Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/18

VEPËR VËSHTRIMESH KRITIKE DHE SHUMËSHTRESIMESH LETRARE


Flori Bruqi




NËSE KAM DITUR TË GUXOJ



/poezi…për krijimtarinë letrare e publicistike në kohë…vështrime kritike…letra…/




 Rugova Art

 Biblioteka:Feniksi

Redaktor:Naim Kelmendi

Recensent:Prof.Dr.Eshref Ymeri

Design:Çajup Kajtazi

Shtëpia Botuese Rugova Art
Prishtinë
2011

VEPËR VËSHTRIMESH KRITIKE DHE SHUMËSHTRESIMESH LETRARE

(Nga fjala e redaktorit)

Libri më i ri publicistik i shkrimtarit, tashmë të mirënjohur, Flori Bruqit, na vjen si një sihariç i mirë letrar. Libri me titull shumë sinjifikativ “Nëse kam ditur të guxoj”, përmbanë një lëndë të pasur në shumë aspekte letrare. Meqë kapitulli i parë përmbanë  një cikël poezish të autorit, kapitulli i dytë hap një faqe interesante me shkrimet kritike nga autorë të ndryshëhm e të mirënjohur shqiptarë, pra vlerësime kritike e vështrime për disa nga veprat letrare të Bruqit, por të publikuara më parë në shtypin shqiptar të kohës. Autori Bruqi i ka sistemuar këto shkrime, që përbëjnë një sërë vlerësimesh të çmueshme letrare për krijimtarinë e tij letrare,poetike e publicistike por edhe për ato botime të fushës profesionale të Flori Bruqit, nga emra tashmë të ndjerë, por mjaft të shquar, si Mehmet Kajtazi, Rifat Kukaj, Zejnullah Halili, Iljaz Prokshi e ndonjë tjetër. Por, edhe nga emra po aq të mirënjour të letërsisë sonë, të gjallë, janë përmbledhur këtu mjaft vështrime që cilësojnë e vlerësojnë veprën e Flori Bruqit, sikur janë: Fatmir Terziu, Bedri Halimi, Lumturie Haxhiaj, Shyqri Galica, Namik Shehu, Izet Çuli, Zeg Pergega, Kristaq Shabani, Naim Kelmendi, Rajmonda Maleçka, Eshref Ymeri, Rushit Ramabaja, Abdullah Konushevci, Rrustem Geci, Nehat S.Hoxha, Ajshe Qorraj, Arlinda Meksi, Shpend Ruci, Arian Blushi, Nikollë Frangaj, Faik Xhani e ndonjë tjetër. Do theksuar se në të gjitha kritikat dhe vështrimet kritike mbi veprat letrare të Bruqit, qofshin ato vështrime të mëdha apo të vogla, ndonjëherë si njoftime mbi librat e publikuar nëpër kohë të Bruqit, qoftë si vështrime më të gjata, cilësohet e vlerësohet krijimtari letrare e Flori Bruqit, dhënë lëtërsisë sonë më të re, duke bërë kështu emër në letërsinë moderne.
Ja si do të shprehej atëbotë shkrimtari i mirënjohur yni, Mehmet Kajtazi, në një vështrim të tijin për poezinë e Floriut: “Temat që ngërthehen në këto vargje nuk burojnë nga inspirimet që i marrin disa poetë nga librat që i lexojnë, por Flori Bruqi inspirimet i merr nga jeta. Ato nuk mbesin vetëm inspirime, por dalin nga kornizat e një gjirme të thellë dhe si valëzat e detit të shqetësuara afrohen drejt brigjeve, por edhe kthehen në suprinën e largët të detit me emrin nënë, me emrin martizim, me emrin LIRI”.Apo në një rast tjetër njëri nga shkrimtarët tanë të shquar Zejnullah Hallili: “Flori Bruqi po hyn nëpër një shteg të ndritshëm në poezinë shqipe. Figura e tij në fillim të kësaj poeme na sjell shqetësime të shumta që lidhen me Tokën, me Nënën, me Gjakun, me Vallen e Shkrepave, me Baladën e Yjve, me Lotin që ka Ogur, me Zërin me Frushullimën e Krahëve, me Akuarelin e Diellit, me Lumin e Bardhë. Secili varg vendoset në patosin e Kësaj Luleje. Secila poezi ka gjethin  e Vet, Dritën, shqetësimin dhe besimin, andejza, matanë errësirës pra ai këto frymëzime i zë nga jeta, sepse e nxit Bardhësia e katër vargjeve, figura e saj, shpirti shqetësues, Fjala”.
