Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/17

ANTIAMERIKANIZMI I SHPIFUR I VRASËSVE TË VULLNETIT POPULLOR


Fotografia e Kadrush Radogoshi

Shkruan Kadrush Radogoshi

Individët apo grupet politike destruktive në mungesë të legjitimitetit për të sunduar me individin apo shoqërinë bëjnë lojën e posesivitetit ndaj çdo kategorie supreme, prandaj identifikohen me të për t’i mundur dhe nënshtruar kundërshtarët e tyre, duke i shpallur armiq të kategorisë supreme. Në Kosovën e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar e sidomos në kohën e Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe pas saj, Kosova dhe bota shqiptare në tërësi botën euroatlantike e sidomos SHBA i konsideroi dhe i konsideron si shpëtimtarin e tyre nga gjenocidi i Serbisë. Prandaj, në këtë kontekst, mund të pohojmë me plot gojën se shqiptarët në tërësi dhe ata të Kosovës në veçanti janë populli më pro-amerikanë në botë. Ky pro-amerikanizëm i kosovarëve shqiptarë është fakt i njohur në tërë botën dhe në të gjitha nivelet e saj. Në këtë shkrim do të bëhet definimi i termave “amerikanizëm” dhe “anti-amerikanizëm” dhe keqpërdorimi kriminal i tyre nga udhëheqësit e grusht shtetit në Kosovë më 25 mars 2020.
Sipas Fjalorit të Universitetit të Kembrixhit termi “amerikanizëm” është përdorur për herë të parë në SHBA e më vonë edhe në shtetet tjera të botës e sidomos në ato anglisht folëse. Historia e përdorimit të këtij termi na tregon se gjatë përdorimit ka pësuar ndryshime të shumta në aspektin e zgjerimit dhe të ngushtimit të hapësirës semantike të tij. Fillimisht ky term kishte shtrirje semantike vetëm në sferën linguistike dhe nënkuptonte një fjalë, një togfjalësh, një konstrukt gramatikor apo ndonjë fenomen tjetër, që buronte nga anglishtja amerikane dhe ishte në kontrast me anglishten e britanike. Më vonë termi “amerikanizëm” u zgjerua semantikisht dhe mori nuanca kuptimore, disa prej të cilave i mbajti për një kohë më të shkurt apo më të gjatë. Mendoj se zhvillimi historik i këtij termi nuk paraqet interes parësor për këtë shkrim siç paraqet fusha e sotme e shtrirjes semantike të tij. Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme vënien në spikamë të mendimit të Presidentit të 26-të të SHBA Theodore Roosevelt, "Amerikanizmi është një çështje e frymës, e bindjes dhe qëllimit, jo e fesë ose vendlindjes" (Theodore Roosevelt: True Americanism, The Forum Magazine, April 1894). Prandaj mund të përfundojmë se termi “amerikanizëm” nënkupton devocionin apo lojalitetin ndaj SHBA, ndaj traditave, zakoneve, institucioneve, kulturës, arteve, anës së ndritshme të historisë amerikane. Amerikanizmi nënkupton multikulturalizmin, lirinë dhe barazinë e individëve dhe grupeve shoqërore para ligjit pa marrë parasysh gjininë, fenë, origjinën etnike, racën përcaktimin seksual, po ashtu nënkupton të drejtën e pamohueshme të pronës, modelin autentik të demokracisë dhe aleancën e shteteve tjera me SHBA.
Termi i kundërt me amerikanizmin është “anti-amerikanizëm” (ndjenjë anti-amerikane apo amerikanofobi) dhe sipas Fjalorit të Oxford-it nënkupton armiqësinë ndaj SHBA-së dhe interesave të saj. Sipas botimit të parë të Webster's American Dictionary of the English Language (1828) termi “anti-amerikan” është definuar si kundërshtim ndaj SHBA apo ndaj interesave të vërteta të tyre, por edhe si kundërshtim i revolucionit amerikan. Përdorimi i termit “anti-amerikanizëm” në Francë është kataloguar në vitin 1948, ndërsa në gjuhën e praktikës politike ka hyrë në vitin 1950.
