Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/25

Romario Xhaferri: Melodi trishtimi


Picture
Shënim i botuesit

“A do bëhet ëndrra ime?”

Në këto kohë të vështira për librin hyrja e një poeti në derën e botuesit e dyfishon sikletin e këtij të fundit, kur kujton episodet e përsëritura me tregtarët (termi “libër-ar” nuk vlen në tregun shqiptar) e librit, të cilët kanë ngritur një pritë disashkallëshe: për librat me poezi nuk e kalon dot as trotuarin e kioskës, jo më të ofrohesh!
Por takimi me poetin Romario Xhaferrin, një student i filozofisë në Tiranë, më kujtoi fëmijërinë dhe rininë time kur, para librave, sidomos atyre me poezi, gati harroja të haja vaktin e radhës. Ndryshe nga shumica e fëmijëve dhe të rinjve të sotëm, të cilët për librat dhe dijen sot (ashtu si për punën nesër) kanë të njëjtin raport që “Ufo”-t kanë me planetin tonë (më duket gjetje gjeniale ajo që një biznesmen themeloi një universitet me këtë emër), Romario më befasoi me pasionin për artin dhe letërsinë. Edhe ai m’u duk si “Ufo”, por në sensin e kundërt, një poet, natyrisht në fillimet e rrugës, të cilin mund ta ilustroje me atë që Shekspiri thotë diku në tragjeditë e tij: “Kjo botë u shthur, o prapësi, o dreq!/ Që paskam lindur të të ndreq!”, një mision ky i përhershëm i të gjithë poetëve dhe artit në përgjithësi. Dhe, për çudi, ndër fjalët çelësa të këtij poeti të ri janë “ëndrrat”, “hijet”, “fantazmat”, “makthet”, “pasqyrat”, “varret”, “engjëjt”, “djajtë” etj. Në poezinë me titull “Vdes për ty, jeto për mua”, Romario duket se thotë për veten: Ti nuk je në rregull,/Më thoshin të gjithë,/Te unë kish’ mjegull,/E mjegull jam sërish”.
Natyrisht, duke patur parasysh moshën e poetit (ka lindur në Lushnjë, më 27 prill 1994, dhe këto ditë mbush 20 vjeç), një pjesë jo e vogël e vjershave lidhen me shqetësimet e moshës, me (mos)realizimin e dashurisë apo ndjenjës. Por, sipas meje, edhe pse duhet të ishte e kundërta, poezitë e tij më të mira nuk janë ato të ndjenjës apo që lidhen me moshën (madje, disa prej të cilave mund të shmangeshin nga botimi), por poezitë meditative, ku gjetjet apo detajet poetike përcjellin mesazhe dhe kumte të karakterit filozofik apo social. Si, për shembull, në poezinë me titull “Vallë”: “Në mendje të maleve,/Vallë, është dielli?/Në zemër të detit,/Vallë, është qielli?// Në thelb të përrallave,/Vallë, është mbreti?/E në qendër të qiellit,/Vallë, është deti?...”; në poezinë “Engjëll apo djall”: “…/ Jam sinonim i të mirës në sytë e mi,/Jam sinonim i të keqes në sytë e mi tek ti./S’më kupton? As unë veten.//...Është djall ai engjëll që kundërshton,/Apo engjëll ai djall që pranon?!”; në poezinë “Ishulli i vdekjes”: “Ecja në ishullin e vdekjes, si ecja në majë t’tehut t’thikës./E kafshë nuk ka, janë veç pasqyrimet e shformuara t’njerëzve...”; në poezinë “Tek tymosja një cigare”: “Tek tymosja një cigare,/Në kafenenë e përhershme,/Zemra m’rrahu si kurrë më parë,/M’erdhën fjalë të pandreqshme.//Krejt papritur rrodhën lotët,/E zemra krejt u nda,/Sa shpejt që prishen botët,/Nga një fjalë që thjesht u tha”; në poezinë “Njerëz”: “Mallkoj veten që jam pjesë e kësaj sage kanibale./ Shpresëthithës të ndyrë, aq sa mishi u vjen erë,/Kët’ tokë t’pafajshme e shndërruan në gërmadhë”;  në poezinë “Valixhja me ëndrra”: “Një valixhe me ëndrra ma shqyen tmerret,/E vajtoj valixhen si toka diellin kur terret,/Vazhdoj të eci me valixhen e shqyer,/Ashtu t’çjerr në zemër e mbaj ngjitur,/ Kam shumë arsye për të urryer,/Por vendosa, valixhen ta mbaj për tu ngritur”.
