbi 150 tituj artikujsh që përfshijnë mbi tre mijë faqe. Për kontributin dhe kualifikimin shkencor mban gradën "Doktor i Shkencave" dhe titullin "Profesor".

Në gjysmën e dytë të viteve 2000,i është perkushtuar letërsise,kritikës së artit dhe publicistikës.Fryt i kesa pune janë një sërë botimesh si: biografitë e letrarizuara "Jeta e Bedri Lumanit", "Lule në gur" kushtuar jetes së specialistit të shquar të vreshtarisë Todo Gjermani. Ka levruar kryesisht temat historike në romanet"Mbretërimi i Pirros së Eoirit", "Mbretëresh Olimpia", Esseja historike "Aleksandri i Madh i Maqedonisë-Miti dhe njeriu". Essene studimore "Bilal Xhaferri Poet i Zemrave Njerëzore" Essenë "Endrrat e ngrira të Enver Kushit, vellimin me tregime "Edhe yjet vdesin" etj. ne publicistikën e vet ka trajtuar probleme të çeshtjes çame, të zhvillimit të letërsisë dhe problemet aktuale. Në shtypin e shkruar dhe atë elektronik ka publikuar mbi tridhjetë tregime dhe novela. Krijimtaria e tij eshte pritur mirë nga lexuesit dhe kritika letrare.

2019/05/26

Tungjatjeta Esat Loshaj-Tungjatjeta "Peja poetike -2019"!



Shkruan Flori Bruqi 

Se poezia është vërtetë princeshë e artit dhe Olimp  i shpirtit të poetëve e në veçanti të poetëve të rinj, të cilët me poezitë e tyre jehuan gjithandej nga edhe vinin me çiltërsinë e tyre, për të dëshmuar se kjo tokë shqiptare frymon shqip dhe, do të frymoj gjithmonë mu ashtu siç frymojnë damarët e tokës që nga lashtësia e deri më sot, me bardhësinë e shpirtit, si plisi në kokë që simbolizon shpirtin e një kombi, që gjithmonë diti të dhuroj vetëm paqe e lumturi dhe dashuri për njerëzimin duke mos e harruar që ecjen nëpër kohë ta pagëzoj shqip si gjuhët e perëndive, që dimë t’i lexojmë nëpër datat e kohës.

Fotografia e Bardha Alimeta

 Natyra sa e egër, po aq madhështore, shpalosej para nesh krenare si banorët e kësaj treve heroike.

Gryka e Rrugovës të jepte pamjen e dy maleve gjigandë të thepisur, si dy binjakë të ndarë nga  oshëtima gurgulluese e Lumbardhit, i cili ndër shekuj kishte gjetur shtratin e tij për në det.

Në të dy anët, malet ishin të veshur me petkun e gjelbërt të pishave shekullorë përherë të bleruara.



Pamë me sytë tanë, se si na përshëndesnin me rradhë, kanionet e thellë, ku uji rridhte vrullshëm , pamë qytetarë të veshur me tuta sportive, që bënin ecje dhe vraponin në natyrë, ne ajrin e freskët të pishave, dhe duke u dehur nga aroma e luleve.

Fotografia e Bardha Alimeta
Rruga gjarpëronte në të përpjetë, ndërsa mesdita  ia zuri vendin ditës, më pak shi ..., megjithatë makinat e poetëve  ja dolën  mbanë.

Para syve tanë si me magji u çfaq restoranti Bjeshka ,një restorant prej druri i bërë më mjeshtri nga brejat shekullore ,  ku duhej të zhvillohej aktiviteti.
Fotografia e Bardha Alimeta
Pasi  mysafirët nga jashtë u akomoduam nëpër vilat alpine prej dërrase të ndërtuar fare pranë restorantit, poetët u ngjitëm në sallën e leksioneve, aty ku do të zhvillohej aktiviteti “Peja poetike”.

 Ambienti në restoranin "Bjeshka " ishte sistemuar mirë, që ishte e pëlqyeshme nga pushuesit që frekuentonin këtë pikë turistike.

Fotografia e Bardha Alimeta
Të gjithë pjesmarrësit, poetë nga të gjitha trevat shqiptare, zunë vend për rreth saj, për të kuvenduar mes vëllezërish, dhe motrash për të interpretuar poezitë e tyre e për të kënduar.

