Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/09

Përplot me toponime serbosllave


   Rexhep TORTE

Në këtë jubile të ndritur mbarëshqiptar të njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duhet bërë të pamundurën që në muajt që na kanë mbetur gjer te shënimi i këtij jubileu t’i ndryshojmë toponimet serbosllave të ngulitura në trojet shqiptare, ose të paktën të krijojmë mundësitë dhe të fillojë procesi i zëvendësimit të këtyre toponimeve me emërtime shqiptare. Në të kundërtën do të dëshmohemi të pandërgjegjshëm, të papërgjegjshëm dhe do tu mbetemi borxh për jetë të jetë të jetëve qindra mijëra e trimave sypatrembur, që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur e çliruar trojet shqiptare dhe kjo padyshim do të mbetej një njollë e zezë në këtë vit jubilar madhështor kombëtar.

Në të gjitha trojet tona të lara me gjakun e trimave tanë duhet të figurojnë toponime që frymojnë shqip. Kjo mund të bëhet shumë më lehtë, sidomos tani në demokraci kur ekziston një sistem i konsoliduar administrativ, arsimor , historik e shkencor, e sidomos në shtetin amë Shqipërinë ku për këtë veprim nuk duhet pyetur askënd.

Po t’i shikojmë hartat gjeografike, ose po të bëjmë një udhëtim nëpër trojet etnike shqiptare në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe Çamëri, do të hasim në shumë toponime serbosllave dhe greke që ta vrasin syrin duke i shikuar dhe veshin duke i dëgjuar. Këto toponime nuk kanë ardhur aq lehtë. Janë bërë luftëra të ashpra dhe është derdhur shumë gjak shqiptarësh autoktonë. Është fakt i pamohueshëm që edhe sot e kësaj dite, në mbarë trojet shqiptare është shumë e përhapur toponimia serbosllave. Historikisht është e njohur se valët e dyndjeve sllave në trojet shqiptare kanë filluar herët. Është shumë interesante se sllavët janë treguar tepër sistematikë dhe agresivë në ndryshimin e toponimisë së vendeve ku shkelnin. Kjo bëhej edhe përmes përkthimit të toponimeve vendase që i hasnin, përmes përdorimit të toponimisë kishtare ortodokse sllave dhe formave tjera. Qysh në Mesjetë në kanonikun e Car Dushanit ka pasur edhe rregulla të zyrtarizuara për ndryshimin e këtyre emrave autoktone shqiptare.

Ndryshimin e toponimeve shqipe serbosllavët e kanë bërë në mënyrë të qëllimshme, të ndërgjegjshme dhe largpamëse, për të ngulitur sa më thellë rrënjët sllave aty ku ata s’kanë qenë kurrë më parë. Sllavët me qenien dhe sjelljet e tyre kanë dëshmuar vuajtjen nga kompleksi. Ata janë ndje të kompleksuar nga mungesa e traditës kulturore dhe e lashtësisë së tyre historike. Me ardhjen e tyre në shekujt e mesjetës në trojet shqiptare, ata u ballafaquan me një qytetërim të lulëzuar dhe një kulturë të lartë ilire. Të gjendur përballë kësaj kulture të zhvilluar sllavët e kanë ndje veten të poshtëruar, dhe kjo i ka shty dhe ua ka shtuar oreksin të punojnë në mënyrë sistematike dhe agresive për afirmimin e pranisë së tyre në këto troje.

