Bedri Halimi lind më 5.3.1963, në fshatin Kuk të trevës së Opojës (komuna e Sharrit). Ish i burgosur politik në Goli Otok etj.
Ka kryer fakultetin e bujqësisë, kurse ka botuar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore në revista të ndryshme të hapësirës shqiptare.Punon në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës.
Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën për kulturë, art e shkencë “Sharri”, Sharr.
Deri tash ka botuar disa libra vepra:
1.Ditar Dardanie, poezi, KL “Luigj Gurakuqi”, Sharr, 1992
2.Plagë shpirti, poezi, KL “Luigj Gurakuqi”, Sharr, 1995
3.Cubat fshehin Hënën, poezi, Gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 1999
4.Rugova – ngritja dhe rënia, publicistikë, Forumi i Krijuesve të Artit, Prishtinë, 2000
5.Kafshët e botës sime,poezi për fëmijë, “Rilindja”, Prishtinë, 2001
6.Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj, KL“Luigj Gurakuqi”, Sharr, 2002
7.“Haxhi Ymer Prizreni” (përgatiti për botim), revista “Sharri”, 2006
8.Pemët, perimet dhe drithërat në mjekësinë popullore, studim, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2009
9.Karnavalet e djajve, poezi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2013
10.Dëshmorët e Opojës, 2014, monografi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2014
11.Opoja – aspekti historik (përgatiti për botim), monografi, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, 2016
12.Haxhi Ymer Prizreni – figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
13.Panoramë opojane, poezi për fëmijë, “Fidani”, Prizren, 2017
14.Opoja – aspekti folklorik, monografi (përgatiti për botim), shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
15.Ecje nëpër furtunë, roman, shoqata kulturore “Ymer Prizreni”, Sharr, 2017
Bedri Halimi, “Kënga e lumit”
1
Vjeshtë e moçme ishte atëherë
Kur u zunë rrugët
Fushat filluan të na i errësojnë
Me pellgje gjaku
E qentë nuhasnin si statuja pa krah
Nuk kishin mall për Shqipëri e as për shqiptarë
As kujtesa nuk u punonte
Në tokë të huaj vdiqën turistë
2
Eh Ymer Prizreni
Dirigjent i Orkestrës së Vjetër
Pasardhës i rojeve të Kështjellës
Ti mendoje për tokën, për detin
Që të ketë buzëqeshje njerëzore
Nuk mbaje fjalim nga zyrat e fildishta
Me Ty larg dëgjohej
Kënga e ushtarit të vjetër
Dhe luhej për mrekulli vallja shqiptare
3
Ymer Prizren, poemë e pambaruar kurrë
Është e dhembshme, shumë e dhembshme
Kur ke frikë t’i afrohesh detit
E Ti je deti vetë
Që me dallgët tua luftoje trishtimin me stuhi
Për të ardhur te Ti
Ti thua se mund të vijnë
Vetëm ata që besojnë se drita nuk vritet
S’ia vlen, s’ia vlen jo të nisen tek unë
Ata që lirinë e pandehin si një lavire
As ata që e kanë humbur udhën në oborr
As ata që nuk duan ta shohin diellin
Askush shpresën s’ka arritur ta vrasë
As Ty o Ymer Prizreni
Ti je vetë shpresa që s’vdes kurrë
4
Ku janë Kainët?
Ku i kanë shtretërit?
As varre s’do të ketë për ta
Se varri është në Tokë
E Toka është e shenjtë or tungjatjeta
Prandaj mos harxhoni kot asnjë grusht dhe
Për ata që ecin me arkivol në shpinë
5
Përse mendohesh o Ymer Prizreni
Buzëqesh he burrë
Se rrufeja çan dhe shkëmbin
Por kurrë Kalanë e Vjetër
Ti do të vish!
Do të vish se s’bën!
