Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/25

Irakli Koçollari - Arvanitët


Picture



Arvanitët, ose arbrit e Mesjetës të larguar nga toka amë nëpër mugëtirat historike drejt jugut ballkanik dhe të vendosur pothuaj nëpër tërë hapësirat e Greqisë, janë padyshim një pjesë e patjetërsueshme e historisë së kombit shqiptar. Ata kurrsesi nuk mund të mënjanohen. Pa jetëshkrimin e tyre e tyre, historia e kombit shqiptar do të ishte e cunguar.
Kjo farë krenare, e cila, sipas burimeve greke, përllogaritet të jetë rreth 3 milion në Greqinë e sotme, vazhdon të mbijetojë dhe të bëjë historinë si një pjesë vitale e atij vendi, mes stuhive të asimilimit dhe ruajtjes së identitetit. Për historinë, rrugën, kontributet dhe identitetin e arvanitasve, sot ka më shumë anë të errëta, të panjohura, të pandriçuara sa me të drejtë çdokush mund të shtrojnë pyetjet: Si u gjend tërë kjo masë e madhe e popullsisë arbërore në këto vise?
Kur shkoi, ku u vendos dhe ku gjendet ajo aktualisht? Në ç’kushte dhe për ç’arsye ndodhi ky emigrim? Si u pritën ata nga vendasit? Ç’ngjau me ta në rrjedhat e shekujve? Kështu e hap veprën e tij të re, “Arvanitët”, autori i saj dr. Irakli Koçollari. Sepse, ndoshta, e di më mirë se kushdo mungesën e literaturës për këtë argument ende të mjegullt për historiografinë tonë. Sa njohuri ka opinioni shqiptar apo edhe të huajt të interesuar për çështjen shqiptare, përshi edhe arvanitët?
Për shqiptarin e zakonshëm, njohuritë për arbërorët e Greqisë, apo arvanitët, siç thirren tani, janë të mangëta apo jo serioze. Të pakët janë ata që kanë idenë për përmasat e shtrirjes gjeografike dhe numerike të arvanitëve në periudhën paraosmane gjatë së cilës rreth mijëra arbër u zhvendosën drejt jugut, duke konsoliduar praninë masive, në brigjet e Egjeut, në Greqinë e sotme. Sa dinë për figura të tilla të kohës, të origjinës arbërore si Leon Sguro, Dhimitër Rendi, Pjetër Bua, Teodor Buhali, Manuel Bakali, Doskja, Krokondil Klada, Dhimitër Bakali, Teodor Bua, Primo Koka e të tjerë?
Sa dinë për “stratiotët” arvanitë të shpërndarë anekënd fushave të betejave të Evropës, për gjeneralët e tyre të famshëm si Merkur Bua etj., që u ngjitën në shkallët më të larta të hierarkisë ushtarake evropiane në shekujt XV-XVI, kur ende mund të identifikoheshin si arbërorë apo arvanitë? Sa realisht dinë për përbërjen etnike të viseve ku, si rezultat i një lufte çlirimtare, në fakt shumëkombëshe, në Ballkan, në shek. XIX, u krijua shteti i parë i pavarur, shteti grek, si edhe për rolin e arvanitëve në arritjen e pavarësisë e të konsolidimit të tij etj?
Monografia “Arvanitët” e Irakli Koçollarit, botim i shtëpisë botuese “Naimi”, Tiranë 2012, synon të japë një informacion të plotë, gati shterues për botën arvanite, duke trajtuar aspektet kryesore të historisë dhe personaliteteve të shquar të saj nga shekulli 13 e këndej.

