Lukashenko thotë se dëshiron të dëgjojë përvojën e grupit Wagner në luftë dhe të mësojë prej tyre.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me Kryeministrin Edi Rama, nga Brukseli, apeloi krerët e Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që është vënë në tavolinë javën e kaluar në Bruksel.
“Diskutuam edhe për dialogun për paqen në Prishtinë. Ju falenderoj z. Kryeministër për përpjekjet dhe angazhimin Tuaj për të gjetur një zgjidhje! E kam bërë të qartë dje, në Luksemburg, që palët duhet të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që është vënë në tavolinë javën e kaluar, në Bruksel”, tha Borrell.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, po ashtu theksoi se kjo situatë kërkon marrjen e masave në mënyrë të shpejtë dhe të menjëhershme.
“Kjo situatë kërkon që ne të marrim masa në mënyrë të shpejtë, në mënyrë urgjente. Shtetet anëtare janë dakord me këtë urgjencë dhe e kanë humbur durimin para kësaj situate që po përkeqësohet gjithnjë e më tepër dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, shtoi Borrell.
Borrell njëkohësisht vlerësoi edhe angazhimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama për dialogun që po zhvillohet në Kosovë. “Jam i lumtur që po punojmë me ju”, theksoi ai.

Lukashenko thotë se dëshiron të dëgjojë përvojën e grupit Wagner në luftë dhe të mësojë prej tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Britani të Madhe, ku pati disa takime, përfshirë edhe me ministrin e jashtëm britanik James Cleverly.
“Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, u mirëprita ngrohtësisht nga aleatë e partnerë të Kosovës si në ekzekutivin Britanik ashtu edhe në Parlament. Me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly me të cilin jam në kontakt e komunikim të rregullt, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Kurti në Londër u takua edhe me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme në Britaninë e Madhe, Alicia Kearns, për të cilën ka thënë se ësahtë zë i fuqishëm mbështetës i Republikës së Kosovës.
“Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns ka qenë një zë i fuqishëm mbështetës i Republikës sonë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Me të diskutuam për veprimet agresive dhe sulmet e sponsorizuara nga Serbia mbi KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe gazetarët në veri të vendit dhe qëndrimin tonë parimor e demokratik për depërshkalëzim që në qendër ka sundimin e ligjit. Jemi me fat që në Pallatin e Westminster kemi shumë miq. Atje u takova me deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group), konservatorë, liberal-demokratë e laburistë. Nga Partia Laburiste, një takim të ndarë zhvillova edhe me Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty”, tha Kurti.
Ai po ashtu është takuar edhe me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. Për Blairin ka thënë se e ka falënderuar për rolin që luajti në ndaljen e gjenocidit serb mbi shqiptarët në Kosovë.
“E miq laburistë kemi edhe jashtë institucioneve por që ishin kyç aq sa i drejtonin ato. Republika e Kosova dhe populli i saj i janë përherë mirënjohës ish-kryeministrit britanik Tony Blair për rolin dhe vendosshmërinë e tij për ndërhyrjen humanitare në Kosovë e cila ndali përfundimisht gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët vendas. Në takimin miqësor që patëm e njoftova për arritjet e Kosovës në rrafshin ekonomik, social, të të drejtave të njeriut, dhe institucional, duke ndarë me të bindjen që Kosova është histori e etabluar e suksesit të dyfishtë: intervenimit të NATO-s dhe i bashkëdyzimit të progresit ekonomik dhe atij demokratik”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se në Londër mori lajmin për lirimin e tre policëve kosovarë që u kidnapuan nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës më 14 qershor. Ai ka thënë se do t’i vizitojë ata nesër.
“Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushatarke e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pas ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje”, ka shkruar Kurti.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për të nxitur uljen e përshkallëzimit të menjëhershëm të tensioneve në veri të Kosovës.
Në telefonatën e tij me kryeministrin Kurti, sekretari Blinken përsëriti thirrjen që kryetarët e tre komunave të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga partitë serbe, të punojnë nga vende alternative. Në komunat veriore qytetarët serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë.
Sekretari Blinken ka mirëpritur lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës. Në telefonatën e tij me Presidentin Vuçiç, Sekretari Blinken përsëriti thirrjen se ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, duhet të mbahen përgjegjës.
Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe i kërkoi Serbisë që të ndërmarrë menjëherë hapa për të zbatuar angazhimet e saj sipas marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve.

