Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/23

Greqia jep datën kur do të hapen kufijtë tokësore dhe detar me Shqipërinë




Greqia vendosi që të shtyjë deri në 15 maj hapjen e kufijve tokësore dhe detare me Shqipërinë, Italinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimit për shtyp, deri në 15 maj, nuk do të ketë asnjë linjë tokësore apo detare me këto vende. Gjithashtu nuk lejohet as qarkullimi i mjeteve turistike, skafe jahte etj.

Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit me pasaportë të këtyre vendeve, të cilët riatdhesohen drejtë vendeve të origjinës, por vetëm nëse plotësojnë deklaratën përkatëse dhe kanë autorizim nga ambasada e vendit përkatës.

Ka shkuar në 105 numri i viktimave nga koronavirusi në Greqi. Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën edhe tre persona, njoftoi përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë për Covid-19, Sotiris Tsiodras.

Ndërkohë u konfirmuan 15 raste të reja dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 2,207.

Sipas Tsiodras, 69 pacientë janë të intubuar, ndërsa 33 pacientë kanë dalë nga terapia intensive.

Kim Jong Un nuk ka dalë që prej 11 Prillit 2020, shërbimet sekrete Amerikane zbulojnë problemet me shëndetin


SHBA po monitoron me ane te sherbimeve sekrete dhe ka arritur ne perfundimin se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është në rrezik të madh pasi i është nënshtruar një operacioni të mëparshëm, sipas një zyrtari amerikan.

Një burim i dytë i njohur me inteligjencën i tha CNN se SH.B.A. ka monitoruar nga afër raportet mbi shëndetin e Kim. Kohët e fundit humbi festimin e ditëlindjes së gjyshit të tij në 15 Prill, gjë që ngriti spekulime në lidhje me mirëqenien e tij. Ai ishte parë katër ditë para kësaj në një mbledhje qeverie. Një zyrtar tjetër amerikan i tha CNN të hënën se shqetësimet për shëndetin e Kim janë të besueshme, por ashpërsia është e vështirë të vlerësohet.

Daily NK, një gazetë në internet me qendër në Korenë e Jugut që përqendrohet në Korenë e Veriut, raporton se Kim raportohet të ketë marrë një procedurë të sistemit kardiovaskular në 12 prill dhe tani po merr trajtim në një vilë në Qarkun Hyangsan.

Pasi vlerësuan se gjendja e Kim ishte përmirësuar, shumica e ekipit mjekësor që po e trajtonte atë u kthyen në Pyongyang më 19 prill dhe vetëm një pjesë e tyre mbeti për të mbikëqyrur situatën e tij të rimëkëmbjes, sipas faqes së lajmeve. CNN nuk është në gjendje të konfirmojë në mënyrë të pavarur raportin.

Një burim i Koresë së Jugut i tha CNN të hënën se drejtuesit më të lartë të vendit janë shumë të vetëdijshëm për raportet në lidhje me gjendjen shëndetësore të Kim, por nuk mund të verifikojnë në mënyrë të pavarur detajet e publikuara nga Daily NK. Burimi pranoi se çështjet e Kim-it lidhur me peshën dhe pirjen e duhanit janë të njohura, por e bëri të qartë se ata janë duke pritur për më shumë informacion.

Shtëpia e Kaltër Presidenciale e Koresë së Jugut tha në një deklaratë të dhënë për gazetarët thane se ata nuk kanë asgjë për të konfirmuar në raportet në lidhje me shëndetin e Kim dhe se “nuk ka shenja të pazakonta”.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut dhe Ministria e Mbrojtjes kanë dhënë “asnjë koment”. Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk pranuan të komentojnë kur u arrit nga CNN të hënën. CNN gjithashtu i është drejtuar CIA-s dhe Departamentit të Shtetit për koment.

Në ndërkohë, zyrtarët amerikanë u janë drejtuar ekspertëve të Koresë së Veriut – veçanërisht ata që kanë studiuar regjimin Kim – të flasin për planifikimin e emergjencave, një burim i tretë i njohur me komunikimet i tha CNN.

Koreja e Veriut kontrollon fort çdo informacion që rrethon liderin e saj, i cili trajtohet pothuajse si një hyjni brenda vendit. Mungesat e tij nga media zyrtare shtetërore shpesh ngjallin spekulime dhe zëra për shëndetin e tij. Koreja e Veriut nuk ka shtyp të lirë dhe shpesh është një vrimë e zezë kur bëhet fjalë për udhëheqjen e vendit. Analistët janë shumë të besuar në skanimin e shpërndarjeve të mediave shtetërore dhe shikimin e videove propaganduese.

Kim u shfaq për herë të fundit në mediat shtetërore të Koresë së Veriut më 11 Prill. 15 Prill – Pushimi më i rëndësishëm i Koresë së Veriut, përvjetori i lindjes së babait themeltar të vendit, Kim Il Sung – erdhi dhe shkoi pa përmendur zyrtarisht lëvizjet e Kim Jong Un.

Presidenti I Kosoves Hashim Thaci kreu sot nje operacion ne veshka pas disa ditesh shqetesime dhe dhimbje, njoftoi Presidenca e Kosoves.



Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës.

Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional”, shkruhet në njoftim.

“Pas përfundimit të këtij intervenimi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë dhe në tërë SHSKUK-në”, shkruhet në komunikatë.

Mesohet se presidenti Hashim  Thaçi ka qene ne nje takim me ambasadore kur i jane shfaqur problemet.

