Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/25

Lekë Imeraj: Dhuna - Burimi, kuptimi, parandalimi


Picture
Libri i Lekë Imerajt, një anatomi për dhunën

“Vetëm atëherë kur populli nuk do të ketë më frikë nga dhuna, qeveria do ta braktisë dhunën si një send të pavlerë. Vetëm ata që janë përfundimisht të vendosur për të mos e përdorur dhunën, do të çlirohen nga frika e dhunës”. Me këto fjalë të liderit indian Mahatma Gandhi, ideolog i urtësisë politike dhe sociale nis libri më i ri i Lekë Imeraj i titulluar "Dhuna-burimet, kuptimi, parandalimi", i sapopublikuar nën siglën e botimeve “Naimi”. Duke iu referuar fenomenit të dhunës në realitetin shqiptar, recensentja e librit, dr. Zamira Çavo thotë në parathënie të librit: “Shqiptarët e vumë në qendër të modelit funksional dhunën dhe mikun! Nëse nuk e zgjidhnim një problem me “mikun”, e zgjidhnim me dhunën! Nëse shikojmë gjuhën politike të artikuluar në vitet e para të demokracisë bindesh se “dhuna” tek koncepti ynë është dhunë fizike, është gati-gati luftë e shpallur! E ngjizur brenda ADN-së elementi i dhunës, i “të fortit”, u përkthye dhe në kuptimin e demokracisë. Dhuna ndaj tjetrit u konsiderua sërish si një domosdoshmëri për mbijetesën e një populli ku politika ka po të njëjtën filozofi! Dhuna e “kapërceu” kuptimin e saj historik duke u ridimensionuar si dhunë ndaj ligjit, si mosbindje ndaj rregullit. Në këtë kuptim dhuna sot ka të gjithë dimensionin e saj për tu shfaqur në shoqërinë shqiptare. Nga ana tjetër, ajo që ka munguar, ose dhe kur e kemi patur ka qenë në periferi të vëmendjes, ka qenë edukimi me punën, me tolerancën dhe mirëkuptimin. Pikërisht për të gjitha këto e vlerësoj shumë punën që autori Lekë Imeraj ka bërë në librin "Dhuna”, një lloj anatomie për këtë fenomen që ka shoqëruar historinë njerëzore. Libri sjell me shumë detaje, me shumë zbërthime dhe shembuj gjithçka favorizon, ngurtëson dhe degradon  në dhunë një individ e një shoqëri. Me një pasion prej njeriu të urtë e që vlon nga dëshira për ta parë vendin të ndryshuar pozitivisht, me idealizmin e një njeriu që beson në modelin e moralit dhe mençurisë njerëzore, me bindjen se gjithkush duhet të bëjë çka në dorë për ta bërë, autori sjell një vepër që do duhej të ishte në çdo familje. Madje, do duhej të përbënte një material për çdo njeri që natyra apo puna e ka sjellë të luajë rolin e edukatorit. Pra, ky libër duhet lexuar nga prindërit, për të kuptuar fëmijët e tyre, duhet lexuar nga mësuesit për të orientuar edukimin e nxënësve të tyre, duhet lexuar nga të rinjtë për të besuar se vetëm dija, dhe jo forca, e çon përpara mirëqenien, duhet lexuar nga studentët dhe pedagogët, veçanërisht ata të shkencave sociale.
Ndonëse nuk lë mënjanë shfaqjet e dhunës në Shqipëri, në fakt, libri është një libër që e kundron dhunën në një këndvështrim më kompleks, duke e parë si fenomen universal jo vetëm në pikëpamje të fakteve, por sidomos për të zbuluar rrënjët e saj, burimet, përhapjen. Janë me qindra referencat nga literatura botërore duke i dhënë lexuesit shqiptar një trajtim në aspektin filozofik, social dhe psikologjik të këtij fenomeni.
Për këto vlera dhe të tjera u fol gjatë promovimit të librit në mjediset e Universitetit “Marin Barleti”, Tiranë, ku folën mes të tjerësh edhe shkrimtari Fadil Kraja, prof. dr. Lush Susaj, prof. dr. Ndue Gjoka.