Hapjen e këtij manifestimi të konkursit tradicional të madh ndërkombëtar “Shlezën Zhubi”(“Peja Poetike -2019 “) e beri poeti  Esat Loshaj, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Pejë…, i cili na urojë mirseardhjen dhe rrugëtim të mbarë këtij aktiviteti, e më pas të gjithë pjemarrësit përshëndetën me rradhë në mënyrën më të thjeshtë e të sinqertë si vëllezër të një familje të madhe.



Fotografia e Bardha Alimeta
Programi vazhdoi me deklamime poezish nga shkrimtarë vendas dhe ndërkombëtarë si: Nebih Duraku,Xheladin Mjeku , Rushit Ramabja, Flori Bruqi, Bardha Alimeta ,Nexhi Baushi,Festim Avdyli ,Rovena Toska Koci, Rami Kamberi, Esat Loshaj , Sadije Aliti , Ajete Pavata , Ali Shabanaj,Ali R.Asllani ,Rabije Berisha,Ramë Thaqi,Rakela Zoga,Miranda Dobra,Remzije Zekolli,Rexhep Mehmeti,Shefqete Gosalci, Idriz Gashi,Muhamet Mustafaj,Sylejman Dërmaku,Adem Shkreli,Diellza  Çitaku,Sylejman Aliçkaj shumë të tjerë....


Fotografia e Bardha Alimeta

Dinjitoze ishte dhe paraqitja e poetes nga Librazhdi zj. Bardha Alimeta. 

Në performancë të mirë u paraqit edhe poeti Esat Loshaj, i cili shtoj:
Fotografia e Bardha Alimeta
-Vëllezër, dhe motra ditën e kemi përpara e natën në mes, ndaj fjala e artë e jueja, të kumbojë pa droje, të jetë e magjishme e sinqertë me plot dashuri e mirësi për jetën, familjen atdheun, kombin tone.

Programi u shoqërua dhe me pika të ndryshme artistike me poetë, aktorë.

Fotografia e Bardha Alimeta
Këtë vit ‘'Peja Poetike' do të jetë më e pasur për shumë libra dhe poezi te poetëve nga të gjitha trevat shqiptare. Ajo që vlen për tu theksuar me nje THEKS të veçantë, është se këtë vit, bëhet promovimi i dy botimeve me poezi, nga Autori Idriz Gashi. Njëri vellim titullohet "Po të Pres" e tjetri," Se nuk Vdes" si dhe libri me mbresa ,refleksione dhe vështrime letrare I shkrimtarës së njohur nga Tirana,Nexhi Baushi me titull “Bota e pashme dhe ajo e ndjeshme”.

Shoqata e Shkrimtarëve Pejanë, po e bën këte promovim me një fokus të veçantë. 

Kjo për arësyen se autori i këtyre dy librave me poezi, vjen nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë 'Papa Klimenti X - Albani', Suedi.
Fotografia e Bardha Alimeta


U lexuan mbi dyzetë  poezi të gjitha ishin të bukura...

Kryetari i Jurisë,Flori Bruqi, me anëtarët : Rovena Toska Koçi,poete nga Berati  dhe Rami Kamberi,poet nga Tetova   pasi bënë bilancin e aktivitetit letraro - poetik “Peja Poetike” në mbyllje  zt. Bruqi shtoj:

-U mblodhëm të gjithë këtu, ku frymojmë e flasim Shqip. Këtu dëgjuam me kënaqësi frymën e njëri tjetrit, frymën poetike. Kjo frymë poetike erdhi këtu sot, me një nivel të lartë, e të pjekur, nga një rrugë e gjatë, por e bukur. Nuk mund të dalloj njërën nga tjetra, të gjitha bartnin me vete vlerat e tyre. Por më duhet të kurorëzoj aktivitetin "Peja Poetike" me dhënien e tre çmimeve:


Fotografia e Bardha Alimeta
Bardha Alimeta

-Me çmim të parë u nderua poetja nga Librazhdi Bardha Alimeta



Rezultate imazhesh për sadije aliti

Sadije Aliti

-Me çmim të dytë u nderua poetja nga Tetova zonja Sadije Aliti nga Tetova. 