Një ditë e qetë në kryeqytetin rus pasi Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner dhe trupat e tij i dhanë fund rebelimit të armatosur dhe marshimit drejt Moskës.
Është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë për sundimin e Presidentit Vladimir Putin sfida e armatosur që përfundoi me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bjellorusia. Kritikat e Prigozhinit ndaj udhëheqjes ushtarake ruse për mënyrën e zhvillimit të luftës në Ukrainë ishin bërë gjithnjë e më të ashpra. Uashingtoni po i vëzhgon zhvillimet nga afër, tha për rrjetin ABC Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
“Kanë dalë më hapur se kurrë pretendimet e rreme të Rusisë për të justifikuar agresionin, se Ukraina ose NATO-ja përbënin kërcënim për Rusinë, të cilin Kremlini duhet ta zgjidhte ushtarakisht. Se ku do të çojë kjo, nuk e dimë në këtë moment”.
Mbështetja për Ukrainën do të mbetet në qendër të vëmendjes së Uashingtonit, thotë zoti Blinken.
“Masa e shpërqendrimit dhe ndasisë mes rusëve mund ta bëjë edhe më të vështirë agresionin kundër Ukrainës. Por nga ana tjetër, paqëndrueshmëria në një vend të madh si Rusia përbën arsye për shqetësim”, tha zoti Blinken.
Pasi ra dakord për të mos i ndjekur penalisht rebelët e grupit Wagner, Presidenti Putin mund ta ketë kufizuar disi dëmin që iu bë reputacionit të tij, thotë ekspertja e studimeve të mbrojtjes, Marina Miron.
“Nuk u kthye në gjakderdhje të madhe. Kështu që Putini e dinte saktësisht se cilët butona të shtypte dhe arriti ta rregullonte situatën prapa skenës”.
Nëse, si pjesë e marrëveshjes, shefi i Wagnerit është tani vërtet në Bjellorusi, ai ende mund të luajë një rol në luftën kundër Ukrainës, tha për kanalin “Sky News” gjenerali në pension Richard Dannatt, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura britanike.
“Nëse ka shkuar në Bjellorusi dhe ka mbajtur një forcë efektive luftarake, atëherë ai paraqet përsëri një kërcënim për krahun ukrainas më afër Kievit”.
Ish udhëheqësi i lartë ushtarak britanik thotë se forcat ukrainase duhet të tregohen vigjilente.
Të shtunën herët, ushtria private e Prigozhinit u duk se kontrollonte shtabin ushtarak në Rostov-on-Don, një qytet rreth 1 mijë kilometra në jug të Moskës, prej nga drejtohen operacionet ruse në Ukrainë, tha ministria britanike e Mbrojtjes.
Mediat ruse raportuan se disa helikopterë dhe një aeroplan ushtarak u rrëzuan nga trupat Wagner. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka komentuar njoftimet.
Pasi marrëveshja uli tensionet, videot e postuara në rrjetet sociale ruse shfaqën njerëz që brohorisnin trupat e Wagnerit teksa largoheshin. Prigozhini udhëtonte me një fuoristradë të ndjekur nga një kamion ndërsa njerëzit e grumbulluar në rrugë e përshëndetën dhe disa vrapuan për t'i shtrënguar dorën. Guvernatori rajonal më vonë tha se të gjitha trupat ishin larguar nga qyteti.
Trupat dhe pajisjet e Wagnerit u panë gjithashtu në provincën Lipetsk, rreth 360 kilometra në jug të Moskës.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin e shpalli të hënën një ditë jo pune për shumicën e banorëve si pjesë e masave të shtuara të sigurisë, një masë që mbeti në fuqi edhe pas tërheqjes së Wagnerit.

Ukrainasit shpresonin se luftimet e brendshme ruse do të krijonin mundësi që ushtria e tyre të rimarrë territoret e pushtuara nga forcat ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën vonë, pak para se Prigozhini të shpallte tërheqjen e tij, se marshimi shfaqi dobësinë e Kremlinit dhe "u tregoi të gjithë banditëve, mercenarëve, oligarkëve rusë" se është e lehtë të kapësh qytetet ruse "dhe, ndoshta, arsenalet".
Trupat e Wagner-it kanë luajtur një rol vendimtar në luftën e Ukrainës, duke pushtuar qytetin lindor të Bakhmutit, një zonë ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata. Por Prigozhini e ka kritikuar gjithnjë e më shumë udhëheqjen e ushtrisë, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe për mungesë municionesh për trupat e tij.
Yevgeny Prigozhin 62 vjeçar, dikur i burgosur, ka lidhje të gjata me Presidentin Putin dhe ka fituar kontrata ushqimore fitimprurëse nga Kremlini që i dhanë nofkën "kuzhinieri i Putinit".
Ai dhe një duzinë shtetasish të tjerë rusë janë akuzuar në Shtetet e Bashkuara për një fushatë ndërhyrjeje para fitores së zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Wagneri ka dërguar kontraktorë ushtarakë në Libi, Siri, disa vende afrikane dhe në fund edhe në Ukrainë.
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...