Zamira Çavo: Ridimensionimi i Rilindjes


Picture


Nëse më kritikoni se kam hyjnizuar Rilindjen iu them: Po, e kam bërë me vetëdije! Nën trysninë e hedhjes poshtë të gjithçkaje që kemi krijuar, gjykoj që kemi nevojë të krenohemi me ato që realisht na bëjnë krenarë. Ndaj kam synuar të sjell qasjen pozitive ndaj figurave njerëzore të Rilindjes.  Çdo njeri nuk është hero, por heronjtë e mendjes janë padyshim njerëz dhe si të tillë kanë gabime, por vlera e tyre ngrihet përtej çdo vogëlsie, keqdashje apo keqpërdorimi.

Nëse më kritikoni se kam “cenuar” vlerat e popullit dhe trashëgiminë e tij kulturore, duke vënë theksin në disa anë negative të trashëguara, iu them: Po, e kam bërë me vetëdije, për të treguar se duhet të zgjohemi e të mësojmë nga e kaluara. Gabimet që përsëriten shndërrohen në faje dhe dënohen. Historia na ka dënuar. Nuk jemi kurrë shumë vonë për të kapur ritmet e kohës.

Kiço Blushi: Gjuha e gjakut


Picture
Kur dashuria shpërblehet me egërsi të verbër

Më mirë në burg apo në shtëpi? Në romanin e ri të Kiço Blushit, botimet “Naimi”, dilema nuk i referohet botës së krimit, por njerëzve të zakonshëm që, edhe kur duan të dëshmojnë mirësi dhe dashuri, marrin si shpërblim të kundërtën. Pas disa vjetësh në emigracion, burri kthehet në shtëpi, diku në një nga fshatrat e Lezhës. Mirëpo një aromë parfumi e gruas, që mezi e priste njeriun e saj më të dashur, si edhe disa ndryshime të tjera në "Shqipërine e re", do të shkaktojnë "ububu"-në e një xhelozie të tërbuar, pasuar me viktima të pafajshme. Burri projekton “të dashurin” e gruas dhe kërkon që ajo vetë ta ekzekutojë për të dëshmuar me prova të kundërtën... Nga ana tjetër, t’atit të vajzës, një rapsodi vejan, sikur të mos i mjaftonte edhe turpi pse dikur kishte kënduar një këngë për Diktatorin e përmbysur (dhe për këtë militantët e pushtetit të ri e kishin sakatuar), tashmë i kthehet edhe vajza lëneshë... 
S'e çfarë do të ndodhë, pse do të ndodhë; këtë e thotë shkrimtari Kiço Blushi përmes një rrëfimi dhe analize të hollë për shpirtin dhe mendjen e trazuar të shqiptarit të sotëm, ku hipokrizia dhe egërsia është bërë stil jetese.

 

Greta Aliaj & Arjan Melonashi: Vorbull '91 - Demokraci dhe pushtet


Picture
Një libër për Shqipërinë e viteve ’90 në syrin e gazetarit Arian Melonashi

“Ai nuk punon më mbi programin, por mbi ëndrrën, mbi atë që ka krijuar vetë e ua ka injektuar edhe ndjekësve, nuk flet e shpjegon se si do të realizohet ajo, por blofon duke imagjinuar se sa bukur do të jetë atëherë... kur të kryhet. Autosugjestionohet. Dëgjon veten me kureshtje të çiltër në ekranin e TV dhe mrekullohet se sa bukur ka folur, se sa fort e kanë duartrokitur, mallëngjehet para një fëmije që i zgjat lule e nuk mendon se ajo skenë është pjella e servilizmit të ri, krijesë e lajkatarit të parë që me siguri gjendet diku aty rrotull tij. Kështu, çdo ditë prangon shpirtin e vet, asgjëson energjinë e dobishme, mbyt punën konstruktive dhe me takime, mitingje, konferenca, mbledhje, uzurpon masmedian dhe kjo e fundit nën-ndërgjegjen e popullit, i cili, pak nga pak, mësohet të bashkëjetojë me imazhin shtypës e të pashmangshëm, me imazhin e gënjeshtërt të njeriut gjithnjë në aktivitet, në lëvizje, të palodhur, të interesuar për gjithçka, që zë çdo ditë e më tepër hapësirë, atë hapësirë e kohë që ua merr të tjerëve, në fund të fundit, duke shtrënguar e mbyllur, duke ndryrë kështu inteligjencën, krijimtarinë, unin, etjen, ethen, egon, arrivizmin e shumë e shumë individëve, që dalëngadalë heqin dorë të lodhur nga qëllimet, idealet, ëndrrat e shpresat e tyre, për t’iu kushtuar mbijetesës, radhës, mbushjes së ujit e zënieve të kota me komshinjtë...“.
(fragment nga libri)