Rezultate imazhesh për nebih bunjaku

Nebih Bunjaku

-Me çmim të tretë u nderua poeti nga Prishtina z.Nebih Bunjaku.


Të gjithë pjesëmarrësit e këtij aktiviteti të bukur nga ana e Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës u nderuan me çertifikatë “MIRENJOHJE”.

Aktivitet “Peja Poetike” mbylli siparin e saj te Hani i Grykës së Rrugovës, duke pirë ujin e ftohtë të atyre bjeshkëve e duke shtrënguar duart me njëri tjetrin, pse jo duke këmbyer edhe ndonjë dhuratë, me urimin më të bukur e të ngrohtë të dalë nga zemra e bardhë:

TUNGJATJETA,

Deri në takimet e tjera që do të jenë akoma më mbreslënëse.

Flori Bruqi

2019/05/24

7 poezi nga Sergej Alexandroviç Esenin (1895-1925




 Sergej Alexandroviç Esenin lindi më 3 tetor 1895 në Konstantinov (sot Esenin), në rajonin e Rjazanit (Rusi), bir i vetëm i prindërve fshatarë, është eksponenti kryesor i shkollës së ashtuquajtur e "poetëve fshatarë". Në poezitë e tij pasqyrohet bota bujqësore (rurale) e Rusisë së fillimit të shekullit të njëzetë: fjalët e tij lartësojnë bukurinë e fshatit, dashurinë ndaj mbretërisë shtazore, por edhe tepërimet e jetës së tij (Esenin ishte një alkoolist kronik dhe një vizitor i shpeshtë i shtëpive publike). Rritur me gjyshërit, filloi të shkruante poezi në moshën nëntë vjeç. Më 1912 ai shkoi në Moskë, ku e fiton jeton duke punuar si një lektor në një shtëpi botuese. Në Shën Petersburg u bë i njohur në qarqet letrare. Dhe falë poetit Aleksandër Bllok gjen përkrahje karriera e tij si poet. Më 1915 ai botoi "Radunica," librin e tij të parë me poezi, i ndjekur menjëherë nga "Ceremoni për të vdekur" (1916). Për pak kohë ai u bë një nga poetët më të njohur të periudhës. Karakteristikat dhe bukuria e Esenit janë të rralla; ai kërkon mbështetje në pjesën e parë të jetës së tij në mesin e burrave me ndikim, ndërsa në pjesën e dytë preferencat e tij anojnë drejt gjinisë femërore. Me një personalitet romantik Esenin shpeshta bie në dashuri, saqë martohet pesë herë. Ai u martua për herë të parë më 1913 me Anna Izrjadnova, kolege pune në shtëpinë botuese, me të cilën ka të birin Yuri (më vonë arrestuar gjatë spastrimeve të mëdha staliniste dhe vdekur në një gulag më 1937). Në periudhën 1916-1917 Esenin u rekrutua, por fill pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, Rusia del nga Lufta e Parë Botërore. Duke besuar se revolucioni do të çojë në një jetë më të mirë, Esenin e mbështet atë, por shumë shpejt zhgënjehet duke shkuar aq larg sa të kritikojë qeverinë bolshevike (e kësaj periudhe është poema "Tetori më mashtroi rëndë"). Në gusht 1917 ai u martua me aktoren Zinaida Raikh Esenin. Nga ajo ka një vajzë, Tatiana, dhe djalin Konstantin. Në shtator 1918 ai themeloi kompaninë e tij botuese të quajtur "Kompania punonjëse moskovite e artistëve të fjalës". Njihet pastaj me Isadora Duncan, tashmë balerinë e famshme, takimi do të jetë vendimtar për frymëzimin e tij poetik. Marrëdhënia me të (17 vjet më e madhe) është shumë e trazuar dhe e vështirë, sa edhe plot ekstravaganca: i famshëm episodi dramatik në Paris, ku të dy u dëbuan nga një hotel, sepse Isadora kërcente e zhveshur, ndërsa Esenini recitonte vargje. U bashkuan në martesë më 2 maj 1922 (edhe ajo me preferenca dygjinore, dinte vetëm pak fjalë në rusisht: martesa është një pengesë publiciteti për të dy), ndahen vitin tjetër. Kthehet në Moskë dhe martohet me aktoren Augusta Miklashevskaja. Në dy vitet e fundit të jetës së tij Esenin jeton mes tepërimeve, shpesh i dehur, por kjo periudhë e dëshpërimit personal është edhe periudha kur ka krijuar disa nga poezitë e tij më të bukura dhe më të famshme. Në pranverën e vitit 1925 martohet me gruan e tij të pestë, Sofje Andrejevna Tolstaja, mbesa e Leon Tolstoit. Ajo përpiqet që t'i ndihmojë atij, por Esenini nuk është në gjendje për të shmangur një ezauriment nervor: shtrohet në një spital psikiatrik, ku qëndron një muaj. Del nga spitali për Krishtlindje, dy ditë më pas bën prerjen e njërës dorë dhe shkruan me gjakun e vet poemën e tij të fundit, e cila përfaqëson lamtumirën e tij dhënë botës. Njeri i dhunshëm dhe agresiv, poashtu tejet i ndjeshëm, Sergej Esenin vdes i vetëvrarë ditën tjetër, më 27 dhjetor 1925, në moshën 30 vjeç, ndërsa ai ishte në një dhomë hoteli në Shën Petersburg, i varur në gypat për ngrohjen qendrore. Ekziston ende misteri: disa mendojnë se vetëvrasja është një marifet: Esenin në fakt ishte vrarë nga agjentë të KGB-së. Veprat kryesore të Eseninit: E kuqja e agimit, 1910; - Thellësitë janë tharë, 1910; - Berjoza, 1913; - Vjeshtë, 1914; - Lavirja, 1915; - Do ta vështroj fushën, 1917; - Kam lënë shtëpinë ku kam lindur, 1918; - Vagabondi, 1919; - Rrëfimet e një vagabondi 1920; - Jam poeti i fundit i fshatit, 1920; - Lutja për dyzet ditë e para të vdekjes, 1920; - Nuk kam asnjë mëshirë, mos qaj, mos qaj, 1921; - Pugaçev, 1921; - Vetëm një gëzim kam lënë, 1923; - Letër nënës, 1924; - Taverna Moska, 1924; - Rrëfimet e një vagabondi, 1924; - Dritë hëne e shkretë dhe e zbehtë, 1925; - Njeriu i Zi, 1925; - Qeni Kaçalov, 1925.