Por ka disa poezi tek te cilat mund të dallosh lehtë mesazhe të përcjella me një finesë të veçantë si tek “Britma”, ku poeti zbulon: “Një zë i çjerrë e një oshtimë shurdhuese,/Përhapet si jehonë në boshësinë e mendjes time,/E nuk mund të gjej asnjë rrugëdalje shpëtuese,/Nga kjo britmë të çliroj cektësinë e qenies sime” apo tek “Makthi...”: “Po sikur të zgjohem një ditë,/Dhe gjithçka të ketë ndryshuar,/Po sikur koha t’mos m’ket’ prit’,/Dhe përpara t’ketë vazhduar.//Po sikur jeta t’më ketë braktisur,/Në këtë vend pa rend,/ E jeta t’mos më kujtohet si ka nisur,/Si një endacak rrugëve të end...”.  Në një poezi me referencë të kuptueshme për shoqëritë nën diktat, Romario thotë: tek “Arkëmortin e ndërtoj vetë”: “Fati s’më deshi dhe ju ma dirigjuat gjith’ kët’ jetë,/M’vjen keq gjakthithës, por arkëmortin e ndërtoj vetë”; kurse tek “Përralla nga fundi i botës”: “Demonin gjakthithës-njeri, thonë, e panë, thithte,/Gjakun e njerëzve pa mëshirë, thjesht veç uri,/Që ushtrinë demoniake djallit t’ia përgatiste,/E do t’na ribënte gjersa t’mos kish më njerëzi.//Të gjithë të zezat, thonë, i panë, na prisnin,/Në hije të fshehur na qëndronin sipër kokës,/Çudi si ndonjëherë mund dhe të të habisin,/Këto përralla që vijnë nga fundi i botës”. Kurse për Shqipërinë e kaosit shkruan: “Ku po shkoni, o mjeranë? Në këtë tokë pa bimë e farë,/Ktheni kokën e anash shihni; shihni trutë si u janë përtharë./Në luginën e mbushur me njerëz pa kokë, pa besë,/Thuamni, këtu dielli do lindë apo errësirë do mbesë?”. Poeti është i zoti që me pak fjalë të portretizojë tipa të tillë, si: “Frika do të të pushtojë, nga koka te thembra./E, si i ngrirë, nën vuajtje do të mbesësh,/Nën thumbimin e frikës i gjallë do të vdesësh.//Më thuaj, thuamë tani, a ke frikë?!” Apo: “E, mos thuaj unë vendos mbi dhimbjet,/ Ashtu si zoti bekon botën me lindjet,/ Se ti flet e tremb, por ti dot nuk dënon,/ T’ishe engjëll qeshje, por qan që s’je demon”. Më tej: “Të gjithë janë vrasës, të hedhin hi syve,/ E ti s’mund t’i ndalësh; u përket atyre”.
Në një nga poezitë e para që lexova nga Romario Xhaferri, ajo me titull “I zënë në shtatë pasqyra”, gjeta dy vargje të shpërndara, por që unë po i bashkoj: “A do të bëhet ëndrra ime?... Më jep ti një shenjë...”. Duke lexuar, pastaj, të gjithë librin e parë me poezi të Romario Xhaferrit mund të thuash me bindje se “shenjat” e tij janë të mbara, ndonëse duhet thënë që ka përpara një rrugë të mundimshme që shumë e nisin por pak ia dalin në krye. Problemi është tamam ashtu si e thotë bukur Romario: “E fjalët e mia mbahen në një fije,/Të jem si ju, a të jem një hije?!”. Me bindjen se Romario Xhaferri nuk do të jetë “një hije”, por “do të bëjë hije” në letrat shqipe, ua lë radhën lexuesve për të thënë fjalën e fundit.
Naim Zoto