    Titulli: ARVANITËT
    Autori: Irakli Koçollari
    ISBN: 978-9928-109-25-5
    Faqe: 324

Kosta Papa Tomorri - Barbaritë greke në Shqipëri


Picture



Libri “Barbaritë greke në Shqipëri”, botimet “Naimi”, përmban kujtimet historike të një veprimtari fare pak të njohur në studimet shqiptare për periudhën prej shpalljes, deri në njohjen e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Kosta Papa, i cili nënshkruan duke i shtuar emrit të tij disa emërtime vendesh historike dhe shenjuese: Përmeti, Tomorri, Leusa, ka qenë protagonist e dëshmitar i ngjarjeve traumatizuese të dy luftërave ballkanike, kryesisht në Shqipërinë e jugut. Në mënyrë të veçantë ai paralajmëron se do të ndalet në vitin e mbrapshtë 1913 dhe në disa mbrapshti të tjera që vijuan më 1914 e më vonë.
Ndonëse nuk ka shumë të dhëna, një gjë është ruajtur e përcjellë deri sot për autorin: Kosta Papa u dënua me vdekje nga qeveria greke e kohës pikërisht pse publikoi dëshmi rrëqethëse që do të turpëronin faqe botës çdo vend e popull që ndërmerr akte të tilla armiqësore ndaj fqinjit të tij historik, qoftë edhe në rrethana historike të mbrapshta.Libri i Kosta Papës është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në Massachusetts, SHBA, më 1917. Duhet të jetë botuar në një tirazh shumë të kufizuar, sepse tashmë ai thuajse nuk gjendet.
Një kopje e vetme që ruhet në Bibliotekën Kombëtare ka marrë vlerën e një dorëshkrimi. Kjo duhet të jetë arsyeja pse ky libër nuk është pjesë e bibliografive historiografike të studimeve shqiptare: thuajse nuk përmendet askund, sikur të mos ekzistonte. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse ribotimi i tij, bashkë me rishtypjen fototipike të origjinalit, është i dobishëm jo vetëm për një lexues popullor, por edhe për studiuesit.
Në anën tjetër, në kontekstin bashkëkohor, kur po kërkohet në mënyrë zyrtare që fqinjët ballkanas të ekzorcojnë urrejtjen historike dhe të dëbojnë demonët e historisë, ky libër merr rëndësi sepse është shkruar para se shteti shqiptar të kishte krijuar institucione të vetat, para se të kishte përfunduar Lufta e Parë Botërore, para se të ishin rikonfirmuar kufijtë e Shqipërisë shtetërore të sotme, para se të kishte lindur shkenca e historisë shqiptare.
Pikërisht koha kur është shkruar i jep atij më shumë besueshmëri dhe mbrojtje prej deformimeve të mundshme që kanë ndodhur në përshkrimet e mëvonshme të kësaj historie, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Libri i Kosta Papës është i besueshëm edhe për një arsye tjetër: ai ka pasur mundësi t’i shohë ngjarjet nga të dyja anët e konfliktit, prej Osumit deri në vijën bregdetare, midis bashkatdhetarëve të vet, por edhe në anën e andartëve grekë, që kishin hyrë në Shqipërinë e jugut menjëherë pas Protokollit të Korfuzit, ku, pavarësisht lëshimeve që iu bënë pretendimeve fqinje, Shqipërisë iu rinjoh kufiri i 1912-ës.
Autori i librit nuk është një shkrues çfarëdo. Ai gjendet jo rastësisht në ngjarje nyja të periudhës 1912-1917, prej shpalljes së Pavarësisë deri në vitet e kundërveprimit shqiptar për të mbrojtur atë Shqipëri të vogël që kishin lejuar Fuqitë e Mëdha. Libri “Barbaritë greke në Shqipëri” është një libër tronditës. Dëshmitë e tij provojnë se dy luftërat ballkanike, megjithëse në pamje të parë të nisura për të dëbuar ish-perandorinë osmane përtej Dardaneleve, në thelb çuan në fitore të përkohshme sa dhe të përgjakshme të fqinjëve ballkanas të shqiptarëve, ndërsa shqiptarët vetë dhe territoret e tyre qenë thjesht ekuilibrues të interesave të të tjerëve.