1.
Puthmë, moj e dashur 


Puthmë moj e dashur puthmë
Gjer në dhimbje gjer në gjak
S’e duron dot ftohtësirën
Zemra ndezur zjarr e flakë

S’është kupa e përmbysur
Mes gazmorëve për ne
Ti një gjë kupto moj mike
Veç një herë rron mbi dhe

Shih në mes të errësirës
Hënën që shkëlqim vërshon
Sikur t’ish nje korb i verdhë
Përmbi tokë fluturon

Puthmë de se kalbësia
Këngën time ma këndoi
Ka të ngjarë qielli lart
Fundin tim parashikoi

Eh moj forcë që venitesh
Do të vdes kjo s’ka dyshim
Vetëm dua t’i puth mikes
Buzët gjer në fundin tim

Që pa turp edhe pa drojtje
Embëlsisht kur t’ëndërroj
Tok me shushurima vishnjesh
“Jam e jotja” – të jehojë

Që si shkuma përmbi kupë
Drita mos na shuhet ne
Ndaj këndo moj mikja ime
Veç një here rron mbi dhe

2
Leter Nenes

Gjallë je, nënoke? Edhe unë
Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!
Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
Izbën tënde, që me mall më pret.

Thonë se je ligur e je tretur
Nga meraku im, po nuk ankon,
Se, pështjellë me një shall të vjetër,
Fillikate rrugës shpesh kalon.

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie,
Një vegim i zi të kall ty frikë,
sikur në një sherr diku në pije,
Vjen dikush e ma këput me thikë.

Kot, e dashur, vuan kaq, besomë,
Brenga t'i fanit këto ndër sy.
S'jam aq pijanec i lig sa ç'thonë,
Si do vdes pa të të parë ty?

Unë jam po foshnje, si një herë,
Dhe një shpresë veç ushqej në gji:
T'iki nga ky tym e kjo poterë,
Te shtëpiza jonë aty të vij.