Shqipëria përplot me toponime serbosllave

Studimet dhe faktet flasin se kjo e keqe e ka zanafillën nga koha e Car Dushanit, i cili e pushtoi Shqipërinë me dhunë,vrasje, djegie e tmerr të paparë, duke krijuar një territor të okupuar për të pasur pranë edhe detin. Kjo dhunë e madhe e ushtruar ndaj popullatës vendase shqiptare, bëri që të shpërngulet me forcë një numër i madh i shqiptarëve nga trojet e veta. Serbosllavët brenda një kohe shumë të shkurtër arritën ta vendosin toponiminë në fushat, malet dhe qendrat shqiptare të banimit, duke shkelur mbi gjuhën dhe psikologjinë e popullit autokton shqiptar. Serbosllavët kur e pushtonin dhe sundonin një vend, pa marrë parasysh se ai vend kishte toponiminë e vet, ata zbatonin taktikën e konceptuar të mentalitetit të tyre të vrazhdë të vendosjes së toponimeve me gjuhën e tyre sllave. Për fat të keq kjo toponimi sllave në trojet tona është trashëguar gjatë dhe është e pranishme edhe në ditët e sotme. Flitet se në kohën e Mbretit Zog ka pasur disa nisma që toponimet sllave të zëvendësohen me toponime burimore shqipe, por faktori politik dhe shkencor nuk është treguar shumë vigjilent në këtë drejtim. Vizita ime kohë më parë në Shqipëri bëri që për të satën herë të lexoj shumë pllaka metalike të vendosura përbri rrugës e që janë të shkruara sipas toponimisë serbosllave. Kjo më shtyri të blej edhe një hartë të rrugëve automobilistike, ku nga jugu në veri të Shqipërisë figurojnë emërtimet Finiq, Lukovë, Brathaj, Selenicë, Çorovodë, Potom, Novosellë, Patos, Babica e Madhe, Kapaj, Bulgarec, Golem, Divjakë, Lezhë, Ostren, Maminas, Krastë, Mamuras, Sllovë, Gollobërdë, Zllaticë, Dobrac, Bistricë,Bogove, Bradashesh, Dobraç, Dunavec, Morave, Orenjë, Pavlle, Pogradec, Shijak etj. Toponime të këtilla serbosllave ka edhe në të gjitha trojet shqiptare jashtë trungut të shtetit shqiptar që administrohen nga shtetet fqinje.

Emri shqip ruan identitetin dhe autoktoninë

Emri është elementi kryesor dhe legjitim i identitetit të një individi, një populli dhe një vendbanimi. Gjuha dhe emri janë argumentet që i japin kuptim, frymë dhe jetë lirisë së njeriut. Copëtimi i trojeve shqiptare në pesë shtete ka bërë të vetën dhe ka lënë pasoja të thella edhe në ndryshimin e toponimisë autoktone shqiptare. Çuditërisht ky fenomen me dekada është duke u parë nga shqiptarët me një indiferentizëm dhe gjakftohtësi që nuk duhet lejuar. Kuptohet se shqiptarët që jetojnë në trojet e veta por në shtetet fqinje e kanë më të vështirë të marrin nisma për kthimin e toponimisë autoktone shqiptare,e lidhur me këtë kanë njëfarë arsyetimi, pasi ende nuk janë duke i gëzuar të drejtat tyre të plota e legjitime. Por shteti amë Shqipëria që gëzon pavarësinë e saj një shekull të plotë , nuk mund të gjejë asnjë arsyetim pse nuk e ka filluar dhe pse nuk e ka bërë gjer më sot zëvendësimin e toponimeve të huaja serbosllave me ato autoktone shqiptare. Për fat të keq gjer më sot ne nuk kemi dëgjuar që të jetë ndërmarrë ndonjë nismë e kësaj natyre.