Miranda Vickers & James Pettifer: Çështja çame - Etapa e re


Picture
Etapa e re e çështjes çame

“Marrëdhëniet greko-shqiptare rrezikohen seriozisht nga dështimi për të zgjidhur çështjen çame. Kjo çështje, natyrisht, që nuk mund të zgjidhet vetëm mes Shqipërisë, Greqisë dhe organizatave që përfaqësojnë popullsinë çame. Një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me ndërmjetësimin ndërkombëtar, me mbështetje nga institucionet e BE-së dhe me udhëheqje të qartë nga Shtetet e Bashkuara”. Në këtë konkluzion kanë arritur me ekspertizën e tyre studiuesit Miranda Vickers dhe James Pettifer, të njohur vitet e fundit për disa botime interesante për Ballkanin dhe veçmas për shqiptarët. Libri më i i ri i tyre “Çështja çame: etapa e re”, publikuar  përmes një botimi dygjuhësh (anglisht dhe shqip me përkthim të Xhevdet Shehut) nga shtëpia botuese “Naimi”, siç duket dhe nga titulli, merr në analizë zhvillimet e fundit të çështjes çame, ende e pazgjidhur nga diplomacia dhe politika. Autorët, me një gjuhë tepër lakonike, merren me zbardhjen e të ashtuquajturit “Traktat të miqësisë” mes Shqipërisë e Greqisë dhe ndikimit të tij për çështjen çame, faktorët dhe nismat e reja politike në dhjetë vjetshin e fundit në të dy vendet përkatëse dhe rezonancën e tyre në politikën ndërkombëtare. Në libër jepen detaje dhe argumente për qëndrimet ndaj çështjes çame nga protagonistët politikë të periudhës tranzitive prej regjimit totalitar në shoqërinë e hapur, duke nisur nga roli i Sali Berishës deri tek qëndrimet më të reja të qeverisjes aktuale. Një  vend të posaçëm zë analiza për përfaqësimin politik të komunitetit çam nga ana e PDIU dhe ndikimi i saj. Por, përveç aspektit politik, autorët e librit  “Çështja çame: etapa e re”  kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet në terren, duke konstatuar që emigrantët shqiptarë po popullojnë tokat çame në Greqi.  

Nilo Borgia: Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri


Picture
“Një vepër me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë”