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim.
Vetëm ti, si tetë vjet më parë,
Mos më zgjo aq herët në agim.

Mos e zgjo atë që shkrumb iu bënë
Endërrat e moshës plot hare.
Më ka vrarë jeta mjaft, o nënë,
Dua veç të shlodhem e të fle.

As t'i lutem Zotit mos më thuaj,
Si dikur në t'artën mituri,
Ti ke mbetur ngushëllim për mua,
Dritë e parrëfyer, vetëm ti.

Ndaj merak ti mos m'u bëj aq tepër,
Tek e liga mendjen mos e ço,
Dhe aq shpesh, me shallin tënd të vjetër,
Fillikate rrugën mos kalo.

3
Rruga ime
(Poemë)

Futet mes pritave jeta prapë.
Mua, banorit të vjetër të fshatit.
Më vjen ndërmend vendlindja.
Ç‘kam parë dikur, në fshat.
Vargje urtësisht thoni.
Bëmat e jetës sime
Tregoni.

Një izbë fshati.
Qaforet e kuajve që bien erë katran.
Kamarja e ikonave të lashta
Një bishtuk dritëzbehtë.
Ç’bukuri vërtet!
Përshtypjet e viteve të para.
I ruaj të gjalla të freskëta në jetë.

4

Shtëpia e Eseninit

Pështjellimi i bardhë i stuhisë së borës,
Jashtë dritareve ulurin.
Nëntë vjeç.
Pranë sobës macja, shtroja dhe gjyshja…
Gjyshja hap gojën çdo çast, psherëtin
Dhe buzën me kryq duke zënë.
Këndonte diçka të trishtuar
Për stepën e paanë.

Stuhia çirrej.
Pranë dritares.
Dukej sikur vdektarët vallëzonin.
Sakaq,
Japonezëve u shpallte luftë perandoria.
Dhe kujtdo që larg i faniteshin kryqe të drunjtë
Me qindra edhe me mia.

Në atë kohë
Punët myk të Rusisë injoroja.
As qëllimet
As arsyet e luftës s’i kuptoja.
Fushat e Riazanit, ku muzhikët
Kosisnin bar
Dhe mbillnin grur
Ishin për mua gjithë bota mbarë.

Vetëm mbaj mend se fshatarët pëshpërisnin,
Dhe shpotisnin djallin.
Zotin
dhe Carin.
E vetmja përgjigje për ta ish
Buzëqeshja e agimeve dhe largësive
Ngjyrë limoni.
Të kulluara gjer tej kaltërsive.

Për herë të parë,
U ndesha me rimën,
Teprica e ndjenjave të mia
Më trulloste.
Meqë trilli im,
U ngjal, s‘u zverdh,
Në fjalët e mia, thashë, shpirtin do ta derdh².

Vite të largëta,
Si brenda një mjegulle jeni tani.
Kujtoj gjyshin
Kur më thosh me trishtim:
²Eshtë krejt e kotë…
Shkruaj po deshe
Për thekrën,
Dhe më tepër shkruaj për pelat, biri im!²
Atëher në trurin e lodhur nga pasioni
Për muzën time me një qetësi të fshehtë
Nisën ëndërrat e mia intime.
Se së shpejti do të bëhesha i pasur,
I dëgjuar
Poet me nam
Dhe që monumentin
Do të ma ngrinin në Riazan…

Pesëmbëdhjetë vjeçar
U dashurova marrëzisht
Dhe ende jo i vetëm fillikat
Ëmbëlsisht
Pasi erdha në moshë,
U martova me vajzën më të mirë
Me më të bukurën e vajzave në botë.

Vitet rridhnin
Ndryshonin fytyrat e tyre…
Një dritë e re
Përhapej mbi ta.
Kurse unë fshatari ëndërrimtar,
U bëra këtu në kryeqytet
Poet i klasit të parë.

Dhe i sëmurur
Nga mërzia e shkrimtarit
Nisa të endem
Vendeve të huaja si udhëtar,
S‘u besoja më takimeve,
S‘vuaja nga ndarjet, lamtumirat,
E quaja gënjeshtër gjithë botën mbarë.