Po s’erdhe,
As zogjtë e detit nuk do të fluturojnë
Në hapësirën e kaltër
6
Kam mall për Ty o Ymer Prizreni
Si s’të desha pak më shumë
Po Ti do të na durosh patjetër mëngjeseve
Është dashuria për tokën
Që të shtyn ta bësh këtë, Ymer
Tingujt e jetës marrin frymë me emrin tënd
Vrasësit e ëndrrave të bardha kanë frikë
Nga Ti - statujë e lirisë
Dhe gatuajnë tragjedi të reja
E nganjëherë na kafshojnë
Duke dashur të na puthin
7
Ujqërit e vjetër janë të pakapshëm përsëri
Rrinë gati me tehun e shpatës në dorë
Po ti Ymer, e doje fort Shqipërinë he burrë
Por jo pa Kosovën
Ti edhe sot troket në zemrën e njerëzve
Ti i urren prometejt e rrejshëm
Përse Ymer Prizreni jemi atdhe i mërzisë
8
Ku është vatani - jepni çdo gjë për të
Atëherë çdo pikëllim do të rëndojë lirë
Edhe mbi supet e kohës sime
Sot hyjnë e dalin njerëzit në atdheun pa atdhe
E nga pak ankohen në Ju
Që s’ua sollët parajsën në këtë botë
Kanë brengë në shpirt
Prandaj presin si qentë e braktisur
O Ymer Prizreni
9
Edhe sot në kohë ka lypës kohe
Përpjekja për ta është diç e kotë
Edhe ndihmës të zotit ka sot
Me gur të shenjtë që ligjërojnë si ujku plak
Por, celulat lëvizin
Pa lëvizje s’do kishte jetë
Ani pse lypsarët rebelohen me pagjumësinë
Ata duan rosa
Për zotin rosa
Ama të majme
Kufomat kërkojnë botë tjetër
Pa plazhe me gjëra të dobishme
Të bëjnë shaka me identitetin
Për ta zgjatur natën
Mbajnë fijen e shkrepëses në dorë
As mërziten për vitet e djegura
10
Dhe Pelegrinët presin diçka t’u sjellë fat
Nga idhujt e rremë
Trishtohen nga hija që i ndjek pas
Ymer burri
I vetmuari i largët
Njeriu e koha nuk do të lënë gërmadhë
Shpirti yt do t’ua presë ëndrrat njerëzve pa pendim
Malli për Ty nuk është vetëm Dhjetë Qershori
Dashuria pas ndarjes harrohet vetëm nga ndjekësit e dashurisë
E sofra e historisë i shënon të gjitha o Ymer Atdheu
Emri Yt i thur himn flamurit
Me një gur e një trung
Të mos mërdhihen zogjtë dimrit
Emri yt – kujtesë atdheu me plisa të bardhë
Emri yt – psalm për tokën në çdo kohë
Emri yt – zgjim nga gjumi i fundvjeshtës
11
Do të nisemi udhës sate
Me këngën e Lumit në gojë
Frymëmarrje të lirë
Të kenë edhe rrudhat gjatë dimrit
Kemi nostalgji për ty Ymer
Që hyre në mbretërinë e amshimit
E ne s’harrojmë të të kujtojmë
Sidomos para shkreptimës
Kur përrenjtë fillojnë të thahen
Me emrin tënd në luftë çdo gjë gumëzhin
Se në gjumë as të qarat nuk kanë kuptim
12
Kujdes me fjalën e dëshpëruar thua Ti
Bukuri e ftohtë pa kallinj është ajo
Dijeni se bereqeti i saj është dëshpërimi
Mbrëmë dikush tha se të rënët
Janë këngët e lirisë
Pylli nuk rrallohet po t’i presësh lisin
Në luftë trimi tregon trimërinë
Pas lufte trimëri tregon vetëm frikacaku
Ruhuni nga kundërshtarët e mi
Nga tregtarët e flamujve
Nga kombëtarët që lindin pas luftës
E kur të jeni të mërzitur shumë
Mos harroni ndërtojeni Piramidën
Do të vij t’u ndihmoj dhe unë
Pjesë nga libri e poezi “Kënga e lumit”,
Libri me titull “Opoja-aspekti folklorik” i përgaditur nga studiusi Bedri Halimi paraqet një të arritur e jo vetëm të re por edhe të veçantë në sferën e Kulturës të një regjioni siç është Opoja.
Brenda librit përfshihen materiale të shumta në aspektin e vështrimeve dhe studimeve, Lirikës popullore si dhe prozës popullore.
Libri ka 1064 faqe dhe është i paisur me aparaturë të nevojshme shkencore si indeksi i mledhësve, shënuesve e indekse emrash njerëzish e vendesh, fjalorthi i fjalëve të rralla e barbarizmave që përdoren në njësi folklorike të këtij libri. rezymenë në gjuhën shqipe e angleze etj, që padyshim ja shtojnë seriozitetin këtij libri monografik të rrallë.
Libri është konceptuar në tri pjesë. Ku secila pjesë mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se paraqet një libër më vete.