“Një vepër me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë”, kështu është konsideruar nga albanologët libri më i ri për Himarën e shekujve XVI-XVIII, i sapohedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Naimi”.  Me këtë rast, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, vepra e Nilo Borgia-s, që botohet në gjuhën shqipe nën titullin “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri - Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII”, u promovua në sallën e Ministrisë së Kulturës, Tiranë, ku, përveç studiuesve vendas, ishin të pranishëm edhe albanologët e njohur nga Italia, prof. Francesco Altimari e Matteo Mandalà.
Personalitet i botës arbëreshe në vitet ’30 të shekullit të kaluar, autori përshkruhet kështu nga Eqrem Çabej: “Nilo Borgia e kaloi pothuajse gjithë jetën e tij në Grottaferrata afër Romës. Ishte një gjë prekëse të shihje këtë plak sa interesohej për gjuhën e të parëve dhe për studimin e saj gjer në ditët e fundit të jetës së tij. Me zell të madh gjurmonte nëpër arkiva dokumentet që i përkasin Shqipërisë dhe monumentet e vjetra gjuhësore. Gjatë një bisede aty nga viti 1940 ai i kumtoi shkruesit të këtyre rreshtave se kishte zbuluar në arkivat e Vatikanit një dokument gjuhësor shqip të vjetër, më të vjetër se ato që dihen gjer tani. Vdekja mjerisht e ndaloi atë të na jepte të dhëna më konkrete rreth kësaj çështjeje me rëndësi themelore për gjuhësinë shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në lëmin e albanistikës”.
Matteo Mandalà, i cili ka shkruar parathënien e botimit të librit në gjuhën shqipe, veçon dy merita të kësaj vepre: “Figura si murgjit Nilo Catalano, Filoteo Zassi, Basilio Matranga, Giuseppe Schirò morën pjesë aktivisht në lëvizjen kulturore të shek. XVIII. Njohja dhe studimi i kësaj lëvizje është e domosdoshme për të kuptuar zanafillën e romantizmit shqiptar, që deri më sot është përshkruar si një pemë madhështore pa rrënjë. Nga kjo pikëpamje, merita e parë e veprës së Nilo Borgia-s qëndron në faktin se ajo përshkruan një ndër periudhat më të dendura të kulturës mbarëshqiptare, e cila patjetër duhet thelluar e studiuar më tej, duke mbetur një imperativ për historiografinë e sotme shqiptare”. Merita e dytë, sipas prof. Mandalà-it “ka të bëjë me kontributin e jashtëzakonshëm të njohurive që jepen nga burimet arkivore dhe dokumentet e shumta që botohen për të parën herë. Dokumentacioni i përpunuar nga misionarët dhe nga Nilo Borgia përbën një burim të rëndësishëm që i lejon historianët dhe studiuesit të rindërtojnë, edhe pse me rezervat që rrjedhin natyrshëm nga dëshmi të tilla, dinamikën e disa zhvillimeve në trevat jugore të Shqipërisë ku më shumë se gjetkë është ndier pesha e konflikteve etnike, sociale dhe fetare. Nëse Himara e shek. XVIII gëzon privilegjin të jetë përshkruar gjatë periudhës historike të tranzicionit të vështirë kulturor dhe fetar, kjo u detyrohet misionarëve bazilianë që punuan aty, por edhe historianit Nilo Borgia, i cili, disa shekuj më vonë, e ringjalli veprën e tyre të jashtëzakonshme”.
Prof. Francesco Altimari tha se, duke u nisur nga botimi i librit të Nilo Borgia-s, mund të thuhet pa asnjë dyshim se shekulli i XVIII nuk mund të konsiderohet më si “shekulli i heshtjes” për shqiptarët. Përkundrazi, me këtë vepër të botuar tashmë edhe në gjuhën shqipe, si edhe me disa vepra të tjera albanologjike të botuara së fundi për kontributin e arbëreshëve në Itali, dëshmohen rrënjët e rilindjes dhe formatimit të kombit shqiptar me identitet të përcaktuar.
Prof. Shaban Sinani nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, vlerëson: “Kemi të bëjmë me një botim të rrallë dhe të rëndësishëm në fushën albanologjike, ku dalin në dritë dokumente origjinale nga Arkivi i Vatikanit, të cilat dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të misionarëve të krishterë e sidomos të atyre me origjinë shqiptare për të ruajtur lidhjet e Shqipërisë me botën perëndimore. Libri do t’u vijë në ndihmë studiuesve të historisë së Shqipërisë, albanologëve, studentëve dhe lexuesit në përgjithësi. Botimi i kësaj vepre të munguar plotëson një boshllëk të madh për sa i përket historisë së përkatësisë fetare të asaj krahine dhe ndihmesës që kanë dhënë priftërinjtë me origjinë shqiptare për të lidhur Shqipërinë me qytetërimin perëndimor në periudhën e errët të pushtimit otoman dhe të myslimanizmit të detyrueshëm të trojeve shqiptare”.
Botuesi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Ministria e Kulturës i dha projektit për përkthimin dhe botimin e veprës së Nilo Borgia-s “I monaci basiliani d’Italia in Albania 1-2” (Shënime të historisë së misioneve apostolike në Shqipëri në shek. XVI-XVIII, botuar në Romë, vëll. I dhe II), ndërkohë vlerësoi profesionalizmin e përkthyeses së librit, Mimoza Hysa.