Me të drejtë ato nuk janë quajtur luftëra antiosmane, sepse më së shumti qenë konflikte të shpërthyera në kushtet e humbjes së autoritetit të Portës në Ballkan dhe të rikthimit të ideve e projekteve ekspansioniste të fillimeve të romantizmave nacionalë në Ballkan. Eshtë për t’u vënë re se në dy luftërat botërore të shekullit të 20-të ushtritë greke kanë hyrë në thellësi të territoreve shqiptare dhe në historinë e shtetit shqiptar nuk njihet ndonjë nismë që hyrja e këtyre ushtrive të konsiderohet si shkelje e integritetit, për më tepër që prej tyre të merret shkas për të hartuar e vendosur gjendje lufte me fqinjin jugor.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ushtritë serbe në veri. Në të kundërtën, edhe pse Shqipëria ishte e pushtuar, edhe pse ish-mbreti i shfronëzuar A. Zogu në mërgim formalisht i kishte shpallur luftë Italisë së Musolinit, për shkak të përdorimit të territorit shqiptar si prapavijë të sulmit fashist, Shqipëria jetoi në kushtet e gjendjes së luftës me Greqinë deri në shekullin e 21-të. Brezave të rinj, që po rriten me antimitin e kufirit, ky libër mund t’u duket tendencioz, ilustrim pikëpamjesh historike të frymëzuara prej nacionalizmit.
Sepse vërtet dëshmitë që përshkruan autori nuk janë figurativisht barbari; sepse edhe vetë fjala “barbari” në këtë dritë nuk ka kuptimin që kishte në greqishten antike, si dallim me tjetrin, që nuk fliste gjuhën e akejve; por kuptimin me të cilin përdoret në kohët moderne, si dhunë e tmerr mbi popullsinë civile. Në të vërtetë, barbaritë nxiten prej caktimit të kufijve.
Kur Greqia monarkiste e fillimit të shekullit të 20-të e kuptoi se, sido-kudo, Europa do ta njihte një Shqipëri të pavarur; se një kufi i ri do të shtohej në rajon; se ëndrra e vjetër për ta zgjeruar Greqinë deri në kufijtë mesjetarë të Bizantit dhe për të krijuar një shtet të gjithë ortodoksëve, pavarësisht kombësisë së tyre, po dështonte, një stihi krimesh mbi fshatrat dhe qytetet shqiptare shpërtheu. Kjo qe një nga provat më të mëdha dhe më të vështira të identitetit shqiptar.
Përpjekjet për të imponuar bindjen se çdo ortodoks është grek tek shqiptarët nuk u pranuan dhe kjo, siç shkruan Kosta Papa, tek grekët u përftua si një humbje historike. Pikërisht vetëdija e humbjes çoi tek thirrja “Të vdesim për Greqinë”, që frymëzoi masakrat e përshkruara nga autori, jo vetëm ndaj heterogjenëve fetarë, por dhe ndaj shqiptarëve të krishterë, që besimin nuk e vinin mbi kombësinë. Prej këtij libri, që ribotohet i rijetësuar, ashtu si ishte në vullnetin e autorit, mund të kuptohet se sa shumë ka punuar shekulli i 20-të për shqiptarët, sa e rëndësishme ka qenë të krijohej kjo Shqipëri shtetërore që është për të mbajtur gjallë ndjenjat dhe mendimet shqiptare në hapësirën historike të vetën rreth e qark, sa ka reflektuar mendimi politik e gjeopolitik rreth faktorit shqiptar. Pas një shekulli, shqiptarët, me gjithë problemet që mund të kenë për statusin e tyre, qoftë në Maqedoni, qoftë në Mal të Zi, në Serbinë jugore, madje dhe në Çamëri, nuk kanë më dënimin e një populli fatpambrojtur. Dhe kjo është arritja më e rëndësishme shqiptare e një shekulli.
Libri është konceptuar të ribotohet edhe në versionin e redaktuar gjuhësisht, pra, për komoditet të lexuesit të sotëm, por edhe në versionin origjinal përmes formatit fototipi, pra, i skanuar, riprodhim i origjinalit përmes fotografimit elektronik. Lexuesi i gjerë, por veçanërisht studiuesit, filologët, kanë mundësi të krahasojnë të dy “librat” jo thjesht për të parë besnikërinë ndaj origjinalit, por edhe si një pasqyrë të zhvillimit të gjuhës, fjalës dhe shkrimit të shqipes.
Në vend të përmbylljes së librit, botuesi ka përfshirë një shkrim të Gani Vilës, lidhur me masakrën greke ndaj Panaritit (Korçë), duke plotësuar kështu “gjeografinë” e krimit.