Kuptova atëherë
Ǒishte Rusia,
Kuptove, ç‘ishte lavdia.
Dhe në një shpirt si ky imi,
Si helm i hidhur
Më zuri thellë e më thellë trishtimi.

S’e çaj kokën fare
Që jam poet.
Edhe pa mua
Ka plot zhele anembanë.
Ngordhsha!
Por
Vetëm një lutje për ju kam…
Mos ma ngrini, ju lutem, shtatoren në Riazan.

Rusia… Carshina…
Breng…
Delikatesë aristokrate e kulluar…
Ç‘këndojnë vallë?
Prite, pra, o Moskë
Rrugaçin e dëshpëruar.

Do ta shohim
Kush nga ne do t’ia dalë.
Dhe ja nga vargjet e mia,
Në klubin e ndritur, çdo sallon
Shurra e pelës së Riazanit
Gulfon.

Nuk ju pëlqen?
Por është e drejtë!.
Me zakonin
E Aromës së rigonit dhe trëndafilave..
Por kjo bukë,
Që ju po gëlltitni e kemi bërë ne
Si të thuash, pikërisht
Me pleh,

Kaluan vite të tjera
Ajo që ndodhi gjatë tyere
S‘mund të thuhet
Vetëm me fjalë.
Carizmin duke përzënë
Me energji tmerrësisht të furishme,
Masat e punëtorëve u çuan në këmbë

I lodhur së zvarrituri
Nëpër vëndet e huaja
U ktheva
Në shtëpinë ku linda.
Tek këneta,
Me fustan të bardhë
Rri berjoza me bukle të blerta.

Po ç’berjozë!
E mahnitshme! dhe ç‘gjinj pa,
Nuk i gjen në asnjë grua
Gjinj si ata.
Nga fushat
Muzhikët spërkatur me diell të valë.
Karrot e tyre me thekërr
Më sjellin përballë.

Nuk mund të më njohin përsëri:
Për ta jam një kalimtar.
Por ja, pa vështruar,
Kalon një fshatare.
Si një lloj rryme të ftohtë
Ndiej gjatë shpinës
Një rrëqethje të pashprehshme dot.

Është vërtet ajo?
E mundur të mo s‘më njoh?
Pa dyshim!
Lëre, pra të shkojë…
Edhe pa mua asnjë hidhërim asaj
S ’ka për t’i munguar:
Jo më kotë e ka një rrudhë kaq të dhimbshme
Buza e saj e menduar.

Çdo mbrëmje,
Duke ulur kapelen mbi ballë
Që të mos më tradhëtoj akulli
Që kam në sy.
Po shkoj të shoh korrjen e stepaave
Dhe të dëgjoj me kërshëri
Si këndon lehtaz
Përroi aty.

Si t‘ia bëj unë vallë?
Rinia iku!
Erdhi koha
Të punoj se të endem lart e poshtë përherë.
Sepse po më vijnë këngë të pjekura tani
Nga shpirti im aventurier.

Dhe ndryshimi i jetës së fshatit
Mund të më mbush
Me forca të reja,
Si dhe dikur
Më bëri me famë e lavdi
Bashkëfsatarja ime
Pela ruse.

5

Lamtumirë Marienhof

Mirupafshim, mik, mirupafshim,
Ti je në zemrën time përgjitmonë
Ndarja jonë e destinuar
Një takim të ardhmë na premton.

Mirupafshim mik, pa e fjalë e gjeste,
Pa vetulla të ngrysura, pa trishtim
Të vdesësh nuk është e re në jetë,
Edhe të jetosh s’është e re pa dyshim.
6
Rrëfimi i huliganit

Të këndojnë, jo të gjithë janë të zotë
Dhe jo të gjithve iu është dhënë të bien,
Drejt këmbëve të tjerëve si mollë në tokë

Është ky rrëfimi më i madh,
Që kurrë s’jua beson një rrugaç.

Unë e mbaj kokën të pakrehur me dëshirën time Feneri me vajguri mbi shpatullat e mia:
më pëlqen që në errësirë të përndris
Lakuriqësinë vjeshtë të shpirtrave tuaj
Dhe më pëlqen të fluturojnë kundër meje
Gurë sharjesh,
Stuhi breshëri në erë
Unë vetëm shtrëngoj më fort me duar
Buklat e ondeve të flokëve të verdhë.