FRITZ RADOVANI / Kush ishte sigurimsi që zgjidhte femrat e bukura për Enver Hoxhën, Kadri Hazbiun dhe Mehmet Shehun


Hilmi Seiti

Në datën 10 maj 1950, rreth orës 22:00, një krismë jo e zakonshme e derës së shtëpisë më zgjoi nga gjumi… Nana doli në korridor dhe pyeti: Kush asht..? U ndigjue një za i panjohtun burri, që tha: “Hape portën, jemi Sigurimi i Shtetit!”. Nana hapi derën dhe, unë ashtu si isha i zhveshun, nga shtrati dola pranë Nanës te dera, tue u dridhë prej frikës, kur hynë tre vetë civila.

Pyeten Nanën se ku asht Alfonsi, i cili, atë kohë mbërriti nga kuzhina. Ai u përgjigj: Qe ku jam!… Ma zeshkani dhe trupmadhi prej tyne, i tha: Jeni i arrestuar si “armik i popullit”, ndërsa dy të tjerët bllokuen dyert për me fillue kontrollin e shtëpisë… Ai që njoftoi arrestimin e vëllaut, ma vonë mësuem se ishte shoferi i njohtun për vepra të tilla, Ahmet Suji, një torturues i pashpirt.
I vuni prangat vëllaut dhe dolën përdere… Vaji i Nanës na topiti aq shumë, sa harruem fare se në duert e kujt përfundoi vëllau maturant 18-vjeçar, që asokohe po përgatitej për provimet e shtetit. Edhe pse isha 10 vjeç, arrestimet e dajave dhe të afërmve na kishin “burrnue” para kohe, tue na formue në shpirt një urrejtje të pashoqe për sistemin diktatorial komunist, që, në Shkodër, asht kenë ma i pamëshirshmi, po edhe ma i mnershmi që ka njohtë historia në krejt Lindjen komuniste europiane.
Të nesërmen edhe vëllau tjetër, Tonini, u përjashtue nga gjimnazi, si një nga “elementët e papajtueshëm me frymën e shkollës së re revolucionare”, shënon në amzën e gjimnazit drejtori hetues Skënder Villa. Unë shkojsha në klasë V, po, të nesërmen, filluen edhe sofratasat që nuk na u ndanë asnjëherë për ma shumë se 40 vjet nga dera e shtëpisë…


Me kë do të mbusheshin 26 burgjet e birucat e Sigurimit të Shkodrës që nga 1946-a?


Rrobaqepësi Filip Daia, tha: “Toskënia paska kenë ma e madhe se Italia..!”, mbasi në të gjitha shtëpijat e Shkodrës nuk kishte një dhomë bosh…të gjitha ishin të mbushuna me oficera e halabakë të mbërthyem në armë e spaleta që kishin ardhë me “ndërtue” socializmin…
Mbas largimit të terroristit Zoji Thëmeli, si kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, në vendin e tij erdhi major Hilmi Seiti. Njihej nga mjaft persona shkodranë, mbasi në vitet e rinisë së tij, aty nga 1939-40, kishte ardhë si student në Shkodër, dhe kishte kenë në konviktin “Malet tona”. Nuk dihej se nga erdhi, as nga shkoi, por njihej i ardhun nga Çamëria…
Dihej se, që në vitet e para mbas 1944-s ishte angazhue me forcat e ndjekjes, që ma vonë u quejt “Sigurimi i Shtetit”, një nga organet e njohtuna terroriste të sistemit komunist shqiptar, që në themelimin e tij, ku, asokohe (1950), punuen me zell shumë nga emnat e njohtun dhe të paharrueshëm për krime, si: Ali Xhunga, Herakli Kocani, Qamil Gavoçi, Qazim Kapisyzi, Fahri Kraja, Rasim Mushani, Rasim Dedja, Shyqyri Çoku, Dul Rrjolli, Xheudet Miloti, Isa Miloti, Çesk Shoshi, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Hamdi Ulqinaku, Fadil Paçrami, Xhemal Selimi, Asllan Lici, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi e Aranit Çelat me shokë… që, nuk lanë gja pa ba mbi rininë e pleqninë shkodrane, vetëm për me zhdukë themelet e traditave atdhetare të vendosuna në shekuj nga kjo qytetari. Pikërisht, asht ajo kohë kur major Hilmi Seiti i drejtohet Ministrisë së Mbrendshme me ket kërkesë nga ana e tij: “Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqind) konviktorë nga Jugu”… (Dosja H. Seiti, Arkivi i M. M. Tiranë, 1998). Asht viti 1949, kur kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, i posaardhun për me zbatue politiken kriminale komuniste, ndien nevojën se i duheshin edhe 100 “konviktorë”, 100 spiunë, 100 agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro të ardhshme të Sigurimit! Pra, duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.
Nuk i mjaftonin të Veriut, po i donte nga “Jugu”… për me realizue veprën e fillueme nga komunistët jugosllavë, që në themelimin e Partisë Komuniste në vitin 1941 prej tyne, vepër e cila do të lante me gjak të gjitha trojet tona, por në mënyrë të veçantë, Veriun, e posaçërisht ato troje që ndër shekuj i kishin ba ballë rrebeshit shovinist sllav e, që nuk u thyen kurrë: Malet e Veriut! “Partia” kje e gatshme me ia plotsue dëshirën, kështu u kompletue grupi i spiunëve në qytetin e Shkodrës dhe, rinia shkodrane do të survejohej e spiunohej nga: Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Çiril Pistoli, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Jonuz Dini, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Xhemal Dini, Sadush Kumbaro, Emil Mborja, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Jani Çomo, Angjelin Kumrija e deri te Bep Jubani me shokë në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës dhe organit të saj terrorist, Sigurimit të Shtetit.
Si të tillë, Sigurimi i dërgoi me krye edhe studime jashtë shtetit, prej nga këta erdhën të “formuem” si spiunë dhe agjentë, tue i shërbye partisë ata vetë bashkë me gra e trashigimtarët e tyne, edhe sot në gjiun e Partisë Socialiste nën maskën e “demokracisë”…
Në vitin 1950, prova e parë e besueshmënisë së Hilmisë ndaj Sigurimit mbas daljes nga burgu të vetë atij, asht kenë arrestimi dhe torturat që ai i ka ba me duert e veta studentave të Shkodrës, që u arrestuen njëherësh më 10 maj: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et’hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoi e, mbas pak ditësh, të Ismail e Olimpi Barutit…dhe, kur Alfonsi u lirue, tregoi se bash ai Hilmi ishte ai që i ka shkulë nga goja dhëmballët me pinca të elektricistit, që komandonte elektroshokun…