    Titulli: Barbaritë greke në Shqipëri
    Autori: Kosta Papa Tomorri
    ISBN: 978-9928-109-38-5
    Faqe: 168

Shaban Sinani - Camaj i paskajuar


Picture



Studiuesi Shaban Sinani, me qasjet e tij origjinale duket sikur sfidon kritikën letrare, një pjesë të studimeve që janë shkruar deri tani mbi M. Camajn, duke vënë në dyshim një varg përcaktimesh që i janë bërë krijimtarisë së këtij autori.
Duke njohur pothuajse në mënyrë shteruese çfarë është shkruar deri në ditët tona për M. Camajn, por edhe më gjerë në problematikat teorike (bibliografia shumë e gjerë e dëshmon këtë fakt) ai ka marrë përsipër ballafaqimin me rezultatet e deritanishme, tezat e studiuesve të tjerë mbi Camajn.Studimi “Camaj i paskajuar – rreth tipologjisë së llojeve në veprën e Martin Camajt” të Shaban Sinanit tërheq vëmendjen për disa teza, sa të reja, aq edhe polemizuese me kritikën e zhvilluar deri tani mbi këtë shkrimtar.
Vetë titulli “Camaj i paskajuar” hedh poshtë gjithë përpjekjet për ta kanonizuar Camajn si pasues të Mjedës, folklorizant, të ndikuar nga Montale apo Ungareti, surrealist, neorealist, hermetik, etj… Sipas Sh. Sinanit “Camaj pothuajse të gjitha këto ‘skaje’ i ka refuzuar…sepse Camaj gjithë jetën kërkoi amzën, matricën, çfarë nuk ishte bërë më parë, jo si një anti-model; sepse Camaj nuk shkroi kundër askujt, por si shprehje e mitit dhe origjinalitetit – forma e jashtme e një miti më të rëndësishëm të brendshëm, mitit të vetvetes”.
Pikërisht kjo është sfida që studiuesi u bën gjithë atyre që i janë qasur krijimtarisë së Camajt për të përcaktuar, me domosdo, burimin e ndikimit te Camaj. Sipas studiuesit, Camaj i largohet së gatshmes, asaj që kanë bërë paraardhësit, duke synuar të papërsëritshmen, por pa ndërprerë udhën e të parëve. Në traditë dhe në ikje prej saj, jo për ta mohuar, por për liri vetjake krijuese!
Duke sjellë një qasje tjetër studiuesi vë në dukje, si pak kush tjetër, se Martin Camaj ishte i madh jo sepse i përket kësaj apo asaj poetike paraardhëse apo bashkëkohore, por sepse është krejtësisht i mëvetësishëm, i papërsëritshëm, se ka një origjinalitet të mahnitshëm në poetikën e krijimtarisë së tij dhe kjo e bën “të vështirë” për t’u lexuar dhe, aq më tepër, për t’u interpretuar.
Është pothuajse “tronditës” pohimi se Camaj, me gjithë veprën e tij, prishi kufijtë shumëshekullorë të letërsisë, që nga poetikat antike e deri tek ato moderne, të shkollave krijuese të letërsisë shqiptare, se atij “mund t’i qëndronte cilësimi i shkallmuesit të pabujshëm të kanoneve në përgjithësi”. Prandaj, sipas Sh. Sinanit, Camajt i shkon vetëm një përcaktim: i paskajueshëm, që nuk mund ta futësh në asnjë kanon letrar.
Diskutimi në plan teorik e çon studiuesin në disa vëzhgime që lidhen me përcaktimin e Camajt, në mjaft shkrime të periudhës pas viteve ‘90, si shkrimtar disident, emigrant politik, gega i fundmë, antikomunist, verior… Kundërshtimin e një përcaktimi të tillë studiuesi e bën jo vetëm duke iu referuar pohimeve të vetë shkrimtarit në letrën drejtuar studiuesit arbëresh F. Altimari: “Unë nuk shkruej kundër dikujt!”, por në radhë të parë duke depërtuar në sistemin poetik të krijimtarisë së Camajt, në hapësirën universale, të veçantë, që ka të bëjë me botën, me qenien e njeriut, të vetë poetit, ndëshkimin për të shëmtuarën e jetës njerëzore etj., që janë dhimbja dhe meditimi i çdo poeti të madh, në çdo vend e kohë.
Në këtë kuptim studiuesi propozon një paradigmë leximi e komunikimi që i përket thelbit të artit të letërsisë: leximin estetikisht të vetëmjaftueshëm, “të çliruar prej qëllimeve të vjetra dhe të reja që kanë shtuar me shumicë studiues dashamirës gjatë dy dekadave të fundit”.Duke hetuar mekanizmin krijues të Camajt, Sh. Sinani “trullos” lexuesin kur guxon të pohojë se “Dranja” është vepër shkrimtari dhe shkencëtari, është letërsi dhe studim, është art dhe besim, është filozofi për jetën dhe argëtim estetik.
Gjithashtu, duket se për të ashtuquajturën “errësi” të poezisë së Camajt “fajësohet” lexuesi i zakonshëm për mosnjohjen e kuptimeve të hershme të shumë fjalëve. Duket sikur boshti i këtij studimi është pohimi-çudi: ç’është ky shkrimtar që thyen gjithë rregullat gjinore, të drejtimeve letrare, që ndërton një marrëdhënie kaq personale me artin letrar, dhe që, megjithatë, mbetet një shkrimtar i madh, i papërsëritshëm, i papërcaktueshëm në norma apo parime estetike?
A mos vallë Camaj deshi të sfidonte vetë letërsinë, në parimet dhe ligjshmëritë e brendshme të zhvillimit të saj, duke e nisur këtë shpërfillje (tërthorazi) që nga konceptet teorike të Platonit e Aristotelit e deri te praktikat poetike të poetëve e prozatorëve të njohur, të bashkëkohësisë?