Në kapitullin e tretë mbarështrohet një lëndë po aq e pasur dhe e thekur letrare e autorit mbi veprat dhe mbi jetën e shumë autorëve botërorë e shqiptarë,sipas këndvështrimit dhe shijes dhe dioptrisë krijuese të studiuesit Bruqi. Flori Bruqi këtu spikat me vështrimet e tij të thukta dhe përmbajtësore, me një metodologji klasike të vështrimit: ai shkruan mbi veprën e autorit, jep mjaft shënime biografike dhe shtjellon motivet e veprës së tyre, por edhe klasifikon ndonjë nga poezitë apo prozën apo shkrimin e akëcilit që merr në theks të vështrimit.
Në të gjitha këto vështrime kritike vërehët përkushtimi dhe niveli studimor i autorit me një bagazh të mirë studimor mbi veprat dhe autorët. Poashtu autori, në secilin vështrim jep edhe të dhëna të shumta mbi veprat e autorëve, që përmbëjnë opusin krijues të tyre, si informacion të plotë për lexuesin. Janë një sërë artikujsh kritik e publicistik edhe për figurat e jetës sonë letrae por edhe politike e publicistike sikur artikulli për Dr.Ibrahim Rugovën, ku Bruqi qëmton me këndvështrimet e tija, duke na sjellë përshkrime dhe vlerësime për figurën madhore e komplekse të presidentit historik Ibrahim Rugova, por edhe për veprën e tij letrare dhe kritike që është mjaft e bujshme. Gjithashtu me interes janë edhe mjaft shkrime të kësaj natyre, siç janë p.sh shkrimet për Nënë Terezën-nderin e kombit shqiptar, pastaj vështrimet kritike për figurat letrare si për Eqrem Çabejn, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Ismail Kadarenë, Prend Buzhala, Naim Kelmendi, Bardh Frangu,dhe poetë të gjeneratës më të re të postmodernes, sikur Irena Gjoni, Lediana Kapaj, Alma Papamihali,Thani Naqo, Jorgo Sofokli Telo, Valdete Berisha e ndonjë tjetër.
Ato që përbëjnë gamën e gjerë të vështrimeve dhe temave sintetizuese, por edhe tematike, janë disa nga shkrimet që zënë vend në këtë vepër, si “Shkrimtari idealist shqiptar gjatë shekullit XX”, “Kritita tani ngjanë në një digë të shpartalluar, që i varen lllamarinat nga erërat e fitimit”,”Spastrimi etnik në Kosovë”,”Shqiptarët në shtypin arab”, ”Historik i shkurtër i gjuhës shqipe” etj.Me një fjalë, vepra letrare e Flori Bruqit: “Nëse kam ditur të guxoj” përmbën një aureolë pikëvështrimesh të qëmtuara lëtrare mbi veprat e shumë autorëve të shquar vendas e ndërkombëtar, por edhe ato mbi veprën autoriale të këtij shkrimtari tashmë të njohur në letrat tona.me kontributin e shumë veprave cilësore letrare, poetike e publicistike që zënë vend të merituar në “Panteonin” e letërsisë shqiptare.


2011/09/16

“Takimet e Dom Mikelit”

Të shtunën në Stubëll të Epërme, të CVitisë, mbahet manifestim tradicional kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”. Temë bosht e këtyre takimeve, siç bën të ditur Ipeshkvia e Kosovës, do të jetë Papa Gjoni Pali II dhe çështja e Kosovës. Në Tribunën shkencore do të referojnë Dr. Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Republikës së Kosovës, Dr. Jusuf Buxhovi, shkrimtar e historian, pastaj Dr. Eqrem Zenelaj, Willy Kamsi, ish-ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Dom David Gjugja, drejtor i Radio Vatikanit, seksioni në gjuhën shqipe, dhe Dr. Shyqri Galica (Mbi portretin e studiuesit e krijuesit Isak Ahmeti).