Seiti, dhunues i rinisë

Hilmi Seiti asht ndër kryetarët e Degës së Shkodrës, që ka dhunue ma shumë se të gjithë të tjerët rininë shqiptare, tue i detyrue me dajak e tortura me nënshkrue deklarata bashkëpunimi me Sigurimin komunist, tue i premtue vende pune apo “falje” gabimesh në tentativa arratisjeje dhe, asht ndër ma të shquemit që ka shburrnue popullsinë shqiptare në brezin kufitar, tue i detyrue me spiunue jo vetëm njeni-tjetrin, por edhe tue i ba vegla të Sigurimit për shërbime edhe në shumë shtete të hueja, tue fillue nga SHBA-të e deri tek UDBja jugosllave, me të cilën bashkëpunoi deri atë ditë që i hangri kokën… E, për këtë fakt le të flasin mbarë diaspora që ka braktisë Atdheun e trojet shqiptare, e detyrueme me ikë nga votrat e veta shekullore për me ia lëshue shovinizmit e dreqit mallkuem, veç për me shpëtue nga arrestimi i sigurt dhe internimet e familjeve të tyne.
Implikimi i shumë të rinjve me organet e Sigurimit, kur ishin në shërbim ushtarak apo kur rrëmbeheshin nga dëshira e pasioni për sport, rekrutimi i tyne nga ana e Hilmi Seitit, asht kenë dhe mbetët ende sot, jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipninë baza amorale e shkatërrimit të shumë familjeve të nderueme dhe që ka ndikue dhe vazhdon me kenë prap një dam i madh për çështjen tonë kombëtare, mbasi me djallëzi dhe inteligjencë, Hilmia ka ditë ku me prekë dhe ku me shpartallue në mënyrë të pandreqshme edukatën e shkollave fetare të Shkodrës, të cilat janë kenë vatrat kryesore të edukimit moral, kulturor, politik, ekonomik dhe atdhetar për të gjithë popullin shqiptar, pa dallim feje dhe krahine, që në hapjen e dyerve të tyne para vitit 1900.
Nëse ka njeri që ka shkatërrue qindra familje tue i internue dhe tue nxi biografitë e tyne, me aq shumë pasoja për vite të tana asht Hilmi Seiti, i cili në 1954 internoi dhjetëra familje shkodrane në Kuç të Vlonës, shumica e të cilve edhe u burgosën, vetëm se ishin intelektualë. Asht pikërisht ai grup ku përfshihej edhe daja i em, Paulin Pjetër Prennushi, i cili vuejti 4 vjet atje pa asnjë ndihmë nga familja, mbasi së shoqes nuk i epte punë askush, dhe ka jetue vetëm me ndihmën e vëllazenve të saj.
Ndërsa daja tjetër, Mikel Pjetër Prennushi, u arrestue nga Hilmia, në vitin 1952 dhe u torturue nga ai dhe Xheudet Miloti, në mënyrën ma shtazore, se ishte krejt i pafajshëm dhe i kërkohej prej Sigurimit “me pranue se ka lidhje me Muharrem Bajraktarin”, që asokohe qarkullonte në zonat e Vaut të Dejës, ku Mikeli punonte puntorë krahu në rruga-ura. Kjo ngjau prej tij vetëm se Mikeli kishte krye akademinë ushtarake në Itali… dhe, për këtë të dy katilët e dënuen 10 vjet heqje lirie, të cilat i kreu në kampet e shfarosjes…

Ç’fat i priste viktimat e Sigurimit – përbindësh mbas lirimit nga burgu …?

Kazma, lopata, fermat, rrugët, përndjekja, vuejtja, fukarallëku, frika dhe “etiketa” e varun në derën e shtëpisë: “Ky është armik i deklaruar nga lufta e klasave”, firma Hilmi Seiti. Dhe, kjo “etiketë” pasohej nga trashigimtarët e tyne deri në zhdukjen e brezit të vet… Hapni dosjen e tij dhe shihni se pse u gradue “gjeneralmajor” ai qen e bir qeni, kur Enver Hoxha po i përgatiste “qefinin”…? – Pikërisht, sepse aktiviteti i tij plotësoi të gjitha dëshirat dhe trillet e udhëheqësit të partisë, i cili, mbasi kënaqej më këta bisha në haremin e tij, kishte edhe dëshirën me u kënaqë, ashtu si shpjegon në librin e tij, i ndjeri At Konrrad Gjolaj: “Atje Ai (Don Dedë Malaj, shënimi em) kishte pasë rrezik e kishte ra ndër duert e një hamsi njerëzish, njëfarë Nevzat Haznedari, i cili njihej se para se me i pushkatue njerëzit, kishte ajamë (qejf, dëshirë) me u ra me levë kokës dhe me i pa tue u hedhë si pula kur u pret kokën…” (te libri “Çinarët”, faqe 160, viti 1996, Shkodër). Plumbi që Enver Hoxha u jepte miqve të vet ishte shpërblim i partisë për “mirënjohjen” që ai kishte për veprat kriminale të tyne!