    Titulli: Camaj i paskajuar
    Autori: Shaban Sinani
    ISBN: 9978-9928-100-15-6
    Faqe: 310

Besnik Imeri - Epiri, një histori pellazgo-shqiptare


Picture

Prej Epirit kanë dalë pothuajse të gjitha mitet dhe legjendat e antikitetit, përfshi këtu edhe kryeveprat botërore "Iliada" dhe "Odisea". Mbi këto është ndërtuar e gjithë ideologjia e helenizmit për 2500 vjet rresht; ndërkohë që ka rreth 300 vjet që po ngre kokë dhe fuqizohet edhe pellazgollogjia, e cila po i tregon qytetërimit të sotshëm se qytetërimi pellazg është shtrati mbi të cilën u ngrit qytetërimi grek dhe më pas ai romak.
Pellazgologët thonë se qytetërimi pellazg është pjesa nën ujë e qytetërimit të racës së bardhë (ndërkohë që raca e verdhë dhe e zezë kanë qytetërimet e tyre); ndërsa qytetërimi greko-romak është maja e këtij ajsbergu gjigant, ose pjesa mbi ujë e tij. Por, bota, sipas autorit Besnik Imeri deri më sot shikon dhe njeh për qytetërim të saj vetëm këtë pjesë të dukshme, atë mbi ujë.
Sipas tij, ka ardhur koha për ta quajtur atë Qytetërimi i shkëlqyer pellazg i Epirit, ose thjesht Qytetërim Epirot, ku pjesa më e dukshme, më e shfaqur dhe më e ndriçuar e tij deri më tani, është helenizmi; ndërsa pellazgjizmi dhe shqiptarizmi i tij, janë mënjanuar, fshehur, ndryshuar, mohuar dhe lënë qëllimisht në errësirë. Këtë “enigmë” të historisë trajton libri “Epiri, një histori pellazgo-shqiptare”

