Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/12/27

Në Beograd protestohet para Ambasadës së Malit të Zi


Disa qindra njerëz po protestojnë para Ambasadës së Malit të Zi në qendër të Beogradit, për të kundërshtuar miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare nga ana e parlamentit të Malit të Zi.


Protesta është organizuar nga Klubi Studentor i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd.

Sot (27 dhjetor), para Ambasadës malazeze në Beograd u organizua gjithashtu një miting kundër Ligjit për Lirinë e Fetare, i organizuar nga lëvizja opozitare Dveri e udhëhequr nga Boshko Obradoviq.

Deputeti, Obradoviq u përlesh fizikisht me deputetët e pozitës në parlamentin e Serbi, pasi gjatë seancës, hyri me një pankartë në duar, për të protestuar ndaj faktit që Serbia nuk ka reaguar për miratimit e këtij ligji.

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar një projektligj për komunitetet fetare, i cili është kundërshtuar nga opozita pro-serbe, duke ngritur shqetësimin se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë e pronave që administron.

Gjatë ditës së enjte, qindra mbështetës të opozitës pro-serbe kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Podgoricë për të kundërshtuar projektligjin.

Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat, andaj planifikon të dërgojë ankesë në organizatat ndërkombëtare.

Zyrtarët malazezë kanë mohuar supozimin që kisha do të humbasë pronën që ka.

Dënohet Prof.DR.Sali Berisha


Ish kryeministri shqiptar Sali Berisha ka humbur një tjetër proces gjyqësor për shpifje për një status të publikuar në Facebook.


Ish- numri 1 i qeverisë shqiptare u padit në vitit 2018 në Gjykatën e Tiranës për shpifje nga pasardhësi i tij Edi Rama.

Paraditen e të premtes gjyqtarja Marjana Dedi e gjeti përgjegjës për shpifje zotin Berisha duke kërkuar pagimin e një dëmshpërblimi, prej 500.000 lekësh kryeministrit Edi Rama.

Më 14 Tetor 2018 Sali Berisha publikoi këtë status në Facebook ku thoshte se familjet mafioze Rama, Xhafa, Balla e Tahiri janë nën hetim ndërkombëtar jo nga një por nga disa agjenci të vendeve partnere.

Gjykata mbërriti në përfundimin se ajo çfarë kishte publikuar zoti Berisha nuk ishte e bazuar në fakte. Gjatë seancave gjyqësore pala mbrojtëse e kryeministrit në këtë proces I tha gjykatës se pala e paditur duhet ti vërë në dispozicion të gjykatës faktet apo grup faktet ku bazohej statusi zotit Berisha.

Në të gjitha seancat gjyqësore avokati zotit Berisha dështoi në sjelljen e provave e si pasojë gjykata e pati të lehtë të mbërrinte në përfundimin se ishte konsumuar shpifja.

Pas gjyqeve të fituara me Jorida Tabakun, Arben Imamin ku me Sali Berishën është i treti fituar nga kryeministri Rama për shpifje.

“Forcimi i miqësisë me Amerikën”, mesazhi i librit të Avni Spahiut që u promovua sot


Rezultate imazhesh për avni spahiut

Avni Spahiu 

Sot, në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, mbahet promovimi i librit, “Misioni i parë” i Avni Spahiut. Ky libër i ambasadorit Spahiu, është një rrëfim për hapjen e misionit të parë diplomatik të Kosovës së pavarur në SHBA.

“Misioni i parë”, është me vlerë dokumentare e historike, që rrëfen për mesazhet e rëndësishme nga Shtëpia e Bardhë; State Departmenti dhe Capitoll Hill-i, që për të parën herë shpalosen në këtë libër, rrëfen autori.

Spahiu rrëfen çka ndodhi gjatë mandatit të tij brenda mureve të administratës amerikane në vitet e para të pavarësisë së Kosovës, “të cilës i kemi shumë borxh për ndihmën që ajo i dha Kosovës”, thotë autori.
Imazh i ngjashëm
Libri i ka katër kapituj që përfshinë hapjen e misionit të parë diplomatik të Kosovës së pavarur në SHBA, konsulidimin e saj, raportet në mes Kosovës e SHBA-së, takimin me presidentët e këtij vendi, puna diplomatike në përgjithësi e shumë tema të tjera.