Organizmat shkencore shqiptare dhe intelektualët e organizmat administrative vendore, duhet pa humbur kohë të ndërmarrin një fushatë dhe veprim konkret për të bërë shumëçka në këtë drejtim. Akademia e shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i historisë, Instituti i gjeografisë dhe Instituti i gjuhës shqipe, i kanë të gjitha mundësitë dhe lirinë për ta studiuar mirë toponiminë dhe mikrotoponominë vendase, për të gjetur e zbuluar toponimet e hershme shqipe të këtyre vendeve të zëvendësuara me toponime serbosllave dhe për t’i kthyer sërish në gjuhën shqipe. Këtë angazhim dhe aktivitet duhet ta marrin në dorë edhe organizmat vendore në Shqipëri dhe në të gjitha trojet e tjera shqiptare ku jetojnë shqiptarët. Toponimia lypset të vendoset mbi bazën e etnisë dhe në mënyrë të institucionalizuar.Në këtë drejtim edhe partitë politike shqiptare edhe inteligjenca shqiptare duhet ta luajnë rolin e tyre konstruktiv. Në Kosovë onomastika sllave, që më parë ka qenë shqiptare,është e proviniencës sllave.Kishat serbe,bullgare e greke në trojet shqiptare që i kanë okupuar kanë imponuar onomastikën sllave në trojet shqiptare. Sipas informatave tona në Kosovë ekziston një traditë të hershme për zëvendësimin e toponimisë sllave me emra në gjuhën shqipe. Për shembull Kishareka quhet Lumësi, Dobërveni- Miradi, Vuçitërni- Vushtri, Uroshevaci-Ferizaj e kështu me radhë. Është themeluar edhe kartoteka e minitoponimisë së Kosovës dhe mbi baza shkencore vazhdon puna në këtë drejtim. Ndërkaq në Maqedoni lidhur me toponimet as që mund të flitet. Shqiptarët në Maqedoni edhe në vitet e demokracisë po përballen me meskinllëkun maqedonas për të drejtat e tyre legjitime. Botimi i Enciklopedisë maqedonase shtrembëruese, ofenduese dhe antishqiptare, botimi i papërshtatshëm i librave shkollorë në gjuhën shqipe, sulmet fizike mbi nxënësit shqiptarë, lejimi i rrënimit të shumë monumenteve kulturore e historike shqiptare, e mbi të gjitha zvarritja dhe obstruksionet nga ana e maqedonasve në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, tregojnë se as që mund të mendohet e flitet për ndryshimin e ndonjë toponimi sllav në këto troje shqiptare.

E aktualizuam këtë problematikë të rëndësishme për të sensibilizuar dhe mobilizuar të gjitha forcat intelektuale, administrative dhe politike shqiptare, për t’i flakur njëherë e përgjithmonë emërtimet serbosllave, këto çibanë që me shekuj po ndotin hapësirat dhe trojet tona shqiptare.

Teoria e Gardnerit mbi inteligjencën



Dr.sc. Agim Rushiti


Howard Gardner, profesor i edukimit dhe psikologjisë në Universitetin e Harvardit, më vitin 1983, propozoi (formuloi) një teori të inteligjencës e njohur si Teoria e inteligjencave të shumëfishta (apo multiple) (Theory of Multiple Intellegences). Sipas kësaj teorie, inteligjenca është në një sasi të konsiderueshme më e shumëllojshme dhe më shumëpalëshe, se sa e pranon nocioni i inteligjencës së përgjithshme. Për dallim nga shumë studiues psikometrik, Gardneri nuk e mbështet inteligjencën vetëm në analizën e faktorëve të testeve të standardizuara, për të nxjerrë përfundime rreth formave të ndryshme të inteligjencës dhe se testet e tilla psikometrike lënë mënjanë shumë aspekte të inteligjencës, respektivisht përjashtojnë paraqitjet e inteligjencave, të cilat janë mjaft të rëndësishme për një jetë të suksesshme.

Teoria e inteligjencave të shumëfishta e Gardnerit, në fillim përbëhej prej shtatë llojeve të inteligjencës: inteligjenca verbale-gjuhësore, interpersonale, intrapersonale, logjike-matematike, pamore-hapësinore, muzikore-ritmike dhe trupore-kinestetike. Në kohën e fundit, Gardneri ia shton (postulon) teorisë së vet edhe të ashtuquajturën inteligjencë natyrale, si tip të tetë të inteligjencës, pastaj edhe dy tipe të reja të cilat flasin mbi termat “kandidatë” për inkluzion në modelin ekzistues, e ato janë inteligjenca egzistenciale dhe spirituale, e cila bart shënimin simbolik (Ziegler & Heller,2000).

Teoria e Gardnerit është ngushtë e lidhur me kreativitetin. Dimë se çdo kush e njeh kreativitetin, një numër i vogël i njerëzve mendon për kreativitetin dhe një numër shumë i vogël i njerëzve merr guximin të merret me kreativitet. Kreativiteti është rrugë që dërgon në inovacion dhe zbulim. Kreativiteti zakonisht shfaqet te njeriu kur ai e aktivizon anën e majtë dhe të djathtë të trurit. Kur të dy anët e trurit janë aktiv, atëherë truri prodhon ide origjinale (kreativitet). Për të aktivizuar anën e djathtë të trurit, zakonisht njeriu duhet të merret me inteligjencën muzikore-ritmike dhe inteligjencën pamore-hapësinore. Por, edhe inteligjencat tjera e inspirojnë anën e majtë të trurit. Me kombinimin e inteligjencave krijohen kushte ideale për kreativitet.