    Titulli: Epiri, një histori pellazgo- shqiptare
    Autori: Besnik Imeri
    ISBN: 978- 9928- 109- 34- 7
    Faqe: 320

Fatmir Zanaj - Filozofia e së drejtës


Picture



Libri i ri “Filozofia e së Drejtës”, botimet “Naimi”, Tiranë 2012, që serviret nga autori Fatmir Zanaj si tekst universitar, në fakt, është i destinuar për një lexues më të gjerë. Problematika e trajtuar, stili i të shkruarit dhe  mirëpritja e botimeve të mëparshme të autorit nuk mund të mos ngjallin kërshërinë dhe interesin e publikut.
Pas botimit, në fund të vitit 2009 të librit universitar “Sociologjia e së Drejtës”, i pari i këtij lloji në vendin tonë, dr. Fatmir Zanaj hyn në një fazë të re të kontributit të tij shkencor dhe akademik, duke u nisur nga analiza komplekse e fakteve, rrethanave dhe problematikave sociologjike të së drejtës, drejt arsyetimeve filozofike dhe bazave ideore të kësaj shkence.Mungesa e teksteve ose  botimeve të tjera rreth këtyre temave në vendin tonë, është një rrethanë tjetër që e bën tekstin “Filozofia e së Drejtës” të domosdoshëm, por edhe mjaft të dobishëm për audiencën të cilës i drejtohet.
Në këtë libër autori kombinon analizën logjike të ideve, paradigmave e teorive mbi ligjin e drejtësinë, me parimin historik, duke e parë zhvillimin e filozofisë të së drejtës në trajektoren e saj nëpër mendjet dhe kontributet më të ndritura të të gjitha kohërave.Libri na ofron një pluralitet idesh, produktesh, vlerësimesh dhe interpretimesh rreth bazave filozofike të së drejtës.
Autori ka bërë kujdes të shmangë trajtimin eurocentrist të mendimit filozofik ligjor, duke u zhytur në krijimtarinë ligjore-mitike të qytetërimeve të lashta asiro-babilonase, perse, indiane, greke, romake, pa anashkaluar kontributin e etërve kryesorë të Kishës së Krishterë dhe të dijetarëve të Islamit në fushën e së Drejtës, të Montesquieu-së e Vico-së, të Hobbes-it e Locke-s, të Rousseau-së, të Benthamit dhe John Austinit, të Kantit e të Marksit, duke mbërritur deri në ditët tona me filozofët modernistë e postmodernistë, si H. L. A. Hart, Hans Kelsen, Lon Fuller, John Finnis, Ronald Dworkin, John Rawls, Michel Foucault, Richard Rorty, Jacques Derrida etj.
Arsyetimet e thelluara të këtyre të fundit rreth problematikave filozofiko-juridike të kohës sonë, duke qenë një pasuri ideore, intelektuale dhe instrumentale për shoqërinë e sotme, i japin një meritë edhe autorit, për nga korrektësia e paraqitjes dhe inkorporimi në kontekstin teorik i raporteve të ndërlikuara midis këtyre dy degëve të mendimit intelektual dhe shkencor bashkëkohor.
Autori ka bërë përpjekje të dëshmojë kontributin e dhënë në fushën e mendimit filozofik ligjor prej filozofëve e juristëve të famshëm të të gjitha kohërave, duke iu shmangur rivalitetit të nisur që në periudhën e Ciceronit e të Romës së lashtë, i shfaqur herë pas here ne raportet midis tyre, nisur nga paragjykimi se ligji dhe drejtësia janë çështje monopol të juristëve profesionistë.
Autori shpjegon qartë dhe të mbështetur në argumente problemin themelor të filozofisë të së drejtës, debatin shumëshekullor midis të drejtës natyrore dhe të drejtës pozitive, duke sqaruar me kompetencë dhe rrjedhojat që ka sjellë e sjell debati rreth tij në fusha të ndryshme të zbatimit të ligjit, në fushën e moralit dhe të politikës, në ato të zhvillimeve konstitucionale e demokratike.
Stili i zhdërvjelltë, gjuha e pasur dhe e pastër, rigoroziteti i parashtrimit logjik, e bën librin të këndshëm për t’u lexuar dhe të thjeshtë për t’u kuptuar.Literatura mjaft e pasur, e cila u referohet autorëve më të njohur e më të cituar të filozofisë botërore të së drejtës, shkollave më përfaqësuese të Amerikës së Veriut dhe të Europës Perëndimore, është një aset i padiskutueshëm i librit.
Respektimi rigoroz i kriterit akademik, paraqitja e mendimit shkencor të autorëve të shquar duke iu referuar studimit dhe analizës së drejtpërdrejtë të veprave të tyre kryesore, e bën këtë tekst jo vetëm cilësor e profesional, por edhe një burim për eksplorime, arsyetime dhe kontribute të mëtejshme në këtë fushë.
Studentëve të fakulteteve të drejtësisë të universiteteve shqiptare, juristëve e punonjësve të sektorëve të zbatimit të ligjit, intelektualëve të interesuar për problemet shoqërore, ligjore e filozofike do t’u rekomandoja ta lexonin këtë libër, i cili do t’i pajisë e pasurojë ata me koncepte, ide, paradigma dhe me arsyetime teorike për të kuptuar zhvillimet shoqërore aktuale në Shqipëri dhe rreth apo larg saj, dhe do t’i ndihmojë të bëhen më aktivë e produktivë në kontributet për evropianizimin e shoqërisë shqiptare.  