Netët me femra në pallatet luksoze dhe “artistët” e Teatrit “Migjeni”

Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e sa katilë të tjerë, nuk e kishin sjellë pa u mendue mirë se kush u duhej atyne në Shkodër, u duhej Hilmi terroristi, që kishte dhanë prova “besnikrije” ndaj Partisë me kohë në labirintet e Ministrisë së Brendshme, që atëherë kur Koçi Xoxe me shokë e dërgonin te burgu i femnave për me zgjedhë “ato” rrezikzeza, me të cilat këta amoralë do të kalonin natën në pallatet e tyne luksoze… dhe, kur morën si shpërblim nga Partia “plumbin kokës”, thoshte pikërisht Ajo… “Nëna Kate”, që kishte mbajtë çelësat e atij burgu: “Morën atë që kanë lipur me kohë ata maskarenj…!”

Dhe, nuk duhet harrue kurrë se i tillë ishte mendimi i shumë e shumë familjeve të ndershme shkodrane, që e njohtën dhe e pësuen ndër votrat e tyne imoralitetin dhe pafëtyrsinë e Hilmi Seitit me shokë…gja, të cilën besoj e kujtojnë mirë të gjithë ata që njohtën spiunin kodosh, Palush Koliqi, apo “aktorët” e Teatrit “Migjeni” atë ditë… të veshuna me vela të zezë, me lot përfaqe, tue shkue mbas arkivolit të Hilmisë… Atë që para tij kërkoi toger Baba, atë i dha “partia” edhe Hilmi Seitit e mbas tij edhe Mehmetit, Kadriut, Feçorrit e me radhë…ashtu, “si i banë hyzmetin, ia ndjenë lezetin”, tha Shkodra atëherë…

Mos ndoshta, ju Enver Kushi, bashkëgjakës i Hilmi Seitit, kur flisni për “burrërinë e tij” me ato bushtrat e teatrit, ju keni dashtë me përfshi edhe gratë e vajzat e nderueme të Shkodrës, që u masakruen dhe u përdhunuen të lidhuna me vargoj anijesh ndër tavolinat e hetuesisë së atyne kriminelave të pamoralë e atdhe, si, Hilmi Seiti, Ahmet Suji, Ferit Mandija, Iljaz Fishta, Nevzat Haznedari, Dhimitër Shkodrani, Xheudet Miloti, kolonel Mehdi Bylbyli, Feçorr Shehu… etj.?

Vdekja e papritur e Hilmi Seitit dhe mallkimi i Plakës që shkonte në kishë

Hilmi Seiti duket se mori mallkimin e asaj Plakës shkodrane që, me shkarpa në dorë, ecte e zdathun te fabrika e makaronave drejt Pazarit të Vjetër. Ndërsa po ruhej nga një makinë “gas” që po fluturonte nga shpejtësia, u hap dera dhe u ndigjue një za i panjohtun: “Vishi nëne, vishi pantoflet, se do të ftohësh e nuk do të të shërojë Zoja e Shkodrës!” dhe Plaka, që po shkonte në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, brinj Kalasë Rozafat, më 25 prill 1960, rreth orës 10:00 paradreke, për meshën e orës 11:00, iu përgjigj atij zani bastard, pa pritë e pa e mendue fare: “Zoja e Shkodrës, jarebi deri nesër të theftë qafën..!”

Një rast i rrallë dhe i veçantë, po me të vërtetë ndodhi. Në datën 26 prill 1960, papritmas u hap lajmi në Shkodër: “Ka vdekë Hilmi Seiti!”. Flitej se Sigurimi kishte kërkue me gjet cila kje ajo Plakë gojëmjaltë, siç e quejti gjithë populli i Shkodrës, por nuk mujti me i ra në të… “Fjala e saj në vesh të Perëndisë…!”. Më datë 27 prill, mbas homazheve në komitetin ekzekutiv të Shkodrës, të gjithë në rresht e pa ba za, as majtas, as djathtas, u drejtuem kah vorrezat e dëshmorve te spitali civil…

27 VJET… PAPA GJON PALI II E SHQIPNIA…


Akademik Fritz Radovani(1940)

Nga Fritz RADOVANI:



Papa Françesku, 5 vjet nga dita kur erdhi për të bekuar Shqipërinë ...


25 PRILL 1993...

Fati i Tokës sonë që thirret Shqipni, dhe i Shqiptarve të Gjergj Kastriotit, asht kenë i lidhun për Eshtnat e Klerit Katolik Shqiptar, gjithmonë besnik ndaj Papës dhe Vatikanit, pra, që në ekzistencën e Katoliçizmit në Shekullin e Parë të Epokës së Re. Kjo besniki e Klerit dhe e ndjekësve të Besimit Katolik në Shqipni asht vlersue dhe vlersohet nga të gjithë Papët e Kishës Katolike Botnore. Merita historike i përket Alpeve sëpse, Ata Male e kanë pague ma shtrenjtë se kushdo qendresën tue fjetë me armë në nënkrejsën shekullore të cungës apo, të gurit palatuem, gja që e dëshmon gjaku i derdhun rrëkajë ndër ato vise heroike.

16 Tetor 1978, si Papë në Vatikan nga Polonia erdhi Gjon Pali II, kur endè zgjedha komuniste ishte mbi Popullin Polak dhe, të gjithë Lindjen komuniste. Që në 1980, Ai tha se, karrshi tokave të lame me gjak Shqiptarësh në Jugun e Italisë n’ Otranto, ku u bane betejat e famëshme kundër pushtuesve turq, “asht prap sot një popull i vogël që po vuen shumë nga diktatura tjetër, asht Populli Shqiptar, për të cilin unë lutem përditë.”