“Forcimi i miqësisë me Amerikën”, mesazhi i librit të Avni Spahiut që u promovua sot

“Misioni i diplomatit është burim motivimi për brezat që do të kontribuojnë në shtetndërtimin e vendit“, tha autori Avni Spahiu libri i të cilit u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Misioni i parë” mban titullin libri i Spahiut, Botimet KOHA, i cili në vete ngërthen dokumentime, intervista, me pak fjalë gjithë karrierën e tij prej diplomati në Amerikë.

Duke qenë diplomati i parë kosovar në Amerikë, ai madje është krahasuar me Faik Konicën nga historiani dhe shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi.

Së pari fjalën e mori recensenti i “Misionit të parë”, profesor Blerim Reka i cili e cilësoi si shumë të rëndësishëm botimin e këtij libri, sidomos për gjeneratat e reja të diplomacisë kosovare.

“Avni Spahiu është gazetar, hulumtues e diplomat i shquar. Ai është ambasadori i parë i Republikës së Kosovës, i dërguar nga shteti më i ri europian në shtetin më të fuqishëm në botë”, tha ai.

“Biomi intelektual diplomatik përshkon vetë librin e tij, me një gjuhë dhe stil të rrjedhshëm e të kuptueshëm prej rrëfyesi publicistik e letrar, ndërsa ngjarjet e këtij libri të zhysin në realitetin realitetin shqiptar. Para Spahiut ka qenë çdoherë qëndrimi zyrtar i shtetit që e përfaqëson.

“Spahiu mund të thuhet se është intelektual i kalibrit të lartë sikurse ishin Faik Konica apo Noli”, potencoi ndër të tjera recensenti Reka, kurse historiani dhe shkrimtari Buxhovi në fjalën e tij ishte më kritik. Sipas tij, gazetaria kosovare në të shumtën e rasteve i shërben konjukturave politike, duke u shpërfytyruar dhe ikur nga profesionalizmi.

“Libri i Avni Spahiut nuk fillon nga fundi por nga fillimi. Misioni i tij nis qysh nga “Rilindja” kur ai shkoi korrespondentë në Amerikë. Atëherë edhe ka filluar koncepti i prezantimit të çështjes kosovare në relacion me të huajt”, u shpreh fillimisht ai.

“Titulli i librit ‘Misioni i parë’ mund të interpretohet në forma të ndryshme. Mendoj se ne duhet të jemi më kritik. Shteti ynë ende nuk e ka siguruar vulën e fundit të shtetndërtimit dhe profesioni i gazetarisë fatkeqësisht nuk është në përputhje me interesat tona. Investimet nuk kanë qenë për t’u krijuar një gazetari pozicionale. Sot, e them me dëshpërim një pjesë e madhe e gazetarisë i shërben konjukturave politike të cilat e kanë sjell vendin në këtë gjendje, e fat më të mirë s’ka pasur as diplomacia e cila poashtu i është nënshtruar konjukturave politike”, përfundoi Buxhovi.

Analisti Nexhmedin Spahiu tha fjalë të mira për librin e Spahiut, punën diplomatike të të cilit e çmoi. Ai mes tjerash tha se libri “Misioni i parë”, ka si mesazh forcimin e miqësisë me Amerikën. Për këtë ai bëri krahasimin e pemës me miqësinë amerikane, dhe se secili shqiptar duhet ta ujis atë në mënyrë që miqësia të jetë e qëndrueshme e jetëgjatë.

Prezent në këtë promovim ishte edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu i cili mbajti një fjalim rasti. Ai i falënderoi të gjithë ambasadorët me të cilët pati rastin të bashkëpunojë derisa për Spahiun pati fjalë të mira dhe e vlerësoi angazhimin e tij gjatë detyrës si ambasadori i parë kosovar në Amerikë.

“Këtë libër ua kam dedikuar të gjithë diplomatëve kosovarë, me qëllimin që të gjithë të kontribuojmë në njërën apo mënyrën tjetër për shtetndërtimin e vendit tonë”, potencoi autori Spahiu në fund të kësaj ngjarjeje.

Libri i korrenspondentit, gazetarit, hulumtuesit e ambasadorit Spahiu tanimë është i disponueshëm. Sipas të gjithë folësve “Misioni i parë” është model për diplomatët e rinj të cilët pritet ta çojnë diplomacinë kosovare përpara dhe të krijojnë miqësi me shtetet e fuqishme botërore.





Amaneti i Mitrush Kutelit, për gruan, fëmijët, shqiptarët: Ta doni vendin dhe gjuhën, gjer në vuajtje




Nga: Dhimitër Pasko 


(i njohur nga shumica me pseudonimin, Mitrush Kuteli)

E dashur Efterpi,


Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.


Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” -“S’di”. -“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin.

Prapë u gëzova. -“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili.

Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…

Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.


Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik.

Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike.

Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim.

Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë.

Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike – në fushën ekonomike – në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”.

Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.

Një nga pasojat e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij – të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mija të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.

Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.

Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva – ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa dhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.

Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq!

S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.

Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjithë Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë.

Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë.

Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.

Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.

Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti
Dhimitraq.

Anila Omari: Nxënësi duhet të njihet edhe me ekzistencën e dialekteve tjera të shqipes


Anila Omari

Gjuhëtarja Anila Omari flet për historinë e gjuhës shqipe. Teksa tregon për kontributin e albanologëve të njohur, ndalet edhe tek puna që duhet të bëjnë studiuesit e rinj në këtë fushë. Ndërsa, sa i përket futjes së gjuhës shqipe në të gjithë degët universitare, mendon se duhet që të nisë që në klasë të parë.

Intervistoi: Anila Dedaj


Nëse ndalemi tek historia e gjuhës shqipe, cilat janë emrat që bënë të mundur zhvillimin e saj?

Për zhvillimin e historisë së gjuhës shqipe janë përqendruar forcat shkencore më madhore të albanologjisë shqiptare. Që nga profesor Eqerem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi e albanologë të tjerë të njohur në botë. Po ashtu edhe breza më të rinj si Bardhyl Demiraj, i ndjeri Kolec Topalli, Seit Mansaku, të cilët çuan më tej veprat, ose ngrehinën e ngritur nga albanologët e huaj në fillim të shekullit të XX-të, e mandej nga albanologë shqiptarë me në krye Çabejn.

Ju më sipër përmendët kontributin e emrave, si Eqerem Çabej, Shaban Demiraj etj., por ç’mund të thuhet për nivelin e studiuesve të rinj të gjuhës shqipe?

Emrat që përmenda janë “koka të mëdha” të gjuhësisë shqiptare e të albanologjisë. Është vështirë që të përsëriten. Megjithatë ka albanologë sot në botë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë arritur rezultate të mëdha. Kjo, edhe falë teknologjisë informatike, e cila ndihmon në përpunimin e gjuhës, në nxjerrjen e glosarëve nëpërmjet konkordancave kompjuterike të teksteve. Kjo ka ndikuar veçanërisht tek tekstet e vjetra, tek të cilat janë arritur rezultate shumë të mira.

Flasim për kolosët e gjuhësisë dhe tekste të vjetra, por ç’po bëjnë studiuesit e rinj për ta shpënë më tej punën e tyre?

Botimet kritike të teksteve të hershme i shërbejnë lexuesit të sotëm. Tekstet e përpunuara janë riprodhuar mbi botimet e vjetra të përshtatura me alfabetin e sotëm, duke ruajtur të gjitha tiparet e gjuhës së vjetër. Sigurisht që leximi i tyre kërkon një farë përgatitje, por e rëndësishme është që tekstet e vjetra janë në duart e publikut të gjerë dhe të të interesuarve. Pra, janë të aksesueshme nga studiuesit e rinj.


Çfarë duhet bërë që të trashëgohet fryma e përdorimit të mirë të gjuhës shqipe edhe në drejtshkrim, artikulim etj., veçanërisht tek të rinjtë?

Të tejçohen dijet është shkolla, për këtë ka shumë rëndësi i gjithë sistemi arsimor. Tekstet, mësuesit etj., janë hallka të ndryshme të këtij sistemi, të cilat funksionojnë në mënyrë të lidhura me njëra-tjetrën. Ka ardhur koha për një metodologji sa më bashkëkohore në mësimdhënie, pasi tekstet mesa konstatohet kanë të meta. Madje jo vetëm tekstet në vetvete, por edhe programet shkollore për gjuhën shqipe. Po flas për gjuhën, pasi kjo është fusha ime, pasi mund të ketë probleme edhe në fusha të tjera, në lëndë të tjera mësimore. Tashmë kërkohet një tjetër metodologji e mësimit të gjuhës shqipe. Jo më mësimit të paradigmave, apo të teknologjisë gramatikore, siç bëhet. Duke nisur nga programi i gjuhës shqipe për mbarë Republikën e Shqipërisë gramatika është e ngjeshur, e rrudhur edhe e rëndë.

Pra, ju mendoni se duhet thjeshtëzuar programi i mësimdhënies së gjuhës shqipe?