    Titulli: Filozofia e së drejtës
    Autori: Fatmir Zanaj
    ISBN: 978-9928-109-20-0
    Faqe: 416

Valbona Karakaçi - Himni kombëtar i shqiptarëve


Picture



Studimi i parë monografik në fushën e himnologjisë dhe për himnin kombëtar shqiptar... Përmes fjalëve-kyçe studiuesja analizon frymën e himnit, duke e përcaktuar atë si romantike, me kultin e origjinës dhe të mbijetesës, me vetëdijen e qendresës dhe të epërsisë së popull i dëshmuar vijimisht në histori në trojet e veta.
                                                                                                                   Prof. dr. Shaban Sinani
Përmbush një mangësi të pashpjegueshme dhe të pajustifikueshme në kulturën tonë kombëtare.
                                                                                                                  Prof. Dr. Ardian Marashi
Për herë të parë himni i flamurit ka historinë e krijimit të tij, punë kjo e bërë me gjithë vëmendjen e duhur. Ky studim do plotësojë një mangësi dhe autores do i jemi të gjithë mirënjohës për punën e bërë.
                                                                                                                   Prof. Dr. Afërdita Onuzi
Studime për himnet kombëtare bëhen në çdo vend të botës. Një studiues italian para tre vitesh më thotë se si është e mundur që muzika e himnit kombëtar shqiptar është shkruar para tekstit? Unë u përpoqa t’i jap disa shpjegime, sepse në atë kohë isha i vendosur pranë Konsullatës Shqiptare në Itali.  Sikur atë pyetje të ma drejtonin sot do i përgjigjesha: “lexoni monografinë e Valbona Karakaçit”.
                                                                                                                       Prof. dr. Kolec Topalli