Po ashtu në program do të jenë edhe Ora e madhe letrare, Ndarja e çmimit “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira, Ndarja e çmimit “Akil Koci”, dhe po ashtu

një programi argëtues (marrin pjesë këngëtarë e ansamble).

Proghrami nis në orën nëntë, me meshën pontifikale, që do ta mbajë Imzot Dodë Gjergji, ipeshkev i Kosovës.

“Krimet e luftës në Gjakovë, 1998 -1999”

Monografia “Krimet e luftës në Gjakovë, 1998 -1999”, e autorit Fuat Haxhibeqiri, e promovuar të mërkurën, është cilësuar si një përmendore ndaj të gjitha viktimave civile të luftës së fundit në Kosovë.

“Ne njerëzit që shkruajmë, nuk kemi mundësi të tjera të ngremë përmendore, pos me fjalë”, ka thënë ndër të tjera redaktori i librit Halil Matoshi. Sipas tij, kjo monografi është një dokument më i besueshëm për krimet e shtetit serb në Kosovë, i shkruar me saktësi dhe objektivitet.

“Duke qenë se autori ishte aktivist i të drejtave të njeriut, ai ia ka dalë që në kapitullin e ‘Kujtesës së Kosovës’ të shkruajë faqet e historisë së kësaj lufte; të sjellë fakte të pamohueshme për krimet e egra të fashizmit të Milosheviqit, si në tërë Kosovën edhe në Gjakovë”, ka thënë ai. Në mbi 200 faqe Fuat Haxhibeqiri - i cili gjatë viteve 1998-99 ka qenë kryetar i KMDNJ-së në Gjakovë - trajton të gjitha llojet e krimit që i shkaktuan njësitet ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj popullatës së Komunës së Gjakovës.

“Monografia flet për ngjarje të vërteta dhe në sfond ka dëshmitarë të gjallë, të gjithë ata që kanë përjetuar tmerrin e luftës së fundit”, ka thënë autori.

Recensenti i monografisë, Enver Robelli, ka folur më shumë për personalitetin e autorit. Bashkëvendësve të autorit u ka thënë se duhet të jenë krenarë për “një bashkëqytetar të tillë i cili e menaxhon kujtesën e këtij qyteti”.

“Shpresoj se shumë njerëz në Kosovë që dinë për të kaluarën, ta marrin Fuatin si shembull dhe të na sjellin vepra të tilla edhe për qytetet E tjera, në mënyrë që ne të kemi një pasqyrë të qartë se çfarë ka ndodhur në këtë vend. Ne për fat të keq dimë shumë pak për ato vitet e tmerrshme”, ka thënë ndër të tjera Robelli.

Akademik Pajazit Nushi ka thënë se në veprën e Haxhibeqirit - me të cilin ka bashkëpunuar - ka konstatuar disa veçori që pak konstatohen në botimet e tjera individuale dhe të disa institucioneve tona.

“Kjo monografi është e fitore e betejës për të vërtetën”, ka thënë Zejnullah Gruda, drejtor i Institutit për Krime të Luftës. Botimi i Monografisë është përkrahur nga Komuna e Gjakovës.

“Falë këtij libri autorëve po e qesim në shesh historinë tonë më të dhimbshme, me të cilin është ballafaquar çdo njeri, qytetar e familje”, ka thënë me këtë rast kryetari i Komunës, Pal Lekaj. 

Libri për Arbën Xhaferin, libër për pjekurinë e shoqërisë shqiptare


Politikanit më emblematik shqiptar në Maqedoni, Arbën Xhaferi, nuk i ka mbetur merak të shtojë as edhe një presje në rrëfimin që është botuar nga Botimet KOHA, në formë të bashkëbisedimit me gazetarin Enver Robelli. Ky i fundit ka thënë se po t’i jepej mundësia e ribotimit të librit që e ka titulluar “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, do të kishte për Xhaferin edhe 200 pyetje të tjera. Por vetë protagonisti i librit është i bindur se i ka thënë të gjitha që kishte për t’i thënë, në pyetjet që ia ka bërë gazetari Robelli.