Thjeshtëzimi i programit nuk është i mjaftueshëm. Edhe mënyra e mësimdhënies duhet të jetë e ndryshme. Pra, duhet që nëpërmjet tekstit të mësohet gramatika, jo të jepet rregulli gramatikor dhe pastaj të detajohet në shembuj.

Duhet që gramatika të mësohet nëpërmjet gjuhës së përfaqësuar në tekste të natyrave të ndryshme; letrarë, publicistikë, shkencorë, tekste të folura, tekste folklorike etj. Rregullat gramatikore duhet të dalin prej këtyre teksteve.

Ngërçet që nisin që në hallkat e para të sistemit fillor, si kanë ndikuar tek studentët. Si është në këndvështrimin tuaj raporti i tyre me gjuhën?

Të gjitha këto të meta kanë bërë që edhe studentët të vijnë të dobët, përsa i përket përdorimit të shqipes. Shumë prej tyre kanë vështirësi në shkrim, bëjnë gabime. Madje edhe vetë studentët e gazetarisë, kolegët tuaj bëjnë gabime. Edhe pse tani, ndoshta në sajë të programit të korrigjimit automatik drejtshkrimor, nuk dalin gabime të theksuara shtypi.

Përsa i përket përmirësimit të nivelit të studentëve në raport me përdorimin e gjuhës, kryeministri Edi Rama propozoi pak kohë më parë përfshirjen e gjuhës shqipe nëpër degët universitare. Sipas jush, a duhet që iniciativat e reja për përmirësimin e situatës të nisin nga universitetet apo më herët?

Unë mendoj se puna për përmirësimin e situatës gjuhësore duhet të nisë që në klasën e parë. Brezi jonë nuk ka pasur probleme në këtë aspekt. Ne në gjimnaz nuk bënim gjuhë shqipe, por lëndët që jepeshin në 8-vjeçare kishin një bazë të mirë gjuhësore. Pra, është thelbësore që gjuha të mësohet mirë që në 9-vjeçare.

Ka pasur ndryshime të vazhdueshme, gjuha në gjimnaz është futur disa vjet, pastaj është hequr e rifutur përsëri. Tani po kërkohet edhe në universitete. Mirëpo, edhe pse po kërkohet që të bëhen përmirësime në të gjitha hallkat, forca e gjuhës duhet dhënë që në fillim, në klasë të parë.

Siç dëgjoj shpesh, ka një mbingarkesë tek nxënësit që nis që në fillore. Mirëpo me një mbingarkesë të tillë ata rrezikojnë të mos përvetësojnë gjë. U mbetet ose të mësojnë diçka përmendësh, ose “siç do hynë do dalin”, pa mësuar asgjë. Duhet që së paku të ndryshohet metoda e mësimdhënies, që atyre t’u mbetet diçka në mend. Dhe, e theksoj, gjuha të mësohet nëpërmjet tekstit.

Po përsa i përket komunikimit jozyrtar, ligjërimi i shkurtër përmes kanaleve digjitale si ndikon?

Unë mendoj se komunikimi përmes mesazheve të shkurtra, rrjeteve sociale etj., janë një variant i ligjërimit, që nuk e përkeqëson gjendjen. Nuk krijon probleme kjo formë ligjërimi tek një student apo nxënës, që gjuhën e njeh mirë dhe është në gjendje të shkruajë një esse apo hartim. Pra, të shkuarit me shkurtime shpesh praktikohet për shpejtësi.

Një tjetër element që e lë të varfër gjuhën është mungesa e leximit tek të rinjtë. Sepse, dihet që leximi e pasuron gjuhën, përndryshe mbetesh me një fjalor të kufizuar, sikundër vëmë re edhe tek studentët. Fatkeqësisht nuk njohin më fjalë pak më të vjetra, që i ka përdorur brezi im apo brezat e mëhershëm. Kjo ndodh nga mungesa e leximit.

Sipas jush, a mund të përdoren dialektet gjuhësore në mësimdhënie?

Unë di se në mësimdhënie janë përfshirë edhe tekste dialektore. Mendoj se nxënësi e ka të nevojshme të njihet edhe me ekzistencën e dialekteve të tjera të shqipes, me tiparet e tyre. Mirëpo, gjuha zyrtare është një! Është gjuha e njëjësuar, ajo standarde që përdoret edhe në ambientet publike, në televizione, shtyp etj.

