Dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të lënë mënjanë rivalitetet kombëtare, në mes të pandemisë globale Covid-19. Situata është aq e vështirë sa Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon “rezultatin më të keq ekonomik” që nga Depresioni i Madh.
Pekini dhe Uashingtoni duhet të punojnë së bashku, por a janë ata të gatshëm?
Depresioni i Madh i viteve 1930 duhet të jetë një shembull i asaj që ndodh kur vendet nuk arrijnë të bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Vendet kërkonin të fitonin përparësi kombëtare, duke vendosur taksa për importet, siç ishte Akti i Tarifave Smoot-Hawley i SHBA-së, në vitin 1930, akt i cili nxiti masa hakmarrëse nga vendet e tjera.
Sigurisht, është e vështirë të pritet që rivalitetet të zhduken gjatë një pandemie, por çështje të tilla mund të lihen mënjanë për disa kohë. Edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Sh.B.A kuptuan se ishte në interesin e tyre ekonomik dhe shëndetësor të punonin së bashku për të zhvilluar një vaksinë kundër poliomielitit në vitet 1950 dhe sëmundjes së lisë në vitet 1960-1970.
Për çështjen e luftimit të Covid-19, Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, tashmë ka bërë publik mendimin e tij se Kina dhe SHBA, duhet “të bashkohen dhe të luftojnë këtë armik të rrezikshëm. Kur ka përçarje në nivel kombëtar dhe global, virusi fiton betejën’’.
Por bashkëpunimi Kinë-SHBA është gjithashtu i nevojshëm në sferën ekonomike. Ekonomia e parë që u godit nga koronavirusi është Kina, ajo do të jetë gjithashtu e para që do të rikuperohet, por perspektivat ekonomike kineze do të jenë më pozitive, nëse ekonomia botërore forcohet.
Të dhënat e publikuara të premten e kaluar, tregojnë se çmimet e disa produkteve kineze, ranë me një ritëm më të shpejtë në mars. Është e qartë se pandemia vazhdon të pengojë prodhuesit kinezë. Përhapja e vazhdueshme e koronavirusit në të gjithë botën dhe dëmtimi i aktivitetit ekonomik global, i shkaktuar nga izolimet, mbylljet dhe përpjekjet e tjera për kontrollimin e virusit, nuk do të ndihmojnë situatën.
Nuk është sekret që Kina dhe SHBA kanë pasur dallime thelbësore në lidhje me çështjet e mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Prandaj nuk është për t’u habitur që muajin e kaluar, mbështetja e SHBA.-së ishte thelbësore në emërimin e Daren Tang Heng Shim, nga Singaporti, si drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Pronës Intelektuale (Wipo), të Kombeve të Bashkuara. Tang kishte kundërshtar, kandidatin Wang Binying nga Kina.