Ardian-Christian Kyçyku: Kissland


Picture
Ardian Kyçyku vepron brenda një kodi metaforik dhe në heronjtë e veprës secili mund të gjejë vetveten dhe historinë origjinale të një kombi si Shqipëria.
“Kisland” ndërtohet i tëri mbi dashurinë, dashuri që duket sikur lëviz e tëra në varreza dhe mes aromës së vdekjes.
Në këtë roman (si dhe tek të tjerët e A. Kyçykut) mund të nënvizosh se simbolika është shumë e fortë dhe krejt vepra mund të quhet e tillë, e ngritur në një arkitekturë simbolike. Qoftë duke u nisur edhe nga mënyra se si autori i ka ngjizur dhe pagëzuar personazhet e veta.
 Ai rrëfen si një vëzhgues që futet nën lëkurën e personazhit, i cili është “qendra” dhe ngjan me “kalorësin” që udhëton në dashuri mes jetës dhe vdekjes, dehshëm kah kësaj të fundit me sukseset e joshjes që të gjallët nuk mund ta kenë plotërisht.
Stili i të shkruarit të tij është befasi. Mënyra e ndërtimit të tekstit, lidhja e kapitujve me njëri-tjetrin, jo në mënyrën e zakonshme tradiconale, me “parakapituj” e më pas me kapituj (X?V, XV, ?XI, X?I, X?X?I?I etj)., janë një element që mund të studiohet dhe deshifrohet si një drejtim më vete.
Afëria me vdekjen në këtë roman mund të duket fatale, por pikërisht prej kësaj mënyrë të pari, përjetimi bëhet më i fortë dhe më i vërtetë. Zëri i Kyçykut guxon të thotë me të lartë ato që projektimi ynë, dëshirat tona pëshpërisin mbase që në lindje, por që i fshihemi, apriori apo jo.
Për sa i përket estetikës kompozicionale, romani i Kyçykut është ndërtuar sipas parimeve të një leximi shumënivelësh dhe të paralelshëm. Një ngjarje “bosht” dashurie, rreth së cilës vërtiten dhjetëra ngjarje të tjera, jo më pak të rëndëisshme, një personazh “kryesor”, i cili është njëkohësisht i shumëpersonazhshëm në emra e botë të përmbysura e të rikrijuara. Në realitet e në imagjinatë. Siç vëren studiuesi Ragip Sylaj, Ardian-Christian Kyçyku është mjeshtër i rrëfimit. “Motivet e ritmeve të gulçuara të jetës nën diktaturën komuniste janë preokupim i këtij autori për ta strukturuar ngrehinën e tij artistike. Por, ajo që është me rëndësi parësore për veprën e këtij autori në materializimin e tyre është origjinaliteti estetik... Në faqet e librave të lidhur stilistikisht është shtrirë harta shpirtërore e narratorit, ku janë vënë piketat që e ndajnë fushën e së bukurës e të së shëmtuarës, mbi të cilën identifikohet filozofia poetike, si filozofi e ekzistencës”. (Ragip Sylaj, “Estetika e misterit”).
Ardian Kyçyku është një mjeshtër i metaforës. Libri vetë ngjan me një metaforë të madhe me një mënyrë letrare plot finesë e thellësi psikanalitike. Stili i Kyçykut vjen me vërtetësinë e metaperceptimit, si një depërtim ku bashkohet fort edhe intuita, më i thellë mbase edhe se psikanaliza. 

Teuta Toska: Elemente të mendësisë shqiptare në frazeologji


Picture
Elemente të mendësisë shqiptare në frazeologji një studim monografik

Njësitë frazeologjike, në mungesë të dokumenteve të hershme të kulturës së shqipes, vlerësohen prej nesh si një letërsi e hershme, duke u formësuar në nivelin e formës së shprehjes (sipas termit të përdorur nga L.Hjelmslev) pothuajse nga po ato përftesa që e karakterizojnë letërsinë popullore. Duke i grupuar sipas tematikave të caktuara, duke krijuar fushat frazeologjike (tërësi njësish të grupuara sipas temës së përbashkët, sipas konceptit të përbashkët që shenjojnë), duke i renditur njëra pas tjetrës sipas asaj që shenjojnë, përftohet një ligjërim me karakteristika poetike dhe “pasqyra”, edhe pse pak me mjegull, e shpirtit të një kombi.