Anila Dedaj : Havzi Nela, poeti martir në 5548 vargje


Rezultate imazhesh për Anila Dedaj

Anila Dedaj

Botohet 30 vite pas ekzekutimit të Havzi Nelës, vepra e tij e plotë poetike. “Shtatë fletore” përmban poezi, të cilat ai i shkroi gjatë 21 viteve burg e internim, si dëshmi e rebelimit, kurajës, dëshpërimit, shpresës e bindjes së tij, se tiranisë një ditë do t’i vinte fundi


Në oborrin e shtëpisë së familjes Nela, ku nëna qante birin, të cilit i ishte hequr liria, e vëllezërit të lirë për të vuajtur mendonin Havziun nën hijen e xhelatit që priste fundin e tij, “rriteshin” nën rrënjët e një molle vargjet e poetit martir. “Këput e ra si lis i rrëzuem/ Në çeli, në terr i ndry/Trup e shpirt i sakatuem/ Mendja derdhet në liri!”. 5548 vargje, të cilat mësuesi “i dashtun” do t’i përpunonte, përmes përsëritjesh të panumërta gjatë 21 viteve të kaluara në burgje e internime gjejnë dritën në 30-vjetorin e ekzekutimit të tij.



 “Ma mirë le t’i mbylli sytë/Ma mirë zemra le të pushojë/ Ma mirë mos me pa më dritë/Kur harbuti t’më mundojë!”. “Shtatë fletoret” e Havzi Nelës të përgatitura nga Rexhep Shahu, ku shpaloset vepra e tij e plotë poetike, vijnë si përmbushje e amanetit të poetit. Vargje që na njohin me rebelimin, forcën, kurajën, mallin, dëshpërimin, shpresën e bindjen e tij se regjimit totalitar do t’i vinte fundi, e ai, ndoshta do të qe i lirë që të rishikonte poezitë e tij. “Due që ta shpëtoj si material, se do përpiqem, po mendoj me i nxjerrë jashtë se u lodha së mbajtuni në mendje. Gjithashtu titulli dhe ndarja në pjesë ashtë jo ashtu si i mendoj unë të bëhen. Këtë punë ja la të ardhmes po qe se dalë vetë i gjallë prej këtu”. Por rrebeshi i zemërimit të diktaturës na paskësh qenë kaq i fortë sa edhe në grahmat e fundit të atij sistemi, për të tmerruar njerëzit, e mbushur atë vakum të thellë të padijes e informimit me frikë, do të shënjonte të ekzekutuarin e fundit me varje në litar në shesh në gjithë Europën. “Vajtojnë nanat, vajtojnë gratë/ E sa nuset u kthyen n’gjini!/ Të tjerat presin me djepat thatë/ U qanë zemra për nji fëmijë”. Ishte 10 gusht i vitit 1988, e ndoshta Havziu kishte dhjetëra vargje të tjerë në mendje… Ngjarja ndodhi në Kukës, në sheshin e agjencisë së udhëtarëve. Mizoria vijoi edhe pas vdekjes së poetit, për të vrarë shpresat e atyre që ëndërronin fundin e tiranisë. Po dëshira e Nelës, misionarit të lirisë do të përmbushej plotësisht më pak se dy vjet nga akti barbar që i mori jetën. “Le ta dijë gjithë bota mbarë/Se ky vorr ka njerëz të gjallë/Janë të gjallë nuk vdesin kurrë/Dhe n’u bafshin dhe e gurë!”

Shkrimtarët për Havzi Nelën

Për të kujtuar poetin Havzi Nela, “Shekulli” ju sjell disa nga dedikimet e njerëzve të letrave shkëputur nga libri “Shpirti i lirë i Lumës”, i cili njësoj si “Shtatë fletoret” është përgatitur nga Rexhep Shahu.

Ismail Kadare: Një njollë turpi

Prej Kohësh nuk ka pasur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka pasur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare. Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar. Një poet u lëkund në trekëmbësh, në qytetin verior të Kukësit. Kjo tregonte se programi themelor i stalinizmit shqiptar, vazhdonte të mbetej i pandryshuar. Ashtu si në vitet 1945-1947, kur rrëzoi me plumb e me litar elitën kulturore, fetare e politike shqiptare, ashtu si më pas kur rrëzoi mijëra të tjerë, ky program vazhdoi të mbështetej mbi krimin dhe kryesisht mbi krimin. Krimi i jepte kurajë në orët e panikut, krimi i qetësonte në orët e ligështimit. Me krimin ndiheshin trima, si gjithë frikacakët. Poeti Havzi Nela është një kambanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë. Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë. Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske. Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar. Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë.