Edi Ramën e emocionoi flamuri shqiptar në avionin e Papës – PORTALB

Ai vjen në Selinë Botnore të Katoliçizmit Dymijvjeçar në Romë, kur komunizmit totalitar “Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”, Ky dhe vetëm Ky, asht misteri i Madhështisë së Tij, sëpse askush para Tij nuk ka mujtë me kuptue sakt anën shpirtnore të Njeriut në sistemin totalitar e, me i zbërthye prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë: “Non abbiate paura!”, “Mos keni frikë!” Ai njeh parimin filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen Liria!”

RETH VIZITES TE PAPA FRANCESCO NE SHQIPERI: :: WWW.SYZEZIPRESS.COM


Kujtoni për një moment takimet dhe bisedat me Reagan dhe Gorbaçov. Asnjë takim nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike, por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të shndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer që porsa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën: “Nënshkruenin marrveshje paqe e dashnije të pakufi për mbarë Njerzimin!” Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila që ndryshoi Historinë Botnore!

Në Kathedralën e Shkodres së dhunueme Papa Gjon Pali II tha: “Historia endè nuk e ka njohë atë që ka ngja në Shqipni. Pra, të dashtun Shqiptarë, drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit Europjan!

Papa Gjon Pali II - Gazeta Vatra

Asht e domosdoshme që Europa mos të harrojë!”…

25 Prill 1993 në Tiranë, perballë Kastriotit Papa tha:

”Shqipni qëndro në naltësinë e kësaj Beteje të Madhe!”…

“Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane e t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat.

Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste.

Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit.
Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë.”

Dhe, në mbyllje Papa tha: “Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm.

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, historike


●Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”

Europa pra, duhet ta dijë o sot, ose kurr mendimin e Papës Polak: Pikrisht, kur Shqipnia edhe i perket Asaj… Dhe, Dardania asht prap perballë “ricoptimit”...

●Papa perkufizon se: “Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”

Mendoj se, Bashkimi Europjan sot i kujton mirë Fjalët e Papës Gjon Pali i II! Po, fatkeqsisht sot Shqiptarët e Shqipnisë e Dardanisë, s’ka kush i drejton n’Europë. Qeveritarve i asht ba truni rilindje komuniste, sllave, anadollake, greke, droge...

E mbi të gjitha: Pabesije!..

Melbourne, 23 Prill 2020.