Jam plotësisht i bindur se esenca e këtij shkrimi, keqpërdorimi tendencioz i termit “anti-amerikanizëm” për ta arsyetuar grushtshtetin, mund të kuptohet qartë vetëm nëse ndalemi pak më shumë në interpretimet e këtij termi. Këtyre interpretimeve shpeshherë iu ka munguar saktësia e të kuptuarit të arsyeve të vërteta të kundërshtimit apo edhe më keq arsyeve të vërteta të urrejtjes, prandaj shpeshherë termi ka pasur më shumë karakter impresionist se sa racional e analitik.
Studiuesi i Qendrës së Studimeve të Shteteve të Bashkuara në Australi Brendon O’Conor mendon se "antiamerikanizmi" nuk mund të trajtohet si një fenomen i përhershëm, sepse u krijua si një kompozim i stereotipeve, paragjykimeve dhe të kritikës politike ndaj SHBA. Ndërsa, studiuesi francez Marie-France Toinet thotë se përdorimi i këtij termi mund të jetë i arsyeshëm nëse nënkupton një kundërshtim të vazhdueshëm dhe alergjik për SHBA. Në këtë kontekst mund ta kujtojmë mendimin e William Russell Melton-it se kundërshtimi bazohet në perceptimin se SHBA vepron si polic botëror.
Studiuesi i njohur amerikan Noam Chomsky, i cili i ka parë me sy kritik politikat e SHBA, pohon se përdorimi i këtij termi brenda SHBA na kujton një paralele me metodat e përdorura nga shtetet totalitare, duke e krahasuar këtë term me "anti-Sovjetizmin", një etiketë që përdorej nga Kremlini për të shtypur disidentizmin apo mendimin kritik në atë shtet. Përdorimi i termit “anti-amerikan” në bazë të logjikës së termave “anti-sovjetik”, “anti-komunist” apo “anti-jugosllav” nga kryetari i Kosovës Hashim Thaçi, nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe “bashibuzukëve” të politikës kosovare dhe mediave televizive po bëhet i nxitur nga instinkte të thella totalitare, por edhe nga qëllimi final i tyre, që nënkupton satanizimin e Albin Kurtit, kundërshtarit politik dhe largimit të tij nga kryesimi i qeverisë e mundësisht edhe nga skena politike. “Pro-amerikanët” e vetëshpallur, të vështruar nga syri kritik i qytetarit kosovar, nuk janë gjë tjetër pos anti-amerikanë të vërtetë sepse veprimet e tyre njëzetvjeçare në skenën politike të Kosovës janë në kundërshtim të plotë me vlerat të cilat i nënkupton termi “amerikanizëm”. Kurse kundërshtari i tyre politik, të cilin e rrëzuan nga pozita e kryeministrit me një grusht shteti në kohën e jashtëzakonshme të pandemisë Covid-19 me arsyetimin se është anti-amerikan, me formimin e tij intelektual dhe politik është shumë më tepër pro-amerikan dhe pro-evropian se të gjithë së bashku. Mendjet e ndritura njerëzore shpeshherë e kanë identifikuar njeriun me fjalën që thotë. Mjafton të krahasojmë gjuhën e komunikimit të Albin Kurtit, mënyrën se si i shtron dhe argumenton tezat, me gjuhën e kundërshtarëve të tij politik për të parë se sa injorantë janë kundërshtarët e tij politikë apo “pro-amerikanët” e shpifur, të cilët vetëm në një aspekt mund të identifikohen me Amerikën e ai është aspekti i “amerikanizmit” të shikuar nga pikëvështrimi i Ku-Klux-Klan-it apo All Kapones.
Duke përfunduar mund të pohojmë me plot gojën se termi “anti-amerikanëzëm” u keqpërdor aq shumë sa që e vrau vullnetin politik të popullit shqiptar të Kosovës të shprehur me votën e tij më 6 Tetor 2019. Një akt i tillë nuk i bën nder as Ambasadorit Grenuell e as Presidentit Trump, të cilët e përkrahën kastën më të korruptuar politike të Evropës për ta shkarkuar një qeveri legjitime dhe për të krijuar një qeveri jo legjitime, e cila është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje katastrofike për Kosovën, të cilën populli i saj nuk do ta pranojë kurrë, prandaj marrëveshja, që po ia impononi Kosovës, në të ardhmen do të jetë një “casus belli” në Evropën Juglindore. Po ndëshkohet shteti viktimë dhe më pro-amerikan dhe po shpërblehet shteti më anti-amerikan Serbia, shkaktare e katër luftërave gjenocidale në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar.

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...