Bashkim Shehu: Kam qenë 10 vjeç kur e kanë vrarë poetin

Si 10-vjeçar nuk di të flas për republikën e litarit në qafën e kundërshtarit të partisë shtet, për republikën e pushkatimeve të kundërshtarëve politikë, për republikën e internim dëbimeve, për republikën e diktaturës së urisë. Por arrij ta kuptoj e besoj se ndërsa Havzi Nela tundej në litar, shqiptarëve u merrej fryma, u ngushtohej laku në fyt, u kërcisnin eshtrat e duarve e të mendjes nga shtrëngimi i prangave të diktaturës komuniste që ishte çmendur e dehur në marrëzi. Sot, unë ndjehem shumë mirënjohës ndaj Havzi Nelës, sepse ai vuri kokën në themelet e lirisë e demokracisë që kemi sot. Besoj se çdo shqiptar që e shijon lirinë i është mirënjohës, sepse është i ekzekutuari i fundit me varje në litar në shesh në gjithë Europën në emër të lirisë. Havzi Nela është mësues i madh i lirisë, do të mbetet në historinë tonë dhe do të lartësohet përditë e më shumë sepse ai na mësoi e do të na e mësojë gjithmonë kundërshtimin, na mësoi të themi jo, na mësoi të guxojmë, të mos i themi të bardhës e zezë e të zezës e bardhë. Na mësoi se liria ka çmim dhe sa më i lartë çmimi i saj aq më sublime e madhështore është ajo.

Izet Duraku: Havzi Nela, Orfeu i lirisë

Figura e Havzi Nelës bën që të meken e belbëzojnë edhe më fanatikët e djeshëm. Ata nuk kanë guxuar t’i kundërvihen kurrë ballas figurës së tij. Nuk kanë mundur t’i mohojnë guximin, trimërinë, besën, as përkushtimin atdhetar. Nuk është e rastit që për Havzi Nelën nuk kanë ngurruar të shprehen krijues të shumtë. Secili prej tyre ka ndriçuar anë të ndryshme të njeriut që “i jetoi të gjitha stinët e vuajtjes” duke u rebeluar ndaj botës së mbrapshtë dhe armiqësore me të. Havzi Nela nuk e nisi jetën e tij si hero, por u bë hero i vetvetes si triumf i moralit të njerëzishëm në një kohë të pamoralshme dhe vrasëse njëkohësisht. Nuk jam i sigurt nëse Havzi Nela e njihte mirë mitin e lashtë të Orfeut që me këngën e tij qetësonte kafshët më të egra, detyronte pemët të përkulnin degët dhe gurët të lëviznin. Efektin magjik të fyellit dhe të këngës ai pati fatin ta njihte. Para se ta burgosnin Havzi Nela mbahet mend si këngëtar që u ndoq me dashamirësi në Kukës, Shkodër e gjetkë. Në fyellin e tij ndiheshin lartësitë e bjeshkëve, pyje, livadhe, ujëra të kristaltë, fluturime zogjsh e qiej të kthjelltë e të turbullta të fateve tona në rrjedhë të historisë, ku më shumë se hareja e fitoreve shfaqej trishtimi i humbjeve shekullore. Burgu i rrëmbeu këngën, fyellin e tij. Në terrin e netëve Havziut iu desh ta rishpikë edhe njëherë këngën dhe fyellin e tij. Qelitë i burgosën vetëm trupin, ndërsa shpirti i tij, i çliruar nga prangat u shndërrua, siç thotë Kadare në një kambanë që binte dhe ende bie për shoqërinë shqiptare. I sigurt në përtëritjen universale të jetës, Havziu nuk hoqi dorë nga bindja se natës së gjatë të dimrit do t’i vinte fundi. Ai nuk e përjetoi rënien e diktaturës komuniste, por e pa qartë fundin e saj. Gjashtë fletore me vjersha arritën të dalin nga qelitë e Kampit shfarosës të Burrelit. Edhe fletorja e shtatë gjithashtu e shkruar nga vendi internimi i Arrnit, arriti të zhburgoset dhe të muroset për t’u ruajtur në shtëpinë e vjetër të vendlindjes ku e qante nëna për së gjalli e ku jetonin me vështirësi vëllezërit.