Papët dhe Nënë Tereza | ILLYRIA


Image result for papa dhe ibrahim rugova


DY TAKIME HISTORIKE





2020/04/17

ANTIAMERIKANIZMI I SHPIFUR I VRASËSVE TË VULLNETIT POPULLOR


Fotografia e Kadrush Radogoshi

Shkruan Kadrush Radogoshi

Individët apo grupet politike destruktive në mungesë të legjitimitetit për të sunduar me individin apo shoqërinë bëjnë lojën e posesivitetit ndaj çdo kategorie supreme, prandaj identifikohen me të për t’i mundur dhe nënshtruar kundërshtarët e tyre, duke i shpallur armiq të kategorisë supreme. Në Kosovën e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar e sidomos në kohën e Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe pas saj, Kosova dhe bota shqiptare në tërësi botën euroatlantike e sidomos SHBA i konsideroi dhe i konsideron si shpëtimtarin e tyre nga gjenocidi i Serbisë. Prandaj, në këtë kontekst, mund të pohojmë me plot gojën se shqiptarët në tërësi dhe ata të Kosovës në veçanti janë populli më pro-amerikanë në botë. Ky pro-amerikanizëm i kosovarëve shqiptarë është fakt i njohur në tërë botën dhe në të gjitha nivelet e saj. Në këtë shkrim do të bëhet definimi i termave “amerikanizëm” dhe “anti-amerikanizëm” dhe keqpërdorimi kriminal i tyre nga udhëheqësit e grusht shtetit në Kosovë më 25 mars 2020.
Sipas Fjalorit të Universitetit të Kembrixhit termi “amerikanizëm” është përdorur për herë të parë në SHBA e më vonë edhe në shtetet tjera të botës e sidomos në ato anglisht folëse. Historia e përdorimit të këtij termi na tregon se gjatë përdorimit ka pësuar ndryshime të shumta në aspektin e zgjerimit dhe të ngushtimit të hapësirës semantike të tij. Fillimisht ky term kishte shtrirje semantike vetëm në sferën linguistike dhe nënkuptonte një fjalë, një togfjalësh, një konstrukt gramatikor apo ndonjë fenomen tjetër, që buronte nga anglishtja amerikane dhe ishte në kontrast me anglishten e britanike. Më vonë termi “amerikanizëm” u zgjerua semantikisht dhe mori nuanca kuptimore, disa prej të cilave i mbajti për një kohë më të shkurt apo më të gjatë. Mendoj se zhvillimi historik i këtij termi nuk paraqet interes parësor për këtë shkrim siç paraqet fusha e sotme e shtrirjes semantike të tij. Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme vënien në spikamë të mendimit të Presidentit të 26-të të SHBA Theodore Roosevelt, "Amerikanizmi është një çështje e frymës, e bindjes dhe qëllimit, jo e fesë ose vendlindjes" (Theodore Roosevelt: True Americanism, The Forum Magazine, April 1894). Prandaj mund të përfundojmë se termi “amerikanizëm” nënkupton devocionin apo lojalitetin ndaj SHBA, ndaj traditave, zakoneve, institucioneve, kulturës, arteve, anës së ndritshme të historisë amerikane. Amerikanizmi nënkupton multikulturalizmin, lirinë dhe barazinë e individëve dhe grupeve shoqërore para ligjit pa marrë parasysh gjininë, fenë, origjinën etnike, racën përcaktimin seksual, po ashtu nënkupton të drejtën e pamohueshme të pronës, modelin autentik të demokracisë dhe aleancën e shteteve tjera me SHBA.
Termi i kundërt me amerikanizmin është “anti-amerikanizëm” (ndjenjë anti-amerikane apo amerikanofobi) dhe sipas Fjalorit të Oxford-it nënkupton armiqësinë ndaj SHBA-së dhe interesave të saj. Sipas botimit të parë të Webster's American Dictionary of the English Language (1828) termi “anti-amerikan” është definuar si kundërshtim ndaj SHBA apo ndaj interesave të vërteta të tyre, por edhe si kundërshtim i revolucionit amerikan. Përdorimi i termit “anti-amerikanizëm” në Francë është kataloguar në vitin 1948, ndërsa në gjuhën e praktikës politike ka hyrë në vitin 1950.
Jam plotësisht i bindur se esenca e këtij shkrimi, keqpërdorimi tendencioz i termit “anti-amerikanizëm” për ta arsyetuar grushtshtetin, mund të kuptohet qartë vetëm nëse ndalemi pak më shumë në interpretimet e këtij termi. Këtyre interpretimeve shpeshherë iu ka munguar saktësia e të kuptuarit të arsyeve të vërteta të kundërshtimit apo edhe më keq arsyeve të vërteta të urrejtjes, prandaj shpeshherë termi ka pasur më shumë karakter impresionist se sa racional e analitik.
Studiuesi i Qendrës së Studimeve të Shteteve të Bashkuara në Australi Brendon O’Conor mendon se "antiamerikanizmi" nuk mund të trajtohet si një fenomen i përhershëm, sepse u krijua si një kompozim i stereotipeve, paragjykimeve dhe të kritikës politike ndaj SHBA. Ndërsa, studiuesi francez Marie-France Toinet thotë se përdorimi i këtij termi mund të jetë i arsyeshëm nëse nënkupton një kundërshtim të vazhdueshëm dhe alergjik për SHBA. Në këtë kontekst mund ta kujtojmë mendimin e William Russell Melton-it se kundërshtimi bazohet në perceptimin se SHBA vepron si polic botëror.
Studiuesi i njohur amerikan Noam Chomsky, i cili i ka parë me sy kritik politikat e SHBA, pohon se përdorimi i këtij termi brenda SHBA na kujton një paralele me metodat e përdorura nga shtetet totalitare, duke e krahasuar këtë term me "anti-Sovjetizmin", një etiketë që përdorej nga Kremlini për të shtypur disidentizmin apo mendimin kritik në atë shtet. Përdorimi i termit “anti-amerikan” në bazë të logjikës së termave “anti-sovjetik”, “anti-komunist” apo “anti-jugosllav” nga kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe “bashibuzukëve” të politikës kosovare dhe mediave televizive po bëhet i nxitur nga instinkte të thella totalitare, por edhe nga qëllimi final i tyre, që nënkupton satanizimin e Albin Kurtit, kundërshtarit politik dhe largimit të tij nga kryesimi i qeverisë e mundësisht edhe nga skena politike. “Pro-amerikanët” e vetëshpallur, të vështruar nga syri kritik i qytetarit kosovar, nuk janë gjë tjetër pos anti-amerikanë të vërtetë sepse veprimet e tyre njëzetvjeçare në skenën politike të Kosovës janë në kundërshtim të plotë me vlerat të cilat i nënkupton termi “amerikanizëm”. Kurse kundërshtari i tyre politik, të cilin e rrëzuan nga pozita e kryeministrit me një grusht shteti në kohën e jashtëzakonshme të pandemisë Covid-19 me arsyetimin se është anti-amerikan, me formimin e tij intelektual dhe politik është shumë më tepër pro-amerikan dhe pro-evropian se të gjithë së bashku. Mendjet e ndritura njerëzore shpeshherë e kanë identifikuar njeriun me fjalën që thotë. Mjafton të krahasojmë gjuhën e komunikimit të Albin Kurtit, mënyrën se si i shtron dhe argumenton tezat, me gjuhën e kundërshtarëve të tij politik për të parë se sa injorantë janë kundërshtarët e tij politikë apo “pro-amerikanët” e shpifur, të cilët vetëm në një aspekt mund të identifikohen me Amerikën e ai është aspekti i “amerikanizmit” të shikuar nga pikëvështrimi i Ku-Klux-Klan-it apo All Kapones.
Duke përfunduar mund të pohojmë me plot gojën se termi “anti-amerikanëzëm” u keqpërdor aq shumë sa që e vrau vullnetin politik të popullit shqiptar të Kosovës të shprehur me votën e tij më 6 Tetor 2019. Një akt i tillë nuk i bën nder as Ambasadorit Grenuell e as Presidentit Trump, të cilët e përkrahën kastën më të korruptuar politike të Evropës për ta shkarkuar një qeveri legjitime dhe për të krijuar një qeveri jo legjitime, e cila është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje katastrofike për Kosovën, të cilën populli i saj nuk do ta pranojë kurrë, prandaj marrëveshja, që po ia impononi Kosovës, në të ardhmen do të jetë një “casus belli” në Evropën Juglindore. Po ndëshkohet shteti viktimë dhe më pro-amerikan dhe po shpërblehet shteti më anti-amerikan Serbia, shkaktare e katër luftërave gjenocidale në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

Albin Kurti tregon a do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit për formimin e qeverisë




Aleanca me SHBA-në është e thellë, zgjedhje pas pandemisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me koronavirus. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti ka thënë se sapo të kalojë pandemia, Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare. Duke folur për marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, Kurti ka thënë se “aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga qeveritë e Republikës së Kosovës as nga kryeministrat e presidentët".

Zoti Kurti, fillimisht kur do ta dërgoni emrin e mandatarit për formimin e qeverisë te presidenti? Keni thënë së shpejti, por a mund të jeni më i saktë?


Albin Kurti: Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t'i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigjje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë.

Kjo çështje bëhet edhe më urgjente marrë parasysh faktin se Kosova dhe e gjithë bota është në luftë me pandeminë?