Në pjesën e parë janë paraqitur 23 vështrime, studime të studiusve të ndryshëm për tema të folklorit të Opojës si nga Mr. Muharrem Qafleshi, Mitat Fejza, Dr. Yrjet Berisha, Xhemali Berisha, Dr. Nuhi Vinca, Ismet Lecaj, Lorenc Antoni, dr. Rexhep Munishi, Dr. Ramazan Bogdani, dr. Agron Xhagolli,Mr. Angjelina Hamza, Kadri Halimi, Bedri Halimi, Rexhep Tershnjaku, Ibrahim Skenderi, Tafil Krasniqi, etj.
Kështu fillimisht vitet për kufijt, poziten dhe madhësinë e Opojës, për të vazhduar pastaj me fejesën në trevën ë Opojës, ku hyn zgjedhja e vajzes dhe e djalit, marrja e marhamës përkatësisht shëjat e fejesës dhe veprimet e tjera që bëhen gjatë periudhës se fejesës si: marhama e madhe, hupsat, dërgimi parave të nusja, përgaditja e qeizit, shkuarja te nusja në raste të veçanta, marrja e penit përkatësisht këputja punë (që në disa treva tjera quhet ndarje e vadës).
Më tej shkruhet në mënyrë të gjërsishme për ciklin e martësës në Opojë, për marrëdhanjet martesore, për të vazhduar pastaj me vështrime rreth aspekteve të lirikës popullore Opojane, të prozës popullore opojane; të gjurmëve të lashtësisë pagane në lirikën popullore të Opojës ; për kangën popullore të Opojës; për elementet polifonike në muzikën popullore të Opojës ; për këndimin dhe vallet e Opojës si të burrave ashtu edhe të grave të cilat vallzohen gjatë ceremonialit të dasmës; Pastaj për vallet e kënduara, për dasmën e sotme e ritualet rreth saj në Opojë. Më tej vazhdohet me vështrime rreth kërkimeve folklorike në Opojë si në fushën e prozës ashtu edhe të poezisë popullore si dhe të vallëzimit popullor; vështrime për këngët e përgimit, këngët e djepit, këngët rituale të synetisë etj.
Në vijim shkruhet rreth martesës së vejanve në Opojë; rreth lindjës në trevën e Opojës, që nga shtatzania, llohusa, përgimi apo përgëzimi, për foshnjën, për fëmijët apo carrokun, për këngën e djepit, ninullat, synetinë e tjera.
Më tej prezantohen shkrime për festa të ndryshe si shëngjergjin në Opojë dhe këngët rreth kësaj feste, për këngët me motive pune dhe kurbeti në Opojë; për të vazhduar së prezantuari shkrimin për ceremonialin e vdekjës për trevën e Opojës që nga paralajmrimi i vdekjës, sëmundja, vdekja, vajtimi, dita e varrimit-përgaditja, varri dhe varrosja, ngushllimet, përkujtime etj.
Për të përfunduar me qasjen rreth ruajtjes dhe kultivimit të kulturës tradicionale muzikore në Opojë, ku përmenden emra të shquar të këndimit të këngës popullore nga kjo trevë si:.
Në pjesën e dytë mbrenda shum faqesh janë të paraqitura 1081 këngë nga lirika popullore, nga të cilat janë: 61 këngë motmoti, 11 këngë përgimi, 46 ninulla, 28 këngë synetie, 195 këngë fejese, 187 këngë martese, 12 këngë nusnie, 32 këngë pune, 101 këngë dashurie, 20 këngë erotike, 201 këngë rinie, 20 këngë kapuqash dhe humoristike, 16 këngë vallëzimi, 65 dromca për fëmijë, 22 këngë të ndryshme, 48 këngë gurbeti, dhe në fund janë paraqitur edhe 16 këngë historike të kësaj treve.
Në pjesën e tretë është paraqitur proza popullore opojane duke u ndarë sipas llojit, ku janë paraqitur: 12 përalla, 8 prrallëza, 3 kallëzime, 96 anekdota, 58 legjenda, proza minore si: 3522 fjalë të urta popullore, 291 mallkime popullore, 72 urime, 20 betime, 13 shprehje nugshlluse, 19 përshendetje, 24 kashelasha, 3 engima popullore, një pyetjegjegje, 5 dolli, 10 lutje, 15 këcnime etj.
Shënues të lirikës popullore opojane janë 37; shënues të prozës popullore opojane 11; Tregues të lirikës popullore opojane janë 167; kurse tregues të prozës popullore opojane janë 81.
Dhe në fund të theksojmë se janë shënuar edhe 574 fjalë të rralla dhe barbarizma të cilat përdorën në njësi të ndryshme folklorike që ndodhën në këtë libër duke ua dhënë sqarimet e nevojshme.