1) Inteligjenca verbale-gjuhësore (e njohur edhe si inteligjenca linguistike) – Kjo inteligjencë bazohet në aftësinë e nxënësve të mësojnë përmes tregimeve, fjalëve, shënimeve etj. Përfshin gjuhën dhe ka të bëjë, jo vetëm me mësimin e gjuhës, por edhe me përdorimin e mirë të saj. Pra, favorizon aftësitë verbale;

2) Inteligjenca logjike-matematike – Nxënësit që kanë dominante këtë inteligjencë, u pëlqen që të zgjidhin, krijojnë dhe prezantojnë probleme logjike, si dhe të llogarisin dhe eksperimentojnë. Kjo inteligjencë, pos në matematikë dhe shkencë, mund të zbatohet në çdo fushë të kurrikulumit (Amstrong, 1994).
Kjo inteligjencë bazohet në aftësinë e nxënësve të mësojnë mësimet në mënyrë kronologjike. I referohet arsyetimit logjik, aftësisë për të zgjidhur probleme matematike. SAT–testet e inteligjencës mbështeten në matjen e inteligjencave verbale matematike;

3) Inteligjenca pamore–hapësinore (apo inteligjenca vizuale–hapësinore) - është aftësi e njeriut që të ketë një vizion dhe paragjykim vizual mbi botën e tij fizike. Gjatë formimit të koncepteve matematike, krahas përvojave pamore, është e nevojshme edhe një kujtesë abstrakte, përmes së cilës modelet e përvojës pamore, abstagohen, kodohen dhe simbolizohen. Ato në fakt janë modele pamore të koncepteve matematike në prag të abstraksionit dhe një hallkë shumë e rëndësishme në rrugën prej konkretes kah abstraktja.

4) Inteligjenca muzikore–ritmike – është aftësia e njeriut për të kuptuar, paraqitur dhe vlerësuar ritmin, lëkundjet dhe cilësinë e tingujve dhe zërit. Është një inteligjencë e veçantë e cila përfshin kryesisht ata njerëz që lindin me një aftësi superiore për sa i përket muzikalitetit.

5) Inteligjenca trupore-kinestetike – është aftësi për të përdorur në mënyrë të shkathët trupin ose pjesët e tij, për të ndërtuar apo transformuar gjërat. Përdorimi i kësaj intelegjence është një rast i mirë për nxënësit kinestetik që më lehtë të kuptojnë matematikën.

6) Inteligjenca interpersonale – është aftësi e harmonizimit të jetës së brendshme. Kjo është aftësi e krijimit të modelit autentik dhe natyral të qenies dhe rastit që ky model të shfrytëzohet për t’u bërë jeta frytdhënëse. Esenca e inteligjencës interpersonale përfshin shkathtësinë që në mënyrë të mirëfilltë të njihen disponimet, temperamentet, motivimet dhe dëshirat e njerëzve tjerë dhe në to të përgjigjet. Inteligjenca interpersonale paraqet çelës i vetënjohjes, është afrim pranë ndjenjave personale dhe aftësisë së dallimit të tyre dhe të radhitjes si udhëheqës së sjedhjeve;

7) Inteligjenca intrapersonale – është aftësi për të njohur vetveten, për të vetreflektuar, për të kontrolluar dhe disiplinuar botën e brendshme të qenies sonë individuale. Bazohet në aftësinë e nxënësve të mësojnë në mënyrë individuale. Kjo inteligjencë i referohet aftësisë së njeriut për të njohur vetveten, si p.sh. njohja e anëve të forta apo të dobëta të karakterit, vetëdija për të mos ekzagjeruar rëndësinë e tij etj.
Inteligjenca interpersonale dhe inteligjenca intrapersonale me një emër quhen inteligjencë sociale.