Mimoza Cika-Kelmendi: Shansi gjerman dhe shqiptarët


Picture
Më në fund flet edhe protagonisti i të ashtuquajturit “shansi gjerman për Shqipërinë”, ish-ministri i Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Gensher. Biseda gjendet në librin më të ri të Mimoza Cika-Kelmendit,  “Shansi gjerman dhe shqiptarët”, botimet “Naimi”.  Mimoza Cika-Kelmendi prej afro dy dekadash ka bërë gazetaren në një nga mediat më të njohura në shkallë evropiane dhe botërore, Deutsche Welle. Por, e ndërgjegjshme për këtë fat, ajo ka ditur të ngrihet mbi rutinën që shoqëron çdo profesion, duke realizuar ideimin dhe botimin në vitet e fundit të tre librave, njëri prej të cilëve, pikërisht “Shansi gjerman dhe shqiptarët” promovohet sot në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar me praninë e kolegëve, diplomatëve dhe dashamirësve të librit. Në këtë promovim merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kolegë të autores si Artur Zheji, Aleksandër Çipa, Ani Ruci, historiani Dorian Koçi prezantuan për të pranishmit vlerat e librit, duke përgëzuar autoren.
I sapopublikuar nga botimet “Naimi”, “Shansi gjerman...” i Mimoza Cika-Kelmendit përmbledh mbi 40 intervista me “VIP”-at e politikës, duke iu referuar zhvillimeve politike në trikëndshin  Tiranë-Shkup-Prishtinë në raport me Bonin, një nga kryeqendrat e Bashkimit Europian, ku shqiptarët si komb kërkojnë të integrohen. Në libër gjenden një galeri e tërë politike me opinionet dhe gjykimet e tyre, që nga Rugova, Berisha, Thaçi, Ali Ahmeti, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama deri tek ekspertë të diplomacisë botërore për Europën e Ballkanin.
Autore e librit Mimoza Cika-Kelmendi thotë:  “Para se të më lindte ideja e librit, kisha formuluar në mendje titullin: “Shansi gjerman dhe shqiptarët”. Në fakt, këtë titull, në formën “Shansi i humbur...”, e kishim bërë shpesh objekt bisedash në vitet ’80 në Tiranë, kur sapo kisha përfunduar studimet për gjuhë-letërsi shqipe. Pas vizitës së dështuar të Shtrausit në Shqipërinë tonë komuniste, në vitin 1984, në rrethe të ngushta, sa herë që hapnim “biseda me zarar”, shpesh përsëritej hipoteza “Eh, sikur të ishim lidhur me Gjermaninë...”. Në atë kohë që gjithçka dukej sikur po merrte rrokullimën, sidomos ekonomia, ardhja e një politikani perëndimor në mes të Tiranës, ca më shumë gjerman, na ndezte më kot fantazinë. Ndërkohë, të isha gazetare e një prej radiostacioneve më të fuqishme të botës as që bëhej fjalë. Se fati im nuk ishte veçse një grimcë e vogël e fatit të vendit tim, Shqipërisë. Për më tej, “shansi gjerman” nuk është veçse një metaforë për shansin evropian, ku Gjermania është një nga shtyllat kryesore. Ndërsa meditoja rreth fatit tim dhe librit njëkohësisht, konstatova se këtij libri nuk duhet t’i mungonin intervistat me dy personazhe të “shansit të humbur” dhe “shansit të realizuar”, përkatësisht ish-udhëheqësit të fundit komunist shqiptar, Ramiz Alia, dhe ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Genscher. Kështu mori formë dhe emër libri im më i ri: “Shansi gjerman dhe shqiptarët”, ku përshihen mbi 40 intervista me personalitetet më të larta të politikës e kulturës shqiptare, apo diplomatë e ekspertë të Ballkanit në dekadën e fundit”.
Krahas librit të ri, u prezantua edhe botimi i plotësuar i librit “Kadare ndryshe” të Mimoza Cika-Kelmendit. Sipas studiuesit Shaban Sinani, “Mimoza Cika-Kelmendi e ka ruajtur fjalën e I. Kadaresë bisedë pas bisede dhe tani na ofron një libër që mund të quhej “Shqipëria në 20 vjet në vështrimin e I. Kadaresë”. Mendimi i I. Kadaresë për çështjet më të rëndësishme të jetës së shqiptarëve në kapërcyell të shekullit të 20-të drejt shekullit të 21-të ka një kushtëzim gjenetik, etnogjenetik, që i bën nder atij që e shpreh dhe atij që e bën publik. Ky është një libër që u jep një ndihmë të vlefshme studiuesve të letërsisë, të historishkrimit letrar në veçanti, të historisë së shkrimeve, të historisë së kulturës dhe qytetërimeve, të historisë së feve dhe të identitetit kombëtar, por po aq edhe atyre që janë të interesuar për studion e shkrimtarit, ku është privilegj të hysh, dhe Mimoza Cika-Kelmendi është një prej atyre që e ka përjetuar këtë privilegj”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...