Në të gjitha njësitë folklorike, përkatësisht çfarëdo njësie folklorike, janë dhënë emrat e treguesve a këndusve si dhe emrat e shënusve të njësive përkatëse, qoftë lirikë popullore apo prozë popullore, ku në këtë rast vlen për të përmendur si mledhjës më të shquar të lirikës popullore: Dr. Yrjet Berisha Dr. Nuhi Vinca, Nexhat Ajdini, Dr. Myzafere Mustafa, Lorenc Antoni, Kadri Halimi, Bedri Halimi, Ismet Lecat, Mitat Fejza, Xhafer Kabashi, etj ndërkaq në fushën e prozes popullore janë shquar: Xhafer Kabashi, Ismet Lecaj, Bedri Halimi, etj.

Prandaj duke pasur parasysh të gjitha këto, lirisht mund të themi se ky libër mund të quhet libër model për shumë treva tjera të trojeve shqiptare. Natyrisht se secila nga këto tri pjesë ka mundur që të jetë libër me vete si: Çështje të folklorit ne Opojë si libër i veçantë; Lirika popullore në Opojë, si libër i veçantë dhe Proza popullore në Opojë si libër i veçant.
Por, në këtë rast, hartuesi, përkatësisht përpiluesi i këtij libri enciklopedik për Opojën në aspektin folklorik z.Bedri Halimi ja ka bërë të mundur jo vetëm kexusve por edhe studiusve si dhe institutcioneve kulturore, arsimore e shkencore që ta kenë në tërësi tërë arsenalin e mledhur folklorik që nga viti 1957 e deri në ditët e sotmeshkruan mes tjerash shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Ajgeraj .
****
Fjala furtunë është fjalë latine që do të thotë fat.
Por në popullin tonë fjala furtunë ka kuptim të një gjendjeje të motit, mot me erë që shkatërron sende a objekte në natyrë e gjithandej ku ajo vepron. Pra mot me shi, e re, e stuhi që u fut tmerrin njerzëve. Këtu, ky titull simbolik po më duket se kap kuptimin edhe të motit e stuhisë, pra, stuhitë dhe rrëbeshet shoqërore nëpër të cilat kaloi autori, por edhe fatin mirë që ka shpëtuar gjallë, e sot është mrekulli se jeton, vepron e krijon.
Vepra e shkruar ,,Ecje nëpër furtunë” është roman shoqëror historik dhe patriotik. Është roman shoqëror sepse rrëfen, trajton e shkoqitë shumë ngjarje shoqërore që kanë lënë mbresë në personalitetin e Bledit. Këtu Bledi është kryepersonazh i veprës letrare. Është roman historik sepse tregon për histori e shumë shumë ngjarjeve në trevën (vendin) ku jetoi e punoi Bledi.
Është roman patriotik për arsye se Bledi me shokë e kishin lidhur fatin e atdheut, siç është i lidhur mishi e thoni. Dhe kurrë s’ndaluan për të qenë vepërmirë e popullor.
Personazhet e kësaj vepre mund t’i ndajmë në dy taborre: Në pushtetarë të shumtë malazez e sërb dhe ndonjë shqipfolës e sahanlëpirës.
Ky grup personash në roman shënohen me inicialet e para të emrit e mbiemrit p.sh: HT, SHB, DK, OR, MA, OM, DV etj.
Në anën tjetër kemi persona që administrojnë gjithçka për të shtypyr, për të përbuzur çështjet që kanë të bëjnë me jetën e shqipëtarëve. Pra ishin mekanizma të dhunës, të padrejtësisë, të jetësimit të shtypjes dhe të së keqes mbi popullin shqipëtar.
Njeriu në jetë është individ është veprues në shoqëri. Por në raport me punën, me jetën, me ngjarjet nuk duket thjeshtë se është individi por ai është shoqëria vetë.
Bledi është zëri më i fuqishëm, është kronik i dhembjes dhe ngjarjeve. Është zëri i antagonizmit shoqëror.
Bledi personazhi i pathyeshëm në çdo provë të jetës. Ai përfaqëson mendimin intelektual dhe instiktin e shpejtë për zgjedhjen e problemit. Ai është i pathyeshëm dhe i gatshëm në çdo rrethanë për t’i bërë vend lirisë.
Është vigjilent, e përcjellës i situatave për të mos u thyer. Është edhe edukator i rrethit shoqëror. Kur i bëhet provokimi në ushtri jugosllave: dikush kishte shkruar parullën Zhivela albana (Rroftë Shqipëria), në çirilic.