8) Inteligjenca natyrore –Kjo inteligjencë është aftësi për të njohur, dalluar, klasifikuar dhe vlerësuar florën dhe faunën, me tërë diversitetin e tyre në natyrë.
Funksionet e ndryshme të aftësive intelektuale, sipas Gardnerit, janë relativisht të pavarura, gjegjësisht çdo individ posedon kombinacionin e vetëm të shtatë llojeve të ndryshme të inteligjencave të cilat paraqiten me intensitete të ndryshme. Poqë se te ndonjë individ paraqitet intensiiteti i theksuar i ndonjë nga tetë llojet e inteligjencave, atëherë themi se ai individ konsiderohet si me prirje në atë sferë. Këto inteligjenca, Gardner i shikon si inteligjenca që funksionojnë së bashku te individi. Sipas tij, kur njëra dominon individi duket “jo normal”, ashtu si një njeri që shumëzon numra të mëdhenj përmendësh (në mendje), por që nuk mund t’i lidh dot me qenien njerëzore.

Pra, sipas Gardnerit, për t’u zhvilluar një nxënës në një person të kompletuar, duhet të ushqejë të gjitha inteligjencat e sipërpërmendura. Gardneri thotë se të gjithë individët kanë aftësi për njohjen e botës përreth, me ndihmën e gjuhës, analizës matematiko-logjike, prezantimit hapësinor, përfytyrimit muzikal, inteligjencës truporo-kinestetike (shfrytëzimi i trupit për zgjidhjen e problemeve ose për të krijuar diçka), të kuptuarit e individëve të tjerë dhe vetvetes, si dhe të kuptuarit e natyrës. Më tutje, ai beson se është shumë me rëndësi që shkollat t’u mundësojnë nxënësve që t’i shfrytëzojnë këto lloje të inteligjencave në kontest të kurikulumit shkollor.

“Ka ardhur koha t’i zgjerojmë shikimet tona në spektrin e talentëve. Kontributi i parë dhe kryesor të cilin arsimi mund ta bëjë për zhvillimin e fëmijës është t’i ndihmojë në lëmi, ku talenti i tij më së shumti vjen në shprehje, ku do të jetë i shkathtë dhe i kënaqur. Në tërësi këtë e kemi qitur nga mendja. Në vend të kësaj, ne secilin e shtyjmë të shkollohet, pas të cilës, nëse keni sukses, më së shumti t’ju përgjigjet të bëheni profesor në kolegj. Dhe, gjithë kohën, secilin e vlerësojmë sipas asaj se a inkuadrohet në standardet e ngushta të suksesit. Duhet shpenzuar më pak kohë duke i vlerësuar nxënësit, e më shumë kohë t’i kushtojmë dhe t’i ndihmojmë t’i njohin aftësitë e tyre personale të dhuruara nga natyra si dhuratë dhe pikërisht këto t’i zhvillojmë. Ekzistojnë me qindra mënyra që të arrihet suksesi dhe shumë aftësi të ndryshme të cilat do t’ju ndihmojmë në këtë çështje” (Gardner).

2012/11/08

Botimi "Shqipja dhe gjuhët ballkanike"

Kohë më parë Akademia e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizuan përurimin e botimit "Shqipja dhe gjuhët ballkanike". Ky botim përmban aktet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare "Shqipja dhe gjuhët ballkanike" organizuar në Prishtinë më 10-11 nëntor 2011. Në përurimin e këtij botimi përshëndeti Akademik Mehmet Kraja dhe referuan Akademik Rexhep Ismajli, Akademik Kolec Topalli dhe prof. Seit Mansaku.

Gjeofizika e zbatuar në shkencat e tokës

V. Silo, S. Bushati

"Një libër ku përfshihen konceptet bazë të përpunimit në ordinator të sinjalit në përgjithësi dhe atij sizmik në veçanti, ku trajtohen parimet themelore teorike të përhapjes dhe regjistrimit të valëve sizmike, aplikimit të tyre në fushat e gjeoshkencave", kështu u shpreh një nga kërkuesit shkencorë që morën pjesë në përurim për librin në fjalë.