Është mire atëherë të kujtoj,
Mështeknën e tharë dhe pellgun mes barit,
Të sjell ndërmend se diku
Jetojnë babai e nëna që s’pyesin
Për poezitë e mia, edhe pse për ta jam i shtrenjtë
Si fusha dhe mishi dhe si ai shiu fin, i imët
Që në pranverë e bën të butë grurin e blertë;
Për çdo britmë tuajën ndaj meje,
Me sfurqe do t’ju vrisnin ata prindër të sertë!

Të varfrit, të varfrit fshatarët e mi!
Sigurisht s’jeni bërë të bukur
Trembeni nga Zoti dhe thellësitë e ligatave;
Veç ta kuptoni se
Biri juaj në Rusi
Është poeti më i madhi i poetëve?
A nuk ju bëhej zemra akull për atë
Zbathur pellgjeve të vjeshtës futur?
Me cilindër në kokë endet ai tani
Duke mbath këpucë xixë me lustër.

Por veton në të primitivja e rëndësishme,
E çamarrokut të trashë fshatar;
Çdo lopë me shenjën e kasapit,
Mbi tabelat e kasaphanës
I përkulet që nga larg.
Duke takuar në sheh karrocierët anës,
Kujton erën e plehut nëpër fusha,
I gatshëm si bishtin e fustani të nuses
Të mbajë bishtin e mushkës.

E dua atdheun. E dua shumë atdheun,
Edhe me trishtimin e tij si të shelgut të ndryshkur.
Më janë të këndshme hungërimat e pista
të derrave,
Dhe në qetësinë e natës kuakja argjendore e bretkosave.
Butësisht i sëmurë prej kujtimeve fëminore,
Ëndërroj mjegullën dhe lagështinë e mbrëmjes së prillit,
Si të ngrohej në zjarrin e agut të agimit, rri në bisht panja jonë.
Ah, duke hipur në degët e saj,
Sa vezë kam vjedhur nga foletë e sorrave vonë!
A është përherë njëlloj me majën e blertë?
E ka të fortë si dikur koren e vet?

Po ti,
I dashur qen besnik pullali!
Kujitës e të verbër të kanë bërë vitet
Dhe duke u zvarritur shkon nëpër oborr
bishtvarur,
Me nuhatje harraqe portash e stallash.
Si një kthim mirënjohës ajo çapkënëri,
Kur copën e bukës, vjedhur nënës,
E hanim me radhë ne të dy,
Pa krupë nga njeri-tjetri, pa neveri.

Kam mbetur i njëjti me zemër!
Lulëzojnë sytë në fytyrë,
Si zambakët midis thekrës si lumë;
Rrogoza të artë vargjesh duke shpështjellur.
Do të doja t’u flisja juve të shtrenjtëve unë.
Natën e mirë! natën e mirë ju të gjithëve!
Kosa e agut tashmë ka nis të fishkëllejë
Midis barit në mugëtirë…
Sonte dua të përmjerr hënën
Nga dritarja ime, pa gdhirë!.

Dritë e kaltër, dritë kaq e kaltër!
Në kaq kaltërsi, edhe të vdesësh ia vlen.
Dhe s’e çaj kokën nëse dukem cinik
Me fenerin bashkangjitur në prapanicë.
Pegazi im i vjetër, i mirë dhe i rraskapitur,
Më duhet, pikërisht, troku yt?
Unë, mjeshtër i egër erdha,
Të celebroj minjtë dhe të këndoj siç di.
Gushti i kokës sime derdhet si verë
Nga flokët në stuhi.

Kam dëshirë të jem një velë e verdhë,
drejt vendit ku me det shkojmë përherë.

7
Në freskinë e një vjeshte është bukur


Në freskinë e një vjeshte është bukur,
të dridhet shpirti si gjethe mbi mollë –
dhe të shohësh parmendën e diellit
si çan sipërfaqen e lumit, ujin kaltror.

Është bukur të shkulësh nga trupi
Gozhdën e nxehtë të një kënge
dhe me fustan të bardhë festiv
të presësh trokitje në derën tënde.