“Nuk i kam ikur asnjë pyetjeje, por drejtpërdrejt dhe sinqerisht jam munduar t’i shpjegoj fenomenet ashtu siç i shihja unë”, ka thënë Arbën Xhaferi për gazetën, pak pasi ka përfunduar ceremonia e promovimit të librit për të, bashkë me dhënien e shumë autografeve që ai dhe autori Robelli kanë vënë në kopjet e para të librit, i cili ka dalë rishtas në treg.

Me parathënie të publicistit Veton Surroi, libri më i ri i Botimet KOHA është promovuar të enjten pasdite, në hotelin “Victory”. Përveç tij në promovim kanë folur edhe autori i librit, Enver Robelli, dhe drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi. Poetit Ali Podrimja i ka takuar të recitonte gjashtë poezi, prej tyre një e shkruar për humanisten e shquar shqiptare Nënë Tereza dhe një tjetër për aktorin shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu.

Intelektuali që nuk ka heshtur asnjëherë ndaj fenomeneve që kanë preokupuar shoqërinë shqiptare gjithandej ku jetojnë, e di që një libër ku ai do të fliste gjerësisht për fenomene shoqërore ka ardhur pak vonë.

“Mendoj se fajin për vonesë e kam unë, meqenëse duhej paraprakisht të shkruaja një vepër për këto dukuri”, ka thënë Xhaferi, i cili nuk ka vonuar për t’u “amnistuar” pse nuk e ka bërë këtë.

“Zakonisht çështjet vitale marrin një konotacion të domosdoshëm, e çështjet esenciale lihen pas dore. Kur u paraqit Robelli që të kërkojë intervistën, unë e pranova atë dhe shfrytëzova interesimin e tij dhe të gazetës ‘Koha Ditore’ që të jap opinionin tim për ato çështje që i interesojnë opinionit përmes kureshtjes së Enver Robellit”, ka thënë Xhaferi.

Gjatë promovimit ka thënë se është ndier i emocionuar.

“Natyrisht që e përjetova me emocione, sepse arrita përmes një gazetari të jap një rrëfim të sinqertë për nocionet politike, për proceset historike, si dhe për fenomene të tjera që veprojnë në mënyrë interaktive në Kosovë, siç është çështja e religjionit dhe çështje të tjera”, ka thënë Xhaferi.

Ai ka thënë se është dorëzuar para motivacionit të gazetarit, i cili parashtroi pyetje që atij i dukeshin interesante, për të bërë skenimin e një politikani, të mendjes së tij, dhe të mënyrës se si ai e kupton politikën dhe çështjet e tjera.

Por vetë gazetari Enver Robelli ka thënë se meritat për librin i ka intelektuali që ai e ka intervistuar.

“Është një arbitraritet, sepse në fakt autor i këtij libri është vetëm z. Xhaferi. Jam përpjekur që përmes pyetjeve, të cilat mua më kanë interesuar vazhdimisht ta nxis atë të flasë”, ka thënë Robelli.

Sipas tij, ajo çka e përbën një intelektual është se ai nuk shkëputet asnjëherë nga jeta e përditshme.

“Arbën Xhaferi është prej intelektualëve të rrallë që asnjëherë nuk është shkëputur nga përditshmëria, nga realiteti dhe nga rezonimi për problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohet ambienti politik dhe kulturor”, ka thënë Robelli.

Ai ka thënë se gjithherë i kanë interesuar mendimet e Xhaferit në prononcimet mediale, përderisa librin e ka parë si një mundësi që të zgjerohej më shumë në reflektimet e tij.

“Bashkëbisedimi me të më ka krijuar një kënaqësi të jashtëzakonshme. E falënderoj edhe atëherë kur më thërriste në orën 10 të natës, edhe kur e thirrja në orën 11 të natës”, ka thënë Robelli.