Libri është fryt i një pune disavjeçare dhe vjen si përgjigje e kërkesave praktike dhe teorike bashkëkohore ndaj metodave gjeofizike. Botimi i tij përfshin të dhënat më të fundit, të konsultuara në një literaturë të gjerë vendëse dhe të huaj.

Sipas kumtuesve, libri është një arritje në këtë fushë që vitet e fundit ka marrë një peshë të madhe, edhe sepse sjell zgjidhje për probleme që janë gjithnjë aktuale. Hyrja dhe parathënia e librit janë përkthyer edhe në gjuhën angleze.

A review of the application of geophysical methods in exploration for copper and chrome ores in Albania

A. Frashëri, G. Beqiraj, N. Frashëri

Në përurimin e këtij libri të veçantë në llojin e vet, morën pjesë mjaft studiues të fushave të ndryshme kërkimore, por dhe studentë që ishin të interesuar të dëgjonin rreth një teme të tillë, për vlerat shkencore dhe aplikative të eksplorimit të kromit dhe bakrit, dy minerale me peshë në ekonominë e vendit tonë.

Libri përbëhet nga dy pjesë, në të parën (me 4 kapituj) autorët sjellin një historik të shkurtër të studimeve përkatëse, për të kaluar në një analizë të vendit dhe rolit të gjeofizikës në kërkimin e integruar gjeologjik të mineraleve solide. Në monografi ka zënë një vend të posaçëm aplikimi i metodave gjeofizike në këtë fushë. Në pjesën e dytë (kapitulli 5) trajtohet problemi i përpunimit dhe inversionit të të dhënave të vrojtimeve elektrometrike. Libri ka një aparat të pasur shkencor, është i pajisur edhe me bibliografi dhe me një indeks emrash.

Kërkuesit që e morën fjalën bënë një përshkrim dhe vlerësim të monografisë, që u konsiderua si një nga studimet më të thelluara në fushën e shkencave të tokës, edhe për hir të metodologjisë së ndjekur e kritereve shkencore, por edhe si një përmbledhje e arritjeve më të mira në këtë lëmë. Përveç kapitullit të pestë që është në shqip, pjesa tjetër e librit është përkthyer në gjuhën angleze.

Fjalor enciklopedik shqiptar



Kohë më parë në Akademinë e Shkencave u përurua vëll. 3 i veprës “Fjalor enciklopedik shqiptar”. Vëllimet 1 dhe 2 të kësaj vepre, që përmbajnë përkatësisht shkronjat A-Gj dhe H-M u përuruan një vit më parë, më 26 qershor 2008. Vëllimi 3 përmban shkronjat N-Zh dhe përmbyll krejt veprën, e cila përfshin gjithsej 3048 faqe tekst, përveç parathënies, aparatit shkencor dhe ilustrimeve me ngjyra (fotografi, harta) në fund të çdo vëllimi. Gjithë vepra përmban rreth 7500 zëra që pasqyrojnë botën shqiptare në tërësi që nga lashtësia deri në ditët tona. Vëllimi 3 është më i madhi me rreth 1250 faqe. Këtu ndër të tjera përfshihet dhe zëri Shqipëria (f. 2537-2617), që përmban një informacion të pasur e sintetik për gjeografinë, historinë, ekonominë, arsimin e kulturën dhe aspekte të tjera të jetës së vendit tonë. Zëra të tjerë të rëndësishëm të këtij vëllimi janë Skënderbeu, Ismali Qemal Vlora, Nënë Tereza, Rilindja Kombëtare Shqiptare.

Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë kryesia e Akademisë së Shkencave, anëtarët e Këshillit botues të “Fjalorit enciklopedik”, punonjës e bashkëpunëtorë të Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave.

Histori e prodhimit kimik në Shqipëri

Dh. Haxhimihali

Në këtë libër shpaloset historia e prodhimit kimik në Shqipëri, prej lashtësisë deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XXI. Është përpjekja e parë që bëhet te ne për të treguar se çfarë, kur, ku, si dhe sa është prodhuar te ne, gjatë periudhave të ndryshme historike, duke u bazuar në procese prodhimi të cilat kanë si tipar themelor të tyre shndërrimin kimik të lëndëve, të trajtuara nga këndvështrimi i zhvillimit teknologjik e teknik.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...