Bledi i inkurajon shokët ,,Shokë, këtu kemi provokim. Unë sigurisht s’e kam shkruar, e as ju s’e keni shkru. Nuk duhet të frigohet fare ai që s’e ka shkruar. Pra qëndroni të fortë kur të na marrin në pyetje!
Njeriu që përcaktohet për rrugën e lirisë për popullin e vet duhet të jetë i brymosur me idealin e qëndresës, të sakrificës dhe të vetë flijimit. Ai duhet të jetë i parapregatitur për çdo befasi. Të tillë janë Bledi me shokë.
Rruga e lirisë nuk është e shtruar me lule. Ajo sidomos tek populli ynë ka qenë rrugë rrugë plotë rreziqe, plotë kundërshtime plotë tradhëti e ndëskamca.
Bledin me shokë e gjejmë të parapregatitur për të gjitha gjërat që mund t’i ndodhnin.
Në këtë vepër ka një narracion shumë të dhimbshëm të jetës nëpër burgjet jugosllave. Këto gjëra paksa rëndojnë kujtesën e lexuesit, por janë diçka reale dhe që kanë mund të ndodhin. Dihet mirëfilli se në burgjet e Jugosllavisë shqipëtarët janë trajtuar mizorisht. Ka raste kur i kanë tredhur, për t’i paaftësuar që të kenë pasardhës, madje, madje edhe i kanë asgjësuar nga torturat e mizoritë.
Armiku nuk mëshiron.
Ecje nëpër furtunë ja vlen të lexohet nga brezat e tashmë, por edhe nga ata që vijnë, sepse trajton një të shkuar shumë të dhimbshme të rinisë kosovare.
Përveç këtij fakti, ia vlen të rinjët të mësojnë se si shkruhet dhe ligjërohet drejt, si përceptohet bukur ambienti i jetës. Le të lexojmë dhe të meditojmë kush ishim, kush jemi dhe kah do të shkojmë.
Ecje nëpër furtunë padyshim është një vepër që shënon një ndikim shumë pozitiv në përparimin kulturor mbarë shqipëtar.
Në fund Bedri Halimit i uroj shëndet të mirë, mirëqenje në familje dhe shumë suksese në fushën e gjerë të letërsisë.
Në shënjestër të kësaj dhune fizike e psikologjike ishin të rinjët-brezi i artë i Kosovës. Ishte ky brez i rinisë sonë që doli në protesta më 1981-tën 11 marsi e që vazhduan gjatë tërë vitit.
Ishte kjo protesta e brezit të Bledit që kërkuan avancim të Krahinës së Kosovës në Republikë. Pra dolën me kërkesën ,,Kosova Republikë”. Në këtë protest morën pjesë mijëra studentë, profesorë, intelektualë por edhe punëtorë. Ky ishte zëri më i fuqishëm popullor, për Kosovën shtet. Mbi protestues u zhvillua dhunë e paparë ndonjëherë, pati të vrarë, të plagosur e të rrahur nga policia, pra u zhvillua brutalitet i paparë.
Këtë ngjarje e dënuan pushtetarët e atëhershëm dhe e cilësuan se po të bëhej Kosova Republikë, rrezikon stabilitetin e RSFJ.
Nuk do thellohem më tej në këto ngjarje se nuk e shoh të nevojshme. Por dua të them se njeriu duke qenë vetë pjestar i këtyre ngjarjeve, i këtyre shumë protestave, duke u përballë me armikun, ai kthjellohet, forcohet, dhe armatoset me idealin e lirisë. Blendi me shokë janë realitet i këtyre ngjarjeve.
Këtu Bledi ishte plagosur. Me gjithë atë jeta vazhdon.
Njeriu ka obligim që gjatë jetës të jetë vepërmirë. Ai duhet ta luftojë të keqen në shoqëri e kudo.
E keqja luftohet me dorë, me fjalë e me zemër.
Po ta heqësh një pengesë nga rruga, ke hequr një të keqe me dorë. Por e keqja ndër njerëz është e shumëllojshme.
Korrupsionin, mashtrimin, kurvërinë, e dukuritë tjera nuk mund të largohen me fjalë. Ato mund t’i largojnë institucionet e pushtetit me dorë.
Po, të keqën që ka kapluar atdheun e Bledit kush do ta largonte? Pushteti e pushtetarët jo, se vetë ata ishin autorët e saj. Ata vetë instaluan pushtetin e dhunës dhe të diskriminimit.(Sylë Dinaj)