Unë mësoj me zemër, mësoj, të ruaj
në sytë e mi lulen e egër të qershisë
Vetëm vetpërmbajtja ndjenjat ngroh
Kur një krisje e hollë gjoksin e gris.

Në heshtje kumbon kambanorja e yjeve,
Për mëngjesin çdo gjethe është një qiri.
S’do lejoj të futet në dhomën time askënd
s’kam ndërmend t’i hap derën kujt assesi.

Përgatiti:Flori Bruqi


Unë shkruaj…


“Unë shkruaj sepse kam dëshirë të shkruaj. Shkruaj sepse nuk mund të bëj si të tjerët, një punë norma­le. Shkruaj që libra si të mitë të jenë të shkruar dhe që t’i lexoj. Shkruaj sepse jam tepër i mërzitur me të gjithë ju, me tërë botën. Shkruaj sepse më pëlqen të rri mbyllur në një dhomë, gjatë gjithë ditës. Shkruaj sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin, përveçse duke e ndryshuar. Shkruaj që mbarë bota ta dijë çfarë lloj jete kemi jetuar dhe jetojmë, unë, të tjerët, ne të gjithë, në Stamboll, në Turqi.

Shkruaj sepse e dua erën e letrës dhe të bojës. Shkruaj sepse ky është një zakon dhe një pasion. Shkruaj sepse kam frikë të jem i harrueshëm. Shkruaj sepse më pëlqen fama dhe interesi që kjo më sjell. Shkruaj për të qenë vetëm.
Shkruaj me shpresën të kuptoj përse jam aq i mërzitur me ju të gjithë’.

-Orhan Pamuk

Duart…



“Çdo gjë kuptohet nga duart, nga mënyra me të cilën presin, me të cilën kapin, me të cilën ndahen. Njëqind karaktere mund të zbulosh nga mënyra se si i kapin duart paratë, si i zhubrosin dhe i shtrëngojnë me lëvizje nervoze.

Karakteri i njeriut zbulohet në kumar nga vetë dora e tij. Sepse të gjithë ose pothuajse të gjithë kumarxhinjtë kanë mësuar se si të mos tradhtohen nga fytyra. Ata ruajnë maskën e ftohtë në fytyrë që i tregon të paprekshëm… Por pikërisht ngaqë tërë vëmendja përqendrohet te fytyra, ata harrojnë duart, që zbulojnë pa turp të fshehtën e madhe…”

– Stefan Zweig, “24 orë nga jeta e një gruaje”

Dashuri në kohërat e kolerës




“Qau për herë të parë që nga mbrëmja e gjëmës, pa dëshmitarë, se vetëm ashtu mund të qante ajo. Qau për të shoqin e vdekur, për vetminë dhe mllefin e saj dhe kur, hyri në dhomën e gjumit, qau për veten, sepse shumë pak herë kishte fjetur vetëm në këtë shtrat, qëkurse humbi vajzërinë.
Gjithçka e të shoqit e bënte t’ia shkrepte vajit: pantoflat me xhufkë, pizhamat nën jastëk, vendi i tij bosh i pasqyruar tek tualeti, aroma e tij në lëkurën e saj. E bëri të dridhej një mendim i vagëlluar: “Njeriu që ti dashuron, duhet të vdesë me gjithçka ka të tijat.”

Fjeti pa e kuptuar, por duke e ndjerë në gjumë se po vazhdonte të ishte gjallë se i dilte e i tepronte gjysma e krevatit dhe se dergjej në brinjë në krahun e majtë, si gjithmonë, por që i mungonte kundërpesha tjetër në bregun e djathtë.
Duke menduar në gjumë, mendoi se kurrë më nuk do të mundte të flinte ashtu si më parë dhe zuri të denestëte pa u zgjuar dhe vazhdoi të flinte pa ndërruar pozicion, në bregun e saj, deri shumë vonë pasi kishin kënduar gjelat, kur e zgjoi dielli i padëshirueshëm i një mëngjesi pa të.

Vetëm atëherë i ra mendjes se kishte fjetur shumë, duke dënesur në gjumë dhe, ndërsa flinte duke dënesur, kishte menduar më tepër per Florentino Arizën sesa për të shoqin e vdekur…”

Gabriel Garcia Marquez

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...