 

 


Edelajda Cenaj-Çepa: Lef Nosi filolog


Picture
Një udhërrëfyes për fondet arkivistike të Lef Nosit

Monografia Lef Nosi filolog: studim historiko-letrar, arkeografik dhe filologjik i dr. Edelajda Cenajt-Çepajt është i pari studim monografik kushtuar trashëgimit dorëshkrimor letrar, publicistik, etnografik, gjuhësor dhe folkloristik të këtij personaliteti të rëndësisë parësore me kontribute shumëplanëshe për kulturën dhe identitetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX.
Studiuesja ka bërë kërkime disavjeçare në rezervàtin e koleksioneve të Lef Nosit, një prej fondkrijuesve më të mëdhenj të burimeve arkivistike të Shqipërisë në të gjitha kohërat; si autor, si mbledhës dhe si kodifikues i tyre; si paraprijës i rrjetit arkivor kombëtar shqiptar. Për herë të parë, përmes këtij libri, kërkuesit shkencorë do të kenë në duar një udhërrëfyes të sigurt për një lundrim efektiv në fondet arkivistike të Lef Nosit në të gjithë arkivat institucionalë të vendit: në AQSH, në arkivat vendorë, si dhe në rrjetin e arkivave shkencorë dhe të trashëgimisë, që ruhen pranë institucioneve të dijes kombëtare shqiptare. Përveç përshkrimit arkeografik, paraqitet me qartësi edhe puna thuajse krejt e panjohur e Lef Nosit si ndërmjetës me albanologjinë e Perëndimit, siç ka qenë në traditën e studimeve shqiptare qysh në shekullin XVIII (M. Boçari për F. Pouqueville-in, T. Kavalioti për J. Thunmann-in, K. Kristoforidhi e A. Meksi për G. Hahn-in, D. Voskopojari për W. Martin-Leake-un, Th. Mitko për G. Meyer-in).
I nisur si një projekt për njohjen, spikatjen dhe interpretimin e asaj pjese të trashëgimisë shkrimore e dorëshkrimore të Lef Nosit, që i takojnë letërsisë ose janë pranë saj (poezi e proza të shkurtra, publicistikë, përkthime e letërkëmbim), studimi është zgjeruar dhe thelluar edhe në disa fusha të tjera, si leksikologjia e leksikografia. Studiuesja, përmes krahasimit me mbledhësit bashkëkohës të traditës gojore shqiptare, sidomos me françeskâjt e mdhâj të urdhrit të të vegjëlve, përveçon profilin e dallueshëm të Lef Nosit, që, ndryshe prej të parëve, shfaqi interesa jo vetëm për lloje e nënlloje të poezisë heroike, por dhe për rrëfenjën e shkurtër dhe fabulën e thjeshtë historike, duke e shfaqur të njëjtën sjellje edhe në gjuhë, larg puritanizmit dhe namuzit leksikor të Rilindjes e të kohëve të mëvonshme. Përmes një tjetër krahasimi, lexuesi sheh në pasqyrë të njëri-tjetrit tre botues dhe tri politika botuese: Lef Nosin me Kopshtin letrar, Jeronim de Radën me Fiamurin e Arbërit dhe Faik Konicën me Albanian.
Në këtë monografi për herë të parë bëhet i njohur një fjalor shqip-shqip i panjohur i Lef Nosit, me mbi 5 mijë njësi leksikore dhe me qindra idioma e fjalë të urta, që ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ndonëse në gjendje të dëmtuar, pasuria e këtij fjalori është krahasuar me fjalorët normativë të shqipes (1954, 1984), dhe në këtë proces janë bërë të njohura fjalët dhe kuptimet e munguara prej tij. Autorja ka përfshirë në librin e saj edhe disa sprova botimi të këtij fjalori, duke manifestuar formimin e saj si filologe dhe leksikografe. Ajo ka bërë kërkime përtej dorëshkrimit të këtij fjalori, për të hapur perspektivën e një botimi të plotë të fondit leksikografik të Lef Nosit.