Primo Shllaku: Vdekja e hokubetshme e poetit Havzi Nela

Havziu ishte nji njeri i revoltuem, i revoltuem sipas Camu-së, dhe jo simbas kuptimit që i japim na rëndom kësaj fjale. Ai ishte nji njeri që mbas nji maratone burgjesh e gjeti veten tek caqet e vetes. Pra ai mbërriti te caku i vetes dhe nji nga caqet e vetes asht dëshpërimi. Pra ai regjim na çoi dhe ne në dëshpërim, dhe për dëshpërimin ku na çoi ai regjim, flitet fatkeqësisht pak. Havzi Nela asht vërtetimi i ktij dëshpërimi. Cili ishte pra caku i ktij njeriu? Ai nuk po e duronte veten e tij, që po duronte. Nuk e duronte ma që ai të vazhdonte me shpresue e me durue dhe kjo e çoi atë deri tek kontakti miqësor me vdekjen. Pra ai u përball me sfidën ma të vjetër, ma primitive të njerëzimit, kundërvumjes jetë vdekje. E gjithë diktatura ishte e mbështetur tek bindja e saj se na nuk do ta duronim këtë sfidë, por do të duronim diktaturën. Mirëpo në kohën kur dëshpërimi i ktij njeriu kishte prekë caqet e vetvetes dhe vetë diktatura kishte mbërritë tek caqet e vetvetes. Asaj po i mbaronte vojguri në kadnil, po i mbaronte bateria, dhe po e shikonte që kishte mbërrit tek stadi i fundit të saj. Dhe asht krejt e çuditshme se si nji diktaturë që e fillon me krime në kohën e hovit të saj djaloshar, e mbylli po me krime edhe në kohën e dekrepitetit të saj, të këputjes së saj, e plakjes së saj. Kjo tregon pra se ne kishim mbi kokë nji diktaturë të pareduktueshme, e cila nuk njofti kurba, ajo ishte një vishkullimë vdekjesh në veshët e gjithë atyne që i kishin veshët. Dhe ky njeri që shkoi atje ku shkoi, me heshtjen dhe indiferencën tonë.







Albina Idrizi: Me poezinë e Havzi Nelës “Po, o Nanë, po”




Kur doli në dritë libri me poezi “Shtatë fletore” i Havzi Nelës, 30 vite pas vdekjes së tij, ky poet martir u ngjall para nesh duke u rilindur varg pas vargu në 5548 vargjet e tij, i afërt dhe i natyrshëm si pas një “simfonie të përgjakur”, siç i quan botuesi i tyre Rexhep Shahu. 

Rezultate imazhesh për rexhep shahu

Rexhep Shahu

U ngjall para syve tanë, i fortë, i vendosur, i pamposhtur në idealin e tij, i patrembur në rrugën që kishte nisur kundër diktaturës ekzistuese, rrugë së cilës i priu me thirrjet e guximshme plot patos kushtrimi:

 “O liri, o vdekje”, apo, ” Ma mirë le t’i mbylli sytë”, etj.

Ajo që më ndali në poezinë “Po, o Nanë, po”, është se po ky martir i paepur, i dënuar, ridënuar e internuar përgjatë dy dekadave të jetës së tij, nëpër këto vargje flet me një gjuhë krejt tjetër.

 Vërtet, po aq të fuqishme sa edhe në poezitë e tjera por, çuditërisht, me një forcë që tani vjen nga butësia e fjalëve. 

Nga ëmbëlsia dhe ndjeshmëria e tyre. Ishte kjo një mahnitje që të merr me vete gjer në adhurim kur sheh se si gjithë ai uragan rreptësie karshi së keqes kthehet në një përgjërim shpirti plot dhembje, mall e dashuri për të ëmën.

Zëri i tij ngjan qetësisht i pajtuar me fatin si për të mos alarmuar nënën e shkretë që në titull: Po, o nanë, po! 
Rezultate imazhesh për “Shtatë fletore” i Havzi Nelës
Ai përshtatet me zemrën e saj, zemrën e nënës, ndaj rrjedh po aq qetë e natyrshëm përgjatë vargjeve si ta kishte përballë duke biseduar, madje edhe atëherë kur rrëfen lemeritë e rënda:

Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,
Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,
E kur lëshova kambën mbrenda me hy,
M”u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!’

Në kohën kur komunizmi numëronte grahmat e fundit nëpër Evropë, poeti paraqet të lodhur e plot keqardhje edhe gazin 69 nën fajin e të bëmave nëpër Shqipëri. 

Të egërsuar më shumë akoma kishin mbetur ata që e drejtonin dhe ndërsenin ate, mbikëqyrësit, kujdestarët, spiunët dhe gjithë bashkëpunëtorët tjerë të regjimit.

Ndoshta e ndjeu veten fajtor,
Pse erdhi e më mori përsëri!
ndoshta i gjori ishte lodhë,
Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.