Albin Kurti: Edhe po të kishim ndonjë qeveri tjetër, nuk do të mund të kishte prioritet tjetër përveç luftimit të pandemisë, dhe jam i bindur se qeveria jonë këtë po e bën shumë mirë edhe tash si qeveri në detyrë pas mocionit të mosbesimit. Pra, urgjenca ekziston për ta luftuar pandeminë, por nuk ka ekzistuar për ta rrëzuar qeverinë dhe aq me pak për të bërë ndonjë lloj manipulimi për qeveri të re siç ka aluduar presidenti.

Zoti Kurti, partitë politike në Kosovë, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur në favor të formimit të një qeverie tash meqë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve aktualisht nuk ka për shkak të pandemisë. A mendoni të jeni kryeministër në detyrë deri në përfundim të pandemisë?

Albin Kurti: Unë mendoj që më së miri është që të gjithë të bëhen bashkë me qeverinë në detyrë dhe me mekanizmat shtetërorë në luftimin e pandemisë dhe posa ta kalojmë këtë krizë shëndetësore të punojmë e urojmë që kjo të ndodhë me sa më pak pasoja, ne të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe më pas të kemi edhe kuvend të ri edhe qeveri të re.

Nuk janë partitë politike ato të parat, të cilat kanë thënë se janë kundër zgjedhjeve, në fakt është vetë presidenti i cili ka shprehur jo vetëm intencën, por edhe planin e tij, për një lloj qeverie të re gjithëpërfshirëse siç është shprehur ai. Pra, bëhet fjalë për një tendencë të presidentit edhe ta formojë edhe ta drejtojë vullnetin politik, që natyrisht është jashtë kompetencave të tij.

Kemi dyfishuar mbështetjen që nga 6 prilli 


Me 2014 në Kuvendin e Kosovës patët deklaruar se republika nuk organizohet rreth të parit në garë, por rreth shumicës së tërësisë. Ku është Lëvizja Vetëvendosje, te e para në garë, apo shumica e tërësisë?

Albin Kurti: Ne jemi të parët në garë dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 e ka imponuar edhe garën zgjedhore në vitet në vijim, deri në ditët e sotme, pa çka se unë konstatoj që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka mangësi e pabarazi dhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka gjithherë drejtësi. Pra, ne jemi ata të cilët i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse mund të mos jemi pajtuar me to dhe e këtillë është situata edhe sot e kësaj dite. Unë respektoj kushtetutshmërinë ndonëse Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e gjykatës Kushtetuese janë larg prej të qenit të përsosur.

Me kë do të përpiqeni që në të ardhmen të krijoni shumicën, sepse aktualisht duket se jeni të vetëm?

Albin Kurti: Kurrë nuk ka qenë mbështetja më e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje sesa sot. Ne kemi shumë më tepër mbështetje si qeveri në detyrë, sesa kur ishim qeveri e posa formuar në muajt shkurt dhe mars. Që nga 6 tetori kur i fituam zgjedhjet e deri tash në fillim të muajit prill, praktikisht është dyfishuar mbështetja për neve. Ne do të hyjmë në garën politike elektorale jo vetëm për të fituar kësaj radhe, por gjithashtu edhe që ta kemi edhe numrin e nevojshëm e të mjaftueshëm të deputetëve për të formuar qeverinë e radhës. Mirëpo, nuk mund të flitet tash për koalicionet e ardhshme, kur nuk i kemi ende zgjedhjet e shpallura dhe pas asaj se çfarë na ndodhi me braktisjen e orientimit tonë qeveritar të përbashkët nga partneri ynë i koalicionit.

Kur jemi te pandemia, më 13 prill hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit hidhet poshtë vendimi i qeverisë për lëvizjen e kufizuar në Kosovë. Çka do të ndodhë më 13 prill, do të shpallni gjendje të jashtëzakonshme?

Albin Kurti: Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, i cili është me përplot siklet brenda. Ky është një aktgjykim, i cili neve na konteston procedurën por jo edhe përmbajtjen. Prandaj, ata na e kanë dhënë njëkohësisht lejen që ne të vazhdojmë me masat tona deri me datën 13 prill. Me vendim të qeverisë ne e kemi formuar një grup punues nga katër ministra, nga Shëndetësia, Punët e Brendshme, Infrastruktura e Mjedisi dhe Administrimi i Pushtetit Lokal, pra zotërinjtë Vitia, Sveçla dhe Abdixhiku, sikurse dhe zonja Rexhepi, në mënyrë që të komunikojnë dhe bashkëpunojnë dhe vendosin bashkë me kryetarët e komunave lidhur me masat që do t’i ndërmarrin në secilën komunë, pasi që gjendja në ato dallon shumë prej njëra-tjetrës.

Pra, tash është Ministria e Shëndetësisë, por edhe këto tri ministritë tjera, të cilat do t’i vendosin masat për ditët dhe javët në vijim. Shpresoj jo më larg se muaji prill me qenë se në maj ka shenja se do të mund të dalim nga kjo kriza e pandemisë.


Në Kosovë ende ka struktura të Serbisë

A ka Kosova nevojë për gjendje të jashtëzakonshme?

Albin Kurti: Në Kosovë, ne i kemi ndërmarrë masat e jashtëzakonshme, por nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme sepse nuk ka kolapsuar sistemi shtetëror, sepse mekanizmat, institucionet dhe organet e shtetit janë duke i kryer detyrat, të cilat ua ka dhënë qeveria. Në këtë mënyrë nuk ka dështim të sistemit që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme. E kemi shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë dhe kemi lëvdata edhe brenda vendit, por që besa edhe jashtë, se jemi një shtet shembullor në përballje me pandeminë e koronavirusit.