Roland Zisi: Studime kritiko-letrare për letërsinë shqipe​


Picture
Lëndën e këtij libri e përbëjnë një varg referatesh, kumtesash dhe artikujsh që janë shkruar gjatë njëzetë vjetëve të fundit dhe botuar nëpër periodikë shkencorë ose akte konferencash, seminaresh e simpoziumesh kombëtare e ndërkombëtare në të cilat autori ka qenë pjesëmarrës. Në pjesën e parë të tij janë grupuar studimet për letërsinë arbëreshe, ndërsa në pjesën e dytë studimet për letërsinë shqipe të shek. XX. Janë kryesisht studime të karakterit historik dhe kritiko-letrar për autorë, vepra dhe procese letrare për dy periudha të rëndësishme të letërsisë shqipe, që pas kumtimit në veprimtari shkencore dhe botimit janë rishikuar e plotësuar. Një pjesë e tyre gjatë procesit të rishikimit, përpunimit dhe përditësimit formal e përmbajtësor, për shkak të afrisë tematike, janë shkrirë me njeri-tjetrin, duke krijuar kështu tekste shkencore kompakte e të pavarura.

 

Francesco Altimari: Urat e Arbërit


Picture
Urat e Arbërit: Kur shqiptarët u rindjenë të vetët
(nga parathënia e librit, shkruar nga prof. Shaban Sinani)

Autori i librit më të ri në gjuhën shqipe, me titullin shenjues Urat e Arbërit: filologu, gjuhëtari, antropologu, historiani i letërsisë Francesco Altimari prej dekadash është një emër ndaj të cilit mund të mbishkruhet në mënyrë dinjitoze vetë emri i albanologjisë bashkëkohore, si një tërësi dijesh e shkencash të identitetit shqiptar.
Libri më i ri i tij Urat e Arbërit, botim i bibliotekës albanologjike Naimi, është vetëm një prej provave të prishjes së rendit të mëhershëm në dijet shqiptare. Në kushtet e sotme, kur etnocentrizmit gjithnjë e më shumë po ia zë vendin eurocentrizmi, nuk është më e rëndësishme nëse qendra e studimeve albanologjike gjendet në Tiranë a Prishtinë, po nëse ajo po hapet e emancipohet si dije vetënjohjeje.
Dhe, natyrisht, urat e Arbërit të mbijetuar, urat e botës arbëreshe, të shumëfishta mes tyre: ura që ndërlidhin shekujt, ura që ndërlidhin arbëreshët e Sicilisë dhe ata të Kalabrisë, ura që lidhin arbëreshë e arvanitë dhe pastaj këta së bashku me kujtimin e një patria poesis, ura që bashkojnë pararilindjen me Rilindjen, ura në të cilat shtegtojnë edhe sot si kalorës të një urdhri ndriçimtar De Rada, Migjeni, I. Kadare dhe M. Camaj; ura përbashkuese të shqipes së autorëve më të vjetër arbëreshe me autorët klasikë të Veriut shqiptar; ura ekumenizmi që ndehen krenarisht e drejtpeshojnë njësinë shqiptare përmbi heterogjenitetin e proceseve historike, kulturore e fetare.
Ndër shenjat më të vjetra - sot simbol i një Europe të njësuar - ura duhet të jetë një kryeshenjë që ka lidhje jo vetëm me letërsinë dhe traditën kulturore, por dhe me vetë etnotipin e një kombi. Duke ia spikatur e certifikuar këtë shenjë shkencës shqiptare dhe lexuesve të saj, përkundër monumentalizimit tradicional të kështjellës krenare vetëruajtëse,  Francesco Altimari e emancipon këtë dije metodologjikisht dhe si mendësi, e çliron prej gjithfarë kufijsh që, ndonëse ideologjikisht janë refuzuar, vazhdojnë të kenë fuqi veprimi pengues. Nëse kufijtë e atdheut shkojnë deri në atë thellësi ku shkon prekja me gjuhën e tjetrit dhe deri në atë gjerësi ku sapientia hermeneutica nuk ka punë, mund të thuhet se ky dijetar ia ka arritur të formësojë pa bujë dhe pa patetikë pikërisht ngushtësinë e shumë kategorive limes që shkenca shqiptare i ka pasur.
Në shtatë studimet për veprën e De Radës sërish nyja themelore njësuese është ura: urat midis romantizmit europian, bajronizmit, dhe veprës së poetit; urat midis shekullit të iluminizmit gjuhësor dhe shekullit të iluminizmit kombëtar; urat midis letërsisë së De Radës dhe mendimit poetik-letrar europian; urat midis letërsisë popullore dhe asaj refleksive; urat midis rilindësit arbëresh dhe lëvizjeve të mëdha kombëtare në vendet fqinje, si Risorgimento-ja dhe Neohelenizmi - Νεοελληνισμός (duke përfshirë dhe rolin e vetë shqiptarëve për shpalljen e ideve themelore të tij, pa përjashtuar ato ekspansioniste); urat midis ideologjisë albaniste pararilindëse dhe lëvizjes kombëtare të shek. XIX (sidomos në studimet Arbëreshët për Rilindjen e Shqipërisë dhe Napoli, vatra kulturore e Rilindjes dhe vatra letrare e De Radës). Të gjitha këto ura kishin bërë që shqiptarët tashmë të kuptonin se ishin të vetët; që përbën shkallën e parë të vetidentifikimit kombëtar. Ndonëse studime të lidhura ngushtësisht me pyetjet shkencore për projektin letrar të De Radës, ato i përgjigjen në nënshtrat pyetjes se kur shqiptarët, copëtuar në sanxhaqe e vilajete, me ndarje historike dhe kulturore prej fundit të Mesjetës, për herë të parë rinisën të ndihen si të njëri-tjetrit.
Koncepti i Francesco Altimarit, që mendimi rilindës ndër arbëreshët nuk ka qenë një zhvillim ishullor as në kohë dhe as në hapësirë është shkompleksues ndaj dijes shqiptare, e cila, në një anë e ka pranuar deri me mbiçmim vlerësimin e lartë të poetëve europianë për De Radën, por në anën tjetër e ka pasur të vështirë ta shohë atë të lidhur e të ndikuar edhe prej lëvizjes kombëtare për bashkimin e Italisë dhe për më tepër me idetë politike me ndikim europian në atë epokë.
Urat e Arbërit është një vepër që dëshmon jo vetëm dije të re, por dhe ekdotikë dhe epistemologji të re, mendësi të re. Ai vjen tek lexuesi shqiptar i sotëm si një propozim për të ndryshuar mendje, për të parë përmes dritaresh interpretuese më në brendësi të botës arbëreshe, mbijetesës së italo-shqiptarëve (sipas emërtimit të E. Çabejt) dhe rolit të tyre për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të mendimit shqiptar. 

