Ky është njëri nga përfundimet në të cilat ka ardhur një hulumtim i përgatitur nga organizata jofitimprurëse në Kosovë, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), me titull “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”.
Qëllimi i këtij raporti ka qenë vlerësimi i perceptimit të qytetarëve mbi punën e institucioneve të sistemit të drejtësisë ndër vite, duke përfshirë gjykatat, prokuroritë, policinë dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë .
Hulumtuesja e GLPS-së, Aurora Mullatahiri e cila shpalosi gjetjet e këtij raporti tha se shumica e qytetarëve të anketuar, besojnë se politikanët në Kosovë kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga organet e drejtësisë.
“Sa i përket ndikimit politik për vitin 2019, rreth 65.2 për qind e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 10.3 për qind prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë. Në krahasim me vitin e kaluar trendi është pozitiv pasi që kemi një rënie prej 5.5 për qind të besimit se politikanët janë të pandëshkueshëm. Megjithëse shikuar si tërësi ky indikator tregon se më shumë se gjysma e popullsisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia”, tha Mullatahiri duke cituar raportin në fjalë.
Tutje raporti vë në pah se “qytetarët i besojnë më së paku gjykatave, sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika në 34.4 për qind të rasteve”. Ndërsa organin më pak të influencuar politikisht qytetarët e anketuar e konsiderojnë policinë me 18.4 për qind.
“Sa i përket çështjes së efektivitetit në luftimin kundër korrupsionit, qytetarët kanë besuar se Prokuroria është më pak efikase (4.5 për qind efikase), e pasuar nga gjykatat (5.5 për qind efikase), dhe mendojnë se Policia në 29.6 për qind të rasteve, është efikase në luftimin kundër korrupsionit”, tha Mullatahiri.
Të pyetur se ku do ta raportonin në rast të hasjes së ndonjë rasti të korrupsionit apo krimit, 78.7 për qind kanë thënë se do të zgjidhnin policinë, 9.2 për qind mediat, ndërsa 6.3 për qind Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Ky raport vë në pah gjithashtu që edhe gjatë këtij viti ka pasur rritje për 3.9 për qind më shumë të qytetarëve të cilët mendojnë se mandati i EULEX-it nuk duhet të vazhdojë, dukë bërë që 48.1 për qind të të anketuarve të kenë këtë qëndrim, ndërsa 23.8 për qind nuk ishin të sigurt se çfarë duhet të ndodhë me të, kurse 28.1 për qind kanë thënë se ky mandat duhet të zgjatet.
Anketa e realizuar nga GPLS ka përfshirë mbi 1,000 qytetarë, me përkatësi shqiptare, serbe dhe pjesëtarë të komuniteteve tjera.