Jeni akuzuar nga partitë politike në vend, përfshirë këtu edhe partnerin tuaj në koalicionin qeverisës, për menaxhim të dobët të situatës në veri. Sa në fakt e keni nën kontroll situatën atje?

Albin Kurti: Nuk mund të them që situata në veri të Kosovës ka qenë ndonjëherë e kontrolluar siç duhet dhe sa duhet që prej çlirimit e këtej. Shpallja e Pavarësisë nuk e ka ndryshuar fort gjendjen tash e 12 vjet, dhe qeveria jonë, e cila nuk i kaloi as dy muaj të plotë dhe erdhi mocioni i mosbesimit, nuk mund të jetë përgjegjëse për gjendjen që e kemi gjetur aty.

Natyrisht, Serbia ka ndikim më shumë dhe vepron më aktivisht në veri të Ibrit, mirëpo unë kam komunikuar me kryetarët e komunave me shumicë serbe, të gjitha ato dhe sidomos ministri i Shëndetësisë, por edhe ai që është ushtrues detyre i Punëve të Brendshme, kanë komunikuar dhe bashkëpunuar me këto komuna dhe i kemi marrë vendimet të cilat zbatohen. Nuk them që nuk ka edhe vendime të Serbisë, që pjesërisht e nganjëherë nuk zbatohen ndokund, meqenëse ende ka struktura të Serbisë në Kosovë, por ne nuk mund të ndryshojmë këtë gjë brenda pak javësh, e aq më tepër në kuadër të kësaj pandemie të koronavirusit. Ne përkundrazi, po përpiqemi që pavarësisht dallimeve etnike, rajonale e partiake, të bëhemi bashkë me të gjithë të tjerët në këtë frontin kundër koronavirusit, i cili përndryshe qysh dihet nuk na dallon neve në bazë të etnisë, komunës apo partisë.

A mendoni se mund t’i bëni ballë, në cilësinë e qeverisë në detyrë, fuqizimit të strukturave të Serbisë në veri?

Albin Kurti: Nuk besoj që ka ndonjë fuqizim të strukturave të Serbisë shumë më tepër sesa që ato veprojnë zakonisht dhe le të mos harrojmë që një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve serbë në Kosovë i kanë nga dy kapela apo nga dy karrige ka një lloj dualizmi i cili është i pashëndetshëm. Mirëpo, po them edhe një herë, nuk kemi mundësi që të gjitha këto t’i ndryshojmë përnjëherë e aq më pak në kuadër të kësaj pandemie, e cila është një situatë krejtësisht e re për shtetin dhe për shoqërinë tonë, me të cilën nuk kemi përvojë e megjithatë po ia dalim relativisht mirë.

Aleanca me SHBA-në nuk varet nga kryeministrat e presidentët

Pandemia është shfrytëzuar nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë për të përçuar thirrje te elita politike në Kosovë, që të lë mënjanë ndasitë. Por, edhe komuniteti ndërkombëtar ka qenë i ndarë, në raport me zhvillimet politike në Kosovë. Në njërën anë Shtetet e Bashkuara dhe në anën tjetër vendet e Bashkimit Evropian. Qëndrimet tuaja janë rreshtuar kryesisht me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe mbi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Pse nuk jeni rreshtuar me SHBA-në?

Albin Kurti: Nuk është se unë jam rreshtuar me ndokënd dhe nuk mendoj që askush është rreshtuar me mua. Politikanë, diplomatë të ndryshëm kanë qëndrime, mendime të ndryshme, mendime të ndryshme brenda Bashkimit Evropian po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë jam zotuar para qytetarëve për zëvendësimin e tarifes 100 për qind me reciprocitetin dhe këtë e kam mbajtur, kam shprehur vullnetin e mirë duke hequr reciprocitetin fillimisht për lëndë e parë të importuar nga Serbia, nuk është që edhe pas heqjes së tarifës ka ndonjë trafik të shtuar me Serbinë. Mirëpo, unë besoj që reciprociteti është rruga e duhur përpara si koncept i barazisë, si koncept i trajtimit pa diskriminim, as ne Serbinë por as ajo neve.

Pse nguroni të përmbushni kërkesën e SHBA-së për reciprocitetin? Aleanca me Uashingtonin gjithnjë është cilësuar si e shenjtë në Kosovë.

Albin Kurti: Unë jam i bindur që aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga Qeveritë e Republikës së Kosovës, as nga kryeministrat e presidentët. Kjo është një gjë shumë më e thellë e cila ka të bëjë edhe me historinë, ka të bëjë edhe me gjeopolitikën. Por, ka të bëjë edhe me vlerat e përbashkëta. Prandaj, fakti që ne mund të kritikojmë njëri-tjetrin nuk është dobësi.

Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për një Kosovë të fuqishme, për një Kosovë e cila e mbron interesin e vet dhe në këtë mënyrë edhe e forcon aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk besoj që shteti i dobët i Kosovës jep kontribut më shumë në aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shteti i Kosovës forcohet pikërisht duke pasur respekt për vete, e duke ndërtuar marrëdhënie reciproke me të tjerët, në radhë të parë me Serbinë.

Zoti Kurti, keni diçka për të shtuar për në fund?

Albin Kurti: Unë i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të ndjekin me vëmendje vendimet e qeverisë në këtë kohë pandemie si dhe udhëzimet e mjekëve e të ekspertëve tanë. Virusi nuk ka këmbë të vetat, por i shfrytëzon këmbët tona dhe përhapet. Ne nuk e kemi nivelin e kënaqshëm të sistemit shëndetësorë publik andaj le të bëjnë gjithçka, tërë kohën në çdo vend për parandalimin e këtij virusi e më pastaj me siguri që do t’i japim hov edhe reformave të shumta edhe progresit të gjithmbarshëm në vendin dhe shoqërinë tonë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...