Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se deklarata e tij për “virusin kinez” për javë të tëra ishte një strategji kundër-propaganduese për të luftuar pretendimet kineze se ushtarët amerikanë sollën koronavirusin e ri (COVID-19) në Wuhan.
Duke folur në programin televiziv “Fox & Friends”, Trump tha se çdo vend, përfshirë SHBA-të dhe Kinën, bëjnë propagandë për të minuar rivalët e tyre.
“Ata (Kina) e bëjnë atë dhe ne e bëjmë atë. Ne i quajmë ato gjëra të ndryshme dhe ju e dini unë bëj deklarata që janë shumë të forta kundër Kinës, përfshirë ‘virusin kinez’, që ka vazhduar për një kohë të gjatë. Dua të them, unë nuk do të thoja se janë të tronditur me atë deklaratë”, deklaroi Trump.
Trump tha se kur zyrtarët kinezë filluan të thonë “ushtarët e tu e bënë atë”, ai për të reaguar i pyeti ata “E keni fjalën për virusin kinez”.
“Atëherë papritur, ata kërkojnë dhe thonë le të flasim me mirësjellje”, tha Trump, duke pretenduar se strategjia e tij e komunikimit ka funksionuar.
Disa përdorues të platformës kineze të mediave sociale “Weibo” kanë pohuar se koronavirusi u paraqit në Kinë kur 300 anëtarë ushtarakë amerikanë arritën në rajonin Wuhan për Lojërat Botërore Ushtarake në mes të tetorit dhe infektuan popullsinë lokale.
Sipas zyrtarëve amerikanë, asnjë nga anëtarët e shërbimit amerikan që udhëtuan nuk janë testuar pozitivë ndaj koronavirusit.
Specialisti kinez i frymëmarrjes, Zhong Nanshan, në një konferencë për media në muajin shkurt deklaroi se “megjithëse COVID-19 u zbulua për herë të parë në Kinë, nuk do të thotë se virusi është me origjinë nga Kina”.
Më herët në muajin mars, Zhao Lijan, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, në llogarinë e tij në twitter fajësoi drejtpërdrejtë SHBA-të.
“Kur doli ‘pacienti zero’ në SHBA? Sa njerëz janë infektuar? Mund të jetë ushtria amerikane që solli epideminë në Wuhan. Bëhuni transparent! Publikoni të dhënat tuaja! SHBA na ka borxh një shpjegim!”, shkroi Lijan.
Në shenjë hakmarrje, Trump dhe disa ligjvënës republikanë javë të tëra etiketojnë koronavirusin si “virusi kinez” ose “virusi Wuhan”.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA, virusi COVID 19 ka kapluar botën.