Ne mësojmë se, të gjitha vargjet poeti i kishte mbajtur në mend me vite të tëra duke i pësëritur në vetvete, me kokën nën jorgan ose në vende ku ishte më i vetmuar, duke i rimuar me anë të gishtave, pa patur mundësi të përdorte laps e letër.

Na bëhet sikur e shohim kruspull, të mbuluar kokë e këmbë nën jorganin e rëndë e të ftohtë të qelisë së Rrëshenit, duke ndjerë vetëm ehun e shpirtit të tij që i kthehet pëshpëritës e miklues me fjalët e njohura të vargjeve. 

Në këto çaste vetmie ai i drejtohet edhe së ëmës, të vetmes qenie në të cilën gjen ngushëllim e së cilës i kthehet me të njëjtën dashuri kur gjithkush tjetër i ikte, i largohej dhe e zhgënjente.

Fjalët e poetit janë aq prekëse thuajse kanë formë, kanë trup, kanë gjymtyrë me të cilat na shkundë edhe sot. 

Ndiejmë sikur me çdo trajtë të tyre e përqafon, e përkëdhelë e i fshin lotin e nxehtë si t’i kërkonte të falur qenies që e krijoi, e mëkoi dhe e rriti pa ia parë asnjë gëzim për të gjallë:

Po, o nanë, po
N’emën të ligjit jam arrestue,
E duert m’i kthyen prapa policët e zi,
n’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!”

Poeti, ky kundërshtar i çeliktë kur kishte të bënte me diktaturën komuniste, është poashtu një qenie e brishtë prej njeriu të vuajtur, i zhuritur për pak ngrohtësi fjale e prehëri të së ëmës, sa herë e kujton ate:

Ka me dasht me t’ pasur pranë,
Ta vështrosh, ta ledhatosh,
E nji fjalë t’ambël me ia dhanë,
Plagët e zemrës t’ia shërosh.

Kështu vijnë vargjet e poezisë, në strofa katërvargëshe me rimë të kryqëzuar ABAB, kryesisht me asonancë të theksuar në fund të tyre, të mbetura ashtu si gjithë poezitë e tjera, për një rishikim të mëvonshëm, më të rregullt e më të detajuar, siç kuptojmë nga fjalët e hasura të poetit, gjë që nuk ndodhi kurrë.

Por, ç’rëndësi kanë gjithë këto përballë ndjenjës që zgjojnë tek ne fjalët e kësaj “biografie në vargje”, siç u quajt me të drejtë. Kujtohuni, një nëne i shkruan i biri. 

Fëmija i saj i pafajshëm i shoqëruar dhe i mbështetur vetëm nga ideali dhe ndershmëria e tij.

 I dërmuar nga torturat dhe poshtërimet më barbare të kohës.

 Djali i saj jetim të cilit iu desh të largohej nga ajo që në fëmijërinë e hershme.

 Poeti ndien keqardhje thua se i kërkon të falur me vargjet:

Ti me mue s’je kënaqun kurrë
N’merak e mall ke qenë përherë,
qysh i vogël dhe sot burrë.

Dhe vazhdon më poshtë:

Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,
shtëpia jonë nuk qeshi kurrë;
Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
Kurrë, o Nana ime, kurrë!

Sepse aty, në vetmi, përballë së ëmës në mendimet e tij, Havzi Nela është thjesht një djalë nëne larg nënës, pa fëmijëri e pa djalëri.

Ajo që tërheq dhemshurisht veshin përgjatë vargjeve, është timbri elegjiak që pëshkon ato ku ngjan sikur ndjehet toni esenian me gjallë je nënoke – n e njohur, me brengën, këshillat e porositë e poezisë “Letër nënës”. 

Pavarësisht se në vende të ndryshme, nga shkaqe, qëllime, kushte e rrethana krejt tjera, të dy poetet kanë një adresë të përbashkët – nënën.

 Ndaj edhe zërat e tyre tingëllojnë në një simbiozë bashkëndiesimi. 

Qetësisht, ëmbël e prajshëm , siç di t’i kthejë edhe nga gjëmimet më bubulluese, hyjnia e një nëne. 

Një nëne që nuk e meriton kurrë të shohë varjen e krijesës së saj.

 Njeriut që bëri dritë në jetët tona me shuarjen e jetës së vet.

 Poetit që na fali pasurinë më të dëlirë në vargje, shpirtbardhësinë e tij.

Vjeshta Letrare e Gjilanit,14 dhjetor 2019


*****


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...