    Titulli: Himni kombëtar i shqiptarëve
    Autori: Valbona Karakaçi
    ISBN: 978-99956-800-3-9
    Faqe: 290

Shaban Sinani - Kodikët e Shqipërisë në "Kujtesën e Botës

"

Picture

Një monografi e plotë për traditën e shkrimeve të krishtera të ruajtura në Shqipëri, tradita më jetëgjatë e kulturës së shkruar. Libri i ri i prof. dr. Shaban Sinani, "Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, antropologji kulturore, me afro 700 faqe dhe me ilustrime me ngjyra është certifikuar nga pikëpamja e vlerës shkencore nga këshilli i botimeve i Akademisë së Shkencave.
Libri "Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, ku zbardhen 10 shekujt e errët të fillimeve të krishterimit në atdheun e shqiptarëve, botohet nga shtëpia botuese “Naimi” në kolanën e saj “Universitas”. Kjo vepër, thotë botuesi Naim Zoto, analizon kodikët e Shqipërisë, një prej koleksioneve me rëndësi botërore për kulturën dhe historinë e njerëzimit; me dorëshkrime të regjistruar në programin e Unesco-s “Memoire du Monde” (nën kujdesin e autorit) dhe me dorëshkrime të tjera të regjistruar në Bibliotekën Virtuale Mesdhetare dhe në Listën e Kryevlerave të Trashëgimit kulturor botëror.
Libri "Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, ku zbardhen 10 shekujt e errët të fillimeve të krishterimit në atdheun e shqiptarëve, botohet nga shtëpia botuese “Naimi” në kolanën e saj “Universitas”.Duke analizuar këtë libër, prof. Aleksandër Meksi vlerëson: “Monografia Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës” pasuron dijet tona për vlerat e trashëgimisë kulturore të krishterimit të hershëm dhe për periudhën e gjatë e të vështirë që vijon.
Monografia e analizon në mënyrë të gjithanshme këtë pasuri pak të njohur, madje dhe për vetë studiuesit e interesuar. Studimet e këtij autori për historinë e dorëshkrimeve të krishtera në Shqipëri janë mirëpritur nga qarqet shkencore ndërkombëtare dhe janë vlerësuar nga studiues të ndryshëm të shkrimeve biblike-ungjillore: paleografë, bizantologë, historianë të krishterimit. Si rezultat i këtij vlerësimi, dy kodikët e purpurt të Beratit janë regjistruar si pjesë të programit “Memoire du Monde” të UNESCO-s në vitin 2005”.
Ndërsa akademik Jorgo Bulo thotë se “Në këtë monografi për herë të parë shpallet pasuria e jashtëzakonshme e traditës së dorëshkrimeve të ruajtura në Shqipëri, me një koleksion që nuk mund të krahasohet jo vetëm me ato të popujve të tjerë të rajonit, por dhe në shkallë europiane. Monografia që paraqet Sh. Sinani për herë të parë  promovon në mjedisin kombëtar e ndërkombëtar këtë traditë, për të cilën dija shqiptare nuk e ka thënë fjalën e vet dhe tashmë po plotëson një vonesë të përligjur për një kohë, por jo për shumë kohë.
Autori i monografisë ka shkruar një libër që ka të bëjë me identitetin shqiptar, me kulturën e ruajtjes dhe të pritjes të popullit shqiptar, një kulturë që nis prej një kohe parashqiptare”.

    Titulli: Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”
    Autori: Shaban Sinani
    ISBN: 978-9928-109-03-3
    Faqe: 692

Fitorja e LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 sipas Exipolit.-

 LVV (Levizja Vetëvendosje) 43.3% 7,535 PDK (Partia Demokratike e Kosovës) 18.4% 3,204 LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës) 12.9% 2,256   AAK...