Tetova e viteve të rinisë së tij, Prishtina e trazuar nga politika dhe Tirana e dikurshme, janë vetëm disa nga aspektet ku është ndalur bashkëbisedimi i Robellit me Xhaferin. Por Robellit do t’i interesonin edhe qëndrimet e bashkëbiseduesit të tij për tema të tjera jashtë politikës, por që reflektojnë në politikë - mendimet e tij mbi religjionin, mbi kinematografinë e shumë më shumë.

“Në këtë kontekst doli një vepër e kompletuar”, ka thënë Robelli.

Drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka treguar se Enver Robelli e kishte iniciuar dhe zhvilluar serinë e intervistave, të cilat i quajti “40 pyetjet”, që botohet çdo të mërkurë në “Koha Ditore”.

“Deri te publikimi i intervistës me Arbën Xhaferin, që të gjitha të tjerat ishin ‘paketuar’ në nga një faqe gazete. Intervista me zotin Xhaferi u publikua në tri vazhdime - ngase nuk kishte si, e nuk kishte as pse të cungoheshin përgjigjet absolutisht interesante dhe plot peshë e përmbajtje që ua kishte dhënë pyetjeve të shtruara. Pa dyshim - ishte një intervistë e jashtëzakonshme”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit” është libër në të cilin Arbën Xhaferi, thjesht, shkëlqen me të gjithë kapacitetin e të menduarit që tregon edhe shtjellimin e argumenteve që i bën.

“Leximi i librit me një frymë më ka shkaktuar kënaqësi të posaçme - sa për gjërat e reja që i kam mësuar, aq edhe për shkak të bindjes së thellë se edhe ne shqiptarët kemi pse të krenohemi me këtë figurë emblematike, të kapacitetit të këtillë intelektual”, ka thënë Surroi.

Sipas saj, përvoja e gjatë publicistike dhe njohja disadekadëshe me Arbën Xhaferin do ta kenë shtyrë Veton Surroin që t’i propozonte autorit që këtë bashkëbisedim ta zgjeronte.

Publicisti Veton Surroi librin “Arbën Xhaferi: Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, e ka cilësuar si libër të pjekurisë. Ideatori i zgjerimit të botimit të mendimeve të Xhaferit ka dhënë arsyetimin për këtë gjë.

“Kur u botua intervista e parë e Enver Robellit me Arbën Xhaferin, në fillim të këtij viti, mendova se ajo që u botua aty ishte vetëm një pjesë e një libri të pabotuar. Një libri i cili duhej të dilte, e meritonte të dilte, dhe i një libri i cili në fund do të karakterizonte tërë këtë punë të tij, në një fazë të pjekurisë”, ka thënë publicisti Surroi. Për të, ky libër është i pjekurisë, edhe për faktin se autori i tij është, siç e ka quajtur Surroi, penë brilante e gazetarisë shqiptare.

“Robelli zbuloi detaje të një jete politike, të një jete kulturore dhe të një konteksti politik dhe kulturor në të cilin kanë jetuar shqiptarët”, ka thënë ai. Kjo ka bërë që Surroi të konkludojë se libri ka ardhur edhe në fazën e pjekurisë së shoqërisë shqiptare.

“Libri i Arbnit dhe i Enverit është pjekuri, të cilën e kemi mbërritur edhe si shoqëri”, ka thënë ai.

Për Surroin, Arbën Xhaferi është pa dyshim njëra prej figurave më emblematike të politikës dhe të mendimit politik shqiptar, në të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Ai ka thënë se për dallim prej shumë aktorëve politikë, Arbën Xhaferi ka studiuar për politikën brenda një konteksti më të gjerë: ka menduar dhe ka shkruar për të.

“Ai, i cili është përpjekur vazhdimisht që të imponojë racionalitet në shoqërinë shqiptare, ka qenë pa dyshim Arbën Xhaferi”, ka thënë Surroi. 

Edhe modeli “dy Gjermani”, edhe autonomi për veriun, ky është rreziku!