Shaban Demiraj: Prejardhja e Shqiptarëve


Picture
Lënda e etnosit përjeton në kohë dhe hapësirë një dinamikë zhvillimi, duke iu nënshtruar në vijimësi shndërrimit, i përftuar ky edhe në sajë të përballjes me komponente që e rrethojnë ose gjëllijnë brenda tij, duke ndarë së bashku atë hapësirë jetike kompakte të bashkësisë etnike në fjalë, që gëzojmë sot të drejtën ta quajmë “shqiptare”.
Këtë argument, prejardhjen e shqiptarëve nën dritën e dëshmive që ofron gjuha shqipe në kohë dhe hapësirë, synon të ndajë me lexuesin prof. Shaban Demiraj, kur, pas vështrimit tërësor të “çështjes shqiptare” nga perspektiva e gjuhësisë diakronike, vjen në përfundimin e natyrshëm, se: “analiza e fakteve të shumta të gjuhës shqipe, të vështruara në evolucionin e tyre historik, dëshmon se stërgjyshërit e shqiptarëve në lashtësi kanë qenë fqinjët veriorë dhe veri-perëndimorë të grekëve të vjetër dhe të nënshtruarit e hershëm të Perandorisë Romake. Si rrjedhim, mendimi i mbrojtur nga një varg dijetarësh që shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve jugorë gjen një mbështetje të fuqishme në dëshmitë e shumta të gjuhës shqipe, e cila është zhvilluar nëpërmjet evolucionit të një a disa dialekteve, që fliteshin në lashtësi pikërisht në trevat e Ilirisë Jugore”.
Këto fjalë hyrëse nuk arriti t’i formulojë dot vetë autori, prof. Shaban Demiraj, i cili u nda nga jeta një vit më parë, më 30 gusht 2014, pikërisht kur kaloi nëpër duar faqet e fundit të kësaj monografie, me dëshirën e mirë për të përjetuar edhe botimin sipas vullnetit të fundmë të tij.
 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...