Modeli i ngjashëm me atë të dy Gjermanive tashmë po pranohet edhe zyrtarisht nga institucionet e Kosovës me marrëveshjet e arritura në Bruksel, pasi që Prishtina po pajtohet se vetëm me Serbinë mund të ketë marrëdhënie speciale, të ndryshme nga ato që ka me vendet e tjera fqinje dhe ato që e kanë njohur pavarësinë. Teksa Beogradi i trimëruar me suksesin në arritjen e synimit të parë, në tavolinë të bisedimeve, po mpreh dhëmbët edhe për të dytin, nën tavolinë – autonominë për veriun, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës, por faktikisht do të operonte si krahinë brenda Serbisë
Adriatik  Kelmendi


SE ËSHTË NISUR dialogu mbrapsht dhe pa krye, dhe se ashtu siç është nisur të tilla do t’i ketë edhe rezultatet, besoj se e kemi përsëritur shumë shpesh përgjatë këtyre muajve. Por, që mund të marrë kah edhe më të gabuar se ç’është mundur të parashihej edhe nga ndonjëri nga ne që shpesh u quajtëm “pesimistë”, vështirë të besohej. E po, ja që pesimizmi nuk ka se si të mos rritet. Me drejtimin që ka marrë tash dialogu i fasilituar nga Bashkimi Evropian dhe për shkak se në vazhdimësi pala kosovare ka punuar pa një strategji të qartë se çka do të arrihet praktikisht dhe politikisht për Kosovën, tash para nesh janë dy opsione, asnjëri i mirë për vendin.

I pari është modeli i mosnjohjes reciproke, por i mospengimit të ushtrimit të subjektivitetit ndërkombëtar si shtete sovrane, i afërt me modelin e dy Gjermanive.

I dyti është opsioni i statusit special për veriun, që do të nënkuptonte edhe vdekjen e Planit të Ahtisaarit dhe shkatërrimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si derivat i këtij plani.

Dhe, që situata të bëhet edhe më e komplikuar, nuk është se mund të ndodhë njëri në shkëmbim të diçkaje të favorshme për Prishtinën, por mund të ndodhë edhe modeli i dy Gjermanive e edhe statusi special për veriun, bashkë, pa ndonjë përfitim për Kosovën.



Modeli i dy Gjermanive po zyrtarizohet nga dialogu në Bruksel



SADO QË NUK PO pohohet nga Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesja në dialogun me Beogradin, Prishtina është duke pranuar që në raport me Serbinë të mbetet në fuqi Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Kjo Rezolutë tash po pranohet nga Beogradi, pas refuzimit fillestar të saj, kurse ishte shpallur e skaduar nga Prishtina dhe nga të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përnjëherë ajo është e gjallë, por vetëm në trinomin Prishtinë-Beograd-Bruksel. Po të studiohen me kujdes të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri më tash, në dialogun e Brukselit, që të gjitha i referohen Rezolutës 1244 dhe asnjëra nuk nënkupton ekzistimin e Republikës së Kosovës, si entitet i pavarur dhe sovran.

Sa për ilustrim: për dallim me Serbinë, të gjitha marrëveshjet e tjera dypalëshe të Kosovës me shtetet e saj fqinje, por edhe me shtetet e tjetra që e kanë njohur pavarësinë, janë ndryshe nga këto me Beogradin – në to njihet subjektiviteti i barabartë si shtete të pavarura dhe të njohura reciprocikisht. Shikoni marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, si dhe me shtetet jofqinje dhe do të shihni se në të gjitha këto ka një pozicion të unisuar të Republikës së Kosovës karshi tyre. Por, kjo natyrisht se nuk po ndodh me Serbinë. Prishtina, me ndihmën e Bashkimit Evropian, po e porosit qartë Serbinë se nuk ka përse ta njohë të drejtën e Kosovës për të qenë shtet sovran dhe i pavarur, ashtu siç e njohin fqinjët e tjerë dhe 82-83 shtete në përgjithësi deri më tash. Prishtina po pajtohet që me Serbinë mund të ketë marrëdhënie të cilat dallojnë nga ato me shtete të tjera, të cilat duke qenë të veçanta në këtë rast, e bëjnë të veçantë edhe marrëdhënien që ka Kosova me Serbinë. Kjo marrëdhënie tash po e merr edhe vulën zyrtare të institucioneve të vendit me marrëveshjet e pranuara, si dhe miratimin e BE-së.

Ne kemi dëgjuar kohëve të fundit të shtohen zërat që kërkojnë nga Serbia vetëm normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, nga figura të fuqishme të nivelit Merkel e Van Rompuy, por jo edhe njohje të pavarësisë, duke mos iu bërë fare përshtypje fakti që edhe vetë shtetet të cilave u takojnë, në këtë rast Gjermania, ose shumica e vendeve anëtare të institucioneve që udhëheqin, Bashkimi Evropian, e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ata nënvizojnë: Serbia të ketë qasje serioze në dialogun e fasilituar nga BE-ja, i cili do të normalizojë marrëdhëniet në nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë, por se nuk ka fare nevojë që Beogradi ta njohë sovranitetin e pavarur të Prishtinës.

Në anën tjetër, deri më sot nuk kemi parë as që i është kërkuar Serbisë edhe nga Qeveria e Kosovës që ta njohë pavarësinë, gjë jo fort e zakontë në këto rrethana.

Së këndejmi, në qoftë se edhe Kosova pajtohet se raportet e saj me Serbinë do të jenë të një niveli special nga ato me shtetet e tjera, atëherë edhe statusi ndërmjet këtyre dy vendeve do të jetë special. Më i afërti na del ai i funksionimit të dy Gjermanive deri me shembjen e Murit të Berlinit. Dhe kjo po pranohet tash zyrtarisht edhe nga Prishtina.

Për më tepër, edhe pse “dy Gjermanitë” po ndodhin, frikësues është fakti se nuk ka asnjë sinjal që tregon se për këtë arritje Beogradi do të jetë i gatshëm që të lëshojë pe në ndonjë anë tjetër, siç do të mund të ishte një kërkesë ndaj Kremlinit që Rusia të mos vërë veto në pranimin e Kosovës në OKB.



Beogradi kërkon suksesin e dytë: autonominë e veriut



AQ MË TEPËR, Beogradi zyrtar është duke arritur sukses në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, por nuk është i gatshëm të ndalet vetëm me kaq. Synimi është që në momentin kur marrëveshjet e arritura me Prishtinën në Bruksel do të jenë të mjaftueshme për të rregulluar çështjet në stilin e funksionimit, por pa njohje të pavarësisë, atëherë do të ketë agresivitet të shtuar për të shpallur të tejkaluar Planin e Ahtisaarit dhe për të siguruar autonomi për serbët e veriut, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës (por gjithsesi kufij të papranuar nga Serbia), por faktikisht si krahinë brenda Serbisë.

Sakaq, në kuadër të “lëshimeve” që Beogradi pritet të bëjë në kuadër të dialogut do të jetë edhe drita e gjelbër për arrestimin e strukturave kriminale në veri, por pastaj do të kërkohet që për këtë edhe institucionet e Kosovës të jenë të gatshme për ide të reja për popullatën civile serbe, me arsyetimin se ajo nuk do me asnjë kusht të jetë nën administrimin e Prishtinës.

Për këtë arsye kemi edhe deklaratat e forta që i dëgjojmë këto ditë nga presidenti serb, Boris Tadiq, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, se Beogradi nuk do të rrijë duarkryq në qoftë se vendosen përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në pikat doganore 1 dhe 31. Po të synonin ata që Kosova të kthehej ndonjëherë nën sovranitetin e Beogradit, nuk do të bënin dallimin ndërmjet këtyre dy pikave doganore dhe asaj në Merdar, që funksionon pa probleme. Mirëpo, synimi optimal i Serbisë momentalisht është që të mos ndryshojë raporti në kontrollimin e situatës në terren në veri dhe që si e tillë kjo pjesë të ketë status të veçantë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Në këtë frymë Beogradi po kapitalizon me sukses në tavolinë me marrëveshjet në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, dhe po e synon nën tavolinë – autonominë për veriun. Dhe, të dyja brenda një pakoje.



TEKSA MODELI I DY Gjermanive, siç e thashë, tashmë po ndodh edhe zyrtarisht, statusi i veriut do të varet shumë nga hapat që do të ndërmarrë edhe Prishtina pas 15 shtatorit.



adriatik@kohavision.net

Sa ka gazetari hulumtuese në Kosovë?

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës “KSHMK”, i mbështetur nga OSBE-ja, të premten organizoi një tryezë diskutimi me temën “Etika e gazetarisë dhe e vërteta”. Nehat Islami, drejtor i Zyrës së KMSHK, tha se ky këshill është një trup vetërregullues, i cili merr vendime profesionale për ndonjë ankesë. Ndërsa, Behxhet Haliti, anëtar i bordit të KMSHK-së, theksoi se kodi i këtij këshilli është i deleguar nga standardet më të larta të gazetarisë, ku sa më i respektuar që të jetë ky kod aq më faqebardhë do të dalim para lexuesit, dëgjuesit apo shikuesit e medies sonë. “Të gjithë që merremi me zanatin e gazetarisë jemi të obliguar të respektojmë këtë kod”, theksoi Haliti.


Halil Gashi, gazetar, ngriti çështjen pavarësimit të medieve. Sipas tij, më e arsyeshme dhe më falënderuese do të ishte që partitë politike të botojnë gazeta të veta se sa që të ndikojnë në pavarësinë e gazetave. Kolegu i tij, Enver Maloku nga Klina, si më shqetësuese ngriti çështjen e gjuhës, sipas tij, të devijuar shqipe në mediat e shkruara edhe ato elektronike. Ndërkaq, sa i përket gazetarisë hulumtuese, nga panelistët dhe të pranishmit kishte diskutime të ndryshme. Ilir Osmanaj theksoi se në Kosovë nuk ka gazetari hulumtuese, apo është shumë e rrallë, kurse me konstatimin e tillë nuk u pajtua Behxhet Haliti.

Serbët gjuajnë me gurë drejt jugut

Në orët e vona sonte, papritmas serbë të shumtë janë mbledhur tek ura kryesore mbi Ibër, në përpjekje për të shtuar sasinë e zhavorrit mbi urë dhe kanë gjuajtur me gurë në drejtim të anën jugore të urës, raporton TV Arta. Gazetarët janë ndjekur nga afërsia e urës e bashkë me ta janë larguar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Forca të shumta të EULEX-it dhe karabinierë kanë ardhur përforcim tek ura.

Gjatë kësaj ngjarje, në anën jugore të urës mbi Ibër janë mbledhur edhe shumë të rinj shqiptarë, por pas një kohe edhe ata janë shpërndarë.
Kameramanët e KTV-së para pak minutash kanë dërguar nga Mitrovica imazhet e një zjarri goxha të madh në prapavijë të Kodrës së Minatorëve.      
Sipas informatave të fundit, zjarri është shuar, kurse pohohet se paraqitja e zjarrit në këtë kohë të vitit është dukuri e zakonshme, pasi në afërsi ka mjaft lisa.
Në anën tjetër, nga terreni ka pohime se zjarri ka mundur të vihet qëllimisht.

Pasoja vendimtare e ndërhyrjes së sotme nuk është shpërbërja e strukturave ilegale, armiqësore e kriminale të Beogradit dhe as sundimi i rendit dhe ligjit; rezultati kryesor është lejimi i hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë”, ka vlerësuar të premten lëvizja “Vetëvendosje”.Në një komunikatë për opinion, kjo lëvizje ka vlerësuar se “Thaçi ndërhyrjen e tij po e quan sovranitet. Ai po e quan sovranitet vendosjen e disa doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31. Por këta doganierë po barten nëpër qiell me helikopterë të KFOR-it. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar se Qeveria nuk po e kontrollon tokën e Kosovës në veri, 40 km tokë prej urës së Ibrit e deri në Leposaviq”. 

“Ndonëse prania e një grupi doganierësh në pikat kufitare 1 dhe 31 është një hap i vogël në drejtimin e duhur, argument kryesor i sovranitetit është kontrolli i territorit në veri”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Në anën tjetër, dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur në favor të masave të ndërmarra nga qeveria për shtrirjen e sundimit të ligjit në veri të vendit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...